Artefakte të rëndësishme të historisë së Kosovës, u shpalosën në “Ekspozitën bazë” të Muzeut të Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot dyert e Muzeut të Kosovës po mirëprisnin përplot figura të njohura të artit dhe politikës e vizitorë të ndryshëm që kishin ardhur për të parë nga afër hapjen e “Ekspozitës bazë” të këtij muzeu, shkruan KultPlus.

Në oborrin e Muzeut të Kosovës, të gjithë kishin drejtuar sytë drejt ansamblit “Shota”, që përmes muzikës e lojës së mahnitshme vetëm e hapën shtegun e një atmosfere festive.

Kjo ekspozitë, sot u kurorëzuar pas shumë përgatitjesh. Dy katet e Muzeut të Kosovës, në çdo kënd të tij përmbanin ekspononte të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri të Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.

Ekspozita që paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend qysh herët, tashmë është në dispozicion të vizitorëve të cilët duan të vijnë ta shohin, dhe po ashtu atyre që duan të kontribuojnë më shumë në pasurimin e kësaj ekspozite. Përmes fotografive, rrobave, flamujve, relikteve, dokumenteve e shumë gjërave të tjera kjo ekspozitë portretizoi edhe gjurmët e njerëzve më të rëndësishëm politik të këtij vendi, si Ibrahim Rugova, Enver Maloku, Fehmi Agani, e deri tek figurat historike si Adem Jashari, e Isa Boletini. Po ashtu aty ishin të vendosura edhe rrobat, paisjet, armët dhe të gjitha mjetet që kishin përdorur dëshmorët e UÇK-së. Në këtë pjesë, një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve ndërkombëtar të Kosovës, ku përfshihet xhaketa e William Walker që e ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës e pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Gashi, i cili lidhur me ekspozitën tha se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për quar para këtë projekt të rëndësisë së veçantë për të kaluarën e çmuar të vendit, sepse kemi detyrim ndaj gjeneratave dhe brezave që t’ua mësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen e të kenë së çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishme të vendit në të cilin jetojnë, vendit me të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tanë!”, ka thënë ministri Gashi.

Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e MKRS-së dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ekspozita Bazë e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve tjerë. Prandaj, më lejoni që t’i falënderoj veçanërisht për detyrën komplekse, përgjegjësinë që kanë bartur dhe që do të kenë edhe më tutje. Uroj që me përgjegjësi të njëjtë dhe me angazhime të shtuara të vazhdojmë edhe më tutje, në hulumtimin, pasurimin dhe prezantimin e fondit muzeal të vendit tonë. Në këtë drejtim, mbështetja e Ministrisë së Kulturës dhe e imja si ministër në asnjë moment nuk do të mungojë”, u shpreh ndër të tjera ministri duke treguar vlerësimin për punën e madhe që është bërë në përgatitjen e ekspozitës.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës me këtë ekspozitë, Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja.

“Muzeu i Kosovës nuk është si një gazetë që e keni lexuar një herë dhe herën tjetër nuk keni përse vini sepse i keni parë. Tani Muzeu do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja dhe me interes për publikun”, u shpreh drejtori Boshtrakaj.

Në katin sipër, apo siç u quajt “Kati i Historisë”, ishte e vendosur edhe një dhomë ku ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë dhe flamujt e shteteve mike, si simbolikë falënderuese ndaj miqve e partnerëve të Kosovës. Në anën tjetër të këtij kati, ishte e vendosur një fotogaleri që pret edhe autor të tjerë ta pasurojnë këtë galeri me fotografitë e tyre. Aty, binë në sy fotografitë e Fanny Sarri, fotografes nga Selaniku e cila kishte kapur disa momente të rëndësishme të Kosovës nga viti 89’ e tutje. Me këtë rast Boshtrakaj e ftoi atë pranë të pranishmeve të ekspozitës. Ajo pati pak fjalë dhe shtoi se e gjitha është thënë përmes fotografisë.

“Fotografitë e thonë të gjithën. Keni një kulturë të madhe dhe keni bërë shumë për këtë. Ju duhet të vazhdoni ta promovoni kulturën tuaj. Fillimisht Rugova foli për kulturën këtu tani është koha juaj që t’ua dhuroni kulturën Kosovës”, ka thënë fotografja Sarri.

Në një kat më poshtë ishin vendosur disa artefakte historia fillon me neolitin e deri në mesjetë. Përveç të dhënave arkeologjike, në këtë kat ishte i vendosur edhe një projektor i cili përfshinte pesëmbëdhjetë rrëfime të njerëzve që e kujtojnë të kaluarën dhe emocionet e ditës së Pavarësisë së Kosovës. Jo vetëm kjo pjesë, por Muzeu kishte shfrytëzuar edhe këndin e shkallëve ku ishte vendosur portreti i Nënë Terezës që ishte punuar nga Saimir Straiti. E po aty poshtë qëndronte edhe një kënd për fëmijët që të vijnë në Muzeun e Kosovës, e të mund të njihen me trashëgiminë kulturore./ KultPlus.com

Aktakuzë për dëmtim të trashëgimisë kulturore në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër personit A.M., për shkak se ky i fundit rrënuar shtëpinë e familjes Myftiu, në Qendrën Historike të Prizrenit, në rrugën ‘’Mbreti Zog’’.

Kjo shtëpi ishte nën mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në bazë të një vendimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përkundër ndalim-punimit nga Inspektorati Komunal, të pandehurit kanë kaluar shiritin “Ndalohen Punimet’’, duke i futur punëtorët dhe makineritë (ekskavator dhe kamion), me ç’ rast ka rrënuar në tërësi objektin në fjalë, pasi që e njëjta i ishte shitur personit F.G./ KultPlus.com

Shalli i famshëm i Ibrahim Rugovës, pjesë e ekspozitës së përhershme të Muzeut të Kosovës (FOTO)

Në kuadër të “Ekspozitës bazë” të Muzeut të Kosovës sot janë paraqitur për herë të parë eksponate, relikte dhe gjësende të rëndësishme të figurave të njohura, shkruan KultPlus.

“Ekspozita bazë” në Muzeun e Kosovës, do të ketë të ekspozuara edhe gjësende të Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Aty mund të shihni shallin e Ibrahim Rugovës, syzet, çmimi ndërkombëtar “Saharov” dhuruar Presidentit Rugova nga Parlamenti Evropian 1998, dhe gjësende të tjera.

Në vijim mund të shihni fotografitë nga kjo ekspozitë./ KultPlus.com

Dua Lipa me koncert në Kosovë, në këtë datë do të mbahet

Këngëtarja e famshme Dua Lipa do të prezantohet me koncert në Kosovë, shkruan KultPlus.

Sapo ka bërë publike vetë Dua Lipa listën e prezantimeve të saj nëpër vende të ndryshme, ku është përfshirë edhe paraqitja në Kosovë.

Vetë Dua Lipa ka bërë të ditur se do të jetë e pranishme në Prishtinë, më 10 gusht. Këngëtarja nga Prishtina, Dua Lipa morri dy trofe nga nata e madhe e Brit Awards 2018 që mblodhi yjet e muzikës, shkruan KultPlus.
Ajo në këtë ceremoni arriti kulmin e suksesit të saj, që tashmë ka nisur me hitin “New Rules”. Dua Lipa, u ngjit dy herë në skenë për të marr çmimin “Artistja më e mirë femër” dhe “Artistja më e mirë debutuese”./KultPlus.com

Xhaketa e famshme e William Wallker dhe kapela e Madeline Albright, në Ekspozitën Bazë të Muzeut të Kosovës

Xhaketa e famshme e William Walker, figura ndërkombëtare që i dha jehonë masakrës së Recakut, që ishte edhe sinjal për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, tashmë është ekspozuar në Muzeun e Kosovës, në kuadër të Ekspozitës Bazë që tashmë është hapur në këtë institucion kulturor, shkruan KultPlus.


Po në këtë ekspozitë janë prezantuar edhe gjësende personale të figurës së rëndësishme për popullin shqiptar, ish sekretares së SHBA-ve, Madeline Albright, ku kjo ekspozitë ka përfshirë kapelën, flamurin e SHBA-ve dhe aksesorë të Albright.

KultPlus, përgjatë ditës do të ju sjellë edhe eksponate, relikte dhe gjësende personale të figurave të rëndësishme që kanë kontribuar për shtetbërjen e Kosovës./KultPlus.com

Prezantohet motori i Adem Jasharit në Muzeun e Kosovës

Në praninë e shumë mysafirëve, sot është hapur Ekspozita Bazë në Muzeun e Kosovës, ku për herë të parë janë prezantuar shumë eksponate, relikte dhe gjësende të rëndësishme të figurova të njohura, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë është prezantuar edhe motori i Adem Jasharit, ku të interesuarit mund ta shohin nga afër këtë mjet që ka qenë pronë e heroit legjendar Adem Jashari, nga periudha e kohës së UÇK-së./KultPlus.com

Martin Camaj: Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët: unë shpatën – ti pendën

Tregim i thjeshtë

Poezi nga Martin Camaj

Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba,
i thashë tim vëllau gjak-nxehtë.
“S’asht ajo punë për ne!”
S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime.
“Latinishtja – tha s’asht punë për ne:
mëso gjuhën e gjarpnit ma parë!”

Im vëlla gjak-nxehtë,
gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi
bizin në dhé,
dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën
ne drunin e njomë. Si ma njofti menden
befas nisi të pleqnojë e tha:
“Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët:
unë shpatën – ti pendën!”/KultPlus.com

“The Derps” sonte në Rockuzinë

Sonte në Rockuzinë do të peformojë grupi i njohur rok nga Mitrovica “The Derps”.

Grupi përbëhet prej Dren Nishliu vokal dhe kitarë, Erhan Mujka bass dhe Emir Ismajli beteri.

Ideja e formimit të bendit erdhi në vitin 2012, pas bashkëpunimit dhe përshtatjes muzikore në mes të Erhanit dhe Drenit që në atë kohë punonin në një projekt instrumental.


Grupi ka një repertor mjaft të gjerë dhe të gjitha këngët i performon në mënyrën e vete unike dhe shumë të pëlqyer nga publiku. 


Performanca e tyre në Rockuzinë fillon sonte nga ora 21:00./ KultPlus.com

Sot bëhen 170 vite nga dalja e gazetës së parë shqiptare (FOTO)

“L’Albanese d’Italia”, apo në shqip “Shqiptari i Italisë”, gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar. Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848, shkruan KultPlus.

Kjo gazetë ka qenë gazetë politike, shoqërore dhe letrare në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Ajo drejtohej nga publicisti më i vjetër shqiptar, Jeronim De Rada. Ai e botoi këtë gazetë në Napoli të Italisë, duke themeluar kështu edhe hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”.

Shtypi shqiptar lindi në mesin e shek.XIX. Organet e para të tij nuk mund të botoheshin brenda vendit. Ato dolën në fillim me përpjekjet e arbëreshëve në Itali e Greqi. Nga fundi i shek.XIX nisën botimin në kolonitë shqiptare disa organe me rëndësi. Gjatë kësaj periudhe, gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe hynin fshehurazi në Shqipëri. Ato informonin për jetën brenda vendit, si dhe për veprimtarinë e shqiptarëve në kolonitë jashtë vendit dhe kryesisht demaskonin shtypjen nga qeveria e Stambollit dhe politikën e fuqive të huaja ndaj tokave shqiptare./ KultPlus.com

Fillimet e Rita Orës në muzikë, paraqitja e parë e saj në videoklipin e Jay-Z (VIDEO)

Ylli botëror, Rita Ora tashmë po prek çdo ditë e më shumë majat e suksesit të saj me hitin “Anywhere” dhe bashkëpunimin e fundit “For You”, shkruan KultPlus.

Depërtimi i Rita Orës në industrinë e muzikës, nuk ka qenë edhe i lehtë. Rita Ora fillimisht performonte në lokalin e babait të saj.

Menaxhmenti i Rita Orës, kishte kontaktuar me grupin amerikan të Jay-Z, “Roc Nation”. Një nga nënshkrimet e para i pati me këtë grup në dhjetor të vitit 2008, për realizimin dhe publikimin e këngëve të saj. Më pas Rita Ora, për herë të parë u paraqit në videoklipin e këngës së njohur të Jay-Z, të titulluar “Forever young”, në vitin 2009, kurse më pas edhe në videoklipin e Drake “Over”, në vitin 2010.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rita Ora kishte realizuar një album dhe dëshironte që ta lansonte atë, por grupi i saj u shpreh kundër dhe Rita filloi të punoj në albumin e saj debutues.

Më pas Rita Ora publikoi disa video dhe covers gjatë realizimit të albumit të saj debutues. Këto video tërhoqën vëmendjen e Dj Fresh, që po kërkonte një vokaliste për këngën “Hot Right Now”. Kjo këngë e realizuar në vitin 2011, arriti t’u prij listave të këngëve hite në Angli.

Kënga e parë në albumin e saj debutues ishte “R.I.P” , më Tinnie Tempah që u lansua më prill të vitit 2012. Po ashtu një sukses të madh Rita Ora arriti edhe me këtë këngë./ KultPlus.com

Disa pjesë të veshjeve popullore që janë pjesë e trashëgimisë së luajtshme të Muzeut të Kosovës (FOTO)

KultPlus ju sjellë disa pjesë të veshjeve popullore të cilat janë pjesë e Muzeut të Kosovës, si Marhama, Plisi, Opingat, Qilimi. Trashëgimia e luajtshme arkeologjike e Kosovës është dëshmia më mirë e pasurisë kulturore të vendit.

Marhamë- Është e endur në vek, e punuar nga pambuku dhe mëndafshi. Në dy skajet e gjerësisë së marhamës janë punuar zbukurime me qëndisje. Qëndisja është bërë me fije mëndafshi dhe fije ari, duke fituar motive të ndryshme floreale. Marhama të tilla kanë shërbyer për dekor. I përket shek shek. XX.

Plisi – është pjesë e veshjes tradicionale shqiptare për meshkuj. Vendoset në kokë dhe shpesh herë cilësohet si më i veçanti, pasi që ai përdoret vetëm ndër shqiptarë. Është i punuar nga leshi i delës nga zejtarë shqiptarë.

Opinga- punoheshin krejtësisht prej lëkurës së gjedheve. Më vonë dredhat e lëkurës , aty-këtu, filluan të zëvendësohen më ,, sixhima’’ dhe kështu filluan të përdoren opingat,, me ,,përkryesa’’ të cilat tipologjikisht nuk dallonin prej të parave. Dëshmitë më të hershme arkeologjike për opingat u përkasin shek IV-V para erës sonë dhe tregojnë se ato kanë qenë një element i kulturës ilire. Dëshmi të mëvonshme janë të shek XVI në disa vepra të Onufrit.

Qilim – i endur në vek prej fijeve të leshit, është i përbërë nga tri polla të barabarta. Ka një kolorit ngjyrash të ndryshme. Në tërë sipërfaqen e tij ka një ornamentik të pasur, në të cilin janë realizuar kryesisht motive të ndryshme gjeometrike. Është përdorur si shtroje për dhomë. I përket shek. XX.

Shokë burri- Pjesë e veshjes popullore, e punuar në vek. I përket shek.XX.

Shënim: Koleksioni Arkeologjik dhe Etnologjik i Kosovës( 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike) vazhdon të mbahet në Serbi./ KultPlus.com

Filmi “Triumph”, me detaje nga ndeshja Serbi-Shqipëri shfaqet në Dallas dhe Berlin

Filmi i cili i kushtohet Kombëtares Shqiptare të Futbollit pas shfaqjes në Festivalin e Filmit në Varshavë, po vazhdon rrugëtimin e tij. Filmi, më 3 mars do të shfaqet në Dallas, për të vazhduar si pjesë e Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit për Futboll në Berlin, ku do të shfaqet më 24 mars, shkruan KultPlus.

Ky film, me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama, sjellë histori të ndryshme duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike, prapa lojës së futbollit në mes të Shqipërisë dhe Serbisë në vitin 2014.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkë regjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqitnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na e dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, pati treguar për KultPlus, Kreshnik Jonuzi.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në storie siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e po ashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pati sqaruar tutje ai.
http://www.11-mm.de/index.php/de/
Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e të tjerë. Ndërsa siç njofton vetë regjisori për KultPlus, ky film dokumentar shumë shpejt pritet të shfaqet edhe në Kosovës. /KultPlus.com

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës jehon tallavaja (VIDEO)

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës duket se ka pasur një festë goxha të madhe, shkruan KultPlus.

Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga regjisori Kushtrim Mehmeti, dëgjohet një muzikë tallava, ndërkohë që regjisori ka ironizuar duke shkruar “Jashaaa Teatri Kombetar jahaaaaaaa rrryp rryppp hajdeeeee”.

Videoja është realizuar në orët e vona të natës së mbrëmshme, ndërsa shihet që është në pjesën e pasmë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kënga që dëgjohet të jetë lëshuar në këtë ‘festë’ është “Kqyrni shoqe dimijat me pika…”./ KultPlus.com

Veliaj për projektin e teatrit të ri: Do ketë trefishin e sipërfaqes që ka sot

Teatri i ri Kombëtar do të jetë 3 herë më i madh se ai aktual. I ftuar në emisionin Opinion, Veliaj ka siguruar të gjithë artdashësit dhe artistët se sipërfaqja e teatrit do të jetë shumëfish më e madhe.

“Di të të them që sot teatri që sot ka 3000 metra katrorë do ketë shumëfishin, minimalisht trefishin e territorit që ka sot. Sot në këtë Shqipërinë tonë të kushteve modeste, ne na duhet të jemi pak më kreativë siç po bëjmë shkollat, siç po marrim territor për kopshte, shkollat. Ne do bëjmë negociatën maksimale që në pjesën e Bashkisë ne të marrim dhe të shtrydhim çdo qindarkë që t’i shkojë falas . Teatri nuk ka kullë sipër dhe ky është një vendim territori, pra në territoret e teatrit. Kemi synuar dhe të gjithë kërkesat që kemi bërë është për të pasur shumëfishin e sipërfaqes që ka sot teatri, pra që teatri të gëzojë më shumë sipërfaqe, black-boxe, salla më të vogla, salla alternative, shërbimet mbështetëse”, u shpreh Veliaj./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi prezantoi ekspozitën personale në Gjilan (FOTO)

Me mbështetjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, Uta Ibrahimi dje ka hapur ekspozitën personale në Galerinë e Qytetit, në Gjilan, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar fotografitë dhe pajisje nga ngjitja e Uta Ibrahimit në majën më të lartë në botë, në Everest.

Kryetari Lutfi Haziri, para të pranishmëve në këtë ekspozitë ka thënë se Uta Ibrahimi, është një dëshmi dhe përfaqësuese e denjë e shqiptarëve anë e kënd botës. Ajo është e vetmja femër shqiptare që ngrit flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë në majën më të lartë në botë.

“Në këtë ekspozitë po shohim fotografi të ndryshme gjatë ngjitjes në këtë maje. Gjithashtu përpos fotografive, kemi rastin të shohim nga afër edhe veshjet dhe pajisjet tjera që kanë shërbyer për ngjitje. Komuna e Gjilanit e ka mbështetur këtë ekspeditë të saj dhe do të jetë edhe në të ardhmen mbështetëse. Ftoj qytetarët e Gjilanit dhe komunitetin e biznesit që ta mbështesin Utën edhe në ekspedita dhe projekte të tjera që do t’i realizoj gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari Haziri.

Kurse, Uta Ibrahimi, për ekspozitën dhe ekspeditën ka thënë se është një moment që përpos vështirësive gjatë ngjitjes, në vete bartë krenari dhe kur interesimi për të parë këtë ekspozitë është i madh atëherë kjo është edhe çlodhja.

Ajo ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit, për mbështetjen e deritanishme dhe ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të realizoj planifikimin që ka në funksion të përfaqësimit të shqiptarëve, në pushtimin e të gjitha majave më të larta të botës.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur për gjashtë ditë dhe qytetarët e interesuar mund t’i shohin nga afër fotografitë dhe pajisjet e përdorura nga Uta Ibrahimi për ngjitjen në Everest./ KultPlus.com

Ura historike që Turqia synon Rekordin Guinness

Bashkia e qytezës Uzunköprü (Ura e gjatë) në provincën e Edirnes në Turqi ka riaplikuar për hyrje në Librin e Rekordeve Guinness për urën më të gjatë historike që ndodhet në këtë qytezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryebashkiaku Enis İşbilen tha për AA se pas matjeve që kanë bërë rishtazi kanë bërë disa shtojca në aplikim, duke shtuar që synojnë që urën me të njëjtin emër si të qytezës, Ura e Gjatë, ta regjistrojnë si “urën më të gjatë të gurit në botë ku mund të kalojnë automjete”.

İşbilen rikujtoi se Ura e Gjatë ka humbur epitetin si ura më e gjatë e gurit në botë nga një urë në Kinë e cila është më e gjatë. “Ne kishim aplikuar në kategorinë ura më e gjatë e gurit në botë. Megjithatë, mësuam se një urë në Kinë është dy metra më e gjatë. Ne bëmë një aplikim të ri në kategorinë ura më e gjatë e gurit në botë në të cilën mund të kalojnë automjete. Pra, ne kemi shtuar edhe gjerësinë e saj në aplikim. Në urën në Kinë nuk kalojnë automjete. Duke hyrë në Guinness, ne duam ta promovojmë edhe qytezën tonë edhe urën”, tha İşbilen.

Ura 600-vjeçare gjendet edhe në listën e përkohshme të Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s. İşbilen njoftoi se në urë duhet të nisin punime për restaurim, për shkak të disa plasaritjeve që kanë filluar të paraqiten në harqet e urës.

Ura e Gjatë, nga e cila ka marrë emrin edhe qyteti, është vepër historike osmane e cila lidh Anadollin me Ballkanin. Më herët ajo njihej me emrin Ura Ergene, ndërsa është ndërtuar mes viteve 1426-1443 nga kryearkitekti i asaj kohe Muslihiddin, me urdhër të Sulltan Muratit të Dytë.

E gjatë 1.393 metra dhe e gjerë 6,8 metra, ura ka 174 harqe. Ura e gurit është ndërtuar pas shkatërrimit të urave të mëparshme që ishin bërë prej dërrase.

Sot hapet “Ekspozita Bazë” në Muzeun e Kosovës

Sot më 23 shkurt me fillim nga ora 13:00, në Muzeun e Kosovës do të bëhet hapja solemne e ‘Ekspozitës Bazë’, e para e konceptuar si e këtillë, ku do të prezantohen eksponate të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri te Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen eksponate edhe të heronjve Isa Boletini e Adem Jashari.

Në hapjen e ‘Ekspozitës Bazë’ do të marrin pjesë personalitete të shumta nga politika vendore, nga trupat e huaja të akredituara në vendin tonë dhe nga fusha e kulturës e trashëgimisë./ KultPlus.com

Punimet e 16 artistëve, për herë të parë në ekspozitën “Gjergji i Kastriotëve”

Ekspozita “Gjergji i Kastriotëve” do të prezantohet për publikun me punimet e 16 artistëve në Qendrën Rinore të Tiranës.

Kjo ekspozitë e artit pamor, që prezanton punime të reja për publikun, krijoi një bashkëpunim të ngushtë me vetë qendrën për të organizuar një aktivitet artistik në “Vitin e Skënderbeut”. Ekspozita që bën bashkë 16 artistë është e organizuar nga Daniela Malile dhe e kuron piktorja Ila Selo. Piktore dhe kuratore Ila Selo tregon se ekspozita është e ndërtuar nga zhanre dhe teknika të ndryshme të artit pamor, si skulpturë, vizatim, pikturë, video art, art dixhital dhe më gjerë.

“Artisti ka qenë i lirë të shprehë emocionin dhe imagjinatën e tij drejt një figure mjaft të rëndësishme për popullin shqiptar, pra figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Krijimet e 16 artistëve janë mjaft kreative dhe vërtetë mbresëlënëse, ku ka shumëllojshmëri idesh, që vijnë nga imazhi historik, luftëtar, jeta, dhe mbi të gjitha luhet edhe simbolika mes asaj që jemi dhe asaj që heroi ynë ka luftuar”, tregon kuratorja Ila Selo.

Ekspozita çelet më datë 26 shkurt dhe do të qëndrojë për publikun dhe në data 27 dhe 28 të këtij muaji. Kuratorja tregon se në kuadër të kësaj iniciative artistike kulturore, fton publikun të marri pjesë në hapjen e ekspozitës si mbështetje për artistin dhe një rikujtesë historie në formën piktoreske. “Nëse fjala më e njohur e Skënderbeut ishte “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu mes jush”, unë dua të shpreh diçka tjetër që në atë çka luftoi Skënderbeu unë e shtoj, ajo është “Artin nuk jua sollëm ne, por e gjetëm këtu mes nesh”. Bota artistike është mjaft e gjerë dhe ka liri të menduari, krijuari dhe ideuari, por që ky art të ec përpara dhe të lulëzoj duhet mbështetja e të gjithëve”, pohon kuratorja Ila Selo.

Ekspozita dhe bashkëpunimi

Në ekspozitën që do të çelet për publikun, ku janë pjesëmarrës me veprat e tyre 16 artistë shqiptarë ka gjithashtu dhe kontributin modest të gjithsecilit prej tyre.

Kuratorja tregon se kanë një bashkëpunim të mirë me Qendrën Rinore, e cila herë pas here po krijon mundësi për ekspozita të ndryshme, shkruan SotNews. Kjo ekspozitë sipas saj vjen pas “Poetekës Shqiptare”, që u hap disa ditë më parë.

“Jemi 16 artistë, të cilët jemi mbledhur me një shumë modeste, duke qenë dhe pamundësitë kemi arritur të organizohemi në një ekspozitë. Zanafillën e kemi nga Qendra Rinore e Tiranës, që kur organizuam ekspozitën “Poetika Shqiptare” na kërkuan të organizohemi në një ekspozitë tjetër për “Vitin e Skënderbeut””, pohon piktorja dhe kuratorja.

Më tej Selo tregon se dhe këtë herë e pranuan ftesën për bashkëpunimin edhe pse një kohë e paktë ata ia dolën të sjellin Skënderbeun me veprat e tyre në pikturë, vizatime, etj. “Normalisht që pranuam edhe përse ishte një kohë relativisht e shkurtër, por ja dolëm të sillnim një risi ndryshe, Skënderbeun, jetën e tij në pikturë dhe më gjerë me mendimet e artistëve dhe fantazitë e tyre. Si artiste le të them se ne kemi një imazh të fuqishëm historik të një kombi, i cili i flet bukur jetës së Skënderbeut, por ama imazhet mungojnë dhe ne kemi veç një imazh portretin e tij dhe atë mbi kalë. Artisti mund ta ketë të lehtë të krijojë çdo lloj imagjinate, ishte dëshira e gjithsecilit që të prekte imazhin e heroit tonë kombëtar”, shton më tej piktorja dhe kuratorja Ila Selo.

Ekspozita që vjen për publikun është e para këtë vit me punime të reja kushtuar heroit kombëtar./ KultPlus.com

Nezir Kraki, para 20 viteve refugjat i strehuar në Zvicër, sot ligjërues

Në Universitetin e Gjenevës është mbajtur një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj, dedikuar 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht me këtë ligjëratë është prezantuar Nezir Kraki, ligjërues në Paris i cili ka folur mbi pikëvështrimet e tij mbi Kosovën, në dekadën e parë si shtet i pavarur.

Por kjo ligjëratë është edhe më e fuqishme, për faktin se Kraki kujton se para 20 viteve ishte i strehuar si refugjat në Zvicër, kurse tashti, prezantohet në këtë shtet në një cilësi tjetër.
Momente nga konferenca kushtuar 10 vjetorit të pavarësimit të Kosovës dhe sfidave të saj në Universitetin e Gjenevës.

Kam mbetë i ngazëllyer nga pritja dhe nga konsiderata që e treguan ndaj meje si organizatorët (Shoqata e studentëve Shqiptarë në Gjenevë) ashtu edhe publiku i vemendshëm që kishte ardhë në numër. Knaqesi e papërshkrueshme kur sheh me dhjetra të rinj nga diaspora të angazhuar në shkollim e në punë, në çdo shkencë dhe në çdo zanat. Nga mjekësia deri të letërsia duke kaluar nga avokatura dhe ekonomia, në secilën fushë sot ka të rinj e të reja të gjakut tonë. Ata janë sot pjesa më dinamike e shoqërisë zviceriane pa e harruar në asnjë moment vendin e origjinës.

Për mua ishte ndjesi e veçantë që si ish refugjat i strehuar në Zvicër para gati 20 viteve, të gjendesha në amfiteatrin e Universitetit të Gjenevës, në cilësi tjetër. Jeta na rezervon befasi të këndshme ndonjëherë, ka shkruar Kraki mbi emocionet që ka marë nga kjo ligjëratë,e cila është përcjellë nga një numër i madh I të pranishmëve./KultPlus.com

Albumi i Dua Lipës rikthehet në krye të toplistës së iTunes

Dua Lipa po vazhdon të shënojë suksese me albumin e saj debutues.

Ajo është rikthyer në krye të top listës në iTunes, ka bërë të ditur këngëtarja përmes një postimi në Instagram, transmeton Koha.net. “Albumi është kthyer në krye në iTunes”, ka shkruar Dua Lipa. Ajo ka lënë prapa yje si Stormzy e Ed Sheeran.

Mbrëmë Dua Lipa ka shënuar një sukses të madh në Brit Awards duke rrëmbyer dy çmime të rëndësishme, atë të artistes më të mirë britanike dhe depërtimi më i mirë./KultPlus.com

Mediat serbe për Dua Lipën në Brit Awards: Prindërit i ka nga Kosova, e gjithë bota po flet për shqiptaren

Dua Lipa fitoi çmimin “Këngëtarja më e mirë femër britanike” në Brit Awards ndërsa Stormz fitoi të njëjtin çmim në kategorinë e meshkujve, duke mposhtur Ed Sheeran.

Këngëtarja 22-vjeçare, e cila tashmë ka arritur mbi një miliard shikime në YouTube të këngës “New Rules”, ka qenë favorite duke u nominuar në pesë kategori të ndryshme.

Këngëtarja e lindur në Londër në një familje të shqiptarëve të Kosovës ka nxjerr në shitje në vitin e kaluar albumin “Dua Lipa”, e cila menjëherë ka marrë kritika pozitive, shkruan ndër të tjerash portali serb B92.net.

Pak pasi Kosova shpalli pavarësinë, ajo u transferua në Prishtinë, ku jetoi për dy vjet dhe më pas sërish u kthye në kryeqytetin britanik për karrierën e saj muzikore, raporton portali tjetër serb, blic.rs.

Babai i saj, Dukagjin Lipa, është i njohur për hitet e sjella në gjuhën shqipe dhe e ka drejtuar atë si të ndërtojë një karrierë, shkruan më tutje në mediat serbe.
Këngëtarja shqiptare gjithashtu fitoi edhe çmimin e kategorisë së “Artistes më të mirë të re”, gjersa ishte e nominuar edhe në tre kategori të tjera.

Gjithashtu edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Rita Ora ka perfomuar tre këngë në këtë festival britanik.
Brit Award e ndan Industria Fonografike Britanike, e cila përfaqëson shoqatën e industrisë së muzikës britanike.

Ky çmim për herë të parë iu nda bendit legjendar Beatles ndërsa fituesit janë dhe Prince, Annie Lennox, Robbie Williams, Adele, Sting, Peter Gabriel, David Bowie dhe Michael Jackson. /Telegrafi/

Nga Fieri në Prishtinë, ekspozita ndërkombëtare “Fokus 2017”

Galeria Qahili, sonte ka qenë e mbushur me fotografë të cilët ishin pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Fokus 2017”. Fotografitë, shumica e të cilave ishin bardh e zi, sollën detaje nga jeta e përditshme. Kurse ato të cilat kishin edhe ngjyra kombinoheshin bukur me pjesën tjetër, dritë-hije. Fotografitë e krijuara nga 55 artistë të fotografisë, të cilët vinin nga 20 shtete të ndryshme, ruanin veçantinë e tyre gjersa publikun e tërhiqnin në një udhëtim të njëtrajtshëm, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Ishin pikërisht emrat e fotografëve vendosur poshtë fotografive të tyre, një thirrje e vazhdueshme se ekspozita është kolektive. Çastet të cilat fotografët i kishin fiksuar në celuloid, ishin të perceptueshme për të gjithë publikun, të cilët gjenin elemente të ndryshme në fotografitë e ekspozuara. Një i moshuar me llullë, dikush me sy të mbyllur, një vajzë e vogël, dikush duke luajtur, dikush shtrirë mbi lule, një jakë e bardhë, dikush shtrirë afër plazhit, një tjetër duke mbajtur botën mbi shpatulla gjersa qëndron e kërrusur, ishin vetëm disa nga elementet që shfaqnin momentet që kishin kapur fotografët.

Konkursi i themeluar nga artistët, Arben Alliaj dhe Saimir Ahmeti, të cilët me shumë entuziazëm vazhdojnë këtë traditë, ka filluar në vitin 2006 duke mbledhur rreth vetës njerëz që e kanë pasion fotografinë. Kurse sipas Arben Allijaj,pikërisht ky pasion me kalimin e viteve i bashkoi edhe më shumë.
“Në atë periudhë ne nuk njiheshim por me kalimin e viteve kemi bërë që sot ne të ndjehemi si në shtëpinë tonë. Falë bashkëpunimeve që i kemi pasur me fotografë me emër, me profesorë të fotografisë, me konkurrent të rinje, por që më vite tashmë janë bërë edhe më profesionist, kemi arrite deri te ky organizim”, është shprehur ai. Tutje ai ka sqaruar se arsyeja e hapjes së kësaj ekspozitë edhe nëPrishtinë është një shenjë mirënjohje për të gjithë emrat e njohur të fotografisë kosovare që për vite kanë kontribuar në zhvillimin dhe në rritjen e cilësisë së aktivitetit. Mirëpo, ky organizim ashtu siç u shpreh edhe Saimir Ahmeti shihet me mjaftëpërgjegjësi, pasi qëështë një ndër hapësirat e pakta për paraqitje të fotografisë.

Ekspozita përbëhej nga fotografi të cilat kanë qenë pjesë e edicionit të 8-të të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “Fokus 2017”. Kurse në Fier, ku edhe është shfaqur ekspozita për herë të parë, juria profesionale e përbërë nga Armand Sallabanda, Leon Cika dhe Boro Arsovski, shpalli tre fituesit e kësaj ekspozite. Çmimin e parë e mori Andrea Kiss nga Hungaria, çmimin e dytë Igor Coko nga Serbia dhe çmimin e tretë Adrian Fezollari nga Shqipëria.

Kjo ekspozitë është përzgjedhur nga kuratorët: Burim Myftiu dhe Osman Demiri, në bazë të përvojës së tyre artistike shumëvjeçare. Kurse, sipas kuratorit Osman Demiri, fotografitë edhe pse janë krijuar nga fotografë të ndryshëm, përbëjnë një tërësi të bukur.

“Qëllimi jonë ishte që të bëjmë një përmbledhje. Ekspozita të jetë sa më e shtrënguar kurse këtu kemi autorë që merren me fotografi gjithë jetën dhe e duan fotografinë. Janë armiqtë më tëmëdhenj të industrisë së fotografisë e cila po ngulfat çdo ditë e më tepër dhe po donëmë i bë të gjithë të njëjtë. Kurse këta janë ata të cilët po e mbajnë gjallëfotografinë, me principet, stilet dhe ndjenjat e tyre”, u shpreh ai duke theksuar se përzgjedhja nuk ishte aspak e lehtë.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: AvinAbassi – Iran, AndiAgaraj – Shqipëri, BurhanAhmeti – Maqedoni, Dali Alili – Maqedoni, Ibrahim Aysil – Turqi, Ernest Baba – Shqipëri, ErgysBaki – Shqipëri, AhmadBelbasi – Iran, RolandBeqiraj – Shqipëri, Fjolla Besimi – Kosovë, GoranBoricic – Montenegro, Fitim Bushati – Kosovë, TarasBychko – Ukrainë, Enver Bylykbashi – Kosovë, Igor Coko – Serbi, HarisCalkic – Bosnjë dhe Hercegovinë, AlfredoOliviaDelgado – Spanjë, Mariposa Fa – Zvicër, Ardian Fezollari – Shqipëri, AndoFuchs – Austri, NimaGhari – Iran, Bardha Goga – Kosovë, AhmedHadrovic – Bosnjë dhe Hercegovinë, DamonHaghgoo – Iran, Afrim Hajrullahu – Kosovë, Besnik Hamiti – Kosovë, ArtonHumolli – Kosovë, Rromir Imami – Zvicër, DashimirIzairi – Gjermani – Maqedoni, Gani Jakupi – Francë – Kosovë, EduinaJaupi – Shqipëri, Shukri Kaçaniku – Kosovë, Eliano Kalemi – Shqipëri – SHBA, OgnjenKarabegovic – Kroaci, OlgaKarlovac – Kroaci, AndreaKiss – Hungari, Artan Korenica – Kosovë, Halim Luta – Maqedoni, IvanoMercanzin – Itali, AleksanderMogilo – Bulgari, OlsiQazimi – Gjermani, Vasil Qesari – Francë, HazirReka – Kosovë, Shkëlzen Rexha – Kosovë, KavehSafernejad – Kanadë, FahredinSpahija – Kosovë, Naim Spahiu – Kosovë, Naim Shala – Kosovë, BurakSenbak – Turkey, Gent Shkullaku – Shqipërim Rozafa Shpuza – Shqipëri, Iden Temali – Shqipëri, EneaVeria – Shqipëri, QerimVrioni – Shqipëri, Maja Zlatevska – Maqedoni. / KultPlus.com


Kur Dua Lipa bashkë me babain e saj besonin në Diell (VIDEO)

Dua Lipa është këngëtarja shqiptare,e cila karrierës së saj ia shtoi edhe vulën e cmimeve ndërkombëtare, pasi ajo tashmë ka të fituara dy cmime në Brit Awards, shkruan KultPlus.

Dua Lipa është superylli ndërkombëtar që ka depërtuar në nivel botëror, duke e konsideruar edhe si një yll shpërthyes.

Vitin e kaluar ajo është prezantuar edhe me një koncert në Prishtinë, ku bashkë me babain e saj kanë intepretuar këngën “Beso në Diell”, këngë kjo e babait të saj, Dukagjin Lipës i cili bashkë me grupin ODA, kanë sjellë këtë hit.

Beso në Diell

Kur shtrëngata mbulon qytetin tonë
Mos u frikëso natën ti
Beso n’mua se unë besoj n’ty
Shiko rrufenë drejt në sy

Pas çdo shiu, dielli do të nxej
Unë dhe ti të lirë do t’shikojm lart
Dhe e dimë se nuk është, nuk është tmerr
Nuk është tmerr, por është shtrëngatë

Më beso se nuk je vetëm jo
Më beso të lutem ti
Më beso se do t’shkrij jetën
Dhe nuk do të jem larg nga ti

Beso në diell…

Kur shiu i ftohtë fytyrën ta mbulon
Vazhdo drejt ti, rrugë mos ndërro
Ngrite kokën dhe shiko lart
Se nuk është tmerr, por është shtrëngatë ./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=hT5glJM7RMQ&app=desktop

Ilir Tafa me rol kryesor në serialin ballkanik “Konak kod Hilmije”, luan edhe Lepa Brena

Të hënën, më 26 shkurt 2018, në Sarajevë do të bie kllapa e parë e xhirimeve të serialit më të ri “Konak kod Hilmije”, në të cilin në rolin kryesor do të paraqitet aktori i madh kosovar, Ilir Tafa.

Siç merret vesh xhirimet do të zgjasin disa vjet dhe do të realizohen në Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, ndërsa e tërë ngjarja do të jetë e zhvendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Në rolet kryesore, krahas Ilir Tafës, do të paraqiten edhe aktorët: Emir Hadzihafizbegovic nga Sarajeva e Tarik Filipovic nga Zagrebi. Projekti do të mbledhë rreth vetes edhe aktorë nga të gjitha regjionet e ish Jugosllavisë, ndërsa flitet se pjesë e serialit do të jetë edhe super ylli jugosllav Lepa Brena.
Fjala është për një projekt humoristik, ndërsa do të jetë një nga realizimet më të veçanta të produksionit të mirënjohur FIST, me skenar të Fedja Isovic dhe nën regjinë e Elmir Jukic.

Aktori Ilir Tafa është shprehur i entuziazumuar për rolin e ri, ndërsa ka thënë se ky do të jetë një rol sfidues duke pasur parasysh ekipin e angazhuar, por edhe investimin e bërë në këtë projekt të madh duke u nisur nga kostumografia, skenografia dhe gjithçka tjetër që përcjell realizimin e tij./KultPlus.com