Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i Ministrisë së Shëndetësisë informon qytetarët se gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të aktivizohet një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës.
Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i, USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.
Hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Vaksinimi kundër COVID-19 në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në Qendrën Tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2).
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19. /KultPlus.com
Adele dominoi mbrëmjen e djeshme në Brit Awards 2022, duke marrë tre çmime kryesore, transmeton KultPlus.
Ngjarja e mbrëmshme u drejtua nga Mo Gilligan për herë të parë, ndërsa shfaqja nuk ndau trofe në kategoritë gjinore. Në vend të kësaj, ata u zëvendësuan nga fushat Artisti i Vitit dhe Artisti Ndërkombëtar i Vitit.
U shtuan gjithashtu katër kategori të reja të zhanreve – Alternative/Rock Act, Hip-Hop/Grime/Rap Act, Dance Act dhe Pop/R’N’B Act – për të cilat fansat mund të votonin përmes TikTok.
Adele, Sheeran, Little Simz dhe Dave kryesuan nominimet duke shkuar deri në natë me katër tundje kokë secila. Të gjithë artistët e lartpërmendur ishin në garë për Artistin e Vitit, së bashku me Sam Fender, me Adele që mori trofeun në shtëpi. Ajo gjithashtu mori çmimet për albumin e vitit dhe këngën e vitit.
Më poshtë gjeni listën e plotë të fituesve të “Brit Awards 2022”:
1-Kënga më e mirë e vitit- Adele, Easy On Me.
2-Kënga më e mirë ndërkombëtare e vitit – Olivia Rodrigo, “Good 4 U”.
3-Artisti më i mirë i zhanrit Pop/R&B-Dua Lipa.
4-Artisti më i mirë i zhanrit ‘rock’ dhe alternative-Sam Fender.
5-Artisti më i mirë i zhanrit ‘dance’ – Becky Hill.
6-Grupi më i mirë i vitit-Wolf Alice.
7-Artisti më i mirë ndërkombëtar-Billie Eilish.
8-Artisti i ri më i mirë-Little Simz.
9-Artisti më i mirë i zhanrit rap-Dave.
10-Grupi më i mirë ndërkombëtar-Silk Sonic.
11-Artisti i vitit-Adele.
12-Çmimi i karrierës (Autori muzikor më i mirë i vitit)-Ed Sheeran.
Dorëshkrime, vula, gravura, ksilografi, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare, manuskripte mbi pergamenë, buste në mermerë, vepra diverisve të punuara në teknika të ndryshme, mbrëmë kishin zënë vend në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, me rastin e hapjes së ekspozitës të titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, ekspozitë kjo nga artisti Luan Tashi me kurator Remzi Hasani, që synoi të fuqizojë akoma më shumë figurën tonë historike, Gjergj Kastriot Skënderbeu, shkruan KultPlus.
Kur ora shënoi 19:00, të pranishmit pothuajse mbushën plot hapësirën përreth duke admiruar e duke u përqendruar në jo vetëm pikturat artistike të punuara me temperë afresk apo edhe me vaj, por edhe në fotografitë e dimensioneve të mëdha që artisti Tashi i ka sjellë në një formë të re të artit konceptual. Identifikimi, përshkrimi, interpretimi i përmbajtjes së imazheve, subjektet e përshkruara e deri tek detajet e veçanta të përdorura për ta bërë këtë, duket se kanë krijuar një ikonografi skënderbejane që nga fillimi i ekspozitës e deri në mbarim, duke rezultuar në një gërshetim të stilit artistik dhe dimensionit historik.
Pas hulumtimeve shumë-vjeçare shkencore të portreteve të heroit kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si vazhdimësi e librit monografik të botuar më parë, artisti Tashi hap këtë ekspozitë që shpërfaqë mbi 65 vepra dhe artefakte të tjera mjaft të begatshme duke filluar qysh nga vepra e parë e skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Nikollë Aleksi, punuar në vitin 1455, për të vazhduar tek vepra e punuar nga piktori arbëresh, Roberto Gammone, i cili e ka punuar portretin e Skënderbeut në teknikën ‘vaj në pëlhurë’ në vitin 2018, e deri tek monumenti madhështor i Skënderbeut të skulptorit shqiptar, Bujar Vani, të vitit 2022.
Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës që ka nisur tashmë programin për vitin 2022, shihet qartazi portreti i Skënderbeut në versione të ndryshme nga autorë të ndryshëm të cilët e shfaqin atë zakonisht me kapelë apo përkrenare me kokën e dhisë. Kurse, fytyra e tij është e kthyer anash në gjysmë profil ku dallohet hunda e tij skifter, mjekra e gjatë e rrallë herë atë e shohim edhe me flokë të gjata. Ndërsa, në veshje dallohet mbizotërimi i ngjyrës së kuqe, për ti dhënë kështu atij një karakter të guximshëm e jashtëzakonisht frymëzues.
Tërë këto vepra artistike me një cilësi shumë të lartë sot gjenden gjithandej qyteteve evropiane për të dëshmuar për njërën nga figurat historike dhe këto vepra sot ruhen në galeri, muze, biblioteka si dhe në koleksione private duke filluar nga Vjena, Parisi, Londra e deri në New York.
Nëpërmjet kësaj ekspozite, artisti Luan Tashi konsiderohet se i ka dhënë një dimension të ri projektit të tij studimor, duke e përafruar artistikisht më pranë publikut të gjerë, figurën e Skënderbeut, të këtij kalorësi që deri në fund të jetës së tij u rezistoi me sukses të gjitha sulmeve dhe pushtimeve osmane, i cili duke e mbrojtur popullin shqiptar, u bë edhe mburojë e qytetërimit evropian.
Pastaj në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për këtë ekspozitë që vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga artisti Tashi i cili solli hulumtimin e tij me vite të tëra, foli profesoresha nga Maqedonia e Veriut, Jëlldëz Asani.
“Sa kam përgjegjësinë, po aq kam edhe kënaqësinë që sonte ta bëj hapjen e ekspozitës me fotografi kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të përzgjedhura në mënyrë artistike nga artisti, portretisti dhe studiuesi shumëvjeçar, Luan Tashi. Kryesisht këto imazhe që do ti shihni këtu shfaqen si faksimile të letërkëmbimeve dhe manuskripteve, si fotografi të stemave dhe vulave por më tepër janë edhe reproduksione të pikturave, skulpturave dhe gravurave”, thotë Asani.
Sipas saj, Skënderbeu sa ka qenë figurë historike, po aq është edhe artistike, andaj dhe jo rastësisht, edhe heroi kombëtar ka frymëzuar një numër të madh të krijuesve nga vendi dhe bota ku figura e tij në vazhdimësi ka qenë objekt trajtimi jo vetëm i historianëve, i letërsisë, dramës, muzikës por edhe arteve pamore.
“Çdo trajtim vizual i kësaj figure personaliteti ka një histori dhe një rrëfim në vete duke paraqitur dokumente, dëshmi historike si dhe mjete komunikimi dhe mediume artistike. Andaj, këto vepra figurative përbëjnë thelbin e idesë dhe subjektin tematik të trajtimit shumëdimensional të Luan Tashit, i cili e pasqyron figurën e Skënderbeut dhe njëkohësisht bënë lidhjet mes pikturës dhe fotografisë. Pra, ai krijon një lloj relacioni që është evidente edhe sonte në këtë ekspozitë”, shpalos Asani.
Ndërsa, kuratori Remzi Hasani foli rreth figurës së Skënderbeut, figurë kjo që është bërë pjesë e arteve shqiptare qysh nga viti 1968.
“Artistët shqiptar e trajtojnë figurën e Skënderbeut dhe ndoqën punën e artistëve botërorë. Figura e tij bëhet pjesë e arteve shqiptare qysh në vitin 1968 me rastin e shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së tij. Busti i portretit të Skënderbeut e vitit 1889 është i punuar nga atdhetari, skulptori dhe piktori Murat Toptani, bust ky që njihet si i pari në botën shqiptare. Versioni i Skënderbeut vjen nga ikonografi Anastas N. Ballamaçi në vitin 1898 i frymëzuar nga piktura e rojës perandorake të piktorit francez Théodore Géricault në vitin 1812. Më 1890, është punuar një portret nga Kolë Idromeno. Figura e tij është e paraqitur edhe në pikturën e punuar më 1927 nga Zef Kolombi”, shpalos Hasani.
Sipas tij, pas një sërë monumentesh të ngritura në sheshet e qyteteve shqiptare, Odhise Pasakli në vitin 1939, realizoi portretin epik të heroit kombëtar me tipare me fuqi titanike. Ndërsa, ndër monumentet më madhështore të figurës së Skënderbeut cilësohet vepra e mjeshtrit shqiptar, Janaq Paço.
Kurse, Don Lush Gjergji, foli për rëndësinë që kjo ekspozitë ngërthen në vete, duke bërë thirrje që kjo ekspozitë duhet të prekë në zemrën dhe ndërgjegjen tonë.
“Skënderbeu është moisiu arbëror edhe pas 554 viteve ai jeton në kujtesën e jo vetëm popullit shqiptar por në atë të mbarë njerëzimit. Kemi shumë elemente dhe dimensione historike dhe aktuale të jetës dhe veprës së tij. Figura e tij zgjon shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime deri edhe tek kundërshtimet apo diskutimet. Kjo dëshmon bindshëm se aktualiteti i tij vazhdon të jetë sfidë për çdo njeri të vullnetit dhe të zemrës së mirë e sidomos për ne, dikur ilir në kohën e tij, arbëror, e sot shqiptar. Ai popullit tonë i’a kthej dinjitetin dhe personalitetin, i’a kthej lirinë dhe pavarësinë duke përmirësuar gabime të shumta të dinastive apo principatave tona të ndara e të përçara. Ky njeri arriti ti bind arbërorët se vetëm të vëllazëruar e bashkuar, mund të jetojmë dhe mbijetojmë”, thotë ai.
Sipas tij, Besëlidhja e Lezhës, akti kulmor i artit dhe strategjisë së vizionit të Skënderbeut, vuri gurë themelin për shtetin arbëror me një kohezion dhe bashkëpunim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit të rëndësishëm, ‘shtet dhe komb’.
“Skënderbeu e ndriçoi dhe vlerësoi historinë tonë ilire, pra lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin duke frymëzuar për vlera dhe virtyte. Kjo ekspozitë e pikturave të ndryshme të kohërave të ndryshme na mëson se Skënderbeu pati forcë, vizion, guxim e trimëri që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror dhe të bëjë që principatat shqiptare të jenë të vëllazëruar e të bashkuar, duke lënë anash ndarjet e përçarjet për një ide të lartë të vëllazërimit shqiptar. Kjo ekspozitë nuk mund të shihet vetëm me sy, nuk mund të jetohet vetëm me mend por duhet të prekë zemrën dhe ndërgjegjen e secilit prej nesh se sa ne në Gjergjin tonë, gjejmë pasqyrën për ta parë vetveten, për të qenë vetvetja e për të dëshmuar lashtësinë tonë por edhe të tashmen”, përfundon ai.
Po ashtu, artistja Zake Prelvukaj erdhi me një rrëfim rreth autorit e njëkohësisht bëri thirrje që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Sa krenare qëndron sot Galeria, flet ndryshe, flet më shumë se kurrë më gjuhën e shpirtit, gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Luani është artist rebel multidisiplinar sepse asnjëherë nuk është ndalë në vetëm një stacion krijues por në shumë prej tyre. Ai gjithmonë vazhdon të hulumtojë duke mos u ndalur fare duke i dhënë vetes detyrë shumë të vështirë; hulumtime në terrene të ndryshme për veprat nga artistë evropianë e shqiptarë si: dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare e të tjera. Për shumë arsye, sidomos për brezin e ri kërkoj që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut tonë Kombëtar”, thotë ajo.
Gjithashtu, artisti Luan Tashi krejt në fund falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre duke i përshëndetur ata përzemërsisht me ç’rast shënoi të hapur ekspozitën.
Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës fillon me sukses planprogramin e vitit 2022.
Ndërkaq, ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” do të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka marrë në dorëzim një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike, Musine Kokalari.
Në ceremoninë e aktit të dhurimit ishin të pranishëm Drejtori i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido dhe Bibika Kokalari, e afërt e intelektuales së ndjerë.
Kreu i DPA-së bëri të ditur se mes dokumenteve të dhuruara, gjenden dorëshkrime të rralla dhe të pabëra publike të Kokalarit, një prej personaliteteve publike më të rëndësishëm të kulturës dhe të shkencës shqiptare.
“Dua të falënderoj veçanërisht Bibika Kokalari. E kuptoj që për pasardhësit është shumë e vështirë të ndahen nga këto dokumente, por nga ana tjetër, ndarja nga to vjen nga nevoja e madhe për t’i shpëtuar. DPA-ja i ka kushtet e ruajtjes së dokumenteve dhe mundëson që Musine Kokalari përmes dorëshkrimeve të saj të jetë e qasshme tek çdo studiues dhe rrjedhimisht të mund të përhapen idetë e saj”, theksoi Bido.
Ai i bëri thirrje të gjithë pasardhësve të personaliteteve të mëdha, siç është Musineja, që të dhurojnë dokumente në arkiv sepse është e vetmja formë për t’i shpëtuar ato.
Në fjalën e saj Bibika Kokalari tha se “akti i dhurimit të këtyre dokumenteve vjen i motivuar nga vullneti i diktuar prej Musinesë”.
“Dëshira e Musinesë ishte që një pjesë e dorëshkrimeve të saj të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit pranë Sotir Kolesë, pasi ai ishte mësuesi i saj i parë dhe ajo eci në gjurmët dhe mësimet e tij. Këtu do të gjeni dorëshkrime, shënime politike, etnografike, gjëegjëza, përralla të mbledhura nga të burgosura nga vende të ndryshme të Shqipërisë nëpër burgjet ku ajo kaloi një pjesë të mirë të jetës.”, tha Bibika Kokalari.
Dokumentet e dhururara, të cilat përfshijnë të dhëna mbi themelimin e Partisë Social-Demokrate (PSD), krijime letrare dhe trajtesa monografike, do të kalojnë nën administrimin dhe ruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).
Ky korpus i veprës së Kokalarit i bashkëngjitet kështu fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj./atsh/ KultPlus.com
Eldon Luarasi është një artist i cili pavarësisht rrethanave jo favorizuese qe ju rezervuan nga regjimi komunist si djali i artisteve Mihal dhe Edi Luarasi, nuk u tërhoq nga pasioni i tij per pikturën.
Përmes eksperimentimit me mediumin e vajit dhe temperave ai ju dedikua hulumtimit te qenies njerëzore përmes një gjuhe realiste por ne te njejten kohe dhe duke observuar dhe nxjerre ne pah te fshehtat qe çdo qenie përmban brenda skutave te shpirtit njerëzor.
Pas disa ekspozitave vetjake dhe kolektive ne Zvicër dhe Itali me ne fund Eldon Luarasi hap ekspozitën e tij te pare personale ne Tirane ne galerinë FAB pranë Universitetit te Arteve. Intimiteti i këtyre portreteve imazheve është motivi i saj.
Trupat rrëfimtarë të artistit, janë pohimi i të njëjtit pasion dhe të njëjtit pyetësim që arti i bën me këmbëngulje thuajse fëmijërore imazhit./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporitit, Hajrullah Çeku ka mbajtur një konferemcë për media ku ka folur për debatin që është krijuar së fundi pas vendimit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.
Ministri Çeku thotë se restaurimi i këtij monumenti do të fillojë, sepse sipas tij po restaurohet monumenti e jo historia e Xhafer Devës, përcjell KultPlus.
Çeku tha se është në kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ambsadorin gjerman, ndërsa tha se ky projekt duhet të kryhet.
“Ne kemi nevojë ta përfundojmë këtë punë të nisur qysh vite më parë. Po restaurohet monumenti, nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë, përveçse po e restaurojmë një monument, po embrojmë trashëgiminë tonë kulturore”, tha ai në konferencë për media.
Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë dje se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut. Por ministri Çeku thotë se “pezullimi nuk nënkupton që është analuar programi”.
Çeku e cilëson të panevojshme situatën e krijuar, duke thënë se kjo duhet të tejkalohet shpejt. Ai përsëriti se debati për këtë çështje e ka origjinën në Serbi.
“Fillimisht, në lidhje me një dimension të këtij debati, duhet ta themi qartë dhe ta përsërisim që populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit antifashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe në shpëtim të popullësisë hebreje. Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit. Ky është një narracion i gënjeshtërt, sepse faktet historike janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë, qartësisht nuk janë në anën e historisë”, tha ai.
Objekti që mban emrin “shtëpia e Xhafer Devës”, Çeku tha se është estetikisht shumë i rëndësishëm, që e ka shënuar arkitekturën e re të Kosovës.
Pas restaurimit, Çeku tha se aty do të vendoset qendra rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, do të shërbejë për aktivitete muzeale, galeri arti e qendër dokumentimi.
“Dhuna kundër monumentit, kundër arkitekturës dhe artefaktit është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat e mira evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Çeku./ KultPlus.com
Regjisorja Blerta Basholli është regjisorja kosovare që ka vendosë Kosovën në kryetituj të medieve më prestigjioze. Ka bërë historinë në Sundance Film Festival, ku për herë të parë ky festival i ka ndarë një filmi tre çmimet kryesore, e këto çmime i ka marr pikërisht filmi i Blerta Bashollit, që nëpërmjet filmit “Zgjoi” ajo ka dërguar dhimbjen, forcën dhe kurajon e grave shqiptare, shkruan KultPlus.
Filmi “Zgjoi” që nuk arriti të futej në pesëshen e filmave të nominuar për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, tashmë ka mbi 20 çmime të festivaleve më prestigjioze, sikurse që ka një rrugëtim të madh në rrjete të ndryshme të kinemave nëpër botë.
Dhe pikërisht Blerta Basholli tash e dy herë po i përjeton ethet e çmimeve Oscars. Për herë të parë ishte në rolin e asistentes së regjisë, për filmin artistik të metrazhit të shkurtë “Shok”, ku ky film me regjisorin Jamie Donoughue kishte arritur të përjetonte edhe emocionin e filmit të nominuar për Oscars.
Dhe për herë të dytë, por tash me një format tjetër, Blerta Basholli qau rrugën e gjatë deri te lista e ngushtë e filmave për çmimin Oscars, në cilësinë e skenaristes, regjisores dhe të një rrëfimi real.
Dhe tashti, kur u bënë publike filmat që vazhdojnë rrugëtimin për Oscars, producenti Yll Uka ka bërë të ditur për mediet se puna e ekipit Basholli, Uka e Bajgora fillon qysh tashti për projektin e radhës.
Blerta Basholli është në proces e sipër të filmit të saj të ri, e cila në deklaratat e saj nëpër medie të ndryshme ka potencuar se aktualisht i ka skenarët e gatshëm për pesë filma.
“Dy prej tyre janë në një fazë më të avancuar ndërsa njëri është tashmë në realizim e sipër. Fjala është për një film që tematizon jetën e të rinjve, adoleshentëve të moshës sime në vitet `90 në Kosovë, në kushtet e okupimit. Kam përshtypjen se, ndryshe nga temat e luftës, kjo temë sikur i mungon kinemasë sonë. Mendoj se ka qenë një jetë megjithatë dinamike dhe disi “Underground” dhe ja vlen të bartet në film. Edhe ky film do të jetë në koproduksion me Zvicrën dhe edhe këtu do të luajë një rol Yllka”, kishte deklaruar Blerta Basholli./ KultPlus.com
Fyodor Dostoevsky është një nga emrat më të njohur të letërsisë ruse dhe asaj botërore. I konsideruar edhe si një nga ekzistencialistët, rrymë moderne filozofike, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrafshin intelektual, shkruan KultPlus.
“Vëllezërit Karamazov”, është një nga librat e tij më të njohur. KultPlus këtu ka shkëputur një fragment nga ky libër, i cili flet për natyrën njerëzore:
“E para është që veten tuaj mos e gënjeni. Njeriu që e gënjen veten e tij, ai që i vë veshin gënjeshtrës së vet, shkon deri aty, sa asnjë lloj të vërtete nuk e dallon dot, as në veten e tij, as në njerëzit që e rrethojnë, për rrjedhojë ai humbet respektin ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
Duke mos i respektuar, ai pushon së dashuruari, kurse duke mos pasur dashuri, për ta detyruar veten që të argëtohet, jepet pas pasioneve të shfrenuara, pas përmbushjes së tundimeve të ulëta, duke u kthyer kështu në kafshë dhe duke u mbuluar nga mëkati.
E pra, që të gjitha këto i vijnë ngase gënjen veten dhe të tjerët. Njeriu që gënjen veten fyhet më lehtë se kushdo tjetër.”
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot ” Dom Lazër Shantojën, klerikun e parë martir në Shqipëri.
“Kujtojmë sot poetin, publicistin, përkthyesin, martirin, Dom Lazër Shantoja”, thekson Margariti në rubrikën “Muaji i Kujtesës”.
Dom Lazër Shantoja lindi më 2 shtator 1892 në Shkodër. Nga faltorja shtëpiake e dy prindërve fort besimtarë, Lazri e gjeti shpejt veten shërbëtor të Kishës universale.
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mërgimi, Shantoja u kthye në Shqipëri në një kohë të zgjedhur keq. U vendos në Tiranë me nënën, librat e pianoforten. Si i internuar nga Zogu, u afrua me rrymat politike të periudhës së pushtimit italian. Në dhjetor të vitit 1944, ndërsa jepte e merrte në shtypshkronjë me korrekturën e bocave të botimit të plotë të “Faustit”, u arrestua. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës.
Dom Lazri qe poet, dramaturg, prozator, publicist, orator, përkthyes i talentuar. Krijimet e para të Shantojës, poezi satirike, botuar te “Ora e Maleve”, prekin problemet më të mprehta të kohës. Janë satira militante, që vihen fuqimisht në mbrojtje të shtetit të ri e të brishtë demokratik shqiptar.
Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngushtë me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin.
Më 1920 poeti botoi te “Zani i Shna Ndout” ciklin me tingëllima “Duhia” në të cilin bëjnë pjesë: “Duhia”, “Lamtumira”, “Kështjelli” dhe “Baria”, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit./atsh/ KultPlus.com
Dje, Akademia e Filmit ka publikuar filmat që janë nominuar për çmimet ‘Oscars’.
Ndonëse kishte hyrë në listën e ngushtë, filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’, nuk ishte në mesin e pesë filmave që do të garojnë për këtë çmim.
Megjithatë, filmi që portretizon rolin e Fahrije Hotit bëri historinë duke u bërë filmi i parë kosovar që ka hyrë në listën e ngushtë të nominimeve për këtë çmim prestigjioz.
Sot, regjisorja Basholli përmes disa postimeve në profilin e saj në Instagram ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi dhe paralajmëroi rikthimin me më shumë storje./ KultPlus.com
Dame Judi Dench ka bërë histori me nominimin e saj për Oscar, duke u bërë nominuarja më e vjetër ndonjëherë për aktoren më të mirë dytësore në moshën 87-vjeçare, shkruan DailyMail, transmeton KultPlus.
Aktorja veterane është nominuar për rolin e saj si Granny në Kenneth Branagh’s Belfast.
Kjo shënon nominimin e saj të shtatë për çmimin Oscar, i pari në vitin 1999 për rolin e saj si Mbretëresha Elizabeth I në Shakespeare in Love.
Roli i fundit i Dench është gjyshja e djalit të ri Buddy (11-vjeçari Jude Hill), prindërit e të cilit (Caitriona Balfe dhe Jamie Dornan) po përpiqen të vendosin nëse do të qëndrojnë në Belfast ndërsa qyteti po bie në një gjendje lufte.
Ky film përshkruan vitin 1969 dhe është frymëzuar nga fëmijëria e hershme e Branagh-së duke u rritur në Irlandën e Veriut gjatë telasheve.
Belfast fitoi gjithashtu çmimin e regjisorit më të mirë për Kenneth dhe aktorin dytësor për Ciarán Hinds.
Dench ka marrë gjithashtu nominime për Mrs Brown (1997), Chocolat (2000), Iris (2001), Mrs Henderson Presents (2005), Shënime mbi një Skandal (2006) dhe filmin Philomena 2013.
Megjithatë, ylli i Belfast-it, Dornan, u refuzua në kategorinë e aktorit kryesor, pasi humbi edhe në nominimet për BAFTA të javës së kaluar. /KultPlus.com
Një ditë nga vizita e tij në Prishtinë, fotografi nga Parisi, Romain Thibaudat ia kushtoi ekspozitës së parë personale të artistit Sadri Morina që po qëndron e hapur në KultPlus Caffe Gallery.
Fotografi Thibaudat thotë se për ekspozitën e artistit Morina kishte dëgjuar nga një shok i tij artdashës as 24 orë pasi kishte mbërritur në Prishtinë, e më pas kishte vendosur që fotografitë e ekspozitës ‘Vena Vaditëse’ të jenë pjesë e koleksionit të fotografive që ai i realizon nëpër vende të ndryshme të botës.
“Unë u godita menjëherë nga intensiteti i veprave të tij, osmoza e ngjyrave të tij që varionin nga errësira në dritë, nga e nxehta në të ftohtë, secila duke shprehur një emocion të ndryshëm, duke reflektuar një formë melankolie.”- thotë fotografi thibaudat për KultPlus.
Sadri Morina, autori i ekspozitës ‘Vena vaditëse’. /Foto: Romain Thibaudat
“Universi i tij i thellë dhe simbolik që na fton të dyve të bëjmë një hap prapa nga bota jonë ose nga vetja jonë, të shkëputemi dhe të vendosim veten në “pauzë”. por gjithashtu na fton të tregojmë mprehtësi për të soditur yjet, planetet, me pak fjalë për të vëzhguar atë që na rrethon. ”- shton më tutje ai.
Romain Thibaudat, i cili thotë se filloi të merrej më fotografi në moshën 14-vjeçare, në këtë fushë të artit u përkushtua edhe më shumë pas moshës 17-vjeçare kur u regjistrua në shkollën e fotografisë ‘Lycée Brassai’ në Paris.
Fëmijët duke peshkuar në portin e Cienfuegos në Kubë. /Foto: Romain Thibaudat
“Fillimisht fillova të bëj fotografi të natyrës së vdekur, të cilat më pëlqenin t’i vë në skenë, të luaja me dritat dhe ngjyrat, të krijoja atmosfera të ndryshme.” – thotë fotografi Thibaudat duke shtuar se tani është i fokusuar më shumë tek arkitektura dhe fotografia e reportazhit.
E dashurinë për fotografinë ai e kishte përforcuar edhe më shumë duke ndjekur rrugët e fotografëve që lanë gjurmë në këtë fushë siç janë Marc Riboub dhe Sabastiao Salgado.
Babë e bir në një motoçikletë në qytetin e Shirazit në Iranin jugor. /Foto: Romain Thibaudat
“E adhuroja veçanërisht fotografin humanist Marc Riboub si dhe fotografin franko-brazilian Sebastiao Salgado që mes tyre më solli dëshirën për të udhëtuar sa më shumë nëpër botë dhe më lejoi të kap momente të jetës nëpër vende si Irani, Kuba, Gjeorgjia.” – deklaron Thibaudat për KultPlus.
Ndërkaq, disa nga fotografitë e tij, Romain Thibaudat i kishte shfaqur në ekspozitën e tij të parë ‘Cuban Express’ në ‘Galerie Echmomusee’ në Paris./ KultPlus.com
Një zonjë e moshuar duke mbledhur copa të vogla druri, në mes të rrënojave buzë Detit të Zi, në qytetin e Potit në Gjeorgji. /Foto: Romain Thibaudat
Festa e 14 shkurtit është duke ardhur dhe EBC ( Elegance & Beauty Cosmetics ) është duke sjellë këtë festë më afër jush, me oferta plot dashuri.
Lansimet më të fundit nga brendet Yves Saint Laurent, Tom Ford, Giorgio Armani, Amouage , Valentino kanë mbërritur në dyqanet e EBC për ti testuar dhe për t’ua dhuruar të dashurit/të dashurës tuaj.
Për ata që dëshirojnë që dhuratën ta kenë plotësisht si të ëndrrave, EBC ( Elegance & Beauty Cosmetics ) ofron blerjen e Gift Çertifikatës, e cila mund të shfrytëzohet në të gjitha produktet që dëshirojnë, në cilëndo nga pikat e EBC.
Dhurata e EBC ( Elegance & Beauty Cosmetics ) për këtë vit është zbritja 50% në artikuj të caktuar të shumë kërkuar që do të mbeten si kujtim i ëmbël i këtij 14 shkurti.
EBC ( Elegance & Beauty Cosmetics ) ka tetë pika të shitjes të cilat ndodhen në këto lokacione:
1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej
2. Rr. Nëna Terezë
3. Rr.Garibaldi, perballë hotel Grand
4. ETC Fushë Kosovë
5. Royall Mall, Rruga B
6. Galeria M all, Prizren
7. Albi Mall, Veterrnik kati 0
8. Albi Mall, Veterrnik kati 1
Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë: EBC SHOP
Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.
Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.
Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.
Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.
Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:
Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.
Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.
Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com
Âsht e rândë me kânë malsuer! Gjâmën e kângën i kie varun mbi qerpik tân’ jetën, po loti nuk t’falet.
M’beso! S’âsht kollaj me kânë malsuer! Kie me shkue krushk, edhe në paç mort’. Kie me i ra çiftelisë, edhe në paç gjâmë Kie me qit pushkë, edhe pa gjaksor.
Se malsueri, lahutën e pushkën, i var në t’njajtën gozhdë. E rândë, fort e rândë, me kânë malsuer…/ KultPlus.com
Superylli i top-listave, Adele, fitoi tre çmimet kryesore në Brit Awards të martën, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.
E mbiquajtur “Mbretëresha e Brits” nga prezantuesja Mo Gilligan, kantautorja e lindur në Londër mori çmimin e parë të natës – kënga e vitit – për këngën e saj në krye të listës “Easy on Me”.
Kënga ishte e para që u publikua nga albumi i saj i rikthimit “30”, një gjirim që Adele ka thënë se ka bërë për t’i shpjeguar divorcin e saj djalit të saj të vogël.
“Do të doja t’ia kushtoja këtë çmim djalit tim dhe Simonit, babait të tij. Ky album ishte i gjithë udhëtimi ynë, jo vetëm i imi,” tha Adele e përlotur, duke iu referuar ish-bashkëshortit të saj Simon Konecki.
“Jam shumë krenare për veten time që u qëndrova pas armëve dhe publikova një album që kishte të bënte me diçka që ishte kaq personale për mua (sepse) jo shumë njerëz do të bënin më gjëra të tilla”.
33-vjeçarja gjithashtu fitoi artistin e vitit, një kategori tashmë pa gjini në të cilën u nominuan edhe reperët Little Simz dhe Dave, si dhe këngëtarët Ed Sheeran dhe Sam Fender.
“E kuptoj pse emri i këtij çmimi ka ndryshuar, por më pëlqen shumë të jem grua, të jem një artiste grua”, tha Adele.
Duke ndjekur hapat e shfaqjeve të tjera të çmimeve ose ngjarjeve që kanë hequr klasifikimet gjinore, organizatorët për BRIT thanë në nëntor se termet për të kategoritë do të hiqeshin nga viti 2022.
Pavarësisht se u publikua vetëm në nëntor, “30”, albumi i katërt në studio i Adelës, ishte albumi më i shitur në Britani në vitin 2021, duke zhvendosur më shumë se 600,000 kopje në vetëm gjashtë javë. /KultPlus.com
Në Istog u hap Këndi Arkivor i katërt në Republikën e Kosovës, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për të siguruar qasje në dokumente, kudo ku jetojnë shqiptarët.
DPA-ja në bashkëpunim me komunën e Istogut, i mundëson tashmë studiuesve mundësi të njëjta hulumtimi në dokumentet arkivore.
Prej këtij Këndi Arkivor, çdo studiues merr shërbim sikur të ishte i pranishëm në Tiranë.
Këndi i Arkivor, u prezantua në prani të kryetarit të komunës së Istogut, Ilir Ferati dhe drejtorit të Inspektimit dhe Trajnimeve, Endrit Musaj.
Ky kënd është i aksesueshëm në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Adem Jashari”. Më herët këndet arkivore janë hapur në Prishtinë, Podujevë dhe Ferizaj.
Çelja e këtyre këndeve arkivore është një ndër nismat më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila nisi në fundin e vitit 2020 për të vijuar me hapjen e këtyre njësive të shërbimit kudo ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com
Jennifer Lopez rikthehet në botën e filmit me filmin më të ri komedi-romancë, “Marry Me”. Për këtë premierë, Cineplexx organizon “Ladies Night”me shumë shpërblime në kinemanë në Prizren.
Në këtë event me 10 shkurt duke filluar nga ora 18:00 do të shfaqet filmi i shumë pritur nga aktorja dhe këngëtarja Jennifer Lopez, “Marry Me” ku gjatë këtij eventi do të ketë shumë shpërblime në çdo sallë si:
1x Microblading në vlerë prej 200€ nga BROWS BY – Fjolla 3x parfume nga EBC Cosmetics 2x Syze Ray-Ban nga Optika Gacaferi 10x dhurata nga Oriflame 3x Frizurë dhe Grim në vlerë prej 65€ nga Ándërr Atelie 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga A&M Clothes 3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Ariana Nila Jewelry 2x aksesorë Guess nga EMO
Përveç shpërblimeve do të ketë gjithashtu një meny speciale të “Ladies Night” me çmim special nga 7,90€ në 5,00€ ku përfshihet një Popcorn L, dy pije 0,5l dhe Biskrem.
(from left) Kat Valdez (Jennifer Lopez) and Charlie Gilbert (Owen Wilson) in Marry Me, directed by Kat Coiro.
Ngjarja e filmit zhvillohet rreth yllit të muzikës, Kat Valdez (J.LO) e cila bashkë me Bastian (Maluma) do të martoheshin drejtpërdrejtë përpara një audience botërore fansash. Por kur Kat mëson shumë pak sekonda para premtimeve të saj, se Bastian e ka tradhëtuar, ajo vendos të martohet me Charlien (Owen Wilson), një të panjohur prej publikut. Ndërsa rrethanat komplikohen për çiftin e porsamartuar, ata duhet te vendosin nëse dy njerëz nga bota kaq të ndryshme mund ta gjejnë dashurinë e vërtetë së bashku.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.
Fjodor Dostojevski ka lindur më 11 nëntor 1821, Moskë, Rusi.
Jeta e autorit rus Fjodor Dostojevski, ndër figurat më të shquara të literaturës botërore, ishte dëshmi e kësaj lloj vuajtjeje. Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulozi; dy vjet më pas vdes gjithashtu edhe i ati, një alkoolist i dhunshëm, për të cilin besohet se u vra nga shërbëtorët e tij.
Në vitin 1849 Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko – letrar “Petrashevski’ arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje më 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutën e fundit vendimi u anulua.
Cai Nikolaj, duke i konsideruar grupe të tilla si subversive dhe dëmtuese për pushtetin e tij, i vendoste të burgosurit përpara një ekzekutimi ritual simbolik, më pas e anullonte vendimin në momentin e fundit si shenjë e mëshirës së tij për të dënuarit. Si rezultat, Dostojevski u burgos dhe u dënua me punë të rëndë për 4 vjet në një burg në Siberi dhe 4 vite të tjera me shërbim të detyruar në ushtrinë ruse. Vetëm pas 10 vjesh kthehet në Shën Peterburg.
Fjodor Dostojevski është autori rus i shekullit të 19-të që ka shkruar novelat klasike si: “Krim dhe Ndëshkim”(1866) dhe “Vëllezërit Karamazov”(1880). Dostojevski iu kthye jetes së shkrimtarit si profesion pas një karriere të shkurtër ushtarake, ku në vitin 1846 publikoi novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”.
Ai u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës’ një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit. Në novelat e tij ai eksploron temat e mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern.
Dostojevski vdiq më 9 shkurt të vitit 1881./ KultPlus.com
Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.
Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.
Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.
Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.
Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com
Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga data 14 shkurt, qendra kulturore ‘Tulla’ në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh kulturore, shkruan KultPlus.
Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Mos e humb Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës në Tiranë – KS #14 Showcase
Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga data 14-20 shkurt, Tulla – Culture Center në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh të cilat do të sjellin kinematografinë , teatrin, artin vizual dhe muzikën më të mirë kosovare”, ka shkruar Veliaj. / KultPlus.com
Çmimet e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, Brit Awards, janë bërë të ditur gjatë kësaj mbrëmje, me ç’rast Dua Lipa ka triumfuar si artistja më e mirë Pop/R&B, duke lënë pas vetës yje të mëdhenj si Ed Sheeran dhe Adele shkruan KultPlus.
Lipa nuk ka qenë e pranishme në këtë mbrëmje pasi shumë shpejt pritet të fillojë turneu i saj nëpër shtetin e Amerikës. Por ajo ka shprehur emocionet e saj nëpërmjet një statusi në rrjetin social Twitter.
“Wowowow!! AKTI MË I MIRË POP @brits !!!! Faleminderit shumë të gjithëve që votuan!!! Edhe pse të gjithë do të donim të ishim në Londër duke festuar kështu me ju – ne kemi bërë prova që të mund të organizojmë një shfaqje të jashtëzakonshme për të gjithë ju!!“, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com
BE dhe UNDP janë tërhequr nga renovimi i Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë si dhe kanë kërkuar falje për çfardë “ofendimi të paqëllimshëm”. Në një përgjigje për Gazetën Express, Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se kanë përcjellë me kujdes shqetësimet pas vendimit për restaurim të shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm dhe njërin ndër formuesit e organizatës së njohur me emrin “Lidhja e Dytë e Prizrenit”
Ministria e Kulturës kishte vendosur se do të rindërtonte këtë objekt kulturor në qendër të qytetit të Mitrovicës me fonde të përbashkëta të UNDP-së dhe BE-së. Madje në një reagim të bërë sot, ministri Hajrullah Çeku kishte thënë se Kosova nuk rehabiliton figura historike siç bën Serbia, në një shkrim ku ai tregon pse e sheh me vend renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Ai thotë se në fakt zhurma e nisur për renovimin e objektit që lidhët vetëm me emrin e Xhafer Devës, e ka fillin në Serbi.
Mirëpo presioni i bërë nga akterë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, ka bërë që BE dhe UNDP të tërhiqen nga ky projekt. Në deklaratën e përbashkët thuhet se ky projekt kishte për qëllim afrimin e komuniteteve dhe kanë shprehur keqardhje për cdo shqetësim që mund të kenë shkaktuar gjatë ditëve të kaluara.
“DEKLARATË E PËRBASHKËT që u atribuohet Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Bashkimit Evropian (BE). Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian (BE) i kanë përcjelle me vemendje shqetësimet pas njoftimit për restaurimin e një lokacioni të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë që lidhet me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit. Synimi i projektit ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribojë në kohezionin social duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar dhe duke rivendosur trashëgiminë kulturore në shfrytëzim të komuniteteve. UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje të sinqerte për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar permes njoftimit për fillimin e punimeve por duke mos e cekur sfondin historik të Xhafer Devës”, thotë Zyra e BE-së për Gazetën Express.
Tutje thuhet se këto dy misione dënojnë fuqishëm anti-semitizmin dhe ksenofobinë. Tutje, në përgjigjen për Gazetën Express, tregohet se janë pezulluar punimet dhe kanë thënë se debati aktual duhet të shfrytëzohet si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën për diskutimeve dhe konsultimeve.
“UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e tyre te shumta, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin. UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, thuhet në deklaratë.
Në përfundimin e përgjigjes së Zyrës së BE-së për Gazetën Express thuhet se që nga viti 2016, BE dhe UNDP kanë kontribuar në rindërtimin e mbi 35 objekteve fetare e kulturore që u përkasin grupeve të ndryshme fetare e etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.
“Projektet e trashëgimisë kulturore të zbatuara nga UNDP që nga viti 2016, në partneritet me BE-në, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, komunat dhe komunitetet fetare, kanë rinovuar dhe rehabilituar më shumë se 35 objekte kulturore dhe fetare, që u përkasin grupeve të ndryshme fetare dhe etnike që jetojnë në Kosovë. Projektet janë fokusuar gjithashtu në rigjallërimin e trashëgimisë kulturore shpirterore në formën e artit, muzikës dhe aftësive artizanale, dhe kanë organizuar nje sere kurse dhe trajnime, si dhe kampe restaurimi, të fokusuara veçanërisht te gratë dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme. Të gjitha ndërhyrjet kontribojnë në forcimin e besimit dhe kohezionit social si dhe në rritjen e respektit për trashëgiminë e përbashkët kulturore të komuniteteve dhe feve të ndryshme në mbarë Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kjo është përgjigja e plotë e Zyrës së BE-së në Kosovë për Gazetën Express lidhur me pezullimin e restaurimit të shtëpisë e Xhafer Devës:
DEKLARATË E PËRBASHKËT që u atribuohet Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Bashkimit Evropian (BE)
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian (BE) i kanë përcjelle me vemendje shqetësimet pas njoftimit për restaurimin e një lokacioni të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë që lidhet me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit.
Synimi i projektit ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribojë në kohezionin social duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar dhe duke rivendosur trashëgiminë kulturore në shfrytëzim të komuniteteve. UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje të sinqerte për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar permes njoftimit për fillimin e punimeve por duke mos e cekur sfondin historik të Xhafer Devës.
UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e tyre te shumta, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin.
UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuarhaptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse.
Projektet e trashëgimisë kulturore të zbatuara nga UNDP që nga viti 2016, në partneritet me BE-në, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, komunat dhe komunitetet fetare, kanë rinovuar dhe rehabilituar më shumë se 35 objekte kulturore dhe fetare, që u përkasin grupeve të ndryshme fetare dhe etnike që jetojnë në Kosovë. Projektet janë fokusuar gjithashtu në rigjallërimin e trashëgimisë kulturore shpirterore në formën e artit, muzikës dhe aftësive artizanale, dhe kanë organizuar nje sere kurse dhe trajnime, si dhe kampe restaurimi, të fokusuara veçanërisht te gratë dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme. Të gjitha ndërhyrjet kontribojnë në forcimin e besimit dhe kohezionit social si dhe në rritjen e respektit për trashëgiminë e përbashkët kulturore të komuniteteve dhe feve të ndryshme në mbarë Kosovën. / KultPlus.com
Çmimet e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, Brit Awards, janë bërë të ditur gjatë kësaj mbrëmje, shkruan KultPlus.
Mbretëria e Bashkuar, si njëri prej shteteve me influencë të madhe në industrinë e muzikës, ka mbledh yje të shumtë në këtë mbrëmje, me ç’rast janë dhënë disa çmime për kategori të ndryshme.
Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, ka qenë e nominuar për dy çmime, derisa ka triumfuar si artistja më e mirë Pop/R&B.
26 vjeçarja la pas vetës yje të mëdhenj siç janë: “Ed Sheeran, Adele, Grif dhe Joy Crookes”.
Lipa nuk ka qenë e pranishme në këtë mbrëmje pasi shumë shpejt pritet të fillojë turneu i saj nëpër shtetin e Amerikës. /KultPlus.com