Fishekzjarrë të shumtë në Kullën Eiffel të Parisit (FOTO)

Kulla e Eiffel, apo sikurse që njihet edhe ndryshe Kulla e Parisit ka marë një pamje tjetër sonte, shkruan KultPlus.

Në shënimin e Pavarësisë së Francës, shteti i Francës përgjatë gjithë ditës ka shënuar këtë festë me ngjarje të ndryshme, edhe jashtë Francës, kurse në mbrëmje kjo festë është shënuar edhe në pikën më të rëndësishme të Francës, te kulla e Eiffel.

Fishekzjarrë të shumtë janë hedhur për shënimin e 14 korrikut, duke marë kjo pikë turistike edhe ngjyrat e flmaurit francez. Për më shumë KultPlus ju sjellë edhe pamjet nga kjo ngjarje./KultPlus.com


Kadare është shëndosh e mirë, ja në cilin libër është duke punuar

Shtëpia botuese Onufri përgënjeshtron me vendosmëri një lajm të rremë për shëndetin e shkrimtarit Ismail Kadare, përcjellë KultPlus.

Jemi të autorizuar të njoftojmë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, se Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës.

Kemi rastin e lumtur që t’ju bëjmë me dije lexuesve të tij të shumtë, se Kadare është në përfundim të librit të tij më të ri “Kur sunduesit grinden”, i cili do të dalë në Panairin e Librit të Tiranës./KultPlus.com

Pas Vlorës, aeroport turistik edhe në Sarandë

Qeveria shqiptare tashmë po bën realitet ëndrrën dhe ambicien e shprehur ndër vite për fuqizimin e infrastrukturës aeroportuale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena, ku mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për bypass-in e Tepelenës se paralelisht me infrastrukturën rrugore, mund të themi se ëndrra dhe ambicia e shprehur në fushata elektorale për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë është në rrugën e realizimit.

“Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit. Po ashtu jemi në proces dhe së shpejti finalizohet kontrata për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin turistik të Sarandës”, informoi kreu i qeverisë./KultPlus.com

Përfundon koncerti i Elvanës, hidhen edhe fishekzjarret

Ndonëse u fol shumë për fishekzjarret, madje edhe u protestuar, ato u lëshuan sonte në Prishtinë.

Ky veprim ndodhi pas koncerti 1 orësh që e mbajti këngëtarja Elvana Gjata.

Ajo është ftuar ngabanka Pro Credit, të cilët e kanë bërë edhe festën e fishekzjarrëve më pas.

Gjatë ditës dy protesta janë mbajtur që këto fishekzjarre mos të lëshohen për shkak të ambientit të ndotur, por ato nuk janë ndalur nga asnjë institucion.

Ka qenë Ministria e Ambientit që ka reaguar, duke thënë se janë kundër çdo veprimi që ndot ambientin, ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ai nuk e ka lëshuar lejen për fishekzajrre, por vetëm për koncertin, duke e hedhur kështu fajin tek Ministria e Punëve të Brendshme nën juridiksionin e të cilëve janë lejet për hedhjen e fishekzjarrëve.

Gjuajtja e fishekzjarreve është kritikuar edhe nga qytetarët të cilët janë ankuar se në kryeqytet është krijuar një shtresë sikurse të jetë mjegull. /KultPlus.com

Era Istrefi e lumtur pas provave, shfaqet përkrah futbollistit të njohur (FOTO)

Era Istrefi e cila është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam, ka udhëtuar drejt Rusisë ku po bën provat për performancën e saj në finalen e Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.

Para pak minutash ajo ka postuar një fotografi së bashku me lojtarin Ronaldinhjo, teksa shprehet e lumtur që ai ju është bashkuar gjatë provave.

“A happy rehearsals day🎤💛🤙🏻✨😊Thank you @ronaldinho for joining us”, ka shkruar Era.

Artistja kosovare pritet të performojë me datë 15 korrik në finalen e madhe. /KultPlus.com

LB: Shqiptarët në Serbi duhet të kenë të drejta si serbët në Kosovë

Rreth Deklaratës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sot me në kumtesë ka reaguar kryetari i Lëvizjes për Bashkim Valon Murati.

Në këtë kumtesë ai ka thënë se parti e tij që nga vitit 2010 është angazhuar ndërmjet veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, transmeton Koha.net.

“Nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme duke biseduar vetëm për serbët dhe vetëm për Kosovën”, thuhet në këtë kumtesë në të cilën shkruan:

“Sot Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të tri komunave të Kosovës Lindore përmes një deklarate pohoi edhe njëherë se shqiptarët në këtë pjesë i nënshtrohen një diskriminimi të vazhdueshëm nga shteti serb. Ata gjithashtu kërkuan që interesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore të shtrohen si temë diskutimi në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njëkohësisht, me të drejtë ata kërkuan që të njëjta të drejta të cilat iu ofrohen serbëve në veri të Kosovës t’i jepen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Lëvizja për Bashkim prej vitit 2010 ka ngulmuar që i vetmi parim i drejtë për të zgjidhur çështjen shqiptaro-serbe është parimi i reciprocitetit. Ne jemi të bindur se e vetmja rrugë për të normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të stabilizuar Kosovën por edhe rajonin, është që të drejta të njëjta zbatohen për të dy popujt. Nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme duke biseduar vetëm për serbët dhe vetëm për Kosovën. Kështu ato zgjidhje që ofrohen për serbët në tri komunat veriore të Kosovës të vlejnë edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore, apo të njëjtat të drejta që iu kanë garantuar serbëve në Kosovë të vlejnë edhe për gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi. Është shumë e rëndësishme që parimi i reciprocitetit ka filluar të institucionalizohet si kërkesë e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Klasa politike në Kosovë, në pozitë dhe opozitë jo vetëm që duhet t’i përkrah këto kërkesa për shkak të obligimit ndaj njerëzve tanë atje, por edhe për shkak se duke e futur parimin e reciprocitetit në bisedimet me Serbinë, shtrohet rruga përmes së cilës Kosova bëhet shtet stabil dhe normal”./KultPlus.com

Publikohen pamjet se si do të duket Teatri Kombëtar (VIDEO)

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar një video ku tregohet projekti i Teatrit të ri Kombëtar.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj e cilëson një ditë të re për Tiranën dhe u kërkon qytetarëve një mbështetje masive për progresin. “Një ditë e re për Tiranën! Një mbështetje masive për progresin! Një Teatër i Ri për Kryeqytetin Europian”, shkruan Veliaj.

Projekti i prezantuar nga një studiot më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon./KultPlus.com

Kur Stan Dragoti realizoi film bashkë me Tom Hanks (VIDEO)

Stan Dragoti artisti i njohur me origjinë shqiptare i cili vdiq sot në moshën 86 vjeçare në Los Angelos – Kalifornia, njihet nga shqiptarët si shqiptari që “shembi” muret e Hollivudit, ose njeriu që bëri rizgjimin e ëndrrave Njujorkeze me fillimin e famshëm “I love New York”. Ai thuhet se ka lindur më 4 tetor 1932 në New York City.

Prejardhja e tij është shqiptare. Vjen nga një familje Tepelenase, që kanë emigruar shumë herët në ShBA.

Stani bëri emër që në hapat e para kur filloi drejtor i një filmi ,që pati sukses të pabesueshëm.

Regjisor i njohur me origjinë shqiptare, realizoi një film edhe me të famshmin Tom Hanks.

Filmi titullohet “The Man With One Red Shoe” (Burri me një këpucë të kuqe, 1985), është një komedi romantike./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=1ZyZ7loQhMY

Gjeniu i anijes

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija më nge? —
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj vales së nxire
Gjeniu i anijes po flet:

Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmën s´e ndal kursesi.

Dh´aspak nuk më tremb zhurmërija,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mija
Ndërsimi-i tallazit armik.

Përpara kur shoh gjeratore,
Dh´ato më gremisin në fund —
Mi kulmin e vales malore
Un´ heq të shpëtoj sa me mund.

E morti fatkeq në më çiku,
N´u desh tmerrësisht të fundas
Aspak nuk më thyen reziku,
Po nis e përmbysem me gas:

Se prapa le vazhdën e ndritur —
Q´e hapa me shpirtin fatos: —
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q´u sos.

Valimi-i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Gjeniu i anijes përjetë
Hepohet.. anohet… valon…

Flamuri shqiptar edhe në çantat e markës së njohur Louis Vuitton, çmimi marramendës (FOTO)

Simboli i shqiponjës dy krenare, kohëve të fundit është bërë ndër simbolet më të famshme në botë, janë artistët shqiptarë atë të cilët me plot krenari e bëjnë këtë simbol në çdo arritje të tyre, shkruan KultPlus.

Së fundi ishin edhe futbollistët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri atë të cilët në lojës mes Zvicrës dhe Serbisë, pas shënimit të golave kundër Serbisë, me plot krenari festuan me simbolin e shqiponjës. Ndërsa dënimi i FIFA-së për këtë festë rezultoi si nxitje ndaj njerëzve të cilët në përkrahje të lojtarëve e kundër këtij dënimi të padrejtë festuan me simbolin shqiptarë gjithandej në botë.

Por, logoja e flamurit shqiptar me shqiponjën dy krenare është vendosur edhe në çantat e markës më të shtrenjtë në botë.
Çantë nga lëkura ngjyrë kafe, ku sipër saj janë qëndisur pjesë më të kuqe dhe sipër të kuqes gjendet shqiponja dy krenare, është njëra nga modelet e shumta të markës së njohur botërore, por njëkohësisht edhe më të shtrenjtës, Louis Vuitton.

Kjo çantë e cila është dizajnuar nga Jay Ahr, përmban edhe shiritat e sipërm të rrumbullakët, një zinxhir të lartë, një ndarje kryesore, një valixhe të varur dhe ajo që bie më së shumti në sy është një logo e shtypur dhe një dizajn të flamurit të qëndisur shqiptar e që duket tejet e bukur.

Kjo çantë mbanë shifrën rreth 10 mije dollarë.

Çanta është qëndisur nga Jay Ahr në prill të vitit 1986 në Francë. /KultPlus.com

Dua Lipa me flokë të kuqe, duket ndryshe në stilin e ri (FOTO)

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa, vazhdon të mbetet një ndër emrat më të suksesshëm të momentit në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Ajo do të vijë në Prishtinë më 10 gusht në kuadër të festivalit “Sunny Hill”, për të performuar para mijëra fansave shqiptarë.

Dua ka qenë shumë e angazhuar me turin e saj të koncerteve këtë muaj, teksa ka gjetur së fundmi pak kohë edhe për pushim.

Përmes rrjetit social Instagram, këngëtarja Lipa ka treguar se është kthyer në Londër, për të pushuar në shtëpinë e saj, si dhe për tu çmallur me shoqërinë dhe familjarët.

Në imazhet e fundit të publikuara në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Dua shfaqet edhe me një ndryshim të ri në pamje.

Ajo shfaqet me flokë të kuqe në fotografitë e fundit, duke mos e bërë shumë të qartë nëse bart paruke apo është vërtet një ndryshim i ri në pamjen e saj.

Sido që të jetë, fansat ngelën të habitur nga kjo pamje e re e këngëtares, duke mos qenë të mësuar ta shohin me një ngjyrë të tillë në flokë.

Lipa është shquar gjithmonë për pamjen e saj të ëmbël dhe paraqitjet atraktive në klipe dhe koncerte. /KultPlus.com

UBT solli ekspozitën e parë ndërkombëtare të Arkitekturës në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Muzeu i Kosovës mbrëmë mirëpriti ekspozitën e parë ndërkombëtare të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e veçantë, shpalosi punime të studentëve të arkitekturës në UBT, në bashkëpunim me disa shkolla me të cilat zhvillojnë partneritet. Ekspozita si e tillë erdhi me qëllim që t’i pasqyroj qasjet që kanë shkollat e ndryshme në fushën e Arkitekturës dhe që të ofroj studentëve, stafit akademik dhe komuniteti të arkitektëve një ekspozitë atraktive dhe krahasuese.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri ishte ai që i uroj mirëseardhje mysafirëve të ekspozitës ndërsa theksoi se UBT përmes kësaj ekspozite synon ta pozicionoj Fakultetin e Arkitekturës, programin studimor dhe vet shtetin e Kosovës në një fazë të njohjes së vlerave dhe integrimit në shoqëritë e zhvilluara dhe me përvojë akademike.

“UBT tradicionalisht organizon ekspozitën e arkitekturës që nga themelimi i saj por që kjo është hera e parë që organizohet një ekspozitë ndërkombëtare e këtij formati në Kosovë , apo edhe më gjerë, që organizohet nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ekspozitë ndërkombëtare me punime të studentëve të arkitekturës me disa shkolla partnere”, u shpreh profesori dhe dekani Lulzim Beqiri, ndërsa shtoi se kjo ekspozitë synon promovimin e shkollave të ndryshme të Arkitekturës jashtë Kosovës dhe gjithashtu të jetë si një njohje e vlerave që gjeneron Kosova dhe sistemi i saj i edukimit.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj në fjalimin e tij iu drejtua të rinjve që ky vend u ofron shumë mundësi për të ushtruar profesionin e tyre dhe ka nevojë për mendje që shkojnë përtej shtëpisë, oborrit dhe lagjes, për mendje që edhe qytetin e sheh në një kontekst më të gjerë.

“Një vend që është i strukturuar, që ka histori qindra vjeçare, shumica prej jush do të ishit restauratorë të veprueshëm. Ky vend juve ju ofron shumë mundësi për ta ushtruar zanatin e juaj, ka nevojë për një mendje që shkon përtej shtëpisë, përtej oborrit, që shkon përtej një lagjeje që edhe qytetin e sheh në një kontekst më të gjerë dhe unë shpresoj fort që UBT është një çerdhe e dijes, e kompetencës, që juve ju ngrit që ky vend të ketë të mira dhe kompetenca nga zanati i juaj. Sa i përket ngjarjes ndërkombëtare, sot jetohet në rrjet, është fjalë kyçe, fjalë që duhet ta na përcjellë 24 orëshin, shpresoj fort që në një rrjet të fakultetit, të katedrave të juaja edhe ta shijoni këtë ekspozitë dhe të vazhdoni të funksioni në rrjet”, u shpreh në fjalën e tij Boshtrakaj.

Fakultetet pjesëmarrëse në këtë ekspozitë të organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor-UBT në Kosovë, ishin: Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin e Podgoricës-Mali i Zi, Fakulteti i Arkitekturës nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri, Universiteti Niğde Ömer Halisdemir – Turqi, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin e Pecs- Hungari, Shkencat e Aplikuara Bern – Zvicër, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin Teknologjik ne Wrocllav- Poloni, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin Shtetëror te Tetovës- Maqedoni, Universiteti Teknik i Vjenës – Austri, Fakulteti i Arkitekturës dhe Mjedisit ndërtimor TU Delft – Holandë, Fakulteti i Arkitekturës at University of Zagreb – Zagreb -Kroaci dhe Anhalt University of Applied Science- BAUHAUS; Dessau- Gjermani./ KultPlus.com

“Different Trains Festival”, udhëton në qytetet e Pogradecit, Beratit dhe Tiranës

“Different Trains Festival”, me pjesëmarrjen e artisteve në violë dhe violinë Samika Honda, nga Japonia dhe Angele Pateau, nga Franca dhe vilonçelistit shqiptar, Vlorent Xhafaj, do të nisë nga sot udhëtimin në tre qytete të Shqipërisë, Pogradec, Berat dhe Tiranë.

Artistët Honda, Pateau dhe Xhafaj do të interpretojnë mbrëmjen e sotme në Kishën e Vjetër në Pogradec, një vend i mahnitshëm që hapet për herë për një koncert muzikor.

Në program midis veprave të tjera, nga kompozitorë të njohur ndërkombëtarë si Bach, Mozart, Purcell, Elgar e Dohnanyi artistët do të eksplorojnë kryeveprat e Ludwig van Beethoven, me Trion op. 9 n. 2 të autorit.

Më pas më 16 korrik, me rastin e 10 vjetorit të hyrjes në Unesco të qytetit të një mbi një dritareve, në sallën e Muzeut “Onufri”, me muzikën e interpretuar prej tyre artisët do të priten nga publiku i Beratit.

Koncerti i tyre do të vijojë më 17 korrik Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, duke përmbyllur kështu koncertet në kuadër të “Different Festival”.

“Different Festival”, organizohet nga vilonçelisti shqiptar Xhafaj, ku edicioni i VII i këtij viti u zhvillua nga data 30 prill deri më 7 maj.

Vilonistja Samika Honda ka lindur në Kochi, Japoni, u rrit në Angli dhe që nga viti 2000 ka jetuar në Paris. Ajo studioi me Gérard Poulet dhe Olivier Charlier në Konservatorin e Parisit (CNSM) ku mori diplomat në Violinë, Quartet String, Muzikën e Dhomës, si dhe Master i shkallës së 2 në Violin. Fituese e çmimeve në garat kombëtare dhe ndërkombëtare në violinë dhe muzikën e dhomës, ajo themeloi Quartet Ise dhe Ansambl Monsolo (ish Quintet Monsolo).

Ajo ka performuar në shumë festivale si Festivali i Kasaleve në Prades, Festivali i Pashkëve i Deauville, Amis de Mozart dhe Musicales of Baous (Francë). Ajo ka luajtur si soliste me Orkestrën e Dhomës Angleze, Orkestrën Simfonike të Yamagatës, Orkestrën Filarmonike të Loëer Silsesiaa dhe në sallat prestigjioze duke përfshirë Sallën e Madhe të Musikverein në Vjenë.

Violinistja Angele Pateau, jeton në Francë. Ka studiuar violinë që në moshën 5 vjeçare në Konservatorin e St Maur des Fossés nën drejtimin e Catherine Courtois, me të cilën ka punuar deri në moshën 17 vjeçare. Pateau është pjesë e Orkestrës Filarmonike të Strasburgut.

Vilonçelisti shqiptar Vlorent Xhafaj filloi violonçelin në moshën 6-vjeçare. Ka studiuar me prof. Gj. Lazri. Në moshën 16 vjeçare shkon për të studiuar në Francë. Ai ka marrë këshilla dhe ka studiuar me personalitete të tilla muzikore si Alban Berg Kuartet, Philippe Muller, Enrico Dindo, Tilmann ëick, ëenn Sin Yang, Mario Brunello, Anner Bylsma, Miklos Perenyi.

Ka studiuar në Konservatorët Superiore të Paris-it dhe Lyon-it. Në vitin 2004 ai zuri vendin e parë në Conservatoire National Superieur de Musique et de Danse de Lyon, në klasën e Anne Gastinel, ku u cilësua dhe si studenti më i mirë i huaj i Konservatorit. Përfundoi studimet me një diplomë master në violonçel dhe me çmimin e parë të muzikës së dhomës.
Ka qenë anëtar i disa prej orkestrave më të mira për të rinj në botë, të tilla si Pacific Symphony Orchestra, Schlesëig-Holstein Festival Orchestra, Mahler Jugendorchester apo Luzern Festival Academy Orchestra, solist në vitin 2005 dhe 2008, duke luajtur me dirigjentë si Valery Gergiev, Pierre Boulez, Vassily Sinaisky, Alexander Vedernikov, Jakub Hrusa, Neeme Jarvi, Kirill Petrenko etj.

Xhafaj është ftuar rregullisht nga Ensemble Intercontemporain, Orchestre de l’Opera de Lyon, Orchestre de la Suisse Romande, Orchestre National de Belgique, Sydney Symphony Orchestra, Oslo Philarmonic, Odense Synfonieorkester, Royal Philarmonic Orchestra , Orchestre Philarmonique de Strasbourg. /KultPlus.com

Këngëtarja Donika Gashi rreshtohet në këtë parti politike

Gjeneratat e ndryshme në Kosovë e kujtojnë këngëtaren Donika Gashi, e cila pati realizuar në vitet 90-të disa këngë e një pjesë e tyre edhe hite të kohës.

Por sot, Donika Gashi e cila tashmë njihet edhe si poete, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i VV’së, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase. Anëtarësimi i Donikës është vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!-n. Na presin shumë punë bashkë, sidomos për rininë dhe artin e kulturën në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Gashi ka thënë që është bërë anëtare e VV’së për të dhënë më të mirën e mundshme.

“Është nder t’i shërbesh popullit shqiptar, thotë Albin Kurti, andaj me këtë besim dhe bindje i bashkohem sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! Për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja në rrugëtimin tonë të përbashkët”. /KultPlus.com

Për herë të parë flitet shqip në “Ohridsko Leto” (VIDEO)

Me interpretimin e divës operistike Elena Moshuc, njëra prej këngëtareve më të mira operistike në botë, tenorit Kalin Bratesku dhe orkestrës simfonike të Filarmonisë së Maqedonase, nën dirigjimin e Nikollae Moldoveanu, në skenën e Teatrit Antik në Ohër u hap Edicioni i 58-të i manifestimit më të madh muziko-skenik – festivali “Vera e Ohrit”.

Para publikut fjalim mbajti edhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi, i cili theksoi se ndjehet vërtetë i nderuar që si shërbyes, pra ministër i artistëve, ka kënaqësinë t’u drejtohet atyre, publikut dhe përkrahësve të festivalit muzikor më me renome në vend dhe në rajon.

“Arti është gjuha universale e botës. Thonë se gjuha është shpikur nga njeriu për të shprehur ndjenjat e tij, por realisht e përdor atë më shumë për t’i fshehur ato, për të gënjyer, për të vrarë. Vetëm në gjuhën e artit është çdo gjë e sinqertë, e pastër, hyjnore… Le të shijojmë këto muaj të gjuhës universale dhe hyjnore të artit dhe të rrezatojmë pak në këto kohë kur na nevojitet më së shumti. Të dashur artistë, skena është e juaja, na sillni të bukurën dhe të lartësuarën në jetën tonë”, porositi ministri Ademi.

Ndërkohë, kjo është hera e parë që në një ngjarje kaq të rëndësishme flitet edhe shqip, siç mund ta shikoni në videon e më poshtme. / KultPlus.com

Haskuka: Investimi në njerëzit e kulturës nuk është humbje, ai kthehet shumëfish

Kryetari i Prizrenit Mytahir Haskuka, ka pritur një delegacion të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Takimi u realizua, në kuadër të përgatitjeve që kjo shoqatë po i bën për mbajtjen e Sesionit të gjashtë shkencore në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizren.

Kryetari i Shoqatës, Hysen Ibrahimi e ftoi kryetarin e Prizrenit që të marrë pjesë në punimet e këtij sesioni, që do të mbahet më 25 korrik 2018.

“Deri tani Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi Xi Albani” në Suedi ka botuar afër 300 vepra e të autorëve, të cilët jetojnë kryesisht në mërgim, por edhe vepra të autorëve tjerë. Këtë vit Shoqata është përcaktuar të shënojë dy ngjarje të mëdha për kombin shqiptar, që janë edhe ngjarje jubilare: 140 vjet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut”, tha Hysen Ibrahimi gjatë një prezantimi të punës së shoqatës në takim me kryetarin Haskuka.

Ibrahimi bëri të ditur se përmbajtja e sesionit të gjashtë shkencor do të botohet në numrin e 10-të të Thesarit Kombëtar dhe ajo do të përkthehet edhe në gjuhën suedeze, në mënyrë që edhe suedezet të mësojnë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe formatin e mbajtjes së saj në kohë. Me këtë rast, ai i dhuroi kryetarit të Prizrenit vëllimet e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që përgatitet nga kjo shoqatë.

Ndërkaq, Haskuka premtoi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke thënë se investimi në njerëzit e kulturës nuk është humbje. “Përkundrazi, nëse investon dhe i përkrah njerëzit e kulturës, ata do të jenë ambasadorë të mirë të këtij vendi kudo në botë, siç kanë bërë shoqata “Papa Klementi XI Albani” dhe shumë shoqata tjera. Investimi në kulturë, kthehet shumëfish”, tha Haskuka. Për këtë arsye, ai bëri të ditur se do të hapë një zyre në komunë që do të bashkëpunojë dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me mërgatën. Ndërkohë do të nisë një projekt i ndërmarrësisë për të rinjtë, të cilët do të kenë nevojë për këmbime përvojash edhe nga Suedia.

Pas interesimit të Hysen Ibrahimit rreth investimeve që bën komuna e Prizrenit për fushën e kulturës, kryetari, Mytahir Haskuka, foli për investimet që bëhen por nuk ishte i kënaqur me fondin që ndahet për kulturë dhe sport, e as me mënyrën e financimit të aktiviteteve të kulturës. Me vetëm afër 300 mijë euro financohen projektet e kulturës në Prizren, derisa zhvillohen shumë aktivitete gjatë gjithë vitit. Haskuka tha se do të insistojë që kultura dhe projektet e kësaj fushe të mbështeten përmes subvencioneve, për të shmangur mangësitë në organizime dhe cilësinë e dobët që ofrohen. Ai veçoi festivalin “Zambaku i Prizrenit”, për të cilin tha se i ka rënë cilësia, për shkak të mënyrës së financimit të festivalit.

Haskuka u shpreh i hapur për bashkëpunim me SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” dhe mërgimtarët që veprojnë në Suedi. Ai kishte një përvojë të mirë nga një vizitë që kishte më herët në Suedi dhe bëri të ditur se do ta kenë një konsulencë mbështetëse për muzetë e Prizrenit, nga një ekspert suedez i muzeve. Ndërkaq, falenderoi Hysen Ibrahimin, dhe SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” për mbajtjen e sesionit shkencor në Prizren. “Prej prillit të këtij viti kemi pasur disa aktivitete që janë mbajtur për Lidhjen e Prizrenit. Ky i shoqatës tuaj do t’iu shtohet atyre ngjarjeve si ndër më të mëdhatë që do të jenë në qytetin tonë”, tha Haskuka.

Më pas, delegacioni i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, vizitoi edhe Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, për të parë përgatitjen e nevojshme për mbajtjen e sesionit të gjashtë shkencor. Hysen Ibrahimi tha se tashmë është çdo gjë gati për të shënuar 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një aktivitet qendror i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” për këtë vit. /KultPlus.com

Burrat janë si pjeprat: në 100 vetëm 2 janë të mirë, thënie italiane plot ‘thumba’ e mençuri

Ai që fillon shumë gjëra mbaron vetëm pak.

Ai që lavdëron vetveten, rrethohet nga fqinjë të këqinj.

Ai që ndjek të kujdesshmin, nuk pendohet kurrë.

Ai që nuk di të heshtë, s’di të flasë.

Ai që qëndron shumë në shtëpinë e të tjerëve, bëhet i huaj në të tijën.

Ai që ruan drekën për darkën, është i bekuar nga Zoti.

Ajo dele që i rrëfehet ujkut është e çmendur.

Ankohemi për mungesë kohe, por e humbim si të ish tepricë.

Ari është i bukur, por bukuria ia kalon.

Armiqësitë fillojnë kur përplasen interesat.

Ata që flenë bashkë, flasin të njëjtën gjuhë.

Bashkëshortësia dhe makaronat janë të mira vetëm kur janë të nxehta.


Bota për njeriun është si nata e errët, ku secili duhet t’i bëjë dritë vetes së tij.

Bota u përket atyre që guxojnë.

Brekët e të tjerëve shqetësojnë prapanicën.

Budallai rri përpara ta shohin, i mençuri pas që të shohë.

Bukuria është një mbretëri jetëshkurtër.

Bukuria pa virtyt s’vlen asgjë.

Burri apo gruaja që tradhëton, kërkon nga dashnorët besnikëri.

Burrat janë si pjeprat: në 100 vetëm 2 janë të mirë.

Çdo njeri i poshtër lind si një bir i keq.

Çka nis mirë nuk do të thotë se do të përfundojë mirë, por çka nis keq, do të përfundojë edhe më keq.

Dashuria bën të kalojë koha, koha bën të kalojë dashuria.

Dituria dhe përvoja nuk lihen trashëgim.

Dashuria dhe xhelozia rrinë bashkë, iku njëra do ikë dhe tjetra.

Dashuria e vërtetë nuk harrohet kurrë.

Dashuria mbretëron pa pasur nevojë për ligje.

Dashurinë mund ta blesh vetëm me dashuri.

Dembel në rini, morracak në pleqëri.

Edukata është buka e shpirtit.

E qeshura të zgjat jetën.

Fati është si lopa, dikujt ia kthen brirët e dikujt gjinjtë.

Femra sado e vogël që të jetë është gjithnjë më dinake se djalli.

Fëmijët hanë dajakun që kanë merituar prindërit e tyre.

Fëmijët sa janë të vegjël të çajnë kokën, kur rriten të copëtojnë zemrën.

Filloje pëlhuren tënde e Zoti do të ndihmojë për perin.

Fusha e dembelit është plot hithra.

Goja e puthur nuk humbet fat të mirë, por rinovohet si Hëna.

Grave mos u fol për vite. Uroji ditëlindjen gruas, por mos fol për vite.

I gjorë është ai që dëshiron vdekjen, por edhe më i gjorë është ai që i frikohet vdekjes.

Injoranca në mënyrë të pashmangshme të çon në robëri.

Jeta – dhuratë e natyrës, dashuria – dhuratë e jetës, e puthura – dhuratë e dashurisë.


Këmbët të çojnë aty ku zemra rreh.

Koha është një limë që punon pa zhurmë.

Këshillohu me të vuajturin, jo me të diturin.

Kush i bën llogaritë pa Zotin nuk di të bëjë llogari.

Kush ka shumë vese, ka shumë sundimtarë.

Kush nuk ka parë grua të dashuruar, nuk di çka është gruaja.

Kush s’do të ketë trazime në jetë, mos të lindë të tjerë.

Lumturi në Qiell, para në Tokë.

Mbasi mbytet anija, të gjithë e dinë si mund të shpëtohej.

Mjekra nuk të bën filozof.

Moda ndryshon çdo vit ndërsa mendimet e grave çdo çast.

Nëse nuk di si janë fëmijët tuaj, shiko me kujdes shokët e tyre.

Nuk shkohet në Kishë për mashtruar shenjtërit.

Nuk mund të vihet prapanica midis dy karrigeve.

Njeriu bën vendin dhe vendi njeriun.

Pija që nuk të mërzitet kurrë, uji. Fruti që nuk të mërzitet kurrë, fëmijëria.

Po puthe njëherë, do të puthësh përsëri.

Proverbat i bëjnë ballë kohës dhe ai që di t’i kuptojë mund ta shohë veten e tij në to si në një pasqyrë.

“Za Fest” rikthehet me muzikë, poezi e legjenda në Theth

Alberina Haxhijaj

Nën majat e thepisura të Bjeshkëve të Nëmura, buzë Lumit Shalë, rikthehet në Theth festivali i parë modern i dedikuar trashëgimisë së Alpeve Shqiptare, shkruan KultPlus.

Festival “Za Fest” këtë verë mbushë dy vite dhe për dy net dhe tre ditë radhazi, më 20, 21 dhe 22 korrik, do risjell në Theth muzikën më të mirë shqip, por këtë radhë duke zgjeruar akoma më shumë diapazonin kulturor.
Mirëpo në qendër të festivalit do vazhdojë të jetë muzika, sfondi i duhur për të shijuar panoramën mahnitëse të Thethit.

Kështu artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri dhe Linda Rukaj do të performojnë live nga Kisha e Thethit, duke sjellë një repertor të pafundmë, ritmesh, notash dhe vokalesh që mund të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore.

Edhe këtë vit qëllimi është zgjimi i kulturës shqiptare, prandaj ka ndërthurje midis muzikës, gojëdhënave, tregimeve e legjendave. Prandaj, disa nga legjendat më të bukura të zonës do rrëfehen dhe do të performohen nga regjisorja dhe aktorja Ema Andrea.

Mirëpo të gjithë ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij festivali këtë vit, duhet që të përgatiten edhe për surpriza të reja.

Të përgatiten për një festival gjithëpërfshirës, i cili kombinon muzikën më të mirë live me shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit, është shprehur organizatori i festivalit, Vlashent Sata për KultPlus.

“Risia e këtij viti është poezia të cilën do ta kemi. Këtë vit po ashtu do të kemi yoga, meditim, kinema verore në 1 mijë metra lartësi si dhe sigurisht performanca krejt të veçanta që nuk janë bërë më përpara e që janë vetëm më zë dhe instrument”, tregon ai.

Gjatë këtij edicioni, për herë të parë në Za Fest, do të organizohet një panair me ushqimet karakteristike të Thethit, 100% bio dhe të përgatitura me zemër.

Festivali ka nisur si një ide për ta realizuar një koncert në Theth, që do të shërbente edhe për ndonjë mesazh në raport me komunitetin dhe ndërlidhjen e tij me natyrën.

Tani tradita e festivalit po vazhdon fuqishëm duke gërshetuar natyrën e bukur të Thethit më aktivitet të ndryshme.

Këtu mund të veçojmë se instruktoret Rachel Berryman dhe Rowie Geraerts do të jenë në festival për të praktikuar bashkë me pjesëmarrësit yoga, duke e bërë kontaktin me natyrën e Thethit të papërsëritshëm./KultPlus.com

Kjo llogo e famshme e New York ishte realizuar nga regjisori i famshëm shqiptar Stan Dragoti

Stan Dragoti artisti i njohur me origjinë shqiptare u shua në moshën 86 vjeçare në Los Angelos – Kalifornia. Stan Dragotit, njihet nga shqiptarët si shqiptari që “shembi” muret e Hollivudit, ose njeriu që bëri rizgjimin e ëndrrave Njujorkeze me fillimin e famshëm “I love New York”. Ai thuhet se ka lindur më 4 tetor 1932 në New York City.

Prejardhja e tij është shqiptare. Vjen nga një familje Tepelenase, që kanë emigruar shumë herët në ShBA. Babai i tij Asllan nga fshati me peisazh tërheqës, Dragot (mbiemrin e të cilit mban edhe artisti) i Tepelenës dhe nëna e tij Bahrie nga qyteti i lashtë Tepelenë. Hapat e para të këtij gjeniu filluan që në fëmini.

Në moshë të vogël ishte tepër kureshtar dhe i interesuar t’a shpenzonte kohën përballë programeve televizive. Cdo film që shikonte ishte i apasionuar ta komentonte me motrat dhe prinderit. Që në moshën 7-vjec filloi të vizatonte, imagjinonte dhe shumë skicime të moshës. Sipas Wikipedia, thuhet se këto ishin dhe zanafillat të cilat e çuan ëndrën e tij realitet. Mbaroi njekohësisht kolegjin në “Cooper Union” New York dhe shkollën e arteve vizuale. Ai bashkëpunon akoma që prej vitit 1968 me kolegun e tij Charli Moss. Stani bëri ëmer që në hapat e para kur filloi drejtor i një filmi ,që pati sukses të pabesueshëm. Disa nga shitjet i kalonin shifrën 200 milion dollar të çdo prodhimi të kompanis së tij. Njëkohësishtë filloi të realizonte reklama për gjigandet e industrisë së linjave ajerore dhe atyre së prodhimit të makinave. Njeri inteligjent dhe krijues duke i vënë në shërbim të kohës. U bë tepër i njohur dhe i kërkuar për vetë kohën. Mos vallë koha e kishte kujdesur për momentin e duhur që të bënte rizgjimin e ëndrrave Njujorkeze.

Eshtë e paharueshme për ata që kanë jetuar vitet 1970 kur i kujton filmin simbol – filmin që ka “pushtuar” rreklamat dhe vitrinat shumë ngjyrshe të metropolit gjigand të botës Nju Jork për pjesën e filmit “I love New York”. Një zemër “flakë e kuqe me dy gërma të mëdha NY” çka lexohet në shqip e dua me gjithë zemër Nju Jorkun. Megjithese kanë kaluar kaq vite kjo reklame është si me thënë hymni i njujorkezve “I love New York”. /KultPlus.com

PriFest shpalos juritë e edicionit të dhjetë

Pak ditë para fillimit të edicionit të dhjetë të festivalit, PriFest ka shpalosur juritë e të gjitha programeve garuese, e ato sivjet janë gjithsej tetë, shkruan KultPlus.

Si zakonisht, edhe në këtë edicion, PriFest sjell emra eminent të kinematografisë ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, të cilët së bashku me pjesëtarët e jurisë nga bota e medias dhe studentëve, do të vlerësojnë të gjitha kategoritë garuese në festival.

Në kategorinë kryesore garuese, atë të filmave Ballkanik, të quajtur ‘Mjaltë dhe gjak’, juria përbëhet prej: Johannes Naber, regjisor dhe skenarist nga Gjermania, i njohur me filmin e tij ‘Der Albaner’, i cili ndër tjerash fitoi çmime edhe në PriFest. Pastaj, Hayet Benkara, konsulente e skenarit, këshilltare programi për Toronto Film Festival nga Franca dhe Kanadaja, si dhe Izabel Igel, producente filmi nga Polonia.

Nga juria e programit garues të filmave evropian, këtë vit është: Ahmet Boyacioglu, programer i festivaleve, regjisor e producent i njohur nga Turqia, udhëheqës shumëvjecar i pavilionit Turk në Cannes dhe Berlinale. Pastaj, Tina Hajon, producente dhe programere e festivaleve nga Kroacia, si dhe Almir Djikoli, drejtor i fotografisë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në jurinë e filmave dokumentarë janë: Simon Wilkinson, ekspert në lëminë e “VR – Virtual Reality dhe AR – Augmented Reality” nga Briania e Madhe, së bashku me Ajola Xoxën, regjisore dhe juriste nga Shqipëria dhe Shkëlzen Gashin, hulumtues dhe autor nga Kosova.

PriFest mbetet festivali i vetëm në Kosovë në të cilin FIPRESCI (Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit) dërgon juri për të vlerësuar filma. Ky fakt vetvetiu është edhe vlerësim për PriFest. Kjo është tashmë hera të tretë që juria e FIPRESCI është prezente në PriFest, dhe këtë vit përbëhet nga: Ziga Brnik (Slloveni), gazetar në “Večer”, “Film Magazine Ekran” dhe “Magazine Manager”, Rita Di Santo (Angli), gazetare në “Daily Mirror”, “Morning Star” dhe “The Tribune”, si dhe Ingrid Beerbaum (Gjermani), gazetare në www.weltexpress.de, “35mm radio show”, “Deutschlandradio” dhe “kunstundfilm.de”, që të tre kritikë të mirënjohur të filmit.

Këtë vit, në PriFest është shtuar edhe një kategori garuese, ajo e filmave studentorë ndërkombëtarë, andaj edhe një juri ndërkombëtare i është shtuar festivalit. Juria e programit garues ndërkombëtarë të filmave studentorë përbëhet nga: Ema Ndoja, aktore (Shqipëri/Gjermani), Cheryl Johnson, skenariste, regjisore (Afrikë e Jugut) dhe Jana Wolf nga European Film Market (Gjermani).

Më poshtë është lista e plotë e anëtarëve të të gjitha jurive të programeve të PriFest-it:

1. Juria e programit garues të filmave evropian:

Ahmet Boyacioglu – regjisor, programer i festivaleve dhe producent (Turqi)
Tina Hajon – producente, programere e festivaleve (Kroaci)
Almir Djikoli – xhirues (Bosnje dhe Hercegovinë)

2. Juria e programit garues të filmave Ballkanik “Mjaltë dhe gjak”
Johannes Naber – regjisor dhe skenarist (Gjermani)
Izabel Igel – producente (Poloni)
Hayet Benkara – menaxhere e programeve për industri filmike (Francë, Kanadë).

3. Juria e programit garues të filmave metrazhit të mesëm
Norika Sefa – filmbërëse (Kosovë)
Marija Perovic – regjisore, producente, skenariste (Mal i Zi)
Florenc Papas – filmbërës (Shqipëri)

4. Juria e programit garues të filmave dokumentarë
Ajola Xoxa – regjisore dhe juriste (Shqipëri)
Simon Wilkinson – ekspert në “VR & AR” (Britani e Madhe)
Shkëlzen Gashi – hulumtues, autor (Kosovë)

5. Juria e programit garues të filmave ndërkombëtarë studentorë
Ema Ndoja – aktore (Shqipëri/Gjermani)
Cheryl Johnson – skenariste, regjisore (Afrika e Jugut)
Jana Wolf – Europan Film Market (Gjermani)

6. Juria FIPRESCI
Ziga Brnik – kritik i filmit, gazetar, redaktor (Slloveni)
Rita Di Santo – kritike e filmit, historiane (Angli)
Ingrid Beerbaum – PR, gazetare, kritike e filmit (Gjermani)

7. Juria e pavarur e studentëve kosovarë (për filmat e metrazhit të mesëm)
Dardania Kajdomqaj – studente e drejtimit “Komunikim Masiv dhe Produksion” AAB (Kosovë)
Ulpiana Maloku – studente e dramaturgjisë, skenariste (Kosovë)
Gentrit Syla – student i drejtimit “Regji Filmi dhe TV” (Kosovë)

8. Juria e mediave
Kozeta Kurti – gazetare, moderatore (Shqipëri)
Ilir Ajdini – gazetar, shkrimtar, dramaturg, përkthyes (Kosovë)
Majlinda Aliu – gazetare (Kosovë)./KultPlus.com

Poeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Murad Toptani

Murad bej Toptani ishte atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar.

Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht.

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924.

Kjo s’ka ndodhur as gati një shekull më vonë. Një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali.

Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike.

Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit.

Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezije në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”.

Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.

“Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë” Murat Toptani – veprimtar i Rilindjes Kombëtare./KultPlus.com

Fytyrën kam ngjitur në xham

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Fytyrën kam ngjitur mbi xham si rojë pikëllimi
Dhe nën mua dergjet qielli i natës
Dhe në pëllëmbët e mia u shtrinë pllajat
Në heshtjen e dyfishtë të horizontit.
Fytyrën kam ngjitur në xham si rojë pikëllimi,
Ty të kërkoj tej sinoreve të pritjes,
Tej sinoreve të vetes sime;
Aq shumë të dua, sa nuk e marr vesh
Se cili mungon këtu nga ne të dy./KultPlus.com

Gjurmët e Perandorisë Romake në Parkun “Ulpiana”

Parku arkeologjik “Ulpiana” gjendet në Graçanicë, rreth 12 kilometra larg Prishtinës.

Struktura të ndryshme që datojnë nga shekulli I i pushtimit të Perandorisë Romake janë të shtrira në një pozitë shumë strategjike dhe piktoreske, raporton Radio Evropa e Lirë.

https://www.evropaelire.org/a/gjurmet-e-parandorise-romake-ne-parkun-ulpiana-/29357367.html

Ky park, është vazhdimësi e një vendbanimi ilir./KultPlus.com

Fali, profesor!

Imer Mushkolaj

Është e turpshme të refuzohet vendosja e shtatores së Anton Çettës para Institutit Albanologjik, pjesë e të cilit profesori ishte dekada me radhë. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e folkorit shqiptar dhe, sidomos, në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve. Arsyetimet banale të njerëzve të Institutit… që të mos lejohet përjetësimi i tij në bronz duhet injoruar. Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte ata për këtë budallaki.

Ishte një maji i vitit 1990, kur bashkë me babën shkuam në vendin e quajtur Te Verrat e Llukës, afër Deçanit, në tubimin më të madh deri atëherë për pajtimin e gjaqeve. Isha 13 vjeçar dhe çdo ditë lexoja për aksione të pajtimit gjithandej Kosovës, në një kohë të vështirë të okupimit nga Serbia. Aksioni i nisur nga rinia dhe studentë të Rrafshit të Dukagjnit ishte përhapur rrufeshëm në pjesë të tjera të vendit dhe në krye të kësaj lëvizjeje fisnike ishte vënë profesori Anton Çetta. Që nga nxënës, studentë e bujq, e deri te mësues, doktorë, gazetarë e prijës fetarë ishin bërë pjesë e njërit ndër kapitujt më të ndritur të historisë shqiptare.

Baba insistoi që ta shoqëroja në tubim. Konsideronte se ishte e rëndësishme të isha pjesë e një ngjarjeje historike dhe me domëthënie të madhe. Kishte të drejtë.

Atë të martë të ditës së parë të majit, Te Verrat e Llukës u mblodhën 500 mijë njerëz. Në një tubim masiv çfarë nuk ishte parë ndonjëherë u falën 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Pas përfundimit të tubimit, policia serbe rrahu dhe burgosi shumë të rinj. Por, qëllimi ishte arritur – ishin pajtuar më shumë se njëqind familje mes veti.

Të hasmëruar shpesh edhe për shkaqe banale, që kishin çuar në vrasje e plagosje, burra e gra ia falnin gjakun Anton Çettës, ia falnin gjakun Kosovës. Kjo bëhej edhe më e rëndësishme, ngase ndodhte në rrethana jo të zakonshme, në rrethana okupimi.

Qindra familje të tjera u pajtuan viteve në vazhdim, jo vetëm në Kosovë, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi. Gjithnjë në ballë qëndronte profesori Çetta, i cili u zgjodh kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.

Profesori i letërsisë gjatë mbledhjes së folklorit nëpër viset shqiptare për dekada të tëra, kishte fituar respekt ndër njerëz. Kur u vu në ballë të pajtimit të gjaqeve, ia vunë epitetin “plaku i urtë”.

Gati për tri dekada, ai ishte pjesë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërkohë që kishte botuar dhjetëra vepra me përmbajtje folklori deri në vitin 1995, kur edhe ndërroi jetë.

* * *

Anton Çetta vlerësohet për punën e tij kërkimore gjithandej viseve shqiptare por, po ashtu, edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në pajtimin e gjaqeve. Por, njerëzit që udhëheqin institucionin në të cilin ka kontribuar me dekada, Institutin Albanologjik, nuk po lejojnë që shtatorja e tij të vendoset në hapësirën para këtij institucioni. Arsyetimi është më shumë se banal – aty nuk paska hapësirë të mjaftueshme, thonë, ndërkaq shtatorja e profesorit meriton një vend më të mirë, një hapësirë më të madhe.

Për shtatoren e Çettës ka vend kudo, ngase ai e ka merituar me bëmat e veta. Askush, askund nuk do të refuzonte vendosjen e një shtatoreje të tij. Madje, do ta kishin për nder. Siç e patën për nder banorët e Mirditës, nga e kishte prejardhjen Çetta, të cilët në fund të vitit 2015 ia ngritën një bust në qytetin e Rrëshenit. Por, kështu nuk mendojnë edhe njerëzit që tash udhëheqin Institutin.

“Është fjala për një hapësirë të papërshtatshme për vendosjen e çfarëdolloj shtatoreje, meqë hapësira ku pretendohet të vendoset shtatorja është shumë e ngushtë. Në këtë hapësirë më herët ky këshill kishte siguruar lejen e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, por është e papërshtatshme, madje aty kalojnë edhe gypat e Institutit Albanologjik”, është arsyetuar Hysen Matoshi, drejtor në këtë institucion.

Ky dhe të tjerë si ky mund të gjejnë edhe arsyetime të tjera, për të refuzuar vendosjen e shtatores së Çettës, por asnjëherë nuk mund ta zbehin kontributin e tij. Andaj, të tilla arsyetime banale duhet injoruar dhe shtatorja e profesorit duhet të vendoset aty ku e ka vendin, duke i bërë nder jo vetëm institucionit, por gjithë qytetarëve dhe vendit, shkruan Gazeta Express.

* * *

Anton Çetta ka pajtuar mijëra familje të hasmëruara, ka falur mijëra gjaqe në emër të këtyre familjeve. Sa herë përmendet emri i tij, mua më shfaqet si në vegim tubimi madhështor i 1 majit 1990 Te Verrat e Llukës. Më kujtohen përmbledhjet e folklorit të profesorit, që na sjellin ndërmend kush jemi.

Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte edhe njerëzit e Institutit… për budallakinë e shfaqur karshi shtatores së tij. Shtatore që i nderon edhe vetë ata, nëse dinë ç’ështe nderi./KultPlus.com