Eda Zari sjell festivalin e jazz-it në Tiranë

Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.

Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.

Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.

Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.

Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj.  Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.

Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.

32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com