Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave për projektet artistike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot pas mbledhjes së që qeverisë se “ky vendim është kërkuar nga Ministria e Kulturës, për t’i hapur rrugën një nisme të re të qeverisë shqiptare, një iniciativë e Kryeministrit , e cila është quajtur “Art në hapësirat publike”.
“Që me miratimin e buxhetit në fundin e vitit që shkoi Ministrisë së Kulturës iu besua ky projekt madhor, i cili sjell për herë të parë një gërshetim jo vetëm të veprave të artit bashkëkohor, por edhe të ndërhyrjeve në infrastrukturë të hapësirave publike dhe urbane”.
Sipas saj, kjo nismë e re do të sjellë një gjenerim tjetër të një promovimi si të artit dhe hapësirave urbane.
“Vjen si një nevojë e mbështetjes së skemës së skemës së pavarur, por do të jetë një konkurs që do të përcaktojë fatin e shumë hapësirave publike ose të pikave kyçe të rëndësishme të gërshetimit të infrastrukturës së madhe rrugore”, tha Margariti duke shtuar se kemi filluar punën me shumë institucione të tjera.
Margariti bëri të ditur se, Ministria e Kulturës vjen me një nismë, e cila nuk fokusohet vetëm tek artistët ose tek zhvillimi dhe mbështetja ekonomike e skemës së pavarur, por gjithmonë e më tepër kthehet në një faktor kyç në ndërveprimin mes disa institucioneve.
“Pas miratimit të sotshëm, në ditët në vijim do të vazhdojmë me ngritjen e kolegjiumeve dhe të një jurie ndërkombëtare. I kam kërkuar Kryeministrit ta shpallim së bashku në një konferencë për shtyp këtë nismë, kështu që do të kemi në vazhdimësi të gjitha informacionet për garën, që do të zhvillohet për këtë nismë të re”, tha Margariti. / atsh / KultPlus.com
Fondacioni “Andreas Lentakis” për Kulturë dhe Edukim po organizon një ekspozitë arti nga Amandia Rokai, kushtuar Frida Kahlo, një personalitet i çuditshëm që gëzon popullaritet në mbarë botën.
Ekspozita e cila do të hapet më 20 maj 2022 në ora 20:00 është në vetvete një ngjarje artistike, pasi do të prezantohet për herë të parë në Athinë nga një artiste e re.
Amandia Rokai është përfshirë në art në forma të ndryshme këto dymbëdhjetë vitet e fundit. Frymëzimi i saj kryesor është Frida Kahlo dhe veprat e saj pasqyrojnë në radhë të parë pasionin për punën e saj, origjinalitetin, por edhe një admirim të pamasë për Frida Kahlo.
Ekspozita është kuruar nga kritikja e artit Naka Evangelia.
Në këtë ekspozitë, gjithashtu do të marrë pjesë dhe Vilma Zioga, violiniste e Orkestrës Simfonike të ERT (Radio Televizioni Kombëtar). / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Shqipëria u vendos drejtuese e sesionit të 33-të të Konferencës Rajonale Evropiane të FAO.
Kjo tryezë përbën themelin më të rëndësishëm për të ardhmen e bujqësisë në botë, duke vendosur në fokus sigurinë ushqimore dhe stabilizimin e tregut global.
Zgjedhur mes 53 vendesh pjesëmarrëse ministrja e bujqësisë, Frida Krifca kryesoi sesionin e kësaj konference. Në hyrje të fjalës së saj, ministrja shprehu mbështetjen e shtetit shqiptar krah Ukrainës, e cila edhe pse një vend i pavarur dhe evropian, është nën sulm të armatosur nga Federata Ruse.
Duke përmendur krizat aktuale ekonomike që po kalon mbarë globi, me luhatjen e tregjeve dhe çmimeve, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se Shqipëria ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e situatës.
Krifca theksoi se fokusi mbetet e ardhmja, ku synohet rritja e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor shqiptar për të përballuar këtë goditje dhe për të vazhduar prodhimin.
Sipas Krifcës orientimi aktual nevojitet të jetë drejt zbutjes së sfidës së ardhur si pasojë e ndërprerjes së furnizimeve nga Ukraina në mënyrë që të stabilizohen rrugët ndërkombëtare të ushqimit dhe të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm për bujqësinë.
Ministrja kërkoi mbështetjen e vendeve pjesëmarrëse për mbajtjen e tregjeve të hapura, duke kërkuar gjithashtu suport për vendet që janë më të ekspozuara nga mungesa e ushqimit dhe ekonomive që kanë më shumë nevoja.
Takimi vjen në një kohë krizash të zgjatura, pasi rajoni po përballet me sfidat e shkaktuara nga COVID-19. Ndërkohë, konflikti në Ukrainë po ndikon në prodhimin dhe tregtinë e produkteve kryesore agroushqimore dhe po kërcënon jetën dhe jetesën e miliona njerëzve në Evropë dhe Azinë Qendrore, e më gjerë.
Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë çështje që prekin sigurinë ushqimore dhe bujqësinë në nivel botëror, duke përfshirë rritjen e çmimeve globale të ushqimeve dhe do të ndajnë qasjet e tyre për transformimin e sistemeve agroushqimore në Evropë dhe Azinë Qendrore për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës së ushqimit./ atsh / KultPlus.com
Maskat e fytyrës nuk do të jenë më të obligueshme në aeroporte dhe në fluturime në shtetet e Bashkimit Evropian, pas vendimit nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Lehtësimi i masës do të jetë efektiv që nga 16 maji. Megjithatë, autoritetet theksuan se maskat ishin ende mënyra më efektive për të ndaluar përhapjen e COVID-19.
Italia, Franca, Bullgaria dhe vende të tjera evropiane tashmë po i japin fund masave të tyre për COVID-19.
Maskat kanë qenë të detyrueshme në fluturimet e shteteve anëtare të BE-së për dy vjet, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.
Në prill, disa linja ajrore amerikane thanë se maskat për fytyrën nuk ishin më të nevojshme në bord, pasi një gjykatës federal në Florida vendosi se obligimi për bartje të maskës në transportin publik ishte i paligjshëm. / KultPlus.com
Presidenti Volodymyr Zelensky ka dekoruar Patronin, për punën e tij të shkëlqyer në zbulimin e minave tokësore dhe gjithashtu në edukimin e fëmijëve për rreziqet që vijnë nga eksplozivët.
Bëhet fjalë për një qen, racë “Jack Russell Terrier”, që sipas Zelenskyt aktualisht ka “një nga detyrat më të rëndësishme”, veçanërisht duke pasur parasysh sasinë e minave të gjetura dhe të shpërndara në të gjithë vendin.
Patroni është bërë një simbol patriotik për Kievin, me shumë ndjekës në rrjetet sociale dhe burim frymëzimi i veprave artistike, karikaturave, madje edhe lodrave, veshjeve dhe aksesorëve.
Zelensky e dekoroi atë të dielën, pasi kishte zbuluar më shumë se 200 eksplozivë që nga pushtimi i Rusisë, më 24 shkurt. Qeni e mori çmimin gjatë një konference për shtyp me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, i cili bëri një vizitë të papritur në Ukrainë të dielën dhe vizitoi qytetin e Irpinit, i cili u dëmtua rëndë gjatë përpjekjes së Kremlinit për të pushtuar Kievin. / KultPlus.com
Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip, organizuar nga Qendra Multimedia, nis këtë fundjavë në Teatrin ODA në Prishtinë nën temën “Shkrimtari është i pranishëm?!”, përcjellë KultPlus.
Ky edicion do të nis me promovimin e librit “I verbri” nga autori slloven Mitja Čander, përkthyer në shqip nga Nikollë Berishaj dhe botuar nga Qendra Multimedia. Promovimi i këtij libri do të ndodh më 12 maj nga ora 18:00 në Teatrin ODA në Prishtinë dhe është pjesë e një para-programi të festivalit. Promovimi do të përcillet me hapjen zyrtare të festivalit polip të premtën më 13 maj nga ora 19:30 në Teatrin ODA, ku përpos fjalimeve hapëse do të ketë edhe lexime letrare me autorët: Şebnem İşigüzel nga Turqia, Eqrem Basha nga Kosova, Ivana Bodrožić nga Kroacia, Carsten Jensen nga Danimarka, Jovica Ivanovski nga Maqedonia e Veriut, Joël Vernet nga Franca dhe Mitja Čander nga Sllovenia. Mbrëmja e parë do të përmbyllet me një performancë muzikore nga Edona Reshitaj dhe bendi i saj.
Më tutje festivali do të vazhdojë të shtunën me diskutime që fillojnë nga ora 11:00 me diskutimin “Jeta vs. Letërsia / Kush i tregon rrëfimet dhe kush i ndan ato?”, në ora 15:00 me diskutimin me temë “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe përkthyesit tani?” ndërsa dita e dytë përmbyllet poashtu me lexime letrare nga shkrimtarë vendorë e ndërkombëtarë.
Në ditën e fundit, Qendra Multimedia në kuadër të programit të festivalit polip ka paraparë diskutimin “Narrativat historike dhe kujtesa kolektive si origjinë e luftërave etnike, ose si mjet për shërim dhe pajtim të shoqërive të pasluftës? Si ndikojnë shkrimtarët në rezultat?” i cili fillon nga ora 16:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, për të vazhduar me lexime letrare që nisin nga ora 20:00 në po të njëjtin vend. Ky edicion i polip-it do të përmbyllet me një performancë muzikore nga këngëtarja Linda Rukaj.
Tema e sivjetme e festivalit polip është shprehje e të paktën tri gjendjeve në të cilat shkrimtarët mund ta kenë gjetur veten përgjatë vitit që lamë pas, sidomos nga shkurti i këtij viti për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë edicion ngrisim pyetje dhe tentojmë të gjejmë përgjigje për atë se çka mund të bjënë shkrimtarët në një situatë si kjo në të cilën gjendet bota sot me luftën, pandeminë e krizën e refugjatëve. Tema e sivjetme sendërtohet mbi frymëzimin nga performanca e artistes Marina Abramovic e quajtur “Artisti ësthë i pranishëm”, përmes të cilës artistja Abramovic cila theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige përgjatë tre muajve dhe duke shikuar sy-më-sy 1675 vizitorë të performancës së saj.
Të gjitha ngjarjet që organizohen në kuadër të festivalit polip do të ndodhin në Teatrin ODA në Prishtinë dhe hyrja është falas! Më shumë detaje për programin e sivjetëm të festivalit, mund të gjeni KËTU. /KultPlus.com
Ka nisur rrugëtimin e tij edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, PITF 2022, me hapjen zyrtare në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB.
Në këtë edicion të PITF në programin garues do të paraqiten gjashtë shfaqje teatrore që vijnë nga Spanja, Maqedonia e Veriut, Italia, Mali i Zi dhe Kosova.
Në hapje të festivalit, drejtoresha e këtij edicioni, Doruntina Alshiqi, tha se ndihet krenare për ekipin dhe punën e palodhshme.
“Marrë parasysh faktin që jemi festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrove në Kosovë edhe këtë edicion jemi munduar që përsosmërisht tja dalim me tërë stafin. Është bërë punë e madhe nga i tërë stafi dhe mezi po presim edhe ne që të shohim shfaqjet dhe le të fitojë më i miri”.
Pas ceremonisw hapwse, publiku pati mundwsinw tw shoh shfaqjen “I left” nga Instituti i Kulturës nga Barcelona, me regji tw Enric Lizano Sans dhe Aida Flores. Shfaqja u mirëprit dhe u përcoll me duartrokitje nga shikuesit.
Festivali PITF2022, vazhdon sonte me shfaqjen “The M Word” në regji të Fatos Berishës, që në garë vjen për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Elsa Lila e arrestuar në 16 mars në Itali me akuzën për përfshirje në grup kriminal, është liruar nga burgu.
Lajmi është konfirmuar nga daja i saj avokati Saimir Visha në Syri tv. Visha theksoi se ai ka drekuar gjatë ditës së sotme me Lilën dhe se ndaj saj kanë rënë të gjitha akuzat.
“Jam kthyer sot nga Italia. Kam drekuar me të. Janë pushuar të gjitha akuzat. E gjitha një keqkuptim. Pafajësia e saj ka qenë që në momentet e para. Kam qenë me të. Më vjen turp që bashkëpunëtorët tanë, kanë vjellur vrer për Elsën”, tha Visha
Kujtojmë se këngëtarja Elsa Lila u shoqërua nga autoritetet italiane pasi akuzohej si një person i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës. / KultPlus.com
Boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku do të rikthehet të enjten në ring ku do të përfaqësojë vendin në Kampionatin Botëror të boksit për gra.
Ky event ka filluar garat më 6 maj, derisa do të zhvillohet deri më 21 maj në Stamboll të Turqisë.
Boksierja kosovare do të zhvillojë meçin e saj nesër, ku do të përballet me japonezen, Taguchi Ayaka.
Nëse kalon në xhiron e dytë, Donjeta do të pres fituesen e duelit në mes boksieres nga Kenia dhe asaj nga Republika Demoratike e Kongos./ arbresh.info/ KultPlus.com
Ishte vjeshta e vitit 1995 kur personazhi kryesor Sose vendos të sakrifikojë veten e saj për të ndryshuar përgjithmonë rrugëtimin jetësor. Pas një vendimi të pakthyeshëm, Sose shndërrohet në një burrneshë e cila në çdo moment do të përballet me konceptin e lirisë dhe ajo do të ngërthehet përbrenda vorbullës së të qenurit një ‘burrë’ që përfiton disa nga privilegjet të cilat i gëzojnë vetëm ata. Në një dimension jashtëzakonisht të thellë që nuk është parë asnjëherë më parë, mbrëmë u shpalos premiera e shfaqjes “Burrnesha” nga regjisori Erson Zymberi, shkruan KultPlus.
Gjithçka nisi kur një numër i madh i të pranishmëve shkelën brenda skenës së Teatrit ‘Oda’ që dukshëm kishte ndërruar formë. Me një koncept ndryshe nga e zakonshmja, publiku pati rastin të shijojë shfaqjen në dy anë me ç’rast qysh në fillim shfaqja po sillte copëza kreativiteti. I ndarë në dy anë, publiku u mirëprit me një tym që kishte kapluar vendin në masë të duhur dhe po tregonte për një mjedis kulturor i cili i ngjasonte një të huaji.
Fotografia: Agon Ahmeti
Nën dritat e fikura të skenës dolën aktorët: Semira Latifi, Tringa Hasani dhe Kushtrim Qerimi, të cilët me lojën e tyre të mrekullueshme portretizuan realitetin e vërtetë të fenomenit të burrneshave, gra shqiptare të cilat për të mbrojtur nderin e familjes detyrohen të jetojnë si burra, duke hequr dorë përgjithmonë nga jeta e të qënurit një grua.
“Burrnesha” përplasi para të pranishmëve thelbin intim të personazhit kryesor, Sose që vjen nën aktrimin e pakrahasueshëm të Tringa Hasanit. Në veriun e Shqipërisë, njëra nga pak burrneshat e mbetura apo ndryshe të ashtuquajtura ‘virgjëreshat e Shqipërisë’, Sose, takohet me antropologen angleze, Edith (Semira Latifi) dhe të dyja udhëtojnë për në Londër për t’iu shpalosur studentëve në një universitet, dukurinë e burrneshës dhe procesin e shndërrimit të saj. Por gjatë kësaj vizite, gjërat duken se nuk po shkojnë dhe aq mirë për Sosen. Papritmas ajo e gjen veten brenda një performance queer që po përgatitet nga Julian që është një drag-queen e njohur e Londrës dhe ajo nëpërmjet historisë të Sose-s bën çmos që të sjell diçka të paparë më herët në Teatrin Soho të Londrës, në mënyrë që mos të humbasë punën e saj.
‘Julian’ që vjen nën interpretimin e mahnitshëm të aktorit Kushtrim Qerimi, vazhdimisht thumbon dhe ironizon me faktin që Sose nuk është një grua reale. Ajo para fytyrës së Sose-s i flet për një jetë të cilën ajo do të duhej ta kishte bërë qysh herët duke e shtyrë atë të përballet me kulturën e huaj të Londrës. Sose, e tronditur nga takimi me këtë kulturë, nis të shtrojë e rishtrojë pyetje ndaj vetvetes dhe shtyn që ajo të kuptojë diçka tjetër. Ajo kupton se koncepti i lirisë në fakt është një mos-liri në një shoqëri të ndërtuar mbi vlera të ndryshme, ndërsa në Shqipëri, nga mungesa e të drejtës së lirisë, gruaja detyrohet të shndërrohet në një burrë për të fituar lirinë e saj.
Një lloj intimiteti mes Sose-s dhe antropologes Edith që vjen nën një format tejet interesant dhe eksperimental, ku ofshamat dhe epshi bëhen bashkë në një lloj situate ku Sose tregon se burrëria e saj në fakt nuk është dhe aq fisnike dhe aq krenare sa pretendon të jetë. E kjo më së miri vërehet edhe atëherë kur në secilin muaj, Sose tradhton vetveten e saj për shkak të menstruacioneve. Andaj, monologu i aktores Tringa Hasani rreth kësaj çështjeje zgjoi admirimin dhe befasinë në publik. Interpretimi i atij niveli artistik u fut thellë brenda ndjenjave të secilit të pranishëm mbrëmë dhe dëshmoi edhe një herë se janë detajet ato të cilat krijojnë një shfaqje e cila do mbetet gjatë në kujtesën e secilit.
Ndërkaq, pa skenografinë nga Bekim Korça, muzikën nga Trimor Dhomi, koreografinë nga Gjergj Prevazi, kostumet nga Yllka Brada si dhe dritat nga Mursel Bekteshi, kjo shfaqje nuk do të kishte magjinë që e solli mbrëmë. Një magji që zbriti në Teatrin ‘Oda’ e që do të vazhdojë të mbetet e atillë.
Shfaqja “Burrnesha” me autor Jeton Neziraj shpalosi fenomenin e burrneshës që në fakt është shfrytëzuar dhe përdorur jashtëzakonisht shumë nga mediat ndërkombëtare e që është konsideruar si një ekspozim jo-përfitues që portretizon dukshëm shoqërinë patriarkale.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe vështirësive të realizmit, për KultPlus foli regjisori Erson Zymberi.
“Ka qenë një proces intensiv i provave jo vetëm me aktorët por edhe me ekipin tjetër kreativ të shfaqjes. Në këtë proces, përveç idesë përmbajtjesore të konfigurimit të teatrit Oda si hapësirë, ideja e krijimit të shou-it ka qenë ajo që kemi dashur të trajtojmë sepse kjo vëmendje mediale që shpeshherë iu është dhënë personazheve të caktuara, në rastin tonë kemi fenomenin e burrneshave, ka qenë më shumë trivial e sipërfaqësorë sesa shpalosja e anës së brendshme të tyre”, shpalos Zymberi.
Sipas tij, ajo që është trajtuar është fakti që fenomeni i burrneshave vjen në një kohë kur sot debati mbi ligjin e martesave me gjininë e njëjtë është shumë aktual në Kosovë. Andaj, ai shpreson që përmes shfaqjes të nxitet ky debat sepse teatri konsiderohet ajo platformë ku duhet të ngritët zëri për çështje të kësaj natyre.
“Ka qenë pikërisht njëri prej monologëve të Burrneshës, në të cilën ajo flet për tradhtinë e saj sepse në një odë të burrave, në një shoqëri patriarkale, kur asaj i vinë menstruacionet, ‘burrëria’ e saj e tradhton. Kjo më ka lënë përshtypje shumë të veçantë se si dramaturgu Neziraj e ka shkruar në këtë nivel dhe është marrë me një detaj i cili më vonë bëhet shumë interesant”, thotë Zymberi.
Ndërsa, aktorja Tringa Hasani për KultPlus shpalosi vështirësitë për të portretizuar rolin e burrneshës.
“Për mua nuk ka qenë fare i lehtë ky rol, në fillim kur e mora ta lexojë tekstin nuk kam besuar që mund t’ia dalë, por gjatë procesit me ndihmën e regjisorit dhe kolegëve arrita dhe sot jam ndjerë tepër mirë ngase e kam dhënë maksimumin tim. Ishte një energji shumë e mirë sonte dhe shpresoj se atë çfarë kam përçuar unë, publikut t’i ketë pëlqyer”, thotë Hasani.
Sipas saj, roli i Burrneshës është një rol shumë i vështirë sepse përderisa një femër vendos për të sakrifikuar vetën e për t’u shndërruar në burrneshë vetëm se në shtëpi janë katër motra dhe duhej të mbrohej nderi i shtëpisë, kjo tregon se sa e vështirë e po aq e dhimbshme ka qenë kjo dukuri.
Fotografia: Agon Ahmeti
Po ashtu, regjisori Fadil Hysaj për KultPlus në aspektin profesional tregoi rreth përshtypjeve të tij për këtë shfaqje.
“Shfaqje e cila me të vërtetë të bën të mendosh shumë për një problem që realisht nuk është trajtuar asnjëherë në një dimension kaq të thellë. Ka spektër antropologjik, psiko-analitik, sarkazëm, ironi, dramë, elemente tragjike dhe ka një ‘shou’ botërorë për një zonë të braktisur në Evropë. Pra, ka shumë dimensione që janë harmonizuar shumë bukur në shfaqje me një lojë të jashtëzakonshme të aktorëve dhe me një regjisor që është shumë mirë i komponuar me një dramaturgji cinike të Jeton Nezirajt, i cili me shumë sukses i drejton temat delikate”, thotë Hysaj.
Sipas tij, dramaturgjia e Nezirajt është një proces çlirimi nga makthet teknologjike, kulturore dhe konfrotues.
“Paragjykimet e paraqitura në shfaqje janë të shtresuara me shekuj dhe të ndërtuara nga miqtë e shqiptarëve që kryesisht portretizojnë kulturën arkaike që ka mbetur diku në bisht të Evropës. Por, ky lloj trajtimi sikur në të gjitha dramat e Jetonit, është një dramaturgji e ashpër e cila sulmon paragjykimin, skemën dhe gënjeshtrën institucionale, çfarëdo tematike qoftë ajo. Në vitet e 90-ta është punuar shumë në temën e burrneshave për t’i paraqitur diku atje në Shqipëri dhe është një ‘Afrikë e vogël’ ku femrat nuk kanë të drejta dhe për të fituar lirinë e tyre detyrohen të kthehen në mashkull. Këto propaganda të cilat kanë pasur një sistem janë bërë tema botërore”, shpalos ai.
Për Hysajn, artistët shqiptar janë shndërruar në instrumente për të bërë diçka që është realisht shumë kundër efektit, gjë kjo që ka dëmtuar shumë në aspektin kulturor.
“Ka femra që ndihen meshkuj, njashtu qysh ka meshkuj që ndihen femra. Sot, Kushtetua e Kosovës e lejon diçka të tillë qysh e lejon civilizimi bashkëkohor-perëndimor. Ata që duan të bëhen meshkuj, kanë të drejtë për të kaluar në proces biologjik të ndërrimit të gjinisë. Pra, diçka e tillë që sot shtetet demokratike insistojnë për të ndërtuar si të drejtë e njeriut, në traditën shqiptare ka ekzistuar si e drejtë shumë moti.”
Gjithashtu, për të treguar rreth sfidës së të luajturit rolin e Sose-s, për KultPlus foli aktorja Aurita Agushi.
Sipas saj, rolin e Burrneshës sonte Tringa e solli në mënyrë shumë të mirë. Si aktore, ajo i ka shtyrë limitet e saj përtej dhe e pashë një transformim të saj tejet të bukur.
“E pashë një punë të jashtëzakonshme të regjisorit dhe të aktorëve si dhe komplet ekipit. Tek ne në Kosovë nuk është se ka pas shumë burrnesha por kjo dukuri shfaqet më shumë në Malësinë e Shqipërisë dhe është shumë më e vështirë për ne kur e marrim për ta kuptuar dhe inskenuar si dukuri, sado që jemi të njoftuar me të. Është shumë sfiduese për regjisorin dhe aktorët për të trajtuar këtë dukuri, por ata e sollën në një dimension tjetër dhe ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim nëpër dokumentare apo filma”, thotë Agushi.
Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i: Forever Productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.
Reprizat e shfaqjes “Burrnesha” vinë me datë 11 maj dhe 12 maj duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Oda. / KultPlus.com
Është një ndër paraqitjet më të kërkuara nëpër bare e ambiente të ngjashme, e një format të tillë do ta sjell KultPlus Caffe Gallery, ku në mbrëmjen e së enjtes, prej orës 19:00 do të shfaqet Stand Up Comedy “Fluturon”, prurje kjo e Gent Shalës, shkruan KultPlus.
“Fluturon” është Stand Up Comedy që do të prezantohet nga Gent Shala, e që ka për qëllim rikthimin e memories në periudhën e pandemisë, situata që sipas Gent Shalës do të prezantohen me petkun e komedisë. Kjo performancë do tu ofrojë një çlirim të gjithë të pranishmëve, gjithnjë duke pas në fokus ballafaqimin tonë përgjatë periudhës së pandemisë. “Duke rikujtuar dukuritë nga këndvështrimi artistik i japim dy mesazhe:-se çdo gjë e çuditshme ka dhe fundin, mbase komik, si dhe gjithashtu prodhojmë art edhe në pubs. Regjisori Genti na sjell premierën e Stand Up Comedy “Fluturon”, me batuta e gjëra se si i ka perjetuar vetë ai.
KultPlus Caffe Gallery ju fton që të jeni pjesë e kësaj mbrëmjeje e cila do të vazhdojë edhe me performancë muzikore, ku do të këndojë Endrit Rexhepi.
Kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kompania “Rugove”, Kompanisë “Jaffa”./ KultPlus.com
Forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje gazetaren e Al Jazeera, Shireen Abu Akleh në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.
Ajo u godit nga një plumb të mërkurën ndërsa mbulonte bastisjet izraelite në qytetin e Jeninit dhe u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike, sipas ministrisë dhe gazetarëve të Al Jazeera.
Ajo u deklarua e vdekur në spital, tha ministria.
Rrethanat e vdekjes së saj nuk ishin të qarta, por videot e incidentit tregojnë se Abu Akleh u qëllua në kokë, tha Nida Ibrahim nga Al Jazeera.
“Ajo që ne dimë tani për tani është se ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar vdekjen e saj. Shireen Abu Akleh, po mbulonte ngjarjet që po shpalosen në Jenin, veçanërisht një bastisje izraelite në qytet, i cili është në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, kur ajo u godit nga një plumb në kokë, “tha Ibrahim, duke folur nga qyteti palestinez Ramallah.
“Siç mund ta imagjinoni, kjo është një tronditje për gazetarët që kanë punuar me të.”
Duke folur mes lotësh, Ibrahim tha se Abu Akleh ishte një “gazetare shumë e respektuar” e cila ka punuar me Al Jazeera që nga fillimi i Intifadës së dytë palestineze në 2000.
Ebu Akleh kishte veshur një jelek shtypi kur ajo u vra.
Një tjetër gazetar palestinez u qëllua gjithashtu nga një në shpinë, tha ministria e Shëndetësisë. Ali Samudi, i cili punon për gazetën Quds me bazë në Jerusalem, u raportua në gjendje të qëndrueshme./abcnews.al/ KultPlus.com
Israeli occupation forces assassinated our beloved journalist Shireen Abu Akleh while covering their brutality in Jenin this morning. Shireen was most prominent Palestinian journalist and a close friend. Now we will hear the “concerns” of the UK govt & the international community pic.twitter.com/M6lKTbceHJ
Këngëtarja Dua Lipa ka mbërthyer kopërtinën e Vogue për numrin e muajit qershor/korrik të Vogue ku njëkohësisht ka dhënë një intervistë shumë të veçantë në rubrikën ‘73 pyetje me Dua Lipën’.
Dua në këtë intervistë ka hapur një kapitur të ri, duke treguar që ky vit ishte transformues për të dhe e ka ndryshuar shumë, sidomos në nivel personal.
Gjatë kësaj interviste, Dua u pyet edhe për familjen dhe rrënjët e saj, duke treguar edhe për shprehjen më të përdorur shqip në shtëpinë e saj.
“Çka ka me ngrënë”, është shprehur shqip këngëtarja e cila gjithashtu ka thënë se nëna e saj është një kuzhiniere shumë e mirë e cila është e mrekullueshme në përgatitjen e ushqimit tradicional shqiptar.
Ndryshe, kujtojmë që turneu i Duas filloi në shkurt të këtij viti në Miami pasi u shty disa herë për shkak të COVID-19, ndërsa pritet të përfundoj në muajin nëntor në Australi. /KultPlus.com
AKKV “Shota” dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Republikës së Shqipërisë “Nderi i Kombit”, do të sjellin koncertin e përbashkët i cili i dedikohet “Bilbilit të këngës shqipe” Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
Ky koncert realizohet në kuadër të “Koncertit të Përbashkët Kulturor” në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të të ashtuquajturit “Gjerdani i Artë”, ku do të përkujtohen dhe nderohen emra të njohur të skenës sonë muzikore.
Koncerti mbahet me datë 12.05.2022, ne sallën e TKK-së me fillim në ora 20:00. / KultPlus.com
Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që doli nga shtypi para pak ditësh, nesër promovohet në Gjakovë, në orën 13, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim “Rugova”, shkruan KultPlus.
“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!
‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshorti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!
Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…
Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com
Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje, përcjellë KultPlus.
Shfaqja paraqet jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen. Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme.
“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.
Përfundimisht, kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë, në një mënyrë apo tjetër!
Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Adhurim Grezda, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kaltërim Balaj, asistent regjisor; Leart Rama, video realizator, Skender Latifi, dizajner i dritave dhe Florian Mehmeti, dizajner.
Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” do të jepet më 16 maj 2022, prej orës 20:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë. Për të vazhduar menjëherë më 17, 18 e 19 maj, me reprizat e para të kësaj shfaqje, që do të jepen nga ora 20:00, po ashtu në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.
Kjo shfaqje është realizuar nga Integra, dhe është mbështetur nga NED, PAX, Bashkimi Evropian, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.
Punimet e restaurimit do të kryhen përmes programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
EU4Culture bën të ditur se “Muzeu Arkeologjik i Durrësit pas restaurimit do të tërheqë më shumë turistë vendas dhe ndërkombëtarë, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së komuniteteve lokale”.
“UNOPS në Shqipëri fton të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin propozimin e tyre brenda datës 23 maj 2022. Një takim paraprak e një inspektim i sitit është i detyrueshëm dhe do të mbahet më 17 maj në Muzeun Arkeologjik në Durrës”, thekson EU4Culture .
Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve, që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.
Tashmë Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Muzeu Arkeologjik në Durrës ka objekte nga greqishtja e lashtë, periudha Romake dhe periudha mesjetare. Shumica e objekteve në muze janë gjetur në qytet edhe rastësisht nga banorë të vendit, të cilët gërmonin mjedise për vendosjen e themeleve të larta. Në ambientet e tij gjenden mijëra objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen turistëve sidomos atyre të huaj./ atsh / KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë në UP, Hatixhe Latifi Pupovci.
“Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare”, shprehen nga UP-ja.
Me këtë rast, UP-ja u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë me urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore. UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi. / KultPlus.com
Një fëmijë katër vjeç është shkelë dje nga një veturë me targa të huaja në Lubovec të Skënderajt, me ç’rast i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në QKUK.
Lajmin e ka bërë të ditur policia me anë të raportit 24 orësh, ku theksohet se vetura drejtohej nga një fëmijë.
Njoftimi i plotë i policisë:
AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME TË RËNDA /Fsh. Lubovec, Skenderaj 10.05.2022 – 16:25. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku ku një veturë me targa të huaja me drejtues të dyshuarin, fëmijë mashkull kosovar i cili e ka goditur një fëmijë 4 vjeç femër me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktimës fillimisht iu është ofruar trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës e më pas për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në QKUK Prishtinë dhe sipas stafit mjekësor gjendja e viktimës është jashtë rrezikut për jetë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. / KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare presidenti i parë i shtetit modern të Ukrainës, Leonid Kravchuk.
Lajmi u dha nga kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko i cili mes rreshtash vlerëson figurën e Kravchuk duke e konsideruar atë një njeri që mishëronte talent, karakter të fortë dhe dije.
Kravchuk, i cili ishte më herët ka qenë kryetar i parlamenti dhe i Sovjetit Suprem të SSR të Ukrainës gjatë ditëve të fundit të Bashkimit Sovjetik, u bë president në dhjetor 1991 dhe qëndroi në detyrë deri në korrik 1994.
Ndër vendimet e tij më të rëndësishme ishte nënshkrimi i Protokollit të Lisbonës në vitin 1992, duke u zotuar se do të heqë dorë nga arsenali bërthamor që i la Ukrainës pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Në postimin e tij, Klitschko tha se trashëgimia e Kravchuk ishte veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Ukraina po lufton Rusinë./A2CNN / KultPlus.com
Filmi me regji të Besim Ugzmajlit, “Red Day”, është përzgjedhur për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Oriental të Gjenevës, shkruan KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Oriental të Gjenevës (FIFOG) ju ofron një turne botëror në 50 filma me 40 të ftuar dhe 7 vende për shfaqje, debate dhe ekspozita në internet.
Këtë vit FIFOG feston gratë dhe Joumana Haddad do të jetë presidentja e nderit.
Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve paraqiten te filmi “Ditë e Kuqe”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Oriental të Gjenevës do të mbahet nga 13-19 qershor të këtij viti. /KultPlus.com
Koha është të duhemi, të kesh besim në mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën. E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave. Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët. Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet. Unë do të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës, do ta ndez llambën në Kullë, do ta hedh farën në tokën e re. Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet. Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. / KultPlus.com