Shitet në ankand për 103.4 milionë dollarë piktura e Pikasos

Piktura e Pablo Picasso “Gruaja e ulur në dritare” (Marie-Thérèse)’ u shit dje për 103.4 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga shtëpia e njohur e ankandit “Christie’s” në Nju Jork.

Vepra prej 1.46 x 1.14 metra, e pikturuar në vitin 1932, e kishte bazën për 90 milionë dollarë dhe arriti në 103.4 milionë dollarë pas një beteje midis koleksionistëve që zgjati mbi 19 minuta.

Kjo pikturë, e cila përfaqëson të dashurën dhe muzën e artistit Picasso, Marie-Thérèse Walter, gati dyfishoi vlerësimin fillestar të siguruar nga Christie’s, me gati 55 milionë dollarë më shumë.

Pronari i mëparshëm i pikturës e bleu atë tetë vjet më parë për rreth 44.8 milionë dollarë. / KultPlus.com

Demokracia është një abuzim me statistikat!

Përgatiti: Bajram Karabolli

Teksti i mëposhtëm është pjesë nga bashkëbisedimi mes gazetarit Bernardo Neustadt dhe gjeniut të letrave, Jorge Luis Borges. Borgesi përgjigjet në pyetjen se çfarë është demokracia dhe si duhet të jetë shteti.

Borges: Për mua, demokracia është një abuzim me statistikat. Dhe, përveç kësaj, nuk mendoj se ka ndonjë vlerë. Ju besoni vërtet se për të zgjidhur një problem matematikor apo statistikë duhet të konsultoheni me shumicën e njerëzve? Unë do të thosha jo. Atëherë, pse të supozojmë që shumica e njerëzve e kupton politikën? E vërteta është se ata nuk e kuptojnë atë dhe mashtrohen nga një sekt të poshtërish, të cilët në përgjithësi janë politikanët e çdo kombi. Këta zotërinj politikanë që shesin portretin e tyre, duke bërë premtime, herë-herë edhe kërcënime, me një fjalë: korruptojnë.

Për mua, të jesh politikan është një nga punët më të trishtueshme për qeniet njerëzore. Nuk po e them këtë kundër ndonjë politikani të veçantë, por në përgjithësi. Një person që përpiqet ta popullarizojë veten te gjithë të tjerët, sigurisht, duhet të jetë i paturp. Politikani mua nuk më frymëzon asnjë respekt … Më kanë mësuar se individi gjithmonë duhet të jetë i forte, ndërsa shteti duhet të jetë i dobët. Kurrë nuk më ka pëlqyer teoria se shteti duhet të jetë më i rëndësishëm se individi. / KultPlus.com

Rihanna po punon për këngë të reja, së shpejti publikon edhe albumin “R9”

Fansat e Rihannas janë duke pritur që një kohë të gjatë për këngë të reja nga artistja e cila ka pesë vjet që ka pauzuar në këtë drejtim.

Një raport i publikuar së fundmi thekson se albumi i nëntë i Ririt, i titulluar “R9” do të vijë më në fund, ndonëse nuk janë dhënë detaje lidhur me të.

Këngëtarja 33-vjeçare nga Barbadosi po vazhdon të mbajë në pritje fansat e saj, edhe pse në vitin 2020 kishte bërë të ditur se është duke punuar shumë që të sjellë hite të reja.

Sipas raportimeve, Rihanna tani jo vetëm që po ingjizon këngë të reja por është duke punuar edhe për një videoklip të ri.

“Rihanna është duke punuar jo publikisht për këngë të reja dhe albumi i saj i nëntë do të vijë së shpejti. Pandemia i ka ngadalësuar shumë gjëra”, ka thënë për The Sun një burim i afërt me këngëtaren.

Albumi i fundit i Rihannas “ANTI” është publikuar në vitin 2016. Në vitin 2019, këngëtarja kishte shpërndarë një video duke realizuar këngë të reja në një studio muzikore. / KultPlus.com

Tollovia për vaksinim te salla 1 Tetori, sqarohet Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas tollovisë së krijuar te salla 1 Tetori, ku qytetarët e moshës mbi 65 vjet po presin për t’u vaksinuar.

Sipas MSH’së, tollovia është krijuar, meqenëse aty kanë ardhur të vaksinohen edhe qytetarët e komunave të tjera.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre. Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e MSH’së.

Ministria ka apeluar te qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i MSH’së:

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 sot vijon sipas njoftimeve paraprake.

Njoftohen qytetarët që të kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.

Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre.  

Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë. / KultPlus.com

Skandaloze: Kështu “zvarriten” të moshuarit për të arritur tek vaksinat në sallën “1 Tetori”

Radhët e gjata të të moshuarve tek Qendra e Vaksinimit kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u bënë kryelajm.

Këtu u shkaktuan tollovi që bëri që të moshuarit të gjejnë rrugë alternative për të arritur tek vaksinat.

Në disa pamje të publikuara shihen të moshuarit teksa zvarriten për të arritur deri te hyrja në sallën “1 Tetori” për vaksinim. / KultPlus.com

Hotelet më mahnitëse dhe luksoze në botë

Një libër i botuar nga teNeues ka prezantuar disa nga hotelet më mahnitëse nga Alpet në Ande.

Në mes të peisazheve natyrore që të lënë pa frymë, këto ambiente shkojnë përtej ëndrrave më të çmendura dhe luksoze.

Nga një kamp në safari në Afrikën e Jugut, një hotel në Bali dhe një tjetër në Peru, tek një dhomë në mes të alpeve të Zvicrës, këto hotele do iu sigurojnë padyshim disa ditë relaksi total.

 The Machu Picchu Pueblo Hotel në Cusco, Peru
Hoteli Alila Ubud në Bali, Indonezi,
Premium Eco Resort Priesteregg, në Austri
Resorti Mahu Whenua në Wanaka, Zelanda e Re
Emirates One & Only Wolgan Valley në Uellsin e Ri Jugor, Australi
Six Senses Bumthang Resort në Bumthang, Butan
Resorti Hoshinoya Gugua në Taichung, Tajvan
Mali Copperhill në Are, Suedi
Marataba Safari Lodge në Parkun Kombëtar Marakele të Afrikës së Jugut
 Szuflandia Resort në Pyllin Beskid në Wisla, Poloni

Sot, ceremonia komemorative për Ismet Bogujevcin

Ditën e djeshme ka vdekur figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë sot një ceremoni komemorative.

Itinerari për ditën e sotme (14 maj 2021) është si në vijim:

11:00 – 11:15 | Parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar;

11:30 – 14:00 | Ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti;

Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar “Shota” dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Ceremonia mortore do të bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër COVID-19./ KultPlus.com

Perandorët romakë me prejardhje ilire

Shqiptarët padyshim se i takojnë trungut të popujve më të lashtë si për nga historia ashtu edhe për nga gjuha. Mirëpo shqiptarët janë një ndër popujt të cilët më së paku e kanë të dokumentuar historinë e vet kombëtare.

Periudha e hekurit por edhe ajo antike janë periudha shumë të lavdishme të ilirëve si paraardhësit tanë. A ishin të civilizuar? Me çfarë teknike dhe si i ndërtuan vendbanimet e veta? Nëse dimë se muret ciklopike janë karakteristikë e ndërtimeve ilire atëherë shtrohet pyetja si u skalitën ata gurë gjigand? Kush ishin ata që i skalitën me aqë precizitet dhe në fund me çfarë makinerie apo teknike i ngriten blloqet shumëtonëshe deri në ato lartësi të mëdha?

Dimë për kulturën helene dhe romake dhe padyshim se këto kultura kanë mbërrit edhe në Ilirik. Ato këtu gjetën kulturën ilire e cila ka dhënë kontributin e vet në kulturën e gjithëmbarshme botërore. Helenët, trojet e ilirëve i quanin barbare, derisa Roma nuk mundi t’i pushtojë me lehtësi por iu deshtë të bëjë luftëra të cilat zgjatën pothuaj 300 vite ku më të njohurat janë Lufta e Parë, Dytë dhe e Tretë Iliro-Romake kur përfundimisht bie Mbretëria e Ardianëve dhe i gjallë bie rob Mbretit Gent. Pasojnë disa kryengritje të cilat zgjasin deri në vitin 6-7 të erës së re e që pas shuarjes së kryengritjeve, Roma me qëllim që më lehtë ta kontrollojë këtë territor formon dy provinca të reja: Dalmacinë dhe Mezinë.

Nuk duhet harruar se fillimisht Roma kishte rregullim: Mbretëror (735-509 p.e. re), Republikan (500 p.e.re – 27 p.e.re) por me ardhjen e Cezarit (50 pe.re) e përfundimisht nga Augusti (27 p.e. re) fillon era e rregullimit të ri shtetëror pra Perandorisë Romake që udhëhiqet nga perandori i cili sipas një rregulli vinte nga radhët e ushtrisë. Ky rregullim zgjati deri në vitin 350 të erës sonë kur edhe Perandoria ndahet në atë Lindore dhe Perëndimore. Në këtë periudhë falë shkathtësisë së tyre luftarake, guximit dhe ambicies për pushtet u bë e mundur që për perandorë romakë të bëhen edhe shumë ushtarakë të lindur në Iliri dhe që shumë lehtë vërtetohet identiteti i tyre ilir madje ata edhe inkurajonin dhe ndihmonin ilirët tjerë që të ngriten dhe avancohen në ushtri. Andaj për një periudhë të gjatë kohore ia arritën që shumë ilirë të mbajnë poste dhe funksione shumë të larta perandorake.

Në periudhën Perandorake (27 p.e.re – 395) në fron janë ulur plot 27 ilirë prej të cilëve më të njohurit janë: Diokleciani dhe Konstantini i Madh, e që Aurel Viktori (320-390) për ta do të shkruante: “Atëdheu i të gjithë këtyre ka qenë Iliriku, edhepse pak të qytetëruar kanë qenë shumë të dobishëm për shtetin” (N.Ceka, Ilirët). Pra, këta perandorë janë puro iliro/shqiptar, sllavët në Ilirik filluan dyndjen në shek.VI-VII dmth dy shekuj pas Perandorit të fundit ilir. Këtu po sjellim listën e Perandorëve Romak që kanë lindur në Ilirik apo kanë prejardhje ilire:

1. Trajanus Decius (249 – 251), Gaius Messius Quintus Taianus Decius, ka lind në Budallija (Sirmium) sot fshati Martiniqi (Mitrovica e Sremit, Serbi)

2. Hostilianus (251), Gaius Valens Hostilianus Messius Quintus, djali i Deciusit, ka lind në Sirmium.

3. Claudius II Gotikus (268 – 270), Marcus Aurelius Claudius Gothicus, është nga rrethi i Sirmiumit ose nga Dardania. Për perandor zgjedhet pasi i mund Gotët në vitin 268 afër Naissusit.

4. Quintilus (270), Marcus Aurelius Claudius Quintillus, ka lind në Sirmium, është vëllai i Claudit II, vetëm 77 ditë ka qëndruar në fron.

5. Aurelianus (270 – 275), Lucius Domitius Aurelianus, ka lind në Sirmium sot Mitrovica e Sremit, njihet me atë se Perandorisë Romake ia ribashkon Mbretërinë e Galëve.

6. Probus (276 – 282), Marcus Aurelius Probus, ka lind në Sirmium, është i pari që lejoi që hardhit Italiane të mbillen në vende tjera të Perandorisë si në Ilirik, Galici, Britani dhe Spanjë.

7. Diocletian (284 – 305), Gaius Aurelius Valerius Diocletianus, ka lind në Dioclea sot Dukla afër Podgoricës. Një ndër perandorët më të rëndësishëm të Romës. Pas një kaosi të madh shumëvjeçar ai ia arriti që Perandorinë ta vëj në rregull. Duke qenë i vetëdijshëm se Perandoria ishte shumë e madhe dhe që ishte shumë e vështirë të udhëhiqej nga një njeri i vetëm është i pari që vendos të ndajë pushtetin krijon Diarkin (dy AUGUSTË që sundojnë njëri në Lindje e tjetri në Perëndim) dhe kjo ishte fillimi i ndarjes së Perandorisë në atë Lindore dhe Perëndimore.

8. Maximianus Herculius (285 – 305), Marcus Aurelius Valerius Maximianus Herculius, ka lind në Sirmium. Ilir, mik dhe bashkësundues me Dioklecianin. Së bashku me Dioklecianin jep dorëheqje nga froni por që pas një viti (306) kthehet prapë në fron dhe e ndihmon në ngritje Konstantinin e Madh. Nga froni e rrëzojnë më 308.

9. Galerius (305 – 311), Gaius Galerius Valerius Maximianus, ka lindur në Felix Romuliana sot Gamzigrad afër Zajeçarit. Sundoi nga Sirmiumi, ka qenë i pamëshirshëm ndaj të krishterëve madje të gjitha barbarizmat që i vishen Dioklecianit janë rezultat i përndjekjeve të tija. Për grua kishte vajzën e Dioklecianit.

10. Constantius I Chlorus (305 – 306), Flavius Valerius Constantius, ka lind në Ilirik në vitin 250. Është babai i Konstantinit të Madh.

11. Flavius Severus II (306 – 307), Flavius Valerius Severus II, ka lindur në Naissus, ka ndarë fronin me Konstantin Klorin.

12. Licinius (308 – 324), Gaius Valerius Licianus Licinius, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbretëroi në lindje, së bashku me Konstantinin e Madh sollën Ediktin e Milanit. Zhvillon dy luftëra kundër Konstantinit të Madh të cilat i humbet të dyja dhe në fund ekzekutohet.

13. Maximinus Daia (311 – 313), Gaius Galerius Valerius Maximinus, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbahet mend si persekutues i madh dhe se nuk ka pranuar sistemin tetrark të mbretërimit.

14. Constantinus I i Madh (312 – 337), Flavius Valerius Constantinus, ka lindur në Naissus (Nishi i sotëm). Më 313 nënshkruan Ediktin e Milanit me të cilin lejohet toleranca fetare dhe praktikimi i lirë i fesë së krishterë. Është themelues i Konstantinopolit dhe me ardhjen e tij vie deri te një paqe sociale pas një periudhe të gjatë të persekutimeve fetare.

15. Constantinus II (337 – 340), Flavius Iulius Constantinus, ka lind në Sirmium dhe është djali i dytë i Konstantinit të Madh. Babai i vet e bën Cezar të pjesës lindore të Perandorisë kurse dy vëllezërit tjerë pjesën tjetër.

16. Vetranio (350), i ilindur në Mezi, për Cezar e emëroi Konstanti II me kërkesën e vajzës së Konstantinit të Madh. Mirëpo nuk ndenji shumë në fron vetëm dhjetë muaj kur edhe datyrohet të largohet.

17. Iovianus (363 – 364), Flavius Iovianus Augustus, ka lindur në Singidunum (Beogradi i sotëm) dhe në fron qëndroi vetëm tetë muaj.

18. Valentinianus I (364 – 375), Flavius Valentinianus, ka lind në Cibala (sot Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valensin. Ka mbretëru perëndimin.

19. Valensi (364 – 378), Flavius Valens, ka lind në Cibala (Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valentinianin I. Ka mbretëru lindjen.

20. Gratianus (375 – 383), Flavius Gratianus Augustus, ka lind në Sirmium. Është djali i Valentinianit I.

21. Valentinianus II (383 – 392), Flavius Valentinianus II, ka lind në Trir është djali i Valentinianit I i cili ka qenë nga Cibala (Kroaci).

22. Constantinus III (421), Flavius Constantius Augustus, ka lind në Naissus, është babai i Valentinijanit III

23. Valentinianus III (425 – 455), Flavius Placidius Valentinianus, djali i Constantinus III, njihet si perandori i fundit perëndimor me origjinë ilire.

24. Marcianus (450 – 457), Flavius Marcianus, ka lind në Iliri, ka mbretëru në lindje.

25. Anastasius I (491 – 518), Anastasius, ka lind në Dyrrachium, Durrës, Shqipëri.

26. Iustin I (518 – 527), Flavius Iustinius, ka lindur në Bederiana të Dardanisë (Leban, Serbi).

27. Iustinianus I (527 – 565), Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus, ka lind në Tauresium të Dardanisë. Justiniani I është imperatori i fundit latin.

(Gazeta Shqiptare, Gazmend Çitaku, publicist dhe përkthyes). /KultPlus.com

Fotografi të punëtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, institucioni që u themelua 76 vjet më parë, me 5 shkurt 1945, mund të harrohet sot prej gjeneratave të reja.

Radio Televizioni i Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Disa fotografi poshtë, marrë nga grupi RTP në Facebook, tregojnë stafin punues në RTP.

Fotografitë janë huazuar nga Sabri Vllahiu, Sahit Kokolli, Pren Gjidoda e të tjerë.

Do kalonin 29 vite deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974. 

Në fillim të vitit 1974 TVP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e mandej dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim. Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi.

Për herë të parë në histori, një grua në krye të Shërbimit Sekret në Itali

Elisabetta Belloni është bërë gruaja e parë që do të udhëheqë Shërbimet Sekrete të Italisë.

Elisabetta Belloni është bërë gruaja e parë që do të udhëheqë Shërbimet Sekrete të Italisë. Ky lajm u bë i ditur nga kryeministri italian, Mari Draghi, i cili njoftoi se ish-ambasadorja Belloni është zgjedhur në krye të Departamentit të Sigurisë së Informacionit, përcjell KultPlus.

Departamenti mbikëqyr shërbimet e huaja dhe të brendshme të inteligjencës së vendit dhe i raporton drejtpërdrejt Qeverisë italiane.

E lindur në vitin 1958, Belloni ka qenë një nga vajzat e para që i është bashkuar Institutit prestigjioz dhe dikur ekskluzivisht vetëm për meshkuj, Massimiliano Massimo, në Romë ku ka studiuar edhe kryeministri Draghi.

Pasi ka shërbyer si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo ka drejtuar njësinë e krizës në Ministrinë e Jashtme italiane nga viti 2004 deri më 2008.

“Një grua e guximshme”, tha kryetari i partisë Lega Nord, Matteo Salvini. / KultPlus.com

‘Mos më lër vetë, kam shumë frikë të rri pa ty, është botë e egër’ (VIDEO)

Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.

Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.

Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. / KultPlus.com

Shoka, kënga tradicionale e ritit martesor arbëresh

Ekziston një këngë, e zakonshme për trekëndëshin magjik arbëresh të përfaqësuar nga bashkësitë Carfizzi-Hora, Pallagorio-Puheriu dhe San Nicola dell’Alto-San Koghi në provincën e Crotone, e cila interpretohet gjatë ritualit martesor arbresh: Shoka.

Sipas shpjegimeve të Gianni Belluscios, teksti është një variant i punuar i rapsodisë së “turkut që rrëmbeu vajzën shqiptare”. E njëjta këngë, por me një tekst më të plotë e më të kuptueshëm, u regjistrua nga Giuseppe Gangale gjithashtu në Carfizzi (Diskografia Gangale, 1998).

Në materialin e publikuar nga Mario Bellizzi shkruhet:

“Kërce, kërce vajzë vallen-loj loj vasha valle”, që e shohim këtu është marrë nga hulumtimet etnografike dhe regjistrimet e vitit 1954, të bëra nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, që Antonello Ricci dhe Roberta Tucci kanë publikuar për shtëpinë botuese Squilibri në 2006.

“Shpresojmë që miqtë e Pallagorio të mund të bashkëpunojnë për të transkriptuar tekstin e Valle, nga e cila është bërë regjistrimi i zërit”, shkruan Bellizzi./dasiporashqiptare/ KultPlus.com

Rikthehet ‘Friends’, zbulohet data e premierës

Tashmë është bërë e ditur se seriali i famshëm ”Friends” do të rikthehet për publikun në HBO Max, më datë 27 maj të këtij viti, përcjell KultPlus.

“Eshtë zyrtare! Premiera e Friends do të jepet në 27 maj në HBO Max. A mund të jemi më të emocinuar se kaq?”, shkroi Jennifer Aniston në llogarinë e saj të Instagram-it.

Deri më tani dihet se Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt Le Blanc, Lisa Kudroë, David Schwimmer dhe Matthew Perry, nuk do të luajnë bazuar mbi një skenar apo karakteret që jemi mësuar t’i shohim përgjatë viteve. / KultPlus.com

Pas 19 vitesh transmetim, Ellen DeGeneres njofton fundin e emisionit të saj

Ellen DeGeneres bëri të ditur për Hollywood Reporter se po planifikon t’i jap fund emisionit të saj tejet të famshëm, ”The Ellen Tv Show”, përcjell KultPlus.

Ellen poashtu ka treguar se emisionin pritet ta përfundojë në vitin 2022.

“Kur je një person kreativ, duhet të sfidohesh vazhdimisht – dhe aq sa e mrekullueshme është kjo shfaqje, aq argëtuese është, por nuk është më një sfidë. Kur realizuam emisionin e 3000, të gjithë u emocionuam. Përqafuam njëri-tjetrin me lot në sy, por ka ardhur koha, edhe pse do të jetë e vështirë”, tha DeGeneres në një intervistë të publikuar të mërkurën.

DeGeneres tha gjithashtu se po mendon për hapat e saj të ardhshëm profesional.

“Unë kam disa ide, por agjenti im thotë: ‘Pse thjesht nuk rri ulur për një minutë? Kaq shumë sa je rraskapitur ti, s’e di se çfarë do të thotë të rrish ulur.’ Dhe nuk e di se për sa kohë do të jem në gjendje ta bëj atë, sepse tani jam si një Ferrari. Unë kam vazhdimisht nevojë për të ecur përpara”, kishe theksuar tutje DeGeneres. / KultPlus.com

‘Unë nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje…’

Nga Migjeni

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?

E gjuha ne vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).

Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.

Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht. / KultPlus.com

Osmani për Bogujevcin: Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevcit.

“Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore. Ismet Bogujevci është artisti i këngës që një jetë të tërë ia kushtoi jetës skenike muzikore. Me Ansamblin “Shota”, ai afirmoi traditën dhe kulturën tonë muzikore, ndaj me të drejtë bart titullin e doajenit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, brezave do t`u mbetet trashëgim një fond i pasur i muzikës së mirëfilltë shqipe të interpretuar nga Ismet Bogujevci.

“Në këtë opus interpretues të Ismet Bogujevcit, gjurmë të pashlyeshme do të lë interpretimi maestral i këngës “Kur ma falë një tufë gërshetë”, në duet me Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Muzika ishte jeta për të, ndaj ikja do të lë një zbrazëtirë në skenën muzikore të Kosovës. U dëgjoftë përherë zëri i Ismet Bogujevcit”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani. / KultPlus.com

Itinerari i ceremonisë komemorative për Ismet Bogujevcin

Sot, më 13 maj 2021, ka ndërruar jetë figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë një ceremoni komemorative nesër më datë 14 maj 2021.

Itinerari për ditën e nesërme është si në vijim:

11:00 – 11:15 | Parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar;

11:30 – 14:00 | Ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti;

Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Ndërkaq, në komunikatën për media, kërkohet që të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë masat kundër pandemisë COVID. / KultPlus.com

‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’

Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.

Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët mysliman , shumë klerik kanë uruar për festën e Bajramit, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. / KultPlus.com

Hidhen në ankand flokët e Kurt Cobain, të prera në vitin 1989

Kitara e Eric Clapton, Eddie Van Helen dhe Aerosmith-it, kujtimet e nënshkruara nga grupi ”The Beatles” dhe disa fije të flokëve të artistit të madh Kurt Cobain, janë vetëm disa nga gjërat që do të shiten në një ankand online të muzikës Rock, përcjell KultPlus.

Gjashtë fije floku të ikonës së rokut, vokalistiti të “Nirvanas”, do të jenë pjesë e ankandit, e po ashtu një kitarë e rrallë e grupit e cila është e nënshkruar.

Flokët e Cobain-it të cilat ishin prerë nga një shok i tij në vitin 1989, do të shiten duke nisur nga një ofertë minimale prej 2.500 dollarësh.

Një kitarë të cilën Cobain e kishte përdorur gjatë një paraqitjeje “Unplugged” për MTV-në, ishte shitur më parë për 6 milionë dollarë.

Ndërkaq, ankandi do të mbyllet të shtunën, më 15 maj, derisa një pjesë e të ardhurave që do të sjellë ai, do t’i ndahen një fondi që ndihmon muzikën. / KultPlus.com

Tina Turner dhe Jay-Z në panteonin amerikan të muzikës

Këngëtarja Tina Turner dhe reperi Jay-Z u zgjodhën në Rock & Roll Hall of Fame, panteoni amerikan i muzikës rock dhe folk në përgjithësi, së bashku me grupin gjerman Kraftwerk, njoftoi sot institucioni, transmeton KultPlus.

Rock and Roll Hall of Fame nuk u rezervua kurrë vetëm për rock dhe u hap, që nga promovimi i tij i parë në 1986, në zhanre të tjera muzikore, soul, blues, R&B, folk, country, pastaj rap.

Këngëtarja 81-vjeçare, Tina Turner tashmë kishte hyrë në panteon në 1991, si anëtare e dyshes Ike & Tina Turner.

Këtë herë ajo u emërua si një artiste solo në mes të viteve 1980 në një regjistër më pop, që i dha asaj sukses në të gjithë botën.

Për sa i përket Jay-Z, reperi dhe producenti i Brooklyn tashmë ka mbledhur 23 Grammy Aëards, çmime për industrinë e muzikës amerikane.

Ai është një nga artistët e paktë që ka kaluar disa epoka të repit dhe ende konsiderohet, në moshën 51-vjeçare, të jetë i rëndësishëm. / KultPlus.com

‘Brit Awards’, dëshmi se muzika pop mund të ketë sukses, cilësi e laramani

Industria përnjohu mega-yjet, por nuk shpërbleu vetëm suksesin komercial, dhe më në fund po ushqen më shumë sesa një grusht të vogël artistësh

Ju mund t’i shihni, nëse keni këtë prirje, fituesit e sivjetmë të “Brit” si kundërpërgjigje ndaj atyre të vjetshmëve. Pabarazia gjinore në nominimet e 2020-s – në kategoritë me gjini të përzier, një artiste britanike mori një përzgjedhje – pati lënë në hije vetë ngjarjen: “në frymën e qëndrueshmërisë, ‘Brits’ po riciklojnë çdo lloj arsyetimi për atë pse ishin kaq pak femra të nominuara”, kishte thënë komediani Jack Whitehall, jo në një show televiziv, por në mes të ndarjes së çmimeve.

Por këtë vit, në një ceremoni që ashiqare përpiqej t’ia dilte mbanë me kufizimet e COVIDIT – një audiencë me punëtorë kyç, të shënjuar me ulëse të zbrazëta, që dukej të ishte me milje larg nga veprimi; shikimi i çuditshëm i njerëzve që morën çmime e që qëndronin dy metra larg shoqi-shoit, a thua se kishin përplasje të furishme pak para ardhjes në skenë – gjashtë nga shtatë fituesit në kategoritë me gjini të përziera ishin femra: vetëm çmimi i vetëm për Harry Stylesin e këngën e tij “Watermelon Sugar” e theu trendin. Me siguri që dikush është duke e bërë një tweet gjithë inat për plotësimin e formularëve, por edhe nëse është kështu, ata nuk duket t’u kenë kushtuar vëmendjeve tabelave gjatë vitit të kaluar. “Brits” ekzistojnë për të vlerësuar suksesin – ju mund të nominoheni për shumicën e çmimeve vetëm nëse keni një album në krye të tabelave apo edhe një single – dhe kështu kjo ndreqje është më shumë një reflektim mbi cilësinë e artisteve që ia dolën mbanë vitin e kaluar.

Ju mund të keni parashikuar që Dua Lipa do të përfundonte me albumin britanik dhe çmimet si solo artiste para se ajo të dilte në skenë me një kostum me flamur të Unionit që dukej t’i afrohej stilit të “Spice Girls” gjatë performancës në “Brit Awards” më 1997: albumi i saj “Future Nostalgia” që u shit në përmasa transatlantike që u ngjit në vendin e parë në 15 shtete dhe që hëpërhë po e shijon javën e vet të 58-të në tabelat e albumeve në Britani, dhe kjo ndjesi e suksesit ndërbreznor të popit me siguri do t’i ketë sjellë asaj vota. Por fitorja e saj u vulos nga cilësia e materialit: një përzierje e zgjuar e discos dhe popit që mban ndikimin e Princeit.

Edhe artistja fituese Arlo Parks tregoi që kur vjen puna te fitorja, ju duhet të keni më shumë sesa veç shitje – ajo mposhti plot të tjerë më të suksesshëm komercialisht falë albumit të saj debutues “Collapsed in Sunbeams”, që bashkoi kritikët dhe adhuruesit e pasionuar me tonin lirik të panxituar e bisedimor dhe rigdhendjen e shpirtit klasik. Nga rapperët e nominuar britanikë, AJ Tracey dhe Headie One kanë pasur singleat më të mëdhenj, por J. Hus fitoi me albumin e tij të dytë “Big Conspiracy”: edhe më i theksueshëm e më introspektiv sesa debutimi i tij “Common Sense”.

Taylor Swift fitoi namin e një ikone që nuk pushon së marri çmime globale, dhe këtë më meritë e jo vetëm pse incizoi dy albume fort të suksesshme derisa ishte në izolim. Përgjigjja e saj bullizuese ndaj një fesati sa i përket pronësisë së mjeshtërve të gjashtë albumeve të saj të para ishte një fitore e madhe mediatike që luante mbi simpatinë e kahershme publike për artistë që manipuloheshin prej një industrie moskokëçarëse muzikore: një lëvizje fort mbresëlënëse shahu që, me albumin e saj të riincizuar, “Fearless”, fitoi një tjetër vend të parë.

Edhe megayjet mbresuan për të mirë në kategoritë ndërkombëtare si Weeknd e Billie Eilish. Por sërish, voltazhi prej yjesh nuk ishte i vetmi faktor: mes tyre ata realizuan muzikë që ngriti rekorde të larta për introversionin dhe ekstroversionin në pop.

Siç mund të prisni për një ceremoni çmimesh të paktën pjesërisht të parashikuar, është një reflektim krejt i qashtër mbi atë se ku po qëndron hëpërhë industria e popit. Ndryshimi në pabarazinë gjinore thotë që industria më në fund mund të bëjë përpjekje për të ushqyer artiste të reja./koha/ KultPlus.com

MKRS: Ismet Bogujevci, një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet tona të kulturës

Sot ka ndërruar jetë njëri nga personalitetet më të shquara të muzikës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, shkruan KultPlus.

Miqë, kolegë e dashamirë të shumtë shprehen ngushëllimet e tyre. Ndërkaq, me një komunikatë për media, edhe MKRS përmes një komunikatë shprehi ngushëllimet për humbjen e Bogujevcit.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të MKRS-së.

Ndërroi jetë Ismet Bogujevci, personaliteti i shquar i këngës popullore dhe i gjithë folklorit tonë kombëtar.

Ministri Hajrulla Çeku në emër të të gjithë Ministrisë ngushëllon thellësisht familjen e të ndjerit. Një figurë e veçantë që e promovoi kulturën tonë në shumë forma duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për dekada të tëra.

Ai ishte një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet tona të kulturës së fundmi edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kontributi i tij në muzikën popullore, duke filluar nga kënga ikonike ‘Martesa jonë’ deri te interpretimi i këngëve popullore të trevave shqiptare, ka qenë i jashtëzakonshëm në ruajtjen e ngjyrës origjinale të këngës shqipe.

Aktiviteti i tij artistik, ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë. Ishte viti 1972 kur ai hyri furishëm si këngëtar por dhe si aktor meqë shoqëria ‘Josip Rela’ kishte shtrirje në dy fusha permanente – muzikë dhe aktivitete teatrore – dramatike. “Halili dhe Hajria” në rolin e Qatipit, është kjo dramë e njohur, në të cilën Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës.

Bogujevci ka vazhduar aktivitetin e tij artistik në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ ndër vite në Prishtinë dhe rajonin ballkanik. Nga viti 2000, ai punoi si solist këngëtar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ ndërsa, nga viti 2012 – 2013 ishte UD Drejtor i Ansamblit, periudhë përgjatë së cilës ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh përfshirë çmimim ‘Mikrofoni i Artë’.

Disa prej këngëve që u bënë himn për skenën muzikore janë:“Kur ta fala një tufë gërshetë” e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, këngë që ishte shpërblyer me vendin e parë dhe që ka mbetur e përhershme për veshët muzikor.

“Martesa jonë” është kënga e cila u bë vjershërim dhe adresë për të rinjët e martuar dhe të pa martuar.

“O moj bukuroshe”

“Ke selvite e namazgjasë”

“Tefik Canga”

Bajram Curr o Bajram Curr” dhe shumë të tjera.
Kosova do ta kujtoj Ismet Bogujevcin për veprimtarinë e tij të lartë muzikore dhe do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike që e ka lënë si thesar për kombin tonë.
/ KultPlus.com

Durrësi që po harrohet në ekspozitën e piktores Emjona Stasi

Nga Gëzim Kabashi

103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.

Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj.

Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.

Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë.

55 punimet-miniaturë në gjininë e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.

Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së identitetit të qytetit.

Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.

Emjona Stasi, një piktore në profesion të lirë

“Të paktën kështu e ndjej vehten që kur kam dalë në pension – thotë artistja në një intervistë.

“Jam me fat që kam një profesion të tillë. Tani më pëlqen të punoj çdo ditë dhe kam mbështetjen e bashkëshortit tim, inxhinjer ndërtimi. Xhoxhi e kupton lehtë punën time dhe gëzon njëlloj me mua për një tablo të bukur-vijon piktorja Emjona Stasi, e cila ditët e fundit ka hapur ekspozitën e saj të gjashte personale.

Emjona ka përfunduar studimet për Grafikë, dhe megjithëse e ka zgjedhur vetë degën, shprehet se në tablotë e saj ka mbetur shumë pak nga pasioni i parë.

“Ja, thuajse në asnjë punë unë nuk përdor ngjyrën e grafistëve, të zezën – thotë ajo duke u drejtuar nga tablotë. “Më pëlqen peisazhi, pasi jam romantike; por ndjehem mirë edhe me natyrën e qetë, ndërsa duhet të provoj më shumë kompozimin – thotë piktorja, e cila ka paraqitur në ekspozitën e fundit në Durrës 77 tablo të përmasave të vogla e të mesme, pjesa më e madhe punime të viteve të fundit.

Emjona ka lindur në Elbasan, por duke qeshur thotë: “nuk e di se nga jam”.

I jati oficer në atë kohë ka lëvizur bashkë me familjen, deri sa janë vendosur në Durrës. Një edukatore kopështi në Elbasan i ka këshilluar prindët që ta çojnë vajzën e vogël në Lice.

“Dega e pikturës në shkollën e mesme “Jordan Misja” fillonte vetëm në ciklin e mesëm, por fjalët e edukatores mu ngulitën – shprehet sinqerisht Emjona, e cila nisi ti shohë ndryshe lodrat me plastelinë apo vizatimet e para. Më vonë Sul Sulovari në Elbasan e Agim Shami në Durrës do të drejtojnë pasionin e vajzës së re drejt pikturës.

Mësuesja e artistëve të rinj

Në një qoshe të galerisë “Nikolet Vasia” një mësues i ri bisedon me nxënësit-piktorë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mbi karakteristikat piktorike të autores Stasi.

Piktorja vlerëson mësuesit e pasionuar, si dhe nxënësit që mbajnë në duar dosjet e vizatimeve edhe jashtë shkollës.

“Megjithatë, më duket se kanë mbetur pak -shton ajo, duke kujtuar kohën kur në degën e sapohapur të arteve figurative në shkollën artistike të Durrësit gjeti disa nga piktorët më të mirë të qytetit.

“Do të punoja si mësuese shumë vite përkrah piktorëve Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia e Gavril Priftuli – thotë Emjona, e cila deri në vitin 1984 kishte dhënë lëndën e vizatimit në shkollat 8-vjeçare.

Emjona Stasi ka dalë në pension thuajse 7 vjet më parë, por askush nga ata që e sheh nuk e beson këtë.

Elegante në lëvizje, mjaft e qetë dhe e sigurtë në punën e saj, ajo e ka marrë njoftimin e pensionit, ndërsa përgatiste një nga ekspozitat e saj.

“Më erdhi keq, pasi ishte janar dhe i ndërpreva leksionet me nxënësit në mesin e vitit shkollor, por me sa duket këto janë regullat – nënvizon piktorja, duke kujtuar se kolegët kanë ardhur ta urojnë për pensionin në galerinë ku u hap ekspozita.

Ekspozita nga atdheu deri në SHBA

Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Buron Kaceli janë piktorët e parapëlqyer të Emjona Stasit, pa harruar Lumturi Blloshmin, piktoren inteligjente, siç e quan ajo. E më pas edhe zonja të tjera të skulpturës si Mira Kuçuku apo Llambrini Dënaj.

Por Emjona vetë ka vendosur shumë vonë të hapë një ekspozitë personale.

Që nga viti 1977 ajo ka marrë pjesë thuajse në 50 ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA.

“Është një mundësi për tu njohur dhe ballafaquar me kolegët, të cilët sjellin shumëllojshmëri stilesh – thotë Emjona, duke kujtuar edhe përvojat në kolonitë artistike, të organizuara në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj, janë eksperiance shumë të mira, por organizatorët nuk duhet të abuzojnë dhe ta quajnë një mundësi tregu – shton ajo.

Emjonës nuk i pëlqen që të marrë diçka që nuk e meriton. Ajo ka refuzuar çdo ndërhyrje që mund ti jepte një çmim të lartë në konkurset e organizuara, duke iu gëzuar vetëm vlerësimeve të sinqerta. Në këtë pikë ajo ndjen se artistët duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në opinionet për krijimtarinë e njeri – tjetrit.

“Kjo do të na ndihmonte të gjithëve – shprehet çiltazi piktorja. Më pëlqen të kem një përvojë të tillë në SHBA, atje ku kam pasur rast të hap edhe një ekspozitë me 25 punime.

“Ishte e thjeshtë, aplikova në një bibliotekë – librari dhe fitova të drejtën që përveç pjesmarrjes në ekspozita grupi të hap edhe një personale, me punët e përgatitura gjatë qëndrimit atje-kujton Emjona.

Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Mësuese dhe studente

Ndërsa në galeri vizitorët ia lenë vendin njeri-tjetrit, bisedojmë së bashku për hapat e parë në pikturë, për nxënësit e saj, por edhe për vendimet e marra vetëm me një fjali, përballë pedagogëve të saj në Lice dhe Institutin e Arteve, të cilët Emjona vazhdon ti quajë “profesorë”, si në shkollë.

“Për të hapur një ekspozitë nuk duhet vetëm aftësi, por edhe një çikë inat” i ka thënë Emjonës 10 vjet më parë Thoma Thomai. Profesori i skulpturës u bë shkak për ekspozitën e parë të saj, e cila u hap në galerinë private “Jozef”.

Megjithëse e konsideron vehten “natyrë të tërhequr”, artistja nga Durrësi i ka marrë vendimet për jetën me një fjali. Kështu e ka bindur pedagogen e skulptures Valentina Balli në Lice për pasionin që kishte për pikturën, e po kështu me fjalët “dua ta meritoj shkollën e lartë” i është drejtuar prof. Naxhi Bakallit para se të hynte në Institutin e Lartëtë Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Të njejtën gjë ka bërë edhe kur ka parapëlqyer Durrësin, në vend të kryeqytetit menjëherë pas studimeve të larta.

Ja se si shkruan për të Suzana Varvarica Kuka, studiuese e artit:

“Emjona Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe; adhurimin për ngjyrat, dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillim shëk. XX, gjë e cila më jep entuziasmin ta quaj “Mio-niana e Durrësit”. / KultPlus.com

‘Mbretëresha pa kurorë’, nga Marigona Bekteshi përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Turqi

Shfaqja ‘Mbretëresha pa kurorë” e regjisores Marigona Bekteshi Ferati, do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit që mbahet në Bursa të Turqisë, përcjell KultPlus.

”Bursa International Theater Festival” është një ndër festivalet më të mëdha në Evropë, ku çdo vit zgjedhen 5 deri në 10 shfaqje teatrale, të cilat përfaqësojnë shtetet e tyre.

Tashmë, zyrtarisht është bërë e ditur që këtë vit Kosovën do ta përfaqësoj regjisorja Bekteshi Ferati, me shfaqjen ”Mbretëresha pa kurorë”, shfaqje kjo e cila është dhënë premierë në muajin nëntor, të vitit të kaluar.

Regjisorja është shprehur mjaft e lumtur që do të përfaqësojë Kosovën në një festival prestigjioz dhe se ndihet e nderuar që është zgjedhur pikërisht kjo shfaqje teatrale që i kushtohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosoovë.

”Kam punuar me shumë përkushtim, veçanërisht që një shfaqje e tillë jo vetëm që bëhet në Kosovë, por për herë të parë edhe në botë, ku rrëfimet e të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës, paraqiten në teatër para publikut. Ishte një proces sfidues, sepse rrëfimet e të mbijetuarave janë dhënë ekskluzivisht për realizimin e shfaqjes dhe kam ndjerë një përgjegjësi të madhe, por, ia dolëm dhe tani do t’ia tregojmë edhe botës të vërtetën sepse arti është e vetmja formë përmes së cilës deportohet aty kur nuk deporton as politika e as gjykata”, ka theksuar regjisorja. / KultPlus.com