Prologu ose nëntë plagët e Ucë Malës

Shkruar nga Jakup Ceraja – (nga Poema Uce Mala)

Të nëntë plagët Uca i mori në zemër
Trupi shëndosh e zemra gjak-
Plagë e parë shigjetë e rrenës
Kur plisi iu hoq fjalës
Së gjuhës qumësht i nënës
Plagë e dytë shtizë e shpifjës
Kur plisi iu hoq këngës
Së gjuhës bukë e nënës
Plagë e tretë shpatë e cytjes
Kur plisi iu hoq frymës
Së gjuhës nektar i nënës
Plagë e katërt thikë e nxitjes
Kur plisi iu hoq besës
Së gjuhës gjak i nanës
Plagë e pestë kamë e hijës
Kur plisi iu hoq shpresës
Së gjuhës djersë e nënës
Plagë e gjashtë pykë e ngecjes
Kur plisi iu hoq premtimit
Të gjuhës buzë e nënës
Plagë e shtatë daltë e mbylljes
Kur plisi iu hoq guximit
Të gjuhës ballë i nënës
Plagë e tetë therrë e strukjes
Kur plisi iu hoq besimit
Të gjuhës cicë e nënës
Plaga e nëntë gjilpërë e frikës
Kur plisi iu hoq synimit
Të gjuhës frymë e nënës.

“Shikoni zonjë… personat me Sindromën Daun nuk jetojnë më shumë se… “

Adrian Kabashi, 32 vjeç, ka vdekur para një muaji. Ai ka qenë i lindur me Sindormën Daun. Teksti në vijim, i motrës së tij, gazetares së njohur Adriana Kabashi, është një rrëfim për jetën, diagnostikimin dhe peripecitë e tyre në QKUK

Dy ditë pasi mori terapi kundër gripit, Adrianit iu keqësua gjendja dhe u nisëm urgjent për Emergjencë. Po… për në emergjencën e QKUK- së! Sepse në raste të tilla pika e parë reference është Emergjenca. Ose do të duhej të ishte.

Sepse ende besoja se në qendrën spitalore kishte njerëz që bënin me përkushtim punën, sado që kishte mungesa të mëdha në barna e pajisje.

Në dhomën nr 4 na thanë le të shkojë te dhoma nr 5., Adriani mezi rrinte në këmbë. Në nr 5 ia gjetëm një karrige ku të ulet. Mjekja që i tha të ulet, m’u drejtua: nuk ka vend këtu, le të shkojë në nr 4.

Ajo insistoi dhe ne dolëm. Atyre në 4 ju treguam që s’kishte vend në 5.

Ndërkohë kjo mjeke kishte filluar të merrej me një “peshk të madh” të politikës, që nga burgu kishte ardhur për kontroll aty (e ruanin katër a pesë persona).

Në nr. 4 e vendosën Adrianin në një shtrat. Duke parë se po i vështirësohej frymëmarrja i tregova një infermieri se kishte nevojë për oksigjen. Ia vendosën oksigjenin. Një orë mbetëm duke pritur se cili mjek do të kujdesej për të. Disa analiza u bënë brenda QKUK – së dhe disa i dërgova në laboratore private.

Mjekja e Emergjencës thirri kardiologun e pulmologun. Pulmologu nuk erdhi as pas gjashtë orë qëndrimi në Emergjencë… dhe askush, fatkeqësisht, nuk kishte fuqi ta detyronte të vinte!

Kjo ishte kronologjia e hyrjes në QKUK dhe qëndrimit treditor në repartin e kardiologjisë, njësia koronare.

“Shikoni zonjë… personat me Sindromën Daun nuk jetojnë më shumë se… “.

Kështu nisi shpalosjen e profesionalizmit të tij, mjeku i ndërrimit…

“Ju lutem…! Për 32 vjet kam lexuar tërë literaturën e mundshme botërore për sindromën Daun dhe nuk është momenti të flasim për statistika…

Ne e dimë gjendjen e tij doktor… por tash duhet të merremi me virusin, jo sindromën…”.

” Por ju e dini gjendjen e tij, Sindroma Daun…”.

Ata ngrenë duart ende pa bërë asnjë përpjekje!

Njësia koronare ishte e mbushur me të moshuar të stentuar… kishe përshtypjen se krejt Kosova po vendoste stenta, masovikisht.

Mungonin gjërat elementare, barnat, injeksionet, kateterët, shiringat, sistemet e infuzionit e inhalimit e çka jo…. por, mjekët e këtushëm ushtronin ‘dinjitetshëm’ superioritetin e tyre (!) kur parakalonin para pacientëve të cilët i shikonin si zota. Ende kam para syve pelerinën e mjekut të vizitës që hiqej si shkencëtar i madh i mjekësisë thua se kishte zbuluar ilaqin kundër vdekjes…e në dhomën ku ai parakalonte lartëmadhërinë e tij, mungonin edhe qeskat e urinimit!

Një grua nën ndikimin e anestezionit çohej nga shtrati dhe rrezikonte gjakderdhjen dhe jetën. Askush nuk i qëndronte afër. Me asgjë nuk e parandalonin këtë gjë, pos me britmat arrogante të infermieres që reagonte pasi e paralajmëronin të shtruarit e tjerë në dhomë.

Unë nuk e di kush është fajtor për gjendjen në QKUK… mjekët, qeveria, kriminelët, krimi i organizuar në nivel qendror apo kriminaliteteti brenda QKUK -së, por e di që atë vend e ka mbërthyer krimi individual, neglizhenca, injoranca, si dhe kriminaliteti i organizuar…

Vendi ku pacienti është një nga lebrozët e shumtë që po të ketë fatin dhe organizmin e fortë do t’i mbijetojë sëmundjes dhe QKUK – së… aty infermieret i krijojnë alibi mjekut që mungon me orë të tëra… e fati i pacientit është edhe në duart e infermieres që nuk di të bëjë dallimin midis 15 minutave inhalim e 15 mililitrave të tretjes për inhalim!

E kur më në fund mjeku parakalon për vizitë, na hedh një sy, ndërron dy llafe me kolegun: “ma mirë është sot…” dhe vazhdojnë tek shtrati tjetër…

“Sepse… shikoni zonjë, ju e dini, personat me Sindromën Daun…”.

QKUK është pasqyra e këtij vendi. Këtu s’ka vend për ‘tjetrin’ për atë që është ndryshe, sepse kjo shumicë uniforme me një tru të uniformuar nuk ka aftësi të kuptojë e pranojë realitete që dalin nga kornizat e mendjes së tyre mediokre.

Edhe këtu rivaliteti, inatet personale, ndikimet partiake, kishin bërë të veten… “Ma mirë mos me ardhe unë aty, se me më pa ata, veç sherrin ja boj djalit” kështu m’u përgjigj njëri nga mjekët, të cilin e konsultova për mundësinë që Adrianin ta largoja nga ky vend.

Po. Këtu mjeket kishin zhbërë besimin se mantelbardhi dhe humanizmi janë koncepte të pashkëputshme me njëri tjetrin.

Unë pata fatin ta largoj Adrianin nga kjo karantinë, e ta dërgoj në një spital privat. Por, dikush mund të mos e ketë!

Adriani nuk i mbijetoi gjendjes së rënduar, por ne nuk u dorëzuam deri në fund…

Mjekët tanë nuk e kanë përgatitjen e duhur etike e profesionale të trajtojnë secilin pacient si individ të vecantë e jo si statistikë.

Në mjekësi jo gjithnjë dy plus dy bëjnë katër.

Këtë e ka dëshmuar edhe jeta e Adrianit (Gigit tonë), i cili përkundër diagnozës që statistikisht i jepte vetëm 3 vjet jete, ka jetuar 32 vite të lumtura. Sepse kishte vëmendjen si individ i veçantë, kishte respektin dhe dashurinë e pafund për atë që ishte.

Adriani (Gigi) që nga dita e parë e jetës së tij na ka sjellë gëzimin në shtëpinë tonë. Na ka dhanë kaq shumë dashuri, e cila do t’na bëjë dritë tanë jetën.

Përndryshe QKUK, kështu si është, duhet të mbyllet… të paktën këtyre doktor xhekillave t’ju pamundësohet eksperimentimi me trupat e njerëzve!

Gigi, dashuria ime ekstra. Ai ishte ekstra në çdo gjë, ashtu siç e kishte edhe një kromozom ekstra.

Parisi po e nderon artistin e madh František Kupka

Frantisek Kupka është artisti që duhet ta fusni në kujtesë qysh tani.

Ata që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e tij, ka shanse që kanë parë punën e tij prej artisti.
Kupka, ka lindur në Çeki e ka vdekur në Francë. Ai është ndër ata artistë që kanë nisur nismën e Orphic Cubism – Orfinizëm.

Puna artistike e tij nisi me realizmin, por më pas u shndërrua në art abstrakt.

Grand Palais në Paris deri në 30 qershor po i kushton një ekspozitë të madhe e retrospektive artistit František Kupka, i cili mbetet ndër më të mirët e shekullit 20-të.

Në ekspozitë përfshihen punët e tij deri në vitin 1950, pasi ai ndërroi jetë shtatë vite më pas.
Artisti studioi në Vjenë e në Pragë, për tu bërë një piktor më pas detajit por edhe i veçuar prej gjeneratës së tij. Kupka ka shërbyer edhe në Luftën e Parë Botërore, megjithatë në moshë të shtyrë dhe më pak i moshuar se bashkëluftëtarët e tij.

Siç shihet, piktori ka qenë i dashuruar pas ngjyrave dhe koloritit. Një pjesë e mirë e punëve të tij janë edhe në Muzeun Guggenheim në Venedik. / KultPlus.com

Këto janë gratë e guximshme të botës, në mesin e tyre edhe Feride Rushiti

Feride Rushiti është në mesin e grave që Shteti Amerikan i nderon këtë vit me Çmimin “Gratë e Guximshme”.

Kjo fotografi e tregon Feriden bashkë me fitueset tjera për këtë vit, të këtij çmimi në të cilin nominohen gra të suksesshme nga çdo cep i botës, dhe të cilat me guximin e insistimin e tyre kanë ndryshuar jetë njerëzish dhe mentalitet e mendësi në ambientin ku punojnë.

Feridja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës. Një doktoreshë, ajo në vitin 1999 gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë ndihmoi në shërimin e civilëve të lënduar.

Feride Rushiti ka luajtur dhe luan edhe sot një rol të rëndësishëm në kuadrin ligjor të Kosovës për të mbrojtur dhe rehabilituar të burgosurit, duke avokuar suksesshëm edhe në monitorimin e pavarur të objekteve të paraburgimit.

Mbi të gjitha, angazhimi i saj kryesor ka qenë dhe mbetet ai me gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, një kauzë në të cilën Feride Rushiti ka dhënë maksimumin e angazhimit të saj në këto dy dekada.
Pos saj, janë edhe gra të tjera që marrin këtë çmim këtë vit, shkruan KultPlus.

Elena Berini nga Italia, shembull, për disa vite ka përjetuar tmerrin në Afrikë ku edhe ka ndihmuar në kohën e regjimit të viteve 70-të.

Roya Sadat nga Afganistani është një grua e fortë e cila me anë të dokumentarëve dhe filmave ka dokumentuar padrejtësitë dhe mizoritë nëpër të cilat kalon një grua afgane. Godelieve Mukasarasi nga Ruanda është një grua që luan rol të madh në procesin e paqes në Ruandë, një vend ku pati luftë dhe dhunime të tmerrshme të grave të pafajshme.

Të gjitha gratë do të dalin në ceremoni me datë 23 mars, ku do të jetë e pranishme edhe Melania Trump – Zonja e parë e Amerikës. / KultPlus.com

Kadare foli shqip kur e pranoi çmimin ‘Princi i Asturias’ në Spanjë (VIDEO)

“Komunizmi do ta torturonte atë që do të thoshte se Kadare një ditë do të merrte çmim në Spanjë”

Në vitin 2009, Ismail Kadare do të nderohej me një çmim që do ta lartësonte emrin e tij në mesin e shkrimtarëve dhe botës.

Princess of Asturias i ndahet çdo vit personaliteteve të ndryshme nga mbarë bota.

Çmimi i cili u formua në vitin 1980 nga Felipe – Princi i Asturias në Spanjë, në vitin 2009 i shkoi Ismail Kadaresë, derisa në shëndetësi i shkoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

https://www.youtube.com/watch?v=Q2R6I7b2O4k&t=147s

Pas disa çmimeve si Prix Mondial Cino Del Duca dhe Herderz Prize, Kadare e pranoi në Spanjë edhe këtë çmim.

Në fjalimin e tij në gjuhën shqipe, Kadare foli për Don Kishotin, për rëndësinë e gjuhës, botën e letërsisë dhe arteve dhe komunizmin në Shqipëri. / KultPlus.com

Kitaristi Petrit Çeku sonte me koncert në Zagreb të Kroacisë

Sonte, në Institutin Kroat të Muzikës në Zagreb do të performojë Petrit Çeku.

Kitaristi Çeku sonte do të mahnitë publikun e interesuar, me fillim prej orës 20:00, mes tjerash në repertorin e tij edhe me “Suite for Cello” të Bahut.

Petrit Çeku i ka të shpeshta paraqitjet e tij muzikore në Kroaci, por edhe në shtete tjera.

Çeku ka lindur në vitin 1985 në Prizren ndërsa njihet si një ndër kitaristët më të mirë të gjeneratës së tij në Evropë, i shpërblyer me disa çmime.

Këtu mund ta lexoni një intervistë të Petritit dhënë për KultPlus para disa muajve, në numrin festiv të Vitit të Ri, ku flet më shumë për veten dhe për karrierën e tij e cila po ndërtohet e mirë dhe stabile në mesin e muzikës së bukur evropiane. / KultPlus.com

Një bashkëpunim mes Dua Lipës dhe Calvin Harris

Mediat e huaja sot kanë shkruar për një bashkëpunim të mundshëm mes këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe DJ-it të njohur Calvin Harris.

Dyshime për një bashkëpunim mes Dua Lipës dhe Calvin Harris ka nxitur një status i publikuar nga DJ Calvin Harris në Twitter dhe afërsia mes këtyre dyve në ndejën e Brit Awards, që u mbajt para një muaji në Londër.

“Calvin Harris & Dua Lipa, One Kiss”, po cilësohet si një bar kod e që mediat e huaja e kanë konsideruar si sinjal të një bashkëpunimi mes këtyre dy artistëve, shkruan KultPlus.
Harris e ka përditësuar profilin e tij në Twitter me një kod i cili më pas është deshifruar si një këngë e re mes atij dhe këngëtares së “IDGAF” e “New Rules”.

Ylli botëror Dua Lipa momentalisht është duke realizuar një serë koncertesh në Australi, ndërsa ka korrur mjaft sukses edhe me këngën e saj më të re të titulluar “IDGAF”, me të cilën u paraqit në emisionin e famshëm Jimmy Kimmel Live./ KultPlus.com

Kompanitë nga Amerika kanë interesim të investojnë në Grand Hotel

Dikur ishte “pasqyra e Kosovës”. Tani hoteli me pesë yje në “zemër” të Prishtinës, “Hotel Grand” rrallë akomodon mysafirë. Gjithçka duket shkretë.

Së paku edhe për një kohë, siç paralajmëron edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka dhënë një lajm interesant për fatin e kësaj godine thuajse fantazmë.

Në vend të Hotelit Grand mund të ndërtohen Kullat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, “Trump Towers”, shkruan Infokusi.com.

Kështu kishte sugjeruar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën amerikane “New York Times”.

“Ndoshta ne mund të ndërtojmë një Kullë Trump atje,” kishte sugjeruar Thaçi.

E pretendimet e kreut të vendit, nuk i mohojnë as në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Lorik Pustina ka thënë për Infokusin se ka interesim nga kompanitë amerikane për të investuar në këtë projekt. Por, nuk kanë dashur të japin detaje se a është edhe kompania e Trump, në mesin e të interesuarave.

“Sa i përket çështjes së Hotelit Grand, unë mund të ju them se ka kompani të interesuara nga ShBA-të për të aplikuar si investues strategjik në këtë projekt, por duke mos dashur që të prejudikojmë rezultatin e procesit, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje”, ka thënë Pustina për Infokusin.

Në garë me shtetin e Kosovës për këtë hotel, është edhe zëvendës kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Kompania e tij, “MabCo Contructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, në arbitrazh ndërkombëtarë, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë nga e cila kërkon njohjen e investimit prej mbi 5.1 milionë euro në këtë hotel.

“Grand Hotel Prishtina” është ende në pritje të investitorëve qoftë të huaj e qoftë vendor, por që do t’ia kthenin namin që kishte në fillet e tij. / KultPlus.com

Nga 43 këngët në Eurovizion, tanimë ekziston një favorite për të fituar (VIDEO)

Tanimë dihen të gjitha 43 këngët që do të ngjiten në muajin maj në skenën e Eurovizionit.

Eurovizioni është festival që përcillet nga miliona shikues në mbarë botën.

43 këngë sivjet sjellin 43 shtete në Portugali, shteti që fitoi vitin e kaluar Eurovizionin dhe këtë vit do të jetë nikoqir i dy gjysmëfinaleve dhe finales.

Si e do zakoni, këngët më të mira marrin menjëherë vëmendjen e publikut.

Kësisoj ka ndodhur edhe me këngën nga Izraeli. Kënga “Toy” menjëherë ka depërtuar në toplistat e vendeve të ndryshme evropiane dhe qysh tash shihet si një prej favoriteve, shkruan KultPlus.

Netta është këngëtarja nga Izraeli, shumë e re në moshë, e cila ka mahnitur me suksesin e saj viteve të fundit. Kënga e saj “Toy” po dëgjohet tanimë në Spanjë, në Poloni, Norvegji e në Holandë, ku ka arritur të futet në toplistat kryesore.

Pos kësaj kënge, Eleni Foureira për Qipron duket se e ka nisur këtë periudhë me këmbë të mbarë. Kënga “Fuego” pos që ka pushtuar Qipron e Greqinë, po dëgjohet dhe është klasifikuar mirë edhe në Spanjë. Deri tani duket sikur këto dy këngë janë goxha favorite për të dalë mirë në këtë festival. Izraeli, në fakt, edhe mund ta fitojë në tërësi festivalin me një këngë të kapshme dhe të veçantë si ajo e Netta.

Eurovizioni do të mbahet me 8, 10 dhe 12 maj në Portugali. Filomena Cautela, Sílvia Alberto, Daniela Ruah dhe Catarina Furtado janë moderatoret e këtij spektakli në këto tri net muzikore. / KultPlus.com

Dafina Zeqiri sjellë projektin e ri në bashkëpunim me këngëtarin e famshëm (VIDEO)

Është një nga këngëtaret më të dashura dhe të pëlqyera, por aktualisht është zhvendosur në SHBA ku po përgatitet për të sjellë projekte të reja muzikore.

Bëhet fjalë për Dafina Zeqirin, e cila pasi u shfaq në videoklipin e French Montana, tashmë ka nisur bashkëpunimin me vokalistin e grupit ‘Magic’, Nasri.

Këngëtarja ka publikuar në rrjetin social Instagram edhe një pjesë të projektit të saj më të ri, në bashkëpunim me Nasrin.


Grupi ‘Magic’, me këngën e tyre ‘Rude’ arritën një sukses të jashtëzakonshëm, duke marë kështu më shumë se 1 miliard klikime YouTube./ KultPlus.com

@dafina.zeqiri #KING #SPOTIFY #ITUNES dafinamusicshop.com 🎬 @derek_dreamfilms

A post shared by rick steel (@ricksteel) on

Berna Saraçi prezanton koleksionin “0000” në Fashion Weekend në Shkup

Gili Hoxhaj
Fashion Weekend Skopje është një ngjarje e rëndësishme e modës që organizohet në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup. Krahas disa disenjatorëve atje, me sfilatë do të prezantohet edhe kreatorja nga Kosova – Berna Saraçi.

Veshjet e Berna Saraçit do të prezantohen në eventin e modës “Fashion Weekend Skopje”, në fund të këtij muaji ndërsa punimet e saj janë pjesë e koleksionit të sezonit pranverë/verë, të cilin ajo e ka emërtuar me emrin “0000”.

Berna Saraçi, e cila njihet për stilin e veshjet e veçanta dhe gjithmonë goditëse në inspirimin që e përthekon kreativitetin e saj, tregoi për KultPlus se pjesëmarrja në Fashion Weekend Skopje është rezultat i ftesës nga organizatorët e kësaj ngjarje. Çfarë e ka shtyrë kreatoren që ta konfirmojë pjesëmarrjen atje, është mënyra e organizimit të kësaj ngjarje e që Saraçi e cilëson edhe si një organizim të rëndësishëm për promovimin e vetes dhe me një nivel të duhur të profesionalizmit.
“Gjate bisedave me organizatoren e Fashion Weekend Skopje u informova më shumë rreth organizimit e detajeve të ndryshme të cilat me lanë përshtypje për profesionalizëm. Duke e parë edhe si platformë të përshtatshme për të promovuar veten, vendosa të marr pjesë. Organizimet si sfilata, ekspozita e te ngjashme, janë shumë të rëndësishme për të gjithë personat qe merren me art. Secila përvojë na rrit artistikisht, andaj pres që edhe pjesëmarrja në FWS të më ngritë profesionalisht”, tregoi kreatorja e re në moshë por shumë e talentuar, Berna Saraçi.

Koleksioni i saj i titulluar “0000” , që do të paraqitet para publikut të atjeshëm, për inspirim ka detaje të vogla të jetës së përditshme.
“Inspirim i këtij koleksioni kanë qenë detajet e vogla të jetës së përditshme. Do te ketë veshje nga më të ndryshmet, të stilit më modern, me prerje të pastra dhe paletë të ngjyrave pastel dhe të zezës” tregon Berna.
Berna rrëfen për KultPlus se do të vazhdojë punën e saj në krijimin e koleksioneve të reja, duke kërkuar gjithnjë e më shumë nga vetja.

Fashion Weekend Skopje fillon më datë 30 mars dhe përfundon me 1 prill. Koleksioni i Berna Saraçit do të prezantohet më 31 mars duke filluar nga ora 20:00, në objektin e librarisë universitare “St. Kliment Ohridski”, në qytetin e Shkupit. / KultPlus.com

Dy duar, tre fëmijë

Poezi e shkruar nga Agim Deva.

Nënëz, ma jep dorën!
Ma jep edhe mua!
Nënëz, ma jep dorën,
Se edhe unë të dua!

Tre fëmijë ka nëna
Të gjithë njësoj i do,
Secili prej tyre
Dorën i kërkon.

Tre fëmijë ka nëna,
Por ka veç dy duar
Kujt t`ia japë më parë
Dorën e praruar?

Njërën ia dha Buqes
Tjetrën të voglit Xim,
E Luani ç’bëri?
Iu hodh në përqafim!

Tre fëmijë ka nëna
Del me ta të shëtisë
E prej parkut t`vogël
Kthehet drejt shtëpisë.

Libri për aktorin e madh Aleksandër Moisiu promovohet edhe në Kosovë

Qendra Multimedia ka njoftuar se në muajin prill do të bëhet promovimi i librit biografik në gjuhën shqipe, të shkrimtarit të madh shqiptar “Aleksandër Moisiu. Trieshtë – Berlin – Nju Jork. Një legjendë aktrimi”, nga autori gjerman Rüdiger Schaper, shkruan KultPlus.

Aktori shqiptar i cili karrierën e tij e filloi në Austri, e zhvilloi në Berlin e në tërë botën, ndërsa e përfundoi ne Itali, Aleksandër Moisiu, mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Moisiu, i cili vdiq në viti 1935 në Vjenë, ishte një ndër aktorët që përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne.
Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Traduki dhe u botua në nëntor të vitit të kaluar.

Autori i librit, Rüdiger Schaper u lind në vitin 1959 në Worms (Rheinland-Pfalz). Autori gjerman, gazetar dhe kritik teatri, jeton dhe punon në Berlin dhe, që nga viti 1999, punon për gazetën „Tagesspiegel“, ku drejton rubrikën e fejtonit. Libri u përkthye nga Feride Xh. Berisha si dhe është promvuar në Berlin në fillim të muajit mars, dhe tani do të promovohet në Prishtinë dhe në Pejë.

Në Prishtinë me 6 prill 2018, në Skenën e Vogël të Vogël të Teatrit Kombëtar, në orën 11:00. Kurse në Pejë me 7 prill 2018, në Bibliotekën e qytetit “Azem Shkreli”, në orën 11:00./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës bashkë me Swisscontact do të themelojë dy muze për Artin Bashkëkohor

Kryetari Shpend Ahmeti nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi për zhvillimin e sektorit të turizmit në rajonin e Prishtinës. Kjo marrëveshje mirëkuptimi u nënshkrua me projektin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që implementohet nga Swisscontact.

Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë për Kulturë e Sport ka për synim zhvillimin e turizmit krahas investimeve në infrastrukturën kulturore në qytet dhe ruajtjen e trashëgimisë. Prandaj, do të investohet në restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe do të themelohen dy muze për promovimin e artit bashkëkohorë të Kosovës.

Përmes këtij projekti, Swisscontact do të bashkëpunojë me Komunën e Prishtinës në zhvillimin e strategjisë për turizëm, gjetjen e modeleve të menaxhimit efikas të monumenteve, trajnimin e guidave dhe zhvillimin e produkteve turistike duke kontribuar kështu në rritjen e të hyrave dhe të punësimit./ KultPlus.com

Sot skadon afati për dekretimin e Ligjit për Gjuhët

Sot skadon afati tetë ditor që presidenti i shtetit, George Ivanov, ka në dispozicion për të firmosur dekretin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ligji mund të publikohet në Gazetën Zyrtare edhe pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

Derisa nga Gazeta Zyrtare shprehen se nga Kuvendi ende nuk kanë pranuar kërkesë për publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa nga ana tjetër shërbimet e Kuvendit nuk shpalosin se kur planifikojnë të dërgojnë kërkesën për publikimin e Ligjit në Gazetën Zyrtare.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja edhe njëherë rithekson se ligji është antikushtetues dhe paralajmëron padi penale për kreun e Kuvendit Talat Xhaferi. Nga kjo parti theksojnë se Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shpallet në Gazetën Zyrtare pa firmën e presidentit të shtetit Gjorge Ivanov.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota për më 14 mars në lexim të tretë nga Kuvendi i Maqedonisë./ KultPlus.com

Çyçavica shpallet interes nacional

Kryetarët e Skenderajt, Drenasit, Vushtrrisë e Obiliqit janë pajtuar që zona e Çyçavicës të shpallet zonë me interes nacional, shkruan KultPlus.

Kryetarët Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Xhafer Tahiri dhe Xhafer Gashi, në takimin e sotëm, u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të katër komunave, të lidhura me kufijtë ndërkomunal, por edhe me bjeshkët e Çyçavicës, të njohur gjatë historisë.

Në këtë takim kryetarët u dakorduan që zona rrëzë Çyçavicës të shpallet si vend me interes të përgjithshëm, në mënyrë që në të ardhmen të shërbejë si urë lidhëse mes këtyre komunave.

“Rruga në Çyçavicë shtrihet në një hapësirë prej 18 kilometra dhe me shpalljen e saj në interes të përgjithshëm nacional, do të krijohej një zonë turistike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Bashkëpunimi ndërkomunal sipas kryetarëve konsiston në lëmin e infrastrukturës, shërbimeve publike, arsimit, kulturës, sportit dhe ekonomisë, por edhe turizmit, terreneve rekreative dhe biznesore. Rëndësi në këtë bashkëpunim do të ketë edhe ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara.

“Drejtoritë përkatëse, inspektorat si dhe organet tjera komunale, do të këmbejnë përvojat e veta si dhe do të parashtrojnë aktivitetet si dhe strategjitë, ashtu që ky bashkëpunim të sjellë dobi për qytetarët dhe katër komunat me këtë nismë të re të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e komunës./ KultPlus.com

Tri “Gratë e Guximshme” të Kosovës

Valdete Idrizi, Arbana Xharra dhe tashmë edhe Feride Rushiti janë tri gra të fuqishme nga Kosova që kanë marrë çmimin prestigjioz ndërkombëtar për “Gra të Guximshme” i cili ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan KultPlus.

Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, Feride Rushiti, do t’i ndahet Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme, të premten më 23 mars. Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi.

Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, ish kryeredaktore e gazetës “Zëri” në Prishtinë për “Raportimet e saj mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri”.

Në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi, veprimtare nga Kosova, për projektet që drejtonte në Mitrovicë, me synim për të nxitur ripajtimin dhe paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike.

Këtë vit së bashku me Feride Rushitin do të nderohen edhe Roya Sadat nga Afganistani, Aura Elena Farfan nga Guatemala, Julissa Villanueva nga Hondurasi, Aliyah Khalaf Saleh nga Iraku, Maria Elena Berini nga Italia. Aiman Umarova nga Kazakistani, L’Malouma Said nga Mauritania, Godelive Mukasarasi nga Ruanda dhe Sirikan Charoensiri nga Tailanda.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit për Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thuhet se “Për gati dy dekada të punës së saj, ajo ka siguruar qasje në shëndetësi dhe drejtësi për të mbijetuarit civil të luftës. Ajo ishte ndër doktorët e parë që njohu nevojën për trajtimin e traumave psikologjike për refugjatët që ikën nga dhuna, posaçërisht të grave dhe grupeve të pakicave. Angazhimi i saj ka çuar në disa fitore ligjore”.

Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave./ KultPlus.com

Poezia e parë në gjuhën shqipe

Shkruan Dorian Koçi.

Tradita e shkrimit të shqipes tek arbëreshët, që është e dokumentuar të paktën nga vepra e Lek Matrëngës “E mbsuame e krishterë” 1592, libër që ka 28 faqe, i shkruar në dialektin tosk dhe që përfshin brenda tij poezinë e parë të dokumentuar shqipe.

Ky fakt dëshmon se tradita e të shkruarit të shqipes në Shqipërinë e Jugut ishte po aq e konsoliduar sa dhe në Veri. “E mbsuame e krishterë”, “Doktrinën e Krishterë”, përmban doktrinën e krishterë, shkruar në dialektin toskë nga papas Lukë Matrëngës.

Siç pohon titulli “E mbsuame e krështer”’, është, pra, “Doktrinë e Krishterë” në gjuhën shqipe dhe është një Katekizëm prej njëzetetetë faqesh, përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht.

Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet për t’ marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t’u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Sicili e në Pulje të Italisë.

Gjithëve thëres,kush do ndëlesë,
të mirë të krështë,burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla.

(1592)

Dedikimi

Poezi nga nga Izet Sarajliç.
Përkthyer nga Faslli Haliti.

Unë të dedikoj sytë e mi, buzët e mia, dhëmbët e mi.
Poezitë? Ç’të bësh me poezitë e mia të shkruara, sepse s’dija të heshtja?
Ç’ të bësh me poezitë e mia që nuk mund të të duan?
Sa bukur është që ne s’jemi as zogj as adhurues në muzg
dhe s’kemi flatra, por krahë.
Gjëja e fundit që na pret nuk mund të jetë vdekja jonë,
sepse dëshirat e gjakut tonë diku duhet të vazhdojnë.
Ti je një grua e vogël,
Një e vogël grua je, ti
dhe një gusht i pavdekshëm të ka sjellë në baladat e mia.
Rri me dashurinë time të dua të mbijetosh me gjithçka timen
Rëniet e pikëllueshme, me të gjitha transformimet e mia.
Rri afër syve të mi.
Do të mbijetojmë ne vetë,
jo vetëm në tumën e varreve tona,
sepse ne kemi ditur, e kemi ditur, të butë dhe krenar,
duke u larguar nga thikat dhe granatat duke vrarë engjëjt brenda vetes,
kemi vazhduar të mbetemi engjëj.
Pasardhës, na kërkoni ndonjëherë duke ndjekur një fije të kuqe,
vetëm trupat tanë do të shtrihen nën tokën e heshtur,
por shkelni ngadalë,
që të mos plagosni buzët tona,
dhe të mos shtypni vështrimet tona të vdekura./ KulPlus.com
1955

Zonja e Parë e Amerikës Melania Trump do ti ndajë Feride Rushitit “Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme”

Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, Feride Rushitit, do t’i ndahet Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme,shkruan KultPlus.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), përmes kësaj komunikate ju njofton se Drejtoresha e kësaj qendre Feride Rushiti po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të kësaj vizite, të premten me 23 mars 2018, zëvendëssekretari i shtetit John J. Sullivan dhe zonja e parë e SHBA-ve Melania Trump, do t’i ndajnë Rushitit çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshe. Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Me këtë çmim do të nderohen dhjetë gra nga mbarë bota.

Pas pranimit të çmimit në Washington DC. Rushiti do të ndjekë Programin Ndërkombëtar për Lidership, në kuadër të të cilit do të vizitojë shtete të ndryshme në SHBA dhe do të ketë takime me organizata dhe biznese të ndryshme, me qëllim bashkëpunimi në zhvillimin e strategjive dhe ideve për fuqizimin e grave në SHBA dhe jashtë saj./KultPlus.com

Florent Abrashi sonte në Rockuzinë

Sonte në Rockuzinë do të performojë këngëtari i njohur i rock skenës kosovare, Florent Abrashi.

Abrashi, një emër jo pak i njohur në lokalet e natës kudo në Kosovë, tash e disa vite bën muzikë live dhe karakterizohet me zërin e tij prej një rokeri me një të ardhme të ndritur. Ai ka qenë pjesëmarrës dhe fitues në The Voice of Albania 2014.

Së fundmi, Abrashi ka prezantuar për publikun projektin e tij më të ri muzikor, këngën dhe klipin “Kush niset me bo sevda”. Kënga është një ripërpunim i këngës së vjetër qytetare.

Florenti dhe bendi i tij Funky Guru kanë një repertoar të gjerë të këngëve rock, dhe janë mjaft aktiv me projekte të reja në muzikë, përpos angazhimeve të shpeshta me performanca live.

Florent Abrashi dhe grupi i tij Funky Guru do të performojnë sonte live në Rockuzinë duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com

Kënga për të dashurën në pranverën e ftohtë

Poezi nga Hermann Hesse.

Në paradhomën e ftohtë ora troket,
Shkon tetë, nëntë, dhjetë.
S’i numëroj, po rri përgjoj
Sa ngadalë koha rrëshqet.

Dhe shkojnë si erë me bor’ e stuhi,
Si trumbë zogjsh në fluturim
Po se si shkojnë, s’dua ta di.
S’më dhimben gjë, s’më hynë në sy,
Se janë orë që shkojnë pa ty.

Tubim Përkujtimor dhe shfaqje të dokumentarit, kushtuar koreografit shqiptar Agron Bajrami në Prishtinë

Nesër në ambientet e Kinemasë ABC në Prishtinë, mbahet Tubimin Përkujtimor për koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit SHOTA në Zvicër, Agron Bajramin, i cili u nda nga jeta me 12 mars 2018 në moshën 54 vjeçare.

Ai ishte edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte piktor në teknikën pirografi dhe punoi si kameraman e montazhier në një televizion zviceran.

Në këtë Tubim Përkujtimor, do të përkujtohet puna, veprimtaria dhe kontributi i Agron Bajramit për kulturën shqiptare me Shkollën Shqipe të Vallëzimit SHOTA, të cilën ai e themeloi në vitin 1993.

Me këtë rast do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar Agron Bajramit me titull “Të mësohemi të ecim shqip” realizuar nga Llesh Nikolla.

Tubimi Përkujtimor mbahet më 23 mars në Kinemanë ABC-Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00.

Tubimin Përkujtimor e organizon Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota» nga Zvicra në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturo-Artistike «Bajram Curri» nga Prishtina./ KultPlus.com

Në 83 vjetorin e vdekjes, për herë të parë publikohet fotografia me sargun dhe trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut (FOTO)

Sot janë mbushur plotë 83 vite nga vdekja e aktorit të madh Aleksandër Moisiu . Aleksandër Moisiu, i lindur në Shqipëri por që ishte larguar nga aty kur ishte 19-të vjeçar, arriti suksese në fushën e aktrimit në Vjenë, ku u angazhua në shumë role në teatër.

Sot pas 83 vitesh nga vdekja e tij, është publikuar një fotografi ku shihet sargu me trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut para se të digjej në krematorin e Vjenës më 23 Mars 1935, shkruan KultPlus.

Kjo fotografi e marrë nga arkivi i Vjenës, është publikuar nga studiuesi i Aleksandër Moisiut, Pjetër Logoreci i cili pas pak ditësh në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, do të hapë ekspozitën me fotografi dhe dokumente të papara më herët të Aleksandër Moisiut.

Ndërkohë, që ka publikuar fotografinë me sargun dhe trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut dhe që po afron dita e hapjes së ekspozitës së tij për këtë aktor të madh shqiptar, Pjetër Logoreci ka bërë thirrje që edhe shteti shqiptarë të ndërtoi shumë shpejt Muzeun Aleksandër Moisiu.

“HOMAZH. .. sot 83 vjet ma parë, në Vjenë, vdiq aktori Aleksandër Moisi. Ky është sargu me trupin e tij, para se të digjej në krematorin e Vjenës, me 23 Mars 1935… …Pushoftë në paqë…Nderim emrit dhe veprës tij… Shpresoj që shteti shqiptar të ndertojë Muzeun Aleksandër Moisiu! Foto nga arkivi i Vjenës”, ky është shkrimi nga Pjetër Logoreci, në 83 vjetorin e vdekjes së aktorit të madh./ KultPlus.com