Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit

Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.

Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.

Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.

Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë. / KultPlus.com

Priska, ‘bukuroshja’ e Tiranës, e pa zbuluar ende

Janë dy Priska, e Madhja dhe e Vogla. Janë fshatra fare pranë Tiranës në lindje të saj, që merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori.

Kanë një reliev të butë kodrinoro-malor dhe të gjelbëruar. Rrugët mund të thuhet se janë të mira, pavarësisht se tek-tuk ka dale asfalti dhe duken gropat e lëna, por udhëtohet.

Peisazhi është i veçantë si në verë me gjelbërimin e thellë, por edhe na vjeshtë kur fillon e natyra përflaket. Nga kodrat e Priskës ka një panoramë mahnitëse ku vendin kryesor e zë Liqeni i Bovillës dhe Brari.

Është një destinacion turistik mjaft interesant për turizmin shoqëror dhe atë familjar.

Tani që peizazhi ndryshon nga i gjelbër në të kuqërremtë, bëhet shumë tërheqës.

Nuk është vetëm natyra, por edhe trashëgimia kulturore- etnografike, mënyra e jetesës dhe mbi të gjitha, prodhimet bio.
Është fare pranë Tiranës dhe pak e zbuluar.

Le ta prezantojmë edhe Priskën si një destinacion të afërt turistik për kryeqytetasit dhe të tjerët. Priska ja ku është bashkë me bukuritë e saja. / KultPlus.com