Grupi ‘3 Doors Down’ do ta lansojë këngën e parë në pesë vjetët e fundit

Grupi i njohur i muzikës rok, “3 Doors Down”, ka bërë të ditur se së shpejti do ta lansojnë këngën e tyre të parë pas një pauze pothuajse pesë vjeçare.

Me titull “Wicked Man”, kënga e re e cila pritet të publikohet në fund të këtij muaji, e shënon projektin e parë muzikor të bendit nga Mississippi, prej lansimit të albumit të tyre të gjashtë të incizuar në studio, “Us And The Night”, i cili ishte publikuar në mars të vitit 2016, transmeton KultPlus.

Duke diskutuar për këngën e re në një intervistë të fundit në radio, vokalisti i bendit Brad Arnold tha se me ta shkruar tekstin e këngës, ai ka dashur ta incizojë dhe lansojë atë sa më shpejtë që është e mundur.

“Teksti i këngës është i thjeshtë dhe nuk qe i vështirë për t’u shkruar. Por ai ka kuptim të plotë për mua. Fjalët e këngës shkonin shumë mirë me melodinë e kitarës të cilën e kishte krijuar Gregu, dhe me ta dëgjuar atë vendosa të shkonim në studio për ta incizuar këngën. Ne e kemi një studio të vogël dhe të thjeshtë ku i incizojmë këngët tona. Nuk ke nevojë të kesh studio të madhe për të bërë muzikë. Pra, qëllimi ynë kryesorë ishte që ta lansonim këtë projekt sa më shpejtë që ishte e mundur.”

E përbërë nga melodia e kitarës dhe violonçelës, si dhe vokalet e Arnoldit, kënga e re e rok grupit amerikan vjen e thjeshtë dhe besohet se shumë njerëz do të mund të lidhen me të.

Në vitin 2017, bendi “3 Doors Down” ishte kritikuar ashpër për faktin se kanë pranuar të performojnë në ceremoninë inauguruese të Donald Trumpit si president i SHBA-ave.

Menaxheri i tyre i kishte dalë në mbrojtje anëtarëve të grupit duke thënë se ata janë njerëz shumë të mirë dhe të dashur të cilët vijnë nga familje konservative, dhe nuk është drejtë që muzikantët me një karrierë prej 16 vjetësh të kritikohen për faktin se kanë besime të ndryshme politike. / KultPlus.com

Banksy dhuron piktura për të mbledhur fonde për një spital në Betlehem

Banksy ka dhuruar një seri pikturash në një ankand të radhës bamirësie që do të mbledhë para për një spital në Betlehem, Palestinë.

Piktura trepjesëshe, e titulluar “Mediterranean sea view 2017”, vlerësohet se do të shitet midis 800,000 deri 1.2 milion funte, raporton “DazedDigital”, transmeton KultPlus.

E punuar në vitin 2017, vepra me pamje nga deti Mesdhe 2017 paraqet jelekët dhe gomat e shpëtimit në një peizazh të stilit të shekullit XIX duke krijuar skena të errëta, ironike që komentojnë krizën e refugjatëve.

Vepra e artit u krijua fillimisht për hotelin “Walled Off” të Banksyt në Bregun Perëndimor – i njohur si hoteli me “pamjen më të keqe në botë” – ku ka qenë e shfaqur për tri vitet e fundit, së bashku me disa prej veprave të tjera artistike politike të Banksyt, të shoqëruara me muzikën e “Massive Attack”.

Të gjitha të ardhurat nga pikturat e vajit, kur të dalin në ankand në “Sotheby’s” më 28 korrik, do të shkojnë drejt ndërtimit të një njësie të re, një ndërtese të re dhe për blerjen e pajisjeve për rehabilitimin e fëmijëve për BASR (Bethlehem Arab Society for Rehabilitation).

Në muajt e fundit, Banksy ka dhuruar gjithashtu një pikturë në një spital në Southampton, duke i bërë homazhe personelit mjekësor në mes pandemisë me koronavirusin. / KultPlus.com

Jakup Ferri me ekspozitë individuale në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën individuale të artistit Jakup Ferri, shkruan KultPlus.

Në kuadër të kësaj ekspozite do të shpaloset për publikun puna 15 vjeçare e artistit me pikturat, vizatimet dhe tapiceritë.

Ekspozita individuale do të hapet për vizitorë më datë 1 Gusht në ora 11:00.

Ekspozita nuk do të ketë ceremoni të hapjes por që nga data 1 deri më 30 Gusht do të jetë e hapur për të gjithë ju.

Artisti është shprehur se për këtë ekspozitë janë sjell 100 punime nga Holanda.

“Ka qenë shumë e vështirë̈ që t’i sjellim 100 punime nga Holanda, falënderoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Komunën e Prishtinës të cilët ndihmuan shumë rreth gjithë këtij organizimi”, ka shkruar artisti.

GKK ka bërë lutje për mysafirët që të respektojnë masat e rekomanduara nga Instituti IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19.

Jakup Ferri i lindur në vitin 1981, në Prishtinë, Kosovë, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe Rijksakademy në Amsterdam.

Në vitin 2008, Jakup Ferri mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, ndër të tjera: U-TURN Quadrennial for Contemporary Art Copenhagen, Istanbul Biennal dhe De Hallen në Haarlem. / KultPlus.com

Gastronomët “dorëzojnë” çelësat në shenjë proteste

Pronarë të lokaleve të gastronomisë nga e gjithë Kosova janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të vazhduar tutje drejt Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e protestës ndaj vendimit të Qeverisë që nuk i lejon të punojnë pas orës 21.00.

Gastronomët në shenjë simbolike kanë filluar t’i dorëzojnë çelësat e lokaleve para Qeverisë.

Ata vazhdimisht po bëjnë thirrje se janë në prag të falimentimit dhe se po punojnë me vetëm 20 për qind të kapaciteteve. / KultPlus.com

Sot mbetëm pa një “shërbëtore” më pak!

Gruaja lehonë në Kamenicë qenka vrarë nga burri me shufër metalike. I paska lënë tre (3) fëmijë, të madhin pesë (5) vjeç e të voglin një (1) muajsh!

Kësaj gruaje iu shkel e drejta për jetë!

Pse?!

Ligjet ekzistuese nuk janë mjaftueshëm të ashpra ndaj ushtruesit të dhunës;

Shteti nuk ka mjete monetare për të mbështetur e strehuar viktimën e dhunës;

Raportimet e dhunës nga gruaja nuk merren seriozisht nga organet gjegjëse;

Kjo grua nuk ishte e shkolluar, e punësuar dhe e pavarur ekonomikisht;

Kjo grua ishte e varfër ngase ajo nuk trashëgoi asgjë nga pasuria e të afërmëve;

Kjo grua nuk e gëzoi përkrahjen e kujtdo për t’i shpëtuar vatrës së dhunës;

Kjo grua u inkurajua të durojë dhunën për të ruajtur familjen;

Kjo grua u mësua se duhet t’i shërbejë të tjerët deri në vetëmohim;

Kjo grua u rrit me qëndrimin se “suksesi i saj qëndron në suksesin e të tjerëve”;

Mendimi i kësaj gruaje nuk pati vlerë e as ndikim kur u morën vendimet familjare;

Kjo grua ishte e pafuqishme përballë nesh;

Kjo grua është vetëm ‘numër’;

Kjo grua s’ka emër!

Përveç dhimbjes e mllefit, vallë, a nuk na vie marre?!

Numrat e grave të mbytura nga burrat po rriten.

Por, shtrohet pyetja: edhe sa gra të tjera duhet të vdesin që NE të aktivizohemi?!

Eh tash po e vazhdojmë debatin për xhami.

Nga: Nora Huseinovic Veliu, avokate. / KultPlus.com

Rita Ora i bashkohet sfidës ‘Gratë mbështesin gratë’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, kohëve të fundit ka shfrytëzuar rrjetet sociale për mbështetjen e kauzave të ndryshme. Ajo gjithashtu përmes imazheve të ndryshme mban të informuar fansat e saj, si dhe paralajmëron për projekte e saj të reja, shkruan KultPlus.

Në postimin e saj të fundit në rrjetin social Instagram, ajo ka pranuar sfidën ‘Women supporting Women’, e cila ka për qëllim mbështetjen e grave.

Ajo falënderon mikeshat e saj që e bënë pjesë të lojës si dhe ndan disa imazhe të sajat përmes të cilave shpalos se çfarë e bën krenare të jetë grua. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CDH-zbLjJxC/?utm_source=ig_embed&fbclid=IwAR1z_vJwvF9TxC2F5L-Exu0AEFvceKcnhHxEzwiWmT4lq4B28ePwFDPJ1E4

Qeveria kërkesë zyrtare kompanisë Apple, i kërkon t’i njohë kufijtë e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një letre i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, duke kërkuar edhe zyrtarisht nga ai, përfshirjen e Kosovës në hartën e Apple.

Siç ka bërë të ditur vetë ministrja, me një letër të tillë ajo i është drejtuar Apple më 23 korrik, ku ka kërkuar ndërmarrjen e shpejtë të hapave për të “prezantuar me korrektësi Kosovën me kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht në shërbimin e AppleMaps”.

Në letrën e saj, Haradinaj-Stublla ka përmendur faktin se pavarësia e Kosovës në kufijtë e saj është e njohur nga mbi dy të tretat e vendeve të botës, përfshirë vende si SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Gjermani, Franca, Kanadaja,… si dhe anëtarësimin në institucionet prestigjioze botërore si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe jo vetëm.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillëdhënës erdhi në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe faktin se platforma si Linkedln, Twitter, Facebook dhe Spotify kanë përditësuar platformat e tyre duke prezantuar Republikën e Kosovës si një vend të pavarur.

Ndryshe, ditë më parë këngëtarja e njohur britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, shkaktoi një varg reagimesh në rrjetet sociale, pasi, fillimisht, e ftoi kompaninë Apple nga profili i saj në Instagram që ta vendosë Kosovën në hartë, ndërsa më pas postoi në Instagram dhe Twitter një fotografi të hartës së “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Një veprim i saj madje ka nxitur reagime nga përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi.

Ndërkohë edhe këngëtarja tjetër britanike me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka kërkuar nga Apple që ta përfshijë Kosovën në hartat e saj.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë./ KultPlus.com

Dua Lipa: Jam ndjerë e frikësuar për të lansuar albumin “Future Nostalgia” gjatë pandemisë

Dua Lipa, këngëtarja shqiptare me famë botërore që gjatë muajit mars të këtij viti ka lansuar albumin “Future Nostalgia”, ka thënë se është përballur me frikën e publikimit të këtij albumi pasi që pandemia coronavirus tashmë kishte filluar të kaplonte botën, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Në një intervistë për “The Sunday Project”, 24 vjeçarja kishte treguar se ndihet e shqetësuar për suksesin e albumit.

“Isha shumë e frikësuar të publikojë këngët gjatë asaj kohe, të bëhem e sinqertë. Ka qenë mirë sepse krijova marrëdhënie të veçantë me fansat dhe dëgjuesit e ndryshëm”, është shprehur ajo përgjatë shfaqjes.

Dua Lipa gjithashtu ka shtuar se të njëjtën ndjenjë e ka pasur edhe për transmetimin e drejtpërdrejt të këngëve, të cilat i është dashur t’i bënte me patjetër.

Përballja me këtë frikë e dërgoi këngëtaren në atë që ajo e ka quajtur, ‘një lidhje edhe më personale’ me muzikën dhe me fansat e saj.

Albumi i këngëtares shqiptare, “Future Nostalgia” ka arritur që të bëhet albumi i vitit për 2020, në ‘Hyundai Mercury Prize’, ku fituesi do të shpallet gjatë muajit shtator. / KultPlus.com

Edi Rama: Lorik Cana, kingu kosovar

Sot në 37 vjetorin e lindjes së yllit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, Edi Rama e ka ururar atë përmes një statusi në Facebook, ku e quan atë edhe kingun kosovar.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Ramës.

”LORIK CANA është ndoshta i vetmi bartës i fanellës kuqezi apo të paktën i vetmi që unë njoh, që fushën e blertë të futbollit dhe fushën e historisë së shqiptarëve, i ka jetuar si dy gjysmat e së njëjtës fushë të pasionit të tij. I dhënë tërësisht pas sportit më popullor në botë, qysh në fëmijëri, falë talentit, vullnetit dhe një babai të paepur në ëndrrën për ta parë djalin në majat e lojës me top, Loriku u ngjit lart e la gjurmë në çdo skuadër ku luajti. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shpellën e ujqve francezë të Olimpikut të Marsejës dhe u bë simboli i Kombëtares së shqiponjave të mbledhura nga tërë trojet shqiptare, për ta çuar flamurin kuqezi për herë të parë në histori në Finalet e Europës.

Po çka e bën krejt të veçantë kingun kosovar, në rrugën e mundimshme drejt majave të futbollit, ku pati jo njëherë dhe taksiratin e dëmtimeve fizike që do kishin shtrirë përtokë edhe një elefant, është pasioni i tij për historinë, origjinën, gjuhën, luftrat, përpjekjet e shqiptarëve në shekuj. Nuk e di a ishte fanella kuqezi që e çoi Lorikun tek leximet mbi betejat e shqiptarëve në shekuj apo ishin leximet e betejave që e bënë atë ta përjetonte fanellën si koracë lufte për Shqipërinë në fushën e betejave sportive, por sa herë e kam takuar e folur me të për Kombëtaren, aq herë më është dukur sikur flisja me ndonjë prijës ushtarak të etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij.

Loriku u tërhoq nga fusha e blertë, kur trupi i plagosur nuk e ndiqte dot më ambicien e heroit, për të udhëhequr me forcën e shembullit beteja deri në pikën e fundit të gjakut dhe iu përkushtua krijimit e zhvillimit të një fondacioni për fëmijët.
Duke ia uruar sot ditëlindjen kapitenit të paharrueshëm të kuqezinjve, nuk e di pse kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur prijësi i hijshëm, do të zbresë përsëri në arenë për të udhëhequr kuqezinjtë e Shqipërisë a verdheblutë e Kosovës apo kushedi, pse jo, një armatë të trojeve të bashkuara në të ardhmen, në ndonjë luftë sportive të paharrueshme përsëri. Amen!” / KultPlus.com

Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit

Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.

Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.

Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.

Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë. / KultPlus.com

Mbahet koncert me muzikë baroke në ishullin e Maligradit, Inva Mula: Të promovojmë turizmin

MIK Festival i planifikuar për t’u zhvilluar për tre ditë në Korçë është shtyrë për në shtator për shkak të vendimit të qeverisë së Shqipërisë që ndalon muzikën LIVE. Por në mënyrë simbolike u organizua një koncert me pjesëmarrje të vogël në ishullin e Maligradit në Prespë.

Sopranoja Inva Mula tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike me histori e natyrë magjepse siç është Maligradi.

Në ishullin e Maligradit është mbajtur një koncert modest nga MIK Festival me pjesëmarrjen e sopranos Inva Mula. Ajo tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike.  Ky festival ishte planifikuar të mbahej për tre ditë me radhë në Korçë, por për shkak të aktit normativ të qeverisë që nuk lejon. MIK festival këtë vit ka sjellë tingujt e muzikës baroke në ishullin e Maligradit.

Tingujt e kësaj muzike u harmonizuan ne perfeksion me monumentet historike, siç është kisha e Maligradit dhe natyra e mrekullueshme e Prespës. Festivali i muzikës internacionale përkon me edicionin e tretë të tij, por për shkak të Covid-19 trokiti simbolikisht në një ditë të vetme.

Sopranoja me fame botërore Inva Mula u shpreh se MIK festival do të rikthehet shtatorin e këtij viti, ndërsa nuk la pa përmendur suksesin e koncertit të sotëm në një perlë të natyrës siç është Maligradi.

“Ishte koncerti i parë historik, nuk mbaj mend të jetë zhvilluar një koncert i muzikës baroke dhe një skenë që kalon dhe imagjinatën më të bukur të përrallave të fëmijëve. Ky realit është në vendin tonë, është në Prespë. Kur është mistik nga jashtë futesh në një romantizëm brenda. Këtu duhet të vish të paktën një herë në jetën tënde”, tha sopranoja Inva Mula.

Koncerti solli muzike të zgjedhur nga vendet ku lindi muzika baroke, ndërsa të pranishmit shijuan edhe gatimet tradicionale. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte  zhvillimi i turizmit dhe promovimi e njohja e zonës së Prespës. /shqiptarja/ KultPlus.com

Reperi Snoop Dogg dëgjon këngën e njohur shqipe ‘M’i dhe flakë mallit tim’ (VIDEO)

Para dy vitesh, kënga e njohur shqipe ‘M’i dhe flakë mallit tim’ erdhi një version më ndryshe nga Luana Vjollca dhe Bujar Qamili, shkruan KultPlus.

Kënga u dëgjua dhe u pëlqye shumë nga publiku shqipfolës, mirëpo kush do ta mendonte se kjo këngë do të dëgjohej edhe nga reperi i famshëm amerikan, Snoop Dogg.

Snoopdog ka realizuar ditën e djeshme një video live në Instagram dhe është kapur nga fansat duke dëgjuar pikërisht këtë këngë.
Një nga ndjekësit e Luanës ka arritur të kap momentin e papritur i cili është ndarë më pas në Instastory dhe nga vetë moderatorja dhe këngëtarja shqiptare. / KultPlus.com

Ky shtet do t’i evakuojë 80 mijë njerëz pas shënimit të tri rasteve me Covid-19

Autoritetet e Vietnamit do t’i evakuojnë 80 mijë njerëz, shumica turistë, nga qyteti i njohur për turistë, Danang, pasi tre banorë dolën pozitivë në testin për koronavirus gjatë fundjavës. Lajmin e bëri të ditur qeveria e këtij shteti.

Vendi i Azisë Juglindore është vënë përsëri në alarm pasi qeveria të shtunën i konfirmoi rastet e para të infeksionit që nga prilli dhe më pas tri raste të reja të dielën, të gjitha në Danang ose përreth tij, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Procesi i evakuimit do të zgjasë së paku katër ditë dhe do të bëhet përmes linjave të brendshme ajrore me rreth 100 fluturime në ditë nga qyteti Danang në 11 qytete të tjera brenda vendit, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Vietnami ka vendosur masa të rrepta të karantinës dhe ka kryer testime masive gjatë pandemisë, duke e mbajtur numrin e personave të infektuar në 420 dhe pa regjistruar asnjë viktimë.

Ky shtet ende nuk i ka hapur dyert për turistët e huaj, por është shtuar numri i udhëtarëve vendës për shkak të rënies së çmimit të fluturimeve dhe pakove për pushime që janë ofruar nga hotelet./ KultPlus.com

‘Është e vështirë të jesh grua: Duhet të mendosh si një burrë, të sillesh si zonjë dhe të punosh si kalë’

Disa nga thëniet më frymëzuese për gratë.

-Asgjë nuk e bën një femër më të bukur, se sa besimi i saj në vete se është e bukur.

-Është e vështirë të jesh femër. Ti duhet të mendosh si një burrë, të sillesh si zonjë, të dukesh si vajzë dhe të punosh si kalë.

-Një femër me vlera është si arti. Mund të mos jetë e bukur, por të bën të ndihesh bukur në praninë e saj.

-Një femër e suksesshme është ajo që mund të ngrejë kështjella të larta nga gjithë gurët që hedhin drejt saj.

-Një femër duhet të mendojë si një mbretëreshë. Një mbretëreshë nuk i trembet humbjes, pasi humbja për të është si një shtysë drejt madhështisë së mëvonshme.

-Mos u bëj një femër që ka nevojë për të pasur pranë një mashkull. Bëhu një femër, për të cilën një mashkull ka nevojë ta ketë pranë.

-Një femër e fortë dashuron, fal, largohet, përpiqet dhe arrin, pavarësisht me sa pengesa e vë jeta në provë.

-Femra, jini të buta. Mos e lejoni botën t’ju ashpërsojë. Mos e lini dhimbjen t’ju bëjë të urreni të tjerët. Mos e lejoni ligësinë e të tjerëve t’ju vjedhë ëmbëlsinë tuaj.

-Ji një vajzë me mendje inteligjente, një grua me karakter të fortë, dhe një zonjë me klas.

-Ka tri gjëra shumë të rëndësishme në jetën e një femre: ushqimi, uji dhe komplimentet. / KultPlus.com

E tmerrshme: Serbët e kishin detyruar shqiptarin ta dhunonte motrën gjatë luftës

Veteranja e UÇK’së, Shkëndije Hoda, ka treguar njërin prej rasteve më të rënda të përdhunimeve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Mbi 20 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ndërsa drejtësia ende nuk është vënë në vend.

“E kemi një rast që nuk po mundemi me bindë familjen. Pos që e kanë dhunuar një grua. Forcat serbe e kanë detyruar edhe vëllanë që të kryejë përdhunim mbi motrën. Ata ende nuk guxojnë të shohin njëri-tjetrin”, ka thënë ajo në Dukagjini.

Këtu e keni rrëfimin e plotë:

Filozofia çlirimtare në romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit

Nga: Rexhep Ahmeti

Se romani “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, është specifik, shumë origjinal, i pjekur, roman metaforë (sipas strukturës estetike) shprehë edhe fakti se brenda tekstit të kësaj vepre madhore nuk kemi asnjë shenjë të jashtme (përmendje, emërtim) të kohës së Rankoviqit, kur u shkrua ky roman. Një kontekst jashtë tekstit romanor është fakti i botimit të këtij romani më 1958, në numrat 1 dhe 2 të Jetës së re, mu në kohën më të rëndë të pasluftës së dytë botërore për shqiptarët që jetoni në trojet e veta në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Por edhe pse është kështu, romani ka bërë një pasqyrim të brendshëm artistik, psikologjik e filozofik të kohës në të cilën u shkrua.

Të hyjmë paksa në atmosferën e kohës, përmes metaforës së vet këtij romani: [i]“Jo-atyre që janë trima të ngrejnë gishti e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit…. ” [1][/i]
Ky mendim bosht i romanit, kjo filozofemë estetike apo ide hyrëse, udhëheqëse e romanit, që në këtë vepër më së shumti i shkon, personazhit të Mustafës, i cili i ngjan vet autorit Adem Demaçit, të shpie më tutje, të parashikosh se në roman do të flitet për një kohë kur ka pasur “trima” të krimit, që në këtë vepër mohohen e luftohen artistikisht, dhe “burra që shtrijnë dorën e pajtimit”, që, natyrisht, se në roman vlerësohen si pjesë e zgjidhjes, apo si thurje e gardhit të së mirës së përgjithshme, ose si kundërvënie ndaj “ortekut të gjakut” (figurë artistike, ndër më qendroret e romanit) të asaj kohe të çmendur, për mohimin e së cilës, në roman, instalohet ideja çlirimtare që ata që janë “trima të ngrenë gishtin e krimit”, të ndryshojnë shpirtërisht, të dalin nga “gërzholja e vet” (figurë letrare ndër qendrore e romanit); ndërsa ata që janë burra të drejtohen e të orientojnë edhe të tjerët kundër, kryekrimit, pushtuesit të vendit, që në roman shënjohet alegorikisht me Turqinë, po lexuesi e ka kuptuar dhe e kupton-Serbinë okupatore, si pjesa kryesore të zinxhirit të RSFJ-së për Kosovën.
Që në faqen e parë të romanit shprehet atmosfera e një kohe të rëndë, me vapë tharëse, edhe pse është “fillimi i korrikut”, ku shqiptarët në ish-Jugosllavi e kishin merituar të korrnin rezultatet e pasluftës së dytë botërore, edhe në shtetin e AVNOJ-it, pasi, edhe atëherë kishin qenë faktorë çlirues kundër fashizmit. Autori vazhdon të na jep përshkrimi artistik të kohës:
[i]”Fillim i korrikut. Dielli derdh nxehtësinë duke përcëlluar çdo gjë nën vete. Bucina buzë Përroit të Thatë, në Koliq, është bërë pothuajse tokëllinë, e rrjepcuar nga bari, duket si lëkura e lopës së zgjebosur….fijet e rralluara të barit kanë humbur çehren e blertë. Të verenikura, të zverdhura, i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë, e cila, edhe vetë skamnore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura. Këto fije, që përkunden kalamendshëm nën puhinë e plogët të paradites, u ngjajnë do krijesave të dobëta, të cilat, të teshura në shpirt, rrinë të zdërvajura përdhe dhe me shikim të drejtuar kah kupa e qiellit thuase thonë: Ujë, o qiell! Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…O, baba diell! Veç një shi na duhet që të ngihemi ujë, veç edhe një e pastaj syri yt përvëlues saç i kuq t’u bëftë. “ [2][/i]

Këtu, pra përshkruhet vapa ekzistenciale, në të cilën edhe “Bucina…është bërë tokllinë“ dhe në këtë tokë pjellore të jetës së shkelur nga hasmi hasmi “fijet e barit…u ngjajnë do krijesave të dobta… i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë….. ” Dhe jo vetëm elementet e jetës “fijet e barit të…. zverdhura”, që është alegori për një shumicë njerëzish që robëria i bënë krijesa të dobëta “të teshura në shpirt”, të cilat kërkojnë liri, artistikisht, në roman kërkojnë ujë: ”Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…E toka “e cila, edhe vetë skamore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. Pra edhe vetë jeta, vetë ekzistenca, vetë koha e robërisë, shënjohen me figurën e tokës me ”buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. E në atë kohë kur u shkrua romani kishte aq shumë, vuajtje, shkrumb, etj, ngushtësi psikologjike, madje edhe egërsi (ujqëri) gjarpri, dhelpëri, tragjedi sa që edhe qielli [i]“ habitet me atë se si çdo gjë mbi tokë pret që ky të mëshirohet, lut që ky t’ia plasë vajit, që pastaj të gëzohet dhe të lahet me lotët e tij të dëshpërimit. “ [3] [/i] Kohën e robërisë e shënjon në këtë roman edhe prania e madhe e vajit, sikur “çdo gjë mbi tokë”, pra e tërë jeta, ekzistenca, dëshiron të derdh lot e të lahet në lotët e saj. E sidomos këtë e dëshirojnë personazhet e këtij romani, “të cilat, të teshura në shpirt”, kërkojnë shi, liri, butësi, dalje nga gëzhoja në të cilën, sikur i ka vënë dikush, por që nuk mund ta dinë saktë, ndaj edhe djali e bënë çështje mënyrën e të folurit, komunikimit, qoftë edhe me babai e vet (Mustafa me të atin Sejdiun):
[i]”-E, pra qitash, bablok, mue m’ hupi krejt filli!…Ti je kahë flet me mua, qysh po m’doket, veç me dorza: me do ortiqe, me do lepuj, me do buba, e u hiç nuk po muj me e marr vesh kët punë!… Po fol pak ma açik kallxomë edhe diçka tjetër! -S’di me folë ma açik se qishtu!… Çka t’vye ty me ditë ma shumë sen?… “ [4][/i]
Pra, jeta e tillë, robëria ka kushtëzuar edhe mënyrën e komunikimit, njëtrajtshmërinë e vetëdijes, disponimin kundër diturisë më të thellë, sepse, në masë të njerëzve ishte përhapur opinioni se të tjerët duhet të mendojnë për ne, se toka jonë është e Babës mbret etj. Por në roman, tregohet se nuk ka qenë vetëm kështu. Brezi i ri i luftëtarëve të lirisë kombëtare, që është i shënjuar me personazhin e Mustafës, do të shkoj më tej, t’i kapërcej këto përralla të hoxhallarëve dhe të nxitësve (shtirësve) tjerë të së keqes, prandaj do për të ditur më konkretisht për fatin dhe jetën e përbashkët sepse dija nevojitet. Ndaj edhe personazhi kryesor, çlirimtar Mustafa, jep mesazhin çlirues: “Orteku i gjakut”,- [i]“ kjo punë na prek t’ tanëve ne…Modje duhet me u kallxue edhe t’ tjerëve qysh a puna!” [5][/i]
Realiteti artistik i romanit në fjalë na jep për të kuptuar se shumica e popullatës, nuk e kanë njohur mirë strukturën e robërisë, ku ishte instaluar vëllavrasja e gjakmarrja, “orteku i gjakut”, ndaj edhe, si për këtë ashtu edhe për paragjykime tjera, më shumë i përshtateshin kohës së robërisë se sa që dilnin kundër saj. Kështu edhe Sejdiu e Abazi të cilët në roman janë njerëz të pastër shpirtërisht, shqiptarë të zakonshëm, por që nuk mund të dalin me mendime e praktikisht nga rrjeti i vëllavrasjeve dhe gjakmarrjeve, sepse ato ishin bërë normë tragjike e pashkruar, dominuese e asaj kohe. Duke qenë të përfshirë nga një normë që qe e shartuar edhe me një pjesë të kanunit (negativen e kanunit) e të ndihmuar për zbatim nga pushtuesi (dhelpër sepse si i padukshëm, gjarpër sepse mbahej me orteke gjaku) duke pasur edhe një ngushtësi psikologjike e papjekuri të personazheve të romanit (që ishin gati identike edhe me personazhet e jetës së asaj kohe) shumë vrasje bëhen nga asgjëja: vriten njerëzit për një megjë mali dhe vazhdon zinxhiri i vrasjeve (Jetullahu i Ramës dhe vëllai i Emin Malokut [6]); t’bit e Vocit… për ni lis kenë ba katër gjaqe!… [7] , t’bit e Lizit janë ba kaçavej veç për ni zog pule, të Prapashticsit qi ishin ba lakën nërmjet veti për nji hap ven [8]. Këto i tragjedi familjare (që ishin edhe pjesë e tragjedisë së shqiptarëve në ish-jugosllavi) i di dhe i tregon (me përpjekje individuale për ta hequr qafe këtë gjarpër) qoftë edhe vetëm një personazh në roman. Është ky Sejdi Goxhufi i cili edhe pse, në esencë burrë i mirë, nuk mund t’i shpëtojë ortekut të gjakut, sepse me dëshirë e jep vajzën, për djalin e një burri, po ashtu të fortë, të zakonshëm Abaz Gjukës. Por psikologjia e asgjësë e një personazhi tjetër, bartës i fijeve të ortekut të gjakut, Emin Malokut (nga inati pse Sejdiu nuk ia kishte dhënë vajzën për djalë të tij) i merr në qafë që të tri familjet, madje edhe kushërinjtë e tyre, sepse ditën që i bien teshat (tri ditë para dasmës së të fejuarve), Mehmeti, djali i Emin Malokut, hynë në odë të Sejdiut, me gisht në këmbëz të pushkës, si dhunues, prish rendin e këngës e të bisedës atdhetare. Aty ishte edhe miku i Sejdiut, Abaz Gjuka, me shumë burra tjerë. Abazi nuk lejon poshtërim nga Mehmeti, duke qenë edhe para vdekjes! Mehmeti kërkon nga Sejdiu që t’a bëjë gati vajzën, pasi që kështu po rivendoska në vend “nderi” dhe “burrëria” e shtëpisë së Emin Malokut. Nga qëndrimi i pamposhtur i Abazit, dhunuesi më pushkë në dorë, Mehemti, detyrohet ta lejojë Abazin të dal nga oda, edhe pse ai e paralajmëron se nëse nuk vritet nga Mehmeti, do të hakmerret kudër këtij poshtërimi që ishin pozicionuar t’ia bënin, jo vetëm odës, zotit të shtëpisë, po edhe atij vet, Abazit. Menjëherë pas daljes nga oda, Abazi me vrap shkon te shtëpia e dhëndrit të tij Hazirit, të cilin e thërret në ndihmë dhe ai së bashku me gjashtë burrat të armatosur (tre me martina, një me sopat, dy me stupca) mësyjnë kundër “dhunuesit ” [9] të burrërisë e odës së pushtuar shqiptare, e kur Sejdi Goxhufi nën tytën e pushkëve të ngrehura, me organizimin e Emin Malokut po “nxirrte për krahu nga qilari bijën e mbytur në vaj dhe lot [10]” për të ua “dhanë me veti” [11], kërcet martina dhe e merr për vdekje dhunues Mehmetin e ndihmësin e tij Halitin. Atëherë “burrat në odë si të xekërruar brofën në këmbë dhe sekush para tjetrit rrëmbyen të tetë martinat e varura…Pas pak do batare të shpeshta martinash shoshuan natën e shurdhët. Pastaj u dëgjuan do britma, një rrëmujë, do thirrje:…Pastaj edhe një zë plake:-grueja nërmjet, zoti u bekoftë, grueja nërmjet!…. [12] Tragjedia është shtatë-tetëfishtë: ”…Nata villte ethe. Në oborr të Sejdi Goxhufit tetë të shtrirë. Shtatë kishin mbetur në vend, kurse Abazi ndihej gjallë” [13] Në këtë situatë tragjike-dramatike kundërshtari i kësaj tragjedie, Mustafa, “ngrehi këmbzën e alltisë “ [14] Ky Hamlet shqiptar, ”si plumb i gjallë, depërtoi murin e njerëzve dhe hyri në mes, te kufomat.. t’i shoh niherë kush janë këta orëprerë? ” [15] Këtu Hamleti shqiptar, urdhëron, vajton, qan, gërthet në kulmë të revoltës, dhimbës, gjithnjë duke sfiduar të gjithë ata bashkëfshatarë të tij që nuk e dëgjuan të dilnin nga gëzhojat (në roman-gërzholet) e tyre dhe ta ndalnin ortekun e gjakut. Mustafa nuk kursen së fshikulluari mangësitë e egërsitë as të babait të vet, as të vetes dhe i thërret fëmijët (brezin e ri) që t’u shtypin kokën “gjarpnojve të gjakut që e ka xgatë kryet… e lypin veç gjak, këta pinë veç gjak!…[16] Se figura e gjarpinjve të gjakut, kryesisht, është shenjë e elementëve pushtues, rankoviqistëve çetnikë si pjesë e pushtetit pushtues, shënjon edhe kjo porosi e Mustafës për brezin e ri: ” Mëshoju edhe pak, mëshoju e naljau turrin këtyne gjarpnojve t’gjakut, qi po mundohen hala me ecë e me i përlye me marre kto malet tona, me e flliqë këtë dhe tonin!…-Ndalni!….Ndalni!…Shtypjauni kryet!… “ [17] Mustafa është i pa kompromis kundër ortekëve të gjakut. Shfrynë edhe kundër shkaktarit kryesor të këtij orteku të gjakut. “- I kthehet Eminit të mërrolur.-Po ty bre Emin Maloku, a po t’doket qi t’u ka forcue pak kaçepi sa për me e thye at gërzhole tanen, a…nashta e ke ba menen çykë me dekë me ta?…. A nashta hala s’u ngie gjak, se gërzholja t’ka qillue e trashë!… “ [18] Mustafa “krejtësisht i dal llazine”, por edhe i vendosur që të mos jetojë më mes ortekëve të gjaku t vëllazëror, ia ofron revolen Eminit që ta vras (Mustafën)! Por çuditërisht Emini kishte dalur nga gërzholja dhe jo vetëm që nuk ia kthen armën Mustafës, por nuk e lejon as Smajlin, një të afërm të vetin, ta vriste Mustafën. Mustafa, këmbëngulës që mos të jetoj me turp në robëri, përsëri ia ofron revolen të atit, së bashku me lutjen vendimtare: ” Hiqëm, o bablok,….û nuk muj me përbi vetveten, nuk muj û, bre bablok, se û nuk kam gërzhole! “ Dhe kur Sejdiu (babai) “ i përhumbur kap alltinë…dhe në çastin kur vdekja deshti ta kafshonte edhe Mustafën, Emin Maloku kërceu dhe e kapi dorën e Sejdiut….
Atëherë gjeli i parë grishi Agimin. Mustafës së gjunjëzuar padashur i shkuan sytë kah Maja e Maçekllavës dhe pa se atje tashmë po zhdavaritej terri i natës…. ” [19]

Edhe mënyra e përfundimit të romanit sugjeron gjetjen e kodit kundër ortekëve të gjakut: daljen nga gërzholja, çlirimin shpirtëror, me anën e të cilit arrihet vetëdija e veprimit kundër territ të robërisë. Çlirimin shpirtëror nga paragjykimet e kohës, autori i ka parë si parakusht të çlirimit fizik të atdheut nga pushtuesit. Ndaj autori ka treguar, atëherë, kur ka qenë e rrezikshme të tregohet, por kur ishte edhe më e nevojshmja të tregohej, se me punë, sinqeritet e bindje mund t’i hiqet gërzholja edhe një Emin Maloku, e lëre më të tjerëve që ishin më të lehtë për t’u përpunuar e bindur për në rrugën e çlirimit. Kodi çlirues në romanin “Gjapinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, iu është dhënë, mençurisht e estetikisht, mu në kohën e duhur, shumë lexuesve shqiptarë, të cilët kanë pasur mundësi që ta përdorin atë kod edhe si projekt shpirtëror praktik për ndryshimin e realitetit. Dhe një pjesë e madhe e lexuesve, gjatë kohës së robërisë, vepruan, po sipas kodit çlirues, projektit shpirtëror të këtij romani e së bashku me autorin e romanit e të prirë nga ai, vendosmërisht, morën pjesë në betejën e vështirë praktike për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës në funksion të ribashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.
Në këtë roman modern shqiptar është gërshetuar, mjeshtërisht, realiteti estetik me realitetin jetësor, praktik. Struktura estetike është brenda dhe jashtë strukturës së rrethanave të kohës konkrete kur u shkrua romani. Prandaj në këtë roman idealja, shpirtërorja, estetikja i prin reales.
Për të thënë (eksploruar e shkruar) më shumë rreth realitetit estetik dhe thelbit të filozofisë çlirimtare të këtij romani, duhet zbërthyer edhe estetikja e kësaj vepre të veçantë, por jo të rëndomtë.

Mitrovicë,
6-16 shkurt 2012

Referencat:

1. Adem Demaçi: Gjarpinjtë e gjakut, KREK§ BUZUKU, 2012,f.5
2. Adem Demaçi: Gjarpinjtë e gjakut, KREK§ BUZUKU, 2012,f.7-8
3. Po aty, f. 8.
4. Po aty,f. 73
5. Po aty, f. 74.
6. Po aty, f.31,
7. Po aty f. 34,
8. Po aty, 34,
9. Po aty, f.101
10. Po aty, 106
11. Po aty, f, 101
12. Po aty, f. 106
13. Po aty f. 106
14. Po aty f.107
15. Po aty, F.107
16. Po aty,f. 109
17. Po aty, f. 110
18. Po aty, f. 111
19. Po aty, f, 113 (Fjalia e fundit e romanit me tri pika prapa…) /KultPlus.com

Mora lule sot…

Poezi nga Paulette Kelly

Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot.

‘Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një, nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99’

KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Bajronit

-Kush ka punë për të bërë nuk ka kohë për lot.

-E ëmbël është hakmarrja, sidomos për femrat.

-Në pasionin e saj të parë, femra dashuron partnerin, por të gjitha herët e tjera dashuron dashurinë e vet.

-Urrejtja është kënaqësia më jetëgjatë. Njerëzit duan me ngut por urrejnë me nge.

-Kujtimi i kënaqësisë nuk është më kënaqësi, ndërsa kujtimi i dhimbjes është akoma dhimbje.

-Unë jam hi aty ku dikur isha zjarr.

-Vetëm i dobëti pendohet.

-Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një. Nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99.

-Miqësia është dashuri pa krahët e saj.

-Kënaqësia është mëkat, e mëkati është një kënaqësi.

-Nëse Laura do të kishte qenë gruaja e Petrarkes, mendoni se ai do t’i kishte kushtuar sonete gjithë jetën?

-Kam vendosur të besoj në Krishterim, thjesht për kënaqësinë që më jep ideja se mund të jem i mallkuar.

-Qesh sa herë që mundesh! Qeshja është ilaçi me çmimin më të mirë. / KultPlus.com

Nëna ime e bukur u godit për vdekje me thikë, 47 herë, pse policët nuk e morën babain?

NATË
Shkruar nga: Elif Shafak

Nënën time me 14 vjet e bënë nuse, me 19 kurban. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, u godit për vdekje me thikë, 47 herë. Ishte mbrëmje, errësirë. Natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Bërtiste. Qau vëllai. Ende foshnjë, 1.5 vjeç; me sy të rritur nga lemeria, poshtë të cilëve dy liqe të zi e të pafund. Bërtita. Nëpër rrugicën tonë. Nëpër shtëpi, kulme, stacion policie, gurë kalldrëmi bëri jehonë ulërima ime. Nuk dëgjuat?

Besoj nuk dëgjuat pasi nuk erdhët. Asnjë nga ju.

Nuk erdhi askush. As fqinjët, as xhaxha policët. As politikanët që vizitojnë mahallën tonë gjatë zgjedhjeve, as gazetat që shkruajnë nga distanca, as agjentët e patundshmërive që caktojnë çmim për shtëpinë tonë të rrënuar. Askush. Po thonë Stambolli ka mbi 10 milionë. Gjiganti që është. Si mund të jetë një qytet kaq i dendur me njerëz që jetojnë ngjitas dhe njëkohësisht kaq i vetmuar, i braktisur si shkretëtirë. Habitem.

Dajaku po vazhdonte nga orët e hershme të mëngjesit. Para syve tanë. Me të kapur babai për flokësh e goditi me kokë në tavolinë. Doli një tingull i plotë, i çuditshëm. Si toka kur çahet. U ça dhe rashë brenda, nga turpi dhe dhembja. Zemra m’u thye në mes. Rodhi një pikë gjaku nga balli i nënës dhe njollosi dantellën e bardhë mbi tavolinë. Në moment u mendova. Si do ta lante atë njollë nëna ime? Sërish do përpiqej; me sapun, deterxhent, ujë të ngrohtë; lythe në gishtërinj, të çara në duar; nëna ime pastronte njollat e gjakut të vet nga rrobet, çorapet e saj.

U mbylla në qoshin e dhomës. Kafshova gjuhën. M’u kyç gjuha. E shkelmoi babai; e goditi nënën në shpinë, në bark. Brenda barkut të saj po rrihte një zemër e vogël, një vëlla a një motër për mua. Po qe vajzë do ta quanim Gylizar, e djalin Jusuf. Babai nxorri shkopin. I hollë e i gjatë. Shkopi që e kishte sjellë në shtëpi për të na disiplinuar. Pas çdo lazdrimi e provonim shijen e tij. Një copë e lëkurës së nënës gjendet në atë shkop, fijet e flokut ende i ka të ngjitura aty.

Pse policët nuk e morën babain? Si nuk ndërhynë fqinjët? Pronari i marketit, kasapi, perimeshitësi, tezet, xhaxhallarët… Ku kishin humbur? Kaq shumë u frikësuan gjithë ata njerëz nga marrrëzia e një burri? Domethënë një njeri i vetëm arrin ta mund gjithë qytetin? Vërtetë?

Ra muzgu. Babai nuk u qetësua. Tik-takët e orës së murit u ndalën, babai nuk u ndal. Ishte natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Qau pa pushuar, derisa ra e këputur mbi kolltuk. Mbeti aty pa marrë frymë. Një ditë kisha parë një kukullë që po flinte në bërllog. Pa njërin krahë, me këmbë të këputura; edhe nëna ishte bërë si ajo kukullë, krahët i lëviznin në boshllëkun e ajrit. Vaji i vëllait nuk pushonte. As të sharat e babait. Nuk i dëgjuat? Aq të trasha ishin muret që na ndajnë?

Pastaj na mori për dore babai, “Ejani shpejt” na tha. Shkuam në polici. Vëllai me pelenë të papastruar, ten të irrituar dhe lukth të zbrazët. Edhe unë kisha uri, nuk e thashë nga frika. “Çfarë ke bërë kështu” i thanë policët babait. “Nuk të dhimbsen këta fëmijë? Kush do të kujdeset për ta?”

Vetëm në atë moment e kuptova. Nëna nuk ishte më. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, me 14 vjet nuse, me 19 kurban./KultPlus.com

Agushi letër të hapur Harvey Keitel: Mos luani në filmin për “Shtëpia e verdhë”, është puro propagandë serbe

I dashur Harvey Keitel, po dëgjoja lajmet e RTK-sw sonte,  dhe emri yt u përmend për një angazhim të mundshëm tuajin në një film propagandues serb, për të ashtuquajturën shtëpi inegzistence  “Shtëpia e verdhë“, ku kinse shqiptarët kanë kryer krime mbi popullatën civile serbe.

Realiteti është krejt ndryshe i dashur Harvey. Populli shqiptar ka qenë viktimë e regjimit të Milloshevicit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit . Unë e di që mua nuk më takon të të them se çfarë të luash e çfarë jo. Por tani bëhet fjalë për një puro propagandë të shtetit serb.

Shumë i dashur Harvey, une jam aktore vetë, dhe shpesh herë keni qenë inspirim për mua. Por ju lutem shumë mos e bëni një gjë të tillë, sepse do ta lëndonit një popull të tërë. Do ta lëndonit një popull i cili i rrezikohej nga spastrimi etnik. Ju lutem mos e bëni,  sepse do t’i lëndoni mbi 13.000 civilë shqiptar të vrarë, në mesin e tyre fëmijë , të rijnë , gra shtatzëna, dhe të moshuar . Do t’i lëndonit mbi 20.000 gra të dhunuara . Do t’i lëndonit 1653 familjet e personave të pagjetur që ende nuk e kanë një varr ku ti qajnë të afërmit e tyre . Gjatë gjithë luftës kam qenë në Kosovë, dhe e dini cila ka qenë frika ime më e madhe i dashur Harvey ?! Jo nga vdekja, sepse në luftë njeriu edhe mund të vritet, por frika ime më e madhe ka qenë se mund të dhunohem në sy të babait dhe vëllezërve të mi. Dhe për më tepër thurja plane në kokën time për një vdekje të shpejtë që një gjë e tillë mos të më ndodhte.

Ju kujtoj i dashur Harvey që NATO intervenoi në vitin 1999 që ta shpëtoj një popull nga spastrimi etnik , dhe që të mos përsëritej një Srebrenica e dytë . Andaj shumë i dashur Harvey të lutem mos e bëj, sepse nuk të bën aspak nderë një film propagandues i një regjimi që bëri tre lufta brenda 10 viteve në Ballkan duke lënë me qindra mijëra varre pas vetes .

Me përulësi Aurita Agushi aktore nga Kosova .

#HarveyKeutelpleasedontdoit/ KultPlus.com

Ngrohsija e diellit

Poezi nga Martin Camaj

Ngrohsija e diellit shkrihet
në shkambijt e Korbit,
mbi fshatin arbresh.
Në parzëm më hynë dy rreze.
Pemët vjeshtore zverdhen
mbi kryet e vashës nën tandë,
e flet me tjerë arbresh.
Në parzëm më hynë dy rreze.
E ka në gojë tash e parë mall
dhe fjala mall fluturoi me voré
kah qielli i ndritun i Jugut
e në parzëm më hynë dy rreze.

Nga burgu në America’s Got talent, historia inspiruese e Archit që kaloi 36 vjet në burg (VIDEO)

Archie Williams në audicion të ‘America’s Got Talent’, vetëm një vit pas lirimit nga burgu, arriti të emocionojë dhe inspirojë të gjithë, shkruan KultPlus.

Archie kaloi pothuajse 27 vjet në burg të Luizianas, për një krim që nuk e kishte kryer. Ishte dënuar mbi akuzën e dhunimin seksual.

Archie mahniti të gjithë me talentin e tij, ku ndër të tjerash tregoi se ka pasur raste kur nga burgu ka ndjekur emisionet e America’s Got Talent. ‘Kam ëndërruar gjithmonë të jem në këtë skenë, dhe ja ku jam tani’, shprehet ai.

Më poshtë keni videon e plotë, e cila sa inspiruese është aq edhe e dhimbshme. Archie, njeriu që na tregon se ka gjithmonë shpresë që e vërteta të dalë në pah. / KultPlus.com

Run, run, run…after the bus nr.5

Tregim nga Nerimane Kamberi

Postoj shpejt një foto n’Instagram, për ta filluar ditën mbarë, atë ku sytë e saj të kaltër shkrihen në kaltërsinë e qiellit. Nuk pinte kafe në mëngjes, madje kurrë, ” si mundesh, çuditeshin shoqet, jeton në vendin e kafes”, “e ndoshta nuk jetoj në vendin e duhur!” ja kthente ajo me një krenari që e bënte të veçohej nga ato.”.

U drejtua kah ormani, “do te vishem më sportive apo më femërore?” Por nuk u mendua gjatë “do ta veshi fustanin ngjyrë krem, atë të Italisë, se pas mësimit shkoj te Mama, asaj i pëlqejnë fustanet, dhe prijmë një gotë vere të bardhë në ballkon, duke i shikuar drunjtë, blinat, sa gjelbërim ka sivjet, ende është pranverë%, por dita po është e nxehtë, plot diell. Mama do të ia tregon foton ku e mban në prehër, sa e vogël që ishte, një natë festive, do t’ i tregon se si e përqafonte kur flinte. Mama ishte si një nënë e dytë për të, apo Mama e kishte atë si bijë. Mezi e gjeti fustanin, se e kishte paluar te rrobat e dimrit të cilat ende nuk i kishte nxjerr nga qeset hermetikisht të mbyllur. I lyeji sytë; buzët, jo. Se e hante një copë bukë të lyer me reçel kumbulle, atë qe e donte me se shumti, të cilën e mbante në një dorë, kurse me dorën tjetër mbërthente sandalet. U sigurua se e kishte shti telefonin në çantë, ndihej e lehtë, e lumtur.

Vuri dorën në dorezën e derës por për një moment u ndal. U shtang. Dukej si një skulpture atlete nga ndonjë muze i arkeologjisë . Bëri një hap mbrapa, zbërtheu sandalet, lëshoj në tavolinë copën e copës së bukës të lyer me reçel kumbulle. Fshiju grimin e syve. Hoqi fustanin. Hoqi foton nga Instagrami. Filmi “reversë”. U drejtua kah dritarja. Asgjë nuk lëvizte, qyteti i saj ishte i vdekur, një virus e kishte paralizuar tërë vendin, tërë botën. Qëndroj ashtu një orë, duke pritur të kalonte autobusi nr.5 pas të cilit ajo vraponte çdo dite për ta nxënë, e për të shkuar në fakultet. E për të saten herë, e shtrirë mbi kanape, shikonte videon e saj “slow motion”. Në mend. Jo në instagram. / KultPlus.com

Sot është përvjetori i lindjes së dramaturgut të shquar, George Bernard Show

George Bernard Shaw ishte dramaturg i shquar anglo-irlandez, laureat i Çmimit “Nobel për letërsi, shkruan KultPlus.

Ai u lind në Dublin më 22 korrik 1856 ku mësoi për ndihmës shitës, më 1876 shpërngulet për në Londër. Shaw është marrë me muzikë dhe kritikë të teatrit, ndërsa më 1925 është fitues i Çmimit “Nobel” për letërsi.

“Pygmalion”, tregim me temë dashuri-linguistikë për profesorin Higgins dhe Elizi Doolitle, sigurisht se është pjesa më e mirë dhe më e njohur teatrore e G.B.Shawit, por përveq këtyre komedive, ka shkruar edhe drama qytetare në stilin ibsenovian duke e kritikuar moralin fals. Mjeshtër i gjuhëve të ndërsjella dhe paradokseve. Vdiq më 2 nëntor, 1950. /KultPlus.com