Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot përfaqësuesen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP-së) në Kosovë, Maria Suokko, me të cilën bisedoi për politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe çështjet që kanë të bëjnë me fushën e trashëgimisë kulturore.
Sipas komunikatës për media, ministrja Dumoshi e njoftoi përfaqësuesen e UNDP-së, Suokko, për planet dhe synimet që pritet të realizohen nga ana e MKRS-së në këto fusha, të cilat UNDP-ja i ka interes të veçantë.
Ministrja është shprehur se do të angazhohet maksimalisht që rinia e të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë, të takohen e shkëmbejnë idetë inovative për avancimin e interesave të tyre, sidomos në edukimin dhe integrimin sa më të madh social të tyre. MKRS-ja do të investojë në krijimin e mëtejmë të hapësirave dhe infrastrukturës së nevojshme që të rinjtë në Kosovë të kenë ku të organizojnë dhe realizojnë aktivitetet e ngjarjet e tyre.
Gjithashtu ajo e ka informuar përfaqësuesen Suokko për planet që ka për fushën e trashëgimisë, në plotësimin dhe avancimin e legjislacionit që e rregullon këtë fushë. Ajo tha se MKRS-ja është e interesuar të bashkëpunojë me UNDP-në për zhvillimin e projekteve të cilat mundësojnë mbrojtje më të madhe të monumenteve, objekteve dhe hapësirave të trashëgimisë kulturore.
Ministrja e ka falënderuar përfaqësuesen e UNDP-së për mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për fushat që i mbulon MKRS-ja, duke e mirëpritur gatishmërinë e UNDP-së që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen për projektet në fushën e rinisë dhe të trashëgimisë kulturore.
Ndërsa, përfaqësuesja e UNDP-së, Maria Suokko, e uroi ministren për marrjen e detyrës dhe e falënderoi për gatishmërinë e ofruar për fuqizimin dhe përkrahjen e rinisë, duke i dëshiruar mbarëvajtje për punën dhe planet që ka për synim t’i realizojë dhe ofroi mbështetjen në këto fusha.
Po ashtu, Suokko, theksoi se organizata që përfaqëson është e interesuar që fusha e trashëgimisë kulturore në Kosovë të avancohet konform standardeve ndërkombëtare, duke mundësuar identifikimin e objekteve dhe lokaliteteve të reja arkeologjike dhe konservimin e restaurimin e tyre. /KultPlus.com
Nektari i poezisë perse, Rumi, mban një peshë të madhe
të filozofisë universale se njeriu kalon nën një proces të gjatë të njohjes së
egos hyjnore. Rruga që ai ndoqi për ta gjetur hyjnoren pasqyrohet në thëniet e
tij.
Rumin, bota e njeh si poet të madh, i cili prej kohësh
është bërë poeti universal i shpirtrave që kërkojnë dashurinë dhe gëzimin e
jetës.
Emri i tij i vërtetë është Jalal ad-Din Muhammad Rumi
(1207-1273), i njohur edhe si Mavlana (Mjeshtri) Jalal ud din Balkhi, për shkak
të vendlindjes së tij në Balkh të Persisë.
E gjithë materia në univers i nënshtrohet këtij ligji
dhe kjo lëvizje beson te një shtysë e brendshme që Rumiu e quan dashuri, për të
evoluar dhe për të kërkuar kënaqësinë te hyjnorja prej së cilës ka burimin.
Për Rumiun, Zoti është baza dhe qëllimi i të gjithë
ekzistencës.
Ai nuk ishte i interesuar me anën shkencore të teorive
dhe nuk kishte lidhje me biologjinë evolucionare që Darvini e solli më pas.
Rumiu ishte i interesuar për evolucionin shpirtëror të
një qenieje njerëzore: njeriu që nuk njeh Zotin është i ngjashëm me një kafshë
dhe njohja e vërtetë e bën atë hyjnor. Ky i fundit e përcaktonte dashurinë si
një fuqi magnetike që e lartëson jetën.
Duke bërë si më thanë të tjerët, u verbova. Duke shkuar kur të tjerët më kërkonin, humba. Më pas u largova prej të gjithëve, edhe prej vetes. Kështu i gjeta të gjithë, edhe veten.
Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur… për
t’u lutur!
Gjithçka në univers ndodhet brenda teje. Kërkoje çdo
gjë prej së brendshmi.
Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën, derisa të hapet.
Pse qëndron i burgosur, kur dera është krejtësisht e
hapur?
Arsyeja është e pafuqishme në shprehjen e dashurisë.
Po ti? Kur do e nisësh atë Udhëtimin e gjatë brenda
vetes tënde?
Flladi i agimit ka sekrete për të të zbuluar. Mos fli
sërish!
Dje isha i zgjuar dhe doja të ndryshoja botën. Sot jam
i mençur dhe dua të ndryshoj veten time.
Shkëlqe, sikur gjithë Universi të ishte i yti.
Unë nuk jam këto flokë, nuk jam kjo lëkurë, jam
shpirti që jeton brenda tyre.
Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak,
dhuro prej zemrës.
Bëhu si lulja që ia jep aromën edhe dorës që e këput.
Detyra jote nuk është të kërkosh dashuri, por të
kërkosh dhe të gjesh të gjitha pengesat që vetja jote ka ndërtuar kundër
dashurisë.
Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është
tempulli im.
Në fund të jetës, aty ku ka mbetur vetëm fryma e
fundit, nëse ti vjen, do të ngrihem dhe do të këndoj…
Engjëlli është i lirë për shkak të diturisë; bisha për
shkak të injorancës. Mes të dyve, mbetet biri i njeriut që i duhet të përpiqet
e luftojë.
Kur bën gjëra prej shpirtit tënd, ndjen një lumë
gëzimi brenda teje.
Ekziston një zë, që nuk përdor fjalë. Dëgjoje!
Dëgjo me veshët e tolerancës! Shiko me sytë e
dhemshurisë! Fol me gjuhën e dashurisë!
Nëse kërkon shpirtin, bëhesh Shpirt. Nëse kërkon
ushqim, bëhesh ushqim. Bëhesh ajo çka kërkon.
I thashë natës, “Nëse je e dashuruar me hënën, kjo
sepse kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye dhe më tha, “Nuk është faji im.
Kurrë nuk e shoh diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”
Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse tregohesh
shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.
Heshtja është gjuha e Zotit. Gjithçka tjetër është
përkthim i keq.
Mjaft veprove sikur je kaq i vogël. Ti je Universi në
lëvizje prej ekstaze.
Ajo që ti kërkon është duke të kërkuar ty.
Mos vajto. Çdo gjë që ti humbet, të vjen përsëri në
një tjetër formë
Ngri fjalët e tua, jo zërin tënd. Është shiu që i rrit
lulet, jo bubullimat
Injoroji ata që të bëjnë të ndiesh frikë dhe trishtim,
që të degradojnë e të shpien drejt sëmundjes e vdekjes.
Atje ku ka rrënoja, ka edhe shpresë për një thesar. / KultPlus.com
Irena Sendler, ka shpëtuar 2.500 fëmijë hebraikë nga getoja e Varshavës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sendler para shpërthimit të luftës ka punuar si punonjëse sociale me familje të varfëra hebraike në Varshavë. Nga fundi i verës së vitit 1942 Sendler mbetet anëtare e lëvizjes së rezistencës Zhegota, e cila i ndihmon hebraikët.
Fëmijëve më të mëdhenj u jepte qetësues dhe u thoshte rojeve që ishin të vdekur, kurse emrat e të gjithë fëmijëve ajo i ruante në një listë speciale. Kur foshnjat brenda bodrumit të kampit qanin, Sendlerowa përdorte qenin e saj, i cili lehte sa herë t’i thuhej kështu në mënyrë që rojet të mos dëgjonin të qarat e fëmijëve hebrenj.
Ajo fshehurazi largon 2.500 fëmijë nga getoja në Varshavë dhe i dërgon në familje katolike dhe manastire. Fëmijët janë dërguar në valixhe dhe janë transportuar nga automjete zjarrfikëse dhe automjete për marrjen e mbeturinave apo nën palltot e njerëzve të cilët kanë patur qasje deri te lagjet hebraike. Aksioni është zbatuar në tetor të vitit 1940 deri në prill të vitit 1943, kur nazistët e djegin geton dhe i vrasin apo i dërgojnë në llogore koncentracione njerëzit që kanë jetuar në të.
Irena Sendler është arrestuar më 20 tetor të vitit 1943, e dënuar me vdekje, por e shpëtuar nga oficeri gjerman të cilin rezistenca arrin ta korruptojë.
Në vitin 1965 ajo u shpërblye për heroizëm me medalje nga instituti Jad Vashem nga Jerusalemi. / KultPlus.com
Nënë e bijë! Të dyja janë performuese të mrekullueshme të cilat përçojnë mbi të gjitha emocionin klasik me anë të zërave të tyre të fuqishëm, Elife Podvorica – Jashari dhe Arta Jashari kanë një rrëfim për ta treguar.
Europe House
në Prishtinë kësisoj ju fton në ngjarjen ‘Një grua për një grua – Bisedë
inspiruese’, shoqëruar me këto dy muzikante të njohura.
Elife
Podvorica – Jashari është soprano qysh prej vitit 1984, shumë aktive me disa
Kore Profesionale nëpër mbarë Kosovën. Në vitin 1999 ajo nisi punën edhe si
profesoreshë. Në vitin 1984, ajo fitoi vendin e parë në Garat Federative të
Ansambleve të ish Jugosllavisë.
Arta Jashari,
gjithashtu soprano, vajza e dy muzikantëve të njohur, ka përfunduar studimet e
Masterit në Akademinë e Arteve në Berlin. Momentalisht ajo është pjesë e Korit
Profesional të Filharmonisë së Kosovës.
Ky event mbahet më datë 6 mars, ora 19:00, në Europe House. / KultPlus.com
Revista “Global Woman” i dedikon faqen e parë dy shqiptareve Diana dhe Keidi Pushi, të cilat janë bashkëthemeluese të një platforme që ofron konsultime për zhvillim individual. Në intervistën e dhënë, ato ndajnë eksperiencat dhe arritje e tyre profesionale në Kanada.
Në krye të kësaj reviste “Global Woman Magazine” flasin
Diana Beqari Pushi dhe Keidi Pushi. Ato janë nënë e bijë, gra të zonja dhe shumë
të trajnuar në metodologjitë e vetëdijes dhe fuqizimi e personalitetit. Duke
punuar me to, njerëzit mund të kuptojnë rrugën e tyre më të mirë të lumturisë
reale.
Diana është një stratege entuziaste humaniste dhe
sipërmarrëse. Si praktikuese e trajnuar Master e Programimit Neuro-Gjuhësor.
Pasioni dhe qëllimi i saj është t’ju ndihmojë të njihni
plotësisht potencialin tuaj të vërtetë dhe të jetoni një jetë më të mirë.
Pasioni i saj gjatë gjithë jetës është të jetë urë lidhëse me shkencën
shpirtërore, kështu që njerëzit të jetojnë një jetë të përmbushur dhe
autentike. Si nënë, grua dhe një udhëheqëse për ndryshime, ajo është e
përkushtuar të punojë në krijimin e një bote, ku çdo njeri ka mundësinë të jetë
i sigurt, i ushqyer dhe të ketë lirinë dhe mundësinë për të shprehur plotësisht
kush janë vërtetë.
Ndërsa, Keidi sjell mjetet dhe aftësitë për të inkurajuar një realitet të ri kolektiv personal dhe të shëndetshëm. Si një mësuese shpirtërore dhe shëruese, ajo ndan energjitë e dashura të Healing Heands Hands, medicinale me njerëzit./albfem/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, mori pjesë në hapjen zyrtare të javëve të Frankofonisë, që u mbajt sot në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndër personalitetet e shumta të pranishme në këtë ngjarje ishin edhe Glauk Konjufca, Ministër i Punëve të Jashtme, Marie-Chrstine Butel, Ambasadore e Francës në Kosovë, Jean-Louis Seervais – Shef i Misionit të Belgjikës në Kosovë, Natacha Gomes – e ngarkuar me punë në Ambasadën e Luksemburgut.
Ministrja Dumoshi theksoi që anëtarësimi i Republikës së Kosovës në familjen e madhe frankofone po dëshmohet çdo vit se është një fat e privilegj, meqë përveç tjerash jemi bërë pjesë e një organizate, e cila udhëhiqet nga parime e vlera të larta civilizuese, shoqërore e demokratike, siç janë diversiteti kulturor, gjuhësor, solidariteti, paqja e mbrojtja e të drejtave të njeriut. Rreshtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës përkrah Ambasadës së Francës dhe shteteve tjera frëngëfolëse e frankofone përmes aktiviteteve të përbashkëta kulturore e artistike është dëshmia më e mirë e miqësisë sonë të thellë dhe familjarizimit tonë me frankofoninë.
Ministrja Dumoshi falënderoi përzemërsisht Ambasadën e Francës në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të forcuar e thelluar lidhjet e dy shteteve dhe qytetarëve të të dyja vendeve, për angazhimin për kultivimin e miqësisë midis Kosovës e Francës.
Ngjarja “Javët e Frankofonisë” është shndërruar në një prej projekteve më të rëndësishme kulturore në Kosovë.
Viti 2020 shënon përvjetorin e pesëdhjetë të Organizatës Internacionale të Frankofonisë. Kosova u bë anëtare e asociuar në këtë organizatë, në vjeshtën e vitit 2018. / KultPlus.com
Pothuajse 90 për qind e njerëzve janë paragjykues ndaj grave, thuhet në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Raporti përmban të dhëna “tronditëse” të reagimit global ndaj barazisë gjinore.
Përkundër përparimit në mbylljen e hendekut të barazisë, 91 për qind e burrave dhe 86 për qind e grave kanë të paktën një paragjykim ndaj grave në lidhje me politikën, ekonominë, arsimin, dhunën ose të drejtat riprodhuese.
Indeksi i “Normave Sociale Gjinore” analizon bindjet sociale që pengojnë barazinë gjinore në fusha të tilla si politika, puna dhe arsimi dhe përmban të dhëna nga 75 vende, duke mbuluar mbi 80 për qind të popullsisë në botë.
Sipas raportit, rreth gjysma e burrave dhe grave në botë mendojnë se burrat e kryejnë më mirë detyrën e udhëheqësit në politikë, dhe mbi 40 për qind mendojnë se burrat janë drejtues më të mirë të biznesit dhe se burrat kanë më shumë të drejtë për një punë kur ato janë të pakta.
Sipas raportit, 28 për qind e justifikojnë dhunën e një burri ndaj gruas së tij.
Hulumtimi gjithashtu ofron të dhëna se si po ndryshon paragjykimi në rreth 30 vende të botës.
Rezultatet tregojnë se ndërsa në disa vende ka pasur përmirësime, në të tjera, qëndrimet duket se janë përkeqësuar vitet e fundit, duke sinjalizuar që progresi nuk mund të merret si i mirëqenë.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në dekadat e fundit për të siguruar që gratë të kenë të njëjtën qasje në nevojat themelore jetësore sikurse burrat. Ne kemi arritur barazi në regjistrimin e shkollës fillore dhe zvogëlimin e vdekshmërisë së nënave me 45 për qind që nga viti 1990. Por, boshllëqet gjinore janë ende shumë të dukshme në fushat e tjera. Lufta për barazinë gjinore ka të bëjë në rend të parë me luftën kundër paragjykimit”, tha Pedro Conceiçao, zyrtar i lartë i UNDP-së.
Kjo analizë e re hedh dritë mbi arsyen pse ekzistojnë “boshllëqe” të mëdha në mes burrave dhe grave në ekonomitë tona, sistemet politike dhe korporatat tona, me gjithë përparimin real në mbylljen e pabarazisë gjinore në fushat themelore të zhvillimit si arsimi dhe shëndetësia; dhe heqjen e pengesave ligjore për përfshirje në politikë dhe ekonomi.
“Për shembull, ndërsa burrat dhe gratë votojnë me norma të ngjashme, vetëm 24 për qind e ulëseve në parlamente në të gjithë botën mbahen nga gratë dhe ka vetëm 10 gra që udhëheqin me qeveritë nga 193 vende”, thuhet në raport.
Dokumenti thekson se gratë në tregun e punës paguhen më pak se burrat.
“Ndërsa gratë punojnë më shumë orë se burrat, kjo punë ka më shumë të ngjarë të jetë pa pagesë”, thonë rezultatet e hulumtimit.
“Ka pasur një angazhim efektiv për të siguruar përfundimin e boshllëqeve në shëndetësi ose arsimim. Por, tani ky angazhim duhet evoluojë për të adresuar diçka shumë më sfiduese: një paragjykim thellësisht i rrënjosur – midis burrave dhe grave – kundër barazisë së mirëfilltë”, tha Achim Steiner, administrator i UNDP-së.
UNDP u bëri thirrje qeverive dhe institucioneve të vënë në funksion politika të reja, që përmes arsimimit dhe ndërgjegjësimit të ndryshojnë këto besime dhe praktika diskriminuese.
“Për shembull, duke përdorur taksat për të stimuluar ndarjen e drejtë të kujdesit dhe përgjegjësisë për fëmijë ose duke inkurajuar gratë dhe vajzat të kyçen në sektorë tradicionalisht të mbizotëruar nga burrat, siç janë forcat e armatosura dhe teknologjia e informacionit”, thuhet në raport. / KultPlus.com
Lindur nga dy artistë, Greg Rama vijon të krijojë personalitetin e tij artistik. Sapo ka çelur ekspozitën “Ex Nihilo”, që në këndvështrimin e tij artistik, sjell në vëmendje gjërat e vogla, thuajse të parëndësishme, të së tërës. Interesi i medieve ka ardhur menjëherë.
Gjatë intervistave tipike të hapjes së ekspozitës figurative, Greg Rama, i biri i Kryeministrit Edi Rama, ka zbuluar disa detaje të rëndësishme. Artisti i ri, tregon se për kurator, ka kundërshtarin politik të të atit.
“Këtë herë
kam bashkëpunuar me ca njerëz shumë pozitivë dhe dashamirës, shumë të
përkushtuar ndaj kësaj pune, duke filluar nga kuratori Ardian Isufi, duke
vazhduar me Altin Likën që e kam dhe mik, si dhe disa njerëz të tjerë që janë
bërë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj gjeje”, ka thënë Gregu.Ardian Isufi
është pjesë e Departamentit të Kulturës në Partinë Demokratike, njëherësh
pedagog i njohur i Arteve Figurative
Ekspozita
“Ex Nihilo”, pranë galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura, është një instalacion
që përshkohet nga spektatorët përmes dritës imagjinare. Ndërsa turbulencat
politike, tentojnë të bëhen kryefjalë e një populli të heshtur, në galerinë e
Fakultetit të Arteve të Bukura, një ekspozitë jo e zakontë, të fton në një
rrugëtim jashtë materiales. Një fije bari dhe bulëz uji, me bashkëveprim e
mandej fizikisht të shkëputura, janë elementët që Greg Rama zgjedh për të
rrëfyer rëndësinë e përditshmërisë, detajeve të thjeshta që shpesh, qëllimisht
ose jo, zhvlerësohen.
“Kjo
ekspozitë ka lindur nga asgjëja. Ideja ishte për t’i dhënë kuptim diçkaje që në
dukje është shumë e vogël dhe e parëndësishme, por pas një reflektimi kupton se
të gjitha gjërat e vogla në dukje, gëzojnë një rëndësi të veçantë për ne, për
vetëdijen tonë edhe për mënyrën se si ne e shikojmë botën edhe jetën”, shpjegon
ai.
Artisti
bashkohor me “Ex Nihilo”, sjell një këndvështrim ndryshe të rutinës, ku
personalja nuk përjashtohet edhe pse protektiv nuk e shpërfaq, për t’i dhënë
rëndësinë e duhur përjetimeve të çdokujt.
“Diçka të
padukshme në rutinën tonë, që e anashkalojmë (jo për keq), përmes një ndërhyrje
artistike kthehet në përmasa mbinormale. Kjo, mendoj se na bën që t’i
rishikojmë edhe një herë, të gjithë gjërat e vogla që ndikojnë tek ne” – është
mesazhi i artistit premtues.
Gregu nuk lë
pa rrëfyer as ndikimin e dy prindërve artistë, Edi Ramës (piktor) dhe Matilda
Makoçit (aktore), në zgjedhjen e tij, për të qenë pjesë e artit figurativ.
“Të kesh dy
prindër artistë është dhe nuk është shumë e vështirë. Por, unë mendoj se jam me
fat për të dy, pasi kanë ndikuar që të merrem me këtë punë. Që i vogël ime më
donte që të merresha me art, edhe pse unë s’mendoja kështu. Por, ja ku jemi
edhe mesa duket, doli instinkti i nënës”, shprehet Gregu.
Ekspozita “Ex Nihilo” do të vijojë pranë galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura, deri më 15 mars. / Konica.al / KultPlus.com
Sot është një ditë e veçantë për familjen Lipa. Kjo pasi Dukagjini feston ditëlindjen e tij të 51-të dhe nuk kanë pasur se si të mungojnë urimet e shumta për të, sidomos ai i vajzës së tij Duas e cila ka zgjedhur fjalët më të mira për ta uruar edhe publikisht.
Këtë e bëri me publikimin e disa fotografive të shkëputura nga arkiva.
“Një tjetër xhiro rreth diellit. Gëzuar ditëlindjen sirena ime e preferuar. Të duam shumë. Faleminderit për gjithë dashurinë, mbështetjen, udhëzimet që ti na jep neve çdo ditë. Jemi shumë me fat”, ka shkruar Dua pranë postimit.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Prishtinës, ku është takuar me kryetarin Shpend Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar për projektet e përbashkëta të MKRS-së dhe Komunës, qofshin ato të investimeve kapitale dhe atyre që janë aktivitete konkrete, si ngjarjet kulturore, rinore e sportive.
Në këtë takim të parë, Ministrja Dumoshi, u shpreh se bashkë me kryetarin Ahmeti kanë folur për bashkërendimin e veprimeve që të konkretizohen e finalizohen projektet kapitale që do të realizohen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, si Teatrin e Operës dhe Baletit, Muzeun Bashkëkohor, për projektet për Stadiumin e Qytetit, Qendrën e Tenisit, e shumë projekte të tjera që janë në interes dhe në dobi të qytetarëve.
“Biseduam me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për ndërlidhjen dhe bashkëveprimin në projekte të ndryshme. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në buxhetin e vet ka edhe projekte kapitale të cilat i takojnë dhe do të vendosen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Biseduam edhe për Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe për projekte tjera” u shpreh ministrja.
Ndërsa, kryetari Ahmeti, tha se ky takim i parë me ministren Dumoshi, nuk do të jetë i vetmi, ngase do të përkundër diskutimit të sotëm për tema të përbashkëta, do të ketë edhe takime tjera për konkretizimin dhe dakordësimin e këtyre temave. Kryetari Ahmeti u shpreh se është fatmirësi për Prishtinën, sepse ministrja Dumoshi e njeh për së afërmi situatën dhe nevojat që ka kryeqyteti për përkrahje, pasi ka qenë drejtoreshë e kulturës, rinisë dhe sportit në komunën tonë.
Në takim u diskutua edhe për ngjarjet kulturore e sportive që janë në plan të organizohen sivjet në kryeqytet dhe u shikua mundësia e përkrahjes dhe pjesëmarrjes së përbashkët në këto ngjarje, të cilat e pasurojnë jetën kulturore e sportive. / KultPlus.com
Një fustan me ngjyrë të kuqe dhe njëmbëdhjetë piktura të tjera ishin vendosur mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ato ishin puna e piktores Argenita Fetahu e cila mbrëmë hapi ekspozitën e titulluar “Përtej”, shkruan KultPlus.com
Veprat e
saj, të cilat lejojnë imagjinatën të shkojnë përtej asaj çfarë shihej, lejonin interpretime
subjektive, por jo edhe ‘fustani’ i kuq, i nënës së saj, i cili ishte vendosur
aty për ta pasqyruar progresin e mbetjen në të kaluarën dhe ndryshimet në kohë.
Piktorja e
njohur, Zake Prelvukaj, në një fjalë rasti e ka quajtur ‘prestigjioze’ ekspozitën
e mbrëmshme.
“Është një ekspozitë vërtetë prestigjioze, ku kanë ardhur artistë shumë të mirë.
Edhe ky fustan shpresoj që ka me ecë dhe ka me shku shumë larg.”
Tutje Prelvukaj ka treguar për atë se çfarë përfaqëson fustani në atë ekspozitë.
“Ky fustan është Kosova vet, kjo ngjyrë e kuqe jemi ne, besoni që pas njëzet viteve ndoshta dikush do ta studioi këtë.”
Protagonistja e mbrëmjes, Argenita Fetahu, në një intervistë për KultPlus, ka folur përgjithësisht për ekspozitën.
“Kam gjithsej 11 piktura dhe kam ardhur me ekspozitën “Përtej” sepse kam dashur që njerëzit të shohin përtej tyre. Në mesin e pikturave është edhe një fustan i varur, fustani është i nënës time e cila e ka trashëguar nga nëna e saj, ndërsa sot unë po e barti në kohë.”
Fetahu ka
folur edhe për arsyen se përse ka zgjedhur ta prezantojë edhe fustanin e nënës
në këtë ekspozitë.
“Në jetë
shpesh na ndodhin sfida të cilat i përballojmë dhe nga të cilat e marrim fuqinë
për të vazhduar tutje. Fustanin e kam bërë pjesë të ekspozitës sepse nëna është
ajo që gjithmonë më ka dhënë mbështetjen
dhe përkrahje.”
Fetahu,
shpreson që me të njëjtën ekspozitë të paraqitet edhe në vendet tjera përreth.
“Po shpresoj që këtë ekspozitë ta barti edhe në vende të tjera, pse jo edhe në Shqipëri,
Kroaci apo edhe më larg.”
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 27 mars në Galerinë e Ministrisë së Kulturës / KultPlus.com
Së fundi në Galerinë e Fakultetit të Arteve është hapur ekspozita ‘Quo Vadis’ e artistes Adriana Marku Sejdaj, ekspozitë kjo e cila tenton të hedh dritë mbi abuzimet seksuale dhe mbi mendësine patriarkate që dominon në shoqërinë kosovare, shkruan KultPlus.
‘Quo Vadis’ përmban gjithsej 21 piktura, dy instalacione dhe një skulpturë, në të cilat artistja ka shfaqur kryesisht organin femëror, i cili shpaloset si një formë revolte e proteste kundër abuzuesëve dhe mendësisë që dominon në vendet dhe shoqëritë primitive.
‘Duke parë realitetin në shumë vende të botës, poashtu edhe në vendin tim, dukuria e abuzimeve seksuale, mos respektimi i femrës si një qenie e rëndësishme për një shoqëri të shëndoshë, nuk e ka kursyer as atë! Duke dashur ta prekë, këtë fenomen, pra abuzimin, por edhe të shfaq kundërshtinë time si artiste, zgjodha pikërisht organin femërorë si semiologji’, deklaroi Marku Sejdaj për KultPlus.
Adriana Marku Sejdaj ndër të tjera për KultPlus ka treguar se artistin e konsideron si një kategori të ndjeshme, i cili në shoqëri pa marrë parasysh se sa e zhvilluar është ajo, nuk mund të rrijë indiferent kundrejt dukurive negative shoqërore.
Duke konsideruar gruan, dashurinë dhe jetën si një trinomi që e fisnikëron shoqërinë, artistja konsideron se abuzimi me gruan përbënë vrasjen e shoqërisë.
‘Pra, pikërisht edhe protestoj për shenjtërinë e saj dhe abuzimit që i bëhet, duke e dhunuar, fatkeqësisht shpesh e në emër të dashurisë’, tregoi tutje ajo për KultPlus
‘Jeta është me dashtë, pa dhunë, pa abuzim, pa kushtëzim. Jeta është lule, bimë, e saj është vagina, që falë frymë e zgjim’, shprehet artistja.
‘Quo Vadis’ pritet të qëndrojë e hapur deri më 15.03.2020, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com
E kishte kuptuar drejt, ishte dhe do të mbetej vetem një kartë bixhozi në dorën e pronarit. Skllav dhe asgjë më shumë.
…
Filmi është vetëm një faqe
e vogël e së vërtetës së François Vatel. Filmi po me titull: Vatel. Ai kishte
qenë një personazh real, kryekuzhinier, i cili në prillin 1671 do t’u dilte zot 2000 mysafirëve të
ftuar në kështjellën Chantilly. Në
rolin e kryekuzhinierit
në kështjellën e princit burbon Condé, ai do të bënte mrekulli kulinare.
Kur Louis XIV po qëndronte
në atë gazmend në Chantilly, Vatel duke qenë në një rol shumë delikat, duke
ndjekur edhe parimin e kahershëm prej shërbëtori të përkushtuar, bëri gjithë
çfarë mund të bënte për të mrekulluar një mbret nga më të njohurit e gjithë
historisë së Francës.
Pas tri ditë të pritjes së
mrekullueshme që iu bë mbretit dhe korit të tij, duke përgatitur hajet më të
jashtëzakonshme dhe duke organizuar spektaklet që nuk ishin provuar deri
atëherë në Francë, por gjithnjë nga pozita e shërbëtorit, Vatel përfundon i
vetmuar dhe i ngrysur në dhomën e tij. Thënë më shkurt: I dërrmuar dhe i
pashpresë.
Peshku nuk po vinte për
drekën e fundit.
Kur ai ishte në orën më të
madhe të shkëlqimit, duke kaluar edhe një dashuri të madhe dhe të ndaluar me një
zonjë nga ekspedita e Mbretit, ata që duhej të sillnin peshkun, nuk po dukeshin
askund. Si do t’u dilte përpara duarthatë Princit dhe Mbretit? Vatel nuk e humbë
ekuilibrin duke mos shkelur kufirin e rëndë ndërmjet Pronarit dhe Skllavit.
Tashmë edhe dashuria mahnitëse
treditore e kryekuzhinierit me zonjë të oborrit mbretëror, nuk kishte si të
ecte ndryshe, pos përmes një përfundimi të vështirë.
Vatel nga minuti në minut
po i komplikohej puna pasi pikërisht në
drekën e fundit solemne, për Mbretin, furnizuesit nuk po sillnin peshqit, gaforret
dhe guacat, gjithë çfarë do t’i mundësonte atij të bënte edhe një drekë të
mrekullueshme dhe lamtumirëse për
mysafirin më të lartë.
Duke mos përballuar
përgjegjësinë e skllavit, po edhe për shkak të dashurisë së pamundshme me Anne
de Montausier, ky një kuzhinier dhe ajo një oborrëtare, dy pika të patakueshme
statusesh sociale dhe, dështimit në orën më të rëndësishme të jetës së tij, ai s’hamendet
të tërheq derën dhe të kyçet për t’ mos dalur nga aty.
Trokitja në derë nuk ia
ndryshon mednjen. Trokitja sillte dy lajme: i vinte dekreti i Mbretit Luis XIV
se ai do të merrte postin e kryekuzhinierit në oborrin mbretëror. Ai do të bëhej
shërbëtor i mbretit pasi në lojë letrash Princi Condé, e kishte humbur bastin.
Basti kishte qene, nëse fiton Mbreti, atëherë
duhej dhënë kryekuzhinieri. Mbreti e priste nisjen në udhëtimin e tij, që
kishte vendosur ta bënte, pa e ngrënë drekën.
Lajmi tjetër që do t’i
njoftohej: Arriti, peshku!
Lajmet nuk kishin vlerë pasi Vatel tashmë si një pronë e humbur kënaqësie në bixhoz, nuk do të përballonte jetën edhe mëtej të një skllav besnik, deri kur Mbreti do ta humbte dikund po në lojë letrash sikur edhe e fitoi. E kishte kuptuar drejt, në jetën e tij, ishte dhe do të mbetej vetem një kartë bixhozi në dorën e pronarit, skllav dhe asgjë më shumë./KultPlus.com
Në 22-vjetori e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të veçantë.
Por ministrat e komunitetit serbë nuk i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj seance.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Ivan Millojeviq, nuk janë duke marrë pjesë në kujtimin e Epopesë së UÇK-së.
Po ashtu, as deputetët serbë nuk janë parë në këtë seancë.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes së tij është pikë kthese në historinë e Kosovës.
“Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë”, tha Kurti.
Ai më tej tha se pa luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK.
Kurti tha se për Jasharët flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, dhe se me Jasharët çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre.
Ndërkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se sot po përkujtohet vepra heroike e komandantit legjendar Adem Jashari si dhe sakrifica sublime e familjes Jashari dhe ndikimi që pati ajo, që bota të shihte se një popull i tërë ishte në rrezik nga agresioni serb.
Ajo tha se komandat Adem Jashari edhe atëherë kur iu rreziku familja e jeta e tij, asnjëherë të vetme nuk e mendonte dorëzimin, kjo madje nuk ndodhi as edhe me 5 mars të vitit 1998 ku për më shumë se 30 orë familja Jashari po përballej me sulmet e vazhdueshme të policisë e ushtrisë serbe.
“Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familje ja shpalosi pamjet e regjimit totalitar serb. Pamjet e fëmijëve, të grave dhe pleqve u shndërruar shpejt në thirrje globale për mbrojtjen e vlerave humane. Ngjarjet e 5-6-7 marsit i dhanë vulën solidaritet mes njerëzve”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit tha se kjo seancë dhe ky tubim duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar familjen Jashari, por edhe për të ripërtëritur kujtesën tonë.
“Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por për ta ripërtëri kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm të sakrifikonte, secili ishte Blerina e vogël, secili ishte zëri kumbues i 18 grave, i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre pa iu nisur mirë. Sakrifica e tyre i dha udhë ëndrrës tonë të madhe, për liri të vendit”, tha ajo.
Osmani përmendi një nga një të gjithë anëtarët e familjes Jashari, duke thënë se ata nuk janë thjesht një numër secili është histori në vete.
“Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës. Ata janë dëshmi se sa e shtrenjtë është jeta dhe se sa ishte çmimi për liri. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë sonë të përbashkët”, theksoi Osmani. / KultPlus.com
Sot janë bërë 22 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz.
Në një video të mëposhtme nga televizioni gjerman ZDF, shihet momenti kur familja Jashari ishte sulmuar nga forcat kriminale serbe dhe gati se e tërë familja kishte mbetur e vdekur.
Alban Bujari në një dokumentarë të ZDF, gjatë varrimit të familjes Jashari në Prekaz, në mars 1998
Kujdes, pamjet janë shqetësuese.//gazetametro.net / KultPlus.com
Rrejnë kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pijnë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Madje rrejnë edhe kur rrejnë. Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk rrejnë as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh. Rrejnë pa u menduar.
Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejnë kot. Rrejnë me instinkt. Rrejnë pa e ditur pse rrejnë. Rrejnë sepse u duket se duhet të rrejnë. Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Duke rrejtur hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.
Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk rrejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrena e këtij mileti është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta helmojë. Rrejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejnë pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.
Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat, kongreset gjithashtu rrejnë, mbledhjet rrejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse rrejnë dhe rrehen. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejnë spiunat. Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë.
Rrejnë opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot kurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.
E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga të tjera rrena. Njerëz që rrejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të punojnë, nuk mund të përparojnë. / KultPlus.com
Me rastin e vitit jubilar, 22 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin më datat 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimi gjithë-popullor ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.
Ndërsa, përmes një njoftimi MASHT ka thëne se me datë 5, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.
“Bazuar në programin e Qeverisë së Kosovës për shënimin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, MAShTI kërkon nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës që, nesër (e enjte), 5 mars 2020, ora e parë e mësimit t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e MASHT-it. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar familjen Jashari në 22-vjetorin e rënies së tyre.
Osmani ka thënë se kujtimi për familjen Jashari do të jetë i përhershëm.
“Në kujtim të përhershëm për të gjithë anëtarët e familjes Jashari që ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit ka thënë se sakrifica e tyre është dritë udhërrëfyese për brezin tonë dhe brezat që vijnë pas nesh.
Në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori. / KultPlus.com
Kuzhinieri i famshëm Bledar Kola, i cili ka bërë emër me restaurantin e tij “Mullixhiu” në Tiranë do të kthehet në kohërat e vjetra, shkruan KultPlus.
Ai, më 23
mars do të ndalë energjinë në këtë restaurant dhe do të ndezë zjarrin për të
gatuar si në kohërat e vjetra.
Por Bledar Kola këtë iniciativë nuk do ta bëjë vetë, por do ti bashkohet iniciativës ndërkombëtare “Blackout Dinner”, ku do të fusë Tiranën në mesin e shteteve si: Kopenhagë, Berlinit, Vjenës, Zyrihut, Helsinkit dhe Stambollit, të cilët poashtu do ta bëjnë këtë kuzhinë me zjarr.
Në restaurantin “Mullixhiu” në këtë formë do të gatuhet më 23 mars, prej orës 18:00 deri në ora 24:00 dhe Bledar Kolës do ti bashkohet edhe Fejsal Demiraj nga restorant NOMA. /KultPlus.com
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua sjell këngën “Moj bjondinë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com
A është filmi “1917”, i bazuar mbi një histori të vërtetë? Po edhe jo. Filmi dramatik me ngjarje nga Lufta e Parë Botërore, me skenar dhe regji të Sem Mendes, tregon historinë e dy ushtarëve të rinj britanikë të cilët urdhërohen nga komanda të kalojnë në “tokën e askujt” (hapësirën mes 2 llogoreve armike), që të parandalojnë një sulm të planifikuar britanik, i cili kishte të ngjarë të sillte vdekjen e qindra ushtarëve.
Këta dy ushtarë nuk kanë ekzistuar vërtet, madje asnjë nga ata për të cilët flitet në film. Por ndërsa personazhet në film janë imagjinarë, ngjarjet e vitit 1917 u bazuan mbi një tërheqje të vërtetë strategjike që ndodhi në fakt nga ushtria gjermane, koduar me emrin “Operacioni Alberich”.
Ideja për filmin “1917, regjizorit të njohur i erdhi nga gjyshi i tij, Alfred Mendes, që ishte një lajmëtar për britanikët në Frontin Perëndimor. Mendes dëshironte të nderonte kujtimin e gjyshit e të tij, por edhe të gjithë trupave që luftuan në Luftën e Parë Botërore.
“Unë kisha një histori familjare, që ishte një fragment i treguar nga gjyshi im. Është historia e një korrieri që ka një mesazh për ta dërguar diku. Ajo histori më intrigoi shumë që kur isha fëmijë. Padyshim, unë e kam zgjeruar dhe ndryshuar shumë atë. Gjithsesi, ajo e ka ende thelbin e saj”- deklaroi Mendes në një intervistë për “Time”.
Mendes dëshironte që filmi të bazohej mbi ngjarjet e vërteta të Luftës së Parë Botërore, dhe të ishte sa më i saktë në aspektin historik. Kur ishte duke hulumtuar mbi skenarin e filmit, Mendes gjeti një ambient perfekt:Operacionin Alberich. Deri në vitin 1917, Fronti Perëndimor ishte shndërruar në një luftë të egër llogoresh, dhe forcat gjermane mezi po rezistonin.
Ato kishin kaluar nga ofensiva në mbrojtje, përballë presionit të pamëshirshëm nga trupat britanike dhe franceze, me Betejën e Verdunit dhe Betejën e Somës, që dobësuan shumë gjermanët. Erik Ludendorf, që ishte bërë kohët e fundit një nga figurat kryesore të rezistencës gjermane, bëri në fundin e vitit 1916 një panoramë të zymtë të shanseve të Gjermanisë për fitoren e luftës.
Në atë kohë, Ludendorf shkruante:”Gjermania duhet të mos harrojë se epërsia e madhe e armikut në njerëz dhe materiale, do të ndjehej edhe më dhimbshëm në vitin 1917. Nëse lufta do të zgjaste, humbja jonë dukej e pashmangshme. Ekonomikisht, jemi në një pozitë shumë të pafavorshme për një luftë të gjatë.
Duke e ditur se gjermanët kishin nevojë për një strategji të re, që të shmangnin humbjen e luftës, Ludendorf prezantoi Operacionin Alberich. Bëhej fjalë për një tërheqje të guximshme dhe strategjike, që do t’i lejonte trupat gjermane të riorganizoheshin, dhe të krijonin një linjë mbrojtëse më të shkurtër dhe më të fortifikuar, të quajtur “Linja Hindenberg”. Dhe kjo, në një kohë kur forcat aleate do të supozonin se armiku i tyre po braktiste betejën.
Në këtë mënyrë, trupat britanike do të binin pa vetëdije në një kurth, nga pozicioni i fortifikuar i krijuar nga Alberich. Tërheqja nisi zyrtarisht më 9 shkurt dhe përfundoi më 20 mars, duke e shkurtuar me 40 km frontin gjerman, dhe duke u dhënë mundësi ta mbronin atë me më pak se 14 divizione.
Por tërheqja ishte vetëm një pjesë e Operacionit Alberich. Që të siguroheshin që trupat britanike të mos kishin qasje në burimet e lëna pas, gjermanët përdorën politikën e “tokës së djegur”. Pra shkatërrimin e çdo gjëje që mund të rezultonte e dobishme për forcat aleate, përfshirë qytetet, rrugët dhe urat.
Ndërkohë, gjermanët minuan shumë zona, që britanikët të vonoheshin sa më shumë në pushtimin e zonës së braktisur tashmë nga forcat gjermane. Operacioni Alberich u zbatua me sukses. Gjermanët ia dolën të zhvendosnin vijën e tyre mbrojtëse, ndërsa britanikët besuan se armiku i tyre ishte në një tërheqje të plotë.
Pra, britanikët do të supozonin se po sulmonin një linjë mbrojëse gjermane të dobësuar, por në fakt do të zbulonin se ajo ishte e riorganizuar dhe plotësisht gati për të ndërmarrë një kundërsulm. Ky është konteksti mbi të cilin fillon filmi “1917”, kur 2 ushtarët dërgohen në një mision për të paralajmëruar trupat britanike, para se të bien në kurthuin e Linjës mbrojtëse Hindenburg të sapokrijuar.
Meqë britanikët besuan fillimisht se gjermanët po tërhiqeshin të dëshpëruar, ata supozuan se një sulm kundër tyre në atë moment, do t’i jepte një avantazh të mëtejshëm në luftë, dhe potencialisht do të çonte në një fund të shpejtë të konfliktit. Përkundrazi, ata zbuluan se gjermanët kishin krijuar një linjë të re mbrojtëse prej 128 km, e cila ishte shumë më e fortë sesa sistemi i tyre i mëparshëm mbrojtës.
Edhe pse ishte më e shkurtër, Linja Hindenburg u dha forcave gjermane disa avantazhe strategjike të mëdha, përfshirë një terren më të lartë, ç`ka ua vështirësonte trupave britanike përparimin gjatë sulmeve. Kjo vonoi ndjeshëm planet britanike në pranverën e atij viti, pasi strategjia e tyre sulmuese u ngadalësua.
Në filmin “1917”, nën/kaporali Uilliam Shofilld, arriti të njoftojë në kohë kolonelin Mekenzi që të anulonte sulmin britanik, që ishte në nisje e sipër. Në realitet, aleatët u kapën më së shumti në befasi dhe Linja e Hindenbergut e ndali vrullin e tyre. Për pasojë, rifilloi lufta e egër e llogoreve, duke zhdukur për momentin çdo shpresë për fundin e shpejtë të luftës.
Gjithsesi, Operacioni Alberich, vërtetoi se mund të ndalte vetëm përkohësisht të pashmangshmen. Forcat aleate arritën ta çanin atë më 29 shtator 1918, falë një bombardimi masiv që zgjati mbi 50 orë, përdorimit të batalioneve të tankeve, dhe një numri të madh ushtarësh amerikanë. Në atë kohë, Linja Hindenberg ishte linja e fundit mbrojtëse për gjermanët, ndaj shkatërrimi i saj e rrënoi moralin e ushtrisë gjermane.
Më 11 nëntor 1918, një armëpushim i dha fund Luftës së Parë Botërore. Mund të mos jetë e drejtë të kritikohet një komb në luftë, pse bën gjithçka që mundet për ta fituar atë. Por po të mos ishte për suksesin e Operacionit Alberich, ndoshta lufta do të kishte përfunduar shumë më shpejt, dhe mijëra burra nuk do të kishin vdekur. /Bota.al /KultPlus.com
Grupi britanik i muzikës rock, “Genesis” njoftoi se planifikon të ribashkohet për herë të parë pas 13 viteve për turneun e “The Last Domino?”, që këtë vit do të zhvillohet në tetë qytete.
“Genesis”, i kryesuar nga këngëtari Phil Collins, tha se planifikon ta hapë turneun në Dublin, para se të vazhdojë më pas me koncertet në Londër, Manchester, Glasgow dhe qytete të tjera britanike, në nëntor dhe dhjetor.
Tony Banks dhe kitaristi Mike Rutherford do të marrin pjesë në turne, por anëtari themelues, Peter Gabriel, i cili u largua nga grupi në 1975 dhe ish-kitaristi, Steve Hackett, nuk do të jenë të pranishëm.
“Collins nuk është më mjaftueshëm i aftë për të performuar në bateri dhe do të zëvendësohet nga djali i tij 18-vjeçar, Nicholas”, bëri të ditur treshja.
Grupi muzikor e nisi karrierën në vitet 1970.
Ndër këngët e tyre më të njohura janë “Land of Confusion” (Toka e Pështjellimit), “I can’t dance” (Nuk mund të kërcej) dhe “Invisible Touch” (Një prekje e padukshme). /KultPlus.com