Studentët e Kolegji Universum ishin të ftuar në takim me Ambasadorin e Kosovës në Portugali, Shkelqesinë e tij, Zt. Ylber Kryeziu.
Falë bashkëpunimit të Kolegjit Universum me 115 universitete ndërkombëtare, studentët tanë Graniti, Habibi, Dardani, Bledari, Blearti, Çlirimi dhe Eroni këtë semester janë duke studiuar me bursë të plotë në Instituto Politecnico de Tomar në Portugali.
Mbi 325 studentë të Kolegjit Universum kanë përfituar bursa për shkëmbim semestral në 115 universitete në 26 shtete të Evropës. Çdo student përfiton 850 euro kompenzim mujor dhe 360 euro kompenzim për shpenzime të transportit.Duke studiuar jashtë vendit, studentët tanë do të mund të mësojnë për kultura të ndryshme, të punojnë me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme dhe të komunikojnë & mësojnë gjuhë të reja.
Kolegji Universum mbetet institucioni model për ndërkombëtarizim duke u mundësuar studentëve vazhdim të studimeve në universitetet më të mira Evropiane. Për më shumë informata na ndiqni në rrjete sociale në facebook apo instagram, kontaktoni në [email protected] ose +383 44 144 062.
James Douglas Morrison, (1943-1971), do të mbetet në kujtesë si një kantautor, poet, shkrimtar por edhe kontributor në kinematografi. Ai njihet si figura kryesore e grupit të muzikës “The Doors” dhe është konsideruar si një nga personalitetet më tërheqëse të historisë së muzikës rock. Në 3 korrik 1971, Jim Morrison u gjend i vdekur në vaskën e apartamentit të tij në Paris. Në versionin fillestar të policisë vdekja e këngëtarit ishte si pasojë e atakut kardiak. Fakti se kufoma nuk iu nënshtrua autopsisë krijoi një stuhi hamendësimesh. Ndër pëshpëritjet më të zëshme mbetet se vdekja e Jim Morrison ka ardhur nga një mbidozë heroine dhe alkooli. Misterin e shkaktarëve të fundit të këtij miti e plotëson edhe fakti tjetër, mbajtja për më se një javë të fshehtë lajmin e vdekjes nga pjesëtarët e tjerë të grupit. Varri i tij ndodhet në varrezën Pere Lachaise në Paris të Francës, që është atraksioni i katërt i kryeqytetit parizien pas Kullës Eiffel, katedrales Notre Damit dhe Harkut të Triumfit. Më poshtë mund të lexoni 43 thënie të tij.
THËNIE PËR VETEN DHE JETËN
• Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin. Do të vdes duke qeshur, kur të gjithë do të qajnë!
• Bëj që jeta jote të jetë një ëndërr, por mos lejo që ëndrra të bëhet jeta jote!
• Jeta më dhuroi tri zgjidhje: seks, drogë dhe vdekje. Unë zgjodha dy të parat; e treta më zgjodhi mua!
• Dielli që perëndon të prek në shpirt, vetëm për të të kujtuar se të vodhi dhe një ditë!
• Mos jeto me frikën e vdekjes, por vdis me gëzimin se ke jetuar!
• Më mirë të humbasësh një çast të jetës, sesa jetën në një çast!
• Ne nuk jemi ata që jemi, por vetëm ajo që të tjerët shohin tek ne!
• Derisa ngjyra e lëkurës do të jetë më rëndësishme sesa ngjyra e syve, do të ketë luftë!
• Më mirë një fund i dëshpëruar sesa një dëshpërim pa fund!
• Të lindësh e pastaj të vdesësh. Ky është absurditeti i jetës!
THËNIE PËR VDEKJEN, TRISHTIMIN DHE HIDHËRIMET E DASHURISË…
• Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!
• Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!
• Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!
• Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!
• Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!
• Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!
• Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!
• Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!
• Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!
• Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!
• Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!
• Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!
• Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!
• Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!
• Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!
• Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!
• Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!
• Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!
• Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!
• Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!
• Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!
• Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!
• Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!
• Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!
• Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!
• Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!
•- Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!
• Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!
• Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur… • Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…! / Telegrafi / KultPlus.com
Një shishe historike e uiskit do të dalë së shpejti në ankand. Shishja, e mbushur në LaGrange të Georgias, e që besohet se është më e vjetra në histori, do të dalë në ankand nga data 22 deri 30 qershor.
Çmimet pritet të jenë mes 20 mijë dhe 40 mijë dollarëve, ka thënë shtëpia e ankandeve, “Skinner”.
Sipas hulumtimeve, kjo shishe qe prodhuar mes viteve 1762-1802.
“Ajo mendohet se është e vetmja shishe e mbijetuar nga bodrumi i J.P. Morgan dhuruar elitës në fuqi më 1940”, thuhet në njoftimin e ankandit.
Financieri John Pierpont Morgan raportohet se pati blerë shishen gjatë një vizite në Georgia. Ajo besohet se ishte mbushur në vitet 1860 në LaGrange.
Përderisa kjo mund të jetë më shishja më e vjetër në botë, nuk është as afër më të shtrenjtës. Më 2019, një shishë e rrallë “Macallan Fine” e vitit 1926 ishte shitur për 1.9 milionë dollarë. / Koha.net / KultPlus.com
Sipas hulumtimeve, po shtohen dëshmitë që tregojnë se viti i kaluar me izolim të popullsisë ka pasur ndikim në aftësitë gjuhësore të fëmijëve.
Të dhënat nga 50.000 nxënës dhe një anketë e shkollave në pjesë të ndryshme të Anglisë kanë treguar rritje të numrit të fëmijëve 4- dhe 5-vjeçarë që kanë nevojë për ndihmë me gjuhën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Dëshmitë tregojnë se zhvillimi i dobët i të folurit mund të ketë efekte afatgjata në të nxënë. Qeveria britanike thotë se do të investojë 18 milionë funte në të nxënët e hershëm, përfshirë ndihmën shtesë për nxënësit që ende nuk e kanë nisur klasën e parë.
Hulumtimi i Fondacionit për Ndihmë në Arsim sugjeron se masat që janë marrë për ta luftuar pandeminë i kanë privuar fëmijët e vegjël nga kontakti social dhe përvojat që janë thelbësore për pasurimin e fjalorit.
Mungesa e kontaktit ose kontakti i paktë me gjyshërit, distancimi social, mungesa e takimeve për lojëra me fëmijët tjerë dhe vendosja e maskave në publik i kanë lënë fëmijët më pak të ekspozuar ndaj bisedave dhe përvojave të përditshme.
Nga 58 shkollat që ishin të përfshira në anketë në pjesë të ndryshme të Anglisë, 76 për qind thanë se nxënësit që e nisën shkollën në shtator të vitit 2020 patën nevojë për më shumë përkrahje rreth komunikimit sesa në vitet paraprake. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq ka dhënë një lajm të mirë për kosovarët.
Që prej sot, 27 prill 2021, për në hyrje në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan për në Mal të Zi, të miturve nga Kosova për kalim u duhet vetëm një certifikatë lindje, kartë studentore apo shëndetësore.
Ai e theksoi se sapo ka marrë një lajm fantastik.
Postimi i plotë:
Që nga sot, 27 prill 2021, për hyrje në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan për në Malë të Zi, të miturve nga Kosova për kalim u duhet vetëm një certifikatë lindje, kartë studentore apo shëndetësore.
( së shpejti )
Njohja e ndërsjelltë e polisave të sigurimit.
Vetëm një kontroll gjatë kalimit në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan gjatë sezonit turistik veror. / KultPlus.com
Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, i ka akuzuar zyrtarët izraelitë për krime të aparteidit dhe përndjekjes, duke pretenduar se qeveria është duke zbatuar një politikë gjithëpërfshirëse për ta mbajtur mbizotërimin e izraelitëve çifutë mbi palestinezët.
Në raportin e publikuar të martën, grupi me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara u bë organizata e parë e madhe ndërkombëtare që hodhi pretendime të këtij niveli. Organizata tha se pas dekadave të paralajmërimeve se një kontroll i ngulitur i jetës së palestinezëve mund të çojë në aparteid, ka gjetur se “pragu” tashmë është kaluar.
“Kjo është gjetja më e zymtë që Human Rights Watch ka bërë rreth sjelljes së Izraelit gjatë 30 vjetëve nëpër të cilët ne kemi qenë duke dokumentuar abuzime në terren atje”, tha Omar Shakir, drejtor i HRW-së për Izrael dhe Palestinë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Duke reaguar ndaj këtij raporti, Ministria e Jashtme e Izraelit e akuzoi organizatën “Human Rights Watch” për një “agjentë të gjatë anti-izraelite” dhe tha se raporti është një broshurë propagande që nuk ka lidhje me faktet apo realitetin në terren.
Megjithatë, ky raport u hartua në bazë të dokumentacionit për të drejtat e njeriut, analizimit të ligjeve izraelite, një rishikimi për dokumenteve planifikuese të qeverisë dhe në deklaratat e zyrtarëve, shkruan gazeta e njohur britanike.
I përdorur së pari për rastin e ndarjes raciste të popullsisë në Afrikën Jugore, termi aparteit rrjedh nga një gjuhë afrikane dhe cilësohet si krim kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar.
HRW tha se brenda Izraelit, ku rreth një e pesta e popullsisë përbëhet nga palestinezët, dhe në territoret e okupuara, autoritetet janë munduar që ta maksimizojnë tokën e qasshme për komunitetet çifute dhe t’i grumbullojnë shumicën e palestinezëve në qendrat e dendura të banimit.
Rreth dy milionë palestinezë jetojnë nën bllokadë të rreptë në Gaza. Forcat izraelite u tërhoqën nga ky territor më 2005, por ende e kanë kontrollin e kufijve, detit dhe hapësirës ajrore të zonës.. / KultPlus.com
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave.
Kryediplomati italian këtë deklaratë e bëri në një konferencë ndërparlamentare të organizuar nga kryetari i Komitetit italian për Çështjet e Jashtme dhe BE, Piero Fassino.
Ndërkohë që ishte i dërguari i Romës në vendin tonë, Nicola Orlando që e bëri publik lajmin përmes një postimi në Twitter.
“Në konferencën ndërparlamentare të organizuar nga Piero Fassino, Luigi Di Maio bëri thirrje që Evropa ta mbështes Ballkanin Perëndimor pas negociatave të shumta të lodhshme në perspektivën e integrimit evropian. Ai theksoi se Kosova plotësoi të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave”. / KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 22-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot në orën 13:00 në kompleksin memorial në Mejë do të mbahen homazhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Fillimisht, presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca, dhe kryeministri Kurti do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në orën 10:00.
22 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.
Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.
Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.
Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë. / KultPlus.com
Shumë ngjarje të dhimbshme ndodhnin dyerve të burgjeve me familjarët e të dënuarve qe rendnin nga çdo cep i Shqipërisë për t’ju gjendur pranë të afërmve të burgosur.
Kjo është historia e një nëne të burgosuri, nga Puka në vitet ’70-të e cila bënte kilometra të tërë në këmbë , maleve për të mbërritur tek i biri, derisa një ditë kishte mbetur e ngrirë në dëborë.
Historia e saj është përjetësuar në këtë poezi të Shkëlqim Abazit, i cili e njohu këtë nënë heroinë kur ishte vetë i burgosur në Spaç.
Ja shënimi i i tij dhe poezia:
“Gjithë të dënuarit e viteve …70 – …73 e kujtojnë nanën e Franit, atë grua kreshnike, tepër të vobektë, që nisej në këmbë nga thellësitë e Pukës për të mbërritur në Spaç pas tri ditë-netësh.
Si mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo ç’t’i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dy mujore dhe nuk largohej pa u takuar me të birin.
Ne ishim mësuar me rregullsinë e asaj nëne fisnike, sa kur mbushej dy muajshi, dilnin mbi tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, do vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit me porosi që i biri të na i ndante secilit nga një kokërr.
Por kaluan disa dymujor dhe nana s’po dukej, u merakosëm. Ç’t’i kish ndodhur vallë?
Kur nëpërmjet ca të lirëve vendas mësuam se plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje, si ta kishim njeriun tonë të afërm.
Lavdi nanës së Franit, që e mbiquajtëm njëzëri Ajkunë!
Nana e burgut.
(Ajkuna)
Nuk lindi bijë mbreti, kamjen nuk e njohu kurrë. Gjithë jetën bjeshkëve mbeti, fjeti nën borë e mbi gurë.
E vobektë ish nan’e mirë, përshtatej me ç’të gjente. Pak bukë, pak gjizë e shëllirë, lëpjeta, lakra dhe mente.
Supeve një zhgun të dhirtë, mbledhur flokët nën shami… Në dorë një strajcë të hirtë, endej pa plang, pa shtëpi.
Çlodhej ku ta zinte ora. Rropatur nga udha e gjatë, shpesh e kish mbuluar bora staneve me barkun thatë.
II
Me torbën majë kurrizi, në terren e gjente ylli. Gështenja dhe lënde lisi, mblidhte ç’t’i ofronte pylli.
Dhe fanitej çdo dy muaj si Feniks që lind prej hirit… Si Ajkunja e tërbuar ndehte krahët drejt të birit.
Telat ish gati t’i shqyente, shpirtin zhurritur nga malli. Në zemër një duf i zjente gjer ballas t’i shfaqej djali.
Zinte portën me durim, priste e priste tërë natën, sa të gdhihej, në agim birit t’i jepte uratën.
Për gjithkënd nana fisnike blatonte paksa dashuri. Bashkë me vizitat ciklike na sillte një grimë liri.
Kësisoj e mira nanë na mëkoi tërë ato vite. Çdo lajthi, një kokërr thanë shkërbente një rreze drite.
III
Por kaluan dy tremujor për nanën s’mësuam gjë… nga një thikë në kraharror na u ngul dhe s’u shkul më.
Spaçin e pllakosi zia, nana e burgut mungonte… Secili si mëmën e tija Ajkunën do ta kujtonte. / kujto.al/ KultPlus.com
Ishte viti 1946 kur seritë e para u shfaqen në ekran. Sot ato kanë një rol shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm në kinematografinë moderne.
Gjithashtu, serialet kanë gjetur vendin e tyre në zemrat tona sepse disa prej tyre zgjasin me vite, ne mësohemi me personazhet tanë të preferuar aty dhe ndihemi sikur të jenë miqtë tanë të ngushtë për të cilët dimë gjithçka.
Kështu që vendosëm të zbulojmë se si ndryshoi portreti i personazheve të serialeve të famshme, duke filluar nga episodi i parë i tyre e deri në shfaqjen e fundit në serial./ klan/ KultPlus.com
E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.
Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.
Sot po e kujtojmë këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com
Për më shumë se 32 vjet, ka qenë banori i vetëm i një ishulli përrallor në Detin Mesdhe. Megjithatë ai tani duhet të largohet nga aty pasi akuzohet se ka kryer disa ndryshime të paligjshme në kasollen e tij, një ish-stacion radioje që daton që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Unë do të largohem duke shpresuar se në të ardhmen Budelli do të mbrohet siç e kam mbrojtur për 32 vjet,” shkroi ai në Facebook.
Morandi tha për gazetën “The Guardian” se ai do të transferohej në një banesë të vogël në ishullin e afërt të La Maddalena: “Jeta ime nuk do të ndryshojë shumë, unë do të shoh akoma detin.”
Morandi, një ish-mësues, mbërriti rastësisht në ishullin Budelli, në brigjet e Sardenjës, ndërsa u përpoq të lundronte nga Italia në Polinezia, 31 vjet më parë.
Ai ra në dashuri me ujërat e kristalta të ishullit, rërën e pastër, perëndimin magjepsës të diellit dhe vendosi të qëndrojë aty. Menjëherë pasi zbarkoi më 1989, Morandi zbuloi që kujdestari i ishullit po dilte në pension. Varka e shkatërruar e Morandit ishte pasqyrim i gjendjes së tij fizike, mendore dhe emocionale në atë kohë. Kështu që vendosi të ndryshojë jetën dhe të pranojë postin e punës.
Ishulli Budelli, një copë e vogël toke mes Sardenjës dhe Korsikës, është një nga më të bukurit e 7 ishujve që formojnë Parkun Kombëtar të Arkipelagut Madalena. Vetëm pak turistë shkojnë e vijnë në zona të caktuara të ishullit Budelli, kështu që në pjesën më të madhe të vitit, Morandi jeton vetëm. I vetëm në ishull, Morandi e kalonte ditën duke admiruar detin, duke thithur ajrin e pastër, duke mbledhur dru, duke gatuar dhe duke postuar në Instagram!/ a2/ KultPlus.com
Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” ishte shoqëria e parë shqiptare e krijuar në SHBA. Kjo shoqëri e cila u bë shembull për shumë shqiptarë të tjerë të Diasporës u themelua më 1 janar 1906 në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo New York.
Pjesë e themelimit të shoqërisë ishin patriotët: Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe Thanas Viso Mborja.
Shoqëria krijoi dhe statusin e saj e cila u bë shembull për shqiptarët e qyteteve të tjera në SHBA. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë shoqëri ishin punëtorë ku sundonte fryma patriotike. Ata që kishin mbaruar shkollën shqipe dhe kishin një farë kulture u bënë udhëheqësit shpirtërorë të tyre.
Kjo shoqëri në vitin 1909 kishte si kryetar Gaqi Themelin, N/Kr.Vangjel Camçen dhe kontrollorë Koço Gramenon dhe Janko Vishnjën.
Më 25 nëntor 1913, shoqëria u bashkua me Federatën “VATRA” dhe u krijua Dega No.25, Jamestoën, N.Y. me 100 anëtarë. Kjo degë zgjodhi këta drejtues: Kryetar Ilo Furxhi, arkëtar Lambi Cale, sekretar Perikli Murzaku, pleqësia Vasil Argjir, Hysen Belortaja, Sali Selman.
Por si lindi ideja për krijimin shoqërisë së parë shqiptare në SHBA?
Ja si e kujton vetë Thanas Viso Mborja këtë ditë: “Unë i thashë një ditë një shoku, se ne që kishim qenë në Rumani dhe kishim parë atje se si ishin organizuar shoqëritë patriotike, nuk mund të rrinim duar kryq, por duhet të merrnim iniciativën për krijimin e shoqërive të tilla në Amerikë. Për këtë ishte e mira të ftoheshin nga qyteti Xhejmstoun. Këtu ndodheshin rreth 80 shqiptarë dhe patriotët Petro Nini Luarasi e Mina Grameno me qëllim që të na ndihmonin. Shoku im e pëlqeu mendimin tim dhe kështu nuk mbeti veçse ta vinim në zbatim. Më 1 Janar të vitit 1906, në konakun tim u mblodhën patriotë për të vendosur në lidhje me çështjen e themelimit të shoqërisë.”
Costandin A. Demo në librin e tij për një nga këta drejtues shkruan: “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në ç’do vend ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai përgatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që erdhën pas tij. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” krijoi edhe një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, anglishte dhe greke, gjuhë këto që pak a shumë i njihnin punëtorët shqiptarë të Bufalos. Fondin e parë të librave e dhuroi Thanas Viso Mborja i cili kur u largua nga Rumania mori dy sundukë me libra në gjuhën shqipe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit. Këto libra ishin shkrojtur nga patriotët e Rilindjes dhe shtypur në tipografinë e shoqërise “Dituria” të Bukureshtit. Anëtarët e shoqërisë paguanin si kuote ½ dollarë në muaj. Ata ishin lidhur me punëtorë dhe intelektualë amerikanë. Një nga këta, Zt. Moss, në gazetën “Morning Post” e popullarizoi shumë luftën e popullit shqiptar dhe kërkesat e tij.”/ KultPlus.com
Ukraina përkujton sot katastrofën e Chernobylit, 35 vjet pas aksidentit më të rëndë bërthamor në histori, që kontaminoi një pjesë të mirë të Evropës.
Presidenti Volodymyr Zelensky pritet sot të vizitojë zonën e izolimit që rrethon centralin e aksidentuar, në një rreze prej 30 kilometrash.
Më 26 prill 1986, në orën 01:23, reaktori numër 4 i centralit të Chernobylit, që ndodhet 100 kilometra nga Kievi, shpërtheu gjatë një testi sigurie.
Për 10 ditë, reaktori bërthamor u dogj duke lëshuar në atmosferë elemente radioaktive që do të kontaminonin, sipas disa vlerësimeve, deri tre të katërtën e Evropës, por kryesisht Ukrainën, Bjellorusinë dhe Rusinë, në atë kohë republika sovjetike.
Autoritetet sovjetike u përpoqën ta fshihnin këtë aksident dhe presidenti i atëhershëm Mikhail Gorbachev doli publikisht vetëm më 14 maj për të folur për aksidentin.
Në total, 116.000 persona u evakuuan më 1986 nga zona rreth centralit, që vazhdon të jetë e pabanuar edhe sot./express/ KultPlus.com
Daniel Kaluuya fitoi çmimin “Oscar” si “Aktori më i mirë në rol joprotagonist” me rolin e tij si Fred Hampton, në filmin “Judas and the Black Messiah”.
Në fjalimin e tij, aktori falenderoi bashkëpunëtorët e tij dhe shprehu mirënjohje edhe për prindërit.
“Duhet të festojmë për jetën. Po marrim frymë, po ecim. Është e pabesueshme. Është e pabesueshme. Mami, babi im, ata bënë seks! Është e mrekullueshme. Dhe ja, unë jam këtu.”, deklaroi aktori.
Në ato momente kamerat u fokusuan tek e ëma, e cila qeshi e sikletosur pas fjalëve të të birit.
Me këtë deklaratë aspak të pazakontë, aktori arriti të marrë vëmendjen e të gjithëve të pranishmëve dhe të bëhet trend në Twitter./a2/ KultPlus.com
Kur Oprah Winfrey u ul në kopshtin e Harry dhe Meghan, përballë tyre për t’i intervistuar, ajo nuk e imagjinonte që kjo intervistë do të bënte një jehonë të tillë, saqë do të ishte në gjendje të lëkundte ekuilibrin e familjes mbretërore britanike.
Prezantuesja e famshme ka folur për herë të parë për intervistën e bujshme, me rastin e prezantimit të librit të saj “What Happened To You? Conversations on Trauma, Resilience, and Healing”.
“Nuk ia kisha idenë se do të bënte zhurmën që bëri dhe vazhdon të bëjë”, tha Winfrey për gazetaren Nancy O’Dell.
Ajo tregoi se çfarë e befasoi më shumë, ishte fakti që Markle u shkoi gjërave deri në fund, duke bërë akuza të rënda – para së gjithash, atë të racizmit – kundër institucionit mbretëror.
“Unë kam qenë duke u përgatitur për një kohë të gjatë,” u shpreh Oprah.
“Ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua që ajo që publikuam të dilte kur të gjithë mund ta shihnin, pa deklarata të rrjedhura para intervistës që mund të keqkuptoheshin.”
Në total, intervista zgjati 3 orë e 20 minuta.
Oprah i kërkoi ekipit që ishte me të, të ishte i rezervuar për ato çfarë kishte dëgjuar. Ajo u tha:
“Ne të gjithë e dimë se çfarë u tha këtu dhe sa e rëndësishme është t’u besosh njerëzve që sapo e ndanë këtë gjë, kështu që shpresoj që ju të mos dilni jashtë dhe të ndani atë që sapo ndodhi këtu”.
Sa i përket Meghan dhe Harryt, Oprah tha se qëllimi i përbashkët me ta ishte e vërteta.
“Unë u thashë atyre se ishte shumë e rëndësishme për mua të kuptoja cili ishte qëllimi i tyre, në mënyrë që të mund të isha në një linjë me ta. Qëllimi ynë i përbashkët ishte e vërteta. Meghan dhe Harry donin të ishin në gjendje të ndanin historinë e tyre dhe të ishin në gjendje ta bënin atë në mënyrën më spontane të mundshme”./ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri Albin Kurti i cili në Facebook ka shkruar se këtë mekanizëm do ta udhëheqë personalisht me qëllim që të trajtohet me seriozitetin e merituar. Tutje aj ka shtuar se anëtar të komisionit do të jenë edhe përfaqësuesit e familjes Jashari.
“Këtë mekanizëm do ta udhëheq personalisht, për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces. Anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i OVL të UÇK-së.”, ka shkruar Kurti.
Gjithashtu Kurti shtoi se profesionistë nga Ministria e Kulturës ka nisur ta vlerësojë gjendjen e kullave.
“Ndërkohë, një ekip profesionistësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur vlerësimin e gjendjes së kullave në këtë kompleks. Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë. E radhës do të jetë shqyrtimi i detyrimit themelor të këtij komiteti, projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka përfunduar Kurti./ KultPlus.com
Sot qeveria jonë ka marrur një vendim të rëndësisë së veçantë. Kemi themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e…
Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për mbrojtjen e autorësisë intelektuale të prodhimeve kreative në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ambasada Amerikane një kërkesë të tillë e ka bërë duke vënë në pah krijimtarinë e gjerë të artistëve kosovarë, duke filluar që nga suksesi i Blerta Bashollit, Dua Lipës, e nominimin e Visar Morinës në Globin e Artë.
“Kosovarët janë të njohur për krijimtarinë e tyre. Vetëm këtë vit, Blerta Basholli fitoi 3 çmime Sundance për “Hive”, Dua Lipa fitoi një Grammy, dhe “Exile” i Visar Morinës u bë i nominuari i parë i Globit të Artë në Kosovë. Kjo krijimtari duhet të mbrohet, jo të shfrytëzohet. Kjo është ajo që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë intelektuale. Çfarë do të bëni për të mbrojtur prodhimet kreative të Kosovës?”, shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë./ KultPlus.com
Kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’ do të filloj lojërat e përjavshme të tavolinës, shkruan KultPlus
Nëpërmjet një njoftimi për media është bërë e ditur se që nga 30 prilli, mes orës 18:00 dhe 22:00 të gjithë do të jenë të mirëpritur që të luajnë disa nga lojërat më të famshme të tavolinës.
Tutje në njoftim tregohet se të pranishëm do të jenë edhe persona të cilët do të shpjegojnë lojërat, duke theksuar se në këto mbrëmje nuk ka kufizim moshe, si dhe se hyrja do të jetë pa pagesë.
“Ndër të tjera, do të ketë edhe persona të gatshëm që mund të shpjegojnë lojërat, prandaj mos hezitoni të vini edhe nëse nuk i keni luajtur kurrë më parë ato. Po ashtu nuk ka asnjë kufizim moshe për lojërat e tavolinës, kështu të rinj e të moshuar janë të mirëpritur”, thuhet në njoftim.
Nëpërmjet organizimit të këtyre mbrëmjeve synohet që të i ofrohet qytetarëve të Pejës një mundësi për të provuar argëtimin, konkurrencën dhe bashkëpunimin që mund të sjellin këto lojëra.
“Mbrëmjet e lojërave të tavolinës janë gjithashtu një mënyrë e mirë për njerëzit që të lidhen me Kinemanë Jusuf Gërvalla, edhe nëse nuk janë informuar ende me programin e saj”, shkruhet më tutje në njoftimin e bërë nga kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’./ KultPlus.com
Për herë të parë në histori, ndeja e famshme e organizuar nga Elton John që zakonisht mbahet para ceremonisë së shpërblimeve ”Oscars”, është mbajtur pa audiencë, në mënyrë virtuale, përcjell KultPlus.
Kjo ngjarje u është dedikuar personave të prekur nga SIDA dhe paratë e mbledhura nga kjo ngjarje do të shkojnë pikërisht në ndihme të këtyre personave.
Ndërkaq Dua Lipa e cila natën e mbrëmshme ka performuar për herë të parë më këngëtarin e njohur botëror, Elton John, nëpërmjet një postim në Facebook ka bërë të ditur se mbrëmë janë mbledhur 3 milionë dollarë për të prekurit nga HIV/AIDS.
“Natën e kaluar Fondacioni i SIDA-s Elton John grumbulloi 3 MILION $ për të luftuar HIV / AIDS. Ju falënderoj të gjithëve për donacionet. Faleminderit Elton John & David Furnish që më keni ftuar!!!!, ka shkruar ndër të tjera Lipa./ KultPlus.com
Last night the Elton John AIDS Foundation raised $3 MILLION to fight HIV/AIDS❣️thank you to everyone for tuning in!…
Albumi ‘Future Nostalgia’ i këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa gjendet në top listën e ‘Spotify’, shkruan KultPlus.
Këtë e tregon edhe vetë profili i Spotify në Instagram, të cilët kanë publikuar një postim me statistika të albumeve më të mira dhe Dua ishte në krye të top listës me “Future Nostalgia”.
Me anë të postimit të fundit, Dua lajmëroi fansat se ajo u rendit artistja me albumin në vendin e dytë.
Dua natën e mbrëmshme ka performuar krah Elton John në mbrëmjen para “Oscars”, ku edhe tha se ndihet me shumë fat që iu dha mundësia për këtë performancë./ KultPlus.com
Këngëtarja gjermane, Christa Ludwig, e cila ka performuar në skenat më prestigjioze të botës për gati gjysmë shekulli, vdiq moshën 93 vjeçare, njoftoi agjencia austriake e lajmeve APA.
Mexosopranoja, e lindur në Berlin jetonte në periferi të Vjenës.
Këngëtarja operistike, e cila doli në pension në 1994, u nderua me titullin ”Legjioni i Nderit” në 2010 për të gjithë karrierën e saj operistike.
Hyri në Operën e Vjenës në 1955 dhe interpretoi në Festivalin e Salzburgut nën drejtimin e dirigjentit austriak Karl Boehm.
Christa Ludwig triumfoi në skenat më të mëdha të botës, veçanërisht në La Scala të Milanos, në Royal Opéra House të Londrës, por gjithashtu dhe në Metropolitan Opera të Nju Jorkut.
Pas një martese të parë me bas-baritonin austriak Walter Berry, në 1972 ajo u martua me aktorin dhe regjisorin francez Paul-Emile Deiber, i cili vdiq në 2011./atsh/ KultPlus.com
Regjisori i famshëm amerikan, tashmë ka publikuar pamjet e para të filmit të tij të cilin e ka paralajmëruar kohë më parë, përcjell KultPlus.
Filmi mban titullin ”West Side Story” dhe në të do të luajnë aktorët Ansel Engort dhe Rachel Zegler, të cilët portretizojnë dy të rinj që bien në dashuri në New York-un e viteve të 50-ta.
Ndërsa aktorët e tjerë që do të luajnë në këtë film janë Ezra Menas, Julius Anthony Rubio, Ana Isabelle, Brian d’Arcy James, Corey Stoll etj.
“West Side Story” ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema në fund të vitit 2020, por ishte shteyr shkaku i pandemisë.
Filmi pritet të ketë premierën e tij në dhjetor të këtij vitit. / KultPlus.com