Studiuesi Zef Peci ju fton në një bisedë të hapur për artin e Edi Hilës

Galeria Kombëtare e Arteve ju fton në një bisedë të hapur për publikun nga studiuesi Zef Paci, një bisedë përmes së cilës do të keni mundësinë të njihni artin e Edi Hilës, artistit të ekspozitës “Piktori i Transformimit”.

Biseda do të zhvillohet më datë 25 korrik në Galerinë Kombëtare të Arteve (Tiranë).

Zef Paci është diplomuar për Pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe ka gradën Doktor prej Qendrës së Studimeve Albanologjike Shqiptare pranë Institutit të Studimeve të Antropologjisë dhe Artit në një studim mbi fotografinë e Marubit.

Prej vitit 1999 ai është profesor i Historisë së Artit dhe Pikturës në Universitetin e Arteve në Tiranë pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.

Përkrah veprimtarisë didaktike ai ka marrë pjesë në ekspozita si autor, ka realizuar disa skenografi teatri (2008, 2009, 2016), afreske (1995) evitrazhe përndërtesa kulti (2005 -2007) si dhe pjesëmarrës në konferenca e ëorkshope. Në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012 ishte organizator dhe kurator i Çmimit “Ardhje” për artistët e rinj organizuar nga T. I. C. A.
Në 2008, 2011, 2013, 2015 dhe 2017 ishte kurator i ekspozitës “Idromeno”, një çmim kombëtar për artistët e rinj e organizuar nga Galeria e Artit e qytetit të Shkodrës.

Ka kuruar dhe bashkëkuruar ekspozita të ndryshme kolektive e vetjake të disa e fotografëve (Marubi, Idromeno, Pici, Jakova, Rraboshta, Nënshati) dhe disa artistëve të njohur shqiptarë (Edi Hila, Franc Ashiku, Lek Tasi) si dhe ndërkombëtare (What happened to the general?”, etj). Në 2016 ishte kurator i ekspozitës permanente të Muzeumit Kombëtar të Fotografisë Marubi.

Autor i disa katalogëve dhe botimeve mbi artin, imazhin dhe fotografinë: Monografinë: “Marubi,fotografia si ritual” (2012); MARUBI: The moving lens of an archive”, Botim i Galerisë Kombëtare të Kosovës (2014); The History of Europian Photography 1939-1969 II, 2014, dhe The History of Europian Photography 1970-2000III,2016 (fotografia shqiptare), (Central Europian House of Photography). / KultPlus.com

Laura Paussini kundër Beyonce: ’Nuk ke punë në muzeun tonë’

Kohët e fundit po përflitet mjaft për Koloseun e Romës dhe Beyonce-n në Itali, pasi këngëtarja amerikane ka kërkuar të xhirojë brenda amfiteatrit të famshëm një prej klipeve të saj.

Fillimisht, Beyonce hasi kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës italiane, po më pas institucioni dha dritën jeshile. Ndërkohë, opinioni publik italian është i ndarë në dysh, ku një pjesë janë dakord që artistja të xhirojë në Kolose, kurse një pjesë jo.

CARDIFF, WALES – JUNE 06: Beyonce Knowles performs on stage during the “On the Run II” tour opener at Principality Stadium on June 6, 2018 in Cardiff, Wales. (Photo by Kevin Mazur/Getty Images For Parkwood Entertainment)

Grupit “kundër” i është bashkangjitur edhe këngëtarja e famshme, Laura Pausini. Në një intervistë të dhënë së fundmi, Pausini është shprehur:“Beyonce-s i kanë mohuar xhirimet në Kolose? Shumë mirë! Nuk na duhet! Unë jam 44 vjeç dhe duhet të luaj gurët e fundit në skenë. Dhe e dua unë Koloseun e para. Më mirë ta përdorin italianët sesa të huajt”.

Por, italiania nuk e ka lënë me kaq. Ajo këtë kundërshtim të saj e ka potencuar edhe gjatë koncertit të saj në “Circus Maximus”. /KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by PictureGroup/Shutterstock (9757464c)
Beyonce
Beyonce and Jay-Z in concert, ‘On The Run II Tour’, Barcelona, Spain – 11 Jul 2018

Kampi veror “ARTivizmi edukativ” përmbyllet me program artistik kushtuar rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve

Kampi veror “ARTivizmi edukativ” ka mbledhur rreth vetës 100 fëmijë të kategorive të ndjeshme sociale me ç’rast u zhvilluan dhjetëra aktivitete me karakter edukativ, socializues dhe argëtues, përcjellë KultPlus.

Organizata joqeveritare “ETEA” me përkrahje financiare të “Terre des hommes” po e implementon projektin Kampin veror “ARTivizmi edukativ” në Komunën e Prishtinës, projekt ky që synon ndërgjegjësimin e fëmijëve përfitues rreth rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve, duke ndikuar kështu në parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve.

Në kuadër të kampit veror po marrin pjesë 100 fëmijë, përzgjedhja e të cilëve është bërë duke bashkëpunuar me SOS Fshatrat e Fëmijëve, Qendrën për Punë Sociale, SHFMU-të Asim Vokshi, Emin Duraku, Qamil Batalli, Zenel Hajdini, etj.
Kampi ka filluar me datë 19 korrik, dhe do të mbyllet më datë 24 korrik 2018 kur edhe do të shfaqet për publikun programi artistik i fëmijëve, përgatitur nga këta të fundit me përkrahjen e stafit të ETEA-s.

Ky program do të zhvillohet në Qendrën e Komunitetit “Termokiss” duke filluar nga ora 15:00, dhe do të përmbajë ekspozitë, dramë, tregime dhe poezi, vallëzime moderne, balet, këngë, punë-dore, video-storie, dhe storie qe do të tregohen aty për aty nga fëmijët e që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e fëmijëve brenda institucioneve edukativo-arsimore, etj.

Të gjitha këto janë përgatitur përgjatë ditëve të kampit, përmes punëtorive të organizuara brenda kampit, siç janë: punëtoria për letërsi, punëtoria për pikturë, punëtoria për aktrim, punëtoria e aktivizmit dhe ajo e avokimit.

Gjithsesi, kampi që po zhvillohet tash e disa ditë, përveç punëtorive dedikuar programit artistik, ka përmbajtur edhe aktivitete tjera psiko-sociale për të cilat animatorët e kampit mbajtën trajnime specifike të organizuara nga “Terre des hommes”. Në anën tjetër, kuptohet se nuk munguan as aktivitetet argëtuese, përkatësisht lojërat si: futbolli, volejbolli, topi i dëshirave, pantonima, telefoni i prishur, etj. / KultPlus.com

‘Të fala nga Gjilani’, performancë për bashkatdhetarët tanë

“Te fala nga Gjilani”, mbrëmja e cila në vete përfshin një përmbledhje me poezi e këngë që vijnë të artikuluara prej aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe prej zërit të mrekullueshëm të Diana Toskës, ju mirëpret nesër mbrëma me fillin në ora 19:00, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet është organizuar për të gjithë qytetarët e Gjilanit po në veçanti për bashkatdhetarët tanë të cilët i japin shumë dashur, jetë e plot ngjyra qytetit të Gjilanit.

“Te fala nga Gjilani” është një vokacion artistik i krijuar për një performancë të hapur ose “open air” e që organizohet në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës, nga zyra e Kryetarit të Komunës.
Aktiviteti do të mbahet nesër tek pjesa e argjendarëve të qytetit në Gjilan. /KultPlus.com

Mentor Mripa sjellë në treg albumin e tij të parë

Mentor Mripa ka njëzet vjet që është bërë emër i dëgjuar dhe respektuar i radios, por edhe skenës e ekranit. Kohë pas kohe ai sjellë projekte të ndryshme, duke i qëndruar gjithmonë besnik stilit të tij, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe Mripa për gjithë adhuruesit e këngës së tij ka sjellë në treg albumin e tij të parë me këngë të vjetra qytetare.

Orkestrimin dhe incizimin e këtyre këngëve e ka bërë Hysni Klinaku.

Mripa është shprehur i lumtur që pas një kohë të gjatë ky album tashmë është në duart e publikut si dhe falënderon të gjithë ata që i ndihmuan në këtë rrugëtim.

“Te dashur Miq! Sot doli ne shitje, pas shume kohesh albumi im me kenge te vjetra qytetare. Orkestrimin dhe inqizimin e te gjitha ketyre kengeve e beri Hysni Klinaku, me te cilin e beme perzgjedhjen e ketyre kengeve. Per albumin tim nga zemra e falenderoj : familjen time, Hysni Klinakun , Agron Sylen , Hekuran Hoxhen , Driton Fazliun , Agron Rexhen , Avni Selmanin , Shtypshkronjen Iliria , dhe Produksionet Ardi dhe Arboni ( Afrim Sekiraqa dhe Florim Haliti ). Falenderimi me i madh i takon Zotit qe ma mundesoj daljen ne treg te ketij albumi , uroj qe te ju pelqej. Ju Falemnderit sinqerisht!”, ka shkruar Mripa në faqen e tij në Facebook. / KultPlus.com

Anibar publikon programin e filmave të edicionit të 9-të

Anibar – Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar prezanton programin e edicionit të nëntë.

Prej 1095 filmave që kanë aplikuar këtë vit 220 filma do të shfaqen në Kinema Jusuf Gërvalla, Teatrin Istref Begolli, Kinema Liqeni, dhe Kinema Kubat.

152 filma janë në garë për konkurruar për filmin më të mirë ndërkombëtar, filmin më të mirë të punuar nga studentët, filmin më të mirë të prodhuar në Ballkan, filmin më të mirë të metrazhit të gjatë dhe videot muzikore të animuara. Jashtë garës filmat do të shfaqen në dy kategori Panorama dhe Programi për fëmijë e adoleshentë.

Për të naviguar në programin interaktiv të filmave klikoni në këtë vegëz Programi Interaktiv, ndërsa për të shkarkuar listën e plotë të filmave me detaje të shfaqjeve klikoni këtu: Programi 2018.

Krahas programeve garuese, festivali Anibar shfaq edhe programe speciale të kuruara për të komplementuar temën. Shpalosja e programeve speciale dhe tematikave të tyre do të bëhet së shpejti.

Data e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar të edicionit të tetë janë 13-19 gusht 2018./ KultPlus.com

Rikthehet festivali i Jazz-it

Dhjetë grupe nga vende të ndryshme të botës e mbi 28 artistë të huaj mbërrijnë në Tiranë këtë javë.

Si çdo vit, kjo verë jehon me ritmet e muzikës Jazz. Disa artistë rikthehen për të tretin vit në këtë edicion të shtatë të festivalit.

Ndryshe nga vitet e shkuara festivali sjell edhe një program të veçantë ku bëhen bashkë artistët e Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Ky edicion starton nga mbrëmja e se martës në Tiranë e Apoloni./ KultPlus.com

Vargjet e Ali Podrimjës për nipin e tij

Poezi nga Ali Podrimja – AJO QË NUK VDES.

Nipit, Gent Salihut

Nganjëherë Kosova m’i
ngjan
Urës së Fshenjtë
E lartë e bukur ku trimi
Shfaqet me shkabë në krah

Ditën buzëqesh natën
dënesë
Loti i rrjedh faqës së rjepur
Nuk di nga cili qiell rigon

Kosova m’i ngjan
nganjëherë
Gruas së lakuriquar
Në rrasë guri pret e shtrirë

Bie në gjunjë i Zoti,
qumësht ulkoje pi
Në qiellin blu fluturon
shkaba
Nga krahu i trimit

Bukuri që nuk vdes

Ali Podrimja (Ulpianë, 2007)

“Këngë te Kopshti” në Lumbardh

Fondacioni Lumbardhi prezanton koncertin “Këngë te Kopshti”, që do të mbahet të shtunën me 28 Korrik 2018 në orën 21:00 në Lumbardh.

Në këtë koncert do të performojnë tre bende fenomenale: SYTË, Oborri dhe BLLA BLLA BLLA…

Biletat kushtojnë 2 EURO para koncertit dhe mund të blehen në Prizren te Lumbardhi kurse në Prishtinë në Dit’e’Nat. Biletat te dera do të kushtojne 4 EURO.

SYTË:

EP e parë e bendit tregon historinë e dy shpirtrave të lidhur së bashku nga yjet. Vokali i sinqertë lundron nëpër tingujt e ëmbla të sintit dhe gitarave bittersweet, të cilat e ngjyrosin bazamentin që e krijon basi dhe tupanat hip hop, për të përshkruar një dashuri që duket sikur është përzgjedhur nga një konstelacion.


OBORRI:

Oborri është një duo bend i formuar në vitin 2014 në Prishtinë, Kosovë, i përbërë nga Arbër Salihu dhe Tomor Kuci. Pasi që ishin aktivë për 8 vite në skenën e muzikës në Prishtinë , duoja nxorri albumin “Oborri” në 2017. Grupit i bashkohet kompositori Liburn Jupolli dhe bubnjari Vedat Hasani, kshtu që në performanca live grupi bëhet me 4 anëtarë .


BLLA BLLA BLLA…:

Blla Blla Blla… është një bend shumë i njohur nga Shkupi. Në 2000 bendi nxorri albumin e tyre të parë dhe shumë të suksesshëm “Blla Blla Blla”. Ata janë edhe autorë të albumeve “Over the Blakanshire Reform”, “Lamtumirë ” dhe “Brum per Medioker”.


Sponsor i programit veror janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Prizreni mirëpret koncertin për diasporën

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka nënshkroi sot, me zëvendësministrin e Diasporës, Afrim Bekteshi, një marrëveshje për realizimin e ditëve të diasporës në këtë komunë.

Kjo parasheh organizim të aktiviteteve kulturore, që kanë për qëllim promovimin, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor nga mërgimtarët, përmes koncertit festiv për diasporën që do të mbahet më 28 korrik./ KultPlus.com

Recital’ Malsorit

Poezi nga Migjeni.

0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë – lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

Ylljet Aliçka me “Lule plastike” triumfoi në “Korça Short Film Fest”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të shkurtër “Korça Short Film Fest” në Korçë përfundoi.

Rreth 40 filma të ndarë në disa kategori, si dokumentar, fiction, të animuar u prezantuan në ditët që lamë pas në Teatrin “Andon Zako Çajupi” dhe në Pazarin e Vjetër në Korçë.

Juria ndërkombëtare e festivalit e përbërë nga, Toma Waszarow, regjisor, producent nga Bullgaria, Tudor Vintilou, drejtor fotografie, fotograf nga Rumania dhe Anna Oreshkova, asistente regjisore pranë kompanive filmike amerikane “Nu image” dhe “Ufo” vlerësuan me çmime filmat si më poshtë:

1. Filmi më i mirë i shkurtër për studentë u përzgjodh “Besimi” nga Tatiana Fedorvskaya, Rusi.

2. Filmi më i mirë i shkurtër shqiptar u përzgjodh “Lule plastike” nga Ylljet Alicka, (Kinostudio Dardan, Shqipëri.

3. Filmi më i mirë i shkurtër fiction “Si një fëmijë i mirë” nga Arian Vazirdaftari, Iran.

4. Filmi më i mirë i shkurtër dokumentar, “Përpara nga Justin Stoneham, Zvicër.

5. Filmi më i mirë i animuar për “Laymun” nga C.Prowse, H.Quin, Mbretëria e Bashkuar.

Subjekti i filmit të shkurtër shqiptar fitues, “Lulet Plastike”, me skenar edhe regji nga Ylljet Aliçka ka në qendër ndjenjën e vetmisë të një çifti të moshuar nga fshati, të cilët vijnë në Tiranë me entuziazëm në një dasëm.

Por kënaqësia e madhe kthehet në vetmi, një ftohtësi nga i gjithë komuniteti qytetar. Krahas kësaj ndjesie vetmie fillon dhe rizbulimi i njëri-tjetrit. Në film luajnë aktorët Robert Ndrenika, Zana Prifti, Gent Hazizi dhe Elia Zaharia.

Juria shpërndau dhe katër çmime speciale si më poshtë: “Njerëz tokësorë” nga Adam Freund Hungari, “Asnjë” nga ElhamTorogji Iran, “Fitorja e bamirësisë” nga Albert Meisl Austri, “Lavanderi publike” dhe Christina Zachariades Portugali.

Të gjithë filmat shqiptarë dhe shqipfolës garuan në garën kombëtare, sipas kategorive të filmave dhe fushave të studimeve, si: filmi artistik më i mirë; filmi dokumentar më i mirë; filmi më i mirë i animuar; regjia më e mirë dhe skenari më i mirë./ KultPlus.com

Të famshmit e falimentuar

Fitojnë shuma marramendëse, por edhe yjet gjenden në vështirësi financiare, e në këtë rast fajin nuk e ka mungesa e të ardhurave, por keqmenaxhimi i tyre.

Nga Kim Basinger tek Mike Tyson, shumë të famshëm dorëshpuar kanë provuar në kurriz falimentimin për shkak të shpenzimeve pa fre dhe vendimeve të gabuara, shkruan tch.

Mes shtëpive, varkave, veseve pafund, verërave të shtrenjta dhe divorceve të kushtueshme, Johnny Depp ka arritur të shpenzojë 2 milionë dollarë në muaj. 75 milionë dollarë i ikën për blerjen dhe mirëmbajtjen e 14 shtëpive luksoze anembanë globit e miliona të tjera i ka hedhur në erë me vetura ekstravagante.

Në më shumë se 20 vite të kaluara në ring, Mike Tyson arriti të grumbullonte 400 milionë dollarë, të cilat i shpenzoi me blerje të shfrenuara që përfshinin edhe ato më të çuditshmet, siç ishte edhe një tigër siberian.

Telashet e këtij lloji nuk kanë kursyer as ikonën e CNN, Larry King. Karriera e tij pati një moment të keq në vitin 1971, kur u akuzua se kishte vjedhur 5,000 dollarë dhe deri në vitin 1978 nuk gjeti dot punë, duke u zhytur në borxhe.

Nga suksesi i jashtëzakonshëm i fundit të viteve ’80-a, Cindy Lauper përfundoi duke punuar si kamariere për të paguar borxhet.

Këngëtarja Toni Braxton është përballur me falimentimin dy herë: e para pikërisht në kohën kur ishte në kulmin e karrierës së vet.

Problemet e Kim Basingerit nisën në vitin 1993, kur hoqi dorë nga filmi “Boxing Helena” e u hodh në gjyq për prishje kontrate. Kimi u gjend shumë shpejt në një mal me borxhe dhe ndonëse më vonë e arriti një marrëveshje me studion kinematografike, dëmi ishte bërë tashmë./ KultPlus.com

Sot 58 vjetori i lindjes së legjendës së futbollit shqiptar

Sot më 23 korrik, legjenda e futbollit Fadil Vokrri ka përvjetorin e 58 të lindjes, shkruan KultPlus.

Më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë, lindi legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.

Ai vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Është varrosur me ceremoni të larta shtetërore në varrezat e Prishtinës në Arbëri më 10 qershor 2018./ KultPlus.com

Selia e Shtabit të Brigadës 121 dhe Shtëpia e Kulturës në Runik hyjnë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bazuar në legjislacionin në fuqi për trashëgimi kulturore, respektivisht në rekomandimet e grupit punues lidhur me shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave dhe propozimeve të institucioneve, ka miratuar dy vendime për përfshirje të aseteve në kuadër të Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme. Selia e Shtabit të Brigadës 121- Komandant Kumanova në fshatin Krojmir, Komuna e Lipjanit dhe Shtëpia e Kulturës në fshatin Runik, Komuna e Skenderajt janë dy asetet e përfshira në kuadër të trashëgimisë kulturore arkitekturore.

Dyja asetet veçohen për vlerat e historike, arkitektonike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore. Vendimet në fjalë, të nënshkruara nga ministri Gashi i obligojnë me tutje institucionet përkatëse te trashëgimisë kulturore që menjëherë të fillojnë dhe hartimin e projekteve të detajuara të konservimit-restaurimit dhe t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet me institucionet e nivelit lokal.

Ministri Gashi me këtë rast u shpreh se “përfshirja e këtyre dy aseteve të trashëgimisë sonë e pasurojnë edhe më tej Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Në deklarimet tona të mëhershme kemi premtuar se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe unë si ministër dhe ministria e cila udhëheq, bashkërisht po përpiqemi maksimalisht ta zotojmë këtë premtim”.

“Dua t’i falënderoj të gjithë akterët dhe profesionistët që kanë punuar për t’u arritur kjo”, tha mes tjerash ministri, duke e vlerësuar përfshirjen e dy aseteve si shumë të rëndësishëm për trashëgiminë.

Ministri Gashi theksoi edhe faktin se Përfshirja e tyre në listë kërkon dhe përmbushje tjera të detyrimeve prandaj bashkëpunimi dhe bashkërenditja e veprimeve me institucionet tjera të niveli lokal si dhe pronaret, poseduesit dhe shfrytëzuesit e tyre është e domosdoshme deri në funksionalizim dhe promovim të vlerave të trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Prezantohen punimet e fituesve të YVAA në Shkolla Verore si Shkollë

Sot më 23 korrik, në Klubin e Boksit në kuadër të “Shkolla Verore si Shkollë”, prezantohen punimet nga artistët Brigita Antoni, Meriton Maloku, Remijon Pronja, Zorica Zafirovska, shkruan KultPlus.

Ky panel i cili moderohet nga Donjetë Murati, nis me fillim nga ora 20:00 ndërsa Brigita Antoni, Meriton Maloku, Remijon Pronja, Zorica Zafirovska janë fituesit dhe finalistët e çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) nga Shqipëria, Kosova, Maqedoni dhe Mali i Zi.

Paneli tenton të hulumtoj, përmes prezantimeve të zgjedhura të artistëve, dhe të diskutimit, idetë për shoqëri civile dhe marrëdhëniet me art si element tregues i ekzistencës së shoqërisë së lirë. Paneli vepron si një ushtrim hulumtues për marrëdhëniet mes ambientin aktual dhe artistëve, politika në formë të potencialit dhe pengesave për të prodhuar punë. Diskutimi po ashtu vepron dhe do të përqendrohet edhe në tejkalimin e kufijve kombëtar si diçka që pritet nga sfera e artit.

Në një mënyrë, diskutimi tenton qëllimisht të njoh dhe të luaj me marrëdhëniet mes proceseve makro, shtetërore, dhe interakcion shoqëror. Në reflektim dhe njohje të marrëdhënieve që qëndrojnë në vazhdimësi.

“Artistët e së Nesërmes”, organizohet në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, “Çmimi Ardhje” organizohet në Shqipëri nga ZETA Qendra për Art Bashkëkohor, “Çmimi Dnes”, organizohet në Maqedoni nga Qendra për Art Bashkëkohor & FRU, dhe “Milič” në Mal i Zi nga ISU – Instituti për Art Bashkëkohor janë pjesë e pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor me këtë panel tenton të bëjë ndërlidhje me punën e institucioneve bashkëpunuese të rajonit dhe të artistëve, të fitueseve pjesë e YVAA, me Shkolla Verore si Shkollë dhe me PLATFORM A4, të inicuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina dhe Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, që ka për qëllim gjenerimin e strategjive të reja rajonale, reformën e politikave publike, dhe të nisë bashkëpunim për mekanizma të përkrahjes për art dhe kulturë, duke ndikuar në zhvillimet shoqërore dhe ekonomike në rajon, në fokus të katër shtete pjesë e PLATFORM 4. / KultPlus.com

Fjalimi i fundit madhështor i Gjergj Kastriotit

Shkruan Aurenc Bebja, Francë.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin « Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire ». Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:

« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë.

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni lulftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit »./ KultPlus.com

Fustani i Victoria Beckam nga dasma mbretërore tani në shitje, ka çmim marramendës

Victoria Beckham, gruaja e David Beckham, tani e ka lëshuar në shitje fustanin e saj, atë që e kishte veshur në dasmën mbretërore pak kohë më parë.

E ftuar në dasmën mbretërore ishte nga Meghan Markle.

Ky fustan, mban çmimin 1,1995 dollarë.

Fillimisht ka nisur të shitet në “36 Dover Street London”./ KultPlus.com

Mbrëmje artistike kushtuar Tefta Tashko Koços në Korçë

Mbrëmja e 25 korrikut i kushtohet Tefta Tashko Koços në qytetin e Korçës.

Sopranoja e njohur Inva Mula sjell në një mbrëmje muzikore disa nga zërat e skenës lirike, që do të nderojnë figurën e sopranos Tefta Tashko Koço, ku do të interpretohen këngët e saj.

Në Pazarin e Vjetër mbrëmja e 25 korrikut në Korçë shënon dhe hapjen e festivalit ndërkombëtar të muzikës MIK, që organizohet nga Inva Mula.

Pjesë e mbrëmjes janë artistet Arlinda Morava, Klejda Tare, Zhulieta Sheremeni, Xhoi Mance dhe Kristo Sherko. Jo vetëm këngët më të bukura që janë interpretuar nga Tefta Tashko Koço janë pjesë e kësaj mbrëmje, por nuk mungon dhe një kumtesë nga studiuesi Pandi Bello.

Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) do të zgjasë plotë pesë ditë me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën .

Krijimtaria e artistes Tefta Tashko Koço

Tefta Tashko Koço (2 nëntor 1910 – Tiranë 30 dhjetor 1947) një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

Ndër to përmendim “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule”, etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore janë edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit, shkruan ata./ KultPlus.com

“Sky Arte” vlerëson projektin e Bjarke Ingels për Teatrin Kombëtar

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar nga kanali “Sky Arte”, i cili i kushtohet kryesisht artit dhe kulturës, i bëhet një pasqyrim zhvillimeve në Tiranë, ku po synohet që të ndërtohet një teatër modern.

Gjigandi mediatik “Sky” i ka bërë jehonë faktit që Tirana i ka besuar projektimin e Teatri të ri Kombëtar një prej arkitektëve më me emër dhe reputacion në botë, Bjarke Ingels.

Artikulli thekson se disa muaj pas përfundimit të “LEGO House” në Billund, Grupi BIG-Bjarke Ingels është gati të matë veten në kryeqytetin shqiptar, për të krijuar në qendrën e tij Teatrin e ri Kombëtar të Shqipërisë.

Klima e ‘gjallërisë arkitekturore’ e pranishme tashmë prej disa vitesh në kryeqytetin shqiptar, duket se po vazhdon, këtë herë me një ndërhyrje në aspektin funksional,- thuhet në përshkrimin “Sky Arte”, i cili shton më tej se- Teatri i ardhshëm Kombëtar i Shqipërisë do të jetë në gjendje të presë një gamë të gjerë të shfaqjeve të drejtpërdrejta, me hapësira të dedikuara për shfaqje brenda dhe jashtë.

Më tej “Sky Arte” është ndalur në çështje teknike të projektit të Bjarke Ingels, duke raportuar se me rreth 9 mijë metra katrorë në dispozicion, kompleksi mund të krenohet edhe me një teatër të hapur në çati dhe një hapësirë publike të mbuluar, të vendosur poshtë ndërtesës, shkruan Java News. Për të gjeneruar ndërtesën, vëllimi i saj pëson një shtypje në qendër, për t’u ngritur pjesërisht nga toka. Në këtë mënyrë, krijohet një hendek mes dy pjesëve të sheshit publik, për të formuar një lidhje. Hapësira të mëdha me xhamë do të shtrohen në të dyja fasadat kryesore, duke zvogëluar distancat midis teatrit, i cili do të jetë gjithashtu një vend i prodhimit kulturor, i pajisur me shërbime restorantesh, dhe pjesës tjetër të qytetit./ KultPlus.com

Mike Shinoda flet për të ardhmen e Linkin Park

Para dy ditësh rok grupi i mirënjohur Linkin Park kujtuan këngëtarin Chester Bennington në një vjetorin e tij të vdekjes.

E tani, këngëtari i këtij grupi Mike Shinoda në një intervistë për NME ka folur për të ardhmen e grupit që tani e udhëheq ai, transmeton Koha.net.

“Vërtet nuk e di se ku na dërgon e ardhmja. Në fakt po provoj me mbajt ende gjithçka të hapur. Jam i emocionuar për performancat që i kemi më shumë se ndonjëherë që unë mbaj mend, madje edhe kur bëjmë një performancë në ndonjë klub për 600 veta”, është shprehur Shinoda.

Ai thotë se thjesht do të vazhdojnë kështu për një kohë./ KultPlus.com

Scrutoni dhe BREXIT-i

Shkruan Arsim Canolli.

Mediet britanike lajmërojnë se së fundi në Britani të Madhe ka filluar hetimi i entiteteve dhe personave të caktuar rreth ndikimit rus në BREXIT.

Si duket efektet postraumatike TRUMP edhe BREXIT kanë bërë të veten dhe oponentët shfrytëzojnë të gjitha mundësitë. Ata edhe mund të kenë të drejtë. Kësaj pune nuk i dihet. Megjithatë, sa ka lidhje Rusia me BREXIT-in, sa kanë lidhje persona apo organizata të caktuara me BREXIT-in, është argument tjetër. Lidhjet dhe ndikimet mund të jenë reale dhe si duket do të jenë objekt hetimi i organeve përkatëse britanike ashtu sikurse po bëhen edhe në SHBA. Por, pavarësisht këtij argumenti, ideja e BREXIT-t nuk mund të lidhet vetëm me ndikime të jashtme apo edhe vetëm me ndikime të fushatës së brendshme pro BREXIT. Ideja e BREXIT-it është më e thellë se sa ndikimet e politikës fushatore të para referendumit për të. Ideja e BREXIT-it është ide imanente në kulturën britanike; ajo është ideja e ishullarëve britanikë për sovranitetin e tyre, lirinë dhe përgjegjësinë e tyre, në një kohë kur të gjithë pyesin për identitetin e tyre politik të cilin mund ta mbajnë nën kontrollin e votës demokratike. Ata nuk duket se kanë qenë të kënaqur së qeni pjesë e një identitet grupor politik, i cili nuk kontrollohet nga botëkuptimi politik lokal i shtetit por nga teoritë abstrakte të suprashtetit. Kështu thekson Roger Scruton, një prej filozofëve britanikë.

Në librin e tij “Where We Are: The State of Britain Now” [Ku jemi: gjendja e Britanisë sot], të botuar në fund të vitit të kaluar, Scruton shpalos një mendim personal për BREXIT-in duke mos dashur të gjykojë shumë për BREXIT-in si strategji të mirë apo të keqe, por për “mënyrën se si sovraniteti ynë nacional duhet të kuptohet për të bashkuar ata pro daljes nga BE dhe ata pro mbetjes në BE”. Libri vjen si përmbledhje koherente e disa argumenteve të shkruara në artikuj gazetash e revistash dhe në ligjërata në salla universitetesh e institutesh kërkimore. Prandaj, libri del si një pikëpamje sa personale, aq edhe filozofike e historike për statusin e identitetit politik të Britanisë, sentimentet dhe përvojën britanike me imigracionin, kompleksitetin e situatës supranacionale në BE dhe burokracinë e dendur apo burotiraninë e saj, trashëgiminë kulturore e politike britanike, e shumë aspekte tjera. Të gjitha këto janë pikëpamje që Scruton i ka diskutuar shpesh edhe në faqe librash tjerë, si mendimtar që synon lirinë, sovranitetin dhe sensin e përgjegjësisë individuale e kolektive për jetën në bashkësi, gjithnjë brenda common sense-it britanik.

Scruton është ndër të paktët mendimtarë konsistentë që shkruan për common sense-in britanik duke e bazuar në njohjen e hollë të kulturës ishullare politike, sidomos idesë së lirisë dhe sovranitetit. Në këtë libër ai heton disa nga të metat e BE-së si entitet pa “demos”. Një nga të metat fundamentale të BE-së, sipas tij, është fakti se burokratët e saj udhëheqin politika supranacionale ndonëse janë politikanë të pazgjedhur. Pra, ata nuk zgjedhen me votë demokratike sikurse që zgjidhen politikanët në të gjitha shtetet evropiane, por sistemi i BE-së ua lejon të japin direktiva për gjithë “demosin” evropian. Dhe ky argument shkon edhe krahëmëkrah me argumentin empirik tashmë të njohur se nisma e tregut ekonomik të BE-së, si një mirësjellje plot buzëqeshje ndaj njëri tjetrit pas Luftës së Dytë Botërore, ka nisur të shndërrohet në çarllaisje të një grupi njerëzish në krye të institucioneve të BE-së ndaj njëri tjetrit, gjithnjë të dalldisur në procesin kafkian burokratik direktivdhënës.

Për lexuesin e shkencave sociale e dijeve humane, ky libër është një kallxor mjaft i mirë se çfarë mendon Roger Scruton, një nga filozofët më të njohur britanik, për BREXIT-in si gjendje e vetëdijes filozofike e politike të Britanisë, që u shpreh te britanikët e rëndomtë të cilët edhe u përqeshën “antropologjikisht” për votën e tyre. Megjithatë, lexuesi nuk duhet të pres argumente ekonomike mbi fakte të tipit “a la statistique” [zakonisht të shpikura vetë!] ku argumentet përdridhen rreth numrave të profitit ditor të tregut evropian dhe ndikimit në Britani, e gjëra të tilla, që Scruton i mendon si dytësore. Scruton jep arsyet imanente, të karakterit historik politik të kulturës britanike të bazuar te tradita e lirisë dhe përgjegjësisë.

Ja një copë nga kreu i parë, kur nis argumentin me tendencën e Cameron-it, ish-kryeministrit britanik, që të nxjerr ekspert pas eksperti për të bindur ishullarët britanikë për të votuar pro qëndrimit në BE.

“Megjithatë, votuesit nuk u bindën. Ekspertët kishin argumente, por ata tingëllonin sikur njerëz që mund të jetonin kudo dhe t’ia dalnin si zotni. Për të tillët, nuk është imponim i madh nëse sundohesh prej një shkami që është tjetërkund. Tjetërkundja është vendi i tyre i përhershëm. Por, për shumë votues të zakonshëm, lidhjet e të cilëve janë po ashtu lagjet e tyre, ideja se kush na qeverisë, dhe prej kuhit, është reale dhe urgjente. Për këta njerëz, ajo që ishte më e rëndësishmja dhe që politikanët e kishin anashkaluar përherë, dhe ajo ishte më e rëndësishme për ta se sa të gjitha argumentet ekonomike dhe gjeopolitike, ishte çështja e identitetit: kush jemi, ku jemi, dhe çfarë na mban së bashku në një rend të përbashkët politik? Por, nuk janë vetëm britanikët ata që ballafaqohen me këtë punë: kjo është pyetje politike e kohës sonë, dhe gjithandej Evropës ka filluar të bëhet kjo pyetje. Mbi të gjitha, nuk është punë që mund të zgjidhet nga argumentet ekonomike, sepse lypset përgjigje para se të kuptohen argumentet ekonomike” [në “Prelude”]

Scruton jep një pamje që tregon se Britania ka pësuar një lëngatë në vetëdijen e saj si ishull i lirë e sovran, kur BE ka nisur të bëhet diktat mbi lirinë, sovranitetin dhe përgjegjësinë tradicionale të ishullit të gjelbër. Dhe kjo pamje, në shijen time, duket solide, ndonëse ka përgjithësime që për ata që s’e njohin veprën e plotë të Scrutonit, mund të duken edhe banale.

Libri ka shtatë kre dhe lexohet me një frymë. E në frymën e uratës së Cekës, nëse ju e lexoni, juve ju bëftë me mendue.

(Shkruan: Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)

Kjo është lista e plotë e çmimeve në PriFilmFest 2018-të

Përfundon edicioni jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest, shkruan KultPlus.

Çmimi kryesorë shkoi në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa më poshtë po sjellim çmimet e tjera të këtij edicioni:


Filmi më i mirë i Ballkanit shpallet filmi “Men don’t cry”, me regji të Alen Drljevic.

“Çmimi ndërkombëtar për një film/aktor kosovar” shkon për Genc Salihun dhe Alban Ukaj për rolin e tyre në filmin “Martesa”.

Çmimi për regjisorin më të mirë të filmave ballkanik shkon për Stevan Kumandarev për regjinë e filmit “Directions”, Bullgari.

Çmimi “Aktorja më e mirë” (Ballkan) shkon për Silma Mahmuti, aktoren e “The Witch Hunter”, Serbi.

Çmimi “Aktori më i mirë” (Ballkan) shkon për aktorin e “Histori majë kulmi”, Xhevdet Doda, Kosovë.

Çmimi special i jurisë shkon për filmin “Anchor and Hope”, Spanjë.

Filmi më i mirë i programit të filmave evropian zgjedhet filmi “Wajib”, Palestinë, me regji të Annemarie Jacir.

Filmi më i mirë i programit të filmave të metrazhit të mesëm shpallet filmi “Éclair”, Maqedoni.

Filmi fitues i programit të filmave dokumentarë shpallet filmi “Mr.Gay Syria”, Turqi.

Filmi fitues i zgjedhur nga programi i filmave studentorë shpallet filmi “Dielli”, Kosovë/Itali, nga Mjellma Istrefi.

Fituesi i zgjedhur nga juria e mediave për këtë edicion të PriFest-it është filmi “Anchor and Hope”, Spanjë.

Fituesi i zgjedhur nga juria FIPRESCI për filmin më të mirë ballkanik është filmi “Directions”, Bullgari, me regji të Stefan Kumandarev.

Juria e pavarur e studentëve të Kosovës në programin e filmave të metrazhit të mesëm shpall fitues filmin “Mary”, Kroaci.

Fituesi i çmimit për gradim të ngjyrave është “Looking for Venera”, Kosovë.

Fituesi i çmimit për gradim të ngjyrave është “Looking for Venera”, Kosovë.

Fituesi i çmimit të shërbimeve ‘Audio Post-produksion’ është “Money for a funeral”, Bullgari.

Sonte u ndanë çmimet e edicionit të 10-të të PriFilm Fest, i cili ka nis më 17 korrik ndërsa përfundon sonte më 22 korrik./ KultPlus.com