Rihanna shkëlqen në Javën e Modës në New York (FOTO)

Në Javën e Modës në New York, aty ku janë parë shumë yje duke shkëlqyer me pamjen e tyre, nuk ka munguar edhe ikona e modës Rihanna.

Ylli i muzikës pop, ka mahnitur të gjithë me veshjen e saj në Javën e Modës në New York.

Këngëtarja 29-vjeçare ka shkëlqyer në tapetin e kuq me një veshje ngjyrë të verdhë, teksa është grimuar thjesht po me shkëlqim nga brendi i saj Fenty.

Rihanna është drejtoreshë e kompanisë Fenty dhe në paraqitjet e saj ajo gjithmonë kujdeset të prezantojë trendet e saj. / KultPlus.com

NEW YORK, NY – SEPTEMBER 07: Rihanna arrives to the Fenty by Rihanna Launch at the Duggal Greenhouse on September 7, 2017 in New York City. (Photo by Paul Morigi/WireImage)

Grekët mbrojnë Skënderbeun: Luftoi pushtuesit, jo kundër islamit

Mediat greke i kanë kushtuar jehonë debatit për mbulimin e monumentit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, më rastin e Kurban Bajramit. Mediat greke, “Kathimerini” në një shkrim të gjatë shkruan se debati ishte i zjarrtë dhe pasi ballafaqon të dyja palët, komenton se fanatikët myslimanë shqiptarë nuk e duan Skënderbeun.

Gjithashtu, “Kathimerini” vëren se shteti shqiptar bëri sehir në këtë ndodhi. “Fanatikët myslimanë shqiptarë nuk e duan Gjergj Kastriotin, i cili është Heroi Kombëtar i shqiptarëve.

Lufta që ai bëri ishte kundër pushtimit otoman dhe jo kundër fesë islame. Por myslimanët fanatikë shqiptarë mendojnë se ai luftoi kundër fesë. Ata mendojnë se Skënderbeu ishte mosmirënjohës ndaj Perandorisë, e cila e stërviti dhe i dha tituj”, shkruan “Kathimerini”. Ajo gjithashtu vëren se shteti shqiptar bëri sehir. / KultPlus.com

“Trojanet” prezantohen në ambientin e Etno Fest

Projekti ndërkombëtar “Trojanet”, program i teatrit amerikan La Mama nga New York, tashmë ka mbërritur në Kosovë, për ta jetësuar bashkëpunimin me Qendrën për Art dhe Komunitet – Artpolis, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të këtij projekti është organizuar një prezantimin publik me arritjet e punëtorisë “Trojanet” në ambientin e EtnoFestit në fshatin Kukaj, prezantimi bëhet më datë 9 shtator nga ora 19:00, duke mundësuar të gjithë të pranishmëve të ekspozohen ndaj elementeve kulturore të muzikës, vallëzimit dhe historisë të cilat do të finalizohen me shfaqje.

Disa nga artistët të cilat janë pjesë të kësaj punëtoria janë kryesisht emra të njohur të skenës kosovare dhe ndërkombëtare si: Ilire Vinca, Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Aurita Agushi, Sheqerie Buqaj, Lulzim Bucolli, Flutur Mustafa, Qendresa Kajtazi, Edlir Gashi, Fisnik Sykaj, Daniela Markaj dhe shumë artistë të rinj, si: Fjolla Hana, Skender Podvorica, Redon Kika, Alban Goranci, Edon Shileku, Margarita Ukaj, Rajmonda Ahmetaj.

Njëherësh të përfshirë në këtë punëtori janë edhe dhjetëra artistë profesional, muzikantë dhe të rinj nga komuniteti serb në Kosovë të cilët së bashku praktikisht po arrijnë të jetësojnë pjesë nga shfaqja “Trojanet”.

Ky projekt është zhvilluar ndër vite, ndërsa në muajin maj të 2018-së do të realizohet edhe në festivalin FemArt shfaqja “Trojanet” nga grupi i artistëve dhe artisteve nga të gjithë komunitetet e Kosovës. / KultPlus.com

Nishi dikur ishte tërësisht qytet shqiptar (FOTO)

Përveç statistikave të shumta nga historian shqiptarë, këto foto janë një dëshmi e madhe se qyteti Nish i Serbisë qendrore para 100 viteve ka qenë i populluar kryesisht nga shqiptarët, përcjellë KultPlus.

Nishi gjendet afër 200 km në jug të Beogradit. Ka qenë një qytet i hershëm Ilir ku kanë lindur perandorë Bizantinë si Justini i I.

Sipas studiuesit Katičić emri i lashtë i qytetit në gjuhën greke Ναισσός/Naissós u bë Nish nëpërmjet rregullave strikte fonetik të gjuhës shqipe dhe më pas emri i qytetit në atë formë është huazuar nga kolonët të reja sllave në shekullin e shtatë.

Po e sjellim këtu edhe një citat të shkurtër por që ja vlen të mbetet në këtë temë si dokument:
Anglezi John Ross (ishte Komisioner serb në kufi ) shkruan: “Pothuajse të gjithë pjesa perëndimore e sanxhakut të Nishit ishin shqiptare mysliman… Të gjithë ata kanë ikur në vilajetin e Kosovës , duke e lënë të gjithë vendin e tyre. / KultPlus.com


Capital T me turne botëror (FOTO)

Këngët e suksesshme, koncertet e shumta dhe gjithë dashuria që ka marrë, sidomos kohëve të fundit nga fansa e tij të cilët gjithmonë janë në rritje, kanë bërë që këngëtari Capital T të synojë më larg, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Instagram, Capital T ka njoftuar që shumë shpejt do të nisë një turne botëror të koncerteve, por duke mos dhënë më shumë detaje. Ai ka shkruar që një gjë e tillë po vjen dhe së shumë shpejt do të njoftojë për detaje të tjera. Gjithashtu, këngëtari ka pyetur fansat se në cilat vende të botës dëshirojnë ta shohin.

Se çfarë përmasa do të marrë ky turne i koncerteve të Capital T dhe sa i suksesshëm do të jetë, kjo mbetet të shihet. / KultPlus.com

Ka nisë ngjitja e Uta Ibrahimit në Majën e Manaslu, KultPlus sjellë foto ekskluzive (FOTO)

Uta Ibrahimi ekskluzivisht për KultPlus ka treguar dhe ndarë fotografi nga kjo sfidë e radhës, e cila ka treguar se tashmë për këtë rrugëtim të ri është nisë tash e njëmbëdhjetë ditë.

Uta Ibrahimit sapo i është dorëzuar certifikata për ngjitjen në majën e Everestit, ngjitje kjo që shënon edhe historinë, pasi që është gruaja e parë shqiptare që ka pushtuar këtë maje të lartë të botës, shkruan KultPlus.

Mirëpo kjo ngjitje vetëm sa ka zgjuar edhe më tej dëshirën e gjilanases, e cila së fundi po synon edhe një maje tjetër, atë të Manaslu, që është 8163 dhe është në dhjetëshen e majave më të larta të botës.
Uta Ibrahimi ekskluzivisht për KultPlus ka treguar dhe ndarë fotografi nga kjo sfidë e radhës, e cila ka treguar se tashmë për këtë rrugëtim të ri është nisë tash e njëmbëdhjetë ditë.

“Jam nisë që njëmbëdhjetë ditë, fillimisht nëpër katunde, e tash jam në bazë që pesë ditë”, ka thënë Ibrahimi e cila ka detajuar se ngjitja po shkon shumë mirë, edhe përkundër kushteve klimatike që sipas saj ka shumë shi dhe lagështi. “Ndryshe prej pjesëve tjera të Himalajeve”, ka thënë Ibrahimi.
Ajo ka treguar më pas se ditën e shtunë do të niset për kampin 1 dhe 2, për tu kthyer pas dy dite në kampin bazë.

Dhe realizimi i ëndrrës së saj që të pushtojë edhe këtë maje të Himalajeve që gjendet në pjesën e Nepalit, planifikohet të ndodhë në fund të muajit shtator.

Kurse kjo ngjitje në një ndër majat më të larta të botës është duke u mundësuar nga Shoqata Dajti, ajo e Pashtrikut, Frutomania, Komuna e Gjilanit, Birra Puka dhe Butterfly Outdoor Adventure. /KultPlus.com

Një çift gay kërkon të martohet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’, sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI, përcjellë KultPlus.

“55 shades of gay” është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë.

Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është: A është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 shades of gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Në këtë shfaqje me tekst të Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Neziraj, luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj

Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet nga Sebastian Ellrich, muzika: nga Irena Popovic /dhe koreografia është realizuar nga Florian Bilbao.

Shfaqja “55 shades of gay” vjen sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në ora 20:00. Repriza e parë e shfaqjes vjen nesër në po të njëjtën kohë. / KultPlus.com

Turistët të mahnitur gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore

Bregdeti shqiptar këtë vit kishte një fokus të veçantë nga mediat botërore, po jo keq ka mbetur edhe pjesa e trashëgimisë historike e kulturore, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetin social Facebook, një video me mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë historike e kulturore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore”, shkruan kryeministri Rama.

Për më tepër rreth mendimeve të turistëve për këto pjesë të Shqipërisë, mund të ndiqni videon në vazhdim. / KultPlus.com

Lënda ‘Beyonce’ do të mësohet nga studentët e Universitetit të Kopenhagës

Një lëndë interesante është shtuar për studentët e Universitetit të Kopenhagës. Kjo është lënda “Beyonce”, ku studentët do të mësojnë më shumë rreth këngëtares së famshme botërore.

Lënda do të ligjërohet në mënyrë të ngjashme si lëndët tjera nga kultura, siç është opera, ndërsa interesimi për të mësuar për punën e divës amerikane të muzikës është shumë i madh, saqë ligjëratat janë zhvendosur në një sallë më të madhe.

“Do t’i analizojmë këngët e saja dhe videoklipet, ndërsa do të fokusohemi te gjinia, seksualiteti dhe rasa”, ka thënë profesori Erik Steinskog.

Ai po ashtu ka shtuar se Beyonce Knowles është shumë e rëndësishme për ta kuptuar botën në të cilën jetojmë, sepse është njëra prej këngëtareve më të mëdha të muzikës pop.

Universiteti i Kopenhagës nuk është i pari që në programin shkollor përfshin mësimin e muzikës së 36-vjeçares. Para disa vitesh këtë e ka bërë edhe Universiteti Rutgers në New Yersey. / KultPlus.com

Kosova ‘injoron’ Ditën e shkrim-leximit

Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në shtatorin e vitit 1965 në Tehranë e cila temë boshte kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.

Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë. Në Kosovë, sipas regjistrimit të popullsisë 2011, janë evidentuar gjithësie 55001 persona që nuk dinë shkrim-lexim që përbënë 3.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe 3.9% të grupmoshave mbi 10 vjet.

Arsimi në Kosovë nuk është i nivelit cilësor ku arsimi fillor ka pjesëmarrjen më të lartë sa i përket përgatitjes shkollore të popullsisë dhe përbën 38.2%, ai i mesëm 24.3% dhe ai i lart 9.3% (vetëm 0.8% me magjistratur- master dhe doktorata).

Shqetësuese janë edhe të dhënat nga braktisja e shkollimit dhe mos regjistrimi i nxënësve në shkollën e mesme duke e vështirësuar kështu edhe më tepër situatën sa i përket nivelit të shkollimit. / KultPlus.com

“Kurrizi” streha e shoqërisë elitare në vitet e 90-ta

Sarandë Selimi

Incizime të viteve të 90-ta, koncerte, evente për të rinj, mbledhi vetëm për një kafe… Kafiteri të njohura të atyre viteve, kafiteri të shqiptarëve e të serbeve. Fytyra të njohura publike të cilët kishin lindur e ishin rritur në atë pjesë. Shumë të rinj që asokohe vetë në atë pjesë të qyteti e gjenin veten. Vetëm në atë pjesë ndiheshin se i takonin ‘botës’ në njëfarë forme. Është ‘Kurrizi’ një pjesë e Prishtinës e cila bartë mbi supe shumë histori të të rinjve shqiptarë në atë periudhë, kur regjimi i Millosheviçit, i kishte përjashtuar shqiptarët tërësisht nga jeta institucionale, shkruan KultPlus.

“Në teatër e në kinema nuk kishim ‘guxim’ të shkonim sepse këto institucione udhëhiqeshin nga serbët dhe shumë thjesht e ndjenim vetën të huaj. Kurrizi ishte ajo pjesë që ndiheshim rehat”, thotë në dokumentarë politikani Albin Kurti, i cili në dokumentarin ‘Kurrizi’ që u dha të enjten mbrëma premierë në kryeqytet, dukej krejt ndryshe nga pamja që ka sot. Me flokë të gjatë e kaçurrelë Kurti, në atë kohë ishte student ku pikërisht në vitin 1997 ai u emërua nënkryetar i Unionit Studentor të universitetit të Prishtinës, ku në atë periudhë ishte organizator kryesor i demonstratave të studentëve, të cilat ishin pjesë e këtij dokumentari por me shumë sekuenca të shkurtra.

Nita Luci, Shkumbin Istrefi, Ilir Bajri, Leart Zeqa, dy nga vajzat e grupit muzikor ‘Terror’…ishin pjesë e këtij dokumentari i cili është mbështetur nga CHwB Kosova.
‘Kurrizi’ mblodhi sonte një audiencë goxha të madhe të cilët në fund e duartrokitën fort regjisoren e re Orgesa Arifi.

“Fillimisht dua të iu tregoj që nuk kemi mundur ta përmbledhim krejt Kurrizin sepse të gjithë e dimë që është një dekadë me shumë gjëra. Çka kemi mundur të bëjmë është t’i zgjedhim disa arkiva dhe disa njerëz që më së miri do të munden gjeneratat e reja ta kuptojnë dhe ju ta nxirrni në pah memorien që e keni pas në atë kohë. Dua të ia dedikoj edhe njerëzve që kanë ndejtë në atë kohë, sepse ata më kanë inspiruar mua faktikisht dhe t’i falënderoj që ma kanë besuar këtë ide. I ftoj njerëzit të merren me Kurriz sepse është një pjesë goxha e madhe e identitetit tonë, dhe ne nuk kemi besuar që njerëz që shohim aq shumë në televizion kanë ardhur nga Kurrizi”, u shpreh para të pranishmëve Orgesa Arifi, e cila poashtu tha se mendon që Kurrizi ka qenë një vend që i ka bashkuar shumë njerëzit kështu që, ajo bënë thirrje që mos ta harrojnë këtë pjesë të kryeqytetit kosovar.

Ndërkohë në këtë premierë i pranishëm ishte edhe drejtori i CHwB Kosova Sali Shoshi. Shoshi, tha se ky dokumentar në pamje të parë duket një punë e lehtë por sipas Shoshit, për ta ka qenë një punë goxha e vështirë.

“Ka qenë punë e vështirë për një arsye të thjeshtë, sepse jemi marrë me një fushë problematike dhe është një pjesë që shumë prej jush keni qenë dëshmitar të Kurrizit në vitet e 90-ta dhe nuk ka qenë e lehtë që na ta përjetojmë këtë periudhë, duke pas përsyshë që ka shumë njerëz që e mbajnë mend në mënyra të ndryshme. Përndryshe CHwB, që 15 vite merret me trashëgimi, merret me monumente më të hershme ku e kemi një lloj lirie që të merremi me mesjetë, me kohën osmane dhe atë romake, por jo shumë me këtë periudhën e vonshme të viteve të 90-ta dhe kujtesën kolektive”, tha Shoshi.

Ai ndër të tjera theksoi se të gjithë janë dëshmitarë që në vitet e 90-ta ka qenë një kthesë goxha e vrullshme për Kosovën. “Ishte ai momenti kur shqiptarët u ndanë dhe u izoluan dhe Kurrizi ishte një lloj ‘gheto’ por edhe një vend i ‘lirë’ në ato rrethana”, përfundoi Shoshi.

‘Kurrizi’ ishte një geto hapësirë për shumë të rinj dhe për shumë personalitete që sot janë figura publike te Kosovës. Ky dokumentar ka për qëllim të mbledhë tregimet për ‘Kurrizin’ si një pjesë e rëndësishme për memorien kolektive te viteve të 90-ta në Kosovë./ KultPlus.com

Uta Ibrahimit i dorëzohet certifikata zyrtare e ngjitjes në Majën Everest (FOTO)

Uta Ibrahimi, gruaja e parë shqiptare që është ngjitur në Everest, ka marrë më në fund edhe certifikatën zyrtare.

Ajo këtë dëshmi e ka ndarë me miqtë e saj në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

Qeveria e Nepalit – Departamenti i Turizmit kësisoj ia ka dorëzuar certifikatën Utës, e cila me sukses është ngjitur në majën Everest – 8848 metra mbi nivelin e detit, në muajin maj të këtij viti. / KultPlus.com

Uta Ibrahimi po bëhet gati për një ngjitje në Manaslu, në Himalajet e Nepalit

Uta Ibrahimi, e para grua shqiptare që është ngjitur në majën e lartë të Everestit, duket se po bëhet gati për një tjetër tentim.

Siç tregon vetë Uta, ajo do të tentojë për ngjitje në majën Manaslu 8163. Uta është momentalisht në procesin e aklimatizimit – përshtatjes së organizmit të njeriut për kushte tjera të mjedisit.

Manslu është ndër dhjetë majat më të lartë të botës, kjo pjesë e Himalajeve, në njërën anë të Nepalit, shkruan KultPlus.

Ajo është maja më e lartë në distriktin Gorkha.

Uta ende nuk ka treguar saktë se kur do të nisë ky rrugëtim tjetër i saj. / KultPlus.com

O Zot, shpëtoje Blendi Fevziun!

Shkruan: YLLI RAKIPI

U mbyll një javë, që kolegët e mi, gazetarë të shumtë, miq, të afërt dhe të largët, më telefononin orë e çast dhe më isnin vetëm për Blendi Fevziun. “Mitoman, i rrjedhur, i çmendur, i ikur nga kjo botë… si s’ka turp… si s’ka cipë…” Të them të drejtën nuk kam dëgjuar kurrë kaq fjalë kundër një njeriu, dhe të mendosh që gjithë kjo shfryrje, ky lumë sharjesh, kjo batare e papërmbajtur, bëhet kundër njeriut të mirë dhe të pafajshëm Blendi Fevziu. Se për të qenë të saktë, duhet të themi që Fevziu është vërtet një njeri i mirë.

Mesditën e sotme, deri në orët e para të mëngjesit, Blendi Fevziu ka lluar të festojë 20 vjetorin e emisionit të tij “Opinion”.

Në fakt, festa dhe përvjetorë të tillë, njerëzit e kësaj bote bëjnë dendurisht, por festa e Fevziut nuk është thjesht një festë e madhe. Kjo festë, ka kohë që ka lluar dhe i kalon të gjitha përmasat e një feste. Ky 20 vjetor i “Opinion”-it të Blendi Fevziut, ka marrë gjatë këtyre ditëve dhe në vijim, më shumë kohë dhe hapësirë se inagurimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo festë, nuk ngjan aspask me përmasat e dasmës së Bes Kallakut, apo festat e panumërta të Konsullit të Nderit të Meksikës, Ylli Ndroqit. Kjo që ndodhi dhe po ndodh, këto 24 orë në Shqipëri, në 20 vjetorin e “Opinion”-it të Blendi Fevziut, nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë, në asnjë vend të botës demokratike dhe jo demokratike.

E megjithatë të gjithë këtë teprim le ta quajmë për një moment normal. Teprimet janë pjesë e kësaj bote të shkujdesur dhe shpesh qesharake. Por kjo ngjarje nuk është thjesht një teprim. Kjo është një marrëzi. Në këtë festë, njeriu i mirë dhe i pafajshëm, Blendi Fevziu, ka thirrur dhe ka vendosur në rresht, mbarë botën shqiptare.

Parlamenti i Kosovës ka anulluar për ditën e sotme, seancën për formimin e qeverisë së re, vetëm që krerët të ishin të pranishëm në festën e Fevziut. Në këtë festë është e pranishme e gjithë qeveria e Republikës së Shqipërisë, edhe kjo ende e pa mandatuar, me në krye zotin Edi Rama.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vrapuar të jetë në krye të festës së Fevziut. Kryeministri i qeverisë në formim të Kosovës, Ramush Haradinaj, krerët shqiptarë të Maqedonisë. Ilir Meta, që sigurisht nuk mungon në asnjë festë apo ditëlindje. Kryetari, tashmë i shkrirë i opozitës, Lulzim Basha. Njerëzit më të famshëm dhe më të kamur të botës Shqiptare, elitat politike dhe intelektuale të vendit. Dhe jo vetëm kaq.

Për 20 vjetorin e “Opinion”-it, po gatuajnë gjellëbërës dhe kuzhinierë të ndritur, po slojnë vajza të përndritura. Dhe sigurisht nuk mungon Henri Çili, këtë herë me një gjetje origjinale, me Të gjithë të gjallët janë prezent në 20 vjetorin e “Opinionit”, por edhe të gjithë të vdekurit, që kanë parakaluar në emision këto 20 vjet. Shqipëria ka ndalur frymën para Blendi Fevziut.

S’ka ndodhur një pjesëmarrje dhe solemnitet i tillë, që nga koha e vdekjes së Enver Hoxhës. Lajmet për çmendurinë e Liderit Suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë kaluar në plan të dytë dhe kjo, sepse çmenduria, siç thonë, del me çmenduri. Një çmenduri më e madhe ka përfshirë sot gjithë botën shqiptare, në rajon dhe më gjerë. Lajmet me stuhitë dhe uraganet, që kanë pushtuar Amerikën kanë ndaluar. Uragani Irma, është zëvendësuar nga uragani Fevzi.

Sandri është detyruar të bëjë atë që nuk ja ka marrë mendja kurrë, ka ndaluar për 24 orë novelat Turke. Është nata e njeriut të mirë dhe të pafajshëm Blendi Fevziu… Them i pafajshëm, sepse një njeri, qoftë ky edhe Blendi Fevziu, mund të çmendet.

Mund të çmenden edhe dhjetë apo njëqind njerëz. Kështu është kjo botë. Por kur është çmendur e gjithë kjo që ne i themi elita e Shqipërisë, kur është çmendur Edi Rama, Hashim Thaçi, Ilir Meta, oligarkët, ministrat, si mund të ngarkojmë me faj dhe të dënojmë Blendin tonë të mirë?!

Paralel me 20 vjetorin e “Opinion”-it të Fevziut, rastisi edhe 20 vjetori i emisionit të famshëm të BBC-së, “Hard Talk”. Në BBC, nuk pati festë, por vetëm një episod 30 minuta, me gazetarët Tim Sebastian, Sarah Montague, Stephen Sackur dhe Zeinab Badawi, gazetarë të famshëm, të cilët kanë drejtuar ndër vitë këtë program. Vetëm në 30 minuta ata e përkujtuan këtë përvjetor.

Në Britani, nuk u paraqit as Mbretëresha Elizabetë, as Kryeministrja May, dhe as kuzhinieri më i mire i botës, Gordon Ramsey. Në Angli nuk u çmend askush. Ndërsa këtu në Shqipëri, në Kosovë, në rajon, ndoshta dhe më gjerë, Fevziu na ktheu të gjithëve në një pavion të marrësh.

Si mund të ndodhë që gjithë këta njerëz, të rreshtohen në mënyrë kaq hipokrite dhe kur dalin jashtë llojnë të tallen me Fevziun. Si nuk e kuptojmë, që para se të tallemi me Fevziun, jemi tallur me vetëveten?! Çfarë hipokrizie! Çfarë maskarade! Unë e kam mik Blendi Fevziun.

E kam pranuar ashtu siç ai është, siç më ka pranuar edhe ai mua, kështu siç jam dhe ndoshta kjo më detyroi, që unë t’i shkruaj këto pak radhë, së pari për mikun tim Fevzi, por mbi të gjitha, këto fjalë unë i shkruaj për të gjithë ata njerëz që e rrethuan Fevziun, duke i dhënë udhë çmendurisë së tij dhe çmendurisë tonë të përbashkët.

Duke ndjekur të gjithë këto skena që ndodhin vetëm tek ne, skena kaq qesharake dhe të çmendura, së brendshmi klitha; – O Zot, shpëtoje Blendi Fevziun! Por më kot… Askush nuk mu përgjigj… Ndoshta edhe vetë Zoti, nuk është aq i fuqishëm, sa të na shpëtojë të gjithëve nga marrëzia e madhe që na ka pllakosur.

Koncerti i Shkëlzen Dolit, ja surpriza që i pret qytetarët në Sheshin “Skënderbej”

Violinisti shqiptar i Filarmonisë Vjenës, Shkëlzen Doli, do të sjellë në sheshin “Skënderbej” një show muzikor unik duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet turistike në 23 shtator.

Koncerti ka një program të pasur artistik duke u bazuar kryesisht në muzikën e gjithë trevave shqiptare. Por nuk do të mungojnë edhe perlat e muzikës botërore si ajo kalabreze, vals, tango, flamengo.

Shkëlzen Doli me projektin e tij “Albanian Soul” synon të bëjë promovimin më të madh të muzikës shqiptare jashtë kufijve. Eventi i datës 23 shtator pritet të jetë dhe një nga eventet më të mëdha të organizuara në Tiranë.

Muzika e përzgjedhur dhe show nga maestro Doli është ideuar të jetë për të gjithë grupmoshat dhe të gjithë artdashësit. Pjesë e orkestrës do të jenë edhe instrumentistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Vjena. Do të ketë dhe disa te ftuar specialë gjatë mbrëmjes.

Show të ngjashëm muzikorë realizohen prej 1 dekade edhe nga violinisti Andre Rieu në qytezën e tij në Maastricht në Hollandë, ku prej 6 vitesh kërkesat për të qenë në eventin e Rieu kanë kaluar pritshmëritë duke thyer dhe rekord botëror.

Biletat e eventit janë në treg në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Kosovë dhe Maqedoni si dhe online në www.myticket.al

Nënë Tereza shpallet mbrojtëse e Kalkutës

Vatikani ka shpallur Nënë Terezën si mbrojtëse të peshkopatës së Kalkutës, me anë të një meshe në këtë qytet në Indi, në të cilin ajo tërë jetën ja kushtoi të varfërve dhe të sëmurëve.

Me anë të një meshe që u zhvillua në peshkopatën e Kalkutës, nën kryesimin e ambasadorit të Vatikanit në Indi, Gjambatista Dikvarto, Selia e shenjtë ka shpallur Nënë Terezën edhe zyrtarisht mbrojtëse të Kalkutës, pasi që gjithë jetën e saj ja kushtoi të varfërve dhe të sëmurëve në këtë qytet në Indi.

Papa Françesku në fillim të shtatorit të vitit 2016 e shpalli të shenjtë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, të njohur si Nënë Tereza.

Rreth 500 persona morën pjesë në meshën që u organizua në Katedralen e Kalkutës, nën kryesimin e ambasadorit të Vatikanit në Indi, Gjambatista Dikvarto. Të krishterët në Kalkutë shprehën kënaqësi të madhe për shkak të vendimit të Vatikanit për të shpallur Nënë Terezën si mbrojtëse të qytetit.

Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1929, në një familje shqiptare, ndërsa në vitin 1929 udhëtoi për në Indi, ky themeloi rregullin “Misionarët e dashurisë ndaj më të afërmit tënd”. Ajo tërë jetën e saj ja kushtoi të varfërve dhe të sëmurëve në lagjet më të varfra të Kalkutës, për të cilin angazhim ajo në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. / KultPlus.com

17 shprehjet e Frederik Niçes

117 vite më parë u nda nga jeta në moshën 56 vjeçare një ndër filozofët më me ndikim të periudhës së tij, autori i “Kështu foli Zarathustra” dhe ai që tha se njerëzimi nuk kufizohet vetëm nga e mira dhe e keqja, Frederik Niçe.

Frederik Niçe ishte një filozof gjerman që urrente krishtërimin dhe moralin. Filozofia e tij, gabimisht ngatërrohet me atë të nazizmit, sepse motra e tij ishte një lloj nazisteje, e cila dëshironte ta ngjallte punën e të vëllait pasi ai vdiq, shkruan Konica.al. Me ringjallje, kuptojmë një manipulim të rëndë për ta bërë veprën e tij të dukej anti-semite dhe pro-naziste.

Më poshtë, po ju paraqesim disa nga shprehjet më të rëndësishme të filozofit gjerman, antikrishtit dhe antimoralistit, Frederik Niçe (marrë nga “Përtej së Mirës dhe së Keqes”):

Është çnjerëzore të bekosh atje ku dikush mallkon.

Në lavdërim ka më shumë shkelje se në qortim.

Krishtërimi i dha helm për të pirë Erosit; ky nuk vdiq, por u kthye në ves.

(Për çdo parti) Një bari ka gjithmonë nevojë për një dele. Në të kundërt, do t’i duhet atij të bëhet vetë delja.

Të flasësh shumë për vetveten mund të jetë edhe një mënyrë për t’u fshehur.

Ku është pema e dijes, aty është gjithmonë parajsa.

Ajo që bëhet nga dashuria ndodh gjithmonë përtej së mirës dhe së keqes.

Ndjenja e tragjedisë shtohet dhe pakësohet me sensualizmin.

Marrëzia është diçka e rrallë te njerëzit e veçantë, ndërsa tek grupet, partitë, popujt, epokat është në rregull.

Femra e mirë dhe femra e përdalë do dru.

Pjesa e poshtme e trupit bën që qenia njerëzore të mos merret aq lehtë për Perëndi.

Fjalia më me cipë që kam dëgjuar: Te dashuria e vërtetë është shpirti që përqafon trupin.

Edhe bashkëjetesa pa kurorë u shthur: nga martesa.

Në sajë të muzikës, pasionet kënaqen me vetveten.

Nuk ka dukuri morale, por vetëm një shpjegim moral të dukurive.

I vura veshin jehonës dhe dëgjova lavdërime.

Në kushte paqeje, njeriu i luftës vërsulet kundër vetvetes.

“Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër”

Para 3 muajsh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘Aventurat e reja të Don Kishotit’ me regji të Dino Mustafic. Ky regjisor i cili sjellë gjithmonë inskenime interesante e mjaft të fuqishme, edhe atëherë në institucionin kulturor më të lartë në vend TKK, dha një premierë të fuqishme e cila ngriti publikun në këmbë nga tri monologët që kishin për detyrë t’i shkruanin vetë aktorët që kishin personazhet kryesore në këtë projekt.

Kësisoj sot aktori Armend Smajli, i cili kishte personazhin e Don Kishotit të mesëm, publikoi në rrjetin e tij social Facebook, monologun që kishte shkruar vetë për këtë shfaqje. Armendi, monologun se çfarë do të thoshte një ‘Don Kishot’ i zakonshëm i këtij vendi përveç që e ka shkruar me shumë emocion, ai edhe e pati interpretuar me po kaq emocion në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Para 3 muajsh në Teatër Kombëtar kisha shfaqjen “Aventurat e reja të Don Kishotit”. Regjisori i shfaqjes Dino Mustafiç më dha për detyrë që ta shkruajë vetë një monolog se çfarë do të thoshte një “Don Kishot” i zakonshëm i këtij vendi. Për ata që nuk kanë pas dhe nuk kanë mundësi me e pa shfaqjen po e ndajë monologun këtu edhe me ju”, ka shkruar Smajli.

KultPlus, po e sjellë këtë monolog për lexuesit e vet, pa ndërhyrje në tekst të shkruar nga aktori:

…as edhe njē herë nuk dëgjuam njē shpërthim dashurie apo shpërthim humanizmi dreqi e marrtë, vetëm një bombë aty e shpërthim atje, krizë andej e luftë këndej. E dimë si është lufta. E kemi provuar edhe ne dikur. Na thonin që ishte luftë për liri, luftë për paqe por me kohë kuptuam se liria nuk qenka vetëm heqja e tytës.
Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër.
Ndasi e madhe shoqërore, pabarazi, papunsi, shkelje e të drejtave të puntorëve, fëmijëve, grave. Shkollim e shendëtsi për faqe të zezë, krim e korrupsion, politizim i skajshëm për të gjetur një vend pune.
Shëmti në rrugë, shëmti në arkitekturë, shëmti në lumenjë, shëmti në parqe e shëmti në ajër. Turp, shëmti.

E sa herë ua theme këto, cinikët më thonë; O Don Kishot ti je I çmendur, ëndërrimtar, desperados.
E si t’mos çmendëm kur shohë që gratë mendojnë a të bejnë fëmijë apo jo se skllavo pronari i saj e përjashton nga puna sapo të merr vesh që ajo është shtatzënë. Si të mos çmendēm kur shohë që edhe në paqe njerëzit ikin nga vendi i tyre për t’kërkuar një copë bukë e dinjitet.
Si të mos çmendem kur shohë që avancimet e profesorëve të universitetit bëhën me dyer tē mbyllura e më publikime të punimeve të tyre të rrejshme.
Si të mos çmendëm kur shohë kapadaiun që në mes të rrugës hapë xhamin e xhipit të zi dhe blen mallboro nga fëmiu që shetë duhan në rrugē gjersa femiu i tijë n’Xhip lozë me Iphone 10.
Si të mos çmendëm kur në shkollë mësuesi nuk jep mësim por rrahë e nxënësi në vend se të mesojë rrahë.
Sigurisht se çmendëm, çmendëm kur shohë që pleqtë e plakat mezi rrojnë me atë penzion t’mutit I cili s’ju del as për rrymë e ujë e lerë më për barna.
Si t’mos çmendëm kur vajzës 3 vjeç i shembët objekti mbi të dhe vdes!
Heeej vajza ka vdekë, ka vdekë vajza 3 vjeç. Ka vdekë Xheneta Gashi. Nuk është më.
E bashkë me të kemi vdekur edhe shumë prej nesh. Ne që nuk kemi kërkuar llogari por kemi vazhduar të pimë kafe e të vëzhgojme nga largë kur është kërkuar përgjegjësi nga të papërgjegjëshmit.

Vetëm pak…

Oh, cinikët vazhdimisht më përshpërisin diçka sa herë që revoltohëm.
Oh, po po, e di se ka edhe gjëra pozitive dhe të bukura në këtë vend. Sigurisht qē ka. Por ato as që kam ndër mend t’ua themë. Për gjërat e bukura flisni ju, ju që mbani fajin kryesorë për këto shëmtit që ua thash.

Pse mos ju erdhëm në shtëpitë e juaja për t’ju thënë; Ju lutëm zgjohuni, ejani na udhëhiqni, na qevërisni, na shërbeni? Jo, vetë u zgjuat e na thatë se po deshironi të jeni shërbetorē të mirë. Prandaj nga unë mos pritni lavde por shërbeni, shërbeni sepse vetë kështu kërkuat, shërbeni nanën ua qifsha.
Poo i çmendur jam. Unë duhet të jem i çmendur, se kjo botë nuk do të egzistonte po t’mos kishte njerëz të çmendur si unë e si disa prej jush. Ua them këto sepse e di që Don Kishot nuk jam vetëm unë ketu, jemi më shumë sesa dëgjohemi.

Miq të mi, aman mos zgjidhni heshtjën e frikën karrshi shtypësve, se heshtja, frika nga pasojat i frymëzon edhe më shumë cinikët dhe shtypësit, e kjo na shëndrron në skllevër të diciplinuar. Hiqeni nga mendja juaj heshtjën, frikēn nga pasojat e shtypësve.
Ky rrugëtim është i zorshëm, shpeshëherë edhe jo pragmatik, i kotë për cinikët.
Sigurisht se do të humbasim ndonjë round, ndoshta edhe mē shumë rounde, por mos refuzoni të perpiqeni, mos refuzoni të endërroni.

Kjo botë mbase është përjetësisht e pandreqshme, por i përjetshëm është edhe ideali për ta ndrequr atë!

(Foto nga shfaqja: Jetmir Idrizi)

Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com

Filmi dokumentar i Art Haxhijakupit, sot shfaqet në Londër

Recollection është një film dokumentar i cili reflekton mbi identitetin dhe kujtesën, mbi udhëtimin e mundimshëm të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 90-të.

Art Haxhijakupi ka zgjedhur kujtimet e fëmijërisë dhe gjithçka e ka vendosur në minutat e dokumentarit “Recollection”.

Kujtimet e tij, si programet televizive të Serbisë, programet e Vitit të Ri në Kosovë, këngët e mësuara nga mediet e Shqipërisë, vetë ai si një djalë i vogël i xhiruar nga nëna e ti. Ky film dokumentar luan me hapësirën dhe kohën, me pop kulturën dhe me politikën.

Filmi, pasi këtë vit u dha në DokuFest, do të shfaqet edhe në Londër, me iniciativën e Alexander Nash Albanian Studies Programme. Me datë 29 shtator, filmi vjen në University College London.

“Ky dokumentar vë në pah ndarjen e dhunshme të shqiptarëve nga territoret dhe pronat publike të asaj kohe, si dhe shfrytëzimin e video-kasetave si mjet komunikimi kulturor e nacional me shqiptarët në mërgim. Poashtu ky projekt anashkalon narrativen heroike mashkullore mbi të kaluarën e Kosovës që kryesisht ka qenë cdo herë më prezente, duke i dhënë vëmendje më shumë kontributit të grave, fillimisht kontributit të nënës time, këngëtareve, dhe mbi të gjitha grave të guximshme anë e kënd Kosovës, që edhe shihen në këtë film” tregon Haxhijakupi për KultPlus.

Vetë dokumentari tregon për mendimet dhe sfidat e regjisorit, me kujtesën dhe identitetin, duke kujtuar një udhëtim kolektiv shqiptar në një kohë shtypjeje dhe rezistence.

Haxhijakupi është artist dhe hulumtues nga Kosova, më parë fitues i Chevening Award dhe pjesë e disa organizatave në Kosovë e Angli. / KultPlus.com

Jeton në mua një shpresë

Poezi e shkruar nga Entela Tabaku Sorman.

Jeton në mua një shpresë
megjithatë
se jemi shtëpia e njëri-tjetrit
nuk bëhemi
por jemi
edhe nëse nuk gjindemi,
se jeta nuk është tjetër
veçse kërkimi i asaj dere
çelësin e së cilës e shtrëngonim
në dorë
kur lindëm,
se nuk kam për të vdekur
pa u ulur në pragun tënd
në pragun tim
shtëpia ime
e lindur.

Nis ‘Hardh Fest’, shtrohet sofra në Rahovec

Është hapur edicioni i gjashtëmbëdhjetë i festës së vjeljes së rrushit në Rahovec “Hardh Fest”.

Hardh Fest këtë vit është organizuar nga Komuna e Rahovecit dhe nga Ministria e Bujqësisë. Ndërsa logoja e këtij edicioni është “Mbas verës vjen vera”

Për të hapur Hardh Festin ishte edhe kreu i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili tha se sot po shënohet një ngjarje e rëndësishme e jetës së tyre në Rahovec.

“Ky akt po bëhet për çdo vit edhe më madhështor. Bujqit tanë të palodhshëm e punojnë me kujdesin e tyre më të madh, pasi që kjo tokë pjellore na e jep rrushin më të mirë. Rrushi i Rahovecit është shumë cilësor. Vreshtarët tanë kujdesen për mirëqenien e familjeve të tyre, ata kujdesen për shëndetin tonë, pasi që e dimë që rrushi bënë mrekulli në shëndetin tonë. Qyteti ynë ka hapur dyert e konakut për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe sofrën do ta mbajë të shtruar për katër ditë”, ka thënë ai.

“Hardh Fest”, do të zgjasë deri më 10 shtator./ KultPlus.com

Artisti shqiptar në Sydney me transformimin e veprës së Mozartit

Për edicionin e 33-të me radhë, “Kaldor Public Art Project” është duke shpërfaqur “The Last Resort” (Resorti i fundit), premierë botërore e instilacionit të artistit të famshëm shqiptar, Anri Sala, shkruan arts.theareview.com.

Duke zënë vend në kodrën “Observatory Hill”, kjo vepër arti do të ekspozohet aty për tri javë, duke nisur nga 13 tetori e deri më 5 nëntor. Instilacioni i Anri Salës është një gërshetim i skulpturës me tingullin dhe përfaqëson herën e parë që artisti e ka krijuar një vepër të madhe për audiencën australiane.

“Kam dashur ta imagjinoj sesi një udhëtim nëpër erë, valë, dhe ujë do të mundë të afektonte një kryevepër muzikore të periudhës së iluminizmit”, ka thënë Anri Sala, duke folur për “The Last Resort”. “Çfarë do të bëhej me ‘Koncertin për klarinetë’ të Mozartit nëse do të fluturonte apo të dilte si një mesazh në shishe, derisa të lahej në breg pas një udhëtimi të gjatë?, ka pyetur ai.

Vepra “Koncerti për klarinetë” e W. A. Mozart, do të transformohet në veprën e artit të Salës, duke shtuar e riimagjinur pjesët kanonike të muzikës, transmeton Koha Ditore./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vizitoi Komunën e Kllokotit, u bisedua në dobi të zhvillimit të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Kllokotit, me ç’rast ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e kësaj komune, Srećko Spasić dhe nënkryetarin, Hasan Rashiti, përcjellë KultPlus.

Në këtë takim, ndërmjet ministres Dumoshi dhe drejtuesve të Komunës së Kllokotit, Spasić dhe Rashiti, u bisedua për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre komunale, në dobi të zhvillimit të kulturës, rinisë dhe sportit, si fusha të rëndësishme për të promovuar tolerancën dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim, u bisedua për nevojën e ndërtimit të një qendre rinore në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të mbështes komunën për realizimin e këtij projekti, me planifikimin buxhetor të vitit 2018.

Më tej, ministrja Dumoshi, drejtuesve të Komunës së Kllokotit u premtoi mbështetje të aktiviteteve të kësaj komune, sidomos ato që lidhen me komunitetet dhe bashkëjetesën shumetnike.

Kjo vizitë e ministres Dumoshi është zhvilluar në kuadër të Muajit të Rinisë, ku ministrja mori pjesë në aktivitetet që ka mbështetë MKRS-ja. / KultPlus.com