Me qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë të artit pamor, dhe në pajtim me Rregulloren NR. 14/2016 për Dhënien Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e Artit Pamor.
Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e Artit Pamor, që u jepen krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre artistike kanë lënë gjurmë të thella në fushën e Artit Pamor.
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”.
Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e artit pamor për të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor. Çmimi mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.
Laureat të Çmimit mund të jenë të gjithë krijuesit e fushë së artit pamor. Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës. Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor u jepet krijuesve të dalluar për të arriturat gjatë vitit paraprak. Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor – jepet për këto gjini: për pikturë; për skulpturë; për grafikë; për qeramikë; për vizatim; për dizajn grafik; për fotografi artistike; për video art dhe art konceptual; për performancë;
Me vlerësimin e Jurisë Profesionale, Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor mund t`u jepet dy krijuesve.
Në raste të veçanta, kur vlerësohet se veprat nuk plotësojnë kriteret artistike – profesionale, Juria Profesionale nuk jep Çmim vjetor për kategori përkatëse.
Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.
Konkurrimi për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor mund të bëhen përmes propozimeve nga: Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës; Galeria Kombëtare e Kosovës; Fakultet e arteve të universiteteve publike dhe private të Republikës së Kosovës; Asociacionet (shoqatat) [profesionale të artit pamor.
Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bënë Juria Profesionale e përbërë nga 3 anëtarë.
Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit si dhe materialet tjera përcjellëse për të nominuarin, nëse janë relevante për çmimin përkatës.
Institucionet nominuese duhet të sjellin foton e veprës në tri (3) kopje dhe jo domosdoshmërish CD-në me incizim, ose ndonjë material tjetër vizual dokumentues.
Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit/shoqatës që ka të drejtën e propozimit.
Propozimi me shkrim duhet të dërgohet jo më larg se 30 ditë nga dita e shpalljes së Konkursit në mediet e shkruara, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35). / KultPlus.com
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se nga e hëna sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare do të hapen duke i respektuar masat strikte shëndetësore.
Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka dhenë detaje nga takimi koordinues me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kryetarët e komunave.
Sipas njoftimit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që në fillimi të takimit ka theksuar se qëllimi i këtij takimi është bashkërendimi i veprimeve në mes institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal në parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.
Ai ka theksuar se vendimet e Qeverisë së Kosovës merren bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësor, përkatësisht të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e këtyre institucioneve afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme. Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është furnizimi me vaksina anti-COVID. Jemi në rrugë të mirë, që në muajt në vijim të gjithë të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare do të kenë mundësinë të vaksinohen”.
Gastronomia do të fillojë punën nga e hëna por duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Në anën tjetër kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik. Si përfundim duhet theksohet se Republika e Kosovës i ka masat më liberale duke i krahasuar ato me masat e vendeve të rajonit dhe Evropës”, thuhet në komunikatë.
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi në fund i falënderojë të gjithë kryetarët e komunave dhe theksojë se edhe MAPL është duke analizuar mundësinë që të mbështes komunat sidomos sektorin shëndetësor primar në nivelin lokal. / KultPlus.com
Dukuria e racizmit, gjuha e urrejtjes, ofendimet, tradhtia dhe intrigat, mbrëmë ishin vendosur në brendësinë e thelbit të rëndësishëm të shfaqjes forum teatër të titulluar ‘Othello nga Kosova’, që përçonte mesazhin se shoqëria kosovare është në një nivel ndjeshmërie të pranimit dhe mbështjelljes totale diversive të përkatësive të llojllojshme, shkruan KultPlus.
Para se shfaqja të fillonte, të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën e Teatrit Oda, pastaj qetësia kaploi tërësisht publikun, me ç’rast shumica ishin në moshë më të re dhe entuziazmi në fytyrë e reflektonte padurimin e tyre që dritat të ndizeshin e aktorët të luanin.
Papritmas, melodia e këngës ‘Kiss’ nga Prince dhe ‘The Revolution’ hapi perden e parë të aktit ku gjithçka nisi në një dhomë ku tre të rinj që luanin personazhet si: Bianka nën aktrimin e Venera Bojaj, Kasi nën aktrimin e Blendon Ahmeti dhe Jago nën aktrimin e Art Pasha, të cilët po bëheshin gati të befasonin shoqen e tyre Desidemonën (Djellza Dema), me rastin e ditëlindjes së saj. Kjo që nisi si një surprizë e menduar nga shoqëria e Desidemonës, përfundoi në një kundërveprim sepse ata nuk ishin në dijeni që surpriza e vërtetë do të ndodhte pas një çasti.
Në momentin kur Desidemona po bëhej gati të frynte qirinjtë e ditëlindjes, ajo ndaloi dhe rezultoi se në fakt ajo kishte një surprizë të veçantë për shoqërinë e saj. Kjo surprizë doli të ishte një person, i dashuri i saj Othello (Ergjan Mehmeti), i cili i përkiste komunitetit pakicë dhe nuk u mirëprit fare mirë pikërisht nga njëri personazh siç është Jago i cili tërësisht shkriu rolin e tij në një mënyrë aq arrogante e të pahijshme saqë bëri publikun që edhe ta urrejë kur ai në bisedë e sipër ofendoi Othellon me fjalën ‘magjup’, pikërisht një shpalosje totale e racizmit që vazhdonte të përmendej gjatë gjithë kohës, për të cilën Jago nuk dëshironte ta pranonte se ishte në anën e gabuar e për të cilën Othellos iu zbeh fytyra dhe u ngurtësua krejtësisht duke u distancuar nga ai vend.
Por, kësaj ngjarjeje e cila filloi në një moment jo të mirë, iu bashkua edhe intriga e fshehtë por e qëlluar, e Biankës e cila së bashku me Jagon formuan një plan që të ndanin Desidemonën nga Othello duke pretenduar se përmes një byzylyku që ishte dhuratë nga Desidemona për Othellon, e për të cilën Bianka e gjeti në banesë duke krijuar idenë e saj pikërisht që Othello të shfaqej si një tradhtar.
Derisa ngjarja po merrte vrullin e saj, një thyerje e besimit mes dy protagonistëve kishte zënë vend pasi Desidemona i besoi Biankës dhe Jagos për spekulimin se Othello e ka tradhtuar me personazhin imagjinar ‘Emiliën’. Shfaqja po vazhdonte të lartësonte barrierat mes personazheve e pikërisht edhe shoqërinë e ngushtë mes Jagos dhe Kasit, ku ky i fundit i vëri kusht se nëse nuk i kërkonte falje Othellos për ofendimin, atëherë nuk do të vazhdonte shoqëria e tyre sepse edhe vetë Kasi kishte një origjinë të fshehur, gjysmë serbe dhe gjysmë shqiptare, prandaj edhe ndjenjat e tij dhe vështirësitë personale të hasura kishin mbërritur në nivel të lartë zemërimi dhe trishtimi.
Të pranishmit vazhdimisht ishin në mesin e një kontrasti për të buzëqeshur me zë të lartë me batutat e ironizuara nga personazhi i Jagos, apo të mërziteshin me komentet e tij të lëshuara të cilat përhapnin një gjuhë të urrejtjes, në një mënyrë të lartë ofenduese dhe banale. Por, edhe pse publiku ishte ndarë në dyshe të mendimit, duartrokitjet dhe brohoritjet nuk munguan as edhe pikërisht kur publiku u bë pjesë e shfaqjes duke u munduar të ndërronte mendimin e personazheve që vazhdonin rolin e tyre.
Pyetjet dhe komentet e spikatura të publikut të cilat vinin njëra pas tjetrës, arritën që të vendosin një gjurmë reflektimi edhe pse ndoshta jo komplet të ndërronin mendimin e tyre personal, sepse personazhet nuk arrinin ta pranonin se e kishin gabim.
Krejt në fund, ashtu si edhe në fillim, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet-Artpolis, Zana Hoxha, e cila njëkohësisht po drejtonte pyetjet e publikut dhe po bëhej pjesë e shfaqjes, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe të gjithë stafin për punën e tyre të mrekullueshme.
Ndërsa, për të na folur më shumë se si erdhi kjo shfaqje e llojit forum teatër dhe gjithë procesin e prapaskenave, në një prononcim për KultPlus ka folur Venera Ismaili, nga organizata Artpolis.
“Shfaqja ka ardhur si rezultat i një trajnimi 4 ditor që është mbajtur disa javë më parë me disa të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe si rezultat i trajnimit ‘edukimi bazuar në teatër’, të rinjtë marrin informatat bazike rreth teatrit se si krijohet një shfaqje, si krijohen personazhet dhe si krijohet skenari, por mbi të gjitha ajo çka është më e rëndësishme është se ky trajnim përmes performancave trajton edhe temat sociale siç është racizmi në shfaqjen e sotshme”, tregon Ismaili.
Sipas saj, aktorët në fakt janë studentë të vitit të dytë të aktrimit dhe e kanë zhvilluar ngjarjen në formë shekspiriane, e kanë marrë si të Othellos sepse është përshtatur më së miri, dhe kështu ka rrjedhë edhe titulli sëbashku me personazhet, por me disa ndryshime të vogla për t’iu përshtatur vendit dhe kohës ku ata jetojnë.
Tutje, ajo ka folur edhe për vështirësitë e hasura përgjatë këtij procesi për të cilën është nevojitur një kujdes shumë i madh për shkak të vendit ku janë mbajtur provat, pra në Fakultetin e Arteve.
Për Ismailin, kjo shfaqje me të vërtetë ka lënë shumë mesazhe dhe është trajtuar një dukuri negative që është shumë evidente në shoqërinë tonë por që nuk shprehet dhe mundohet të mbulohet, prandaj shoqëria në Kosovë duhet të punojë shumë me shoqëri tjera, duke u fuqizuar në forma të ndryshme
“Duhet që edhe institucionet, mediat, shoqëria civile e të gjitha ato institucione që kanë sadopak fuqi dhe mundësi, duhet ti fuqizojnë grupet e margjinalizuara që ata ta ngritin zërin dhe të kenë mundësi ti shprehin shqetësimet e tyre sepse ka shumë prej tyre që nuk e dinë që gjuha e urrejtjes është e gabuar por edhe mund të dënohet, të paditet, e të pësohet nga ligji”, përfundon Ismaili.
Po ashtu, ai që njëkohësisht edhe është pjesë e komunitetit ashkali dhe ka hasur në po të njëjtat vështirësi që u portretizuan në shfaqje, aktori i cili njëkohësisht është edhe student, Ergjan Mehmeti në një prononcim për KultPlus, ka shprehur ndjenjat e tij për një rol të tillë.
“Për mua ka qenë privilegj për të pranuar një rol të tillë pasi që përmes këtij roli është dhënë një mesazh dhe në të njëjtën kohë e kam shfaqur realitetin e të rinjve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, se çfarë ju ndodh dhe si ata diskriminohen. Por, ka qenë i vështirë për të pranuar një rol të tillë për arsye se natyrisht që ndikon në emocione, por duke pasur parasysh që kolegët e shfaqjes janë njëkohësisht kolegë të klasës, më kanë ndihmuar shumë duke më bërë të ndjehem i pranuar”, thotë Mehmeti.
Tutje ai tregon se sa e vështirë është që të bëhesh një aktor për shkak të komunitetit nga ai vjen.
“Është e vështirë që të hysh në fushën e aktrimit sepse paragjykimet, ofendimet, për një student që dëgjon fjalën ‘magjup’, normalisht që reagon ose distancohet sepse ka pasur raste që të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptiane, kur i kam pyetur se pse nuk po studion, ata janë përgjigjur se ka mundësi që ka shumë shqiptarë të cilët ofendojnë me fjalën ‘magjup’. Shumica nuk e dinë që gjuha e urrejtjes mbrohet me ligj të Republikës së Kosovës por që shumë pak zbatohet’’, përfundon Mehmeti.
Kjo shfaqje e të rinjve është organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim. Ndërsa, është bërë e ditur se një shfaqje e ngjashme do të jepet edhe në Mitrovicën e Veriut po me këto tema të njëjta.
Forum teatri e ka këtë formë ku gjithmonë trajtohet një temë të caktuar dhe nuk përfundon sikurse shfaqjet tjera, që do të thotë se tema nuk përfundon dhe nuk ka zgjidhje por që problemi ekziston dhe përmes diskutimit në publik arrihet ndonjë zgjidhje ose thjesht një reflektim. Në këtë mënyrë edhe publiku bëhet pjesë e shfaqjes. / KultPlus.com
Me t’u liruar masat, qytetarët i’u kthyen jetës normale.
Darkat britanike të hënën u kthyen sërish me të madhe nëpër restorante, ditën e parë që nga janari kur u hapën për shërbim në ambiente të hapura pas lehtësimit të masave Anti-COVID, deklaruan nga zyra për statistika kombëtare atje.
Rezervimet e restoranteve në 12 prill ishin 97 për qind të nivelit të tyre në të njëjtën ditë më 2019, para pandemisë, sipas shifrave të buruara nga kompania e rezervimeve Open Table.
Kujtojmë që për dallim nga Anglia, shumë shtete kanë ashpërsuar masat kundër COVID-19 për shkak të rritjes së rasteve të infektuara me këtë virus. / KultPlus.com
Sot bëhen 22 vjet që kur dora e kriminelëve serbë mori jetën e 23 civilëve të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.
Forcat serbe më 15 prill të vitit 1999, pasi kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre dhe vranë 23 shqiptarë në gjithë lagjen.
Shtëpia në të cilën ndodhi masakra tashmë është shndërruar në Muze. / KultPlus.com
Një kontrast inspirimi mes zhanrit rok dhe kryeveprave madhështore të shkrimtarit amerikan Edgar Allan Poe, janë zhytur thellë në misterin e këngës ‘Hide’, këngë kjo e publikuar së fundmi nga grupi i ri muzikor ‘The Moonage’, shkruan KultPlus.
Ideja për të formuar një grup, ju erdhi si kërkesë nga një producent, i cili njëkohësisht është drejtuesi i shkollës së rokut ‘Valentino Skenderovski’.
“E gjitha filloi si kërkesë nga producenti, drejtuesi i shkollës së rokut ‘Valentino Skenderovski’, një ofertë e cila iu bë kitaristit kryesor Meriton Tusha, dhe pastaj menjëherë u ndërlidh me vokalistin Jon Bela, basistin Butrint Bela, dhe pastaj krejt në fund edhe bateristin Draganan Donovski, ku u dakorduam ta marrim edhe më profesionalisht muzikën”, filluan kështu rrëfimin e tyre, ‘The Moonage’ në intervistën e dhënë për KultPlus.
Në këtë kohë kur komercialja ka zënë vend të theksuar, grupi ‘The Moonage’ po sjell një frymë ndryshe, një rrjedhë e zhanrit rok për të cilën edhe vërehet mungesa e madhe në tregun shqiptar. E njëjtë është edhe kënga debutuese e titulluar ‘Hide’, një këngë e cila sipas tyre në përmbajtje, duke u nisur nga titulli, për karakteristikë ka misteriozen dhe intensitetin të cilat shpalosen përgjatë melodive dhe përfundimin e gjejnë në refrenin e këngës.
“Rrëfimi fillon duke e përshkruar vendin dhe pastaj kalon në përshkrimin e personazhit kryesor, e që pastaj në refren shpaloset përfundimisht qëllimi i protagonistit. Por edhe pse është pak larg nga zhanri rok, frymëzimi kryesor në aspektin e ngjyrës së këngës është Edgar Allan Poe”, tregojnë ata.
Ndërsa domethënia e emrit e cila në shqip do të thotë ‘Epoka e Hënës’, është bazuar në mënyrën e jetës në një shekull ku të gjitha aktivitetet zhvillohen natën dhe dita llogaritet si një lloj monotonie. Emri po ashtu përshkruan punën e bendit, e cila është zhvilluar e gjitha pas mbrëmjes.
Kjo rrjedhë muzikore e cila vjen në një formë më pak të theksuar, për grupin konsiderohet si njëfarë lloj guximi që është marrë, duke pasur parasysh se zhanri rok nuk tërheq një audiencë të gjerë sikurse zhanret e tjera, por që megjithatë ajo vlerësohet dhe çmohet pafundësisht nga ajo audiencë e cila përkrahë këtë zhanër deri në ‘vdekje’, sepse siç dihet kur futesh thellë në greminën e zhanri rok është edhe vështirë të dalësh nga ajo.
Kënga ‘Hide’, është kënga e parë e shkruar nga kitaristi kryesor Meriton Tusha dhe vokalisti Jon Bela, prandaj edhe është vendosur që të debutojnë me një këngë të tillë, por që njëkohësisht mban një vlerë simbolike si fillimi i një rrugëtimi të punës së tyre e cila dëshiron një fokus dhe punë të palodhshme.
“ ’Hide’ jo vetëm që vjen si një këngë që formën e gjen tek rrëfimi ku bëhet fjalë për një skenë imagjinare me personazhe imagjinare por ajo edhe zhvillohet si një lidhje apo flirt misterioz e që gradualisht ngjyroset edhe nga instrumentali”, rrëfen grupi.
Depërtimi në tregun muzikorë gjithmonë mbetet si njëra ndër sfidat e mëdha të artistëve të rinj, për të cilën edhe vetë grupi potencon se edhe pse tregu muzikor udhëhiqet nga zhanre tërësisht të ndryshme, ende po merret parasysh kërkesa e audiencës e cila nuk është tërësisht në numër të vogël, duke shprehur pozitivitet dhe pëlqim që grupi të vazhdojë të sjellë këngë të reja.
Emocionet e para për debutimin në tregun muzikor, padyshim që njihen si ato të cilat të përplasin në nivele të ndryshme të ndjenjave, kurse për grupin kjo ndjenjë ishte disi e çuditshme dhe njëkohësisht e jashtëzakonshme sepse duke pasur parasysh dominimin e zhanrit pop, grupi frymon totalisht në një zhanër kontrast.
Natyrisht që edhe me debutimet e para, pasojnë edhe kritikat të cilat shpeshherë e fusin artistin në një vorbull të negativitetit duke e shtyrë që të dorëzohet, por këtë gjë nuk e ka bërë grupit ‘The Moonage’.
“Fatmirësisht, ende nuk kemi pasur kritika negative por përkundrazi, një përkrahje jashtëzakonisht e madhe na është dhënë posaçërisht nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova”, thotë grupi.
Tutje, ata kanë shprehur edhe mendimin e tyre për tregun muzikorë, ku sipas tyre, fatmirësisht ka ende shumë muzikantë që sjellin art dhe vepra madhështore por pa dashur që të ulin vlerat artistike të estradës, ka edhe nga ata të cilat janë të obsesionuar me përcjelljen e imazhit, duke tentuar të shfaqin dominancën përmes kushteve financiare.
Grupi ‘The Moonage’ pas lansimit të këngës ‘Hide’, po planifikon hedhjen e një albumi në treg që do të përfshijnë projekte në gjuhën angleze, pasi që tanimë ka filluar imazhi i tyre ndërkombëtarë. Po ashtu, planifikohet edhe fillimi i performancave live në lokale dhe festivale, natyrisht e gjitha kjo kur pandemia të ketë përfunduar. Për momentin, këngën ‘Hide’ mund ta shijoni në kanalin You Tube. / KultPlus.com
Në profilin zyrtar të familjes mbretërore në ‘Instagram’ miliona fansa janë surprizuar nga një foto e papublikuar e Princ Philip dhe Mbretëreshës Elisabeth duke pozuar me 7 nipërit e tyre më 2018-ën.
Foto është shkrepur nga Kate Middleton në kështjellën Balmoral. Po ashtu vetë çifti Kate – William kanë publikuar një foto të 2015-ës me Mbretëreshën dhe bashkëshortin e saj.
Të gjitha këto shkrepje, me një qëllim të vetëm: Të nderohet figura e princit të ndjerë.https://cas.criteo.com/delivery/afr.php?ptv=106&abp=1&zoneid=1409947&cb=12387613101&nodis=1&charset=UTF-8&dc=3&atfr=0&loc=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Ffamilja-mbreterore-po-publikon-fotot-surprize-te-princit-philip-pas-vdekjes-se-tij%2F
Sot është 15 prilli Dita Botërore e Artit. Artistët mundohen që në këtë ditë të gjejnë pajtueshmëri ndërmjet idesë dhe materies, ta konkretizojnë, ta bëjnë të prekshme, të ndjeshme idenë e materializuar, ose e kundërta, materien ta vlerësojnë se si ka rrjedhur nga ideja. Artistët në krejt botën e festojnë këtë ditë duke shprehur krijime të reja, forma të reja, gjetje të reja, themelime të lëvizjeve të reja në art, gjithnjë me atë se vepra artistike qetësisht tregon ndryshimin e idesë në materie, pra syri i brendshëm artistik është i aftë ta paraqesë shkëlqimin e së bukurës në hapësirë të jashtme, pra arti dhe bukuria kanë burimin në një dëlirë dhe ekstazë të veçantë.
Pasi që artistët ballafaqohen tërë jetën me këtë luftë (bukuria dhe materia), atëherë qenësisht na del se estetika është shumë subjektive sepse fillin e ka në thellësinë e shpirtit. Guri gdhendet nga zanatçiu nuk e përjashtoj edhe artistin sepse arti dhe zanati bashkëveprojnë, atëherë kur bëhet formë e rreshtohet në hapësirë nën shkëlqimin e diellit dhe hijet e hënës, krijohet një refleks i brendësisë pra artistikes sepse këtu është baza.
E bukura është shumë e thjeshtë na përket vetëm neve, na bën të ndjehemi mirë, ta përjetojmë, të përhumbemi, pra dehje e Dionisit, kurse e shëmtuara dhe e keqja është shumë neveritëse dhe e kundërta e personalitetit tonë. Andaj, me të drejtë në botë festohet Dita Botërore e Artit, datë kjo që lidhet me ditëlindjen gjeniut të artit Leonardo Da Vinçi. Arsyeja është se Da Vinçi është artisti më i njohur në histori të artit dhe veçohet me arritje humane simbol të paqes, të hulumtimit, zbulimit, shkencës, të tolerancës dhe të bashkimit. “Nëpërmjet eksplorimit të artit, shumë probleme në botë do të zgjidheshin”, thotë Mary Ann F.Kohl.
Fatkeqësisht në mediat tona më prioritet janë debatet politike, fyerjet, sharjet se sa Dita Botërore e Artit. Më të famshëm bëhen disa individë për deklaratat e tyre fyese, përbuzëse, gallata se sa ndonjë vepër e artistit. Populli jeton me kënaqësinë e shtypjes dhe ofendimit se sa arritjet e ndonjë artisti. Më shumë klikime marrin këto që i përmenda se sa promovimi i ndonjë ekspozite, shfaqje, filmi vallëzimi… Madje, politika bëhet më tërheqëse kur plasë debati me sharje, kacafytje, rrahje, ofendime familjare dhe mediat plasojnë imazhe më të detajuara (fyerjet në korridor jashta kamerave), e tëra kjo për arritje të biznesit të tyre pra komercializmit përmes klikimeve.
Pse kjo ditë gjithnjë kalon në heshtje në Kosovë? A është arti në rënie, a kanë njerëzit pak njohuri për artin? Institucionet tona a e dinë që ekziston dikund arti te ne, ndonëse i strukur në atelie? Mund të mendohet se arti ka shënuar rënie si pasojë e komercializmit, por e tërë bota po komercializohet, pra vlera dhe shpirti po blihet me para sepse në Kosovë më shumë besohet në krizën ekonomike se ne vlerën artistike. Arti duhet ta nxjerr veten nga kriza ekonomike, ta pasqyroj çdo krizë ose ta vetëdijësoj popullin që jeton në krizë, pra kjo i bie që arti qëndron ombrellë sipër çdo antivlere dhe vlere.
Urime 15 prilli Dita Botërore e Artit! Sot në këtë kohë pandemie ndonëse nuk mund të vizitoni ndonjë Galeri, Teatër, sallë koncertrale, kinema, për ta shënuar këtë ditë të madhe të krijimit dhe shprehjes artistike. / KultPlus.com
Elefantët afrikanë duket se rrezikojnë zhdukjen. Të dy speciet që ndodhen në kontinent janë futur në Listën e Kuqe të specieve në rrezik të Kombeve të Bashkuara.
Sot statistikat flasin për 415 mijë elefantë, nga të cilët vetëm 30 mijë janë të variantit të pyjeve.
Popullsia e species “Pyjore” në 30 vitet e fundit kanë pësuar një reduktim prej 86%, ndërsa specia tjetër, ajo e Savanës, ka humbur 60%. Shkaqet kryesore janë vrasja e tyre për tregtinë e fildishit dhe fragmentimi dhe shkatërrimi i habitatit.
Në rezultatet e gjithë studimit të publikuara në revistën shkencore Current Biology, thuhet se rreth 60% e kontinentit afrikan është potencialisht i banueshëm nga elefantët.
Por dy pikërisht i duhet krijuar mundësia të shfrytëzojnë hapësirat e pafundme, që të mund të kthehen të kenë një të ardhme dhe të ripopullohen. / KultPlus.com
Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, ka shpërndarë në Instastory një fotografi të një ndërtese në Ferizaj, ku shihet murali me foton e saj.
Në këtë fotografi, Rita ka të veshura veshjet tradicionale, me të cilat ka realizuar videoklipin e saj të fundit.
“Më keni lënë gojëhapur”, ka shkruar Rita në përshkrimin e fotografisë që ka shpërndarë.
Kjo veshje e Ritës ka bërë krenarë shumë shqiptarë, të cilët i kanë dhënë mijëra pëlqime e komente në rrjetet sociale.
Të shumtë kanë qenë ata që fotografitë e Ritës me veshje tradicionale i kanë shpërndarë në profilet e tyre, duke shkruar se Rita është krenaria e Kosovës.
Ndryshe, Rita Ora, e cila tashmë njihet botërisht për muzikën dhe zërin e saj, nuk ngurron asnjëherë të flasë për vendlindjen e saj Kosovën. /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka vendosur masa që nga 7 prilli deri më 18 në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit në vend, gjë që u prit me shumë kritika nga ana e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka folur rreth efektit negativ që pandemia COVID-19 i ka sjell bizneseve kosovare, më konkretisht sektorit të gastronomisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kllokoqi ka thënë se së bashku me kryetarin e Odës së Hotelierëve të Kosovës dhe kryesinë e Shoqatës kanë zgjedhur rrugën e bashkëpunimin me institucionet, me shpresën se edhe 4 ditë do të dalin nga kjo krizë.
“Që 400 ditë tu e ngritë zanin e gastronomëve për padrejtësi, që një muaj tu punu me e gjetë zgjidhjen për t’ardhmen që do t’na gjejë këtë vit… Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë në qoftëse nuk e hapim verën! Plazhet mërgata do t’i bëj në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, etj. Dasmat në Shëngjin e Kuks. Nejat dhe klubet do t’i orientojmë në Durrës e Dhërmi. Infuzionin tonë kryesor do ta humbim: R E M I T E N C Ë N”, ka shkruar Kllokoqi.
Shkrimi i plotë i Kllokoqit:
Që 400 ditë tu e ngritë zanin e gastronomëve për padrejtësi, që një muaj tu punu me e gjetë zgjidhjen për t’ardhmen që do t’na gjejë këtë vit… Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë në qoftëse nuk e hapim verën!
Plazhet mërgata do t’i bëj në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, etj. Dasmat në Shëngjin e Kuks. Nejat dhe klubet do t’i orientojmë në Durrës e Dhërmi. Infuzionin tonë kryesor do ta humbim: R E M I T E N C Ë N
Në mes të protestës, fyerjes, penalizimit, ne po e zgjedhim bashkëpunimin dhe konsultimin.
Si kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ftova për të na u bashkuar në kërkesat tona, kryetarin e Odës së Hotelierëve të Kosovës, Hysen Sogojeven, dhe kryesinë e Shoqatës. Të bashkuar për me çu përpara dhe mbrojt interesat e përbashkëta.
Krejt bashkë drejtuar Qeverisë, që së bashku të dalim nga kjo krizë që padrejtësisht më së shumti na dëmtoi dhe vazhdon të na dëmtojë ne.
Urojmë që këto 4 ditë do të gjejmë një rrugë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për të dalë nga kriza, në të kundërtën virusin e “parandaloni”, veç në fundvit mos vajtoni për zbrazjen e vendit nga rinia, sikur ikja e dikurshme nga stacionët e autobusëve!.
Kujtojmë, që nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.
Sipas këtij vendimi, po ashtu do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë./ Gazeta Metro / KultPlus.com
Felix Lalo është një nga të rinjtë më të famshëm në TikTok tash për tash. E veçanta e 25-vjeçarit është ngjashmëria e tij e madhe me Harry Potterin, ose më saktë me aktorin që e interpreton këtë rol, Daniel Radcliffe.
Pas një videoje ku fotografitë e tij krahasoheshin me ato të Harryt, llogaria personale e francezit arriti në 1.3 milionë ndjekës, ndërsa videot morën mijëra shikime dhe shpërndarje.
Felixi tregon se ka qenë adhurues i çmendur i filmave dhe librave të Harry Potterit dhe se “superfuqinë” e tij po e shfrytëzon në rrjete sociale.
“Jam në TikTok prej dy muajsh dhe kjo është çmenduri, akoma s’e besoj dot”, deklaron francezi. \ A2 / KultPlus.com
Për gati dhjetë vjet, ora e vendosur në tempullin “Bunshun Sakano” ishte një kujtesë e forcës natyrore që ishte afër shkatërrimit të madh të Japonisë. Ora, e cila besohet se është rreth 100 vjet e vjetër, u ndal së punuari pasi një tërmet dhe cunami goditën fuqishëm Japoninë duke marrë jetën e mbi 18 mijë njerëzve, më 11 mars 2011.
Tempulli, i cili është i vendosur pak qindra metra larg nga baza e cunamit, një qytezë në rajonin Miyagi, u godit nga valët, me disa pjesë të saj që u shkatërruan. Aty shpëtoi ora, e cila u pastrua, por që refuzoi të riniste funksionimin.
Më 13 shkurt të sivjetmë – pak javë para se të shënohej 10-vjetori i tragjedisë – rajoni i njëjtë u godit nga një tërmet i fuqishëm, me sizmologët që thonë se ishte pasgoditje e tërmetit të marsit të atëhershëm.
Në ditën e nesërme, Sakano, kryesuesi i tempullit budist, shkoi për të shikuar dëmet që ishin bërë. Ora, e cila kishte qëndruar e heshtur, po bënte zhurmë.
Dy muaj më pas, ajo ende po funksionon, shkruan “The Guardian”. Ora duket se është kthyer në funksion pas dridhjeve të muajit shkurt./ KultPlus.com
Heronjtë do ta kenë luftën e tyre varret e tyre jetimët e tyre të vejat e tyre të cilat në Ditën Ndërkombëtare të Vejushave do të çojnë lule të freskëta në varret e tyre
Udhëheqësit e tyre do t’i kenë zyrat e veta për heronjtë e rënë ku do t’i përtypin ngadalë ditët deri në fund të jetës së tyre
Kur t’u bien ndër mend heronjtë e rënë në shenjë respekti për ta do të marrin një dhomë në një hotel luksoz një shishe verë të kuqe të vitit të rënies së tyre dhe do të bëjnë seks me njërën nga dashnoret e shumta të tyre/ KultPlus.com
Shqipëria vlerësohet për potencialin e turizmit malor dhe hiking nga Travel Weekly UK. Media britanike ka bërë një vlerësim të vendeve turistike të Ballkanit që nga vija bregdetare e Kroacisë e deri në malet e Rumanisë e plazhet e Bullgarisë.
Teksa Kroacia vlerësohet për pushime romantike, Serbia për pushime qyteti, Sllovenia për skitë dhe Bullgaria për pushimet me familjen, vendi ynë shihet si një destinacion për alpinizëm dhe hiking.
Ja çfarë shkruan Travel Weekly UK
Ballkani mund të mburret me mundësi të pafund për arratisjet e verës, por për një vend që nuk e keni vlerësuar si duht shkoni në Shqipëri, ku pothuajse tre të katërtat e peizazhit përbëhet nga male.
Për ata që dëshirojnë të ngjitin majat më të mira, sugjeroni një turne udhërrëfyes. Wild Frontiers ka një itinerar tetë-ditor në shëtitje në Shqipërinë e Veriut duke kombinuar fshatra të largëta, liqene me shkëlqim dhe lugina të izoluara me një vizitë në Shkodër, një nga qytetet më të vjetra të Ballkanit.
“Ky është një udhëtim në një Evropë të harruar prej kohësh”, thotë Jonny Bealby, themeluesi i Wild Frontiers. “Shqipëria ofron një përzierje perfekt të peizazheve malore, sharmit të qytetit të vjetër dhe një mënyrë bukolike të jetës që po zhduket shpejt. Mund të jetë një përvojë vërtet shpërblyese, me kuzhinë dhe verë të shkëlqyeshme gjatë rrugës”, vijon ai./ KultPlus.com
Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunë e Prishtinës, Adrian Berisha ka bërë thirrje publike që në këtë kohë pandemie të tregojmë respekt ndaj njëri tjetrit, të ruajmë më shumë ambienti dhe ti përkrahim bizneset e vogla e veçanërisht ato në zonat rurale, shkruan KultPlus.
Këtë thirrje ai ka bërë nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook teksa ka shtuar se secili prej nesh mund të bëjë gjëra të vogla e me dashuri të madhe.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Shoqni e dashtun,
Tash e disa kohe jam mundu me u kursy me komentu ose me shkrujt per ndonje dukuri jashta Komunes se Prishtines, vecanerisht, kur tashme, jam i fokusuar 100% ne Drejtorine per Kulture ne qytetin tone, por kesaj rradhe nuk po muj pa e shpreh mendimin tim personal rreth ngjarjeve te fundit ne pergjithesi ne shoqnine tone.
Sinqerisht osht e pabesushme dhe shume e dhimbshme se sa jemi perqa si shoqni. Ne rruge, ne takime e vecanerisht ketu ne rrjete sociale eshte kriju nje negativitet i papame. Helm e vner, ndjenje toksike ne pergjithesi. Ose je me mu, ose je me ata. A bon bre me kon najher bashke dhe me i luftu keto dukuri negative bashkarisht?
E kuptoj qe ka ndiku situata me pandemine ne pergjithesi, normalisht, jo vetem tek ne, por ne te gjithe globin. Problemet shendetesore dhe ekonomike, problemet me vaksinen dhe problemet financiare jane duke na shkaktu shume probleme, ne vecanti ne aspektin e shendetit mendor; por, duke e marr parasysh qe e kemi vec nje jete, mundonu bre me dashte sadopak njoni-tjetrin. Perqafe dikond, vizitoje ndonje park, mbjelle naj lule ose ndonje dru, fillo me eksploru muzike te re, lexoje naj liber, kqyre ni film. Hypi bicikletes e shko deri ne Taukbahce, vizitoje Germine, vizitoje pjesen e bukur te Gollakut, vizitoje Pyllin e Arinjve, pse jo edhe Liqenin e Badovcit ose te Batllaves. Vizitoje Parkun Arkeologjik Ulpiana, ki me u befasu. Vizitoje Muzeun e Kosoves dhe shihi artifaktet qe i posedon muzeu si institucion. Shko deri ne Rugove ose vizitoje qytetin e bukur te Prizrenit. Mendo per planetin dhe se cka ki me lon mbrapa kur te shuhemi si qenje njerezore. Gjithashtu, kur te mer kafen take aëay, mos e gjuj bre ne hapesire publike se planeti e hapesira publike osht e jona e perbashket.
Nese ki me shpenzu edhe 1 euro te vetme, blej ne dyqanet e vogla te familjeve, vecanerisht atyre ne zonat rurale. Per ty osht pak, per ato familje osht shume. Shfrytezojni keto momente ne kete jete per te mire. Duajeni njoni-tjetrin. Nje jete e kena.
Nana Tereze ka thone:
Jo secili prej neve mundet me bo gjera te medha. Por, secili prej neve mundet me bo gjera te vogla me dashuri te madhe.
Edhe ti, bone ni gjest te mire. Nuk ka lidhje nese osht gjest i vogel. Me rendesi ke bo dicka te mire dhe ndjeje qato qe po e bon. Ki me pa qe ki me ni veten shume ma mire.
Me shume dashni per te gjithe,
Adriani
Ps. Normalisht, kur te vizitoni ndonje hapesire, gjithmone mbani distance dhe mbane masken te vendosun./ KutlPlus.com
Shoqni e dashtun,
Tash e disa kohe jam mundu me u kursy me komentu ose me shkrujt per ndonje dukuri jashta Komunes se…
Pesë nxënës të talentuar të shkollës fillore “Ismail Qemali” janë përzgjedhur që ta përfaqësojnë Kosovën në një ekspozitë që do të mbahet në Sanata Elema – Ekuador, më datën 21-26 qershor, dedikuar paqes për balena, përcjell KultPlus.
Sensi dhe talenti i tyre artistik, kreativ dhe piktoresk, i zhvilluar dhe motivuar nga mësimdhënësja e tyre e artit, Luljeta Muçaj, garanton një sukses që duhet vlerësuar.
Nxënësit pjesëmarrës janë; Ema Muçaj, Greta Qeska, Leandra Krasniqi, Riga Rama dhe Eris Sopi.
Ky është një nga shembujt inspirues të nxënësve të talentuar kosovarë./ KultPlus.com
Seria ‘Welcome to Utmark’ në të cilin luajnë dy aktoret e njohura, Maylinda Kasumovic dhe Rozafa Çelaj do të ketë premierën me 18 prill në HBO, shkruan KultPlus.
‘Welcome to Utmark’ është shkruar nga skenaristi danez Kim Fupz Aakeson dhe është një seri tetë pjesëshe.
Aktorja Kasumovic është shprehur mjaft e lumtur teka ka shkruar se rrugëtimi për krijimin e këtij sezoni ka qenë i mrekullueshëm./ KultPlus.com
Në një ballafaqim televiziv mbi të ardhmen e lumit Vjosa, gazetari i njohur Baton Haxhiu lëshon një batutë krejt të pavend.
Aktori i njohur hollivudian Leonardo Dicaprio ka bërë thirrje të përsëritura për ruajtjen e lumit Vjosa dhe gjithë luginën e saj prej rreth 272 kilometrash ta shpallë zonë të mbrojtur pasi është lumi i fundit i egër në Evropë.
Lumi Vjosa buron në Greqi, rreth 80 km nga kufiri shqiptar. Në territorin shqiptar gjatësia e këtij lumi është 192 km. Lugina e Vjosës është nga më të bukurat e Shqipërisë dhe e vetmja që deri tani i ka shpëtuar ndërhyrjes së dorës së njeriut. Debati nëse duhet të shfrytëzohet burimi ujor i saj për të ndërtuar hidrocentrale është i hershëm. Mbrëmë në emisionin Shock të Euronews Albania po diskutonin për këtë çështje gazetarët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu. I pari mbronte idenë e Parkut Kombëtar të Vjosës i dyti e kundërshtonte atë. Në një moment moderatorja e emisionit përmend edhe apelin e aktorit Leonardo Di Caprio në favor të mbrojtjes së Luginës së Vjosës.
Ky moment shënon edhe një irritim të gazetarit Haxhiu. Pasi i drejtohet . Di Caprio me pyetjen “Kush është Leonardo Di Caprio” Batoni tejkalon gjitha pritshmëritë duke lëshuar batutën krejt të pavend:
“ Lleonado Dicaprios gjen një vajzë të bukur këtu, ia ofron dhe thu dhuratë e ke, aty pajtohem” . / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ju njofton që projekti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sa i përket restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë nuk është anuluar, mirëpo është anuluar vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga komisioni i Ankesave në IKMM.
Anulimi i vendimit nuk vjen si pasojë e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës, siç po shkruhet në disa media, por shkaku i disa problemeve të tjera në projekt, si: paramasa, plani dinamik, etj.
Ju njoftojmë që, Këshilltari për Media i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar për media që projekti është pezulluar. Ndërsa, Komisioni i Ministrisë së Kulturës deklaron se është anuluar vendimi i IKMM, që nënkupton se projekti është hedhur poshtë. Pezullim do të thotë që projekti mund të rishikohet dhe të plotësohet, përderisa në vendim të komisionit kjo nuk shkruhet.
Andaj, Komuna e Prishtinës kërkon sqarim të menjëhershëm rreth këtyre deklaratave që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e për të cilat vendime Komuna e Prishtinës nuk është njoftuar paraprakisht, por lajmin e ka kuptuar nga mediat. Fakti që qytetarët po dezinformohen dhe mediat informohen para institucionit për një vendim të tillë është shqetësues.
Ndërkohë, Qerim Ondozi këshilltari i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ka reaguar duke thënë se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave pas pranimit të ankesave nga Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore dhe disa profesor të Universitetit ‘Hasan Prishtina’, ka dalë me vendimin për anulimin e vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Tutje ai ka shtuar se komisioni ka vërejtur se projekti nga ana e IKMM-së nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale teknike, si dhe është konstatuar se projekti ka mangësi në dy elemente të rëndësishme, të shqyrtimit paraprak të historikut të ndërtesës dhe arsyetimit të arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese.
“Në bazë të këtij vendimi, komisioni ka vërejtur se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM –së, nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës. Gjithashtu ky komision, pas analizës së hollësishme të dokumentacionit teknik dhe tekstual, ka konstatuar se projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme”, ka thënë ai.
Teksa ka shpjeguar arsyet Ondozi ka theksuar se mungesa e gjetjes së dëshmive dhe vendosjes së elementeve të reja duke I vendosur elementet e reja nuk mund të hartohet vetëm në hipoteza.
Në rast se nuk ka dëshmi të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza”, pohoi tutje Ondozi./ KultPlus.com
Me pothuajse 95 vitet e saj, mbretëresha Elizabeth II e gjen veten përballë peshës së kurorës pa pasur princin Philip në krah, shkruan vanityfair.it.
”Ai ishte thjesht forca ime”, shkroi sovrania menjëherë pas vdekjes së tij, në llogarinë zyrtare në Instagram të familjes mbretërore.
Tani Madhëria e Saj është vetëm, dhe siç theksoi djali i tij Andrew, “ajo ndjen një zbrazëti të madhe, por duhet të vazhdojë”.
Përveç detyrave mbretërore, mbretëresha e gjen veten edhe përballë grindjes midis nipave të saj Harry dhe William.
Dhe çështjet e protokollit në varrimin e gjyshit mund të përkeqësojnë tensionet midis vëllezërve.
Harry në teori, pasi kishte humbur rolet ushtarake me të cilat ishte aq i lidhur me lamtumirën në familjen mbretërore, ndryshe nga William, nuk do të mund të paraqitet në shërbimin e varrimit i veshur me një uniformë dhe as nuk do të jetë në gjendje të bëjë përshëndetjen ushtarake para arkivolit.
Mbretëresha, e cila sigurisht nuk dëshiron tensione të mëtejshme familjare në funeral, mund të dalë nga protokolli i saj duke shfrytëzuar një ligj të vitit 1984 sipas të cilit “është e paligjshme për çdo person që nuk shërben në forcat ushtarake të Madhërisë së Saj të veshë uniformën e ndonjë e këtyre forcave pa lejen e Madhërisë së Saj”.
Me pak fjalë, Elizabeth mund të anashkalojë problemet e protokollit duke i dhënë personalisht leje Harrit të veshë uniformën. /atsh/ KultPlus.com
Netflix bëri me dije se seriali i saj më i i suksesshëm “Bridgerton” do të vijë me dy sezone të tjera. Ky njoftim vjen teksa sezoni i dytë nuk ka mbyllur ende xhirimet.
Platforma ka njoftuar se seriali është parë nga 82 milionë abonentë, që në muajin e parë të publikimit, dhe ka qenë seriali më i shikuar në 83 shtete, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Brazili, Franca, India dhe Afrika e Jugut.
“Bridgerton” është një dramë e vendosur në Britaninë e fillimit të viteve 1800 dhe bazohet mbi romanet e Julia Quinn.
Ngjarjet zhvillohen në fund të epokës “Xhorxhiane”, të quajtur kështu për shkak të sundimit të Anglisë nga mbretërit Xhorxhi I, Xhorxhi II, Xhorxhi III dhe Xhorxhi IV, ndërsa skenat erotike dhe kostumet e periudhës kanë bërë që seriali të tërheqë shumë vëmendje./ a2/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes me titullin Nder i Kombit figurën e Rilindjes Kombëtare, Kostandin Kristoforidhi.
Titulli pas vdekjes vjen me motivin: “Për veprimtarinë e çmuar në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë, promovimin e ideve të Rilindjes Kombëtare.Me veprën e tij kontribuoi në njësimin gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.”
“Të vlerësojmë birin e Elbasanit dhe të mbarë kombit shqiptar, lëvruesin e gjuhës shqipe, patriotin dhe veprimtarin e jashtëzakonshëm të arsimit dhe kulturës tonë kombëtare. Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij Kristoforidhi përçoi idetë e Rilindasve Kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë. Kristoforidhi, punoi për mësimin, lëvrimin, forcimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e virtyteve më të mira të kombit tonë. Në kohët më të errëta të kombit, ky patrioti i shquar punoi me këmbëngulje dhe palodhur për mësimin në gjuhën amtare. Ai bashkoi veriun dhe jugun përmes Abetareve Gegënisht dhe Toskërisht’, duke projektuar njesimin e kombit përmes një gjuhe. Me botimin e gramatikës së gjuhës shqipe ai, nxori në dritë visaret e paçmuara të popullit tonë pikërisht përmes gjuhës. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe me përkthimet dhe veprat e tjera, Kristoforidhi kontribuoi drejpërdrejt për themelimin e gjuhës letrare kombëtare”, u shpreh Meta.
Ai shtoi se zgjimi kombëtar ishte misioni i jetës së tij, dhe mjetin kryesor për këtë, ai e shikonte nëpërmjet gjuhës, kulturës dhe arsimit./ KultPlus.com