Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi është shfaqur në skena të njohura botërore të operës, përderisa angazhimet e reja po vazhdojnë të jenë të njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.
Zëri i saj i veçantë e paraqitjet e fuqishme të artistes shqiptare, kësaj radhe kanë arrit të fitojnë një tjetër rol shumë të rëndësishëm për karrierën e saj artistike e i cili do ta dërgoj atë në Zvicër.
Roli madhështor i ‘Giovanna d’Arco’ në teatrin e St.Gallen në Zvicër konsiderohet një debutim i trefishtë në këtë shtet të madh.
Këtë sukses të radhës e ka pritur me shumë entuziazëm edhe vet artistja e cila për KultPlus ka thënë që ndihet e privilegjuar.
“Jam e privilegjuar të jem në rolin e titullit “Giovanna d’Arco” që do të shënojë debutimin tim të trefishtë: në rol, në teatrin e bukur Konzert und Theatre St.Gallen dhe duke kënduar për herë të parë në shtetin e Zvicrës. Mezi po pres!”, është shprehur Qerkezi. / KultPlus.com
Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”, të cilat prezantojnë traditat popullore, si trashëgimi gojore nëpër kohëra të përcjella nga njëri brez te tjetri.
Skulptura e trishtë e një gruaje paraqet legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua që kalaja të qëndronte, e të mos prishej në vazhdimësi. Kërkesa e saj për t’ia lënë gjysmën e trupit jashtë murit të kalasë që ta ushqente dhe të kujdesej për fëmijën e vogël, është pikërisht ajo që e bëri të veçantë këtë kala.
Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara fshatarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Gogomeli vihej për të pasur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e të mbjellave. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli (Picar) etj.
Ndërsa, pamja e bllokut paraqet mitin për shkundjen e plakave. Sipas gojëdhënave, një plakë kishte shkuar në mal me bagëti për ta shijuar motin e mirë e të ngrohtë, me diell të pranverës së hershme. Ajo po përshëndetej me dimrin, kur dimri kishte kërkuar ditë hua nga shkurti, për ta ngrirë plakën që po e ngacmonte. Kështu që nga ajo kohë e hershme akoma buron ujë nga shkëmbi në formë të një plake, për të cilin thuhet se janë “lotët e plakës”.
Posta e Kosovës, përmes këtyre pullave postare të Filatelisë së saj, prezanton me krenari para botës trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë, si dhe promovon Republikën e Kosovës. / KultPlus.com
Portreti i famshëm i artistit Andy Warhol i vitit 1964 në ekranin e mëndafshtë të Marilyn Monroe u shit për 195 milionë dollarë në ankand, një rekord për një vepër të një artisti amerikan.”Shot Sage Blue Marilyn” është nga një seri portretesh që Warhol i bëri aktores pas vdekjes së saj në 1962 dhe që atëherë është bërë një nga pjesët më të njohura të artit.
Vlerësimet e para-shitjes kishin arritur deri në 200 milionë dollarë. Shitja theu rekordin e mëparshëm për një vepër arti amerikane në ankand prej 110.5 milionë dollarësh të vendosur në vitin 2017 për një pikturë të vitit 1982 nga Jean-Michel Basquiat.
“Ne kemi shitur pikturën më të shtrenjtë të shekullit të 20-të. Unë jam shumë krenar për këtë…Unë mendoj se të gjithë janë shumë krenarë për këtë. Kjo është një arritje e madhe që nuk është për mua, por vetëm për Warhol dhe Marilyn… Vepra e artit e shekullit të 20-të, është çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë, afro 200 milionë dollarë”
Piktura është ndërtuar mbi një foto promovuese të Monroe nga filmi “Niagara” i vitit 1953, shfaqur me ngjyra të ndezura mbi sytë, flokët dhe buzët e saj.Titulli i referohet një incidenti në të cilin një grua qëlloi me një pistoletë në një grumbull me katër portrete të Marilyn në studion e Warholit, megjithëse “Shot Sage Blue Marilyn” nuk u godit nga një plumb./ KultPlus.com
Ekipi kosovar “Bad News Eagles” kanë përfunduar ndeshjen e tretë në turneun më të madh të lojës CS:GO, “PGL Antwerp Major 2022”.
“BNE” kanë triumfuar ndaj ekipit brazilian “Imperial” me rezultat (16:12), kështu duke arritur dy fitore prej tri ndeshjeve të zhvilluara.
Kujtojmë se pjesë e ekipit “Imperial” janë edhe legjendat: FalleN, fer dhe fnx të cilët kishin fituar Majorin vite më parë, por që nuk arritën të bëjnë diferencën përball djemve nga Kosova.
Deri më tani, “BNE” ka triumfuar kundër ekipit turk “Eternal Fire” dhe ekipit brazilian “Imperial”, teksa u mposhten nga ekipi rus “forZe”.
Në rast të një fitore të radhës, “BNE” do të kualifikohet në fazën tjetër të turneut. / KultPlus.com
Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal me gjyqtare Snežana Mihajlović në vendimin me numër P.nr.287/21 ka shqiptuar dënim me gjobë prej 300 euro dhe e ka cilësuar veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndaj të pandehurit i cili ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate YIHR.
Sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili rezulton në: dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”. Megjithatë, paragrafi 3 i po këtij neni thekson se ”kur vepra penale nga ky nen kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas…gjinisë…kryesi dënohet me: 3.1. burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet..”
Pra, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, aktakuzës dhe fakteve të rastit në fjalë, vlerësojmë se Gjykata Themelore në Gjilan ka dështuar në dhënien e një dënimi meritor për një vepër të tillë. Dënimi minimal për këtë vepër do të duhej të ishte 6 muaj burgim. Ndër të tjera, për shqiptimin e dënimit Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka marrë parasysh asnjërën nga rrethanat rënduese të rastit, të potencuara edhe në aktakuzë.
Dënimi skandaloz me 300 euro gjobë vetëm sa e legjitimon dhunën në familje e posaçërisht ndaj grave si një ndër grupet më të shtypura në shoqëri. Gjithashtu, dënime të tilla ndikojnë negativisht në besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë si dhe i dekurajojnë viktimat për raportimin e rasteve të dhunës në familje.
YIHR KS u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet dhe në përputhje me ligjin rastet e dhunës ne familje dhe kryersëve të veprave të tilla t’iu shqiptojnë dënime meritore.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të analizojë këtë rast dhe të funksionalizojë mekanizmat e saj në lidhje me rastet ku gjyqtarët nuk ushtrojnë detyrën e tyre përkitazi me legjislacionin në fuqi si dhe të ndërmarrë te gjitha veprimet e duhura drejt parandalimit te krimeve te tilla.
Ky rast është identifikuar pas kërkesës për qasje në dokumente publike nga monitoruesit/et e YIHR KS nëpër gjykatat themelore në Kosovë./ KultPlus.com
Sapo ka filluar ndeshja e tretë e ekipit kosovar – “Bad News Eagles” në turneun më të madh të lojës CS:GO, “PGL Antwerp Major 2022”.
“BNE” është duke luajtur kundër ekipit brazilian “Imperial”, pjesë e të cilit janë lojtarët legjendarë si FalleN, fer dhe fnx të cilët ishin fitues të dy turneve Major.
Për të shikuar ndeshjen LIVE me komentim shqip, ju duhet të klikoni: KËTU.
Kujtojmë se ditën e djeshme, “BNE” nisi rrugëtimin në këtë turne, ku arriti të triumfonte kundër skuadrës turke “Eternal Fire” ndërsa u mposhtën nga ekipi rus “forZe”.
“Bad News Eagles” ka edhe dy mundësi tjera për t’u kualifikuar në fazën tjetër të këtij turneu, i cili po zhvillohet në qytetin Antëerp të Belgjikës./ KultPlus.com
Qendra Multimedia sjell sonte në Teatrin ODA premierën e shfaqjes “Burrnesha”, shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Erson Zymberit dhe aktorë: Tringa Hasani, Semira Latifi e Kushtrim Qerimi.
Premiera vjen sonte më datë 10 maj nga ora 20:00.
“Burrnesha” është shfaqje e cila flet për fenomenin e virgjëreshave të përbetuara të cilat pas një vendimi të pakthyeshëm, heqin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra. Shfaqja poashtu ironizon me mënyrën se si ky fenomen është eksploatuar gjerësisht sidomos nga hulumtues ndërkombëtarë të cilët burrneshat i kanë parë si diçka ‘ekzotike’ duke i zhveshur nga agjencia dhe intimiteti që atyre ua ka garantuar akti i të kthyerit në burrnesha. Ato shpesh janë portretuar si relikte të një shoqërie skajshmërisht patriarkale.
Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.
“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqnore.
Për ata që nuk do të mund ta ndjekin shfaqjen në premierë, Qendra Multimedia do të sjellë edhe dy repriza më 11 dhe 12 maj nga ora 20:00 në Teatrin ODA. / KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, megjithëse rikujtuan se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha 30 vendeve anëtare të Aleancës.
Mbështetjen amerikane për Kosovën dhe aspiratat e saj në këtë drejtim e ka shprehur zëdhënësi i misionit të SHBA-së në NATO, Jeffrey Adler.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, tha Adler përmes një përgjigjeje me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë.
Jeffrey Adler po ashtu rikujtoi se “të gjitha vendimet e Aleancës, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do të kërkojë që të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe.
Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Se mosnjohja nga katër vendet anëtare mund të jetë pengesë politike për anëtarësimin e Kosovës në Partneritet për Paqe e ka thënë edhe një burim nga NATO javën e kaluar, duke rikujtuar gjithashtu parimin e miratimit të vendimeve me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.
Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë./ KultPlus.com
Veshja interesante e Ronela Hajatit që mori vëmendje në tapetin e kuq të Eurovisionit, po del të jetë e kopjuar.
Kjo paraqitje e saj u punua nga kreatori Festim Isufi, i cili me sa duket u inspirua tek një ilustrator brazilian i cili e ka akuzuar për kopjim përmes një postimi në Instagram.
Ai e ka publikuar fillimisht vizatimin në Instastory duke ua bërë me dije ndjekësve se është punim i tij, dhe në postimin më tej, artisti thotë se kjo ide u vodh “e nuk më janë dhënë as meritat”.
“Kanë përdorur dizajnin tim pa leje dhe nuk më janë dhënë as meritat”, ka shkruar ai, njofton Klankosova.tv.
Finalja e Madhe e Festivalit të Këngës në Eurovision 2022 do të zhvillohet në PalaOlimpico, një nga arenat më të mëdha të mbyllura të Italisë, të shtunën 14 maj me gjysmëfiinalet sonte dhe 12 maj./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar objektin e kompanisë së teknologjisë LinkedIn, ku thotë se është takuar me drejtuesit e kompanisë.
Në një postim të shkruar në profilin e tij në Twitter, kryeministri thotë se Kosova ofron një klimë të favorshme investimi për kompanitë e teknologjisë.
Lexo Edhe:
“Potenciali i rritjes së madhe të hapësirës së IT-së në Kosovë ofron një klimë të favorshme investimi për kompanitë e teknologjisë. Kjo nga ana tjetër do të sigurojë vende të reja pune me cilësi të lartë për njerëzit tanë, siç thash gjatë një takimi me drejtuesit e LinkedIn”, është shprehur ai./ KultPlus.com
Pa asnjë fjalë Me plot besim Pa asnjë rrahje qepalle Deti u hidhërua me mua Sepse desha t’ia tregoja Vetminë e vërtetë të arbëreshëve Bashkë me gjumin e pulëbardhave Për t’i bartur me varkën e shpëtimit Shumicën e ëndrrave të Motit të Madh Pakon e legjendave të fshehura Misterin e kujtimeve të pashkruara Që nuk i zbardhte dita U pajtua edhe Zef Chiaramonte Se vjershat e mallit kanë “vulë uji” Atje e pata takuar Marën e Gavrilit Rrinte në mesin e kopileve të katundit Pasi lëshoi një ofshamë arbëreshe Më shikoi drejt në sy Më pyeti a hidhërohet ndonjëherë deti Nuk kisha përgjigje Pastaj bëmë një foto të shpejtë Bashkë me poetin e Lumit Ishte vjeshtë e vitit dymijë e tre Mora vesh se Rina e De Radës Ende vallëzonte në sheshin e Shën Adrianit Dy mollët e kuqe i kishte lënë Te kroi i ri i psherëtimave Amanet për të dashuruarit Ta kujtonin puthjen e parë Pas pak Zef Serembe Filloi shtegtimin në Sao Paulo Me një çantë të zezë në dorë Asnjë dorëshkrim nuk e kishte harruar në Strigari Askush nuk besonte deri atëherë Se për dashurinë vdesin vetëm poetët U pajtuam pa asnjë dyshim Gjysma e dhimbjes së shkrumbuar Ishte përtej detit Gjysma tjetër mbeti këndej Se kur shkelim në tokë Nuk do të këpusim më asnjë lule Shpëtojmë nga uji njëherë e përgjithmonë Nga zjarri shpëtojnë vetëm lotët Prapë deti u hidhërua me mua Nuk thashë asnjë fjalë Sepse në ëndrrën e pambaruar Tashmë kishte ikur edhe vetmia
Gjuha Shqipe tashmë është lëndë zgjedhore në Universitetin e Harvardit në kuadër të departamentit të Letërsisë Krahasuese. Kjo u bë e ditur nga administratori i departamentit, Faton Limani.
Ai tha se gjithë kjo është arritur nga ai në bashkëpunim me Eva Stathi-Misho.
“Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm shumë të gëzueshëm sa i përket gjuhës sonë shqipe. Në bashkëpunim me bashkëkombasen dhe kolegen Eva Stathi – Misho kemi arritur që të fusim lëndën e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore për herë të parë në Universitetin e Harvardit për të gjithë studentët e të gjitha niveleve. Lënda e gjuhës shqipe do të ofrohet gjatë tërë vitit në tre nivele – njohuri fillestare (elementary), njohuri bazike (intermediary) dhe niveli i avancuar (advanced) në Departamentin e Letërsisë Krahasuese”, njoftoi Limani./KultPlus.com
“Falcone e Borsellino, 30 vite më pas” titullohet konferenca përkujtimore e mbajtur pasditen e sotme në qendrën kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, një organizim nga Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ekspertin e Guardia di Finanza-s në Tiranë.
Masakra e Capaci-t dhe ajo e Via D’Amelio-s qenë pika kulmore e sfidës përballë së cilës mafia vendosi institucionet demokratike të Italisë si dhe ngjarjet që tronditën ndërgjegjen e opinionit publik.
“30 vite më pas, është detyrë e jona të mbajmë gjallë kujtimin e viktimave e të nderojmë prokurorët të cilët mbartin vlera të mëdha morale, duke vijuar me përçimin e mësimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës italianë.
Konferenca përbën një moment reflektimi mbi fenomenin e mafias.
Konferenca “Falcone e Borsellino, 30 vjet më pas” synon të ndërthurë kujtesën dhe aktualitetin në kontrast me fenomenin mafioz kriminal dhe kulturën që e ushqen atë, duke promovuar një pedagogji qytetarie aktive, të bazuar tek idealet dhe parimet frymëzuese të Kushtetutës italiane.
Kujtesa është një akt i plotë marrje përgjegjësie shoqërore kur kthehet në ushtrim të vetëdijshëm të të drejtave dhe praktikë e detyrave të afrimitetit qytetar. Lufta kundër pushteteve kriminale kërkon konsolidimin e urës që bashkon të shkuarën me të tashmen për ta parë të ardhmen si një kohë shprese dhe mundësish të reja kohezioni politik dhe shoqëror. Rrëfimi kthehet në qëndrushmëri kur fjalët e së djeshmes marrin në të tashmen një forcë shprehëse të ripërtërirë duke u shndërruar në shembull dhe model.
Simpoziumi synoi të eksplorojë këto kategori interpretuese përmes një debati shumëzërash, duke u ndalur si në rindërtimin historik të klimës së atyre viteve, ashtu edhe tek strategjitë e mëpasshme të kontrastit rregullator, gjyqësor dhe kulturor të fenomenit kriminal me origjinë mafioze.
Në këtë iniciativë të promovuar nga Ambasada Italiane, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ekspertin e Guardia di Finanza në Shqipëri, morën pjesë senatori Sandro Ruotolo, Bernardo Petralia ish-prokuror i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Reggio Calabria-s, Ignazio Gibilaro gjeneral i Korpusit të Armatës, komandant ndërrajonal i Guradia di Finanza të Italisë Jugore, Gaetano Calogero Paci zëvendësprokuror i Drejtorisë Antimafia të Rajonit Reggio Calabria, Alessandra Camassa kryetare e Gjykatës së Marsala-s, Don Giovanni Battista Tillieci famulltar i San Gaetano Catanoso-s ne Gioia Tauro, Kisha e parë e ndërtuar mbi një terren të konfiskuar ndraghetas.
Gjithashtu, konferenca dëgjoi në lidhje online dëshminë e Salvatore Borsellino-s, vëllait të gjykatësit që u vra nga mafia në masakrën e Via D’Amelio-s.
Diskutimi u moderua nga Giancarlo Costabile, Profesor i Historisë së Edukimit për Demokraci dhe Legalitet pranë Universitetit të Kalabrisë./atsh/KultPlus.com
Sot fillon edicioni i 6-të i “Prishtina International Theater Festival”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtarë, që organizohet në Kosovë.
Edicioni i 6-të i festivalit “Pitf 2022” do të mbahet nga 10 maj duke filluar nga ora 20:00 me hapjen solemne dhe do të vazhdoj deri më 16 Maj, në Kolegjin AAB në Prishtinë.
Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit,” Prishtina International Theater Festival”, këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Spanjës, i cili vend merr pjesë për herë të parë me shfaqje në këtë festival.
Më pas vazhdohet me shfaqje nga Maqedonia e veriut, nga Italia, Mali i Zi dhe gjithashtu edhe me dy shfaqje nga Kosova. Shfaqja “I Left”, e para shfaqje garuese nga Spanja, do të jepet në ora 20:30 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”.
Festivali ka karakter garues dhe përbëhet nga një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali “Pitf 2022” shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan Çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.
Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve. / KultPlus.com
Edicionin e tij të 12-të, festivali ‘Chopin Piano Fest’ e nisi mbrëmë me interpretimin e pianistit nga Spanja, Martín García García, i cili nën tingujt romantik solli vepra që lanë gjurmë të dukshme në tërë historinë e rrugëtimit të festivalit. Me vepra të cilat në vete përmbanin vija melodike aq të pasura, gjallëria dhe shpejtësia e pakrahasueshme e pianistit do të ishin ato rrënjët e dalluara të talentit të tij që për tërë natën sollën tinguj të cilat lulëzonin midis dinamikës dhe ndjeshmërisë, me ç’rast emocioni që portretizohej pa shkujdesje në çdo moment, arriti të vulosë edhe kulminacionin e secilës kryevepër, shkruan KultPlus.
Për dallim nga edicioni i kaluar, Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur cak më cak. Fytyra të shumta të të rinjve, atyre në moshë si dhe të fëmijëve po përshkonin tërë sallën e cila dukshëm kishte përdorur tërë hapësirën e mundshme. Me karrige të shtuara në numër, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që kanë qenë dëshmitar për punën e palodhshme të pianistit, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej, dritës natyrale që vinte pingul nga qielli mbi kokën e të pranishmëve si dhe perdet në ngjyrë të zezë që portretizonin dizajnin e këtij edicioni të festivalit, kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë që po rriste emancipimin e publikut i cili me padurim po priste të përjetonte një natë të mbushur me plot veçanti.
Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian, pastaj shpalosi edhe një nga risitë më të veçanta të këtij edicioni.
“Sivjet e fillojmë festivalin me një ditë shumë të veçantë për të gjithë ne, në ditën e Evropës duke shënuar edhe për herën e parë bashkëpunimin tonë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndihemi të nderuar me ardhjen e pianistit virtuoz nga Spanja, Martín García García i cili është një nga fituesit e çmimit të garave të Chopeni-t në Varshavë në vitin 2021, një nga konkurset më të mëdha e më të rëndësishmet në botë. Njëkohësisht jemi të privilegjuar të jemi pjesë e projektit SYNERGY së bashku me pesë festivalet më të rëndësishme nga rajoni. Qëllimi kryesor i festivalit është prezantimi dhe kultivimi i vlerave të mirëfillta artistike muzikore por edhe vlerave të muzikës së vendit tonë”, thotë Pula.
Sipas saj, i gjithë programi koncertal që është përgatitur për publikun, ka për synim të paraqes çaste të paharruara të përjetimit artistik, ku përgjatë një muaji përmes 14 koncerteve shpalosen programet e larmishme të nivelit më të lartë artistik.
Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 12 viteve në një sallë e cila nuk është e duhur për këto koncerte.
“Rrugëtimi i gjatë prej 12 viteve ka qenë i mundur vetëm falë përkrahjes së shumë institucioneve dhe siç e dimë ne ende nuk e kemi një sallë koncertale. Por për këto vitet e fundit, për fat të mirë, kemi gjetur hapësirën që na ka ofruar Universiteti i Prishtinës, në një sallë e cila nuk është për koncerte por ne e kemi shndërruar në një të tillë. Përpos punës tonë akademike, mundohemi që edhe me këtë festival të ofrojmë një kontribut gjithë shoqërisë tonë dhe komunitetit artistik”, thotë Luzha.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se ky festival është një dritare lidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare.
“Ky festival këtë vit po organizohet për të dymbëdhjetën herë dhe mbajtja në jetë me sukses për një periudhë kaq të gjatë të kësaj ngjarjeje kulturore në këtë mënyrë dhe shndërrimi në një ngjarje tradicionale, paraqet në vetvete sukses të veçantë. Ky festival tradicionalisht ka sjell në vendin tonë, artistë të mirënjohur ndërkombëtarë nga mbarë bota, duke shërbyer kështu si një dritare ndërlidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Chopin Piano Fest ka mundësuar ndër vite që përveç prezantimit të veprave nga artistë ndërkombëtarë, përpara artdashësve të Kosovës, të ofrojë mundësi të përkryer edhe për artistë të rinj nga Kosova në mënyrë që ata të prezantohen me kontributet e tyre artistike para emrave të njohur ndërkombëtarë”, thotë Sahiti.
Sipas tij, për UP-në, ngjarjet si kjo sjellin freski në aktivitete të zakonshme akademike dhe po ashtu ndihmojnë në pasurimin e jetës kulturore për studentët dhe mësimdhënësit.
Tutje, ambasadori Tomáš Szunyog ka uruar ditën e Evropës dhe në të njëjtën kohë ka përgëzuar të pranishmit për këtë aktivitet.
“Është kënaqësi dhe privilegj që jam këtu në këtë mbrëmje për hapjen e këtij edicioni në Prishtinë. Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe jam shumë mirënjohës që ju na leni të shijojmë muzikën tuaj në këtë rast të veçantë. Jam i kënaqur që shoh një kulturë të tillë shkëmbimi. Në fund të fundit, muzika dhe kultura na lidh të gjithëve dhe kjo mbrëmje nuk do të jetë ndryshe nga ajo”, thotë Szunyog.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e konsideroi këtë festival si njërin ndër më të rëndësishmit si dhe e cilësoi atë si një nga ngjarjet që ka kontribuar në futjen e Kosovës në hartën botërore.
“Besoj që nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar një ditë kaq të rëndësishme për shtetin tonë dhe për të treguar ambiciet tona evropiane sesa me një koncert pianistik, me rastin e hapjes ‘Chopin Piano Fest Prishtina’. Është një nga festivalet më të rëndësishme në vendin tonë dhe një nga ngjarjet që ka ndikuar e kontribuar që Kosova të futet në hartën jo vetëm evropiane por edhe botërore. Unë vetëm dua të shpreh mirënjohjen time të thellë personale dhe institucionale për profesoreshën Lejla, Besa dhe të tjerët. Andaj, do të doja të ju ftoja që me një duartrokitje ta shprehim mirënjohjen tonë për punën kolosale që kanë bërë sepse ky organizim nuk është më vetëm një festival por është një histori”, thotë Çeku.
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë fillimisht një vepër e cila vuri në shënjim solidarizimin me Ukrainën me një mesazh për paqe, dashuri dhe mirësi në mes njerëzish.
Martín García García, pianisti nga Spanja me veprat e kompozitorit të njohur J.S.Bach të titulluara “Prelude and Fugue g-mol BWW, Book II”, “Prelude and Fugue C-dur BWW, Book I” dhe “Prelude and Fugue D-dur BWW, Book I”, solli një fillim që lehtazi kaploi të pranishmit në befasi me përqendrimin preciz të tij. Skena u shndërrua në trupin e tij të dytë dhe hija e atij trupi krijoi një çati mbi të pranishmit të cilët ishin dëshmitarë për ritmin dinamik, kërcimet trupore të tij si dhe ato të kokës me ç’rast kaçurrelat e tij kërcenin në një hap me meloditë që pa ndalur krijuan një atmosferë magjike.
Lëvizjet e tij të gishtërinjve, pozicionimi i trupit herë afër çelësave bardh e zi e herë sa më larg tyre, fuqia ndëshkuese kundrejt çelësave dhe tasteve, vështrimet e tij drejt instrumentit gjigand para tij si dhe djersët që i rrëshqitnin nga vetullat, shpalosën efikasitetin e këtij pianisti i cili me talentin e tij mbrëmë e strehoi një numër të madh njerëzish, trupat e të cilëve ishin kthyer në statuja muzesh teksa sytë e tyre fluturonin në drejtim të skenës. Ndërsa veshët e të pranishmëve përjetonin melodi e tinguj që jehonin përbrenda shpirtit të njeriut, pianisti vazhdonte të interpretonte me një butësi e cila dallohej në fytyrën e tij.
Pianisti García García përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një program i cili tregoi për nivelin e tij të lartë artistik. Herë në frymë romantike e herë në atë më të ashpër, në çdo moment, ai pushtoi vendin me lojën e tij pianistike. Vetëm një piano mjaftoi që shprehjet e tij të fytyrës të ndërronin nga sekonda në sekondë për të sjell kështu tinguj që hapnin krahët në drejtimin e publikut dhe vallëzonin me dashurinë që shihej në sytë e tyre për interpretimin e momentit. Ndërkaq, lidhja e veçantë e pianistit me pianon e zezë u vërejt edhe në komunikimin e tij artistik me të pranishmit të cilët kishin ngulitur vëmendjen e tyre drejt skenës. Performanca e tij plot fuqi ripushtonte vetveten në secilën herë që meloditë ndërronin kahje, tingujt rëndoheshin dhe zemrat fillonin të rrihnin më shpejt.
Madhështia unike e interpretimit pianistik, mjeshtëria e atij që e zoton skenën, ndërlidhja e një emocioni me tingullin, lëvizjet në kërcim me notën, pasioni i vizatuar në shprehjet e fytyrës, puna e palodhshme pa një partiturë para, lënia e shpirtit përballë botës melodike, ishin këto vetëm disa nga pjesët kyçe që publiku ka arritur të përjetojë. Njeriu i pranishëm tërhiqej vazhdimisht nëpër skutat magjike të lojës interpretuese të pianistit i cili mbrëmë i derdhi ato me një lehtësi të paparë.
Ndërkaq, ishin duartrokitjet e shumta e të panumërueshme, ato të cilat po ashtu u futën nëpër heshtjet e shumta në sallë. Në çdo mesin e një vepre, duartrokitjet pëlcitnin papritmas dhe ishin pikërisht heshtjet precize brenda veprës ato që u mbushën me falënderimet nga ana e publikut që i shpërfaqën në një mënyrë tejet të ëmbël. Si një pjesë e një enigme, edhe publiku u shndërrua në copëzën e fundit, për të kompletuar kështu një natë e cila përherë do të mbetet unike në llojin e vetë.
Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të tij, brohoritjet mbizotëruan vendin. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë dhe si një falënderim i mëtejshëm, ishte kthimi i pianistit për të dytën herë në sallë për të sjell edhe copëza tjera artistike.
Misteri i magjisë pianistike do të jetë ai që do e përndjek piansitin Martín García García nëpër çdo vend që ai shkel. Ndërsa, mrekullia që ai solli mbrëmë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’ do mbetet për ne një mister i paharrueshëm dhe gjurmët e tij do të mbesin brenda katër mureve të shpirtit artdashës.
Pianisti Martín García García për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Ndihem shumë mirë sepse nuk e prisja një reagim kaq pozitiv dhe ndjeva një pritje shumë të ngrohtë. Ata iu përgjigjën aq mirë gjithçkaje që i dhashë audiencës, kështu që jam shumë mirënjohës që më patën sonte këtu. Kosova është një vend shumë interesant në botë. Sa herë që vizitoj një vend të ri, më vijnë disa ide dhe këtë herë është shumë interesante, sepse ndihem sikur ky vend meriton shumë më tepër nga koha ime”, thotë García García.
Sipas tij, ai pranoi ofertën e drejtoreshës së festivalit për arsye se ndjeu një intuitë tejet të bukur.
Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përzgjedhjes së këtij artisti për këtë natë, për KultPlus foli drejtoresha artistike Lelja Pula.
“Unë këtë pianist e kam dëgjuar në muajin tetor kur isha prezente në një festival dhe ai ishte në raundin e tretë dhe në fund ai e fitoi praktikisht çmimin e dytë të atij festivali por për mua personalisht ai ishte më i miri dhe mua më pëlqej jashtëzakonisht shumë performanca e tij. Isha e mahnitur dhe e kontaktova menjëherë dhe ai pa asnjë hezitim e pa asnjë pyetje, me shumë dëshirë ka ardhur këtu”, thotë Pula.
Sipas saj, kjo sallë ndonëse nuk është më e duhura, së paku ka një akustikë të mirëfilltë që është shumë e rëndësishme për një koncert të tillë.
“Kemi 14 koncerte brenda kornizës një mujore, me programe të ndryshme dhe risinë me një mbrëmje të improvizimit ‘jazz’ me Arben Ramadanin dhe Arben Xhaferin, e kjo do të jetë padyshim shumë interesante. Pastaj do të kemi më shumë duo, trio, instrumente nga më të ndryshmet, pastaj një Kuintet nga Katanja. Besoj që shija e secilit do të ketë vend në këtë edicion”, përfundon ajo.
Gjithashtu, pianistja Alberta Troni për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth natës së parë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’.
“Shpresoj që publiku është ndarë shumë i kënaqur pasi që pianisti është duartrokit shumë gjatë dhe është kthyer shumë gjatë duke u kthyer dy herë për të luajtur përsëri. Jemi shumë të gëzuar që filluam me një vullnet të bukur këtë edicion dhe faktikisht përzgjedhja e këtij pianisti ishte tejet e bukur, i cili ka fituar garën e Chopen-it në Varshavë. Relativisht i ri por ai është një pianist virtuoz që koncerton nëpër të gjitha vendet e botës. Ajo që më pëlqeu ishte që filluam me një pianist shumë të njohur dhe publiku ishte shumë i entuziazmuar”, thotë Troni.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Bernardo Brizani dhe Misbah Kacamaku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com
Mbrëmë në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës është shënuar Dita e Evropës, me ç’rast Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës i ka ndarë edhe çmimin tradicional “Evropiania e Vitit”, Fahrije Hotit, ku fillimisht ishte bërë një thirrje që të votohet një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit, andaj dhe Fahrije Hoti është votuar më së shumti për këtë emërtim, shkruan KultPlus.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e hapi këtë mbrëmje me një fjalim shumë të veçantë kushtuar Ditën së Evropës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për BE-në.
“9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë. Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullenti politik për t’i shërbyer këtij ideali. BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës”.
Szunyog e falënderoi Qeverinë e Kosovës për rrështimin e kësaj të fundit me BE-në, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe gatishmërisë së tyre për të mirëpritur e strehuar efugjatë dhe gazetarë nga Ukraina.
“Dua të theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë.
Ambasadori theksoi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe nuk ka alternativë tjetër.
“Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.
Ai u shpreh krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë e mbylli këtë fjalim duke uruar Ditën e Evropës.
Pas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ftua për një fjalim rasti, ku edhe bëri thirrje të vazhdueshme që tani është momenti më i përshtatshëm që Kosova të bashkohet në familjen e madhe evropiane.
“Pikërisht sot në këtë përvjetor po ballafaqohemi poashtu me një realitet të ri i cili është shumë ndryshe prej asaj që jemi mësuar, së paku qe dy dekada ta kemi në Evropë. Që nga 24 shkurti i këtij viti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ta pushtojë Ukrainën, jemi duke jetuar një realitet të ri shumë të rrezikshëm dhe me plotë dhimbje nga ajo se çka po shohim dhe ajo që po e përjeton populli ukrainas sot”, deklaroi Konjufca.
Konjufca bashkëndjeu me Ukrainën, duke kujtuar edhe luftën e fundit në Kosovës.
“Siç e dini, populli dhe Republika e Kosovës ende i kanë të hapura plagët, e të freskëta dhimbjet dhe të paharrueshme traumat e përjetuara nga agresioni i Serbisë, si dhe nga pushtimi që u manifestua me gjenocid, prandaj mund të them se ne për së afërmi mund të bashkëndjejmë me përjetimet nëpër të cilat po kalon në këtë kohë të vështirë populli i Ukrainës. Unë dua të ritheksoj dhe t’iu bëjë thirrje përfaqësuesve evropianë se jemi në një moment përcaktues të integrimit evropian për Republikën e Kosovës, andaj pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi bashkë për ta mbrojtur e për ta përshpejtuar konsolidimin e projektit të Bashkimit Evropian duke e integruar edhe Kosovën, por së bashku edhe me 6 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian”.
I pari i Kuvendit përmendi edhe pjesën e orientimit të Kosovës përkrah vendeve të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe adresimin e institucioneve të Kosovës me veprime konkrete në këtë drejtim.
“Ju ftoj që së bashku të kontribuojmë të gjithë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë liberalizimin e vizave, për të cilën të drejtë aq shumë kemi punuar së bashku dhe jemi angazhuar për reforma sipas standarteve të nivelit evropian. Pa Kosovën, mozaiku i familjes së bashkuar të Evropës nuk mund të quhet i plotësuar, si dhe vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë të fuqishme themelet e BE-së’, përfundoi ai.
Në anën tjetër, pas dy fjalimeve erdhi edhe te momenti për të cilin ishin mbledhur të gjithë njerëzit në sallë, e që kishte të bënte me ndarjen e çmimit “Evropiania e Vitit” për Fahrije Hotin. Fillimisht u bë prezantimi i të nominuarve të tjerë dhe më pas u bë edhe dorëzimi i çmimit.
Hoti këtë çmim ia kushtoi gjithë grave të Kosovës, e sidomos ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët.
“Unë ndjehem shumë e privilegjuar sot këtë çmim. Ky çmim i dedikohet të gjitha grave të Kosovës. Të gjitha ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët. Sakrifica e grave të Krushës, bashkë me mua, ka qenë një rrugëtim i suksesit, nuk e kemi mendu dhimbjen për të kaluarën por të ardhmën e fëmijëve tanë. Faleminderit të gjithëve, ata që iu bashkuan këtij rrugëtimi, më votuan dhe më përkrahën, e unë sot jam e ndershme që jam pranë juve këtu”, përfundoi ajo duke falënderuar edhe një herë të pranishmit dhe mbështetësit.
Të izoluar në zemër të Evropës, qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin dokumente për të cilat nuk kanë dëgjuar kurrë më parë, në mënyrë që të rrisin shpresën e tyre për të aplikuar për vizë. Përkundër faktit se shteti më i ri në Evropë mund të udhëtojë pa viza vetëm në katër shtete, më pak se çdo shtet tjetër në botë, megjithatë kjo nuk e pengon Kosovën që ta festojë vit pas viti 9 majin, Ditën e Evropës
Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave filloi në vitin 2012 kur Komisioni Evropian dorëzoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Por edhe pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të marrin mbështeteje për liberalizimin e Kosovës, një premtim i tillë nuk i është plotësuar edhe Kosovës. /KultPlus.com
Jam i lodhur, kjo është e qartë, Sepse, në një pikë të caktuar, njerëzit duhet të jenë të lodhur. Nga çfarë jam i lodhur, nuk e di: Do të ishte e padobishme që ta di, Ngaqë lodhja mbetet e njëjtë. Plaga dhemb se dhemb Dhe jo nga shkaku që e ka prodhuar. Po, jam i lodhur, Dhe ndonjëherë i buzëqeshur. Se lodhja është: Në trup, një dëshirë për gjumë, Në shpirt, një dëshirë për të mos menduar Dhe, mbi të gjitha, një tejdukshmëri shkëlqyese E të kuptuarit retrospektiv… Dhe a ndryshon epshi pa pasur shpresa? Jam inteligjent: kjo është e gjitha. Kam parë shumë dhe kam kuptuar shumë nga ajo që kam parë, Dhe është një kënaqësi e veçantë Edhe në lodhjen që kjo na sjell, Që në fund koka ende shërben për diçka.
Përktheu nga spanjishtja: Butrint Haxha / KultPlus.com
Korporata amerikane Apple Inc. ka rekrutuar një drejtuese shqiptare nga Ulqini që prej kohësh ka drejtuar kompaninë Ford Motor Co. në Shtetet e Bashkuara.
Ajo është punësuar për t’i ofruar prodhuesit të iPhone ekspertizën e automobilave, duke sinjalizuar se projekti i saj misterioz i makinës është ende gjallë.
Desi Ujkashevic, drejtorja globale e inxhinierisë së sigurisë në Ford, do t’i bashkohet përpjekjeve të gjigantit të softuerit për të zhvilluar një makinë elektrike dhe utonome, e cila është vonuar për çështjet rregullatore dhe largimet e ekzekutivit.
Ujkashevic mbajti disa role që kur iu bashkua Fordit 31 vjet më parë, duke përfshirë zhvillimin e automjeteve elektrike, të jashtme dhe të brendshme të automjeteve dhe komponentëve të shasisë. Ajo ka punuar në një sërë makinash SUV Ford dhe Lincoln, si dhe makina kompakte të Ford-it, Fiesta dhe Focus.
Së fundmi, ajo ka qenë përgjegjëse për të gjithë programin aktual dhe të ardhshëm të strategjisë së sigurisë (përfshirë automjetet autonome), bërjen e rregullave të korporatës, zhvillimin e strategjisë së avancuar, veprimet e shërbimit në terren dhe pajtueshmërinë me programin e sigurisë, sipas biografisë së saj në faqen e internetit të Ford. Ajo ishte më parë drejtore e inxhinierisë për programet e automjeteve të Amerikës së Veriut.
Apple dhe Ford kanë marrë pa leje nga grupi i talenteve ekzekutive të njëri-tjetrit që kur kompania me bazë në Cupertino, Kaliforni lançoi të ashtuquajturin Projekti Titan në vitin 2014. Projekti është ndoshta sekreti më i njohur i Silicon Valley dhe thashethemet kanë qarkulluar rreth ekzistencës së tij prej vitesh. Në vitin 2017, CEO i Apple, Tim Cook, e pranoi publikisht programin dhe tha se kompania ishte e fokusuar në sistemet autonome të drejtimit.
Shumica e lajmeve jashtë programit në pesë vitet që nga komentet e Cook kanë qenë për punësime të reja ose largime të profilit të lartë. Në shtator, Ford punësoi ekzekutivin inxhinierik Doug Field, i cili kishte udhëhequr ekipin e projekteve speciale të Apple, për t’i ofruar prodhuesit të automjeteve ekspertizë në softuer dhe teknologji të përparuar. Field, një ish-ekzekutiv i Tesla-s që ndihmoi në lançimin e Model 3, u zëvendësua nga udhëheqësi i Apple Watch, Kevin Lynch. Lynch tha se ai synon të sjellë një makinë në treg në vitin 2024./Express/ KultPlus.com
Apple, Google dhe Microsoft kanë njoftuar se duan të eliminojnë përgjithmonë nevojën për shërbimet dixhitale me fjalëkalime.
Për këtë ata do të zhvillojnë një infrastrukturë për të lejuar hyrjen pa një çelës alfanumerik në telefonat inteligjentë (Android dhe iOS), kompjuterë (Windows dhe macOS), shfletues (Chrome, Edge dhe Safari), që duhet të fillojë të funksionojë që në fillim të vitit të ardhshëm.
Tre gjigantët e teknologjisë u mblodhën nga Aleanca Fido, kompania e themeluar në vitin 2013, misioni i deklaruar i së cilës është “të promovojë standardet e vërtetimit që ndihmojnë në reduktimin e varësisë së tepërt të botës nga fjalëkalimet”. Lajmi vjen pak ditë nga Dita Botërore e Fjalëkalimit’ më 5 maj.
Sipas raportit vjetor të Verizon për shkeljet e të dhënave kibernetike, 80% e tyre shkaktohen ende nga fjalëkalime të pasigurta dhe kredenciale të dobëta. Siç shpjegohet në një shënim zyrtar të Apple, pasi sistemi të jetë aktiv, mund të përdorni telefonin inteligjent për të hyrë në një aplikacion ose shërbim në ueb, pavarësisht nga softueri operativ ose shfletuesi në përdorim. I njëjti operacion që kryejmë disa herë në ditë për të zhbllokuar telefonin, nga njohja e fytyrës dhe e gjurmëve të gishtave deri te kodet, do të mjaftojë për të hyrë në faqet dhe aplikacionet, si një mjet i shpejtë dhe i sigurt vërtetimi. Përdoruesit do të jenë gjithashtu në gjendje të aksesojnë automatikisht kredencialet e tyre në pajisje të shumta, pa pasur nevojë të riregjistrojnë secilën llogari. Megjithëse Apple, Google dhe Microsoft kanë mbështetur prej kohësh standardin e hyrjes pa fjalëkalim të krijuar nga Fido Alliance, por ende nuk ka ndërveprim ndërmjet platformave, aplikacioneve dhe standardeve të sigurisë së këtyre kompanive. Sipas tre gjigantëve, risia do ta bëjë shumë më të vështirë për hakerët vjedhjen e informacionit të hyrjes, duke pasur parasysh mungesën e çelësave në numra dhe shkronja dhe praninë e thjeshtë të telefonit inteligjent si një mjet identifikimi. /Ansa/BalkanWeb/ KultPlus.com
“Kam mësuar” nga William Shakespeare përbën ndoshta mësimet më të mëdha të dramaturgut tënjohur anglez. Janë mësimet që autori ka nxjerrë përgjatë jetës së tij dhe që vendosi t’i ndante me të gjithë. Njëkohësisht, edhe pse kohërat kanë kaluar, janë mesazhet që vlejnë ende në ditët e sotme për të gjithë ne.
“Kam mësuar se nuk mund të kërkoj dashuri nga të gjithë. Unë mund t’u jap arsye të mira për tëmë pëlqyer dhe pastaj të tregoj durim që jeta të merret me pjesën e mbetur. Kam mësuar se pavarësisht se disa gjëra janë të rëndësishme për mua, disa njerëzve nuk u interesojnë ato dhe nuk kam pse t’i bind për t’i pëlqyer. Kam mësuar se mund të shpenzoj vite për të ndërtuar një tëvërtetë dhe ta shkatërroj atë në disa sekonda.
Unë mund ta përdor sharmin tim për 15 minuta, por pas kësaj duhet ta kuptoj për çfarë jam duke folur. Kam mësuar se mund ta bësh diçka në një minutë dhe pastaj të duhet të mbash përgjegjësi për atë gjë përgjatë gjithë jetës. Kam mësuar se mund të duhet shumë punë për t’u bërë personi që dëshiron të bëhesh, ama duhet të tregosh edhe durim. Por kam mësuar edhe se çdokush mund të shkojë përtej kufijve që i vendos vetes.
Kam mësuar se duhet të zgjedh midis kontrollit të mendimeve të mia, ose të jem i kontrolluar prej tyre. Kam mësuar se heronjtë janë njerëz që bëjnë atë që mendojnë se duhet të bëjnë në njëkohë të caktuar, pavarësisht frikërave të tyre.
Kam mësuar se falja kërkon shumë praktikë. Kam mësuar se në kohëra të vështira, ndihma mund të të jepet nga një person që kurrë nuk e mendoje se do të bënte mirë. Kam mësuar se nuk duhet t’i thuash asnjëherë një fëmije se ëndrrat e tij janë të pamundura për t’u realizuar. Kjo gjë mund të jetë tragjike për ta.
Kam mësuar se nuk mjafton të të falin të tjerët, duhet ta falësh fillimisht veten tënde. Kam mësuar se pavarësisht se zemra ime mund të lëndohet, bota nuk do të ndalet për këtë arsye. Kam mësuar se situatat e kaluara në fëmijërinë time janë përgjegjëse për atë që jam, por jo për zgjedhjet që unë bëj si një i rritur. Kam mësuar se kur dy njerëz debatojnë, kjo gjë nuk do të thotëse ata e urrejnë njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as se e duan njëri-tjetrin.
Kam mësuar se sado t’i mbroj fëmijët e mi, ata do të lëndohen një ditë. Kjo gjë është pjesë e jetës. Kam mësuar se jeta ime mund të ndryshojë përgjithmonë në disa orë, për shkak të disa njerëzve që mund të mos i kem parë ndonjëherë më parë.
Kam mësuar se diplomat në mur nuk të bëjnë më të respektueshëm, apo më të zgjuar. Kam mësuar edhe se fjalët e dashurisë e humbasin kuptimin e tyre, kur përdoren pa pjekuri. Kam mësuar se disa njerëz largohen nga jeta jonë, edhe pse ne do të donim t’i kishim pranëpërgjithmonë. Kam mësuar, mbi të gjitha, se është e vështirë të jesh xhentil, të mos i lëndosh tëtjerët dhe të mësosh të luftosh për gjërat që beson”./bota.al/ KultPlus.com
Në fjalimin e tij me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kancelari gjerman, Scholz kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë, dhe akuzoi Putinin për manipulim të historisë në lidhje me Ukrainën.
Përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore këtë 8 dhe 9 Maj është errësuar nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim të posaçëm dje me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8 Maji 1945 shënon kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Por 8 Maji 2022 e gjen Europën në një luftë të re. Scholz përmendi në këtë kontekst përgjegjësinë historike të Gjermanisë, nga e cila rrjedh përgjegjësia për mbështetjen e Ukrainës. Gjermania e ka nxjerrë mësimin qendror nga historia katastrofike mes vitete 1933 dhe 1945, tha Scholz: “Kurrë më! Kurrë më luftë. Kurrë më gjenocid. Kurrë më sundim të dhunës. E megjithatë ka ndodhur sërish luftë në Europë.” Për kancelarin gjerman kjo mund të nënkuptojë vetëm “ne ndihmojmë me qëllim që të marrë fund dhuna.” Për këtë arsye janë dërguar për herë të parë armë në një zonë lufte, tha Scholz.
Si “poshtërsi dhe manipulim të historisë” e quajti Scholz barazimin e “luftës barbare sulmuese” që po zhvillon Rusia me luftën kundër nacionalsocializmit. “Gjermania atëherë ka qenë fajtore me të dyja kombet, atë rus dhe atë ukrainas. Me të dy ne synojmë prej dekadash pajtimin”, tha Scholz. Por tani presidenti rus kërkon të nënshtrojë Ukrainën, të shkatërrojë kulturën dhe identitetin e saj. Kancelari gjerman premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën, edhe armë të rënda. “Ne e mbështesim Ukrainën në luftë kundër agresorit. Të mos e bësh këtë do të thotë kapitullim para dhunës së qartë dhe forcim i agresorit.”
“Ndërrim epokash”
Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Steinmeier bëri fjalë për një “ndërrim epokash”. 8 Maji nuk ka qenë vetëm një ditë e kujtimit dhe paralajmërimit, por “për një kohë të gjatë” edhe një “ditë e shpresës”, tha Steinmeier në Kongresin Federal të Shoqatave të Sindikatës Gjermane, DGB. “Por sot në këtë 8 Maj është shkatërruar ëndrra e një shtëpie të përbashkët europiane; makthi ka zënë vendin e saj”, tha presidenti gjerman. “Ky 8 Maj është një ditë e luftës.” /DW/ KultPlus.com
“Ne shohim me sy, por shohim edhe me tru. Të shohësh me tru është ajo që shpesh e quajmëimagjinatë. Ne bashkëjetojmë me peizazhet e imagjinatës sonë, me peizazhet tona të brendshme. Kemi bashkëjtuar me to përgjatë gjithë jetës. Por ekzistojnë edhe haluçinacionet dhe këto janëdiçka ndryshe. Ato nuk duket të jenë një krijesë e jona dhe as mund t’i mbajmë dot në kontroll.Duket sikur vijnë nga jashtë dhe e kufizojnë perceptimin tonë. Ajo që sheh apo që ndjen, ndodh jashtë teje, të fut frikën. Ti sheh rreth vetes dhe nuk e di nga vjen”.
Këto janë fjalët e Oliver Sacks, neurolog dhe shkrimtar i njohur anglez. Fjalët e tij janë përdorur në filmin e njohur “A beautiful mind”, i cili është ndërtuar mbi bazën e haluçinacioneve. Ashtu siç shprehet neurologu, haluçinacionet duket sikur vijnë nga jashtë, përderisa nuk i kontrollojmëdot si mendimet tona të zakonshme.
Këtë tematikë vendosa ta sillja me foto nga filmi “A beautiful mind” (“Një mendje e bukur”, jua sugjeroj ta shihni, mund ta gjeni edhe në Netflix). Kush e ka parë këtë film, me siguri e ka kuptuar mesazhin e tij. Një haluçinacion mund të ndodhë për shumë arsye. Përveç fenomeneve patologjike, si çrregullimet neurologjike apo psikiatrike, haluçinacionet mund të shkaktohen edhe nga konsumimi i disa medikamenteve, mungesa e gjumit, stresi i fuqishëm dhe traumat.Përveç shkaqeve të tilla kryesore, shtohen edhe haluçinacionet e shkaktuara nga çrregullimet e gjumit.
Nëse shihni dikë të çorientuar, mos e lini vetëm. Mundohuni ta ktheni atë person në realitet. Qëndrojini afër dhe pyeteni mbi arsyen që e ka çuar në atë gjendje. Mund të shpëtoni një jetë, edhe pse mund t’ju duket e pabesueshme. Problemet mendore përparojnë shumë shpejt, nëse lihen pa trajtimin dhe vëmendjen e duhur. /bota.al/ KultPlus.com