Sot, pas një sëmundje të rëndë, ka vdekur producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha,shkruan KultPlus.
Festivali ‘FemArt’, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se sonte do të nderojnë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor.
Postimi i plotë:
“Mbrëmja e sotme është homazh për Vjosën. Për shpirtin luftarak, rezistencën, dashurinë dhe pasionin e saj për artin. Për solidaritetin e saj me të gjitha gratë në Kosovë dhe në botë. Sonte nderojmë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor. Pusho në paqe Vjosa!”, thuhet në njoftimin e FemArt.
Flamenko balet nga Barcelona me performancën “LUXURIA” mbyll festivalin FemArt 10, ndërsa përpara saj do të jepet shfaqja “Ora e Vdekjes” në ora 20:30 në Burgun e Muzeut të Prishtinës./KultPlus.com
Arti i bashkon njerëzit, e këtë gjë e bëri si shumë herë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku mbrëmë u mblodhën bashkë miq, njohës të kulturës dhe artdashëspër të parë nga afër e mes tjerash edhe për të diskutuar rreth promovimit të romanit të shkrimtarit dhe përkthyesit, Elvi Sidherit me titull ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, shkruan KultPlus.
Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.
Ndër të tjera në këtë promovim morën pjesë drejtori i Qendrës Kulturore Maqedonase në Tiranë, muzikanti, Origjanski Zlatko, gjithashtu edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjeljko Špilek.
Hapjen e bëri edhe njeriu për të cilën u mblodhën një numër i konsiderueshëm njerëzish, pra, Elvi Sidheri.
“Sot jam unë pikërisht arsyeja që jeni mbledhur këtu. Ky është romani im i pestë, pra, si jubilar dhe prandaj e vlerësoj edhe më shumë. Të gjithë ju të pranishmit këtu jeni njësoj për mua dhe më keni nderuar me paraqitjen e juaj. Ky roman synon pikërisht të tregojë dhe ndërtojë urat kulturore midis shqiptarëve dhe popujve e kulturave fqinje, e kjo mbrëmje është mirëfilli e tillë”, tha Sidheri duke falënderuar KultPlus për mundësinë e promovimit të librit dhe gjithashtu pati një përshëndetje të ngrohtë edhe për nënën e tij, e cila mori pjesë pikërisht në krijimin e shkrimin e këtij libri.
Çamëri Ceraja, si pjesë e moderimit, lexoi edhe një pjesë nga libri për t’i dhënë edhe hijeshinë e duhur një promovimi, me ç ‘rast të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe një copëz nga ky libër.
Sidheri pas çdo leximit shpjegoi edhe pjesët të cilat i lexoi Ceraja. Në pjesën e parë u fol për historinë mes dashurisë së një korçari dhe një gruaje nga Struga, pikërisht në luftën e dytë botërore, ku në mesin e shumë ndodhive e sfidave, e pas 43 viteve dashuria e origjinës është thelbi i gjithë librit në radhë të parë.
Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas
“Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas është pikërisht pjesa kur edhe fillon libri. Është një kufitar shqiptar gjumash që ende është në mendësinë e regjimit, një kufitar arrogant serb dhe një kufitar maqedonas që ndjehet Zot në vendin e vet, pasi është shpallur pavarësia. Edhe një shqiptar që kthehet në vendin e vet, Ohër. Ngjarjet vazhdojnë në shumë kohë, përfshihen disa histori në Ohër, përmes ngjarjeve e motiveve të ndryshme. Jam munduar që ta mbuloj në mënyrën sa më reale këtë, pasi kam qenë i pranishëm me nënën time në këtë kohë, e në mënyrën më gjakftohtë të tregojë të vërtetën”, thotë autori.
Shpërngulja e shqiptarëve drejt lindjes
Siç thotë autori, ne si komb dijmë pak për shpërnguljet e shqiptarëve, dhe si të tilla ai është munduar që në një lloj forme ti paraqes edhe në libër.
Çamëri Ceraja, u aktivizua edhe një herë tjetër për të lexuar një pjesë nga librit, të shkurtër, që të mos jetë lloji i promovimit “monoton” me lexime të shpeshta dhe pa diskutime, ku edhe lexoi për të gjithë të pranishmit një pjesë nga librit, që kishte edhe shprehje në gjuhën maqedonase.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Tiranë, Origjanski Zlatko, përpos që ishte i pranishëm në këtë promovim, ai mori pjesë edhe si moderator, ku patjetër që edhe një herë tjetër Elvi, si përthyes që është, u shfaq në skenë për të përkthyer atë se çfarë Zlatko thonte.
“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot. Kam mësuar shumë nga Tirana, por di vetëm të porosisë ushqim atje në gjuhën shqipe. Çfarë kuptimi ka Tirana për mua? Tirana për mua është sikurse ka qenë Parisi për Kadarenë, thënë më së miri. Përkundër që kam një punë dilomatike në Shqipëri, jam dashuruar me Tiranën dhe punën time, mbi të gjitha banorët e njerëzit”, tha ai.
Tutje, Zlatko u shpreh se shumë njerëz habiten me punën e tij, derisa mendon që ka një recet speciale për këtë aspekt.
“Fatmirësisht, puna po shkon mirë. E sot me muzikantët, sa herë që vijnë aty edhe bëjmë muzikë bashkë edhe kam filluar që të bëjë muzikë shqiptare. Lidhja ime me Tiranën është ndryshe, jo vetëm nga puna”, thotë Zlatko.
Libri, i cili është më i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga librat e tjerë të Elvitit, qëndron, pra, duke mos e parë shqiptarin si të izoluar, dhe sipas tij, ne jemi mesdhetarë dhe jo aq malësorë sa mendojmë.
Ky promovim, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth romanit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.
Frymëzimi i autorit
Fitnete Tuda, e njohur për këngën e saj “Shi bie në Tiranë”, u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë promovim, dhe tregoi se ishte lindur e rritur në Strugë, pikërisht në Ohër.
“Jam buqëliqenase dhe e dashuruar si Lasgushi në liqenin, që më frymëzon vazhdimisht. Edhe pse jam rritur në Kosovë e ndjej mungesën e ujit gjithmonë. Kur Elvi më tha titullin e romanit, u ndjeva shumë kureshtare për këtë. Dihet se ajo zonë është e pasur, e kanë jetuar në brigjet e atij liqeni disa fise ilire, është rruga e vjetër, ku kalon nga Shqipëria në Strugë e Ohër dhe vazhdon tutje. Elvi, si një njohës i mirë i historisë, besoj se në roman do të kemi shumë tekste historike”, tha Tuda, duke e pyetur autorin se pse e vendosi ngjarjen në brigjet liqenit të Ohërit?
Elvi, i cili kishte jetuar në Tiranë për një kohë, kujton edhe kohën kur kënga e Fitnetes “Shi bie në Tiranë”, është himn i pashpallur atje. “Kam qenë gjimnazist kur kishte dalë kjo këngë, e Tirana shkon me shi, dhe kur kishte dalur ajo këngë, unë e mbaj mend suksesin e saj të menjëhershëm. Kur hyra në klasë, të gjitha vajzat po e këndonin atë, dhe këtu fillon edhe historia e kësaj kënge”.
Tutje, ai thotë se arsyeja pse e ka shkruar titullin e shpjegon se frymëzimi ka qenë i drejtpërdrejt nga poezia e Lasgush Poradecit, ku sipas tij, është poezia më e bukur dhe më e prekshme e Lasgushit.
“Frymëzimi është drejtpërdrejt kjo poezi dhe për këtë arsye kam zgjedhur që të shkruaj. Ne jemi shumë të lidhur me Korçën, pasi e kemi prejardhjen atje. Gjithë fëmijëria ime lidhet me Pogradecin, ku kemi kaluar shumë pushime atje, liqeni aty është përtritës, e deri në vitet 90′ kur futeshe në liqen thuhej se edhe mund ta pish si ujë, pasi aq i pastër ishte. Pogradeci ka qenë një mrekulli si qytet, e për këtë kam vendosur që ta shkruaj këtë roman”.
“Popujt e Ballkanit njihen shumë pak mes vete”
Ndër folësit e shumtë që morën pjesë në diskutimin mbi librin ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek, sigurisht nën përkthimin e Elvit.
“Poezia, si poet që jam vetë, nuk është e lehtë për t’u përkthyer. Jam i hapur edhe unë për bashkëpunime. Shpresoj që autorët bashkëkohorë kroatë të promovohen në Kosovë. Sado që mendojmë se jemi të mirë, shqiptarët në Kosovë me shqiptarët në Kroaci, ne nuk njihemi siç duhet. Ky është problemi i popujve të Ballkanit. E pikërisht përmes kulturës mund të njihemi më mirë mes veti, letërsia është mënyra më e mirë për të arritur këtë. Njerëzit e letërsisë flasim një gjuhë të përbashkët, ndonëse kemi gjuhë të ndryshme, kjo është gjëja më thelbësore”, përfundoi ai.
Mbylljen e këtij promovimi e bëri, drejtoresha e gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti, e cila ndër të tjera tha e falënderoi dhe uroi Elvin për promovimin e librit të tij.
“Është kënaqësi në fakt që në këtë promovim kemi edhe njerëz nga fusha të ndryshme, e për këtë kultura po vazhdon që të dëshmojë gjithmonë se lidh ura mes njerzish e popujsh”, u shpreh ajo.
Libri, i cili vit pas viti vazhdon të diskutohet çdo herë nëse do t’i mbijetojë kohës moderne, asaj të internetit, po vazhdon të mbetet stoik dhe si i tillë promovime të ndryshme po ndodhin në mbarë botën. /KultPlus.com
Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, vjen triumfues këtë fundqershor në Napoli me “Key of Unity”, çelësin e përdredhuar të unitetit. Ai beh guximshëm dhe besimplotë të hapi dyert e një bote që tenton të na mbajë kyçur në një të tashme, ku ne jemi pjesë e gjithçkaje në një botë ku e mundshmja e vogëlon rruzullin dhe ne na shpërblen me bujarinë krijuese si shprehje e një vullneti të lartë, përmes artit si shkas dhe shpirtit të artistit si kushtim.
Fundqershori i “Artis Suavitas Civitas”, aty ku shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi Milot ka dëshmuar përmes veprës lartësinë e një shpirti të paepur krijues, do të shndërrojë Napolin në kryeqendrën e ngjarjeve kulmore të Artit, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Emra dhe personalitete, identitete mëtimesh estetike dhe potenciale kumtesh transformuese përmes pasionit, shpirtra të energjive potenciale të së bukurës, ëndërrtarë dhe sfidues, do të tregojnë me kryevepër se njerëzorja është një mision, dhe Napoli do të jetë altari i lartë, ku lutja e tyre do të “zbresë” Krijuesin në tre ditë kremtimesh të blatimit të shpirtërores.
Tre ditë kushtuar artit dhe kulturës me figura ndërkombëtare do t’i mëkojnë shpirtit krijues kushtimet e hyjshme në Napoli, nga 28 deri më 30 qershor. Palazzo Reale do të dehet në përkundjen magjishme të Artis Suavitas Civitas kermesse.
Skulptori dhe piktori, Alfred Mirashi Milot do të jetë artisti shqiptar, pjesëmarrës dhe triumfator në këtë shpërfaqje të sfidës, karshi emrave të tjerë të mëdhënj, ndër të cilët, Giovanni Allevi, Piero Angela, Pupi Avati, Oscar Farinetti, Stjepan Hauser, Liu Ruowang, Michelangelo Pistoletto, Massimiliano Gallo, Catena Fiorello.
Më 28, 29 dhe 30 qershor 2022, do të jenë një zhytje në përsosmërinë e ngjizjes së madhështores së Arteve, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Tri ditë plot me takime, iniciativa dhe evente, me një qëllim madhor: nxitjen e dialogut midis brezave për çështje aktuale, në një nga vendet më ndjellëse të qytetit të Napolit, pikërisht në Pallatin Mbretëror.
E gjithë kjo dhe shumë më tepër është Artis Suavitas Civitas, projekti kulturor i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Artis Suavitas Aps, e kryesuar nga Avv. Antonio Larizza, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rajonit të Kampanisë, Qytetit Metropolitan të Napolit, Bashkisë së Napolit, Universitetit të Napolit “Federico II”, RAI – Campania dhe Pallatit Mbretëror të Napolit.
Udhëzimet – ka thënë për mediat avokati Antonio Larizza, krijuesi dhe organizatori i Artis Suavitas Civitas – i politikës së promovimit dhe përmirësimit të trashëgimisë artistike, kulturore dhe peizazhit të miratuar nga Artis Suavitas Aps, të cilin kam nderin ta kryesoj, bazohen në nevojën për të kontribuar në rizbulimin të identitetit të territorit, duke rinisur thirrjet e tij më të mira. Prandaj, Artis Suavitas Civitas është konfiguruar si një “Lista e lojërave kulturore” e vërtetë, një përmbledhje e zhanreve të ndryshme artistike dhe spektatorëve, të cilët do të bashkohen për të jetuar dhe ndarë emocione të paharrueshme me personazhet ndërkombëtarë, në një skenar unik dhe të pasur.
Përveç Pupi Avatit (regjisor), Massimiliano Gallo (aktor) dhe Laura Delli Colli (gazetare) që do të shpërblehen me vlerësime dhe nderime më 28 dhe 29 qershor, në mbrëmjen finale të 30 qershorit, ata që do të marrin çmimin “Artis Suavitas 2022”: Piero Angela (gazetar dhe shkrimtar shkencor); Francesco Ivan Ciampa (dirigjent i Verona Arena); Diego De Silva (shkrimtar); Oscar Farinetti (sipërmarrës); Catena Fiorello (shkrimtare); Stjepan Hauser (muzikant); Alfred Mirashi Milot (piktor dhe skulptor); Michelangelo Pistoletto (piktor dhe skulptor) dhe Liu Ruowang (piktor dhe skulptor).
Italia, qytetërimi i një botë të magjepsur nga e bukura e shpirtit krijues dhe pasioneve shpërthyese të shprehjeve të magjishme, është përtej detit, por Napoli do të jetë këtë fundqershor në sytë dhe zërin tonë, në rrahet kuqezi të zemrës dhe krenarisë së identitetit shqiptar, përfaqësuar nga piktori dhe skulptori, Alfred Mirashi Milot, i cili më shumë se një emër i zëshëm në përfaqësimit shqiptar të vlerave, është një kresht e lartë e kaplimit tonë ëndërrtar. Ai i tregoi Italisë, do të dëshmojë në Napoli, botës mbarë i ka shpërfaqur, se cili është ai shpirt sfidues shqiptar, që si një sfinks ngrihet nga hiri vet për të rrokur fluturimin e hyjt të së bukurisë dhe triumfueses.
Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, përmes veprës fituese “Key of Unity” (Çelësi i Unitetit) prezantuar në bocet, (treguar në foto), që do të ndërtohet në Firence, i qaset “Artis Suavitas Civitas” me mesazhin e dialogut dhe unitetit, e harmonisë së diversitetit të kulturave, kurajës për sfiduar dhe shpirtit të madh krijues, për t’i blatuar tashmërisë të hyjshmen e njerëzores që na bashkon. Më shumë se një vepër arti, “Key of Unity”, ky përdredhim i çelësit që hap dyert që tentojnë të na ndajnë, është altari të cilit Milot i propozon së tashmes, nevojës së ngutshme për unitet, urëbashkimit ndërmjet gjithëndryshueshmërisë që na përfaqëson si identitete dhe njëbotshmërisë që na bashkon dhe së cilës i përkasim dhe e meritojmë, në njeriun si dimension krijues i shëmbëllimit të Krijuesit në ne, në çdoditshmërinë tonë përmes zërit të shpirtit dhe mëkimit të artit.
Jo vetëm kaq, vlen të mëkohet si një osto e shenjtë e besimit te mrekullia e krijimit, fakti se kompania nga Los Angelos “JeanWolfe” bashkë me kompaninë italiane “Mille Volti”, do të jenë mundësuesit financiar të realizimit të skulpturës monumentale “Key of Unity”, që do të ekspozohet në Napoli, Romë, Berlin, Brussel, Paris, dhe pastaj në San Francisco, SHBA. Vullnetet e lartësuara në qëllime do t’i japin botës përmes artit bekimin që sjell uniteti, përbashkimi, triumfi i dashurisë sublime.
Në kuadër të festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, sonte do të jepet premiera e veprës “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.
Vepra është cikël i veprave audio-vizuale, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, ngrohjes globale dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët.
“Lamnet of Earth” është mbështetur nga platforma IIN SITU, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian.
Vepra do ta ketë premierën sonte në Parkun e Qytetit duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com
Legjenda e muzikës shqiptare, ‘Grupi 403’ sonte do të vijë me një koncert në Kino Armatë në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Grupi i cili gjithmonë pret një publik të madh në performimet e tyre, do të rikthehen me hite për të mahnitur gjithsecilin me një performancë unike.
Koncerti do të mbahet sonte duke filluar nga ora 20:30.
“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rock. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së Rockut Kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rockut në Kosovë. Grupi 403 u formua në vitin 1981 nga Mentor Gjurgjiali (bas), Fatmir Zajmi (bateri) dhe Naim Osmani (kitarë). Bendit më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i bashkohet Hektor Gjurgjiali (vokal dhe kitarë), Arben Godanca (kitarë) dhe Veton Orana (sint). / KultPlus.com
Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri Kur andej gardhit fluturojnë Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse Se dy shpata tu për tu Me teha përjashta Ideja e sosjes, Lule, kur je ti pranë ik si shpend i egër andej kah vjen terri. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shprehë ngushëllime për familjen Bajraj, me rastin e vdekjes së poetit Xhevdet Bajraj.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani:
Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të producentes së filmave, znj.Vjosa Berisha.
Ajo ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike, ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë.
Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe i cili do të mbetet simbol me të cilën do ta kujtojmë përherë.
Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!
Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Berisha!
I përhershëm qoftë kujtimi për znj.Vjosa Berisha! / KultPlus.com
Shfaqja “Ora e vdekjes”, shfaqje e bazuar në histori të vërteta të burgosurve politik në Kosovë dhe Shqipëri, do të jepet premierë sot në Muzeun e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Në kuadër të FemArt, kjo shfaqje do të shfaqet më 23 qershor, për të vazhduar edhe për 3 ditë të tjera.
Më pas, në datat 28, 29 dhe 30 qershor do të vazhdojë në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Autorë të shfaqjes janë Ulpiana Maloku dhe Agnesa Mehanolli, ndërsa regjisor është Ilir Bokshi. Në shfaqje do të luajnë Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti. / KultPlus.com
Ajo njihet më së shumti për rolin në Daenerys Targaryen, në Game of Thrones. Por Emilia Clarke thotë se është “e ngurtësuar” përpara debutimit të saj në skenë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Unë jam e vetëdijshme për faktin se do të ketë njerëz që e duan Game of Thrones dhe po e shohin atë për këtë. Është 10 herë më e frikshme sepse do të ketë njerëz që duan të shkojnë dhe të thonë: “Epo ajo mund të aktrojë vetëm në kamerë, ajo qartësisht nuk mund të aktrojë në skenë”, që është padyshim frika më e madhe”, ka thënë ajo.
Por aktorja britanike shpreson gjithashtu që duke u shfaqur në një shfaqje të shkruar në 1895, për një grup rusësh të vetmuar që jetojnë në një prona të izoluar të vendit, ajo do të inkurajojë audiencën për të shkuar në teatër.
“Unë nuk jam në një dragua në asnjë moment gjatë kësaj shfaqjeje. Por shpresojmë se ajo që ata marrin, si një lloj shtesë e vogël, është që ata të shijojnë këtë shfaqje që ata nuk mund ta kishin parë ndryshe”, ka thënë ajo./21Media / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka reaguar pas vdekjes së producentes së mirënjohur kosovare, Vjosa Abazi.
Sipas QKK-së, ikja e saj do të lë zbrazëtirë shumë të madhe në komunitetin artistik.
Postimi i plotë i QKK-së:
Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen e hershme nga jeta të koleges, producentes, bashkëthemelueses dhe drejtoreshës së Prifestit, Vjosa Berisha.
Vjosa ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës dhe kinematografisë kosovare përgjatë më shumë se dy dekadave pune të parreshtur.
Ikja e saj e hershme do të lë zbrazëtirë shumë të madhe në komunitetin tonë dhe publikun mbarë.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes Berisha dhe Istrefi, dhe të gjithë kolegëve./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar sot për vdekjen e poetit Xhevdet Bajraj dhe producentes Vjosa Berisha.
Ministri Çeku përmes një postimi në Facebook u shpreh se arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm dhe personalitete të pazëvendësueshme.
Postimi i plotë i ministrit Çeku:
Dje na la Xhevdeti, sot Vjosa. Në kulmin e dhimbjes për ndarjen nga jeta të poetit të madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, na erdhi lajmi tjetër i kobshëm për shkuarjen në amshim të regjisores dhe producentes së njohur, Vjosa Berisha.
Në momente si këto, fjalët nuk arrijnë të kapin thellësinë e dhimbjes. Arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm, personalitete të pazëvendësueshme.
Ngushëllime familjeve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhevdetit dhe Vjosës./ KultPlus.com
Sot, në nderim të jetës dhe veprës së poetit Xhevdet Bajraj dhe regjisores Vjosa Berisha, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje.
Kjo kërkesë erdhi nga Eliza Hoxha, deputete nga radhët e PDK-së, e cila tha se me vdekjen e Vjosa Berishës, Kosova humbi një ambasadore të kulturës.
“Sot humbëm një person shumë të rëndësishëm të skenës kulturore dhe kisha pasë dëshirë që në këtë hapësirë të njohim kontributin e saj mbi 20 vjeçar në skenën kinematografike, si ambasadore kulturore e Kosovës brenda dhe jashtë saj. Dua t’i ftoj deputetët për një minutë heshtje për Vjosa Berishën”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci, shtoi se duhet të nderohet edhe poeti Bajraj që vdiq dje.
“Nëse mundem ta shtoj që kemi humbur edhe poetin tonë Xhevdet Bajraj në të njëjtën kohë kështu që respekt të dy”, shtoi ajo./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel, ka takuar kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer me të cilin ka biseduar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit me kancelarin e Austrisë, Presidentja Osmani ka falënderuar atë për mbështetjen e qartë të Austrisë pro liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Austria po luan rol të rëndësishëm për ta çuar përpara procesin e integrimit të Kosovës dhe vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor. Ne mbesim të përkushtuar në rrugëtimin tonë evropian”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po realizon takime me krerët e shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel./ KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) njofton se nesër, më 24 qershor nga ora 10:00-16:00 te Hekurudha në Fushë Kosovë organizon hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet brenda mureve”.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.
Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA)./ KultPlus.com
Me tone të ashpra, gjatë konferencës për shtyp pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është një çmenduri dhe një turp.
“Një tjetër peng marrje është ajo e Kosovës. Është popullata e vetme në Evropë që nuk mund të lëvizë lirish. Imagjinojeni,. Ara ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme. Unë u thashë dhe ndihem i keqardhur që u ndjeva si të nevojshme, që Serbia është në realitet krejtësisht tjetër. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe opinioni nuk është i prirur të vrapojë drejt Brukselit por jashtë çdo pritshmërie, edhe times, se sinqerisht nuk e prisja. 3 herë janë harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga këshillit i të drejtave të njeriut. Unë nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksionet. Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi jep efektin e kundërt! Dhe koston do ta ketë agjenda evropiane e Serbisë dhe popullate e rajonit”, tha Rama./express / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shprehë ngushëllime për familjen Bajraj, me rastin e vdekjes së poetit Xhevdet Bajraj. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.
Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të poetit, z.Xhevdet Bajraj.
Ai ishte poeti, ligjëruesi e intelektuali i angazhuar, i cili ndonëse jetoi larg atdheut u bë ambasador kulturor, duke afirmuar kudo vlerat e lëtërsisë së sotme shqipe.
Poeti Bajraj iku, por vargjet na i la testament për brezat e tashëm dhe të ardhshëm. Krijimtaria e tij do të lë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe.
Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!
Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Bajraj!
I përhershëm qoftë kujtimi për z.Xhevdet Bajraj! / KultPlus.com
Sot, arti në Kosovë mori lajmin e trishtë për vdekjen e producentes kosovare, Vjosa Berisha, përcjell KultPlus.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook shkroi se sot Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq.
Postimi i plotë i kryetarit Rama:
Vjosa e Prishtinës!
Sot, Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq.
Sot, ndjehemi më të varfër pa miken tonë të mrekullueshme, Vjosën, që nga zemra i dha kryeqytetit aq shumë kreativitet e energji pozitive.
I bashkohem me pikëllim të thellë dhimbjes së familjes Berisha dhe Istrefi në këtë humbje të madhe./ KultPlus.com
Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), është mbajtur sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, shkruan KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur sot një fjalim të fuqishëm para liderëve ku me theks të veçantë foli për liberalizimin e vizave duke ju drejtuar shefave të BE-së: Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë.
Gjatë ditës së sotme, presidentja e vendit u takua me shumë personalitete të cilët shprehen hapur përkrahjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin ndau edhe një fotografi me presidenten Osmani në rrjetet sociale duke theksuar mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e saj për tu bërë pjesë e familjes më të madhe në botë.
“Takim i ngrohtë dhe konstruktiv me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani. Përsëris mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e tyre si pjesë e familjes më të madhe evropiane”, ka shkruar kryeministri Martin. / KultPlus.com
Sot, arti kosovar mori lajmin e trishtë për vdekjen e producentes së mirënjohur, Vjosa Berisha, përcjell KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook e ka konsideruar vdekjen e Vjosa Berishës si një ikje të parakohshme që la zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.
Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:
Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha.
Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.
Vjosa Berisha, në 50 vitet e saj, la një trashëgimi mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” për më shumë se një dekadë. Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishte i pashoq dhe do ti mungoj gjithë komunitetit artistik.
Sot nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë.
Ngushëllime familjes, miqve, dhe shoqërisë tonë!./ KultPlus.com
Gazetari i njohur gjerman Markus Preiss ka komentuar paraqitjen e presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka thënë nëpërmjet Twitter se kushdo që dëshiron të shoh se si bëhet një komunikim shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Markus Preiss është shef i studios së televizionit gjerman ARD në Bruksel. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij.
«Kush dëshiron të shoh se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht»./ KultPlus.com
Sot, pas një sëmundje të rëndë, ka vdekur producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha,.
Vjosa Berisha kishte mbi 20 vjet përvojë pune në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Ajo krijoi B2, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me zyre në Kosovë dhe Shqipëri.
Berisha ishte gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PriFest që nga fillimi duke marrë rolin e Drejtoreshës të Festivalit duke e rritur me ambiciozitet festivalin për 11 vjet për ta bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë.
Ky festival sot është i frekuentuar nga shumë kineastë nga rajoni, Evropa dhe një sërë personalitetesh të njohura botërore të filmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit dhe të ftuar nga Evropa. PriFest zhvillohet çdo vit në korrik në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Në vitin 2015 Berisha mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015. Ajo prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenarist dhe regjisor Fatos Berisha dhe filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) bashkëprodhuar me regjisorin Borjan Zafirovski.
Ajo ka punuar në shumë projekte të tjera video dhe televizive duke përfshirë producenten e programit të famshëm për fëmijë “Sesame Street Workshop” (prodhoi 42 inserte të segmenteve “3 minuta të gjata” në shqip dhe serbisht për audiencën kosovare të transmetuara në televizionin publik RTK gjatë viteve 2002-2004).
Vjosa Berisha ishte edhe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor konsiston në një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Ëestminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë. Në vendin e saj Kosovë, ajo ishte një zë i fortë në promovimin e të drejtave LGBTI përmes programit Let it Be të PriFest të cilin e krijoi në 2014 dhe e kuroi atë në partneritet me Outfest LA dhe Queer and Migration IFF Amsterdam./ KultPlus.com
Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, shkruan KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur sot një fjalim të fuqishëm para liderëve ku me theks të veçantë foli për liberalizimin e vizave duke ju drejtuar shefave të BE-së: Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë.
Vizat shpesh kanë qenë pengesë kryesore edhe për artistët e sportistët.
Duke qenë se e ka provuar në lëkurën e tij, trajneri Driton Kuka ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku shprehet optimist dhe kujton se Kosova ishte e para në Lojërat Olimpike në Sportin e Xhudos prej krejt shteteve evropiane, andaj mos liberalizimin e vizave e sheh diskriminim nga ana e Evropës.
Sot pas një sëmundje të rëndë ka vdekur producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër. Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë. Familjet Berisha dhe Istrefi./ KultPlus.com
“Memorandumi i Greçës”, siç pohon historiani Romeo Gurakuqi, “ka qenë programi më i avancuar kombëtar shqiptar, i tejkaluar veç prej aktit të shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912”. Por, meqë ishte i kufizuar në hapërisën e fiseve veriore (Kastrati, Kelmendi, Shoshit, Hotit, Grudës, Kuçit, Shkrelit dhe të tjerëve përreth), nën ndikimin e madh të Malit të Zi dhe të rivalitetit austro-italian për instrumentalizimin e popullatës së besimit katolik për qëllime të veta, përnga përgjigjja që mori na Perandoria Osmane, si dhe rrudhja e tyre në “kërkesa të nahijes së Shkodrës”, mbeti i shkëputur nga konteksti i përgjithëm i lëvizjes kombëtare, siç ishte Katërmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës në gusht të vitit 1912, që u kthye në marrëveshje konkrete, të parën e llojit të tillë, me Perandorinë Osmane.
Jusuf BUXHOVI
Udhëtimi i Sulltan Mehmeti V në Kosovë, që filloi me vizitën në Shkupit më 11 qershor, ishte plot “tone pajtuese”. Sulltani lavdëronte besnikërinë e Shqiptarëve ndaj Perandorisë dhe premtonte “jetë të përbashkët” dhe “vëllazërore”.
Në Shkup, disa nga prijësit vendorë para masës së madhe që kishte dalë ta priste Sulltanin, i deklaruan “besnikërinë e përjetshme” Perandorisë Osmane. Pas katër ditësh, Sulltani udhëtoi për në Prishtinë, ku nënshkroi një amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritjet e viteve 1910 dhe 1911. Ndonëse Kosova kishte qenë e njohur për besnikërinë ndaj Sulltanit, pritja qe e ftohtë. Në Fushën e Kosovës, ku pritej një manifestim i madh islamist, kishin ardhur njerëz vetëm nga rrethina dhe katundet e afërta. Qytet si Peja, Gjakova dhe Prizreni nuk kishin dërguar përfaqësues, gjë që dëshmonte se në Kosovës kishte ndodhur një ndryshim i madh.
Më 18 qershor Shefqet Turgut Pasha bëri të ditur shpalljen e dekretit perandorak për amnistinë. Kryengritësit duhej të ktheheshin brenda dhjetë ditëve dhe të dorëzonin armët. Sulltani do t’u bënte një dhuratë prej 10 mijë lirash turke si dëmshpërblim, me ç’rast qeveria do t’u zhdëmtonte malësorëve pasurinë e humbur ose të shkatërruar.
Që “pajtimi” midis Shqiptarëve dhe Osmanëve të mos dukej vetëm si çështje e një konflikti tashmë të mbyllur rreth “vendosjes së rregullit”, ku kishte pasur keqkuptime të dyanshme të cilat po tejkaloheshin, por e gjitha të përcillej edhe me një marrëveshje e cila do të mbështetej mbi kërkesa politike, në përputhje me ato që tashmë dilnin nga platforma kombëtare, e që kishin të bënin me autonomi, do të përkujdeset Ismail Qemali bashkë me disa nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i cili gjatë kësaj kohe ndodhej në Cetinë për të biseduar me kryengritës. Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe me ndërmjetësimin e Komitetit të Podgoricës, më 23 qershor, në pllajën e Greçës (në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe), thirri Kuvendin e Përgjithshëm të krerëve Shqiptarë. Aty u miratua dokumenti më i rëndësishëm i kryengritjes, i njohur me emrin “Libri i Kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilin u shtyp), i hartuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.
Në Memorandum parashtroheshin këto kërkesa:
– garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë dhe zakonet e vendit;
– të njihej kombi shqiptar me po ato të drejtat që kishin e tjera të Perandorisë Osmane;
– liri të plotë për zgjedhjet e deputetëve Shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë;
– të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë Shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit;
– nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit;
– të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin Shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas;
– të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga Sulltani për një periudhë të caktuara;të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që, mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore;
– shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë;
– të ardhurat fiskale të përdoreshin në vend për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafit, të duhanit, të alkoolit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve si kapitulacione;
– fshatarëve t’u njihej e drejta për prerjen e pyjeve sipas një takse;
– këshillat e përgjithshëm të kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet;
– të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive Osmane dhe t’u ktheheshin Shqiptarëve armët që u ishin marrë.
“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit të Perandorisë Osmane në Mal të Zi, Sadredin Beut. Për të pasur mbështetjen e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Bacaj etj., ua dorëzoi Memorandumin përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.
Pas më shumë se një muaji, më 30 korrik 1911, ambasadori osman në Cetinë, Sadredin Beu, shpalli në Podgoricë kundërpropozimet e qeverisë osmane ndaj kërkesave të kryengritësve. Ato ishin shumë larg autonomisë, që Shqiptarët kërkuan në Memorandumin e Greçës dhe kufizoheshin vetëm në zonat e kryengritjes.
Me këtë dokument qeveria Xhonturke shpallte amnistinë e plotë për të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes po i dorëzuan armët. Shërbimi ushtarak do të kryhej brenda vilajetit të Shkodrës dhe vetëm një vit në Stamboll. Si drejtorë dhe anëtarë të këshillave administrativë do të emëroheshin edhe bajraktarët. Xhelepi do të caktohej duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë. Taksat do të mblidheshin kur Shqiptarët të ishin në gjendje të paguanin. Armët do të mbaheshin me leje të posaçme. Do të ndërtoheshin në malësi, me mjete të shtetit, dy shkolla fillore ku do të mësohej gjuha shqipe. Do të ndërtoheshin rrugë dhe ura.
Malësorët në fillim kundërshtuan marrëveshjen, duke kërkuar që vëmendja të përqendrohej tek pikat e Memorandumit të Greçës. Por, përfaqësuesit qeveritarë nuk pranuan që ajo të zgjerohej me kërkesa kombëtare. Te detyruar edhe nga trysnia e qeverisë së Cetinës, e cila ishte marrë vesh me Rusët që të mos përkraheshin kërkesat e Shqiptarëve që kishin të bënin me autonomi, marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke u nënshkrua me 2 gusht 1911. Me 5 gusht malësorët filluan të kthehen në grupe. Ata që nuk pranuan të ktheheshin, e ndër ta ishte edhe njëri ndër prijësit e kryengritjes Dedë Gjo Luli, qeveria malazeze i internoi përtej Moraçës.
Me këtë qeveria xhonturke, po edhe fqinjët e Shqiptarëve, ia dolën që kryengritjen e Malësisë së Veriut, ta shkëpusin nga konteksti i një kryengritjeje të gjerë si dhe pretendimet që ajo të delte me kërkesa politike të përmasave kombëtare, siç pretendohej me Memorandumin e Greçës, për ta rrudhur në një rebelim lokal, i cili justifikonte si dhunën e shtetit “jashtë mase” për të vendosur “rendin dhe ligjin” dhe po ashtu, në njëfarë mase, arsyetonte edhe reagimet e Shqiptarëve ndaj saj, meqë ajo binte ndesh me traditën e tyre shekullore me të cilat ata ishin vetëqeverisur.
Në përgjithësi kryengritja e Malësisë së Veriut mbeti e shkëputur nga një përgjigje e përgjithshme, dhe madje mund të thuhet, se ishte e gjykuar të dështonte, pse në masë të madhe kahun si dhe përmasat reale ia përcaktuan faktorët e jashtëm: ushtarakët osmanë dhe ndërhyrja e Malit të Zi dhe pjesërisht edhe e Italisë./ KultPlus.com