Johny Depp për herë të parë pas 25 vitesh si regjisor me ”Modigliani”

Johnny Depp do të drejtojë filmin e tij të parë pas 25 vitesh karrierë, ndërkohë që edhe Al Pacino do të jetë bashkëprodhues në filmin biografik “Modigliani”, sipas ”The Hollywood Reporter”.

Një çerek shekulli pas bashkëpunimit me Marlon Brando në filmin ”The Brave” të vitit 1997, në debutimin e tij artistik si regjisor, Depp do të jetë prapa kamerës për të na treguar për piktorin italian Amedeo Modigliani.

Bazuar në shfaqjen e Dennis McIntyre dhe përshtatur për ekranin nga Jerzy dhe Mary Kromolowski, filmi do të tregojë historinë e piktorit dhe skulptorit në Paris gjatë viteve  ’20 të shekullit të kaluar.

Prodhimi i filmit do të fillojë në Evropë në pranverën e vitit 2023 dhe emrat e aktorëve do të zbulohen së shpejti.

“Saga e jetës së Modiglianit është ajo që është dhe unë jam jashtëzakonisht i nderuar dhe me të vërtetë i përulur ta sjell në ekran”, tha Depp.

”Ishte një jetë me vështirësi të mëdha, por me një triumf eventual – një histori universale njerëzore me të cilën mund të identifikohen të gjithë shikuesit”, theksoi ai.

Edhe pse ai është më i njohur për rolet e tij në ekran, Depp ka prodhuar 10 filma duke përfshirë ”Hugo” të vitit 2011 dhe së fundmi ”Crock of Gold” të vitit 2020./ atsh / KultPlus.com

“Shkodra Jazz Festival”, në edicionin e 13-të

Në qytetin e Shkodrës po zhvillohet festivali i përvitshëm “Shkodra Jazz Festival”. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka vlerësuar festivalin, duke e quajtur “një institucion të cilin Ministria e Kulturës e mbështet me kënaqësi, për të ndihmuar në çuarjen përpara të ëndrrës dhe vizionit të violinistit të talentuar Rrok Jakaj”.

Deri në 28 gusht, në Shkodër do të performojnë artistë shqiptarë e të huaj, si dhe do të ketë koncerte, kurse specializimi për artistët e rinj e leksione nga profesorë të huaj.

“Shkodra Jazz Festival i mirëpret të gjithë”, thuhet në postimin e ministres Margariti.

Shkodra Jazz Festival (SHJF), nisi në vitin 2005, në kujtim të muzikantit të njohur Rrok Jakaj, si një rrugëtim andrrash që zgjohet çdo ditë ndryshe.

Edicioni i 13-të i këtij eventi mbështetet nga bashkia Shkodër dhe shoqata “Rrok Jakaj”.

Nën drejtimin e Maestro Bardh Jakova, sonte do të performojnë në sheshin përpara bashkisë, të rinjtë e “Rrok Academy Accordion”. /atsh / KultPlus.com

Reka e Epërme – trevë autoktone shqiptare me traditë të lashtë e të pasur kulturore

Nga Agim Vinca

Më 7 gusht të këtij viti mora pjesë në Takimin tradicional të banorëve të Rekës së Epërme, të shtatin me radhë, organizuar nga Shoqata Kulturore “Reka e Epërme” nga Gostivari. Deri tani Rekën e kam parë kryesisht nga larg, duke kaluar me makinë rrugës Mavrovë-Dibër (dikur me autobus në xhadenë e vjetër gjarpërore) dhe nga librat, kurse atë të diel gushti e preka si të thuash me dorë dhe e pashë në dritë më të plotë. Tubimi, që u mbajt në fshatin Rimnicë, në një lëndinë të rrethuar me pyje dhe pranë një përroi të kthjellët, degë e Radikës, ishte organizuar jashtëzakonisht mirë dhe kishte një program të pasur artistik me këngë e valle popullore të kësaj treve, me improvizimin e dasmës rekase (marrja e nuses me kalë) dhe pika të tjera artistike, që tregojnë rrënjët shqiptare të Rekës së Epërme me 24 katunde me popullsi autoktone shqiptare, ortodokse dhe myslimane, por sot, mjerisht, kryesisht të pabanuar. Nga kjo trevë ishte edhe poeti dhe publicisti rilindës Josif Bageri, një atdhetar i flaktë, dishepull i Naimit, që vdiq në Prishtinë në vitin 1915, për të cilin kam shkruar një ese qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në tubimin e Rekës së Epërme me një pjesëmarrje masive, krahas të tjerëve, fola edhe unë dhe u lexua poezia ime “E prapë ai lumë…”, kushtuar Rekës dhe qëndresës shqiptare në shekuj. Me kërkesën time këtë poezi e recitoi aktori i Teatrit të Tetovës, Muzafer Etemi, me të cilin dolëm bashkë në skenë.

Pas një nate të kaluar në fshatin Lemnovë, si mysafir në familjen Halimi dhe pas pjesëmarrjes në Takim, u ktheva i mbushur me mbresa grykës së Radikës dhe të Drinit, duke kaluar Dibrën, Koxhoxhikun, vendlindjen time, Veleshtën, për të arritur në mbrëmje në Strugë, në një gazmend familjar, aty ku “Drini plak e i përrallshëm, që mburon prej Shëndaumi, nis udhëtimin me ngadalë mes-për-mes nër Shqipëri…”.

Më poshtë po japim një fotografi që flet për pasurinë dhe bukurinë e kostumeve popullore të Rekës së Epërme, të vajzave e djemve, si dhe poezinë e lexuar, e cila, ndonëse flet me gjuhën e simboleve, zgjoi interesimin e publikut dhe u mirëprit nga të pranishmit…

Prishtinë, 14 gusht 2022

E PRAPË AI LUMË…

Rrjedh Radika mes maleve –
lot i ngrirë në qepallë.
Përpëlitet me shpirt ndër dhëmbë
Reka, vendi im.
Bageri vdes sërish në Prishtinën e okupuar.
E askund varri. As kortezhi.
Askund gjëmë as vajtim.
Një plak i thinjur mbëlton pemë
e i lutet zotit për një pikë shi.
Një re e zezë harbon qiellit
me breshër e mëri.
Thyen filiza, faron farë
një larash i marrë.
Rivdes Bageri në Prishtinë,
Bogdani meshon për shpirtin e tij.
Gjëmon Radika e Drini plak. Korabi kreshtëbardhë.
E prapë ai plak e ai kopsht magjik e ajo re idhnake.

Kot e ke mike
Jam rrap jo shkurre!

1995. / KultPlus.com






E papërsëritshmja, Madonna sot feston 64 vjetorin e lindjes (VIDEO)

Madonna sot është plot 64 vjeçe.

Këngëtarja legjendare sot ka ditëlindjen dhe kësisoj nuk ka se si mos ta kujtojmë ikonën e popit botëror dhe këngëtaren rebele e cila ka ditur gjithmonë të provokojë publikun botëror.

Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën.
Ajo është artistja e cila ka fituar më së shumti nga një turne botëror, në vitin 1990 kur realizoi 1.31 miliardë dollarë. Dashuritë me Sean Penn dhe me Guy Ritchie i kanë ndihmuar famës së saj, por ajo gjithmonë edhe e vetme është absolutisht mbretëresha e muzikës pop.

Po kujtojmë këtu disa prej performancave më të mira të saj në këto vite:

https://www.youtube.com/watch?v=SkFmEJUZizI

Një ditë në QKUK: Në burgje ushqimi është 100 fish më cilësor se ushqimi për lehonat

Nga Adelina Berisha

Një ditë në QKUK, Spitali gjinekologjik. Ushqimi për lehonat:

Mëngjesi: Dita 1: Bukë me marmelatë dhe 1 gote çaj ose qumësht. Dita 2: Bukë me qokokrem dhe 1 gotë çaj ose qumësht. Dita 3: 1 ve e zier, 1 copë djathë. Përsëritet në ditët në vijim.

Dreka: Supë kryesisht miell me ndonjë copë mish të bluar. Vështirë të dihet çka përmban. Qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq). Pire dhe gullash (gullash sërish miell me disa copa të vogla mishi). Përsëritet.

Darka: Shpageta, makarona të ziera që duken si qorbë, qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq)..

E pastaj nga këto lehona pritet të jenë të forta ta ushqejnë foshnjën me qumësht gjiri veçanërisht në rastet kur fëmijët janë në repartin e neonatologjisë për javë të tëra, apo fëmija është në kujdes intensiv e ka nevojë për qumësht sa më cilësor, të pajisur me proteina, vitamina, minerale etj.

Me kushtet që ky vend u ofron lehonave, është çudi si ne gratë po vazhdojmë të lindim fëmijë.

P.S. në burgje ushqimi është 100 fish me cilësor. / KultPlus.com

Dua Lipa për pushime në jug: Vajza shqiptare në Shqipëri

Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa pas qëndrimit në Kosovë ku u mbajt festivali Sunny Hill, duket se ka ndarë disa ditë për pushime, shkruan KultPlus.

Lipa ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për të pushuar, ku ka ndarë edhe disa fotografi në rrjetin e saj social Instagram.

“Vajza shqiptare në Shqipëri”, është mbishkrimi që këngëtarja i bashkëngjit fotografive.

Ky pushim vjen vetëm 10 ditë para se festivali Sunny Hill të nis në Tiranë.

Datat 26,27, 28 gusht do të sjellin në Tiranë emra të njohur të skenës muzikore si nga bota ashtu edhe nga vendi. / KultPlus.com

Oscars i kërkon falje aktores pas 50 vitesh

Akademia Oscars i ka kërkuar falje Sacheen Littlefeather, një gruaje vendase amerikane që u përshëndet nga skena gati 50 vjet më parë.

Aktivistja dhe aktorja u shfaq në TV live në 1973 për të refuzuar një Oscar që Marlon Brando fitoi për The Godfather.

Brando refuzoi çmimin për aktorin më të mirë për shkak të keqinterpretimit të amerikanëve vendas nga industria e filmit në SHBA – dhe dërgoi Littlefeather në vendin e saj, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Akademia tha se Littlefeather duroi abuzim “të pajustifikuar” pas fjalimit të saj të shkurtër.

“Kurrë nuk e kam menduar se do të jetoj për të parë ditën kur do ta dëgjoja këtë”, tha ajo për Hollywood Reporter.

Littlefeather, asokohe 26 vjeçe, u turpërua dhe u shmang nga Akademia Oscars pas fjalimit të saj në çmime.

Fjalimi i saj ishte, thanë organizatorët, deklarata e parë politike në ceremoninë televizive – duke filluar një trend që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Duke u prezantuar në emër të Brandos – i cili shkroi “një fjalim shumë të gjatë” – ajo i tha shkurt audiencës “se ai me shumë keqardhje nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar”.

“Dhe arsyet për këtë janë trajtimi i indianëve amerikanë sot nga industria e filmit dhe në televizion në rishfaqjet e filmave, si dhe me ngjarjet e fundit në Gjurin e plagosur,” tha ajo – duke iu referuar një përplasjeje të dhunshme me agjentët federalë, në një vend me rëndësi të konsiderueshme për popullin Sioux.

Brando kishte shkruar një fjalim shumë më të gjatë, por Littlefeather u udhëzua nga ekipi i prodhimit të ceremonisë së çmimit që ta mbante fjalimin në 60 sekonda. / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur shqiptar, Pandi Siku

Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë mëngjes për kinematografinë shqiptare. Aktori Pandi Siku ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare.

Mësohet se Siku prej një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai jetonte në SHBA, në shtetin e Illinois.

Pandi Siku ishte aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit shqiptar.

Lindur me 28 Korrik 1949 në Tirane ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e dramës dhe më pas në vitin 1973 ai iu bashkua trupës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) duke interpretuar mjaft role, kryesisht role të dyta.

Aktiviteti i tij do të shtrihet në harkun kohor nga 1973 – 2001. Në teatër debutimin e bën ne dramën “Toka e jonë” dhe “Bashkë me agimin”.

Më pas mund të përmendim edhe shumë shfaqje të tjera teatrale si: Adlinin në “Lumi i vdekur” ; Halimi “Pas provimit të fundit”; Arjani në “Jeta e tjetrit”; Shpendi në “Epoka para gjyqit” (1978), Bardhi në Furrnalta (1979), “Besa e madhe”; “Karavidhet”; Rrema në “Komunistët” (1981), Merkusi në “Romeo dhe Zhuljeta” ; Valentini në “Dy zotërinj nga Verona” (1990), “Nata e 12-të; Lucencio në “Zbutja e kryeneçes”; Kostandini në “Kush e solli Doruntinën” ; Rexhepi në “Besa”; Pjestar i korit në “Quoa vadis”; Amnekofi në “Absurditeti antik” etj. / KultPlus.com

Autori Gjon Keka vjen me librin e ri, “Leonik Tomeu, pishtar i dijes dhe rilindjes europiane”

Doli në dritë libri i ri i autorit Gjon Keka i titulluar “Leonik Tomeu, pishtar i djes dhe rilindjes europiane”, përcjellë KultPlus.

“Ky botimi im i radhës, ashtu siç kam vite që hulumtoj e studioj mbi figura madhore që kanë bërë epokën dhe historinë e kombit tonë shqiptar, i kushtohet profesorit dhe filozofit tonë të madh arbëror Leonik Tomeu. Gjatë gjithë punës sime studimore, mbi këtë figurë që njihet mirë në epokën e rilindjes dhe humanizmin europian, jam ndjerë i përmbushur dhe shumë krenar për origjinën tonë arbërore, si pjesë e shpirtit dhe kulturës së saj, mbi të gjitha si pasardhës i të madhit tonë legjendar, Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, njohur jo vetëm nga bota e madhe europiane, por edhe më tej”, thotë Keka.

“Në morinë e humanistët tanë arbërorë europian, nuk mund të rrimë pa i përmendur edhe një herë të famshmit tanë Gjon dhe Pal Gazulli, Marin Beçikemi e Barleti, Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani etj. Këta janë krenaria e kombit tonë të lashtë europian, janë dëshmia e kulturës sonë autoktone, e cila ndihmoi dhe kontribuoi që bota, në tërësinë e saj, të ketë zhvillim e dituri. Një ndër ta është edhe humanisti i shquar i periudhës së Rilindjes Europiane, Nikollë Leonik Tomeu, dijetari që bëri emër në shkencat e kohës kur jetoi. Me gjithanshmërinë e njohurive të tij në çdo fushë të jetës, te figura e tij u shqua filozofi i vërtetë, edhe pse jeta e tij ishte “e thjeshtë, kurrë nuk vrapoi pas luksit, dhe nuk u korruptua asnjëherë. Nikollë Leonik Tomeu ishte i përkushtuar në kërkimin e së vërtetës dhe jetonte si njeri i thjeshtë”, cilësi këto të theksuara për të. Ai jetoi, veproi dhe bëri dritë për shkencën, humanizmin, historinë, të cilat i konsideronte të shenjta. Ashtu si humanisti i madh Erasmus, edhe ai u bë një apostull i zellshëm i humanizmit, duke u nderuar dhe vlerësuar në shekujt që pasuan.” / KultPlus.com

Charles Bukowski, një udhërrëfyes për jetën dhe krijimtarinë

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht të vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën.

Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk.

Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tre romaneve dhe një skenar filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground.

Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.

Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësitë e punëve të këtilla.

Bukowski shkruajti me mijëra këngë, qindra tregime të shkurtra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.

Sa i përket Bukowskit në jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.

Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.

Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro.

Çka do që lexon nga Bukowski, thjeshtë të mbetet në mendje. Po ju sjellim edhe disa shprehje të tij dhe fakte nga jeta.

“Unë bëhem i rrezikshëm nëse harrohem pas makinës së shkrimit”,- ka thënë Bukowski, autor i mbi 40 librave, përfshirë “Femrat” dhe “Zyra postare”. Bukowski përdori prozën dhe poezinë për të përshkuar jetën e korruptuar urbane në Amerikë.

Në një libër të ri mbi autorin janë përfshirë edhe disa letra të papublikuara më parë, të cilat hedhin më shumë dritë mbi Bukowskin.

E pranonte që ishte i alkoolizuar

“Për 7 a 8 vjet kam shkruar shumë pak. Isha i dehur gjatë gjithë kohës. Përfundova një herë në spital me vrima në bark, ndërsa stokaku gati sa s’më dilte nga goja dhe nga b…”.

Po DH Lawrence, jo Faulkner

“DH Lawrence ishte solid, por Henry Miller ishte më modern, edhe pse më pak artistik. Pas Faulkner, publiku sikur e gëlltiti. Shumë nga krijimet e Faulkner janë plehra, por “plehra të zgjuara”.

Poezia është për të rinjtë

“Shumica e poetëve janë të rinj sepse nuk ia kanë dalë në letërsi. Më trego një poet të vjetër dhe do të të tregoj ose një të çmendur ose një mjeshtër. Kur fillon të gënjesh veten për arsyen e vetme që të shkruash një poemë është e sigurt që do të dështosh. Për këtë arsye nuk i ripunoj poezitë e mia”.

Disa shkrimtarë nuk janë të mirë

“Kur punoja për një revistë mësova se shumë shkrimtarë në të vërtetë nuk dinë të shkruajnë; ata vazhdojnë të shkruajnë prozë mbi klishe ose poezi për pranverën apo për dashurinë”

Për të mos folur pastaj për kritikët …

“Kritikët: ata nuhasin jetë dhe nuk e durojnë dot”.

… Ose personazhet e tij

“Personazhet e mia rrallë evoluojnë. Janë shumë të dëmtuar për ta bërë këtë”.

Nuk kishte keqardhje

“Nuk jam nga ata që kthej kokën pas me dëshpërim dhe keqardhje. Ka muzikë në çdo gjë, edhe në dështim”.

Nuk e donte famën

“Fama është si lojë për njerëzit e tjerë. Jemi me fat nëse nuk na njohin në rrugë. Të bëhesh i famshëm në të 20-tat është e vështirë për t’u përballuar dhe kapërcyer.

Harroji shqetësimet

“E mira dhe e keqja; e drejta dhe e gabuara vazhdojnë të ndryshojnë vendet”.

Thjesht pi një gotë dhe vë baste

“Nuk shkoj te psikologu t’i tregoj për ëndrrat e këqija. Të mërkurën mbrëma do të shkoj të shikoj garat me kuaj, do kthej një birrë të lirë dhe do vë bast mbi kalin numër 6”. / KultPlus.com

Kallushi, Rugova dhe Xheva

-Një përkujtesë e shkurtër nga biseda e Ibrahim Rugovës me shkrimtarin Kapllan Kallushi gjatë pritjes në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në shtatorin e vitit 1990, me ç’rast Rugova i sugjeroi që 33 vitet e burgut në Jugosllavi dhe Shqipëri t’i shfrytëzojë për të pasqyruar dhunën e diktaturave komuniste në të dy anët si dhe bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy shteteve për ndjekjen e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe të patriotëve të tjerë antikomunistë dhe jo për ngritjen e akuzave ndaj shkrimtarëve, ngaqë amnestohen shkaktarët e vërtetë të tragjedisë personale dhe kolektive!

Nga Jusuf Buxhovi

Në njërën ndër ditët e nxehta të atij shtatori, në rrugë e sipër për të barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku kishim edhe qendrën e LDK-së, te kafe “Elida” ku rëndom pinim kafen e mëngjesit, Xhemail Mustafa dhe Ramadan Musliu, kishin zënë këndin me një mesoburrë. Sapo u afrova, Xhema me tha se ishte shkrimtari Kapllan Kallushi. Kishte ardhur për ta takuar Ibrahim Rugovën dhe, po ashtu, interesohej për një intervistë në gazetën “Rilindja”.

Takimi i papritur me Kallushin më gëzoi për dy arsye.

E para kishte të bënteme atë se Kallushin e kisha lexuar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta, kur interesimi për letërsinë ishte thuajse ushqim i përditshëm shpirtëror. Asokohe, në “Jetën e re”, novelat e Kallushit “Fanola” më kishte fascinuar. Bashkë me të tjerat (Trubadura) ma kishte krijuar përshtypjen e prozatorit më të mirë shqiptarë të kohës. Me tregimet dhe novelat e Demaçit, R. Kelmendit, A. Pashkut, R. Rexhepit, “Jeta e re” ishte kthyer në një mësonjëtore të letërsisë shqipe prej nga shkrimtarët e rinjë (T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramdani, Y. Shkreli e të tjerë), po krijonin modelet e tyre të brendshme, parakusht ky për ngritje letrare.

Arsyeja e dytë, kishte të bënte me atë se, pas gjithë asaj që dihej për ndjekjet dhe përndjekjet e gjata, vitet e burgjeve në Jugosllavi dhe në Shqipëri ( ndonëse në vitin 1965, romanit “Tradhtia”, nga Enver Hoxha në “Zërin e Popullit” ishte auajtur “vepër madhështore”, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte shpallë vepra më e mirë e vitit), rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1990 ia kishte hapur “dyert e lirisë”, të cilën ai në disa prononcime të shkëputura e quante “vazhdim i diktaturës në rrethanat e reja”, pra “një mashtrim, ku xhelatët e deridjeshëm vazhdojnë t’i ndëshkojnë viktimat e tyre”!

Në të vëretë, takimi i parë dhe i vetëm i Dr. Rugovës me Kapllan Kallushin, u nis dhe u sos te kjo çështje, që Kallushi e shtronte me shumë ngërç, me emocionalitet të mundimshëm, ndërkohë që Rugova përiqej ta lironte nga ajo që atij i kishte kaluar në fiksim ngulfatës, që si do të shihet do ta kthejë në viktimë të saj, prej nga shkrimtari ndër më të talentuarit e kohës, do t’ia lëshojë vendin hakmarrësit të pandreçshëm që do ta çojë edhe deri te “tradhtia” ndaj vetvetes dhe kauzës mbi të cilën kishte filluar rrugëtimi i tij si shkrimtari shqiptar ndër më premtuesit.

“Është mirë që kohën e burgjeve jugosllave dhe atyre shqiptare ta trajtosh në një vepër letrare gjithëpërfshirëse. Veçmas bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy vendeve kundër ndërgjegjes kombëtare shqiptare… Meqë jeni mjeshtër i pendës, një prozë e tillë do të nxjerrë në pah Gulagun shqiptar… Një vepër e tillë do të arrinte përmasat edhe të veprës së Solzhenjicinit…”

Rugova, disa herë ia përsëriti këto fjalë Kallushit. Po ai, nuk ndalej që nuk ndalej, me akuzat ndaj shkrimtarëve shqiptarë që thoshte se nga xhelozia kishin shpifur dhe e kishin çuar në burg!

“Dua të tregoj se si shkrimtari për shkrimtarin është ujk…”

Rugova i tha se kjo mund të ishte e vërtetë, por gishtin duhej drejtuar nga shkaktarët e zezonës shqiptare dhe njerëzore në pëprgjithësi (diktatura komuniste, ideologjia e saj) dhe jo te viktimat.

“Nuk ishin ata viktima. Ishin pjesë e aparatit policor”, zuri të çirrej Kallushi.

Rugova prapë e ruajti qetësin edhe kur Kallushi ia lëshoi përpara një manuskript, ku tha se gjenden akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare kundër tij.

“Bota duhet ta dijë këtë”, tha Kallushi, kur Rugovës iu sosën fjalët dhe e pa se Kallushi ishte në një gjendje të rëndë, që duhej ndihmuar disi.

Në këtë mënyrë përfundoi edhe takimi i parë dhe i vetëm i Kapllan Kallushit me Rugovën. Ky takim, si duket i kishte lënë shije të hidhur, ngaqë e kishte kuptuar se shkrimtari i talentuar Kapllan Kallushi nuk ekzistonte më. Burgjet e gjata, mundimet dhe gjithë ato që e kishin përcjellur, e kishin shndërruar në një urrejtës, mohues dhe vetëmohues…

Po atë ditë, Xhemail Mustafën e këshilloi që bisedën eventuale me Kallushin, për të cilën ai edhe kishte ardhur në Prishtinë, ta lironte nga mllefet dhe traumat e rënda psikike që ia kishin lënë atij vitet e gjata të burgjeve dhe përjetimet e tmerrshme në to…

“Përpiqu që Kallushi të flasë për Gullagun shqiptar… Të tjerat janë të dëmshme për ne dhe për të…”

Intervista e Xhemail Mustafës me Kapllan Kallushin kishte dështuar, pikërisht te kjo çështje, ngaqë Kallushi nuk kishte pranuar të fliste për tjetër pos për “shkrimtarët që e kishin çuar në burg” dhe për të njëjtit “që edhe pas lirimit nga burgu “po e ndiqnin pamëshirshëm me ndihmën e hetuesve të deridjeshëm, prokurorëve dhe gjithë infrastrukturës së dhunës”, të cilët “me rrëfimet e tyre si sigurimca, gjoja rreth bashkëpunëtorëve të sigurimit nga radhët e intelektualëve, ishin kthyer në “vrasëse të lirisë mashtruese”! / KultPlus.com

Inflacioni tepër i lartë në SHBA

Rritja më e madhe e inflacionit në SHBA në 40 vitet e fundit po e godet rëndë vendin. Në Nju Jork, një metropol me gati 9 milionë banorë, është gjithnjë e më e vështirë të paguash qiranë dhe ushqimin.

Në maj të këtij viti, çmimet e ushqimeve në Nju Jork u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981. Kjo rritje u ngadalësua pak në qershor, por çmimet e ushqimeve në SHBA janë ende 9,1 përqind më të larta se një vit më parë.

Kjo është rritja më e madhe që nga viti 1981 e deri më sot dhe niveli më i lartë në 40 vitet e fundit. Inflacioni i lartë është pasojë e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dhe të biznesit të shkaktuar nga vendosja e masave kundër pandemisë.

Kozmetikë në vend të perimeve

USA Symbolbild US Dollar Inflation

Numri i fëmijëve që vizitonin mensat publike të ushqimit në fillim të këtij viti ishte 55 përqind më i lartë se para shpalljes së pandemisë Corona – sipas informacioneve nga City Harvest, organizata më e madhe e rishpërndarjes së ushqimit në Nju Jork.

Gjatë masave kundër pandemisë, shumë organizata të tilla u krijuan në Nju Jork me synimin për të ndihmuar njerëzit e varfër. Sidoqoftë, subvencionet shtetërore për ta mbetën të njëjta – ato thjesht ndahen tani mes më shumë njerëzve. E me paratë që marrin, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta që të blejnë ushqim të mjaftueshëm, sepse çmimi i ushqimit vazhdon të rritet.

Maria Sintron, e cila punon në shpërndarjen e ushqimit në distriktin Bronx të Nju Jorkut, thotë se dërgesat e ushqimit në organizatën e saj janë bërë jo të besueshme dhe se po ndodh gjithnjë e më shumë që ushqimi që vjen duhet të hidhet sepse ka skaduar afati i përdorimit apo është prishur. Filluan të vinin edhe kuti me produkte kozmetike dhe ilaçe – në vend të perimeve.

Gjendja pak më e mirë në korrik

Shumë restorante dhe bare, pas bilancit katastrofik financiar që patën gjatë pandemisë, ia dolën t’i mbanin klientët duke mos i rritur, ose vetëm duke i rritur pak çmimet e ushqimeve dhe pijeve. Por tani edhe ata kanë rritur pagat e punonjësve të tyre për t’i mbajtur ata – sepse ka një kërkesë të madhe në tregun e punës.

USA Joe Biden auf Corona Positiv getestet

Mark Cohen, një profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit Kolumbia, tha se qeveria po bën gjithçka që mundet për të vënë situatën nën kontroll. Për shembull, Fed po rrit normat e interesit, e Presidenti Joe Biden ka detyruar kompanitë e naftës dhe gazit të rrisin prodhimin dhe të mbajnë të ulëta çmimet e benzinës. Por Cohen beson se efektet e këtyre masave mund të bëhen të dukshme vetëm brenda një viti.

Në të gjithë SHBA-në, rritja e inflacionit që nisi në kohën e vendosjes së masave kundër pandemisë u ndal pak në korrik. Është shumë herët për ta ndjerë atë në jetën e përditshme të Nju Jorkut. Përveç kësaj, pagat janë ende në rritje, vlera e parave po bie ndërsa qiratë po rriten. /DW / KultPlus.com

Saranda më shumë se bregdet, manastiri i Shën Gjergjit pret vizitorë

Bashkia e Sarandës tërhoqi vëmendjen e turistëve drejt Manastirit të Shën Gjergjit, duke e cilësuar atë “destinacioni i javës”.

Manastiri i Shën Gjergjit, rreth 9 km nga qendra e qytetit të Sarandës, ndodhet mbi kodrën e Demës, në rripin më të ngushtë të tokës që ndan detin Jon me liqenin e Butrintit, në krye të gadishullit të Ksamilit.

Ai është ndërtuar në shekullin e 15-të mbi rrënojat e murit antik dhe rrethohet me një mur të lartë e të fortë prej guri, në të cilin janë hapur shumë frëngji për mbrojtje.

Në qendër të manastirit ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila është një rindërtim i shekullit të 19-të, e rrethuar nga një sërë ambientesh ndihmëse. Kisha ka një narteks të gjatë që të çon drejt naosit, mbi të cilin ngrihet një kupolë, ndërsa në lindje kufizohet nga një ikonostas muri që e ndan nga altari. Muret e brendshme të saj janë zbukuruar me piktura murale, ku vihen re tre nivele pikturimi që i mbivendosen njëri-tjetrit.

Nga maja e kodrës ku ndodhet manastiri, shijon një pamje mahnitëse të detit Jon dhe Liqenit të Butrintit. Ky është një destinacion i rëndësishëm peligrinazhi por edhe për të gjithë ata që preferojnë ngjitjet në mal dhe shëtitjet në natyrë.

Manastiri i Shën Gjergjit është monument kulture i kategorisë I dhe bën pjesë tek manastiret e fortifikuar, me mure të pajisura me kulla dhe frëngji. /atsh / KultPlus.com

Pista Olimpike e Atletikës, risi në parkun e rilindur të Liqenit të Tiranës

Pista Olimpike e Atletikës është drejt përfundimit të punimeve për të pritur sportistët profesionistë në mes të Parkut të Liqenit të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Pista Olimpike e Atletikës, e cila po ndërtohet me standardet më të mira sportive.

“Mirëmëngjes dhe me risinë e bukur të Pistës Olimpike të Atletikës në parkun e rilindur të Liqenit të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.

Pista me 6 korsi është realizuar sipas standardeve të atletikës dhe është në pritje të certifikimit për t’u përdorur edhe si hapësirë për aktivitete ndërkombëtare.

Në këtë pistë atletët mund të ushtrojnë disiplina të ndryshme të sportit të atletikës si 100 metra, kërcim së gjati, distancat e mesme, distancat e gjata, vrapim me pengesa, stafetat etj. /atsh / KultPlus.com

45 vjet nga vdekja e Elvis Presley

Sot janë mbushur 45 vjet nga vdekja e Elvis Presley.

Elvis Presley ka lindur më 8 janar 1935 në Tupleo, dhe ka vdekur më 16 gusht 1977 në Memphis, në moshën 42 vjeçare.

Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Mbreti i muzikës rock&roll, sex simboli, mashkull me të cilin çdo femër ka dashur të ishte, me vite ka luftuar nga varësia. Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjës etj, dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës. Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

Pak kohë pas kësaj, ai ka realizuar singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marr pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femrore. Për herë të parë ka debutuar në film në vitin 1956, në filmin “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Hawaii në 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore. 

Falë suksesit të madh, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsyeje pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtarja e pasurisë së tij ishte Lisa Marie Prestley./KultPlus.com

Etërit na ikën, në ditëvite të ndryshme

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!/ KultPlus.com

Si arrijnë arkeologët të deshifrojnë gjuhët e vdekura

Deri 200 vjet më parë, askush në epokën moderne nuk mund t’i kuptonte hieroglifet egjiptiane. Egjiptianishtja e lashtë, ishte në thelb një gjuhë e vdekur. Fakti që historianët mund të lexojnë dhe kuptojnë sot shkrimet hieroglifike, lidhet me një tekst juridik tejet të thjeshtë por të lashtë, që gjendet i gdhendur në një gur me famë botërore.

“Viti i ardhshëm shënon 200-vjetorin e deshifrimit të Gurit të Rozetës, që ishte në fakt një moment i rëndësishëm për degën e Egjiptologjisë. Ai është artefakti i vetëm më i famshëm në fushën e përkthimit të teksteve te lashta”- thotë Roland Enmarsh, pedagog i Egjiptologjisë në Universitetin e Liverpulit në Britaninë e Madhe.

Guri Rozeta,që përmban një deklarate të shkruar në vitin 196 Para Krishtit, rezultoi të ishte me shumë vlerë për deshifrimin e hieroglifëve egjiptianë, pasi dekreti në fjalë përsëritej vetëm3herë. I pari u shkrua me hieroglife, i dyti me shkrimin e stilit demotik, një formë e Egjiptianishtes të lashtë, e ngjashme me stilin me arabishten e shkruar.

Ndërkohë versioni i tretë ishte shkruar në greqishten e vjetër. Meqenëse kjo e fundit kuptohej nga studiuesit, ajo siguroi një mënyrë për të deshifruar egjiptianishten e lashtë. “Nëse keni në dorë një shkrim dygjuhësh, dhe njëra prej tyre është në një gjuhë që ju e kuptoni, atëherë ai është vërtet shumë i dobishëm, për sa kohë që përmbajtja e tekstit përsëritet”- thekson Enmarsh.

Duke përdorur këtë teknikë, studiuesit mund të shohin se ku rishfaqen pjesët, dhe t’i përkthejnë ato. Mjerisht, përkthimi i tekstit të Gurit të Rozetës, nuk zbuloi asgjë shumë të veçantë. Ai ishte thjesht pjesë e një teksti administrativ, për të shënuar përvjetorin e jubileut të një mbreti.

Gjithsesi ai u siguroi studiuesve mjetet për të kuptuar tekste të tjera shumë më interesante.

Mënyra tjetër për të ringjallur një gjuhë të vdekur prej kohësh, është përmes përpunimit bazë i të dhënave. “Disa pllaka argjile që datonin rreth viteve 1450-1200 Para Krishtit u gjetën në Greqi, por për dekada me radhë studiuesit e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë shkruhej aty”-thotë Enmarsh.

Gjuha njihet si “linearja B”, dhe i paraprin alfabetin grek. Ndaj shumica e historianëve ranë dakord se ndoshta ishte një gjuhë krejtësisht e veçantë. Sidoqoftë, deshifruesit që kishin punuar në thyerjen e kodit gjerman “Enigma” gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje që ta deshifronin edhe atë gjuhë, duke supozuar se ajo ishte në fakt një paraardhëse e greqishtes.

Ata analizuan modelet e ndryshimeve, për të parë nëse mund të ofronin të dhëna. Sekuenca të caktuara të simboleve u shfaqën vetëm në pllakat që u gjetën në ishullin e Kretës, por jo në ato të zbuluara në pjesën kontinentale të vendit. Kjo bëri që deshifruesit të supozonin se sekuencat ishin emra vendesh në ishull, gjë që rezultoi të ishte e vërtetë.

Nga ai shembull, ata ishin në gjendje të përkthenin të gjithë tekstin.“ Ai është i vetmi shembull i famshëm i suksesit, përmes përdorimit të kësaj metode”-deklaron Enmarsh. Ndërkohë, ka përpjekje për ta shndërruar përkthimin e gjuhëve të lashta, në një profesion më modern.

Studiuesit në Universitetin Mekuajër  në Australi, bashkëpunuan me ekspertë të kompanisë“Google” për të përdorur inteligjencën artificiale, me synim përshpejtimin e procesit të përkthimit në anglisht dhe arabisht të hieroglifëve të lashta egjiptiane”.

“Ajo që bën mirë kjo makineri, është se njeh ku ka dhe ku nuk ka hieroglife. Kjo gjë nuk është e parëndësishme, pasi do të thotë se makina nuk identifikon vetëm gjuhën që nuk ka kuptim”-thotë Kamila Di Biay-Dajzën, pedagoge në Egjiptologji në Universitetin Mekuajër, e cila ishte e përfshirë në projekt.

“Problemi është se ajo nuk përdoret dot mbi një sasi të madhe të dhënash trajnuese. Që të nxjerrë një foto të një muri të një varri egjiptian, dhe ta përkthejë atë me shpejtësi, makineria do të ketë nevojë për shumë më tepër të dhëna”- thekson ajo.

Tani për tani, pajisje të tillë kërkojnë ende shumë kontribute njerëzore, për tu siguruar që rezultati përfundimtar të jetë një përkthim i besueshëm. Por nëse softueri është i ekspozuar ndaj të dhënave të mjaftueshme të shembujve me tekste të ngjashme, ka të ngjarë që në të ardhmen të mos ketë nevojë për ndihmën e njerëzve. / Discover Magazine/ KultPlus.com

Filozofi i njohur francez kërkon nderimin e Rushdie me çmimin Nobel

Salman Rushdie, i shtruar në spital pasi u godit me thikë në Nju Jork, duhet të marrë çmimin Nobel në Letërsi, deklaroi filozofi i njohur francez, Bernard-Henri Lévy.

“Nuk mund të imagjinoj asnjë shkrimtar tjetër që të ketë këtë guxim dhe që ta meritojë më shumë se ai”, thotë Lévy për autorin e natyralizuar britanik.

I kërcënuar me vdekje që nga një “fatva” nga Irani, në vitin 1989, një vit pas publikimit të “Vargjeve Satanike”, Salman Rushdie u godit me thikë të premten e kaluar.

”Ky shkrimtar i dënuar që prej 30 vitesh… meriton kompensim”, gjykon Bernard-Henri Lévy në një shkrim të gjatë me titull ”Pavdekësia e Salman Rushdie”.

Sipas filozofit, ”ky akt i terrorit absolut, i cili, përtej trupit të goditur me thikë dhe librave të tij, është një tmerr mbi të gjithë librat dhe të gjitha fjalët e botës, kërkon një përgjigje brilante”.

Filozofi francez, me nofkën BHL, është një figurë me ndikim në skenën politike, filozofike dhe letrare franceze, i cili është i përkushtuar për disa kauza, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Vitin e kaluar, çmimi Nobel për Letërsi iu dha romancierit tanzanian, Abdulrazak Gurnah./ KultPlus.com

Një furrë buke në Ukrainë shërben ushqim falas për qytetarët në nevojë

Në Kiev, një furrë buke shumë e veçantë dërgon mijëra bukë në javë për ukrainasit në nevojë. E krijuar në vitin 2017, si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara, tani furra është përqendruar në misionin për të ushqyer falas ukrainasit në nevojë në vendin e shkatërruar nga agresioni rus.

Mëngjesi është koha më e zhurmshme e ditës, thonë vullnetarët në këtë furrë të vogël në Kiev të quajtur “Bukë e Mirë nga Njerëz të Mirë”. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, kjo furrë ka pjekur më shumë se 120,000 bukë për njerëzit në nevojë. Ekipi i Zërit të Amerikës në Kiev bisedoi me zotin Dmytro Zarazhevskiy, i cili drejton veprimtarinë e furrës së bukës.

“Tashmë veprojmë në Makariv, Chernihiv, rajonin Donetsk, Kharkiv dhe po zgjerojmë zonat ku dërgojmë bukë për njerëzit në nevojë. Buka nuk është vetëm për të shuar urinë, por është simbol i mbështetjes për njerëzit në nevojë”.

Furra e bukës e filloi veprimtarinë në vitin 2017 si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara mendore. 27 vjeçarja Kateryna Kovalchuk thotë se aty ka gjetur një vend pune dhe mbështetje miqësore.

“Punoj këtu që nga 2 marsi i vitit 2020. Nëse e di mirë punën, nuk ka asgjë të vështirë”.

Ish ushtari amerikan Patrick Longfield, i martuar me një ukrainase në vitin 2017 dhe banues në atë zonë, ka dalë vullnetar në këtë furrë buke pavarësisht se nuk kishte asnjë lloj eksperience.

“Kam luftuar më parë si ushtar për amerikanët, një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Tani nuk jam aq i ri. Por doja ta ndihmoja vendin në një farë mënyre, kështu që vendosa të dal vullnetar”.

Ky furgon me ngjyra të shumta është i mirëpritur për njerëzit në zonat më të goditura të Ukrainës.

“Tani nuk kemi dyqane dhe është shumë e kushtueshme vajtja në qytet për të marrë bukën”, thotë një banore.

Vladyslav Malashchenko, pronar i furrës, shpesh shoqëron vullnetarët ndërsa shpërndajnë bukën dhe bisedon me njerëzit në nevojë.

“Sot sollëm 600 bukë. Gjyma e tyre u shpërnda sot dhe pjesa tjetër do të shpërndahet nesër nga vullnetarët vendas. Do të kthehemi përsëri këtu javën që vjen”.

Ai thotë se buka e shpërndarë është falas dhe se furra ekziston falë dhurimeve. Njerëzit dhurojnë para, miell dhe përbërës të tjerë. Me një kosto prej 13 mijë dollarësh në muaj, furra e bukës furnizon falas rreth 12 mijë vetë. /VOA/ KultPlus.com

‘Autostrada Hangar’, hapësira për edukim, prodhim dhe ekspozita u hap për publikun

Ministri Hajrulla Çeku e vizitoi sot hapësirën e re të edukimit, prodhimit dhe ekspozimit, që u themelua dhe u hap për publikun, në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman, tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren).

Kjo hapësirë e re, shumë e nevojshme për komunitetin e artit dhe qytetarët, do ta ofrojë vendin dhe mundësinë për mësim e shkëmbim të njohurive mes profesionistëve të rinj brenda fushave të tyre si dhe me ekspertë të jashtëm që do të angazhohen përmes programit të edukimit.

Përveç ekspozitave të artit bashkëkohor, Autostrada Hangar është vlerë e shtuar për komunitetin si hapësirë multifunksionale në shërbim të qytetarëve.

Maska e arit që i përket lashtësisë ilire

Ky zbukurim i moçëm gjendet ende te veshjet shqiptare.

Është pohuar nga Montelius, se civilizimi etrusk ishte një vazhdim i atij mikenas, arti i së cilit, ashtu siç e pamë, gëzonte zbukurimin e spirales.

Të tjerë, shohin një mbijetesë të vonë të kulturës mikenase te rajonit ilir, aty ku spiralja mbijetoi, si në Glasinatz. Dhe, sër A. J. Evans, ka theksuar ngjashmëritë e disa prej formave të artit të Hallstatt-it me ato që karakterizojnë thesarin e shquar të arit të gjetur në Eginë, zbukurimet e të cilit tregojnë qartë se është i periudhës së vonë mikenase.

Fotografia: Maske ari ilire, e gjetur në Trebenishtë. Gjendet në Muzeun Kombëtar të Serbisë. Vihet re zbukurimi me spirale. I njëjti zbukurim gjendet edhe në jelekët shqiptarë dhe veshje të tjera popullore.

Titulli: An Introduction to the Study of Prehistoric Art
Autori: Ernest Albert Parkyn
Botues: Longmans, Green and Company, 1915 / KultPlus.com

Ekspozita ‘Gravura’ nga Taso pret vizitorë në Pogradec

Në Galerinë e Artit Pogradec është hapur ekspozita “Gravura” e Anastas Kostandinit, i njohur për artdashësit me emrin e artit Taso. Kjo është hera e parë që mjeshtri i pikturës sjell një ekspozitë të këtij zhanri.

Gravurat e Tasos mbajnë emocion, dashuri për qytetin e tij, Pogradecin dhe kritikë gjithashtu. Siç shprehet ai vetë, grafika për të ka qenë një paralele aq serioze sa hera- herës merrej veçmas me të.

Pasi Galeria Kombëtare e Arteve koleksionoi disa prej gravurave të tij, Taso vendosi të merrej seriozisht me gravurën, aq sa edhe me pikturën. Prej 40 vitesh, vizaton qëllimisht për të krijuar grafika.

Pasioni grafik, thotë Anastas Kostandini, më ka shtyrë drejt ilustrimit letrar, por edhe në grafika të realizuara për revista e gazeta. Ndikim të drejtpërdrejtë tek artisti, në këtë pasion, kanë patur mjeshtrat botërorë, veçanërisht grafisti ekspresionist belg Frans Masereel, Lyonel Feininger, ksilogravurat japoneze dhe mbi të gjithë, mjeshtrit e mëdhenj si Albrecht Dürer, Hans Holbein e deri tek Picasso.

Ekspozita “Gravura”, në Galerinë e Artit “Lasgush Poradeci” do të qëndrojë e hapur deri në datën 25 gusht. Ajo vjen me mbështetjen e Bashkisë Pogradec dhe Qendrës Multifunksionale Pogradec./atsh./ KultPlus.com

Ti qan e loti vetëtin qërpikëve të tu

Poezi nga Lord Byron

Ti qan e loti vetëtin
Qerpikëve të tu;
Elmazi i vesës në agim
Prej vjollcës shket ashtu.
Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz
shkëndrit në sytë e tu;
Sarifi zbehet n’atë çast
nga flakë e tyre blu.

Purpurn e reve ruan ti,
kur Dielli perëndon
dhe errësira pa kufi
Nis botën e mbulon
Kështu dhe vështrimi yt
Djeg retë e shpirtin tim;
Le t’erret!Brenda meje ndrit
I zjarrti perëndim!

Stormzy, pjesë e ‘Sunny Hill’ në Tiranë

‘Sunny Hill Festival’ po vazhdon të zbulojë emrat e artistëve që do të përformojnë në Tiranë, përcjell KultPlus.

Së fundi ata kanë zbuluar se pjesë e ‘Sunny Hill’ në Tiranë do të jetëedhe artisti i njohur britanik, Stormzy.

“Sunny Hill mirëpret vetë legjendën STORMZY. Një nga figurat më frymëzuese të Mbretërisë së Bashkuar merr përsipër skenën tonë për atë që do të bëhet një SHFAQJE HISTORIKE”, thuhet një njoftim.

Ndërkaq, festivali ‘Sunny Hill’ në Tiranë do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gusht./ KultPlus.com