BBC ironizon me performancën e Ronela Hajatit në Eurovision

Ndonëse ajo nuk arriti të kualifikohet në finalen e Eurovision, performanca e Ronela Hajatit u komentua  shumë.

Menjëherë pas performancës, mediumi prestigjioz anglez BBC përmes një postimi në Twitter ka ironizuar me një sekuncë të performancës së Hajatit.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e BBC./KultPlus.com

Ministrja Margariti: Menaxhimi i Butrintit, mbrojtje e vlerave të trashëgimisë kulturore

Komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në komision tha se lidhja e marrëveshjes së administrimit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, ka si qëllim administrimin efektiv, sipas një modeli administrimi, i cili synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të Parkut Kombëtar të Butrintit.

“Në bazë të kuadrit ligjor, ligji i njeh gjithë të drejtën Fondacionit që jo vetëm të menaxhojë këtë entitet të ri, por edhe mbi të gjitha të vazhdojë të kërkojë donatorë të tjerë dhe partnerë të tjerë në Fondacion”, theksoi Margariti. / KultPlus.com

Djegia e librave në Gjermaninë naziste

Me 10 maj 1933, studentë gjerman dogjen rreth 25,000 libra, duke përfshirë këtu autor me prejardhje hebreje si Albert Einstein e Sigmund Freud. Ata e morën një iniciativë për të zhdukur çdo material “jo gjerman” dhe për të zhdukur çdo ide të autorëve që sipas tyre ishin të demshme për popullin e tyre.

Djegia e librave ka një histori të gjatë dhe të errët.

Djegia e librave i referohet një lloj rituali të shkatërrimit të librave përmes djegies por edhe materialeve tjëra të shkruara. Kryer në një kontekst publik, djegia e librave përfaqëson një element censurimi dhe zakonisht rrjedh nga një kundërshtim kulturor, fetar ose politik ndaj materialeve në fjalë.

Djegia e librave nën regjimin nazist më 10 maj 1933, është ndoshta djegia më e famshme e librave në histori.

Një precedent i shekullit të nëntëmbëdhjetë

Në 1817, shoqatat gjermane të studentëve (Burschenschaften) zgjodhën 300-vjetorin e 95 Tezave të Luterit për të mbajtur një festival në Ëartburg, një kështjellë në Turingi ku Luteri kishte kërkuar një vend të shenjtë pas shkishërisë së tij. Studentët, duke demonstruar për një vend të bashkuar – Gjermania atëherë ishte e ndarë në shtete të vogëla- dogjën tekste dhe literaturë antikombëtare dhe reaksionare të cilat studentët i shihnin si “jogjermane”.

“Sinkronizimi” i kulturës me ideologjinë naziste

Në vitin 1933, autoritetet naziste gjermane synuan të sinkronizonin organizatat profesionale dhe kulturore me ideologjinë dhe politikën naziste (Gleichschaltung). Joseph Goebbels, Ministri nazist për Iluminizmin Popullor dhe Propagandën, filloi një përpjekje për të sjellë artin dhe kulturën gjermane në përputhje me qëllimet naziste. Qeveria spastroi organizatat kulturore të hebrenjve dhe zyrtarëve të tjerë që pretendohej se ishin të dyshuar politikisht ose që kryenin ose krijonin vepra arti të cilat ideologët nazistë i etiketuan “të degjeneruara”.

Në një përpjekje për të sinkronizuar komunitetin letrar, Goebbels kishte një aleat të fortë në Shoqatën Kombëtare Socialiste të Studentëve Gjermanë (Nationalsozialistischer Deutscher Studentenbund, ose NSDStB). Studentët gjermanë të universitetit ishin ndër pararojat e lëvizjes së hershme naziste dhe në fund të viteve 1920, shumë prej tyre mbushën radhët e formacioneve të ndryshme naziste. Ultra-nacionalizmi dhe antisemitizmi i organizatave studentore laike të klasës së mesme kishte qenë intensiv dhe i zëshëm për dekada. Pas Luftës së Parë Botërore, shumë studentë kundërshtuan Republikën e Vajmarit (1919–1933) dhe gjetën në Nacional Socializëm një mjet të përshtatshëm për pakënaqësinë dhe armiqësinë e tyre politike.

Më 6 prill 1933, Zyra kryesore e Shoqatës së Studentëve Gjerman Nazist për Shtypin dhe Propagandën shpalli një “Veprim kundër Shpirtit Jogjerman” mbarëkombëtar, për të arritur kulmin në një spastrim letrar ose “pastrim” (Säuberung) me zjarr. Kapitujt lokalë duhej të furnizonin shtypin me publikime dhe artikuj të porositur, të ofronin lista të zeza të autorëve “jogjermanë”, të sponsorizonin figura të njohura naziste për të folur në tubime publike dhe të negocionin për kohën e transmetimit në radio.

Sipas Holocaust Encyclopedia, më 8 prill, shoqata e studentëve hartoi gjithashtu dymbëdhjetë “tezat” e saj – një evokim i qëllimshëm i 95 tezave të Martin Luterit: deklarata që përshkruanin bazat e një gjuhe dhe kulture “të pastër” kombëtare. Pankartat publikuan tezat, të cilat sulmonin “intelektualizmin hebre”, pohonin nevojën për “pastrimin” e gjuhës dhe letërsisë gjermane dhe kërkonin që universitetet të ishin qendra të nacionalizmit gjerman. Studentët e përshkruan “veprimin” si një përgjigje ndaj një “fushate shpifjeje” mbarëbotërore hebreje kundër Gjermanisë dhe një afirmim të vlerave tradicionale gjermane.

Cilët autorë dhe vepra ishin në shënjestër?

Ndër autorët librat e të cilëve u dogjën liderët studentorë atë natë ishin socialistë të njohur si Bertolt Brecht dhe August Bebel; themeluesi i konceptit të komunizmit, Karl Marksi; shkrimtarët kritikë “borgjezë” si dramaturgu austriak Arthur Schnitzler; dhe “influencat e huaja korruptuese”, mes tyre edhe autori amerikan Ernest Hemingëay.

Zjarret konsumuan gjithashtu disa shkrime të autorit gjerman, fitues të çmimit Nobel të vitit 1929, Thomas Mann, mbështetja e të cilit për Republikën e Vajmarit dhe kritika e fashizmit ngriti zemërimin nazist. Gjithashtu u dogjën vepra të autorit ndërkombëtar bestseller Erich Maria Remarque. Ideologët nazistë e përçmuan përshkrimin e palëkundur të luftës nga Remarque, Asgjë e re nga Fronti i Perendimit, si “një tradhti letrare e ushtarëve të Luftës Botërore”. U dogjën gjithashtu vepra nga kritikët e hershëm letrarë gjermanë të regjimit nazist, si ato të Erich Kästner, Heinrich Mann dhe Ernst Gläser.

Shkrimtarë të tjerë të përfshirë në listat e zeza ishin autorët amerikanë Jack London, Theodore Dreiser dhe Helen Keller, besimi i të cilëve në drejtësinë sociale e inkurajoi atë të mbrojë personat me aftësi të kufizuara, pacifizmin, kushtet e përmirësuara për punëtorët industrialë dhe të drejtat e grave për votën.

Ndër shkrimtarët, veprat e të cilëve u dogjën numëroheshin autorë hebrenj, ndër ta disa nga shkrimtarët më të famshëm bashkëkohorë të asaj kohe, si Franz Ëerfel, Max Brod dhe Stefan Cvajg.

Gjithashtu midis atyre veprave të djegura ishin shkrimet e poetit të dashur hebre gjerman të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Heinrich Heine, i cili shkroi në dramën e tij 1820–1821 Almansor këshillën e famshme, “Dort, ëo man Bücher verbrennt, verbrennt man am Ende auch Menschen”: “Ku ata djegin libra, në fund do të djegin edhe njerëzit.”

Jo të gjitha djegiet e librave u bënë më 10 maj, siç kishte planifikuar Shoqata e Studentëve Gjermanë. Disa u shtynë disa ditë për shkak të shiut. Të tjera, bazuar në preferencën e kapitullit lokal, u zhvilluan më 21 qershor, solstici i verës, një datë tradicionale për festimet e zjarrit në Gjermani.

Megjithatë, në 34 qytete universitare anembanë Gjermanisë, 10 maji “Aksioni kundër shpirtit jogjerman” ishte një sukses, duke marrë një mbulim të gjerë gazetash. Në disa qytete, veçanërisht në Berlin, transmetimet radiofonike i sollën fjalimet, këngët dhe këngët ceremoniale “live” për dëgjues të panumërt gjermanë. Promovimi i kulturës “ariane” dhe shtypja e formave të tjera të prodhimit artistik ishte një tjetër përpjekje naziste për “pastrimin” e Gjermanisë./Express/ KultPlus.com

Të dielën Skënderbeu përjetësohet në New York

15 maji do të jetë një ditë e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në New York, pasi këtë ditë një nga rrugët e qytetit do të marre emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Padyshim që përjetësimi i Skënderbeut në emërtimin e  një rruge dhe shqiptimi i tij nga miliona banorë dhe vizitorë të New York-ut bën krenar jo vetëm shqiptarët në SHBA por shqiptarët në mbarë botën.

Edhe kjo iniciativë ka nga pas një emër shumë të njohur për komunitetin në New York, z. Mark Gjonaj, i cili pak muaj më parë finalizoi një tjetër iniciativë emërtimin e rrugës “Fan Noli”.

“Duke pritur me padurim ceremoninë e Bashkëemërtimit të Rrugës të dielën, më 15 maj për nder të Gjergj Kastrioti Skenderbeut, një Hero Shqiptar ndërsa ne festojmë traditat, kulturën dhe Komunitetin Shqiptaro-Amerikan”, shkruan Gjonaj në ‘Facebook’.

Kjo e dielë në New York do te jetë plotësisht shqiptare. Sipas organizatoreve pas ceremonisë së emërtimit të rrugës që do të fillojë në orën 12:00 (ora lokale) për gjatë gjithë ditës  do të ketë një sërë aktivitete të tjera. Si panair kulinar dhe aktivitete që promovojnë kulturën dhe traditën shqiptare. / KultPlus.com

Këngët lirike të Lola Gjokës në koncertin e Kopenhagës

Pas realizimit me sukses në Stockholm të Suedisë, koncerti me këngët lirike të pianistes së hershme shqiptare Lola Aleksi Gjoka u mbajt më 7 maj edhe në Kopenhagë të Danimarkës.

Koncerti i radhës, në të vërtetë u mbajt në sallën e “Medborgerhus” të Herlevit që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kopenhagës. Salla ishte e mbushur me adhurues, në mesin e tyre edhe miq danezë e suedezë.

Tue Magnussen, gazetar, historian, profesor i Universitetit të Kopenhagës dhe mik e njohës i çështjes shqiptare ndjehej i nderuar dhe i kënaqur me të gjitha interpretimet.

Të gjitha këngët lirike ishin aranzhime artistike të regjistruara që moti nga Lola Gjoka kurse projekti voluminoz për realizimin e CD-eve dhe dy koncerteve, atij në Stockholm dhe këtij në Kopenhagë është realizuar nga maestro i muzikës artistike shqiptare Zhani Ciko.

Koncertet e shfaqura kësaj radhe në Skandinavi arritën të gjitha parametrat prezantuese artistike edhe në saje të interpretimeve të jashtëzakonshme të solistëve e instrumentisteve virtuozë. Shkëlqyen solistët Mariana Leka, Erinda Agolli e Feride Istogu Gillesberg soprano, Gerald Murrja tenor, Antonio Zefi bariton dhe dy instrumentistet me renome ndërkombëtare Ermira Lefort e Rudina Ciko piano.

Tenori danez Stig Fogh Andersen ka ndihmuar projektin e regjistrimit të albumit muzikor që tashmë është në qarkullim.

Në koncertin shqiptar të Kopenhagës patëm privilegjin të kishim në mesin tonë edhe vajzën e Lola Aleksit Gjokës – Juki Maria Rako që kishte ardhur enkas për koncertin nga Milano e Italisë, së bashku me dy vajzat e veta, pra me dy mbesat e Lolës së paharruar. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

10 kuriozitete por Koloseumin e Romës

1. Përmasat.

Koloseu është një ndërtesë në formë elipsi, e gjatë 189 metra, e gjerë 156 metra dhe mbulon një zonë rreth 24 mijë metra kartorë. Koloseu mund të mbajë një kacapitet prej 50 mijëspektatorësh.

2. Ndërtesa.

Ndërtimi i Koloseut kërkoi pak më shumë se 5 vite, nga viti 75 deri në vitin 80 pas lindjes së Krishtit.

3. Emri.

Fillimisht u emërtua “Amfitearti Flavian”. Emri “Koloseu” u vendos përgjatë mesjetës, ndoshta për shkak të vendndodhjes pranë statujës së “Gjigandit” të Neronit. Sipas legjendës, ai shkonte në një tempull pagan ku adhuronte djallin. Në fund tëçdo ceremonie, prifti i pyeste ndjekësit e tij, “Colis Eum?” (Do you love Him?).

4. Ekzistojnë 80 hyrje, nga të cilat njëra njihet si “Hyrja e vdekjes”.

Në mënyrë që të mbante 50 mijë spektatorë, duhet të sigurohej edhe një sistem i mirë i hyrjeve dhe daljeve. Ndaj, u krijuan gjithsej 80 hyrje, një nga të cilat njihet si “Hyrja e vdekjes”.

5. Kishte ashensorë për kafshët.

Hipogeum ishte një shtesë e mëvonshme e amfiteatrit. Ai funksiononte fiks si një anije, me rrota, sisteme, litarë dhe tuba.

6. Pishina e Koloseut.

Në pishinë organizoheshin gjithashtu dyluftime, por kishin mëpak sukses krahasuar me ndeshjet e gladiatorëe. Për ta mbushur hapësirën e pishinës me gjithë gjërat e nevojshme, duheshin tëpaktën 7 orë.

7. Koloseu është qendra e shumë filmave romantikë.

Shumë filma romantikë janë xhiruar në zonën e Koloseut, si dhe brenda tij. Shumë, ama jo filmi “Gladiatori”. Ishin të shumta arsyet pse drejtori i filmit “Gladiatori”, Ridley Scott, vendosi tëmos e filmonte filmin brenda Koloseut në Romë.

8. Ka gjithë kushtet për mbrojtjen nga shirat.

Për të plotësuar nevojat e gjithë qytetarëve, u krijua një sistem i posaçëm për të mbuluar gjithë arenën dhe për të mbrojtur spektatorët në raste shiu. Mekanizmi i krijimit të këtij sistemi u krijua nga marinarë specialë.

9. Hyrja në lojëra ishte falas.

Nëse nuk mundeshe ta paguaje dot biletën për të parë ndeshjet, ama të pëlqente gjaku në arenë dhe ishe nga Roma, kaq mjaftonte. Për të promovuar politikat e kohës, drejtuesit e Koloseut i lejonin hyrjet falas të gjithë romakëve.

10. U organizua për të plotësuar gjithë kërkesat për rehati nga plebenjtë.

Një arritje e jashtëzakonshme nga planifikuesit romakë, u bë për të siguruar që kjo pikë referimi publike të kishte të gjitha lehtësitë. Ujësjellësit ruanin ujin, i cili u mobilizua përgjatëKoloseut për përdorim public përmes tubave që kalonin nëpër mure./Express/ KultPlus.com

“Voice of Freedom”, shqiptarët e Norvegjisë mbështesin Ukrainën

Koncerti “Voice of Freedom” ishte një dëshmi e vërtetë sesi muzika mund të bashkojë njerëzit edhe për kauza shumë të vështira.

Një sipërmarrje vullnetare e kompozitorit shqiptar Elvis Duro dhe sopranos shqiptare Hata Koca, anëtarë të organizatës “Kristiansand Multi Ethnic Voice” organizuar në kuadër të javës së Demokracisë në qytetin norvegjez Kristiansand.

Gjatë kësaj mbrëmje të magjishme publiku pati mundësinë të njihej me veprat më të njohura muzikore të krijuara në Shqipërinë e viteve 1945-1990.

“Qëllimi i këtij koncerti ishte të promovonim vlerat artistike, kulturore dhe historike të Shqipërisë dhe për të treguar forcën që ka arti për të shprehur zërin e brendshëm të një populli të ndrydhur. Se dyti, për të ndërtuar paralele dhe sensibilizuar njëkohësisht me aktualitetin e popujve të tjerë në botë të cilëve u mungon liria e shprehjes prej politikave autokrate apo diktatoriale si në rastin e Shqipërisë gjatë kohës së diktaturës.

https://youtube.com/watch?v=U2_nQYqJaC8%3Ffeature%3Doembed

Koncerti shërbeu edhe si një formë mireseardhjeje për delegacionin shqiptar të përbërë prej përfaqësuesve të 8 bashkive në Shqipëri ku 4 prej tyre ishin kryetarët e Bashkisë së Elbasanit, Lushnjes, Beratit dhe Tropojës si dhe kryetarë të organizatave jo qeveritare, MOTIV dhe Kongresi Rinor Kombëtar” shpjegon për “Diaspora Shqiptare” organizatori Elvis Duro.

Në koncert u performuan disa nga romancat dhe ariet më të bukura të repertorit të muzikës klasike shqiptare. Performues të tjerë në këtë koncert ishin mësuesit e klarinetës Fatjon Dakaj dhe Flavio Sefa si dhe studentja Megi Gjura.

“Vlen për tu përmendur pjesëmarrja e fëmijëve norvegjez në koncert të cilët interpretuan, në një kuartet klarinetash, pjesën shqiptare “Dielli ka prenue” të shkëputur nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës.

– Donacione për Ukrainën

Në koncert u interpretua edhe një pjese e shkëputur nga repertori i operës ukrainase, si homazh ndaj popullit të Ukrainës të cilët po përjetojnë tmerret e një lufte dhe politike të padrejtë.

https://youtube.com/watch?v=jHHeTLJbLZQ%3Ffeature%3Doembed

“Përgjatë koncertit u kërkuan që të dhuroheshin fonde përmes afishimit të një numri llogarie të shoqatës së Ukrainës, fonde të cilat do të shkojnë për ndihma mjekësore në Ukrainën” shpjegon Duro.

Organizata

“Kristiansand Multi Ethnic Voice Organisation” është një organizatë e themeluar në vitin 2018 nga Elvis Duro. Misioni i saj është promovimi kulturor i komuniteteve te ndryshme që bashkëjetojnë në qytetin e Kristiansandit.

Organizata është mjaft aktive dhe ka organizuar disa evente për promovimin e kulturës shqiptare gjatë këtyre viteve. /diasporashiqptare/ KultPlus.com

Arsyeja pse Ukraina mund të fitojë Eurovision-in

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, grupi Kalush Orchestra do të performojë sonte në skenën e Eurovizionit.

Menjëherë pas sulmeve ruse, Ukraina njoftoi se burrat midis moshës 18 dhe 60 vjeç nuk do lejoheshin të largoheshin nga vendi, me shpresën se, ata mund të thirreshin për të luftuar kundër pushtimit.

Grupi i përbërë nga meshkuj, duhej të merrte leje speciale për t’u larguar nga Ukraina, për të konkurruar në Eurovizion.

Kënga e tyre, “Stefania” do të këndohet në gjuhën ukrainase.

“Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”, thuhet në tekstin e këngës.

Formati i konkursit i jep Ukrainës një shans të madh për të fituar.

Fituesi zgjidhet me votim, ku gjysma e votave vjen nga publiku nëpërmjet televotimit dhe gjysma tjetër nga juritë e industrisë së muzikës dhe argëtimit.

Duke pasur parasysh fokusin në ngjarjet në Ukrainë, pritet që Kalush Orchestra të marrë shumë vota nga publiku.

Kujtojmë se, Rusia u përjashtua nga konkursi i këtij viti pas presionit nga vendet e tjera anëtare. /Liberale.al/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=UiEGVYOruLk

28 vite nga përzgjedhja e Mandelës në krye të Afrikës së Jugut

Më 10 maj të vitit 1994 Nelson Mandela u bë presidenti i parë me ngjyrë në krye të Afrikës së Jugut.

Nelson Rolihlala Mandela ishte presidenti i parë i Amerikës Jugore që sherbeu nga viti 1994 deri me 1999. Ai ishte revolucionar, njëriu i parë me ngjyrë që u vendos në krye të një shteti.

U lind me 18 korrik 1918 dhe vdiq me 5 dhejtor 2013. Kur ishte vetem 12 vjec i vdiq i ati dhe ati i mbeti barra e kujdesit për familjën.

U shkollua por me vonë do të burgosej për një kohë të gjatë për shkak të bindjeve dhe qendrimeve të tij revolucionare.

Mbetet si njëra prej figurave më të mëdha në historinë e njerëzimit, lufta e tij kundër racizmit, kundër padrejtësive e kundër pabarazive do ta shenojnë Nelson Mandelen në histori, si njërin prej burrështetaseve më të zot.

Ai vdiq i rrethuar nga familjarët në shtëpinë e tij ne moshën 95 vjecare.

Thëniet më të famshme të tij:

“Edukimi është arma më e fuqishme që mund ta përdoresh për ta ndryshuar ndryshuar botën”

“Kur njerëzit janë të vendosur, ata mund të kapërcejnë cdo pengesë”

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish” /Express/ KultPlus.com

125 vjet më parë, arbëreshët e Zarës botuan gazetën ‘Zani i Scyptarit’

Shtypi i shkruar shqiptar lindi në Diasporë. Ndonëse kanë kaluar shumë dekada, ende ka pak të dhëna mbi historinë e shtypit shqiptar, të cilat herë-herë për komunitete të caktuara të Diasporës janë ende të paplota.

Një ndër studiuesit që është marrë me historinë e shtypit shqiptar, prof. Dr. Hamit Boriçi në hulumtimet e tij, ka sjellë të dhëna interesante edhe për arbëreshët e Zarës. Sipas tij, me 10 maj 1897 doli në qarkullim gazeta shqipe “Zani i Scyptarit”, në Borgo Erizo, zëdhënëse e komunitetit shqiptar të Zarës në Dalmaci.

Përcjellja e frymës së lëvizjes ideore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe dygjuhësia, shqip e kroatisht ishin tiparet themelore të kësaj gazete.

Kujtojmë se nga gazeta e parë e botuar në vitin 1848 deri më 1912 dolën afro 90 gazeta e revista kudo ku ishin ngulimet e vjetra e të reja të shqiptarëve. Vendin e parë në këtë lëvizje kulturore të shtypit e mbajnë padyshim Arbëreshët e Italisë./KultPlus.com

“Për ty babë”, sopranoja Inva Mula koncert homazh në Shkodër

U rikthyen aty ku prindërit e tyre Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula e nisën karrierën artistike me koncertin homazh i titulluar “Për ty babë”.

Diva e skenës Inva Mula dhe maestro David Tukiçi u ngjitën pas shumë vitesh në skenen e Teatrit Migjeni.”

Emocionet e dhuruara ishin të mëdha. / KultPlus.com

Turisti humbi jetën në Valbonë, priten alpinistë nga Kosova për ta nxjerrë trupin

Një turist gjerman humbi jetën tragjikisht ditën e sotme në alpet e Valbonës, pasi ra në humnerë.

Ngjarja ka ndodhur në mesditë, ndërsa helikopteri e ka të pamundur ndërhyrjen për të marrë trupin e pajetë. Mësohet se priten që të vijnë alpinistë nga Kosova që do të ndihmojnë në nxjerrjen e viktimës nga humnera.

Një grup prej katër turistësh të huaj po eksploronin alpet teksa dyshohet se kanë ngatërruar rrugën. Për pasojë njëri prej tyre ra në humnerë, pasi ka rrëshqitur në akull. /abcnews.al/ KultPlus.com

Sulmohet një profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë

Sot rreth orës 14:30 në Fakultetin e Mjekësisë, ka ndodhur një rrahje, ku një prind i një studenti dyshohet se ka rrahur profesoreshën e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci.

Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.

Sipas Policisë, profesoresha e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, ka pësuar lëndime trupore e cila është dërguar  për trajtimin e nevojshëm  mjekësor.

Sot rreth orës  14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë,  një person është sulmuar fizikisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person (femër), e cila është dërguar  për trajtimin e nevojshëm  mjekësor. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. / KultPlus.com

Mbrëmja shqipe në Pragë me shkrimtarin Ag Apolloni

Sot me 10 maj në Pragë të Çekisë do të mbahet mbrëmja shqipe me shkrimtarinë Ag Apolloni. Kjo mbrëmje do të ketë në fokus letërsinë modern shqipe.

Njoftimi i plotë nga ambasada e Kosovës në Pragë:

Katedra e studimeve Ballkanistike e Universitetit të Karlit në Pragë do të organizoj Mbrëmjen Shqipe, të shtatën me radhë me fokus letërsinë moderne shqipe, me të ftuarin e nderit profesor Ag Apollonin, shkrimtar dhe studiues i shquar nga Kosova.

Veprat e Ag Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë vlerësuar dhe nderuar me disa çmime.

Mbrëmja mbahet me datë 10 maj 2022, me fillim nga ora 18:00. / KultPlus.com

Lëkura e trashë e Kosovës

Poezi nga Adem Gashi

Je bërë lëkurëtrashë Kosovë
si lëkurë derri.

Dikur e kishe të hollë mazë qepe –
siç thoshim ne
ose si pëlhurë tyli, siç thoshin të tjerët.

Himenin e ndjeshmërisë kaherë e ke tretur
a ta morën, ta shitën
në lojën e stisur me sherre.

Tashti më kot të therin, të shpojnë
me hostenë, gjilpëra, shkopinj
besa edhe me shkopinj bejsbolli.

Ma jep dhe mua të parriturit të voglit
një çast kënaqësi loje
si sot
e të harroj se zgjatanët me shtat shtogu
nganjëherë di t’i lësh pa gjumë
edhe me lëkurën prej bualli të shogur! / KultPlus.com

Tragjedia në Alpe, si e ngatërruan rrugën turistët, një i vdekur një i plagosur rëndë

Janë gjetur turistët të cilët kanë rënë në një humnerë në alpet mes Valbonës dhe Thethit.

Grupi prej 4 turistëve të huaj po eksploronte alpet teksa dyshohet se kanë ngatërruar rrugën. Dy prej tyre kanë rënë në humnerë ndërsa raportohet se një prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa turisti tjetër është në gjendje të rëndë.

Në foton e mëposhtme duket rruga që kanë ndjekur turistët (vija me të kuqe), ndërkohë që duhet të kishin ndjekur rrugën poshtë (vijën me të verdhë).

Njoftimi i policisë:

“Rreth orës 12:40, jemi njoftuar nga DVP Shkodër, se në kufirin mes Thethit dhe Valbonës, dyshohet se dy turistë gjerman, duke eksploruar zonën, janë dëmtuar rëndë. Për t’u ardhur në ndihmë turistëve, janë nisur shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë dhe shërbimet e DVP Shkodër, si dhe është njoftuar spitali i Tropojës, për të nisur ekipin mjekësor”, ka njoftuar policia. /abcnews.al/ KultPlus.com

AleXa fiton versionin amerikan të Eurovizionit

Këngëtarja K-pop, AleXa është bërë fituesja e parë e versionit amerikan të Eurovizionit.

25-vjeçarja, e cila përfaqësonte shtetin e saj të lindjes, Oklahoma, triumfoi me këngën elektro-pop “Wonderland”.

Ajo mundi nëntë artistë të tjerë, duke përfshirë katër herë fituesin e Grammy-t, Michael Bolton, për të marrë titullin.

Këngëtarja, e cila ka një karrierë të suksesshme në shtëpinë e saj të dytë, Kore, ka thënë se “u duk sikur më shpërtheu truri” kur u zbuluan rezultatet.

“Nëna ime po më mbante për krahun dhe ajo po qante dhe dridhej dhe kështu unë qava me të”, ka thënë ajo për revistën Billboard.

Gjatë gjithë konkursit, AleXa performoi zhurmën e saj me temë Alice-in-Wonderland në një sërë veshjesh të përpunuara, me prodhime skenike shumëngjyrëshe dhe koreografi të ndërlikuar.

“Wonderland është një rutinë shumë komplekse në skenë. Nëse do të kishim një shkallë nga një në 10, kjo është padyshim një 8.5. Më pëlqejnë marifetet. Më pëlqen të bëj gjëra që bien. Nuk kam frikë nga lartësitë”, shtoi ajo./21Media / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës do t’i mbështes me 500 euro lehonat me asistencë sociale

Komuna e Prishtinës  do t’i mbështes me 500 euro nënat lehona të cilat janë përfituese të skemës sociale.

Kjo u bë e ditur gjatë seancës së Kuvendit Komunal, të martën.

Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, tha se një propozim tjetër i tyre është subvencionimi me 70 euro që familjet që marrin më pak se 500 euro t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe.

Sipas Premtim Fazliut nga drejtoria për Mirëqenie Sociale, nga muaji janar deri në muajin prill kanë qenë 17 lindje të kësaj kategorie.

Ndërkaq, ndihma përfshinë periudhën prej datës 1 janar 2022 dhe me mundësi që të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Në bazë të kalkulimeve të prezantuara, brenda një viti rreth 70 nëna lehona do jenë përfituese të kësaj skeme, ose në kosto financiare i bie 35 mijë euro. / KultPlus.com

Interesim i madh për filmin “Luaneshat e Kodrës”, 15-të termine brenda një dite

Filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit ka shënuar sukses të madh në festivale të rëndësishme nëpër botë, e së fundi do të prezantohet edhe në Cineplexx Kosova, ku do të jetë në repertor të rregullt të kinemasë, shkruan KultPlus.

Cineplexx Kosova ka njoftuar se për datën 12 maj ky film do të shfaqet në 15-të termine, pasi që interesimi për këtë film është i jashtëzakonshëm.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.

Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi./ KultPlus.com

Dua Lipa për Vogue hap një kapitull të ri: Viti im më transformues, kam ndryshuar në nivel personal (FOTO)

Për numrin e muajit qershor/korrik të Vogue UK, Dua Lipa hap kapitullin e saj të ri, duke zbuluar të gjitha pjesët e së kaluarës që i mbeten afër zemrës, shkruan Vogue, përcjellë KultPlus.

Fotografuar nga Tyler Mitchell dhe stiluar nga Jorden Bickham, Dua e mahnitshme përsëri e përsëri.

Këngëtarja britaniko-kosovare ka veshur pantallona Courrèges të ndezura, të argjendta që duken si gjysma e një kostumi hapësinor, dhe një palë vathë karabineri Eéra diamanti dhe jo vetëm. Dukjet e Duas në këtë set fotografik do të ju lënë shije tejet të mirë.

Këngëtarja Lipa, përderisa ka ndarë fotografitë me ndjekësit e saj, ka falënderuar edhe Jen Wang për tekstin me të cilin i shoqëron fotografitë duke u shprehur se ky vit ishte transformues për të.

“Faleminderit @byjenëang për fjalët e tua dhe që më ke kapur në këtë moment të jetës sime. Duke treguar çdo anë timen. Jam shumë mirënjohëse që kam këtë kopertinë për të më kujtuar vitin tim më transformues deri më tani, ku ndjej se kam lëvizur dhe kam ndryshuar jashtëzakonisht në nivel personal. Ndihem më e fortë në vetvete, krenare për udhëtimin që u desh për të më sjellë këtu dhe mirënjohës për të gjithë mbështetjen që kam marrë gjatë rrugës. Faleminderit ekipit të mrekullueshëm të Vogue për këtë moment që nuk do ta harroj kurrë”, ka shkruar Dua në Instagram. / KultPlus.com

“Mos bëni shumë llafe por kërceni”, Ronela jep një mesazh para Eurovisionit

Ronela Hajati ka dhënë një mesazh për të gjithë pak orë para gjysmëfinales së parë të Eurovision Song Contest.

Këngëtarja që do të performojë e para me këngën “Sekret” ka ndarë disa postime në Instastory ku shprehet se ndihet keq që kjo eksperiencë po përfundon kaq shpejt.

“E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është se kjo eksperiencë po mbaron shumë shpejt”, shkruan Ronela në Instastory.

Ndërkohë, në një tjetër postim, ku shihet që sapo është zgjuar nga gjumi, Ronela ka treguar edhe njëherë se është pa komplekse.

“Kjo është për shqiptarët në Shqipëri: Mos boni shumë llafe sot me moralizma por çohuni dhe kërceni”, shkruan Ronela. Por nuk ka harruar që t’ju kërkojë ndjekësve që ta votojnë. “Dhe kjo është për shqiptarët dhe çdo njeri tjetër: Mos harroni të votoni – 01 – sonte”, shkruan ajo. / KultPlus.com