PEN Qendra e Kosovës mbrëmë mbajti mbrëmjen e parë, në fokus veprimtaria e Martin Camajt

Në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra Kulturore e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus-in, mbrëmë ka mbajtur aktivitetin e radhës në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Përveç netëve tjera në të cilat do të prezantohet krijimtaria letrare  e autorëve të njohur si: Ali Podrimja e Teki Dervishi, mbrëmjen e shkuar u prezantua dhe u fol për krijimtarinë letrare të  Martin Camajt.

Studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarë të njohur si Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre studimore, sa i përket veprimtarisë së Camajt.

Milazim Krasniqi para të pranishmëve prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për Martin Camajn”.

Profesor Krasniqi rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë dhe rolin që ka sot, për t’i ndihmuar procesit të rekonvaleshencës letrare e kulturore.

Krasniqi rrëfeu për Camajn se si ishte arratisur nga Shqipëria enveriste dhe kishte qëndruar në Jugosllavinë titiste, ku më pas kishte botuar dy vëllime me poezi, të cilat i vlerësoi konfuze siç qe konfuze edhe veta jonë nga një botëvështrim ideologjik totalitar dhe johuman që kishte detyruar shkrimtarë si Camaj të arratiseshin nga atdheu mëmë, për të qëndruar në një shtet armiqësor, siç atëbotë qe Jugosllavia.

“Në procesin e dekomntaminimit të letërsisë sonë nga terrori dhe nga dogma ideologjike, ku Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka dhënë një kontribut të madh në vitet 1988-1999, e njohëm Martinin në vitin 1990.“

Ndonëse Krasniqi e përshkruan atë takim si një tribunë të zhurmshme, entuziaste e folklorike, dhe të huaj për shijen e rafinuar të Camajt, megjithatë ai tregon se Camaj mbajti fjalën e tij mbresëlënëse, në të cilën kishte shpalosur se ky qe takimi i tij i parë me bashkatdhetarët, të cilët nuk kishte dashur t’i ekspozonte para se të binte diktatura komuniste. Më tutje ai tregon për takimet e radhës pas asaj njohjeje.

“Pas asaj njohjeje ne e patëm ftuar në Prishtinë dhe e patëm pranuar si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mesazhet e tij gjatë qëndrimit në Prishtinë qenë pajtuese, integruese, vëllazërore, që në klimën e polarizimeve të reja që po shfaqeshin, ishin si mehlem për varrë.”

Më pas ai foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një shkrimtari dhe dijetari unik. Ai përmendi gjithashtu botuesit e parë të krijimtarisë së tij, të cilët ishin: Shtëpia Botuese “Buzuku’’ me tregimet ‘’Pishtarët e natës’’ (1991) dhe romanin ‘’Diella’’ (1994), ndërsa ‘’Jeta e Re’’, në vitin 1991 botoi vëllimin “Nën hijen e gjarprit’’.

Krasniqi, hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës e vlerësoi si një xixë shprese për të dalur nga shtjella e dekolturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e vlerësuar Camajn si frymëzim edhe sot.

Tutje u lexua kumtesa e Blerina Rogova Gaxhës me titull “Martin Camaj, udhëtimi nëpër jetë”.

Blerina Rogova Gaxha, udhëtimin e Camajt e cilësoi si një udhëtim jo për përmbushjen e jetës, por imponim i braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të qe e egër.  Ajo përmendi largimin e tij nga origjina dhe realitetin  e një të mërguari të hedhur në shkrim.

‘’Letërsia e Martin Camajt është letërsi e krijuar jashtë kufijve shqiptarë – në mërgatë. Camaj apo letërsia e mërguar! Kjo është letërsia e dukagjinasit që u përndjek që herët nga regjimi komunist dhe iku në Itali e Gjermani, ku gjeti strehë të studionte e të shkruante letërsi, për ta bërë veprën e tij krejt të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai është zë i vendit që shtegton nëpër botë dhe kthehet si jehonë nga bota – si zë i mërguar.’’

Rogova Gaxha përmendi se si Camaj ishte i edukuar si një frymë lirie e vetëdije refuzuese, me ç’rast refuzoi ta humbte lirinë shpirtërore, duke e refuzuar terrorin ideologjik, për ç ‘shkak iu desh të braktiste vendin. Poezinë  e Camajt ajo e cilësoi si ‘’mall për një kujtim e jetë të jetuar e të pajetuar’’. Në udhëtimin e Camajt, ajo vlerëson se poeti mbështetet në lirinë që i jep poezia si krijim, porse kjo liri si çdo tjetër ka sakrificën e vet, siç ligjëron te poezia ‘’Vrasja e poetit”:

Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Nuk ishte vetëm:

Para tyne rrishin galue roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore.

Për ta përmbyllur fjalën  e saj, Gaxha Rogova, e quan udhëtimin poetik të Camajt si “udhën e tij për të mbetur gjallë, në letra dhe në jetë.”

 “Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim ”ishte kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.

Në fjalinë e tij mbi krijimtarinë letrare të Camajt, ai e vlerësoi si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.

“Temat e motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet, luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë, votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri, breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.

Ai bëri gjetjen e lidhjeve mbi trashëgiminë letrare të paraardhësve të tij, me poetët shkodranë si Mjedën, Gurakuqin, Fishtën, madje edhe me Migjenin. Midis veprave të tij poetike, ai veçoi vëllimin poetik ‘’Legjenda’’, i botuar në Romë, në vitin 1964.

“E shkruar gjatë viteve të para të qëndrimit të Camajt në Itali, ‘’Legjenda’’ shënon jo vetëm një evolucion të natyrshëm, po edhe një ngritje të ndjeshme cilësore të shprehjes së tij poetike.” Këtij libri i prin parafjala e autorit, i cili vë në dukje lidhjen e pashkëputshme të letërsisë sonë të shkruar me atë popullore…

Ndër tjerash, Gashi foli për disa nga poezitë më karakteristike nga krijimtaria e tij, e që janë ‘’Ai që i bjen fyellit n’hanë” dhe “Beka i verbët”, “Për kaun e mbytun  në kohë të ujës” , “Buelli”, “Dranja” etj.

“Vështruar përgjithësisht Martin Camajn pa dyshim mund ta quajmë poet të gjuhës, për shkak të përdorimit brilant të saj. Po kështu Camaj nuk u përputh në asnjë element me letërsinë e realizmit socialist, por siç theksonte studiuesi Shaban Sinani “refuzimi i tij nuk mbaron vetëm në kontekstin e refuzimit teorik, estetik e ideologjik. Ai i ikën rregullisht llojeve të pastra letrare dhe i vetëpërkufizon veprat e tij me terma të huajtura nga muzika (madrigal), nga paleografia dhe arti kishtar, nga shkrimet e shenjta apo nga folklori… dukuri këto që e inkuadrojnë veprën e tij përbrenda kufijve të modernitetit letrar.”

Krejt për fund, fjalën e mori profesori Anton Berishaj i cili shpalosi kumtesën e tij me titull “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.

Në fjalën studimore të tij Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota, teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer te paradigma bashkëkohore  e botërave të mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë filozofike të ontosit letrat, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e zhanror te teksteve letrare.”

Mes krijimtarisë së Camajt, ai shkëputi veprën “Djella”, duke e përmbyllur me:

“Metafiksioni i Camajt te romani Djella shtron edhe probleme fundamentale të etikës diskursive letrare. Poezia – kjo rregulluese e kohës – (për Camajn e ka vlerën e nocionit Dichtung nga poetika gjermane) te Djella, në planin diskursiv gjithmonë e ka burimin te pasionet dhe ëndërrimet – tek ajo hapësira frojdiste  e lirisë dhe e mungesës së kontrollit diskursiv e kulturor. Pra, poezia sipas tij është gjithnjë në eksplorim të hapësirave të reja të lirisë – të hapësirave të reja performative dhe vetë-modeluese. Këtu duhet parë etikën diskursive të Camajt, e cila shkon edhe përtej parodisë (së zhanrit, të letërsisë së realizmit socialist, të letërsisë si të tillë) dhe vetë-parodisë. Me anë tjetër, duke ia nënshtruar procesin kreativ shqyrtimit racional kritik e vetë-reflektues, metanarracioni/metafiksioni i Camajt sikur do të tejkalojë/neutralizojë mallkimin platonist/sokratik të mimesisit, i cili sipas tyre sjell vetëm vuajtje në jetën e njeriut. Edhe ne këtë kontekst, metafiksioni i tij bart me vete një etikë diskursive të re në relacion me forma të tjera të fiksionalitetit narrativ.”

Gjithashtu, sonte dhe nesër, në orën 18:00 në KultPlus Caffe Gallery, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës do të vazhdojnë me prezantimin e krijimtarisë letrare të Ali Podrimës dhe Teki Dervishit. /KultPlus.com

“Gruaja histerike është i vetmi subjekt që dhuna patriarkale nuk ka arritur ta nënshtrojë, është i vetmi subjekt i lirë”

Nga Sead Zimeri

Histeria është reagimi më normal i subjektit që jeton pa liri dhe që vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe kërcënimeve për dhunë. Si e tillë histeria është shprehje e një situate të padurueshme dhe e vetmja shprehje emocionale e vërtetë në raste të tilla. Në histeri e gjejmë të vërtetën për situatën e padurueshme të subjektit. Çfarë është befauese prandaj nuk është që subjekti i tillë bëhet histerik por që ai/ajo akoma nuk është bërë histerik. Histeria është shpirti i rrebelimit, tregon që dhuna nuk e ka nënshtruar tërësisht subjektin, që subjekti ka arritur ta ruajë lirinë e saj që e shpreh në formë histerike. Histeria sinjalizon shpirtin rrebelues të subjektit, psherëtimën e të shtypurve, dhe refuzimin e situatës së padrejtë. Histeria është rezistencë.

Kur të shtypurit i merret e drejta e histerisë ajo më ka pushuar së ekzistuari si subjekt lirie, dhe tani vetëm sa i përçon diktatet e sunduesit të saj sikur të ishin të vërteta absolute. Kur subjektit histerik i kërkohet të shprehet me një gjuhë të sjellshme dhe të dialogut, ta respektojë mendimin dhunues (seksist) të bashkëbiseduesit të saj, asaj i kërkohet në fakt që ajo ta pranojë situatën e dhunës si normale, si të domosdoshme, dhe në besim që dhuna është legjitime. Histeria flet pikërisht për një tregim tjetër, atë që dhuna nuk është kurrë legjitime, që ajo është traumatike, që ajo nuk duhet toleruar.

Kërkesa për t’i respektuar të gjitha opinionet, pavarësisht që njëra palë ushtron dhunën dhe tjetra është viktimë e saj është në thelb kërkesë e dhunshme, kërkesë për ta shtypur edhe më tepër subjektin histerik. Në këtë rast, nuk ka barazi të vërtetë, prandaj kërkesa për barazi në mirësjellje, kërkesa për dialog është kërkesë hipokrite, kërkesë për ta mbuluar një situatë të dhunshme që shkakton trauma nga më të ndryshmet. Kërkesa për mirësjellje, në këtë rast i kërkon viktimës që ajo të mos mirret me situatën, me trishtimin që ajo i ka shkaktuar asaj por të ngrihet mbi të dhe të pretendojë që asaj nuk i pengon, nuk i shkakton traumë një situatë e dhunës. Kërkesa për mirësjellje është kërkesë që subjekti i traumatizuar, që subjekti histerik, të krijojë një imazh të rremë të vetes, që të mos i qëndroj besnike vetes por diskursit që ia normalizon dhunën./KultPlus.com

Kryeministri Kurti ka formuar ‘Grup punues’ për shënimin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e shënimit të 12 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në mbledhjen e dytë të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka formuar Grupin punues, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi’, në kuadër të të cilit do të jetë edhe Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi.

 “Siç e dini të hënën do ta shënojmë 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe me këtë rast është e nevojshme të kemi një grup punues që do të bëjë finalizimin e përgatitjeve tashmë të zakonshme e tradicionale në shtetin tonë. Me këtë rast propozoj ta kemi një grup punues ku ai do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe në kuadër të këtij grupi të jetë ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi”, tha Kurti.

Propozimi i Kryeministrit Kurti, për formimin e grupit punues, me shumicë votash , u miratua nga kabineti qeveritar./KultPlus

Imanuel Kant: Askush nuk ka të drejtë të më mësojë, si do të jem i lumtur

Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua” 

Mbi jetën e Immnauel Kant

Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne. Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë. Ai e kaloi gjithë jetën e tij në qytetin e tij të lindjes, aso kohe kryeqytet i Prusisë Lindore. Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer. Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës. Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës. Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore. Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.

Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor. Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790. Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse. Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant. Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël. Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.

Disa nga thëniet më të njohura të Imanuel Kantit që përbejnë veprimtarinë e tij:

1. Me ligj, njeriu është fajtor nëse shkel të drejtat e të tjerëve. Me etikë, ai është fajtor qoftë edhe vetëm kur e mendon këtë.

2. Shkenca është dije e organizuar. Urtësia është jetë e organizuar.

 3. Mendimet pa përmbajtje janë boshe, intuita pa koncept është e verbër.

 4. M’u desh të eleminoja dijen, me qëllim që t’i bëja vend besimit.

 5. Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por i imagjinatës.

 6. Moraliteti nuk është doktrina se si ne e bëjmë veten të lumtur, por se si mund ta bëjmë veten që ta meritojë lumturinë.

 7. Prano gjithmonë se individët njerëzorë janë qëllime, dhe mos i përdor si mjete për qëllimin tend.

 8. Jetoje jetën sikur çdo akt i yti, do të shndërrohej në një ligj universal.

 9. Nuk është e domosdoshme që ndërkohë që jetoj, të jetoj i lumtur; por është e domosdoshme që sa kohë që jetoj, ta bëj me nder.

 10. E gjithë dija jonë nis me shqisat, vazhdon me kuptimin dhe përfundon me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se sa arsyeja.

 11. Me një gënjeshtër, njeriu e asgjëson dinjitetin e tij si njeri.

 12. Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë.

 13. Vetëm i ndriçuari nuk ka frikë nga hijet!

14. Shiko nga afër. E bukura mund të jetë e vogël.

 15. Vdekja e dogmës është lindja e moralitetit.

 16. Nuk ka njeri me virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.

 17. E madhja dhe e vetmja dobi e shembujve është se ata rafinojnë gjykimin.

 18. Kush është mizor ndaj kafshëve ,është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.

 19. Arsyetimi i kthjellët është në vetvete praktik dhe i jep njeriut një ligj universal, që ne e quajmë ligji moral.

 20. Askush nuk ka të drejtë të më mësojë, si do të jem i lumtur./KultPlus

Pas premierës botërore në ‘Sundance’, Visar Morina me premierë europiane në ‘Berlinale’

Pas premierës botërore në ‘Sundance’, filmi ‘Exil’ nga Visar Morina do ta ketë premierën europiane në njërin ndër festivalet më të rëndësishme, në ‘Berlinale’, përcjellë KultPlus.

Premiera do të shfaqet më 24 shkurt nga ora 15:30 në kinemanë Zoo Palast 1, në kuadër të programit Panorama.

Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

 “Exil” poashtu sjell një kastë brilante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRË, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

Linku zyrtar i Berlinales:
https://ëëë.berlinale.de/en/programme/programme/detail.html… / KultPlus.com

Nga refugjat tash pjesë e filmit të nominuar për Oscar, aktori shqiptar ndihet i bekuar

Jeta Zymberi

Të rinjtë shqiptarë po shkëlqejnë në skenat botërore, ne së fundmi dëgjuam për një djalë me emrin Mason Alban, sukseset e të cilit në fushën e kinematografisë nuk ishin të pakta. KultPlus ka rënë në kontakt me Masonin që sukseset e tij t’i shpalos edhe para publikut shqiptar të cilët padyshim do të ndihen krenarë, shkruan KultPlus.

Lufta e fundit në Kosovë ka bërë që shqiptarët të shpërngulën me dhunë nga Kosova. I lindur në Vushtrri, Mason Alban është transferuar në Boston në moshën 11-vjeçare si refugjat. Por, Mason e ka shfrytëzuar kohën në mënyrën më të mirë. Ndonëse në një vend të huaj dhe duke pas parasysh vështirësitë, ai ishte i bindur që ëndrrat duhet ndjekur, ka punuar shumë dhe talenti i tij  nuk mbeti pa rënë në sy.

Qysh në moshë të re, arriti të lidhet me disa regjisorë të shkëlqyeshëm në Harvard, ku njëri prej tyre ishte regjisori me famë botërore Peter Sellars.

“Shfaqjen time të parë e bëra në Teatrin A. R. T në Kolegjin e Harvardit. Aty bëmë edhe shfaqje tjera, diçka nga Çehovi dhe nga Shekspiri. Kështu rashë në dashuri me këtë profesion, që për mua ishte terapeutik pas luftës. Në skenë mund të dëgjohej zëri im. Teatrin që është forma më e pastër e demokracisë, e kam mësuar nga Peter Sellars”, ka treguar kështu Mason Alban për hapat e parë në karrierë.

Gjasat që aktori shqiptar të shkëlqejë në këtë rrugë, janë të mëdha. Por, të mëdha janë edhe sfidat duke pas parasysh që konkurrenca është e madhe.

“Është një industri jashtëzakonisht konkurruese, ku janë rreth një milionë aktorë të rinj në vit që i hynë kësaj industrie. Unë kam pasur fat t’i takoj disa menaxherë dhe agjentë që besuan në mua dhe më krijuan mundësi. Kolegji Emerson më ndihmoi shumë, atje munda të aktroj dhe të tregoj talentin tim. Atje më morën në disa klipe dhe filma studentor, kështu m’u hapën mundësitë dhe unë e shfrytëzova njërën nga to. Punova në shumë shfaqje të suksesshme, krahas aktorëve dhe regjisorëve vërtet të talentuar.”

Masoni karrierën e tij e drejton duke punuar pa reshtur dhe pa u lodhur, duke i tejkaluar dështimet dhe refuzimet. Sipas tij, ju duhet të jeni të gatshëm për të sakrifikuar shumë që t’i realizoni ëndrrat tuaja.

“Është sfiduese për të gjithë. Edhe për mua ishte një udhëtim i gjatë. Unë nuk e bëj këtë për të qenë medoemos i famshëm, por e bëj sepse e dua profesionin që e kam. Nëse nuk do ta doja profesionin, çdo gjë rreth tij qoftë pozitive apo negative nuk do t’ia vlente.”

Në EVVY, Mason Alban është emëruar për dy vite radhazi si aktori më i mirë. Ky vlerësim patjetër që ishte një shtysë për të.

“Ky ishte një tjetër afirmim i shkëlqyeshëm për mua. Në të gjitha format e artit ne kemi nevojë për dikë që pajtohet me çmendurinë tonë, në mënyrë që ajo të konsiderohet art. Konfirmimet janë çdoherë thelbësore.”

Por, ajo çka nuk e kemi shpalosur deri tani, është një arritje e jashtëzakonshme e Masonit. Ai është pjesë e filmit “Little Women” i cili u nominuar për Best Picture në Oscar.

Të punosh në një film të tillë dhe me njerëz kaq profesional, padyshim që është diçka e mrekullueshme, ai madje ndihet i bekuar për këtë mundësi që i erdhi falë talentit e përkushtimit në punë.

“U emocionova shumë për dashurinë e Akademisë ndaj  “Little Women”. E ndjeva brenda vetes se ishte diçka meritore. Të gjithë ishin brilantë në atë që bënë dhe kjo ishte vërtet frymëzuese. Të punosh me Saoirse Roman është e mahnitshme sikurse me Greta Gerwig që shfaqin gjenialitetin e tyre dhe të bëjnë të ndihesh i bekuar që punon me ta. Po ashtu edhe me Kathryn Bigeloë. Ishte kënaqësi e madhe për mua të punoja me ta dhe të mësoja aq shumë nga të tjerët. Është nder i jashtëzakonshëm të punosh me një grup të tillë, ku ka njerëz aq të talentuar.”

Regjisorja e filmit “Little Women”, Greta Gerwig ishte një pikë frymëzimi për Masonin.

“Është e mahnitshme dhe e lehtë të punosh me të. Ajo është shumë profesionale dhe kështu e bën punën tuaj të lehtë. Ata kanë një vizion të shkëlqyeshëm dhe e dinë saktë se çfarë duan. Pjesa tjetër varet nga unë që ta shpërfaq vizionin e tyre. Dhe të kesh njerëz super të talentuar rreth vetes për të të ndihmuar të arrini – kjo e bën gjithçka të lehtë dhe mjaft të dobishme.”

Gjithë ky sukses nuk e ka lejuar Masonin të harrojë prej nga vjen. Ai pohon se ka një lidhje emocionale me Kosovën dhe i kënaqet zemra për sukseset e saj.

Ai gjithashtu nuk i refuzon as ftesat nga regjisorët shqiptar. Madje është bërë pjesë e filmit “Adelina” të regjisores Rita Krasniqi.

“Ai është filmi im i parë në Kosovë. Dhe aktualisht është nëpër festivale në të gjithë botën. Ajo është regjisore mjaft e talentuar. Më pëlqen të punoj me regjisore, ato më kanë dhënë mundësi gjithmonë.”

Krejt për fund, Masoni ka dhënë një mesazh për të rinjtë shqiptarë.

“Uroj që ata t’i ndjekin ëndrrat dhe të mos mendojnë se madhështia ekziston jashtë tyre. Ka shumë të rinj të talentuar në Kosovë të cilën mund të fitojnë “Oskar” ose të bëhen çfarëdo që ata duan të jenë. Historikisht ne gjithmonë mendojmë se gjërat e mëdha janë atje tej larg diku. Por për mua dhe shumë kosovarë të tjerë aktor të bën talenti dhe jo Hollivudi. Nëse e ndjen aktrimin, bëhu, se krejt janë atje.” /KultPlus.com

Skandali i dhunës zbulon se kopshti “Cambridge Kids” nuk ka licencë për punë

Çerdhja “Cambridge kids”, e cila pasditen e së martës, u bë lajm për shkak të dhunës së një prej edukatoreve të ushtruar ndaj një fëmije 2 vjeç, rrezikon të mbyllet.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë konfirmuar për Gazetën Express se çerdhja “Cambridge kids” në Prishtinë nuk ka licencë.

Madje, ata thonë se ky institucion edukativ nuk ka aplikuar kurrë për një të tillë.

E në raste të tilla, institucioni mbyllet menjëherë.

“Ministria mund të kërkojë ndërprerjen e veprimtarisë edukative”, ka thënë MASHT-i.

Skandali u zbulua nga nëna e fëmijës që shihet në video.

Ajo ka publikuar pamjet e kapura nga kamerat e kopshtit, në të cilat duket qartë se edukatorja Teuta Gashi ushtron dhunë ndaj fëmijës, i cili refuzon të ulet në karrocë. / KultPlus.com

Brazili mirëpret të huajt që duan ta mësojnë vallëzimin samba

Valltarët gati për karnavalin e famshëm vjetor.

Një grup valltaresh, në mesin e tyre braziliane dhe të huaja, nga vende të ndryshme të botës, u mblodhën në Rio de Janeiro për ta mësuar vallëzimin e quajtur samba.

Shkolla “Paraiso de Tuiuti”, ka qenë dhe mbetet djepi i kulturës për klasën punëtore të këtij vendi për afro 60 vjet, shkruan rtv21.tv Njëra prej valltareve të këtij vallëzimi është Jessica Hahn-Chaplin, nga Anglia. Jessica është pjesë e lëvizjes së të huajve të cilët shkuan në Brazil për të mësuar vallëzimin samba. Valltarja angleze e cila njëherësh është mësuese vallëzimi në Bristol, mendon se vallëzimi samba është paksa i komplikuar. Ajo ka thënë se është bionde dhe se kjo ka qenë problem që të përshtatet me këtë vend. Jessica po ashtu ka treguar se orët e mësimeve të këtij vallëzimi mbahen në lagje të varfra, që është tronditëse për këtë sistem. Tutje ajo ka treguar se është mësuar të mbaj orë vallëzimesh në studio me pasqyra, e këtu në Brazil, kjo nuk ndodh dhe kjo e bën të vështirë.

Mësuesi i vallëzimit në këtë shkollë është Alex Coutinho, i cili ka thënë se të interesuarit e huaj për vallëzimin samba shkojnë atje vetëm për të mësuar këtë vallëzim, dhe kthehen në vendet e tyre, dhe ajo që e bën interesante këtë është se ata promovojnë kulturën braziliane në vendet e tyre. Sipas tij, të interesuarit qëndrojnë nga dy apo tre muaj në Brazil për të mësuar sambën.

Njëra prej valltarëve të tjerë në këtë shkollë është edhe japonezja Tanaka. Ajo ka treguar se për shkollën “Paraiso de Tuiuti”, e cila ua mëson këtë vallëzim edhe të huajve ka kuptuar nga Istagrami. Kështu, ka kontaktuar me personat përgjegjës dhe ka shkuar atje.

Shkolla e vallëzimit samba “Paraiso de Tuiuti” po ashtu po bëhet gati për karnavalin e famshëm vjetor në Rio de Janeiro, i cili do të fillojë me 21 shkurt e do të përfundojë me 26 shkurt 2020./21Media/ KultPlus.com

“Backstreet Boys” me 45 koncerte shtesë nëpër Amerikën Veriore

Grupi “Backstreet Boys” do ta vazhdojë turneun nëpër Amerikën Veriore gjatë kësaj vere, pjesë e së cilit do të jenë gjithsej 45 koncerte. Ky turne i realizuar nga kompania promovuese “Live Nation”, do të nisë me 10 korrik në teatrin “Jones Beach” në New York, si dhe do të përfshijë koncerte nëpër Amerikë dhe Kanada, ndërsa do të përmbyllet më 9 tetor në Los Angeles.

Datat e reja të koncerteve janë pjesë shtesë e turneut të parë botëror të bendit, “DNA World Tour”, i cili filloi verën e kaluar. Turneu që ka për qëllim promovimin e albumit të tyre të fundit “DNA”, dhe i ka dërguar pesë antarët e grupit në pesë kontinente të ndryshme, do të rinisë në fund të këtij muaji me disa koncerte në Meksikë, Amerikën Jugore, Australi dhe Zelandë të Re, transmeton Koha.net.

“Ne u dhurojmë fansave 100% të energjisë sonë, duke e realizuar koncertin më të mirë të mundshëm të grupit “Backstreet Boys”. I interpretojmë live hitet tona, vallëzojmë me gjithë shpirt në skenë dhe e bëjmë këtë nga dashuria për fansat. Ne i kemi adhuruesit më të mirë në botë. Ata vijnë në koncertet tona për të festuar, këndojnë me gjithë fuqinë dhe ne ushqehemi nga ajo energji,” citohen të ketë thënë anëtarët e bendit.

Biletat për koncertet e radhës në Amerikën Veriore do të dalin në shitje për publikun, nga 14 shkurti. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës miraton projektet për repertorin artistik të vitit 2020

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas propozimeve të projekteve nga ana e menaxhmentit të TKK-së, ka miratuar projektet për repertorin artistik të vitit 2020, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell listën e plotë të projekteve për skenën e madhe dhe atë të vogël:

Skena e madhe 2020:

1. “Lear” nga Edward Bond (bartet nga viti 2019, në repertorin e skenës së madhe për vitin 2020)

2.“Trilogji” nga Beqir Musliu

3.“Shakespare in Love” nga Lee Hall

4.“La Rremë – Kaçurrelja”, nga Arian Krasniqi (dramë me porosi dedikuar jetës dhe veprës se regjisorit, këngëtarit, artistit Muharrem Qena)

Bashkëprodhime 2020

1.“Udhëtim në troje shqiptare” nga Karl May (bashkëprodhim me Volksbühne Teater, Berlin-Gjermani)

2.“ Zgjimi i Pranverës” nga Frank Wedekind (bashkëprodhim me Artpolis-Prishtinë).

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 7 Shkurt 2020 miratoi raportin e jurisë vlerësuese për përzgjedhjen e koncepteve regjisoriale për Skenën e Vogël 2020 :

Skena e vogël 2020:

1. “Pamje Revolucioni” nga Tino Caspanello – regjia : Kaltrim Balaj

2. “Stefani” nga Ag Apolloni- regjia: Ben Apolloni

3. “Not I/Pa mua” nga Samuel Beckett- regjia: Shkurte Aliu dhe Alban Beqiraj (diptih)

4. “Rinoqeronti” nga Eugene Ionesco – regjia : Gëzim Hasani

5. “Lejla dhe Ko” nga Cordelia Lynn-regjia Eki Rrahmani (e aprovuar në repertorin e vitit 2019 bartet në repertorin e skenës së vogël për vitin 2020).

Projekti vjetor është hartuar konform kërkesave të “Ligjit të teatrove”, dhe “Rregullores së skenës së vogël”. / KultPlus.com

“Prishtina Jazz Week”, pesë ditë plot me muzikë, punëtori e muzikantë të nivelit botërorë

Marsi është muaji kur vjen pranvera. Por para saj, Prishtina Jazz Week rikthehet për një edicion të tretë i cili premton të na i lulëzojë shpirtrat përpara se të lulëzojnë lulet, përcjellë KultPlus.

Pesë ditë plot me muzikë, punëtori me muzikantë të nivelit botëror dhe jam sessions.

Organizuar sërish në ARMATA, Prishtina Jazz Week 2020 do të jetë nikoqir i një kolektivi magjepsës të xhaz muzikantëve për t’i dhënë kuptime të reja fjalës llunapark.

Më poshtë po ju sjellim programin e “Prishtina Jazz Week”:

02/03/2020: Kristóf Bacsó Quartet (Hungary)

03/03/2020: Elif Çaglar Quartet (Turkey)

04/03/2020: Marcos Varela (USA)

05/03/2020: Broken Circles ft. Joel Ross (USA)

06/03/2020: Prishtina Big Band (Kosova)

Të gjithë jam sessions mbahen në Zanzi Jazz Club pas koncerteve.

Ndërsa orari i punëtorive do të postohet në javët vijim.

Prishtina Jazz Week 2020 mbështetet nga: Ambasada e Hungarisë në Prishtinë dhe Ambasada e Turqisë në Prishtinë. Ndërsa, partnerët e festivalit janë: Komuna e Prishtinës, ARMATA, Zanzi Jazz Club, Dit’ e Nat’, Soma, RAVE Travel, Hotel Garden dhe trekuartista.

Biletat mund t’i gjeni online në: https://www.rave-travel.com/, ose offline në lokacionet e mëposhtme:
Prishtinë: Rave Travel, Soma , Dit’ e Nat’, Zanzi Jazz Club, Prizren: Vector Diamond, Peja: Soho Bar, Tirana: Destil Hostel.
Shitja e biletave fillon me 15 shkurt. / KultPlus.com

75 vjetori i gazetës “Rilindja”, çerdhes së ngritjes intelektuale në Kosovë

Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.

Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.

Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.

Ani pse gazetë e sistemit, ajo në momente të caktuara ka ditur dhe ka gjetur forcë që të gjejë hapësirë për të dhënë edhe porosi kombëtare. Ajo veçohet për disa aksione me rëndësi për Kosovën, siç ishte rasti për hapjen e Universitetit të Prishtinës e disa aksione të tjera. Veçmas rubrika e kulturës ka prirë për nga autonomia dhe të shkruarit ndryshe për rrjedhat e letërsisë, artit, shkencës, filmit, teatrit e fusha të tjera.

Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektual në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë,artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.

Si e tillë kujtojmë se ajo meriton një vëmendje më të madhe dhe një iniciativë nga institucionet përkatëse të vendit që ajo sërish të dalë dhe të jetë pjesë e medieve të tjera të shkruara që botohen në Kosovë. Sepse, ajo ishte dhe mbetet pjesë e historisë së Kosovës, me gjithë të metat dhe kritikat që mund t’i bëhen asaj nga kjo distancë kohore. / KultPlus.com

Letra e Mit’hat Frashërit më 1920: Qeveria e Tiranës është mjaft e fortë dhe e pajisur mirë për të mbajtur rendin më të përsosur



Nga Aurenc Bebja

“La France Libre” ka botuar, të hënën e 13 qershorit 1921, në faqen n°2, letrën e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, i njohur ndryshe me pseudonimin e Lumo Skëndos, në lidhje me situatën e brendshme asokohe në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne ka ardhur nga Zyra e shtypit shqiptar, në rrugën n°16 Lord-Byron, Paris, letra e mëposhtme, të cilën po e botojmë këtu më gjithë dëshirë, aq më shumë, që ajo saktëson aludimet e artikullit të drejtorit dhe mikut tonë Adrien Veber, por që është më pak optimiste se artikulli në “Le Matin” i z. Justin Godart :

Zoti drejtor,

Në “France Libre” të 3 qershorit lexova një artikull interesant të Adrien Veber me titull “Fermentime të turbulluara”, dhe një fjali edhe më interesante për mua, atë që ka të bëjë me Shqipërinë, vendin tim :

“Shqipëria, e njohur dhe madje e pranuar në Lidhjen e Kombeve, ende nuk ka një status territorial. Pavarësisht qeverisë së vogël të Tiranës, bandat qarkullojnë brenda vendit, ndërsa trupat serbe dhe greke kanë zënë strehë dhe vrojtojnë.”

Më lejoni, Zoti Drejtor, të bëj disa komente të cilat nuk do të kenë qëllim tjetër përveçse të hedhin pak dritë mbi situatën në Shqipëri.

Nuk ka banda që bredhin në vend, dhe qeveria e Tiranës është mjaft e fortë dhe e pajisur mirë për të mbajtur rendin më të përsosur.

Disa thashetheme greke dhe serbe kanë qarkulluar në lidhje me disa probleme në Shqipëri dhe praninë në këtë vend të oficerëve turq kemalistë. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë.

Greqia kërkon devijimin e opinionit publik helen ndaj dështimeve të saj në Azinë e Vogël; nëse nuk ka dështim në anën e Anadollit, atëherë oreksi i saj rritet (vjen) duke ngrënë. Në çdo rast, ka në sjelljen e fqinjit tonë jugor një shqetësim për politikën e brendshme dhe rendin dinastik.

Shqipëria nuk mund të ketë asnjë raport me turqit dhe në asnjë rast nuk do të bëhet lodra e intrigave Kemaliste : politika e saj është sinqerisht kombëtare dhe priret që të ketë vetëm paqe brenda vatrës dhe kufijve të saj.

Duhet të theksohet se autoritetet greke, pa asnjë lloj arsyeje, na krijojnë vështirësi në kufijtë tanë, duke parandaluar udhëtarët, duke arrestuar ata që gjendeshin tashmë në Greqi… Ne gjithashtu dhe për fat të keq kemi vështirësi — por të një natyre tjetër — me serbët; dhe me synimin për t’i dhënë fund këtyre shkeljeve të kufijve të saj, Shqipëria i ka drejtuar një kërkese Lidhjes së Kombeve, e cila do ta shqyrtojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të saj.

Lumo Skendo

 https://www.darsiani.com/la-gazette/letra-e-mit-hat-frasherit-per-la-france-libre-1920-qeveria-e-tiranes-eshte-mjaft-e-forte-dhe-e-pajisur-mire-per-te-mbajtur-rendin-me-te-persosur/

Piktura “Spërkatja” e David Hockney-t shitet për më shumë se 23 milionë funte

Piktura e titulluar “Spërkatja” e piktorit britanik, David Hockney, është shitur në ankand për 23.1 milionë funte.

Vepra e punuar në vitin 1966 ishte shitur për herë të fundit në vitin 2006 për 2.9 milionë funte dhe u kthye përsëri të martën në të njëjtën shtëpi të ankandeve për t’u shitur me një çmim shumëfish më të lartë.

Ky ishte çmimi i tretë më i lartë në një ankand për një vepër të këtij piktori. Piktura e shitur të martën në mbrëmje është pjesë e një serie prej tri veprave me të njëjtin emër, ku paraqitet magjepsja e gjatë e artistit me dukjen e ujit.

“Të gjithë e dinë se spërkatja nuk mund të ngrihet në kohë, prandaj kur e shihni atë si në pikturë, është edhe më tërheqëse se në fotografi”, kishte thënë artisti para shumë vjetëve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Emma Baker, kryetare e shtëpisë së ankandeve “Sotheby”, ku u shit piktura, tha: “Edhe nëse shikojmë përtej shekullit të XII-të, pak vepra arti kanë mbetur aq mitike sa kjo pikturë.” / KultPlus.com

“Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi”

Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.

Sonte, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore.

-Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi.

-Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.

-Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.

-Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.

-Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.

-Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.

-Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.

-Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.

-Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende.

-Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?

-Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt.

-Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish./ KultPlus.com

Çabej: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision

Në vitet 1962-1966 isha student në Fakultetin Histori dhe Filologji të Universitetit të Tiranës. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe Instituti i Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore, në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani ose Itali.

Ashtu si Profesor Çabej, edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt.

Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues.

Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Përshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe, pasi përulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë te katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej stujuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim.

Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë.

Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një evropiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë. Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mend. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor.

Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej… Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës.

Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore…” Thanas L. Gjika /KultPlus.com

Rembrand dhe rruga e mundimshme e djalit të mullixhiut për t’u bërë një gjeni i pikturës

Një ndërmëndje, e cila do të hovte ngultaz dëshirimin e zotërimit të dramatikes si formë shprehjeje të së bukurës, na pjesëmerr solemnisht në memuaristikën e një personazhi shumë kompleks të penelit, ai është Rembrand van Rijn. E kush mund të shponte tejpërtej kërshërinë e dehjes prej tonaliteteve therëse më thekshëm se sa ai. Për shkak të ndjeshmërisë së tij, ai është mbiquajtur “një nga profetët e mëdhenj të civilizimit”.

E zeza, okra, e kuqja, e verdha dhe e bardha, në ngjizjen e hyjshme të Rembrandit, kremtuan lindjen e një epoke që u turravrap të mbetej holandeze por kaploi të epërmen si e përbotshme si sprovë dhe testament . “Tabloja e Rembrandit ishte pikturuar si nga një dori prej zjarri, duhet të kesh vdekur disa herë që të mund të pikturosh si ai, Rembrandi depërton aq thellë, sa që thotë gjëra që nuk ka asnjë gjuhë të botës që mund ti mishërojë ato”, mbamendet t’i ketë shkruar në një letërkëmbim Van Gog, Teos më 1885.

Më 4 tetor 1669, vdiq në moshën 63-vjeçare Rembrand van Rijn. U shua shërbestari i penelit të zjarrit, i ngulmëti i një sprove të tjetërllojtë, i andjes për të ngërthyer në kaplimin e tij kumtues, 350 piktura, 1200 skica dhe rreth 300 gravura.

Ai do të mbamendet në memorin e ëndjes estetike, si një prej penelatave më të pazakonta të pikturës, një prej gjenive, jeta e të cilit ndonse në dukje e qetë, sëmboi hera-herës me spazme therëse e dhimbje, kaplimin e tij. Rrëfimtari më i njimendtë i këtyre sprovave, këtij rrebeshi është vetë piktura që la ky mjeshtër. Këto gjurmë të thella trishtimi dhe dramaciteti, përpjekjeje të vazhdueshme për të sfiduar, edhe me vetveten, i cekim gjithsekah nëpër cytjet kumtuese. Kësisoj gjejmë të plazmuar në tablonë e Rembrandit, ashpërsinë e penelatave, terrin përpirës që përgjohet nga një dritim tinzar, puhiz e cila hyn përmes lojës së tonaliteteve dhe pëlcet aty ku syri i piktorit shkrihet. Gjithqysh ai rendi si triumfalist në të asokohshmen plot gjallëri e trazim. Asçka nuk i’a ndali shkulmin e tij krijues. Asgjë nuk e vuri dot nën fre këtë pasion të hazdisur kumti. Një galeri e bollshme u bë hangari i të korrave të begata edhe pse gjithëkjo nuk mundi dot të shmangte fundin mjeran të këtij gjeniu tragjik, të cilin fati e ndëshkoi më rëndë se asgjë tjetër. Vdekjet i’u vunë nga pas duke e lënduar keqas “profetin e civilizimit”, deri sa mund të rrëzojnë përdhe 345 vite më parë, për ta rilindur në amshim.

Duke qenë një mjeshtër i barokut, tentoi gjithnjë të përflakte pjesët e përshkuara nga drita të objektit, ta lante në ar atë purtek të kurmit që ai qasej ta nxirrte faqe dritës, për ta kredhur krejtçka qarksaj në një terr të thellë. Teknikat e përdorura prej tij, e bëjnë këtë galeri të jashtëzakonshme të ndiqet gjithnje nga kontrasti i fortë dhe shkrirja therëse e ngjyres dhe dritës në të. Për ta bërë më përcaktuese këtë identitet koloristik, është vetë bota e tij shpirtërore ajo që rreket të lëvrij si një reliev i thyer, ku shtrirja artthënëse hapërdahet.

Shpirtërorja në pikturë

Është gati e pamundur të përshkruash në një tregimtore e të përshkosh në poret e sejciles prej tyre, të ndjesh ritmin dhe vërshimin e asaj limfe, që ai derdhi në krejt atë galeri që mban emrin e tij. E megjithatë gjallojnë disa prej gjithëtyre, që tregojnë forcën dhe energjinë, vlimin dhe pulsin, që trandën mish e shpirtë, e shkrepëtitën si vetëtimë, drita e së cilës feks sot e asaj dite, sa herë gjendemi të fokusuar prej këtij shpërthimi. Ato janë portretet, me kast autoportretet. Në “narcisizmin” e tij, Rembrandt skaliti njeriun që e do jetën. Nëpërmjet shikimit fisnik që depërton, tregon thellësinë e brendshme shpirtërore që kremton sakoha. Në thuajse të gjitha pikturat e Rembrandit, telajoja i ngjan një shtjelle përpirëse, plot gjallëri, ngjyra dhe tone që të dehin. Ai dinte shumë mirë si të kalonte nga njëri ton i ngjyrës në një tjetër, ndërsa emocionet lëvrijnë fuqishëm në pikturë, për të paraqitur të gjithë madhështinë dhe kushtrimin e një epoke iluminuese.

Arti i suksesshëm dhe jetë e trishtë

Artisti holandez, një ndër më të spikaturit në historinë e pikturës, nuk e njohu ndonjëherë mungesën e suksesit në art, por më shumë se çdokush u përball me dëshpërimin dhe dhimbjen. Piktura e tij nuk reflektoi si të vetvetishme jetën gjithë trishtim, por gjithqysh shkaktoi shumë emocione që përzihen me njëra-tjetrën. Ngjyra të theksuara, gjallëri dhe shumë jetë lëvrin brenda telajove të ndritshme të piktorit, ndërsa tonet e zbehta dhe të errëta “ngatërrohen” bashkë dhe në këtë përpjekje ngadhnjimtare për të treguar, ata shtangeshin duke lënë ato feksje flakëruese drite, që pakohen aty ku syri shterron dhe penelatat rrëzohen në errësirë. Piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, por edhe memoria artistike e Lindjes së Largët, ishin ndër më të preferuarat. Të thuash se ai nuk u moleps nga këto, është një përpjekje për ta zhvendosur suazën e epsheve të tij krijuese në një syprinë boshe më të rrafshët, por jo. Në pikturën e Rembrandt-it mund të gjesh detaje nga të gjitha këto rryma, ndërsa në vetvete, arti i tij shumë kompleks përfaqëson stilin e epokës së artë holandeze. Ai u dogj prej asaj llave përpirëse, duke u shndrruar në hi, dhe si një sfinks ai u rilind për të mbetur Rembrand Rembrand van Rijn.

Siç dihet, Rembrand u lind në Leiden të Holandës më 15 korrik 1606, në familjen e një mullixhiu. Familja u interesua aq shumë për edukimin e tij. Sakaq Rembrand nisi studimet në një shkollën latine. Kur ishte 14 vjeç u regjistrua në Universitetin e Leidenit. Por programi nuk i interesonte, dhe shumë shpejt ai e braktis shkollën për t’iu përkushtuar studimit të artit me mjeshtrin Jacob van Swanenburch dhe më pas në Amsterdam me Pieter Lastman-in, i njohur për profilin historik të pikturave të tij. Pas gjashtë muajsh, pasi përvetësoi gjithçka që i ishte dhënë për të mësuar, Rembrandt u kthye në Leiden ku u vlerësua aq sa në moshën 22-vjeçare mori nxënësit e tij të parë. Në vitin 1631 Rembrand u transferua në Amsterdam. Martesa e shpejtë me Saskia van Uylenburgh, kushërirën e një tregtari të veprave të artit, nxiti hovshëm karrierën e tij. I’u vu punës së portreteve, por edhe veprave me subjekt mistik dhe fetar, që ishin aq shumë të kërkuara asokohe. Mori famë si mësues i pikturës dhe studioja e tij u mbush me nxënës. Në shekullin e 20-të shumë studiues i atribuan atij edhe shumë piktura të kolegëve, duke i identifikuar ato me emrin e artistit të madh në një kohë të përfeksionimit të pikturës. Por, krejt në kundërshtim me suksesin e tij në pikturë, jeta familjare mori goditje të rënda. Që nga viti 1635 deri në vitin 1639 Saskia lindi katër fëmijë, nga të cilët arriti të mbijetonte vetëm djali i fundit, ndërsa ajo vetë vdiq në moshën 30-vjeçare. Hendrickje Stoffels, e cila ishte shërbyesja e familjes në vitin 1649, zëvendësoi figurën e gruas dhe u bë model për shumë piktura të artistit. Pavarësisht suksesit të tij financiar si artist, mësues dhe tregtar pikturash, prirja për të jetuar në bollëk e detyroi Rembrandin të falimentonte në vitin 1656.

Një koleksion i veprave të artit dhe antikuareve, që u konfiskuan para një ankandi, me qëllim shlyerjen e borxheve të tij, dëshmoi qartë për interesat e Rembrandt-it: piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, piktura e Lindjes së Largët, veprat bashkëkohore holandeze, armët dhe armatimet. Rezultatet e ankandit nuk ishin të pëlqyera, por probleme si këto nuk ndikuan në punën e tij. Madhështia e artistit u rrit vazhdimisht. E ndërsa jeta e tij personale vazhdonte të ishte e dëshpëruar e pa shpresë, artisti realizoi pikturat më të famshme “Nusja çifute”, “Bathsheba”, “Jakobi duke pagëzuar djemtë e Jozefit”, “Autoportret”. E dashura e tij e përhershme Hendrickje vdiq në vitin 1663 dhe djali i vetëm Titus vdiq në vitin 1668, në moshën 27-vjeçare. Njëmbëdhjetë muaj më pas artisti i 350 pikturave, 1200 skicave dhe rreth 300 gravurave, vdiq në Amsterdam, tash 345 vite më parë .

Rembrand kishte fatin e shumë gjenive të mëhershme e të mëvonë, të cilat shkëlqejnë me mungesën të gjallë dhe shpërthejnë me prekjen eterne të aktit të krijimit që skalitën në memorine e gjeneratave.

Albert Vataj /KultPlus.com

“I love Tropoja” nga 13 shkurti edhe në kinematë e Zvicrës

Pas suksesit që pati në kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, komedia “I love Tropoja” vjen edhe në kinematë e Zvicrës. Premiera e filmit organizohet me praninë e aktorëve më 13 dhe 14 shkurt, në Bernë dhe Cyrih. Platforma albinfo.ch online dhe print është partner medial në Zvicër.

Nga 13 shkurti 2020 në të gjitha kinematë e Zvicrës do të shfaqet komedia “I loveTropoja”, me protagonistë nga Shqipëria, film ky që producenti dhe komediani Ermal Mamaqi e solli jo shumë kohë pas suksesit të jashtëzakonshëm me filmin paraprak “2 Gisht Mjaltë”, shkruan albinfo.ch.

Protagonistët Ermal Mamaqi me kastën e aktorëve Enca Haxhia – Enca, Arjola Demiri dhe Irgen Cela – Xhoda do të marrin pjesë në dy premierat që do të organizohen në Bernë dhe Cyrih.

Premiera në Bernë me praninë e aktorëve nga Shqipëria organizohet më 13 shkurt, nga ora 19, ndërsa pikërisht në ditën e të dashuruarve, më 14 shkurt, mbahet në Cyrih. /KultPlus.com

“Le të qeshin sytë e tu, ajo fytyrë që shumë e du”

Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.

“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.

Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.

Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…

KultPlus, jua sjell këngën “Le të qeshin sytë e tu” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com

Lezha ka rikthyer çmimin letrar “At Zef Pllumi”

Bashkia Lezhë ka rikthyer çmimin letrar “At Zef Pllumi” pas një shkëputje prej 4 vitesh. Juria  e përbërë nga Alfred Lela, Jonila Godole dhe At Vitor Dema, shpalli fituesit në kategorinë publicistikë Belina Budinin, memorialistikë Vera Bekteshin dhe monografi Sabri Hamitin.

Pas një shkëputje 4-vjeçare, Bashkia Lezhë ka rikthyer çmimin letrar “At Zef Pllumi”. Botimet më të mira në publicistike, memorialistike dhe monografi u vlerësuan nga kjo njësi vendore, në një aktivitet organizuar me pjesëmarrje mjaft të gjerë.

Krijuesit e këtij çmimi dhe kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, vlerësuan kontributin e At Zef Pllumit dhe sipas tyre kjo është minimumi që mund të bëhet për këtë figurë mjaft të rëndësishme të kombit shqiptar.

Është një çmim të cilin s’e  kemi shpikur apo krijuar ne, por i dedikohet Salvador Kaçes të cilin e përshëndes, dhe ia kemi marrë dhe e kemi sjellë prapë përballë gjithë botuesve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë zona shqiptar-folëse dhe për ta sjellë përballë opinionit publik lezhjan që ta forcojmë dhe realisht të  japim ato mesazhe që At Zef Pllumi ka dhënë në veprat e tij’, tha Ndreu.

‘Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, Salvador Kaçen dhe për Agron Gjekmarkaj, që morëm një vendim që ta krijonim çmimin kombëtar “At zef Plllumi si një moment i nderimit veprës dhe të jetës së tij.;, u shpreh Preç Zogaj

Juria  e përbërë nga Alfred Lela, Jonila Godole dhe At Vitor Dema, shpalli fituesit në kategorinë publicistikë Belina Budinin, memorialistikë Vera Bekteshin dhe monografi Sabri Hamitin. Çmimi kombëtar “At Zef Pllumi” u krijua për herë të parë në vitin 2012 nga ish komuna Shëngjin me iniciativën e Preç Zogaj e Agron Gjekmarkaj.

‘Ndihem, jo vetëm e gëzuar, por e lumtur, që sot më akordohet ky çmim i rëndësishëm i Shqipërisë. Gjithnjë kam menduar se nëse ka një çmim që i përshtatet më mirë librit tim ” Vila me tri Porta”do ishte pikërisht ky çmim’, tha Vera Bekteshi, shkrimtare.

‘Sigurisht emocion por edhe kënaqësi e veçantë por është edhe nder. Është një nga ato çmime, që jo vetëm në botën kulturore por edhe atë në mjedisin akademik ku ne jetojmë dhe zhvillojmë veprimtarinë tonë është shumë i çmuar’, u shpreh Belina Budini, shkrimtare.

‘At Zef Pllumi nuk është vetëm misionar, por ai është edhe një shkrimtar i madh. Është një njeri që ka shkruar një kryevepër do të thosha jo vetëm në letërsinë shqipe por edhe në atë botërore’, tha Sabri Hamiti, studiues.

Më vjen keq

Nga: Roxette
Shqipëroi: Bujar Meholli

Hera e parë kur u takuam
ende nëpër kokë më sillet,
më lë pa frymë,
m’i harxhon të gjitha fjalët.

Brenda orës u shkrimë në një,
dy njerëz krejt të panjohur
teksa puthen nën ndriçimin e hënës.

Oh ti e di, më vjen keq
që u detyrova të largohem.
Ndihem tmerrësisht keq,
m’u desh të vdisja
ty të lëndova dhe të bëra të qash.

U dashuruam në ato mbrëmje,
oh ishim prej atyre të dashuruarve
që derdhin shumë lotë.

Oh, fatit të keq s’munda t’i rezistoj
isha krejt e pafuqishme,
oh, isha e pamëshirshme.

Dashuria të ngrit lart
pastaj të hedh përtokë,
të tërheq zvarrë
dhe të rrokullis tej e tej,

kur koha të ndalet,
gjithçka do të jetë zhdukur
por ah sa qesharake, kujtimet mbesin,
ato vazhdojnë,
vazhdojnë nëpër kokë të vërtiten…

“Nuk është bukuria që zgjat, është dashuria që na bën neve të dukemi të bukur”

Thënie nga Tolstoi

 Nuk është bukuria që zgjat, është dashuria që na bën neve të dukemi të bukur.

 Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.

 Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.

 E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.

 Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.

 Pa e ditur se çfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.

 Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.

 Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.

 Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.

 Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.

 A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?

 Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.

 Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.

 Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.

 Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.

 E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.

 Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.

 Njeriu mund të jetojë dhe të ketë shëndet pa i vrarë kafshët për ushqim; kështu që, nëse ai ha mish, ai merr pjesë në mbytjen e kafshës për hir të urisë së tij.

 Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vockla.

 Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis Njeriut dhe Natyrës të mos prishet.

 Ne humbëm sepse i thamë vetes sonë se humbëm.

– Dhe të gjithë njerëzit jetojnë, jo nga arsyeja e ndonjë kujdesi ndaj vetes së tyre, por nga dashuria që të tjerët kanë për ta.

 Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por në mënyrën se si ne i shikojmë ato.

 Kape momentin e lumturisë, dashuro dhe dashurohu. Ky është realiteti i vetëm në botë, gjithçka tjetër është marrëzi.

 Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë. /KultPlus.com

“I dashur nipi im mos u bëjë idiot”, letra e famshme e Umberto Ecos

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë. Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Nuk do të doja që kjo letër e Krishtlindjes të tingëllojë si e shkruar nga Deamici, dhe të të jepte këshilla dashurie për të singjashmit tanë, për vendin, për botën dhe gjëra si këto. As nuk do ia vije veshin dhe, kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, sa që rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.

Kështu që dua të ndalem në një rekomandim, të cilin do të jesh në gjendje ta vësh në zbatim edhe tani, ndërkohë që lundron me iPad-in tënd. Nuk do të bëj as gabimin të të këshilloj që të mos e përdorësh, jo aq shumë se do të dukesha si një gjysh që ka mbetur me të vjetrën, por sepse e bëj edhe vetë. Më e shumta që mund të të rekomandoj, nëse rastësisht ndesh në qindra faqet pornografike që tregojnë në një mijë mënyra, marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se seksi është ai që sheh aty, veç të tjerave tejet monoton, sepse bëhet fjalë për një aktrim, qëllimi i të cilit është të të mbajë mbyllur në shtëpi, e të mos dalësh të shohësh dhe takosh vajzat e vërteta. Po nisem nga parimi që ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd: por shiko vajzat, në shkollë apo atje ku shkon të luash, sepse janë më të mira ato të vërtetat, se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më të mëdha, se sa ato online. Besoji kujt ka më shumë përvojë se sa ti (dhe nëse unë do të kisha parë vetëm seks në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur, dhe ti kushedi ku do të ishe, madje nuk do të ishe fare).

Gjithësesi nuk doja të të flisja për këtë, por për një sëmundje që ka goditur brezin tënd, dhe atë të të rinjve më të mëdhenj se ti, që ndoshta janë në shkollë të lartë: humbja e kujtesës.

Eshtë e vërtetë se, nëse të lind dëshira për të mësuar se kush ishte Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një tastë në kompjuter dhe Interneti ta thotë menjëherë. Bëje kur duhet, por pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh atë që ke lexuar, që të mos jesh i detyruar ta kërkosh për së dyti, nëse do të të lindë nevoja, mbase për një detyrë shkollore.

Rreziku është që, duke qenë se mendon se kompjuteri yt mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen për ta ngulitur në kokë. Do të ishte pak a shumë njësoj sikur, pasi ke mësuar që për të shkuar nga Rruga Filan në rrugën Fistek, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (gjë që është shumë komode dhe bëje kur e ke me nxitim), ti mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, ti bëhesh person “me aftësi ndryshe”, siç thuhet sot për të treguar ata që ecin në karrocë me rrota. Dakord, e di që merresh me sport dhe di ta lëvizësh trupin, por le të kthehemi tek truri yt.

Kujtesa është një muskul njësoj si muskujt e këmbëve, po nuk e ushtrove dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) me aftësi ndryshe, domethënë (le ta themi qartë) një idiot. Dhe veç kësaj, duke qenë se për të gjithë ekziston rreziku që kur të plakemi na vjen Alzheimeri, një prej mënyrave për të shmangur këtë incident të papëlqyeshëm, është të ushtrosh gjithmonë kujtesën.

Dhe vijmë tek dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër, ose siç na bënin ne të mësonim “La Cavallina Storna” apo “Il sabato del villaggio”. Dhe ndoshta bëj garë me miqtë, për të parë se kush e kujton më mirë. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me formacionet e futbollistëve, por kujdes sepse nuk duhet të dish vetëm cilët janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, dhe ndoshta të skuadrave të së kaluarës (mendo që unë mbaj mend futbollistët e Torinos, skuadrës avioni i të cilës u rrëzua në Superga me të gjithë futbollistët në bord: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.) Bëj gara kujtese, ndoshta me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelauney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…) Shiko nëse miqtë e tu mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e tre moskëtierëve dhe të D’Artagnanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet)… Dhe nëse nuk do të duash të lexosh “Tre moskëtierët” (dhe ti nuk di se çfarë do të humbasësh), bëje me një prej historive që ke lexuar.

Duket si një lojë (dhe është një lojë), por do të shohësh se si mendja jote do të popullohet me personazhe, histori, kujtime të gjithfarëlloji. Ndoshta ke pyetur veten, përse një herë e një kohë kompjuterat quheshin tru elektronikë: është sepse ata janë projektuar sipas modelit të trurit tënd (dhe tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje se sa një kompjuter, është një lloj kompjuteri që ti e mban gjithmonë me vete dhe që rritet dhe fuqizohet duke e ushtruar, ndërkohë që kompjuteri që ti ke mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësi, dhe pas disa vitesh duhet ta ndërrosh. Ndërsa truri yt sot mund të zgjasë deri nëntëdhjetë vite dhe në moshën nëntëdhjetë vjeç (nëse e ke ushtruar), do të kujtojë më shumë gjëra se sa kujton ti sot. Eshtë falas.

Pastaj është kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo gjërat që ke lexuar, por ka të bëjë me ato që kanë ndodhur, para se të lindje ti.

Sot nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi, dhe sapo fillon, dikush të merr – si të thuash – për dore dhe të thotë se çfarë ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema në çdo moment, dua të them edhe në mes të filmit, mbërrihej teksa po ndodhnin disa gjëra dhe ne përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishte ndodhur më herët (pastaj kur filmi rifillonte kuptonim nëse kishim hamendësuar si duhej – përveç faktit që, nëse filmi na kish pëlqyer, rrinim të shihnim edhe atë pjesë që e kishim parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia. Ne vijmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vitesh, dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se të lindnim; vlen për të kuptuar përse ndodhin shumë gjëra sot.

Sot shkolla (përveç shënimeve të tua personale) duhet të të mësojë që të memorizosh atë që ka ndodhur para se të lindje, por duket që nuk po e bën mirë, sepse shumë studime na thonë që të rinjtë e sotëm, edhe ata më të rriturit që janë në universitet tashmë, nëse kanë lindur rastësisht në vitin 1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë kishte ndodhur në 1980 (dhe nuk po flasim për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë se, nëse pyet dikë se kush ishte Aldo Moro, të përgjigjet që ishte kreu i Brigadave të Kuqe – ndërkohë që ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten ende një mister për shumëkënd, e megjithatë ato ishin e tashmja vetëm 30 vjet më parë. Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por dija se kush kish qenë kryeministër edhe në kohën e marshimit drejt Romës (çfarë është ky?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar për të më treguar se sa budalla dhe i lig ishte ai ministër, që fashistët e kishin zëvendësuar. Dakord, po të paktën e dija. Dhe pastaj, duke lënë mënjanë shkollën, një i ri i kohëve të sotme nuk di kush ishin aktoret e kinemasë të njëzetë viteve më parë, ndërsa unë dija se cila ishte Francesca Bertini, e cila luante në filma pa zë, 20 vite para se të lindja unë. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të grumbulluara në depon e shtëpisë sonë, por po të ftoj pikërisht të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se të lindje ti.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.

Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Mund të vazhdoj në pafundësi, dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi. Dhe të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh bërë plak dhe do të ndihesh sikur të kesh jetuar një mijë jetë, sepse do të jetë sikur ke qenë i pranishëm në Betejën e Vaterlosë, sikur ke qenë aty kur vritej Jul Çezari, dhe ndoshta vetëm pak metra larg vendit ku Bertoldi i Zi, duke përzierë substancat në përpjekje për të prodhuar flori, zbuloi gabimisht barutin, dhe hodhi veten në erë (e mbase mirë iu bë). Miqtë e tu që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të tyren, e cila do të ketë qenë e mbushur me melankoli dhe e varfër në emocione të mëdha.

Kultivoje kujtesën pra, dhe nesër lexo përmendësh “La Vispa Tesera” (poezi e Luigi Salierit).

Burimi: “Espresso” – Në shqip nga bota.al /KultPlus.com

“Filmi ‘Parasite’ mund të duket befasi, por për akademinë ishte ideal”

Në mëngjesin e sotëm pas ndarjes së cmimeve Oscars, filmi “Parasite” i Bong Joon Ho është i pari film nga Koreja e Jugut që mori këtë cmim të madh, shkruan KultPlus.

Pati shumë kritika dhe reagime nga më të ndryshmet, u diskutua për këtë film, e madje u kritikua edhe akademia.

Kritikja e filmit Manohla Dargis thotë se për të ka qenë befasuese dhe kënaqësi e papritur.

“Të them të drejtën mendova se filmi ‘Joker’ do të triumfoi në fund, nuk e prisja që një histori koreane do ta rrëmbente çmimin kryesor”.

“Kjo zgjedhje nga akademia më mbush me shpresën se do të ndodh ndryshimi: pra që të vlerësohet filmi edhe po të qe ai aziatikë sikurse “Parasite”, thotë Dargis.

Në shqip: B. M. /New York Times /KultPlus.com