“I’m A Mess” me 45 milionë klikime për vetëm një muaj

Këngëtarja shqiptare tashmë me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha ka një muaj që ka publikuar albumin e saj më të ri me titull “Expectations”, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij albumi që përmban shumë këngë, këngëtarja e hitit “Meant to Be”, ka publikuar edhe këngën me titull “I’m A Mess”.

Siç duket kjo është një nga këngët më të dëgjuara të albumit, pasi që vetëm një muaj nga publikimi i një videoje me tekst, ka arritur të mbledhë plot 45 milionë dëgjues në kanalin ‘YouTube”.

Këtë e ka bërë të ditur vet këngëtarja Rexha, e cila ka falënderuar të gjithë fansat. /KultPlus.com

Si qajnë burrat, ja riti shekullor (VIDEO)

Gjatë një ditë festimesh, organizuar në fshatin Pult të Dukagjinit, rreth 45 kilometër nga qyteti i Shkodrës, banorët organizuan edhe “gjamën e burrave”, një rrit ky tradicional, me të cilin nderoheshin të vdekurit në fshatrat e besimit katolik si në Dukagjin, Nikaj-Mërtur, Pult, Shalë, Shosh, Nën-Mavriq, etj. “Gjama e burrave ” shprehte keqardhjen dhe nderimin e vëllazërisë, shoqërisë, e miqësisë për të vdekurin.

Në një ceremoni vdekje numri i gjamave varionte sipas statusit të personit apo rrethanave tragjike të vdekjes, por nuk mund të kishte më pak se 2 gjama për çdo mashkull të vdekur.

“Gjama e burrave” në fjalorin e shqipes shpjegohet nën termin “gjëmë”, term i cili sot ka marrë kuptim disi më të gjerë, por në themel do të thotë pikërisht “vajtim burrash”.

“Gjama e burrave” është një ritual i trashëguar nga besimet pagane. Gjatë periudhës së komunizmit, gjama e burrave ishte e ndaluar, ndërsa vitet e fundit ajo është shfaqur në disa vdekje të veçanta si dhe ne raste ceremoniale, si pasqyrim i traditës së banorëve të fshatrave të Dukagjinit./ VOA

Reagon hoteli në Shqipëri që i tha kosovarit “racë derri, pak ua ka bërë Serbia”

Hoteli në Durrës, stafi i të cilit i kishte ofenduar rëndë një turist kosovar duke i thënë se “kosovarët janë racë derri dhe mirë ua ka bërë Serbia”, ka kërkuar falje publike.

Faqja në Facebook e Hotelit “Ylli i detit”, ka kërkuar falje publike për ofendimin e bërë qytetarëve kosovarë, duke thënë se personi i papërgjegjshëm që e ka bërë atë shkrim ka marrë dënimin e merituar.

“Kërkjomë ndjesë publike për shqetësimin dhe keqkuptimin që i është bërë klientit tonë nga njerëz te papërgjegjshëm të cilët morën ndërshkimin e merituar. Me Rrespekt Ylli DETIT”, thuhet në shkrimin e faqës së tyre në Facebook.

Leutrim B. nga Kosova kishte publikuar dëshmi nga komunikimi që ai ka pasur me stafin e hotelit nga Durrësi, përmes platformës komunikuese Messenger. Në bashkëbisedimin mes tyre bie në sy sjellja vulgare e stafit të hotelit nga Durrësi ndaj qytetarit nga Prishtina.

“Pas një dëshire me kalu vikendin në Shqipëri me familje me ju bashkangjitë shokëve të tjerë që ishin atje, deshta me rezervu një Hotel prej Prishtinës, që mos me u bo telash me gjetë dhomë kur shkoj atje pasi kam qenë edhe me fëmijë të vegjël. E pyes Hotel ‘Ylli i Detit’ , siç shihet edhe në foto, dhe më thotë se ne nuk bëjmë rezervime nga telefoni sepse duhet një kapare. E mirëkuptoj. E rezervoj diku tjetër ku nuk duhet kapare për një rezervim”, shkruan Leutrim B..

“Jeni racë derri, pak jua ka bërë Serbia”, reagimi ndaj një kosovari në Shqipëri

Një rast aspak i këndshëm i ka ndodhur një shtetasi të Kosovës përderisa kishte vendosur ta kalonte fundjavën në bregdetin e Shqipërisë.

Fillimisht, personi në fjalë kishte vendosur që të rezervonte një dhomë në një nga hotelet e Shqipërisë, mirëpo me të pyetur për dhoma të lira, atij i ishte kërkuar paradhënie nga hoteli ku ai po kërkonte të kalonte pushimet, shkruan Lajmi.net.

Në pamundësi për një gjë të tillë, pushuesi nga Kosova kishte refuzuar këtë kërkesë dhe kishte filluar të kërkonte për alternativa të tjera të hoteleve.

Disa ditë pasi që ky person kishte gjetur akomodim në një tjetër hotel ku nuk ishte i detyruar të paguante paradhënie, atij i shkruajnë përsëri nga hoteli ku ai fillimisht kishte kërkuar për dhoma të lira.

“Zotëri do vini? Keni bërë rezervim tek ne? Nëse jo na thoni?”, ishte pyetur ky pushues nga hoteli në fjalë.

E menjëherë pasi kosovari ishte përgjigjur se ka gjetur akomodim në një hotel tjetër, kishin filluar të sharat dhe ofendimet nga personat të cilët nuk dihet a janë pronarë apo nga personeli i këtij hoteli.

“Ju kosovaret jeni rrace derri, pak ua ka bërë Serbi”, ishin disa nga të sharat dhe ofendimet që ky pushues kishte marrë nga personeli i këtij hoteli.

Këtë shqetësim ky turist nga Kosova e ka shpërndarë me miqtë e tij në rrjetin social, Facebook.

E ky nuk është rasti i vetëm kur pushues nga Kosova kanë problem të tilla me akomodimet nëpër hotelet dhe vendet e tjera në Shqipëri.

Edhe gjatë sezoneve të tjera verore pushues nga Kosova dhe nga vendet tjera janë ankuar se ka shumë parregullsi në ofertat që fillimisht ofrojnë këto hotele në Shqipëri, të cilat as për afër nuk i ofrojnë kushtet për të cilat pushuesit paguajnë.

Ankesa ka pasur vazhdimisht edhe për fryerjen e faturave nga bizneset në Shqipëri për pushuesit kosovarë gjatë sezonës së verës.

Akuzohet se nuk këndoi ‘live’ në Botëror, Era kundërpërgjigjet (FOTO)

Këngëtarja Era Istrefi i ka bërë krenarë shqiptarët anë e mbanë globit me performancën e djeshme në Luzhniki Stadium.

Së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, ata performuan këngën “Live it up”, në ceremoninë hapëse të finales së Botërorit.

Së fundmi, ajo publikoi disa imazhe nga performanca e saj në Instagram, të cilat i shoqëroi me mbishkrimin: ” Gjurmët e performancës së kaluar, një nga ditët më të bukura të jetës sime”.

Përkundër komenteve të mira dhe të shumta në rrjetet sociale, nuk kanë munguar edhe kritikat.

Një nga komentuesit në rrjetet sociale i ka shkruar këngëtares: “Sinkronizimi i buzëve ishte mbresëlënës”, duke aluduar kështu që Era nuk ka kënduar “live”.

Por, i menjëhershëm kaq qenë reagimi i saj, pasi këngëtarja i është kundërpërgjigjur komentuesit, duke thënë se ka kënduar live, por në videon e publikuar në YouTube, nuk është prezantuar versioni live që ajo këndoi.

“Mund t’i shikosh videot dhe të më dëgjosh duke kënduar “live. Shpresoj se do ta rregullojnë zërin kur t’i postojnë performancën zyrtare të videos”, ka qenë përgjigja e Erës.

Për performancën e saj mahnitëse, Era mori komplimente të shutma edhe nga artistet tjera shqiptare me famë ndërkombëtare si Dua Lipa dhe Rita Ora. /Telegrafi/

Sa kushton dasma në atdhe e sa në Zvicër?

Fotografia në ballinë: Norik Uka.

Ku do t’ju kushtonte më shtrenjtë martesa? Një krahasim i buxhetit të dy çifteve tregon se sa mund të kushtojë një dasmë në Zvicër dhe sa në Kosovë.

Bërja e dasmës, për një çift martesor nuk nënkupton vetëm festimin e kurorëzimit të dashurisë së tyre. Mjerisht, jo. Të martohesh, domethënë po ashtu edhe t`i hedhësh një sy arkës së kursimeve, të përpilosh një plan buxhetor dhe të zgjosh tek vetja talentin e përgjumur për organizim. Nuk tingëllon aspak romantike? Në fakt, kjo pjesë as nuk është e tillë.

Ne i kemi lutur dy çifte martesore nga Zvicra që të hedhim një shikim në planin e tyre të martesës, për të zbuluar se si ngrihet fare në këmbë i gjithë ky konstrukt i festës dhe çfarë shpenzimesh dalin për të realizuar një dasmë, shkruan albinfo.ch.

Çifti ynë zviceran jeton në Kantonin Thurgau. Të dy janë 25-vjeçarë. Ndërsa çifti shqiptar, një 27-vjeçare nga Thurgau dhe një 26-vjeçar nga St. Galleni, të dy janë të lindur në Zvicër.

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Lokali dhe menyja e dasmës

Çifti zviceran e bën dasmën në Mainau, Gjermani. Janë të ftuar 100 mysafirë. Për menynë me 5 pjata ata paguajnë 120 euro për person. Por, duke qenë se marrja e sallës me qira nuk përfshihet në çmim, ata në fund duhet të paguajnë 19.000 euro.

Çifti shqiptar martohet në Tetovë, në një nga restorantet më të rinj për dasma. Edhe ata janë përcaktuar për një meny prej 5 pjatash dhe duan që mysafirëve t`ua ofrojnë menynë më të shtrenjtë dhe më të mirë. Por kjo kushton vetem 18 euro për person. Për të festuar bashkë, janë ftuar 450 dasmorë. Restoranti nuk kërkon ndonjë shumë shtesë për qiranë. Kështu, çifti paguan në total 8100 euro.

Fotografitë dhe videoxhirimi

Çiftit zviceran i kushtojnë më shtrenjtë edhe videoxhirimi dhe fotografimi, të cilat së bashku arrijnë në shumën prej 4100 eurove.

Ndërsa çifti shqiptar paguan 1800 euro për 3 ditë xhirime. Filmohet dhe fotografohet në natën e “Kanagjeqit”, në ditën e dasmës dhe gjatë banketit. Këtu përfshihet edhe një videoklip i çiftit martesor, i cili do të filmohet në Liqenin e Ohrit, raporton albinfo.ch.

Dekorimi

Një element që në dasmat zvicerane është pjesë e nënkuptueshme, në dasmat në vendet tona të prejardhjes ka hyrë në modë vetëm në vitet e fundit: dekorimi i sallës së dasmës. Ka gjithnjë e më shumë agjenci në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni që e ofrojnë këtë shërbim. Çiftit të ëndrrave kështu premtohet se t`i plotësohet çdo dëshirë, sa i përket dekoracionit. Dhe, çmimet për këtë, duket se nuk njohin kufi. Çifti ynë shqiptar është përcaktuar për një agjenci nga qyteti i lindjes, e cila, për 3500 euro ua zbukuron sallën dhe tavolinat si dhe e përgatit një libër të dasmorëve dhe një ekran të personalizuar të fotografive. Organizatorët nga agjencia do të kujdesen që rrjedha e banketit të shkojë pa telashe.

Për dekorimin e sallës së çiftit zviceran kujdeset familja e nuses. Kështu, ky segment do të kushtojë 1500 euro.

Veshmbathja, stolitë dhe Aksesorët

Mbase do t’ ju ketë rënë veçanërisht në sy në grafikonin tonë një shtyllë e kuqe te rubrika: Veshja e nuses. Kjo nuk domethënë se nuset shqiptare fustanin e tyre të nusërisë e blejnë në Champs-Élysées, por shpjegohet me faktin se ka edhe shumë shpenzime tjera që shkojnë bashkë me bërjen nuse. Në Tetovë, ku traditat lokale mbahen me të madhe, kostumet dhe fustanat tradicionalë janë pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj.

Dimitë tradicionale mund të blihen në qytet duke filluar nga 200 euro. Kush përcaktohet për ndonjë thurje të veçantë, punë dore ose kualitet më të lartë të qëndismave me fije të praruara, fare lehtë mund të paguajë deri në 2000 euro për një veshje të tillë. Krahas dimive të zakonshme, ka edhe variante tjera të tyre, si për shembull kaftani ose xhamadani, që shumë nuse dëshirojnë t`i kenë në zotërim.

Këtyre u shtohen pastaj fustanat tjera të mbrëmjes, disa prej të cilëve nuk janë thjesht të blerë, por të prerë dhe qepur sipas masës dhe dëshirës, pasi që nusja, me ata fustanë do të vallëzojë edhe në shumë dasma të tjera. Kështu, nusja shqiptare shpenzon 4500 euro për veshjen e saj. Fustani i saj i dasmës, i disenjuar dhe i prerë sipas masës nga një disenjator i njohur kosovar, ka një vlerë prej 2600 eurove. Ai nuk përfshihet më shumën e përmendur më parë.

Fustani dasmor i nuses zvicerane kushton po ashtu 2600 euro. Për stolitë dhe aksesorët tjerë ajo paguan 700 euro.

Vlera e gjithëmbarshme e stolisjes së nuses shqiptare shkon në 16.000 euro. Në intervistë me albinfo.ch ajo thekson se nuk është sasia që përcakton këtë çmim të lartë, por cilësia. “Unë nuk doja stoli ari që është i falsifikuar dhe sidoqoftë nuk i përgjigjet çmimit që ka. Ne jemi përcaktuar për 22 karatë dhe i kemi kushtuar shumë rëndësi cilësisë. Disa gjëra i kemi blerë në Zvicër”.

Dy bashkëshortët e ardhshëm nuk kanë nevojë të shpenzojnë kaq shumë për veten e tyre. Për kostumet e tyre të markave me emër, përfshirë dhe këpucët, ata paguajnë rreth 2000 euro.

Fotografia: Norik Uka

Muzika dhe shpenzimet e përgjithshme

Shuma që paguan një çift martesor për një orkestër ose për një DJ, është shumë e ndryshueshme në të dy vendet. Në Zvicër, për një DJ paguhet deri në 10.000 franga zvicerane. Në trojet shqiptare ka mundësi që një këngëtar me gjithë orkestrin ta paguash 500 euro.

Çifti zviceran ka angazhuar një DJ për 1200 euro, ndërsa çifti shqiptar, dy artistëve të famshëm kosovarë bashkë me orkestrin ua ka paguar 3800 euro. 450 euro shtesë ata kanë paguar për një grup prej 6 vajzave, të cilat gjatë ditës do të këndojë këngë tradicionale shqiptare.

Sponsored by eny Finance

100 fshatrat, destinacione të mirëfillta turistike

“Në këtë vend nuk mungon dija, por jo pasuria”, kjo është arsyeja për të cilën kryeministri Edi Rama kërkoi ndihmën e botës universitare për të krijuar Akademinë e Fshatrave. Ajo është fryt i një marrëveshjeje me Universitetin për projektin e 100 fshatrave, me qëllimin për t’i shndërruar ata në destinacione të mirëfillta turistike.

“Ne këto 100 fshatra do i kthejmë në destinacione të mirëfillta turistike për t’i dhënë hov një zhvillimi ekonomik dhe social, aty ku deri sot kjo duket e pamundur dhe për të nxjerrë në pah potencialet e mëdha për një qasje të ndryshme ndaj të nesërmes, kudo ku ka mundësi për të zhvilluar një bujqësi apo blegtori intensive janë tërësisht të kufizuar.”

Agroturizmi, thotë kryeministri, do ta kthejë vëmendjen nga fshati dhe do të jetë mekanizmi i daljes nga varfëria.

“Ne besojmë shumë që turizmi dhe në rastin konkret agroturizmi si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore, vlerave të trashëgimisë kulturore, historisë dhe historive për tu treguar është një instrument efikas dhe i papërdorur deri më sot për daljen nga varfëria.”

Qeveria synon që të tërheqë edhe vëmendjen e emigranteve drejt vendit, për të pasur prej tyre histori të suksesshme të investimeve në fshat./ Tv Klan

Nexhmije Pagarusha si aktore në filmin “E kafshoja terrin”, në vitin 1977 (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha është këngëtare e njohur shqiptare apo siç njihet ndryshe si “Bilbili i Kosovës”. Veç kësaj, ajo ka qenë edhe një aktore e suksesshme, si në film ashtu dhe në teatër, shkruan KultPlus.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar si soliste në Radio Prishtinë.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi nga karriera e saj si aktore, në një skenë të filmit “E kafoshja terrin”, të realizuar në vitin 1977. Po ashtu më poshtë mund të ndiqni edhe një pjesë nga ky film.

“E kafshoja terrin” është një film televiziv prodhim i RTP TV Prishtina i vitit 1977, me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut. Filmi ishte pjesëmarrës në festivalin “Prix Italia 1978” në Milano të Italisë. / KultPlus.com

Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi të parat shkolla shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

Komediani britanik viziton Shqipërinë dhe e sjellë përmes një dokumentari

“E zymtë është fjala me të cilën e asocioja unë Shqipërinë. Kam dëgjuar natyrisht për bandat e kriminelëve shqiptarë në Londër. Por kur them Shqipëria, mendoj komunizmin dhe komunizmin e lidh me pamjet që kam parë nga ish Bashkimi Sovjetik”.

Me këtë paragjykim e ka nisur udhëtimin e tij në Shqipëri, komediani i famshëm britanik Romesh Ranganathan i cili shfaqi mbrëmë në BBC 2 episodin e tij të tretë të serialit të tij të përjavshëm ku kësaj herë eksploronte vendin tonë. Vetë komediani thotë se për arsye të panjohura, britanikët mesatarë e konceptojnë Shqipërinë nga klipet e bardh e zi të epokës së komunizmit, pjesa më e madhe e të cilave gabimisht janë xhiruar në Moskë.

Ishte detyra ime që të zbuloja pse Xhejms Belushi është përpjekur të bindë botën se Shqipëria është një alternativë e mundshme.

Me të mbërritur në Shqipëri, Romesh Ranganathan zbulon në fakt se ky nuk është aspak një vend i zymtë dhe i mjerë, megjithëse bie shi dhe moti është gri. I drejtuar përgjatë gjithë udhëtimit të tij nga gazetarja e Erjona Rusi, Romesh nis eksplorimin e tij nëpër Shqipëri por pasi është ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” ku madje provon jo vetëm rakinë por edhe të gatuajë me Zonjën Tefta.

Udhëtimi i komedianit britanik vijon më pas në fshatin Shën Gjergj ku mikpritet nga banorët e zonës e madje kalon natën në shtëpinë e Fatmirit, një bari i fshatit.

Zbulimi i Shqipërisë vijon me bregdetin, pamjen spektakolare në Kepin e Rodonit ku pavarësisht temperaturave të ulëta Romesh dhe Erjona zhytën në ujin e ftohtë të detit Adriatik. Dokumentari vijon më pas në një prej pikave më të bukura në veri të Shqipërisë, në Theth ku aventura bëhet edhe më e rrezikshme dhe argëtuese pas një udhëtimi rraskapitës prej 7 orësh.
Pavarësisht paragjykimeve të tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri, komediani britanik Romesh Ranganathan zbulon në fakt përgjatë këtij udhëtimi se Shqipëria është një destinacion i veçantë pushimesh.

Erdha në Shqipëri me një mendim të caktuar, e lidhja Shqipërinë me komunizmin, dhe me krimin, një vend krejtësisht të zymtë. Kur sheh për mundësinë e vendeve që do të udhëtosh, natyrisht që zymtësia komuniste por edhe kriminaliteti e heqin Shqipërinë nga lista por Shqipëria ka ecur përtej kësaj. Do të jepja të gjithë argumentat që duke ecur këtu ndjehesh i sigurt njësoj si në Londër. ky vend ka gjithçka mund të kërkosh nga një udhëtim në varësi të llojit të pushimeve që dëshiron të bësh. Do të bësh një pushim në qytet, ke Tiranën, do plazhin, Shqipëria e ka. do të shkosh në mal, Shqipëria e ka. I ka pra të gjitha këto. Po, është paksa pas për shkak të komunizmit. Po, është paksa e ashpër around the edges, por nëse nuk e ke problem dhe do të vish në një vend që vuan nga paragjykimet historike, atëherë ky është një vend i mrekullueshëm për ta vizituar.

Romesh e mbyll udhëtimin e tij në Shqipëri me një kujtim tepër të veçantë, në një bunker në Shkodër ai përjetëson Shqiponjën dy krenare me anë të një tatuazhi në krahun e tij./ KultPlus.com

Tetë filma të përkrahur nga QKK shfaqen në PriFest 2018

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFilm Fest, fillon këtë të martën dhe do të hapë edicionin e tij të 10-të, me “ROOFTOP STORY”, një film nga regjisori Gazmend Nela i cili shfaqet premierë në Kosovë pas asaj të Montrealit.

Ndërsa, gjatë javës do të jenë edhe shtatë filma të tjerë të përkrahur nga Qendra Kinematografike që do të shfaqen në këtë edicion.

Këta filma janë: MARTESA nga Blerta Zeqiri, GJUMË DHE DASHURI nga Arsim Haliti, NJË TREGIM PRISHTINE nga Burbuqe Berisha, ME DASHT, ME DASHT, ME DASHT nga Ilir Hasanaj, KLITHMA nga Korab Lecaj, VITI I MAJMUNIT nga Vladimir Blazevski, dhe mbyllja e festivalit do të bëhet me filmin KTHIMI nga Kastriot Abdyli./ KultPlus.com

Miqtë

Poezi nga Timo Flloko.

Kot e ke, më tha ndërgjegjja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”
(Dashuri. Ti s’fal thot Krishti.
Po si deshe dhe armiqtë)

S’është çudi në këtë jetë,
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u liq, mos u mpak,
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”!

Fjalimi emocionues i Nënë Terezës në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

Helidon Gjergji me ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Malit të Zi

“Shkodra Lake” (Liqeni i Shkodrës) quhet ekspozita personale e artistit Helidon Gjergji e cila do hapet më 18 korrik në Muzeun Kombëtar të Artit në Malin e Zi nën kurimin e Ana Ivanovic. Pas ekspozitës “(H)am(m)am”, një vit më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shkup, Gjergji rikthehet në një tjetër hapësirë fqinje për të përcjellë përmes gjuhës së artit pasojat e konflikteve historike ballkanike.

Por këtë herë mjeti i komunikimit është natyra.

Artisti nxjerr nga ekosistemi i qytetit të Shkodrës trupin gjeografik të ujit duke e parë atë si një hapësirë kulturore përmes së cilës bëhet ndërlidhja politike me hapësirat përreth. Një vëzhgim i mprehtë mbi rrezikun bashkëkohor që vjen nga nivelet e mbingarkuara të konsumizmit, si lakmia apo mungesa e respektit për natyrën

Helidon Gjergji (Tiranë, 1970) është një artist bashkëkohor, i cili merret me media të ndryshme vizuale artistike. Ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Me hapjen e kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, ai u shpërngul në Itali, ku ka studiuar artet vizuale dhe ka marrë diplomë nga Akademia e Arteve të Bukura në Napoli.

Në vitin 1997 ai u transferua në Çikago, ku është përsosur në teorinë dhe praktikën e artit në Universitetin e Çikagos. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe ligjëron në Kolegjin SUNY Old Westbury.

Ka marrë pjesë disa herë në Bienalen e Venecias (për arte të bukura dhe arkitekturë) edhe me ekspozita të pavarura edhe në grupe, ka prezantuar punimet e tij në Manifesta, në Bienalen e Tiranës dhe në një numër të madh të ekspozitave vizuale të njohura ndërkombëtarisht.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Venue: Gallery Atelier DADO, Court Piazza Cetinje deri më 5 shtator./ KultPlus.com

Al Jazeera me shkrim të detajuar për balerinën e Baletit Kombëtar të Kosovës

Televizioni Al Jazeera i ka kushtuar një artikull udhëheqëses së Baletit Kombëtar të Kosovës, Teuta Krasniqi. Në të përshkruhet lufta e Kosovës, problemet që qytetarët e Kosovës kanë me lëvizjen e lirë në botë, për vrasjet politike, për dëmtimin e imazhit që partitë politike po i bëjnë vendit, si dhe rrugëtimin e balerinës Krasniqi deri tek arritja e saj për ta udhëhequr baletin e vendit.

“Brake the Walls” është shfaqja e baletit në të cilën Krasniqi thotë se e ka pasqyruar vdekjen e kosovarëve në lumin Tisa. Krasniqi thotë se si popull, ne shpesh ndihemi të izoluar dhe të varrosur, po ashtu ajo beson se çdo komb që do të ishte në rrethana të tilla do të ndihej njësoj.

Artikulli i Al Jazeera’s flet për jetën e Teuta Krasniqit, vështirësitë që ajo ka pasur si dhe me portretizimin e Kosovës, në të cilin qytetarët janë të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.

“E lindur në Prishtinë, që më vonë ishte pjesë e Jugosllavisë, në vitin 1989, Krasniqi kaloi tre muaj në Kanada me familjen e saj si refugjate, ndërsa NATO-ja nisi sulme ajrore për të hequr ushtrinë e Sllobodan Millosheviqit jashtë Kosovës, përcjell Gazeta Express.

Një javë përpara se Kosova të shënonte 10-vjetorin e Pavarësisë në shkurt të vitit 2018, Baleti Kombëtar i Kosovës shfaqi një shfaqje bashkëkohore të vallëzimit të quajtur “No Walls”.

Skena nuk kishte shumë reklama. Një ansambël prej 20 valltarësh shkoi ngadalë në muzikën elektronike, duke gërshetuar brenda dhe jashtë njëri-tjetrit, duke mposhtur ndonjëherë muret por nuk ishin në gjendje të lëviznin përtej tyre.

Një burrë i veshur me të zeza, “padrejtësia”, prish rrjedhën e kërcimtarëve, ndërsa një grua që përfaqëson të gjithë kosovarët në një veshje të lehtë ngjyrë bezhë del në skenë.
Ajo përpiqet të flasë me audiencën, por fjalët nuk vijnë. Ajo bashkohet me valltarët e tjerë për të goditur murin, por padrejtësia kthehet për t’i ndaluar ato”, shkruan Al Jazeera.

Në këtë artikull, Kosova përshkruhet si një vend i izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.

“Në Kosovë, vendi më i ri i Evropës, qytetarët janë të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës. Ata janë i vetmi Ballkan Perëndimor i cili nuk mund të udhëtojë lirisht në 26 vendet evropiane në zonën Shengen pa vizë”, shkruan Al Jazeera.

Krasniqi thotë se kosovarët shpesh ndihen të izoluar dhe të varrosur nga hija që e mbulon kombin shqiptar. Ajo gjithashtu thotë se çdo popull që do të ndodhej në rrethana të tilla, do të ndihej njëjtë.

“Nga kjo hije që mbulon kombin tonë, ne shpesh ndihemi të izoluar dhe të varrosur, sikur dikush po hedh papastërti mbi ne, të gjitha këto ndjehen sikur dikush na varros, besoj se çdo komb që do të ishte në të njëjtën rrethanë do të ndihej njëjtë si ne”, tha Krasniqi nga studioja e saj e baletit, në bodrumin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Portretizimi i saj i errët por i ndjeshëm i izolimit të Kosovës është vendosur në sfondin e zemërimit dhe mungesës së shpresës në mesin e kosovarëve të prerë nga pjesa tjetër e botës, pavarësisht nga premtimet e bëra nga politikanët dhe zyrtarët e Bashkimit Europian (BE) gjatë dekadës së fundit se ata së shpejti do të udhëtojnë pa viza.

Por, Kosova nuk është anëtare e bllokut.

“Ndërkohë, kosovarët detyrohen të presin në linja të gjata jashtë ambasadave në kryeqytet për të caktuar një intervistë për një vizë udhëtimi ose biznesi dhe të paguajnë qindra euro për mundësinë për të vizituar Europën”, shkruan Al Jazeera.

Krasniqi gjeti mundësi për të udhëtuar jashtë vendit pasi ajo kërkon frymëzim nga shfaqje të tjera, por Ambasada franceze në Prishtinë ka hedhur poshtë dy nga kërkesat e saj për vizë.

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta “thyejë këtë mur”, tha ajo, kështu që njerëzit sot nuk do të duhet të largohen nga Kosova në kërkim të mundësive më të mira ekonomike në Europën Perëndimore.

Ajo kujton shikimin e raporteve të lajmeve për shqiptarët e vuajtur të Kosovës që pësuan në lumin Tisa, që pushtonte kufirin serbo-hungarez në vitin 2009. 15 vetë u mbytën ndërsa po përpiqeshin të lundrojnë në lumin e ftohtë.

Përmes lotëve, Krasniqi përshkruan incidentin e mbytjes të përshkruar në një nga skenat e “No Walls”

“Unë u përpoqa të imagjinoj se sa i ftohtë ishte uji dhe çfarë gratë dhe fëmijët e vegjël duhej të durojnë. Çfarë ndjenin ata?”

Deri në fund të skenës, padrejtësia i kërkon ndjesë Kosovës.

Valltarët bashkohen dhe ecin ngadalë drejt një dritë të zbehtë në pjesën e prapme të skenës, duke mos u kthyer kurrë.

Për Krasniqin, drita simbolizon shpresën për Kosovën.

Pavarësisht nga e kaluara e baletit, Krasniqi është e vendosur të sjellë trupën e saj të baletit në faza të ndryshme botërore.

“Sa herë që dalim nga vendi, ne përfaqësojmë Kosovën. Mënyra më e mirë për të përfaqësuar vendin tuaj është me kulturën”, tha ajo për Al Jazeera News./ KultPlus.com

Artikulli për Al Jazeera është shkruar nga gazetarja Valerie Plesch

Pullat postare “Artizanati – punime nga argjila”

Nga sot Filatelia e Postës së Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Artizanati – punime nga argjila”.

Ky emision, përmes tre pullave postare, prezanton pamje artistike të enëve nga argjila. Artizanati nënkupton punimin dhe përpunimin e gjërave të artit, si dhe formësimin e tyre, në rastin konkret formësimin e objekteve të ndryshme nga argjila.

Kosova është e njohur për traditë të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrit popullorë në çdo regjion të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme, duke u spikatur me shumëllojshmërinë e saj.

Për një periudhë të gjatë kohore objektet e punuara nga argjila kanë gjetur një përdorim të gjerë në amvisni, por edhe në dekorim të hapësirës jetësore. Kësaj radhe prezantohen pamjet e pjatave dhe enëve për ujë, të punuara nga duart e arta të artistëve./ KultPlus.com

“Një muaj” edhe në një festival kualifikues për Oscar

Me regji të Zgjim Terziqit, filmi i metrazhit të shkurtër “Një Muaj” – “A month”, është zgjedhur zyrtarisht që të jetë pjesë e edicionit të 14-të të festivalit Annual HollyShorts Film Festival, shkruan KultPlus.

Ky festival, është një ndër festivalet kualifikuese për Osacrs ndërsa mbahet nga data 9 deri më 18 gusht.

“Një muaj”, deri më tani ka marrë pjesë në 25 festivale, ndërsa premierën kombëtare do ta ketë në festivalin DokuFest.

‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj, secila me rend nga një muaj, shkruan KultPlus.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu./ KultPlus.com

“S’ka rëndësi çka do të thuash për mua” (VIDEO)

Ylli i Kosovës, Era Istrefi dje pati një paraqitje të madhe në finalen e Kampionatit Botërorë në Rusi, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas asaj paraqitje që pati përkrah yjeve si Will Smith e Nicky Jam me himnin e botërorit “Live it Up”, Era mori një vëmendje të madhe mediatike botërore.

Edhe mediat serbe nuk lanë pa shkruajtur për Erën, por jo me qasjen e mediave të tjera. Ata edhe kësaj radhe nuk lanë pa përmendur këngën “E dehun jam”, këngë këtë që Era Istrefi e pati realizuar në vitin 2014-të.

Gazeta “Blic” e quan kontraverse këngëtaren nga Prishtina duke thënë se ajo ka kënduar gjysmë e zhveshur në objektin e Kishës Ortodokse të Serbisë, duke aluduar pikërisht në këtë videospot./ KultPlus.com

Un pe du dikon
Dikon qe shume
po më mundo-o-o-n
Un pe du dikon
Qe nuk beson
Se dashnia ekziston
Un pe du dikon
Dikon qe menon
Qe kerkush nuk e don
Un pe du dikon
Aj nuk din me vlersu
Se k-k-kush pe don’
Uh nanana
Un para se me ik shum larg
Pararara Du me tthon
je kon shume ngat
Uh nanana
Un para se me ik shum larg
Pararara
Zemren n’dor un ta mar ta mar..
Shots e tekilla edhe birra bon
Per me hek do t’keq
ti veq i combo (kombinon)
Edhe pak bob marley bon
So ëhen I roll
Mo nuk nalna as n’patroll
Uh ra pam pa pam
Beat-i po ma then
Edhe vena o’ ka m’nxen
Edhe nese ska dashni
At’here ka sa t’dush raki per me pi
Doesnt matter what you gonna say about me x2
Tash per qdo nat pi raki edhe ven
Aman..aman
‘nat pi raki edhe ven
Aman..oo-oo
‘Nat pi raki edhe ven,
dikon qe e helmon
po mu po m’ngushllon
‘Nat pi raki edhe ven
E ti shut up shut up shut up shut up

France 3: Shqipëria, një destinacion i panjohur

“Shqipëria, një prej vendeve më pak të njohur në periferi të Mesdheut, hapet ndaj turizmit. Avantazhet e saj: plazhe ende të virgjra, një vend i mbushur plot histori dhe çmime të lira”, kështu e prezanton vendin tonë televizioni francez “France 3” në një dokumentar të shkurtër ku i bën thirrje turistëve francezë që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.

Rreth 2 orë e 30 minuta larg nga Parisi, një vend pak i njohur, i madh sa Belgjika, Shqipëria, prej shumë kohësh e mbyllur me misteret e saj, prej disa vitesh i është hapur për turizmin. Fqinjët italianë apo grekë e njohin shumë mirë, ndërsa francezët ende shumë pak.

Denise, 85 vjeç dhe shoqja e saj Jeanne, e zgjodhën si destinacion për një javë, pasi kishin eksploruar gjithë Mesdheun për shumë vite.

“Kishim përshtypjen se ky ishte çasti, që çmimet do të rriteshin ndërkohë që njerëzit do të njihnin më shumë Shqipërinë”, thotë Denise Million. Por një prej surprizave për dy pensionistet ishte që mund të diskutonin me shqiptarët, sepse vendi është shumë frankofil.

Peizazhe të mrekullueshme

Berenger e ka pëlqyer aq shumë Shqipërinë sa që ka vendosur të qëndrojë dhe po bën gati 10 vite. Në fillim ai erdhi të hapur një uzinë. Më pas, ai ngriti një agjenci udhëtimesh për të sjellë francezë që e imagjinojnë si një vend të mbytur nga mafja.

“Shqipëria ka një reputacion. Shqipëria është ajo që është. Në të kundërt, Shqipërinë e do kur jeton këtu”, garanton ai.

Një vend ende i virgjër, peizazhe të mrekullueshme dhe qytete që ndodhen në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.

Shqipëria, me pamjen e saj si të Greqisë në vitet 1950, tërheq vetëm 45 000 francezë, por frekuentimi është duke u rritur ndjeshëm. Vetëm këtë vit është rritur me 30%./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e At Zef Pllumit

Fotoja është bërë në Shkodër më 10 shtator 1990, kur ende s’e kishte veshur frakun e gjatë.

At Zef Pllumi për herë të parë është arrestuar më1946 dhe është dënuar me tre vjet burg. Të dytën herë arrestohet më 1967. Më 11 prill 1989 lirohet.

Në foto ai ka të veshur një këmishë të bardhë./ KultPlus.com

Ka vdekur aktori Fadil Hasa

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, aktori i madh durrsak i humorit, Fadil Hasa. Sipas të afërmve, ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Fadil Hasa i përket brezit të artë të aktorëve të estradës së Durrësit të viteve ’80-të, nën drejtimin e Haxhi Ramës, babait të Ina Ramës. Ai morri famë sidomos me skeçin “Sheqer, sheqer – kripë, kripë…”, në rolin e një punëtori pastiçerie që alivanosej kur i përmendej sheqeri.

Më pas karriera e tij do të njihte kulme të tjera duke u angazhuar me role dhe në kinematografi, shkruan Te Sheshi.

Më i fundit film ku luaji, ishte “Mao Ce Dun”, përzgjedhur nga regjisori Saimir Kumbaro për të luajtur në rolin kryesor të një arixhiu që përkëdhelej e më pas viktimizohej nga partia, nga ndryshimi i marrëdhënieve me kinezët. / KultPlus.com

Letrat e Arthur Evansit për shqiptarët

Shkruan: Arsim Canolli

Arkeologu britanik, Arthur J. Evans njihet si arkeologu i Kretës. Për dhjetëra vite kishte gërmuar në Knossos. Puna e tij ka peshë, ndonëse disa nga tezat e tij për civilizimin minoan u vërtetuan më vonë se janë vetëm hamendësime. Por, hulumtimet e fundit e nxjerrin atë edhe një faqe tjetër të tij. Një mori shkrimesh, të periudhës 1877 – 1880, të përmbledhura si “Albanian Letters: Nationalism, Independence and the Albanian League – Arthur J. Evans “ [2017] dhe të përgatitura nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, e sjellin Arthur Evans-in si gazetar, etnograf e opinionist të kohës.

Në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, Evans ishte raportues për pjesën e Ballkanit dhe ka lënë një legaci të madhe raportesh, mendimesh e opinionesh për gjendjen politike e sociale të këtyre viseve. Në letrat dhe shkrimet e tij, vërehet serbofilia e tij, sepse i mendonte serbët si faktor stabiliteti në rajon. Mirëpo, nuk mund të themi se Evans nuk ka dhënë edhe mendim për autonominë (pavarësinë) shqiptare në Ballkan. Kjo vërehet edhe në këtë përmbledhje. Megjithatë, karakteri luftarak dhe ndërklanor i shqiptarëve dhe “interesi vetjak”, duket se ia humbin shpresën se ata mund të krijojnë kontratë shoqërore në kuptimin e saj evropian.

Mbi të gjitha, ajo që i shquan këto letra e shkrime të tij në shikim të parë, është përshkrimi i ngjarjeve, raporteve, rrethanave, shpesh nga dora e parë, në atmosferën e kohës së Lidhjes së Prizrenit. Në anën tjetër, në pah dalin edhe mendimet, përshkrimet dhe krahasimet e tij mbi kulturën dhe historinë e kulturës shqiptare. Ato janë të shkurtra e shpesh edhe hamendësuese, por ka raste kur vijnë si përshkrime mjaft koncize për aspekte të caktuara dokesore.

Pos këtyre letrave signifikative për kohën e theksuar, Evans ka edhe letra, shkrime e raporte tjera për shqiptarët, që nuk janë në këtë përmbledhje. Ja një fragment nga një shkrim i tij në gazetën “Pall Mall” të Britanisë më 30 shtator 1889:

“Sundimi turk, i përforcuar nga konvertimi i gjysmës së popullatës në fenë islame, ndikoi te shqiptarët ashtu sikurse edhe te popujt e tjerë, që ishin unik, dhe i ktheu prapa me shekuj në udhën e civilizimit. Çfarëdo që të ketë qenë avancimi i shqiptarëve në atë aspekt, gjë që nuk është shumë e qartë nën influencën e sunduesve të tyre helen, romak, bizantin e venecian, ata kanë rënë prapë në gjendjen më primitive të shoqërisë. Është vështirë që nga Kaukazi e këndej të gjesh popullatë që është më shumë në mospërputhje me synimet dhe idetë e jetës evropiane. Padyshim janë trima dhe individualisht të mençur dhe, në rrethana të caktuara, ata japin trupa ushtarakë dhe komandantë të talentuar apo diplomatë dhe artizanë të mprehtë. Po qe se janë jashtë elementit autokton, atyre u prin interesi privat. Sjellja e tyre në klan tregon se janë pak më shumë se gjysmë të egër, të pazotë për ndjenja tjera pos lakmisë për plaçkitje të menjëhershme, janë të papajtueshëm dhe kanë ligësi të pamëshirshme. Natyrisht se ata mund, dhe duhet herët a vonë, të shpëtohen prej kësaj gjendje, mirëpo duhet të gjendet një udhëheqës i zoti, ku vullneti dhe puna e tij duhet të jetë mjaft i fortë për këtë gjë”.

Pa dyshim se mendimet e tij janë të kohës dhe mund të ngjallin ndjenja të përziera kur lexohen sot. Por, Arthur J. Evans është rast specifik për studim të udhëpërshkrimeve të të huajve për shqiptarët dhe të tjerët në rajon. Ky libër është vetëm një pjesë e botimit të letrave dhe shkrimeve të Evans-it dhe mund të komplementohet edhe me pjesë tjera në të ardhmen. Mënyra se si sheh pozitën shqiptare, dhe Kosovën në raport me serbët e shqiptarët, përndjell njohje e studim të thellë. Pos identifikimit dhe mbledhjes së letrave, shpeshherë të botuara me pseudonime, Bejtullah Destani dhe Jason Tomes kanë bërë një përgatitje të shkëlqyer të shkrimeve, duke dhënë referenca përkatëse.

Pa dyshim, libri është fort i mirëseardhur si referencë e veçantë për historinë e nacionalizmit shqiptar dhe filleve të pavarësisë së Shqipërisë.

(Autori është antropolog, profesor në Universitetin e Prishtinës)

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës zgjon interesim në MoMA

Objekti i cili disa herë nga revista të ndryshme u cilësua si një prej më të shëmtuarve në botë, ka tërhequr vëmendjen e publikut në muzeun prestigjioz amerikan.

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është prezantuar në Museum of Modern Art (MoMA) në New York, në kuadër të ekspozitës gjigante, që është para e llojit të tillë e prezantuar ndërkombëtarisht dhe që flet për arkitekturën e kohës së ish-Jugosllavisë. Është titulluar “Toward Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia 1948 -1980”.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, i cili është pjesë e ekipit kuratorial të kësaj ekspozite, organizuar nga Martino Stireli, shef kuratorial i arkitekturës në MoMA, ka thënë se objekti i Bibliotekës e ka tërhequr vëmendjen e publikut njujorkez.

“Stafi i MoMA-s më ka treguar se interesimi më i madh ka qenë për Bibliotekën”, ka thënë Ramku. Kjo ekspozitë që u hap për donatorë, financues e njerëz të tjerë të rëndësishëm, më datën 10 të këtij muaji, të dielën u hap edhe për publikun e gjerë, shkruan sot “Koha Ditore”./ KultPlus.com

Rita Ora i shkruan Era Istrefit (FOTO)

Era Istrefi, këngëtarja nga Kosova mbrëmë bëri historinë në Kampionatin Botërorë të Futbollit Rusia 2018, shkruan KultPlus.

Kësisoj ajo që nga dje po vazhdon të marrë komente nga më të ndryshmet në rrjete sociale dhe jo vetëm.

Ishte Dua Lipa, ajo e para që i shkruajti Erës ndërsa pas saj vjen edhe komenti i Rita Orës.

Të dy këngëtaret me famë botërore po e përkrahin kështu yllin nga Kosova që shndriti mbrëmë në Moskë./ KultPlus.com