Pas Dua Lipës, edhe një tjetër këngëtare shqiptare me famë botërore ka bashkëpunuar me markën e njohur të atleteve “Puma”.
Një grua me vetëbesim dhe shumë e suksesshme në muzikë: ajo është Bebe Rexha.
Këngëtarja e nominuar me çmim “Grammy” është shndërruar në ambasadoren e re të fushatës së “Deichmann”, zinxhiri më i madh i shitjes së veshmbathjeve në Evropë. Së bashku i kanë krijuar disa modele të atleteve me markën e njohur “Puma”, e që janë pjesë e koleksionit të titulluar “Power”.
“Çfarëdo që ju përshtatet”, kjo është motoja e fushatës e cila e mbështet emancipimin e grave.
Bebe Rexha, e cila u bë e njohur për shkrimin e këngëve për artistë të mëdhenj si Eminen, Rihanna dhe Selena Gomez, u shpreh e entuziazmuar për këtë bashkëpunim.
Koleksioni “Power” tashmë është në dispozicionin e publikut. Atë e gjeni në dyqanet “Deichmann” në Gjermani dhe vende tjera të Evropës, si dhe mund të porositet online./ KultPlus.com
Animacioni i shkurtër “Clara me mustaqe”/“Clara with a mustache”, me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori do të shfaq premierën botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”. Filmi poashtu është përzgjedhur të shfaqet edhe në edicionin e 45-të “Cleveland International Film Festival”. Të dyja festivalet, filmave fitues u japin mundësinë të kualifikohen për pjesëmarrje në akademinë e çmimeve “Oscars”.
“Frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër, erdhi nga vet përvoja e luftës së fundit në Kosovë. Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet; dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyve është paraja. Që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane, për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojavetë tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre të 1998-1999” është deklarata e autorëve të filmit.
Animacioni përcjellë personazhin e saj kryesor – një njëqind deutchmark, dhe portretin e saj të bukur të Clara Schumann me një palë mustaqe të vizatuara përmbi buzë. Kjo kartëmonedhë udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat. Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmiu.
Produksioni është realizuar nga “Molos”, me mbikqyrëse të animacionit Vala Blakçori; animimi nga Ferit Youcel, ndriçimi dhe kompozitimi nga Aleksndar Petkov; riging-u nga Ogulcan Tayman; Redaktimi i skenarit nga Dafina Syla. Muzika është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vet kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellur në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Me rastin e përvjetorit të themelimit të Agjencisë shtetërore e arkivave e Kosovës, pas Akademisë solemne të mbajtur në Teatrin Faruk Begolli, sot, kushtuar 70-të vjetorit si aktivitet, u hap ekspozita e titulluar ’70 vjet arkiv’, e cila përfshin tërë dokumentacionin dhe legjislacionin e saj, shkruan KultPlus.
Me evoluimin e kohës, qysh nga dorëshkrimet më të vjetra që kanë ekzistuar rreth 600 vjet, dokumentacioni i parë ishte fjalori arabisht-persisht, kurse më i vjetri është i vitit 1608 i Mehmet Pashë Kaçanikut, duke vazhduar me përmbajtjen e cila kryesisht përmban dokumente pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe periudhën e mëhershme, e cila përfshin dokumentet në gjuhën osmane.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin kryeshefi i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, i cili uroi këtë moment të rëndësishëm për dokumentimin e historisë kombëtare shqiptare e cila është e ndarë në disa arkiva.
“Themelimi i Arkivit të Kosovës është shumë i rëndësishëm, duke përfshirë edhe Arkivin e Maqedonisë, këto dy institucione kanë dokumente mbi shqiptarët, sikurse që kanë edhe dokumentacionin kombëtar. Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, shpresoj që arkivi të ketë një jetë të gjatë dhe begatë për ruajtjen e historisë sonë të përbashkët”, përfundon Bido.
Kurse në emër të drejtorit së Arkivit shtetëror të Maqedonisë, u soll përshëndetja për përvjetorin e sotshëm, dhe urimi që në të ardhmen, njëlloj si do të forcohet shteti i Kosovës, të forcohet edhe arkivi i saj. Po ashtu përfaqësuesi i Drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, i ftoi të pranishmit që të vinë edhe në përvjetorin e Arkivit të tyre, e cila shënohet me 1 Prill.
Pas urimeve të secilës palë, të pranishmit u ftuan që si pjesë e dytë e aktiviteteve, të shikojnë nga afër edhe promovimin e librit të titulluar “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” me autor dhe aktivsitin turk, Tahir Sezen i njohur për botimin voluminoz ku përmblodhi të gjitha emrat e vendbanimeve më të rëndësishme të Perandorisë Osmane, kurse përkthimin e bëri të mundur Hatixhe Mehmeti.
Libri i botuar në gjuhën shqipe e cila është pjesë e botimit më të vëllimshëm të autorit Tahir Sezen, përmban njohjen e vendeve dhe problematikat që sjellin ato, e sidomos në hapësirat shqiptare dhe ballkanike ku shumë vende janë ndërruar dhe tjetërsuar me prezencën e sunduesve në këto treva. Ky botim po ashtu tregon bashkëpunimin në mes të Arkivit të Kosovës dhe asaj së Turqisë.
Shtrirja gjeografike e trojeve shqiptare është edhe e madhe, prandaj në të ardhmen premtohet se autorja do ta sjell veprën e plotë të përkthyer nga autori turk duke dëshmuar autoktoninë e hapësirave turke dhe shqiptare.
Mes të tjerash kryeshefi i Arkivave të Kosovës veçoi detyrën kryesore të Agjencisë shtetërore e Arkivave e Kosovës, “Një prej detyrave kryesore, përveç grumbullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore është edhe veprimtaria botuese që lidhet kryesisht me fushë veprimtarinë e Agjencisë. Me veprimtarinë botuese dhe publikimin e kontributeve dhe rezultateve të Arkivit, ky institucion synon përhapjen e njohurive për të kaluarën historike dhe për ti shërbyer të ardhmes së Kosovës edhe më gjerë”, tha Zymberaj.
Ai tutje ftoi që recensionin për librin ta shpalos doktori, Sadik Mehmeti i cili për librin vlerësoi emërtimin e vendeve me emrat gjeografik ku janë dëshmi e historisë dhe kulturës shqiptare të kaluar, ku nëpërmjet ndarjes administrative dhe statusit të saj përfshin periudha nga më të ndryshmet, me një numër më të madh vendesh sesa që sot janë të njohura për shqiptaret.
Ekspozita e shpallur sot si ’70 vjet arkiv’, do të jetë e hapur përgjatë javës për të interesuarit por gjithmonë duke zbatuar masat parandaluese të COVID-19./ KultPlus.com
Edhe pse është shumë e vështirë që një film të largohet nga Franca për shkak të reputocionit ‘Liberte’ (liri), disa janë larguar për shkak të përmbajtjes së tyre.
Kjo është lista e filmave që u larguan nga Franca dhe arsyet pse.
Filmi: Antichrist
Përshkrimi: Teksa një çift i martuar (Willem Dafoe, Charlotte Gainsbourg) janë duke kryer marrëdhënie seksuale, djali i tyre i mitur bie nga dritarja dhe vdes. Nëna shtrohet në spital, ndërsa burri, psikiatër, përpiqet ta trajtojë. Për ta shëruar nga frika e saj, ai e çon në një vend ku kishte kaluar verën me të birin, por aty nisin episodet e dhunës seksuale ndaj bashkëshortit dhe vetes.
Arsyeja e ndalimit: Në vitin 2016, filmi u ndalua në Francë kur një lëvizje katolike tradicionale e njohur si Promouvoir, kërkoi heqjen e tij për shkak të përshkrimeve të dhunës dhe seksit.
Filmi: Baise-Moi
Përshkrimi: Manu (Raffaela Anderson) ka jetuar një jetë të vështirë. E abuzuar dhe e përdhunuar, ajo niset për të takuar Nadine (Karen Bach), një prostitutë e cila është përballur me shumë padrejtësi. Të zemëruar me botën, ato zgjedhin të kryejnë marrëdhënieve kur të duan dhe të vrasin sa herë është nevoja.
Arsyeja e ndalimit: Ka skena jashtëzakonisht të dhunshme, ndërkohë që titulli në disa vende është përkthyer si “Më përdhuno”. Në vitin 2001, u vendos që të konsiderohej si i papërshtatshëm për njerëzit nën 18 vjeç.
Filmi: The Texas Chainsaw Massacre
Përshkrimi: Sally, Franklin dhe tre miqve të tyre u mbaron benzina teksa udhëtojnë me një furgon kampesh, aty shfaqen skena të dhunshme.
Arsyeja e ndalimit: Komplot i thjeshtë dhe skena të dhunshme dhe sadiste.
Filmi: The Battle of Algiers
Përshkrimi: Kronikë e vërtetë për jetën e luftës së popullit algjerian për të përmbysur qeverinë koloniale franceze në mes të viteve 1950. Fokusi është tek udhëheqësit e Lëvizjes Çlirimtare.
Arsyeja e ndalimit: “Beteja e Algjerit” konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj të luftës të të gjitha kohërave. Arsyeja e ndalimit lidhej me pretendimin se filmi ka një përshkrim të padrejtë të forcave franceze.
Filmi: Battleship Potemkin
Përshkrimi: Kur ata ushqehen me mish të thatë, marinarët në Potemkin revoltohen kundër kushteve të vështira. Të udhëhequr nga Vakulinchuk (Aleksandr Antonov), marinarët vrasin oficerët e anijes për të fituar lirinë.
Arsyeja e ndalimit: Një nga filmat më të njohur të të gjitha kohërave dhe shpesh i veçuar për teknikat e tij revolucionare të krijimit të filmit, kjo epikë ruse u ndalua nga frika se do të frymëzonte një revolucion. Autoritetet në Francë u tërhoqën nga vendimi në 1953, 20 vite pasi e ndaluan.
Filmi: Le Corbeau
Përshkrimi: Remy Germain (Pierre Fresnay) është mjek në një qytet francez i cili vendoset në qendër të një fushate shpifjesh, pasi letrat e akuzojnë atë për kryerjen e aborteve të paligjshme.
Arsyeja e ndalimit: E ndaluar për një periudhë të shkurtër pas Luftës së Dytë Botërore, “Le Corbeau” u prodhua nga një kompani gjermane në Francë gjatë pushtimit nazist. Filmi u perceptua nga lëvizja e rezistencës si poshtërim i popullsisë vendase dhe regjisori u ndalua të bënte filma
Filmi: Paths of Glory
Përshkrimi: Gjeneral Mireau vendos të marrë përsipër një mision të pamundur për të kapur një post gjerman. Sidoqoftë, kur njerëzit e tij vendosin të tërhiqen nga misioni, ai i fyen ata.
Arsyeja e ndalimit: Kritikat për mënyrën e portretizimit të ushtrisë franceze. Qeveria franceze bëri presion të madh për SHBA-në në mënyrë që filmi të mos transmetohej në Europë. Filmi u shfaq në Francë në 1975.
Filmi: Carmen Jones
Përshkrimi: Carmen josh një ushtar të ri, Joe, në mënyrë që të shmangë burgosjen. Sidoqoftë, kur ajo largohet nga Joe për një burrë tjetër, ai kërkon hakmarrje.
Arsyeja e ndalimit: Probleme me të drejtat e autorit me kompozitorin Georges Bizet që shkroi operën Carmen. Problemi u zgjidh, por u deshën gati tridhjetë vjet.
Filma të tjerë që janë ndaluar në Francë:
“Afrique 50” – i ndaluar sepse kritikon sundimin kolonial francez.
“Bel-Ami” – i ndaluar në fillim, por u lejua pas dy vitesh.
“Det kære legetøj” – i ndaluar për promovimin e pornografisë./ KultPlus.com
Vendlindja ime është e madhe Hyjnore ka qenë gjithmonë S’lenë faqe historie pa e përmend Fushave të saj janë thyer heshtat Dhe kanë kalëruar Perandori E zhbirueme në shpirt ka qenë Prej nalleve të kalit E shumë e duan për simbol Mbi harten e saj janë rrotulluar flamuj E prerë koka sulltanësh Jerusalem ka qenë shpesh Plagët e kryqëzatave Rrjedhin gjak në vend të lumenjëve E barit të njom shpesh ende mi vjen era barut I shenjt është atdheu im Prej fillimit e në fund Pishtarë për të janë bërë mijëra Patriot Të vërtetë dhe të rremë Si themra e Akilit Me një kal të ulun në gjak I ka ardh liria Mësyrë ia kanë pas kalasë edhe shumë hijena e korba Me kapë mishin e fresket Të atyre që fat e paten Me ra fli për madhështinë tonë Atdheu është gjithmonë I lidhun Si hallkat e zingjirit me fatet e njerëzëve Ndërtohet mbi andrra të bukura Me të hiqet skllavërizmi Prangat Djersët e derdhuna Një ëndërr e bukur gati si utopi Atdheu është imagjinatë 3D I don fansat e vet U jep gji e i rritë si në fole Atdheut nuk i harrohet mundi Dhe për të sakrifikohet Atdheu im është i shenjt Hyjnorë Jo vetëm për nga numri i okupatorëve Robëria e skamja Një ditë do ҫohet E një ditë unë s’do jem ma I shenjt është Edhe kur rrinë me duar në xhepa E në nyjet e dorës Ende i duken vragët e telave Që dikur rrinin në mish Tu e prit lirinë. / KultPlus.com
Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.
Për të marrë zyrtarisht pozitën e re, sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u bë dorëzim-pranimi i detyrës së Ministrit të ri të Kulturës, por që Vlora Dumoshi nuk ishte e pranishme për dorëzimin e detyrës, shkruan KultPlus.
Zëvendësministrat në largim, Engelbert Zefaj dhe Qazim Rrahmani, i kanë dorëzuar detyrën Ministrit të ri të Kulturës duke e uruar atë për marrjen e detyrës dhe duke i dëshiruar sukses dhe përmbushje të objektivave dhe realizim të planeve gjatë udhëheqjes së MKRS-së.
“Jam mëse i bindur se do të keni sukses në rrugëtimin e juaj”, u shpreh Zefaj gjatë dorëzimit të detyrës ministrit të ri.
Tutje Zefaj u shpreh se në Ministrinë e Kulturës gjatë vitit 2020 është punuar shumë, por që pandemia sfiduese e ka dëmtuar punën e ministrisë për shkak të mungesës së aktiviteteve.
Ndërsa ministri i ri, Hajrulla Ceku, pasi falënderoi Engelbert Zefaj dhe Iber Alajn, sekretarin e përhershëm në Ministrinë e Kulturës, për pritjen, ai nuk harroi të shpreh falënderimet e tij edhe për punën që ka bërë Dumoshi.
“Pres që të kemi koordinim për punë për tu sistemuar për përgjegjësinë që kemi marrë. Falënderoj të gjithë ata që më dhanë besimin për të shërbyer në këtë institucion nga ku pretendojmë ta largojmë vëmendjen nga politika. Zotohem që punët e mira të vazhdojnë tutje me dinamikë dhe energji të reja të njerëzve që do të vijnë”, tha Çeku. / KultPlus.com
Në radhët e aktiviteteve që po mbahen në kuadër të edicionit të 21-të të Javës së Frankofonisë në Kosovë, shkrimtari dhe poeti Primo Shllaku kishte sesionin e nënshkrimit të përkthimit të librit ‘’Katedralja Shën Mëria e Parisit” nga Viktor Hygo e të cilin në muajin shkurt pati promovimin e tij në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Sesioni i këtij nënshkrimi vjen edhe pas vlerësimit që mori nga Ambasada Franceze në Tiranë si përkthimi më i mirë nga gjuha frënge.
Vepra “Katedralja Shën Mëria e Parisit” është njëra nga veprat më të njohura nga Hygo, e një rëndësie shumë të madhe për dashamirët e letërsisë franceze të shekullit XX, të cilën për lexuesin shqiptar e sjellë të përkthyer mjeshtërisht shkrimtari nga Shqipëria, Primo Shllaku.
Pas nënshkrimit të librit për të pranishmit, Shllaku ndau për KultPlus përvojën e tij gjatë përkthimit të këtij libri.
Për përkthimin e kësaj vepre, Primo tregoi se ka shpenzuar 160 ditë diell dhe kënaqësi për ta përkthyer.
Ndërsa sa i përket vështirësive në përkthim, autori pohoi se “ka qenë një libër shumë i vështirë edhe për Hygoin për ta shkruar, sepse ai e ka studiuar me themel jetën parisiane të shekullit XV dhe na e ka ofruar të detajuar, kështu që natyrisht se ka vështirësi edhe në përkthim”, tha Shllaku duke potencuar se përkthyesit ecin në të njëjtën rrugë me gozhda që ka ecur shkrimtari.
Kujtojmë se Hygo në këtë vepër e ka ndjekur traditën e enciklopedisë dhe mesazhet e kësaj vepre vlerësohen kryesisht për horizontet e mëdha që u krijojnë lexuesve. / KultPlus.com
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edicioni i 93-të i ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, do të zhvillohet pa prezantues.
Organizatorët e kësaj ngjarjeje madhore të kinematografisë, po bëjnë përpjekje të vazhdueshme të sigurojnë emra të njohur të skenës për t’i ndarë shpërblimet e kategorive të ndryshme, gjatë ceremonisë së organizuar pjesërisht në formatin e rregullt, dhe e cila transmetohet live më 25 prill.
Sipas portalit “Deadline”, Akademia e Arteve dhe Shkencave si dhe organizatorët e ceremonisë po shpresojnë se që gjatë gjithë natës, prezantuesit e profilit të lartë t’i shpërndajnë çmimet në skenë në bazë rotacioni.
Kjo risi në formën e organizimit vjen një javë pasi të gjithë personat e nominuar, ishin paralajmëruar se pjesëmarrja përmes formatit online nuk ishte opsion i këtij edicioni të ceremonisë.
Ceremonia do të ngjasojë me një shesh-xhirim aktiv, me ç’rast do të ndiqen masa të caktuara anti-Covid dhe në një letër dërguar gjithë atyre që janë pjesë e listës së ngushtë të nominimeve, organizatorët ua kanë shpjeguar në detaje përpjekjet e tyre të madha, për ta organizuar një mbrëmje të sigurt dhe të këndshme për të gjithë.
Të ftuarit të cilët nuk jetojnë në Los Angeles do të pranojnë udhëzime specifike, të cilat do të dallojnë nga ato të personave që tashmë janë banorë të këtij qyteti, por të nominuarve që nuk kanë mundësi ta ndjekin ceremoninë për shkak të planifikimit ose shqetësimit të vazhdueshëm për të udhëtuar si pasojë e pandemisë, u është thënë se nuk do të mund të bëhen pjesë e shout përmes platformave online.
Organizatorët i kanë inkurajuar fituesit që të bëjnë fjalime personale por t’i mbajnë ato sa më të shkurtra, si dhe i kanë shprehur shpresat që ceremonia ta sjell një ndjenjë normaliteti dhe humori të mirë. Po ashtu i janë referuar kodit të veshjes, duke theksuar se veshja e thjeshtë dhe e rastësishme nuk do të mirëpritet.
Përveç listës dukshëm më të vogël të mysafirëve të pranishëm në sallë, organizatorët kanë njoftuar se ngjarjet, “Oscar Nominees Luncheon” e cila tradicionalisht mbahet pak ditë para këtij shou dhe “Governor’s Ball” që zë vend pas ceremonisë shpërblyese, janë anuluar për këtë vit.
Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, do të mbahet më 25 prill 2021 dhe do të transmetohet live në kanalin “ABC”, dhe në më shumë se 225 shtete të botës. / KultPlus.com
Mandatory Credit: Photo by Chris Pizzello/Invision/AP/Shutterstock (10108210s)
An Oscar statue is pictured at the press preview for the 91st Academy Awards Governors Ball, in Los Angeles. The 91st Academy Awards will be held on Sunday, Feb. 24. at the Dolby Theatre in Los Angeles
91st Academy Awards – Governors Ball Press Preview, Los Angeles, USA – 15 Feb 2019
“La Tribune de la Gironde” ka botuar, të martën e 28 dhe të mërkurën e 29 gushtit 1849, në faqet n°2, fjalimin mbresëlënës të Victor Hugo, të mbajtur me rastin e Kongresit të Paqes në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ne riprodhojmë në mënyrë të plotë fjalimin tepër të veçantë që Victor Hugo mbajti në hapjen e seancës së Kongresit të Paqes. Duke ndjekur oratorin e shquar në investigimin e tij inteligjent të së ardhmes, mendja pushon për fat të mirë nga e gjithë dhuna budallaqe e reagimeve:
Zotërinj,
Shumë prej jush vijnë nga skajet e largëta të globit, me zemra plot mendime fetare dhe të shenjta. Ju numëroni në radhët tuaja publicistë, filozofë, ministra të kulteve të krishtera, shkrimtarë të shquar, disa nga këta njerëz të konsiderueshëm, këta njerëz publik dhe të njohur që janë dritat e kombit të tyre. Ju donit të dilnit nga Parisi me deklaratat e këtij takimi të mendjeve të bindura dhe serioze, të cilët jo vetëm që duan të mirën e një populli, por që duan të mirën e të gjithë njerëzve. Ju shtoni një parim më të lartë në parimet që qeverisin sot burrat e shtetit, drejtuesit dhe ligjvënësit. Ju vini në një mënyrë që të ktheni faqen e fundit dhe më të rëndësishmen e Ungjillit, atë që u imponon paqe fëmijëve të të njëjtit Zot dhe në këtë qytet që ende ka dekretuar vetëm vëllazërinë e qytetarëve, ju vini të shpallni vëllazërinë të njerëzve.
Mirësevini!
Në prani të një mendimi të tillë dhe një akti të tillë, nuk mund të ketë vend për falënderime personale.
Më lejoni pra, në fjalët e para që prononcoj para jush, të ngre vështrimin më lart se vetja, dhe të harroj, në një farë mënyre, nderin e madh që më keni bërë, të mendoj vetëm për gjënë e madhe që ju dëshironi të bëni.
Zotërinj, ky mendim fetar, paqja universale, të gjitha kombet e lidhura së bashku nga një nyje (pikë) e përbashkët, Ungjilli si ligj suprem, ndërmjetësimi si zëvendësues i luftës, a është ky mendim fetar një mendim praktik ? A është kjo ide e shenjtë një ide e realizueshme?
Shumë mendje pozitive, siç thonë sot, shumë politikanë që kanë kaluar kohë në menaxhimin e çështjeve (aferave), përgjigjen : jo ! Unë, përgjigjem me ju, përgjigjem pa hezitim, përgjigjem : po ! dhe do të përpiqem ta provoj pak më vonë.
Unë shkoj më tej; Unë nuk them vetëm : është një qëllim i arritshëm; Unë them: është një qëllim i pashmangshëm; mund të vonohet ose të shpejtohet. Kjo është e gjitha.
Ligji i botës nuk është dhe nuk mund të dallohet nga ligji i Zotit. Pra, ligji i Zotit nuk është lufta, por paqja. Njerëzit filluan me luftën, si krijimi përmes kaosit. Nga vijnë ata? Nga lufta; kjo është e qartë. Po ku po shkojnë? Drejt paqes; kjo nuk është më pak evidente.
Kur pohoni këto të vërteta të larta, është mjaft e thjeshtë që pohimi juaj të takojë mohimin; është mjaft e thjeshtë që besimi juaj të takohet me mosbesimin: është mjaft e thjeshtë që në këtë orë të telasheve tona dhe të zemërimeve tona, ideja e paqes universale befason dhe trondit pothuajse si pamja e së pamundurës dhe idealit; është shumë e lehtë të bërtasim utopinë ; dhe, nga ana ime, si një punëtor i përulur dhe i errët në veprën e madhe të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e pranoj këtë rezistencë nga shpirtrat pa më befasuar ose dekurajuar. A është e mundur që ju të mos ktheni kokën dhe të mbyllni sytë në një lloj verbimi, kur, në mes të territ që ende varet (peshon) mbi ne, të hapni papritur derën rrezatuese të së ardhmes?
Zotërinj, nëse dikush, katër shekuj më parë, në kohën kur ekzistonte lufta nga komuna në komunë, nga qyteti në qytet, nga krahina në krahinë, nëse dikush do t’u kishte thënë Lorraine (Lorrenës), Picardie (Pikardisë), Normandie (Normandisë), Bretagne (Bretanjës), Auvergne (Overnjës), Provence (Provonsës), Dauphiné (Dofinesë), Bourgogne (Burgonjës):
Do të vijë një ditë kur nuk do të bëni luftë me njeri-tjetrin; do të vijë një ditë kur ju nuk do të ngrini më armët kundër njëri-tjetrit; do të vijë një ditë kur nuk do t’ju thuhet më: Normands (normanët) sulmuan Picards (pikardët), Lorrains (lorrenët) i kthyen prapa Bourguignons (burginjonët). Ju do të keni akoma mosmarrëveshje për të zgjidhur, interesa për të diskutuar, kontestime për të zgjidhur; por a e dini se çfarë do të vendosni në vend të ushtarëve; a e dini se çfarë do të vendosni në vend të këmbësorisë dhe kalorësisë, topave, fajkojve, shtizave, shigjetave, shpatave ? Do të vendosni një kuti të vogël prej bredhi që do ta quani kutia e votimit dhe çfarë do të dalë nga kjo kuti? Një Asamble në të cilën të gjithë do të ndjeni se po jetoni, një Asamble e cila do të jetë si shpirti juaj për të gjithë, një Këshill i Popullit Sovran që do të vendosë, i cili do të gjykojë, i cili do të zgjidhë gjithçka në ligj, e cila do të rrëzojë shpatën nga të gjitha duart dhe do të ngrejë drejtësinë nga të gjitha zemrat. Këtu mbaron drejtësia juaj, aty fillon detyra juaj. Poshtë armët! Rroftë paqja!
Dhe atë ditë do të ndjeni një mendim të përbashkët, interesa të përbashkëta, një fat të përbashkët; do të përqafoni njëri-tjetrin, do ta njihni veten si bij të të njëjtit gjak dhe të së njëjtës racë; atë ditë nuk do të jeni më një fis armik, do të jeni një popull; nuk do të jeni më Burgonja, Normandia, Bretanja, Provensa, do të jeni Franca. Ju nuk do të quheni më luftë, do të quheni civilizim!
Nëse dikush do ta kishte thënë në atë epokë, zotërinj, të gjithë njerëzit seriozë dhe pozitivë, të gjithë njerëzit e mençur, të gjithë politikanët e mëdhenj atëherë kishin thirrur : “Oh, ëndërrimtari ! Oh ! ëndrra e zbrazët ! Sa pak di ky njeri për njerëzimin! Ja një çmenduri e çuditshme dhe një mit (legjendë) absurd!” – Zotërinj, koha ka ecur, dhe rezulton se kjo ëndërr, kjo çmenduri, ky mit (kjo legjendë), është realitet.
Dhe unë këmbëngul në këtë: njeriu që e kishte bërë këtë profeci sublime do të ishte shpallur i çmendur nga të urtët (të mençurit), meqë kishte dalluar planet e Zotit!
Ja, pra! ju thoni sot, dhe unë jam një nga ata që them me të gjithë ju, ne që jemi këtu, ne i themi Francës, Anglisë, Prusisë, Austrisë, Spanjës, Italisë, Rusisë, ne u themi atyre:
Do të vijë një ditë kur edhe armët do të bien nga duart tuaja; do të vijë një ditë kur lufta do të duket kaq absurde dhe do të jetë aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Shën Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, ashtu siç do të ishte e pamundur dhe absurde sot midis Romës dhe Amiens-it, midis Bostonit dhe Filadelfias.
Një ditë do të vijë për ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë kombet e kontinentit, pa humbur cilësitë tuaja të dallueshme dhe individualitetin tuaj të lavdishëm, ju do të bashkoheni në një unitet më të lartë dhe do të krijoni vëllazërinë evropiane, absolutisht si Normandie (Normandia), Bretagne (Bretanja), Bourgogne (Burgonja), Lorraine (Lorrena), Alsace (Alzasa): të gjitha këto provinca janë bashkuar në Francën.
Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fushëbeteja por tregje të hapura për tregti dhe mendje të hapura për ide.
Do të vijë një ditë kur gjylet e topave dhe bombat do të zëvendësohen nga votat, nga votimi universal i popujve, nga arbitrimi i nderuar i një senati të madh sovran, i cili do të jetë për Evropën ashtu siç është Parlamenti për Anglinë, Dieta për Gjermaninë, Asambleja Legjislative për Francën!
Do të vijë një ditë kur një top do të shfaqet në muze ashtu siç tregohet sot një instrument torture, dhe do të çuditemi se çfarë mund të ketë qenë!
Do të vijë një ditë kur do të shohim këto dy grupe të jashtëzakonshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Evropës, të përballen me njëra-tjetrën, duke shtrirë duart mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregtinë e tyre, industrinë e tyre, artet e tyre, gjenitë e tyre, duke pastruar globin, kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar krijimin nën vështrimin e Krijuesit dhe duke u kombinuar së bashku, për të nxjerrë mirëqenien e të gjithëve, të këtyre dy forcave të pafund, vëllazërinë e njerëzve dhe fuqinë e Zotit!
Dhe kjo ditë, nuk do të duhen katërqind vjet për ta sjellë atë, sepse ne po jetojmë në rrymën më të vrullshme të ngjarjeve dhe ideve që ka mbartur ende njerëzimin, dhe, në kohën që po jetojmë, një vit bën ndonjëherë punën e një shekulli.
Dhe francezë, anglezë, belgë, gjermanë, rusë, sllavë, evropianë, amerikanë, çfarë duhet të bëjmë për të arritur në këtë ditë të madhe sa më shpejt të jetë e mundur? Të duhemi!
Të duhemi! në këtë vepër të pamasë paqësimi, kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar Zotin!
Sepse Zoti e dëshiron këtë qëllim sublim ! Dhe shikoni, për ta arritur, çfarë ndodh në të gjitha anët ? Shikoni sa nga zbulimi, ai nxjerr gjeniun njerëzor, të gjitha këto shkojnë drejt këtij qëllimi, paqes ! Çfarë përparimi ! çfarë thjeshtësimesh ! Ashtu si natyra zbutet gjithnjë e më shumë nga njeriu! Ashtu si lënda bëhet gjithnjë e më shumë skllave e inteligjencës dhe shërbëtore e civilizimit ! Ashtu si zhduken shkaqet e luftës me shkaqet e vuajtjeve! Ashtu si popujt e largët afrohen me njëri-tjetrin! ashtu si afrohen distancat! Dhe bashkimi është fillimi i vëllazërisë.
Falë hekurudhave, Evropa së shpejti nuk do të jetë më e madhe se sa Franca ishte në Mesjetë! Falë anijeve me avull (avulloreve), ne tani kalojmë oqeanin më lehtë sesa dikur kalonim Mesdheun! Shumë shpejt njeriu do të ecë në tokë ashtu si perënditë e Homerit enden në qiell, në tre hapa. Edhe disa vjet, dhe telat elektrikë të pajtimit do të rrethojnë globin dhe do të përqafojnë botën!
Këtu, zotërinj, kur unë thelloj këtë tërësi të përbashkët, në këtë garë të madhe përpjekjesh dhe ngjarjesh, të gjitha të shënuara me gishtin e Zotit; kur mendoj për këtë qëllim madhështor, mirëqenien e njerëzve, paqen; kur marr parasysh atë që bën Providenca dhe atë që bën politika kundër, një reflektim i dhimbshëm më vjen në mendje.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Rezulton nga statistikat dhe buxhetet krahasuese, që kombet evropiane shpenzojnë çdo vit, për mirëmbajtjen e ushtrive të tyre, një shumë që nuk është më pak se dy miliardë dhe e cila, nëse i shtojmë mirëmbajtjen e materialeve të institucioneve të luftës, arrin në tre miliardë. I shtojmë asaj përsëri produktin e humbur nga ditët e punës së më shumë se dy milion burrave, më të shëndetshmit, më të fuqishmit, më të rinjtë, elita e popullsisë, një produkt që nuk mund ta vlerësosh për më pak se një miliard, dhe arrijmë në rezultatin që ushtritë i kushtojnë Evropës katër miliardë në vit. Zotërinj, paqja ka zgjatur tridhjetë e dy vjet dhe për tridhjetë e dy vjet shuma monstruoze prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh është shpenzuar gjatë paqes për luftën ! Supozoni që popujt e Evropës, në vend se të sfindonin, xhelozonin apo të urrenin njëri-tjetrin, të kishin dashur njëri-tjetrin; të supozojmë se t’i kishin thënë vetes se para se të jenë francezë, anglezë ose gjermanë, jemi njerëz, dhe se nëse kombet janë atdhe, njerëzimi është një familje; dhe tani ajo shumë prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh, kaq pa mend dhe kaq kot e shpenzuar për mosbesim, ta shpenzojmë për besimin! Këto njëqind e njëzet e tetë miliardë të dhëna urrejtjes, t’ia japim dashurisë! këto njëqind e njëzet e tetë miliardë të dhëna luftës, t’i jepen paqes! T’i jepen punës, inteligjencës, industrisë, tregtisë, navigimit, bujqësisë, shkencave, arteve dhe imagjinoni rezultatin!
Nëse, për tridhjetë e dy vjet, kjo shumë gjigante prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh do të ishte shpenzuar në këtë mënyrë, Amerika, në anën e saj, duke ndihmuar Evropën, e dini çfarë do të kishte ndodhur? Fytyra e botës do të ndryshohej! nyjet do të ishin prerë, lumenjtë do të ishin gërmuar, malet do të shpoheshin, hekurudhat do të kishin mbuluar dy kontinentet, marina tregtare e globit do të ishte rritur njëqindfish, nuk do të kishte më lande, djerre, moçale; do të ndërtoheshin qytete ku ka akoma vetëm vetmi; portet do të gërmoheshin aty ku ka akoma vetëm gracka; Azia do të kthehej në civilizim, Afrika do t’i kthehej njeriut, pasuria do të buronte nga të gjitha anët, nga të gjitha venat e globit, nën punën e të gjithë njerëzve dhe mjerimi do të zhdukej! Dhe e dini se çfarë do të zbehen me mjerimin? Revolucionet. Po, fytyra e botës do të ndryshohej! Në vend që të shkatërronim njëri-tjetrin, ne do të përhapeshim paqësisht mbi univers! Në vend që të bënim revolucione, ne do të bënim koloni! Në vend që të sillnim barbarizëm në civilizim, ne do të sillnim civilizim në barbarizëm!
Shikoni, zotërinj, në çfarë verbërie, preokupimi për luftën i hedh kombet dhe sundimtarët : nëse njëqind e njëzet e tetë miliardë që i dha Evropa për tridhjetë e dy vjet luftës që nuk ekzistonte, do t’i jepeshin paqes që ekzistonte, le ta themi atë, dhe le ta themi me zë të lartë, ne nuk do të kishim parë asgjë në Evropë nga ajo që po shohim për momentin; kontinenti, në vend që të ishte një fushë beteje, do të ishte një atelier dhe në vend të këtij spektakli të dhimbshëm dhe të tmerrshëm, Piemonti i dëshpëruar, Roma, qyteti i përjetshëm, i dhënë pas lëkundjeve të mjerueshme të politikës njerëzore; Venecia, që debaton heroikisht, Hungaria fisnike që ngrihet; Franca e shqetësuar, e varfëruar dhe e zymtë; mjerimi, zia, lufta civile, errësira mbi të ardhmen; në vend të këtij spektakli të lig, do të kishim para syve tonë shpresën, gëzimin, dashamirësinë, përpjekjen e të gjithëve drejt mirëqenies së përbashkët dhe do të shihnim kudo që dilnin nga civilizimi në punë rrezatimin madhështor të harmonisë universale.
Diçka e denjë për meditim! Ishin masat tona paraprake kundër luftës ato që sollën revolucionet. Bëmë gjithçka, shpenzuam gjithçka kundër rrezikut imagjinar! Kështu e përkeqësuam mjerimin, i cili ishte rreziku i vërtetë! Ne jemi fortifikuar kundër një rreziku imagjinar; i kthyem sytë nga ana ku nuk ishte pika e zezë: pamë luftërat që nuk erdhën dhe nuk pamë revolucionet që po vinin!
Zotërinj, të mos dëshpërohemi sidoqoftë. Përkundrazi, le të shpresojmë më shumë se kurrë! Le të mos lejojmë që të trembemi nga trazira të çastit, goditjet e nevojshme mbase të lindjes së madhe. Le të mos jemi të padrejtë me kohët në të cilat jetojmë, të mos e shohim kohën tonë si diçka tjetër nga sa është. Në fund të fundit, kjo është një kohë e mrekullueshme dhe shekulli XIX-të do të jetë, le ta themi troç, faqja më e madhe e Historisë.
Siç ju kujtova më herët, i gjithë progresi është zbuluar dhe manifestuar në të njëjtën kohë, njëri sjell tjetrin : rënia e armiqësive ndërkombëtare, fshirja e kufijve në hartë dhe paragjykimet në zemra, prirja për unitet, zbutja e zakoneve, ngritja e nivelit të arsimit dhe ulja e nivelit të dënimeve, dominimi i gjuhëve më letrare, domethënë më njerëzorja, gjithçka lëviz në të njëjtën kohë, ekonomia politike, shkenca, industria, filozofia, legjislacioni, dhe konvergojnë në të njëjtin qëllim, krijimin e mirëqenies dhe dashamirësisë, që do të thotë, dhe ky nga ana ime është qëllimi për të cilin do të përpiqem gjithmonë, zhdukja e varfërisë brenda, zhdukja e luftës jashtë.
Po, epoka e revolucioneve po mbyllet, epoka e përmirësimeve fillon. Përmirësimi i popujve lë formën e dhunshme për të marrë formën paqësore; ka ardhur koha kur Providenca do të zëvendësojë veprimin e çrregullt të agjitatorëve me veprimin fetar dhe të qetë të paqebërësve.
Që këtej e tutje, qëllimi i politikës së madhe, i politikës së vërtetë, është ky : Të njohim të gjitha kombësitë, të rivendosim unitetin historik të popujve dhe ta bashkojmë këtë unitet në civilizim përmes paqes, për të zgjeruar vazhdimisht grupin e civilizuar, t’i japim shembullin e mirë popujve ende barbarë, zëvendësimin e betejave me arbitrazhet, së fundmi, dhe kjo i përmbledh të gjitha, të prononcojmë nëpërmjet drejtësisë fjalën e fundit që bota e vjetër shqiptonte nëpërmjet forcës.
Zotërinj, po e them në mbyllje, dhe le të na inkurajojë ky mendim, nuk është nga sot që njerëzimi po ecën në këtë rrugë providenciale. Në Evropën tonë të vjetër, Anglia bëri hapin e parë dhe, me shembullin e saj shekullor, ajo u tha popujve : “Ju jeni të lirë !” Franca ndërmori hapin e dytë dhe ajo i tha popullit : “Ju jeni sovran !”
Tani le të hedhim hapin e tretë, dhe të gjithë së bashku, Franca, Anglia, Belgjika, Gjermania, Italia, Evropa, Amerika, le t’u themi popujve : “Ju jeni vëllezër!”
Gjykata e Qarkut e Stokholmit e ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadrin, për vrasjen e prindërve të tij. Ai duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë lënë pa prindër.
Express u sjell detaje se si kishte ndodhur i gjithë rasti dhe për motivin që e ka shtyrë kosovarin t’i vrasë prindërit.
Adriatik Hadri nga Prizreni do ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Ai është dënuar dje nga Gjykata e Qarkut në Stokholm me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai duhet të iu paguajë edhe dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij.
“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë.
“Dëshmitë kundër burrit 37-vjeçar kanë përfshirë, mes tjerash, materialin e gjerë nga telefoni i tij mobil dhe nga kompjuteri i tij. Nga dëshmitë ka dalë se 37-vjeçari ishte munduar të merrte silurë me qira para se vetë t’i kryente aktet. Ai ra në kontakt me armën e vrasjes duke e thyer kasafortën e prindërve të tij në shtëpi. Është zbuluar gjithashtu se 37-vjeçari mendonte se përmes vrasjes së prindërve do ta merrte kontrollin e aseteve familjare”, thuhet tutje në njoftim.
Si kishte ndodhur rasti?
Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.
Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.
Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.
Atje kishte nisur edhe gjykimi për të, shkaku i i pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i kishte thënë Gazetës Express se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.
“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, kishte thënë Mehmeti.
Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.
“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti.
Prokuroria suedeze kishte filluar ta ndjekë penalisht Hadrin më 15 janar të këtij viti, derisa dje është marrë vendimi për të.
Prokurori i rastit, Calmvik Olof, në një përgjigje për Express, kishte përgëzuar prokurorët dhe policinë e Prizrenit për punën në këtë rast.
“Ne gjithashtu do të donim të themi se kemi marrë shumë ndihmë nga prokurorët dhe policia në Prizren, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme në këtë rast”, thuhej në përgjigjet e prokurorit.
Ndryshe, vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.
Policia suedeze kishte thënë atëkohë se është e përfshirë në hetime.
“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber./Gazeta Express / KultPlus.com
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka prezantuar logon e vet të re, në prag të fillimit të fushatës kualifikuese të Kombëtares për Kupën e Botës 2022.
Tri vjet pasi e shpalosi logon e parë që prej anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, e cila u prit me kritika dhe mospëlqim, organi qeverisës i futbollit kosovar e prezantoi logon e re të martën, raporton Gazeta Express.
Logoja është punuar një partneri i UEFA-s, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
“Në pajtueshmëri me UEFA-s, i është besuar një partneri të UEFA-s për ta bërë logon. Kjo kompani i ka bërë 28 logo të Federatave. Futbolli duhet të jetë pikë unifikuese”, ka thënë Alba Morina nga Zyra për Marketing e FFK-së.
Logoja e re përbëhet nga tri ngjyra, ari, bardh dhe kaltër, me këtë të fundit që dominon. Me inicialet e federatës (FFK) të vendosura në kokë dhe gjashtë yjet e flamurit të Kosovës, që përfaqësojnë pakicat në vend, nën të, logoja përmban edhe një simbol dardan në formë rrethi, si dhe topin e futbollit.
Logoja e kaluar, dizajni i së cilës u kritikua bashkë me procesin sesi u bë ajo në vitin 2018, ishte shumë më e thjeshtë. Ajo përmbante yjet në flamurin e Kosovës dhe një top futbolli.
Me logon dhe fanellat e reja, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e Kombëtares të dielën e ardhshme më 28 mars.
Verdhekaltrit e presin Suedinë e Zlatan Ibrahimovicit në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet të dielën, para se të udhëtojnë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën tri ditë më vonë. /KultPlus.com
Galeria Kombëtare është pajtuar që disa prej veprave të saj më të mëdha t’i huazohen një galerie rajonale britanike, me qëllim që të kremtohet një lidhje e veçantë shekullore dhe jo fort e njohur.
Ky institucion londinez po ia jep hua nëntë vepra, përfshirë edhe aso të Monetit dhe Gainsboroughit, galerisë së artit në qytetin e Southamptonit për një ekspozitë që do të mbahet gjatë kësaj vere. Ajo do të qëmtojë lidhjet e afërta e prapaskenat që kanë pasur gjithnjë këto dy galeri.
Gabriele Finaldi, drejtor i Galerisë Kombëtare, ka thënë se lidhjet kanë qenë unike dhe se është i kënaqur që tani mund të thuhet “rrëfimi i pathënë i lidhjes historike mes dy institucioneve tona”.
Themelet e galerisë së artit në Southampton u vunë më 1911 sipas amanetit të farmacistit lokal, Robert Chipperfield. Ai ia la qytetit koleksionin e tij me piktura viktoriane, ca para për ndërtimin e galerisë dhe vendosi që drejtori i Galerisë Kombëtare duhej të vepronte si këshilltar mbi çështje të tilla, si blerjet, huazimet dhe paraqitjet.
Kjo domethënë se politikat për koleksionet e Southamptonit u vunë nga Kenneth Clarku, që nisi të bënte famë me serialet e tij televizive “Civilisation”, por në vitet ’30, bash kur ishte tridhjetëvjeçar, ai ishte drejtori më i ri në historinë e Galerisë Kombëtare.
Ai thoshte se duhen blerë veprat që kanë rëndësi qenësore e vlera estetike dhe jo vetëm ato që janë popullore e të qasshme.
Galeria u hap në prill të vitit 1939, por shumë shpejt u boshatis për shkak të fillimit të luftës.
Ekspozita në Southampton do të qëmtojë politikën e koleksioneve, e cila deri më 1975 vendosej në këshillim me Galerinë Kombëtare. Kur ia nisi të blinte më shumë vepra bashkëkohore artistike, “Tate” u bë një lloj këshilltari kombëtar.
Në dekadat e fundit, lidhjet e afërta mes Galerisë Kombëtare dhe Southamptonit kanë vazhduar në një sërë mënyrash.
Rreth 60 vepra do të shfaqen. Pikturat e huazuara përfshijnë “The Petit Bras of the Seine at Argenteuil” të Claude Monetit më 1872, që do të përqaset me një tjetër pikturë të Monetit, në pronësi të Southamptonit, “The Church Vétheuil” (1880).
Piktura e Gainsboroughit, pronë e Galerisë Kombëtare, e quajtur “Dr Ralph Schomberg”, rreth vitit 1770 do të përqasohet me një tjetër të po këtij autori, pronë e Southamptonit, “George, Lord Vernon” (1767). Edhe piktura trazuese e Salvator Rosas për “Shtrigat” do të përqaset me një tjetër të po të njëjtit autor “A Mountain Landscape”, që është në pronësi të Southamptonit.
Southamptoni shpreson se shfaqja do të jetë një gur themeltar për të fituar betejën që ky qytet të shpallet si qytet i kulturës më 2025. / Koha.net / KultPlus.com
Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Francë. Universiteti prestigjioz “Sciences Po Rennes” nga Franca ofron bursa për studentët e Kolegjit Universum.
Pra tani studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë në “Sciences Po Rennes” një nga 10 institutet e shkencave politike në Francë dhe konsiderohet si një nga shkollat më madhështore në botë.
Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 325 studentë të Kolegjit Universum dhe 115 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.
Nga Jusuf Buxhovi Përkujtesë historike: 23 mars 1989
Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populliste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat, që për synimim kishin “barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”, që nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.
Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, sigurisht se nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, gjë që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.
Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndodhi kursi i nënshtrimit në përputhje me logjikën e mbijetimit, që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e nenit 49, që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime, po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.
Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.
Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve, u desh të jepnin “pelqimin” për këto ndryshime. Por, 11 prej tyre nuk iu nënshtruan kësja trysnie. Votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë. Kjo bëri që në gjithë Kosovën puçi kushtetues i Serbisë ndaj kushtetutes së Jugosllavisë e me këtë edhe të Kosovës, të përcillet me demonstrata të përgjakshme, meqë e gjitha u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës nga pushtimi i vitit 1912.
Ripushtimi i Kosovës nga Serbia (i par më 1918 dhe i dyti më 1944), megjithatë nuk u pranua me vullnet. Përkudrazi, krahas demonstratave të përgjakshme, u përcoll me lëvizjen kombëtare që filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumi për pavarësi, në vitin 1991). Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur, që çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb në vitin 1999 dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia. / KultPlus.com
Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur Donika Gërvalla të jetë si Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan KultPlus.
Donika e cila është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën e Vetëvendosjes, sot përmes një statusi në facebook ka folu rreth familjes së saj dhe sfidave me të cilat janë ballafaquar gjatë viteve, përderisa është shprehur se sot për të është përmbyllur një biografi 40 vjeçare.
Ajo tutje ka shkruar se besimi i dhënë nga qytetarët dhe punët që i kanë përpara janë kolosale.
Ky është postimi i plotë i Gërvallës:
Mbi 40 vjet kanë kaluar nga dhjetori i vitit 1979 kur Babi detyrohet të largohet nga Kosova e robëruar për të mos u kthyer më asnjëherë. Eshtrat e tij sot prehen në Kosovën e lirë, në Dubovik, pranë Bacit Bardhosh, Nanës Ajshe, Babës Bardh dhe të gjithë paraardhësve të tyre.
Mbi 40 vjet histori të një familjeje shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj, pasqyrë e vuajtjeve dhe sfidave të kaq shumë familjeve shqiptare gjatë shumë dekadave.
Sot për mua u përmbyll një biografi mbi 40-vjeçare.
Vajza e atëhershme, e cila në moshën 8-vjeçare u detyrua të largohej nga vendlindja, në moshën 10-vjeçare përjetoi atentatin ndaj babait dhe axhës, u rrit në një prej diktaturave më të egra komuniste në Evropë, përjetoi shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, përjetoi rëndë diskriminimin dhe shtypjen e bashkëqytetarëve të saj në Kosovë gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta dhe më në fund në vitin 1999 e përjetoi lirinë dhe në qershor 1999 për herë të parë pas 19 vitesh mundi të kthehet në Kosovë, pra po ajo vajzë, të cilën përvoja e saj jetësore e mësoi që liria dhe demokracia e mirëfilltë është ajo, për të cilën asnjëherë nuk duhet ndalur së luftuari, sot ka marrë besimin të jetë përfaqësuese e Republikës në politikën e saj të jashtme.
Mirënjohja ime për besimin ndaj meje është e thellë sa nuk thuhet.
Aq më i madh detyrimi për ta përmbushur këtë detyrë me nder, punë të mira për Kosovën dhe hapjen e shtigjeve të reja për vendin dhe të gjithë qytetarët e tij.
Besimi i dhënë dhe punët që i kemi përpara janë kolosale. Mbetet që në asnjë ditë të punës sonë gjatë 4 viteve të ardhshme mos ta harrojmë besimin e dhënë dhe shpresën e qytetarit, që fatin dhe të ardhmen e tij dhe të vendit ta kemi udhërrëfyesin kryesor gjatë punës sonë. / KultPlus.com
Hapi portën e madhe pa trokitur, djaloshi më la në dorë zarfin e madh të stolisur me argjend. Në kokë kish beretën time. Fiku fenerin dhe iku shkallëve teposhtë. Por kur ra krejt qetësia, ai u kthy me dritën e zakonshme të diellit që hynte nga dritaret e korridorit të banesës.
Ditë të mirë, zotni, më tha. S’e kam ndërmend të vij përsëri, kjo është letra e fundit.
Kur cingërroi mobifoni, thuajse humba ndjenjat, u ligshtova. Isha hutuar pas një gjumi të thellë, pa disponim pas ëndrrës ku shkundesha si fëmijë i kacavarur më kokën poshtë. Ëndrra më trishtoi.
Në ditën që vendosa ta braktis beretën e vjetër, erdhi në ëndërr djaloshi krenar dhe fjalëpak. Nuk iu përkula. Kujdes, i thashë vetes.
Hapi portën e madhe pa trokitur, djaloshi më la në dorë zarfin e madh të stolisur me argjend. Në kokë kish beretën time. Fiku fenerin dhe iku shkallëve teposhtë. Por kur ra krejt qetësia, ai u kthy me dritën e zakonshme të diellit që hynte nga dritaret e korridorit të banesës.
Ditë të mirë, zotni, më tha. S’e kam ndërmend të vij përsëri, kjo është letra e fundit.
Kur cingërroi mobifoni, thuajse humba ndjenjat, u ligshtova. Isha hutuar pas një gjumi të thellë, pa disponim pas ëndrrës ku shkundesha si fëmijë i kacavarur më kokën poshtë. Ëndrra më trishtoi.
Po bëhesh i marrë, por as ky mendim nuk më hoq hamendësimin për ta prekur pullën prej nga pastaj hapet zëri. Për fat të keq, fryma m’u ndal, sepse nuk njoha numrin. Ç’të bëj? U zbrapsa ta shtyp. Është shumë i panjohur, arsyetova. Thirrjet zakonisht i krahasoja me një dru në pyll apo me një pikë uji në det. Nuk më thoshin asgjë dhe nuk i përballoj befasitë kohët e fundit. Më vijnë njëra pas tjetrës krejt të hidhura.
Preka pullën, po nuk e shtypa. Muzika “Grande vals” në mobifon më emocionon, më kujton tingujt e kitarës së kompozitorit Francisco Tárrega. Tingujt e Tárregas janë pjesë e jetës sime. Kur për herë të parë më 2004 bleva numrin e mobifonit në PostëTelekom me një çmim infarkti, 400 euro, në mendje e kisha këtë muzikë. Bleva pastaj edhe aparatin Nokia, por melodinë nuk e ndryshova, sa do që kishte ditë e javë kur ndjeja presionin e miqve për ta zëvendësuar me tinguj të këngëve patriotike që kishin vërshuar ngado në televizionet dhe radiot lokale. Tingëllimën me versionin e melodisë “Grande vals” e mbaja pa menduar për tjetër.
Melodia më thërriste pesë herë brenda dymbëdhjetë minutave. Nuk qe thirrje e zakonshme, pasi hidhte në ajër kryeneçësinë që e kisha ters, aq më shumë, kur ajo mund të vinte nga një i panjohur.
Për ta larguar lukuninë e alarmit shlirova kravatën se po më mbyte. Marrëzi, nuk e duroja tingëllimën që nuk shqitej pas katër orë e dymbëdhjetë minuta udhëtim të bezdisshëm, me autobus me erë djerëse dhe nafte bashkë që tashti i ndjeja se me kishin hyrë edhe brenda në mushkëri dhe lëkurë.
Hape, më udhëzoi mosdurues, bashkudhëtari, një plak i heshtur dhe melankolik.
Jo, thashë.
Hape, na mbyte, tha zemëruar.
Nuk e hap numër të panjohur, ia ktheva: Nuk e hap, kot e ke.
Kur shpërtheu sërish melodia, ai u ngrit të ndërronte vend.
Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.
Harjulla Çeku në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishte deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse më herët ishte udhëheqës i OJQ-së “Ec ma ndryshe”.
Për tu njohur më tepër me Hajrulla Çekun, po ju sjellim disa informata për ministrin e ri.
Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në Prizren. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike” dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.
Përgjatë viteve u angazhua në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në shumë prej tyre. Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ka qenë zëvendës-ministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë.
Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.
Çeku u zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transparencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.
Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.
Ndryshe, për Qeverinë Kurti 2 kanë votuar 67 deputetë ndërsa kundër kanë votuar 30. / KultPlus.com
Nëse Përmeti s’do të kishte marrë vëmendjen e duhur këto vite me investime konkrete që krijuan një perspektivë të qartë turistike për qytetin, që siç thonë i ka të gjitha përveç detit, me siguri nuk do të kishim as këtë hapësirë fantastike në zemër të zonës historike.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës Bledi Çuçi, teksa ka sjellë shembullin e Arbër Goga, i cili pasi u kthye nga emigrimi investoi në qytetin e Përmetit.
““Villa Përmet” është një shembull domethënës për ata që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme më të mirë, një histori frymëzuese për shqiptarët jashtë vendit që mendojnë të kthehen dhe të investojnë në vendlindje. Një histori frymëzuese për qytetin që vit pas viti është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik në jug të vendit. Bravo Arbër”, – shprehet Çuçi.
“Historia ime është si historia e shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët kanë emigruar dhe pas një kohë në emigrim kanë vendosur të kthehen në vendlindjen e tyre. Pasi mora vendimin tim për t’u kthyer në Shqipëri ftova për të kaluar pushimet mikun tim Denis. Pas disa ditësh pushimesh dhe një turi në Shqipëri vumë re se sektori turistik kishte nevojë për zhvillim, potenciali ishte shumë i lartë mbi të gjitha në lagjen më të vjetër të Përmetit”, – thekson Goga.
Më tej Goga u shpreh se “duke restauruar një nga godinat më të vjetra dhe duke qenë shtëpia e dytë më e madhe në Përmet i dhamë një jetë të dytë ku të gjithë mund të vijnë të pushojnë një natë apo të kalojnë një fundjavë”.
“Pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, të shpresojmë që edhe të rinj të tjerë të kenë dëshirën të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Do isha shumë i kënaqur nëse në zonën e vjetër të Përmetit të lindin edhe realitete të tjera që të jetë një kartëvizitë për të huajt se çfarë është Shqipëria në realitet”, – tha Goga./ atsh / KultPlus.com
Adam Zagajewski, poeti dhe eseisti i njohur polak, vdiq në moshën 75 vjeç.
Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht, ndër të tjera, për poezinë e tij ”Mundohuni të falënderoni botën e gjymtuar”, botuar pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 kundër Qendrës Botërore të Tregtisë.
”Vdekja e tij është një humbje e madhe për letërsinë polake”, shkroi presidenti Andrzej Duda në Twitter.
Zagajewski u lind në 1945 në Ukrainë, një nga qendrat e jetës intelektuale dhe shkencore polake të para luftës.
Ai studioi filozofi dhe psikologji në Krakov, duke parë dëshminë e shtypjes politike dhe retorikës antisemitike të qeverisë komuniste që arriti kulmin në ngjarjet e marsit të vitit 1968.
Gjithmonë një mbrojtës i lirisë, ai ishte nënshkrues i një letre që protestonte kundër përfshirjes së një reference për rolin udhëheqës të Bashkimit Sovjetik në kushtetutën polake.
Pasi komunistët futën ligjin ushtarak në Poloni, Zagajewski emigroi në Paris.
Ai u kthye në Poloninë demokratike dy dekada më vonë, duke mos iu shmangur të qenit kritik i procesit të transformimit të vendit.
Zagajewski shpesh konsiderohej si një kandidat kryesor për çmimin Nobel në letërsi, një nder që nuk iu dha kurrë.
Çmimet e shumta që ai mori përfshijnë çmimin ndërkombëtar për letërsinë ”Neustadt”, Çmimin Europian të Poezisë dhe çmimin “Heinrich Mann”. / BalkanWeb / KultPlus.com
Ylli i hitit “Levitating” do të performoj në këtë ngjarje e cila mbahet më 25 prill në formatin virtual, dhe e cila do të prezantohet nga aktori 47-vjeçar Neil Patrick Harris, dhe emra të tjerë të showbizit të cilët edhe nuk janë bërë publik.
Për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, përkrahësit e fondacionit janë ftuar ta ndjekin këtë ndejë të famshme që zë vend para ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, në formë virtuale.
“Këtë vit, ndejën tonë që organizohet pas ceremonisë ‘Oscar’ po e sjellim në shtëpitë e njerëzve për herë të parë në formë virtuale. Do të jetë një ndejë e jashtëzakonshme e organizuar nga David, unë dhe miqtë tanë të dashur, Dua Lipa dhe Neil Patrick Harris, por edhe shumë emra të njohur të showbizit dhe mysafir tjerë fantastik. Tani më shumë se kurrë ne duhet të sigurohemi që njëra pandemi të mos e tejkalojë një tjetër, dhe nuk mund t’i harrojmë 38 milion njerëz që jetojnë me HIV anembanë globit, dhe të cilët kanë nevojë për kujdesin, dashurinë dhe mbështetjen tone. Prandaj shpresojmë që të gjithë të na bashkohen në këtë ngjarje speciale dhe unike, dhe që mbahet pak para ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve akademike”, ka deklaruar Elton John në një prononcim për media.
Nga themelimi i kësaj ngjarje në vitin 1992, “The Academy Awards Viewing Party” e ka mbështetur përpjekjen e fondacionit bamirës së yllit të muzikës, Elton John, me qëllim të mbledhjes së miliona dollarëve për punën e tyre që shpëton jetë njerëzish.
“Është një nderë i madh të jem pjesë e një prej ndejave më ikonike para ceremonisë ‘Oscar’, dhe jam shumë krenare ta mbështes fondacionin ‘Elton John AIDS Foundation’ dhe të ndihmoj në trajtimin e stigmës që ekziston rreth HIV-it, pasi kemi nevojë për ta ndërtuar një botë më të mirë dhe më pranuese për të gjithë. Dhe ta ndajë skenën me Elton Johnin do të jetë një ëndërr e shndërruar në realitet për mua,” citohet të ketë thënë Dua Lipa, në prononcimin e saj për publikun.
Në lajme të tjera, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, e ka arritur suksesin e radhës në karrierën e saj muzikore. Lipa është pozicionuar e treta në toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard”, me albumin e saj të dytë “Future Nostalgia” dhe për të pestën javë rresht, ky incizim pozicionohet në vendin e parë të toplistës së albumeve më të mira globale të platformës “Spotify”. / KultPlus.com
A mendoni shpesh se sukseset tuaja janë vetëm fryti i pamerituar i fatit? Është sindroma e mashtruesit: Ajnshtajni gjithashtu vuajti nga ajo.
“Konsiderata e ekzagjeruar në të cilën merret e gjithë puna ime më vendos në siklet dhe ndonjëherë më bën të ndjehem një mashtrues, edhe nëse është i pavullnetshëm”: thuhet që këto fjalë ja ka shprehur një shoku, në fund të ditëve të tij, pikërisht Albert Ajnshtajni. Edhe babai i teorisë së relativitetit me sa duket vuante nga sindroma mashtruese, besimi se ai gëzonte një vlerësim të pamerituar, pothuajse jo proporcional me aftësitë e tij.
Nëse ju ka ndodhur edhe ju, të jeni në shoqëri të shkëlqyeshme: është një ndjenjë shumë e zakonshme, e cila godet në çdo moshë dhe që padyshim përjeton edhe ata që kanë arritur nivelin më të lartë në fushën e tyre.
Termi “sindroma mashtruese” u krijua në 1978 nga psikologët Pauline Rose Clance dhe Suzanne Imes. Në praktikën e tij si psikoterapist, Clance kishte vërejtur se shumë studentë të universitetit nuk mendonin se e meritonin vendin në universitetet e tyre prestigjioze apo madje menduan se aplikimi ishte pranuar gabimisht.
Termi përshkruan një përvojë të brendshme të mashtrimit intelektual: kush vuan nga sindroma mashtruese nuk ndihet aspak i shkëlqyer dhe beson se ata kanë mashtruar këdo që mendon ndryshe. Personi i cili vlerësohet me vlerësim për sukseset e fituara mendon se nuk e meriton atë status ose atë pozitë dhe jeton me frikën se kjo pamjaftueshmëri e supozuar do të dalë në sytë e të gjithëve.
Rreth 8 në 10 persona kanë përjetuar sindromën impostor, e cila pavarësisht nga emri i saj nuk është një sëmundje dhe nuk shfaqet në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM). Ka disa shpjegime të mundshme për fenomenin, i cili nuk lidhet domosdoshmërish me ankthin ose depresionin dhe duket mjaft i natyrshëm në natyrën njerëzore. Ata që janë shumë të trajnuar dhe të vlerësuar në punën e tyre priren të besojnë se njerëzit që takojnë janë po aq të mirë, dhe për këtë arsye ndihen të papërshtatshëm: është fenomeni i kundërt me shtrembërimin njohës që i çon njerëzit që nuk janë shumë të aftë të mbivlerësojnë veten e tyre.
Origjina e sindromës mashtruese mund të jetë gjithashtu një paragjykim ndaj grupit shoqëror të njohur si injorancë pluraliste. Në këtë rast, të gjithë dyshojnë në vetvete privatisht, por mendojnë se ai është i vetmi që mendon kështu sepse askush tjetër nuk u jep zë dyshimeve të tyre, sepse është e vështirë të kuptohet se sa shumë të tjerët luftojnë për të arritur qëllimet e tyre ose sa vështirë i kapërcejnë pengesa të caktuara. Ekspertët bien dakord se mënyra më e mirë për të kapërcyer këtë pasiguri ataviste është ta shprehim atë me fjalë: nëse të gjithë i besonim frikës se nuk do të ishim në lartësinë e duhur, do të kuptonim se edhe figurat apo personazhet që marrim si modele ndoshta vuajnë ose kanë vuajtur prej saj.( Focus/Scan.a)/ KultPlus.com
Winston Leonard Spencer-Churchill, ishte politikan britanik i njohur, kryesisht për drejtimin e Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe prej viteve 1940-1945 dhe përsëri prej viteve 1951-1955. Një burrë shteti dhe një orator i njohur, Churchill ishte edhe oficer në ushtrinë britanike, historian, fitues i Nobelit për Letërsi.
Në krye të skenës politike për rreth 50 vite, ai pati shumë pozita politike dhe në kabinet. Para Luftës së Parë Botërore, ai punoi si President i Bordit Për Tregti, si sekretar dhe Lordi i Parë i Forcave Detare si pjesë e qeverisë liberale. Gjatë luftës ai ende punoi si Lord i Parë deri në luftën shkatërruese në Gallipoli e cila shkaktoi ndarjen e tij prej qeverisë. U kthye si Ministër i Municioneve, Sekretar i Shtetit për Luftë dhe Ajër. Gjatë viteve të luftës shërbeu si Kancelar i Thesarit në qeverinë konservative.
Sonte KultPlus ju sjell ndër thëniet më të fuqishme të Churchill-it, që flet për politikanin ideal.
–Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme. / KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese – restauruese në Urën e Glinës, në fshatin Grapsh, Dropull i Poshtëm.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se, “projekti parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në strukturën e urës si edhe në kalldrëmin e saj”.
“Ura e Glinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Grapsh pranë rrugës nacionale, është monument kulture i kategorisë I, e ndërtuar me gurë gëlqerorë me katër hapësira, me harqe guri”, tha Margariti.
Kjo urë vite më parë ka shërbyer për lidhjen e zonës së Dropullit me atë të fshatrave Glinë, Peshkëpi, Nepravishtë dhe Vraogoran. Ndërtimi i saj i përket kohës së Ali pashë Tepelenës. /atsh/ KultPlus.com
Pas thirrjeve të të aktorit të njohur, Leonardo Di Caprio për mbrojtjen e lumit Vjosë, nga ndërtimi i HEC-eve, listës i është bashkuar edhe aktori Edward Norton.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Norton, ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për të mos lejuar dëmtimin e lumit.
“Lumi Vjosa rrjedh i paprekur nga burimi në det dhe grupet e komunitetit lokal në Shqipëri po bëjnë thirrje që ai të mbrohet përmes krijimit të një parku të ri kombëtar. Tregoni mbështetjen tuaj, ndani filmin e Patagonia me #VjosaNationalParkNow”, ka shkruar ai. / KultPlus.com
The Vjosa River runs untamed from source to sea & local community groups in Albania are calling for it to be protected through the establishment of a new national park. Show your support, share Patagonia’s film with #VjosaNationalParkNowhttps://t.co/Oi8zVXoWae