Rita Ora paralajmëron turin e koncerteve në Britani dhe Evropë (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Rita Ora sapo ka njoftuar se tashmë kanë dalë në shitje biletat për koncertet e saja që do të mbahen në Britaninë e Madhe dhe Evropë, shkruan KultPlus.

Ajo përpos qendrave të mëdha në Londër, do të ketë koncerte edhe në Paris, Munih, Amsterdam.
Turi i saj i koncerteve është bërë publik edhe nëpërmjet një video, sikurse edhe sajti se ku mund të blihen biletat./KultPlus.com

Fadil Hysajt i dorëzohet Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore

Në kabinetin e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur ceremonia solemne për dorëzimin e Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi u shpreh i kënaqur që si Ministri po e përfundojnë procesin e ndarjes se çmimeve, ndërsa theksoi se do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Ministria.
“Është një proces që ka filluar pak më herët por që nuk është realizuar gjatë këtij viti dhe e kemi pa të arsyeshme si Ministri që ta përfundojmë këtë ceremoni të ndarjeve të çmimeve për shkak se e kemi konsideruar shumë të rëndësishme kontributin që e keni dhënë të gjithë”, tha Gashi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Në këtë ceremoni regjisori, Fadil Hysaj u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore. Kurse çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 u nda për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit.
Regjisori, Fadil Hysaj pas marrjes së çmimit u shpreh se këtë çmim ia dedikon personazheve e shumë bashkëpunëtoreve por duke theksuar tri breza të aktorëve.

“Të kalosh 45 vite në teatër janë përjetime shumë të fuqishme dhe është një jetë mes personazheve që vijnë nga imagjinata dhe kërkojnë patjetër statusin e tyre jetësor. Së pari këtë çmim ua dedikoj atyre personazheve që janë me qindra, por që mjerisht nuk gjinden më në skenë, teatri nuk i ka pasur mundësitë për të u siguruar jetëgjatësi më shumë se një sezone. Njësoj ua dedikoj këtë çmim edhe shumë aktorëve, disa prej të cilëve nuk janë këtu, kanë shkuar një brez i tanë nga: Istref Begolli, Shani Pallaska, Avdush Hasani, Skender Tafaj, Hadi Shehu, Sefedin Nuredini me të cilët kam punuar në shumë shfaqje. Ua dedikoj aktorëve të tjerë të brezit të dytë: Luan Jahaj, Shkumbin Istrefi dhe brezit të tretë shumica e të cilëve janë studentë të mi, dhe publikut, e veçanërisht atyre që nuk janë parë në skenë sikurse edhe drejtorive të teatrove”, tha Fadil Hysaj.

Po ashtu në këtë ceremoni u nda edhe çmimi vjetor për regjinë më të mirë që iu dorëzua regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola. Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën iu nda balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell”. Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u nda për Qendrën Multimedia.
Regjisorja Sevdije Ajeti marrjen e këtij çmimi e përshkroi si një ndjenjë të veçantë, pasi që ky çmim po ndahet për një femër.
“Është shumë e rëndësishme që ky çmim po ndahet për një femër e cila jo rrallë herë anashkalohet sidomos edhe neper teatro. Ne kemi jo aq shumë teatro ku mundemi me u angazhu por ka femra regjisore ku femrat mund të punojnë dhe të japin kontributin e tyre. Ne kemi jo pak femra të cilat e kanë dëshmuar veten brenda dhe jashtë vendit”, tha regjisorja Ajeti.

Kurse drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi theksoi se shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë” është ne mesin e shfaqjeve më të mira të Teatrit Kombëtar, kurse shtoi se drama origjinale është ajo që ka bërë jehonën më të madhe edhe jashtë vendit.
“Mund të them me bindje që tani Teatri Kombëtar ka një identitet estetik dhe shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë” është një ndër shfaqjet më të mira, sepse këto dy viteve të fundit Teatri Kombëtar viteve të fundit ka arritur të krijoi disa shfaqje shumë të mira. Mbi dramën origjinale janë krijuar shfaqjet më të mira dhe mbi dramën origjinale është kthyer publiku i cili e ka shumëfishuar numrin e para dy viteve”, u shpreh Sopi.

Komisioni vlerësues për ndarjen e këtyre çmimeve ka qenë në përbërje të regjisorit, Agim Selimit, Ramadan Musliut- kritik letra, Besim Rexhaj – dramaturg, Bislim Muçaj- aktor dhe Bardh Frangu- shkrimtar dhe publicist./KultPlus.com

Arta Dobroshi kërcen për paqë me Atifete Jahjagën

Aktorja Arta Dobroshi e cila së fundi është duke realizuar një kampanjë kërcimi me fytyra të njohura, së fundi ka zgjedhur një fytyrë shumë të rëndësishme, që ti bashkohet kësaj kampanje, shkruan KultPlus.

“Jumping Joyfully for Wolrd Peace” i është bashkuar ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të cilat duken mjaftë të hareshme përgjatë realizimit të kësaj fotografie që është realizuar në Prishtinë./KultPlus.com

Kumbaro mesazh në ekspozitën Vox Machine

“Guxoni artistë! Ministria e Kulturës është këtu për t’ju mbështetur për çdo ide tuajën. Rrezikuam për këtë eksperiment të parë të këtyre përmasave, sepse donim të vlerësonim skenën alternative tek Turbina, e cila në këtë Vox Machine është më shumë se funksionale ”- tha mes të tjerash Kumbaro. Në datën 1 nëntor 2017 në mjediset e pambaruara të Skenës së Re- Turbina u hap ekspozita e veçantë e artistit Sadik Spahija, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve, artdashësve dhe kritikëve të artit.

Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës. Artisti, Sadik Spahija, tregon se ka disa vite që punon për këtë projekt. Materialet e përdorura prej tij për realizimin e veprës janë mbetje industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës. Mesazhi i artistit lidhet me : “Me mënyrën sesi ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjerit, sesi reagojmë karshi asaj që na rrethon, ndaj mjedisit. Ky vend ka qenë një laborator i rëndësishëm në disa muaj, ku së bashku me studentët kemi hulumtuar për të gjetur pikat e përbashkëta mes krijimit dhe ndërtimit”. “Vox Machine” është ideuar për këtë skenë nga artisti Sadik Spahija , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pellicciotti, Melissa Becovic.

“Një projekt i guximshëm, i cili mblodhi bashkë energjinë e krijimit dhe të ndërtimit, në këtë skenë të re, e cila vazhdon të njihet me emrin Turbina. Një ekspozitë e cila na mbledh në një skenë të pambaruar, por që artisti Sadik Spahija na konfimon se nuk kemi gabuar me këtë projekt ndërtimi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në hapjen e ekspozitës Vox Machine. Një thirrje për artistët drejtoi edhe artisti Klod Dedja duke u shprehur “Shembni mure dhe krijoni”, drejtues i Fondacionit M.A.M, një nga organizatorët e kësaj ngjarjeje me përmasa të veçanta artistike në kryeqytet.Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër. E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine”. Ekspozita qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017./KultPlus.com

Në 22 vjetorin e vdekjes së Anton Çettës, pajtimi i gjaqeve nëpërmjet fotografive (FOTO)

Kjo lëvizje, me në krye Anton Çettën, në vitin 1990 arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare, dhe si e tillë kishte mision mobilizimin e shqiptarëve për rezistencë çlirimtare, shkruan KultPlus.







Marrë parasysh këtë mision, shumë gjaqe u falën në emër të kombit dhe më 1 maj 1990, në vendin e quajtur “Varret e Llukës” në komunën e Deçanit, u mblodhën më shumë se gjysmë milion shqiptarë në përkrahje të lëvizjes, e u falën shumë gjaqe. Kujtojmë këtë mision të Anton Çettës, nëpërmjet fotografive. /KultPlus.com

Faruk Begolli dhe bashkëshortja e tij Zoja Gjokoviq, në revistën e atëhershme Bazar

Aktori i njohur Faruk Begolli shihet në ballinën e revistës së atëhershme serbe “Bazar”, bashkë me bashkëshorten e tij Zoja Gjokoviq, balerinë profesioniste e Teatrit Popullor të Beogradit, shkruan KultPlus.

Faruku dhe Zoja ishin të martuar për 17 vjet, por Zoja, edhe përkundër divorcit, deri në frymën e fundit e ka mbajtur mbiemrin Begolli, ne emër të dashurisë që kishte për Begollin. Në këtë foto në ballinën e Bazar, ata shihen të kenë qenë mjaftë të lumtur përkrah njëri tjetrit. /KultPlus.com

Ekspozohet koleksioni i rrallë i kartëmonedhave të shtetit shqiptar (FOTO)

Ekspozita ”Fragmente të historisë së Shtetit Shqiptar përmes kartëmonedhave” është çelur për herë të parë në teatrin “Skampa” Elbasan.

Kjo ekspozitë vjen përmes një koleksioni të rrallë kartëmonedhash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti, koleksionist, njëkohësisht anëtar Bordi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë si dhe Anëtar i Bordi i ADE.

Ekspozita e cila është çelur për publikun më 30 tetor e do të qëndrojë e hapur deri me datë 3 nëntor, synon të informojë qytetarët mbi vlerat historike, kulturore dhe numizmatike të ilustruara në kartëmonedhat shqiptare.
Në ditët e parë të kësaj ekspozite, ajo u vizitua nga emra të njohur të Elbasanit, studiues, pedagogë, politikanë, njerëz të artit e kulturës të cilët shprehën vlerësimet e tyre për këtë koleksion të veçantë.

Ky koleksion u shoqërua edhe me objekte mbështetëse si kartolina, gazeta e revista të kohës, duke ofruar një pasqyrim më të plotë të evoluimit kulturor dhe numizmatik ndër vite në Shqipëri.Kartmonedha e parë që është ekspozuar daton e vitit 1913.
Koleksionisti Julian Demeti tha se ,“rëndësia e kësaj ekspozite është sepse realisht bëjmë dy veprime shumë të mira: e para ta zhvillojmë edukimin nëpërmjet kulturës pra t’iu tregojmë këtu sidomos kartëmonedhat lokale të cilat janë një koleksion shumë i rrallë, si dhe shumë objekte të tjera që do mundohem t’jua tregoj nëpërmjet ekspozitës”,tha ai.

Ai shtoi se kartëmonedha e Elbasanit është një nga katër kartëmonedhat e cila është e vetmja në Shqipëri që ndodhet aktualisht sot.
“Nëpërmjet këtij aktivitet kemi mundësi të bëjmë edhe një vepër të mirë duke ndihmuar këtë qendër që kujdeset për fëmijët në nevojë, dhe të gjithë ne ndjehemi mirë kur bëjmë një vepër të tillë.”, tha Demeti.

Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini vlerësoi punën e Demetit duke shpresuar që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë me bashkinë e Elbasanit për të nxjerrë në pah vlerat, kulturën, historinë, traditat dhe njerëzit e shquar të këtij qyteti. Të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta të Qendra Shqiptare per Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta Elbasan.

Nesër do të dorëzohet Çmimi Vjetor për Teatër, laureat Fadil Hysaj

Nesër , në ora 12:00, në kabinetin e ministrit Kujtim Gashi, organizohet ceremonia e ndarjes së Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore i ndahet regjisorit Fadil Hysaj. Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 i ndahet shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit. Çmimi vjetor për regjinë më të mirë i ndahet regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola.

Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën i ndahet balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell”. Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar i ndahet Qendrës Multimedia./KultPlus.com

Artistët janë fëmijë të botës

Faruk Begolli ishte me gjasë shqiptari i fundit që pas luftës ende voziste “Jugo” në Prishtinë dhe që ende pinte cigare “Drina”. “Jugo” e tij ishte e lodhur dhe e shkatërruar, kishte frena që duhej shtypur fort, por atij i shërbente akoma. “Drinat” ndërsa ia sillnin nga Serbia, kujtdo që i binte rruga andej.

Sivjet janë bërë 10 vjet nga vdekja e tij, shkruan dramaturgu Jeton Neziraj.

Në vitet ‘70 dhe ‘80 ai ishte një prej aktorëve më të kërkuar të filmit në gjithë ish-Jugosllavinë. Ishte ajo kohë kur në qytete të ndryshme krijoheshin klubet e adhuruesve të tij. Ka luajtur në rreth 70 filma artistikë metrazhesh të ndryshme dhe në dhjetëra shfaqje teatri. Në moshën 33-vjeçare, Begolli kishte pas vetes 33 filma, shumica e të cilëve kishin për autorë, regjisorët më në zë të asaj kohe në ish-Jugosllavi.

Akoma takoj njerëz në Beograd që kur ua përmendi Faruk Begollin, u mbushen sytë me lot. Të mos flasim për Prishtinën, ai kujtohet me mallëngjim nga të gjithë, sidomos nga ish-studentët e tij. Më kujtohet që, sa herë që kalonim kufirin Kosovë – Mali i Zi, policët malazez, sapo e shihnin Begollin në automobil, u ndërrohej çehrja, ngazëlleheshin, bëheshin më dashamirës dhe ia kujtonin filmat ku kishte luajtur.

“Kam frikë se me ba me shkue n’Beograd do t’kaj”

Gjatë studimeve për aktor në Beograd, Begolli tregonte sesi qe njohur me dy shokë të tjerë të rinj, të cilët do të mbesin miqtë dhe shokët e tij të përhershëm. Ishin ata Josif Tatiq – Tale apo Jataganac, siç e quan ndryshe Begolli, dhe Laslo Shvirtlih – Laci, të dy këta aktorë nga klasa e Begollit.

“Ishim edhe ka 20 orë bashkë… Shpesh banonim bashk. Krejt çka bënim e bënim bashk. U bëmë të pandashëm… Kjo shoqni e jona asht qysh prej viteve t’60-ta, pra janë ma shumë se 45 vjet n’pyetje”. (Faruk Begolli, 2007).

Faruk Begolli qe martuar me Zoja Gjokoviq, një grua e shkëlqyer, për të cilën ai fliste me shumë respekt. Zoja, tashmë edhe ajo e ndjerë, që ishte balerinë profesioniste në Teatri Popullor të Beogradit, më vonë do ta marrë mbiemrin e burrit – Begolli. Gjatë krejt atyre viteve martesë, ajo ishte, siç thoshte Begolli në një intervistë të hershme, “shtylla e shpisë”. Megjithatë, mbas 17 vjetësh martesë, Begolli ndahet nga ajo.

“N’këto vitet e fundit nuk flas ma për dashuninë, sepse ka ekzistue nji dashuni e vërtetë dhe, si rezultat i saj, edhe nji martesë. Jemi kanë 17 vjet bashkë. Ajo e ka mbajt mbiemnin tem. Por, kur mbaron, mbaron, fatkeqësisht. Kena mbetë shokë. Ndigjohemi n’telefon kohë mbas kohe. Ma së shpeshti jena ndigjue gjatë luftës. Por, mbasi kuptuem që të dy jena mirë, edhe unë e edhe ajo, filluem me u ndigjue rrallë e ma rrallë. Jam i lumtun me at’ dashuni, jam i lumtun që e kam pasë at’ grue. I jam falenderue që m’ka ofrue at’ dashuni t’mrekullueshme, at’ martesë, at’ shoqni dhe at’ copë jete t’mrekullueshme” (Faruk Begolli, 2007).

Mbas viteve ‘90, në kohën e turbulencave politike, kontakti i Begollit me shokët e shkollës ishte më i rrallë, por asnjëherë nuk u shkëput tërësisht. Njëherë, e tërë gjenerata e klasës së tij nga fakulteti qenë mbledhur në një kafe, për të kujtuar kohën e shkuar nga studimet. Nga atje ata e kishin pas marrë në telefon edhe Begollin, dhe të gjithë kishin pas folur radhazi me të:

“U smuva nga qefi. U ktheva shumë mbrapa n’kujtime… Fatmirësisht, nga ajo kohë kam kujtime t’mira. Shoku im, Josif Tatiq m’thirrë vazhdimisht. Kam frikë se me ba me shkue n’Beograd do t’kaj.” (Faruk Begolli, 2007).

Një histori mediale

Shumë njerëz edhe sot e kujtojnë një histori mediale në lidhje me Faruk Begollin. Në vitin 1982, një deklaratë e tij do të shkaktonte zemërimin e shumë njerëzve në Kosovë. Në një emision televiziv, që u kushtohej demonstratave të studentëve shqiptarë të vitit 1981, Begolli, i intervistuar në një kontekst tjetër, deklaroi publikisht se i pëlqente Beogradi dhe se më mirë e ndjente veten në Beograd. Kjo deklaratë e tij, e perceptuar ndryshe nga ç’ishte menduar, krijoi një zemërim të paparë tek njerëzit në Kosovë. Shumë nga ta filluan të shihnin tek ai “tradhtarin e atdheut”. Kjo deklaratë, me preferenca aq të zakonshme njerëzore, në rrethana të atëhershme politike, u keqkuptua dhe u keqinterpretua skajshmërisht. Në lidhje me këtë deklaratë të tijën, mbas disa vjetësh, i pyetur nga një gazetë kosovare, Begolli shpjegon shumë qartë tërë atë histori dhe prapavijën e saj:

“Atë që e kam thënë me atë rast, nuk e mohoj. E kam thënë se në Beograd kam kaluar pjesën më të madhe të jetës. Kam kujtimet e mia, kujtimet e mira, pavarësisht qëndrimeve denigruese të politikanëve të atjeshëm ndaj shqiptarëve. Kur e kam pranuar ofertën e Televizionit të Beogradit, nuk më është thënë qëllimi i atij emisioni. Më është thënë të flisja për mënyrën se si jam afirmuar në Beograd dhe ç`ndjeja unë për Beogradin. Nuk kam pasur haber se me çfarë prapavije politike e kishin planifikuar ata emisionin. Ajo deklaratë imja mandej është montuar dhe është ‘sakatuar’. Sikur të ishte dhënë e plotë, do të duartrokitesha, por ndodhi ashtu siç ndodhi dhe…” (Faruk Begolli, 2007).

Ish-studenti dhe më vonë kolegu i Begollit, aktori Enver Petrovci, edhe sot thotë të mos e ketë kuptuar se pse njerëzit në Kosovë janë ndier të fyer nga ajo deklaratë e Begollit.

“Ishte ajo koha mbas vitit 1981, kur televizionet dhe gazetarët serbë na provokonin vazhdimisht. Faruku ka thënë që e ndjen veten mirë në Beograd, se ndjehet si fëmijë i Beogradit. Pse jo? Nuk e di pse njerëzit e kanë keqpërdorë këtë deklaratë të tijën. As Faruku, por as Bekim Fehmiu kurrë nuk e kanë mohuar se kanë qenë shqiptarë. Me Farukun, në kafe, në rrugë, teatër apo kudo që jemi takuar në Beograd, gjithmonë kemi folur shqip mes vete dhe kurrë serbisht. Më në fund, a ka shqiptar, i cili ka jetuar në Beograd, dhe për të cilin njerëzit këtu në Kosovë nuk kanë paragjykime? Njerëzit, të cilët dikur kanë qenë krenaria jonë, mu nga fakti që kanë bërë emër në Beograd, më vonë janë sharë” (Enver Petrovci, 2007).

Por Begolli edhe shumë vjet më vonë e thoshte të njëjtën gjë për Beogradin dhe dashurinë për të.

“Pavarësisht se dikush mundet me m’keqkuptue ose keqinterpretue, unë edhe ma tutje e due Beogradin” (Faruk Begolli, 2007).

Filozofi Shkëlzen Maliqi konsideron se nami si yje filmi i Bekim Fehmiut dhe Faruk Begollit në Beograd në atë kohë e ka ndryshuar atë perceptimin tradicional paragjykues për shqiptarin si qenie e huaj në hapësirat jugosllave, si i “pakulturuar”, i “prapambetur”, “sharrëxhinj”.

Operacioni Beograd

Në ditët e para të bombardimeve të NATO-s, në Televizionin e Beogradit emitoheshin filmat e Luftës së Dytë Botërore, në shumicën e të cilëve luante edhe Faruk Begolli. Dhe, ndërkohë që në filma ai luante partizanin trim që lufton fashistët gjermanë dhe tradhëtarët e vendit, në realitet ai po priste se kur do të vinin policët serbë që ta largonin dhunshëm nga shtëpia. Dhe, policët do ta largojnë dy herë nga shtëpia, por ai, përsëri, bashkë me motrën e vet, do të kthehet te vëllai, Adili dhe nuk do të pranojë të largohet.

“Një ditë, derisa në televizion jepej filmi ‘Operacioni Beograd’ i regjisorit Zhika Mitroviq, ku unë luaj çlirimtarin e patrembur të qytetit të Beogradit, policët serbë erdhën dhe na larguan nga shtëpia” (Faruk Begolli, 2007).

Shokët e tij, nga Beogradi dhe qytetet e tjera jashtë Kosovës do t’ia dalin ta gjejnë numrin e tij të telefonit. Josif Tadiq – Jataganac, njëri nga shokët më intimë të Begollit, do ta mbajë vazhdimisht lidhjen me të. Ai do ta thërrasë në telefon Begollin çdo të dytën apo të tretën ditë. Jataganac dhe disa shokë të tjerë, duke e kuptuar atë që po ndodhte në Kosovë, do të bëjnë përpjekje të mëdha që Begollin ta “nxjerrin” nga Prishtina. Do t’i hulumtojnë të gjitha kanalet e mundshme dhe madje do të përpiqen të nisin edhe një autobus, i cili do të evakuonte jo vetëm Begollin, por edhe familjen e tij. Përpjekjet e shokëve për ta shpëtuar nga ferri, do ta gëzojnë dhe trimërojnë Begollin, por ai megjithatë nuk do të bindet që të largohet nga Kosova.

Tregimi i luftës ka edhe një episod tjetër të frikshëm. Faruk Begolli, bashkë me të vëllanë, Adilin, po kryenin ritualet e një dite të zakonshme lufte. Në banesën e tyre hyjnë dy policë serbë, të cilët po kryenin regjistrimin e popullatës së paktë që kishte mbetur në Prishtinë. Policët, natyrisht e njohin Begollin.

“…Ishte e tmerrshme. ‘Hajde, e keni lypë Shqipninë…’, na thonin. Në fillim u dridhsha, normalisht. Ata mandej: ‘…ju të dy na keni sulmue neve dhe ne tash ju vrasim’. Nja dy orë ka vazhdue ky lloj maltretimi. Por, dikur po i vike njeriut një fuqi krejt tjetër, më kërciti filmi edhe i lutsha unë: hajde, çomni, ku po doni, çka po doni… Hajde, vramëni…” (Faruk Begolli, 2007)

Por, fatmirësisht, e gjitha kishte përfunduar pa ndonjë epilog tragjik. Policët kishin kërkuar nga Begolli t’ua paguante një drekë. Kishin marrë 200 marka gjermane dhe mandej ishin larguar.

Mbas luftës Begolli rrallë do të dalë jashtë Kosovës. Nuk do të shkojë më në Beograd, por as në Zagreb apo Ljubjanë. Në Sarajevë do të shkojë shumë më vonë, me shfaqjen “Mbreti Lir”.

“Nuk guxoj të mendoj për Beogradin. Shokët më thërrasin. Madje ata mendojnë se unë kam frikë. Por unë e kam ndërprerë një jetë të mrekullueshme. Tash e kam ndërtuar një mur dhe nuk dua më të mendoj, ngaqë e kam dashur shumë Beogradin. Kam frikë. Dua të më mbeten kujtimet e mira që kam.” (Faruk Begolli, 2007)

Për vdekjen e Faruk Begollit në vitin 2007 patën raportuar pothuaj të gjitha mediat në hapësirën e ish-Jugosllavisë por, gjithashtu, edhe disa media të rëndësishme ndërkombëtare. Rrallë mund të gjendet ndonjë personalitet tjetër si ai, për të cilin, pas luftërave të këtyre anëve, të gjitha mediat, serbe, kroate, sllovene, shqiptare, boshnjake, malaziase e maqedonase, të kenë shkruar dhe konstatuar gati njëzëshëm: se është “një humbje e madhe”. Njerëzit dhe artistët si Begolli, me përmasat e tyre të jashtëzakonshme, kapërcejnë mbi urrejtjen e patologjinë nacionalshoviniste primitive. Ata, jo veç me jetën, por edhe me vdekjen e tyre, përçojnë midis njerëzve mesazhe paqeje, mirëkuptimi, dhembjeje të përbashkët, dashurie e miqësie. Duket se kur vdesin artistët e mëdhenj, gjuha e urrejtjes dhe armët, të paktën për një çast, heshtin. Kështu ishte kur vdiq Faruk Begolli dhe kështu ishte kur vdiq Bekim Fehmiu.

Njëzet vitet e fundit të jetës së tij ai ka jetuar në Prishtinë, por po aq vite, ai ka jetuar edhe në Beograd. Edhe fizikisht por edhe shpirtërisht, jeta e tij ka qenë e ndarë mes Prishtinës dhe Beogradit. Edhe dashuria e respekti për të i njerëzve është i ndarë njësoj, ai duhet e respektohet po aq në Prishtinë sa në Beograd. Në këto raportet tona të koklavitura shqiptaro-serbe, të urrejtjeve e nënçmimeve, Begolli është ndoshta përjashtimi i rrallë i së kundërtës, ai është urë lidhëse, nga ato urat e pakta që dy popujt kanë krijuar e ruajtur mes vete. Ai ka jetuar dhe krijuar si një artist, përkundër shumë artistëve të tjerë të këtyre anëve, të cilët, përtej të qenit artistë, kanë dashur të jenë edhe patriotë.

Artistët e mëdhenj janë fëmijë të botës. Atdheu i tyre është arti i tyre që ata lënë trashëgim për brezat. Begolli na ka lënë një trashëgimi të pasur, si artist e profesor. Dhe si njeri. Dhe kur të jemi shëruar nga ethet e nacionalizmit e primitivizmit, shqiptarë e serbë, për Begollin do të duhej të shkruhej: ishte një artist i madh që donte Prishtinën dhe Beogradin, dhe mbi të gjitha e donte njeriun!

(Autori është dramaturg. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe nga projekti PERFORM që përkrah zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, realizohet nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi)

Eliza Hoxha, kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarisht konfirmon pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018, shkruan KultPlus.

Komisioner do të jetë vet Ministria, ndërsa për kuratore, Ministri Gashi ka emëruar arkitekten Eliza Hoxha, e cila është aktive edhe në fushën e kulturës, edukimit dhe aktivizmit në Kosovë.

Tema e këtij edicioni është “Hapësirat e lira” (Free spaces) e shpalosur nga kuratoret Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara. Ndërkohë pritet të krijohet ekipi dhe ideja tematike që do ta përfaqësoj Pavijonin e Kosovës përbrenda temës kryesore të Bienales.

Sot Ministri Gashi e priti në takim kuratoren Eliza Hoxha ku u diskutua për procesin e pjesëmarrjes dhe u zotua për përkrahjen institucionale dhe mobilizim të institucioneve relevante që përfshijnë fushën e diplomacisë kulturore.

Kuratorja Hoxha e falënderoi Ministrin Gashi për besimin e dhënë duke theksuar edhe rëndësinë dhe peshën e përfaqësimit të shtetit në këtë ngjarje me rëndësi për shkëmbimet kulturore në fushën e arkitekturës, dhe u zotua që do të punoj më përkushtim në krijimin e ekipit kompetent që mund ta adresojë temën mbi “Hapësirat e lira” nga konteksti kosovar.

Ministria e Kulturës bashkë me kuratoren do të ju mbajnë të informuar për hapat e mëtejmë të procesit të pjesëmarrjes deri në aktin final në hapjen e Bienales./KultPlus.com

Fazë e re e zhvillimit të Orkestrës filharmonike

Rafet RUDI

Parmbrëmë, në Sallën e Kuqe, si gjithmonë të stërnbushur me artdashës, u mbajt koncerti përmujor i radhës, i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës. Dhe, siq ndodhë, kur bagetin e dirigjentit e mban Toshio Yanagisaëa, nominalisht dirigjent i Filharmonisë së Kosovës (!), rrjedha e Koncertit ishte me një‘tension’ të ngritur artistik-interpretues.

Si vepër e parë e programit ishin “Vallet polvetsiane” nga opera “Pinci Igor”, e përfaqësuesit më të veçuar të “pesëshes ruse”, dhe kompozitorit më “europian” të pesëshës nacionaliste ruse. Për çudi, kjo vepër ishte edhe vepra më e arrirë në këtëkoncert. Të gjithë sektorët e orkestrës ishin “ngjallur”, kësaj rradhe funksionin mirëedhe frymorët, merolet e tyre jo të lehta dhe shumë eksplicite për nga trajtimi solistik i tyre.

Në veprën e dytë të programit, në KoncertinA-dur K 488 të Moxartit, protogonist markant ishte pianistja e talentuar turke Yesim Gokalp, mysafire e festivalit Kamerfest, e cila merrte pjesënë kuadër të bashkëpunimit (tashmë rutinor) në mes të këtij festivali dhe Flilharmonisë. Ndonëse në kohën e parë, orkestra ishte larg elegancës karakteristike të koncerteve moxartiane, “kthesa” u bë në kohën e dytë. Solistja “intervenoi” shkëlqyeshëm në ekspozimin solistik të materialit tematik të fillimit të kësaj kohe. Ajo formuloi jashtëzakonisht bukur atmosferën intime, në momente edhe melankolike, dhe ndoshta më romantike të Moxartit, qoftë në frazim, qoftë në tingullin delikat dhe të përmbajtur pianistik të kësaj pjese, faqet e së cilës kanë mbetur emblematike dhe model për epokën (të mëvonshme) romantike. Në këto rrethana, edhe orkestra filloi të jetë më e kujdesshme dhe shumë më e thelluar në profilimin e situatave emotive të veçanta, gjë që nuk është është sferë e ambicieve të tyre interpretuese, dhe nuk është sferëdalluese e prezantimeve të saja të mëparshme. Allegroja e fundit (Koha III), ishte, fatlumsisht, shumë më e stabilizuar se koha e parë, plot gjallëri dhe më precize nga ana e orkestrës.
Vepra qendrore e programit ishte Simfonia Nr.1 e kompozitorit emblematik rus Pjetër Iliç Çajkovski. Këtë simfoni Çajkovski e shkroi si 26 vjeçar, dhe, ndonëse,kjo vepër përmban shumë pak nga stili e Çajkovskit të mëvonshëm (të ravizuar, sidomos në tri simfonitë e fundit, 4-6), ajo pa asnjë mëdyshje mban karakteristikën kryesore të tij – gjenialitetin e kompozitorit, shprehur qoftë në freskinë e temave, qoftë në orkestracionin e saj inventiv, qoftë në konceptimin simfonik të vet veprës. Do ta mbajmë në mend edhe për ballafaqimin e orkestrës, edhe me segmente virtuoze (te harkorët), siq ishte në kohën e katërt.

Shiquar në përgjithësi, ishte njëri prej prezantimeve të suksesshme të viteve të fundit, të Orkestrës sonë të vetme simfonike. Tashmëështë plotësisht evidente që Orkestra përfundimisht ka hy në një fazë të re të zhvillimit dhe sidomos të konsolidimit kadrovik, duke lënë prapa, atë situatë frustruese për jetën tonë muzikore, kur duhej të priteshin muziktarët (huazues) nga Filharmonia e Maqedonisë, për të filluar koncerti. Kjo fazë e re shumë më cilësore, duhet ta ketë vëmendjen, shumë më të madhe të përgjegjësve të kulturës, në drejtim të rregullimit të statusit material të anëtarëve të saj, që tash për tash, për këtë ansambël tonë kulminant, nuk është fare adekuat. Një anëtarë i shtëpisë sonë reprezentative të kulturës sonë të mos mund të jetojë nga të ardhurat primare të saja, është absurd i llojit të vet. Pastaj, si rrjedhojë e kësaj do të mendohej për pasurimin dhe zgjerimin programor të Orkestrës, rritjen kvantitive të koncerteve (që ato të jenë përdyjavshme e jo të përmuajshme), hapjen dhe lëvizjen e saj në qendra të mëdha europiane etj. Në këtë moment, dhe në këtë stad që Orkestra jonë ka arritur, ajo është e aftë dhe ajo plotësisht e meriton./KultPlus.com

DokuFest hapë thirrjen për edicionin e 17-të

Festivali i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtë “DokuFest”, ka hapë thirrjen për aplikim, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bërë të ditur se tashmë është hapur thirrja për aplikantë dhe afati i fundit për aplikim është 28 shkurti i vitit 2018.

Thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, filma animacion dhe eksperimental. Edicioni i ardhshëm i DokuFest do të mbahet nga data 3 – 11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë, kurse për më shumë informata mund të vizitoni linkun
: http://dokufest.com/sq/dokufest-hap-thirrjen-per-aplikim/KultPlus.com

Filmi horror shqiptar “Bloodlands” do të hapë Festivalin e Filmit Horror në Sidnej të Australisë

Më 29 nëntor do të nisë Festivali Ndërkombëtar i Filmit Horror në Sidnej të Australisë , dhe pikërisht filmi i parë shqiptar i zhanrit horror do të hapë këtë edicion, projekt filmik që është realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, shkruan KultPlus.

“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.

Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar.

Për këtë film që flitet shqip, ku me rolet e tyre luajnë aktorët: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj, do të flitet edhe në këtë festival, ku të pranishmit do të kenë rastin të dëgjojnë edhe rrëfimin e regjisorit, mbi realizimin e këtij projekti. Film deri më tash ka fituar katër çmime ndërkombëtare në festival të ndryshme./KultPlus.com

Lum Lumi

Poezi nga Ali Podrimja

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi./KultPlus.com

Vetëm 10 vjeçare, Hilde Lysiak një reportere dhe autore

Libri i parë në serinë “Hilde Cracks the Case” nisë me 9 vjeçen Hilde Lysiak, përcjellë KultPlus.
Përvojat e Hilde Lysiak arritën të përhapen në prill të vitit 2016, kur ajo plasoi një storje për një vrasje lokale. Një burim e kishte informuar atë lidhur me këtë incident disa blloqe larg nga shtëpia e saj, dhe pasi kishte marr konfirmimin e departamentit të policisë, ajo menjëherë shkoi në vendngjarje, duke intervistuar fqinjët për informata shtesë. Raportimi i saj në terren nënkuptonte se artikulli i saj ishte plasuar shumë orë përpara se mediat tjera të lajmeve të kishin arritur në vendngjarje.

Raportimi i saj mori shumë komente e kritika në faqen e saj të internetit nga ata që mendonin se një vajzë e vogël dhe e “e lezetshme” siç ishte ajo, duhet të luante me kukulla ose të pinte çaj në vend që të ndiqte ngjarjet e rënda. Ndërsa storja e saj u përdor më pas edhe nga The Washington Post dhe The Guardian.

“Mendoj se shumë të rritur u tregojnë fëmijëve të tyre se mund të bëjnë gjithçka, por në fund të ditës nuk u lejojnë të bëjnë asgjë “, tha ajo. Duke u rritur, Lysiak udhëtoi rreth vendit me babin e saj, ish gazetar i The New York Daily News, kur ai ishte në detyrë. Në atë kohë babi saj fillon ta vërej se ajo ishte shumë e ekspozuar ndaj raportimeve serioze qysh në fillim.

Kur familja e saj u shpërngul nga New York City në Pensilvani ajo ishte 6 vjeçare dhe shumë shpejt filloi të mbulonte ngjarje të vogla familjare , një ndër to ishte kur ajo i dha babit të saj lajmin se nëna e saj kishte planifikuar të blinte një makinë të re, ndërsa lajmet i shkruante në artikujt me karta të vogla me shkumës dhe me ngjyrë. Ajo i kërkoi babait të saj që ta ndihmonte të fillonte një gazetë “reale” kurse ai ra dakord për ta mbuluar shtypjen dhe paraqitjen e gazetës nëse ajo i bën të gjitha shkrimet dhe raportimet.

Ajo pastaj filloi duke mbuluar vetëm bllokun e saj të banimit, pastaj u zgjerua edhe në lagje. Ndonjëherë ajo merr informacione që i vijnë në email, por më së shpeshti ajo bën xhiro me biçikletën e saj, duke i pyetur njerëzit nëse ata kanë dëgjuar për ndonjë gjë të çuditshme që po vazhdon të ndodhë.

Disa nga paratë që fitonte përmes abonimeve Lysiak i përdorte për të paguar motrën e saj 13 vjeçare, Izzy për të qenë xhiruese. Ndërsa vëllaun e saj e krediton për ta vënë gazetën e saj në funksion multimedial.

Kur prindërit e Hilde u larguan nga Nju Jorku, ata mendonin se po e lënin gazetarinë prapa tyre. Babai i saj duke qenë se ishte zhgënjyer me këtë industri, e la punën në The Daily News.
“Kur pashë pasionin e saj të vërtetë, ajo më rikthej pasionin tim,” tha ai, “sepse ajo e bën atë në mënyrë të thjeshtë – për të është si kush dhe çfarë”, përcjellë KultPlus.
Pavarësisht kritikave të mëparshme, njerëzit në qytet e marrin seriozisht tani raportimin e saj.
“Ka shumë njerëz në qytet që nuk e pëlqejnë “, tha babai i saj. “Ata duan që storjet e saj të shkrimit të jenë parada dhe promovim i qytetit. Por jo, Hilde dëshiron të raportojë krimin dhe skandalin kudo që e gjen atë”. /KultPlus.com

Heidi Klum e njohur si mbretëresha e Halloween, kësaj radhe me kostum të frikshëm (FOTO/VIDEO)

Krejt bota i mbanë sytë më 31 tetor nga modelja e njohur gjermane Heidi Klum, e cila tashmë është shndërruar një mbretëreshë e Halloween, pasi që ndryshimet e saja nga viti në vit janë aq mbresëlënëse, sa të gjitha mediet e presin paraqitjen e saj përfundimtare, përcjellë KultPlus.

Ajo këtë vit ka ardhur me një kostum të frikshëm, e cila është bazuar në videoklipin e famshëm të Michael Jackson, e cila e shoqëruar edhe nga të tjerë kanë bërë një paraqitje të paparë.
Heidi Klum, përgatitjet për këtë festë i ka ndarë me ndjekësit e sajë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale./KultPlus.com

Grupi shqiptar “Saz’iso” këndoi këngën shqipe “Tana” në BBC2 (VIDEO)

Në emsionin e famshëm në Britani “Later with Jools Holland”, mbrëmë ka performuar grupi shqiptar “Saz’iso”, ku në studion e BBC2 është përformuar kënga “Tana”, shkruan KultPlus.

“Saz’iso”, ka bërë për vete shumë të huaj që të dëgjojnë me ëndje muzikën e vjetër shqiptare, ku po BBC më herët kishte shkruar se nga folklori shqiptar është ndikuar muzika greke, turke dhe bullgare, gjithnjë duke iu referuar këtij grupi shqiptar./KultPlus.com

Një dialog i përsosur muzikor në KamerFest, nëpërmjet pianistes Yesim Gokalp dhe Filharmonisë së Kosovës

Festivali i muzikës kamertale “KamerFest Kosova” mbrëmë arriti të sjellë koncertin e dhjetë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës nën dirigjimin e japonezit, Toshio Yanagisawa dhe në bashkëinterpretim me pianisten Yesim Gokalp nga Turqia, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje, Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë nuk numëronte asnjë vend të zbrazët në ulëset e publikut. Ndërsa në skenë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi të zë vendet brenda kësaj hapësire, kurse përballë tyre dirigjenti Toshio Yanagisawa bën lëvizjen e parë që nis një rrugëtim muzikor me veprat e Alexander Bordinit, e që do të pasohet me ato të Mozartit dhe të Tchaikovskit.
Lëvizjet e tij të shpeshta brenda një zonë të ngushtë e shpërfaqnin edhe më shumë anën e tij artistike. Duart e tij shtriheshin në çdo drejtim të orkestrës ndërsa dukej që merrnin me vetë gjithë publikun në një botë të tingujve të larmishëm. Herë zgjaste të dy duart, e me nxitim shtrinte trupin drejt orkestrës, e cila me një përcjellje korrekte i kthente ato në një interpretim të përsosur muzikor.

Ritmi i dirigjimit të tij filloi të përjetoj një ngadalësim kur kthehej në drejtim e të pianistes turke Yesim Gokalp, e cila dukej së po mbizotëronte tërë sallën me tinguj të lehtë e që vinin më me nxitim kur gishtërinjtë e saj bënin një ecje të shpejtë në tastet e pianos ku ishte e vendosur.
Duke qenë se ajo kishte qenë dhe herëve të tjera në këtë festival, në bashkëpunim me instrumentistë të ndryshëm, ajo tregoi për KultPlus që bashkëpunimi i kësaj nate i dhuroi një afërsi dhe ngrohtësi të veçantë me publikun.

“Duke qenë se isha në mes të sallës, e shijova shumë atmosferën e ngrohtë të publikut, duke më dhënë shumë ndjesi të afërsisë me publikun. Unë kam qenë edhe me herët pjesë e këtij festivali ku kam luajtur në veprat e Bah, por edhe në duete kamertale, sikurse edhe me koncert timin solistik. Në bisedë me drejtorin ramë dakord që të luajmë Mozartin, sepse kjo vepër ka më shumë dialog me orkestrën. Ky sonte ishte një koncert shumë i veçantë dhe i bukur për mua, duke e krahasuar me koncertet e tjera të Mozartit, ky për mua është një ndër koncertet më të mëdha”, tha Yesim Gokalp për KultPlus.
Profesoresha, Valbona Pula- Petrovci e cilësoi si shumë të suksesshëm këtë koncert dhe se nga ky koncert po largohet duke marrë përshtypjet më të mira të këtij bashkëpunimi.

“Ky është një ndër koncertet e suksesshme të Filharmonisë së Kosovës, ndërsa është shumë e rëndësishme të ceket që pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë studentë, ish- studentë të degës së muzikës, që kërkon kohë të krijohet, e që është një statisfaksion i madh. Ata sonte erdhën me një program shumë pretencioz dhe të realizuar shumë mirë që erdhi edhe përmes punës kualitative të dirigjentit Yanagisawa i cili është pjesë e shpeshtë e stafit të Filharmonisë, dhe e ka ndihmuar atë më shumë instrumente. Sa i përket interpretimt të pianistes ishte po ashtu i mrekullueshëm dhe me një muzikalitet të jashtëzakonshëm” u shpreh Pula-Petrovci për KultPlus.

Koncerti i dhjetë i KamerFest përfundoi mes duartrokitjeve që vështirë mbaronin duke bërë kështu që artistët të përulen për të disatën herë pranë publikut. Festivali “KamerFest Kosova” nesër do të përmbyllë edhe edicionin e 18-të të tij, i cili ka nisur që nga data 10 Tetor. Mbrëmja post-kamerfest do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe do të sjellë artistët austriakë: Livia Selin në violinë, Philipp Comploi në violinçello dhe Chengcheng Zhaoi në piano, të cilët do të interpretojnë veprat e Haydenit, Mozartit dhe Smetanas. / KultPlus.com

Edhe një cover i këngës “Nëntori”, tash vjen nga Elona Sadiku (VIDEO)

Kënga “Nëntori” është një ndër këngët e rralla shqiptare që ka sfiduar shumë këngëtarë të rinj që ta risjellin në mënyrën e tyre, shkruan KultPlus.

Kënga “Nëntori” e interpretuar nga Arilena, tashmë është interpretuar edhe nga të huajt, por së fundi kjo këngë është interpretuar edhe nga këngëtarja e re Elona Sadiku.

E përcjellë edhe nga instrumentistët, “Nëntori” nga Elona Sadiku interpretohet me një emocion të thellë. Për më shumë, mund ta ndiqni në videon më poshtë./KultPlus.com

Serbia nuk po gjen qetësi nga “goditja” pro NATO e nobelistes Müller

E gjithë kjo pasi Müller ka marrë guximin të thotë në Beograd atë që tashmë e kanë thënë ose mbështetur shumë intelektualë e shkrimtarë të rangut botëror: bombardimet e Nato-s kanë ardhur si rezultat logjik i luftërave që ka ndezur Millosheviçi.
Fituesja e çmimit Nobel për letërsi, Herta Müller, që është pjesëtare e pakicës gjermane të Rumanisë, me deklaratën e saj në favor të bombardimit të Serbisë nga ana e Natos ka shkaktuar “dridhje tektonike” të llojit të vet në Serbi. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga kjo deklaratë, mediet në gjuhën gjermane vazhdojnë t`i japin hapësirë kësaj “stuhie” në miniaturë që ka shkaktuar në Beograd shkrimtarja e shquar.

Porosia e gjithë deklaratës së shkrimtares Müller me pak fjalë është kjo: “Serbia ende nuk është ballafaquar asnjëherë me historinë e saj” dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, transmeton albinfo.ch meddiet gjermane, zvicerane e austriake. Prezantimi i saj në panairin e librit në Beograd përfundoi me reagime nervoze dhe me klithma proteste, duke e bërë brenda pak çastesh shkrimtaren rumuno-gjermane “armikun numër një” të Serbisë. E gjithë kjo pasi Müller ka marrë guximin të thotë në Beograd atë që tashmë e kanë thënë ose mbështetur shumë intelektualë e shkrimtarë të rangut botëror: bombardimet e Nato-s kanë ardhur si rezultat logjik i luftërave që ka ndezur Millosheviçi. Për krtë arsye, ajo i ka rekomanduar shoqërisë serbe që të bëjë një përpunim kritik të përgjegjësisë së vet historike.

Kjo ka bërë që shtypi i afërm me pushtetin të shpërthejë në akuza ndaj shkrimtares, ndërsa një gazetë bulevardeske madje e ka quajtur shkrimtaren “mbeturinë”. Dhe, shqetësimi në Serbi po vazhdon, në vendin që e identifkon veten si viktimë të konspiracionit botëror nën udhëheqjen e SHBA-së, me pjesëmarjen e Gjermanisë, Austrisë dhe Vatikanit.

Mediat në gjuhën gjermane paraqesin reagimet e shkrimtarëve dhe artsitëve të shumtë serbë ndaj deklaratës bombë të shkrimtares Müller. Ndër ta nuk bën të mungojë regjisori kontrovers, boshnjaku i konvertuar në serb dhe adhuruesi i dëshmuar i Millosheviçit, Emir Kusturica. Ai citohet të ketë thënë se “do të ishte më mirë që Müller të ishte ftuar në ndonjë paradë ushtarake ose panair automobilësh dhe jo në një panair libri”. Kusturica madje ka thënë se po të ishte e drejtë juria e Nobelit, ajo në vitin 2009 këtë çmim do t`ia ndante “shkrimtarit më të madh të gjallë austriak, Peter Handke-s e jo Herta Müllerit”, transmeton albinfo.ch. Të kujtojmë: Handke është një shkrimtar jo vetëm proserb por edhe pro Millosheviçian, ashtu sikurse edhe Kusturica.

Shkrimtarë tjerë madje ia mohojnë edhe talentin, duke thënë se Müller është një shkrimtare fare e rëndomtë dhe më shumë se shkrimtare është aktiviste politike që ndjell frikë e urrejtje.

Shfryrja e qarshisë serbe kundër shkrimtares me rrënjë gjermane po vazhdon ndërkohë që zëra të arsyeshëm të shoqërisë së atjeshme përpiqen të argumentojnë drejtësinë e deklaratës së saj.

Pesë filma të Kosovës po synojnë Berlinalen

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar do të prezantohen para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së ka thënë për KultPlus se filmat do të prezantohen para selektorëve në mes datave 15-17 nëntor në Shkup.

“Jemi shumë të lumtur që kemi kaq numër të madh të filmave të metrazhit të gjatë dhe me kualitet të lartë dhe poashtu me produksion të cilësisë së lartë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë rrugëtimin nëpër festivale ndërkombëtare”, ka thënë Zharku për këto projekte filmike.

Zharku ka njoftuar se filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj. /KultPlus.com

Stina Shala, fituese e Prishtina Kids Fest 2017

Edicioni i tetë i Festivalit për Fëmijë “Prishtina Kids Fest 2017”, ka nxjerrë fituese të edicionit këngëtaren Stina Shala, të cilës edhe i është ndarë çmimi “Grand Prix”, shkruan KultPlus.

Kurse në këtë edicion të këtij festivali që organizohet nga Drita Rudi, janë ndarë edhe çmimet në dy kategori. Në kategorinë e parë, me çmime janë shpërblyer: Erza Hasolli, çmimi i parë, Ana Kodra, çmimi i dytë dhe Aglea Kaneva me çmimin e tretë.

Kurse në kategorinë e dytë, me çmimin e parë është shpërblyer Elit Hoti, me të dytin Arselinda Sheqeri, kurse me çmimin e tretë Erika Shllaku. Në këtë edicion është ndarë edhe çmimi i debutantes më të suksesshme, çmim që ka shkuar për Anea Sylejmanin, kurse ai i publikut është ndarë për Kada Elshanin./KultPlus.com

Dua Lipa në të kuqe në “The Kiss House Party” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka performuar në koncertin “The Kiss House Part”, që është mbajtur në Londër, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka mrekulluar audiencën me performancën e saj live, kurse sa i përket paraqitjes së jashtme, ajo është dukur e veshur me të kuqe dhe me balluke, dukje kjo jo e shpeshtë e këngëtares Dua Lipa./KultPlus.com