‘S’rreshta kurrë së menduari për ty’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./KultPlus.com

Ministri Çeku e vlerëson vitin 2021 si të suksesshëm, premton rritje të buxhetit edhe për vitin 2022

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar punën vjetore dhe planet për vitin e ardhshëm të kësaj ministrie, përcjell KultPlus.

Çeku nisi konferencën duke përmendur intervenimet e MKRS-së në ruajtën e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Në fillim janë identifiku mbi 200 monumente që janë në rrezik, 12 ndërhyrje kanë përfundu tashmë 18 janë në proces dhe 16 pritet të fillojnë së shpejti. Për vitin 2022 kemi planifiku mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente, me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në gjithë vendin po vazhdojmë me projektet e restaurimit të monumenteve. Ndër ato që po restaurohen janë: Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla  e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit, përfshirë hamamin e Gazi Mehmet Pashës.”- tha ministri Çeku.

Ndërkaq për vitin 2022, ministri Çeku potencoi se kanë planifikuar buxhet prej 5.4 milionë euro për Trashëgimi Kulturore, prej të cilave një milion për ndërhyrje emergjente.

Aktualisht në proces të hartimit të kësaj ministrie janë tri plane të menaxhimit, lokaliteti arkeologjik ‘Ulpiana’, hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës.

Ministri Çeku poashtu thekson se gjatë vitit 2021 mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore është 913.000 euro, ku krahasuar me vitin e kaluar është rritur për 3.5 fish.

Gjatë vitit 2021 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar një sërë bashkëpunimesh në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Me ministrinë e planifikimit hapësinor dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa kufi tashmë po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhimn e aseteve të trashëgimisë. Me ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, kemi arritur marrëveshje për mbështetje profesionale për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare ndërsa me BE-në i kemi dhënë dinamikë projekteve si ‘Ulpiana’, Marin Barleti, Kino ‘Lumbardhi’ dhe ‘Janjeva’.” – theksoi ministri Çeku.

Ministri Çeku poashtu tha se shumë shpejt do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.

Një tjetër sukses të punës 9 mujore të kësaj ministrie, Çeku e konsideron edhe krijimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 1998/1999 dhe nismën për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike edhe etnografike nga muzetë e Beogradit.

Tek kultura, ai thekson së është themeluar grupi koordinues për caktimin e koncept dokumentit për kulturën.

“Gjatë muajve të fundit kemi bërë analizat e nevojshme, kemi mbledhur informacion dhe jemi duke biseduar dhe bashkëbiseduar me komunitetin artistik, dy janë synimet tona kryesore, institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.” -tha Çeku duke shtuar se janë duke punuar intenzivisht në menaxhimin financiar efikas të institucioneve publike të kulturës, planet vjetore të prokurimit, aktivizimin e Petty Cash dhe angazhimin i zyrtarëve shtesë financiarë.

Ministri Çeku thotë se gjatë vitit 2022 do të bëhet renovim më i madh i ndërtesës që akomodon Teatrin Kombëtar dhe Baletin. Po ashtu ai shton se është siguruar hapësirë shtesë te Pallati i Rinisë për filharmoninë, operën, baletin, teatrin dhe QKK-në.

Ndërkaq, krahas ligjit unik për kulturën, Çeku thotë se me interes të veçantë janë duke e trajtuar edhe ligjin për kinematografinë i cili është shtyrë për vitin e ardhëshëm.

“Përmes këtij ligji, synojmë të shpallim filmin, sektor me interes të veçantë publik dhe të nxisim investimet e huaja në industrinë e filmit.”- shtoi ai.

Ministri Çeku nuk la pa përmendur edhe veprimet dhe planet për vitin e ardhshëm në fushën e sportit.

“Deri tani, në investime kapitale kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, palestra sportive në Skenderaj, stadiumi i Zhurit, i 2 Korrikut dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht janë 37 projekte të investimeve kapitale në sport që janë në vazhdim e sipër ndërsa në buxhetin e vitit 2022 planifikojmë t’i përfundojmë të paktën 15 prej tyre. Kemi siguruar mbështetje gjithnjë në rritje për sportin. Rreth 455 mijë euro është shuma shtesë që kemi siguruar vetëm javën e kaluar për federatat e sportit. Brenda programit të ringjalljes, sporti dhe sportistët kanë përfituar 2.28 milionë euro… Mbështetja e përgjithshme për KOK-un, federatat, klubet dhe sportistët gjatë vitit 2021 është 6.35 milionë euro.” – thotë Çeku duke theksuar se kjo mbështetje financiare paraqet një rritje prej 57 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri Çeku foli edhe për ndërtimin e stadiumit në qytetin e Gjilanit, për të cilin ai thotë se po bashkëpunon me kryetarin e kësaj komune.

“Sot e kemi marrë edhe një lajm inkurajues nga kryetari i Komunës së Gjilanit i cili e ka intensifikuar komunikimin me operatorin që po i kryen punimet në stadiumin e futbollit në Gjilan, një problematikë e trashëguar për të cilën ne kemi përgjegjësi të madhe për ta përfunduar sa më shpejt që është e mundur.” – tha ministri Hajrulla Çeku.

Në konferencën e thirrur për media ministri i Kulturës ka prezantuar punën nëntë mujore të kësaj ministrie./KultPlus.com

Interesim i jashtëzakonshëm në ofertën për transferim në Shkollën Finlandeze

Shkolla Finlandeze në Kosovë, së fundmi e pasqyruar në CNN si një nga shkollat më inovative në botë, për herë të parë ka nisur një kampanjë, përmes së cilës iu mundëson nxënësve nga të gjitha shkollat e Kosovës të transferohen në Shkollën Finlandeze me një cmim promovues, dhe në këtë mënyrë, të zhvillohen në sistemin më të mirë të arsimit në botë, atë Finlandez. Kjo kampanjë e cila është aktive vetëm gjatë periudhës 24 Dhjetor – 10 Janar dhe vetëm për një numër të limituar vendesh në disa klasë, ka hasur në interesim të jashtezakonshëm të prindërve dhe nxënësve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë, por me kosto të përballueshme. Interesimi sidomos është i dukshëm për klasat parashkollor, 5-6 dhe 9, e cila ju mundëson nxënësve përgatitje më të mirë për ciklin për të hyrë në klasën e parë, në shkollën e mesme të ulët dhe shkollën e mesme të lartë. https://www.youtube.com/watch?v=lwg3yeu5qDQ

Për të përfituar nga kjo kampanjë për transferim në gjysëmvjetor të dytë, të interesuarit mund të aplikojnë për më shumë informata në linkun: https://kosovo.finnish.school/register.html apo duke kontaktuar në 045 2350 650 ose [email protected].

Përmes kësaj kampanje, nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në gjuhë angleze, matematikë, shkencë dhe arte përmes mësimit të bazuar në projekte dhe praktikë; Zhvillimit të kreativitetit përmes lojrave dhe metodave kreative; Avancimit në shkenca dhe matematikë përmes eksperimenteve praktike dhe zhvillimit të njohurive të avancuara në robotikë dhe kodim.

Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore./ KultPlus.com

Traileri i ri i ‘The Batman’ shfaq një Robert Pattinson dhe Zow Kravitz shumë të bashkuar

Warner Bros ka publikuar një trailer të ri për adaptimin e saj të ardhshëm të DC “The Batman”, ku interpreton Robert Pattinson si heroin vigjilent dhe Zoë Kravitz si aleaten e tij Selina Kyle, e njohur ndryshe si Catwoman.

Traileri i ri fokusohet në marrëdhënien midis dy personazheve, duke shfaqur sekuenca të Batman-it dhe Catwoman-it që luftojnë njëri-tjetrin, si dhe shkëmbime më të pasionuara dhe të ngurta.

“Ke shumë mace,” i thotë Batman Kyle, duke vizituar apartamentin e antiheroit. “Kam një gjë për endacakët,” përgjigjet ajo, duke mbajtur në dorë atë që duket të jetë një gotë qumësht.

Riddler interpretuar nga Paul Dano gjithashtu merr një rol të spikatur në trailer.Warner Bros po vazhdon ta mbajë disi të fshehur antagonistin në marketingun e “The Batman”, duke u fokusuar më shumë në trupat e vdekur dhe videot e dhëna që ai lë pas vdekjes së tij.

“Unë jam këtu vetëm për të demaskuar të vërtetën për këtë gropë që ne e quajmë qytet,” thotë Riddler.

Pamja e re përmban gjithashtu pamje të Batman duke lundruar në një nëntokë të përmbytur Gotham, shpërthime përgjatë vijës bregdetare të metropolit dhe një sulm në atë që duket të jetë një tubim i fushatës politike. Traileri përfundon me Batman dhe Catwoman që luftojnë kundër një turme burrash të armatosur në një pasarelë industriale./ lapsi.al/ KultPlus.com

Vdes ‘trashëgimtari i Darvinit’

Edward Osborne Wilson, një nga natyralistët më të mëdhenj në botë, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Wilson ishte një biolog i nderuar me çmime të rëndësishme, profesor në universitetet Harvard dhe Duke, si dhe i cilësuar si “trashëgimtari i Darvinit”.

Fusha e tij e studimit ishin milingonat dhe ekosistemet, si dhe ka bërë fushata për të ndaluar dëmtimin global të biodiversitetit. I lindur në Birmingham, Alabama në 1929, Wilson pati interes ndaj natyrës në moshë të hershme. Por pasi një fletë peshku i hyri në sy duke i dëmtuar shikimin në largësi, u fokusua në krijesat më të vogla sepse kishte mundësi t’i studionte nga afër.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, por është parashikuar një homazh për jetën e tij në vitin 2022./ KultPlus.com

Shqipëria kryeson përpjekjet për shpëtimin e refugjatëve afganë

Katër muaj pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Kabuli, Uashingtoni mbetet ende i përhumbur nga tërheqja e tij nga Afganistani si edhe nga fakti që ai e di shumë mirë se krizat që tani po e mbërthejnë atë vend, nuk ka gjasa të mbeten atje, shkruan Vance Serchuk* për gazetën e njohur amerikane “Wall Street Journal”.

Megjithatë, nëse ka një histori shpresëdhënëse për të dalë nga fatkeqësia afgane e këtij viti, ajo mund të jetë në Ballkanin Perëndimor, një rajon që vetëm një gjeneratë më parë përjetoi një largim në masë refugjatësh, por që doli në ballë verën e kaluar si një strehë e papritur për ata që iknin nga talebanët.

Dhe të gjithë këtë e kryesoi Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Edhe para rënies së Kabulit, zoti Rama e mori këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ofruar strehim të përkohshëm për afganët e rrezikuar, që nuk kishin ku të shkonin.

Që nga fundi i gushtit, më shumë se 2 000 afganë dhe familjet e tyre, përfshirë figura të shquara grash, gazetare dhe aktiviste të shoqërisë civile, janë evakuuar nga organizata joqeveritare të palëve të treta. (Ndër OJQ-të e përfshira është edhe fondacioni ”Për të ardhmen e Afganistanit”, në bordin e të cilit unë shërbej.)

Në vend që ta fshihnin apo ta nënvlerësonin këtë fluks të huajsh, liderët e Shqipërisë i kanë përqafuar ata me krenari kombëtare.

Kur avionët e parë me afganë u ulën në aeroportin e Tiranës këtë verë, kryeministri shqiptar ishte në pistë për t’i përshëndetur ata personalisht.

Për refugjatët e traumatizuar që mbërrinin pa para’ në një tokë të huaj, prania e zotit Rama ishte një gjest i jashtëzakonshëm për të treguar se Shqipëria do t’i trajtonte afganët jo si një barrë për t’u duruar, por si mysafirë të nderuar që meritojnë respekt.

Për këtë arsye zoti Rama ndaloi strehimin e afganëve në kampe dhe në vend të kësaj i akomodoi ata në një kompleks turistik bregdetar.

Veprat e drejtuesve të Shqipërisë kanë qenë në përputhje të plotë me fjalët e tyre. Si në trajtimin mjekësor, shpërndarjen e rrobave dimërore apo organizimin e kurseve të anglishtes, shqiptarët brenda apo jashtë qeverisë kanë qenë partnerë krijues dhe të palodhur në kujdesin për refugjatët afganë.

Kjo ka qenë edhe më mbresëlënëse duke pasur parasysh burimet e kufizuara të Shqipërisë.
Një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës ka qenë ndër më bujarët në përgjigjen ndaj krizës afgane.

”Ajo që kemi bërë nuk duhet të konsiderohet e jashtëzakonshme”, më thotë zoti Rama në një intervistë.

“Si mund të kishim bërë ndryshe?”, pyet ai.

Në shpjegimin e vendimit për të strehuar afganët, zoti Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka evokojnë përvojat e vetë shqiptarëve me luftën dhe shpërnguljet gjatë trazirave ballkanike të viteve 1990.

”Ne e dimë se si është të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, nga vendi yt”, thotë zonja Xhaçka.

Ata citojnë gjithashtu heroizmin e kombit të tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Shqipëria me shumicë myslimane i dha fund Luftës së Dytë Botërore me një komunitet më të madh hebre se para fillimit të saj.

Megjithatë, cinikët paralajmëruan verën e kaluar se dashamirësia e Shqipërisë do të rezultonte një bumenrang duke provokuar një reagim të brendshëm politik, një kërcënim terrorist apo një vërshim refugjatësh.

Asnjë nga këto frikëra nuk u materializua. Afganët që mbërrijnë në Shqipëri janë pranuar përmes një procesi të kontrolluar me kujdes dhe në një numër të menaxhueshëm. Ata priren të jenë profesionistë të arsimuar me lidhje të ngushta me Perëndimin, thënë ndryshe lloji i njerëzve të terrorizuar nga ekstremistët islamikë, jo të radikalizuar prej tyre. Për këtë arsye, shumica kanë edhe raste të forta për të ikur në SHBA.

Është në interesin e Uashingtonit që Shqipëria të mos penalizohet për performancën e saj në këtë krizë, përpara se të shteren kapacitetet e saj bamirëse.
Administrata Biden duhet të dërgojë personel amerikan për të përpunuar kërkesat e refugjatëve afganë të evakuuar në Shqipëri.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit në shtator se kjo do të ndodhte, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Në praktikë, administrata Biden i ka dhënë më shumë prioritet afganëve të dërguar në bazat ushtarake të SHBA-së sesa atyre të evakuuar në vende të treta si Shqipëria.

Por, situata e krijuar në aeroportin e Kabulit verën e kaluar nënkuptonte se ishte shpesh arbitrare nëse dikush përfundonte me një transport të Forcave Ajrore për në Katar apo me një fluturim çarter për në Ballkan.

Gjithashtu arbitrare: Administrata Biden ka lënë të kuptohet se mund t’i trajtojë afganët e sjellë në Shqipëri përpara 31 gushtit ndryshe nga ata që mbërritën më pas. Kjo do të ishte në kundërshtim me premtimet e Shtëpisë së Bardhë verën e kaluar se angazhimi i saj ndaj afganëve të rrezikuar nuk do të zvogëlohej pas tërheqjes ushtarake të SHBA.

Ajo që nevojitet është një zgjidhje e plotë, e udhëhequr nga SHBA, për komunitetin afgan në Shqipëri.

Në një kohë kur shumë amerikanë kanë humbur besimin në aftësinë e tyre për të ndryshuar botën për mirë, lidershipi i Shqipërisë duhet të shërbejë si një udhëzues.

Një çerek shekulli më parë, SHBA mblodhi me sukses demokracitë transatlantike për t’i dhënë fund dhunës gjenocidale që shpërbëu ish-Jugosllavisë.

Tani, Ballkani Perëndimor mund t’i kujtojë një Perëndimi të demoralizuar se si duhet të duket një lidership parimor global dhe pse është ende e nevojshme një gjë e tillë.

(*Vance Serchuk është drejtor ekzekutiv i Institutit Global KKR dhe një bashkëpunëtor në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane)

Grabitja e shtëpisë së Vaçe Zelës, gjenden gjurmë gishtash dhe flokë

Shtëpia e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, nuk është kursyer nga hajdutët në kryeqytet, të cilët kanë arritur të marrin edhe medaljen e akorduar për të nga Presidenti i Republikës.

Ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur gjatë fundjavës, por duke qenë se aty nuk jetonte njeri, nuk dihet disa apo ora e saktë. Bastisja është konstatuar nga motra e mbretëreshës së këngës, e cila kujdesej herë pas here për shtëpinë që ndodhet në një pallat pranë “Pazarit të ri”, në Tiranë.

Kur ka tentuar të hapë derën me çelës, ajo ka parë që në fakt ishte e hapur dhe kur është futur brenda ka gjetur gjithçka përmbys. Në këtë moment ka lajmëruar Policinë dhe shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton Panorama.

Të paktën deri tani, nga verifikimet e kryera në shtëpi, rezulton se mungon një lap top, ora e bashkëshortit të Veçe Zelës, si dhe një dekoratë. Ekspertët kriminalistë kanë fiksuar disa prova në vendngjarje, gjurmë gishtash dhe një fije floku, që po analizohen në laboratorin e kriminalistikës, për të arritur në ndonjë emër autori të mundshëm.

Ndërsa sa i përket mënyrës se si autorët kanë depërtuar brenda shtëpisë, burimet thonë se dera dyshohet se është hapur me kartë, duke qenë se nuk ishte e mbyllur me çelës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë dje ende nuk është arritur të identifikohen autorët që kanë vjedhur shtëpinë e këngëtares Vaçe Zela në Tiranë, e cila është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014 në Zvicër, ku jetonte me vajzën e saj.

Midis sendeve me vlerë të vjedhura që autorët kanë arritur të marrin është edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës./lapsi.al/ KultPlus.com

Hapet Muzeu i Skatebordit në Shën Petërsburg, përmban materiale të viteve 1980

Është hapur Muzeu i Skatebordit në Shën Petërsburg të Rusisë.

Muzeu i Skatebordit u hap në nëntor në Shën Petërsburg, i cili përmban dërrasa sovjetike të viteve 1980, dhe po ashtu të gjitha llojet e mallrave të patinave.

Themeluesi i kësaj është Pavel Trifonov, i cili në këtë sport është që nga mosha 13-vjeçare, apo që nga viti 1987.

Trifonov është frymëzuar që ta hap këtë muze në Shën Petërsburg i frymëzuar nga Muzeu i Saktebordit të ish Bashkimit Sovjetik në Minsk.

“Ishte viti 2010 dhe bleva domenin skatemuseum.ru. Që nga ai moment, dhjetë vjet më parë, fillova të mos e hedh atë që kisha grumbulluar në komodinë, por ta ruaj dhe ta rris atë”, është shprehur Trifonov.

Ekspozitat përfshijnë revista skatebordi të bëra në qytetin e Saratovit 30 vjet më parë, tabela dore dhe mallra si rripa, orë alarmi dhe madje edhe shishe./KultPlus.com

India bllokon fondet e huaja për organizatën e Nënës Terezë

Qeveria e Indisë ka refuzuar vazhdimin e licencës për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, përmes së cilës i mundësohet marrja e fondeve të huaja.

Organizata, Misionarët e Bamirësisë, ka mijëra murgesha që mbikëqyrin projekte sikurse shtëpi për fëmijë të braktisur, shkolla dhe klinika.

Në Ditën e Krishtlindjes, Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk ia ka vazhduar regjistrimin kësaj organizate për shkak të “të dhënave negative”.

Hindusët e linjës së ashpër e kanë akuzuar tash e një kohë këtë organizatë se është duke përdorur programet e saj për t’i konvertuar njerëzit në fenë e krishterë.

Organizata bamirëse ka hedhur poshtë këto akuza.

Në një deklaratë të publikuar më 27 dhjetor, organizata e ka konfirmuar se aplikacioni nuk i është pranuar dhe se nuk do të ketë aktive llogaritë për fondet e huaja “derisa të zgjidhjet kjo çështje”.

Shefja ministrore në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për bllokim të llogarive të organizatës prej nga pranon fonde të huaja.

Mirëpo Qeveria dhe shteti kanë mohuar se llogaritë janë bllokuar.

Organizata bamirëse me bazë në Kolkata është themeluar më 1950 nga Nënë Tereza, murgeshë katolike.

E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu është rritur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, që në atë kohë ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut.

Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.

Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e ka nisur në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë ka udhëtuar drejt Indisë.

Organizata e saj katolike e bamirësisë është ndër më të njohurat në botë.

Nënë Tereza është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe më 1979 për punën e saj humanitare dhe është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku më 2006, 19 vjet pas vdekjes së saj.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi tash e një kohë synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë dhe organizata tjera joqeveritare me bazë në Indi.

Vitin e kaluar, kufizimet kanë çuar në bllokim të llogarive bankare të organizatave Greenpeace dhe Amnesty International.

Ndërkohë është raportuar edhe për sulme ndaj minoriteteve fetare nëpër Indi.

Shumica e popullsisë së Indisë janë hindusë.

Në këtë shtet janë edhe rreth 24 milionë të krishterë – rreth 2 për qind e popullsisë – andaj India është vendi me komunitetin më të madh të personave të krishterë në Azi, pas Filipineve.

Autoritetet indiane kanë tentuar të shtypin fushatat që dyshojnë se po konvertojnë hindusët në të krishterë apo myslimanë.

Disa rajone brenda Indisë që drejtohen nga partia e Modit, BJP, kanë miratuar apo janë duke shqyrtuar ligje që ndalojnë konvertimin fetar për qëllime të martesës./REL/KultPlus.com

Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 


Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com

MSh: Gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga Covid-19

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje grave shtatzëna të marrin vaksinën anti-Covid pasi ato kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit, përcjell KultPlus.

Për të siguruar mbrojtjen e tyre dhe të foshnjeve, MSh u ka bërë thirrje të marrin vaksinat.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të MSh-së:

Gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga COVID-19.

Vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse.

Studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës.

Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme./KultPlus.com

‘Spiderman: No Way Home’ arkëton 1 miliardë dollarë

‘Spider-Man: No Way Home” është bërë filmi i parë gjatë pandemisë që arrin një miliard dollarë në “box office’’.

“Epika e librit komik të Sony-it ka eklipsuar atë moment historik në gati rekord prej 12 ditëve, duke u lidhur me “Star Wars: Force Awakens” të vitit 2015 si filmi i tretë më shpejtë që arriti miliard dollarë”, raportoi të dielën revista argëtuese amerikane “Variety”.

Kjo vjen në një kohë kur vendet po marrin masa për të frenuar përhapjen e variantit të koronavirusit shumë të transmetueshëm dhe duke kufizuar eventet me dyer të mbyllura.

Filmi blockbuster, në të cilin rolin kryesor e luani Tom Holland, 25-vjeçar, është “i vetmi film që nga “Star Wars: The Rise of Skywalker” i vitit 2019 që tejkalon 1 miliard dollarë globalisht”, theksoi revista.

“Asnjë film tjetër i Hollivudit nuk u është afruar këtyre të ardhurave në dy vitet e fundit”, shtoi ajo.

Vazhdimi është drejtuar nga Jon Watts dhe luajnë Holland, Benedict Cumberbatch dhe Zendaya.

Filmi u shfaq në kinematë turke më 17 dhjetor dhe është parë nga 1,3 milion njerëz deri më tani, sipas Box Office të Turqisë./KultPlus.com

 ‘Mëngjes dimri’

Poezi nga Rainer Maria Rilke

U ngrinë kroje e burime
Stërqokat mblidhen në një pellg.

Iu skuqën faqet mikes sime,
Plot gaz mendon për ndonjë rreng.

Na puth kjo dritë kaq e kthjellë
E diellit, dega nis kërcet.

Dhe gjer në gjak na futet thellë
Flladi i mëngjesit plot shëndet./KultPlus.com

(Original Caption) Portrait of German poet Rainer Maria Rilke, 1906. He is shown seated, holding an open book.

Adele fitoi mbi 30 milionë euro brenda vitit 2021

Diva e muzikës ndërkombëtare, Adele ka fituar më shumë se 33 milionë euro brenda një viti, nga dy kompanitë e saj.

Përmbledhjet e llogarive të bëra deri më 31 dhjetor tregojnë se këngëtarja kishte të ardhura të mëdha në vitin që publikoi albumin e saj të rikthimit, të titulluar “30”.

Melted Stone Publishing Ltd, e cila u formua në prill të vitit 2011, fitoi para në bankë dhe në dorë në mbi 10 milionë euro. Adele është drejtoresha e vetme e asaj kompanie me emrin e saj të vërtetë Adele Laurie Blue Adkins.

Përveç kësaj, Melted Stone Ltd, e cila u formua në prill të vitit 2008, fitoi para në bankë dhe në dorë në shumën prej mbi 20 milionë euro. Adele është drejtoresha dhe sekretarja e vetme e kësaj kompanie.

Kjo vjen pasi Adele udhëhoqi nominimet për “BRIT Awards 2022”, me katër nominime.

Ajo është gjithashtu e vendosur të fitojë mesatarisht më shumë se 2 milionë dollarë në shfaqje në koncertin e saj të ardhshëm, në Las Vegas Weekends With Adele./abcnews/KultPlus.com

“Ideali i kolltukut, i ngulur në shpirtin e çdo katundari”

Nga Petro Marko

Nga t’ia mbajmë?

Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!

Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.

Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skll, evërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi.

E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi ar, miqtë e popullit. Se kështu është…

Shkruar në vitin 1936 /KultPlus.com

‘Ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi’

Nga Lasgush Poradeci

S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?

Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?

(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com

50 vjet nga botimi i romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë

“Kronikë në gur”, ndër romanet e para të shkrimtarit Ismail Kadare shënon 50 vite nga koha e botimit të parë.

50 vjetori i botimit të një prej veprave thelbësore në krijmatarinë e Kadaresë u kujtua me një aktivitet artistik në shtëpinë e autorit në Tiranë, e hapur tashmë për publikun. Mes dhjetra të pranishmëve performuan kuarteti i harqeve Archidea dhe sopranoja, Simona Karafili.

Romani sjellë Gjirokastrën, vendlindjen e Kadaresë dhe ngjarjet që shoqëruan autorin në vitet e fëmijërisë. Ndërsa atmosfera e ngrohtë e krijuar në shtëpinë studio Kadare, të kujton fragmente të përshkruara aq mjeshtërisht në romanin, ku Kadare ripa me sytë e një fëmije vitet e para të jetës së tij.

Më poshtë KultPlus ju sjell një fragment nga romani:

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.

Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.

Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.

Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.

Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.

Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.

Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:

– ‘Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim qyngjin’.

Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Babai vrapoi në errësirë nëpër korridor, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e vogël të qoshkut dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi qyngjin. U dëgjua zhurma e ujit që filloi të binte në oborr.

Ndërkaq, nëna ndezi llambën me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbriti shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas xhamave dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.

Nuk m’u durua dhe zbrita shkallët të shikoja se ç’bëhej poshtë. Ata të tre ishin të shqetësuar dhe nuk më vunë re. Kishin hequr kapakun e grykës së sternës dhe po mundoheshin të vështronin ç’ndodhte atje brenda. Nëna mbante llambën dhe babai vështronte.

Ndjeva një rrëqethje në trup dhe u kapa pas rrobave të gjyshes. Ajo më vuri dorën në kokë. Porta e jashtme dhe e brendshme dridheshin nga era.

– Ç’është ky kiamet! – tha gjyshja.
Babai, i përkulur i tëri, po mundohej të shikonte brenda në sternë.

– Bjer një copë gazetë, – i tha nënës.

Ajo e solli. Babai e mblodhi shuk gazetën, e ndezi dhe e lëshoi në sternë. Nëna lëshoi një klithmë të vogël.

– Ujët është ngjitur gjer te gryka, – tha babai.

Gjyshja filloi murmuriste një lutje.

– Shpejt, – thirri babai, – ndiz fenerin.

Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë mushamanë e zezë, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën. Edhe nëna hodhi një rrobë të vjetër mbi kokë dhe i shkoi pas.

– Gjyshe, ku vanë ata? – pyeta i trembur.
– Të thërresin fqinjët, – tha gjyshja.
– Pse?
– Të na ndihmojnë të pakësojmë ujët e sternës.

Jashtë, midis zhurmës së shiut, u dëgjua mbyturazi një trokëllimë porte. Pastaj një tjetër, një tjetër.

– Gjyshe, si do ta pakësojnë ujët?
– Me kova, bir.

Unë iu afrova grykës dhe vështrova poshtë. Errësirë. Errësirë dhe frikë. / KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

Aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021, Instagram mbetet mbrapa për të dytin vit

Mediat sociale vazhduan të kenë një ndikim të madh në jetën e njerëzve edhe këtë vit, kështu që nuk është çudi që aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021 ishin kryesisht aplikacionet e mediave sociale.

Sipas statistikave të publikuara nga Appfigures, TikTok u rendit në vendin e parë, me më shumë se 586 milionë abonentë të rinj që e shkarkuan aplikacionin këtë vit.

Instagrami nuk ishte shumë mbrapa me 566 milionë shkarkime.

Aplikacionet Meta – Facebook dhe WhatsApp – u renditën në vendin e tretë dhe të katërt, me 474 milionë dhe 444 milionë shkarkime, respektivisht.

Telegram shtoi 365 milionë përdorues të rinj, të nxitur pjesërisht nga polemika rreth privatësisë së WhatsApp.

Snapchat, Messenger, Zoom, Capcut dhe Google Meet ishin pjesë e Top 10-shes në listën e shkarkimeve më të shpeshta. / KultPlus.com

Anita Bitri dhe kënga fituese e vitit 1990 në RTSH, ‘Askush s’do ta besojë’ (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të të Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe me tekst të Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Fillon edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në RTSH, këtu mund ta shihni LIVE

Festivali i Këngës në RTSH, ngjarja më e madhe e muzikës në Shqipëri, fillon sot edicionin e 60-të.

Sonte, në natën e parë, do të ngjiten në skenë të 20 artistët pjesëmarrës, të cilët do të interpretojnë këngët e tyre, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit. 

Juria e cila do të vlerësojë këngët në këtë vit përbëhet nga: Anxhela Peristeri, Agim Doçi, Anxhela Faber, Osman Mula, Rozana Radi, Olsa Toqi dhe Olti Curri. 

Tri netët live të Festivalit të Këngës do të jenë: 27, 28 dhe 29 dhjetor 2021.

Drejtimi artistik i festivalit i është besuar kantautorit Elton Deda, ndërsa regjia do të ketë konceptin e ri artistik nga Redi Treni dhe skenografia nga Albi Çifligu.

Në rolin e Drejtorit të Festivalit, në këtë edicion jubilar është zv. Drejtori i Përgjithshëm në RTSH, Martin Leka.

Figura emblemë të artit shqiptar janë pjesë e këtij edicioni, sikurse është Ardit Gjebrea, i cili do të rikthehet në festival pas shumë vitesh, i ftuar për rolin e dashur për të, atë të prezantimit!

Krah tij në prezantim do të jenë emra të njohur të ekranit, këngëtarja Jonida Maliqi dhe moderatorët: Xhemi Shehu, Isli Islami dhe Kelvi Kadilli.

Nga rezultati i anëtarëve të komisionit të përzgjedhjes së këngëve, përbërë nga:

Ardit Gjebrea

Elton Deda

Marjan Deda

Klodian Qafoku

Zefina Hasani

Arta Marku

Redi Treni

në Festivalin e 60-të, do të konkurojnë midis tyre këngët e interpretuara nga:

Alban Ramosaj

Denis Skura

Evi Reçi

Gjergj Kaçinari

Janex (Xhejn Kumrija)

Kastro Zizo

Kelly

Mirud

Rezarta Smaja

Ronela Hajati

Saimir Çili

Stefi dhe Endri Prifti

Shega

Urban Band

Eldis Arrnejti

Ester Zahiri

Kejsi Rrustja

Olimpia Smajlaj

Viola Xhemali

Xhuljana Pjetra

Festivalin mund ta ndiqni si gjithmonë në ekranin e RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, në Radio Tirana 1, në Aplikacionin RTSH Tani, si dhe në faqen e webit, tv.rtsh.al

https://tv.rtsh.al/kanalet/rtsh-1?fbclid=IwAR1RCNMpT-2BuzQSwb0eoKF6lEYgTMlKPDdXgLkxvFfBU4UiQtJYP7rgvv0

https://fb.watch/a9SNupkpY0/ / KultPlus.com

Letra e Kafkës për të dashurën: Zemra ime rreh përmes gjithë trupit vetëm prej teje

Tani do të të kërkoj një favor që tingëllon pak si i çmendur, të cilin do ta përshëndes kur të marr unë letër. Është gjithashtu testi më i madh në të cilin mund të vihet njeriu më i mirë.

Mirë, ja ku është:

Më shkruaj vetëm njëherë në javë, kështu që letrat e tua të më vijnë ditën e diel, sepse nuk mund t’u rezistoj letrave të tua të përditshme. Për shembull, unë i përgjigjem një nga letrat e tua, dhe pastaj shtrihem në krevat në dukje i qetë, por zemra ime rreh përmes gjithë trupit vetëm prej teje. Unë të përkas ty. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur këtë, dhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Po për këtë arsye nuk dua të di se çfarë vesh. Më ngatërron aq shumë, saqë s’mund të merrem me jetën. Nuk dua ta di që edhe ti ndjen për mua. Po ta dija, si mundja, si budalla që jam, të ulesha në zyrën time, apo këtu në shtëpi, në vend që të hipja në një tren me sytë që hapen dhe mbyllen vetëm kur jam me ty? Oh, ka një arsye të trishtueshme, që nuk s’e bëj dot këtë. Për t’i rënë shkurt: Shëndeti im është i mirë vetëm për të përballuar veten time. Ai s’është i mjaftueshëm për martesë, duke lënë mënjanë të bërit baba. Sidoqoftë, kur lexoj letrat e tua, ndjej se mund të lartësohem edhe mbi atë që nuk mund të lartësohet.

Ah sikur ta kisha përgjigjen tënde tani. Dhe sa keq të torturoj, dhe sa të detyroj ty në qetësinë e dhomës tënde të lexosh këtë letër, si letra më e ulët që është vënë ndonjëherë në tryezën tënde.

Ndershmërisht, ndjehem keq ndonjëherë kur lutem si një lugat mbi emrin tënd lumturues! Ah sikur ta kisha postuar letrën e së dielës, në të cilën të kisha kërkuar të mos më shkruaje më kurrë, dhe në të cilën të jepja një premtim të ngjashëm. Oh Zot, çfarë më ndaloi të ta dërgoja këtë letër? Çdo gjë do ishte në rregull. Por a është kjo zgjidhje e paqtë e mundur tani? Çfarë do të ndihmonte nëse ne do i shkruanim njëri-tjetrit vetëm një herë në javë? Jo, sikur vuajtja ime të kurohej nga mjetet të tilla, atëherë ajo s’do ishte serioze. Dhe tashmë parashikoj që s’mund të jem në gjendje t’iu rezistoj as letrave të së dielës. Kështu, për të kompensuar mundësinë e humbur të së dielës, të kërkoj me gjithë fuqinë që më ka mbetur në fund të kësaj letre: Nëse i vlerësojmë jetët tona, le të mos shkruajmë më.

Mos po mendoja të nënshkruaja me Dein? Jo, s’do të kishte gjë më false se sa kjo. Jo, unë jam gjithmonë i lidhur me zinxhirë me veten time. Ky jam unë, dhe kjo është ajo me të cilën duhet të jetoj.

11 nëntor, 1912

Kujtojmë që shkrimtari i njohur gjerman Franc Kafka e takoi për herë të parë Felice Bauer në vitin 1912. Për pesë vjet ata patën një histori dashurie. / KultPlus.com

“Diku thellë në ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy” (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do ta kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

“Mikës”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

MIKËS

(shokut tim n’amshim)

Mendja m’shkon natan Ibrit
i kushtueshmi mik.
Morti i zi mbretnon përtej
si ajo plagë e qelne n’mish të gjallë që kishe që s’ka kush ta mbylli
as dora me plot rrufe Zeusi.
Po vjen një kohë e keqe i dashtni mik.
Thonë që zemrat do ti blejmë edhe në dyqan e do jemi asnjanës
edhe pjellën do bëjmë nga vetvetja
kur nuk do dimë kush jemi.
Po vjen një kohë e ndytë miku im.
Me synin e tretun eter, mir’ që nuk po e sheh njeriun e ndotur.
E si mos t’jet!
kur, kush nuk njeh mo
as millin e bardh n’dur t’nonës
tue qullit, e tue qullit, me ba
me at erë uuuuh, erë toke, buk’ Kosove
që nuk ka shije që i afrohet
krejt n’kallamojt.
Ibri ecën n’tokën e ndame anej e knej.
E s’ka kush ti thotë, uj’ndalu!?
mos e ndaj venin ku buzëqeshnim.
Kur tash edhe besedat jon nda.
Kur sun kujt ti foli mo pos teje.
Për diamantin që shndrit.
Për nano grimcën e fundit.
Planetët gjigante që sillen pa kuptim.
Për njerëzit e dritës
kuptimin e kësaj bote.
Ty t’kam pas shok, i natan Ibrit
që m’kuptojshe.
I shkuem n’mort si i vetmi që mbamen
që jemi nda me këtë lum
Ibër që i thonë.
Ibrin s’ka kush e ndal
se do thahet toka.

E toka e that’ tregom
prej natanshit?
Ku rin i shterun gjer më asht
a i vyen najkujt?
Po edhe e bashkume t’jet
si dheu i Prometheut që na boni
vetëm ai ndoshta do ringjall
“lodrat njeri” që po ndoten.
Duhet kujtuar, po?!
Ibrin!
Ësht’ dasht’ dikush ta shkruan ty në Epitaf let dihet se dikur vetëm lum ka qenë
e jo mur’ që po na ndan me amshim!

Poezi e shkruar nga Bekim Shala, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus/ KultPlus.com