Ballkoni

Poezi nga Charles Baudelaire

Dashnore e dashnoreve, nënë e kujtimeve
për mua je çdo detyrë dhe çdo kënaqësi!
Do të bjerë ndërmend bukuria e përkëdhelimeve,
nuri i mbrëmjeve dhe vatra plot ngrohtësi,
dashnore e dashnoreve, nënë e kujtimeve!

Mbrëmjet ndriçuar nga qymyri plot ngrohtësi,
Dhe mbrëmjet në ballkon, me avuj të trëndafiltë mbuluar!
Ah, sa mirësi zemra jote më rrezatonte, sa butësi!
Shpesh ne patëm thënë gjëra të paharruara;
Mbrëmjeve ndriçuar nga qymyri plot ngrohtësi.

Sa të bukur diejt në mbrëmjet e ngrohta të praruara!
Sa e fortë është zemra! Hapësira pa anë e kënd!
Duke u përkulur mbi ty, mbretëreshë e vashave të adhuruara,
më dukej sikur thëthija, parfumin e gjakut tënd.
Sa të bukur diejt në mbrëmjet e ngrohta, të praruara.

Posi mur i madh gjithnjë më shumë nata nxinte
dhe sytë e mi n’errësirë të tutë donin të gjenin.
O helm, o ëmbëlsi, goja frymën tënde thëthinte!
Në duart e mia vëllazërore këmbët e tua flinin.
Porsi mur i madh gjithnjë më shumë nata nxinte.

E njoh artin për të thirrur minuta lumturie,
të kaluarën pashë tulatur nën gjurin tënd.
Pse të kërkoj më kot bukuritë e tua dalldie,
përveçse te trupi, zemra jote, në tjetër vënd?
E njoh artin për të thirrur minuta lumturie!

Këto betime, aroma, puthje që s’kanë të mbaruar,
nga ky hon i ndaluar për ne a do lindin përsëri?
siç ngjiten në qiell diejt e rinuar,
pasi në detra janë larë, zhytur në thellësi?
O betime! O aroma! O puthje që s’kanë të mbaruar! /KultPlus.com

Hill: Të gjithë jemi disi të dëshpëruar që nuk mund të zgjidhnim çështjet në periudha afatshkurta

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se Serbia kishte “frymën e duhur” gjatë dialogut me Kosovën më 18 gusht në Bruksel.

Në një video-adresim të tij, të publikuar më 19 gusht në Twitter nga Ambasada amerikane në Serbi, thuhet se kjo është gjë e mirë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, por edhe për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Serbi.

“Mendoj që kemi shumë çështje të përbashkëta që mund të punojmë. Jo gjithçka që bëjnë SHBA-ja dhe Serbia duhet të lidhen me Kosovën. Ne duhet të punojmë shumë në çështjen me Kosovën, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, por mendojmë që ka edhe çështje tjera që mund të punojmë me Serbinë dhe jam shumë i inkurajuar nga ajo që pash dje”, tha Hill.

Sipas ambasadorit, dita e djeshme në Bruksel ishte me shumë diskutime, shumë takime dhe shumë negociata.

“Të gjithë jemi disi të dëshpëruar që nuk mund të zgjidhnim çështjet në periudha afatshkurta apo afatgjate, por mendoj që kishte zhvillime pozitive”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Të dielën pritet edhe takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë nga Kosova.

Rundi i ri i dialogut u mbajt tri javë pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.

Më 19 gusht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, tha se Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para 1 shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova./REL /KultPlus.com

“Fotoja vlen sa njëmijë fjalë”

19 gushti shënon Ditën Botërore të Fotografisë.

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të mira për fotografinë. /KultPlus.com

Fotoja vlen sa njëmijë fjalë.

— Napoleon Bonaparta

Një foto vlen sa 1000 mohime.

— Ronald Reagan

Unë besoj në barazinë e gjithkujt, përveç reporterëve dhe fotografëve.

— Mahatma Gandi

Postieri kërkon një autograf. Taksisti kërkon një foto. Kamarjerja kërkon një shtrëngim duarsh. Secili e kërkon një pjesë tënden.

— Xhon Lenon

Fituesit e konkursit PRISHTINA N’FESTE

Platforma PRISHTINA.PHOTOS në bashkëpunim me artistë, dizajnerë dhe fotografë të qytetit, kanë hapur garën e fotografisë PRISHTINA N’FESTË, ku përmes fotografisë qytetarët kanë ndarë momentet nga festat e tyre. Përmes shkrepjeve kanë ndarë momente nga festa në  shtëpi, në rrugë, në bare, kafene, punë, familje e natyrë.

Juria profesionale e përbërë nga Nita Deda, Rina Abazi dhe Blerta Basholli, kanë bërë përzgjedhjen e fotografive fituese të garës PRISHTINA N’FESTË.

Vendi i parë i është ndarë fotografisë së Linda Mustafa, e cila përveç se ka një kompozicion dhe dritë shumë të mirë, kap një moment të sinqertë e spontan të një feste që feston lirinë e të qenit vetvetja! 

Vendi i dytë ndahet për fotografinë e Tesa Krasniqi, për kombinim të ngjyrave, të cilat janë plotë jetë e rrezatojnë energji festive, të cilat bashkë të japin emocion të veçantë e festiv.

Ndërsa vendi  tretë ndahet për fotografinë e shkrepur nga Edona Murseli, për çasje të sinqertë, reale e dokumentare të një momenti të bukur të fëmijëve,buzëqeshja e të cilëve të merr me vete për të 
festuar borën bashkë me personazhet.

Kujtojmë se platforma PRISHTINA.PHOTOS ka organizuar gara të ndryshme të fotografisë si Prishtina n’Shpi e cila ka grumbulluar fotografitë e qytetarëve të Prishtinës, duke mbledhur kështu momentet më të bukura të përditshmërisë sonë gjatë karantinimit. Platforma PRISHTINA.PHOTOS mbështetet nga Komuna e Prishtinës dhe ICK dhe do të vazhdojë të sjellë gara të reja të fotografisë./KultPlus.com

Fotoja fituese
Vendi i dytë
Vendi i tretë

Xhevahiri i fjalës

Zhuliana Jorganxhi

Mikes sime poete n.lako

më kërkove rrugëve të korçës.
perëndimi ulej atë çast këmbëve të saj,
thyente kokën nëpër kalldrëme,
gurët bëheshin fjalë xhevahir.
në kërkim të tyre nuk e di
më gjete a të gjeta.

erdhi një kohe,
që besuam se erdhi,
diku në një cep dhjetori ‘nentedhjete,
besuam se gjetëm rininë e shpirtit të humbur,
nën dritën e xhevahirit të fjalës së lirë
nuk e di,
më rigjete a të rigjeta.

eshtë një kohë tani,
që nuk e di në është…
rrugëve të botës
enigma e fjalës na bën ende shënjë.
rend unë a rend ti,
të kërkoj a më kërkon,
nën dritën e xhevahirit të gjuhes sonë,
të gjej a më gjen
nuk e di…

do vdes duke të kërkuar,
do vdes duke të gjetur,
nën driten e një xhevahiri,
xhevahir të fjalës, që nuk vdes! /KultPlus.com

Lini, qendër tërheqëse për turizmin

Bujtina “Vila 43” është një nga shtëpitë e veçanta në fshatin e bukur të Linit në Pogradec, i kthyer tashmë në qendër tërheqëse për turizmin, edhe si pjesë e programit të qeverisë për “100 fshatrat”.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, ka qenë në Lin, duke parë nga afër punën që bëhet në “Vilën 43” për të mikpritur vizitorë nga të katër anët e botës.

Duke biseduar me të zotin e shtëpisë, Naum Bicin, prefekti Jole ka mësuar për mbështetjen që ka marrë “Vila 43” nga qeveria, nëpërmjet programit IPARD II për pajisje hotelerie, bari, restoranti e pajisje për aktivitete në natyrë për turizëm.

Të gjitha këto kanë arritur vlerën 14 052 888lekë si bashkëfinancim, me kontribut kombëtar e të BE-së. Ky financim ka bërë të mundur që bujtina të jetë shumë e frekuentuar, sidomos në periudhën nga qershori në shtator.

Përveç vizitorëve vendas, turistë nga Gjermania, Franca, Çekia, Izraeli e deri nga Uruguai, kanë rezervuar aty, shembull i cili dëshmon se qarku i Korçës ka një potencial të madh për të afruar turistë të huaj nga gjithë bota.

Fondet IPARD II mbështeten ata fermerë aplikues ne program, të cilët investuan në ferma bujqësore, për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe në diversifikimin e ekonomisë në fshat.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion ishte 57.68 milionë euro nga të cilat 75% ose 43.26 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

‘Vetëharrimi’ nga Besim Rexhaj pjesë e revistës Forum të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kroacisë, në trenumërshin (4-6) më të ri të Revistës së saj FORUM të këtij viti (2022), ka botuar edhe monodramën e studiuesit dhe dramaturgut Besim Rexhaj, Vetëharrimi. Kjo monodramë, e cila është botuar edhe në gjuhën angleze si botim dygjuhësor para dy vitesh nga Qendra Multimedia me seli nëPrishtinës, është përkthyer nga gjuha shqipe në atë kroate nga studiuesi But NueJaku. Kjo është monodrama e dytë e këtij dramaturgu, e cila ibotohet në gjuhën kroate. Para dy vitesh, Revista e njohur për letërsi, kulturë e art “REPUBLIKA”,  e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kroacisë, i botoi monodramën Loja e pafund,   MonPara dy vitesh.

VETËHARRIMI, si tekst dramatik e si shfaqje teatrore, në qendër të vet e ka tragjiken e luftës e të pasluftës, me një fokusim në fatin e një të mbijetuare të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit( 1998-9). Një monodramë me një bazë të fortë dokumentare, VETËHARRIMI, me anë të gjuhës së sintezës artistike, e artikulon jo vetëm dramën e individit – të femrës së dhunuar, por edhe dramën e kolektivitetit – të femrave të dhunuara, dhe, si e tillë, ajo artikulon dramën e familjes e të shoqërisë, pasojat të cilat e rëndojnë trupin dhe shpirtin e individit, të familjes e të shoqërisë! 

VETËHARRIMI, me gjuhën e dhembjes, të akuzës, të ironisë e të qortimit moral e, madje, edhe politik, është një thirrje e fuqishme artistike, drejtuar sa një regjimi gjenocidial, aq edhe shoqërisë sonë, e cila, gjatë periudhës së pasluftës, e ka margjinalizuar një nga shtresat dhe një nga plagët më të rënda të luftës  – të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe tragjikën e traumës së tyre, që është tragjika dhe trauma jonë!

KultPlus ju sjell një pjesë nga drama më poshtë:

(Përpiqet për të gjetur në disa dokumente që i ka në një raftëlibrash një raport të psikologut a një diagnozë dhe, pasi nuk e gjen, heq dorë.)  

Nuk e di, nuk e di tamam, këtë ferrin tim e quanin me emra të ndryshëm, këtë e kam kuptuar vetëm më vonë, por, një nga shpjegimet që i përdornin menjëherë përfundi diagnozës ishte se duke ikur nga vetja, nga turpi, nga dhembja, nga vuajtja, nga tmerri, isha çmendur!! Nejse, nuk thuhej tamam kështu, por, ashtu siç isha, e dhunuar dhe, edhe më shumë se kaq, e dhunuar shumëfish dhe, mbi të gjitha, si dëshmitare e dhunimit, si e tillë, nuk mund ta pranoja vetveten ashtu siç isha, dhe ikja….ikja dhe fshihesha nga vetvetja e nga të tjerët! Ikja nga të tjerët dhe nga të gjithë ata që as ma njihnin plagën e vuajtjen, pos atyre që kishin kaluar nëpër ata rrathë ferri… Ahhhhahaaaaaa…!

(Si me një shpërthim të brendshëm vuajtjeje.)

Ohhhhh…. Po, po, ata që, vonë e kam kuptuar këtë, ata që nuk donin ta quanin çmendi ferrin tim, e quanin disi butë, dhe i thoshin traumë, çrregullim, tjetërsim, largim nga vetvetja, më së shpeshti- çrregullim i stresit post-traumatik… Kurse unë  e quaja, le ta them ndryshe… me një gjuhë tjetër… Po lëre, lëre fare, ç’rëndësi ka si e quaja?!… Nuk e dija dhe as e di si t’ia bëjë me vetveten, si ta gjeja shtegun e shpëtimit kur të gjitha rrugët po më ngushtoheshin! Ku të fshihesha nga vetvetja?! Nga e kaluara ime?!… Nga era e gjakut përzier me erë rakie… Nga era e gjakut përzier me erë rakie e shfrenim të egër e të pafund mbi mua… Dikur e pata kuptuar paksa dhe përpiqesha, ashtu siç dija dhe me aq sa kisha mundësi, përpiqesha të shfletoja nëpër zonat e harrimit të qenies e të kujtesës sime… Nëpër ato zona të cilat, sa herë zbrisja pak më thellë drejt të kaluarës sime, më trembnin… Natën ma nxirrnin gjumin me ëndrrat me korba e gjarpërinj, kurse unë, e qullosur nga djersa e ankthit, e mbështesja kokën në gjoksin e burrit tim, të cilin mezi e njihja, jo nga terri i natës, po nga verbimi i mendjes… Dhe vetëm e vetëm pas shumë përpjekjesh e fjalësh të përsëritura ritmikisht nga ai: “Unë jam, unë jam, Skifteri, Skifteri yt, je me mua, unë jam me ty, unë jam, ne jemi këtu, ti dhe unë, unë jam… Mos ke frike, je me mua, askush nuk të lëndon… jo jo… Unë jam këtu, këtu dhe me ty…” Vetëm atëherë e kuptoja se isha zhytur nëpër honet e së kaluarës sime… Dhe nuk dija më nga të shikoj, kujt t’i drejtohem, kur asgjë nuk më ngushëllonte… Nuk e di, nuk e di… (…)  

Cila jam unë? Cila prej këtyre jam unë???!!… A jam grua, grua, grua a jam!? E nënë, nënë, nënë a jam…!! E femër!? Femër, femër a jam…!? A jam bashkëshorte!? Bashkëshorte, bashkëshorte a jam…!! Gjithçka nëse harroj, fjalën nënë, grua, bashkëshorte nuk duhet ta harroj!!! Por, cila jam unë??!!! Cila jam unë? Cila? Kur tashmë nuk e njoh as veten time dhe atë që e ndjej… Ti je një grua, një grua, grua… Ti je një nënë, një nënë, nënë… Ti je një femër, një femër, femër… Ti je një bashkëshorte, një bashkëshorte, bashkëshorte…. Këtë nuk duhet ta harrosh!!…Gjithçka nëse harron, këtë nuk duhet ta harrosh!!! (…) 

A thua vetëm pse gishti i burrave të botës ishte drejtuar mbi ne dhe, ashtu i hekurt siç ishte, po rrënonte prapë edhe atë pak jetë që mund të kishte mbetur brenda nesh? A thua vetëm pse hija e turpit dhe mallkimi i mëkatit të pabërë kishin rënë mbi ne në kohë lufte??!!! A thua duhet të strukemi në shtëpitë tona, të poshtëruara, të braktisura, me gojën të kyçur??!!!… A thua për këtë duhet të shndërrohemi në hije, në hije të jetës e të vdekjes???!!!… Zot, si jemi skajuar, si na kanë skajuar??!! Tamam sikur të ishim gjësende, të cilat i shtyjmë anash që të mos marrim thua në to!!!! Po, po, edhe ne jemi po ashtu shumë si ata që janë vrarë e nuk janë më… Dheu iu qoftë i lehtë atyre… Thoshin, madje, ishim më shumë… E ç’rëndësi ka kjo nëse ishim më shumë a më pak… Kjo vetëm sa e shton vuajtjen tonë… Ata që kishin rënë, që kishin vdekur, që ishin vrarë nga makineria e vdekjes, dhe që i kishin fikur familjet e tyre, mbi jetën e vdekjen e të cilëve ishte ndërtuar liria!… Kjo liria që e kemi, e madhe dhe e vogël, e bukur dhe e shëmtuar, me bukë e pa bukë, liri me lukse e mjerime, me skamje e varfëri… Po, po, vdekja e tyre madhërohej, e atyre që kishin rënë, nga të gjithë, mbi të gjitha nga hileqarët në pushtet dje e sot që, duke iu ndërtuar lapidare cep më cep, po fshihnin turpet e veta dhe po e blinin  paqen e pasluftës!… Dhe po krijonin taborret e atdhetarëve e të tradhtarëve, që i përdornin sa herë ua donte puna, që, mbi të gjitha, ta ruanin qetësinë e mirëqenies së tyre!!!!… E pse jo, me vdekjet, që i shpallnin heroike edhe kur nuk ishin të tilla, mund të bëhej shumë, mund të frymëzohej ideali i shtrenjtë i lirisë!!!…Sepse vdekja, edhe kur sjellë dhembje, vuajtje e humbje, me vete bart edhe flamurin e mburrjes, të cilin e valëvisin pushtetarët sa herë ua do puna… Kurse me ne, që kishim vdekëme shpirtin e na e kishin vra frymën e jetës dhe jetonim disi vetëm me trupin, me ne nuk mund të krenoheshin!!… A valohet flamuri i turpit e i dhunimit, me të cilin na kishte mbështjellë jeta pa fajin tonë???!!! Nga ne duhet të fshiheshin, ne duhet të zvogëloheshim, të ishim a të bëheshim të paqena!!!… Sepse ne ishim ato me të cilat nuk mund të krenoheshin pushtetarët, dhe jo vetëm pushtetarët, sepse ne ishim viktima të luftës, të mbijetuara të luftës, thënë më butë!…Vetëm viktima dhe në gjëmën tonë nuk kishte asgjë heroike, kishte dhembje përzier me turpin, që i bënte hije të keqe madhështisë e heroizmave… Po, po, sepse dhembja e vdekjes në luftë, që rrëmben jetën, më të madhen gjë që e kemi në këtë botë, shndërrohet në krenarinë e paqes e të lirisë, që e shkërdhenin natën e ditën dhe vazhdojnë ta lodrojnë edhe sot, të më falni, po e kam nga zemra e plastë!!!…Me ne të mjerat, me ne viktimat e luftës e të pasluftës, çka mund të bëhej??!!!  Kush mund ta ngrinte zërin për ne e të thoshte e pakta dy a tri fjalë mëshire e ngushëllimi, të mos flas për respekt e adhurim??!!… Ashtu siç e ngrisnin zërin pushtetarët dhe horrat e tyre në ato tubimet e përkujtimit për të rënët, ku më së paku përkujtoheshin ata e dhembja e familjes për njerëzit e vrarë, që nuk ktheheshin më kurrë në sofrat e në shtretërit e vet!!!… Dreq o punë, por këta luftëtarë lirie, e ngrisnin zërin e kujtoheshin vetëm në përvjetor, thuajse ata kishin rënë që dashuria e kujdesi për ta të dëshmoheshin në përvjetor, as më herët e as më vonë!!!… As më shumë e as më pak… Tamam në përvjetor dhe vetëm në përvjetor!!!… Por, kush mund ta valonte flamurin e mburrjes me ne??!!!… Jo, jo… ne duhej të mbaheshim në skajet e jetës, në margjinë, si thoshin, në heshtje dhe të heshtura, gojëkyçura… Dhe të ishim plotë mirënjohje e respekt për ndihmën që na e ofronin kur ne e dëshmonim, vetëm atëherë kur e dëshmonim, se ishim viktima të dhunës e të dhunimit!… Edhe atëherë kur nuk e dinim as rrugën për të shkuar e për të trokit në dyert e atyre zyrave për ato pak para, me të cilat mezi dilet në fund të muajit!!… Ju nuk e dini dhe nuk e besoni,  por unë e di dhe i kam parë me sytë e mi kur rrëfeheshin me lot në sy se qysh pa arritur në gjysmë të rrugës drejt atyre zyrave, ku ndahej ajo lëmoshë, janë kthyer mbrapshtë në shtëpitë e tyre!! Sepse iu dukej se njerëzit, i madh e i vogël, po bënin me gisht në to e po thoshin…” Ja, kjo është ajo, një nga ato, një nga ato që në kohë lufte është…. E kanë dhunuar…!!!…” Dhe ktheheshin në çerdhet e tyre të mjerimit… ashtu me kokën ulur, me shikim për toke… E dini ju këtë apo nuk e dini?!! E dini, duhej të ishit të marrë që mos ta dinit! S’ka si të mos e dini, se pak prej nesh, fare pak, kanë trokitur në ato dyer, fare pak, kurse ne jemi shumë, shumë prej atyre që na kanë!!!… Fundja, këtë e dini fare mirë, sa e tek jemi, por nuk e dini plagën tonë dhe kot e keni me atë lëmosh që na e ofroni!!! Ju duhet të na pranoni e të na njihni, ashtu siç jemi, të mos turpëroheni nga ne, të bashkëndjeni me ne e me familjet tona! Vetëm atëherë, kur na njihni dhe na pranoni kështu si jemi, dhe e përkëdhelni plagën tonë, edhe ajo lëmosh ka kuptim!!! (…) 

Ehhh, ku je nis tash, të bësh me gisht para botës tek bishat e Kasapit të Ballkanit??!!! Kah je nisë, kur nuk mund t’i bësh dy hapa pa rënë????!!!… Sidoqoftë, duke rënë e duke u ngrit, unë kam për t’ia dëshmuar botës, kësaj tonës këtu edhe asaj botës mbanë etje, se janë këto bishat ato që… Ahhh… se çfarë keni bërë! Nuk kam për të heshtur, do t’i tregoj botës, edhe këtyre këtu në këtë nënqiellin tim, që nuk jetojnë pranë nesh me shpirt, po që janë vetëm me trup pranë nesh, që kanë rënë viktima të kurthit tuaj dhe të vetvetes… A nuk jemi  të pafaj?!! Jemi kristal të pastra, nuk ka qenë vullnet yni!!!… As me Bibël, as n’Kuran, neve nuk na prehet dëmi, nuk ishte vullneti yni!… /KultPlus.com

Grupi ikonik ”Asgjë Sikur Dielli” pjesë e Sunny Hill Tirana

Sunny Hill Tirana ka zbuluar së fundmi shumë artistë që do të marrin pjesë në këtë festival, shkruan KultPlus.

Një ndër grupet më ikonike në Kosovë, ”Asgjë Sikur Dielli” do të marrë pjesë në Tiranë.

“Nuk ka asgjë më të mirë se dielli gjithsesi. Jemi të lumtur që do të kemi grupin ”ASD” në Tiranë”, thuhet në postimin e tyre.

Festivali ‘Sunny Hill’ në Tiranë do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gusht./ KultPlus.com

Epitaf dashurie…

Fitim Uka

E kam shëtitur çdo cep të frikës i motivuar nga guximi që më ka falur dashuria jote.
E kam sfiduar edhe marrëzinë duke ia prekur kufinjtë, sepse kam jetuar gjatë me përrallën për ne të dy. 
Tallesha me vuajtjen, sepse me iluzionin që ushqeja për “ne të dy”, fluturoja qiejve në kërkim të fundit të lumturisë. 
Kam jetuar ëndrrat më të mira, kur dora jote ka rrëshqitur flokëve të mi, qoftë edhe rastësisht. 
Shpresë kam ndjerë edhe në fjalën tënde më të vrazhdë, edhe në mallkimin tënd për realitetin e pamëshirshëm. 
Edhe kur ëndrra jote më shihte të vdekur, ndjehesha më i gjallë se kurrë!
Kurajo ka rrjedhur damarëve të mi, kur kam dëgjuar edhe pa u thënë një uratë nga ty, e të mos flasë për ndjenjën që jetoja kur dëgjoja për dashurinë tënde. 
Jam mahnitur edhe kur imagjinoja fytyrën tënde, e as që i përafrohej asaj që shihja në realitet, deri në admirim për dy sy, që flasin më shumë se fjalët. 
Isha kurioz për të gjitha të fshehtat tua dhe asnjë zbulim nuk më shuantë kurrë kurreshtjen e dëshirën për të njohur edhe më shumë. Më dukeshin të padëgjuara të gjitha historitë që i kisha dëgjuar kaherë për ty.  
Qetësinë ma ka falur edhe zhurma jote, e pa heshtjen tënde as zëri im nuk ka kuptim! 
 
Me ikjen tënde, më ofrove edhe më shumë me pellgun e ndjenjave që vrasin.  
 
I kam rënë rreth e qark pikëllimit, kur më iku hija jote. 
E harrova edhe atë ngjyrë gëzimi, kur më verbëroi mungesa e syve tu.
E godita lumturinë, e copëtova, e bëra të huaj, kur harrova erën tënde. 
Shpresën e venita, e flaka tutje, kur nuk më kujtohej më zëri yt.
Mllefin shfryva në secilin, edhe të pafajshmit, kur në përulje u përpoqa të të bindja që të qëndroje.
Dëshpërimin e ftova në darkë, të më bëjë shoqëri, atë ditë kur le karrigen e zbrazët. 
Mërzinë e ftova në shtratin tim, e përqafova me gjithë fuqinë time, për t’i dhënë fund përrallës që jetova ditën, e për t’i hapur rrugë realitetit të ëndrrës që shoh natën me sy mbyllur.  
Tash, ankthi është miku im, teksa mes përplasjeve të shpejta të zemrës dhe frymëmarrjeve që duket se po marrin fund, unë pres të shoh edhe për një herë tjetër fytyrën tënde.

Çfarë të them atë ditë?!
Cilën ndjenjë do ta ushqej atëherë?!
Të shtirren sikur kam harruar apo ta pranoj që jam i harruar pa ty?! /KultPlus.com

“Fuqia e fotografisë”, historia e prekshme e fotografisë fituese të ‘Pulitzer’ që nxiti fotografin ta vriste veten (FOTO)

Fotografi Kevin Carter ka bërë një nga fotografitë më historike duke kapur pamjen e një vajze të vogël e cila ishte tejet e uritur. Ajo në këtë fotografi paraqitet duke u zvarritur për të arritur deri tek ushqimi dhe jo shumë larg saj ndodhet një shpend grabitqar i cili pret për ta gllabëruar vajzën, përcjellë KultPlus.

Kevin Carter e shkrepi këtë fotografi në Sudanin Jugor në vitin 1993 derisa po mundohej të paraqiste urinë e njerëzve atje, në mënyrë që të shtoj përpjekjet ndërkombëtare në ndalimin e saj. Ai më pas kishte treguar që pas marrjes së fotografisë e kishte larguar shpendin, mirëpo nuk e kishte prekur fëmijën.

Kur fotografia u paraqit për herë të parë në The New York Times, ajo u pasua me shumë reagime që përfshinte urime dhe mllef në drejtim të fotografit Carter, i cili me këtë fotografi fitoi edhe Çmimin Pulitzer, përcjellë KultPlus.

Jo shumë kohë pas marrjes së çmimit, ai kreu vetëvrasje ndërsa la pas një shënim në të cilin thotë se ka një kohë të gjatë që ai po jeton në depresion dhe se ndihet i lodhur nga trauma që kishte përjetuar nga karriera e fotografit i cili kishte kapur pamjet dhe situatat më të tmerrshme. /KultPlus.com

Sunny Hill Tirana vazhdon prezantimin e artistëve të rinj

Për herë të parë në historinë e festivaliy “Sunny Hill”, ai do të ndryshojë destinacion, shkruan KultPlus.

Përpos Prishtinës, tani “Sunny Hill” do të mbahet edhe në Tiranë, ku një numër i konsiderueshëm i artistëve veçse janë zbuluar, kur kanë mbetur edhe shtatë ditë për të filluar gjithçka.

Art Haliti, Sancet, Cryjaxxx, Lekë, Rrrron, Alban Chela janë artistët që janë prezantuar ditën e sotme, së bashku me DJ-in e njohur “Hardwell”.

Festivali ‘Sunny Hill’ në Tiranë do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gusht./ KultPlus.com

S’rreshta kurrë së menduari për ty

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Nuk mjafton të dini programim, duhet të keni diplomë sepse rreziku po afron

Pandemia COVID-19 shfaqi nevojën e domosdoshme që në të gjitha kompanitë të ketë staf i cii vjen nga fusha e Teknologjisë Informative, për të programuar dhe për të sistemuar gjithçka online.

Mirëpo, kthimi në normalitet në gjithë botën po tregon se ata që janë punësuar vetëm “për të kryer punë” nuk e kanë edhe larg. Në një artikull të prestigjiozes The Wall Street Journal, thuhet se të gjitha kompanitë e mëdha po presin rastin e parë që të heqin nga puna të pakualifikuarit dhe ata që kanë qenë improvizim në pozita që lidhen me Teknologjinë Informative.

Kjo nuk do të thotë direkt që po ulet nevoja për tregun e punëtorëve me aftësi të larta në fushën e teknologjisë. Gjithmonë, sipas të të njëjtit artikull, gati një e treta e të gjitha rekrutimeve për punë teknologjike në qershor ishin për zhvilluesit dhe inxhinierët e softuerit, sipas CompTIA. Në anën tjetër, Microsoft do të ngrisë numrin e të punësuarve gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe vitit tjetër në vijim.

Duke parë këtë ritëm, në Kosovë qëndron e njëjta situatë. Shumë prej kompanive çdo ditë kërkojnë punëtorë, pasi tregu i “outsourse” ka kapur nivele shumë të larta de nevoja për ta është e madhe.

Kolegji Universum është një nga institucionet arsimore të larta që ka nxjerrë shumë kuadro të fushës së Teknologjisë Informative. Ata së fundmi kanë caktuar drejtor akademik për Shkenca Kompjuterike, një prej ekspertëve më të njohur në Turqi, Prof. Selim Temizer, i cili ka doktoruar në Massachusetts Institute of Technology (MIT), universiteti më i mirë në botë për Shkenca Lompjuterike dhe një nga 5 universitetet më të mira përgjithësisht në botë.

Dërgoni veten apo fëmijën tuaj të studiojë në Kolegjin UNIVERSUM për të pasë një karrierë pa dyshime: https://www.universum-ks.org/sq/apliko/./ KultPlus.com

MKRS publikon listën e përfituesve nga thirrja për blerjen e veprave të artit

Fondi publik i artit në Kosovë po pasurohet me 80 vepra të reja nga artistët vendas. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka blerë 80 vepra në vlerë prej 300,000 euro, të cilat po e pasurojnë fondin publik të artit duke ruajtuar trashëgiminë artistike dhe narrativën kulturore të vendit.

Përveç blerjes së sivjetme, nga thirrja e parë me shumë prej 300,000 euro, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete edhe për vitin 2023 dhe 2024 për blerje të veprave, respektivisht 350,000 euro dhe 400,000 euro të tjera. Këto janë rezultatet e thirrjes së parë dhe në vazhdimësi do të ketë thirrje të tjera. Krahas thirrjeve publike, vitin e ardhshëm do të bëhen edhe blerje direkte nga koleksionet familjare dhe individuale të veprave të artistëve që nuk jetojnë më, por që janë pjesë e historisë kombëtare të arteve pamore.

Klikoni KËTU për të parë listën e përfituesve dhe afatin ligjor për ankesë./ KultPlus.com

Ngrihet “Këndi i Librit Ukrainas” në Bibliotekën Kombëtare

Në Bibliotekën Kombëtare u përurua “Këndi i Librit Ukrainas”.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, kanë marrë pjesë ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Fondi i librave të këtij këndi, i cili i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare, përfshin botime në gjuhën ukrainase dhe anglisht mbi historinë, identitetin dhe kulturën ukrainase dhe do të vijojë të pasurohet me botime të tjera.

Ngritja e “Këndi i Librit Ukrainas” vjen si pjesë e projektit “Rafti i librave ukrainas” i iniciuar nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, me qëllim shkëmbimin kulturor mes vendeve. /atsh / KultPlus.com

Homazhe për kineastin Kristaq Dhamo në Universitetin e Arteve

Regjisorit Kristaq Dhamo i është dhënë lamtumira me homazhet e kryera sot në hollin e Universitetit të Arteve.

“Lamtumirë Kristaq Dhamo! Vepra e tij do të mbetet gjithmonë me ne”, shkruan ministrja e Kulturës, Margariti, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Ministrja e Kulturës, artistë e artdashës, kanë qenë të pranishëm në hollin e Universitetit të Arteve për t’i bërë regjisorit, nderimet e fundit.

“E lehtësuar që mundëm të plotësonim amanetin e tij për t’u prehur në Shqipëri e t’i shprehnim mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar në kinematografinë e pedagogjinë shqiptare”, u shpreh Margariti.

Kristaq Dhamo ishte regjisori që sfidoi kohën, që guxoi i pari të lundronte në botën e madhe të filmit artistik me metrazh të gjatë, pedagog i brezave të tërë kineastësh, të cilët do të përcjellin këshillat e tij edhe tek më të rinjtë.

Kristaq Dhamo u nda nga jeta më 14 gusht 2022, në moshën 89-vjeçare. /atsh / KultPlus.com

‘Sunny Hill’ sjell në  Tiranë DJ-in e njohur holandez, Hardwell

DJ i njohur holandez, Hardwell, do të jetë pjesë e ‘Sunny Hill Festival’ në Tiranë, përcjell KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të ‘Sunny Hill’ në Instagram.

“BOOM. Pas rikthimit të tij masiv në Ultra Music Festival, DJ-i rekord në botë Hardwell do të luajë setet e tij kryesore në Festivalin Sunny Hill!”, thuhet në postim.

Ndërkaq, ‘Sunny Hill Festival’ në Tiranë do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gusht./ KultPlus.com

“Suksesi të bën të njohur në gjithë botën, por dështimet të bëjnë ty të njohësh botën”

Nga Sophia Loren

“Kur fitova mjaftueshëm besim, dritat e skenës u veniten, 
Kur isha e sigurt se do humbisja, fitova, 
Kur kisha më tepër nevojë për njerëz, më braktisën, 
Kur mësova ti fshij vetë lotët, gjeta një shpatull ku të qaja, 
Kur përsosa aftësinë e të urryerit, dikush filloi të më donte me gjithë zemër,
E ndërsa prisja me orë të tëra ditën të zbardhte, flija ndërsa dielli lindte…
Kjo është jeta! çfarëdo planesh që të bësh, asnjëherë nuk e di se ç’plane ka bërë ajo për ty! 
E di, suksesi të bën të njohur në gjithë botën 
por dështimet të bëjnë ty të njohësh botën.
Jini të lumtur… gjithmonë.
Shpesh ne e humbasim besimin dhe mendojmë se ky është fundi… Por Zoti, që sheh, buzëqesh dhe thotë “Qetësohu e dashur, ishte thjesht një kthesë… udhëtimi vazhdon …” / KultPlus.com

Ministri Çeku ka vizituar “Ulpianën” për të parë punët që po bëhen në kuadër të kërkimeve arkeologjike

Ministri Hajrulla Çeku ka vizituar sot Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana për të parë nga afër punët që po bëhen në kuadër të kërkimeve arkeologjike në këtë lokalitet, përcjellë KultPlus.

Ai u takua me Christophe Goddard, përfaqësues i Universitit “Ecole Normale Supérieure” në Paris dhe arkeologët Arben Hajdari e Milot Berisha për tu informuar për ecurinë e punës, gjetjet e deritanishme dhe fazat e ardhshme.

Ky program po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit.

Përmes këtij projekti është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike. Përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë janë duke punuar në Ulpianë, kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës. / KultPlus.com

‘Tre fëmijë ka nëna, të gjithë njësoj i do’

Poezi e shkruar nga Agim Deva.

Nënëz, ma jep dorën!
Ma jep edhe mua!
Nënëz, ma jep dorën,
Se edhe unë të dua!

Tre fëmijë ka nëna
Të gjithë njësoj i do,
Secili prej tyre
Dorën i kërkon.

Tre fëmijë ka nëna,
Por ka veç dy duar
Kujt t`ia japë më parë
Dorën e praruar?

Njërën ia dha Buqes
Tjetrën të voglit Xim,
E Luani ç’bëri?
Iu hodh në përqafim!

Tre fëmijë ka nëna
Del me ta të shëtisë
E prej parkut t`vogël
Kthehet drejt shtëpisë. / KultPlus.com

Abazoviq para deputetëve: Ju pengon fakti se jam shqiptar

Kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë para deputetëve se që nga dita e parë atyre u ka penguar fakti se ai është shqiptar.

”Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”.

”Jam kryeministër që merr vendime të vështira. Sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje. Heren tjeter bashkohuni ne dashuri. Le të flasim për gjëra reale jo halucinacione e bash për këtë duhet të bashkohemi… Pres diskutimin dhe përpjekjen e sotme për të shpjeguar pse erdhi iniciativa për rrëzimin tim, kush është frymëzuesi dhe çfarë fshihet pas saj”.

”Dhe pas saj nuk qëndron as rruga evropiane, as dëshira për të përzier kartat politike. Ka nevojë që Mali i Zi të ndalet në rrugën e transformimit në mënyrë që struktura të caktuara rifitojnë pozicionet e tyre financiare që u kanë shpëtuar ose janë në gjendje të mirë për t’u shpëtuar. Për këtë do të flas më poshtë, emrin dhe mbiemrin”. /KlanKosova / KultPlus.com

“777 Portretet” e David Cukës ekspozohen në COD

“Kilometri i fundit, 777 portrete” është ekspozita më e re në COD, e hapur ditën e djeshme nga fotografi i ri David Cuka.

Të ftuar në çeljen e kësaj ekspozite ishin të miq të COD-it e të fotografit, dashamirës të artit, fotografë, media dhe gazetarë.

Davidi është një fotograf i ri shqiptar, i cili ka zgjedhur mediumin e fotografisë për të dokumentuar aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut. Në këtë rast ai e ka përqendruar objektivin e aparatit para personazheve duke i ftuar të jenë vetvetja, pa bërë kurrfarë diferencimi artistik apo profesional.

Kjo ekspozitë është pjesë e projektit #999 Portretizime Shqiptare dhe do të qëndrojë e hapur në COD në datat 19-25 gusht 2022.

Me anë të fotografisë, artisti rrit promovon dhe ndërgjegjësimin mbi barazinë sociale, të drejtat e grave, avokon kundër diskriminismit të komunitetit LGBTI+, në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket, si person transgjinor. /atsh / KultPlus.com

Këto janë dy zonat ku do të kërkohet për ari në Shqipëri

Në Librazhd dhe në Mirditë do të nisin kërkimet për flori.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë njoftimin për subjektet e interesuara për kërkimet e mineraleve.

Sipas njoftimit afati për ofertat e subjekteve është deri mbaron më 6 shtator.

Gjithashtu do të zhvillohen kërkime edhe në dy zona të tjera minerare, në Mirditë edhe Skrapar, për bakër dhe mineral ranor pllakor përkatësisht.

Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Zona minerare Nr. 3/1, Objekti “Babje”, Librazhd, Qarku Elbasan, lloji i mineralit ar, veprimtaria kërkim – zbulim.

Zona minerare Nr. 4/1, Objekti “Kaçinar”, Mirditë, Qarku Lezhë, lloji i mineralit ar, veprimtaria kërkim – zbulim.

Zona minerare Nr. 145/1, Objekti “Perlat – Shebe”, Mirditë, Qarku Lezhë, lloji i mineralit bakër, veprimtaria kërkim – zbulim.

Zona minerare Nr. 56/3, Objekti “Polenë”, Skrapar, Qarku Berat, lloji i mineralit ranor pllakor, veprimtaria shfrytëzim.

“Kërkohet që të realizohet aplikimi për leje minerare për zonat minerare konkurruese Nr. 3/1, Nr. 4/1, Nr. 145/1, Nr. 56/3, të miratuara në planin vjetor të vitit 2021, me të dhënat dhe formën e formularit të ofertës të paraqitura në aneksin 1 të kësaj Ftesë për Ofertë.

Ofertuesit të paraqesin vetëm një Ofertë për një zonë konkurruese, ku të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese. Shpenzimet e kryera për të marrë pjesë në procedurën konkurruese nuk rimbursohen nga Autoriteti Kontraktues.

Asnjë ofertues nuk do të përjashtohet nga pjesëmarrja në procedurën e konkurrimit në bazë të shtetësisë. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për zonat: Nr. 3/1, Nr. 4/1, Nr. 145/1, Nr. 56/3; është dt. 06.09.2022, ora 10:00 . Ofertat e dorëzuara pas këtij afati do të refuzohen” thuhet në shpalljen e MIE./abcnews.al/ KultPlus.com

Seriali i ri televiziv ‘Bad sisters’ tregon një histori të errët përmes komedisë

Aktorja, komedianja dhe regjisorja Sharon Horgan thotë se thrilleri i saj i ri i komedisë së errët “Bad Sisters” është një festë e lidhjeve familjare, transmeton KultPlus.

I vendosur në Irlandë, seriali me 10 episode përqendrohet rreth motrave Garvey, një pesëshe të lidhur ngushtë që humbën prindërit e tyre në moshë të re.

Kur burri i njërës prej motrave vdes papritmas, siguruesit vunë në sy të pestë, duke zbuluar se secila prej tyre kishte arsye të dëshironte të vriste John Paulin e pamëshirshëm dhe shtrëngues, të luajtur nga Claes Bang.

Seriali u përshtat nga emisioni televiziv belg “Clan” nga Horgan, i cili gjithashtu luan si një nga motrat përkrah Anne-Marie Duff, Eva Birthistle, Sarah Greene dhe Eve Hewson.

“Bëhet fjalë për katër motra që përpiqen të shpëtojnë motrën e tyre të pestë nga një marrëdhënie monstruoze. Shumë gjëra qesharake ndodhin pas kësaj, por në të vërtetë ka të bëjë me dashurinë dhe familjen,” tha Horgan, një nga pesë vëllezërit e motrat, për Reuters në prag të debutimi i shfaqjes.

Brian Gleeson dhe Daryl McCormack luajnë agjentët e sigurimeve dhe gjysmë vëllezërit Thomas dhe Matt Claffin, të cilët kanë motivet e tyre për të gërmuar më thellë në vdekjen e John Pau./ KultPlus.com