Shkupi nikoqir i ekspozitës së Agron Saliut, u prezantuan portretet e të famshmëve shqiptarë (FOTO)

Portrete të ndryshme të të famshmëve shqiptarë, duke përfshirë: Nënën Terezë, Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe shumë figura të rëndësishme shqiptare janë prezantuar nëpërmjet ekspozitës personale të artistit Agron Saliu, shkruan KultPlus.

Ekspozita është hapur në ambientet e Galerisë Kic, kurse kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 17 tetor. Kurse Fatmir Sulejmani, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, nëpërmjet një recensioni ka vlerësuar Agron Saliun, si një artist me emër të përveçëm.

“Për mua, ai është ambasador arti gjithandej ku ekspozon reliktet e shpirtit – portretet e punuara me dashuri dhe përkushtim të veçantë”, ka vlerësuar ai, kurse për veprat veprat e kësaj ekspozite, të përgatitura gjatë dy viteve të fundit, sipas tij janë realizuar kryesisht me teknikën vaj në pëlhurë, ndërkaq, sa i takon formatit, janë të gjitha të njëllojta. /KultPlus.com

“Hi dhe Borë” në ODA

Nesër në Teatrin ODA, do të performojnë studentet e Akademisë së Kulturës Letoneze “Hi dhe Borë”, që do të shfaqet prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

“Është një performancë danci poetike nga koreografi dhe kërcimtari tibetian-kinez Cai Rang Ren Qing, i cili e krijoi këtë punë, posaçërisht për studentet e dancit të Akademisë së Kulturës Letoneze, gjatë kohës së qëndrimit në Letoni.

Vete koreografi këtë krijimtari të tijën artistike e përshkruan si: e ngadalshme, e pastër, pa ndalesë. Njësoj sikurse jeta jonë, e bukur dhe konfuze në të njëjtën kohë./KultPlus.com

Mundësi për ta takuar aktoren e madhe italiane Sophia Loren

“Një mbrëmje me Sophia Loren” është titulluar takimi që jep mundësinë për ta takuar për së afërmi aktoren e madhe italiane, dhe të gjithë ata që kanë pasur këtë ëndërr, mund edhe ta realizojnë, shkruan KultPlus.

Ky takim fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 12 nëntor, mirëpo organizatorët kanë njoftuar se takimi do të realizohet në vitin 2018.

Takimi me Sophia Loren është paraparë të mbahet në The Grand Opera House në Galveston të Islandës, kurse biletat për këtë takim shkojnë prej 55 deri 275 dollarë./KultPlus.com

Artisti Arben Golemi dhuroi dhjetë vepra artistike për Fondin e GKA-së

Sot fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve u pasurua me 10 vepra artistike, shkruan KultPlus.
Artisti Arben Golemi dhuroi këto punë nga koleksioni i prezantuar në Galeri në muajin qershor gjatë ekspozitës “Alteration”.

Janë 10 peizazhe në teknikat, pastel, akuarel dhe vizatim. Kjo është hera e dytë që piktori dhe arkitekti Arben Golemi dhuron vepra për fondin e GKA. GKA falënderon piktorin dhe gjithë artistët që kane dhuruar vepra gjatë viteve./KultPlus.com

46 asete të reja i shtohen Listës së Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim për aprovimin Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme, shkruan KultPlus.

Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme për vitin 2017-2018 përfshin gjithsej 1567 asete, prej tyre 46 të reja sipas kategorive me sa vijon: 14 asete te reja në trashëgiminë arkeologjike, 23 asete në atë arkitekturore, dy asete në trashëgiminë e luajtshme dhe shtatë asete të reja në trashëgiminë shpirtërore, ndërsa për pejsazhet kulturore nuk ka pasur propozime te reja

Këtë vit, Lista është plotësuar edhe me asete te reja nga fusha e trashëgimisë shpirtërore, kategori kjo që nuk ka qene e dokumentuar, hulumtuar, studiuar dhe promovuar sa meriton. Në mesin e shumë propozimeve, në Listë janë përfshirë: Vallet e Karadakut, Jeta dhe Veprimtaria gojore e Xhemajl Abrisë, Kërcimet e Drenicës, Sofra Pejane, Ushqimet tradicionale dhe Lojëra tradicionale. Gjithashtu, për këtë kategori janë shqyrtuar edhe dy propozime si Veprimtaria e SH.K.A. “Agimi” në Prizren dhe Zejet artistike, e për te njëjtat Grupi punues ka kërkuar informata plotësuese para përfshirjes në Listë.

Ministri Gashi u shpreh se “Asetet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme karakterizohen për vlerat historike, arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore, shoqërore dhe edukative. Kjo listë e asteve të trashëgimisë dëshmon për antikitetin tonë dhe na bën ta kuptojmë mënyrën e jetesës që nga periudhat e hershme e deri më sot në vendin tonë.”

Në kuadër të këtij procesi, të përditësimit të listës, ministri Gashi ka themeluar një komision profesional për të vlerësuar ato asete që janë propozuar për largim nga lista. Komisioni përkatës, pas vlerësimit të aseteve në terren, duke filluar nga sot e deri në fund të vitit do të dorëzojë raporte të detajuara për secilin aset sipas prioriteteve dhe veprimet që duhet te ndërmerren. Deri më tani, nuk është larguar asnjë aset nga lista, dhe janë përgatitur edhe 92 propozime tjera për t’u futur në listën e asteve për mbrojtje të përhershme./KultPlus.com

Panairi i Frankfurtit: Merkeli dhe Macroni me apel për diversitetin kulturor

Në hapje të Panairit të librit në Frankfurt, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel premtuan se do të nxisin këmbimet kulturore dhe unitetin evropian.

“Sa më e varfër do të ishte Gjermania pa ndikimin e kulturës franceze, dhe sa më e varfër do të ishte Franca pa gjermanët?” Kancelarja gjermane, Angela Merkel e shtroi këtë pyetje në hapje të Panairit të Librit në Frankfurt, të martën në mbrëmje.

Ajo u bëri jehonë fjalëve të folura nga Presidenti francez Emmanuel Macron më herët në mbrëmje, që tha se “identiteti i gjuhës jeton përmes konfrontimit me gjuhë të tjera”. Franca është këtë vit e ftuara e nderit në Panairin e Librit të Frankfurtit, në panairin më të madh të librit në botë. Kjo është hera e dytë për Francën. 28 vjet më parë, kur Franca luajti një rol të rëndësishëm në panair, Evropa qe modeste dhe e ndarë, Muri i Berlinit ende nuk qe rrëzuar. Këtë e kujtoi Kancelarja Merkel kur me goditjen e çekanit e hapi Panairin.

Merkeli theksoi më tej rëndësinë bashkëpunimit gjermano-francez për Evropën, duke theksuar solidaritetin dhe miqësinë midis të dyja vendeve, që forcohet dhe përmes letërsisë. “Autorët mund të jenë krijues idesh dhe ndërtues urash”, tha ajo.

Kancelarja gjermane përmendi më tej “shkëmbimin kulturor” tradicional midis Gjermanisë dhe Francës, duke përmendur Hugenotët që erdhën në Berlin dhe faktin që poeti gjerman, Heinrich Heine jetonte më të shumtën e kohës në Paris.

Librat si armë

Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi populizmin në rritje dhe nacionalizmin në Evropë. Macroni foli për fuqinë bashkuese të letërsisë. “Ne luftojmë për librat tanë dhe për kulturën”, tha ai. “Pa kulturë, nuk ka Evropë. Librat janë arma më e mirë”, shtoi ai. “Asgjë nuk është më efektive se sa libri. Është gjëja më e vlefshme që kemi në botë.”

Presidenti francez me njohuri filozofike hoqi një hark të gjerë në histori, pas deri te Johann Wolfgang von Goethe dhe përkthyesi i tij tepër i ri francez, dhe theksoi miqësinë midis fqinjëve Gjermani dhe Francë. “Gjuha bëhet më e fortë, kur pranon botë përfytyrimi nga kultura të tjera”, tha ai në fjalën e tij prej gjysmë ore.

Duke theksuar rëndësinë e fjalës së shtypur, Macroni dhe Merkeli shtypën faqen e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut me një shtypshkronjë replikë të Gutenbergut, që u shpik rreth 600 vjet më parë në Mainz, pranë Frankfurtit. Kancelarja gjermane tha se na “nevojiten impulset intelektuale dhe krijuese që vijnë nga letërsia në të gjitha situatat”. “Një libër na fton të ëndërrojmë dhe na zgjeron horizontin.”

Merkeli e falenderoi Macronin, që në veprimet e para të tij pas marrjes së mandatit ai rihapi sërish në Francë gjimnazet bilinguale. Edhe kancelarja Merkel e hodhi vështrimin pas në histori dhe kujtoi Konrad Adenauerin, ish-kancelarin gjerman, i cili e quajti solidaritetin dhe miqësinë midis Gjermanisë dhe Francës si parakusht për një Evropë në paqe.

Macroni tha se të rinjtë duhet të jenë të lirë që të qarkullojnë midis vendeve dhe gjuhëve, se duhet të ekzistojnë universitete evropiane, të cilat të përpiqen të riafirmojnë Evropën mbi bazën e gjuhëve të ndryshme.

Për temën e unitetit evropian, të kërcënuar nga Brexit-i dhe forcimi partive euroskeptike të djathta si Alternativa për Gjermaninë, Merkeli e mbylli fjalën e hapjes të panairit me fjalët: “Çdo autor i panairit kontribuon për ta bërë Evropën më të fortë.”/DW

Kanë filluar xhirimet e filmit “Open Door” me regji të Florenc Papas

Më Tiranë, kanë filluar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Open Door” me regji të Florenc Papas, film që ka përfshirë një kastë të gjerë të aktorëve, shkruan KultPlus.

Filmi flet për shoqërinë patriarkale shqiptare dhe boshti i filmit vendoset mes dy motrave, Rudinës dhe Elmës, të cilat e kanë një baba shumë tradicional, dhe në shtëpinë e tij, motra më e vogël Elma kthehet nga jashtë shpatëzën dhe e pamartuar.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktoret shqiptare: Luli Bitri dhe Jonida Vokshi, kurse me role të tjera luajnë edhe aktorët: Maxëell Guzja, Guljem Radoja, Visar Vishka, Elidon Aliko…Filmi për producent ka Eno Milkanin, kurse drejtor të fotografisë, Sevdije Kastratin./KultPlus.com

Është regjistruar kolona zanore për filmin e madh “Delegacioni”, këndon këngëtarja e madhe shqiptare (FOTO)

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash e sa kohë ka përfunduar xhirimet, mirëpo, regjisori i këtij filmi i është përveshur punës që ky film të ketë edhe kolonën zanore.

Dhe pikërisht kjo punë i është besuar këngëtares së madhe shqiptare Inva Mula, e cila tashmë ka regjistruar kolonën zanore për këtë film, kolonë kjo që është punuar nga Ilir Bajri e Etleva Turkeshi Minarolli.

Për këtë regjistrim, për KultPlus ka konfirmuar edhe këngëtarja shqiptare Inva Mula, e cila ka treguar se ky regjistrim tashmë ka përfunduar në Prishtinë.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombwtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës./KultPlus.com

Shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut shndërrohet në zonë të lirë nga homofobia

Sot është mbajtur Parada e Krenarisë e organizuar nga komuniteti i LGBTI, ku një numër i madh i qytetarëve kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit të Prishtinës, të cilët nëpërmjet pankartave të ndryshme, kanë përcjellë mesazhe të ndryshme të dashurisë, shkruan KultPlus.

Një mbishkrim i tillë është vendosë edhe te shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky mbishkrim që është vendosur në këtë hapësirë ka mesazhin “ Zonë e Lirë nga Homofobia”./KultPlus.com

Drejtori i ri shpalos planet për zhvillimin e QKK-së në Cyrih

Udhëheqësi i ri i QKK-së, Ridvan Murati ka folur me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë të tjerë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Ridvan Murati, i cili po udhëheq tashmë nga muaji korrik me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, ka folur në një takim njohës të shtunën mbrëma me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë shqiptarë lidhur me ardhjen e tij në këtë pozitë, si dhe për planet dhe synimet që ka si drejtues i ri i kësaj qendre në Zvicër.

Murati, të cilin e njohim si aktor të serive të realizuara në Kosovë, është zotuar se do të sjellë një frymë të re në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në Zvicër. Veç kësaj, ai ka premtuar se do të angazhohet në zgjidhjen e statusit të Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë – Zvicër, e cila vazhdon të mbetet në këtë gjendje që prej themelimit në mungesë të ligjit për diasporën.

Udhëheqësi i ri ka folur me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë të tjerë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Murati ka bërë të ditur se ka formuar një bord këshillëdhënës joformal me njerëz të muzikës, pikturës, fotografisë dhe teatrit, që në të ardhmen do ta ndihmojnë në realizimin e projekteve kulturore.

“Qendra Kulturore e Kosovës nuk është e askujt, por është e secilit. Prandaj, bashkë me ju do t’ia arrijmë qëllimin. Ne duhet t’u tregojmë zviceranëve për kulturën dhe artin tonë. Qendra Kulturore është për të treguar se çfarë kulture promovojnë shqiptarët në Zvicër”, tha drejtuesi i ri i Qendrës Kulturore të Kosovës, Ridvan Murati.

Në këtë takim janë njoftuar nga afër të pranishmit edhe me punën e deritanishme të Shukrije Ramadanit, e cila ishte deri tani në krye të Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë – Zvicër. Ajo ka numëruar disa nga projektet që ishin realizuar nën udhëheqjen e saj, ndërsa ka treguar për shkaqet e largimit të saj nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih. Statusi i pazgjidhur i Qendrës Kulturore të Kosovës dhe buxheti i vogël që ndahet për të, ka detyruar Shukrije Ramadanin që të tërhiqet përfundimisht nga Cyrihu.

„Na është ndarë një buxhet i vogël që nuk tolerohet këtu në Zvicër. Por, nga ana tjetër, nuk kam besuar që aq shumë punë mund të bëhen me aq pak buxhet“, tha Shukrije Ramadani. Për të mos ndërruar mendjen kishte ndikuar edhe ekspozita në Cyrih, homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. “Ekspozita në tender i ishte dhënë një kompanie më të lirë në Kosovë, por kur erdhën fotografitë, ishin si karikatura”, tregon Ramadani, e cila kishte kërcënuar se do të dorëhiqet nëse nuk përsëritet ekspozita.

Ekspozita nuk ishte përsëritur, Shukrije Ramadani kishte dhënë dorëheqjen. Sido që të jetë, ajo ka falënderuar të gjitha shoqatat dhe njerëzit e artit dhe të tjerët që ndihmuan në realizimin e projekteve nga Qendra Kulturore në Cyrih. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ramadan Mramori, udhëheqës i Divizionit për Regjistrim të Diasporës, i cila i ka njoftuar të pranishëm për rrjedhën e deritanishme të regjistrimit të mërgimtarëve.

Ai tha se regjistrimi do të vazhdojë online në fazën e dytë, ndërsa deri tani kanë arritur të regjistrojnë 400 mijë shqiptarë jashtë vendit. Gjermania prin me numrin më të madh të regjistruarve, me 37 për qind, Zvicra numëron 30 për qind. Ramadan Mramori, udhëheqës i Divizionit për Regjistër të Diasporës, ka përsëritur rëndësinë që ka regjistrimi, benefitet që mund t’i kenë me regjistrimin pas plotësimit të statistikave të mërgimtarëve.

Zyrtari nga Prishtina ka mohuar edhe një herë që të dhënat e regjistrit do të përdoren për t’i ngarkuar me tatime mërgimtarët, por vetëm për projekte të tjera studimore të institucioneve kosovare./albinfo.ch

Përmes ngjyrave, artistët sollën zhurmë në Galerinë Qahili (FOTO)

Mini-ekspozita me një kolazh prej rreth 40 pikturave, prej rreth 25 artistëve, përmbylli mbrëmë edicionin e tretë të aktivitetit “Zhurma e Artirtstëve Pa Kufi” në Galerinë Qahili, shkruan KultPlus.
Poçet elektrike të ndezura nën gjethet e rrushit, të ftonin në një atmosferë të ngrohtë brenda Galerisë Qahili, e cila mblodhi një numër të madh të artistëve dhe artdashësve.

Një përzierje mes gjeneratash solli një përzierje idesh dhe stilesh në mini-ekspozitën e “Zhurma e Artistëve Pa Kufi”. Diversiteti i kësaj ekspozite erdhi përmes pikturave të ndryshme ku dominonin portretet e peizazhet me ngjyra diku më të ndritshme, e diku më të errëta.


Hapjen e kësaj ekspozite e bëri Engjëll Berisha me fjalë falënderuese për organizatorët e këtij edicioni, “Gjatë ditëve të fundit jemi mbledhur në një ambient, ku kjo galeri ka funksionuar si hapësirë ku ne kemi ardhur si artistë dhe na është dhënë një hapësirë tjetër, pos atyre që janë publike”, tha Berisha.

Artistët u shprehën të kënaqur me punën e tyre në një ambient të përbashkët, përgjatë këtyre ditëve. Mina Krasniqi e cila në këtë ekspozitë solli dy portrete nga cikli i nuseve shqiptare, tha për KultPlus se është ndier e inspiruar gjatë punës në këtë Galeri.

“ Koncepti im është pikturimi i nuseve shqiptare që ua imponojnë martesën, për atë i bëj nuset symbyllur, një ëndërr e paparashikuar në të cilën nuk e dinë as ato realitetin. Puna këtu në galeri gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë e mire, unë jam inspiruar shumë mirë këtu, sepse kemi ndarë kohë me kolegë , ka qenë një lloj ngrohtësie në kohën e ftohtë”, ka thënë ajo.

Nikoqiri i kësaj ekspozite, Eshref Qahili e përshkroi këtë edicion më ndryshe ku artistët sollën zhurmë të punës brenda galerisë, e cila gjatë këtyre ditëve qëndroi si një derë e hapur për të gjithë artistët.
“ Galeria ka qenë e hapur për artistët të cilët duan të punojnë, pa ndonjë obligim, qoftë edhe për një takim me njëri-tjetrin. Janë disa pëlhura të cilat janë të zbrazura dhe disa në të cilat vetëm janë hedhur ngjyrat dhe nuk ka asnjë pikturë. Besoj që është një version ndryshe nga ajo si jemi mësuar, por gjithmonë mbetem me shpresë që herëve të tjera të bëjmë diçka të tillë, por jo për tri ditë por për trembëdhjetë ditë”.

Sipas kritikut të artit, Ilir Muharremi këtë ekspozitë e bënte të veçantë, tubimi i artistëve në punë kolektive, por koha e shkurtër sipas tij, ndikoi që kjo galeri të kishte edhe mangësi.
“Si ide dhe qëllim ishte shumë interesat, ku artistët brenda tri ditëve, t’i shohin punët e njëri- tjetrit, të ndikohen dhe të shkëmbejnë ndonjë ide, këtu dominonin ngjyrat e ngrohta, të ftohta dhe neutrale .Kishte art abstrakt, ekspresiv, impresiv, secili paraqiste ndonjë përvojë të tij ose diçka nga individualja. Mirëpo këtu mungonin instalacionet apo ndonjë performancë, ndoshta kjo edhe për shkak të kohës së shkurtër, pasi që, një ngjarje si kjo do duhej te zgjaste më shume se tri ditë”, ka thënë Muharremi.

Në këtë ekspozitë të Galerisë Qahili janë prezantuar me veprat e tyre artistët: Mentor Avdili, Yll Xhaferi, Ardian Mehmetaj, Burim Myftiu, Nexhmi Bardhi, Leonit Palushaj, Emine Krasniqi, Baku Abdullahu, Arben Shala, Majlinda Kelmendi, Jeta Kalaveshi, Luljeta Leci, Bardha Buza, Naim Spahiu, Merita Myderizi-Maloku, Agron Mulliqi, Skender Hajdini, Adea Pula, Dafine Vitija, Engjëll Berisha Jr, Shkamb Jaka, Kamuran Goranci, Musa Kalaveshi e Eshref Qahili.
Ky aktivitet ishte i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com

Pasdite me Dritëroin

Më 13 tetor shënohet datëlindja e shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli, dhe pikërisht në datëlindjen e tij do të organizohet edhe një pasdite me Dritëroin, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje letrare që do të përcillet me muzikë e me promovim të librave do të mbahet më 13 tetor, në Muzeun Historik në Tiranë, me fillim në ora 19:00. Organizatorët kanë potencuar se Dritëro Agolli është mes nesh këtë ditë. “Ai ka vetëm datëlindje”./KultPlus.com

Flaka Haliti me ekspozitë në Gjermani

“Here – Or Rather There, Is Over There” është ekspozita e Flaka Halitit që do të prezantohet në Lingen të Gjermanisë, përkatësisht në Kunsthalle të Lingen, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 13 tetor në ora 13:00, kurse e hapur për publikun e gjerë do të jetë prej 14 tetorit të këtij viti deri më 14 janar të vitit 2018.

Organizatorët kanë bërë të ditur se kjo është ekspozita e parë artistike që do të prezantojë kjo galeri, duke specifikuar më pas për Flaka Halitin, si përfaqësuese e Kosovës në Bienalen e Venedikut përgjatë vitit 2015, sikurse edhe pjesëmarrje të tjera të shumta artistes kosovare Flaka Haliti./KultPlus.com

National Geographic shkruan për bunkerët e Enver Hoxhës: Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë (FOTO)

National Geographic ka publikuar një artikull mbi bunkerët ushtarakë të ndërtuar nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha.

“Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë ushtarakë”, është titulluar artikulli nga National Geographic, që sjell pamjet e sotme të këtyre bunkerëve të shpërndarë nëpër territorin shqiptar, transmeton Koha.net.



“Numri i saktë i bunkerëve ushtarakë të shpërndarë anembanë Shqipërisë është një çështje për t’u diskutuar. Varësisht së kënd e pyesni, raporti sillet nga 175,000-750,000 të strofullave të mbushur me çimento e çelik, që kanë për qëllim të mbrojnë këtë vend në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore. Kabinat në formë të kërpudhave u ndërtuan në Luftën e Ftohtë, në vitet 1970-80, nga një regjim me paranoja”, shkruan National Geographic.


“Kjo ishte atëherë. Sot, tre dekada nga komunizmi i diktatorit Enver Hoxha, që sundoi nga 1944 deri më 1985, qytetarët shohin bunkerët e përhershëm si përkujtues të dhimbjes nga e shkuara e vështirë. Sidoqoftë, shqiptarët, të shkathët nga natyra, po ndërrojnë skenarin, duke u dhënë jetë këtyre objekteve përmes restoranteve, bareve, kafeve, madje edhe muzeve”, vazhdon artikulli për bunkerët.
Më poshtë mund të shikoni fotografitë e bunkerëve, të përzgjedhura nga National Geographic./KultPlus.com

Albulena Jashari synon majën e Festivalit “Kënga Magjike” (VIDEO)

Kjo këngë është me tekst të Dardan Islamit, e kompozuar nga Agron Peni e me orkestrim të Florent Boshnjakut, shkruan KultPlus.

Ajo është prezantuar së fundi në mesin e debutantëve për Festivalin e Muzikës “Kënga Magjike”, që mbahet tash e sa vite në Tiranë, dhe juria e këtij festivali tashmë i kanë dhënë sinjalin e parë për të vazhduar garën në këtë festival, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për këngëtaren kosovare Albulena Jashari e cila është prezantuar me këngën “Njerëzit”.
Kjo këngë është me tekst të Dardan Islamit, e kompozuar nga Agron Peni e me orkestrim të Florent Boshnjakut.

Juria e përzgjedhjes së këngëve të këtij edicioni kanë vlerësuar lartë performancën e Albulena Jasharit, por edhe për këngën kanë pas vlerësim tejet profesional./KultPlus.com

UNESCO: Nuk jemi konsultuar për ndërtimin në Butrint

Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.

Para disa ditësh, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u pyet nëse ndërtimi në Butrint është i konsultuar me UNESCO-n, meqenëse siti në fjalë është nën mbrojtjen e këtij organizmi. Ministrja siç shikohet në video përgjigjet se “patjetër që është konsultuar”. Më tej ajo thotë se ndërtimi i një bar kafeje është në Parkun Arkeologjik është bërë 100% në përputhje me rreullat dhe ligjet, por pa denjuar të sqarojë opinionin të cilit i detyrohet më shumë sesa arrogance karakteristike.

http://shqiptarja.com/kulture/2730/lokali-n–butrint-kumbaro-p-r-report-…

Ndërkohë sot, “shqiptarja.com” publikon një intervistë me drejtoreshën e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, e cila mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.

Në vëmendjen tonë kanë ardhur disa artikuj nga media. Ne kemi kërkuar informacion shtesë më 9 Tetor 2017 nga autoritetet kombëtare përgjegjegjëse për ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore nëpërmjet Delegacionit Permanent të UNESCO në Shqipëri. Qendra e UNESCO-s për për Trashëgiminë Botërore është njoftuar rreth aktivitetit për të cilin ju pyesni në fund të javës së shkuar. Ne më 9 Tetor 2017 këmi dërguar një letër tek autoritetet kombetare shqiptare përgjegjëse duke u kërkuar më shumë informacion të detajuar për këtë projekt.

shprehet Rössler.

Fakti që UNESCO është njoftuar javën e kaluar ndërkohë që vendimi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë që në muajin maj, flet vetë për lehtësinë e gënjeshtrës, tipike për këtë kabinet qeveritar. Ky është i njëjti rast si me Velierën në Durrrës, kur tekat, interesat dhe përkedhelja e vetes me “shijet elitare” prej artisti, po krijojnë arna gjithëfarëshe për të cilat kërkohet si minimum një debat publik. Nuk është e ndershme dhe as e drejtë që të luash me ligjin siç bën ministrja në fjalë e cila ndërkohë që aty flitet për ndërtim të ri, me beton dhe tulla, do të kapet tek “argumenti” i përshtatjes së një objekti ekzistues. As edhe me faktin se shtetet janë përgjegjëse për vlerësimet e në sitet arkeologjike. Butrinti nuk është i qeverisë, edhe sikur qeveria të rrijë 50 vjet në pushtet. Kaq gjë shqiptarët e dinë.

Kujtim Gashi: Kultura në Kosovë po bëhet nga Skena e Pavarur, ata kanë ide briliante

Kujtim Gashi, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, në një intervistë për KultPlus ka treguar për strategjinë e tij si ministër, përgjatë mandatit të tij katër vjeçar. Skena e Pavarur duket të jetë pika e fortë e ministrit Gashi, i cili ka vlerësuar se në bashkëpunim me përfaqësues të Skenës së Pavarur të hartojë edhe politikat e reja të Ministrisë. Ai ka folur edhe për projektin e Shtëpisë së Operës, për kthimin e artefakteve nga Serbia, sikurse që ka folur edhe për ndarjen e politikës nga kultura. Ministri Gashi ka shpjeguar në këtë intervistë edhe për bartjen e MKRS-së drejt Prizrenit, sipas të cilit, nuk është qyteti i vetëm që po bëhet nikoqir i një dikasteri, pasi që, sipas tij, synohen edhe qytete të tjera për bartje të tilla.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ardhja e juaj në krye të Ministrisë së Kulturës po vjen edhe me risinë tjetër, atë të bartjes së një dikasteri në një qytet tjetër, përkatësisht në Prizren, gjë që nuk ka ndodhë më herët. Pse po ndodhë kjo bartje?
Kujtim Gashi:
Ka qenë një premtim i Kadri Veselit, premtim i kahershëm nga takimet që ka pas në turin e dëgjimeve. Dhe me kontaktet me përfaqësues të kulturës, por edhe njohës të trashëgimisë së kulturës, ka lindë ideja që duhet tw kemi një dikaster në Prizren, që u ofron shërbime të kulturës, pasi që, dihet se Prizreni ka organizim të festivaleve të shumta, veçanërisht që kemi edhe një festival të rëndësishëm ndërkombëtar.

KultPlus: Por jo sa Prishtina, megjithatë?
Kujtim Gashi:
Jo sa Prishtina, por duke parë rëndësinë e Prizrenit e kemi parë të domosdoshme këtë bartje. Dhe nuk përfundon një ide e tillë vetëm me Prizrenin, pasi që kemi ide që edhe në Pejë të kemi një pjesë të shërbimeve për fushën e sportit, duke pas parasyshë edhe Majlinda Kelmendin dhe sportin e xhudos që zhvillohet kaq suksesshëm në Pejë. Për këto arsye, duke iu referuar pikave të caktuara nëpër qytete, kemi ardhë me këto ide që kanë për qëllim edhe zhvillimin e rajoneve të tjera në Kosovë, pasi që, praktika të njëjta kanë edhe shtete të tjera. Kjo iniciativë është duke u pritur mirë edhe nga komuniteti, sepse, përpos që po ofrojmë një dikaster në Prizren, në të njëjtën kohë fuqizojmë edhe turizmin, pasi që, Prizreni, gjithnjë duke u bazuar në statistika, ka një fluks të madh të turizimit.

KultPlus: Megjithatë, është e paimagjinueshme të bartet një institucion i tërë, më saktë, kush do të lëvizë në Prizren?
Kujtim Gashi:
Ne kemi një plan të cilin e kemi hartuar dhe në bazë të këtij plani kjo është e ndarë në dy faza, faza e parë do të bartet kabineti i ministrit me disa këshilltarë, zëvendësministra…, kurse faza e dytë është bartja e departamentit të kulturës dhe atij të trashëgimisë. Kurse për departamentin e rinisë dhe atë të sportit, ende jemi në shqyrtim.
Komuna na ka ofruar një objekt i cili nuk i plotëson kushtet që të bartemi në tërësi, dhe në synimet e mia si ministër e kam të planifikuar që të kërkoj edhe një objekt tjetër, që është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e ky objekt do të plotësoj kushtet tona.

KultPlus: Dhe, kur është periudha kur edhe do të vendoseni në Prizren?
Kujtim Gashi:
Është një problem administrativ, që të na jepet objekti të cilin edhe po e kërkojmë duhet tw vendosë Kuvendi i Komunës, aktualisht jemi në proces zgjedhor dhe nuk ka Kuvend që mund të vendosë për këtë vendim. Nëse zgjedhjet shkojnë sipas planifikimeve, në muajin janar mund të merret një vendim i tillë, kurse në shkurt do të ndodhë edhe bartja në Prizren.

KultPlus: Ju po e vlerësoni se Prizreni do të fitojë me këtë lëvizje, mirëpo, në anën tjetër Prishtina ka aq shumë ngjarje kulturore sa në shikim të parë, qyteti që do të humbë me këtë lëvizje duket të jetë Prishtina?
Kujtim Gashi:
Prishtina është kryeqytet dhe ka edhe 20 ministri të tjera. Por pavarësisht prej kësaj, ne do të kemi dikaster që do të qëndroj në Prishtinë, të cilët do të ofrojnë shërbime. Askush nuk ka nevojë të udhëtojë nga Prishtina për në Prizren, as të bartë dokumente, sepse do të kemi persona në Prishtinë të cilët do të ofrojnë këto shërbime.

KultPlus: Në bazë kësaj se çfarë po thuhet, atëherë kjo bartje duket të jetë më shumë si një strategji imazhi se sa vetë lëvizje klasike?
Kujtim Gashi:
Kushtimisht mund të them se është një lëvizje simbolike për shkak të karakteristikave që ka Prizreni, për shkak të kulturës, trashëgimisë…, qoftë me monumente, qoftë me festivale, por gjithësesi do të jemi edhe nw Prishtinë.

KultPlus: Ndërkohë, përgjatë mandatit të juaj si ministër në Ministrinë e Kulturës ju duhet të keni një strategji për udhëheqjen e këtij institucioni. Keni piketuar ndonjë qëllim që mund ta vlerësoni si suksesin më të madh, nëse e realizoni përgjatë mandatit tuaj?
Kujtim Gashi:
Kjo ministri përfshinë disa dikastere dhe është një nga Ministritë më të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës, sepse përfshinë katër dikastere të rëndësishme. Mirëpo, gjatë këtij madanti do ti jap përparësi Skenës së Pavarur, duke pasë parasysh performancën që ka treguar Skena e Pavarur në fusha të ndryshme. Politikat e MKRS-së do të bëhen bashkë me përfaqësues të Skenës së Pavarur, bashkë me ta do të hartoj edhe kalendarin vjetor të zhvillimeve kulturore. Ju e dini poashtu se gjithmonë ka pas vonesa në konkurset publike për mbështetje të ndryshme kulturore, ne në këtë pikë do të jemi shumë efikas, konkursi do të ndodhë shumë herët, do të jetë shumë i hapur dhe transparent dhe shumë herët do të dihen të dhënat, dhe mjetet financiare do ti kenë me kohë, e jo ti kenë vetëm premtim në letër dhe të lihen në borgje.

Skenën e Pavarur do ta mbështesim fuqishëm, do të mundohemi që nëpërmjet tyre ti zhvillojmë politikat kulturore në Qeveri, jam i interesuar që të kemi një ndarje të buxhetit në mënyrë proporcionale për ata që janë më të rëndësishëm. Unë kam parë që janë ndarë disa mjete në vende jo të duhura.
Gjithashtu do të kemi edhe pjesën e investimeve kapitale, ju e dini se sa vite është folur për projektin e Shtëpisë së Operës, nuk ka pasë asnjë hap, prandaj e kam angazhuar departamentin përkatës që të hartojnë projektin shpejt, edhe unë besoj që brenda një periudhe të shkurtë do të kemi projektin e gatshëm, do të shpallet konkurs për projekt, sepse nuk kemi as projekt, pasi që më herët kanë menduar për një projekt milionësh, shumë që ka ndikuar që kurrë mos të realizohet. Unë kam kërkuar një projekt për nevojat e Republikës sonë. Nevojat e Kosovës nuk kanë pasë nevojë që të premtohen projekte aq të mëdha, unë jam idhtar i asaj që të punoj sipas prioriteteve, nuk kemi nevojë me pasë një objekt me 30 salla e mos të shfrytësohet asnjë sallë, unë jam idhtar që të kemi atë që kërkohet, edhe njerëzit që kam takuar janë shumë dakord që të kemi një projekt të tillë. Uroj që të kemi kompani edhe nga jashtë.

KultPlus: A besoni që ky projekt do të përfundojë brenda mandatit tuaj, sepse është një prej projekteve që krejt ministrat paraprak e kanë premtuar por që nuk është realizuar.
Kujtim Gashi:
Mendoj që është nevojë, sepse nuk e kemi një objekt të tillë. Nuk është një prej projekteve kryesore që i synoj si ministër, por jam i thirrur të realizoj ato projekte që kemi nevojë, nëse njerëzit e kanë menduar si prioritet, atëherë ne e kemi futë në program të Qeverisë. Besoj që përgjatë mandatit katër vjeçar të MKRS, projekti do të jetë i gatshëm.

KultPlus: A është një prej projekteve kryesore që e synoni, apo ka diçka tjetër që është edhe më sfiduese?
Kujtim Gashi:
Unë fillimisht jam i interesuar që të kemi një zhvillim të hovshëm të kulturës, ky është prioriteti i parë dhe këtë do ta bëjmë me njerëzit jashtë MKRS-së, sepse një gjë e tillë nuk është bërë me njerëzit brenda MKRS-së. Njerëzit që kanë punuar në MKRS nuk e kanë shtyrë zhvillimin e punëve, por të njëjtit i kanë neglizhuar. Poashtu jam idhtar të punoj me emra të njohur në botë, që ti involvojmë. Sepse, për mua, investimet kapitale janë prioritete të zakonshme që besoj fuqishëm që do ti realizoj, por jam idhtar i asaj që mos të fokusohemi te objektetet, por të kemi subjekte të zhvilluara të kulturës, subjekte brenda MKRS-së, nga institucionet e varura , dhe veçanërisht ato të pavarura, që janë shumë, që janë me ide brilante. Poashtu duhet të kemi si qëllim që të bëjmë ndarjen e politikës nga kultura, për kulturën tonë duhet të vendosin njerëzit e kulturës, duhet të vendosin njerëzit që e njohin kulturën.

KultPlus:Ju po e premtoni që do të ndani politikën prej kulturës?
Kujtim Gashi:
Absolut, është prioriteti kryesor, kulturën do ta udhëheqin njerezit e kulturës. Dyert e kësaj Ministrie janë të hapura për njerëzit që e njohin kulturën. Ne jemi duke punuar bashkë me përfaqësues të Skenës së Pavarur që të krijojmë një kalendar të përbashkët kulturor me Rajonin, ku përfshihen: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, po punojmë që të kemi aktivitete vjetore dhe për këtë projekt jemi duke menduar në posedimin e një fondi të veçantë.

KultPlus: Poashtu një ndihmesë e madhe për Skenën e Pavarur është edhe implementimi i Ligjit për Sponsorizim, sa do të punoni në këtë drejtim?
Kujtim Gashi:
Ne e kemi ligjin, por nuk e kemi të implementuar, gjatë hartimit të ligjit ka pasë nevojë që të involvohen edhe akterë të tjerë, si psh ata të ATK-së, institucion ky që do të duhej ti lironte bizneset nga taksat nëse do të ndihmonin aktivitetet kulturore, dhe kjo nuk ka ndodhur. Unë kam kërkuar nga administrata që të punojnë në aktet nënligjore të cilat do të bënin të mundur implementimin e këtij ligji, besoj që për një kohë të shkurtë do ta kemi të kryer.

KultPlus: Sa do të luftoni që kultura të ketë vëmendje më të madhe në Qeverinë e Kosovës, nëse i referohemi buxhetit?
Kujtim Gashi:
Unë në diskutimet që kemi pasë në Qeveri, kam kërkuar rritje për kulturën, e di që të gjitha Ministritë kanë shkurtime të buxhetit, për shkak të kërkesës nga Fondi Monetar, por në atë që do të kem kujdes është rritja e buxhetit për subvencione, mjete këto që do të shkojnë për Skenën e Pavarur, sepse kultura në Kosovë po bëhet nga Skena e Pavarur, jam këmbëngulës që të ketë rritje në këtë drejtim, dhe do të jetë një rritje më e madhe se sa ka qenë më herët. Në Kosovë ka shumë organizata të cilat themelohen për një projekt dhe shuhen, prandaj nuk jam idhtar të mbështesë projekte aty për aty, sepse tashmë është krijuar edhe një traditë e disa institucioneve të qëndrueshme, dhe është mirë te fokusohemi te kjo pjesë.

KultPlus: Po e mbyllim me një pyetje tjetër të famshme, gati sa ajo e Shtëpisë së Operës, secili ministër ka premtuar edhe kthimin e artefakteve nga Serbia, por që nuk ka ndodhur, ju si ministër i ri i MKRS-së, çfarë do të bëni në këtë drejtim?
Kujtim Gashi:
Ka pasë shumë arsyetime të ndryshme në këtë pikë, unë edhe në takimin e ministrave që po planifikohet të mbahet, kam propozuar që të ftohet edhe ministri serb, që të ulemi në tavolinë dhe të bisedojmë. Nuk premtoj që do të mund të realizoj kthimin, por atë që e premtoj është që do të angazhohem maksimalisht, nëse është nevoja edhe të shkoj në Beograd. E di që është çështje politike, e di që edhe kemi me pasë probleme, pasi që mund të kemi edhe artefakte të humbura e të dëmtuara, por do të mundohem të shfrytëzoj edhe faktorin ndërkombëtar që me lëvizë diçka në këtë drejtim. Edhe besoj që nga faza tjetër e negociatave të Kosovës që i ka me Serbinë, e që pritet të jenë negociata të finalizuara, unë do të ngris këtë çështje edhe me Qeverinë, që kushdo që ka me marë pjesë në këto negociata, me e ngritë këtë çështje në mënyrë zyrtare, të dokumentohet dhe të arrihet edhe marrëveshja për kthimin e artefakteve në Kosovë. /KultPlus.com

Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të hapin Panairin e Librit në Frankurt

Margaret Atwood, Dan Brown dhe Nicholas Sparks janë ndër autorët dhe emrat më të mëdhenj që do të zbresin në Panairin e Frankfurtit, që do të hapet këtë të martë, ndërsa panairi më i vjetër i librit në botë po bëhet për brezin e Instagram-it, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.

Hapjen zyrtare të këtij panairi do ta bëj presidenti francez Emmanuel Macron së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Pasi panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre.

“Ekziston një dëshirë për t’i parë autorët, për t’i prekur ata në jetën reale”, tha zëdhënësja e panairit Katja Böhne para gazetarëve përpara ngjarjes pesëditore, që pritet të tërheqë më shumë se 270,000 vizitorë.

“Libri është më i gjallë se kurrë, “tha Böhne, duke përshkruar një prirje në rritje të adhuruesve që radhiten për të parë autorin e tyre të preferuar në një atmosferë si të “pop-koncerteve “.
Franca është shteti mysafir në këtë panair dhe do të sjellë më shumë se 180 shkrimtarë në Gjermani, duke përfshirë disa nga autorët më të njohur të gjuhës franceze në botë. Ndërsa shfaqja e përbashkët e Macron dhe Merkel në këtë panair vjen pasi udhëheqësi francez kërkon të forcojë partneritetin e dy vendeve në shtytjen e tij për reformat evropiane.

Panairi i Librit në Frankfurt është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës. Ndryshe, kjo ngjarje daton që nga mesjeta, e cila pati një zhvillim të hovshëm pas shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut në Mainz./KultPlus.com

Filmi “Zana” me regji të Antoneta Kastratit, gjen mbështetje edhe në Shqipëri

Është film me metrazh të gjatë, dhe në thelb të rrëfimit ka luftën e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ky projekt filmik i Shtëpisë filmike “Crossing Bridges Films, me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit dhe producent Casey Cooper Johnosn, që tashmë ka thirrur edhe audicion për aktorët, ka gjetë mbështetje edhe në Shqipëri.

Vetë Antoneta Kastrati ka njoftuar se projekti i saj tashmë është mbëshetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Me kenaqesi ju njoftojme se Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbeshtetur projektin filmik “Zana” me Co-producent DriTan HuqiFalenderojme QKK-ne dhe Bordin Drejtues te miratimit te Projekteve per mbeshtetjen dhe besimin”, ka shkruar Kastrati./KultPlus.com

Flaka Goranci sonte me premierë, shfaqja operistike “Rusalka” do të shfaqet në Gjermani (FOTO)

Foto: Andreas Lander

“Është kënaqësi për mua që pas rolit të Carmen, të ftohem prap po nga ky teatër, tashmë për një shfaqje tjetër opersitike të rëndësishme, sic është opera “Rusalka”, ka thënë Goranci për KultPlus.

Në Teatrin e Operës në Madeburg të Gjermanisë, sonte do të shfaqet premiera e shfaqjes “Rusalka”, nga kompozitori çek Antonin Dvorak, shkruan KultPlus.


Dhe pikërisht në këtë shfaqje, mezzosopranoja Flaka Goranci do të ngjitet në këtë skenë, me rolin e Zanës së Tretë (Third wood sprite), shfaqje kjo që edhe do të shënojë hapjen e sezonit në këtë teatër.

Vetë Flaka Goranci ka shpjeguar për KultPlus se ky projekt vjen si një produksion i mrekullueshëm me regji të regjisorit anglez Stephen Lawless dhe nën dirigjimin e dirigjentit polak Pawel Poplawksi.
“Është kënaqësi për mua që pas rolit të Carmen, të ftohem prap po nga ky teatër, tashmë për një shfaqje tjetër opersitike të rëndësishme, sic është opera “Rusalka”, ka thënë Goranci.

Ndryshe, Flaka Goranci po këtë vit ka debutuar me rolin e Carmen në këtë shtëpi operistike, për të pasuar më pas edhe oferta për shfaqjen “Rusalka”./KultPlus.com

Në Qeverinë Rama, edhe në Ministrinë e Arsimit një zëvendësministre nga Kosova

Me publikimin e listës së zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, është bërë e ditur se në këtë përbërje ka edhe zëvendësministra që vijnë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Përpos Valbona Shujakut që tashmë është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës dhe Hajrulla Çeku në atë të Turizmit, bazuar në këtë listë, në Qeverinë Rama është edhe një zëvendësministre nga Kosova.

Në Ministrinë e Arsimit, zëvendësministre është zgjedhur Besa Shahini, poashtu nga Kosova./KultPlus.com

Rama prezanton dy zëvendësministra nga Kosova (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo ka publikuar listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, shkruan KultPlus.


Bazuar në këtë listë, në Qeverinë e Shqipërisë, risia e emrave të zv/ministrave ishin dy emrat nga Kosova. Valbona Shujaku emërohet zv/ministre e Kulturës, ndërsa Hajrulla Çeku – zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Emërimi i dy zv/ministrave nga Kosova është një nga risitë e Ramës në kabinetin qeveritar. /KultPlus.com

Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet

Ndue Ukaj
Shkrimtari gjenial, F. M. Dostojevski, te romani “Te fyer e te poshtëruar”, ka një moment kur thotë: “në banesa të ngushta, edhe mendime janë të ngushta.”

Dostojevski, po të shihte katrahurën tonë urbanistike, disharmoninë e plotë, rrugët e trotuaret e ngushta, sheshet e pakta, kaosin urbanistik, betonin e pafund, ndërtimet pa shije estetike, do të thoshte se këtu formohen njerëz me mendime të ngushta.

Po, sepse arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet një roman i mirë, një vjershë e bukur, një operë madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut. Sidomos për formimin e ndjenjave estetike.

Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe.
Qytetari i Kosovës, i topitur nga mungesa e gjatë e lirisë, i trullosur nga barra e rëndë politike që mban tash e sa vite mbi supe, nga ligjërimi i pështirë publik, po ballafaqohet për ditë edhe me një fenomen tjetër shëmtues: kaosin urbanistik në rritje.

Një mik i imi, i dëshpëruar nga ky kaos, më tha: si nuk arritëm së paku të estetizojmë këtë kaos?
Kjo pyetje, për mua jetike, deri tani ka qenë një kambanë që ka ra për veshët e shurdhër.
Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet.

Krahasuar me vendet tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendin tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura.
Por, askush nuk na pengon që të bëjmë një planimetri më të mirë për të ardhmen, përpos shpirtngushtësia dhe mungesa e kreativitetit që e zotërojnë jetën tonë.

Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet edhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep.
Arkitektura e Kosovës, sot për sot, përçon mesazhin e kaosit./KultPlus.com

Preljocaj: Dasmat e motrave të mia më inspiruan që të bëj shfaqje me motive shqiptare (FOTO)

Ardianë Pajaziti
Fotografitë: Fahredin Spahija

Ai picrronte sytë përderisa mundohej të parafytyronte kohën kur kishte pas kontaktin e parë me ajrin e të parëve të tij, vendin prej nga edhe i ka rrënjët . Dashuria për Shqipërinë, shihej se sa me nostalgji e bënte të kthehej deri në kohën kur kishte vizituar vendlindjen e babait të tij, fshatin Vermosh të Shkodrës.

“Kanë qenë vitet e 90-ta kur kam vizituar për herë të parë Shqipërinë, përkatësisht fshatin ku ka lindur babai im”, rrëfente Preljocaj për atë përjetim, i cili në intervistën e dhënë për KultPlus, tregonte se si imagjinata para se të takonte këtë vend dhe ata njerëz, ishte shumë më e fuqishme se sa vetë momenti kur e kishte përjetuar.

Preljocaj, tashmë 60 vjeçar rrëfente se imagjinata për Vermoshin e babait të tij ishte shumë e fuqishme, por, sipas tij edhe kontakti i tij i parë me ata njerëz kishte magjinë e vet.
“Ishte e çuditshme se kur më ofroheshin njerëzit e atij vendi, unë kisha ndjenjën se ata njerëz i kisha njohur. Gjithçka në atë vend më dukej i njohur”, rrëfente balerini dhe koreografi Angjelin Preljocaj, në damarët e të cilit rrjedh gjak shqiptari.

Vizita e tij e parë në Shqipëri mbante edhe një peshë tjetër, pasi që, përpos Preljocajt që vizitonte vendin e të parëve, kjo vizitë shënonte edhe rikthimin e parë të prindërvë të tij, pas një periudhe shumë të gjatë.

I rritur nga dy prindër shqiptarë, por që asnjëri duke mos e sforcuar këtë ide me rrëfime të fuqishme, Preljocaj thotë se rrëfimet për Shqipërinë, për këngën, për vallen kanë ardhë shumë natyrshëm nga prindërit e tij. “Ndoshta edhe pse ishin rrethana të tjera, Shqipëria ishte e bllokuar dhe pikërisht për këtë fakt, prindërit e kanë sjellë Shqipërinë deri tek unë shumë natyrshëm”, thoshte ai, por duke kujtuar se prindërit e tij gjithmonë kanë qenë krenarë që janë shqiptarë.
Pikërisht duke udhëtuar nëpër rrënjët e tij, atij nuk i kujtohet të ketë zënë veten ndonjëherë duke kënduar ndonjë këngë shqipe, të cilën ia kanë treguar prindërit. Por, nëse jo me këngën, Preljocaj ka një fushë tjetër të kulturës shqiptare me të cilën patjetër të jetë puthitur, atë të vallëzimit.

Preljocaj, i cili në karrierën e tij ka mbi 50 shfaqje, të cilat kanë prekë të katër anët e botës tregon për KultPlus se si vallëzimi shqiptar ka pasë tek ai ndikim edhe në realizim të shfaqjeve. Se nëse kishte guxuar që ndonjëherë të fuste elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e tij të baletit, Preljocaj me një përgjigje të shpejtë e konfirmon me një Po.

“Kam vendosë elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e mia. Në një shfaqje, unë kam vendosë vallëzim shqiptar, elemente këto që janë vërejtë shumë edhe nga audienca. Dhe për një realizim të tillë kanë qenë inspirim dasmat e motrave të mia, të cilat janë martuar me traditë shqiptare”, ka thënë Preljocaj.

Por jo vetëm shfaqja e inspiruar nga dasmat e motrave të tij ka pasë motive shqiptare, pasi që Preljocaj ka thënë për KultPlus se motive të tilla vendosë herë pas herë në shfaqjet e tij,por që janë më të thella, dhe për tu vërejtur duhet të jetë një vëmendje më e madhe.

Vitet e 90-ta ishin vitet që shpeshtuan të rrahurat e zemrës për Angjelin Preljocajn,duke shënuar kështu njohjen e parë me Shqipërinë, kurse viti 2017 po shënon një emocion tjetër për artistin shqiptar, prekjen e Kosovës. Preljocaj për herë të parë ka shkelur tokën e Kosovës, ditën e enjte, qëndrim ky që do të mbyllet brenda pak ditësh.

Se pse u desh të priste kaq shumë për një vizitë të tillë, Preljocaj ka thënë se tek tashti ishte momenti dhe ftesa, pasi që, Preljocaj në mbrëmjen e së shtunës, do të prezantojë shfaqjen “Un Trait d’Union & Création 2017” , shfaqje kjo e cila për herë të parë do të puqë shpirtin artistik të Preljocajt me audiencën kosovare.

Se kosovarët janë duke e konsideruar një dhuratë këtë shfaqje të Preljocajt, edhe vetë ai është shprehur se është duke e ndjerë. Dhe pikërisht nga pritja e njerëzve për këtë shfaqje, Preljocaj, edhe pse me gjithë këtë karrierë mbi supe, është shprehur të jetë i rezervuar se nëse do ti plotësojë pritjet e publikut. Me një modesti të njëjtë flet edhe për punëtorinë që do të mbajë me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke e quajtur edhe këtë mision si zhvillim të punës së tij.
Angjelin Preljocaj, i cili fillimisht është prezantuar me këtë shfaqje në Tiranë, tash në Prishtinë e më pas do të prezantohet edhe në Beograd, ka treguar për KultPlus se është në përgatitje të një shfaqjeje në Tiranë, shfaqje kjo që fillet e përgatitjes i ka tash e pesë vite. Kurse sa i përket Kosovës, edhe pse tashmë i është bërë një ftesë nga udhëheqësia e këtij institucioni, Preljocaj nuk e ka mohuar se ka një dëshirë të realizojë një shfaqje edhe këtu, por duke pas parasysh agjendën e tij të ngjeshur, ai ka thënë se nuk është në gjendje të konfirmojë një bashkëpunim të mundshëm.

Preljocaj, i cili gjithnjë e ka potencuar se është një fëmijë shqiptar, është ndalë edhe për lëvizjet e shumta që po i bën kohëve të fundit drejt Shqipërisë, dhe në atë se nëse shfaqjet apo rrënjët po e tërheqin. Ai ka thënë se vallëzimi është ai që e udhëheqë në të gjitha anët, por pa anshkaluar edhe rrënjët. “Unë më herët nuk kam ardhur në Shqipëri për shkak të rrethanave, Shqipëria ishte e mbyllur, kurse tashti është ndryshe”, ka thënë ai. Dhe krejt në fund, se nëse ndihej i lodhur pas një dite të gjatë, ai në gjuhën shqipe është përgjigjur me “pak’./KultPlus.com