Këto janë aktivitetet për ditën e tretë të Panairit të Librit

Në ditën e dytë të Panairit të 20-të të librit në Prishtinë do të ketë disa aktivitete.Më poshtë i gjeni ato:

Në orën 11:00
Në sallën e promovimeve: Prezentimi dhe firmosja e librit me poezi
‘Harrimi i dashurisë’ nga autori Besnik Mustafaj, botuar nga ‘Buzuku’

Në orën 11:30
Në sallën e promovimeve: Promovimi i romanit
‘Dështimi në jetë’ nga Elhame Gjyrevci, botuar nga ‘ProkultPress’

Në orën 12:15
Në sallën e promovimeve: Promovimi i librit:
‘Ilirët dhe Iliria’ nga autori Isak Shema, botuar nga Iliria

Në orën 13:00
Në sallën e promovimeve: Promovimi i librit me poezi:
‘Vjedhnajë ëndërrimi’ nga Valentina Saraçini, botuar nga ‘Buzuku’

Në orën 14:00
Në sallën e promovimeve: Promovimi i librit: ‘Palestina’ nga Instituti për Hulumtime Strategjike Ballkanike

Në orën 16:00
Në sallën e promovimeve: Promovimi i dy librave:
‘Gjuha angleze I dhe II’ nga Jehona Xhaferri, botuar nga ‘Magjia e librit’

Në orën 17:00
Në stendën e botimeve ‘Pema’, korridor: Prezantimi dhe firmosja e librit: ‘Kthimi’ nga Albatros Rexhaj.

Në orën 17:00
Në Aleancën Franceze të Prishtinës/ AllianceFrançaise de Pristina, te Qafa, rr. LahNimani, nr. 15:
Takim me shkrimtarin (e ftuar të nderit të Panairit) François-Henri Désérable (Në panair do të nënshkruajë më 8 qershor, në orën 12.30 në stendën e Buzukut)

Në orën 18:00
Në sallën e promovimeve: Promovimi i librit ‘Në kërkim të gjyshit’ nga Urta Reçica,
botuar nga ‘Magjia e librit’./ KultPlus.com

Trejsi Sejdini zgjedhet “Miss Universe Albania 2018”

Shqipëria ka zgjedhur përfaqësuesen e saj në “Miss Universe 2018”. Trejsi Sejdini është bukuroshja shqiptare që u kurorëzua mbrëmë në Pallatin e Kongreseve.

Pretendente për kurorën e Miss Universe Albana ishin 20 vajza, qe Vizion Plus ua ka prezantuar në një maratonë transmetimesh, por vetëm Trejsi Sejdini arriti të kalonte të gjitha fazat e përzgjedhjeve.

Skena e Pallatit të Kongreseve u ndez edhe nga muzika e Aurela Gaces e DJ-it shqiptar Klajdi që shoqëroi bukuroshet në sfilitatat e tyre./ KultPlus.com

Vjen edicioni i 14-të i Bunarfest

Festivali tradicional i cili organizohet çdo vit në qytetin e Prizrenit dhe shquhet me garën atraktive të lëshimit me goma në lum, Bunarfest, sivjet do ta organizojë edicionin e 14-të në datat 16-17 qershor.

Organizatorët e festivalit tashmë e kanë bërë publike edhe agjendën e plotë të këtij edicioni.

Festivali do të fillojë me aktivitetin mjedisor të pastrimit të lumit Lumbardhi të shtunën më 16 qershor nga ora 10:00, në bashkëpunim me vullnetarë dhe organizata të tjera të vendit.

Ndërsa në mbrëmjen e 16 qershorit, nga ora 22:00 do të bëhet hapja solemne e këtij edicioni me koncertin muzikor në terrenin e basketbollit në Marash të Prizrenit, ku do të performojnë yjet e muzikës Hip-hop siç janë BimBimma, Ergen dhe Elinel, derisa do të jenë të shoqëruar edhe nga DJ-ët, Dandara dhe Lilac.

Aktiviteti kryesor, lëshimi me goma në lum do të organizohet të dielën më 17 qershor nga ora 15:00, ndërsa më pas do të ketë edhe performancë muzikore në hapësirën e Kejit (Përballë xhamisë së Sinan Pashës) nga DJ Gamblemania dhe “mjeshtri i mikrofonit” – XhurimDema.

Bunarfest tashmë e ka hapur edhe aplikimin për garues dhe thirrjen për vullnetarë.

Të interesuarit që dëshirojnë ta provojnë kënaqësinë e lëshimit me goma në lum, duhet të aplikojnë online nëpërmjet linkut: http://40bunarfest.org/aplikacion-per-pjesmarje/, derisa ata që dëshirojnë të jenë vullnetarë në këtë edicion të festivalit mund të aplikojnë nëpërmjet këtij linku: http://40bunarfest.org/thirje-per-vullnetare/./ KultPlus.com

Kosova e Shqipëria me koleksionet e veprave të artit në “Join the Dots”

Vitin e kaluar artistë të ndryshëm kosovarë kishin dhuruar vepra të ndryshme të tyre në koleksionin e njohur “Imago Mundi” në Itali. Pas ekspozimit të tyre në Sarajevë, ato tani janë bërë pjesë e ekspozitës “Join the Dots”, e cila po zë vend në Trieste.

Ky koleksion i pasur me 143 punime i artistëve kosovarë shpalos në njëfarë forme historinë e artit në vend. Veprat janë të realizuara gjatë një shekulli. Në mesin e tyre ka piktura, fotografi e instilacione. Disa prej artistëve më reprezentativë të Kosovës si: Nysret Salihamixhiqi, Alije Vokshi, Rexhep Ferri, Musa Kalaveshi, Eshref Qahili, Isa Alimusaj, Ismet Jonuzi, Adem Rusinovci e të tjerë, janë pjesë e këtij koleksioni që quhet “Small is Beautiful: contemporary artists from Kosovo” (E vogla është e bukur: artistët bashkëkohorë nga Kosova).

Në koleksion janë edhe fotografi të Hazir Rekës, Jetmir Idrizit e Majlinda Hoxhës, sikurse edhe ato në teknika të ndryshme të trendëve të fundit, të artistëve të gjeneratës së re, si: Rudina Xhaferi, Dardan Zhegrova e artistit të njohur si Tadi.

Ato vepra i janë bashkuar edhe 39 koleksioneve të tjera të artistëve nga shtete të ndryshme, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Era Istrefi, zëri shqiptar që do të dëgjohet sivjet në Botëror këtë sukses ia dedikon dikujt

Sot është paralajmëruar që të dalë videoklipi i Himnit të Botërorit 2018-të, i kënduar nga Era Istrefi, Ëill Smith dhe Nicky Jam, shkruan KultPlus.

Kësisoj, pak para se të dalë videoklipi, Era Istrefi, përmes një publikimi në rrjetin social Instagram, ka treguar se kujt ia dedikon këtë sukses.

Ajo ka shkruar se: “Besimi jot në mua dhe dashuria jote më kanë mbajt gjallë gjithë jetën. Kujtimi më i bukur i jetës sime, Babi. Këtë sukses ta dedikoj ty. 7.06.2018”, ka shkruar Era Istrefi./ KultPlus.com

Kur Churchilli pikturonte me pseudonim (FOTO)

Akademia Mbretërore e Britanisë së Madhe në verë do të ekspozojë dy piktura të Winston Churchillit të nënshkruara me pseudonimin David Winter.

Këto piktura më 1947 ishin dorëzuar për Ekspozitën Verore dhe në fakt ato ishin pëlqyer nga komiteti përzgjedhës. Presidenti i Akademisë, Alfred Munnings, pas vendimit të tyre ka thënë: “Mirë keni bërë që i ekspozoni, se janë të Churchillit”. Pasi u shfaqën, Churchill e ekspozoi veten si piktor dhe veprat i nënshkruante me emrin e tij.

Pikturat “Rrezet e Diellit në Dimër” dhe “Lumi Lup” nuk ishin për shitje. Më 1955, pas largimit nga posti i kryeministrit, ato i janë dhuruar Galerisë Tate.

Në organizimin e Akademisë të quajtur “Spektakli i madh: 250 vite të Ekspozitës Verore”, që hapet më 12 korrik, të pranishme do të jenë edhe këto piktura, transmeton Telegrafi.
Gjatë jetës së tij, Churchill cilësohej si piktor amator, por kritiku David Cooms nuk pajtohet me këtë. Ndonëse nuk kishte shkollim të duhur, ai megjithatë ka mësuar nga më të mirët, siç ishin miqtë e tij John Lavery, W R Sickert dhe William Nicholson – të gjithë këta emra të njohur në botën e artit.

Madje, që më 1921 pikturat e tij shfaqen në Paris, me pseudonimin Charles Morin. Ndërsa, ishte komplimentuar nga esteti dhe historiani më i madh i artit, Ernst Gombrich.

“Dikush fillon të shohë, për shembull, që pikturimi është si luftimi i një beteje; dhe përpjekja për të pikturuar, mendoj se është si përpjeka për të luftuar… Nuk ka gjë më emocionuese se të luftosh me sukses. Parimi është i njëjtë. Është problemi i njëjtë si shpalosja e një argumenti të gjatë dhe të ndërlidhur. Është një propozim i cili, qoftë i pjesëve të pakta ose të panumërta, urdhërohet nga një unitet i vetëm i konceptimit”., ka thënë Churchill. Ndërsa, Cooms për të thotë: “Ky unitet është diçka që Winston Churchill e ka kuptuar dhe zotëruar”/KultPlus.com

Nuk je kurrkund

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Kjo ditë e nxehtë, e gjatë,
Mbuloi me pluhur rrugën gjer në fund.
Vështroj në zheg në pluhurin e thatë,
Po ti nuk je kurrkund.

Dhe me gishtrinj mbuloj fytyrën time,
Pastaj këmishën e rënduar shkund.
Nga pluhuri përdhe rrëzohen thërrime,
Po ti nuk je kurrkund.

Jam gati të kërkoj çdo kokërr pluhuri,
Dhe në kërkim si arkeolog të humb.
Veç të të gjej, e humbura qëkuri,
Po ti nuk je kurrkund.

Mbërrin charter tjetër në Rinas, turistë suedezë zbresin në tokën shqiptare (FOTO)

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka mbërritur disa minuta më parë një tjetër charter, kësaj radhe me turistë suedezë.

Lajmi u bë i ditur nga Krislen Keri, Drejtor Ekzekutiv pranë Autoritetit të Aviacionit Civil. Turistët suedezë do të vizitojnë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Himarën, Sarandën etj.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka deklaruar se përgjatë këtij sezoni turistik do të mbërrijnë 300 chartera me turistë që do të vizitojnë Shqiperinë./ ata

Miratohen dy vendime të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit

Në mbështetje të Ligjit për Diasporën dhe me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën dy vendime me interes për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit; atë për “Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesëve të Këshillit Koordinues të Diasporës” dhe për ‘Kriteret dhe mënyrën e ndarjes së çmimit ‘Ambasador i Kombit” .

Vendimi i parë lidhet me ngritjen e Këshillit Koordinues, për përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve me diasporën. Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë, identifikon problemet e diasporës, i propozon Ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; etj. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri dhe ministrat kryesorë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me vlerësimin e pjesëtarëve më të suksesshëm të diasporës me çmimin “Ambasador i kombit”, si edhe përcaktimin e kritereve dhe mënyrën e ndarjes së këtij çmimi. Personave që do t’u akordohet çmimi duhet të kenë dhënë kontribut në fusha të tilla si; veprimtari humanitare; arsim, shkencë e teknologji, kulturë etj. Propozimet lidhur me përfaqësuesit e suksesshëm të cilëve do t’u jepet çmimi, do të bëhen nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të akredituar jashtë vendit./ KultPlus.com

Hoxha u ligjëron turqisht shqiptarëve në xhaminë e Prizrenit (VIDEO)

Hoxha nga Turqia, imam në xhaminë e Prizrenit: Ligjërimi në xhaminë “Sinan Pasha” bëhet në gjuhën turke nga një imam turk, raporton T7. ​

Është xhamia kryesore e qytetit. Ndodhet në qendër të kryeqytetit shpirtëror të shqiptarëve. Por brenda në këtë xhami në Prizren ligjëron një imam turk. Edhe pse xhemati janë në shumicë janë shqiptarë, aty ligjërohet vetëm në gjuhën turke.

Gjithçka në këtë institucion fetar që është rinovuar nga TIKA Turke frymon turqisht. Por imami i saj nuk ka dashur të flasë. Ligjërimi në këtë gjuhë po i shqetëson banorët prizrenas që ndodhë shpesh të jenë vizitorë të saj.

Në anën tjetër ka edhe të atillë që e përkrahin këtë lloj ligjërimi. Ata janë turqit. Megjithatë nuk janë të gjithë të këtij mendimi. Historiani Parim Kosova thotë se më këtë formë po mundohet të shtrembërohet historia. Më tej Kosova thotë se mund të gjendet një zgjidhje për imamin edhe brenda Prizrenit.

Kjo xhami e cila daton në Prizren që nga viti 1615, para shtatë viteve është rinovuar nga organizata “TIKA”.
Këshilli i bashkësisë islame të Prizrenit nuk ka pranuar të flas në lidhje me përzgjedhjen e imamit turk duke rekomanduar që përgjigje të jap BIK-u në Prishtinë. Por as ata nuk kanë folur.

Frontal merr vesh se BIK-u në Prizren ka qenë kundër që një hoxhë nga Turqia të angazhohet në Prizren por kjo ide ishte mbështetur nga selia qëndrore në Prishtinë. Udhëheqja dhe ligjërimi në turqisht në xhaminë “Sinan Pasha” po vënë në lajthitje edhe vizitorët e huaj.

Një kartolinë e vjetër nga Lezha (FOTO)

Kartolinat ndër vite kanë simbolizuar një mënyrë të veçantë të komunikimit. Ato rëndom kanë përbërë peizazhe të bukura dhe mbishkrime me kuptim, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjellë një kartolinë mjaft të veçanta nga qyteti i Lezhës, të postuar nga Micky Haxhiislami. Kartolina i takon vitit 1920 dhe në të shkruhet “Ktu gjindet rrasa shkrue me shkroia arit, ktu gjindet vorri i Skenderbeg shqyptarit”.

Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. / KultPlus.com

“Askush nuk mund të më lëndojë pa lejen time”

Më poshtë ju sjellim disa thënie epike të Mahatma Gandhit.

“Askush nuk mund të më lëndojë pa lejen time”.

“Urreje mëkatin, duaje mëkatarin”.

“Besimet e tua bëhen mendimet e tua,
Mendimet e tua bëhen fjalët e tua,
Fjalët e tua bëhen veprimet e tua,
Veprimet e tua bëhen shprehitë e tua,
Shprehitë e tua bëhen vlerat e tua,
Vlerat e tua bëhen fati yt”.

“E ardhmja varet nga ajo që e bënë sot”.

“Kurdo që konfrontoheni me një kundërshtar, mposhteni atë me dashuri”.

“Forca nuk vjen nga kapaciteti fizik. Ajo vjen nga një vullnet i pathyeshëm”.

“Qyqari është paaftë për ta shfaqur dashurinë; Dashuria është privilegj i guximtarëve”./ KultPlus.com

Gjuha jonë sa e mirë!

Shkruan: Iva Tiço.

Në morinë e titujve të portaleve, që gjatë ditës së dielë bëjnë çmos për të marrë klikime njerëzish, që janë duke u shullyer buzë detit, më bëri përshtypje një lajm, sipas të cilit një baba kërcënonte se nuk do e qaste në shtëpi të bijën… Si gjithë lexuesit e të dielës, edhe unë klikova sipër, për të lexuar ndonjë dramë familjare, telenovelë me personazhe realë, për të zbuluar më pas se, në fakt, lajmi ishte shumë më i bukur sesa këto historitë banale: një zotëri, në programin e Ardit Gjebresë, kishte thirrur të bijën që jetonte në Itali dhe ishte e martuar me një italian dhe veç falenderimeve dhe dashurisë së një ati, i kishte kërkuar që t’i mësonte të birit patjetër shqipen. I kishte vënë edhe afat, deri në fund të vitit, më duket, duke e “kërcënuar” se përndryshe mos të guxonte të shkonte në shtëpinë e tij (kjo pjesë më kishte ngatërruar në tituj).

Kolegët e mi të portaleve ndoshta do merrnin të njëjtat klikime, në mos edhe më shumë, nëse nuk do abuzonin me titullin. Sepse çdokush nga ne njeh ndonjë gjysh në moshë të thyer, që bën përpjekje titanike për të bërë ndonjë përshëndetje në anglisht, italisht, gjermanisht dhe edhe në gjuhë të rralla për të folur me nipër e stërnipër nëpër botë dhe në fund pasi nuk kuptohet me fjalë, merret vesh vetëm me gjuhën e dashurisë, të mallit, të lotëve. Po ashtu, çdokush prej nesh njeh shumë prindër, që mes vështirësive të jetës në emigracion, ia dalin të gjejnë kohën t’u lexojnë fëmijëve libra në shqip, të këmbëngulin e t’u flasin
shqip edhe kur fëmijët e tyre janë në moshën kur nuk duan të ndihen ndryshe nga shokët dhe duan të fshehin çdolloj prejardhjeje të ndryshme nga të tjerët, apo prindër që blejnë abonime satelitore, vetëm që në shtëpitë e tyre të dëgjohet shqipja, apo që sakrikojnë pushimet e vetme vjetore që mund t’i bënin nëpër resorte luksoze, për t’i sjellë fëmijët në vendin ku ajo gjuhë është e gjallë, edhe pse fëmijët mund të mos kenë lindur këtu e ndoshta nuk kanë asnjë plan të vinë kur të rriten.

Nuk është thjesht patriotizëm. Eshtë vetëdije për gjuhën, për atë që të bën t’i përkasësh një kombi. Kemi një farë kompleksi ne shqiptarët, kur vjen puna tek shqipja. Në rastin më të mirë themi që i urrejmë patriotizmat për gjuhën, pasi propaganda
pesëdhjetëvjeçare dhe filmat me sakrificat e Rilindasve (atyre prej vërteti) na e kanë sjellë në majë të hundës dhe na kanë bërë të zgjedhim ekstremin tjetër. Dhe në rastin më të keq, kryesisht nga padija dhe injoranca, themi se shqipja është një gjuhë e varfër, që nuk na i thënka dot të gjitha! Nuk kam për qëllim të bëj një shkrim si i leksionet që kam bërë në shkollë, ku vërtetohej që shqipja është një nga gjuhët më të pasura dhe më të vjetra në botë. Veçse teksa mendoja për zotërinë që i lutej të bijës që t’i mësonte mirë fëmijës gjysmë-italian shqipen, nuk mund të mos më shkonte mendja tek dhjetëra fëmijë miqsh, të njohurish dhe kushërinjsh të mi, që nëpër shkolla private apo shtetërore të shoqëruara me kurse private gjuhësh të huaja, e kanë zëvendësuar shqipen me kohë me anglishten, edhe pse jetojnë në mes të Tiranës. Jo thjesht fjalët, që u vijnë fillimisht në anglisht, por dhe struktura të tëra fjalish, ç‘ka nënkupton që ata mendojnë në anglisht dhe kur flasin me ne, thjesht përkthejnë fjalë për fjalë. “E ç‘u duhet? As kanë për ta përdorur kurrë”, më thonë shumë prej prindërve, teksa tregojnë plane për shkollimin e tyre jashtë dhe se si edhe unë do mendoj po si ata, kur të bëhem vetë me fëmijë dhe se si kjo puna e gjuhës shqipe më dhimbset vetëm mua dhe një dore njerëzish që kemi shkollimin apo punën të lidhur me të, por për pjesën tjetër është vetëm një mënyrë për t’u marrë vesh.

Nuk mund të kthej tryezat e miqve në panel diskutimi televiziv, nuk më ka lënë mendja ta bëj këtë. Për më tepër që një mikeshë që më thotë të njëjtin argument, se fëmijëve nuk ka ç‘u duhet shqipja, e ka gjithashtu shkollimin dhe punën si pedagoge, ngushtësisht të lidhur me gjuhën shqipe, por është krejtësisht e dorëzuar para anglishtes së dy fëmijëve të saj dhe shpirtit të tyre praktik, për të futur në kokë vetëm gjërat që u hyjnë në punë ose që i zbavisin. Nuk mund t’u mbush mendjen as me vjershat e Naimit, as me “Udhën e Shkonjave” e Dhaskal Todrin. Në fund të fundit, kjo është puna e Ministrisë së Arsimit dhe asaj Akademie Shkencash që është ka ekzistuar më kot, pa shpënë as shkencën përpara, por dhe pa mundur të mbrojë atë që është bërë deri tani.

Megjithë ndrojtjen për t’u shfaqur si patriote – patetike (se dhe unë futem në kategorinë e atyre që pasi kanë mësuar Naimin me zor përmendësh, u vjen turp të dalin ta citojnë tani), nuk do doja që dhe Ministria e Arsimit ta ketë marrë me kaq mendjelehtësi këtë punë, po aq sa prindërit, që në fund të fundit janë në të drejtën e tyre të vendosin ç‘të duan. Në progamet mësimore të shkollave private do të mund të punohej në atë mënyrë, që edhe kur lëndet si matematika, fizika e kimia bëhen në anglisht, së paku të arrihet që fëmijët ta përvetësojnë më së miri gjuhën shqipe dhe t’u nxitet dëshira për të lexuar libra shqip. Vetëm Ministria e Arsimit e ka për detyrë që “gjuha jonë sa e mirë” të mos jetë thjesht një varg më shumë i njërës prej vjershave të mësuara përmendësh si detyrë klase…. Duhet të bëjë dhe ajo së paku po aq sa ata emigrantët, si ai zotëria dje në emision, për të cilët kjo gjuhë është jo vetëm e mirë, por e vetmja gjë që i bashkon me njerëzit e tyre dhe i bën të ndihen pjesë e një kombi.

Si dukej Prizreni në vitin 1969? (FOTO)

Prizreni, qyteti historik i Kosovës është një nga destinacionet kryesore për ata që e vizitojnë Kosovën, shkruan KultPlus.

Të dhënat arkeologjike lënë të kuptojnë, se ky territor ishte i banuar që nga antika, kur njihej me emrin Theranda në Gjeografinë në shek. II para. K., e në këtë trevë banonte një popullsi Dardane.

Gjurmët e lashtësisë së Prizrenit vërehen edhe sot ndërsa ka qenë i njohur si lokalitet urban që nga periudha antike. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetetmë të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë. KultPlus sot ju sjellë një fotografi të një pjesë të qytetit, fotografia e postuar nga Ilir Balili i takon vitit 1969.

19 shprehje që shqiptarët nuk i përmendin më

Disa shprehje kanë pasur kuptim dikur por sot nuk janë më pjesë e fjalorit dhe ka dhe një arsye për këtë. Nëse një të riu sot, do ta uronim me fjalët “t’u bëftë gjak e dhjamë”, do kuptojë se po i urojmë më të keqen e mundshme.

Kjo frazë e dalë nga zhargoni i vjetër, sot e përkthejmë fjalë për fjalë: t’u bëftë kolesterol. Nëse një të riu do t’i thoshim se, x person të merr gjak në vetull, natyrisht ose do ta marrë atë për kanibal ose ne pëlqejmë kanibalët. Dikur, kjo fjalë kishte kuptimin e zotësisë, trimërisë dhe që arrinte gjithçka. Por sot, kjo fjalë është zhdukur nga fjalori dhe ke shumë pak shanse ta dëgjosh.

Pas rrëzimit të komunizmit, janë me dhjetëra e qindra fraza që nuk përdoren më. Ato kanë mbetur fosile të atij regjimi që shoqëria jonë u mësua t’i përdorë në komunikim. Por në rrethanat e sotme, nuk kanë vlerë. Ja shprehjet më tipike, të cilat nga viti 1990 e deri më sot, ose janë rralluar në përdorim ,ose nuk përdoren fare.

T’u bëftë gjak e dhjamë!

Kishte kuptimin që, ushqimin që po haje, të shërbente për t’u shëndoshur. Dhe kjo frazë përdorej kur uroje dikë që hante. Nëse sot, kjo frazë do përdorej, do kishte kuptimin se do të bëhej kolesterol. Një problem që sot është kaq shqetësues për masën e shoqërisë. Ndryshe ishte dikur. Popullsia që në përgjithësi ishte e dobët, kishte nevojë ndoshta edhe për kolesterol.

Të merr gjak në vetull!

Përdorej për dikë që ishte i zoti dhe bënte gjithçka. Sot, nëse dikujt do t’i drejtoheshim me këto fjalë, do na merrte për kanibal. Në fakt, nëse e mendon si veprim fjalë për fjalë, është shprehje e tmerrshme, por në atë kohë, përdorej shpesh, por madje edhe në letërsi dhe këngë.

Si veshka në mes të dhjamit

Përdorej për njerëzit që jetonin shumë mirë. Dikush që jetonte mes të mirave dhe për ta treguar këtë, artikulohej veshka, që në këtë rast është e rrethuar me dhjamë. Në ditët e sotme, vetë fjala dhjam, ka kuptim negativ.

Përsërisim këngët në tre interpretime të reja

Deri në fillim të viteve 80-të, festivali i RTSH-së kishte një strukturë tjetër nga e sotmja. Një këngë këndohej dy herë, nga këngëtarë të ndryshëm. Kështu, pas interpretimit të tre këngëve të para, spikeri dhe drejtuesi i festivalit, thoshte: Përsërisim këngët, në tre interpretime të reja. Një nga interpretimet ishte kënga, “Shoqet ilegale”, kënduar nga Vaçe Zela dhe Myfarete Laze. Ishte edhe një lloj konkursi, sepse dilnin në pah diferencat. Por më pas, kjo traditë u ndryshua dhe kënga këndohej vetëm nga një këngëtar.

Banja e së dielës

Deri në vitin 1990, çdo shqiptar lahej vetëm një herë në javë. Kjo ishte e diela. Sot është turp ta dëgjosh, por në atë kohë ishte rregull i pashkruar. Ironia është se, kontrolli i pastërtisë bëhej nëpër shkolla çdo ditë të hënë dhe, në përgjithësi, shkolla dilte e larë. Por sikur, ai kontroll të bëhej të shtunën, shkolla dilte blozë. Ishte kthyer në një normalitet, që sot na lë pa fjalë … Ishte banja e së dielës.

Më jep pak farë kosi

Sot nuk e beson kush që dikur ishte më se normale që të shkoje te fqinja dhe të kërkoje një filxhan me kos, për ta përdorur si farë për të zënë qumështin për kos. Fëmijët dhe të rinjtë e sotëm, do na quanin anormal me këtë frazë që nuk e kuptojnë fare. Por, në atë kohë, ishte më se e zakonshme. Një zakon dhe e folur që nuk ka më vend, edhe për shkak të raporteve të reja sociale, por edhe për shkak të produktit të kosit që është i gatshëm …

Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë

Deri në vitin 1990, ishte më se e nevojshme të kishe në shtëpi kafe dhe ta piqje, por nuk ishte e domosdoshme që të kishe mullirin që e bluante atë. Mund të shkoje te fqinja dhe ta kërkoje dhe kjo ishte e zakonshme. Prindërit urdhëronin fëmijët dhe ata i binin ziles: Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë dhe ishte e sigurt që do ta jepnin. A ju kujtohet filmi, “Udhëtim në pranverë”, në të cilin djaloshi protagonist ngacmonte fqinjën, duke kërkuar mullirin e kafesë? Ishte më se normale kjo kërkesë.

Nuk kam çupë për të martuar

Ishte një shprehje që përdorej nga babai i një vajze, të cilit dikush i kishte propozuar për t’u martuar me të. Për t’u treguar kategorik, babai i vajzës në vend të fjalës jo, thoshte nuk kam vajzë për të martuar. Kjo lidhej edhe me moshën e vogël të vajzës, por mënyra kategorike ishte, kur ai thoshte nuk kam vajzë për të martuar.

E kam ndërgjegjen e pastër

Një nga cilësitë e njerëzve gjatë komunizmit, ishte ndërgjegjja që në fakt u shkatërrua. Por, teorikisht, komunizmi e quante që komunisti e kishte ndërgjegjen të pastër. Pra, ishte i çiltër dhe i sinqertë. Një shprehje që degjeneroi deri në kuptimin e kundërt. Aq sa, nëse dikush mund ta thotë këtë, mund ta marrë me kuptimin e kundërt

Kjo sjellje nuk i ka hije

Kur dikush sillej me edukatë, shprehja më tipike ishte që sillej mirë. Por e kundërta? Përdorej fjala, kjo sjellje nuk i ka hije. Shprehte befasi dhe një lloj ironie. Edhe për faktin se, për personin që e përdorte, kishte një opinion të mirë dhe do ishte zhgënjim një sjellje ndryshe nga ajo që mendohej.

Këtë djalë e poqi ushtria

Gjatë komunizmit, ushtria zgjaste tre vjet dhe më pas dy vjet, ndërkohë që në marinë, ishte gjithmonë tre vjet. Për të rinjtë ishte një provë zjarri, por edhe dalja e parë dhe përballja e parë me një realitet komplet tjetër. Imagjino një 18 apo 19-vjeçar, që e dërgonin në kufi, marinë, reparte ushtarake dhe i thoshin se mbronte atdheun në skalionin e parë. Kishte vështirësi që nisnin nga stërvitja, rregulli e deri tek ushqimi i pamjaftueshëm. Ushtria ishte një lloj urë kalimi e adoleshencës dhe kur një i ri mbaronte ushtrinë, ai merrte një lloj pjekurie që më shumë lidhej me moshën. Por ama, lagjja dhe mjedisi përreth, thoshte e paska pjekur ushtria, sepse kur ishte këtu, ishte çapkën i madh.

Është aq i urtë, sa do e martojë lagjja

Djalin e sjellshëm dhe të tërhequr, nuk para e preferonin gjatë komunizmit. Duhej ai djali i lëvizur, çapkën, i hedhur, mundësisht me muskuj dhe boksier. Por ai i urti ishte jashtë mode. Aq sa doli shprehja se do ta martonte lagjja. D.m.th. do mblidhej këshilli i lagjes dhe do t’i caktonte një nuse.

O goce, më fal një minutë!

Brezi i viteve 70-80, kishte një karakteristikë. Lidhja dhe dashuritë lindin nga një mënyrë që sot, pothuajse, nuk ekziston. Një djalë në fillim e pëlqente fizikisht një vajzë dhe më pas, djali hidhej në aksion. E niste me daljen përpara të vajzës në rrugë, teksa ajo ecte dhe i drejtohej: O goce, më fal një minutë! Më pas, biseda vijonte sipas rastit. Vajza mund të refuzonte që në fillim, por edhe mund të vijonte bisedën, nëse e pëlqente djalin si tip. Nëse do bëhej një studim, shumica e lidhjeve në këtë periudhë që përfundonin me martesë, nisnin me shprehjen: “O goce më fal një minutë!” Aq sa sot, i quajmë brezi i “o goce më fal një minutë!”

Kemi fizkulturë mëngjesi

Mësimi gjatë komunizmit, nuk niste menjëherë. Përpara bëhej një fizkulturë mëngjesi, përpara shkollës, dhe më pas mësimi. Një mësues fizkulture dilte përpara shkollës së rreshtuar dhe drejtonte disa ushtrime që duhet t’i bënin të gjithë. Kjo sillte, sipas autoriteteve të kohës, kalitje që në fakt vetëm kalitje nuk ishte, por një djersë që nuk hiqej për tërë ditën.

Nxënësi filan e ka në patronazh nxënësin filan

Një nga shprehjet dhe verimet e kohës së komunizmit, ishte patronazhi në shkollë. Një nxënës i mirë me mësime, nuk duhej të mbetej këtu. Ai kishte detyrë të ndihmonte nxënësit e dobët dhe për këtë, mësuesja kujdestare, caktonte nxënësin konkret që duhet ta ndihmonte. Kështu, nxënësi i mirë i shkonte në shtëpi atij të dobët, i kontrollonte detyrat dhe i shpjegonte mësimet.

Për ideal të partisë

Një nga shprehjet që përdorej më shumë gjatë komunizmit, ishte “për ideal të partisë”. Ky ishte një lloj betimi. Nëse dikush gjendej në një situatë mosbesimi, dalja nga kjo situatë ishte shprehja për ideal të partisë. Por edhe kjo shprehje, erdhi dhe degjeneroi. Idealistët u pakësuan dhe shprehja u shua.

Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap nuse atij!

Babai ishte ai që vendoste për vajzën. Por kur ai nuk e kishte me sy të mirë kandidatin, ai kishte në majë të gjuhës shprehjen: Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap atij nuse.

Të shpëlaftë mortja!

Me fjalë të tjera, ishte si t;i uroje vdekjen dikujt. Por dukej sikur nuk dilte vetëm kaq. Por të shpëlaftë mortja, ishte të ikje në vend.

Me biografi të mirë/të keqe; me njollë në biografi

Statusi social më i preferuar gjatë komunizmit, ishte biografia e mirë. Kjo do të ishte që ti vetë, familja dhe i gjithë fisi, të kishte besnikëri ndaj Partisë Komuniste. Por nëse sikur vetëm një pjesëtar i familjes, një kushëri i largët të kishte një cen, ai quhej me biografi të keqe. Po përse vlente biografia? Për gjithçka, deri te martesa. Sa e sa dashuri janë ndërprerë dhe nuk kanë përfunduar në martesë, vetëm për shkak të biografisë. Ajo quhej njollë në biografi, e cila mund të ishte kur një xhaxha, dajë apo kushëri, të kishte thënë një fjalë të keqe për partinë.l.h/ dita

Fytyra e ‘Zoja Rruzare’ që i mbijetoi regjimit komunist në Shqipëri

KultPlus ju sjellë një fotografi të fragmentit të marrë nga statuja ‘Zoja Rruzare’ e cila po ekspozohet tek Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult.

Kjo fytyrë e bukur i takon ‘Zoja Rruzare’ tek Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult. Ky fragment i një statuje më të madhe mbijetoi sepse një familje lokale e fshehu nga regjimi komunist i Shqipërisë.

Interpretimi funksionon si një dritare për njerëzimin. Çdo objekt ose pjesë e një objekti hap një histori njerëzore për ne. Këtu, historia është ajo e bukurisë, humbjes dhe rimëkëmbjes, e thënë përmes një fragmenti të një fytyre njerëzore.

Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult është një muze që pasqyron kujtimet, historinë, objektet e rralla të kultit, të ruajtura me fanatizëm, ndër vite, gjithçka e konceptuar si një promovim që i bëhet shtysës shpirtërore përmes materialeve artistike dhe personale./ KultPlus.com

Agim Vinca, pjesmarrës në “Sheshin e poezisë” në Paris

I ftuar nga botuesi i tij Luc Vidal, drejtues i shtëpisë botuese “Éditions du Petit Véhicule”, poeti i njohur Agim Vinca do të marrë pjesë në manifestimin letrar “Marché de la poésie” (Sheshi i poezisë), që mbahet në Paris nga 6-10 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Në këtë manifestim tradicional, që mbahet për të 36-tën herë në një nga sheshet më të njohura të Parisit, në sheshin Saint-Sulpice, shiten libra, nënshkruhen nga autorët, bëhen lexime letrare dhe diskutime për poezinë.

Shtëpia botuese “Éditions du Petit Véhicule” në koleksionin “Galerie de l’or du temps” (Galeria e kohës së artë) në vitin 2016 ka botuar librin me poezi të zgjedhura të Agim Vincës “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë) në përkthim të Aleksandër Zotos dhe me ilustrime nga piktori Anastas Kostandini-Taso./ KultPlus.com

NGOM Fest hap thirrje për aplikim për Promo skenë

Për të gjithë artistët e rijnë, NGOM Fest ka hapur thirrje për aplikim për #PromoSkenë. Edicioni i tetë i këtij festivali do të organizohet gjatë datave 12 – 15 Korrik në Prizren, shkruan KultPlus.

Në thirrjen për aplikim shkruhet:

Ftohen që të gjitha bendet, solo artistët dhe DJ të interesuar për pjesëmarrje në Promo Skenën e Festivalit, të aplikojnë në: [email protected]
Kushtet për aplikim janë:

– BENDET & SOLO ARTISTËT-
1. Të kenë së paku një këngë origjinale të bendit/personale
2. Materialet promovuese (Linqet e Soundcloud apo Mixcloud, Video Inçizimet e ndryshme, etj.)
3. Koverat janë më pak të vlerësuara.

– DJ –
1. Të inçizohet një mini-mix deri në 30 minuta
2. Materialet promovuese (Linqet e Soundcloud apo Mixcloud, Video Inçizimet e ndryshme, etj.)

Afati i fundit për aplikim është 17 Qershor 2018./ KultPlus.com

Aktivitet kulturore dhe turistike gjallërojnë qytetin e gurtë (FOTO)

Gjirokastra është kthyer tashmë në atraksionin turistik më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Gjithashtu, Gjirokastra po bëhet mikpritëse përherë e më shumë e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe turistike, duke promovuar dhe vlerat dhe bukuritë që ofron qyteti i gurtë. Dy ngjarje në qendrën historike të Gjirokastrës,e kanë kthyer në një festë të vërtetë qytetin jugor.

Një nga ngjarjet ishte performancë spontane e Qendrës Kulturore të Fëmijëve me grupin e valleve në një nga këndet e qytetit historik të Gjirokastrës në prani të kalimtarëve e vizitorëve të rastit, vendas dhe të huaj. Brezi i ri me performancën e tyre dhe me kostumet tradicionale i dhanë një gjallëri të veçantë qytetit dhe një eksperiencë ndryshe vizitorëve dhe kalimtarëve të cilët u ndalën dhe filluan të bënin foto.

Ngjarja e dytë kishte në fokus turizmin e aventurës dhe solli diçka ndryshe për banorët dhe vet qytetin. Manifestimi i ”Giro dei tre mari ,ALBANIA Special Edition”, mbi 180 motorra të “Club Vespa Bari” , “pushtuan ” rrugët e Pazarit Historik dhe Kalanë e Gjirokastrës.

Ky aktivitetet u organizua si bashkëpunim i Vespa Club- Bari , Konsullatës së Përgjithshme të Shqiperisë në Bari, Konsullatës Italiane të Nderit dhe Autoriteteve Lokale të Gjirokastrës, Bashkisë dhe Prefekturës .

Qyteti historik bëhet më interesant sigurisht me të tilla aktivitete, po dhe vetë aktivitetet, marrin kuptim tjetër./ Ata

Islanda më paqësorja në botë, Kosova më jopaqësorja në Ballkan

Instituti për Ekonomi dhe Paqe, me seli në Sidnej, publikoi të mërkurën Indeksin e Paqes Globale, duke radhitur 163 shtete dhe territore në bazë të nivelit të tyre të paqes.

Lista u përpilua me matjen e gjendjes në tri fusha: siguri sociale, konflikt të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe militarizim. Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një pozicion që ka që nga viti 2008, ndërsa Siria mbetet e fundit në listë për të pestin vit me radhë.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit, Kosova radhitet më së keqi – në vendin e 92-të, pastaj vjen Bosnja në pozitën numër 89, Maqedonia 87, Mali i Zi 58, Serbia 54 dhe Shqipëria 52./Evropa e Lire

Varg ëndrrash

Poezi nga Bob Dylan, përktheu Edvin Shvarc.

Po mendoja për një varg ëndrrash
ku asgjë nuk del në sipërfaqe,
çdo gjë rri poshtë aty ku plagë ka marrë
dhe ndalet përfundimisht.
Nuk po e vrisja mendjen për ndonjë gjë të veçantë
porsi në një ëndërr, kur dikush zgjohet dhe ulërin.
Asgjë edhe aq e veçantë,
thjesht po mendoja për një varg ëndrrash.

Vdieoklipi më i ri i këngës së Rita Orës me Bebe Rexhën (VIDEO)

“Girls” titullohet kënga shumë e përfolur e Rita Orës me Bebe Rexhen, Charlie XCX dhe Cardi B, shkruan KultPlus.

Sapo është publikuar edhe videoklipi më i ri i kësaj këngë që lëviz në skena të ndryshme e shpërfaq lëvizjet dinamike të këngëtareve.

Rita Ora ka mbajtur një turne në vende të ndryshme të botës të titulluar “Girls”, ndërsa javën e kaluar është paraqitur me koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, atje ku është pritur nga 250 mijë njerëz./ KultPlus.com

Çmimi i ‘Meritës’ për dy artistet shqiptare në ekspozitën ndërkombëtare në Çeki

Artistet shqiptare kanë përfaqësuar Shqipërinë në ekspozitën ndërkombëtare të arteve të bukura në Lidice – Çeki, përcjellë KultPlus.

Dy artistet e reja, Adelajda Agushi, 15 vjeç dhe Ersi Pashollari, 12 vjeç përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në edicionit të 46-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fëmijëve të Arteve të Bukura, që u organizua në Lidice – Çeki, bën të ditur ambasada e Shqipërisë në Pragë.

Artisteve shqiptarë iu akordua Çmimi i `Meritës`./ata

Evropa Kreative i uron mirëseardhje Kosovës

Dje në zyrat e Komisionit Evropian, Ministri Kujtim Gashi, ka takuar Komisionerin Evropian, Tibor Navracsis, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për mbështetjen e sektorëve të kulturës dhe atë kreativ.

Ndërsa sot pikërisht kjo platformë ka ndarë kohën për të uruar Kosovën për këtë bashkëpunim së bashku me Bashkimin Evopian.

“Urime Kosovën – Mirë se erdhët në familjen e Evropës Kreative. Jemi shumë të lumtur që Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’u bashkuar me programin e Kulturës të Evropës Krijuese, duke mundësuar forcimin e bashkëpunimit kulturor”, gjersa kanë bërë të ditur se asambleja kosovare duhet të ratifikojë marrëveshjen para se aplikantët nga Kosova të mund të aplikojnë për thirrjet e Evropës Krijuese.

Pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Duke u mbështetur në faktin se programi i Evropës Krijuese kontribuon, ndër të tjera, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ndihmon sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës – MKRS konsideron se pjesëmarrja në këtë program është shumë e rëndësishme, shtoi ministri Gashi./KultPlus.com