Akif Kazim, mecenë e kulturës shqiptare nga Lindja e Mesme

Lulzim Mjeku

Diaspora shqiptare në Lindjen e Mesme ka dhënë personalitete të cilat kanë kontribuar në jetën politike e kulturore të kombit. Një krahinë si Hixhazi e një qytet ku u ngulitën dhe u gjendën një duzinë e familjeve shqiptare është edhe qyteti port i Xhides, në Arabinë Saudite. Aty jetuan disa personalitete nga Peja, Gjakova, Shkodra, Librazhdi, Gjilani, e të cilët deri tani kanë mbetur pak të njohur.

Shumica e tyre bënë karrierë të shkëlqyer në profesionet e tyre, siç ishte Muharrem Shabani nga Përlepnica e Gjilanit i cili arriti të jetë edhe Zëvendësdrejtor i Radio Xhides.

Por, me këtë rast kam përzgjedhur profilin e mërgimtarit Akif Kazim (1912-1990) i shpërngulur si i ri nga Librazhdi e i cili ka dhënë një kontribut të shquar kombëtar. Ai me zonjën e tij e ka mbështetur Mbretin Zog në ekzilin e tij nëpër vendet e Lindjes. Familjes Kazim i është dashur të shpërngulet shpesh dhe deri nga mesi i viteve ’50 ajo ka udhëtuar me pasaportat e Mbretnisë Shqiptare të pranuara nga mbretëritë në Lindjen e Mesme. Në pamundësinë e padiskutueshme për kthim në vendlindjen e tij, vendlindjet e fëmijëve të tij janë të shumta dhe dallojnë për mijëra kilometra largësi dhe për nga natyra e regjimeve politike. Pas disa ecejakeve në shtegtimin e tij diasporik, Akif Kazim u ngulit me gjithë familje në Arabinë Saudite. Në qytetin port të Xhides (Jeddah) ai rinisi jetën e vet duke ringritur një familje të respektuar dhe biznes të shquar. Ai jo vetëm që njihej me shqiptarët e ngulitur në Xhide, por edhe në gjithë Arabinë Saudite dhe më gjerë. Ata pak mërgimtarë ngulitur në krahinën e Hixhazit, si Hysen Latifi e Muharrem Tahsini (Shabani) nga Përlepnica e Gjilanit, Hysen (Kastrati) Arnauti nga Nabërgjani i Pejës, Hysni Hoxha, Feti Meqa dhe Tefik Islami nga Gjakova, sikurse dhe Vehbi Ismajli e Sulejman Gavoçi nga Shkodra, u shquan me zotësitë e tyre profesionale dhe i kontribuuan mjedisit ku jetuan.

Kjo oazë e mërgatës shqiptare , përkundër vëshirësive të kohës, jo vetëm që nuk ka qenë e izoluar nga pjesë tjetër e mërgatës shqiptare në Bruksel, SHBA e gjetiu, por ka mbajtur lidhjet dhe ka kontribuar për organizatat politike, kombëtare kulturore. Sipas të birit të tij, Ismet Kazimit, babai i tij Akif Kazim ka pasur letërkëmbim me udhëheqës të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në SHBA dhe ka ndihmuar botimin e veprave letrare në shqip. Akif Kazimi ka pasur miqësi me shumë personalitete saudite dhe shqiptare të kohës së tij. Personaliteteve si Mbreti Zog, ndonjë veprimtari, gazetari e intelektuali iu ka gjetur pranë duke ndihmuar zhvillimin e veprimtarive të tyre. Kësisoj ai ka ndihmuar botimin e disa veprave të Martin Camajt, ndër to edhe të romanit “Rrathë”, të cilin Camaj ia dërgoi me postë. Vetëm nga fundi i viteve ’80 Akifi bashkë me të birin Ismet Kazim e kishin vizituar vendlindjen e tij Librazhdin.

Në ditët e sotme ndjej kënaqësi të veçantë kur takoj të bijtë e Akif Kazimit, zotërinjtë Ismet dhe Taufik Kazim të cilët kanë trashëguar nga babai i tyre ndjenjat e thella të solidaritetit e të veprimtarisë në të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë. Secili takim me ta është rast për të vjelur rrëfime të padëgjuara nga jeta e diasporës historike shqiptare në Lindjen e Mesme./ KultPlus.com

Fuqizohet bashkëpunimi mes ministrisë së Kulturës dhe UNICEF-it

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall, ka pritur sot në takim shefen e Zyrës së UNICEF-it për Kosovë, Nona Zicherman, dhe Laurat Raça, zyrtar në këtë organizatë.

Në takim, u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe UNICEF-it për avancimin e politikave të rinisë në vendin tonë, në kuadër të programit UPSHIFT që ka kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara, për përfshirjen dhe angazhimin sa më të madh të të rinjve dhe adoleshentëve të Kosovës.

Po ashtu, ndër temat që u diskutuan në këtë takim, ishte edhe çështja e vullnetarizmit, për të fuqizuar rrjetëzimin për vullnetarizëm.

U bisedua, edhe për inkuadrimin e grupeve të margjinalizuara në programin UPSHIFT.Shefja e UNICEF-it, Zicherman, u shpreh se si organizatë janë të gatshëm të ndihmojnë me ekspertizat e tyre të mundshme në arritjen e përmbushjes sa më të madhe të programit në përfshirjen e të rinjve.

Ndërkaq, zëvendësministri Veshall, mirëpriti konkretizimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes ministrisë dhe zyrës së UNICEF-it në Kosovë. /KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë ‘rikthehet’ edhe një herë tjetër në Shqipëri

Më 1 shkurt është mbajtur ceremonia publike e inagurimit të monumentit kushtuar Trëndafilit të Bardhë të Hungarisë dhe Mbretërshes së shqiptarëve, Geraldinën, shkruan KultPlus.

Në mesin e figurave të njohura, u bë edhe inagurimi Inagurimi i shtatores së Mbretëreshes Geraldinë.

Financimin e kësaj vepre arti e ka bërë Qeveria e Hungarisë, derisa këshilli bashkiak i Tiranës e ka bërë edhe përzgjedhjen e një vendi simbolikisht domethënës për ngritjen e bustit.

Fjalimin e tij, Princ Leka e nisi duke falënderuar të pranishmit, derisa gjithashtu shtoi se kjo vepër arti do të stolisë sot e mbrapa një nga arteriet qëndrore të qytetit të Shqipërisë.

“Rastësi apo jo, është një koinçidencë që dy gratë më të famshme shqiptare të shekullit të shkuar – Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldinë – kur u takuan në New York më 25 qershor 1981, ndanin me njëra-tjetrën një fat të përbashkët: të dyja ishin të djegura për të parë Shqipërinë; të dyja e kishin të ndaluar të shkelnin mbi dheun e këtij vendi”.

Ai e mbylli fjalimin, duke cituar mikun e Elias, shkrimtarin Ismail Kadare, që përpara 20 vitesh i shkruante kështu Mbretëreshës.

“Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.

Princ Leka ishte i pranishëm në këtë event së bashku me Elian dhe beben Geraldinë ,derisa skulptori Sandor Kligl u përkujdes për ta riprodhuar mjeshtrisht këtë figurë të madhe për Shqipërinë. /KultPlus.com

Hapet thirrja për ‘Artistët e përsosur’, afati deri më 11 shkurt

Organizata Stacion ka hapur thirrjen për Artistët e përsosur, thirrje që do të jetë e hapur deri më 11 shkurt, shkruan KultPlus. Moduli 2 Artistët e Përsosur si pjesë AFER-A nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë e udhëhequr nga Ivana Vaseva organizohet në Prishtinë nga 22 deri më 26 shkurt 2022.

Rreth kësaj thirrje, organizatorët kanë njoftuar për kushtet e aplikimit, dhe KultPlus ju sjell njoftimin e  plotë.

Moduli 2 pjesë e programit AFER-A përdor programin diskursiv – edukativ Artisti i Përsosur i kuruar nga Ivana Vaseva.

Artisti i Përsosur është një kurs praktik dhe teorik i destinuar kryesisht për artistët e rinj, me një ide për të zgjeruar fushëveprimin e interesave të tyre artistike, për të krijuar një hapësirë ​​për analizë kritike dhe shqyrtim të prodhimit të artit brenda kontekstit të përgjithshëm shoqëror dhe politik, si dhe si ofrojnë mjete praktike për të ushqyer praktikën e tyre artistike.

Realiteti neoliberal ka dëbuar shpërndarjen e barabartë të arteve, duke thelluar pasigurinë. Kështu, mungesa e të drejtave të punës së punonjësve të kulturës, e mundësive për punë në fushën e artit, mungesa e fondeve dhe fondeve zhvillimore që do të nxisnin ngritjen e mundësive dhe aspiratave artistike, si dhe sistemi arsimor retrograd, janë arsyet. zhvillimin e këtij programi. Rrjedhimisht, ideja është të fokusohet në analizën kritike të kontekstit të përgjithshëm dhe implikimet e tij në art dhe kulturë, dialog, shkëmbim përvojash dhe debati, si nëpërmjet praktikës ashtu edhe teorisë, një përpjekje që mund të krijojë përfshirjen sociale të artistëve të rinj dhe të tyre. edukimin politik dhe social.

Moduli 2 Artistët e Përsosur si pjesë AFER-A nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë e udhëhequr nga Ivana Vaseva organizohet në Prishtinë nga 22 deri më 26 shkurt 2022. Konkursi për pjesëmarrje është i hapur deri 11 shkurt 2022.

Programi fokusohet kryesisht në dhjetë artistë të rinj të përzgjedhur kosovarë nën moshën 35 vjeçare; megjithatë, të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë. Programi pesë-ditor do të përfshijë prezantime të projekt propozimeve, prezantime të CV-ve, portofoleve, prezentime dhe bashkëbisedime me artistët, shfaqje, prezantime nga ligjerues të ftuar, ripërpunim të CV-ve dhe portofoleve, dhe komentim e diskutim të prezantimeve dhe projekt propozimeve të artistëve të përzgjedhur nën 35 vjeç që punojnë në Kosovë.

Artisti i Përsosur u organizua për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017, si një nga segmentet programore të Fakultetit të gjërave që nuk mund të mësohen – FR~U, i zhvilluar për Çmimin e Artistëve të Rinj Pamor Denes.

Çmimi Denes është një çmim për artistët e rinj pamor nën 35 vjeç në Maqedoninë e Veriut, i themeluar në vitin 2002, i ngjashëm me çmimin Artistët e së nesërmes që organizohet në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Çmimi Denes dhe çmimi Artistët e së nesërmes janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar Çmimet e Artistëve të Rinj Pamor – YVVA në Evropën Qendrore dhe Juglindore, që shpërblejnë artistëte rinj një rezidencë artistike dymujore në Nju Jork.

Çdo modul dhe aktivitet i Programit AFER-A do të respektojë masat e sugjeruara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës kundër përhapjes dhe infektimit me virusin Covid-19. AFER-A mbështetet nga Departamenti i Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./ KultPlus.com

Adriana Matoshi kërkon mbështetje për filmin “Zgjoi”: Le të shkruajmë histori së bashku

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar, derisa po shpreson që të nominohet më 8 shkurt, atëherë kur edhe do të bëhen të ditur emrat që do të marrin pjesë në galanë e 27 marsit, shkruan KultPlus.

Njëra prej aktoreve në këtë film, Adriana Matoshi, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar mbështetje në mënyrë që të Kosova të shkruajë histori.

“ZGJOI osht shembulli ma i mirë i suksesit, çmimeve, vlerave dhe ma e rëndësishmja, pasqyrimi ma i drejtë i realitetit tonë. Nuk e di pse disa njerëz ngurrojnë e nuk e përkrahin artin para se me arritë suksese të mëdha, po në fund krejt kanë qef me u identifiku edhe me u krenu me ato suksese.Hajde bashkë t’a shkrujmë historinë, tu e shpërnda e tu e bo ZGJOIN me qarkullu në krejt platformat sociale e mediale.Suksesi nisi në #Sundance, vazhdoi në shumë e shumë festivale prestigjioze, tash e kemi radhën me e shkrujt emrin e Kosovës edhe në #Oscars. Kosova meriton t’a ketë vulën e saj në kinematografinë BOTËRORE. Historia e zonjës Fahrie dhe grave të Krushës e meriton këtë sukses”, ka shkruar ajo.

Zgjoi tregon historinë e Fahrije Hotit, e cila duke shpresuar të sigurojë familjën e saj, së bashku me të vejat në vështirësi nisin një biznes për të shitur një produkt ushqimor vendas. Ato gjejnë shërim dhe ngushëllim në sipërmarrjen e re, por vullneti i tyre për të jetuar të pavarur së shpejti përballet me armiqësi.

Regjisorja e filmit, Blerta Basholli dhe protagonistja Yllka Gashi kanë hapur një kampanjë, përmes së cilës kanë kërkuar që posteri i filmit të shpërndahet sa më shumë në rrjete sociale. /KultPlus.com

Poezia fituese në Flakën e Janarit “Peng i lirisë”

Alketë Spahiu


Falemnderit imzot
që rob i normave te shenjta të njerëzve profanë
asnjëherë nuk isha,
as puritane në një botë të cekët me ujëra të turbullta
poashtu nuk isha,
as gozhdë e ndryshkur në një mendësi
të para evolucionit industrial
nuk pranova të bëhem.

Falemnderit imzot
që kur shpërndave komplekset e kota
unë rastisa në pushime ekzotike
në destinacione të panjohura
e zhytur në oqeanin e dashurisë për dije,
merrja rreze në hijet e ëndërrave.

Falemnderit imzot
që në mesin e shumë pengjeve
më zgjodhe të jem
peng i lirisë

më fal për lakminë që u ngjalle
të prekurve kronikë
me sindromën e Stokholmit./ KultPlus.com



Tha se Holokausti nuk kishte të bënte me racën, Whoopi Goldberg kërkon falje pas reagimeve të shumta

Aktorja amerikane, Whoopi Goldberg ka kërkuar falje për komentet e saj mbi Holokaustin duke thënë se “nuk kishte të bënte me racën”. Kjo erdhi pasi aktorja u përball me reagime të ashpra për komentet e saj, shkruan Reuters, përcjell KultPlus.

Goldberg, e cila bashkë-prezanton emisionin amerikan të ABC-së “The View”, tha të hënën se Holokausti kishte të bënte me çnjerëzimin e njeriut ndaj njeriut dhe përfshinte “dy grupe të bardhë njerëzish”.

Aktorja fituese e Oskarit më vonë kërkoi falje duke thënë: “Në shfaqjen e sotme, thashë se Holokausti ‘nuk ka të bëjë me racën, por me çnjerëzimin e njeriut ndaj njeriut’. Duhet të kisha thënë se ka të bëjë me të dyja”.

“Populli hebre në mbarë botën ka pasur gjithmonë mbështetjen time dhe kjo nuk do të heqë dorë kurrë. Më vjen keq për lëndimin që kam shkaktuar,” ka shtuar Goldberg në kërkimin e saj të faljes.

Komentet e Goldberg u përballën me kritika nga aktivistët në internet, ndër ta edhe Jonathan Greenblatt.

“Jo Whoopi Goldberg, Holokausti kishte të bënte me asgjësimin sistematik të popullit hebre nga nazistët – të cilin ata e konsideronin si një racë inferiore. Ata i dehumanizuan dhe përdorën këtë propagandë raciste për të justifikuar masakrën e 6 milionë hebrenjve. Shtrembërimi i Holokaustit është i rrezikshëm”, ka shkruar në reagimin e tij në Twitter Jonathan Greenblatt, shefi ekzekutiv i Lidhjes Anti-Shpifje, shkruan Reuters, përcjellë KultPlus./ KultPlus.com

Tahiri, një stomatolog slloven i cili përfaqëson Kosovën në skijim: Qëllimi im ishte të kisha dikë pas meje, në këtë rast Kiana Kryeziu

Skitari nga Kosova, Albin Tahiri, do të marrë pjesë edhe një herë tjetër në Lojërat Olimpike Dimërore pas atyre të Pyongyang në vitin 2018, kësaj radhe në Pekin të Kinës së bashku edhe me Kiana Kryeziun, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për mediumin slloven “Vecer Koroska“, shpjegohet i gjithë rrugëtimi i Albin Tahirit, sllovenit që nga viti 2009 bën ski për Kosovën, histori e cila është larg normalitetit. Tahiri e filloi udhëtimin e tij të skijimit në Ravne na Koroskem, ndërsa këtë fundjavë do të mbajë flamurin e Kosovës për herë të dytë në hapjen e Lojërave Olimpike në Pekin.

Katër vite më parë në Korenë e Jugut, skitari ishte i vetëm në përfaqësim për Kosovën, derisa sivjet ngjyrat e Kosovës do t’i përfaqësojnë dy, Albin Tahiri së bashku me Kiana Kryeziu 17-vjeçare.

Mirëpo, historia e skitarit Tahiri është shumë interesant për faktin se ai tanimë ka arritur të realizojë ëndrrën e tij, e cila ishte të bëhej një stomatolog, ndërkaq në tetor të vitit të kaluar filloi specializimin për kirurgji orale dhe u punësua në qendrën shëndetësore të Mariborit.

Për të qenë në gjendje të performonte në Pekin, ai mori dy muaj pushim pa pagesë. “Për fatin tim, ata e miratuan, janë mjaft të arsyeshëm dhe inkurajojnë aftësinë sportive”, thotë Tahiri, për të cilin Lojërat e Pekinit do të jenë gara e pestë e madhe. Ai gjithashtu mori pjesë në tre kampionate botërore.

Photo: Michael Kappeler/dpa/Alamy Live News

Ai e kaloi javën e fundit para se të nisej për në Pekin të shtunën, në një nga hotelet e Prishtinës, ku u tërhoq për t’u izoluar nga bota e jashtme. I është dashur t’i kushtojë shumë vëmendje edhe një aplikacioni të veçantë që e ka shkarkuar në celularin e tij më shumë se një muaj më parë. “Çdo ditë më duhet të fus temperaturën e trupit tim, çdo simptomë, certifikatat e testit PCR, duke përfshirë certifikatën e vaksinimit. Vetëm kur futa të gjitha të dhënat, mora një kod QR, pa të cilin nuk do të mund të hyja në terminalin e aeroportit. Kinezët realisht nuk i lënë asgjë rastësisë, protokollet janë jashtëzakonisht të rrepta”, shpjegon Tahiri, i cili do të nisë paraqitjet e tij në Lojërat Olimpike këtë të dielë, kur është caktuar edhe testi i skive.

Më vonë e pret sllallomi, sllallomi gjigand dhe kombinimi, do t’i mungojë vetëm performanca në supersllallomin gjigant. “Unë pres më së shumti nga skijimi, ku përvoja shpesh del në pah. Sllallomi, për shembull, kërkon shumë më tepër stërvitje, duhet të jesh i shpejtë, i ri dhe i gjallë, gjë që nuk më pëlqen shumë”, buzëqesh 32-vjeçari, i cili humbi biletën e supersllallomit me dy pikë FIS.

Ai përgatitej kryesisht për Lojërat Olimpike në pistat e skive austriake dhe italiane, rreth Vitit të Ri edhe në Kope dhe Črna na Koroškem. Edhe pse është një dimër i mrekullueshëm me shumë borë, është ende e vështirë të gjesh një vendpushim skish ku situata nuk është shumë e ashpër.

Për shkak të punës, ai nuk shkon në stërvitje aq i pushuar sa do të donte, por nga ana tjetër ka frikë se do të pësojë një dëmtim që do të ndikonte në karrierën e tij profesionale. “Duhet të shikoj duart e mia. Gjithçka është tashmë e dukshme në trupin tim, kam pasur probleme me shpinën në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit. Trupi im dalëngadalë nuk po arrin të mbajë dot. “Fatmirësisht më kanë dhënë dy muaj pushim pa pagesë në punë, janë të arsyeshme dhe më inkurajojnë të merrem me sport”.

Ai thotë se ende nuk ka bërë ski në Kinë, por ka përvojë nga ajo pjesë e Azisë. Dëbora, e cila është kryesisht artificiale, i përshtatet, pasi skitë kthehen në mënyrë të përsosur për shkak të mbështetjes së tyre të mirë.

“Por mua nuk më pëlqejnë pistat jashtëzakonisht të politizuara, të akullta. Është brutale, duhet të jesh i përgatitur dhe i mësuar me kushte të tilla, përndryshe mund të jetë e bezdisshëm”, tha Tahiri, i cili është i lumtur që nuk do të jetë i vetmi përfaqësues i Kosovës. në Kinë.

“Në fund të fundit, ky ka qenë qëllimi im gjatë gjithë këtyre viteve. Të kem një tjetër skiator pas meje dhe të mos jetë e gjitha mbi supet e mia, dalëngadalë do të ndaloj skijimin në një nivel kaq të lartë, ndaj më përshtatet që pas ka të rinj që janë duke marrë rolin tim”.

Lojërat e dyta olimpike të Tahirit do të jenë veçanërisht emocionuese për babain e tij, i cili u shpërngul në Slloveni më shumë se dyzet vjet më parë.

Në kohën kur djali i tij po fillonte të merrej me ski, ai ishte një tifoz jashtëzakonisht i zhurmshëm dhe entuziazmi i tij nuk po i pakësohet as tani.

“E mahnitshme se nga e merr energjinë e tij, ai është në fakt një nga arsyet që unë ende insistoj. Ai është me të vërtetë një fans thuajse fanatik dhe nuk mendoj se kjo do të ndryshojë ndonjëherë. Nëse nuk do të kisha një mbështetje të tillë, jo vetëm E babait tim, por nga e gjithë familja, pyetja është nëse do të bëja akoma ski”, thotë Tahiri, i cili ende i pëlqen të kthehet në shtëpi në Ravne. “Është e vërtetë që ka gjithnjë e më pak kohë, shihemi rreth një herë në muaj. por nuk kam harruar ku jam në shtëpi. Më pëlqen të vij gjithmonë”.

Photo: GEPA pictures/ Mario Kneisl

Në Kosovë, sportet dimërore janë disi të neglizhuara dhe nuk mund të krahasohen me futbollin, basketbollin apo sportet marciale. “Ka shumë skiatorë rekreativë, qendra e skijimit në Brezovicë është e mbushur, por është rekreacion, ndryshe është me skijimin konkurrues. Që kur konkurroj për Kosovën, kemi bërë progres konkret, sponsorët janë aktivizuar, por na pret një rrugë e gjatë përpara.

“Unë kam qenë në Prishtinë, kam dashur të shikoj një transmetim të skive nga Kitzbuhel, por nuk e kam gjetur në mesin e 200 programeve”, shpjegon Tahiri, i cili gëzon një reputacion të madh në Kosovë.

“Në sytë e popullit të Kosovës, sllovenët janë konsideruar gjithmonë një komb i zotërinjve. Tashmë në Jugosllavi, Sllovenia ishte një tokë e premtuar. Megjithatë, mendoj se bashkëpunimi aktual mes dy vendeve është në një nivel të lartë, gjë që më pëlqen. ”, ka përfunduar Tahiri.

Kosova ka shënuar suksese të jashtëzakonshme arenën ndërkombëtare përmes sportit dhe filmit, e gjitha kjo është mundësuar nga sportistët, të cilët konsiderohen medoemos si ambasadorë të vendit. /KultPlus.com

. Photo: GEPA pictures/ Harald Steiner

Viberate: Dua Lipa artistja e dytë më e dëgjuar në radio

Ed Sheeran është shpallur artisti më i luajtur në radio në mbarë botën, shkruan Viberate, përcjell KultPlus.

Hitet e fituesit të Grammy-it 30-vjeçar morën 4.3 milionë dëgjime në valët e radiove gjatë 12 muajve të fundit.

Ed ishte në të gjithë radion gjatë periudhës festive me hitin festiv të tij dhe të Elton John ‘Gëzuar Krishtlindjet’, dhe versioni i bamirësisë LadBaby i këngës i quajtur ‘Sausage Rolls For Everyone’ kryesoi tabelën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Dua Lipa siguroi vetëm 100,000 dëgjime më pak se krijuesi e hitit “Bad Habits” gjatë 12 muajve, ndërsa The Weeknd zuri vendin e tretë me tre milionë të tillë.

Të dhënat nga Viberate, i cili analizoi 24000 stacione radiofonike në 150 vende, e vendosën Queen në vendin e katërt me 2.9 milionë, e ndjekur nga 2.8 milionë shfaqje të Maroon 5. /KultPlus.com

10 autorët që vijojnë garën për Çmimin ”Kadare” 2022

10 autorët e përzgjedhur nga juria për të vazhduar garën për Çmimin “Kadare” 2022, mes 21 autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të autorëve që aplikuan në këtë konkurs me dorëshkrime të veprave të tyre, juria përzgjodhi 10 prej tyre, duke çmuar vlerat e secilës vepër të paraqitur, me mirënjohjen e thellë për kontributin dinjitoz të secilit prej autorëve të përfshirë.

Shkrimtarët e përzgjedhur duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria ([email protected]), brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 22 shkurt 2022 do të shpallen 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për çmimin letrar.

I mbështetur nga Fonadacioni “Pashko”, projekti i Çmimit “Kadare” do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit më 27 shkurt 2022, në ditën e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve, e cila do të mbahet në Llogara.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës “Leteratura”. I gjithë projekti i Çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

10 autorët që vijojnë garën për Çmimin ”Kadare” 2022:

– Biser Mehmeti me dorëshkrimin e romanit “Të jetosh me vdekjen”

– Bujar Balliu me romanin “Era ndez qirinj”

– Bujar Skëndo me “Psherëtima e fundit”

– Durim Taçi me “Liqeni në mes të detit”

– Entela Kasi me  romanin “Rikthimi”

– Fatmir Halimi me “Makthi”

– Kujtim Lapa me  “Vdekja e Orlandos”

– Renis Hyka me përmbledhjen “ Tregimi më i shkurtër në botë”

– Shpresa Qiriqi me përmbledhjen me tregime  “Mjegull”

– Vera Bekteshi me romanin “Pusulla letre”

I krijuar në vitin 2015, Çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare” dhe Klubi Letrar “Kadare”. /KultPlus.com

Patrioti dhe ideologu Zef Jubani vdiq para 142 viteve

Sot përkujtohet 142-vjetori i vdekjes së patriotit e ideologut së Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani, shkruan KultPlus.

Zef Jubani (Shkodër 1818 – 1 shkurt 1880) ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog i Rilindjes Kombëtare. Më 1862 bashkëpunoi në organizmin e lëvizjes antiosmane të Mirditës.

Ai është i njohur për botimin e një Koleksioni të Këngëve Folklorike Shqipe dhe Rapsodive në dialektin geg shqiptar. Jubani mbrojti krijimin e një alfabeti unik të gjuhës shqipe.

Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani.

Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë.

Nëna e tij ishte nga Malta, kështu që midis 1830 dhe 1838 ai studioi atje ndërsa jetonte me xhaxhain e tij.

Pas kthimit në Shkodër ai punoi që nga viti 1848 si sekretar në konsullin francez të qytetit dhe gjithashtu u bë asistent i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853.

Jubani kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij në Trieste, Venecia dhe Malin e Zi modern. / KultPlus.com

Çeku me telegram ngushëllimi për Alije Vokshin: Vlerat e saj artistike do të mbeten të paharruara

E lindur më 1945, Alije Vokshi vdiq në moshën 76 vjeçare, ajo ishte piktorja e parë shqiptare e diplomuar në universitet, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Artit, Ministri Hajrulla Çeku dërgoi një telegram ngushëllimi për gjithë familjen e Alije Vokshi.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurës tuaj, piktores tonë, Alije Vokshit.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, për humbjen tuaj.

Piktorja Alije Vokshi që u specializua në Paris, përpos aktivitetit kreativ artistik, me një korpus të madh të veprave që la pas, ajo u angazhua edhe në edukimin e artistëve si ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Krijimtaria dhe vlerat artistike që ka lënë si pasuri e trashëgimi, do të mbeten të paharruara siç do të mbetet edhe kujtimi ynë për të.

Ndarja nga jeta e piktores Alije Vokshi ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshme në fushën e artit pamor në Kosovë.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Alije Vokshit”, shkroi Çeku.

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit. /KultPlus.com

Blerta Basholli flet për admirimin e madh ndaj Fahrije Hotit: Nuk e di nëse ajo është e vetëdijshme për të mirat që po bënte (VIDEO)

Filmi më i sukesshëm në histori të kinematografisë së Kosovës “Zgjoi”, po vazhdon sukseset e tij nëpër botë. E së fundmi, regjisorja e këtij filmi, Blerta Basholli, ka zhvilluar një intervistë me aktoren dhe producenten Elisabeth Moss, e cila ka marrë pjesë si producente ekzekutive në shtyrjen e “Zgjoi” për të hyrë në Oscar, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja-regjisorja Blerta Basholli së fundmi bëri debutimin e saj në filmin artistik me “Zgjoin”, i cili tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje kosovare që filloi të prodhonte dhe të shiste një spec të kuq si një mënyrë për të punësuar të vejat në fshatin e saj të trazuar.

Me këtë film Kosova ka hyrë zyrtarisht në listën e ngushtë të nominimeve për kategorinë e filmave ndërkombëtar në Oscar, gjithashtu edhe shkroi histori në Festivalin e Filmit në “Sundance”.

Ylli i “Mad Men” dhe “The Handmaid’s Tale” tha se ajo e shikoi filmin disa herë dhe ishte tërësisht e impresionuar nga historia, aq sa ajo hyri në film si producente ekzekutive së bashku me partneren e Love & Squalor Pictures, Lindsey McManus.

Moss kohët e fundit u ul me Bashollin për të bërë një bisedë rreth zgjedhjeve artistike të nevojshme për të bërë një film bindës të bazuar në një histori të vërtetë dhe IndieWire ka kënaqësinë të publikojë ekskluzivisht bisedën e plotë.

Basholli tha se ajo ishte gjithmonë e tërhequr nga historia e Fahrijes dhe admirimi i saj për të rritej vetëm kur kalonin kohë së bashku. Pasi u njoh me Fahrijen, asnjëherë nuk bëhej fjalë nëse do të bënte apo jo një film për të, por thjesht një vendim se cilin kënd të përdorte. “Unë gjithmonë them se mund të kisha bërë shumë filma për të”, tha Basholli. “Dhe ky ishte vendimi më i madh për të marrë kur bazoni një film në një histori të vërtetë. Sepse si mund të bësh një film fiction, i cili nuk është dokumentar, dhe pastaj ta përqendrosh historinë rreth personit që e admiron kaq shumë?”

Moss vlerësoi portretizimin e filmit pa falje të një protagonisteje të fortë femër, si dhe refuzimin e Bashollit për të zbutur në mënyrë të panevojshme personazhin. “Kur ke personazhe të forta femra, mendoj se shumë njerëz mendojnë se duhet të jenë të pambrojtura ose duhet të jenë të dobëta ose duhet të rriten në atë vend,” tha ajo. “Por qartë, duke qenë se kjo bazohet në një grua të vërtetë, ju duhet të ndiqni narrativën e vërtetë. Dhe pajtohem, ajo padyshim ishte një person shumë i veçantë për të qenë në gjendje të bënte udhëtimin në jetën e saj që bëri.”

Basholli e di se ajo mund të përfshijë vetëm kaq shumë aspekte të jetës së pabesueshme të Hotit, por ajo shpreson që historitë që ajo zgjodhi do të ndihmojnë në ndërtimin e një trashëgimie për një sipërmarrës të ve. “Thjesht u përpoqa të kujtoja se çfarë më bëri më shumë përshtypje prej saj, dhe çfarë do t’i bënte përshtypje edhe audiencës, dhe kjo ishte historia e saj e suksesit. Historia e saj fuqizuese, se si ajo krijoi dhe mbajti së bashku atë komunitet të grave që lehtësisht mund të kishin shkuar veçmas, dhe ndoshta edhe mund të ishin çmendur nga kaq shumë vuajtje,” tha ajo. “Dhe pastaj thjesht gjithmonë duke pritur që dikush ta ndihmojë atë.”

Regjisorja shtoi: “Në shumë mënyra, ajo bëri gjëra kaq të mëdha. Nuk e di nëse ajo ishte e vetëdijshme për shtrirjen e të mirave që po bënte.” /KultPlus.com

Më poshtë është e përfshirë edhe biseda e plotë, që mund ta ndiqni edhe duke klikuar KËTU.

HIVE – Q&A with Elisabeth Moss and Blerta Basholli from Zeitgeist Films on Vimeo.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin për muajin shkurt

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin për muajin shkurt, në të cilën shihet se do të ketë repriza të disa shfaqjeve, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare, Teatri njoftoi edhe për orarin e ri, ku do të jenë tri shfaqje mysafire.

Më 5 shkurt do të jepet repriza e shfaqjes “Aroma e Hënës”, derisa më datë 25 do të mbyllen shfaqjet me “La Rrem” nga Arian Krasniqi me regji të Kushtrim Koliqit.

KultPlus ua sjellë orarin e plotë për këtë muaj. /KultPlus.com

Olimpiada e Pekinit do të hy në histori si olimpiada më e gjelbër ndonjëherë

Së shpejti do të fillojë Olimpiada Dimërore e Pekinit. Krahas ngjyrës së bardhë të dëborës, ngjyra e gjelbër që simbolizon mbrojtjen e mjedisit është një markë e Olimpiadës Dimërore 2022.

Organizimi i gjelbër i Olimpiadës Dimërore të Pekinit përputhet me kërkesat e “Agjendës Olimpike 2020” për zhvillimin e vazhdueshëm. Pasi fitoi të drejtën e organizimit të Olimpiadës Dimërore në vitin 2015, Kina filloi ta zbatojë idenë e “organizimit të gjelbër” në punën përgatitore, duke hartuar 119 masa konkrete në përgatitjen e veprimtarisë, zhvillimin urban, përmirësimin e mjedisit ekologjik etj.

Për shembull, të 26 stadiumet e Olimpiadës Dimërore të Pekinit furnizohen me “energji të gjelbër elektrike”, domethënë me energji elektrike që prodhohet nga energjia e përtëritshme. Centrali elektrik në Zhangjiakou të provincës Hebei e shndërron energjinë diellore dhe energjinë e erës në energji elektrike, duke e transmetuar në tre zonat e konkurrimit të Olimpiadës Dimërore 2022: Pekin, Yanqing dhe Zhangjiakou. Parashikohet se përdorimi i energjisë së gjelbër elektrike në Olimpiadën Dimërore të Pekinit do ta pakësojë me 320 mijë tonë gazin karbonik të lëshuar, që është baras me vëllimin e gazit karbonik të thithur nga 32 milionë pemë në vit.

Për të kursyer burimet, Olimpiada Dimërore e Pekinit do të përdorë plotësisht objektet e Olimpiadës së Pekinit 2008. Qendra Kombëtare e Notit, ose “Kubi i ujit”, do të shndërrohet në “Kubin e akullit”, ndërsa fusha e basketbollit do të shndërrohet në pistë akulli. Për sa i përket problemit të dëborës artificiale, Komisioni Organizator i Olimpiadës Dimërore të Pekinit u shpreh se në këtë olimpiadë do të përdoren pajisjet më të përparuara të kursimit të ujit dhe sistemi i zgjuar i bërjes së dëborës, për të shmangur efektivisht humbjen e ujit dhe ndikimin negativ mbi mjedisin. Krahas kësaj, ndër automjetet në shërbim të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, autobusët me karburant hidrogjeni dhe automjetet elektrike zënë mbi 80 %, më shumë se në Olimpiadat Dimërore të kaluara.

Ditët e fundit, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach u shpreh se Komisioni Organizator i Olimpiadës Dimërore të Pekinit ka marrë shumë masa për të ulur lëshimin e karbonit dhe për të mbrojtur mjedisin, duke mbajtur premtimet e bëra për nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm të Kinës. Kryetari i Komisionit Bashkërendues për Olimpiadën Dimërore të Pekinit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Juan Antonio Samaranch Jr. u shpreh se Olimpiada Dimërore e Pekinit do të jetë një olimpiadë më e gjelbër në histori. /KultPlus.com

Sot festohet dita ndërkombëtare e lirisë në Amerikë, kujtohet presidenti Abraham Lincoln

1 shkurti është Dita Kombëtare e Lirisë. Qëllimi i kësaj feste është të promovojë ndjenjat e mira, harmoninë dhe mundësitë e barabarta mes të gjithë qytetarëve dhe të kujtojë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i përkushtuar ndaj idealit të lirisë.

Majori Richard Robert Wright Sr., një ish-skllav, luftoi për të pasur një ditë kur festohet liria për të gjithë amerikanët. Kur Wright mori lirinë e tij, ai vazhdoi të bëhej një biznesmen i suksesshëm dhe udhëheqës i komunitetit në Filadelfia, Pensilvani.

Majori Wright zgjodhi 1 shkurtin si Ditën Kombëtare të Lirisë, sepse ishte dita në 1865 kur Presidenti Lincoln nënshkroi Amendamentin e 13-të të Kushtetutës. A e dini se çfarë bëri Amendamenti i 13-të?

Ky amendament, një ndryshim i rëndësishëm në ligjin tonë të shkruar, e shpalli të jashtëligjshme skllavërinë në Shtetet e Bashkuara. Wright mblodhi liderët kombëtarë dhe lokalë së bashku për të shkruar një projekt-ligj që shpallte 1 shkurtin “Ditën Kombëtare të Lirisë” dhe Presidenti Harry Truman nënshkroi projektligjin në 1948 duke e zyrtarizuar atë.

PEN Qendra e Kosovës sot debaton për krijimtarinë letrare në periudhën e pandemisë  

Sonte, 1 shkurt 2022, në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.  

Temë shqyrtimi sonte do të jetë Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë. 

Për këtë temë do të flasin Nerimane Kamberi dhe Haqif Mulliqi.  

Debatin do ta udhëheqë Sali Bashota. 

Ftoheni të merrni pjesë.   Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Ylfete Humolli, 16 vjeçarja e cila nuk e gëzoi kurrë rininë

Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 32 vitesh kur ishte vetëm 16 vjeçare, u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.

Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.

Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.

Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës. /KultPlus.com