‘Mënyr’ e ‘falënderit’, gabimet e tmerrshme gjuhësore të Gjimnazit në Malishevë

Nuk është e rrallë të shohësh gabime drejtshkrimore nga institucione shkollore në Kosovë, dhe nga njoftimet apo komunikatat e tyre zyrtare.

Megjithatë, është e dhimbshme. Një njoftim i para pak ditëve nga Gjimnazi ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, lë shumë për të dëshiruar.

“Të dashur nxënës të nderuar prindër ju njoftojmë se,për shkak të punimeve që jan duke u bër në shkollën tonë në mënyr që të krijohet një ambient dhe hapsir më e mirë, mësimi nuk do të filloj deri më datën 17 shtator.
Falënderit për mirkuptim!”

Kështu shënon njoftimi në atë që quhet Profili Zyrtar i këtij institucioni arsimor në Malishevë. Gabimet nisin me shenjat e pikësimit e deri te ‘jan’, ‘bër’, ‘mënyr’ e ‘hapsir’, shtuar këtu edhe ngatërrimin e vetave të gjuhës shqipe.

Komentuesit kanë qenë të shpejtë duke reaguar mbi këtë postim në rrjetin social Facebook dhe duke përmirësuar gabimet e personit që e ka shkruar postimin. / KultPlus.com

Ujëvara e Sotirës në rrëzë të Tomorrit zbulohet nga turistët

Parku Kombëtar i Tomorrit tashmë po eksplorohet jo vetëm në zonat më të njohura të tij, por edhe në vende që janë vështirë të arritshme për vizitorët. Gjithsesi, dashamirësit e natyrë dhe ecjes në këmbë, kanë mundësinë të shohin pamje piktoreske dhe të shijojnë ajrin e pastër dhe panoramat marramendëse në zona që pakkush i njeh.

Kështu, në parkun Kombëtar të Tomorrit, së fundmi ka pasur turistë vendas, por edhe të huaj të interesuar për ecje në kullotat në malin e Dardhës. Grupet e turistëve mes të cilëve edhe angleze u ndanë në tri pjesë. Itinerari i tyre pati ndalesa në Ujëvarën e Sotirës, Kalanë e Tomorrit, Çezmen e Tarikos dhe një ecje drejt kullotave në Malin e Dardhës.

Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje, apo e kanë shfrytëzuar këtë burim hidrik për bujqësinë dhe blegtorinë. Sotira, vizitorë të përditshëm ka pasur vetëm banorët e zonës, por tashmë po kthehet në një destinacion grishës për shumë turistë shqiptarë.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonës së banuar e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Në këmbët e saj zë fill lumi i Sotirës dhe në ujin e kristaltë dhe të ftohtë të tij mund të shihen peshqit.

Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që dalin në trajtë çurgjesh nga lartësi të mëdha nga 20 – 150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë. /ata

Kam zbrit tu’ t’mbajtë për krahu

Poezi nga Eugenio Montale. Përkthyer nga Orjela Stafasani.

Kam zbritë tu’ t’mbajtë për krahu, t’paktën nji milion shkallë
dhe tash që s’je mâ, boshllëku âsht në çdo hap.
Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë.
I imi ende vazhdon, s’ka mâ nevojë për
rastësitë, rezervimet,
kurthet, përbuzjet e atij që beson
se realiteti âsht ai që shikon.

Kam zbritë miliona shkallë tu’ t’mbajtë për krahu
jo veç pse me katër sy ndoshta shihet mâ mirë.
Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy
t’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt,
ishin të tutë./ KultPlus.com

Prezantohet për herë të parë në Kosovë puna e artistit shqiptar Lui Shtini

Alberina Haxhijaj

Sonte në galerinë LambdaLambdaLambda, është hapur ekspozita “Fused” e artistit shqiptar nga Kavaja, Lui Shtini, i cili jeton dhe punon në Amerikë. Kjo është ekspozita e parë e artistit në Kosovë por edhe në regjion në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Në vitin 1960 një ndër testet më të përdorura në psikologji ishte testi i HermannRorschach, i krijuar në vitin 1932 dhe që përmbante 10 imazhe. Testi Rorchach, përdorej nga psikologët të cilët përmes tregimit të këtyre imazheve tek pacientët, nxirrnin në pah personalitetin e tyre dhe mendimet e tyre të brendshme. Pikërisht puna e artistit, Lui Shtinit është krahasuar shumë herë me imazhet e Rorchach-it.

Pjesë e trupit të cilat i përdor artisti si: dhëmballa, kraharori, legeni, trungu trupor, organet gjenitale e të tjera të cilat marrin forma abstrakte, nxjerrin në pah preokupimet dhe interesat e vëzhguesit, por jo vetëm.

Sjellja e artistit Lui Shtini në Prishtinë, ka qenë një rastësi e këndshme për themelueset e galerisë Isabella Ritter dhe Katharina Schendl.

“Është shumë interesante sepse kemi zbuluar punën e Luit, punë e cila është e njohur në Amerikë dhe e kuptuam nga emri që ai ishte shqiptar dhe pastaj edhe u takuam me të në një galeri në New York. Kjo menjëherë na bëri që të interesohemi që të ekspozojmë edhe punën e tij. Të tregojmë punën e një artisti i cili është i njohur në Amerikë, por njëkohësisht edhe të sjellim punën e një artisti që është nga Ballkan”, u shpreh Isabella Ritter.

Sipas saj pikërisht në punën dhe në mënyrën e përdorimi të materialeve dhe në teknikat që artisti përdor mund të vërehet ndikimi lokal e që është një pasuri më shumë në punën e tij si artistë.

“Puna që ai bënë është shumë bashkëkohore pasi që ai eksploron organet dhe si ato funksionojnë por edhe gjëra më të mëdha, pra dy identitete që mund të krijojnë një union ose që edhe mund të largojnë njëra-tjetrën. Pra mendoj që është shumë esenciale për trupin e njeriut, për shoqërinë por jo vetëm për këto. Gjithashtu ishte interesante të tregoheshin materialet dhe mënyra e punës. Ato janë një lloj trashëgimie nga mënyra e realizimit të pikturave në rajon por do të theksoja se në një gjuhë krejtësisht tjetër të cilën ai vet e ka krijuar sepse kurrë nuk kam parë punë si kjo më parë”, u shpreh ajo për KultPlus.

Sipas saj nuk është shumë e rëndësishme se cila pjesë e trupit është në pikturë, por më shumë ka të bëjë me këtë ‘jo-mirësi’ sepse vrojtuesi mendon se e njeh një organ apo pjesë të trupit që ai ka përdorur, por ajo nuk është e plotë, është abstrakte. Sipas saj ajo që mund të vërehet është ana njerëzore, e cila prek vrojtuesin pasi që “mendoni se ka diçka organike në të me të cilën mund të lidheni”.

Për artistin ka qenë shumë e rëndësishme që puna e tij është paraqitur edhe në Kosovë, mirëpo ai për arsye personale nuk arriti që të ishte i pranishëm. Kështu urime e tij më të mira dhe falënderimet për të pranishmit i përcolli galeria.

Lui Shtini (1978 Kavaje, Shqipëri) ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri nga viti 1997 deri në vitin 2000 dhe ka ndjekur Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.
Shtini ka mbajtur ekspozita vetjake në CorbettvsDempsey, Chicago (2017, 2014), Kate WerbleGallery, Nju Jork (2016, 2013), CherryandMartin, LosAngeles (2015), dhe Van de Weghe Fine Art 2013, 2009). Puna e tij është ekspozuar në mjediset ku përfshihen: Silberkuppe, Berlin, Byroja, Nju Jorku, Galeria JackHanley, Nju Jork dhe Galleries Mason Gross, Universiteti Rutgers, NewBrunswick.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 11 nëntor, 2018./ KultPlus.com

“Rubairat”

Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë e në Varr s’ka lumturi;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa
Ke shekuj që të flesh në qetësi.”

2
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se fati na e thau lëngun sonte.”

3
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën: “Portat çeli!
E shkurtër është jeta, ja, u plakëm
Dhe mbeti si kofini pas të vjeli.”

4
A e dini përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, shkujdesur, fle dhe ëndërron.

5
U gdhi! Me verë zemrën zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës dërrmoj:
Në Djall Parajsën e përjetë dërgoj,
Gërshetin me Llaut’ e lavdëroj.

6
Kur Diellin, me zjarr kurorëzuar,
E pret nga pas Natyra faqeshkruar.
Shoqen me mall e shoh n’gjumë shtruar
Dhe foshnjen buzëqeshur më të zgjuar.

7
Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nëm Qelqin e Rubinit.

8
Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze stisi
Malet, pallatet e majë çdo lisi.

‘Rubairat’ (2) – Omar Khajami
Shqipëroi: Fan S. Noli

Mozaiku, arti dekorativ që i ka rezistuar kohës që nga antikiteti

Mozaiku, një nga format më jetëgjata të artit dekorativ, e cila i ka rezistuar kohës që nga antikiteti, vjen i dokumentuar nëpërmjet vëllimit të parë të serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”, kushtuar mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, me autorë Marie-Patricia Raynaud dhe Agron Islami.

Vëllim i Parë “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” pasqyron punën disavjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaikë (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në territorin e Shqipërisë.

Ai përmban një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve të Butrintit, të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.

Falë punës së përkushtuar të autorëve dhe kontributit të specialistëve të fushës, sot kemi në duar një studim me vlerë të madhe, i cili mungonte prej kohësh. /m.z/e.caushi/KultPlus.com

Era Istrefi nominohet në kompeticionin ndërkombëtar “Break Tudo Awards”

Viti 2018 ka qenë pa diskutim një prej më të suksesshmëve për këngëtaren shqiptare Era Istrefi.

Ajo ishte një nga tre zërat interpretues të himnit të Kampionatit Botëror, që këtë vit u mbajt në Rusi.

“Live it up” është kënga, e cila e bëri të dëgjuar artisten kosovare në mbarë botën, së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam.

Më pas, erdhi radha e dy këngëve tjera “Prisioner” dhe “Oh God”, të cilat gjithashtu u pritën mirë nga fansat e saj.

Këngëtarja Istrefi së fundmi ka shënuar edhe një tjetër sukses, duke arritur të nominohet për çmimet “BreakTudo Awards 2018” në kategorinë e “International New Artist” (Artisiti i ri ndërkombëtar).

Konkurrencën e këngëtares nga Kosova në këtë kategori e ka bërë publike edhe faqja zyrtare e këtij kompeticioni, në të cilin garojnë emra të njohur ndërkombëtarë.

Për ta ndihmuar artisten ta fitojë çmimin, mund të votoni në faqen zyrtare të “BreakTudo Awards” dhe zgjasin deri në datën 15 tetor. /KultPlus.com

Jean-Claude Van Damme bëhet me yll në “Walk of Fame” të Belgjikës

Aktori i njohur i Hollywoodit, Jean-Claude Van Damme ka marrë së fundmi pjesë në festivalin e filmit Oostende, në Belgjikë.

I veshur me një kostum elegant ngjyrë të kaltër, Van Damme vërtetoi edhe njëherë se pavarësisht moshës di të jetë një ndjekës i modës.

Stili i tij është i pëlqyer nga të gjithë, teksa shquhet si një prej aktorëve më të ndjekur në mbarë botën.
https://www.instagram.com/p/BlJIPSvgRzZ/?taken-by=jcvd
Për karrierën e tij të pasur, së fundmi, Jean-Claude Van Damme është nderuar edhe me një yll në “Walk of Fame” të Belgjikës.

Lajmin për këtë gjë e ka bërë të ditur vet aktori përmes disa fotografive të publikuara në Instagram.

“Unë do të doja të falënderoja të gjithë ata që dolën për të më parë në Festivalin e filmit Oostende më 9 shtator. Marrja e një ylli në “Walk of Fame” në Belgjikë, është një nder i madh për mua”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë.

Ndërkohë, urimet e shumta nga fansat për këtë sukses nuk kanë munguar. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/Bnl1rP4iQOf/?taken-by=jcvd
https://www.instagram.com/p/Bnl1rP4iQOf/?taken-by=jcvd

Çaste

Nga: Nadine Stair
Përktheu: Elona Caslli

Po ta jetoja edhe një herë jetën time, në jetën tjetër do të bëja më shumë gabime.
Nuk do të përpiqesha të isha e përsosur dhe do të shplodhesha më shumë.
Do të isha më budallaqe se ç’kam qenë
dhe të them të vërtetën shumë pak gjëra do t’i merrja seriozisht.
Do të isha më pak higjienike.
Do të rrezikoja më shumë
dhe do të udhëtoja më shumë.
Do t’i sodisja më shumë perëndimet e diellit,
do të ngjisja më shumë male,
dhe do të notoja në shumë lumenj.
Do të vizitoja më shumë vende
që nuk njihja.
Do të haja më shumë akullore dhe më pak jeshillëqe.
Do të kisha më shumë probleme reale
dhe më pak probleme imagjinare.

Unë kam qenë një nga ata njerëz
që e ka jetuar me vetëdije çdo çast të jetës
dhe e ka bërë të dobishëm çdo çast të saj.
Ndonjë çast gëzimi e kam patur edhe unë.

Por, nëse do të kthehesha prapa në kohë,
do të përpiqesha të jetoja vetëm çaste të mira.
Pasi, po nuk e ditët, jeta nuk është gjë tjetër
veçse një çast. Ndaj – Mos e humb të tashmen.

Unë kam qenë një nga ata njerëz
që nuk shkonin kurrkund pa një termometër,
pa borsën me ujë të ngrohtë,
pa një çadër apo pa një parashutë.

Po të rikthehesha në jetë
do ta merrja më lehtë jetën.
Po të rikthehesha në jetë
do të filloja të ecja këmbëzbathur që nga fillimi i pranverës
deri në fund të vjeshtës.

Do të bëja më shumë xhiro tek rrotullamja në këndin e lojrave,
do të shikoja më shumë agime,
dhe do të luaja më shumë me fëmijët
po ta kisha jetën përpara.

Por, jam 85 vjeçe
dhe po vdes…

Robert Pattinson dëshiron rikthimin e “Twilight”

Robert Pattinson po flet me agjentët e tij për të sjellë një film të ri të “Twilight”.

Dhjetë vite pas daljes së filmit të parë që rezultoi një sukses ndërkombëtar aktori dëshiron të rishfaqet me rolin e tij të pavdekshëm Edward Cullen.

Pattinson ka luajtur rolin e vampirit adoleshent në “Twilight”. Ai aktroi me Kristen Stewart, e cila vinte me rolin e Bella Swan dhe ata qëndruan të lidhur për katër vite.

Pavarësisht mënyrën së ndarjes së dy yjeve, pasi Kristen e tradhtoi me regjisorin Rupert Sanders, Pattinson nuk e vë në mëdyshje idenë për tu kthyer në sagën e “Twilight”.

“Unë po flas me agjentët e mi për këtë. Jam gati të rikthehem përsëri për të luajtur filmin“- tha ai për “Variety”./KultPlus.com

EE-O nga Lala Raščić , premierë në Lumbardhi

Premierën e performancës dhe shfaqjen e video artit EE-O të rtistës Lala Raščić do të keni rast ta shihni nga dita e shtunë në Lumbardhi në Prizren.

Video arti dhe performanca, i cili është një prodhim origjinal, është komisionuar së bashku me KADIST (Paris / France) si pjesë e projektit 3-vjeçar “Not fully human, not human at all”.

Performanca përcjellët nga shfaqja e veprës në dy ekrane dhe një koktej rasti.

Andaj për të mos e humbur këtë performancë, më 22 shtator në ora 19:00 në Lumbardhi në Prizren ju pret një mbrëmje e bukur. / KultPlus.com

Eros Ramazzotti me koncert në Shkup

Pas koncertit të Sting, Shkupi do të ketë edhe një ngjarje të madhe muzikore.

Në kuadër të turneut të tij botërore “Vita ce n’e” që do të përfshijë gjitha kontinentet, Eros Ramazzotti më 30 shtator do të mbajë koncert në “VIP Arena” në Shkup, njofton Telegrafi Maqedoni.

Koncertet dhe shfaqet e tij janë të njohura si më emocionueset në histori të muzikës pop.
Ramazzotti në Shkup do të vijë me produksionin e tij dhe Maqedonia do ta ketë mundësinë të sheh 100 për qind përjetimet nga koncertet e Eros Ramazzotti.

Koncerti i Ramazzottit në Maqedoni do të jetë më ekskluzivi në Evropë, siç ishte koncerti i Sting, duke pasur parasysh edhe kapacitetin e sallës.

Detajet tjera rreth këtij koncerti do të dalin gjatë ditës së sotme./KultPlus.com

100 milion shikime për “I’m a Mess” të Bebe Rexhës

Këngëtarja Bebe Rexha është shprehur e lumtur që kënga e saj “I’m a Mes ka arritur 100 milion shikime, shkruan KultPlus.

Këngë “I’m a Mess” është pjesë e albumit të fundit të këngëtares, “Expectations”.

“100 milion shikime për videoklipin e këngës “I’m the Mess”! Faleminderit shumë të gjithëve”, ka shkruar këngëtarja duke ndarë me miqtë e saj në instagram një video sekuencë gjatë realizimit të vidoklipit.

Këngëtarja në një intervistë të dhënë kohë më parë në lidhje me këtë këngë ka treguar përkrahjen e vazhdueshme që ka marrë nga nëna e saj. E pyetur se kush është personi që e mbanë ‘ me këmbë në tokë’, ajo është përgjigjur se ai person është nëna e saj. Ajo ka treguar sesi ajo shpesh herë kur e qorton i flet edhe në gjuhën shqipe.

“Isha nervoze kur dëshirova që ta nxjerrë këngën “I’m A Mess” sepse kur për herë të parë e shkrova atë këngë isha në një vend të errët dhe nëna ime e dëgjoi atë. I dhimbsem kur më sheh duke shkruar këngë të tilla. Ajo ka dëshirë që të më sheh të lumtur dhe urren të më shoh të shqetësuar dhe në atë gjendje. Kështu që isha shumë nervoze që ta publikoj këtë këngë”, pati thënë Bebe Rexha./ KultPlus.com

“Kthimi” i Kastriot Abdylit premierë ndërkombëtare në Gjermani

Filmi i metrazhit të gjatë “Kthimi” nga Kastriot Abdylit, do të jetë në konkurrencë zyrtare në Oldenburg International Film Festival në Gjermani, që do të mbahet nga data 12 deri më 16 shtator 2018.

Kritiku i filmit Chris Gore, në shkrimin e tij në “Ultimate Film Festival Guide” si dhe “Sundance gjermane’ nga Variety, Hollywood Reporters, e cilëson në mesin e pesë Festivaleve më të mira te filmave te pavarur.

Në filmin “Kthimi” trajtohet migrimi si fenomen te populli shqiptarë, si dhe kontradiktave që sjellë integrimi në traditat e familjeve shqiptare, ku vë në pah peshën e Besës dhe nderin e femrës shqiptare.

Regjisor dhe skenarist i këtij projekti filmik është Kastriot Abdyli, ko-skenarist Isa Qosja, drejtor fotografie Vlatko Samoilovski, montazhier Kastriot Saqipi dhe Bllagoje Nedelkovski, kostumograf Izet Curri, skenograf Zeni Ballazhi, ku luajnë Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Delphin Depardieu, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini, Xhevat Qoraj, Ismail Kasumi, Shkëlqim Islami, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi , Teuta Ajdini ,Hamdi Rashiti ,Muqbajadin Qamili,Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall.

Filmi Kthimi është bashkëprodhim i Agjencionit të Filmit të Maqedonisë, i subvencionuar nga Qendra Kinomatografike e Kosovës dhe është realizuar nga “Dardania Film” – Shkup dhe “Shkupi Film” Prishtinë./KultPlus.com

Tirana Foto Festival fillon në nëntor

Tirana Foto Festival është një event vjetor fotografie që organizohet nga DMO Albania (Destination Management Organization). Ky event do të mbahet në 1-7 nëntor në Tiranë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, shkruan KultPlus.

Qëllimi i Festivalit është të vendosë fokusin në artin e fotografisë përmes konkursit të fotografisë, ekspozitave, seminareve, foto tour etj. Disa ekspozita me tematika të vecanta do të hapen në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të shohin fotot më të bukura të qytetit në një vit.

Ekspozitat do kenë këto tematika: Natyra në Tiranë, Njerëzit e Tiranës, dhe foto te qytetit. Do të ketë workshope e ture fotografie, por edhe do të ndahen 3 çmime të mëdha për fotot më të bukura në dy vite konkurse të organizuara nga Visit Tirana. Për më shumë informata vizitoni web-faqen e festivalit. / KultPlus.com

Këshillat që një 60-vjeçare i jep një 30-vjeçareje

Kur Margaret Manning bëri 60 vjeç, vendosi ta linte punën e saj dhe të krijonte një shoqatë për veten dhe gratë në moshën e saj. “Sixty and me” e quajti dhe mes gjithë veprimtarisë mendoi të jepte dhe disa këshilla për vajzat në gjysmën e moshës së saj, për 30-vjecaret.

Mbaj mend që ke vetëm një jetë dhe nuk je në provat gjenerale.

Përpiqu të jesh pozitive dhe të marrësh aspektin pozitiv në çdo eksperiencë të jetës.

Fokusohu në vendin e kohën ku je.

Jetoje çdo ditë jetën sit ë ishte e fundit.

Mos harro se jeta mund të ndryshojë në një fraksion sekondi.

Dashurohu pas çdo faze të jetës tënde, sepse secila është magjike.

Mëso të jetosh momentin. Nëse ia del ta bësh tani që je e re, do ia dalësh edhe kur
të jesh 60 vjec.

Jeta është shumë e shkurtër për ta vrarë mendjen për diçka që do të ndodhë në të ardhmen, jeto sot.

Gjej një pasion ose një punë që të bën të përjetosh emocione të ndryshme.

Ji vetvetja dhe jetoje çdo fazë me dinjitet.

Pranoji ndryshimet e trupit tënd.

Ji e ndershme me veten, gjithmonë. Është një proces që mësohet ngadalë, por që ia
blen barra qiranë.

Ruaji kujtimet, por mos ji shumë e egër me veten.

Harroji stereotipet e shoqërisë për plakjen.

Mosha është thjeshtë një numër, jo një përkufizim se kush ti je.

Koha kalon, do apo s’do ti, kështu që fillo të jetosh.

Mos ndalo së kërkuari inspirim.

Jeto në mënyrë të thjeshtë e të shëndetshme. Bëj ushtrime dhe udhëto.

Bli fustane klasik. Do jesh gjithmonë në modë.

Mos shpenzo para për këpucë. Burrat s’të shikojnë kurrë nga këmbët.

Mos e mbush jetën me mbeturina.

Ji vetvetja. Sill dritën tënde. Ji e pranishme, e vërtetë dhe e gjallë në çdo moment.

Mos u shqetëso për rrudhat. Ato janë harta e jetës tënde.

Jeto me pasion dhe dashuri, me sy e zemër të hapur. Thjesht, ji e lumtur.

Vlerëso gjërat e vogla të jetës, mos I kompliko ato.

Respektojë partnerin dhe fëmijët në të njëjtën mënyrë që dëshiron të të duan e respektojnë ty.

Ofroje dashurinë në mënyrë të pakushtëzuar.

Lind fëmijë atëherë kur do: nuk ka një moment specifik e një çelës për këtë.

Bëj shumë foto. Do jesh e lumtur kur të kesh në to edhe njerëz që nuk janë më aty.

Mëso të flasësh.

Harroje zemërimin dhe përqafo mirënjohjen për të shijuar jetën siç duhet.

Të pasurit e një rrethi të ngushtë miqsh, është thelbësore.

Vlerësoje familjen. Do jenë me ty kur të tjerët të ikin, Do të të mbështesin në
gjithë rrugën tënde.

Mos shko kurrë të flesh e mërzitur me dikë apo qoftë edhe me veten.

Jepi partnerit, familjes dhe miqve çdo ditë të jetës tënde.

Në të 30-tat shndërrohesh në grua, ndaj vlerësoje bukurinë tënde.

Mos e shpenzo kohën duke u shqetësuar për gjërat që s’mund t’i ndryshosh: ndrysho ato që mundesh.

Dil nga një marrëdhënie e palumtur sa më parë të jetë e mundur, nuk mund të ndryshosh asnjë njeri.

Qesh gjithmonë. Kjo është kura më e mirë për lëkurën.

Besoji instinktit tënd dhe mos fol kurrë keq për veten.

Ji e sjellshme me veten. Mos mbaj përgjegjësi për çfarë nuk të takon.

Mëso të qeshësh me veten. Mos ji gjithmonë serioze.

Nëse ke fëmijë, duaji, por mos kërko të jesh nëna përfekte.

Jepi mundësi fëmijës të jetë mësuesi jot.

Ji luftarake. Mëso të përdorësh aftësitë e tau e t’ia dalësh mbanë vetë.

Mos e lejo frikën të të udhëheqë.

Mos ndalo së mësuari, se duhet të ushqesh vazhdimisht mendjen e shpirtin.

Ji mirënjohëse edhe në ditën më të keqe. Ka gjithmonë diçka për të mësuar.

Shijo anët pozitive të plakjes të tilla si: më pak përgjegjësi e më shumë liri.

Mos lejo askënd të të thotë se je tepër e moshuar për të bërë diçka. Ose shumë e re.

Mos ki frikë të plakesh. Jeta dhe natyra të përgatisin vetë për çdo fazë të jetës.

*Ky post u përshtat nga giornodopogiorno dhe është realizuar nga Fabjola Hije.

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di

Kënga “Të dua” nga Ardit Gjebrea dhe Inva Mula.

Sa here dora ime prek trupin tënd të zhveshur
Dhe shtrati i djersitur ngjan me një re
Me duart që të dridhen
Me sytë e një fëmijë
Pa pritur me pyete: “A ka të tjerë si ne”

Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
Hëna plasaritet,nuk fryn me as erë…
Me muskuj të tendosur në pritje të një britme
Serish pëshpërite: “Do vdesim edhe ne?”

Të dua,të dua,të dua
Unë kaq di
Te tjerat nuk i gjejmë,nuk i gjejmë dot as unë as ti
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
Ne boten nuk e njohim, parajsën e dimë

Akrepat po levizin
Toka rrotullohet
Hëna e plotë…
Asgjë nuk pipëtin

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
Sa here s’ta kam thënë ta kam fshehur ,je vetëm ti

Dhe ndjej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur
Shtrati i djersitur
Kjo dritë kaq e zbehtë
Me gjunjë që dridhen
Me sytë e përhumbur, tani unë të pyes
“A ka te tjerë si ne?”

Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
Hëna plasaritet,nuk fryn me as erë…
Me muskuj të tendosur në pritje të një britme
Serish pëshpërite: “Do vdesim edhe ne?”
Të dua,të dua,të dua
Unë kaq di
Te tjerat nuk i gjejmë,nuk i gjejmë dot as unë as ti
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
Ne boten nuk e njohim, parajsën e dimë

Akrepat po levizin
Toka rrotullohet
Hëna e plotë…
Asgjë nuk pipëtin

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
Sa here s’ta kam thënë ta kam fshehur ,je vetëm ti./ KultPlus.com

John Legend hyn në histori, rrëmben çmimin “EGOT”

John Legend ka hyr në histori duke u bërë njeriu i parë me ngjyrë që ka marrë çmimin ‘EGOT’ në Emmy.

Çmimi “EGOT” qëndron për katër çmime të mëdha: Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony, gjersa këngëtari është personi i 15-të në histori që arrin këtë sukses.

Gjithashtu edhe Lord Andrew Lloyd Webber dhe Sir Tim Rice morën statusin ‘EGOT’. Legend është personi më i vogël që iu është bashkuar grupit, shkruan atsh.

Kompozitori amerikan Robert Lopez gjithashtu mori statusin EGOT, disa javë pas 39 vjetorit të lindjes së tij në mars 2014.

Ndërsa John mbush 40 vjeç në dhjetor, që do të thotë se Lopez ende mban ende titullin si fituesi më i vogël i ‘EGOT’./KultPlus.com

“Ku janë ato fusha ku ato kaçuba, vajza të bukura si n’vendin tim kund nuk ka”

Ka kaluar pothuajse një dekadë nga ikja e artistit të rrallë, Muharrem Qenës. Krijimtaria e tij artistike është e pasur me këngë të cilat edhe sot dëgjohen e si të tilla i kanë rezistuar kohës.

Sot po e kujtojmë artistin Muharrem Qena me këngën “Mallengjimi”, një prej këngëve më të bukura të bagazhit të tij muzikor, e cila flet për dashurinë ndaj vendlindjes.

Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale./ KultPlus.com

Pëllumbi i bardhë

Poezi e shkruar nga Rifat Kukaj.

Atij pëllumbi të bardhë
në botë më i miri,
që në sqep fort mban
një degëz ulliri…

Atij pëllumbi të lehtë
që po fluturon,
i besoj vërtetë
kur Dreni e pikturon..

Në sytë e tij ninëzat
e tua po shkrihen,
e në zemër ritmet
me tuat përtërihen…

Vizatoje, ngrije n’erë
duke e mbajtur në dorë,
sille disa herë
rreth globit tokësor!

Muzeu Ikonografik “Onufri”, mirëpret 2486 turistë në ditët e para të shtatorit

Berati, edhe këtë vit ka tërhequr turistë të huaj e vendas, të cilët e vizitojnë qytetin për vlerat e tij historike, arkitekturore, por edhe për kulturën e pasur që ka ruajtur prej më shumë se 2 mijë vjetësh.

Vetëm në nëntë ditët e para të muajit shtator, Muzeun Ikonografik “Onufri” e kanë vizituar 2486 turistë, nga të cilët 1700 kanë qenë të huaj. 583 ka qenë numri i vizitorëve në datën 5 shtator të cilëve u është shërbyer falas.

655 vizitorë kanë vizituar Qendrën Muzeore Berat, në datën 5 shtator me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza.

Vizitorët kanë qenë të kombësive të ndryshme nga Polonia, Italia, Gjermania, Franca, Çekia, Sllovakia dhe Holanda.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.

Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX. /ata

“Hyp se të vrava, zbrit se të vrava”

Po sjellim disa fjalë të urta nga Kosova.

Arma ta prun kreun, arma ta prun atdheun.
I huaji kurrë s’bahet i yti.
Kur të jesh në dhe të huej, dita të duket ni muej.
Me kajtë për vatan s’a marre.
Si dheu yt s’ka.

Liria nuk blehet me pare e me tokë, po fitohet me gjak e me kokë.
Kanga e trimit knohet mas lufte e jo tuj luftue.
Kush punon me mend i kryen punët me vend.
Edhe uflla pa pare asht e amël.
E ban barki,e han shpina.

Anërr e kam ni, anërr p’e kallzoj.
Kau i mirë njihet në hulli.
Pej të dekunit s’ki shka pret.
Shqep jorgan e arno çarçaf.
Fjala ta hup, fjala ta pshton kryet.

Në seicilën gjellë mos u ban biber.
Nuk duhet me fol pa e peshu.
Hyp se të vrava, zbrit se të vrava.
Mos i qit ferra vetes.
Njeri njihet prej goje e jo prej mloje.

(Marrë nga arbëreshonline)./ KultPlus.com

Ura dhe brigje

Poezi e shkruar nga Bardhyl Londo.

Ne jemi si dy brigje të një lumi,
përjetë përballë, përjetë të ndarë,
natën ndërtojmë në ëndrra një urë,
ditën mbetemi të huaj si më parë.

Ne jemi si dy brigje të një lumi,
(Fat të rendë paskan, e dashur, brigjet!)
Ne ëndrra qajmë e qeshin bashkë,
ditën të flas, ti s’më përgjigjesh.

Dhe në mos me pafsh një ditë ne vendin tim,
përballë teje në mos me pafsh një natë,
mos u beso fjalëve qe thonë të kam harruar,
besomë mua: jam shndërruar në Rozafë.

Një urë të ngre të lidhen brigjet,
me ditë e mia, me ëndrrat do ta mbaj,
të vij të mbështes kokën mbi supin tënd
dhe të hesht, të qesh, të qaj.

11 shtatori, ngjarja që tronditi botën (FOTO)

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 17-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona, transmeton Klan Kosova.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.

Mijëra vetë, mes të cilëve të afërm të viktimave të sulmeve të “11 shtatorit”, të mbijetuar, punonjës shpëtimi dhe të tjerë, priten të mblidhen në zonën e ish-Qendrës Tregtare Botërore për të kujtuar sulmin më vdekjeprurës terrorist të ndodhur në tokën amerikane.