Kompozitori Florent Boshnjaku, në një postim në rrjetin social “Facebook”, pasi që ka e ka konsideruar Nexhmie Pagarushën ikonë, ka kërkuar që incizimet e saj të jenë pronë e shtetit të Kosovës.
“Ai material është në adresa tjera: Beograd si dhe në Zagreb ( sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve Kosovar përfshirë Qamilin e Vogël etj.) Në ish-Jugosllavi ku edhe ne kemi qenë pjesë e sistemit incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB (record label e asaj kohe si pronë e shtetit Jugosllav me seli në Beograd ) e cila e mban të drejtën si kompani producent -pronare e këtyre incizimeve, ka shkruar Boshnjaku. Sipas tij, përkundër bisedave me zyrtarë institucionalë nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi e jona kulturore dhe shpirtërore .
“Materiali i incizuar në ato dekada duhet ta ketë vendin aty prej nga ka ardhur dhe është krijuar pra në Kosovë. Kosova duhet të jetë pronare e materialeve të incizuara në kohë kurë është jetuar dhe vepruar në një bashkësi me republikat tjera në Jugosllavi, pra këtu hyjnë edhe këngët e znj. Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Boshnjaku. Më tej, ai ka kërkuar trajtim dinjitoz të artistëve të kalibrit të Nexhmie Pagarushës.
“Znj.Nexhmie në vitet e fundit nuk e shijoj të drejtën e autorit ku ajo pagesë ishte deshtë me ja kriju një bazë për një pleqëri dhe pension të dinjitetshëm pa pasur nevojë me kriju ligje dhe ide tjera që artisti i kalibrit të saj të ketë një pleqëri si duhet”, ka shkruar Boshnjaku.
Në fund të postimit të tij, kompozitori Boshnjaku ka kërkuar digjitalizimin e materialit të arkivit të ish- RTP-së.
“Ligji i cili e rregullon raportin e RTK-së si RTV publik në raport me materialet e RTP-së të cilat pas digjitalizimit duhet të jenë pronë e RTV publik ose të jenë pronë e shtetit të cilat arkivohen në ministri përkatëse si trashëgimi kulturore ose trashëgimi shpirtërore”, përfundon postimin e tij Boshnjaku. / KultPlus.com
Renee Zellweger ka fituar çmimin për aktoren më të mirë për rolin e Judy Garland në “Judy”, kurse Joaquin Phoenix u shpall aktori më i mirë për rolin e tij në filmin “Joker”.
Rolet e të dyve kanë qenë nën
llupën e kritikëve për të qenë edhe fitues në këtë akademi prestigjioze, shkruan
KultPlus.
Mirëpo, filmi “Joker” ishte filmi shumë më i përfolur se sa “Judy” dhe çmimi për Renee Zellëeger është shumë më domethënës për aktoren, kur kemi parasysh vëmendjen e medieve të filmi “Joker” e jo te “Judy”./KultPlus.com
Filmi jugkorean “Parasite” është zgjedhur filmi më i mirë i vitit në ceremoninë e sivjetme “Oscars”, duke u bërë filmi i parë me gjuhë jo angleze që fiton çmimin kryesor.
“Parasite”
i Bond Joon-ho mundi Sir Sam në çmimin për regjinë më të mirë dhe mori
gjithashtu dhe çmimin për skenarin më të mirë original.
Filmi është një satirë e egër
sociale për dy familje nga klasa të ndryshme në Seul – një që jeton në varfëri
në një gjysmë-bodrum dhe tjetra familje e pasur që jeton në një shtëpi të
madhe,
“Ndjehem sikur do të zgjohem
dhe të zbuloj se ishte vetëm ëndërr. Është shumë surreal”, tha Bong.
Producenti Kwak Sin-ae që mori trofetë, tha” Nuk ka fjalë. Nuk e kishim imagjinuar se do të ndodhte kjo. Unë ndihem sikur një moment i madh në histori po më ndodh pikërisht tani”./
“Unë besoj në Zot, në Abetare dhe në Komb. Këto janë “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë” – At Irakli Pylli
Mësuesi patriot Irakli Pylli, i njohur me emrin At Isaia, lindi në prill të vitit 1872, në një familje të varfër në fshatin Shën Pjetër të rrethit të Fierit. Në popull, atë e kanë thirrur edhe me emra të tjerë. Kështu, në Vlorë ai është njohur si “prifti me kobure”, në fshatrat e Fierit si “prifti që psalmet i këndon në shqip” etj.
Irakli Pylli mësimet e para i kreu së bashku me Mësuesin e Popullit Jani Minga e atdhetarin Llazi Spiro, nën kujdesin e mësuesit Kostandin Minga. Më pas, me vështirësi të mëdha ekonomike, mbaroi arsimin e mesëm. Gjatë tërë kohës, Irakliu nuk i shkëputi lidhjet me shokun e tij të ngushtë Jani Minga. Ata i bashkonte ideali i njëjtë për përhapjen e gjuhës shqipe. “Shkronjat dhe gjuhën shqipe do t’i përhapnin medoemos, – i shkruante Jani Minga At Isaisë. Dhe vazhdonte: “Është koha që për shqipen të punojmë kudo. Tani të qoftë e mbarë! Mbështetu te populli”.
Dhe At Isaia, kudo dhe kurdoherë thoshte në popull: “Të mësojmë gjuhën tonë. Jemi shqiptarë dhe nuk na duhet gjuha e huaj, kur gjuhën e kemi aq të ëmbël, aq të mirë. Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Me shumë kujdes, At Isaia futi gjuhën shqipe edhe në kishë, ai i këndonte psalmet ne gjuhën shqipe, që atëherë populli filloi ta thërriste: “Prifti që psalmet i këndon shqip”. E kishte të qartë, se armiqtë, agjentët e Patrikanës, për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, thurnin plane djallëzore kundër atyre që bënin përpjekje, sado të vogla, për gjuhën amtare, por ai nuk trembej nga kërcënimet./Konica.al
At Isaia, në fshehtësi, në njërën nga ndërtesat e kishës në Shën Pjetër hapi të parën shkollë shqipe në fshat. Mësimin shqip në shkollën e fshatit, ai vazhdonte ta zhvillonte pa ndërprerje. Për të shmangur rrezikun e zbulimit të mësimit të shqipes, ai i kishte pajisur nxënësit me dy palë fletore: në një palë shkruanin shqip dhe në tjetrën greqisht.
Por pushtuesit osmanë ranë në gjurmë të veprimtarisë së tij. Aty rreth vitit 1908, e kapën dhe e arrestuan. E ç’nuk i bënë, që të hiqte dorë nga rruga e nisur. Të moshuarit, ata që e panë ato ditë, tregojnë se si e torturuan, si i varën një këmborë në qafë dhe e tërhoqën përmes pazarit të Fierit dhe brigjeve të lumit Gjanicë.
E rrahën pa mëshirë, por ai nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por dogjën edhe ndërtesën e shkollës. Pas shumë kohëve, atë e mbajtën nën tortura në burg. Kur u lirua, At Isaia, me pasion të madh, vazhdoi t’u mësonte fëmijëve të fshatit shkrimin e këndimin e gjuhës amtare.
At Isaia shkoi në Korçë, ku qëndroi në krye të manifestimeve për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke. Ai u ngarkua t’i njoftonte dhespotit vendimin e mbledhjes, që të largohej nga territori shqiptar brenda 24-orëve, si person i padëshirueshëm. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe për punën e përhapjes së gjuhës shqipe, At Isaia u mallkua nga Patrikana. Në fundin e vitit 1919, ai çeli përsëri shkollën shqipe në fshat. Si ndërtesë u shfrytëzua shtëpia e një fshatari. Po kështu, ky mësues hapi edhe një shkollë tjetër në afërsi të fshatit Seman, në pyllin e Janjit. Pas Kongresit të Lushnjës, në mars të vitit 1920, At Isaia u vendos në Vlorë. Reaksioni e ndiqte këmba-këmbës. Mori pjesë gjallërisht në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës dhe u dallua si një propagandist i flaktë i çështjes kombëtare. Edhe pas fitores së Luftës së Vlorës, At Isaia nuk rreshti së punuari për të mirën e vendit. Ishte përkrahësi i flaktë i Halim Xhelos dhe i Avni Rustemit. Prifti atdhetar qëndronte në çdo kohë i armatosur. Gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, At Isaia qëndroi përkrah “bijve të popullit që jepnin jetën për Shqipërinë”. Për veprimtarinë e tij, si edhe të nipit 15-vjeçar, Filipit, me urdhër të Prefektit të Vlorës, u arrestuan dhe u internuan në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Koço Faudi, një shok i internuar së bashku me At Isainë, i cili u kthye i gjallë, tregon: “Në kampin e internimit përdoreshin tortura nga më barbaret, nëpër këto tortura kaloi edhe At Isaia, i cili në moshën 72-vjeçare, nga një barbarizëm i rëndë, ra ashtu siç do të dëshironte të binte çdo trim”. /Konica.al/KultPlus.com
Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.
Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.
1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës. 2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë. 3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa. 4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj. 5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari. 6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes. 7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes. 8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë. 9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë. 10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet. 11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton. 12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh. 13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time. 14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd. 15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër. 16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur. 17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë. 18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do. 19. Bukuria do ta shpëtojë botën. 20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore. 21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira. 22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar. 23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë. /bota.al/KultPlus.com
Arilena Ara pas suksesit në festivalin e RTSH-së, sukses që i garantoi edhe pjesëmarrjen në Eurovizion 2020, sipas sondazheve të para, ajo ka dalë në krye të tyre.
Arilena Ara, e cila ndodhet aktualisht në Los Angelos të SHBA, ku po punon krahas përgatitjeve për në Eurovizion 2020, edhe me projekte të reja, do performojë në Roterdam në maj të këtij viti, ku edhe do të përfaqësojë vendin tonë në Eurovizion.
Ajo deri tani është një nga më të votuarat në sondazhet online.
Prej pak ditësh u nis një sondazh nga “wiwibloggs”, faqe në dispozicion të Eurosong, ku Arilena Ara ka marrë shumicat e votave, plot 4603, nga 7000 të mundshme.
Spanja është në vendin e dytë me titullin “Universo” pasi ka marrë 2245.
Ndërkohë në vendin e tretë renditet kënga nga Republika Çeke me titullin “Kemama”.
Në fund media “wiwibloggs”, pyet dhe publikun: A e meriton Shqipëria të jetë numri një? /KultPlus.com
Monografia “Vepra e Musinesë” nga autorja Meliza Krasniqi do të promovohet të hënën në Institutin Albanologjik, promovim që do të mbahet në ora12:00, shkruan KultPlus.
Sali Bashota, studimin
monografik të Meliza Krasniqit me titullin “Vepra e Musinesë” e vlerëson si një
kontribut të çmuar në studimet e sotme shqiptare,
në radhë të parë, për veçantitë e kërkimit, për përdorimin efikas të metodave
të studimit, për karakterizime estetike, por edhe për cilësinë e mendimeve dhe
të pikëpamjeve teorike.
“Është me
interes trajtimi i fenomenit të minimalizmit, i cili nuk është trajtuar sa
duhet në studimet shqiptare, prandaj autorja ka bërë një përpjekje të
suksesshme dhe serioze në trajtimin e mozaikut minimalist në prozën e
Kokalarit, veçanërisht në veprën “Siç më thotë nënua plakë””, ka shkruar mes
tjerash Bashota, mbi librin e autores Krasniqi.
Kurse Gëzim Aliu
ka vlerësuar se monografia, “Vepra e
Musinesë”, është përpjekja e parë serioze për të trajtuar në tërësi veprën
letrare dhe joletrare të shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.
“Meliza Krasniqi i është
qasur veprës së Musinesë përmes gërshetimit të metodave shkencore, nga analiza
tekstuale e deri te metoda sociologjike. Studiuesja e ka të qartë se pa e
ndërtuar kontekstin e veprës së M. Kokalarit nuk është i lehtë depërtimi në
brendi të tekstit, prandaj edhe monografia, përveç një kapitulli të pavarur që
gjendet në fillim dhe që ndërton Musinenë në pesë pamje, ka edhe pesë kapituj
që lidhen me kontekstin, duke nisur nga Jeta e saj universitare e deri te
mendimet e kritikëve për Veprën e saj”, ka shkruar Aliu, i cili ka spikatë se gjuha
përmes së cilës Krasniqi shpreh mendimet është e qartë, e ndërtuar me fjali të
shkurtra e koncize, pa ngarkesa teorizuese e terminologjike të tepërta, kështu
që, sipas tij, këtë monografi mund ta
lexojë edhe një lexues joprofesional.
Meliza Krasniqi (1979) është studiuese e letërsisë, përkthyese; ka doktoruar në shkencat letrare. Është bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar librin studimor “Shkreli prozator” (2015), ka përkthyer nga anglishtja veprën teorike “Aspekte të romanit” (2017) të Forsterit dhe “Hyrje në Poetikë” të Todorovit (2018). /KultPlus.com
Dublini, Lubjana, Kueto, Parisi dhe Erevani, por edhe metropole të tilla si Nju Jorku, San Francisko dhe Toronto apo qytetet italiane të Milanos, Torinos dhe Mantovës dhe më pas qytete të vogla si Bradfordi, Thandër Bei apo Tempe janë disa nga qytetet e para që kanë fituar titullin e ”Qytetet e pemëve”, njoftoi FAO.
Përveç promovimit të menaxhimit efikas të burimeve të gjelbra urbane, FAO shpjegon në një shënim se programi ”Qytetet e pemëve” synojnë të krijojë një rrjet ndërkombëtar të qyteteve duke promovuar shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira për menaxhimin e hapësirave të gjelbra.
Nga ana tjetër, qytetet zënë vetëm 3% të sipërfaqes së planetit, por mirëpresin pothuajse 60% të popullsisë në botë, që konsumon 75% të burimeve natyrore. /KultPlus.com
Ujëvara ”Qurreli”, një peizazh i bukur piktoresk që e ka krijuar vetë natyra, karshi maleve të bukura të fshatit Hogosht të komunës së Kamenicës.
Kamenica ka mundësi të mira për të zhvilluar turizmin, veçanërisht rajoni i Anamoravës ka kapacitete të mëdha turistike. Bukuritȅ e saj natyrore dhe trashëgimia e pasur kulturore ende nuk janë marrë në konsideratë të trajtohën dhe të promovohen në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre, shkruan albinfo.ch.
Por, e vȅrteta është se ky vend gëzon shumë atraksione tërheqëse për zhvillimin e turizmit. Destinacioni i saj turistik ka potenciale të mrekullueshme natyrore. Me motivet që ka, ofron mundësi të mira për turizëm, pasi që pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra.
Kamenica është e pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrën e saj magjepsëse për syrin e njeriut.
Bukuritë e këtij vendi janë të jashtëzakonshme edhe me shumë atraksione natyrore, të cilat karakterizohen me burime të shumta hidrografike dhe pamje të bukura natyrore. Njëra ndër to është edhe ujëvara” Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht të Kamenicës, shkruan albinfo.ch.
(Atraksion natyror, pamja e ujëvarës Qurreli në fshatin Hogosht Albinfo.ch)
Ujëvara ndodhet rrëzë maleve të Hogoshtit, me dy rrjedha të veçanta uji, që burojnë nga shkëmbi dhe pa dyshim që ky është atraksioni natyror ndër më të bukurit në Kosovë, por që ende nuk është promovuar.
Kjo ujëvarë gjendet në fshatin Hogosht, 13 km larg qendrës së Kamenicës. Rruga është e kalueshme dhe e asfaltuar, andaj është e lehtë të vizitohet ky vend. Rrjedhja e saj pranë natyrës së bukur dhe kodrave malore të ofron një pamje piktoreske që në vete të jep qetësinë dhe freskinë shpirtërore të papërjetuar më herët, shkruan albinfo.ch.
Pranë kësaj ujëvare gjendet edhe mulliri i këtij fshati. Fuqia e ujit të Qurrelit e bën të mundur punën te mulliri, i cili shfrytëzohet edhe në ditët e sotme nga banorët e këtij vendi.
Mulliri pranë ujëvarës është ndërtuar në vitin 1958 nga dora e njeriut, me qëllim që të furnizojë edhe mullirin me ujë të mjaftueshëm nga rrjedhja e ujëvarës.
Banorët e këtushëm e vlerësojnë këtë vend si tejet të rëndësishëm dhe shfrytëzohet mjaftueshëm nga ata. Banorët e këtij fshati bëjnë bluarjen e mjellit për nevojat e tyre në këtë mulli. Vlen të theksohet se gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit sasia e ujit rritet shumë në këtë ujëvarë dhe mulliri kryen punë më lehtë. /Albinfo.ch. /KultPlus.com
Duket si muzikë në sfond në një film fantastiko-shkencor.
Është ”frymëmarrja” e Diellit, e kapur për herë të parë nga sonda ”Parker” e NASA-s, e cila regjistroi tingullin e erës diellore, të ngarkuara kryesisht me grimca protonesh dhe elektronesh, ”të dëbuara” nga Dielli me shpejtësi supersonike.
Valët e plazmës, të bëra nga grimca të ngarkuara elektrike, lëvizin nga një frekuencë në tjetrën duke lëvizur në erën diellore si një shfletues mbi valët.
“Këto ndërrime krijojnë zhurma më intensive më afër Diellit sesa Tokës”, vërejnë ekspertët e NASA-s.
Era diellore lëshohet nga rajoni sipërfaqësor i Diellit, kurora, dhe është e aftë të ndikojë në jetën në Tokë dhe në hapësirë.
Astronomët e kanë studiuar atë për më shumë se 60 vjet, por ende janë të befasuar nga disa prej sjelljeve të saj.
Dielli të jep përshtypjen se në br endësi të tij ka një motor të brendshëm që e ngroh. /KultPlus.com
Dritat që do t’i japin hijeshi tepihut të kuq, tashmë janë bërë gati për ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”.
Anëtarët e sigurisë kanë zënë vendet e tyre përreth Teatrit Dolby, para të cilit do të parakalojnë yjet e shumtë të botës së Hollywoodit.
Sivjet, ceremonia e ndarjes së çmimeve mund të përjetojë fitues të shumtë të racës së bardhë, që ka ngjallur edhe një herë debatin për mungesë të diversitetit në ceremoninë më të rëndësishme të vitit, transmeton KTV.
Brad Pitt, Elton John, Charlize Theron, Leonardo DiCaprio, Scarlett Johanssondhe Martin Scorsese janë në mesin e yjeve të nominuar për sivjet.
Të gjithë sytë do të jenë kah çmimi kryesor që pritet të caktohet mes filmave “Parasite”, “1917” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore, dhe në ceremoninë e parakalimit të kortezhit nga Teatri Kombëtar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” deri tek Hotel Grand, në nderim të figurës së këngëtares, Nexhmije Pagarusha.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se Nexhmija e la skenën por jo edhe këngët e saj. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën e artin e saj ajo lartësoi atdheun.
Më tej, kryeministri Kurti tha se muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore:
Të dashur familjarë të Zonjës sonë të madhe Nexhmije Pagarusha, Vëllezër, Burhan, Tarik, Fitim, Djali, Leonardi, e gruaja e tij Joana, Mbesat, Mirjeta, Bleta e Fleta dhe nipi Sardiani,
Dashamirës të artit, miq të pranishëm dhe qytetarë të nderuar;
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Vjosa Osmani,
I nderuari Zëvendës Kryeministër Hoti,
Të nderuara ministre të Kulturës, të Drejtësisë, të Ekonomisë, e Arsimit, zonjat Dumoshi, Haxhiu, Bajrami e Hajdari,
Të nderuar ministra të Integrimeve Evropiane, Bujqësisë e Financave, zotërinjtë Reka, Mustafa dhe Bislimi,
I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesi, Qemal Minxhozi,
Jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë lamtumirë një gruaje e cila ishte simbol i muzikës, i këngës, i teatrit dhe i filmit.
Muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.
Ata që e kishin fatin ta njihnin nga afër e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje dhe thjeshtësinë e jetës së saj.
Ata që kishin fatin të punonin me të, tregonin për disiplinën dhe për përkushtimin e saj në punë. Ajo nuk do të mungonte kurrë në asnjë provë e në asnjë shfaqje dhe çdoherë do të jepte maksimumin. Jetonte për atë që bënte.
Nexhmija ishte një vajzë nga fshati, larg kryeqytetit ku jetonin e vepronin njerëzit e artit e të kulturës, në një kohë e në një botë që nuk të ofronte mundësitë e nuk ta falte suksesin, por, ajo bëhej gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet dhe pasuroi kulturën e qytetit e të mbarë kombit.
Nexhmija u lind në Pagarushë të Komunës së Malishevës në maj të vitit 1933 nga Nëna Sehide dhe babai Veseli.
Në moshën 4 vjeçare Nexhmija do të humbte nënën, një ngjarje e rëndë që do ta prekë thellë Nexhmijën. Pa dashurinë e nënës jeta mund të jetë e ftohtë dhe e thatë, por mungesën e pranisë së nënës, Nexhmija do ta kompensonte tek babai Veseli i cili ishte prindi, shoku dhe shkëmbi në jetën e saj që do t’i ofrojë Nexhmijes së re dashurinë dhe mbështetjen e nevojshme për rrugën e mundimshme që ajo kishte përpara.
Shkollën fillore në Malishevë, e gjimnazin në Prishtinë: në familjen e Veselit nuk kishin shumë të ardhura dhe e reja Nexhmije nuk kishte radio në shtëpi por ajo merrte guximin për të kënduar. Dhe, këtu zë fill karriera e saj: këngën e kishte nisur si fëmijë, por karrierën e filloi në 1948 si këngëtare e Radio Prishtinës.
Sapo i jepet mundësia për të kënduar, e reja Nexhmije ballafaqohet me realitetin e kohës e që ishte turpi që një vajzë të këndonte në radio. E përballur me këtë trysni e padrejtësi të kohës, babai Veseli ishte aty për t’i ofruar mbështetjen dhe sigurinë e vetme që i duhej Nexhmijes përballë një bote mashkullore duke u bërë mbështetësi më i madh e adhuruesi i saj i parë.
Në amanetin e saj, Nexhmija kërkoi që të varroset në fshatin e saj të lindjes, afër babait të saj, duke treguar dashurinë e përjetshme që ndjeu për të.
Shembulli i Veselit na kujton edhe sot rolin dhe rëndësinë e pazëvendësueshme që ka babai në jetën e fëmijëve e posaçërisht të vajzave që edhe sot përballen me diskriminim e paragjykim.
Në vitet e rinisë Nexhmija ka kënduar vepra të përkthyera nga Beethoven, Verdi e shumë emra të mëdhenj të muzikës të cilët Nexhmija do t’i këndonte në shumë skena brenda e jashtë vendit.
Ajo la pas vetes 5 albume e 88 këngë, secila më e mirë se tjetra.
E krahasuan me diven franceze Juliette Gréco, por asaj asnjë krahasim nuk i rrinte. Zëri i saj ishte unik dhe njohësit e adhuruesit e merrnin për ofendim ta krahasonin me këdo.
Nexhmija, Nexhmije Pagarusha, dada Nexhë, ishte bilbil i gëzuar por edhe ca i trishtë. Një bilbil poshtë reve të një qielli të ulët dhe sipër majave të lisave të lartë. Bilbil poshtë një shteti që ishte diktaturë dhe mbi supet e një populli të lashtë si ky yni.
Por trishtimi i Nexhmijes nuk ishte ky i llojit modern që kemi ne sot. Ajo e kishte kokën e madhe, flokët korb të zi, të kontrolluar aq sa mund të kontrolloheshin, buzëqeshjen e gjerë me dhëmbë që kërcënonin me bukurinë e tyre, siluetën solide që nuk do të ikte gjëkundi, dhe, kur këndonte, seç kishte një çehre të hareshme jashtëkohore, por, që kurdo do të mund të shkrehej në vajtim. Ky nuk është trishtim modern. Ky është trishtim i llojit antik, që kapërcen dramën e shekullin XX, nuk ndalet as te Shekspiri e as te Dante, por drejt e te Homeri.
Zonja e madhe Nexhmije, që kur kishte filluar në Radio Prishtinë, nuk kishte pushuar së kënduari për afër 40 vite. Në Sarajevë në vitin 1984 ajo do të këndonte për 10 ditë rresht nën tymin e duhanit dhe në kushte të papërshtatshme për një divë.
“Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme”, thoshte Nexhmija, disa tone mund t’i këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin”, në fund një koleg imi më tha “Nexhi, ti më nuk bën të këndosh kështu! E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës…kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin”.
Nexhmija e la skenën por jo edhe këngët e saj. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën e artin e saj ajo lartësoi atdheun.
U nderua me çmime e me medalje të shumta, por gjithnjë mbetej e përulur dhe e thjeshtë në madhështinë e saj që e shoqëronte vetvetiu. Në një nga ceremonitë të ndarjes së çmimeve ajo tha: “sikundër edhe shpërblimet tjera gjatë karrierës sime, nuk më takon vetëm mua, por i takon madhështisë, kulturës së lashtë dhe të madhe të popullit tim”.
Nexhmija ishte dhe mbetet e popullit.
Përkundër famës së saj ajo jetoi thjesht. Kushdo mund ta takonte e askënd nuk e refuzonte. E harxhoi jetën e saj duke gëzuar, argëtuar e lartësuar popullin që e deshi e që i takonte, e sot një popull e nderon dhe e falënderon për punën dhe veprimtarinë e saj.
U shua fizikisht për t’u lartësuar përjetësisht si një ndër figurat më të ndritura të kombit tonë.
Përtej krijimtarisë së çmuar, mësimi që na la pas është ai i sfidimit të shanseve për sukses, i luftimit të paragjykimeve e të padrejtësive, i punës së palodhshme e të pandalshme, e dashurisë së madhe për vendin.
Me 7 Maj, në ditëlindjen e saj ajo u dekorua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump me medaljen e “Mirënjohjes”. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit ajo tha: “Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam” dhe se “Nuk e di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju që jeni me mua”.
Ajo sot nuk është më fizikisht me ne e mes nesh këtu, por ne jemi me të çdoherë e përherë: krijimtaria e saj do t’i rezistoj çdo kohe e do të lartësohet nga çdo brez.
Arti i saj është i pavdekshëm, zëri i saj do të na kumbojë përherë në mendje, e do të na mbushë gjithmonë zemrat tona me gazim. Andaj, jemi mbledhur sot për t’i thënë, më parë sesa për t’i dhënë, lamtumirën.
Sigurisht që pafundësisht do të vijojmë t’i gëzohemi këngës së saj, e sot e përherë, le ta nderojmë emrin e saj e le të mësojmë nga jeta e saj.
I përjetshëm do të jetë kujtimi për të. Faleminderit!
Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën.
Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.
Flora Durmishi, në emisionin e saj në radio na e solli sot poezinë të recituar nga vetë autori. Dëgjojeni recitimin më poshtë.
*
Këndoi e këndoi Derisa u shndërrua në këngë.
Dashuria për jetë Ia mori zërin
Këndoi e këndoi Derisa shkundi shkrumbin E shpirtit të vet Derisa bulëzuan pranverat Në zemrat e njerëzve
Këngës i dolën flatrat Ajo tash fluturon Mbi të gjitha fatkeqësitë E vdekja s’ka ç’t’i bëjë.
Kush tha se yjet shuhën qiellit të Dardanisë Bilbili përhap kumtin e mirësisë memedheut Tingujt prekin aortën e zemres së dlirë Zëri që i buzëqeshi si zog pipthave të qershisë Dashurisë plotë begati shpirti përtej resh… Bebëza e rrezës së diellit këtë janar melodie Ushqeu nota e fjalë në simfoni shpirti ndezur Male e kodra të bukura mbush tinguj valësi Në zërin tënd zgjohen ritmet e jetës universit Legjend e gjallë mbetesh në trungun e lindjes!
Mos vallë të ftuan duartrokitjet e përherëshme Melodia e bilbilit rrugëve t‘kombit u derdh Ngjyrat e zërit tënd dhembja e gjyshit trojeve Bareshë malëve imazh i gjallë përjetë qëndron E shkrirë në lotin e dhembjes syri qerpikut…
A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty Dhe t‘shkuarët e ardhjet e dallëndysheve …!
Zëri yt në gjerdan do prehet muzeve të poetit Loti do pikoj nga qielli përtej diellit dritë Ikona Për të freskuar ballin e bariut fushave të Pagarushës E vallja e vajzave le të jetë trashegimi yt bilbil i këngë. / KultPlus.com
Çmimi i parë në “Sanremo 2020” u rrëmbye nga kantautori Diodato me këngën “Fai Rumore” (“Bëj zhurmë”).
Diodato, i cili do të përfaqësojë Italinë në Eurovision fitoi gjithashtu çmimin e Kritikës dhe çmimin ”Lucio Dalla”. Pas tij u rendit Francesco Gabbani dhe në vend të tretë Pinguini Tattici Nucleari.
Një vit më parë, Italia u përfaqësua nga këngëtari Mahmood me këngën “Soldi”, e cila u rendit e dyta në Eurovizion, transmeton TCH.
Përgjatë mbrëmjes, spektakli u shoqërua me zhvillime të shumta. Amadeus nuk e humbi bastin në finalen e Sanremos dhe erdhi në skenë si Maria De Filippi.
Fiorello dhe Amadeus kishin vënë një bast: nëse shikueshmëria e festivalit do t’i kalonte 50%, atëherë në skenë do të imitohej Maria De Filippi dhe kështu ndodhi.
Kështu Amadeus vendosi paruken bionde dhe zbriti shkallët e teatrit Ariston për të imituar moderatoren e “C’è posta per te’
Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u mbajt ceremonia mortore për ikonën e muzikës shqipe, shkruan KultPlus.
Miqtë, familjarët e adhuruesit e këngëtarës ishin mbledhur në Teatrin Kombëtar ku mes lotësh, përqafimesh e përkuljesh para figurës së Nexhmijës, u përshëndetën për të fundit herë me të.
Ansambli ”Shota” për të nderuar jetën dhe veprën e Pagarushës, qëndruan deri në përfundim të homazheve pranë arkivolit të saj.
Pagarusha ka lënë gjurmë të mëdha te secili prej nesh, iku për të mos u harruar kurrë e për t’u përjetësuar çdoherë përmes këngëve të saj.
Politikanë, muzikantë, aktorë e personalitete të fushave të ndryshme, përkuleshin para arkivolit që prehej në hollin e Teatrit Kombëtar.
Pas homazheve që zgjatën për dy orë të tëra, miqtë, familjarët dhe dashamirësit e muzikës së Pagarushës, u mbledhën në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar për Akademinë Përkujtimore.
Akademia përkujtimore filloi me Himnin e Kosovës dhe pasoi nga një minutë heshtje në nderim të Nexhmije Pagarushës.
Fjalën në këtë Akademi Përkujtimore e mori e para e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehi ngushëllime familjes së të ndjerës dhe gjithë Kosovës. ‘Jam këtu para jush për ta ndarë dhimbjen e madhe për humbjen e Nexhmijes sonë, këngët e së cilës i kemi njohur e dashur qysh në fëmijëi e në rininë e hershme. Atëbotë ne nuk e dinim se zëri ynë mund të dëgjohej në institucione e në politikë, por mahniteshim me atë që këngës ia jepte vulën e përjetësisë. Nexhmija reflektonte një forcë shtytëse për mua dhe shoqet e mija, që të guxonin dhe të ëndërronim që një ditë të kapërcenim frikën e pasigurinë, të dëshmonim praninë tonë, ëndrrën tonë dhe dëshirën për të jetuar në një shoqëri të lirë e të barabartë”, u shpreh Osmani para të pranishmëve.
Menjëherë pas Vjosa Osmanit, fjalën e mori Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilësonte vdekjen e Bilbilit të Kosovës një humbje të madhe për artin mbarëshqiptar. ”Jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë lamtumirë një gruaje e cila ishte simbol i muzikës, i këngës, i teatrit dhe i filmit .. muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar. Ata që kishin fatin ta njihnin prej së afërmi e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje dhe thjeshtësinë e jetës së saj, ndërsa ata që kishin fatin të punonin me të tregonin për përkushtimin dhe diciplinën e saj në punë. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën dhe artin e saj ajo lartësoi atdheun”, u shpreh Kurti.
E për të shprehur ngushëllimet dhe nderimet e tij, i pranishëm ishte edhe Ambasodori nga Shqipëria, Qemal Minxhozi, i cili e kosnideronte Nexhmijen të jetë si një urëidhëse e bashkimit midis shqiptarëve.
”Pagarusha jonë u rrit pa nënë por dashuria e saj për Kosovën, Shqipërinë e më gjerë e bënë nënën e këngës shqiptare. Bilbili Pagarusha u bë simbol i bashkimit midis shqiptarëve. Janë të paktë ata që nuk e kanë njohur shpirtin, karakterin, bujarinë, personalitetin e pamatshëm të saj”, tha ai.
‘Nexhmija pa përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore, ka qenë shenja përmes së cilës muzika jonë popullore është njohur në ish-Jugosllavi. Ajo ka pasuruar muikën kosovare, ajo e ka definuar muzikën shqipe’, u shpreh Rafet Rudi, i cili fjalën e mori si përfaqësues i komunitetit artistik.
E në fund të kësaj Akademi Përkujtimore, fjalën e mori mbesa e të ndjerës, Mirjeta Mulliqi. Ajo mes lotësh e me shumë emocione, tregoi se Nexhmija parasegjithash ka qenë një grua e fortë, një nënë, një hallë e një gjyshe e pashoq. Një grua që kishte inspiruar familjarët e tjerë, e veçanërisht gratë e asaj familjeje. ”Ka qenë një grua e fortë me shumë vlera, një grua modeste. Për të familja ishte çdoherë në rend të parë. Për ne mbesat dhe nipat ka treguar shumë durim, ka pasur çdoherë vesh dhe kohë për ne. Ka qenë gjithmonë e gëzuar dhe e buzëqeshur. Na ka mësuar të jemi të pavarurua, të luftojmë për pozitën tonë si gra në shoqëri”, u shpreh ajo për të pranishmit.
Pas përfundimit të ceremonisë, u bë nisja e kortezhit nga Teatri Kombëtar, e cila do vazhdoi përgjatë sheshit ‘Nëna Terezë” e deri tek Hotel ‘Grand’.
Nexhmije Pagarusha iku me duartrokitje, me muzikë e me lavdi, taman ashtu siç edhe kishte jetuar. Ajo pas vetes la më shumë se art e muzikë, la dashuri e jëtë, la madhështi e lavdi. / KultPlus.com
Hashim Thaqi, presidenti i Republikës së Kosovës, e ka shpallur
ditë zie 9 shkurtin për të nderuar figurën e mbretëreshës së muzikës shqiptare,
Nexhmije Pagarusha, shkruan KulPlus.
Bëhet e ditur se Thaqi këtë
vendime e ka marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për këngëtaren e
mirënjohur e cila ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.
Sipas asaj që njofton
Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, sot në ditën e zisë, flamuri
shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të
Republikës së Kosovës.
Ndërkaq edhe varrimi i të ndjerës bëhet sot në Pagarushë të Malishevës. / KultPlus.com
KultPlus.com – gazeta e parë shqiptare e këtij formati që raporton për art dhe kulturë, sot, e diele, prej orës 13:00 e deri në orën 16:00 ju fton në KultPlus Caffe Gallery për një gotë verë për Nexhmijen tonë. Me Nexhmijen nuk ka ikur asgjë, përjetësia e saj është e sigurtë.
Ju ftojmë që të vini e të pini një gotë verë për Nexhmije Pagarushën, në një hapësirë si KultPlus Caffe Gallery, ku këngët e Nexhmijës tash e disa kohë jehojnë të mrekullueshme, të mishëruara, ashtu si vetë ajo.
Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”…
Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.
Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë.
Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer.
Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës.
Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës.
Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore.
Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.
Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor.
Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790.
Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse.
Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant.
Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël.
Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.
Në vijim, supershendeti.com ju sjell 21 aforizma nga Immanuel Kant…
25 thënie nga Imannuel Kant
1. “Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.
2. “Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.
3. “Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.
4. “Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër”.
5. “Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.
6. “Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia”.
7. “Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar”.
8. “Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.
9. “Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.
10. “Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.
11. “Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.
12. “Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën”.
13. “Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.
14. “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.
15. “Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?
16. “Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.
17. “Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet”.
18. “Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.
19. “Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.
20. “Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.
21. “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.
22. “Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.
23. “Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.
24. “Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”.
25. “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”. /KultPlus.com
“Toka e mjaltit” do të merr çmim Oskar për film më të mirë dokumentar, parasheh gazeta e njohur britanike “Gardian” në parashikimet e fituesve në gjitha kategoritë të ndarjes së sivjetmë të çmimeve të Akademisë amerikane te filmit që do të mbahet nesër mbrëma në teatrin “Dolbi” në Los Anxhelos, përcjell KOHA.
Sipas Piter Bredshout, kritik fimik në “Gardian” në kategorinë dokumentar më të mirë, filmi nga Maqedonia “Toka e mjaltit” do t’i fitojë konkurrenët: bashkë-produksionin britanik- amerikan “Për Samën”, atë siriane- daneze “Shpella, “Në pragun e demokracisë” të Brazilit dhe atë amerikane “Fabrika amerikane”.
Në kategorinë e dytë ku është i nominuar “Toka e mjaltit”- film ndërkombëtar (i huaj-joanglez), Bredshou parasheh se çmim Oskar do të fitojë edhe filmi “Parazit” nga Korea Jugore.
Ne këtë kategori në garë për statujën e artë janë edhe “Korpus Krishti” nga Polonia, “Të mallkuarit” nga Franca dhe ajo spanjolle “Dhimbje dhe lavdi”.
Ceremonia e 92-të e ndarjes së çmimeve Oskar në teatrin “Dolbi” në Holivud fillon nesër mbrëma në orën 2 pas mesnate sipas kohës së këtushme, ndërsa do të transmetohet në më shumë se 220 vende dhe territore të botës.
Ndryshe, kinematografët shqiptarë Samir Luma dhe Fejmi Daut, janë fitues të çmimit për kinematografi më të mirë për filmin dokumentar “Toka e mjaltit”. /KultPlus.com
Distria Krasniqi ka arritur ta fitojë medaljen e artë në GrandSlamin e Parisit.
Pas këtij lajmi ka reaguar Vlora Dumoshi, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka premtuar se do të punoj për të përmirësuar kushtet dhe infrastrukturën për sportistët.
Ajo ka thënë se “sukseset e sotshëm të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, janë dëshmi se shteti ynë po rritet dhe Kosova tashmë ka zënë vend meritor në hartën e sportit ndërkombëtar”.
“Sportistët tanë po i japin çdo ditë e më shumë nder dhe vlerësim ndërkombëtar vendit tonë, duke u bërë zëri më pozitiv i Kosovës dhe shembull frymëzues për rininë tonë.
Si ministre, jam e përkushtuar që të punoj për të përmirësuar kushtet dhe infrastrukturën që sportistët tanë të mund të zhvillohen sa më mirë”, ka shkruar ajo. /KultPlus.com
Sot mbushen plot dy vjet nga nisja e betejës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, me krijimin e një Aleance që iu ka rezistuar presioneve, dhe përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e qeverisë për ti përçarë.
Në këto dy vite shumë prej artistëve iniciatorë janë përçarë rrugës, protestat mund të jenë zbehur, por për aktoren Juri Emiri kauza vijon që të qendrojë, dhe beteja ndaj shtetit do të fitohet.
E ftuar në studion e Fax News, Emiri u shpreh se kauza për mbrojtjen e Teatrit është shndërruar tashmë në kauzë për Mbrojtjen e Demokracisë, ndërsa shtoi se artistët që kanë ndërruar qendrim gjatë rrugës, kanë pasur presione dhe frikën e humbjes së vendeve të punës.
“Këtu ndodhin çdo ditë ngjarje që të trondisin, kjo protestë nisi për Teatrin Kombëtar, dhe u përhap dhe u përhap, pasi çështja e Teatrit lidhet me shumë shqetësime të tjera të shqiptarëve. Prej qeshorit të 2018-tës, protesta është e përditshme, kemi pasur dy protesta përpara parlamentit ku kaloi dhe ligji special, kemi pasur dy marshime drejt presidencës, ku presidenti nuk e kaloi ligjin.
Një nga pikat më të forta ishte 24 Korriku, natën që mësuam se ata do të vinin qendruam aty, dhe prej asaj dite ne kemi monitorim 24 orësh për Teatrin. Policia qendroi aty deri në orët e vona të natës, dhe ne kemi pasur një luftë aty, psikologjike dhe fizike, dhe prej asaj dite ne hymë aty brenda, dhe nisëm shfaqjet.
Janë dhënë më shumë se 50 të tilla në Teatër, dhe kemi marrë një mbështetje shumë të madhe nga Kosova, Maqedonia, Italia dhe Amerika”, u shpreh Emiri.
“Njeriu kur i hyn një lufte, nuk merr parasysh fare frikën, pasi të jesh me të drejtën të bën të jesh shumë i lirë, të heq dhe frikën, për më tepër duhet kuptuar se ky pushtet dhe këto probleme nuk janë vetëm të pushtetit, por janë edhe tonat që i kemi zgjedhur. Të gjithë ne që jemi në Teatër, mendojmë të bëjmë diçka që ti vlejë vendit”, tha më tej aktorja.
“Është qesharake sesi një kryeministër merr një nga një fjali të shkëputura të aktorëve dhe i hedh në Facebook, ne ky komunitet jemi, ndoshta jo më i shëndetshmi, por e rëndësishme është që ne treguam se kemi njerëz shumë të fortë Brenda vetes.
Kemi njerëz që vazhdojnë të luftojnë prej dy vitesh, që nuk kanë një qëllim jo të pastër, kanë qëllimin thjesht që kjo çështje të fitohet. Aktori ka përballë një publik, ndaj të cilit ndjen edhe përgjegjësi si qytetar”, u shpreh Emiri, që këmbënguli se kjo çështje do të ndiqet deri në fund, dhe se Teatri Kombëtar nuk do të mund të shembet. /KultPlus.com
Mbaj mend, kur pat vdekur aktori i madh Bekim Fehmiu, komuniteti i artistëve shpejt e shpejt pat organizuar ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe një grup i vogël i njerëzve u mblodhën në muzgun e mbrëmjes dhe ndezën qirinj, për të bërë homazh për figurën e madhe të Bekim Fehmiut.
Organizime të
tilla, kur janë spontane dhe pa organizim shtetëror, shpesh të lënë edhe një shije të keqe, sepse,
në këto homazhe ka qasje gjithsecili, dhe pikërisht ata që do të duhej të pëshpëritnin
një lutje apo ndonjë kujtim, mungonin, e disa që pikërisht vdekjet shfrytëzojnë
që të tregojnë afri me të vdekurin ishin aty ballëhapur.
Bekim Fehmiu
pat vdekur në qershor, dhe ishte një mbrëmje bukur e nxehtë. Mbaj mend që një
aktor erdhi vetëm me pantallona e pa këmishë. Lart kishte të veshur vetëm një
fanellë të brendshme. Dhe kur e mendoje elegancën skenike të Bekim Fehmiut,
sharmin dhe suksesin e tij, më vinte të bërtisja kur shihja këtë burrë të
djersitur që ndizte qiriun në emër të shpirtit të aktorit të madh.
Dhe me këtë
homazh të vogël, ku në mesin e tyre kishte ‘artist’ me shpatulla të djersitura,
përfundoi homazhi për artistin e madh Bekim Fehmiu, ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Kosovës refuzuan kategorikisht
që të mbanin një minutë heshtje për aktorin më përmasa të mëdha botërore.
Dhe artistët
e mëdhenj po zvogëlohen, bashkë me ta edhe familjet e tyre. Injoranca e
shtetit, naiviteti i komunitetit edhe thurja e lavdeve nga jo meritorët, këto
familje i detyron të mbyllen në guacën e tyre, dhe të përcjellin më të dashurit
e tyre me një grup të vogël të njerëzve, por me një elegancë pothuajse sa të skenës.
Njësoj
veproi familja e Bekim Fehmiut, të qetë erdhën nga Beogradi dhe ia mësynë
Prizrenit, dhe shpërndanë hirin e trupit të Bekim Fehmiut te Drini i Bardhë, njësoj
po vepron sot edhe familja e Nexhmije Pagarushës.
Duke
respektuar amanetin e saj, edhe kjo artiste e madhe do të përcillet drejt
vendlindjes së saj në Pagarushë të Malishevës, vetëm nga rrethi i ngushtë i
familjes.
Edhe përkundër
faktit se jeta e saj ishte shumë e bujshme, e pa krahasueshme, jo vetëm për kohën
por edhe për ditët e sotme, ajo ka zgjedhë një ceremoni të thjeshtë, sepse ka
parë shembuj e shembuj se si janë trajtuar figurat e mëdha të Kosovës, dhe si
duket kanë qenë mjaftueshëm sa të përkujdeset vet për mënyrën se si do të
varroset.
Megjithatë,
vdekja e Nexhmije Pagarushës ishte një tjetër kambanë edhe për shtetin, presidenti
i vendit mori vendim që 9 shkurti të jetë ditë zie për Kosovën, vendim që nuk
mbahet mend të ketë ndodhur për vdekjen e një artisti në Kosovë.
Por nuk mjafton as një ditë zie, artistët e mëdhenj si Bekim Fehmiu e Nexhmije Pagarusha kanë merituar tjetër tretman, edhe nga shteti edhe nga shoqëria. Bekim Fehmiu shkëlqeu në botë, por iu kthye Drinit të Bardhë, e Nexhmije Pagarusha shkëlqeu me muzikën e saj, dhe si një perëndeshë po i kthehet Pagarushës, aty prej nga edhe na ka ardhë./KultPlus.com