Një turist rrezikoi jetën e tij kur panelet prej xhami të një ure të lartë 100 metra në Kinë u dëmtuan nga era e fortë. Ura me panele xhami është ndërtuar në malin Piyan në qytetin kinez të Longjing.
Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë turistin teksa mundohet të mbahet në parmakët e urës së shkatërruar nga era që arrinte një shpejtësi më shumë se 140 kilometra në orë.
Sipas Straits Times, një grup i emergjencës i erdhi menjëherë në ndihmë të riut pas ngjarjes duke e shpëtuar atë. Ai u dërgua më pas te një psikolog për shkak të traumës së pësuar.
Ura, e cila është kthyer në një atraksion turistik në Kinë, u mbyll menjëherë pas kësaj ngjarje./ KultPlus.com
Kisha e Shëlbuemit në Selitë të Mirditës, e cila është ndërtuar rreth viteve 1830 është rikthyer në identitet dhe pritet të hapë dyert për besimtarët e krishterë pikërisht në ditën e festës së Shëlbuemit në 13 maj.
Shteti Shqiptar dhe Bashkia Mirditë prej 7 dekadash e kishin lënë në harresë këtë objekt kulti me vlera të rralla historike të trashëgimisë kulturore, teksa pas shembjes nga regjimi komunist, kishës i kishin mbetur themelet dhe pak mure anësore.
Kjo nuk i pengoi banorët e fshatrave të Selitës që edhe përgjatë diktaturës të shkonin në kishë për të kryer ritet fetare si të parët e tyre, teksa pas demokracisë u rikthyen ritualet fetare, tashmë në liri.
Në një kohë kur shteti dhe institucionet heshtën për vite me radhë, për të rikthyer këtë objekt kulti në identitet mendoi familja e Nikoll Bushkolës, i cili së bashku me djalin e tij Agustinin dhe vëllezërit e tjerë vendosën që me një pjesë të kursimeve të fituara në emigracion të rindërtonin këtë kishë.
Punëtorët që morën përsipër ndërtimin e kishës veç banorëve të zonës, janë edhe banorë të besimit mysliman të Dibrës e Matit, të njohur për bashkëjetesën në harmoni me vëllezërit e tyre mirditorë dhe mjeshtëra të punimit të gurit.
Objekti i rindërtuar do hapë dyert për besimtarët katolikë nga mbarë Mirdita e Shqipëria./ Tirananews/ KultPlus.com
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po vazhdon të jetë e pakënaqur me moszgjatjen e orarit të punës e moslehtësimin e masave Anti-COVID.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka paralajmëruar protesta të ashpra.
Krejt kjo sipas një pronocimi të tij për EO, nëse institucionet nuk i konsultojnë për masat e reja, që siç thotë ai duhet të merren shumë shpejt për lirimin e sektorit të gastronomisë, transmeton KultPlus.
I pari i gastronomëve ka kujtuar se kanë mbajtur tri protesta, duke shtuar se nuk do t’i nënshtrohen as asnjë qeverie. / KultPlus.com
Gjyshërit e Rita Ora dhe Dua Lipa mund të shihen duke shijuar një pije në Kosovë në vitet 1960 me një imazh që po qarkullon në rrjete sociale.
Të njëjtën e ka postuar Dukagjin Lipa, derisa gjyshi i Ritës, Besim Sahatçiu, një regjisor filmi dhe gjyshi i Duas, Seit Lita, një historian dhe intelektual, ulen së bashku duke pirë, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.
Yjet e muzikës pop, përkatësisht me moshën 30 dhe 25 vjeç, janë të dyja me origjinë shqiptare.
Fansat duke bërë krahasime mes tyre, u mahnitën me ngjashmëritë që ato kanë me gjyshërit e tyre.
“Babai im, Seit Lipa dhe z. Besim Sahatçiu. Gjyshërit e Dua Lipës dhe Rita Orës duke pirë një pije në qytetin e viteve 1960 në Pejë”, ka shkruar tutje Lipa.
Besim, i cili vdiq në vitin 2005, ishte shumë i respektuar në fushën e tij dhe në 2018, Ministria e Kulturës e nderoi pas vdekjes me një Çmim për Arritjet e Jetës për Kinematografi. Atë vit, një rrugë në qytetin e Prishtinës u emërua pas tij.
Seit në anën tjetër ndërroi jetë në vitin 1999 dhe ishte i njohur në fushën e tij, duke vepruar si udhëheqës i Institutit Kosovar të Historisë nga 1990 deri në 1995.
Rita lindi në Prishtinë, nga prindër shqiptarë. Nëna e saj, Vera, psikiatre dhe babai i saj, Besnik Sahatçiu, është një pronar pubi, i cili ka studiuar ekonomi.
Dua ka lindur në Londër dhe është fëmija i madh i prindërve shqiptarë të Kosovës. Nga ana e gjyshes së saj nga nëna, ajo është me origjinë boshnjake./telegrafi/ KultPlus.com
Reperi dhe producenti i njohur, J. Cole, do ta lansojë një dokumentar të ri të titulluar, “Applying Pressure: The Off-Season Documentary”. Lajmin e ka bërë të ditur vet artisti përmes rrjeteve sociale.
J. Cole po ashtu pritet ta publikojë albumin e ri muzikor, “The Off-Season”, të premten më 14 maj. Ky incizim i shumëpritur nga fansat, vjen pas albumit të vitit 2018, “KOD”.
Cole e bëri të ditur lajmin e lansimit të shpejtë të dokumentarit përmes rrjeteve sociale.
“Applying Pressure: The Off-Season Documentary, lansohet të hënën më 10 maj”, ka shkruar reperi në postimin e tij.
Dhe siç nënkupton titulli i tij, ky projekt do të sjellë pamje nga prapaskenat e realizimit të albumit të ri të reperit.
Javën e kaluar, J. Cole e lansoi këngën e re të titulluar “Interlude”. Në kohën e publikimit të këtij projekti, reperi u tha fansave se fillimisht kishte planifikuar ta ndajë me ta komplet albumin në të njëjtën kohë.
Por siç duket reperi, emri i vërtetë i së cili është Jermaine Lamarr Cole, ka ndërruar mendje dhe ka vendosur ta shënojë këtë incizim të ri, me lansimin e një kënge dhe një dokumentari. /koha/ KultPlus.com
Natyra shqiptare i ka të gjitha që nga deti deri në majat e larta të maleve, mes plazheve përallore dhe luginave e liqeneve fantastike të cilat duhen zbuluar e shijuar patjetër.
Mes tyre është edhe “Liqeni i Zi”, një mrekulli natyrore “e fshehur” në Radomirë të Dibrës. Vetëm një orë larg qytetit të Peshkopisë, dhe 20 minuta lrag hyrjes portës së Malit të Korabit, mbi fshatin Tezë.
E mrekullueshme dhe rruga për atje, mes gjelbërimit dhe natyrës së virgjër dhe pishave alpine.
Me të mbërritur në fshatin Tezë mund të provosh dhe prodhimet bio të zonës që nga djathi i baxhove në këmbët e Korabit.
Pavarësisht rrugës pak të vështirë me pak përpjekje ja arrin të dalësh fitimtar dhe gjendesh përballë një mrekullie. Liqeni i rrethuar totalisht me pisha të larta, të jep ndjesi qetësie dhe një ndjesie sikur jeton në një tjetër realitet. Ndodhesh 2200 metër mbi nivelin e detit, afër një liqeni akullnajor ku dimrit ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve akullnajorë.
Ky liqen, sipas Samet Zagradit, ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore. Shkurt, qartë dhe bukur ai është vendi ideal për të bërë piknik duke qenë sa më afër se kurrë me natyrën. Bimësia rreth tij është kaq e larmishme dhe e dendur duke pasuruar ekologjikisht këtë vend përrallor.
Destinacionin më pas mund ta vazhdosh drejt Majës së Korabit ku ngjitesh për rreth katër orë. /dsh/ KultPlus.com
Këto ditë, botuesi amerikan “Jalifat Pulishing” nga Houstoni, nxori nga shtypi librin historiografik “MACEDONIA – FROM ANTIQUITY TO OUR TIME”,të përkthyer nga Avni Spahiu. Libri ka 677 faqe. Botuesi amerikan parasheh promovimin e librit në disa qytete të SHBA-ve (Çikago, Detroit, Nju Jork, Dallas e Boston). Ndërsa,nga mesi i qershorit, libri do të promovohet në Shkup, Tetovë dhe qytetet tjera shqiptare në Maqedoni. Krahas Kosovës dhe Shqipërisë, libri do të promovohet edhe në Turqi dhe disa qendra të tjera evropiane.
Botuesi amerikan vlerëson se përkthimi i këtij libri në anglisht si dhe plasimi i tij në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, siç ka ndodhur edhe me “Kosovën” në tri vëllime, është me interes të veçantë, ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët dhe të përjashtuar nga historiografia institucionale shqiptare, siç përhapë edhe të vërtetën se në shtetin e sotëm të quajtur Maqedoni e Veriut, të shtrirë në pjesën më të madhe të Dardanisë antike dhe më vonë në vilajetin e Kosovës, ndërlidhet identiteti historik, etnik, shpirtëror, kulturor dhe politik i shqiptarëve nga lashtësia i mohuar nga historiografia hegjemoniste serbe, ruse, bullgare dhe ajo e sajuara “maqedone” me ç’rast ata paraqiten “ardhacakë”, “pushtues”, “zullumqarë” të ardhur në këto hapësira nga shekulli XVII e këndej me ndihmën e osmanëve!
Mbi këto platforma, nga Kriza Lindore e këtej, janë ndërtuar edhe hartat e reja të shteteve në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku hapësira etnike dhe ajo shpirtërore-kulturore e shqiptarëve është copëtuar nga shtetet fqinje (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia), me ç’rast janë bërë edhe përpjekje të vazhdueshme që ata me luftëra dhe gjenocide të përjashtohen prej saj, siç ka ndodhë në vitin 1878, 1912, 1944 për të vazhduar edhe me konventat me Turqinë për shpërnguljen e tyre në vitin 1938 dhe 1953.
Prandaj, i konceptuar mbi këta faktorë dhe i mbështetur mbi fakte të qëndrueshme historike, libri përhapë të vërtetën për vendin dhe rolin e shqiptarëve në këtë shtet të krijuar politikisht në vitin 1944 (fillimisht si pjesë e federatës jugosllave në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943) dhe në vitin 1991, me ç’rast ata do të diskriminohen qoftë si pakicë kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, qoftë me statusin e qytetarisë “me të drejta njerëzore” në rrethanat e shpalljes së Maqedonisë shtet-komb.
Duke elaboruar edhe zhvillimet më të reja nga shpallja e shtetit të Maqedonisë në vitin 1991, krahas kritikës që u bëhet politikave hegjemoniste veçmas asaj serbe dhe jugosllave, autori, me sy kritik, vlerëson edhe rolin e faktorit politik shqiptar nga viti 1991 e këndej, ngaqë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë pozicionin e referendumit të vitit 1992 për statusin e popullit shtetformues mbi konceptin e një shteti federal-konfederal të dy popujve të barabartë (shqiptarë dhe maqedonas), dhe po ashtu, edhe luftën e UÇK-së të vitit 2001, të filluar me kërkesën për shtet federativ (shqiptar-maqedon), brenda një kohe do ta ndryshojnë me atë të “shtetit qytetarë” të të drejtave demokratike! Kjo do të pasqyrohet më së miri me Marrëveshjen e Ohrit, ku klasa politike “me meritat e luftës”, që do të vijë në pushtet, nuk do të bëjë tjetër, që për përfitime personale dhe klanore, do të shndërrohet në një vasale të politikës maqedonase, e cila faktorin shqiptar do ta shfrytëzojë për qëllimet e njohura shtetmëdha duke degraduar statusin e saj në atë të pakicës kombëtate. / KultPlus.com
Shfaqja ‘’La Rrem’’ vjen sonte në orën 19:30 në Teatrin Kombëtar, një shfaqje requeim për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena, shkruan KultPlus.
La Rrém është artisti antikonformist, jokonvencional, bohemi e dashnori i veçantë. “La Rrém” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues.
Drama muzikore përfshin aktorë si: Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Armend Baloku, Bujar Ahmeti dhe Flaka Latifi.
Ndërkaq, reprizat e shfaqjes vijnë me datë: 11,12 dhe 14 maj. / KultPlus.com
Festa e luleve në Shqipëri – Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj të luleve Kastriotit, heroit kombëtar; çdo vit në fillim të Bajramit, ato ngjiten në tarracën e shtëpive dhe hedhin një mori lulesh në drejtim të tokës dhe Lindjes.
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2021
Revista franceze “Mon bonheur” ka botuar,me 10 korrik 1910, një shkrim në lidhje me “festën e luleve” në Shqipëri për nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Për nder të një heroi kombëtar
Festa e Luleve në Shqipëri
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Festa e Luleve, për nder të Skënderbeut, zhvillohet në fillim të Bajramit, d.m.th. Pashkëve myslimane. Ka këtë karakter të veçantë, e festuar nga shqiptarët, të cilët janë muhamedanë (myslimanë) dhe të lidhur me Turqinë, për të festuar kujtimin dhe bëmat e heroit të madh kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve.
Një natë para Festës së Luleve, burrat e Shqipërisë, të gjithë luftëtarë, mblidhen së bashku dhe pleqtë u tregojnë të rinjve historinë e Skënderbeut, e cila është përcjellë nga brezi në brez.
Emri i vërtetë i heroit është Aleksandër Gergj Kastrioti. Babai i tij ishte një nga zotërit epirotë të cilët u nënshtruan nga Sulltan Amurati II ose Murati II; dhe ai u detyrua t’ia dorëzonte të birin pushtuesit si një premtim të besnikërisë së tij. Kastrioti u rrit në fenë myslimane, në oborrin e Muratit. Trimëria e tij dhe gjeniu i hershëm ushtarak e mahnitën Sulltanin, aq sa ai ia besoi, kur ishte vetëm njëzet vjeç, një ushtri të fuqishme për të shkuar dhe pushtuar Serbinë. Ishte rreth vitit 1424. Por papritmas babai i tij vdiq. Dhe, me nxitjen e shqiptarëve, Kastrioti braktisi turqit dhe u kthye për ta vendosur veten në krye të shqiptarëve; Në fillim ai kishte vetëm treqind ushtarë.
Një rapsodi shumë e vjetër tregon se si ai shpiku një mënyrë për të marrë Krujën, kryeqytetin e Shqipërisë, të mbajtur nga turqit. Të gjitha shtëpitë, gjatë Festës së Luleve, kumbojnë me këto tinguj heroikë.
“Djali i ri dhe i lavdishëm i Shqipërisë hyn me guxim te sekretari i tiranit.
— Çfarë dëshiron, Skënderbe i lavdishëm? thërret shërbëtori i Muratit.
— Më thërrit Kastriot shqiptari! tha i riu me krenari. Tani e tutje nuk do të kem tjetër titull dhe emër.
— Mos vallë je i dehur për herë të parë?
— Jam i dehur nga hakmarrja, dhe kam etje për liri!
— Ti je më shumë se i dehur : ti je i çmendur!
— Ulu qetësisht para tavolinës, sekretar me mendje të rëndë. Shkruaj një urdhër për guvernatorin e Krujës dhe rekomandoji atij të dorëzojë kryeqytetin e Shqipërisë në duart e mia përndryshe do të dënohet me vdekje.
— Kurrë!
— Po, menjëherë. Ja!ky është tehu i shpatës sime kundër fytit tënd.A e ndjen të ftohtin vdekjeprurës?A e di se kjo shpatë nuk heziton kurrë?Shkruaj! Shkruaj urdhrin.
Tani, me urdhrin e shkruar, Kastrioti rend me galop drejt Krujës së shtrenjtë, qytetit, nënës dhe atdheut të tij.
— Hej! guvernator! A di të lexosh?”
Në mbrëmje, Kastrioti dhe treqind shqiptarë kishin shfarosur garnizonin turk.
Kjo ndodhi në 1443. Ali Pasha erdhi, me një ushtri prej dyzet mijë burrash, për të rimarrë qytetin; pothuajse të gjithë turqit u masakruan. Disa herë vetë Sulltani e rrethoi Krujën; dhe gjithmonë Kastrioti asgjësoi ushtritë e tij. Kastrioti vdiq në 1467 dhe Shqipëria u rikthye në një anarki e cila përsëri ishte fatale për lirinë e saj.
Pasi luftëtarët kanë kaluar natën duke kënduar lavdinë e heroit kombëtar, gratë në agim ngjiten në tarracat e shtëpive. Ato mbajnë në duar shporta plot lule dhe simbolikisht i hedhin ato, si drejt tokës ashtu edhe drejt Lindjes.
Midis këngëve antike, të cilat ekzistojnë me bollëk në Shqipëri dhe Maqedoni, ka një që shpjegon këtë simbolikë poetike.
Gratë këndojnë, duke hedhur lule :
“Ti ishe i ri si trëndafilat dhe i bukur si agimi, o hero, kur ti u shfaqe fitimtar para vajzave dhe nënave të Shqipërisë, ti ishe i sinqertë si vesa dhe i fuqishëm si dielli që lind.
Ti ndriçove natën ku gjithçka ishte zhytur.Djepet dridheshin nga gëzimi, fëmijët e vegjël belbëzonin këngët e çlirimit, varret dridheshin nga shpresa.
Sot djepet gjallërojnë dhe varret janë përgjithmonë në gjumë, lule, bieni butësisht në zemrën e Shqipërisë, në zemrën e heroit!”
Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj të luleve Kastriotit. Lule vërtet bien, por ato thahen dhe, sa herë që popujt e tjerë ballkanikë ngrihen kundër turqve, shqiptarët do të radhiten përkrah shtypësit.
Megjithatë një pasardhës i princërve të Shqipërisë po formon, atje, disa komitete sekrete për një rilindje kombëtare. A do të ketë sukses? Lulet bien dhe ato thahen.
Ylli amerikan i muzikës do të nderohet me çmimin special “Ikonë Globale”, në edcionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “BRIT Awards 2021”.
Ngjarja e njohur muzikore do të mbahet në arenën “O2” të Londrës, të marten më 11 maj dhe do t’i mirëpres rreth 4 mijë njerëz në sallë, si pjesë e programit hulumtues që po testohet aktualisht nga Qeveria britanike për ta shqyrtuar rrezikun e bartjes së COVID-19 në këtë ngjarje. Rreth 2.500 bileta u janë ofruar falas punëtorëve shëndetësorë, që shërbyen në frontin e parë gjatë pandemisë.
Swift do të bëhet artistja e parë që është nderuar me shpërblimin “Ikonë Globale”, një prej nderimeve më të larta të cilat i ndanë ceremonia “BRIT”. Me këtë çmim në të kaluarën ishin nderuar yje të tillë si David Bowie, Elton John dhe Robbie Williams.
Kantautorja e famshme amerikane po nderohet por ndikimin e madh në muzikë anembanë botës, repertorin e pasur muzikor si dhe arritjet e jashtëzakonshme në karrierën e saj.
“Karriera e Tylor Swiftit është e pakrahasueshme dhe muzika dhe ndikimi i saj, ka bërë jehonë tek miliona njerëz në të gjithë botën. Ajo e ka shfrytëzuar platformën e saj për të tërhequr vëmendje ndaj disa çështjeve të rëndësishme globale, dhe së fundmi është vlerësuar lartë për angazhimin në promovimin e pranimit të komunitetit LGBTQ”.
Bendi i muzikës rok, “Coldplay”, do ta hap ceremoninë me një performancë të veçantë. Ata do të interpretojnë në një skenë të montuar në lumin “Thames” të Londrës, që gjendet afër arenës “O2” ku mbahet ngjarja. Ndër yjet e tjerë të clët do të performojnë gjatë mbrëmjes janë: The Weeknd, Dua Lipa, Olivia Rodrigo, Arlo Parks, Headie One, Rag’n’Bone Man, P!nk dhe të tjerë.
Ceremonia do të prezantohet nga komediani, Jack Whitehall, kurse do të transmetohet live në kanalin “ITV” dhe në platformën “ITV Hub”. /koha/ KultPlus.com
Kënga ‘Hurricane’ e Bob Dylan është protestë në vete. E gjithë substanca e lëvizjes ‘Black Lives Matter’ gjindet brenda kësaj kënge të para 45 viteve.
Arti, prej që kur ekziston, konsiderohet si arma më e fuqishme e rezistencës dhe protestës ndaj padrejtësive shoqërore, politike, ekonomike, institucionale, e të tjera.
Mundësia për të përdorur lirinë dhe fuqinë e artit, e bënë atë domosdoshmëri për një shoqëri të shëndetshme dhe humane.
Arti është parë edhe si armik i natyrshëm ndaj qeverive shtypëse, totalitare, raciste që kanë synuar të tjetërsojnë lirinë dhe kultivimin e frymës njerëzore. Mbase në kohët më të errëta, fuqia e artit ka qenë më e madhe, pikërisht për shkak të elementit protestues.
“Hurricane” (1975), bazohet në një ngjarje të vërtetë të atletit Robin ‘Hurricane’ Carter, një boksier “që mund të kishte qenë kampion i botës”, thënë në fjalët e këngës.
Por, ai u shpall fajtor që dhe u burgos për 19 vjet, padrejtësisht, për një vrasje në një bar në New Jersey në vitit 1966.
Bob Dylan dëgjoi për këtë rast shumë më vonë dhe u shqetësua thellësisht, për çka edhe nisi ta shkruajë këngën për ‘Uraganin’ Carter.
Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni, për këngën “Hurricane” thotë se “është një këngë narrative, që ka fituar popullaritet të pazakontë për tri arsye: e para, tema mbi burgosjen e një njeriun të pafaj e të pafat; e dyta, ritmi muzikor; e treta, tekstura poetike”.
“Realisht, kjo këngë, në shkrimin e së cilës ka asistuar edhe një psikolog [Jacques Levy], është epike (narrative), që nis me një krismë në një lokal dhe mbaron me një si klithmë e akuzë në vokal: ‘ai mund të ishte kampion i botës’”, shkruan Ag Apolloni.
Kënga “Hurricane” e kombinon tërbimin kundër padrejtësisë, ndjenjën e turpërimit ndaj një shoqërie ku drejtësia është lojë e disave (Nuk mund të mos jem i turpëruar, të jetoj në një tokë, ku drejtësia është lojë), dhe çështjen e racizmit të shëmtuar.
Bob Dylan, si një regjisor filmi, në këtë këngë (8-10 minuta), e tregon të gjithë ngjarjen gati se në mënyrë filmike.
Në dhjetor të vitit 1975, Dylan-i performoi në një koncert në New York, në Madison Square Garden, ku mblodhi 100,000 dollarë për mbrojtjen e Carter-it.
Më 1985, Robin ‘Hurricane’ Carter u lirua nga burgu nga një gjyqtar i ri, i cili konkludoi se akuza dhe dënimi i tij ishte i motivuar racialisht e jo në arsye të bazuara, por tanimë kishin kaluar 19 vjet privim nga liria për Carter-in.
Edhe nga lansimi i këngës kanë kaluar 45 vjet dhe shumë pak gjëra kanë ndryshuar.
Prandaj, “Hurricane” është ende po aq relevante. /albanianpost/ KultPlus.com
Përgjatë 61 minutave dhe 37 sekondave të cilat shpalosin një gërshetim inspirimi nga “Këngëtarja tullace” e Eugene Ionescos dhe nga tregimi “Elefanti zhduket” i Haruki Murakamit, me ç’rast ngjallën historinë e Bob Vatsonit, një magjistar i cili fshehtazi vë një hije mbi realitetin e shoqërisë tonë, shkruan KultPlus.
Komedia muzikore “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht” rrëfen historinë e ri përsëritshme të Bob Vatson, magjistarit, të cilit Ministria e Punëve të Kota ia ngarkon një detyrë fisnike. Ai përgjatë shfaqjes e kryen me ‘nder’ detyrën e tij patriotike duke shpëtuar qytetin nga kaosi dhe anarkia.
Përgjatë këtij shpëtimi, nuk mungojnë dëmet e ‘vogla’ materiale të cilat tashmë janë të njohura për publikun, e të cilat mbeten ‘gjëra’ të parëndësishme që ndodhin por që faji nuk vihet mbi Bob Vatsonin, për të cilin gjatë tërë kohës flitet skenikisht me kode dhe shifra të cilat portretizojnë shoqërinë kosovare.
Në skenën e teatrit Dodona kishin zënë vend dritat e kuqe dhe të kaltërta të cilat vinin në pah elementin kryesor të skenografisë siç është edhe koncepti i shkronjave. Shkronjat të cilat herë formonin hamendësime të ndryshme, në fund gjetën fundin e tyre në emrin ‘Amerikë’ duke ndërtuar kështu fjalët kyçe të cilat përsëriteshin disa herë në asociacione dhe forma të cilat gjatë zhvillimit ato merrnin kuptimin e tyre.
Kështu krejt në fund, reagimet e publikut qofshin ato buzëqeshjet apo të qeshura të ndjera, nuk munguan përgjatë shfaqjes e cila shfaqi një gjallërim nga aktorët të cilët arritën një punë mjaft të mrekullueshme duke pasur parasysh inkuadrimin e instrumenteve muzikore që gjatë tërë kohës përcollën melodi dhe tinguj të interpretuara mahnitshëm.
Ndërsa, për të folur më shumë rreth idesë për të realizuar këtë shfaqje, për KultPlus foli regjisori Erson Zymberi.
“Ideja për të realizuar shfaqjen ka qenë ide e imja e kamotshme që një tekst të autorit Ionescos, në skenën e famshme të çiftit Smith, ku ata përsërisin vazhdimisht idenë e Bob Vatsonit, unë morra ato dy faqe dhe ndërtova një ide me ish profesorin Bekim Lumi, për të cilin edhe ia kushtoj këtë shfaqje me të gjithë qenien time dhe me gjithë shpirtin tim sepse kjo është një meritë e tij”, thotë Zymberi.
Sipas tij, kjo ide është konkretizuar më pastaj nga njëri ndër dramaturgët më të mëdhenj që Kosova ka, Jeton Neziraj, me të cilën janë shqyrtuar edhe në një tregim tjetër fantastik të Haruk Murakamit. Prandaj, shfaqja e inspiruar në këto dy vepra ka arritur të formësohet pas shumë bisedimeve të gjata, ndërtimeve dhe motiveve të ideve të cilat regjisori ka dashur ti ngjallë.
“Provat kanë zgjatur 45 ditë me një intensivitet të lartë por që procesi është ndërprerë njëherë për shkak të virusit ku njëri nga aktorët ka qenë i prekur me virus dhe është dashur që provat të ndërprehen dhe të rifillojnë përsëri”, tregon Zymberi për KultPlus.
Kurse dramaturgu që ka arritur ti transkeptojë idetë e regjisorit në skenë, Jeton Neziraj për KultPlus ka shpalosur se si ai është bashkangjitur këtij projekti.
“Ersoni më ka ftuar t’i bashkangjitem projektit si dramaturg, pas bashkëpunimit të suksesshëm që patëm me shfaqjen ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’. Ideja fillestare ishte që shfaqja të punohej mbi një skenë të dramës ‘Këngëtarja tullace’ e Joneskos, por, procesi na dërgoi në ‘ujëra të tjerë’”, tregon Neziraj.
Sipas tij, regjisori punon jashtëzakonisht mirë dhe qasjet e tija regjisoriale janë shumë autoriale, me zgjidhje skenike të qarta dhe origjinale. Dhe kjo është parë edhe mbrëmë në shfaqje, ku dramaturgu ka dalur me përshtypje shumë të mira.
Gjithashtu, për të folur rreth pjesëmarrjes së tij në rolin e një magjistari të shpikur që thirret për të rregulluar diçka që ai nuk e rregullon, për KultPlus foli Ernest Zymberi.
“Ka kohë që nuk kisha punuar me të dhe më kishte marrë malli për ta parë atë më shpesh sepse profesionet tona edhe pse të njëjta, na ndajnë shpesh nëpër projekte. Por, është gjithmonë kënaqësi për të punuar me të i cili ka një karizëm dhe koncept pak më të veçantë duke mos hasur në monotonitet”, tregon Zymberi.
Sipas tij, edhe pse ata kanë punuar me një kompozitore të jashtëzakonshme që ka përvojë në teatër në Ballkan, për aktorin ka qenë e vështirë inkuadrimi i instrumenteve muzikore sepse ai shprehet se nuk ka ndonjë talent kush e di se çka, por që ai i ka shërbyer shfaqjes me të gjitha instrumentet.
Shfaqja ‘’Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht’’, është mbështetur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Perla e vendosur në bregdetin e Mesdheut ngërthen në vete një kulturë, histori dhe traditë mjaft të veçantë duke filluar nga plazhet mahnitëse, ullinjtë mijëvjeçarë, fushat pjellore, liqenet, lumenjtë, monumentet kulturo-historike, klimën e butë e deri tek ngrohtësia shpirtërore e ulqinakëve që plotësojnë tërësisht këtë destinacion turistik të qytetit të Ulqinit në Mal të Zi, shkruan KultPlus.
Gjëja e parë që tërheq vëmendjen në hyrje të këtij qyteti është peizazhi antik i modernizuar i cili tërheq pas vete një numër të madh të vizitorëve duke i futur ata në magnetin e jashtëzakonshëm të ngjyrave verbuese, gjelbërimit diversiv dhe ujit të kristaltë që frymon në çdo cep të vendit.
Pylli i pishave i cili shtrihet prej plazhit të vogël në një gjatësi prej dy kilometrash shpalos një panoramë gërshetuese mes shkëmbinjve përreth që janë të vendosura buzë detit duke u bërë kështu copëza të pandashme të tij dhe së bashku me pishat të cilat herë të lejojnë të vështrosh pamjen e qetë të detit e herë të tjera të mbështjellin në një hije të domosdoshme duke i’u larguar kështu për pak sekonda rrezeve të diellit të cilat vendosen pingul mbi pamjen e bukur të këtij parku.
Ndërthurja e aromës freskuese të detit dhe zhurmës karakteristike të valëve krijuan një iluzion se edhe natyra gjallërohet në një mbizotërim ndjenjash që derdhen afër brigjeve të detit duke u përplasur me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht duke ofruar një qëndisje emocioni të pakrahasueshëm në kujtimet e secilit njeri.
Interpretimi i valëve dinake përhapnin një melodi joshëse për udhëtarët të cilët dëgjonin tingujt tundues që portretizonin një peshë të veçantë të elementeve atraktive dhe jo vetëm. Në këtë shëtitore të bukur është e bashkangjitur edhe ‘’Plazhi i grave’’, me një përmbajtje mjaft të pasur të burimeve sulfurike dhe funksioneve shëndetësore. Pra, këto hapësira rekreative posedojnë një thesar për shpirtin e dashamirëve të heshtjes dhe qetësisë.
Ndërsa pjesa kyçe e qytetit të Ulqinit e titulluar si ‘Kalaja e Ulqinit’ dhe e njohur si ‘Qyteti i vjetër i Ulqinit’, e shtrirë përgjatë bregdetit Adriatik daton qysh nga shekulli V dhe zotëron një mbijetesë unike nga një numër i madh i pushtuesve të cilët kanë ndikuar në shndërrimin e mureve të kësaj kalaje por asnjëherë në vlerat kulturore të cilat nisin qysh nga periudha parahistorike.
Monumentet më të rëndësishme të historisë së Ulqinit si: Kulla e Balshajve, Tregu i Robërve, Pallati, Oborri mbretërorë dhe Kisha-Xhami e Ulqinit janë një pjesë mjaft e njohur për vendasit si dhe turistët ndërkombëtarë. Po ashtu, fragmentet e enëve të vogla dhe të mëdha nga dheu i pjekur mirë, mbeturinat e ornamenteve, elementet dekorative, guroret, sëpatat e tipit shkodrano-dalmatin të epokës së bronzit, mbishkrimet antike, kame antike, kapitele jonike, koleksionet arkeologjike, qeramika nga enët ilire, vajzat greke me figura të kuqe, skulpturat, pikturat, përmendoret e vjetra të cilat janë të shfaqura në Muzeun e Ulqinit i themeluar në vitin 1975, janë vulë e rëndësishme e rrugëtimit drejt urbanizimit.
Këto dëshmi interesante rrethojnë muret e gdhendura të këtij qyteti historik i cili hap dritaret e shumta por të veçanta, nëpërmjet të cilave shihet pamja e detit që depërton në vizualen e ngjyrës së gjelbër dhe të kaltër duke krijuar një skulpturë lëvizëse e cila asnjëherë nuk mund të pikturohet njëlloj nën vëzhgimin e shkëndijave të vogla të dritës që vijnë nga brendësia e syve tonë.
Kurse, gjurma e vazhdueshme që dallohet në çdo anë është edhe vetë Plazhi i Vogël i Ulqinit që njësoj sikurse dallgët e detit përputhet me imazhin piktoresk të një vëllimi të papritur dhe i cili përmban një dominancë bardhësore që vie direkt nga shtëpitë e rregulluara bukur në një arkitekturë që ngjason me atë të ‘Cinque Terre’, në Itali, shtëpi këto që njihen si një varg fshatrash bregdetarë dhe të cilat dallohen për shtëpitë shumëngjyrëshe por që në këtë rast shtëpitë përballë plazhit të vogël janë të vendosura në një vijë çoroditëse dhe ato komandohen nga bardhësia reale e cila ofron pamje gjithëpërfshirëse të detit dhe përfundon në një fantazi hyjnore me takimin abstrakt të pafundësisë së rrjedhës valore dhe ekzistencës së përjetshme të qiellit, të cilat vallëzojnë së bashku herë në një tango pasioni e herë në një vals të ëmbël.
Portet janë të mbushura me anije të ndryshme të cilat mundësojnë një xhiro përmes së cilës mund të adhurohet fluturimi i zogjve të veçantë që shquhen për madhështinë e lirisë absolute e cila dërgon vizitorin në një gjendje të paqes, në një vendngjarje ku shpirti bie të flejë dhe zemra goditet nga bubullima e emocioneve të llojllojshme.
Ndërsa, plazhi kryesor i prodhimit të ullirit në Komunën e Ulqinit është gjiri i Valdanos, i vendosur në bregun e Jugut të Malit të Zi dhe i njohur për bregdetin e tij me guralecë të rrumbullakët. Forma gjysmëhëne e tij përkon me një bukuri të ujit të kristaltë dhe gjelbërimit masiv të pishave stërmadhore që rrënjët e tyre vështirë se vjetërsohen nga dashuria që pikon për këto pjesë natyrore. Prandaj, duke e parë atë nga lart duket se gjiri izolohet nga njëra anë dhe pothuajse dëshiron të frymojë i vetëm në një vijë bregdetare shkëmbore që dhuron një performancë të lezetshme e cila pason nga lëkundjet e vogla të cilat rrëqethet e shpirtit dhe trupit i zgjon nga balanca stabile.
Pas gjirit të Valdanosit, pak metra më poshtë ndodhet Ullishtja e Valdanosit që konsiderohet si monumenti më i madh i ullinjve në Mal të Zi, ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe ekologjike. Duke ecur përgjatë këtij vendi dallojmë një rrugë kalldrëmi që këndshëm vie në pah edhe në mesin e 18 mijë pemëve ulliri prej rreth 800 vjetësh dhe drunjëve më të vjetër se dy mijë vjet, të cilët janë të rritura në një zhvillim interesant dhe sjellin një përshtypje se dëshirojnë ti afrohen tokës duke i’u ‘përulur’ me shtrembërimin e veçantë rrotullues dhe të vrazhdë të tyre, me ç’rast kthehen edhe në një burim individual të frymëzimit për krijime artistike apo edhe vetëm për një soditje të momentit.
Si zakonisht në qytetin e Ulqinit, përjetimi i kënaqësisë verore nga të rinjtë ndodh në ‘Bamboo May Fest’, në hotelin Otrant, por që në këtë vit ky organizim është i pamundur për shkak të rrethanave pandemike. Këtë e ka bërë të ditur artisti vendor i njohur si ‘’Mr.Cool’’, në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme.
Prandaj, në vend të këtij festivali i cili organizohet nga Bamboo Bar dhe Hotel Otrant, u zhvillua ‘Vikend i Kënaqësisë’, i cili shënoi fillimin e verës nën muzikën e tingujve dhe melodive shqiptare për të vazhduar me rrymat e ndryshme të cilat pasuan në një natë të çmendur të botës magjike muzikore.
Reflektimi i skenës gjigande boshe dhe dritave rozë po i vinin në pah pemët e vendosura mbi barin e hotelit që ndodhej buzë detit dhe valëve të cilat kryeveprën e tyre e mbyllën në një guacë të vogël për ta zëvendësuar atë me kulminacionin e këngëve që mizorisht po goditnin atmosferën e gjallë që pasonte me kërcime e buzëqeshje të shumta por krejtësisht të shkujdesura nën aromën dhe jehonën e detit.
Po ashtu, përgjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, si trashëgimi kulturore e këtij vendi janë edhe muzika, hotelet, restorantet, kafenetë dhe diskotekat që përkojnë qytetin dhe të cilat gjatë verës janë gjithmonë të mbushura plot duke kaluar edhe kapacitetin e menduar. Netët e gjata nën shoqërimin e pijeve dhe ushqimeve tradicionale të cilat e karakterizojnë Ulqinin si vend bregdetar dhe mesdhetar janë mjaft të dalluara e sidomos me kulturën mesdhetare diversive. Pra, kuzhina e shëndetshme mediterane ka sjellë një laramani karakteristike mesdhetare.
Kështu, krejt në fund, pas ecjes përgjatë shtigjeve të ngushta në male të thepisura, tufave të kafshëve të cilat tashmë janë të zakonshme në Ulqin, maleve të larta dhe peizazheve të mrekullueshme kemi arritur të përjetojmë një përzierje të kulturës tradicionale dhe moderne që tërheq udhëtarë të shumtë në një ndjenjë të thellë që pasqyron botën e brendshme dhe të jashtme të këtij vendi përmes së cilit përjetohet përplasja melankolike dhe sentimentale e cila shpalos një burim kreativiteti ku misticizmi dhe imagjinata gdhenden si një daltë në kujtimet e çdo kujt.
Perëndimi mbresëlënës i diellit që u përhap afër kufirit të Ulqinit, ka hedhur krahët në një mbizotërim të përhershëm të kujtimeve me pamjen e shkëlqyer të gërshetimit mes ngjyrës së kuqe dhe portokalli, një ndezje e papritur spektakolare e cila vulosi fundin e këtij udhëtimi.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, ne patëm rastin të lëvizim nëpër hotele, restorante dhe plazhe të ndryshme si: Hotel Cruzer, Hotel Albatros, Hotel Palata Venezia, Hotel Mediteran, Eneida Apartments, Hotel Platinium, Hotel Lajka, Hotel MonteFila, Hotel Otrant, Hotel Llolla, Restoranti Higo, Taphana, Teuta dhe Barakuda, Plazhi Copacabana dhe Cabo.
Ndërsa, në fund të këtij udhëtimi, kryetari i Komunës së Ulqinit Aleksander Daboviq, në një prononcim për media ka falënderuar dhe uruar mirëseardhjen e gazetarëve, kameramanëve, redaktorëve dhe të pranishmëve nga Kosova.
“Ju jeni mysafirët e parë që vini në Ulqin në një numër kaq të madh pas një viti të vështirë për të gjithë globin. Populli ynë thotë se dita e mirë duket në mëngjes, e nisur nga mysafirë që kanë ardhur gjatë këtyre ditëve duke e llogaritur si një sezon të suksesshme për të gjithë”, thotë Daboviq.
Sipas tij, nuk ka dyshim se Kosova është dhe do të jetë një nga tregjet më të rëndësishme për shkak të lidhjeve vëllazërore, farefisnore, shoqërore e të tjera. Po ashtu, është e ditur se një numër i madh i kosovarëve tashmë janë banorë të Ulqinit, me shtëpitë dhe banesat e tyre, jo vetëm gjatë stinës së verës por edhe gjatë dimrit.
Aktivitet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’, Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës dhe Organizata Turistike e Ulqinit, në veçanti drejtori Gëzim Hajdinaga, i cili ishte bashkudhëtar dhe i pranishëm gjatë gjithë kohës të këtij rrugëtimi duke ofruar të dhëna dhe fakte interesante për secilin vend të vizituar.
Qyteti i Ulqinit është një qytet 2500 vjeçar dhe konsiderohet si më i vjetri i Mesdheut, një thesar i Malit të Zi dhe një bërthamë multikulturore që posedon një pasuri të madhe historike dhe natyrore. / KultPlus.com
Mongolia, me një sipërfaqe prej afro 1.6 milionë kilometrash katrorë, është një vend i paeksploruar dhe i mbetur pas në kohë. Ndonëse teknologjia ka ndikuar edhe në shoqërinë e mongolëve, shumë fshatra mbeten në dukje ende të paprekura, që nga periudha e Genghis Khan.
Të shkosh nga një krahinë në tjetrën duhen të kalosh në disa nga terrenet më të ashpra të planetit, për ditë të tëra. Vendi me dalje në det është i mbuluar kryesisht nga stepat, por gjithashtu mund të gjenden mrekulli të tilla si liqene, kanione, duna rëre dhe shkëmbinj të thepisur. Kësaj vështirësie të terrenit i shtohet edhe ekstremiteti i motit, nga acari i ftohtë arktik e deri te nxehtësia përvëluese e shkretëtirave. Ndonjëherë, të katër stinët mund të përjetohen në një ditë.
Me më shumë se një të tretën e tre milionë banorëve të saj që jetojnë si nomadë, Mongolia është një nga vendet e pakta ku vizitorët ende mund të përjetojnë një mënyrë jetese të mirëfilltë nomade dhe mikpritjen mongoliane. Ata i lënë gjithmonë dyert hapur për të lejuar hyrjen e çdo kalimtari që ka nevojë për ushqim ose pushim. Shumë mongolë ende ndjekin besime të lashta, dhe shpesh i drejtohen një “shamani”, ku individë të caktuar mendohet se udhëtojnë në një realitet tjetër për të komunikuar me shpirtrat dhe qeniet e tjera, për t’iu marrë bekime, shërim ose parashikime për të ardhmen e tyre.
Mongolia është, gjithashtu, vendi ku aventurieri amerikan, Roy Chapman Andrews, zbuloi vezë dinozauri të paprekura, midis gjetjeve të tjera të rëndësishme, në vitet 1920. Epiqendra e këtij zbulimi janë shkëmbinjtë Flaming, që konsiderohen si një nga vendet më të mëdha të fosileve të dinozaurëve në botë. Në vende të tjera, padyshim që një sit i tillë do të ishte mbajtur i rrethuar dhe larg vizitorëve, por jo në Mongoli. Turistët gjatë ecejakeve të tyre ndeshen me gjetje kockore të pazakonta, që për ekspertët, nuk janë gjë tjetër veçse fosile dinozaurësh.
Mes një shumësie mrekullish natyrore, traditave dhe historisë, Mongolia ofron një eksperiencë mbresëlënëse për të gjithë turistët që janë në kërkim të aventurave./a2/ KultPlus.com
Ded Zefi, për 24 vjet ka punuar në ndërtim në Greqi dhe Itali. Para 6 vitesh mori vendimin që të kthehej në Shqipëri. Si fillim ai hapi një bar kafe, por të ardhurat që i siguronte lokali nuk ishin të kënaqshme. Në 2020 ai vendosi të bëhej fermer duke ngritur një kompleks gjedhësh, prej 50 viçash, përveç kësaj në këtë tokë ai rrit edhe 700 pula.
“Janë rreth 50 vica të racave të ndryshme, por pjesën më të madhe e ka vendi. Shpresojmë që me kalimin e kohës t’i shtojmë. Pavarësisht se kostoja e ushqimit është rritur shumë. Cilat janë planet e së ardhmes? Unë dua të merrem me tregtinë e mishit, pasi të merrem dhe bulmetin nuk ia dal dot. Nëse një prodhim është bio përse të mos certifikohemi, përse të na konkurroj mishi i Brazilit që vjen më një kosto shumë të ulët dhe shitet një lloj tek kasapi”, shprehet Ded Zefi.
Deda thotë se konsumatori duhet të mbështesë prodhimin vendas. Sipas tij produktet shqiptare janë të pakrahasueshme për nga cilësia me ato të importit.
“Në periudhën e Covidit ka pas shumë punë pasi vijnë tregtarët dhe i marrin më pas ia shesin konsumatorit. Ai që vjen njëherë të blejë këtu më pas do të vijë gjithmonë”, thotë Zefi./TopChannel/ KultPlus.com
Fotografi të fundshekullit të 19-të, me dritëhije dhe ngrohtësi në ngjyra që evokojnë nxehtësinë e thatë të mjedisit të tyre, Afrikën e Veriut. Ngjasojnë si piktura, por nuk janë të tilla, sikurse nuk janë as fotografi si ato të ditëve të sotme, por padyshim një kënaqësi për sytë.
Imazhe që kanë kapur momente mbresëlënëse të një bote përrallore të kohës. Burra të grumbulluar rreth një magjepsësi gjarpri, minare që ngrihen lart në qiell, myslimanë me rroba tradicionale dhe të krishterë që ecin nëpër rrugë, por që kurrë nuk duket se takohen. Këto materiale që ruhen nëpër arkiva, dëshmojnë momente kalimtare të historisë në prag të shekullit të 20-të.
Autorët e këtyre imazheve janë anonimë, ndërsa teknika që qëndron pas tyre ka dalë prej kohësh jashtë praktikës. Njihen si fotokroma, një formë e fotolitografisë, që u përhapën në fund të shekullit 19-të. Kolonizatorët evropianë ishin më së shumti të interesuar për të fiksuar në imazhe jetën e një sërë vendesh koloniale, si p.sh Egjiptin, Marokun, Tunizinë, Algjerinë që gjendeshin nën protektoratin spanjoll ose francez.
Fotokromi u zhvillua në Zvicër, në vitin 1890 dhe për ta bërë atë merrej negativi nga kamera dhe ekspozohej në zink në një sipërfaqe të sheshtë, në të cilën vendosej një shtresë kimikatesh të ndjeshme ndaj dritës.
Lufta e Parë Botërore solli një ndryshim rrënjësor në këtë periudhë të fotografisë, dhe njerëzit ishin më të prirur të blinin aparatet e tyre personale. Sigurisht me kohën ndryshuan shumë gjëra dhe veç teknologjisë edhe jeta e peizazhi kulturor në Afrikën e Veriut. Ndaj këto imazhe, nostalgjike, por që përmbajnë një nëntekst të pasur, dhe ndonjëherë të errët, tani janë dëshmi e një epoke të kaluar e gati të harruar./a2/ KultPlus.com
Në një artikull interesant për tri shkrimtaret amerikane Ayn Rand, Isabel Patersen dhe Rose Wilder Lane, theksohej se ato me veprat e tyre, pavarësisht nga njera tjetra, kishin arritur në një mendim filozofik të përbashkët për idenë e lirisë, duke inspiruar Lëvizjen Liberatore.
Rose Wilder Lane, kishte vizituar Shqipërinë, që në vitin 1921 dhe ka shkruar shumë për vendin tonë. Qëndrimi i saj në Shkodër e lidhi ngushtë me të riun Rexhë Meta , historia e tyre tashma është e njohur.
Rose Wilder Lane (1886-1968)është vajza e shkrimtares së mirënjohur amerikane, Laura Ingalls Wilder, autore e një seriali librash historiko-letrar.
Rose e rritur në një mjedis të tillë shkoi me tutje duke e shtrirë aktivitetin në një game të gjerë krijimesh si gazetare, biografe dhe autore e shumë librave letrarë e filozofikë. Me 1920, Rose e ftuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, punoi si publiciste në këte mision humanitar. Për këte , Rose udhëtoi në Europë e Azi për të observuar se si funksiononte ky shërbim dhe për të vepruar dhe ndihmuar vendet e prekura nga Lufta e Parë Botërore. Erdhi në Shqipëri, kur mijëra refugjatë lufte ishin larguar nga Kosova, Plava e Gucia dhe nga trojet e tjera të lëna jashtë kufijëve.
Ajo shkoi në Shkodër, ku vepronte Kryqi i Kuq Amerikan , që jepte ndihma në emër të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”. Këtu fillojnë lidhjet e Roses me Shqiptarët dhe me djalin, Rexhë Meta, ne fillim si përkthyes dhe me pas e adoptoi , duke e konsideruar si birin me të shtrenjtë të shpirtit saj.
Vepra e saj për Shqipërinë është “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) ku Rose përshkruan terrenin e thyer, kullat karakteristike të malësisë, mënyren e jetesës, traditat dhe gjakmarrjen.
Letrat, që Rose u dërgonte miqëve të saj, ku përshkruheshin ngjarjet nga jeta politike e shoqërore janë përmbledhur me titullin “Albanian Garden”. Në këto letra janë paraqitur me hollësi, përveç të tjerave edhe ngjarjet e vitit 1922 dhe figura shume dimensionale e Ahmet Zogut. Aty shihet interesi i saj për Shqipërinë, vend që ajo e zgjodhi të jetojë përgjithmonë. Vepra Kulmore e Rose është “The discovery of Freedom”(Zbulimi I Lirisë).
Kjo vepër filozofike nuk bën fjalë për Shqipërinë, por është e rëndësishme për ne sepse Rose për të ndërtuar Kryeveprën e saj e mori frymëzimin nga një ngjarje të cilën e përjetoi ne Majat e Shalës dhe u bë zanafilla e filozofisë së saj në mbrojtjen e lirisë se individit dhe të pronës private.
Në ate fshat, shkruan Rose,gjeta një jetë fisnore të mbyllur nga gjakmarrja,por me njerëz fisnikë e mikëpritës.
Gruaja që e frymëzoi ishte një 21-vjecare e martuar me dy fëmijë, së cilës ia kishin vrarë burrin serbët pas 5-vjet martesë. Gruaja në fjalë, në kundërshtim me traditën dhe normat fisnore kërkonte që shtëpinë, të cilën e kishte ndërtuar me burrin e saj, ta trashëgonte vetëm ajo me dy femijët. Ishte e papritur për mysafiren amerikane të ishte dëshmitare e një debati të ashpër midis krerëve të fisit dhe gruas” rebele” e cila me kurajo shtronte kërkesën për pronën private.
“Këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi” ( ne ate shtëpi, ishin grumbulluar 17 veta nga familja e burrit dhe nga fisi) Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit,ku thuhej: Gruaja e ve flet vetë – mund të ishte njështytje që e bëri aqë të vendosur gruan të flasë përpara kuvendit, apo e drejta natyrale dhe forca e argumentit se – Këtë shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim – e bënë ate të vetëdijshme që mos të tërhiqej nga kërkesa për pronësinë.
Besoj se të dyja bashkë e bënë atë burrneshë të kapërcejë kufizimet e atij sistemi primitive, një guxim i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë në ato anë.
Prezenca e gazetarës amerikane në ate Kuvend i vuri në një pozitë të vështirë krerët e fisit. Ata mundoheshin ta sqaronin mikeshën e huaj, se kjo nuk kishte ndodhur kurrë nëfisin e tyre, dhe se ajo ishte nje ortek për fshatin.
Ata ishin kureshtarë të dinin më shumë për vendin ku jetonte Rose, se si veprohej atjepër te drejtën e pronës.
Rose, duke parë se spjegimet e saj binin ndesh me gjykimin e tyre, shkruan: “ Ishte jashtë fuqive të mia të interpretimit”.Nderkohë, Rose e quante të drejtë kërkesën e gruas se re. Ajo u mahnit nga këmbëngulja dhe forca e karakterit të saj, edhe pse e vetme ne ate kuvend të burrave dhe pa asnjë mbështetje nga anëtaret e fisit, vazhdonte të mbronte të pandryshuar kërkesën e saj:
”Shtëpia është e imja, unë dua shtëpinë time”. Kur situate u acarua midis asaj dhe parisë, njeri nga pleqtë u ngrit, por i pafuqishëm për të argumentuar kundërshtimin thirri: “A kanë pare malet tona një gjë të tillë në qindra –qindra vjet më përpara se të vinin turqit? Ajo është gogoli”. Pergjigjja e gruas ishte: “Me këto duar e kam mbuluar çatinë, unë nuk do ta jap shtëpinëtime”.
Ne fund, kryetari i fisit i ndodhur në shtëpi përballë miqëve të huaj ,u detyrua ta sqaronte më mirë problemin e hapur. Ndër të tjera ai tha: ”Shtëpia i takon fisit dhe jo një njeriu.Asnjë prej nesh nuk mund të thotë se kjo është shtëpia ime, sepse ne jetojmë të gjithëbashkë. Kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë romanet dhe kështu do të jetë gjithmonë”. Kur pjesëtaret e fisit iu pergjigjen unanimisht kryetarit ”Të lumtë goja!” Gruaja e re u ngrit e revoltuar dhe pa folur asnjë fjalë e la kuvendin, ku vetëm kercitja e derës e prishi qetësinë e krijuar pas fjalës së fundit.
Rose, që gjithë kohën kishte observuar qëndrimin e gruas se re dhe e kishte miratuar kërkesen e saj te drejtë, e përshkruan me detaje pamjen e saj fizike dhe shpirtërore në ate moment kritik.
”Ajo u largua nga dhoma e debatit pa përshëndetur, por ajo grua kurrë nuk do të pushojë së kërkuari shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e qetë,deri sa ta marri pronen e vet.Aty, shkruan Rose, vepronte ligji i LEC-it(Law Enforcment Command)
Gjithë këto që Rose i shkruante në veprën “The Peaks of Shala,” u bënë pjesë e asaj filozofie që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit në veprën “Zbulimi i Lirisë”. Aty Rose demaskon, kolektivizimin në B.Sovjetik ku ajo takoi fshatarë të uritur nëGjeorgji, Azerbaixhan …. , të cilëve u kishin marrë tokën forcërisht dhe jetonin të dëshpëruar në ate realitet të nxirë. Vënia përballë e Komunizmit primitiv me ate “modern”qenë një burim për analisten për të argumentuar vlerat absolute të lirisë e të pergjegjësisë personale. Ne veprën “The Dicovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë),ajo filtroi mendimet dhe eksperiencen e saj shumëvjecare,pikënisje për të cilën ishte malësorja shqiptare që mbrojti me forcë pronën private.
Në këtë vepër Rose qëndroi konsekuente deri ne fund e pikëpamjeve të saj, duke ngritur lart të drejtat natyrale të njeriut dhe duke u bërë pjesë e asaj filozofie që ka në bazë kundërshtimin e tiranisë kudo në botë.Kjo kërkesë për pronën private vazhdon edhe sot pas 100 vjetesh nga jugu në veri kur grabitja dhe tjetërsimi i pronave është bërë evidente; vazhdon të ndihet zëri i Gruas se kjo pronë më përket mua,toka, shtepia ……është trashëgim nga gjyshi,babai dhe puna ime / Nga Pertefe Leka- Gazeta Dielli/ KultPlus.com
Alpinisti Kami Rita u ngjit në malin Everest për herë të 25-të të premten, duke thyer rekordin e tij të mëparshëm për ngjitje në majën më të lartë në botë.
Kami Rita u ngjit për herë të parë në Everest në vitin 1994 si pjesë e një ekspedite dhe që atëherë është ngjitur pothuajse çdo vit, shkruan DW.
Kami u ngjit të premtën me një ekipi prej 12 personash që rregullonte litarët deri në majë, sipas pritshmërive Kami pritet që nga qindra alpinistë që të arrijnë në majë në javët e ardhshme.
Rekordin e fundit alpinisti donte ta bënte në vitin 2020, për ditëlindjen e tij të 50-të, por u parandalua nga pandemia COVID-19.
“Qëllimi im ishte të festoja ditëlindjen time të pesëdhjetë duke u ngjitur për herë të 25-të në të 50-at, por për shkak të COVID-19 nuk ishte e mundur. Kështu që unë e bëra ëndrrën time të vërtetë këtë vit”, tha ai.
Kami njihet edhe për ngjitje tjera pos Everestit, duke përfshirë edhe majën e dytë më të lartë në botë – K2 në Pakistan./dw/ KultPlus.com
Një birrë mbretërore sapo ka dalë në treg, pasi Mbretëresha Elizabeth lançoi birrën e prodhuar nga bimët e rritura në pasurinë e saj Sandringham në Norfolk, Angli.
Dy lloje janë hedhur në treg, sipas raporteve të ndryshme të lajmeve.
E para, një e hidhur tradicionale angleze e filtruar, e cila kushton 3.99 £ për shishe sipas The Times, dhe ka 4.3% ABV. E dyta është një IPA e artë që vjen pak më e fortë me 5% ABV .
Philip nuk flinte në darkë pa konsumuar një birrë, ndaj puna e parë me të cilën Elizabeth u angazhua ishte pikërisht kjo.
Birraria Barsham do nxjerrë shishet e reja me etiketën Windsor dhe lënda e parë, si elbi organik, ashtu edhe uji i pusit janë marrë nga Sandringham, aty ku Mbretëresha dhe Princi Philip bënin pushimet./ KultPlus.com
Gjyshja e dy fëmijëve pretendon se është rrëmbyer nga alienët më shumë se 52 herë në jetën e saj dhe si prove tregon disa shenja në trupin e saj .
50-vjeçarja nga Bradford, tha se takimi i saj i pare me jashtëtokësoret ndodhi kur ajo ishte vetëm gjashtë vjeç.
Gjyshja tregon se ka ‘heshtur’ në lidhje me takimet për pjesën më të madhe të jetës së saj.
“Ka pasur disa reagime dhe njerëzit që më quajnë “të çmendur”, gjë që nuk është aspak e mirë, por unë gjithashtu mund ta kuptoj plotësisht pse njerëzit nuk besojnë nëse kurrë nuk kanë pasur vetë në eksperienca të tilla. Unë kam përjetuar 52 incidente paranormale. Edhe unë nuk mund t’i besoj historitë disa herë, kështu që nuk habitem kur të tjerët nuk më besojnë mua ose temën.”
Ajo pretendon se është kthyer në shtëpi me një plagë trekëndëshi në fytyrë dhe shenja në krah por shton se pavarësisht përvojave të pazakonta, përpiqet të bëjë një jetë sa më normale të jetë e mundur.
“Gjithçka që mund të bëj është të vazhdoj si normale, përndryshe do të çmendesha.”, thotë ajo/a2/ KultPlus.com