India, vendi i dytë me më shumë raste nga COVID-19 në gjithë po bën pjesë të luftës ndaj COVID-19 edhe robotët, transmeton KJ. Invento Robotics janë lloji i robotëve që po futin autoritetet indiane brenda spitaleve.
Lloji më i famshëm është roboti ‘Mitra’ që ndihmon pacientët, mjekët dhe familjarët të lidhen me njëri-tjetrin. Ata kanë një ekran në gjoks dhe arrijnë të bëjnë të mundur një lidhje me audio dhe video.
Po ashtu ata kujtojnë mjekët dhe pacientët për ilaçet apo trajtime të ndryshme. Një prej robotëve kushton 10 mijë dollarë dhe ata mund të jenë një armë shtesë në Indi teksa spitalet janë tejmbushur me pacientë me COVID-19, kurse vendi po vuan një krizë të thellë nga pandemia. / KultPlus.com
Duke u bazuar në autoritetin dhe në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, ka nxjerr vendim për themelimin e Gardës Ceremoniale të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Garda Ceremoniale e Shërbimit Korrektues të Kosovës do të veprojë dhe do të jetë aktive vetëm në raste të caktuara ceremoniale.
Kriteret për përzgjedhjen e zyrtarëve, të cilët do të janë pjesë e gardës ceremoniale dhe rregullat për funksionimin e gardës do të përcaktohen me akt të veçantë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, çdo herë do të jetë i përkushtuar në avancim të mëtutjeshëm dhe në reforma të vazhdueshme, me qëllimin e të qenurit institucion profesional, kredibil, i besueshëm dhe konkurrent me institucionet korrektuese të shteteve demokratike dhe moderne”, thuhet në njoftimin e SHKK-së. /Express/ KultPlus.com
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” me seli në Gjakovë, ka hapur thirrjen publike për propozime të individëve për titullin “Guximi intelektual” për këtë vit, shkruan KultPlus.
Përderisa ky titull jepet çdo përvjetor të Shoqatës, kandidatët propozohen teksa kryesia pastaj e bën përzgjedhjen.
“Kandidatët duhet që me punën dhe aktivitetin e tyre, të publikuar në masmedia, në faqen e Shoqatës ose gjetiu, në vijimësi të kenë treguar mendim dhe qëndrim të guximshëm lidhur me problemet e mëdha kombëtare, shtetërore e shoqërore”, thuhet në njoftimin e Shoqatës ‘Jakova’.
Shoqata e Intelektualëve ‘Jakova’ do të ketë të hapur mundësinë e propozimeve deri më 15.12.2020 në emailin e tyre.
Fituesi i parë i këtij titulli ka qenë profesori Nezir Kraki. /KultPlus.com
Një protestë masive ishte paralajmëruar për ditën e sotme për të kundërshtuar masat e Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19.
Një organizatë e ashtëquajtur si “Zëri i Popullit” bënte thirrje për dalje masive në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat e reja që pritet të hyjnë sot pasdite në fuqi.
Por, nga protesta masive e cila përcillej me foto të protestave politike, në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës u shfaq vetëm një qytetar dhe dhjetëra gazetarë.
Dështimi i protestës të sotme vjen si shkak që gastronomët janë distancuar nga kjo protestë. / KultPlus.com
Ndodhja e një kishe katolike mesjetare sase (saksone) në Kosovë, për shumë qytetarë të Kosovës është pak e njohur. T’i thuash dikujt se në shekullin XIII, para më shumë se shtatëqind vjetëve, në Kosovë kishte gjermanë (saksonë) që ishin minatorë të zotë dhe kishin ardhur të punonin dhe të jetonin këtu, veçmas në pjesët përskaj minierave, është si t’u lexosh ndonjë tregim fantastik.
Por, kisha saksone është aty, për historinë e së cilës historianët kanë të dhëna të mjaftueshme dhe të argumentueshme, transmeton rtk. Duke dëgjuar historianët dhe lexuar studimet e tyre, gjejmë të dhëna se ata (sasët/saksonët) ishin njohës të mirëfilltë të xeheve dhe dinin si t’i nxirrnin ato si pak popuj gjatë mesjetës së vonë. Ata ishin të vendosur në fshatra, qytete dhe kështjella fare pranë minierave. Gjurmët e tyre në Kosovë i gjejmë në masë më të madhe në lokalitetet e Mitrovicës dhe të Novobërdës, në të cilat qenë zbuluar minierat që nga periudha mesjetare. / KultPlus.com
Një ndër fshtatrave më të mëdha në vend, Kçiqit të Mitrovicës po iu shtohet një mural artistik në kuadër të Green Fest, shkruan KultPlus.
Kçiqi i cili është i njohur për numrin e madh të banorëve dhe kontributin e tyre në fushën e arsimit, ekonomisë, sportit e artit, shumë shpejt do të merr një pamje të re.
Në njërin prej trafove elektrike të fshatit do të realizohet një mural artistik nga Arbnora Skuroshi bashkë me artistë të tjerë, në kuadër të Green Fest
Edicioni i sivjetëm i Green Festival është fokusuar në temën e pabarazisë me theks të veçantë në pabarazinë urbane, gjinore, sociale dhe atë në arsim./ KultPlus.com
Alfred Adler ishte mjek austriak, psikolog dhe themelues i shkollës individuale të psikologjisë.
Adler ishte në mesin e bashkë-themeluesve të lëvizjes psikoanalitike në bashkëpunim me Sigmund Freud dhe një grup të vogël nga kolegët e Frojdit. Ai ishte figura e parë e madhe që iu shkëput nga psikoanaliza froidian-e, për të formuar një shkollë të pavarur psikoterapie dhe teorie të personalitetit.
Katër tipa të personalitetit sipas Adler:
I pari është tip sundues.
Ata janë që nga fëmijëria e tej të karakterizuar nga prirja për të qenë më se agresivë dhe mbizotërues ndaj të tjerëve. Energjia e tyre, forca e përpjekjeve të tyre pas interesit personal, është kaq e madhe saqë ata priren të rrëzojnë çdo gjë ose çdonjërin që hyn në rrugën e tyre. Më energjikët midis tyre janë prepotentët dhe sadistët, disi më pak energjikë ata, që dëmtojnë të tjerët duke dëmtuar veten e tyre ku përfshihen alkoolistët, të droguarit dhe vetëvrasësit.
I Dyti është tip i varur.
Ata janë njerëz të ndjeshëm, të cilët kanë zhvilluar një guaskë rreth vetes, e cila i mbron, por ata mund të mbështeten tek të tjerët që t’i mbartin nëpër vështirësitë e tyre. Ata kanë nivel të ulët energjie dhe kështu bëhen të varur. Kur janë të tronditur, tek ata shfaqen simptomat neurotike, fobitë, obsesionet, shtrëngimet, ankthi i përgjithshëm, histeria, amnezia, e kështu me radhë, duke u varur në detajet individuale të mënyrës së jetesës.
Tipi i tretë është shmangës.
Këta kanë nivel më të ulët të energjisë, dhe mbijetojnë në thelb vetëm duke iu shmangur jetës, veçanërisht njerëzve të tjerë. Kur shkojnë në ekstrem ata tentojnë të bëhen psikopatë duke u tërhequr përfundimisht në botën e tyre personale.
Tipi i katërt është i dobishëm dhe shoqëror.
Ky është individ i shëndoshë, i tillë që ka së bashku interesin shoqërorë me energjinë. Sipas Adler, pa energji ju nuk mund të keni më të vërtetë interes shoqëror, ashtu siç nuk do të ishit i zoti të bënit ndonjë gjë për këdo tjetër. / Albert Vataj /KultPlus.com
Mbi 9 mijë e 400 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë mbushur me pacientë.
Një spital i veçantë për këta pacientë, është i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, thonë në Klinikën Infektive në QKUK.
Për të gjetur një zgjidhje për këtë, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se Spitali COVID-19 me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt.
“Po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim do ta bëjë gati ‘Spitalin për COVID-19’, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte shkruar ndër të tjera ministri Zemaj në profilin e tij në Facebook.
Por, ky spital me këta shtretër për të cilët kanë nevojë klinikat në QKUK, ende nuk është gati.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje gjatë së enjtes nga ministri Zemaj për të ditur më shumë se kur do të jetë gati ky spital, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përballjen me COVID-19 e ka cilësuar si ‘një situatë të luftës’, pas vizitës që bëri të enjten në Klinikën Infektive, bashkë me ministrin Zemaj.
Hoti ka kërkuar të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në QKUK dhe në spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë.
“Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’u dalë në ndihmë pacientëve”, tha kryeministri Hoti.
Klinikat në QKUK, të mbushura me pacientë
Në dy javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i testimeve për COVID-19 dhe po ashtu është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të vdekurve.
Në shumicën e klinikave në QKUK, është duke u punuar me kapacitete të plota dhe ato janë të stërmbushur me pacientë. Situatë e njëjtë është edhe në spitalet rajonale.
Infektologu Salih Ahmeti tregon për Radion Evropa e Lirë se në javët e fundit, nuk kanë mundur t’i pranojnë në Klinikën Infektive të gjithë ata pacientë që kanë pasur nevojë për hospitalizim.
Ata janë dërguar në klinika të tjera, si në Pulmologji apo edhe në Mjekësinë Sportive.
“Në dhjetëditëshin e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë të domosdoshme për hospitalizim. Kryesisht janë raste të rënda, raste të cilat duhet të hospitalizohen dhe duhet të trajtohen me urgjencë. Në Klinikën Infektive ka dy javë apo dhjetë ditë që punojmë me kapacitete të plota”, thotë Ahmeti.
Infektologu Ahmeti thotë se një spital i tillë me 500 shtretër, është i domosdoshëm në këtë kohë, marrë parasysh se me fillimin e stinës së dimrit, situata epidemiologjike do të vështirësohet edhe më shumë.
“Është më se i nevojshëm dhe ai spital duhet të jetë në dispozicion tonin sa më parë. Dashtë Zoti të mos kemi nevojë ta shfrytëzojmë, por ne duhet të përgatitemi për rastet më ekstreme të kësaj epidemie. Ne kemi nevojë të kemi numër më të shtuar të shtretërve për personat që kanë nevojë për hospitalizim dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë nevojë për kujdes intensiv”, thotë Ahmeti.
Çfarë është Spitali COVID-19?
Me qëllim të rritjes së kapaciteteve për t’u përballur sa më mirë me pandeminë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), synojnë të bëjnë gati ‘Spitalin COVID-19’.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, objekti i Klinikës Emergjente do të adaptohet për nevojat e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Spitali COVID-19 është paraparë të ketë 500 shtretër dhe do të hospitalizohen kryesisht pacientët me COVID-19.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 22 tetor, pati deklaruar se janë duke përgatitur infrastrukturën në QKUK, që të ketë sa më shumë shtretër në dispozicion për pacientët me COVID-19.
Kosova po përgatitet për rritje të rasteve me COVID-19
Krasniqi kishte thënë se janë në përfundim të punimeve në objektin e Mjekësisë Sportive, për t’u vendosur shtretër shtesë, si dhe është duke u bërë zgjerimi i rrjetit me oksigjen dhe furnizimit të pajisjeve me oksigjen për gjitha spitalet në Kosovë.
Që nga fillimi pandemisë në muajin mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 26,888. Prej tyre, 784 pacientë kanë humbur jetën dhe 16,685 janë shëruar, derisa janë edhe 9,418 raste aktive.
Të enjten, Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi të premten, nga ora 18:00. /gazeta express/ KultPlus.com
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës njofton se nuk do të merr pjesë në protestën e ditës së sotme e cila kundërshton masat e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, shkruan KultPlus.
Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në facebook.
‘’Jemi të distancuar nga protesta e cila është thirrur të mbahet sot në ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë’’, kanë njoftuar kjo shoqatë.
Tutje ata kanë theksuar se janë kundër organizimeve të cilat nuk respektojnë masat për luftimin dhe menaxhimin e pandemisë. /KultPlus.com
Dje pasdite ka ulur perden Festivali Teatror mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë Shqiptare” i cili u mbajt në qytetin e vogël por artdashës të Preshevës. Festivali u mbajt në skenën e teatrit “Abdulla Krashnica”.
Megjithëse në kushte shumë të vështira prej Covid-19, organizatorët e kësaj ngjarje u kujdesën që të zbatoheshin në mënyrë rigoroze të gjitha rregullat e përcaktuara në protokoll, por që gjithashtu ky festival të mbante edicionin e tij të radhës.
Ky festival pati një juri mjaft prestigjioze të përbërë nga artistë shumë të njohur të skenës teatrore si Fatos Berisha, Musa Isufi dhe Kastriot Saqipi. Në fund të këtij eventi u shpërndanë çmimet vlerësuese për disa nga shfaqjet qe u vlerësuan si produksionet më të mira.
Shfaqja “Sot 8 ditë” ishte produksioni i Teatrit të Metropolit i cili arriti të merrte tre çmime të rëndësishme. Kjo shfaqje u vu në skenë nga regjisorja Elona Hyseni dhe me aktorë si Ermir Hoxhaj, Xhino Musollari, Ermir Jonka, Margent Caushi, Klea Konomi, Alba Shtëmbari, Klodjana Keco, Ergys Baki, Glen Shutina, Valdano Bajrami, dhe Joana Omeraj.
Regjia më e mirë, shfaqja më e mirë ishin dy çmimet e rëndësishme në këtë shfaqje, por edhe aktori më i mirë që iu dha aktorit të njohur Margent Caushi i cili ishte pjesë e po të njëjtit produksion. /ata/ KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar për gastronomët pasi ata lejohen të punojnë deri në orën 19:00, ndërsa menjëherë fillon ora policore.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook tha se punëtorët e gastronomisë duhet të marrin me vete dyshekët që të flejnë në kafe.
“Gastronomia lejohet të punojë deri në 19, ndërsa ora policore fillon në 19:00. Punëtorët e gastronomisë duhet të marrin me vete dyshekët dhe të flejnë në kafe ose të teleportohen në shtëpi”, ka shkruar Ahmeti.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër. Në komunat që janë në zonën e kuqe do të ketë orë policore nga ora 19:00. / KultPlus.com
Pandemia që ka përfshirë të gjithë botën, përpos pasojave në jetë njerëzish, tashmë ka filluar që të ketë një ndikim të madh edhe në ekonomitë e vendeve të ndryshme, shkruan KultPlus.
Ndonëse shumë vende tashmë kanë marrë të gjitha masat për rimëkëmbje ekonomike, por edhe sigurim të qytetarëve, një gjë të tillë në vendet e Ballkanit ka krijuar mjaft probleme.
Madje për qytetarët e Luginës së Preshevës, luftës së virusit, i është shtuar lufta nga varfëria. I riu nga Presheva, Driton Hyseni me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se nuk e dinë se nga do ju vijë vdekja, virusi, varfëria, apo Serbia.
“Vanë mendtë e mia, vanë… S’dimë a do vdesim nga virusi, nga varfëria, a nga Serbia?! #ShqiptarNëSerbi”, ka postuar ai./ KultPlus.com.
Figura iluministes së shquar shqiptare Parashqevi Qiriazi ka frymëzuar edhe drejtuesit e UNESCO-s për ta përfshirë atë në kalendarin e jubileve të mbështetur nga kjo organizatë për vitin 2020. Pritet që së shpejti Parashqevi Qiriazi të prezantohet në UNESCO.
Në vitin 1919, Qiriazi lundroi nga Nju-Jorku në Francë (për Paris) si delegatja e vetme femër shqiptare në Konferencën e Paqes, kur po rishkruhej harta politike e botës.
Aty, kjo grua 152-centimetra qëndroi dallueshëm, si një Skënderbe në një det burrash politikanë.
Europianët u çuditën se “Shqipëria e prapambetur” (siç pohonin grekët etj) ishte aq e “emancipuar” sa kishte dërguar një përfaqësuese femër të këtij niveli.
Një libër dedikuar historisë së Parashqevi Qiriazi “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” vjen nga shkrimtarja Teuta Toska. Çfarë bëri ajo në kohën e lirë? Me kë shoqërohej? Cili ishte mendimi i saj për politikanët e kohës dhe për burrat në përgjithësi? Këto zbulohen në këtë libër, ku autorja paraqet jo vetëm këto, por edhe zgjidh enigma që as nuk dinim që ekzistonin, lidhur me veprimtarinë politike dhe arsimore të Parashqevisë. Ky libër 500-faqësh, që do të dalë në fund të këtij viti, do të befasojë studiues, do të ndriçojë historinë e Shqipërisë politike në fazat më kritike të fillimit të saj dhe, më e mira, do të frymëzojë çdo femër shqiptare dhe do të sfidojë çdo mashkull shqiptar të qëndrojë sa më tepër si burrë e atdhetar.
Gjithashtu “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve” në Shkup ka pasuruar fondin botues me librin më të ri “Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës”, tërësisht i panjohur për opinionin e gjerë.
Të dy librat janë botuar më rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Parasheqevi Qiriazit.
Ditari i lënë në dorëshkrim nga Qiriazi, dëshmon për punën e palodhshme të kësaj ilumniniste shqiptare, e cila kësaj radhe na paraqitet si dëshmitare e gjallë e një prej ngjarjeve më vendimtare për fatet e popullit shqiptar, siç ishte Konferenca e Versjajës e vitit 1919/20.
Figura emblematike e Parashqevi Qiriazit këtu ndriçohet dhe plotësohet me detaje fare të panjohura, përmes të dhënave autentike që ajo na i prezanton në ditarin e saj dhe ajo përligj zërin më përfaqësues të gruas së shquar shqiptare, e cila, siç mund të shihet nga dëshmitë e ofruara, del të jetë edhe themeluese e diplomacisë shqiptare. Parashqevi Qiriazi ishte delegate e Konferencës së Versajes dhe ditari i saj zbulon dritë-hijet e kësaj konference përmes syrit vëzhgues dhe mjaft aktiv të saj.
Ditari i Parashqevi Qiriazit nuk është thjeshtë kujtim personal i një gruaje që spikati shumë anë të njohura e të panjohura të kësaj Konference, por është edhe fryma dhe konteksti i kohës, të shqiptarëve në raport me Fuqitë e Mëdha, sidomos me SHBA-të, ku shqiptarët, me të drejtë kishin varur të gjitha shpresat./ KultPlus.com
Përdoruesit e FIFA 21 tani mund të luajnë si Dua Lipa si pjesë e versionit më të fundit të lojës.
EA Sports ka lëshuar versionin e ri të FIFA 21, dhe një mori të famshëm janë bashkuar me modalitetin ‘FIFA Volta’.
Dua Lipa, e cila lëshoi albumin e saj të fundit ‘Future Nostalgia’ këtë vit, tani paraqitet së bashku me të tjerët si Leëis Hamilton, David Beckham dhe DJ Snake.
Versioni i gjeneratës së ardhshme të FIFA 21 (PS5 dhe Xbox Series X) do të lançohet në 4 dhjetor , ndërsa edicioni i përmirësuar i PC do të arrijë vitin e ardhshëm.
Lojtarët që zotërojnë versione të gjeneratës aktuale të lojës gjithashtu do të kenë të drejtën e një azhurnimi falas të gjeneratës së ardhshme, por vetëm për konsolën ekuivalente të gjeneratës së ardhshme – për shembull, PS4 në PS5.
Përdoruesit të cilët zotërojnë kopje fizike të lojës janë këshilluar të mbajnë disqet pasi atyre do t’u kërkohet të fillojnë lojën në konsolat e gjeneratave të ardhshme./ KultPlus.com
Rita Ora fal suksesit në karrierën muzikore ka fituar edhe kontrata me kompani të ndryshme për të qenë imazh i tyre.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore së fundi është bëri imazh i rrjetit 5G në Britaninë e Madhe dhe tashmë ka sjellur edhe klipin e parë promovues të tyre, shkruan KultPlus.
Rita ka ndarë promon me adhuruesit në Instagram, duke thënë se është e entuziazmuar që ka punuar me ta.
Si çdo herë artistja erdhi me një pamje unike, joshëse dhe plotë pozitivitet teksa ftoj adhuruesit që ta shikonin këtë videoklip.
Ndërsa, përveç kësaj Rita është duke punuar edhe në projekte të reja muzikore që pritet të lansohen së shpejti./ KultPlus.com
Isha veç 4 vjeç, por kujtimet janë ato qe me kane ngelur dëshmi se jeta ime ishte e plote si e çdo fëmijës tjetër. Familja ime njihej si familje fisnikesh, njiheshim si njerëz punëtore e te pa ndalshem, ishim te pasur nga kënga, buzëqeshja, harmonia dhe dashuria qe vihej ne pah edhe përtej mureve. Shtëpia ku u rrita është muzeu i dashurisë, i leximeve te vona, këngës shqipe, idealit dhe fëmijëve te lirisë.
6 vjetorin e ditëlindjes me munguan përqafimet e ledhatimet qe me kishin rritur. Unë bije e dëshmorit aso kohe, aq e vogël isha sa për ta kuptuar qe jeta ime kurrë me, s’do te ishte e njëjte.
Ngjarja me poshtë nuk është e përshtatur, është tregimi im, vraga qe do te mbyllet vetëm atëherë kur vendi im Kosova, djepi ne te cilin prehet shpirti i luftëtarit te lirisë e gëzon lirinë.
E kujtoj ende shtëpinë e mbushur me plot burra me uniforme ushtaresh, e qe flisinin shqip, nuk ju dridhej qerpiku kur deklaroheshin se ka ardhë dita qe Kosova te marre fryme e lire. Kujtime te zbehta, por ato janë përherë ne mua, ato enderra te gjalla, piktura qe lëvizin.
Ishin ushtaret te UÇK-se qe po betoheshin trimnisht për liri ne oborrin e Babes Gjysh.
Babai im ishte ende i ri ne moshe, njihej për intelektual, trimëri dhe për zemrën e madhe, s’paku kështu ma kane përshkruar. Ne kohen e luftës mbante rroba te zeza, i shkonin shume, ashtu e kujtoj unë. Nder te tjerë kujtoj edhe xhaxhain tim Feimin, një burrë tjetër shembullor qe i qëndronte babait tim nga prapa çdo kohe, pa u gdhi ne dëshira.
Aso kohe, jetonim ne fshatin Drenoc ne komunën e Rahovecit, shtëpia, familja dhe gjithçka qe ishte ndërtuar mbi dëshirën për te qene te lumtur ne te ardhmen u shua ne dy vite.
Xhaxhai Feim u vra nga forcat paramilitare serbe me 1998, ne moshën me te mire, ne te njëzetat e hershme. Ai po shpresonte mbarimin e luftës, çlirimin e Kosovës, qe me pas ta krijonte familjen.
Ishte kohe dhimbjeje për familjen, e qe u shtua vetëm pas disa muajsh, kur u vra edhe babai im nga i njëjti arsenal krimi.
Jeta ime dhe e familjes time ka qene shume e vështire këto 20 vjet. Ne kemi vuajtur çdo dite e nate mungesën e pazëvendësueshme dhe lirinë qe e morëm ne copa-copa.
Unë bija e dëshmorit, e cila u rrita ne kushte te vështira, asnjëherë s’mu zgjate dore nga institucioni shtetëror për t’u lehtësu barra e nenës sime.
Nena ime, heroina e familjes, u be vet grua e burrë, nene e baba për ne. Kulmi qe na mungoi, kafshata e thate.
Liria ka emër, ajo është e mbështjellur me flamurin kuq e zi, me gjakun e dëshmorëve, lotët e jetimëve e sakrificat e nënave. Liria ka emër, ajo nuk është e partisë, e as e njerëzve miliarder që nënvizojnë gjithë Kosovën brenda orësh me pankarta egoje.
Liria ka emër, është liste e gjate me emra te vrarësh, te zhdukurish, te mbijetuara te dhunës seksuale, e invalide te harruar.
Babai e xhaxhai im nuk luftuan për ta pare Kosovën te ndare, as popullin njeashtu. Ata vdiqën për lirinë qe i kërkohet një emër, e emërohet ne emra burrash qe rrihen për karrige.”/ KultPlus.com
Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se pjesën tjetër të vaksinave, Kosova do ta blejë me mjete të veta financiare, kur ato të jenë në treg dhe të lejuara për përdorim te njerëzit.
“Kosova, prej disa muajsh, ka qenë në bisedime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Aleanca Botërore e Vaksinimit e ka futur Kosovën në mesin e shteteve përfituese falas të 20% të sasisë së vaksinave, apo 360,000 doza të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Këtë javë, kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”.
Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji.
Pfizer ka thënë se beson se do të sigurojë 50 milionë doza të vaksinës deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard të tjera deri në fund të vitit 2021.
Në zhvillim e sipër janë edhe dhjetëra vaksina të tjera kundër koronavirusit.
Kosova ka konfirmuar në total 26,888 raste me koronavirus. Aktualisht i ka 9,418 raste aktive./ KultPlus.com
Dokumentari i realizuar nga shqiptari Xhemajl Avdyli ka fituar çmimin “Mention D’Honneur” në Festivalin e 38-të të Filmit Sportiv në Milano të Italisë.
Ky dokumentar bazohet mbi sfidat, kapacitetet dhe triumfin e atletit dhe rekordmenit nga Kosova, Muhamet Ramadani.
Dokumentari me titull “Beyond the Dream” (Përtej ëndrrës) është renditur në mesin e 40 dokumentarëve që konkurronin nga shtete të ndryshëm të botës.
Ky edicion ishte menduar të organizohej si çdo vit i shpërndarë në gjashtë lokacione më Milano, por për shkak të pandemisë aktivitet u zhvilluan virtualisht nga data 7 deri më 11 nëntor./ KultPlus.com
Faza e fundit e filmit promovues në Stamboll u zhvillua në Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut dhe në të paraqiten dy pilotë të Formula 1, Alexander Albon nga Red Bull Racing dhe Pierre Gasly nga AlphaTauri.
Pilotët po ashtu realizuan pit-stopin e parë ndërkontinental në botë mbi urë.
Videoja promovuese ka për qëllim të arrijë deri te qindra miliona shikues në gjithë botën dhe përmban lokacione simbolike të Stambollit, duke përfshirë xhaminë ”Sulltanahmet”, Urën e Gallatës, Tunelin e Euroazisë, Kullën e Vajzës dhe Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut.
Çmimi i Madh i Turqisë do të mbahet më 15 nëntor në pistën ”Intercity Istanbul Park”, në anën aziatike të Stambollit./atsh/ KultPlus.com
Gazetari kosovar, Shkëlqim Hysenaj ka treguar për gjendjen e tij pas infektimit me koronavirus. Ai ka shkruar për ditët e tij sa ishte i infektuar si dhe për seriozitetin e këtij virusi, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Hysenaj thotë se 7 ditë për të kanë qenë shumë të vështira, ndërsa gjithsej 14 ditë për të kanë qenë plot të panjohura.
“Kjo fotografi është shkrep ditën e 7-të, në LUFTËN time me COVID-in. Në këtë rrugëtim, 7 ditë kanë qenë jashtëzakonisht të vështira, 3 të përballueshme, 2 të çuditshme, 2 të lehta. Dmth, gjithsej 14 ditë me plot të panjohura”, ka shkruar Hysenaj në Facebook.
Ai po çuditet se si njerëzit nuk po e marrin seriozisht virusin, duke kërkuar që të kenë kujdes të gjithë.
“Sot, kur janë bërë 21 ditë që nga shfaqja e simptomave, pamjet që po i shoh çdo ditë nëpër lokale/kafiteri, super markete, qendra tregtare e biznese të tjera me frekuentim të lartë, po çuditem se si njerëzit spo e marrin seriozisht këtë sëmundje. Kam shumë me tregu për COVID-in, si për trajtimin, shërbimet, ndihmën…….por s’ja vlenë….nuk them gjë të panjohur!! Kujdes COVID-i është i vështirë për t’u kaluar, i rrezikshëm dhe mund të lë pasoja. Unë e kreva por t’i, ruje veten “, ka shkruar Hysenaj. /KultPlus.com
Mary u lind në vitin 1874. Ishte një vajzë e bukur e cila punonte si infermiere, ishte e dashur për të gjithë…
Një ditë u martua me një djalë që e dashuronte dhe me të solli në jetë 4 fëmijë…
Kur i mbushi 32 vite filluan t’i shfaqen simptomat e të ashtuquaturës Gigantizëm apo rritja e kockave… filluan t’i ndryshojnë tiparet e saj trupore si pasoj e rritjes jo normale të trupit, gjë që shaktoi deformim të tipareve të fytyrës, kokëdhimbje të vazhdueshme, dobësim i shikimit dhe dhimbje të muskujve dhe nyjeve…
Në këtë periudh të vështirë i vdiq edhe i shoqi i saj…me gjithë sëmundjen e rëndë ajo detyrohej të përkujdesej edhe për fëmijët e saj, filluan t’i rriten borgjet dhe për shkak të sëmundjes së saj e larguan edhe nga puna…
Përkundër zhgënjimit të saj ajo kishte nevojë për mbështetje materiale, kështu që u detyrua të marr pjesë në garat për titullin “Femra më e shëmtuar në botë” që organizohej aso kohe…
Ajo e fitoi këtë titull që kishte një shpërblim përbuzës prej 50 Paundësh…
Pastaj e morën në cirk për t’i shëtitur me të të gjitha qytetet e Britanisë, ngase njerëzit ishin kurioz ta shihnin “femrën më të shëmtuar në botë”
I digjej shpirti për brenda kurse trupi i saj ishte përplot plagë e dhimbje… si kusht për të punuar brenda cirkut ishte që të ecte distaca të gjata në këmbë, që ta shihnin njerëzit dhe të interesoheshin më shumë për cirkun, edhe pse kishte dhimbje të këmbëve dhe të nyjeve ajo mundohej t’i përballonte ato për shkak të fëmijëve të saj, kështu vazhdoi për disa vite duke duruar ndaj fyerjeve, përqeshjeve e të tallurave të njerëzve të cilat si breshëri pamëshirë bienin mbi të, megjithëkëtë ajo ia doli që të siguroj shpenzimet për fëmijët e saj dhe t’i edukoj e arsimoj ata.
Kurse fëmijët të cilët e vizitonin cirkun e goditnin me gurë e me drunjë ngase ajo ishte e frikshme dhe e quanin: Egërsira e frikshme.
Asaj i mbusheshin sytë me lotë, ia shkrepte vajit dhe me zemër të thyer u thoshte: unë ju dua juve o fëmijë, ju i ngjani fëmijëve të mi, mos keni frikë nga unë se asnjëherë nuk do të ju lëndoj, unë ju dua juve i kam përzemër fëmijët… por ata fillonin edhe më shumë ta gjuanin me gjësende duke e llogaritur si një kafshë të egër.
Ajo vazhdoi me këtë punë gjersa vdiq nga dhimbja e trupit dhe e shpirtit duke ra pajetë në mes të cirkut në vitin 1933, kurse shikuesit duke menduar se kjo ishte pjesë e aktrimit të saj duartrokisnin e fishkëllonin..
Njëri prej fëmijëve të saj kujton dhe thotë:
Ne ishim të uritur dhe prisnim me padurim që mami ynë të na sjell diç për të ngrënë, gjersa ne hanim bukë, ajo strukej në një qoshe të dhomës dhe ia plaste vajit, tërë natën gjëmonte e rënkonte nga dhimbjet e trupit, ndonjëherë e ndëgjoja duke thënë në mes lotësh: E ndjejë që unë nuk e meritoj të jem një nënë e mirë, a është kusht që të jem e bukur që të më respektojnë të tjerët?! Kurse unë e përqafoja dhe i thoja: Ti je nëna më e mirë në botë!
Vërtetë sikur të kishte ndonjë peshore që mat sakrificën dhe dashurin e nënës do ta meritonte Mary titullin: “Nëna më e bukur në botë”
“Kur propozova teorinë e relativitetit shumë pak njerëz më kuptuan. Ajo çfarë do të zbuloj tani për njerëzimin gjithashtu do të pritet me keqkuptim dhe paragjykim.
Po të kërkoj të ruash letrat e mia për sa kohë të jetë e nevojshme: vite, dekada, derisa shoqëria të ketë bërë aq progres sa të arrijë të pranojë çfarë do të shpjegoj më poshtë.
Ekziston një forcë kaq e fuqishme sa deri sot shkenca nuk ka arritur t’i gjejë një shpjegim. Është një forcë që përfshin dhe i sundon të gjithë; që fshihet pas çdo fenomeni në univers. Kjo forcë është dashuria.
Kur shkencëtarët kërkonin për një teori të unifikuar të universit harruan më të fuqishmen forcë të padukshme. Dashuria është dritë që ndriçon ata që e japin dhe e marrin. Dashuria është gravitet, sepse i bën disa njerëz të tërhiqen nga të tjerë. Dashuria është pushtet, sepse shumëfishon më të mirën tonë dhe i bën njerëzit mos të humbasin në egoizmin e verbër.
Dashuria shpaloset dhe zbulon. Për dashurinë jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri.
Kjo forcë jep shpjegimin e gjithçkaje, i jep kuptim jetës. Është pikërisht ajo që kemi anashkaluar për kaq shumë kohë, mbase sepse kemi frikë nga dashuria, sepse është e vetmja energji në univers që njeriu nuk ka mësuar ende ta manipulojë.
Për t’i dhënë dashurisë vendin që meriton bëra një ndryshim të thjeshtë në ekuacionin tim më të famshëm. Nëse në vend të E = mc2 të pranojmë se energjia që shëron botën mund të përftohet nga shumëzimi i dashurisë me shpejtësinë e dritës në katror do të arrinim në përfundimin se dashuria është forca më e fuqishme që ekziston… sepse nuk njeh limite.
Pas dështimit të njerëzimit në shfrytëzimin e forcave të universit që na janë kthyer kundër është e rëndësishme që të ushqejmë një tjetër lloj energjie.
Nëse duam mbijetesën e specieve, nëse duam të gjejmë kuptimin e jetës, nëse duam të shpëtojmë botën dhe çdo gjallesë që e popullon atë, dashuria është përgjigjja e vetme.
Mbase nuk jemi ende gati të shpikim një bombë me dashuri, një pajisje të fuqishme që të shkatërrojë urrejtjen, egoizmin dhe lakminë që po gërryejnë planetin. Megjithatë, çdo individ mbart një “gjenerator” të vogël, por të fuqishëm dashurie, energjia e të cilit pret të çlirohet.
Atëherë kur të mësojmë të japim dhe marrim këtë energji universale, e dashura ime Lieserl, do të konfirmojmë se dashuria sundon mbi gjithçka; dashuria është e aftë të kapërcejë mbi çdo gjë, sepse dashuria është jetë.
Jam thellësisht i penduar që nuk kam qenë i aftë të shpreh çfarë kam në zemër, që ka rrahur për ty gjatë gjithë jetës sime. Mbase është vonë për të të kërkuar ndjesë. Por, meqë koha është relative, dua të të them se të dua. Falë teje kam gjetur përgjigjen themelore.
Autori shqiptar me banim në Itali, Ardian Ndreca, vjen te lexuesi me librin e tij më të ri “Pa pikë pa presje”. Ky libër, të cilin ai e ka quajtur “Mbamendje”, është diçka më shumë sesa kujtimet e fëmijërisë, është kaleidoskopi i dikujt që rritet dhe sheh larg e afër, nganjëherë tepër afër dhe ngultas, që i jep kuptim botës dhe merr kuptim prej saj, herë i distancuar dhe herë me padurim.
Me shkrue asht nji gja e vështirë, sidomos për veten dhe për njerzit e dashun, ata të afërtit por edhe për ata me të cilët jeta të ka përpjekë në momente të caktueme. Nji libër kësodore nuk asht nji produkt i kërpitun, pse nuk ka gja ma të papërkryeme sesa kujtimet. Ashtu si baticat ato nxjerrin prej thellësive relike të papërfillshme dhe sende tjera me vlerë, e nganjiherë të vjen keq që sovraniteti i së kaluemes profanohet tue qitë në dritë gjana që flenin në paqën e lume të harresës. E kaluemja ka nji potencial elektrostatik, aty ku s’e pret merr nji shkarkim emocionesh e mandej gjithçka kalon e fiket vetvetiut. Kujtesa e parë asht ajo e shqisave, ajo që s’ka nevojë për ndërmjetësimin e arsyes, madje s’ka nevojë as për detaje topografike. Gjanat janë ashtu siç janë dhe për to s’ndien keqardhje. Së andejmi s’ka kurrgja, së këtejmi, përkundër, ndodhet nji mal me interpretime, stërhollime, arsyetime, tue qenë se kujtesa asht kthye ndërkaq në nji zêje të veçantë që na ban me u ndie të gjykuem”, shprehet ndër të tjera autori në parathënien e librit.
Ardian Ndreca ka lindur në Shkodër më 1969. Prej dy dekadash është profesor i Historisë së Filozofisë Moderne në Romë. Ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” (2006-2015) dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka botuar në shqip dhe në italisht./diasporashqiptare/ KultPlus.com