Hapen ekspozita me fotografi për nder të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet

Në kuadër të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë së Tiranës janë ekspozuar për publikun 60 fotografi të vjetra nga Arkiva Qendrore e Shtetit, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase.

Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”  të pranishëm ishin Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave; Andi Seferi, Zv/Kryetar i Bashkisë Tiranë; Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë; Mirela Bogdani, kryetare e Shoq. Tirana Intellectum.

Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.

“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Bido.

Në fjalën e tyre Klodiana Toptani dhe Andi Seferi theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë.

Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum” tha se, “shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotiografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm  një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike. /ata/ KultPlus.com

Violinisti Elvin Hoxha përzgjedhet në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës

Muzikanti me prejardhje shqiptare dhe i njohur botërisht, Elvin Hoxha është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës në konkursin ndërkombëtar të Kinës, në Shangai.

Ai është vetëm 24 vjeç por me performancat e tij ka pushtuar skenat botërore.

Hoxha ka treguar se që kur ka qenë 4 vjeç, gjyshja e tij dëshironte që të bëhej violinist. Ai u shpreh se më shumë luan në Evropën perëndimore dhe në Turqi.

“Por kam qenë edhe në Shqipëri për të takuar familjarët e babait, por edhe për koncerte, në Shkodër dhe në Tiranë”, tregoi violinisti per “Shqipëria Live”.

Evini tregoi eksperiencen e tij në Rusi: “Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme, dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”, vijoi ai.

I pyetur se pse jeton në Gjermani, duke qenë se është lindur dhe rritur në Turqi, Elvini tha se ka profesorin e tij në këtë shtet.

“Gjermania është një prej vendeve më të rëndësishme për muzikën klasike. Erdha për të studiuar me një profesor shumë të mirë të violinës. Dua që edhe emrin tim ta bëj më të njohur në Evropë”, rrëfeu violinisti.

Gjithashtu Elvini tregoi se ka objektiva për të ardhmen e tij, ai dëshiron që të bëhet një solist.

“Dua të jem një solist, më pëlqen orkestra, por dua të luaj në salla ta mëdha që të luaj vetëm. Dua të jem Elvin Hoxha nga Shkodra, dua të jem vetvetja, dua të krijoj emrin tim”, tha ai, i cili shtroi se për t’u bërë violinist i suksesshëm duhet të punosh të paktën 4-5 orë çdo ditë.

Hoxha tregoi në fund se në prill do të vijë në Tiranë, pasi është i ftuar që të jetë pjesë e një koncerti. / KultPlus.com

Reagon Raka pas vendimit të Qeverisë për lirimin e masave: Asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë

Përderisa Qeveria Hoti sot ka bërë lirimin e masave anti-Covid, mikrobiologu, Lul Raka ka reaguar duke thënë se për këto vendime nuk është konsultuar askush me Instutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, shkruan KultPlus.

Si kryesues i bordit ai ka thënë se këto masa nuk janë marrë me rekomandimin e Institutit në fjalë, ashtu siç po thuhet në media.

“E shoh të arsyshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë”, ka shkruar Raka.

Tutje, mikrobiologu ka përmendur se tanimë në kohë fushate është duke u bërë shkelja masive e masave anti-Covid.

“Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtritjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë”.

Raka ka thënë se është kundër lirimit të masave në këtë kohë. / KultPlus.com

Koncerti “Vendi im” bashkon artistë të njohur për nder të Pavarësisë së Kosovës

Artistë të dëshmuar të skenës muzikore nga Diaspora kanë vendosur që Pavarësinë e Kosovës ta kremtojnë përmes artit, shkruan KultPlus.

“Vendi im” mban emrin koncerti online, i cila organizohet për nder të Pavarësisë së Kosovës dhe transmetohet më 19 shkurt.

Me një kast artistësh profesional si Mira Konçi dhe Lori Miho si vokalistë, Ergin Oda në bariton, Joana Kaimi në violinë, Gjilberta Lucaj në celo, Faton Macula me kitarë, Yasuhiko Fukoka në piano, Klajdi Ceriku në akorde, Akreoma Salihu me interpretimin si balerinë, Shpend Xani si mikpritës i ngarjes, do të bëjnë që ky përvjetor të jetë ndryshe.

Koncerti “Vendi im” do të drejtohet nga Ergin Oda, teksa linku për ndjekje të ngjarjes do të shpërndahet nga organizatorët së shpejti. / KultPlus.com

Qeveria s’i dëgjon ekspertët, lehtësohen masat

Pavarësisht se kryesuesi i Bordit Këshilldhënës, Lul Raka, doli kundër lehtësimit të masave, Qeveria e Kosovës ka vendosur vetë duke mos dëgjuar këshillat e ekspertëve. Të enjten, Qeveria në detyrë ka zyrtarizuar lehtësimin e masave duke hequr ora policore për qytetarët në qytetet në zonë të kuqe.

Siç ka njoftuar Qeveria në detyrë, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, është miratuar vendimi për masat e reja të përgjithshme për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në njoftim thuhet se masat janë marrë në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Megjithatë, vetëm pak minuta më herët, mikrobiologu Raka ka thënë se ai dhe ekspertët tjerë në Bordin Këshilldhënës nuk janë kontaktuar fare për këto masa. Ai kishte dalë kundër lehtësimit duke thënë se pas shtrirjes së variantit britanik të virusit, çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit duke kërcënuar shëndetin publik.

Kundër vendimit të Qeverisë paraprakisht doli edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës. Duke e quajtur skandaloz lehtësimin, ajo u shpreh se kjo po bëhet për apetite politike. Ajo vuri në pah se asnjë nga partitë s’po reagon pasi lehtësimi u përshtatet atyre për fushatën e 14 shkurtit.

Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhja korresponduese\elektronike, e 63-ta me radhë, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për masat si dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e këtyre masave.

Me këtë vendim, për komunat të cilat janë në zonat e kuqe, është hequr ora policore, pra nuk do të ketë më kufizim të lëvizjes së qytetarëve. Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online. Ndërsa, të gjithë operatorëve ekonomik në komunat që janë në zonën e kuqe, do t’iu lejohet të punojnë deri në ora 22:00.

Në vazhdim gjeni vendimin e plotë për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19.

MASAT PËR TËRË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë

Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:

Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;

Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Organizimi i punës së institucioneve publike dhe organizatave/bizneseve private

Institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

Me rekomandim të mjekut përkatës të lëmisë, punëtorët me sëmundje kronike (sipas qarkores zyrtare të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë e përgatitur për këtë qëllim), gratë shtatzëna dhe gratë gji dhënëse lirohen nga paraqitja në punë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.

Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektim të distancës etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

10. Të gjitha Institucionet publike (qendrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private u lejohet të organizojnë ceremonitë festive me leje të veçantë nga MSH duke u bazuar në Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid 19.

Organizimi i procesit arsimor

11. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

12. Veprimtaria e çerdheve publike dhe private vazhdon sipas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, bazuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.

13. Konviktet dhe mensat punojnë duke respektuar manualin për mbrojtje dhe përhapjen nga Covid-19.

14. Të gjitha institucioneve arsimore në të gjitha nivelet e arsimit, publik dhe privat, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor dhe nxënësve-studentëve dhe të ngjashme.

Organizimi i shtabeve emergjente komunale dhe shërbimeve shëndetësore komunale

15. Komunave iu kërkohet të mbajnë të aktivizuar plotësisht shtabet emergjente komunale për të mbikëqyrë zbatimin e masave, gjendjen shëndetësore të qytetarëve të infektuar me Covid-19 dhe çështje të tjera, si dhe të koordinohen me nivelin qendror përkatës.

16. Shtabeve emergjente komunale, drejtorive për shëndetësi dhe QKMF-ve iu kërkohet të mbikëqyrin dhe ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore për së paku 2 javë për personat e infektuar me Covid-19 dhe do të raportojnë në baza ditore në QRSHP-IKSHPK.

17. Komunave iu kërkohet të ofrojnë shërbimet shëndetësore shtëpiake për të gjithë të sëmurët kronikë dhe për personat mbi moshën 65 vjeç.

Masat për personat mbi moshën 65 vjeç

18. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MPMS-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

19. Qytetarëve që qëndrojnë në shtëpitë për të moshuar u ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore, sociale dhe vizitat e rregullta shëndetësore nga QKMF-të.

Masat për aktivitetet publike

20. Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 50 persona, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 80 persona me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

21. Të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësira publike të të gjitha formave, ndalohen në jo më shumë se 80 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

22. Seminaret dhe punëtoritë e të gjitha institucioneve publike dhe private, lejohen të organizohen sipas manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID19 dhe konform pikës 24 të këtij vendimi.

23. Ndalohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare.

24. Ndalohen ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, përveç me pjesëmarrjen e familjes së ngushtë, përjashtim nga pika 24 më lartë bëjnë ceremonitë e veçanta fetare që organizohen me leje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së.

Masat për aktivitetet biznesore

25. Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve deri në 40% të sipërfaqes së kapaciteteve të hapësirave.

26. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

27. Lejohet ushtrimi vetëm i veprimtarive si në vijim (sipas kodeve NACE të përcaktuara nga ARBK – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë):

Sektori shëndetësisë,

Sektori i sigurisë dhe drejtësisë,

Sektori publik (administratë qendrore dhe komunale),

Sektori i prodhimit,

Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë,

Sektori i ndërtimit,

Transporti i mallrave,

Sektori i produkteve ushqimore,

Sektori i shërbimit/distribuimit.

MASAT SPECIFIKE SIPAS KOMUNAVE

28. Komunat kategorizohen në tri grupe, bazuar në rrezikun nga përhapja e infeksionit:

Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të gjelbër),

Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të verdhë),

Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të kuqe).

29. Në baza javore, çdo të premte, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.

30. Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”,

Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Pavarësisht pikave 35.6, 35.7 dhe 35.8 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

31. Masat për komunat me rrezik të mesëm (prej 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

Pavarësisht pikave 34.7, 34.8 dhe 34.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

Masat për komunat me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

Pavarësisht pikave 35.9, 35.10 dhe 35.11 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

OBLIGIMET E INSTITUCIONEVE PËR ZBATIMIN E MASAVE

33. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që në rast nevojë të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

34. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente të komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën 16:00).

35. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

36. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

38. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

39. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

40. Ministria e Shëndetësisë obligohet të publikojë në faqen zyrtare të saj Qarkoren lidhur me sëmundjet kronike, për të cilat sëmundje personat sipas pikës 8 të këtij vendimi lirohen nga paraqitja në punë.

41. Shfuqizohet vendimi i qeverisë nr. 09/58 i datës 14.01.2021.

42. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe vlen deri në një vendim tjetër. / Koha/ KultPlus.com

EBC Cosmetic bëhet sponsor i Superligës së Femrave, pas marrëveshjes me Federatën e Basketbollit të Kosovës

EBC Cosmetics do të jetë sponsor i Superligës së Femrave dhe tashmë kjo garë do të quhet EBC Superliga e Femrave. 

Marrëveshjen e kanë nënshkruar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Tea Belegu, përfaqësuese e EBC Cosmetics.

“Si kompani jemi shumë krenarë që do të jemi sponsor të Superligës së Femrave, dhe në përkrahje të femrave”, kanë thënë drejtuesit e EBC Cosmetics.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë një ndihmesë e madhe për klubet e Superligës së Femrave, por edhe për basketbollin e femrave në përgjithësi.

“Besojmë se bashkëpunimi do të vazhdoj për një kohë të gjatë. Jemi të lumtur që po bashkëpunojmë me Federatën e Basketbollit të Kosovës”, ka thënë Belegu. / KultPlus.com

“Shën Mëri Eleusa”, ikona e pikturuar nga Nikolla Onufri në 1578

Ikona “Shën Mëri Eleusa” është një prej ikonave të ekspozuara në MKAM, të Nikolla Onufrit, në pavionin që mban emrin e babit të tij.

Muzeu i Artit Mesjetar thekson se “ikona është pikturuar nga Nikolla Onufri për ikonostasin e kishës së Shën Mëri Vlahernës në Berat në vitin 1578”.

Nikolla djalë dhe nxënës i Onufrit ka ndjekur gjurmët artistike të babait dhe mësuesit të tij, jo vetëm në stil por edhe në mënyrën e pikturimit. Në fund të ikonës mbi një sfond të kuq, piktori ka lënë të shkruar mbishkrimin “lutje e shërbëtorit të Zotit, konteshë dhe grua e priftit, Amin”.

Virgjëresha paraqitet me Krishtin fëmijë në dorë të majtë, dhe me dorën tjetër tregon fëmijën e saj. Krishti paraqitet i qetë duke mbajtur një pergamen të mbledhur në dorë të majtë dhe jep bekimin e tij me dorën e djathtë./ atsh/ KultPlus.com

Deklarata seksiste e Remzie Osmanit: Shyqyr që vajza është për derë të huaj

Ndonëse po konsiderohet se pozita e gruas në shoqëri çdo vit e më shumë po përmirësohet, këngëtarja e njohur Remzije Osmani siç duket po ia zgjatë jetën patriarkatit në Kosovë.

Në emisionin e mëngjesit në T7, #Gjesi, ajo u deklarua se gjatë 2020’tës, i kanë ndodh gjëra të bukura, për shkak se i është martuar djali, dhe i është fejuar vajza dhe ndër të tjera ajo shprehet:

“Mirë është me marrë nuse. Po mirë është edhe me përcjell (qesh me zë). Shyqyr që janë për derë të huaj”, u shpreh mes të tjerash Osmani, këngëtare kjo e cila ka shumë vite karrierë.

Përveç saj, në dhjetor të vitit që lam pas ishte publikuar një këngë nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli me titull “Nuse mësuese”, ku Qendra Kosovare për Studime Gjinore e ka cilësuar këtë këngë si promovim i nënshtrimit të grave.

“Këngë e cila përveç që i redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre”, kishin shkruar në faqen e tyre Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas tyre, këngë të tilla i kontribuojnë gjithashtu vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme. / Gazeta Express / KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/live/?v=145848110610897&ref=external

Një libër në gjuhën suedeze për ushqimet tradicionale shqiptare

Dy nxënëse shqiptare në Suedi, Teuta Zeneli dhe Albina Ibrahimi patën rastin dhe kohën gjatë vitit të kaluar (vit i kaluar më së shumti në karantinë për shkak të pandemisë) t’i jepnin jetë një projekti të përbashkët. Realizimin e një libri me receta tradicionale vegjetariane shqiptare për ti prezantuar shoqërisë suedeze një anë jo shumë të njohur shqiptare por gjithsesi të rëndësishme.

Libri është botuar në gjuhën suedeze me përkthimin e emërtimeve të ushqimeve tradicionale shqiptare nga autoret e librit. “Balkans Vegetariska Matbord” (Tavolina ushqimore vegjetariane Ballkanit) i realizuar me mbështetjen e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi (SHSHASHS) ka dalë nga botimi ditën e sotme.

Dy vajzat shqiptare janë të lindura dhe rritura në Suedi, nxënëse të shkollës së mesme në Ängelholm të Suedisë dhe anëtare të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Libri përmban një pjesë të madhe të specialiteteve që Albina dhe Teuta i kanë përgatitur fillimisht vetë dhe pastaj i kanë shpjeguar në gjuhën suedeze, duke shkruar recetën për secilin ushqim në gjuhën suedeze. Këto specialitete, kryesisht janë ushqime vegjetariane. Autoret i kanë qëndruar besnik ushqimeve tradicionale të cilat disa i kanë përgatitur vetë veçanërisht duke u ballafaquar drejtpërdrejtë në praktikë me përgatitjen e tyre.

Libri do të përurohet fillimisht në Suedi dhe në Kosovë gjatë sezonit të verës, në kuadër të aktiviteteve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Organizohet veprimtari solemne kushtuar akademikes së parë shqiptare, Andromaqi Gjergji

Me rastin e 11 shkurtit, Ditës ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar të grave në Shkencë organizojnë veprimtarinë solemne: “Të jesh e para në traditë”, kushtuar akademikes së parë shqiptare, etnologes Andromaqi Gjergji.

Andromaqi Gjergji (20 maj 1928, Korçë – 8 korrik 2015, Tiranë) është etnologe dhe historiane e shquar dhe e para femër akademike shqiptare.

Andromaqi Gjergji u lind në Korçë ku kreu edhe arsimin fillor dhe atë të mesëm. Në vitet 1947–1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. Ku ka punuar për të gjithë kohën deri në moshën e pensionit në të njëjtin seksion shkencor, atë të Etnologjisë së Akademisë. Në këtë rrugë ajo eci me shumë punë ku pas shumë vitesh dha provimet e para si “Kandidate e Shkencave” dhe pastaj “Doktore e Shkencave”. Këtë titull e mori në vitin 1982. Akademikja dhe studiuesja Andromaqi Gjergji është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i qytetit të Korçës” me motivacionin : “Shkencëtares korçare, anëtares së parë femër të Akademisë së Shkencave për kontributin e paçmuar në fushën e etnografisë dhe artit popullor, duke u bërë pjesë e etnografisë europiane dhe botërore“.

Kujtojmë që 11 shkurti u shpall si Dita Ndërkombëtare e grave dhe vajzave në shkencë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 22 dhjetor të 2015-s për të riafirmuar dhe pranuar kështu rolin që luajnë gratë dhe vajzat në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë me qëllim final barazinë gjinore. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=268570864617749

Sot, Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë është dita e 11 Shkurtit, shpallur e tillë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 22 dhjetor të vitit 2015. Dita njeh rolin kritik që gratë dhe vajzat luajnë në shkencë dhe teknologji.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë zbatohet nga UNESCO dhe Gratë e Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me agjensi dhe institucione ndërqeveritare, si dhe partnerë të shoqërisë civile, që synojnë promovimin e grave dhe vajzave në shkencë.

Qëllimi i kësaj dite është të promovojë qasje të plotë dhe të barabartë për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në shkencë. / KultPlus.com

Vdes gazetari Bedri Sadiku

Ka vdekur sot gazetari Bedri Sadiku. Ai për disa vite punoi në gazetën Rilindja, fillimisht në Prishtinë, gjatë viteve të 80-ta, ndërsa më vonë gjatë viteve të 90-ta, në Tiranë dhe Shkup.

Sadiku kishte nxjerr në dritë shkeljet e të drejtave të shqiptarëve, përmes raportimeve, analizave e shkrimeve autoriale, për çka disa herë ishte ndaluar e arrestuar nga policia.

Për vdekjen e Sadikut ka shprehur ngushëllime edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.

Familjarët e të ndjerit kanë njoftuar se ceremonia mortore do të mbahet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë. / KultPlus.com

Ne nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona

Nga: Klodi Smajlaj

Sa herë që flitet për rritje të fëmijëve, në vesh më kumbojnë fjalët që ngrejnë lart heroizmin e nënave e të gjysheve tona. Një heroizëm aq i ekzagjeruar ndonjëherë, saqë kur i krahason bëmat e tua me të tyret, të duket vetja një nënë koti.

Në këtë post nuk kam ndërmend ta hedh poshtë heroizmin e tyre, veçse dua ta them me të madhe se ne, nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona.

Është e vërtetë se nënat tona kanë pasur shqetësim të vetëm të na mbushnin barkun, në një kohë kur bukë kishte pak e fëmijë shumë, por të shkretat nëna të sotme janë në strapacim të përditshëm për t’u servirur fëmijëve të tyre ushqime me sa më pak toksina e sa më shumë bio. Janë në strapacim të përditshëm për t’u krijuar atyre sa më shumë variacion gatimesh në shtëpi, në mënyrë që ata të mos tundohen nga helmet e mbështjella si ushqime që shiten nëpër dyqane.

Është e vërtetë se nënat e gjyshet tona mundoheshin shumë duke i larë me dorë rrobat, por fati i tyre i madh qe se të gjithë fëmijët visheshin njëlloj. Atë që kishte njëri, e kishin të gjithë. Nënat e sotme vuajnë një presion të vazhdueshëm, që fëmijët u bëjnë në trajtë kërkesash. “O ma, shokët e mi kanë atlete firmato, unë vesh atlete 20 mijë lekshe!”, “O ma, shoqet e mia blejnë fustane ke Myslym Shyri, e unë vesh këto t’falmet”.

Një presion pa fund që të artikulohet në forma të ndryshme çdo ditë. E në fund të ditës, aq shumë t’i kanë përsëritur të njëjtat gjëra, saqë ti përfundon duke ndjerë keqardhje se nuk po ua plotëson dot të gjitha ashtu siç duan, ndonëse brenda vetes tënde e di se po bën maksimumin.

Është e vërtetë se nënat tona patën shumë fëmijë dhe kishin lodhje të madhe fizike duke u shërbyer, por ato nuk e njihnin lodhjen mendore. Ose e njihnin krejt pak. Nuk e dinin se çfarë ishte stresi, depresioni, bulizmi, bipolariteti. Nuk e kishin frikën e fundmuajit, të faturave, të qerasë, të kredisë, të heqjes nga puna. Asnjërën nga këto.

Nënat e sotme, përveç lodhjes fizike me turne, vuajnë mbi kurriz një lodhje tejet të madhe mendore. I lodh edhe lodhja mendore e fëmijëve. Duke qenë se i ka zënë mamllëku në epokën e internetit, ato janë të detyruara ndonjëherë, që të lexojnë me qindra faqe tekstesh psikologjike për t’u ardhur në ndihmë atyre.

Ja psh se ç’mund të heqë një nënë e adoleshentit të sotëm.

Adoleshenti i ngjan një mine me sahat, që ti ke frikë se do të shpërthejë nga çasti në çast. Ata që kanë vetë adoleshentë në shtëpi, e dinë se për çfarë po flas.

Me fëmijën tënd adoleshent zihesh duke ngrënë bakllava.

Le që ai zihet edhe me mizat që i fluturojnë vërdallë, se me krijesat me dy këmbë po e po.

Kur e ke ndërmend t’i qasesh për t’i folur për diçka, e studion një herë me kujdes nga larg, sheh se si e ka hënën, pastaj avash avaaash, i afrohesh me terezi. Me terezi ëëë, dhe gjithmonë duke mos e hequr nga skenari mundësinë e shpërthimit.

Adoleshenti i sotëm, duke qenë se është i bombarduar nga informacioni, e ka hobi’ që të vetëdiagnostikohet çdo ditë me nga një gjë të re.

Një ditë të thotë se është i stresuar, një ditë tjetër se ka rënë në depresion e pas dy ditësh se ka bipolaritet.

Pasi ia ke shpjeguar me qetësi se kjo është thjesht një fazë delikate që shoqërohet me luhatje emocionale e psikologjike, e që do të kalojë, të dy bini rehat për ca orë.

Të nesërmen, kur kujton se ai e ka harruar tashmë e se ujërat janë qetësuar, ai të vjen e të konfirmon me siguri të plotë, se jo vetëm që ka bipolaritet, por që na e paska edhe të tipit B.

E ti sërish, si nënë, si një qenie me një dashuri e durim të pamatë, ia nis argumentimit nga e para.

Ti e rinis sërish luftën nga e para me mijëra djajtë që i vërtiten fëmijës tënd nga brenda e nga jashtë.

Është një luftë që ngjan e pambarimtë e ku ty të duket se je e vetme.
Por jo! Sa herë që e gjen veten në situata të tilla, dije se me dhjetëra nëna rreth teje e me miliona të tjera në botë, po jetojnë të njëjtën gjë. Po vuajnë të njëjtën gjë. Po përpiqen për të njëjtën gjë.

Nënat tona ishin vërtet heroina se na rritën në fukarallëk. Por përtej kësaj, ato e patën shoqërinë në krah për edukimin e brumosjen tonë me vlera.

Ndërsa nënat e sotme, vërtet mund t’i rrisin fëmijët në bollëk, por e kanë krejt botën kundër kur bëhet fjalë për rrënjosje vlerash te ta.

E megjithatë, ato nuk dorëzohen, por përpiqen që t’i udhëzojnë të shtrenjtët e tyre në atë rrugë që është më e mira për ta. Dhe për mua, ky, pikërisht ky, është heroizmi i vërtetë! / KultPlus.com

Ceremonia e ‘Oscar’ do të transmetohet nga vende të ndryshme

Ceremonia e ‘Oscars’ këtë vit do të duket më ndryshe.

Shfaqja e çmimeve, e cila tradicionalisht është mbajtur në Teatrin Dolby të Hollywod-it që nga viti 2001, do të transmetohet nga vende të ndryshme për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Kjo është konfirmuar të mërkurën nga një zëdhënës i Akademisë.

Njoftimi vjen teksa shumë qytete që janë qendra të rëndësishme të filmit, duke përfshirë Los Angeles, New York dhe Londrën, mbeten nën kufizime të rrepta të COVID-19.

Planet specifike ende nuk janë zbuluar për shfaqjen që do të transmetohet më 25 prill, por Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit është e vendosur ‘të paraqesë një Oscar si askush tjetër, duke i dhënë përparësi shëndetit dhe sigurisë publike të të gjithë atyre që do të marrin pjesë’, tha zëdhënësi.

‘Golden Globes’ po ashtu paralajmëroi se do transmetohet nga vende të ndryshme për të shmangur përhapjen e virusit.

Çmimet ‘Emmy’, të cilat u mbajtën në shtator, ishin kryesisht virtuale, me përjashtim të disa personave të famshëm që u shfaqën në skenë (pasi u testuan) për të prezantuar.

Si shumë nga ceremonitë e tjera, edhe ‘Oscars’ është shtyrë për dy muaj për shkak të pandemisë.

Shfaqja e vitit të kaluar ndërkohë kishte audiencën më të vogël ndonjëherë prej 23.6 milionë shikuesve, me 20% më pak se një vit më parë. / KultPlus.com

‘Ia vlen të jetosh’, profesori i psikologjisë shpërndan librin falas

Një profesor i psikologjisë në Universitetin e New Mexico është duke u përpjekur që të promovojë psikologjinë pozitive gjatë pandemisë duke shpërndarë kështu librin e tij online falas. Ai thotë që psikologjia pozitive është më e mirë sesa të keni një qëndrim pozitiv, është më shumë si të ndryshosh perspektiven nga të mbijetuarit në të lulëzuarit.

Profesori Bruce Smith ka pesëmbëdhjetë vjet që jep mësime për psikologjinë pozitive në UNM, ai është edhe themeluesi i Qendrës për Psikologji Pozitive në New Mexico, një komunitet dhe grup punëtoresh që promovojnë psikologjinë pozitive.

Libri “Move from Surviving to Thriving: A Positive Psychology Workbook for Challenging Times” është e kompletuar nga ajo çka ai ligjëron në lëndën e tij Psikologjia Pozitive, duke e ushtruar dhe praktikuar për të pasur një mendje sa më pozitive.

“Shkenca e psikologjisë pozitive ka filluar diku rreth njëzet vite më parë dhe është duke u definuar si shkenca e lumturisë dhe të qenurit mirë, por edhe si shkencë që bënë jetën të vlefshme për të jetuar”, ka thënë Smith, transmeton KultPlus.

Psikologjia pozitive fokusohet në anët pozitive të psikologjisë, në fillim është e kundërta e fokusimit në negativitete.

“E kam parë që ka pas ndikim te shumë studentë në UNM”, shpjegoi Smith.

Zona e fokusimit të Smithit është qëndrueshmëria. Ai shikon se çka i bënë njerëzit të mos kenë stres, gjë që është shumë e duhur, sidomos tani me situatën pandemike.

“Është një ide shumë e mirë në psikologji, quhet Rritja Post Traumatike e që është kontrast i Stresit Post Traumatik. Njerëzit më në fund kanë filluar të mendojnë se kur diçka e tillë të ndodhë kemi mundësinë që të mendojmë se çka duam të bëjmë me jetën tonë dhe të lëvizim përpara”, ka thënë Smith.

Smith ka ardhur në përfundim që shumë njerëz duan të mësojnë më shumë në kohëra të pasigurta dhe shpreson që shpërndarja e librit të forcojë më shumë këtë komunitet.

Libri për psikologjinë pozitive është falas dhe mund ta gjeni këtu. Libri është në gjuhen angleze dhe përmban 24 kapituj, të cilët janë fokusuar në shëndetin mendor dhe një video arsimore e bërë nga Smith. / KultPlus.com

Gjermania ndërton memorialin për viktimat polake të regjimit nazist

Më shumë se 75 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë filluar përgatitjet e përkujtimores për viktimat polake të regjimit nazist, që do të ndërtohet në Berlin.

Një komision i përbërë nga ekspertë gjermanë dhe polakë u takua për herë të parë sot për të diskutuar një koncept për memorialin, me një rezultat që pritet në fund të verës.

“Memoriali do të jetë një vend takimi dhe shqyrtimi i historisë, ku qytetarët gjermanë dhe polakë mund të takohen dhe të thellojnë marrëdhëniet e tyre”, shkruhet në propozimin e paraqitur nga parlamenti.

“Ndërsa Holokausti ulet me të drejtë në vendin qendror të kujtesës sonë, si kapitulli më i errët i historisë gjermane, diku tjetër ka boshllëqe”, tha ministri i Jashtëm, Heiko Maas, me rastin e takimit.

“Pikërisht në Poloni nisi marrëzia e luftës racore-ideologjike të shfarosjes në Europën Lindore”, shtoi ai.

Memoriali është i pari që përfaqëson një grup kombëtar të viktimave nga Lufta e Dytë Botërore në Berlin. /atsh/ KultPlus.com

Gjon Milii, regjisori i parë shqiptar i nominuar për ‘Oscars’ në vitin 1944

Artisti shqiptar, Gjon Mili është i njohur kryesisht për punën e tij si fotograf, veçanërisht portretet e tij dhe përdorimin eksperimental të ndriçimit, shumica e të cilave u shfaqën në revistën Life, por pak e dinë se Mili ishte edhe regjisor, madje i nominuar për Oscars, shkruan KultPlus.

Pasi ndërtoi një karrierë si fotograf në New York City, Mili u dërgua me avion në Los Angeles nga Warner Bros për të parë nëse do të ishte një regjisor i mirë i filmave. Mili i propozoi një film xhaz producentit Gordon Hollingshead, për të cilin studioja eci përpara.

“Jammin ’The Blues” u filmua për katër ditë në Shtator 1944, dhe u la në qarkullim atë Dhjetor.

Filmi u prit me vlerësime pozitive dhe u nominua për Oscars në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, por në garë i pari doli filmi Who’s Who në Animal Land, një film i Paramount. Ky nominim shënon suksesin e parë për një regjisor shqiptarë në Oscars.

“Jammin ‘the Blues” është një film i shkurtër amerikan në të cilin disa muzikantë të shquar të xhazit u mblodhën së bashku. Ai përfshin Lester Young, Red Callender, Harry Edison, Marlowe Morris, Sid Catlett, Barney Kessel, Jo Jones, John Simmons, Illinois Jacquet, Marie Bryant dhe Archie Savage.

Në 1995, “Jammin ‘The Blues” u zgjodh për ruajtje në Regjistrin Kombëtar të Filmit në Shtetet e Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si “kulturore, historike ose estetikisht e rëndësishme”. / KultPlus.com

Tirana, 101-vjet kryeqytet i Shqipërisë

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:

– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),

– pozita gjeografike në qendër të vendit,

– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe

– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.

Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com

Vlora Konushevci boton ‘Lavdi vetes’: Ia dedikoj sakrificës e punës shekullore të grave

Xhemile Hysenaj

‘Lavdi vetes’, një vëllim poetik i ndarë në katër cikle e që për herë të parë vjen nga Vlora Konushevci si një thirrje e përkrahje për të gjitha gratë, në shenjë mirënjohjeje ndaj sakrificës e punës shekullore të tyre, të cilat rrallë kush i duartroket. Një vëllim poetik që qysh në poezinë e parë të merr pas vetes e nuk të lëshon për asnjë moment. Konushevci për KultPlus ka shpalosur më detajisht raportin e saj me poezinë e me letërsinë në përgjithësi.

KultPlus: Ky është libri juaj i parë, na flisni më shumë rreth temës që trajtohet në, pse pikërisht ndahet në katër cikle dhe sa kohë ju ka marrur realizimi i tij?

Libri ndahet në katër cikle: Lavdi Vetes, Lavdi Dashnisë, Lavdi Mësimeve dhe Lavdi Jetës, ngase kujtoj që këto janë katër shtyllat kryesore të cilat përthekojnë gjithçka që jeta merr dhe jep për këto katër dekada të jetës sime.

Realizimi teknik ka marr pak më shumë kohë se sa që unë kisha dashur, por janë gjëra që eventualisht marrin një epilog dhe e rëndësishme është që përfundimisht e pa dritën ky libër dhe tani do ta bëjë rrugëtimin e vet.

KultPlus: Sa e konsideroni të rëndësishëm botimin e këtij vëllimi poetik?

Unë me krijimtari dhe me përkthim merrem prej dy dekadash. Përkthimin letrar e bëjë me dashurinë më të madhe.

Për secilin krijues, botimi i një libri është rëndësishëm, sepse paraqet rezultatin e një tundimi artistik që merr formë me poezinë. Gjithsesi, rëndësinë e përcakton edhe më shumë lexuesi. Libri duhet ta bëj rrugën e vetë në komunikim me lexuesin, të cilit unë së paku nga ana ime jam përpjekur t’i dalë hakut. Këto poezi nuk janë vetëm përjetim i imi, gjithsesi që ka universalizëm në to, ndaj lexuesit në mos krejt, mund ta gjejnë një copë vete aty.

KultPlus: Si e shihni zhvillimin e letërsisë dhe artit në përgjithësi në Kosovë, a ka shkrimtarë që premtojnë, cilët janë ata sipas jush?

Si një vend në i dalë nga lufta e në tranzicion maratonik, si një vend qe sapo ka hyrë në adoleshencë, mendoj se janë: muzika, filmi, letërsia e sporti, ato të cilat ia kanë përmirësu dhr afirmu imazhin vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Sa i përket artit letrar në veçanti besoj se Kosova ka shumë krijues nga brezi i vjetër, e sidomos nga brezi i ri që janë në nivel me krijuesit e vendeve që kanë një traditë letrare. Një mangësi që duhet përmendur me këtë rast është fakti se Kosovës i mungon Fondi i Përkthimit Letrar, i cili kishte ndihmuar përkthimin e shkrimtarëve e poetëve tanë në mënyra që bota të njihet me shpirtin e madh krijues të këtij vendi.

KultPlus: Na flisni për dallimin në mes grave dhe burrave që bëjnë letërsi, nëse konsideroni se ekziston një dallim i tillë?

Letërsia, cilado gjini e saj është më mirë të shijohet, duke e abstahuar autorin apo autoren e në veçanti gjininë. Nga ana tjetër do të thoja se ndjeshmëria e narracionit, bota shpirtërore dhe stili i komunikimit i grave krijuese për mua si lexuese grua është më i bukur në kuptim të bashkëndjesisë dhe empatisë me të ngjashmen

KultPlus: Secili shkrimtar/e ka muzën e vet, në momente bllokimi ku e gjeni ju inspirimin, në çështje sociale, apo personale?

Arti i krijimit letrar është akt vetmitar dhe nuk bëhet dhunshëm. Poezia të vjen vet dhe natyrshëm ndoshta në momentet më të papërshtatshme p.sh. teksa pret te dentisti, ose në radhë për të paguar faturat. Mbase, krijuesit janë më të vëmendshëm ndaj fenomeneve që i rrethojnë, qoftë ngjarjet e ditës, qoftë një aromë e njohur apo nje bërthame molle në tokë të cilat pastaj ta ndezin një shkëndijë që shpesh herë lidhet edhe me ndonjë përvojë personale.

KultPlus: Cili është mesazhi që tentoni të përçoni përmes ‘Lavdi vetes’ dhe sa mendoni se do të arrini të përçoni këtë mesazh?

Këtu dua ta sqaroj pak veç titullin i cili është ngucakeq me qëllim. Fjala “lavdi”, përdoret kur shpreh mirënjohje ndaj ndonjë akti të lartë. Tek ne kryesisht përdoret për të nderuar heronjtë, por në këtë rast me “vetes”, lavdinë ia dedikoj jo Vlorës, por gjinisë sime në shenjë mirënjohjeje ndaj sakrificës e punës shekullore të grave, të cilës rrallë kush i duartroket. Në libër është edhe poezia me të njëjtin titull që i referohet verzioneve të vetvetes, të cilat nuk ekzistojnë më tutje, pra lavdi edhe për to. E poezinë secili e shijon, e përjeton dhe e interpreton në mënyrën e vet, këtë ua lë lexuesve pa dashur t’ua imponoj një mendim të caktuar e specifik.

KultPlus: Çfarë konsideroni ju të jetë roli i letërsisë në Kosovë dhe cili mendoni se do të duhej të ishte roli i një shkrimtari/e?

Roli i letërsisë dhe lëvruesve të saj është i madh në kultivimin e vlerave letrare, kulturore dhe atyre historike. Një shkrimtar/e reflekton mbi shoqërinë dhe botën e tij/saj, por në të njëjtën kohë frymëzon dhe udhëzon lexuesin. Ndikimi i letërsisë në shoqëri është i pamohueshëm sepse paraqet një lloj pasqyre për atë shoqëri dhe i mundëson lexuesit ta njoh më mirë botën. Në anën tjetër i mundëson lexuesit të shoh se si funksionon shoqëria në një periudhë të caktuar apo vend të caktuar, konstruktet shoqërore, politike etj. E në fund të ditës letërsia është ajo që e ruan gjuhën e çdo civilizimi.

Lavdi vetes

Arkitektura e vetes asht plot
hije e maska që i lamë mbas,
simbas Jungut. Për të rilind në prill
si perëndeshë e pranverës me Pashkët.

Hijen e parë e kam lanë
në albumin e fotografive të shkollës
së mesme, bashkë me dashninë
e zhgënjimin e nji çike të përhumbun.

Lavdi!

Hija e dytë më ka ra shpejt, kohë
sakrilegjesh kur çdo gja e shejtë u kthy
përmbys, shkollat u banë shtëpi
e shtëpia nën tytën
e automatikëve mbeti shkret.

Lavdi!

Hija e tretë ishte ma kambëngulëse
e fortë guaskë me sy fantazme të nji lufte civile.
E provoi shijen e mashtrimit të Trojës
e kuptoi që dashnia asht ma e fortë se deka
shpërtheu si flutur krahëhapun
.

Lavdi!

Nuk lindim tabula rasa, trashëgojmë
instikte e modele të paraardhësve tanë,
simbas Jungut. Vargu i gjatë i grave të fisit
më buzëqesh n’secilin hap!

Tana paraardhëseve,
tana hijeve të vetes
rilindjeve, rilidhjeve,
shtëpisë së tanësisë së qenies
lavdi!

KultPlus: Cila është vepra apo periudha letrare tek e cila e gjeni veten më shumë, apo që ka pasur më shumë ndikim në formimin tuaj si shkrimtare?

Veten e gjej në periudhën aktuale, ngase i përkas këtij brezi por frymëzimin më të madh e kam pasur në vazhdimësi nga Rilindasit tanë dhe nga periudha e romantizmit në Britani të madhe. Si e bija e një shkrimtari, padyshim që ka diçka në poezitë e mija nga babi. Mbase, delli krijues edhe mund të bartet!

KultPlus: Na flisni për rolin që gruaja ka apo do të duhej të kishte në artin apo më saktësisht në letërsinë që zhvillohet në Kosovë?

Viteve të fundit kur fillova të interesohem për shtëpitë botuese shpejt e kuptova që shumica e tyre preferojnë të botojnë autorë të mëdhenj, kryesisht burra, ndërkaq për një poete të re që aspiron të zhvillohet tutje, ambienti është mjaft dekurajues. Prandaj e krijova platformën “Poetetshqiptare”, si përgjigje ndaj kësaj qasje tradicionale në kontekstin e kulturës kosovare.

Unë besoj se është thelbësore për shoqërinë tonë që të ripërcaktojë rolet gjinore, ngase duke e njohur anën shpirtërore dhe krijuese të grave, duke i parë ato si subjekte thelbësore që kontribuojnë në këtë shoqëri do ta krijojmë shoqëri më humane. Vargjet e poeteve shqiptare janë thirrje e fuqishme për ndryshime shoqërore, duke pasur gratë në qendër, në të gjitha dimensionet e saj. Ato mishërojnë guximin dhe dëshirën për ndryshime në mënyrë që ta forcojnë shoqërinë. Prandaj, besoj që sa më shumë t’i njohim vlerat e grave dhe vajzave, aq më shumë shoqëri konkurruese do të kemi. Thjesht, ngase barazia gjinore përbën kodin kulturor të shoqërisë bashkëkohore.

KultPlus; A do të presim libra të tjerë nga ju, nëse po, a mendoni të debutoni edhe në prozë apo vetëm në poezi?

Poezia është shtëpia ime, pas kësaj edhe përkthimi letrar. Këtë vit besoj se do të publikohet edhe një antologji me poetët e Ballkanit, përfshirë Kosovën të cilat i kam përkthyer, e pastaj siç thoshte babi jem i ndjerë: “Tu pa tu ba”.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për ata që pretendojnë të krijojnë letërsi?

Ata që pretendojnë të krijojnë letërsi dua të besoj që nuk ka forcë që i ndal, sepse është një thirrje e brendshme, e cila s’mund të heshtet. Në anën tjetër “fati është perëndi e egër”, prandaj uroj që të mos ndalen as para pengesave të vogla e as atyre të mëdha, sepse letërsia ka vend për të gjithë e kurrë nuk bëhet tepër! / KultPlus.com

Kraki: Prishtina, aty ku gjithçka gjen përveç oksigjenit, ujit dhe luleve

Nezir Kraki, profesori Universitar në Paris – EstCreteil (UPEC), Francë është bërë një zë i fuqishëm dhe përkrahës i çështjeve jetike për qytetarin dhe vendin, shkruan KultPlus.

Nezir Kraki ështё person i njohur në opinion pёr veprimtarinё e tij ndёr vite. Ai me punёn dhe aktivitetin e tij, tё publikuar nё media nё vijimёsi ka dëshmuar mendim dhe qёndrim tё guximshёm lidhur me problemet e mёdha kombёtare, shtetёrore e shoqёrore.

Përmes rrjeteve të tij sociale ai është gjithmonë afër publikut për të ndarë opinionet e tij.

Ditën e djeshme, Kraki ka ateruar në Prishtinë dhe ballafaqimi me kryeqytetin e ka shtyrë të shprehet se Prishtina është një vend gjithçka gjen përveç oksigjenit, ujit dhe luleve.

“Prishtina, aty ku gjithçka gjen përveç oksigjenit, ujit dhe luleve.

Sa herë vi n’Prishtinë më duket që jam ne nje qytet emergjent te perkohshem i cili do rrafshohet sapo te jete gati qyteti i vërtetë, ai i jetueshemi.

Nejse…s’di pse mu kujtu Shpendi me ato idetë « suedeze » per mbrojtjen e ambientit kur bente fushatë. Eh!”, e përfundon Kraki mendimin e tij me një thumb për kryetarin e Prishtinës. / KultPlus.com

Vjosa Osmani ndan listën e këngëve që po e shoqërojnë në rrugëtimin e fushatës zgjedhore

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, ka bërë publike listën e këngëve të cilat kjo e fundit i dëgjon gjatë kësaj fushate zgjedhore, shkruan KultPlus.

Në listën e këngëve të publikuara, Osmani ka shkruar se muzika zë një vend të veçantë në jetën tonë, duke theksuar poashtu se është muzika ajo që na motivon dhe na sjell gëzim.

‘Sot po ndaj me ju disa nga këngët e këtij rrugëtimi ngazëllues të fushatës zgjedhore. Do të doja shumë që në komentet tuaja t’i ndani me mua këngët tuaja të preferuara!
Përqafime
!’, ka shkruar ndër të tjera Osmani. / KultPlus.com

Vdiq Larry Flynt, themeluesi i revistës Hustler

Larry Flynt, publicisti kontrovers i cili themeloi revistën Hustler ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Vdekjen e ka konfirmuar vajza e tij e cila ndër të tjera ka treguar se ishte me të dhe gruan e tij, kur ai vdiq të mërkurën në mëngjes në spitalin e Los Angelesit në Cedars- Sinai.

Flynt nisi revistën Hustler në vitin 1970 si fletushkë të shtypur, me të njëjtin emër, e cila ekspozonte persona të zhveshur. / KultPlus.com

Bluza më e shëmtuar në botë shitet me çmim marramendës

Louis Vuitton është bërë objekt talljeje pasi ka nxjerrë në shitje, për rreth 6000 euro, një bluzë të mbuluar me kukulla.

Bluza ka të ngjitura 14 kukulla, ku përfshihen një bretkosë e gjelbër, një panda dhe një oktapod gri.

Shumë persona shkruan komente tallëse në faqen e markës së modës.

“Më në fund, një mënyrë për të futur në punë lodrat e vjetra që kam në shtëpi”, “Dhe thonë që e ka fajin Covid-19 për humbjen e shijes…” apo “Kjo është bluza më e shëmtuar në botë”, ishin disa nga komentet. / KultPlus.com