Kosova ka zënë vendin e 64’t në një listë prej 179 vendesh të botës, për nivelin e demokracisë.
Shteti më i ri i Evropës, sipas listës së publikuar nga Radio Evropa e Lirë, është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, transmeton KultPlus.
Pas Kosovës pozicionohet Maqedonia e Veriut, që ka zënë vendin e 71’të, dhe Bosnja e Hercegovina, që pozicionet e 83’ta.
Shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia, janë listuar si vende autokratike.
Shqipëria është renditur e 87’ta, Mali i Zi i 99’ti, ndërkaq Serbia e 139’ta.
Nga shtetet tjera ballkanike, Kroacia është vlerësuar si shtet demokratik, duke zënë vendin e 55’të, ndërsa më së miri qëndron Sllovenia, në pozitën e 34’t. / KultPlus.com
Lidhur me operën e pavarur nga shteti. Pyetje: A kanë mundësi shqiptarët të blejnë 100 deri 150 euro biletë për në opera? Për të jetuar me buxhet të pavarur nga qeveria? Kanë ligj për sposorizimet që lekët që privati i jep TKOB-s, që shteti t’ja zbresë nga tatimet? TKOB nuk do jetë më kombëtar. Privati që mund të jetë dhe një izraelit apo anglez apo apo…, do hedh lek për Art që të flasë shqip me tinguj?
Kjo është një nga arritjet më të mëdha të kompozitorëve, që do të shkatërrohet? Po lexoja një koleg kompozitor, nga më të shquarit të muzikës italiane sot, si anëtar jurie thoshte në një kompeticion pashë që diferencat midis një kinezi, evropiani, amerikani e aziatiku ishin shumë shumë të vogla.
Globalizmi është strategjia më fatale për zhdukjen qoftë të të foluritm të shkruarit apo gjuhëve me tinguj. Italia financimet më të mëdha i ka për teatrot lirikë, po ne me organizim shtetëror dhe kemi 33 vjet pa balet shqip premierë sot. Kam 10 vjet kam marr çmim të parë me “Dodona” balet dhe mendoni se do ta bëjë privati? Menaxhimin e privatit e pamë tek “Albpetroli”, te minierat, tek asetet e këtij vendi, por opera s’është naftë.
Po eksperienca e Ish- kinostudios çfarë tregon? Absolutisht gjithçka tregon shkatërrimin e TKOB, absolutisht ndërtimin e një versioni privat më të mire, 6 milionë euro jep Franca një ensemble me 22 veta. Imagjino sa jep për grand opera e bastille, e thoshte Mexi në ‘90 e ca artistët të shesin banane, por vlerat që japin artistët janë asete kulturore që nuk i japin dot politikanët. / KultPlus.com
Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, shkruan KultPlus.
Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilen Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.
‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com
Lita kishte humbur për ca çaste në gjysmëterrin e helmtë, që fundi i fundit ishte terr dhjetori, natë me ajër të pastër, por shumë të ftohtë. Natë, e diel.
Edhe shtëpia mund të ishte mbërthyer nga të ftohtët, ndërsa ai, sikur emit i zgjatur dhe i hirtë, zbulon mjegullsinë e dendur nëpër rrudhat e mendjes së tij.
Me duart e dridhshme kërkon sinqerisht shtrëngimin e saj.
Genti na pret nesër.
Genti, Fioni dhe Linda janë pa gjumë sonte!
Nuk flen. Symbyllur udhëtonte në rrugë të pafundme dhe përnjëherë para i del tuneli me dyer të mbyllura.
Kish punuar minator në Golesh 40 vjet, duke tubuar magnez nëpër damarët e bardhë të kodrës së zhveshur, pa i shkuar asnjëherë mendja se do të vinte pikërisht një natë e tillë, si kjo e sontmja, kur nuk dinte çfarë të mendojë përpara largimit.
Me eshtrat dhe muskujt e fortë, zinte pjesën e madhe të shtratit mbuluar me basmë, punuar kujdesshëm nga dora e gruas, Rafiçe. Errësira gufuese, ende sundon qetë, ndërsa ai me trupin shpluar, hedh në sipërfaqen e shtrydhur të mbulesës së shtratit, mbi basmën e bukur e vezulluese. Ky vezullim dallohej edhe në errësirë, mund të jetë përzierje e plotë e lagështisë së lëkurës së paprekshme, orvatet të lypë diçka, mundohet ta zë me prekje të lehtë, mbase trupin e gruas së shushatur.
E di ai këtë. Ajo, siç bën zakonisht muajt e fundit, hedh duart mbi fytyrë.
Nuk e zë aspak, i ndodh si në skenë ku shpërfytyrohet energjia e mbikëqyrur e veprimeve, por dora i prekë, vetëm murin e ftohtë.
Po ku je, moj?
Ajo nuk përgjigj.
Mos qaj, po thirrim kob, për fëmijët që na presin!
Atëherë i kërcet shpina dhe lëshon zhurmën e pahijshme, duke u thyer nga dhimbja. Rrëshqet përsëri anash në të majtë, ku ngrihet lart muri i lëmuar i lyer me horastan, të cilin e preku pak më parë, për ta endur dorën me fërkim të kotë pa kutpuar përse.
Gruaja mban në dorë orën e murit, duhet të zgjohet heret, bën llogari, në cilin çast do të hapë perden dhe pastaj edhe derën dhe të çelë sytë në dritë të natyrës, të fushës së bardhë, e cila si e shenjtë e ngrohtë, do të mbetet larg saj përgjithmonë.
Kanada është larg, tha gruaja.
Atëherë Lita nuk kontrollon vajin.
Coftinë, e ofendoi veten, dhe rrëshqiti përsëri anash, por në prizmin e kundërt. Përmblodhi forcën në gjunjë me një shqetësim gati të kokëkrisurit, por ra poshtë në dysheme dhe thirri: Oh, theva qafën.
Ra në dysheme, por gruaja përsëri nuk lëvizi. Ai nuk arriti të shpjegojë këtë moslëvizje të saj.
Grua, thirri.
Ajo s’u përgjigj.
Ah, moj grua!
Vërtet, dyshemeja kërciti poshtë shtratit, por mund të ishte ndonjë dru që ra qëlluar fare afër, mund ta qe plandosur ndonjë ftua, gjithçka e pamendueshme mund të kishte ndodhur, por Lita të thyente qafën: Jo.
Vërtet, dërrasat kërcitën, por çfarë ishte kërcima: e gjatë, e shkurtër, e hollë, e vrazhdë, e pajehonë, e mundimshme, e tmerrshme?
Ai klithi edhe një here: ëh, dhe i tha përsëri vetes: Coftinë. Mos u lësho, qëndroi, provoi të mbledhë forcë.
Sa herë e kishte ngushtë, në raste të ngjashme, i rriteshin rrudhat nëpër mollza, i kërcasin dhëmbët, dëgjohej larg duke marrë frymë.
Prapë klithi: E theva, e theva qafën, thirri përsëri, përsëri, e theva më në fund qafën, më ndihmo.
Gruaja i tha: Mos thirr kob. Duro!
Pastaj sikur të mos gjendej njeri në dhomë nuk u ndie zë.
Ndoshta më mirë kështu, tha gruaja pas një pritjeje e durimi të pavendosur.
U qetësua kur dëgjoi krismën e druve që hidheshin në zjarrin që po shuhej me mëngjes.
Që në mbrëmje i kish lënë disa gazeta të vjetra afër stufës me shamot, i tuboi të gjitha, i shtrëngoi nyjë, i vendosi poshtë krejtësisht në sipërfaqen e shpuar me vrima të rrumbullakta të dyshemesë mbi të cilën ishte vendosur stufa.
Drita u zgjerua në dhomë. Flaka u dridh disi duke dalur vrullshëm nga dera e llamarinës.
Stufa u skuq, ai u kënaq me këtë atmosferë të krijuar, jo më tepër se pesëmbëdhjetë minuta. Ora ishte pesë e njëzet e tre, kur hapësira e dhomës u mbush të nxehtë, ndërsa në pesë e pesëdhjetë, duke mos mundur të përballojë të ngrohtit, hapi derën përgjysmë, por vetëm për pak çaste. Pastaj e mbylli.
Mendoi, cila ishte dita që po e shihte për herë të fundit këtë gjysmëhapje të derës.
Ajo pëshpërit, thotë ta pimë nga një kafe përpa se të nisemi. Ngrihet nga shtrati, tërhoq perden, së pari shtyen anash tavolinës gotën me ujë, mbështet fytyrën në xham, nuk lëkund fytyrën nga xhami, por hija e flakës e përkëdhel, e mbulon me ngrohtësi, ia kthjellon edhe trurin.
Duhet të mundohemi, thotë Lita. Është koha me u nisë!
Po, pohon ajo.
Ai merr bokallin me ujë dhe e lëshon naltë nga vrima metalike. Zjarri që nuk ishte shuar në shtëpinë e Litës asnjëherë, as në shtëpinë e babait dhe të gjyshit të tij, nuk
kishte thënë askush ndonjëherë të ishte shuar me ujë edhe kur kishte oxhak në Shtëpinë e Zjarrit, se ishte mallkim, më në fund përfundonte me dorën e tij asht e lëkurë.
Erdhi edhe kjo ditë, tha gruaja. Ndërsa ai mbylli perdet që binin deri në dysheme.
I kam mshel të gjitha dyert dhe dritaret, e siguroi gruaja.
Pse nuk i le hapur, foli ai pikëllueshëm. Nuk ka më kush t’i hapë.
E dëgjon sirenën e taxi-it, pyeti gruaja.
Nuk do të dëgjohet më në oborr asnjë sirenë, mendoi ai. Dalim, tha, i pafuqishëm.
Gruaja preku me dorë stufën. Zjarri është fikur, po ende është ngrohtë, tha.
Lita mendoi, por shikonte stufën e mbushur hi të nxehtë: S’ka kush e heq hirin kur ftohet, tha.
Nashtë, le të mbetet kështu përgjithmonë, përfundoi gruaja. / KultPlus.com
“PSW w Białej Podlaskiej” është universiteti i radhës nga Polonia që ju shtua gamës së gjerë të bashkëpunimeve të Kolegjit Universum me Universitetet më prestigjoze në Evropë.
Pra nga tani studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër me bursë të plotë në këtë universitet presizgjoz në Poloni.
Gjatë 20 viteve të funksionimit, universieti është vlerësuar lartë në renditjen e universiteteve, në vitin 2016, 2017 dhe 2018 është zgjedhur universiteti më i mirë në Poloni në mesin e shkollave të larta profesionale. Universiteti ofron edhe programe te Mjekesise, Infermieri dhe Mami, shikoni listen e plote te programeve te studimit http://www.pswbp.pl/
Të gjithë studentët e Kolegjit Universum përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.
Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 297 studentë të Kolegjit Universum dhe 115 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi. Shiko studentët përfitues https://www.universum-ks.org/studentet-erasmus/
Së shpejti do të shpallet thirrja për aplikim për shkëmbim semestral në këtë universitet me bursë të plotë.
Një dashuri e vërtetë i bën ballë çdo sfide që jeta di të sjellë.
E tillë ka qenë edhe jeta e një çifti që këto ditë festuan 60 vjetorin e martesës së tyre. Ndërkaq ajo që e dokumentoi këtë përvjetor dashurie, ishte fotografja amerikane Katie Autry.
‘Këta zogj të dashurisë këshilluan çiftet e tjera se për të zgjatur një dashuri duhet të jeni të mirë me njëri tjetrin, të mendoni para se të flisni, qëndroni besnik dhe mbështetuni tek njëri tjetri’, tregon fotografja në mbishkrimin e fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq në një intervistë për Bored Panda, fotografja shprehet të ketë qenë e nderuar që ka pasur rastin të fotografojë një dashuri kaq të veçantë. ‘Kam qarë gjatë gjithë kohës, ata janë një shembull i mrekullueshëm i një dashurie që i bën ball kohës. Ky është një foto sesion që nuk do ta harroj kurrë’, është shprehur tutje fotografja. / KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
KultPlus jua sjellë këngën “Pa ty”, që është njëra nga më të famshmet e Qenës, këngë e cila u rikëndua edhe nga artistët e rinj, dhe mbetet gjithmonë këngë e dashur për publikun. / KultPlus.com
Fituesi i Çmimit Mercury do të shpallet në The One Show sot, me Charli XCX, Dua Lipa dhe Stormzy që të gjithë luftojnë për çmimin e lakmuar, transmeton KultPlus.
Për herë të parë ndonjëherë, Annie Mac e Radio 1 do të zbulojë se cili artist ka krijuar albumin me të mirë të vitit në programin BBC.
Ceremonia e dhënies së çmimit është zakonisht një event magjepsës e organizuar nga Hyundai në Londër, por për shkak të Coronavirusit, Annie, 42-vjeçare, do të japë vendimin e gjyqtarëve drejtpërdrejt.
Albumi i Vitit Hyundai Mercury Prize feston më të mirën e muzikës britanike dhe irlandeze dhe njeh arritjet e artistëve nëpër zhanret muzikorë. / KultPlus.com
Pas një vere të gjatë e të mundimshme me situatën e krijuar nga pandemia, PriFest ka vendosur të sjellë kinemanë në shtëpinë tuaj përmes edicionit të sivjtshëm online, në pamundësi t’a mbajë atë sic do vit tjetër në qendrën e kryeqytetit në Prishtinë.
‘Pas shume diskutimesh e shumë idesh se si ta mbajmë edicionin e sivjetmë, menyra e vetme që u konfirmua ishte edicioni online’, thuhet në komunikatën për media.
Ky edicion do të mbahet në muajin Tetor të këtij viti, në datat 19-25. Filmat që do shfaqen këtë vit do shfaqen ekskluzivisht për shikuesit që ndodhen në shtetin e Kosovës.
Poashtu, në pamundësi të prezencës fizike të mysafirëve të shumtë ndërkombëtar si çdo vit, si dhe anëtarëve të jurive, ky edicion nuk do jetë garues.
Drejtori Artistik i festivalit: Fatos Berisha, ka konfirmuar që edhe këtë vit, filmat e përzgjedhur do jenë filma të cilët dëshmojnë që PriFest vazhdon të mbetet festival I rëndësishëm për të gjithë filmbërësit në rajon dhe më gjerë. “Megjithëse këtë vit për shkak të edicionit online jemi detyruar të reduktojmë numrin e filmave, jemi shumë të kënaqur me të gjitha aplikimet që janë bërë, me të gjithë filmat që janë përzgjedhur dhe me gjithë punën që po bëhet për të realizuar këtë edicion, më ndryshe se të gjithë edicionet e mëparshëm.”
Për të ndjekur filmat online ju duhet të regjistroheni në platformën online përmes një linku të cilin do e publikojmë 1 javë para festivalit në webfaqen e PriFest www.prifest.org
Filmi “Exile” në regji te Visar Morinës do bëjë hapjen e festivalit me datë 19.10.2020
Këtë vit, PriFest ka filluar bashkëpunim me EFA-European Film Academy, dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi do të sjellin 6 filma të shkurtë të cilët do shfaqen brenda datave të festivalit.
‘Edhe këtë vit kemi pasur përkrahjen nga partnerët dhe sponzorët, pa të cilët festivali nuk do mund të realizohej. Raiffaisen Bank Kosovë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Youth Artivists for Change përkrahur nga Qeveria Holandeze janë disa nga sponzorët dhe përkrahësit tanë, të cileve PriFest u është gjithnjë mirënjohës’, thuhet tutje në komunikatë
Për më shumë informata rreth programit, orareve të filmave dhe aktiviteteve mund të informoheni në rrjetet sociale Instagram, Facebook dhe Twitter si dhe në webfaqen e PriFest www.prifest.org
Poashtu, në komunikatë ceket se meqë natyra e edicionit të sivjetëm të këtij festivalit nuk është garuese, nuk është bërë as ndarja e filmave sipas kategorive.
Më poshtë gjeni të gjitha filmat pjesëmarrës në këtë vit në PriFest, të renditur pa kategori.
Filmat e metrazhit të gjatë
1. Tel Aviv on Fire / Regjisor: Sameh Zoabi 100 min
Është bërë e ditur se artistët e mirënjohur shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës do të hapin festivalin “Different Trains 2020” me një koncert në kuartet harqesh.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të koncertit në Facebook, thuhet se koncerti do të zhvillohet më 2 tetor në lulishten pas Kryeministrisë, ku do të interpretojnë violinçelisti Vlorent Xhafa dhe violinistët Kristi Gjezi, Arben Spahiu dhe Liza Soppi.
Poashtu në njoftim thuhet se për arsye të masave preventive kundër Covid 19 të gjitha koncertet do të mbahen në vende të hapura dhe se publiku do të jetë i limituar në 50 persona fizikë.
Festivali Different Trains do të vijojë me disa koncerte nga data 2 tetor deri më 13 tetor 2020 dhe mbështetet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës, Ambasada Gjermane në Shqipëri dhe Ambasada Franceze në Shqipëri. / KultPlus.com
Një pikturë e artistit italian të Rilindjes, Sandro Botticelli, pritet të arrijë të paktën 80 milion dollarë në ankand, deklaroi shtëpia e ankandit ”Sotheby’s”, transmeton KultPlus.
”Piktura me titull ‘Young man holding a roundel’ një nga shumë pikurat e Botticelli që ekzistojnë ende, do të dalë në ankand në janar”, tha ”Sotheby’s”.
Shtëpia e ankandeve tha se portreti, i cili përshkruan një të ri me origjinë të panjohur, konsiderohet si një nga pikturat më domethënëse të Rilindjes në duart e individëve.
Ekspertët vlerësojnë se mund të shitet gjithashtu për më shumë se 100 milion dollarë, çmimi më i fundit i paguar për pikturën “Meules” (”Haystacks”) të impresionistit francez Claude Monet, e cila u shit për 110,7 milionë dollarë në vitin 2019.
“Young man holding a roundel” u pikturua në vitet 1470 ose 1480 dhe u ble nga një aristokrat britanik në shekullin e 18-të.
Duke rënë në duar private, identiteti i të cilit nuk dihet, ajo iu dha ankandit për rreth 1 milion dollarë.
Piktura ka qenë në huazim të disa muzeve në të gjithë botën gjatë 50 viteve të fundit. / KultPlus.com
Në ambientin ku zë fill trashëgimia kulturore e Kosovës, në Muzeun Kombëtar u bë përurimi i udhëzuesit për standardet e hartimit të planeve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Nën prezencën e ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore u bë prezantimi i këtij udhëzuesi me rëndësi për kulturën në vend.
Ky udhëzues i cili është rezultati i përpjekjeve afatgjata të Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë kontribut kyç për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Ne këtu po e prezantojmë një udhëzues të planeve menaxhuese, se si duhet të hartohen ato, të cilat e kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë dal nga kërkesat e grupeve të ndryshme punuese dhe nga raportimet që nga viti 2014”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Në anën tjetër, ambasadori Braathu theksoj se ky udhëzues është rezultat i bashkëpunimit në mes të anëtarëve të misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Udhëzuesi ka për qëllim të jetë i përdorshëm, praktik dhe frymëzues dhe është i adresuar për të gjithë palët e interesuara në përfshirje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore”, tha ambasadori Jan Braathu.
Në fund ai shtoj se udhëzuesi duhet te jetë frymëzues për faktin se ri-përpilimi i këtyre dokumenteve të cilat ndihmojnë trashëgiminë kulturore duhet të bëhet çdo 5 vite. Pas fjalimeve ministrja Dumoshi ia dhuroj një mini- statujë të Hyjneshës në Fron si dhuratë ambasadorit Braathu, të cilën ai e priti gëzueshëm.
Në fund, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ambasadorin e OSBE-së Jan Braathu dhe stafin e përbashkët e vizituan brendinë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për çka Braathu u nda i kënaqur me pasurinë trashëgimore. /KultPlus.com
Avni Dalipi, aktori i njohur shqiptar do ti përveshë mëngët për tu transformuar në rolin e Latifit, në një film artistik të metrazhit të gjatë në Maqedoni, shkruan KultPlus.
Me skenar dhe regji të Goce Cvetanovski, producent Driton Ramadanit, produksion nga “Makedonska Krepost”, me drejtor të fotografisë Fejmi Daut, filmi “Dita e Gruas”, do të fillojë xhirimet në fillimin e tetorit të këtij viti, dhe Dalipi ka treguar se mezi që është duke pritur xhirimet e këtij projekti të madh.
Dalipi kujton momentin kur regjisori i ka ndarë rolin e Latifit, dhe ai shpjegon se pikërisht me rolin e tij, ndodhë edhe kthesa e filmit.
Latifi është drejtor i televizionit, dhe tenton që të zbardh rastin e shfrytëzimit të gruas, mirëpo ironia e këtij personazhi qëndron në faktin se ai tenton ta shpëtoj dikë, mirëpo që vet e shfrytëzon gazetaren.
“Një rrëfim i cili fillon prej gazetares, e cila është e re dhe ambicioze, e që interesohet për problemin e prostitucionit, dhe përmes rrëfimit të saj, ajo gjen mbështetje apo prehje te drejtori i televizionit”, rrëfen në pika të shkurta rreth rolit të tij Dalipi, film që për bosht ka gruan, dhe keqpërdorimin e saj në shoqëri.
Mirëpo, ky rol do të jetë i përmbushur për Avni Dalipin, nëse do të arrijë që Latifi do të urrehet nga audienca, pasi që brenda këtij filmi trajtohet prostitucioni dhe keqtrajtime të tjera që i bëhen gruas në shoqëri.
Avni Dalipi, duke e vlerësuar këtë film me një temë shumë të ndjeshme ka thënë për KultPlus se është një punë që duhet të trajtohet me delikatesë, sikurse të ecësh nëpër fije të perit.
Filmi “Dita e Gruas”, që do të xhirohet në Shkup, por edhe në Kumanovë, do të realizohet me përfshirjen e tri gjuhëve: shqip, maqedonisht dhe anglisht, dhe zvarritja e xhirimeve për shkak të pandemisë, për aktorin shqiptar ka reflektuar më mirë, sepse, sipas tij ka pas kohë ta analizoj çdo detaj të këtij personazhi.
“Dita e gruas” emri i këtij filmi përkon me festën e gruas si datë ndërkombëtare, dhe sipas Dalipit, pavarësisht që ka një festë për të, ajo vazhdon të jetë subjekt i krimit, që shkatërrohet, lëndohet, thyhet dhe shfrytëzohet.
Këtë film ai e sheh të guximshëm dhe si i tillë beson se do të ngjall kureshtjen e publikut.
“Ndikimi kulturor do të ishte një vetëdijesim i yni, që e drejta dhe e vërteta duhet të ndiqen apo të thuhen, pavarësisht çmimit që duhet të paguajmë për të qoftë edhe me jetë”, Dalipi.
Në rolet kryesor të këtij filmi luajnë aktorët: Sladjana Vujosevic, Musa Isufi, Sllagjana Vujosheviq dhe Ismail Kasumi. Kurse në rolet tjera janë: Mendim Murtezi, Damjan Cvetanovksi, Osman Ahmeti, Egzon Salihu e të tjerë. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.
Bëhet fjalë për projekte që do të përmbushin kërkesat e qytetarëve të kësaj komune nga fusha e trashëgimisë ku u diskutua për futjen e festivalit të këngës “Kosovarja këndon” në kuadër të trashëgimisë shpirtërore, ndërkaq në 50 vjetorin e teatrit të Ferizajt që po shënohet sivjet, ministrja ka thënë se objekti i teatrit do të restaurohet me përkrahje të ministrisë.
Edhe në kuadër të përkrahjes së drejtpërdrejtë organizata që veprojnë dhe merren me kulturë në Ferizaj, çdo vit përfitojnë nga thirrja që bën MKRS-ja për përkrahje të projekteve kulturore. Këtë vit i kemi mbështetur 12 organizata të komunës së Ferizajt, u shpreh mes tjerash ministrja.
Edhe në kuadër të sportit sqaroi ministrja, MKRS-ja është prezent me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.
“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.
Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.
“Ferizaji ka një jetë të pasur me aktivitete kulturore dhe sigurisht që nuk do të ishte kështu nëse do të mungonte përkrahja e MKRS-së ngase këto nuk do të ishin të mundura pa pasur mbështetjen e ministrisë”, ka theksuar kryetari Aliu.
Ai tregoi se mes tjerash me ministren Dumoshi kanë biseduar që shumë shpejtë të vënë gurthemelin edhe të pallatit të ri të kulturës, i cili sipas kryetarit Aliu, pritet të jetë objekti i parë i atij lloji në Kosovë.
Mst. Projekti i muraleve, atraksion që është përkrahur nga MKRS-ja
Në vizitën e sotme në Ferizaj, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së, bashkë me kryetarin Aliu kanë parë për së afërmi Festivalin e Muraleve, i cili ka për qëllim promovimin e artit vizual të jetës kulturore në Ferizaj.
“Në Ferizaj po qëndrojnë 15 artistë duke filluar nga SHBA, të Barcelonës dhe nga shumë vende tjera, të cilët përveç vizatimeve ose pikturave të cilët ata i bëjnë, ata mishërohen edhe me traditën tonë”, tha ministrja, duke e konsideruar këtë lloj bashkëpunimi dhe shkëmbimi të artistëve edhe si një lloj diplomacie kulturore, sepse këta artistë kur të kthehen në vendet e tyre, do të tregojnë për përvojën të cilën kanë kaluar në vendin tonë.
Edhe kryetari Aliu tha se Festivali i Muraleve i ka dhënë një impuls më të madh jetës kulturore në Ferizaj dhe ky festival ka kaluar përtej kufijve të Kosovës duke pasur një rëndësi edhe më të madhe sa që kishte vite më parë dhe për këtë falënderoi edhe ministren për përkrahjen e këtij festivali. / KultPlus.com
Justin Bieber zbuloi një vështrim në prapaskenat e krijimit të videoklipit të tij për këngën “Holy”.
Përgjatë klipit, super ylli ulet e shpjegon qëllimin prapa videoklipit ambicioz dhe kinematografik të drejtuar nga Colin Tilley.
“Colin dhe unë, të dy zemrat tona qëndrojnë në këtë klip, të dy nga fakti që e dimë që po ndodh shumë në botë tani. Shumë dhimbje, shumë zhgënjim, shumë njerëz që humbin vendin e punës”, thotë ai teksa shihet i veshur si një punëtor i një pike karburanti.
“Në thelb tregon se si një akt dhembshurie mund të ndryshojë me të vërtetë trajektoren e jetës ose ditës së dikujt. Dhe thjesht të kesh ndjeshmëri për njerëzit,” thotë ai. “Ky është qëllimi ynë me këtë projekt, është thjesht të frymëzojmë, të sjellim shpresë në këtë lloj kohe të pasigurt, të brishtë”.
Videoja e prapaskenave të videoklipit më poshtë. /Insajderi.com / KultPlus.com
Lajm i mirë për adhuruesit e astronomisë, një hënë e re e vogël mund të fillojë të shfaqet nga toka.
Është një objekt misterioz në hapësirë, që hap rrugën drejt tokës. Siç është raportuar, ai nuk posedon ndonjë kërcënim për planetin tokë dhe ndoshta do të bllokohet në orbitën e tokës dhe do të formojë një mini-hënë të re
ScienceAlert raporton se nëse ky objekt misterioz (i quajtur 2020 SO nga studiuesit), hyn në orbitën e tokës, ajo do të jetë mini-hëna e tretë që konfirmohet të bashkohet me orbitën e tokës.
Megjithëse ka prova se mund të ketë më shumë se të jesh vetëm asteroid, 2020 SO klasifikohet zyrtarisht si një asteroid.
Shkencëtarët i thanë ScienceAlert se ekziston një probabilitet i madh që 2020 SO të jetë në të vërtetë një fazë e hedhur e një rakete që u përdor për të lëshuar anije hënore Surveyor 2, një mision i dështuar në 1966.
Ata më tej shtojnë se objekti duket si madhësia e duhur dhe po udhëton shumë më ngadalë sesa shpejtësia e një asteroidi. / KultPlus.com
• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?
• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.
• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.
• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.
• Pa letërsi, jeta është një ferr
• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë
• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.
• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.
• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë
• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…
• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.
• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë
• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.
• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!
• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.
• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.
• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.
• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.
• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.
• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.
• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.
• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!
• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.
• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.
• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.
• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./KultPlus.com
Po rritem… Kam nisur të rris hapin e mendimit tim Të rris hijen e veprimeve të mia tashmë Po rris krahët e dëshirave Dhe gjatësinë e ëndërrimeve të purpurta Po, po. Kam vendosur të rris imazhin tim në pasqyrat e shpirtit Të rris pasqyrimet e ideve që më shëtisin në mendje Kam vendosur të jem tashmë një Grua Me hirin e qenies sime Kam nisur ta rris edhe jehonën e zërit Për të heshtur dhe folur kur unë dua Sepse bota ka nisur të jetë tepër e ngushtë Andaj për të qenë Unë, Më duhet të rritem./KultPlus.com
Shkrimtar, këngëtar, aktor dhe regjisor shqiptar, Muharrem Qena, lindi në 25 Qershor të vitit 1934 në Mitrovicë.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me ”Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi(1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries – Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave.
Muharrem Qena vdiq më 24shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com
Një 82-vjeçare nga India, që ishte fytyra e një proteste në vendin e saj, është përfshirë në listën e revistës “Times” të 100 personave më me ndikim në vitin 2020, shkruan BBC.
Bilkis ishte pjesë e një grupi të grave që protestuan në mënyrë paqësore kundër një ligji kundërthënës të shtetësisë.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi dhe aktorja e Bollywoodit, Ayushmann Khurana, po ashtu gjenden në listë.
Në listën vjetore gjenden pionierë, liderë dhe ikona nga bota që kanë pasur ndikim gjatë vitit.
Profil i Bilkisit në “Times”, që njihet ndryshe edhe si “Gjyshja”, është shkruar nga gazetarja dhe shkrimtarja Rana Ayyub, që e ka përshkruar atë si “zëri i të margjinalizuarëve”.
“Bilkisi i ka dhënë shpresë dhe fuqi aktivistëve dhe liderëve të studentëve që po arrestoheshin për ngritjen e zërit në një demokraci që po rrëshqite në autoritarizëm”, ka shkruar Ayyub. / KultPlus.com
Avdi Misini është një prej mendjeve më të ndritura të gjeneratës së tij. Ai angazhohet shumë për të drejtat e komunitetit rom, si gazetar e redaktor por edhe si aktivist.
KultPlus.com dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) me anë të projektit ‘Personalja: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit’ e sjellin tek ju një pjesë nga rrëfimi i Avdiut. Kjo video është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.
Arilena Ara së fundmi iu bashku botës së modës. Ajo është bërë pjesë e ‘Vogue Italia’ dhe ‘Milan Fashion Week’ në mesin e 8 vajzave më të fuqishme nga e gjithë bota.
Java Milaneze e Modës këtë vit i është besuar stilistes së famshme kineze, Sara Ëong, e cila do të mbledhë në një event virtual 8 vajza dhe gra më me influencë në glob. “For Powerful Women” do të bëjë bashkë këngëtare, modele dhe personalitete nga SHBA, Italia, Lindja e Largët dhe vende të tjera, të cilat do të tregojnë çfarë duhet të presin nga moda në vitin 2021 me anë të videove të realizuara nga stafi i tyre në bashkëpunim me gjigandët e modës.
Një nga këto 8 vajza të përzgjedhura nga vetë Wong është edhe artistja shqiptare, Arilena Ara.
Arilena do të jetë pjesë e eventit virtual, që do të transmetohet livestream ditën e sotme, 23 shtator, ndërkohë ajo ka realizuar edhe një set fotografik me veshje nga Sara Wong, i cili pritet të jetë publik në ditët në vazhdim përgjatë javës.
Në ditët në vazhdim do të kemi mundësi të shohim më tepër detaje nga Vogue në rrjetet e tyre sociale mbi setin fotografik të Arilenës dhe 7 vajzave të tjera. /Prive.al / KultPlus.com
Kristoffer Leandoer, është shkrimtar suedez. Në Tiranë, ai njihet si burri i ambasadores suedeze. Në nëntor 2018, Leandoer u zgjodh anëtar i jashtëm i Komitetit Nobel për Letërsinë, pranë Akademisë Suedeze.
Një vit më pas, ai u dorëhoq nga Akademia. Në këtë intervistë ekskluzive për dritare.net, ai tregon arsyet. Tregon gjithashtu, çfarë humbi Shqipëria nga mungesa e një Nobeli për Kadarenë.
Si ishte të punoje me çmimin Nobel, si anëtar i jashtëm i akademisë?
Kristoffer Leandoer: Çmimi Nobel ka qenë një ngjarje e madhe e jetës sime, si Krishtlindjet apo Kupa e Botës në futboll. Ishte e parezistueshme për të parë se si funksiononte, duke pranuar postin si anëtar i jashtëm i Komitetit të Çmimit Nobel (jo vetë Akademia!) Në fillim, ishte emocionuese, duke lexuar literaturën më të mirë nga e gjithë bota, por shpejt zbulova se ne kishim shumë pak fuqi reale mbi procesin e përzgjedhjes së fituesve të Çmimeve Nobel, pasi ne u caktuam vetëm për dy vjet, dhe procesi i përzgjedhjes së shkrimtarëve nga e ashtuquajtura “listë e gjatë” dhe fitimi i mbështetjes për ta, së pari në komision dhe më pas në pjesën tjetër të akademisë, zakonisht duhen disa vjet. Pra, në realitet, ne anëtarët e jashtëm nuk kishim aq shumë fuqi. Ne zbuluam se tashmë ishte përgatitur e ashtuquajtura “listë e shkurtër” dhe se çdo përpjekje për të shtuar emra të rinj në atë listë u prit me mosmiratim.
Ne kemi mësuar se dorëheqja juaj erdhi sepse Çmimin Nobel e fitoi Peter Handke, është e vërtetë? Për ketë dhatë dorëheqjen?
Kristoffer Leandoer: Thjesht nuk mund të qëndroja. Kur Akademia refuzoi të njohë realitetin e ndjenjave të një populli të tërë, ishte e pamundur që unë të qëndroja. Ky nuk ishte një vendim i lehtë. Peter Handke kishte një ndikim i madh tek unë në fund të viteve tetëdhjetë, dhe unë ende e dua punën e tij nga vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Të jem mjaft i sinqertë, unë nuk kisha menduar për të për një kohë të gjatë dhe u befasova shumë kur pashë emrin e tij në “listën e shkurtër” për çmimin Nobel nga viti i kaluar. Ishte e vështirë të merrej seriozisht, pasi ai kishte thënë disa gjëra shumë të çuditshme në vitet e fundit. Unë e kuptova që detyra ime si anëtar i jashtëm i komitetit ishte të ndihmoja Akademinë për të rivendosur Çmimin Nobel në sytë e botës dhe për të gjetur një rrugë përpara për të integruar një qasje më moderne dhe të rëndësishme. Për mendimin tim, kjo nënkuptonte dy gjëra: 1) përmirësimi i ekuilibrit gjinor – 100 fitues meshkuj, 14 femra – 2) duke e bërë Çmimin Nobel më pak eurocentrik, më përfaqësues të një bote globale duke prezantuar gjuhë dhe kultura që nuk ishin shpërblyer akoma . Si një burrë që shkruante në gjermanisht, Handke nuk plotësoi asnjë kualifikim. Synimet e mia për çmimin Nobel ishin krejtësisht të ndryshme. Pra, a mendoj se Peter Handke ka shkruar libra të denjë për çmimin Nobel? Unë e mendoj, absolutisht. Por kështu kanë bërë edhe shumë të tjerë. A mendoj se ishte një vendim i mirë për ta shpërblyer atë, vitin e kaluar? Padyshim që jo, do të doja t’i kishin dhënë çmimin në vitet tetëdhjetë.
Unë dhashë dorëheqjen sepse nuk mund të ndikoja në çmimin Nobel në mënyrën që doja. Çmimi për Handke e bëri këtë shumë të qartë. Më vuri në një pozitë të papajtueshme dhe false. Nuk mund të qëndroja prapa asaj sesi Akademia zgjodhi të mbrojë çmimin për Handke, pretendimin e tyre se letërsia është diçka e veçantë nga pjesa tjetër e botës. Kjo thjesht nuk është e drejtë. Literatura shkruhet dhe lexohet nga njerëz të gjallë në botën e gjallë, ku njerëzit vuajnë dhe marrin vendime të gabuara dhe sillen në mënyrë frikacake. Mënyra se si çmimi për Handke u motivua dhe u mbrojt, nuk me lejonte mua te mund të qëndroja pas tij, pas atij argumentimi. Unë gjithashtu isha i turpëruar për shkaktimin e tronditjes dhe lëndimit nga ana e akademisë për këtë pjesë të botës.
Sidoqoftë, Peter Handke fitoi Nobelin. Si gjykoni ju; A mund ta injorojmë faktin se ai ishte një mbështetës i një prej regjimeve më të ashpra në Evropë, regjimit të Millosheviçit?
Kristoffer Leandoer: Jo nuk mund ta injorojmë këtë. Në deklaratën e saj të parë, Akademia Suedeze u përpoq të bënte pikërisht atë, për të thënë se ishte një çmim thjesht letrar. Kjo nuk është një këndvështrim i qëndrueshëm, pasi që Handke vetë i ka bërë pikëpamjet e tij pjesë e produksionit të tij letrar, dhe vepra e tij ka të bëjë shumë me lidhjen e tij me botën e jashtme. Ata do të duhet ta mbronin çmimin ndryshe, duke pretenduar se nuk është një çmim për sjellje të mirë ose epërsi morale, por për përpjekje të sinqertë për të portretizuar gjendjen njerëzore në të gjithë bukurinë dhe shëmtinë e saj. Unë kam përkthyer shkrimtarin dhe antisemitin francez Louis-Ferdinand Céline dhe mendoj se ne mund ta mbrojmë shumë mirë letërsinë pa ndarë mendimet që ajo shpreh. Kjo është pjesë e magjisë – letërsia ju jep një shans për të parë me sytë e tjetrit, për të përjetuar pikëpamje që ju duken të tmerrshme. Të kuptuarit e tjetrit është një pikë e mirë fillestare – por nuk ju lejohet të gënjeni për këtë, nuk ju lejohet të fshihni shëmtinë. Mund të thuhet se Handke përshkruan luftën e një personi me konflikte të brendshme, një luftë për pajtimin me njerëzimin. Do të ishte e vështirë të shpjegohet rëndësia e kësaj në një mënyrë që mund të jetë e pranueshme për familjet e viktimave, por është mënyra e vetme e mundshme për të mbrojtur vendimin e vitit të kaluar. Akademia zgjodhi të minimizonte këto komplikime, mendoj se ishte e panevojshme dhe e pandjeshme për të bërë atë zgjedhje vitin e kaluar, ka kaq shumë kandidatë të denjë që 1) nuk e kanë mbështetur Millosheviqin, 2) nuk do të ofendonin viktimat e gjenocidit, 3) do të përmirësonin ekuilibrin gjinor, 4) shpërblenin një gjuhë që nuk i janë dhënë aq çmime sa gjuha gjermane.
A mund të na tregoni më shumë për punën që bënit? Si bëhej përzgjedhja e fituesve, cilat janë fazat për të ardhur te fituesi?
Kristoffer Leandoer: Procesi zgjat gati një vit. Kandidatët duhet të nominohen së pari. Çdo vit një numri institucionesh – qendra PEN, akademi, ish fitues të Çmimit Nobel – u kërkohet të nominojnë kandidatët e tyre, duke rezultuar në një listë me 100-200 emra. Pastaj fillon procesi i gjatë i zgjedhjes së rreth njëzet emrave, e ashtuquajtura “listë e mesme”,. Leximi dhe diskutimi. Me një listë kaq të gjatë, është e qartë se koha është shumë e shkurtër dhe diskutimet priren të jenë përmbledhëse. Shumë emra janë të njohur, disa nuk janë. Kam lexuar sa më shumë që të mundem dhe thjesht duhej të supozoja se kolegët e mi bënë të njëjtën gjë. Pastaj “lista e mesme” shkurtohet në “listë të shkurtër”, gjashtë emra – dhe këtu është lufta e vërtetë, këtu zhvillohet diskutimi i vështirë – por sinqerisht, unë mendoj se diskutimet janë shumë të shkurtra dhe vendimet gjithashtu shumë i nxituar. Fituesi duhet të vijë nga “lista e shkurtër”, dhe gjithashtu duhet të ketë qenë atje të paktën një herë më parë, kështu që në realitet, nuk mund të dilni me një emër të ri dhe të shpresoni ta shpërbleni atë në të ardhmen e afërt. Ju duhet të mendoni afatgjatë. Pastaj bëhet zgjedhja përfundimtare e një kandidati dhe paraqitet që e gjithë akademia ta pranojë ose refuzojë.
Rudina Xhunga, ka intervistuar disa fitues të Nobelit, njëra prej tyre Doris Lessing i tha asaj: “Do të doja ta kisha marrë kur ta shijoja. Tani të tjerët po festojnë për mua. Unë nuk mund të festoj. “A jepen më shumë çmime për karrierën sesa punën dhe nganjëherë, çmimi jepet shumë vonë?
Kristoffer Leandoer: Shpesh, po. Në mënyrë ideale, duhet t’i jepet një vepre që është akoma një forcë e gjallë dhe aktive në botë, dhe nganjëherë kjo ndodh. Çmimi në 2015 për shkrimtaren Bjelloruse Svetlana Aleksijevitj, e cila tani e mbron atë nga agresionet e policisë së shtetit Bjellorus, është provë e rëndësisë së mundshme të Çmimit Nobel. Dhe çmimi për shkrimtaren polake Olga Tokarczuk vitin e kaluar, në të cilën unë gjithashtu mora pjesë, iu dha një shkrimtari të mrekullueshëm akoma shumë aktiv, në mes të karrierës së saj.
A ka shumë debate brenda akademisë, për çmimet?
Kristoffer Leandoer: Mendoj se Akademia duhet të debatojë më shumë. Me shume.
Në Shqipëri të gjithë jemi duke pritur Nobelin e Kadaresë për vite me radhë. Na duket e çuditshme që ai nuk e ka marrë akoma. A e njihni shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare? Çfarë ju pëlqen tek ai?
Kristoffer Leandoer: Unë e njoh punën e tij dhe mendoj se ai është shkrimtari i një numri kryeveprash absolute, si Kronika në Gurë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur ose Pallati i Ëndrrave. Ai duhet të ishte dhënë çmimi në fillim të viteve nëntëdhjetë, që do të kishte shërbyer gjithashtu si një inkurajim për popullin shqiptar në rrugën e tij larg komunizmit.
A keni një shkrimtar të preferuar? Pse?
Kristoffer Leandoer: Unë kam një numër shkrimtarësh të preferuar. Shkrimtarja suedeze Selma Lagerlöf është një nga të preferuarat e mia absolute. Svetlana Aleksijevitj është një tjetër. Nëse do të jetonte akoma, unë do të doja të shihja shkrimtaren e trillimeve shkencore Ursula K Le Guin të vlerësuar me Çmimin Nobel.
Tani jetoni në Shqipëri, si është këtu? Ju jeni shumë aktiv në promovimin e vendit tonë, së bashku me zonjën ambasadore!
Kristoffer Leandoer: Më pëlqen të jetoj në Shqipëri. I dua njerëzit, miqësinë, natyrën, ushqimin, fshatin, malet dhe detin, atmosferën mesdhetare, historinë interesante.
Cilin vend ju pëlqen më shumë, cilin ushqim, cilin zakon?
Kristoffer Leandoer: Ne jemi akoma në procesin e zbulimit të thesareve të shumta të Shqipërisë, por mund të them se Qafa e Malit midis Valbonës dhe Thethit ishte një nga përvojat më të mëdha në jetën time.
Ju jeni edhe shkrimtar. Do të shkruani një ditë, për Shqipërinë? Çfarë?
Kristoffer Leandoer: Disa përvoja të natyrës tashmë mund të kenë gjetur rrugën e tyre në poezinë time. Si prozator jam pashpresë i ngadaltë dhe i fiksuar akoma me fëmijërinë time. Sado i hipnotizuar nga kultura shqiptare mund të jem, ky është një proces shumë i ngadaltë. Më pyet për dhjetë apo njëzet vjet! Por, do doja të më tregonit historitë tuaja! Ka aq shumë për të cilat dua të di më shumë. Për shembull, unë dua të mësoj më shumë rreth kukullave magjepsëse, kukullave që mund të shihni jashtë shtëpive si mbrojtje ndaj syrit të keq. Unë dua të di më shumë për ato. / KultPlus.com
Më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë lindi Marie Paluca Kraja, këngëtarja më e madhe e operës shqiptare, e cila ishte veçanërisht e njohur për interpretimin e saj të këngëve popullore shqiptare.
Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.
Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, në vitin 1936 u emërua pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.
Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar.
Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.