Albana jetoi tri javë por me kaq mbaroi fluturimi i saj u copëtua dikush gjykoi që ajo të mos jetonte të mos lindte të perëndonte.
Albana sot do të ishte e rritur, nënë e dashuruar në poezinë franceze njohëse e gjuhës së shenjave shtatlartë, e zjarrtë, tmerrësisht e ngarkuar.
Ndoshta, sa shumë ndoshta që nuk u definuan kurrë.
Albana jetoi tri javë për të na thyer zemrat treqind vjet vetmie.
Albanës i dhanë kohë qesharake prej tri javësh të gatuante, të vishej vet, të punonte në oborr të shkruante një roman, të fitonte çdo garë këndimi të mësonte psalme, të dashuronte me epsh të dëshmohej, të tregohej nuk mundi, dhe nuk jetoi kështu vendosi gjykata vrastare e foshnjeve.
Albana sot do të ishte 40 vjeç
me palltot deri pak poshtë gjunjëve me dhëmbë të bardhë, me fytyrë të pastër prej vajit të kokosit e detajshme, e dehur prej klimaksit ndoshta do ta bënte mamografinë.
Ndoshta, këto ndoshta të bejnë të rrotullohesh në shtratin e të pamundurave.
Albanës, zanat, ia dhanë 21 ditë afat të forcohej, të dilte në sheshin e qytetit të bëhej presidente e shtetit të shtegëtonte, të luante në violinë ta thyente të keqen me mirësi.
Nuk ka shumë orë dita e një foshnjeje që vdes.
Me Albanin ishte ndryshe Albani e pati shumë ftohtë ishin tjera temperatura në motin kur ai lindi ia lejuan veç disa frymëmarrje syçkat e tij të skuqura numëruan katrorët e tavanit të spitalit mbështjellur me çarshaf të bardhë e me fat të përlyer zi.
Albani jetoi pak orë nuk arriti të bëhej dikushi nuk u bë as ëndërrimtar, as furrtar as nuk shkoi kurrë në çerdhe fëmijësh e këshilluan të provonte zanatin e mjekut nuk kishte hapësirë, e pamundur.
Pa u bërë as njeri, e as flutur Albani dha shpirt, me shpirt të këputur.
Albani sot mund të ishte roje burgu trupmadh, plot rrudha kurrë i dhënë pas alkoholit e cigareve eliptik, i rrasur thellë në oqeanin e të bëmave të mira shpirt i huaj, i vendosur si piktura më e bukur në çdo dhomë shtëpie.
Ky Alban sot do të ishte mashkull vigan në kërkim të dashurisë, a pasurisë, a lumturisë por në pak orë, i thanë të ngjiste malin më të rrëpirë të bëhej mjek popullor ja shkëputën kontratën e jetës, nuk mundi, e pati vështirë.
Një mal me detyra për Albanin por u shua, si qumësht u vlua, as gjykatës nuk mundi të paguante botës nuk i plas për një foshnje më pak njerëz të tmerrshëm do të lindin, do jetojnë përhera, nëna natyrë është e zënë me halle tjera e Albani pret ende t’i vijë pranvera.
Nënës i vdiqën dy fëmijët e parë ata nuk janë në asnjë fotografi janë dy numra inkubatorësh, pa asnjë sy
janë veç në këtë poezi që po e shkruaj afër një shtëpie shëndeti ku një bebe tjetër do të jetojë pak orë dhe kaq, pos nënës që e lindi, nuk do të kujtohet më kurrë. / KultPlus.com
Ka nisur prej pak ditësh “Java Amerikane” ku deri në datën 21 maj, Ambasada amerikane po organizon një sërë aktivitetesh në Tiranë dhe Shkodër ku përfshihet muzika rrok nga banda e forcave ajrore amerikane, shfaqje filmash dhe degustime me ushqime.
Gjatë gjithë kësaj jave në instalacionin Reja në Tiranë po shfaqen filma amerikanë çdo mbrëmje në 19:30, të cilët trajtojnë tematika të ndryshme të jetës në Amerikë, nga fuqizimi i roli të gruas deri tek ushtria.
Sonte u shfaq për publikun tek Reja “Top Gun”, një film shumë i famshëm për ushtrinë amerikane.
Aktiviteti ishte falas dhe i hapur për të gjithë. Shumë persona iu përgjigjën thirrjes së Ambasadës amerikane duke sjellë familjet dhe miqtë e tyre tek Reja në Tiranë për të shijuar nën yje këtë film të mrekullueshëm.
Aktori Tom Cruise ripërsërit rolin e tij si Pete Mitchell, piloti kokëfortë i Marinës i cili nuk është ngritur kurrë në gradat për shkak të prirjes së tij. Mitchell, emri i koduar i të cilit është Maverick, i kërkohet të trajnojë një grup pilotësh të rinj luftarakë për një mision të specializuar.
Filmi ofron skena drithëruese fluturimi, një histori emocionale dhe performanca të forta nga kasti mbështetës, duke përfshirë Miles Teller, i cili luan djalin e Goose, partnerit të Maverick që vdiq në filmin origjinal./ KultPlus.com
Kur dashuroheshim në kohën tonë, Kur tretesha dhe digjesha për ty, Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë, Kalonte dhe një muaj apo dy. Po ndofta dashuria mbahej gjallë, Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim Me bicikletë a mushkë apo me kalë Në vapë e shi, dëborë dhe thellim. Kur dashuroheshim në kohën tonë Me zor na vinin letrat fshat-qytet Nuk kishim nëpër dhoma telefonë Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet. Megjithatë më mirë që nuk kishte As telefon as internet, as faks, Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste Një dashuri të vjetër për një çast./ KultPlus.com
Grupi ukrainas Kalush Orchestra, i freskët nga fitorja e tij në Eurovision, publikoi të dielën (15 maj) një video të re muzikore të hitit të saj fitues “Stefania” që përmban skena të Ukrainës së shkatërruar nga lufta dhe gra në veshje luftarake.
“Kjo është mënyra se si ne i shohim sot nënat ukrainase”, tha frontmeni i Kalush, Oleh Psiuk për videon, e cila tashmë kambledhur miliona shikime brenda disa ditësh që nga publikimi i saj. “Ne jemi përpjekur të japim mesazhin se si duket Ukraina sot”.
Videoja u publikua disa orë pasi Kalush Orchestra i solli Ukrainës fitoren e saj të tretë në Eurovision. Fitorja nxiti shpirtrat ukrainas dhe përfaqësoi një afirmim të fortë të kulturës ukrainase, për të cilën Psiuk tha se ishte “nën sulm” nga pushtimi i Rusisë.
“Një herë ia kam kushtuar këtë këngë nënës sime dhe kur shpërtheu lufta, kënga mori shumë kuptime të reja. Edhe pse në këngë nuk flitet asnjë fjalë për luftën, shumë njerëz filluan ta lidhin këngën me nënën Ukrainë. Për më tepër, shoqëria filloi ta quante himni i luftës sonë! Por nëse Stefania është tani himni i luftës sonë, do të doja që të bëhej himni i fitores sonë”, thuhet në përshkrimin e videos së publikuar në YouTube, transmeton Klankosova./ KultPlus.com
Historia e jetës së presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy – nga komediani te lideri i kohës së luftës – është trajtuar me romanin grafik në biografinë e fundit të TidalWave Comics, “Pushteti politik: Volodymyr Zelenskyy”, transmeton KultPlus.
Shkëlqimi prej 22 faqesh, i publikuar të mërkurën, tregon historinë se si Zelenskiy, i cili dikur luante një president imagjinar në një shfaqje televizive, erdhi në pushtet në vitin 2019 duke premtuar se do t’i jepte fund një lufte me separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore. Ai nuk kishte përvojë politike kur mori detyrën si presidenti i gjashtë i vendit.
“Kush është ai? Çfarë e bën atë të shënojë? Pse është ai lideri i duhur për Ukrainën në këtë moment? Këto janë gjërat për të cilat isha kurioz kur fillova kërkimin,” tha shkrimtari Michael Frizell.
Artisti, Pablo Martinena, ka vizatuar gjithashtu biografi për David Beckham, Nelson Mandela dhe Donald Trump./ KultPlus.com
Për të njëmbëdhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës prezentohet në tregun më të rëndësishëm të filmit ‘Marche Du Film’ në festivalin e Kanës.
Në këtë edicioni të 75-të, me 21 maj, Republika Kosovës do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore për bashkëprodhim kinematografik me Republikën e Francës. Kjo marrëveshje përveç që do të zyrtarizoj bashkëprodhimet filmike Kosovaro-Franqeze, ajo do të hapë rrugë për bashkëprodhime të reja dhe do të përforcojë bashkëpunimin në mes të dy qendrave të filmit, QKK-së së Kosovës dhe CNC-së së Francës.
Ndërsa, me 24 maj, do të shfaqet premiera e filmit të radhës nga vëllezërit Dardenne ‘Tori and Lokita’, ku aktori i njohur kosovar Alban Ukaj luan rrolin e Betimit.
Ndër të tjera, Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, do të këtë takime dhe inicime të marrëveshjeve të ardhshme ndërshtetërore, takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë e distributorë.
Pavijoni i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë gjendet në Village International Riviera – Nr. 135./ KultPlus.com
Ndër paraardhësit më të hershëm të televizionit është një projekt i konceptuar në 1883 nga shpikësi gjerman, Paul Gottlieb Nipkow, shkruan focus.it.
Elementi kryesor ishte një pllakë rrethore rrotulluese, e quajtur “disku Nipkow”.
Mbi të kishte vrima të vogla të vendosura në një spirale, e cila, e kryqëzuar nga një dritë që ndërvepronte me një fotocelë seleniumi, bënte të mundur skanimin e një imazhi duke e ndarë atë në shumë katrorë (që korrespondojnë me vrimat e ndryshme) të renditura në disa rreshta.
Ndryshimet në shkëlqim u përkthyen më pas në impulse elektrike dhe u transmetuan në një marrës i cili i ktheu ato në sinjale drite duke riprodhuar kështu imazhin e regjistruar në një ekran.
E gjitha kjo në teori, sepse në atë kohë nuk kishte mjete për zbatimin konkret të projektit.
Shpikjet që ndryshuan historinë
Pas 40 vitesh gjërat kishin ndryshuar dhe John Logie Baird mori përsipër idenë e Nipkow, e përsosi atë dhe në vitin 1925 i dha formë sistemit të parë televiziv, bazuar në një përzierje të komponentëve elektronikë dhe mekanikë dhe për këtë arsye u quajt “elektromekanik”.
Më 2 tetor 1925, në laboratorin e tij në Londër, ai organizoi transmetimin e parë televiziv.
Konkretisht, ai transmetoi në televizor fytyrën e djalit të tij, William Taynton, mes dy dhomave.
Fytyra e djaloshit, e ndarë në tridhjetë rreshta dhe e shfaqur në shkallë gri, dukej e deformuar dhe e paqartë, por revolucioni kishte filluar.
TV nis shpërndarjen në SHBA dhe Evropë
Pasi tregoi funksionimin e shpikjes së tij në media, në vitin 1927, Baird, duke përdorur një linjë telefonike, transmetoi një sinjal televiziv për mbi 600 kilometra, midis Londrës dhe Glasgout, ndërsa në 1928 ishte radha e transmetimit të parë transoqeanik, midis Londrës dhe Nju Jorkut (si dhe testeve të para, rudimentare me imazhe me ngjyra).
Në atë moment, kompania angleze ”Plessey” filloi të tregtojë televizionet e parë ”Baird”, ndërsa nisën eksperimentet e transmetimit të BBC-së, radiostacionit britanik që do të jetë pionier në përdorimin e mediumit televiziv.
Përdorimi i rrezeve katodike
Gjatë viteve 1930, sistemi i ”Baird” doli jashtë përdorimit, në favor të një televizioni plotësisht elektronik.
Kjo teknologji, e konsideruar thuajse magjike në atë kohë, u propozua në vitin 1927 nga amerikani Philo Farnsworth dhe bazohej në përdorimin e rrezeve katodike: rrezet e elektroneve të përqendruara në një pajisje të quajtur tub katodë, e shpikur në 1897 nga fizikani gjerman Ferdinand Braun.
Të përcjella në një sipërfaqe fotosensitive, rrezet gjeneruan imazhet.
Eksperimente të ngjashme u kryen nga Vladimir Zworykin, një inxhinier rus që emigroi në SHBA, i cili në fund të viteve 1920 do të luftonte me Farnsworth për ”atësinë” e televizorit.
Duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet ligjore, ekranet e parë të tubave me rreze katodike u prodhuan në vitin 1934 nga kompania gjermane Telefunken, e cila i “nguliti” ato në mobilje elegante prej druri.
Gjithsesi, do të duhet të presim pasluftën që televizionet e reja të fillojnë të përhapen gjerësisht, deri në atë pikë sa të bëhen objekte të përdorimit të përditshëm./ KultPlus.com
Dy koleksione mjaft interesante nga Muzeu i Bitolës në Maqedoninë e Veriut, që i përkasin fundit të shek.XIX dhe fillimit të shek. XX, u ekspozuan mbrëmjen e djeshme në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës, e çelur në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, ishte i pranishëm ambasadori i Maqedonisë së Veriut ne Shqipëri, Dancho Markovski, ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Peter Japelj, nënkryetari i bashkisë së Durrësit Gentian Kallmi, dashamirës të artit, etj.
Në ekspozitë u prezantuan sëndukët e pajës, të kuruara nga Mary Stojanova dhe veshjet qytetare, kuruar nga Nade Genevska Bracic. Këto artefakte të fotografuara janë dëshmi e traditave dhe kulturës së përbashkët, që ndajmë me popujt fqinjë të Ballkanit.
Një nga produktet me mjaft interes të këtij aktiviteti, i cili u përshëndet nga ambasadori Markovski dhe nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, ishte nënshkrimi i MoM të bashkëpunimit midis Qendrës Muzeore Durrës dhe Muzeut të Bitolës, i firmosur nga titullarët e këtyre dy institucioneve.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gati një muaj në Muzeun Arkeologjik të Durrësit./ atsh/ KultPlus.com
Trajneri kosovar, Driton Kuka, ka fituar çmimin si trajneri më i mirë për vajza në Evropë gjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.
Kuka e ka pranuar çmimin në një ceremoni të organizuar nga Federata e Xhudos në Kosovë, ku është shprehur shumë krenar për këtë arritje.
“Është një nder i madh për mua, ky është i vetmi trofe të cilin nuk e kisha në sirtarin tim si një trajner. Kështu, shpresoj që në të ardhmen të kem edhe çmime të shumta për Kosovën, është një krenari e madhe që të fitojë këtë çmim, e shpresoj që vitin tjetër të jem edhe trajneri më i mirë për djem. Së shpejti do të kemi projekte shumë të mëdha në Kosovë. Shpresoj që ta bëjmë xhudon sport më masiv në Kosovë që të kem rezultate edhe më të mira”, është shprehur Kuka gjatë kësaj ceremonie. /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare, Era Istrefi, ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë këngën e saj të re, shkruan KultPlus.
Istrefi, e cila po shijon suksese madhështore me hitin e saj “Bebe”, ka pyetur mbështetësit e saj në “Instagram”, në qoftë se dëshirojnë që kënga e rë të publikohet të premten ose të shtunën.
“TKRKT së shpejti.. A pe doni t’premten a t’shtunen”, ka shkruar Istrefi në rrjetin social “Instagram”.
“BEBE” deri më tani ka arritur 15 milionë shikime në “YouTube”, ndërsa mund të dëgjohet edhe përmes platformave të tjera muzikore. /KultPlus.com
Oprah Gail Winfrey është një prezantuese, producente televizive, aktore, autore dhe filantropiste amerikane. Ajo njihet më së shumti për emisionin e saj të bisedave, The Oprah Winfrey Show, i transmetuar nga Çikago, i cili ishte programi televiziv më i vlerësuar i këtij lloji në histori. E quajtur “Mbretëresha e të gjitha mediave”, ajo ishte afrikano-amerikania më e pasur e shekullit të 20-të, dikur ishte miliarderja e vetme me ngjyrë në botë. Deri në vitin 2007, ajo renditej si gruaja më me ndikim në botë.
Oprah Winfrey është shprehur se fëmijëria e saj ka qenë e mbushur me abuzime, të cilat nuk ia uron askujt t’i përjetojë. Në 6 vitet e para të jetës, ajo u rrit nga gjyshja e saj mjaft e ashpër, në kushte të jashtëzakonshme varfërie. Varfëria në shtëpinë e tyre ishte aq ekstreme, saqë Winfrey shpesh vishte fustane të bërë me thasët e patateve, ose të miellit. “Gjyshja më rrihte aq shumë, saqë më ngeleshin shenja në kurriz, të cilat gjakoseshin herë pas here. Pastaj më rrihte kur shihte njolla gjaku në fustanet e mia”, është shprehur moderatorja e famshme.
Nga mosha 9 deri 13 vjeçare ajo u abuzua seksualisht. Në moshën 14 vjeçare, Oprah mbeti shtatzënë, por fatkeqësisht fëmija lindi para kohe dhe vdiq në spital një javë pas lindjes. Në moshën 14 vjeçare, Winfrey nisi një punë part time në një stacion radioje për njerëzit me ngjyrë.
Por si nisi suksesi i saj? Pasi përfundoi gjimnazin, ajo u zhvendos në Tennessee për të jetuar me të atin e saj, ku dhe ndoqi “Universitetin e Tennessee” për shkencat e komunikimit. Në moshën 19 vjeçare, Oprah fitoi një vend pune si moderatore lajmesh në një kanal televiziv lokal. Në atë kohë, ajo u cilësua si moderatorja më e re e lajmeve dhe si femra e parë me ngjyrë që prezantonte lajmet për televizionin “WLAC” të Nashville. Në vitin 1983, Oprah Winfrey nisi të prezantonte një emision mëngjesi me kohëzgjatje 30 minuta, me shikueshmëri shumë të ulët, në televizionin “WLS” të Chicagos. Në vetëm pak muaj, emisioni u shndërrua në talk-shown më të ndjekur në Chicago. Tri vite më vonë, talk-show u zgjat në një orë dhe u riemërua si “The Oprah Winfrey Show” (Emisioni i Oprah Winfrey), i cili u shndërrua nga lokal në kombëtar dhe i siguroi kështu moderatores një pasuri të jashtëzakonshme.
Historia e Winfrey është një shembull perfekt se gjithçka mund të arrihet në jetë, pavarësisht se ku ke lindur apo si je rritur. “Ktheji plagët e tua në pjekuri”, ka thënë moderatorja, duke na dhënë kështu një shembull të jashtëzakonshëm se mund t’ia dalim mbanë të sigurojmë gjithçka që dëshirojmë në jetë. /KultPlus.com
Për të gjithë adhuruesit e tekonologjisë me 21 Maj 2022, në kampusin e Kolegjit Universum, me fillim nga ora 10:00, vjen Konferenca më e madhe e fushës e organizuar nga Komuniteti Albanian Developers.
Në këtë ditë pjesëmarrës do të jenë ekspertët më të suksesshëm në fushën e IT. Gjatë eventit do të ketë biseda, panele diskutimi, seminare dhe workshop.
Objektivi kryesor i Konferencës është të bashkojë njerëzit dhe të ndajë zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjisë, nga këndvështrimi i zhvilluesve. Zhvilluesit e rinj dhe zhvilluesit e ardhshëm do të kenë gjithashtu mundësinë të marrin pjesë në seminare nga ekspertë të industrisë vendase dhe ndërkombëtare, ndaj kjo është edhe arsyeja pse Kolegji Universum, i jep rëndësi kaq të madhe ngjarjeve të tilla (Axhenda).
Bashkohuni me ne këtë të shtunë në Kolegjin Universum për edicionin e parë të Konferencës së Albanian Developers Community. Për të qenë pjesëmarrës, regjistrohuni FALAS, mos e humbni këtë mundësi, vetëm edhe 1 ditë ka mbetur për aplikim, APLIKO TANI këtu: shorturl.at/bqvLX
Për më shumë informata rreth eventeve në Kolegjin Universum, ndiqni faqet në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062. /KultPlus.com
Kosova ka marrë edhe mbështetjen e Finlandës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në “Twitter”, Sekretarja e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Finland, Johanna Sumuvuori, është deklaruar pas takimi që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.
Sumuvouri ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.
“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ajo.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa shtetit më të ri në kontinentin e vjetër i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.
Optimizmi është shtuar pas largimit të Rusisë nga kjo organizatë, të cilët kanë qenë kundër anëtarësimit të Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar në Këshillin e Atlantiku, se nëse ju intereson paqja, përjashtojeni Rusinë dhe futeni Kosovën në KE.
Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur këtë aplikim të Kosovës, ndërkaq Franca është shprehur skeptike. /KultPlus.com
Kjo masterklasë do të jetë falas për shtetasit e vendeve të Ballkanit (jo anëtarë të BE-së), ndërsa për studentët ndërkombëtarë tarifa do të jetë 100 euro, ku përfshihet ushqimi dhe akomodimi.
Masterklasa do të mbahet në Universitetin e Prishtinës, 12-22 korrik 2022.
Këtë javë, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, bëri vizitën e tij të parë në Mitrovicën e Veriut që nga marrja e detyrës, përcjell KultPlus.
Ai ka drekuar me kryetarët e Listës Serbe, të cilët, siç ka thënë në një intervistë për KoSSev, i kanë përcjellë “shqetësimet e tyre”, e ndërkohë Hovenier ka përcjellë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa parime, duke përfshirë edhe atë se Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.
Ai po ashtu ka thënë se qeveria e Kosovës ka të drejtë sovrane që të marrë vendim për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe se Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës.
“Ndava me ta [katër kryetarët e katër komunave në veri] angazhimin e Shteteve të Bashkuara për dy parime. Njëri, që e bën të qartë se Shtetet e Bashkuara e kanë pikëpamjen, shumë qartë dhe që nga viti 2008, se Kosova është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.
Ambasadori ka përmendur edhe çështjen e shumë diskutuar në Kosovë, atë të kufirit.
“Ne e dimë ku është kufiri; dhe, kufiri është në veri të vendit ku jam ulur unë tani, ndërsa unë jam ulur në Mitrovicë. Thënë kjo, Shtetet e Bashkuara janë njësoj të përkushtuara që të gjithë qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje. Dhe në fakt, në procesin e Ahtisaarit dhe në mënyra të tjera, ne kemi punuar vërtet shumë për të ndërtuar një seri mbrojtjesh ligjore që do të trajtonin shqetësimet specifike të komunitetit serb etnik në Kosovë”, përfundon ai. /KultPlus.com
Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe.
Rreth 1.000 shqiptarë iu nënshtruan terrorit për këto katër ditë dhe 160 u vranë, kurse mbi 300 u plagosën.
Në kujtim të të rënëve çdo 21 maj, shënohet kjo masakër, për të cilën ende nuk është dënuar askush.
Të burgosurit shqiptarë, shumica të arrestuar me arsyetimin se ishin pjesë e UÇK-së, u vranë nga rojet serbe të burgut, pasi paraprakisht NATO sulmoi ndërtesën e burgut.
Reutersi ka arritur të kap momentet e masakrës dhe fotot janë shqetësuese.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur gara për siguri kibernetike, si fryt i bashkëpunimit të Kosovës me Iowa-në, SHBA, gjegjësisht i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare Ajrore nga Iowa.
Ekipi i studentëve të FIEK-ut me emërtimin garues “Runtime TERROR” është renditur në vendin e parë duke lënë prapa një ekip nga SHBA-ja për gati 120 pikë. Për më shumë, një ekip tjetër i studentëve nga FIEK-u me emërtimin “It’s not a bug, it’s a feature”, është renditur në vendin e tretë të kompeticionit.
Organizimin e kësaj ngjarje e përshëndeti rektori, prof. dr. Naser Sahiti. “Nismat e tilla të cilat e kanë studentin në qendër, janë vitale për UP-në. Njëherësh, fakti që në këtë kompeticion marrin pjesë edhe studentët e Universitetit Shtetëror të Iowa-s, na ndihmon edhe në vetë-evaliumin e punës sonë në fushën e rëndësishme të sigurisë kibernetike”, tha Rektori.
E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, e cila përgëzoi studentët për suksesin e treguar.
Kjo është e gara e parë e llojit të tillë në Kosovë, ku pjesëmarrëse ishin 12 ekipe (me rolin mbrojtës të njohur si “blue teams”) nga institucione të ndryshme arsimore (universitete, kolegje dhe shkolla të nivelit të pestë të studimeve) në vend. Ekipet garuese kanë punuar në mbrojtën e resurseve digjitale (si: server, kompjuter, shërbime në internet, etj.) nga “sulmuesit” (red teams) që janë nga shteti i Iowa-s. Për më shumë, një ekip monitorues “White team” nga Iowa ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe së bashku me pjesëtarët e FSK-së kanë monitoruar garën gjatë tërë kohës.
Grupet garuese të studentëve të FIEK-ut kanë garuar në përgatitje dhe mbështetje të prof. Blerim Rexha dhe ekipit të tij.
Rezultatet e garës mund të shikohen në këtë vegëz: https://iscore.iseage.org/, ndërsa skenari, rregullat e garës, resurset në përdorim, dhe informacione tjera të rëndësishme për ekipet pjesëmarrëse në lidhje me ushtrimin janë të paraqitura në vegzën në vijim: https://shorturl.at/gwyO3
Një mprehtësi e thellë e tingullit jo të zakonshëm që buronte lehtësisht dhe sillte një emocion të pakrahasueshëm që vendosej pikërisht përbrenda qenies së njeriut, erdhi mbrëmë nëpërmjet mbizotërimit të dy instrumentistëve kosovar, pianistit Arben Ramadani dhe kitaristit Armend Xhaferi, të cilët mbrëmë pushtuan skenën me madhështinë e muzikës xhaz e cila për herë të parë shkeli me këmbë në festivalin “Chopin Piano Fest”, shkruan KultPlus.
Në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit, kjo është hera e parë që muzika xhaz ka një hapësirë tejet të veçantë në programin e larmishëm të tyre. E kjo ndërhyrje dukshëm solli me vete edhe një publik krejt ndryshe mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Ndonëse ndriçimi ishte i njëjtë si në katër netët paraprake, përsëri ishin dritat e ngrohta përreth dhe sipër skenës ato të cilat dukshëm iu vinin në ndihmë publikut i cili shikonte me ëndje interpretimin e dy instrumentistëve në skenë. Me reflektorë me ngjyrë të bardhë që vinin në pah logon e dizajnit në prapaskenë dhe dritën natyrale e cila gjithmonë rri e vendosur sipër hapësirës në publik, të pranishmit mirëpritën me duartrokitje e buzëqeshje një mbrëmje e cila vulosi këtë edicion me kujtime të paharrueshme.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që në mbrëmjen e pestë të këtij edicioni, është një natë krejtësisht ndryshe nga të tjerat, madje për të gjithë festivalin në përgjithësi.
Për të pranishmit të cilët nuk kishin dëgjuar akoma talentin e mirënjohur të dy instrumentistëve, ishte prezent dhe një libërth që përmbante fakte dhe informacione për pjesëmarrësit në edicionin e 12-të të Chopin Piano Fest. Ndërkaq, përpara se koncerti të shënonte fillimin e tij, skena ishte pushtuar nga tela të cilët janë të njohur për skenën e një koncerti xhaz. Të gërshetuar mes vete, ata ndihmonin për një audio më të mirë të kitarës që pas pak do të pushtohej nga kitaristi Armend Xhaferi.
Në skenë, doli kitaristi Armend Xhaferi i cili e nisi koncertin me një interpretim të dy pjesëve të xhazit dhe e përfundoi atë me një pjesë të vetë kompozimit të tij. Ky interpretim që u shoqërua gjithandej me një qetësi absolute nga ana e publikut, solli melodi të cilat i dhanë jetë skenës dhe e gjallëruan atë në një mënyrë tejet të çoroditur. Ishin tingujt ata të cilët këndshëm rrotulloheshin në atmosferë për të kapluar kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve ndaj vijës melodike sa të butë e të lehtë aq edhe intime.
Ndërkaq, kitara e cila ishte shndërruar në një trup të dytë në skenë krahas kitaristit, ishte ajo që mori vështrime ziliqare. E bukur në pamje, por madhështore në ndezjen e saj, ajo kaploi çdo shpirt të pranishëm nën vorbullën e saj magjike. E interpretimi mahnitës nga kitaristi Xhaferi bëri që pjesa e parë e kësaj mbrëmjeje të jehojë në plot katër muret e vendit dhe jo vetëm.
Gishtërinjtë mbi kitarë dukeshin se kishin marrë një elektrizim të tyrin i cili të jepte ndjenjën se nuk do të kishte fund. Që nga fillimi e deri në përfundim, ata nuk pushonin lëvizjet e tyre precize të kontrolluara nga vetë kitaristi. Ndërsa, ishin vetë shprehjet e fytyrës së tij dhe luhatjet e lehta trupore të cilat dëshmonin për një pasion të zjarrtë për muzikën xhaz. Përgjatë gjithë natës, ti nuk mund të definoje se kush kënd e kishte kapluar në një rënkim melodish. Kitara kitaristin apo e kundërta.
Gjithashtu, pjesa e dytë solli pianistin Arben Ramadani për një rikthim të fuqishëm në skenën shqiptare. Pas rreth shtatë vitesh, ai përsëri shkeli skenën shqiptare dhe e pushtoi atë me një interpretim të pashoq në piano. Prezenca e tij skenike dhe ndryshe nga të gjithë interpretuesit e tjerë, po tregonte për një talent që rrallëherë e gjejmë në mesin tonë. Pianoja përballë tij dhe ai përballë pianos, ishte një dyshe e mrekullueshme që qysh në sekondën e parë tërhoqi dëgjuesin e pranishëm pas vijës melodike.
Meloditë e pastra që vinin ëmbëlsisht nga instrumenti gjigand arrinin të hynin lehtazi përbrenda shpirtit të gjithsecilit. Me një kompleks tingullor, pianisti interpretoi vepra të cilat erdhën krejtësisht ndryshe nga që e prisnim. Introverte në thelb, por aq të fuqishme në atmosferë, veprat e performuara sollën një koncert pianistik që asnjëherë nuk është shfaqur më parë. Nata e mbrëmshme dukshëm la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku kosovar dhe kjo vërehej më së miri edhe atëherë kur të gjithë sytë e pranishëm nuk po largoheshin aspak nga skena e cila ishte e dekoruar me lule shumëngjyrëshe të cilat njëlloj portretizonin llojllojshmërinë e tingujve dhe melodive që buronin nga pianoja.
Eleganca e pianistit Arben Ramadani nuk erdhi vetëm nëpërmjet qëndrimit të tij skenik, ajo u shfaq dhe në lojën e tij pianistike. Vija e tij melodike që posedonte një qartësi të paparë po e fuste publikun në një drithërimë sa të lehtë aq edhe frymëzuese. Karakteristik në lëvizjet e tij, pianisti zotëronte një teknikë autentike të vetën, gjë kjo që të gjithë sallën e shndërroi në pronësinë e tij muzikale. Me sy e vesh drejt skenës, të pranishmit u magjepsën pas jo vetëm instrumentit bardh e zi, por edhe pas pianistit që këtë instrument e bënte të dukej i vogël në krahasim me talentin e tij.
“Chopin Piano Fest” po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj një kapacitet të lartë të profesionistëve kosovarë në muzikë, për të cilët publiku dukej se ishte i etur për t’i parë e dëgjuar.
Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga “Martesa jonë”. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptarë, mbrëmë erdhi nga dueti unik i pianistit Ramadani dhe kitaristit Xhaferi. Interpretimi i tyre aq i afërt me njëri-tjetrin erdhi në një nivel që se kishim dëgjuar e parë më herët. Një emocion i rrallë në skenë u ngjall nga kjo dyshe e cila gërshetoi pianon dhe kitarën në një këngë shqipe që shënoi fundin e kësaj mbrëmje madhështore.
Ky koncert në thelb përmbante disa vepra popullore dhe “Nokturna” të kompozitorit Frédéric Chopin, në fakt nuk kishte një përmbajtje të saktë të programit, për arsye se dyshja me dëshirën e tyre sollën improvizime në vepra të ndryshme të xhazit. Kjo ndodhi me qëllim që gjithçka të ishte spontane jo vetëm në skenë por edhe në muzikë. Kjo padyshim që solli një koncert tejet unik, duke filluar nga vetë programi që ishte i titulluar “The story of Arben” dhe “The story of Armend”. Ndërsa vetë koncerti erdhi në emërtimin “Pa kornizë”, një emërtim ky i saktë për këtë mbrëmje që me të vërtetë doli përtej limitit dhe solli një interpretim shpirtëror dhe tejet personal të vetë instrumentistëve.
Pas këtyre perfomancave të shumta ku secila erdhi në një frymë ndryshe, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato të cilat u bënë pjesë kyçe në hapësirën e publikut i cili u ngrit në këmbë dhe vazhdonte të falënderonte të dy instrumentistët.
Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë dyshe.
“Kjo është diçka e re përbrenda festivalit. Është diçka shumë e bukur sepse edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, klasikes dhe xhazit. Arbeni është një pianist shumë i veçantë duke marrë parasysh se në interpretimin e tij ka edhe shumë ngjyrime të impresionizmit dhe klasicizmit. Ai është edhe një njohës shumë i mirë i polifonisë së barokut dhe të gjitha këto ai i shfrytëzon shumë bukur dhe krijon një stil unik të vetes si xhaz pianist”, thotë Ramadani.
Sipas tij, publiku kosovar e mirëpret shumë mirë muzikën xhaz dhe natyrisht është shumë i etur për të dëgjuar këtë zhanër në mungesë të koncerteve dhe festivaleve xhaz.
Ndërkaq pianisti Arben Ramadani për KultPlus tregoi emocionet e tij për një rikthim në vendin e tij si dhe bashkëpunimin me kitaristin.
“Është shumë emocionues rikthimi pas shumë viteve në një vend ku unë kam lind dhe kam performuar në prani të audiencës shqiptare. Unë ende e ndjej veten këtu dhe jam i lidhur në njëfarë mënyre mistike me këtë vend. Andaj, ky ka qenë rast shumë i qëlluar. Ne me Armendin kemi ushtruar dje dhe menjëherë kishim një interaksion të paparë me të në muzikë”, thotë ai.
Arbeni tregoi tutje se programi ka qenë jo i planifikuar por një improvizim i hapur, gjithmonë duke u bazuar në disa shtylla.
Po ashtu, kitaristi Armend Xhaferi për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij pas një koncerti të tillë.
“Kjo është hera e parë që po marr pjesë në një festival të muzikës klasike. Ishte një kënaqësi e madhe për të performuar me Arbenin sepse kemi pasur dëshirë qysh herët që të performojmë së bashku. Kryesisht ideja ishte që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur që në njëfarë mënyre të nxjerrim muzikën që na është mbledhur në shpirt tash e sa vite. Donim që muzika të dilte spontanisht”, thotë Xhaferi i cili tutje tregoi se kjo është hera e parë që ata të dy interpretojnë së bashku në një koncert.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 10 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e gjashtë e këtij festivali vjen më datë 20 maj ku do të interpretojë pianisti gjerman, Florian Uhlig në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com
“Ditët e Bujqësisë 2022”, Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë, Teknologjive, Ushqimit dhe Përpunimit hapet sot në qytetin e Lushnjës.
I njohur si kryeqyteti i eksporteve bujqësore, me akses në tregje të ndryshme, Lushnja ka zgjeruar hartën e produkteve “Made in Albania” jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe drejt Bashkimit Evropian e deri në vendet Nordike.
Duke qenë se bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë në Shqipëri me rreth 350,000 sipërmarrje bujqësore aktive, organizimi i këtij eventi 3-ditor 19-21 maj, ka si qëllim kryesor krijimin e platformave të komunikimit për bizneset, krijimin e partneriteteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimeve ekzistuese në sektorin ku punon aktualisht 44% e popullsisë.
“Ditët e Bujqësisë 2022” është panairi më i madh dhe më i rëndësishëm për bizneset dhe profesionistët në sektorin e bujqësisë, pasi përgjatë 3 ditëve, pjesëmarrësit do kenë mundësi jo vetëm të takojnë klientë dhe furnitorë të ndryshëm, por edhe të marrin pjesë në konferenca, forume dhe workshop-e për të ndjekur zhvillimet më të fundit në teknologjitë bujqësore.
Duke qenë se kërkesa për fruta dhe perime të freskëta cilësore në tregjet perëndimore pritet të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe blerësit e mëdhenj do të jenë gjithnjë e më shumë të interesuar të sigurojnë burime nga tregjet në zhvillim si Shqipëria, workshopi i organizuar nga Richard Arnold, ekspert i tregtisë ndërkombëtare, do të jetë një vlerë e shtuar për “Ditët e Bujqësisë”.
Gjithashtu, ekspertiza e Asetila Koestinger (Koestinger & Partners e GatewayPartners Export Powerhouse) do të hedhë dritë jo vetëm mbi problematika aktuale si për shembull gabimet më të zakonshme gjatë procesit të eksportimit drejt BE-së, por do të japë përgjigje për një nga pyetjet më të shtruara në këtë sektor, si të gjeni tregje eksportuese për produkte të caktuara.
Gjatë workshopit me titull “Rruga e eksportit të frutave dhe perimeve shqiptare drejt tregjeve evropiane me standard të lartë” një sërë temash do të trajtohen nga Richard Arnold. Nga tendencat e kërkesës menaxhimi i cilësisë dhe certifikatat te standardet e marketingut deri tek konkurrenca dhe çmimet.
Përgjatë eventit 3-ditor, me raste studimore të ndryshme, informacione të vlefshme, konferenca e workshop-e, sipërmarrësit në bujqësi e të gjithë aktorët e këtij sektori do të munden të përfitojnë e të kenë një panoramë më të qartë të të gjithë sistemit. /atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një foto nga Berlini ku ndodhet për vizitë, të flamurit të Shqipërisë, përkrah flamurit të Gjermanisë dhe flamurit të Bashkimit Evropian.
“Flamuri më i bukur në botë. Krenar për Shqipërinë”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama ndodhet sot në Berlin. Kreu i qeverisë është ftuar në këtë vizitë nga fondacioni Körber-Stiftung për të marrë pjesë në një bashkëbisedim me parlamentarë të të gjitha forcave politike në Bundestag. /atsh / KultPlus.com
Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë ka reaguar lidhur me rastin e prezantuar dje në Pejë, ku pretendohet që dhjetë nxënës të pakicave u lanë anash gjatë Festës së Abetares, shkruan KultPlus.
Nga drejtoria thonë që lajmi është tendencioz dhe nuk përkon me realiteti. Të njëjtit kanë deklaruar që janë duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares që e ka realizuar këtë storie.
Ky është reagimi i plotë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë:
Lajm i skajshëm tendencioz, që nuk përkon me realitetin.
Mësuesja në fjalë, pas aktiviteteve në parkun e qytetit me nxënës ka ardhur në palestrën “Karagaqi” në Pejë, ku mbahej festa e Abetares, rreth orës:13:00.
Është ulur në pjesën, që i ka konvenuar. Kanë qenë në nivel dhe të hareshëm.
Ata sigurisht se kanë patur dëshirë ndoshta të jenë në pjesën e podiumit, por nuk ka të bëjë me realitetin.
Në pjesën e podiumit kanë qenë të vendosur vetëm nxënësit, klasat e parapara për prezantim dhe zyrtarët nga MASHT-i dhe Komuna e Pejës. Nga Komuna e Pejës ishte një paralele e Sh.F. ,,Asdreni’’, ndërsa të tjerët ishin në pjesën e spektatorëve: nxënësit, prindërit dhe qytetarë të tjerë.
Prezantimi i Klan Kosovës është tendencioz, sepse ul dinjitetin e mësuesit.
Është prerë deklarata e mësueses. Sigurisht se jemi duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares.
Nxënësit janë të barabartë dhe si të tillë do të trajtohen pa dallim race, gjinie, apo besimi. Çdo shkelje ndaj tyre, do të trajtohet me përkushtim.
Dëshpërues fakti, pse këto tendenca pikërisht në festën e Abetares?! / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë thirrje që qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit të madh mjedisor e kulturor, që nis prej 1 qershorit, e që ka të bëjë me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
Në një postim në Facebook, Rama ka shpërndarë një video për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mbrojtur mjedisin.
Qeset plastike njëpërdorimshe do të ndalohen në Shqipëri prej 1 qershorit 2022.
Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike apo njëzet e gjashtë mijë tonë në vit përafërsisht. Në anën tjetër, amerikanët përdorin 100 miliardë qese plastike në vit, të cilat kërkojnë 12 milionë fuçi naftë për t’u prodhuar.
Mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që njerëzit hanë dhe ajrin që thithet çdo ditë.
Për një kohë të gjatë është menduar që qeset plastike të mos përdoren fare dhe të zëvendësohen me mbajtëse të cilat mund të reciklohen, në mënyrë që përveç njerëzve edhe toka të “frymojë” lirshëm.
Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshe të ndalohet me ligj.
Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike. /KultPlus.com
Dua Lipa, përveç suksesit të madh në industrinë e muzikës, shkëlqimi i saj pritet të vazhdojë edhe në “Hollywood”, pasi raportohet se do të ketë një rol në filmin “Barbie” së bashku me mbretëreshën e aktrimit, Margot Robbie, përcjell KultPlus.
26 vjeçarja është duke mbajtur koncerte nëpër Evropë me albumin e saj “Future Nostalgia”, e tani do të vazhdojë të tregojë aftësitë e saja edhe në aktrim.
Filmi do të nisë xhirimet më vonë këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Dua, siç raporton The Sun, do të luajë së bashku me aktoren e “Wolf Of Wallstreet”, Margot.
Këngëtarja me origjinë shqiptare debutoi në aktrim vitin e kaluar pasi mori një rol në “Argylle”, dhe pas rolit të saj të parë në ekranin e madh, Dua la shumë mbresa tek emrat e mëdhenj të industrisë.
Krahas këtij filmi, Lipa ka njoftuar të gjithë mbështetësit e saj se janë duke xhiruar pjesë të koncerteve për të përfunduar me një film në fund, për të mos harruar madhështinë që kanë përjetuar. /KultPlus.com