Përmebledhja e parë e shkurtër e filmit të dytë të Avatar, e titulluar Avatar: The Way of Water, u publikua më në fund ditën e hënë. Bota fantastike tashmë ka një front të ri: atë nënujor që do të sjellë një spektakël të vërtetë aksioni me male pluskuese.
Filmi i parë i Avatar u shfaq në Dhjetor 2009 dhe u klasifikua si një revolucion i vërtetë i teknologjisë 3D. Edhe në këtë kast nuk do të mungojnë emrat e Zoe Saldana e Sam Worthington që do të jenë në rolet kryesore të Neytiri dhe Jake, ndërsa do t’i bashkohet edhe Kate Winslet.
“Unë di diçka, kudo të shkojmë, familja jonë është fortesa jonë”, është fjalia përmbyllëse që Jake Sully (Sam Worthington) i thotë Neytiri (Zoe Saldana).
Familja Sully (Jake, Neytiri dhe fëmijët) vazhdon historinë e saj mbi 10 vite më vonë dhe përshkruhen telashet që i ndjekin, vështirësitë që kalojnë për të mbajtur njëri-tjetrin të sigurt, betejat që luftojnë për të qëndruar gjallë dhe tragjeditë që përballen.
Avatar: The Way of Water është programuar për të debutuar në kinema më 16 Dhjetor 2022. Një film i tretë do të pasojë në 2024, i pesti në 2026 dhe i gjashti në 2028. Gjithashtu, filmi i parë do të rishfaqet në kinema më 23 Shtator./tvklan.al/ KultPlus.com
Johnny Depp dhe Amber Heard u njohën në vitin 2009 gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary”. Ai bazohej në një libër të Hunter S.Thompson, dhe përshkruan fatkeqësitë e nxitura nga alkooli të shkrimtarit Paul Kemp (të luajtur nga Johnny Depp), i cili është i fiksuar pas Chenault (Amber Heard).
Ata u martuan në vitin 2015 dhe u divorcuan një vit më vonë, dhe siç po shihet publikisht javët e fundit, pasojat e martesës së tyre së shkurtër janë katastrofike. Depp e paditi Heard në vitin 2019, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 50 milionë dollarësh, për dhunën e ushtruar ndaj Depp nga Amber, me pretendimin se kjo e ka dëmtuar që në mënyrë të pariparueshme karrierën e tij.
Avokatët e Heard kanë ngritur një kundërpadi, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 100 milionë dollarësh. Gjatë gjyqit për shpifje, Depp pretendoi se ka qenë viktimë e abuzimit në familje. Aktori rrëfeu detaje tragjike nga fëmijëria e tij, duke argumentuar se marrëdhënia problematike midis prindërve të tij, e bëri atë më të prirur që të kishte një marrëdhënie toksike dhe të dhunshme me Heard. Ja çfarë duhet të dini për jetën reale të Johnny Depp.
Johnny Depp u terrorizua nga nëna e tij abuzive
I lindur më 9 qershor 1963, në Ouensborou të shtetit të Kentakit, John Christopher Depp II (Johnny Depp) ishte më i riu nga 4 fëmijët e lindur nga Betty Sue Palmer dhe John Christopher Depp. Në librin e tij “Johnny Depp:Një biografi e paautorizuar”, Danny White shkruan se gatë gjithë fëmijërisë abuzimi nga nëna e tij ka qenë i vazhdueshëm, i paparashikueshëm, i dhunshëm dhe mizor.
“Unë ndjehesha plotësisht i çoroditur nga gjithçka që po ndodhte rreth meje”- kujton Depp, duke shpjeguar se fëmijërisë së tij i mungonte siguria. Aktori kujton se nëna e tij abuzonte fizikisht dhe verbalisht me fëmijët e saj, duke i tallur ata për defekte të ndryshme fizike.
Për shembull, vëllai i Depp-it mbante syze dhe e ëma e quante si “Njeriu me 4 sy”. Johnny kishte një defekt të rrallë kongjenital tek sytë, që i visheshin shpesh më një cipë të jashtme.
Ndaj e ëma e tallte duke e thërritur “Sy gjeli”.
I ati i dha shembullin e bashkëshortit të dhunuar
Gjatë dëshmisë së tij në gjyq, Johnny Depp, dha detaje rreth arsyes pse ai mund të qëndronte me dëshirë në një marrëdhënie abuzive. Shembulli për këtë sjellje të pashpjegueshme, erdhi nga babai i tij, John Christopher Depp, që e duroi Betty Sue Palmer, pavarësisht abuzimeve të saj në rritje ndaj tij.
Sipas Depp, nëna e tij shfrynte zemërimin, zhgënjimin dhe urrejtjen e saj ndaj njerëzve më të afërt. Duke folur për sjelljen e babait të tij rreth nënës së tij, Depp tha:”Nuk ka pasur kurrë një moment … kur babai im ta ka humbur kontrollin duke sulmuar nënën time apo ta ketë goditur atë, dhe as t’i ketë thënë ndonjëherë diçka të keqe”.
Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Palmer. Këto episode ndodhën në praninë e Johnny dhe vëllezërve e motrave të tij, duke i dhënë atij shembullin mashkullor jofunksional, megjithëse stoik përballë dhunës në familje.
Kjo dinamikë e tmerrshme familjare e mësoi Depp të gëlltiste dhimbjen e tij, dhe të duronte një marrëdhënie toksike. Kjo logjikë duket se shpjegon edhe arsyen pse Depp, një aktor me famë botërore, i adhuruar nga miliona fansa, e pa veten të zhytur në një marrëdhënie abuzive me ish-gruan e tij Amber Heard.
Nuk jetoi gjatë në një vend për shkak të jetës boheme të nënës së tij
Përveç sjelljeve të egra dhe të paparashikueshme, Betty Sue Palmer kishte një natyrë histerike që e detyronte familjen të ndryshonte shpesh vendbanim. Në një intervistë për Oprah, Johnny Depp pranoi se para moshës 15 vjeçare, familja e tij e ndryshoi “ndoshta 40 herë” banesën.
Kjo mund të jetë arsyeja pse Depp më vonë u prir të interpretonte rolet njerëzish të tjetërsuar. Me kaq shumë ndryshime vendbanimi në moshën e re, atij i mungonte stabiliteti dhe koha e nevojshme për t’u integruar vërtet në një komunitet.
I ati u largua nga shtëpia
Kur Johnny ishte 15-vjeç, në vitin 1978, i ati John Christopher Depp nuk mundi të duronte më abuzimet e gruas së tij Betty Sue Palmer, ndaj u largua nga familja. Johnny shkoi me makinë tek puna e babait të tij për t’i kërkuar të kthehej, por i ati i tha se i ishte sosur durimi.
Ai caktoi të birin si kryefamiljar. Kjo shkaktoi një gjendje depresive tek e ëma, që kulmoi me tentativën për vetëvrasje, duke konsumuar një koktej me pilula. Fatmirësisht u shpëtua në kohë. Pasi doli nga spitali, Palmer vazhdoi të binte ndjeshëm në peshë, dhe të përkeqësohej në aspektin e ekuilibrit mendor.
Në atë kohë Depp ishte i indinjuar me braktisjen që i ati i bëri familjes së tij. Ai nuk do ta kuptonte deri vite më vonë pse babai duhej të ikte. “Isha shumë i zhgënjyer me të, pasi fillova të besoja se ikja e tij ishte një akt i poshtër prej burracaku”- do të kujtonte ai më vonë.
Johnny Depp vuante nga një çrregullim i ngjashëm me Sindromën Turet
Që fëmijë Johnny Depp nisi të vuante nga një çrregullim psikologjik. Ndonjëherë, Depp ndihej i detyruar t’i bënte gjërat dy herë. Po ashtu, prindërit e tij vunë re se ai bënte ndonjëherë zhurma të çuditshme, një sjellje që ishte e ngjashme me Sindromën Turet.
Kjo simptomë iu rishfaq edhe në fillim të karrierës së tij si aktor. Ndodhi në një periudhë kur ai po gëzonte suksesin por edhe presionet e famës së fituar nga filmi “21 Jump Street”.Ai përjetoi gjithashtu emocione kontradiktore gjatë promovimit të filmit. Ajo vorbull stresi dhe presioni u shfaq në një mënyrë të turpshme gjatë një udhëtimi me avion për në Vankuver të Kanadasë.
Ishte ulur në klasin e parë, kur përjetoi një dëshirë të papritur dhe të pakontrollueshme për të bërtitur një nga gjërat më të sikletshme që mund të imagjinonte. Nisi të bërtiste:“Unë shkoj me kafshë!” e pasuar nga një heshtje e sikletshme nga të pranishmit. Pas disa momentesh një pasagjer pranë tij e theu heshtjen duke e pyetur me mirësjellje :”Çfarë lloj kafshe?”. Për fat të mirë, ajo ndërhyrje ia përmirësoi humorin aktorit.
Përjetoi shumë keq sëmundjen e vajzës së tij të vogël
Në vitin 2007, Johnny Depp u përball me makthin më të keq të çdo prindi. Vajza e tij, Lily-Rose Depp, 7 vjeçe, ishte prekur së bashku me ish-bashkëshorten e tij dhe të ëmën Vanessa Paradis nga bakteri E. Coli. Sëmundja i shkaktoi probleme të rënda me veshkat.
Depp dhe Paradis qëndruan 9 ditë dhe netë në një spital të Londrës, të pasigurt nëse vajza e tyre do të mbijetonte. Fatmirësisht, Lily-Rose u shërua, por ajo përvoja e rëndë e transformoi aktorin. Ai nuk e harron kurrë sesa i pafuqishëm u ndje gjatë atij kalvari.
“Momenti kur vajza ime e sëmurë ishte shtruar në spitalin Great Ormond Street, ishte periudha më e errët e jetës sime”- do të deklaronte ai më vonë. Në vitin 2008, pas shërimit të vajzës së tij, Depp i dhuroi 2 milionë dollarë spitalit londinez.
Është përballur me varësinë e fortë nga droga dhe alkooli
Në një intervistë të vitit 2005 për revistën Rolling Stone, Depp e pranoi:”Kam kaluar shumë vite duke e helmuar veten… Isha shumë, shumë i zoti në këtë gjë”. Por gjatë dëshmisë së tij në gjyqin për shpifje ndaj Heard, Depp ka folur mbi përpjekjet e tij për t’i dhënë fund varësisë së tij nga droga dhe alkooli pas ndërhyrjes së motrës së tij, Christi Dembrowski, në vitin në 2014.
Marrë me shkurtime nga Grunge/bota.al/ KultPlus.com
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, vijoi sot shqyrtimin në parim të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet, Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
E pranishme në mbledhjen e komisionit ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se, “marrëveshja për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit është transparente dhe në favor të vendit”.
Në përgjigje të interesit të deputetëve mbi këtë marrëveshje, ministrja bëri të ditur se, “ashtu siç e parashikon edhe ligji, 10% e të ardhurave vjetore që sigurohen nga siti, kalojnë në buxhetin e shtetit dhe ky fond mund të përdoret jo vetëm për nevojat e trashëgimisë kulturore, por edhe sipas prioriteteve të qeverisë”.
“Të gjitha të ardhurat e përfituara nga biletat dhe çdo shërbim tjetër shtesë që konsiderohet e ardhur dytësore, përdoret në interes të trashëgimisë kulturore. Ligji përcakton qartë se Ministria e Kulturës, ka të drejtën që këto fonde t’i derdhi në fondin e trashëgimisë kulturore”, theksoi Margariti, teksa nënvizoi faktin mbështetur në ligj se, “të ardhurat që sigurohen nga administrimi i pasurisë kulturore, administrohen nga subjekti që administron pasurinë me qëllim kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie”.
Margariti tha sa, në përputhje me marrëveshjen, të ardhurat mbahen në llogarinë e fondacionit dhe të gjitha të ardhurat e Butrintit i shërbejnë mirëmbajtjes së vazhdueshme dhe operimit të sitit.
Ministrja vuri në dukje se, siti i Butrintit është më i rëndësishmi në vendin tonë dhe që siguron të ardhurat më të larta, ndër sitet e tjera. Për këtë arsye vijoi ajo, Ministria e Kulturës me një kërkesë specifike, të mirë studiuar mbi planin e biznesit, alokon një kontribut vjetor në fondin e trashëgimisë kulturore, që në vitin e parë është 0.5% e të ardhurave totale, 1.5% dhe 2% në fund të 3 viteve të para të investimit.
Margariti bëri të ditur se, marrëveshja për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit përfshin AADF-në, si një organizatë filantropike. AADF vjen si një zbatuese e projekteve në Shqipëri dhe jo për të përfituar.
Fondacioni është organizatë jofitimprurëse. AADF ka mbështetur në këto vite disa programe të ndërlidhura me zhvillimin e turizmit, arsimit, sipërmarrjes, ekoturizmit dhe agroturizmit.
Margariti tha se, “AADF është përzgjedhur në këtë rast pas disa projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar në vendin tonë që janë, Pazari i vjetër në Krujë, Foto Marubi, Pazari i ri në Tiranë, Qafë Pazari në Gjirokastër, Qendra Historike Vlorë, Qendra digjitale në Ministrinë e Kulturës. Këto modele që kanë lidhur në diskutime, siç po bëjmë sot, kanë krijuar realitete të prekshme dhe shumë suksesshme tashmë në Shqipëri. AADF ka kontribuar me 50 milionë USD në fushën e kulturës”.
Duke u ndalur tek projekti për qendrën e vizitorëve, Margariti tha se projekti do të zgjidhet përmes një konkursi arkitekturor ndërkombëtar dhe shpenzimet do të mbulohen nga fondi i angazhuar i AADF. Kjo qendër do të përfshijë bileta elektronike, nyjet sanitare, turet rituale, suvenire dhe plot risi. /atsh/ KultPlus.com
Ka vdekur ish-boksieri i njohur kosovar Xhevdet Peci.
Lajmi u konfirmua për Klankosova.tv nga sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës Latif Demolli.
Demolli tha se Peci vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishte shkuar të jetonte me familje para një muaj e gjysmë.
“Po, ka vdekur. Para një muaj e gjysmë ka shkuar në Amerikë ku i ka pasur familjen. Ka qenë befasi se nuk ka pasur asnjë sëmundje”.
Ai mbahet në mend me nofkën “Grushti i Hekurt”.Xhevdet Peci, ishte një nga boksierët më të mëdhenj që ka pasur Kosova.Peci ishte shpallur pesë herë kampion i ish-jugosllavisë me Prishtinën, nën urdhërat e trajnerit Lah Nimani, që po ashtu vjen nga Mitrovica./KultPlus.com
Premiera “Burrnesha” do të jetë ndër ngjarjet më të rëndësishme këtë muaj në teatrin Oda. Pos kësaj një ngjarje tjetër me rëndësi është edhe organizimit i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, “Polip”.
“Burrnesha” e ka premierën të martën me 10 maj nga ora 20:00 ndërsa reprizën me 12 maj po ashtu nga ora 20:00.
Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” do të mbahet me datat 13-14 e 15 maj, është festival që organizohet çdo vit dhe mbledh shkrimtar nga shumë vende.
Libri “I verbri” nga Mitja Cander me përkthim të Nikollë Berishajt do të promovohet me 12 maj nga ora 18:00 dhe do të ketë diskutim mbi librin ndërmjet autorit e lexuesve.
“Pas’humbja” e “Inspektor Limi” vijnë si repriza edhe këtë muaj me datat 17 e 19 maj.
Programi i teatrit “Oda” mbyllet me 25 maj me një mbrëmje poetike të shoqëruar me muzikë. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës hapi sot aplikimet për të përfituar nga Bonusi i Rijetësimit, që u vjen në ndihmë banorëve të qendrave historike të qyteteve, që duan t’u japin jetë banesave të tyre.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “Bonusi i Rijetësimit mbështet të gjithë ata që kanë në pronësi apo përdorim një objekt në qendra historike, ansamble historike urbane, zona arkeologjike apo monumente kulture jashtë tyre, për t’i restauruar apo rijetësuar”.
“Granti varion nga 1-5 milionë lekë, ndërsa aplikimi kryhet përmes portalit e-Albania.al, në rubrikën: “Aplikim për Leje për Ndërhyrje në Pasuri Kulturore Materiale dhe Bonus Rijetëzimi”.
Bonusi i Rijetësimit përfshin mbështetjeje financiare deri në 1 milion lekë, për ndërhyrje për mirëmbajtje, konservim, restaurim çatie, muraturë, porta, dritare, ndërsa deri në 5 milionë lekë për ndërhyrje për konservim, restaurim, rijetësim të pjesshëm ose të plotë , ku mund të përfshihen edhe instalimet elektrike, sanitare, mekanike, antizjarr. Aplikimet për financim mund të jenë : guest house, hotele, dyqan suvenir, artizanati, antikuari, bizhuterish, librari, videoteka, galeri arti dhe mjete pune, punishte, gastronomi për produktet vendase, pikë informacioni për turistët.
Me anë të Bonusit të Rijetësimit mund të ndërhyhet deri në 1 milion lekë për ndërhyrje mirëmbajtje dhe konservuese në pronësi private, që të ndikojnë në vlera dhe unitetin kompozicional të ansamblit historik/urban/qendrave historike.
Ndërsa deri në 5 milionë lekë mund të ndërhyhet për restaurim/rijetësim të pjesshëm ose të plotë në pasuritë e paluajtshme, në pronësi private, pjesë përbërëse e ansambleve historike urbane, qendrave historike, zonave arkeologjike ose me status pasuri kulturore si objekte të veçanta jashtë këtyre zonave. /atsh/ KultPlus.com
Sonte në Teatrin Adriana në Ferizaj do të jepet premiera e shfaqjes ”Era”, me regji të Agim Sopit.
Kështu është bërë e ditur nga faqja zyrtare e teatrit, ku thuhet se shfaqja do të fillojë nga ora 20:00.
Në njoftim thuhet se shfaqja nuk rekomandohet të shikohet për personat nën moshën 16 vjeçare, për gratë shtatzëna dhe për persona të tjerë të ndjeshëm.
Në këtë shfaqje trajtohet jeta e një drame të një familje kosovare, ku tranzicioni i stërzgjatur i pasluftës ka vë në pikëpyetje vlerat e përgjithshme morale e njerzore të një familje e cila përballet me dhimbjet që shfaqen nga e kaluara tragjike. / KultPlus.com
Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike Chopin Piano Fest do të filloj sonte dhe në ceremoninë hapëse do të jetë i ftuar për të interpretuar, Martin Garcia Garcia, pianist nga Spanja.
Martín García García është pianist i lindur në Gijón, Spanjë, në vitin 1996. Ai filloi studimet e tij muzikore në moshën 5-vjeçare, me Natalia Mazoun dhe Ilyà Goldfarb. I diplomuar në Shkollën e Muzikës Reina Sofía, ai studioi atje për më shumë se një dekadë me Galina Eguiazarova – ku edhe morri çmimin për Studentin më të Mirë të katedrës nga Madhëria e Saj Mbretëresha Sofía. Ai kreu studimet Master në Piano në Mannes School of Music në Nju Jork.
Martín ka fituar çmimet e para në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke theksuar fitoren e tij në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Cleveland 2021 dhe Çmimin e tij të 3-të në Konkursin Ndërkombëtar të XVIII të Chopin të Pianos (dhe çmimin special për Koncertin më të Mirë). Ai mori çmimin e parë në Institutin dhe Festivalin Ndërkombëtar të Tastierës 2018, të mbajtur në Nju Jork ku edhe banoi dy vite, duke përfunduar trajnimin e tij artistik me pianistin e shquar Z. Jerome Rose.
Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.
Festivali do të filloj sot me 9 maj dhe do të zgjas plot një muaj deri me 9 qershor.
Ceremonia hapëse sot do të filloj nga ora 19:00 në hapësirën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare.
Drejtore artistike e këtij festivali është Lejla Haxhiu-Pula.
Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me liderë të tjerë botërorë, ka marrë pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Presidentja Osmani e ka uruar Presidentin Chaves në marrjen e detyrës së tij të re, duke i uruar suksese në përfaqësimin e popullit të Kosta Rikës.
“Pavarësisht distancës, partneriteti ynë është unik, i themeluar në shtyllat e miqësisë, e vlerave tona të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë e paqes. Tani, është detyra jonë e përbashkët, si të zgjedhurit e popujve tanë, që t’i përafrojmë shtetet tona edhe më shumë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com
Jeta e Mahatma Gandit është plot me histori dhe anekdota rreth konfrontimeve që përfundojnë duke çliruar doza të mëdha mençurie.
Në fakt, ky njeri mori famë dhe hyri në histori sii pari që udhëhoqi një “revolucion” pa dhunë.
Thuhet, për shembull, se një herë ishte ulur për të ngrënë pranë një profesori në Universitetin e Londrës. Profesori i kërkoi të largohej sepse “zogjtë dhe derrat nuk mund të hanë bashkë“. Gandi u ngrit dhe tha: “Mos u shqetëso profesor, unë do të fluturoj menjëherë larg.”
“Synimi i të gjitha diskutimeve nuk duhet të jetë suksesi, por përparimi.” -Joseph Joubert
Gandi thuajse gjithmonë e arrinte synimin e tij në diskutime. Por ai e bënte këtë me një inteligjencë dhe një hir të tillë që në fund i jepte diçka kundërshtarit të tij.Sekreti i tij, në vend që të fitonte argumentin, ishte të zbulonte një mësim që mund të nxirrej nga situata.
Pra, nëse mendoni se ia vlen ta njohim metodën e Gandit, ne do të detajojmë sugjerimet e saj për të pasur sukses në një diskutim.
Mos jini egoist dhe mos debatoni fort
Për Gandin, çdo këndvështrim mbi një problem duhet të përfshijë gjithashtu kushtet që i krijohen kundërshtarit. Duke qenë i vendosur për këtë ide, ai shkatërroi monopolin e industrisë së tekstilit anglez dhe më pas shkoi në secilën prej fabrikave për të kërkuar falje për shkarkimet që kishte shkaktuar.
Ai karakterizohej gjithashtu nga studimi i plotë i çdo teme. Ai nuk mjaftohej me një pamje sipërfaqësore të botës. Ai lexonte, ai hulumtonte, ai u konsultohej. E gjithë kjo e lejoi atë të krijonte një mendim të bazuar dhe të informuar për çdo çështje. Ky është padyshim një themel i fortë për të përballuar çdo debat.
Trajnoni forcën fizike dhe durimin
Kuptova se forca e trupit kontribuon në mënyrë vendimtare në forcën e mendjes. Gandi karakterizohej nga mbajtja e një forme të mirë fizike, e cila e lejoi atë të duronte periudha të vështira me një aftësi të mahnitshme për t’u rikuperuar. Stërvitja e trupit siguron vetëpërmbajtje, forcimin e vullnetit dhe vetëkontrollin.
Durimi, nga ana tjetër, është trajnimi i mendjes. Gandi tha se një mur duhet të ndërtohet tullë për tullë. Dhe se çdonjëra ka momentin e vet për t’u vendosur atje. Durimi është një tipar i mendjeve më të forta. Të mos dorëzohesh në impulsin e parë është çelësi i suksesit, veçanërisht në një përballje.
Empati me tjetrin, përfshihu me emocionet e tyre
Gandi trumbetoi ide që ishin universale në shtrirje. Parimet e tij nuk ishin produkt i një vizioni lokalist apo të çuditshëm. Krejt e kundërta. Në idetë dhe luftën e tij ishte i pranishëm edhe i gjithë njerëzimi. Doktrina e tij u fokusua fillimisht te njerëzit e tij, por u frymëzua nga vlerat universale.
Ky lider u dha një vend të rëndësishëm emocioneve. Fjalimi i tij nuk ishte thjesht ideologjik. Ai u përpoq të kuptonte pozicionin e kundërshtarëve të tij dhe mori parasysh atë që ata mund të ndjenin. Kjo është arsyeja pse qindra mijëra njerëz në botë e ndoqën dhe e admiruan, edhe nëse nuk e ndanë kauzën e tij. Fitimi i një debati nuk nënkupton domosdoshmërisht anulimin e tjetrit.
Flisni një gjuhë të thjeshtë dhe jini transparent
Thjeshtësia në të folurin e tij ishte diçka që karakterizon liderët e mëdhenj. Ata nuk flasin për t’u admiruar, ata flasin për t’u kuptuar. Dhe mënyra më e mirë për të nxitur të kuptuarit është përdorimi i gjuhës së thjeshtë, të cilën çdokush mund ta kuptojë.
Ky do të ishte populizëm nëse pas tij do të fshiheshin interesa. Por nëse fjalët e thjeshta nuk fshehin të vërtetat e fshehura, ato arrijnë në zemrat e njerëzve. Një fjalim autentik dhe i vërtetë ka një fuqi të madhe bindjeje. Dhe gjithashtu mbart respekt. Një diskutim verbal fitohet kështu: me argumente të thella, të thëna thjesht dhe pa gënjeshtra.
Rritni mbështetjen te vetja dhe këmbëngulni
Gandi këmbënguli të bënte kripën e tij. Në qepjen e veshjeve tuaja dhe objekteve të tjera të përditshme. Ai e ktheu vetëbesimin në një mënyrë për të ndërtuar lirinë. Ai e dinte se lidhjet e varësisë nuk lindin në gjërat e mëdha, por në detajet e vogla. Dhe e sulmoi të keqen që në rrënjët e saj.
Këtij udhëheqësi të madh iu deshën 55 vjet për të arritur ditën e pavarësisë e Indisë, që ishte ëndrra e tij e madhe. Ai e bëri atë sipas mënyrës së tij: pa përdorur dhunën. Ai kaloi mijëra vështirësi para se të mundte. Vështirësi të të gjitha llojeve, madje edhe konflikte me veten. Thellë brenda vetes ai e dinte se këmbëngulja është një çelës që përfundon duke hapur çdo derë dhe se aftësia për të këmbëngulur i lejon dikujt të përparojë drejt suksesit.
Të gjitha mësimet e Gandit na lënë me një katalog të çmuar të vlerave njerëzore. Triumfi i tij ishte një triumf i shpirtit dhe prandaj shënjon një para histori dhe pas histori. Më i madhi nga të gjitha urdhërimet e tij ishte të përballej, pa synimin për të shkatërruar tjetrin. Në këtë mënyrë nuk ka kurrë disfatë, pasi është një mënyrë e sigurt që të gjithë të përfundojnë duke fituar, edhe nëse nuk është gjithçka që do të dëshironin. / KultPlus.com
Mbrëmja e së dielës, solli surpriza në BAFTA TV Awards 2022, pasi disa nga favoritët kryesorë humbën mundësinë për të rrëmbyer çmimet më të rëndësishme. Pavarësisht se kryesoi nominimet me 11 të tillë, “It’s A Sin” fatkeqësisht humbi, duke mos marrë asnjë nga çmimet, raportojnë mediat vendase.
“In My Skin” fitoi çmimin si seriali dramatik më i mirë ndërsa “Time” fitoi në kategorinë e mini-serialeve. Jodie Comer fitoi çmimin si aktorja më e mirë kryesore për interpretimin në “Help” ndërsa Sean Bean për aktorin më të mirë kryesor në “Time”.
Ceremonia u drejtua nga Richard Ayoade dhe gjithashtu u ndanë të tjera çmime, për Ant & Dec për “Saturday Night Takeaway” dhe komedianin, Mo Gilligan për shfaqjen e tij “Lateish”. / Klan News / KultPlus.com
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku duhet ta shqyrtojë mundësinë e sekuestrimit të aseteve të ngrira nga rezervat valutore të Rusisë dhe t’i përdorë ato për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës pasi të përfundojë lufta.
Borrell tha për Financial Times se një masë e tillë do të ishte e ngjashme me atë të Uashingtonit, kur ky i fundit përdori asetet e ngrira të Bankës Qendrore afgane, pas kthimit të talibanëve në pushtet, për të ndihmuar Afganistanin e shkatërruar nga lufta.
Në mars, Rusia tha se sanksionet ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë, kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë asete – gjysma e rezervave të përgjithshme të arit dhe valutës së saj – të mbajtura jashtë vendit nga Banka Qendrore e Rusisë.
“Komisioni Evropian ka thënë se çmimi i rindërtimit mund të arrijë në qindra-miliarda dollarë dhe kryeqendrat e BE-së duhet ta shqyrtojnë mundësinë e sekuestrimit të rezervave të ngrira të valutës ruse për të ndihmuar në financimin e rindërtimit në Ukrainës pas luftës”, tha Borrell për Financial Times.
“Ne i kemi paratë në xhepat tona dhe dikush duhet të më shpjegoj pse një vendim i tillë mund të vlejë për paratë afgane dhe jo për paratë ruse”, shtoi ai.
Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, administrata amerikane e presidentit Joe Biden, ngriu pothuajse 7 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore, të cilat po mbaheshin në Bankën e Rezervave Federale në Nju Jork.
Në shkurt, Shtëpia e Bardhë tha se planifikonte që të përdorte gjysmën e aseteve, që aktualisht janë të ngrira në Amerikë, për ndihmë humanitare dhe pjesën tjetër mund ta përdorë për të kompensuar familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.
Borrell tha se një masë e tillë mund të jetë një nga mënyrat përmes së cilave Rusia mund të detyrohet që të paguajë “kompensime të luftës” për pushtimin e paprovokuar kundër Ukrainës, të cilin e nisi më 24 shkurt.
“Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme politike që aktualisht është në tavolinë: kush do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës?”, tha ai./ REL / KultPlus.com
Në vazhdim të vizitës në Izrael, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vizitoi sot qendrën përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem, ku u njoh nga afër me historinë tronditëse të Holokaustit.
“Gjatë ceremonisë zyrtare, ministrja Gërvalla ndezi flakën e përhershme dhe vendosi një kurorë me lule në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Më pas, ministrja Gërvalla vizitoi pavionin e ndërtuar në kujtim të një milion e gjysëm fëmijëve të vrarë gjatë Holokaustit dhe pas një shënimi në gjuhën shqipe në Librin e Përkujtimit iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të shkurtër.
“Kjo vizitë shënon vizitën e parë të një përfaqësuesi të Republikës së Kosovës në qendrën më të rëndësishme në kujtim të Holokausti”, thotë MPJ.
Shqipëria këtë vit në “Eurovisioni” do të përfaqësohet nga këngëtarja, Ronela Hajati me këngën “Sekret”.
Kënga përfaqësuese e Shqipërisë së fundmi ka arritur një sukses tjetër në mesin e këngëve të “Eurovisionit”.
“Sekret” është renditur e 7-ta në mesin 20-të videove më të shikuara gjatë muajit prill.
Eurovision nis më 10 maj dhe është pikërisht këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati e cila do të bëjë hapjen e kësaj gare me këngën “Sekret”. / KultPlus.com
Tahir Dizdari është një figurë e shquar e shkencave albanologjike, ndër të vetmit që studioi fjalët turke në gjuhën shqipe. Ai ka lindur në Shkodër më 15 nëntor 1900 dhe mbylli sytë në Tiranë më 9 maj 1972.
Mësimet e para i mori në vendlindje dhe u vu re një prirje e tij ndaj gjuhëve të huaja.
Punoi në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.
Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.
Si monarkist dhe mbështetës i Mbretit Zog, Dizdari mori pjesë në qëndresën e armatosur kundër pushtimit italian të Shqipërisë në prillin e 1939. Duke e ditur qëndrimin e tij pro-zogist dhe përfshirjen në pritjen me armë të italianëve në Gomsiqe, u arrestua dhe u internua nga autoritetet fashiste. Me qeverisjen mike me gjermanët pas kapitullimit italian, iu rikthye studimeve mbi orientalizmin dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.
Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.
Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.
Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.
Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ndërroi jetë.
Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.
Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.[3]
Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.
Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973. / Diaspora Shqiptare. / KultPlus.com
Xhudistja Majlinda Kelmendi sot feston ditëlindjen. Sukseset e saj të mëdha në fushën e sportit, e bëjnë atë një ndër personat më të rëndësishëm të vendit tonë e cila ka shkruar histori në sportin kosovar, shkruan KultPlus.
Sot, në ditëlindjen e saj, trajneri Driton Kuka e ka uruar Kelmendin duke kujtuar që ishte Majlinda ajo që gëzoi popullin shqiptar më shumë se kushdo tjetër pas çlirimit të vendit tonë.
“Urime ditëlindjen Majlinda! Gëzove popullin Shqiptar më shumë se kushdo tjetër pas çlirimit të vendit tonë! Legjendë e sportit Botëror … Dominoj Botën për afër 10 vite! Kampione 4 XEvropiane Kampione 2X Botërore Kampione Olimpike Krenar me ty!”, ka shkruar Kukaj.
E lindur në Pejë më 9 maj 1991, Kelmendi filloi të praktikonte artin e xhudos në vitin 1999, në qytetin e saj. Në vitin 2009, Kelmendi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror për të rinj në Paris, Francë. Në vitin 2010, ajo arriti vendin e 5-të në Kampionatin Botëror për të rinj në Maroko dhe përfundoi e 9-a në kategorinë 52 kg në World Judo 2010 Championships në Tokio, Japoni.
Në Kampionatin Botëror të Xhudos 2013, Kelmendi i dha Kosovës titullin e parë botëror në xhudo kur ajo mundi kandidaten e Brazilit Erika Miranda në ndeshjen e -52 kg për medaljen e artë në Rio de Zhaneiro. Fitorja e 22 vjeçares, e cila ishte kosovarja e parë lojtare e xhudos që fiton një medalje në një kampionat që prej Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në 2008-ën – nuk ishte një fitore e papritur pasi Kelmendi erdhi në Rio de Janeiro e renditur si “numri një” në kategorinë e saj pasi kishte fituar eventin prestigjioz të Masterave. Kelmendi ruajti titullin botëror në vitin 2014. Ajo humbi vetëm dy herë në vitin 2013 dhe kishte arritur ti mundte të gjithë në përballjet e tjera. Ajo nuk arriti ta mbronte titullin e saj vitin pasardhës për shkak të një lëndimi.
Në shkurt të vitit 2016, ajo fitoi medaljen e artë në Grand Slam Paris, duke e bërë këtë titullin e tretë radhazi pasi kishte fituar në 2014-ën dhe 2015-ën. Dy muaj më vonë, ajo fitoi një medalje të artë në Kampionatin Europian të Xhudos në Kazan, Rusi. Në Lojrat Olimpike 2016 ajo u bë atletja e parë kosovare që fitoi një medalje të artë, ose edhe thjeshtë një medalje, për Kosovën në Lojërat Olimpike. Kontradikta u ngritën kur raportet shfaqën se ajo nuk kishte pranuar të bënte një test kontrolli të dopingut të paskeduluar në qershor, në Francë ; trajneri i saj Driton Kuka insistoi se ajo ishte e pastër dhe refuzimi kishte ardhur si pasojë e faktit që testuesi nuk kishte pasur një formë autorizimi nga wADA.
Në vitin 2021, ajo fitoi një nga medaljet e bronzta në veprimtarinë e saj në Mjeshtrat Botërore të Xhudos 2021 të mbajtura në Doha, Katar. Një muaj më vonë, ajo fitoi një nga medaljet e bronzta në rastin e saj në Grand Slam Xhudo Tel Aviv 2021 të mbajtur në Tel Aviv, Izrael. /KultPlus.com
“Unë kisha vdekur dhe u ringjalla sërish”. Kështu e përmbledh Ivana mbrëmjen e 24 prillit, kur shtëpia e saj u vu në flakë. Atë e shpëtoi një shqiptar nga Kosova.
Ivana qëndroi në spital katër ditë, për tu rikthyer në shtëpi më pas. Fundi i lumtur u mundësua nga guximi i Mexhidit, i cili po kalonte rastësisht kah shtëpia e Ivanës, kur atë e kishin kapluar flakës.
“Dikush po bërtiste në një ballkon. Tymi po vinte nga dritaret e poshtme. Hyra aty, por kishte aq tym, sa nuk mund ta gjeja askënd. Dola jashtë të merrja frymë dhe hyra prapë. Aty munda ta tërhiqja Ivanën deri të dritarja, por s’mund ta nxirrja jashtë. Një fqinj ma dha një leckë të lagur, hyra prapë se mendoja se ishte një fëmijë brenda. Nuk ishte. Më pas, zjarrfikësit arritën”, thuhet në rrëfimin e kosovarit, të cilin e citon mediumi zviceran.
20min.ch shkruan se ngjarja është edhe më e bukur, meqenëse Ivana është me origjinë serbe, ndërsa Mexhidi kosovar, duke përmendur se dy popujt kanë qenë në luftë.
“Ai hodhi vetën në zjarr, e të tjerët do të mendonin për vetën”, ka thënë Ivana, e cila buzëqesh me ndodhinë që “një kosovar ta shpëtojë një serbe në natën e Pashkëve Ortodokse, në mes të Ramazanit”.
Njëzetegjashtë vjeçari kosovar, i cili qëndroi në spital për një ditë, nuk e ka ditur origjinën e Ivanës. Por, ai thotë, se edhe po ta dinte, nuk do të ndryshonte asgjë.
“Edhe po ta dija, nuk do të ndryshonte asgjë. Kisha një jetë për ta shpëtuar, nuk ka lidhje a shqiptarë a serbe”, thotë Mexhidi.
Ivana betohet se “kurrë nuk do ta zhgënjejë” djalin që e konsideron si shpëtimtar të saj. /Express/KultPlus.com
Ekipi shqiptar, Bad News Eagles e kanë nisur me fitore turneun më të madh në CS:GO, PGL Antwerp Major 2022.
Bad News Eagles triumfuan ndaj ekipit turk, Eternal Fire, me rezultat 16:14.
Kryeministri Albin Kurti po bën tifo për ekipin tonë.
Këshilltari kryeministrit, Arianit Beqiri ka shpërndarë disa fotografi ky shihet kryeministri Kurti duke ndjekur live lojën.
“Dhe ja ku jemi sot në garën më të madhe të CS:GO, në PGL Major, duke bërë tifo për ekipin tonë të zemrës, Bad News Eagles. Kualifikimin e dëshiruar e arritëm, tani përpara për fitore. Go Eagles”, ka shkruar Beqiri krahas fotografive. / KultPlus.com
Për nder të Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë ka organizuar një mori aktivitetesh.
Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur që nëntë majin po e feston edhe këtë vit këtu në Kosovë.
“Unë jam shumë i lumtur që gjendem sot këtu për Ditën e Evropës. Është traditë që ta festojmë Ditën e Evropës, vitin e kaluar e kemi nisur nga Dragodani, sot po e nisim nga rrethi i Prishtinës, ku do të mbahen edhe festivale me shumë artistë”, ka thënë ai.
Szunyog ka thënë që shpreson që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian.
Szunyog po ashtu ka shtuar se ndjehet mirë kur kujton faktin se ngjyrat e flamurit evropian, janë të ngjashme me ato të flamurit të Kosovës dhe atij të Ukrainës.
“Gjithashtu, ne kemi një dizajn që është kombinuar me ngjyrat kaltër dhe të verdhë, pra me yje të Evropës, e që shprehin ngjyrat e Bashkimit Evropian. Por, gjithashtu janë edhe ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe Ukrainës. Unë mendoj se mund ta shënojmë këtë ditë të Evropës, duke demonstruar gjithashtu mbështetje tonë për Ukrainën dhe Kosovës, gjithashtu integrimin e Kosovës, në BE dhe Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.
Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se prania e vetë Szunyog në Kosovë, në këtë ditë tregon mbështetjen e BE-së drejt anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane.
“Është kënaqësi me qenë me shefin e BE-së këtu për të shënuar Ditën e Evropës. Duke pasur parasysh që Kosova është duke bërë një punë të madhe për t’iu bashkuar komunitetit evropian, kjo sot tregon një mbështetje të BE-së drejt anëtarësimit të Kosovës në BE”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, sot në këtë ditë një grup artistësh i dhanë këtij muri ngjyrat e Evropës, ngjyrat e Kosovës dhe Ukrainës duke treguar që jemi me popullin e Ukrainës dhe lutemi që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më parë.
Ndryshe, edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), për nder të Ditës së Evropës ka organizuar një paradë. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për “Ditën e Evropës”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në BE.
Ai tutje shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Kurtit:
Sot, me 9 maj, në Ditën e Evropës, kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman. Kujtojmë idetë dhe idealet e themeluesve të Bashkimit Evropian të cilët pas shkatërrimit që sollën dy luftëra botërore e kuptuan që paqja për të qenë e qëndrueshme, duhet të jetë e lidhur me drejtësinë, barazinë, bashkëpunimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë; se integrimi e ndërvarësia sjellin më shumë fitime dhe mundësi sesa rivaliteti e kundërvëniet.
Bashkimi Evropian është projekt dhe proces për Evropën dhe gjithë qytetarët e saj që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Këto vlera sot po mbrohen në Ukrainë. Atje, përballë një agresori e pushtuesi despotik, po mbrohet ideja e një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kpsovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe gjitha shtetet evropiane paqedashëse të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë.
Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Urime të gjithë qytetarëve 9 Maji – Dita e Evropës!./ KultPlus.com
Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim të shumëpritur për Ditën e Fitores në Moskë.
Fjalimi në paradën ushtarake ishte paksa i pazakontë sepse Putini jo vetëm që nuk shpalli një mobilizim të përgjithshëm apo luftë, gjë që u spekulua se mund të ndodhte, ai nuk njoftoi as lëvizje të mëtejshme.
Por është interesante se në fjalim, Putin tha diçka që në fakt pranoi humbjet e Rusisë në Ukrainë, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index, përcjell Express.
Putin përmendi ushtarët e plagosur dhe të vrarë në Ukrainë dhe mbajti një minutë heshtje për të vdekurit.
Ai njoftoi gjithashtu ndihmë për fëmijët e ushtarëve të vrarë në Ukrainë, që është një njohje e rrallë e humbjeve ruse nga ana e tij. Ai tha se vdekja e çdo ushtari dhe oficeri është e dhimbshme për Rusinë dhe se shteti do të bëjë gjithçka për t’u kujdesur për familjet e tyre./ KultPlus.com
Përkujtohet sot kompozitori, diplomati dhe politikani, Lec Kurti krijimtaria e të cilit u la në harresë nga regjimi komunist për shkak të bindjeve politike.
Në ditën e lindjes së tij, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” portretizon kompozitorin Lec Kurti.
Lec Kurti lindi në qytetin e Shkodrës më 9 Maj të vitit 1884. Studioi për kompozicion dhe për diplomaci në Pesaro të Italisë deri në vitet 1916. Do të vazhdonte më tej studimet në fushën e muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia dhe më pas për Shkenca Politike në Romë. Lec Kurti është marrë me krijimtari muzikore deri në vitin 1916 dhe më pas iu përkushtua tërësisht veprimtarisë diplomatike dhe politike.
Nga viti 1918 deri në vitin 1922, Lec Kurti ishte konsull në Bari. Në karrierën e tij diplomatike nuk do të mungonte edhe detyra e të ngarkuarit me punë në Athinë, të cilën e kreu deri në vitin 1927, ku dhe është dekoruar nga shteti grek, për kontributin e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lec Kurti ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit dhe Ministër i Arsimit në kohën e Mbretërisë. Detyra më e lartë diplomatike ishte ajo e përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1927–1936). Pas kësaj do të ishte Konsull në Romë deri në vitin 1939.
Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, Lec Kurti ishte nënkyetar i Ballit Kombëtar dhe disa ditë përpara 29 nëntorit 1944, u largua përfundimisht nga Shqipëria. Për arsye politike, krijimtaria e Lec Kurtit është lënë tërësisht në harresë deri në ditët tona. Ndër dorëshkrimet e tij gjendet e para sonatë për piano, e para sonatë për violinë e piano, i pari kuartet harqesh dhe e para operë në historinë e muzikës shqiptare. Deri me sot, Lec Kurti rezulton të ketë kompozuar operën e pare shqiptare, operën “Arbëreshe” shkruar ne vitin 1912. Titullin e saj të parë e ka pasur “Mirashi dhe Marta”.
Krijimtaria e Lec Kurtit përfshin vepra të tjera si ‘‘Trio, për violinë, violonçel dhe piano”, kjo pjesë është shkruar në datën 6 mars të vitit 1914. Përveç këtyre veprave në krijimtarinë e bollshme të Lecit janë edhe “Quartetto”, në sol minor, për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914. Pak ditë para përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare, Lec Kurti, si edhe shumë të tjerë nacionalistë shqiptarë, mori rrugën e “arratisë” për t´i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve të cilët mbas Luftës së Dytë Botërore kishin marrë pushtetin në Shqipëri. Kjo sepse ai kishte mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë së Ballit Kombëtar.
Qeveria e Hoxhës kërkonte nga autoritetet italiane kthimin e tyre me çdo kusht prapa, në Shqipëri. Lec Kurti, duke qenë i pari shqiptar anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Anglisë, kërkoi të shkonte në Londër për të biseduar me autoritetet e atij vendi për problemin mjaft të mprehtë të moskthimit nga autoritetet italiane të nacionalistëve të arratisur shqiptarë. Atëherë, u vendos që shqiptarët të mos ktheheshin, por edhe të mos qëndronin në Itali. Kështu, të gjithëve iu dha e drejta për të emigruar diku tjetër.
Vdiq në Romë në dhjetor të vitit 1948. Që nga ajo kohë, muzika e tij ka mbetur akoma fare e panjohur për publikun e gjerë, madje edhe për profesionistët./atsh/ KultPlus.com