‘Unë po ta jap gjithë botën time, të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur’, fjalimi i babait që përloti botën’

Mendova se do të filloja fjalimin tim duke tu drejtuar si familja “e re” e vajzës sime, por unë mendoj se do të ishte e papërshtatshme sepse tani që ajo është e martuar me ty, ti je “familja” për të. Më beso, unë nuk e kam problem një gjë të tillë. Unë, në të vërtetë, dëshiroj që vajza ime të të ketë “ty” si përparësinë e saj tani.

Është koha që ne të spostohemi në një karrige më larg në jetën e saj. Ne si prindër do ta pranojmë me kënaqësi, por me siguri do të kërkojmë një gjë:

Të lutemi ta bësh gjithnjë të lumtur!

Unë jam më se i sigurt se ti do ta bësh atë shumë të lumtur. Ajo ndoshta do të jetë më e lumtur sesa dikur ishte këtu me ne, por si të gjithë baballarët, më mundon lumturia e vajzës sime, prandaj të them pa pushim – bëje atë të lumtur!

Ajo kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një barrë për mua. Ajo është në fakt arsyeja pse frymëzohem dhe buzëqesh. Unë jam duke e martuar, sepse kjo është ajo që kërkon ligji i natyrës. Unë jam i pafuqishëm mbi ligjet e natyrës dhe për këtë arsye po e dërgoj atë në shtëpinë tënde. Ajo ishte lumturia e shtëpisë sime dhe tani do të ndriçojë shtëpinë tënde.

Unë po ta jap gjithë botën time. Të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur.

Unë po të dorëzoj princeshën time! Të lutem sigurohu që ajo të mbetet si një mbretëreshë. Unë e kam rritur atë me djersën dhe gjakun tim dhe tani ajo është mrekullisht e përsosur.

Për të gjithë kujdesin, dashurinë, bukurinë dhe ngrohtësinë që vajza ime do të sjellë në jetën tënde, dua vetëm që lumturia e saj të kthehet – të lutem ta mbash të lumtur! Nëse herë pas here ndihet e sëmurë, kujdesu me dashuri për të! Është ilaçi që funksionon më së miri për të.

Nuk ka problem nëse nuk e shoh për muaj të tërë. Nuk më intereson nëse nuk mund të flas me të ditë për ditë. Motivi im i vetëm në jetë ka qenë lumturia e vajzës sime që tani është në duart e tua.

Të lutem, bëje të lumtur!

I nderuar dhëndër, këto fjalë mund të mos kenë shumë rëndësi për ty tani, por nëse do të jesh me fat e të bëhesh baba i një vajze një ditë, do t’i vlerësosh më mirë kur do të dallosh që çdo rrahje e zemrës tënde, ulëret e thotë – “të lutem bëje e mbaje vajzën time të lumtur”! / bota.al / KultPlus.com

Oktapodi pikturon vepër arti në akuariumin e Floridas (VIDEO)

Një akuarium në Florida postoi videon e një oktapodi i cili e shfaq anën e tij artistike duke përdorur tentakulat e tij për të krijuar një pikturë.

Akuariumi në Tampa postoi një video në Facebook që e tregon oktapodin duke krijuar një pikturë në një kanavacë të mbështjellë me plastikë me ndihmën e një personi.

Akuariumi tha se “sesioni i pikturimit” ishte planifikuar të përkonte me ngjarjen e Javës Cephalopod të objektit.

Struktura ftoi përdoruesit e Facebook-ut që të ndajnë faktet e tyre të preferuara të oktapodit që do të futen në një vizatim për ta fituar pikturën./ KultPlus.com

Kontesha suedeze që u mahnit nga shqiptarët

Shqiptarët i kishin rënë në sy jo pak konteshës suedeze Wilhelmina von Hallwyl (1844 – 1930), e cila si një koleksioniste e apasionuar nuk mund ta linte t’i shpëtonin nga duart edhe fotot e realizuara nga të tjerët gjatë udhëtimeve që ajo ndërmori në rajonin tonë në periudhën 15 mars – 6 qershor 1896.

Për to, ajo do ishte e gatshme të paguante me çmime të kripura e t’i bënte pjesë të atij që sot në Stokholm njihet si “Hallwyl Museum”.

Së bashku me të shoqin, kontin Walther von Hallwyl dhe mikeshën e tyre Ida Uhse, kontesha preku Serbinë, Maqedoninë, Greqinë, Korfuzin, Italinë e Jugut e atë të Veriut (duke mos e prekur tokën shqiptare) e vijuar më tej në alpet zvicerane, ndërsa shekulli 19-të po perëndonte.

Diçiturat origjinale janë shënuar në frëngjisht, pasi në atë kohë ajo ishte “lingua franca”, të cilën e njihnin padyshim edhe anëtarët e familjeve të mëdha fisnike suedeze, dhe fotot apo kartolinat që mund të hasje nëpër tregje apo koleksione private, gjithashtu mbartnin të gjitha një shënim në frëngjisht.

Fotot në bardhezi të marra nga koleksioni i konteshës sudeze që po sjell në këtë postim, paraqesin si femra, ashtu dhe meshkuj dhe shfaqin shqiptarë autoktonë në Greqi, Peloponez, Selanik etj.

Prej tyre përftohet lehtësisht ideja se shqiptarët ishin në atë kohë një motiv i gjithëpranishëm në Greqi dhe prezenca e tyre si dhe veshja, shpesh mund të ngatërrohej me atë të grekëve, por origjina e tyre njihej dhe pohohej lirisht./ KultPlus.com

Danimarka përuron muzeun “Andersen”

Një mjedis poetik prej 50 milionë eurosh i kushtuar imagjinatës: Danimarka inauguroi sot muzeun e ri në nder të tregimtarit të saj gjenial, Hans Christian Andersen, në qytetin e tij të lindjes në Odense.

I realizuar për dhjetë vjet, projekti i rinovimit të një muzeu të mëparshëm të vjetëruar u krye nga arkitekti japonez Kengo Kuma, i cili gjithashtu projektoi stadiumin e ri olimpik në Tokio.

Ky i fundit shpjegoi se ai ishte frymëzuar nga një nga përrallat e autorit danez, “Le Briquet”, me një pemë që zbulonte një botë nëntokësore: dy të tretat e hapësirës së ekspozitës janë nën tokë.

“Ideja prapa modelit arkitektonik i ngjan metodës së Andersenit, ku një botë e vogël papritmas kthehet në një univers më të madh”, tha arkitekti përpara inaugurimit.

Përzierja e drurit dhe qelqit në ndërtesat rrethore në një kopsht të gjerë me shtigje me kalldrëm dhe mure bimësie të larta, ndërtesa përfundimisht kushtoi rreth 390 milionë kurona daneze (rreth 52 milionë euro), veçanërisht e financuar nga një fondacion privat.

Muzeu u përurua nga Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II./atsh/ KultPlus.com

E harruar në një dhomë, zbulohet kryevepra e mjeshtrit francez, shitet me çmimin marramendës

E harruar, e mbuluar nga pluhuri dhe aromat e gatimit familjar, për shekuj të tërë. Por një pikturë që ndodhej prej gjeneratash në një familje franceze, dhe që për ato kishte thjesht vlerë afektive, u zbulua si një nga kryeveprat më  të rëndësishme të zbuluara të artit francez dhe u shit dje për një shifër marramendëse.

Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Filozofi lexues” i mjeshtri francez  Jean-Honoré Fragonard, e pikturuar rreth vitit 1768.

Piktura u zbulua rastësisht nga një ekspert ankandesh që duhet të vlerësonte sendet e një apartamenti në qytetin e Eparnay dhe familja as nuk e kishte renditur të sendet me vlerë. Por dyshimet e profesionistit rezultuan fatlume dhe analiza specifike zyrtarizoi zbulimin e madh.

Fragonard cilësohet si nga mjeshtrit e stilit Rococo dhe veprat  e tij më të njohura, të pikturuara si në një ëndërr dhe me tematika erotike, ndodhen në muzetë më të njohur të botës. Vepra e filozofit është nga veprat e fundit të piktorit, dhe tregon periudhën më meditative edhe pse “energjia e penelit të tij është njëjta”, sipas kritikëve.   

Fillimisht piktura mendohej të shitej për rreth 1.5 milion euro, por interesi ishte tejet i madh dhe piktura arriti shifrën e 7.8 milionë euro./a2/KultPlus.com

“Kaçurrelat e tu”, kënga për dashurinë e humbur që u kompozua në qelitë e burgut të Burrelit

Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit.

Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë përmbas tejet, jetën e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjëherë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur. Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij.

Gac Çunilindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.

Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues.

Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.

Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg “kaçurrelave të saj”.

Një interpretim të rrallë të kësaj këngë e ka sjellë Frederik Ndoci me Alisa Barakun, duke e bërë mesazhin e këngës së tij lehtë të depërtueshëm me një saktësi muzikore mes dy zërave që vijnë si dialog.

KultPlus më poshtë ju sjellë videon e këngës.

/kujto.al/KultPlus.com

Në 10-të vjetorin e vdekjes të Teki Dërvishit vjen botimi i dytë i librit “Bregu i Pikëllimit”


Pas tridhjetë e gjashtë vjetësh mungese dhe në dhjetë vjetorin e vdekjes së autorit, shtëpia botuese “Botimet NOA” sjell botimin e dytë të librit me drama “Bregu i Pikëllimit” nga Teki Dërvishi.   

Teki Dërvishi (1943-2011) është një ndër shkrimtarët më të spikatur të letërsisë shqipe. Në veçanti Dërvishi shquhet si dramaturg, veprat e të cilit janë inskenuar në teatrot shqiptare dhe evropiane. Vepra letrare e Dërvishit është ende e pastudiuar dhe e pavlerësuar sa duhet. Botimet NOA është themeluar, veç të tjerash, për t’i sjellë lexuesit shqiptar veprat e këtij autori në prozë, dramë, poezi, eseistikë dhe publicistikë.

“Në pika të shkurtra, Bregu i Pikëllimit është konceptuar si një udhëtim prej Udhësi i personazhit Lojtari në një hark kohor nëntëqindvjeçar në kërkim të identitetit krijues dhe kombëtar, në kërkim të Motrës së Nëntë Vëllezërve të vdekur — amanet i Nanës të cilën nuk e merr dhéu pa u përmbushur amaneti. Udhësi Lojtar kthehet në Itakën e tij “as i gjallë as i vdekur”, gozhdohet e zhgozhdohet, herë varroset e herë zhvarroset gjatë rrugëtimit nëpër një ferr tokësor të ngjeshur me ngjarje e me aksidente historike, me personazhe që personifikojnë të mirën dhe të ligën, ndjenjat që ngërthejnë në vete erosin dhe thanatosin — epshin dhe magjepsjen pas vdekjes dhe kalbëzimit, me njerëz të prirur për perversione e dekadencë, etje për pushtet, brutalitet, autoritarizëm dhe tendenca për zbutjen, si te Stoikët, të egërsisë së brendshme të individit, veçse këtu jo përmes kontemplacionit filozofik dhe njohjes, po nëpërmjet kamxhikut, zjarrit dhe hekurit, nënshtrimit e poshtërimit…”, ka thënë Veli Karahoda.

“Për tekstet e Teki Dërvishit në përgjithësi është cilësuese të menduarit e figur­shëm, ku metafora spontane dhe tensioni i thellë emocional shfaqen si vlera ­qenësore. Këtu më shumë se gjithkund dominon dialogu i fuqishëm, emocional, i saktë dhe racional në të njëjtën kohë. Madje këto tekste lënë bindjen se janë fragmente poezish që kanë arritur me natyrshmëri të montohen në ­kompozicionin e dramës”, ka thënë Ramadan Musliu./ KultPlus.com

Edhe në vdekje do të jetojmë

Nga Adam Zagajewski

Përktheu: Mazllum Saneja

Edhe në vdekje do të jetojmë,
vetëm ndryshe, me njomësi dhe butësi,
të shkrirë në muzikë;
individualisht të thirrur në korridor,
të vetmuar e megjithatë në turmë,
si shokët e një klase
që shtrihet deri prapa Uralit
dhe arrin deri te kuarteri. Të liruar
nga biseda e pambarim mbi politikën,
të hapur dhe të sinqertë, të lirë, ndonëse
pikërisht do të kërcasin kapakët e mbyllur të
dritareve
ndërsa breshëri në dërrasën e dritareve
do të intonojë marshin turk
vrullshëm si gjithnjë.
Bota imagjinare nuk do të zhduket sakaq,
edhe shumë kohë do të jenë kapricioze
dhe do të mbështillet si karta e lagur
hedhur në zjarr.
Gjakimi për përsosmërinë do të plotësohet
krejtësisht lehtë, do të kalojë tërthorazi të gjitha
pengesat, sikur gjermanët që mësuan
të kalojnë tërthorazi linjës së Maginotit.
Gjëra të vogla dhe të harruara, balona
prej letre më të hollë, gjethe të brishta
të vjeshtës së shkuar, do të fitojë prapë
autoritetin e vet të pavdekshëm,
ndërsa sistemet e mëdha triumfuese
do të tkurren si organet gjenitale.
Gjakimi nuk do të ketë më
sepse do të arrijë vetveten,
e çuditur që shpëtoi aq gjatë
pas hijes së vet arktike.
Nuk do të jemi as ne
sepse nuk dimë
ende të jetojmë aq lart./ KultPlus.com

Një shoqatë ndërkulturore në nder të ikonës arbëreshe Zef Kakoca

Miqtë e kantautorit arbëresh Zef Kakoca, që u nda nga jeta në shkurt të këtij vitit për shkak të COVID-19, kanë themeluar “Shoqatën Ndërkulturore Ndërkombëtare Zef Kakoca”.

Lajmin e bën të ditur studiuesi Italo Elmo, i cili gjithashtu shkruan për procedurat e fundit të realizimit të dokumenteve të shoqatës. Pjesë e kësaj shoqate do të jetë organigrama “Amici di Zef” (Miqtë e Zefit), që do të ruajë dhe promovojë përmbajtjet kulturore, artistike dhe didaktive të nisura prej vitesh nga poeti dhe kompozitori Kakoza.

Për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë artistike, muzikore, gjuhësore, dhe didaktike të Kakocës, është parashikuar që brenda shoqatës të krijohen sektorë të veçantë sipas kategorive të nismave që synohet të çohen përpara.

Ngjarja “Nata e Oskarëve në Arbëri”, Koncerti i Artistëve dhe Grupeve të Folklorit të ndryshëm në kujtim të Zef Kakocës, do të kurohet nga artistët e pranishëm në Shoqatë; Çmimi kombëtar për poezinë në arbërisht “Zef Kakoca”: Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” do të kurohet nga mësuesit e pranishëm në shoqatë, ndërsa ngjarja ndërkombëtare “Pisepiselle” (Festivali i këngëtarëve të vegjël arbëreshë), u është besuar për drejtim personave dhe grupeve folklorike të pranishme në shoqatë. Sektorët tjerë do të shtrijnë aktivitetet në fusha si etnomuzikologjia, riti fetar, gjuha arbëreshe, trashëgimia kulturore e prekshme dhe e paprekshme e traditës arbëreshe, si dhe sektori i promovimit të turizmit, medias dhe marrëdhënieve kombëtare dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

U mbajt mbrëmja letrare-artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

Të martën, u mbajt në Prishtinë, në hotel Sirius mbrëmje letrare-artistike që iu kushtua krijimtarisë e veprimtarisë së  shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit  e publicistit Gani Mehmetaj.

Me interpretimin emocionues të aktores Sheqerie Buçaj nga monodrama e autorit “Kohë cubash, miku ime”, u çel mbrëmja. Ajo i dha emocione të veçanta publikut.

Në vazhdim gazetari dhe ish spikeri i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës, Shaban Arifaj, shkrimtar, lexoi recensionin për romanin “Zogjtë e qyqes”, që mori çmimin Kadare.

“Krijimtaria letrare e mikut dhe shokut tim Gani Mehmetajt si dhe shtytësit kryesor për krijimtarinë time letrare, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të futë në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pashkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqes një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë të veçantë.

 Mehmetaj ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadareanë të shkrimit prozaik”, shkruan ndër të tjerat Arifaj.

Arbërie Krasniqi-Kondirolli këndoi dy këngë “Moj e bukura More” dhe “Shpirti im i këndon Perëndisë”, interpretime që e pasuruan mbrëmjen.  

  Në vazhdim poetja Naime Beqiraj me emocione artistike deklamoi fragmentin nga romani “Zhvarrimi” që u prit mirë nga artdashësit. 

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kishës katolike në fjalën e rastit u përqendrua në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mehmetajt.

Ndërkaq, don Lush Gjergji vuri në pah disa momente kyçe të krijimtarisë, duke e shquar mprehtësinë dhe guximin e autorit.  

Në mungesë të dr. Blerim Latifit, anëtar jurie i çmimit “Kadare”, Saranda  Salihu lexoi shkrimin “Mbi romanin fitues “Zogjtë e qyqes” të shkrimtarit Gani Mehmetaj”

“Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.

Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental”, shkruan ndër të tjerar profesori i filozofisë Dr Blerim Latifi.

Ndërkaq, i riu Mevlyd Rrahimaj këndoi me mjeshtri “Vajta kalova” dhe “O, moj e bukura Arbëri”.

Dr. Femi Cakolli, pastor dhe studiues i letërsisë, u përqendrua në disa segmente të shkrimtarit, meqë është ndër të pakët që e ka përcjell krijimtarinë  e Gani Mehmetajt nga fillimi me shkrime recensionale e studimore.  Dr. Cakolli u përqendrua në autorin apologjet, misionar dhe bartës i misionarit të kombëtares para presionit të madfh të shkombëtarizimit.  Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë.  Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit. 

Gani Mehmetajt, që iu kushtua kjo mbrëmje letrare-artistike të rinjtë e “Shtëpisë së Shpresës” i dhanë një mirënjohje të veçantë “Pena e shpresës”.    

Konferencierin e mbrëmjes Artur Krasniqin e karakterizoi elokuenca, shkathtësia dhe mjeshtëria si rrallë ndonjë udhëheqës të mbrëmjeve artistike. Ishte model edhe për televizionet tona./ KultPlus.com

Violinisti Gentjan Llukaci pjesë e koncertit në Moncalzati më 4 korrik

Violinisti shqiptar në Itali Gentjan Llukaci do të jetë pjesë e spektaklit për të dashuruarit e muzikës së Tarracës që do të mbahet më 4 korrik.

Eventi do të mbahet në “Terrazza degli Artisti” në Manocalzati të Italisë. Do të jetë një udhëtim spektakolar nëpër kulturën muzikore të Amerikës së Jugut dhe më gjerë, ku protagonistë do të jenë nostalgjia dhe pasioni bashkë me Tangon, këngën dhe ritmin. Gjithashtu do të ketë dhe një nderim për Astor Piazzolla në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Spektakli do të realizohet sipas rregullores anti COVID dhe trio-ja përbëhet nga artistja Sabrina Gasparini, violinisti shqiptar Gent Llukaci dhe në fizarmonikë Claudio Unghetti.

Artisti shqiptar jeton prej vitesh tashmë në Modena të Italisë. Ai është diplomuar për violinë në vitin 1991 në Akademinë e Arteve të Ukura në Tiranë dhe ka pasur mjaft koncerte si solist dhe formacione të ndryshme në Shqipëri, si dhe ka qenë pjesë e violinave të para të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, të orkestrës së TKOB dhe Filarmonisë së Tiranës.

U vendos në Itali që në vitin 1992 ku nisi të jepte mësime në Institutin muzikor të Riçione si dhe të bashkëpunonte me Orkestrën Simfonike Marchigiana. Llukaci ka luajtur në vitin 2002 për Papa Gjon Palli II në Aula MAgna në Vatikan e më pas në 2006 për Papa Benediktin XVI në një audiencë private. Ai ka bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të operas botërore si Dimitra Theodossiou dhe Fabio Armiliato./ KultPlus.com

Shfaqjen forum teatër dhe ekspozita “Fytyra e vërtetë” prezentohet nesër në Skenderaj

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt,  prezanton shfaqjen forum teatër dhe ekspozitën e klubit teatror të të rinjve të Skenderajt me titull “Fytyra e vërtetë”, më 1 korrik, në ora 12:00, në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”.

“Fytyra e vërtetë”, synon të adresojë në veçanti ngacmimet seksuale nga personat me ndikim në institucionet arsimore dhe për t’u bërë thirrje gjithë akterëve që rastet e tilla nuk duhet të heshtën, përkundrazi viktimat duhet të përkrahen e ngacmuesit të marrin dënimin e merituar. Pas performancës do të hapet diskutim me publikun prezent për të trajtuar çështjen e adresuar.  

Ekspozita e të rinjve të Skenderajt do t’i paraprijë prezantimit të shfaqjes “Fytyra e Vërtetë”.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Leonit Bahtiri, Elsa Kajtazi, Elisa Kajtazi, Donjeta Selimi, Flamur Kastrati, Arbenita Shatri, Bleart Sinani, Rinesa Kajtazi, Liridona Hyseni, Alketa Abazi.

Ndërkaq mentore përgjatë kësaj shfaqjeje janë Qëndresa Kajtazi, Donikë Ahmeti dhe Zhaneta Xhemajli./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti historianin Jusuf Buxhovi

E para e vendit e vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Jusuf Buxhovit, si dhe kontributin e tij për studimin e historisë së Kosovës.

Sipas saj, librat studimorë të Buxhovit paraqesin kontribut të theksuar për njohjen e historisë së Kosovës, ndërkohë që shprehu konsideratën e saj edhe për qëndrimet prej intelektuali që Buxhovi i ka shprehur në vazhdimësi mbi të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Kontributi i intelektualëve në promovimin e ideve për zhvillimin e kombit ështëë përherë i rëndësishëm, prandaj ne po kujdesemi që për çështje të mëdha për vendin ta marrim parasysh edhe qëndrimin e intelektualëve dhe të studiuesve tanë”, tha Presidentja Osmani.

Ajo shprehu bindjen se shoqëria duhet ta promovojë edhe më fuqishëm debatin intelektual si vlerë të shoqërisë. Sipas saj, roli i intelektualit në shoqëri është thelbësor për fuqizimin e vetëdijes mbi shtetin dhe forcimin e vetë shtetësisë së vendit tonë.

Studiuesi Jusuf Buxhovi e falënderoi presidenten Osmani për pritjen dhe ia shprehu gatishmërinë e tij dhe të intelektualëve të tjerë që të japin ide për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Në fund, Buxhovi ia dhuroi Presidentes Osmani disa nga librat e tij studimorë, përfshirë kompletin e librave “Kosova”, në gjuhën angleze./ KultPlus.com

“Gjilpëra e rrobaqepësit, thumbat e këpucëtarit dhe brisku i rrojtarit, çdo ditë më hanë shpirtin nga ora shtatë”

Tregim nga Ibrahim Berisha

Prishtina ime 1979: Rrobaqepësi Izeti

Lagështira e tejshtrirë nga gypi përmbledhës i kanalizimit ka dalë edhe në mes të rrugës së kalldrëmtë.

Hedh hapin matanë gurit ku thyhet rrjedha e plogësht e ujit.

Rrobaqepësi, Latifi, po nuk e njeh askush ndryshe veç Lata, ndihmësi i  rrobaqepësit më të njohur të Prishtinës, Izetit, thotë: Gjilpëra e rrobaqepësit, thumbat e këpucëtarit dhe brisku i rrojtarit, çdo ditë më hanë shpirtin nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën nëntë të mbrëmjes.

Të dëgjoj mirë, i them rrobaqepësit. Ndoshta gjërat nuk i shoh si janë njëmend, por, nuk  i kapërcej me lehtësi të pakthyeshme.

 Kam ardhur të takoj mjeshtër Izetin, i them.

Nuk vjen sot ka shku’ në Prizren, thotë Lata.

Nëse me merr shegert, e pyes.

Luhat kokën ai pa qartësuar çfarë do të thotë: E mundur apo e pamundur.

Pse ka shkuar, e pyes.

Nuk ka vendosur ende ku do të varroset. Në Prizren a në Prishtinë. Të shoh nëse është më mirë atje.

Tallje bizare, mendoj. E kupton mosbesimin tim.

Serioze, do të vdesë shpejt, më thotë Lata.

Ngreh vetullat. Luhat kokën: Nuk di kur vjen, thotë.

Edhe prapë nuk ndal luhatjen e kokës.

Qebapxhiu, nga dera përballë ndërhyn, më frikëson, kur përplas zërin: Paske humbur besimin në vete dhe nuk ke si t’i besosh Latës. E kërkon Izetin, por ai nuk do të vijë.

Ora është nëntë pa pesë. Koha për të ikur, pa kryer punë.

Eja më, thotë. Ulu.

Më sjellë gjashtë qebapa dhe gotën me jogurt të Qumështores së Fushë-Kosovës.

Pikërisht duke u zhytur në thellësi kohe kuptoj se qyteti është një dorë torture e lazdruar që nuk ka lëshuar ende rrugët e shtrira në kalldrëm. Mund të jetë kjo fotografi e aparatit të kokës sime?

Faleminderit shumë, i them. Kur më vë përpara edhe gotën me ujë.

Mendoj për fatmirësinë e domosdoshme, kur zbres  më poshtë rrugicës. Dhe, kështu i pafuqishëm, dorëtharë e kokëvarur, ndjehem përherë, për të mos thënë edhe i lënduar, kur nuk pajtohem me gjendjen ekzistuese.

Cila është gjendja ekzistuese, nëse mund të saktësohet, e pyes Hamilin, i cili shet bizhuteri në tavolinën e plastikës në cep të rrugicës.

Gjerdan, vëth, unazë, rruaza, maskë, çfarë do, më pyet.

Shiten, e pyes.

Po, thotë, shitet gjithçka. Edhe bashkëshortët e bashkëshortet e rreme.

Shiten, bizhuteritë, e pyes.

Dymijëetreqind dinarë, kjo, bën me gisht nga rruaza me trëndafil të kuq.

E pamundur, mendoj.

Frymëzon për dashuri, thotë.

Kërkoj punë. Ëndërr, ia kthej.

Stolitë nisin me ëndrra, këmbëngul. Shitet, më thotë, e sheh, zgjatë dorën kah në dera e drunjtë, ku shkruan: “Shtëpia shitet”.

Edhe mos vraj mendjen, sot shitet gjithçka në këtë vend. Njerëzit shiten më së liri. Fal, fol me pezm.

E shoh, qenke djalë i mirë, thotë. Më dhuron një pullë të argjendtë.

Më sheh me dhembshuri, mendoj.

Duke shkuar teposhtë,  bozaxhiu, më vjen afër, thotë: Do të blesh ndogjë, i ke të gjitha në këtë lagje.

Nuk ka ndonjë lagje të gjenden të gjitha që i kërkon njeriu, ia kthej.

Merr një gotë bozë, më ofron.

Nuk kam dinar.

Mushë gotën. Merre, thotë. Qenke i papunë?

Shitet gjithçka, përsëris pa zë fjalët e bozaxhiut. Njeriu më së liri, mendoj. Po, të mos mendoj asgjë fare është më mirë.

Koha të largohesh, i them vetes. Largohem me ecje jodëshpëruese. Sa mbërrij në krye të rrugës së kalldrëmit që del përballë Gjimnazit të Prishtinës, më ndal zëri i Latës.

Izeti të dhuron 50 dinarë dhe këtë kalem me penj të zi. Nuk i duhen shegert, më thotë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë ‘Letër Presidentes’: Ky aktivitet do ta ketë rëndësinë përtej ditës së sotme

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery sot kishte marr një pamje krejtësisht ndryshe. Ishin fëmijët ata të cilët me laramanin e tyre e buzëqeshjet e sinqerta kishin mbërthyer fuqishëm këtë hapësirë e po e përçonin njëkohësisht tek të rriturit ku secila fytyrë që ishte prezente po rrezatonte dashuri e mirësi, njëkohësisht mirënjohje që fëmijët arrijnë të krijojnë atmosfera të tilla, shkruan KultPlus.

Konkursi “Letër Presidentes” i cili ishte hapur ditë më parë nga KultPlus ishte arsyeja që kishte mbledhur këta fëmijë në një vend.

Përmes këtij konkursi, fëmijët janë motivuar për të shkruar një letër për presidenten duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre më të sinqerta. Pas rreth 100 letrave që kishin arritur në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira të fëmijëve, të cilët sot do të prezantoheshin edhe para presidentes.

Ardhja e presidentes, Vjosa Osmani në ambientet e KultPlus Caffe Gallery veç sa shtoi edhe më shumë buzëqeshjet e fëmijëve, ndërsa fëmijët e studios “Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit, nisën këtë ngjarje me një performancë të jashtëzakonshme nën melodinë e këngës ‘Me lule t’bukura’ nga Eliza Hoxha, me ç’rast duart e tyre të vogla po mbanin lulediellin, lule këto të cilat përfaqësonin talentin e tyre në artin e performimit të një koreografie ku balerinat mahnitën të pranishmit me veshjet e tyre në ngjyrë pembe dhe seriozitetin që dëshmonte se këto vajza një ditë do të arrijnë edhe në majat më të larta.

Pas kësaj pike, kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli në skenë për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi presidenten që i është përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative.

“Presidentja na ka nderuar me mbështetjen e iniciativës së KultPlus për thirrjen për letra të fëmijëve, ku këto letra përveç që zhvilluan krijimtarinë e fëmijëve, nxorën edhe disa kërkesa e dëshira duke dëshmuar se është një shenjë shumë e mirë që institucionin po e shohim shumë afër para kësaj iniciative që është mbështetur”, tha Pajaziti.

Sipas saj, këta fëmijë kanë parë një derë të hapur në KultPlus duke i drejtuar këto letra ndaj jurisë profesionale që ka zgjedhur edhe tre letrat më të mira.

“Përvojën që e kemi marrë me këtë thirrje, do të kisha pasur shumë dëshirë që të realizoja edhe viteve të tjera nëse natyrisht gjejmë mbështetje që këtë thirrje të muajit qershorit të kthejmë në një ngjarje tradicionale”, përfundoi Pajaziti.

Në ndërkohë, fjalën e morri edhe presidentja Osmani e cila fillimisht u shpreh falënderuese ndaj KultPlus-it dhe jurisë për punën e rëndësishme.

“Faleminderit për këtë aktivitet kaq të këndshëm që rëndësinë do ta ketë përtej ditës së sotme për shkak të temave që janë ngritur në letrat e fëmijëve. Nëse duam të jemi një vend i suksesshëm, duhet gjithnjë të jemi afër qytetarëve dhe të sigurohemi që të dëgjojmë zërin e tyre”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, ku ka më mirë sesa të jesh pranë fëmijëve të Kosovës, e të dëgjosh kërkesat dhe dëshirat që ata i kanë për vendin, familjen dhe rrethin e tyre sepse Kosova që ne e duam është vendi i ëndrrave më të bukura të fëmijëve.

“Kemi shumë punë për të bërë në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë, të ketë fëmijëri të denjë, të duhur, të mirë e në kushte të dinjitetshme. Por, ne po punojmë fort në këtë drejtim dhe do të bëjmë çdo gjë brenda mundësive tona për të plotësuar kërkesat e tyre. Fëmijët janë motivi kryesor për ne për të bërë punë të mira në vendin tonë dhe ju siguroj që sa herë që e nënshkruaj një dokument ose vendim politik, e bëj gjithnjë duke menduar impaktin që do ta ketë ai vendim në gjeneratat e ardhshme”, tha Osmani.

“Çdo buzëqeshje e fëmijëve është gëzim i shumëfishtë për ne dhe na shton jetën, prandaj duam çdo herë që tua shohim fytyrat e buzëqeshura të tyre, duke shkëlqyer në shkollë, gara, aktivitete e duke arritur majat në çdo fushë në të cilën angazhohen”, theksoi Osmani.

Krejt për fund, Osmani u shprehur se do të lexojë çdo kërkesë dhe dëshirë me shumë kujdes e do t’i përgjigjet gjithsecilit, derisa bëri edhe thirrje që fëmijët të ndjehen të lirë ti drejtohen me kërkesa sa herë që ata e shohin të nevojshme që presidentja duhet të jetë në dijeni për çështje të caktuara.

Në mesin e letrave të fëmijëve janë dalluar mjaft kërkesa, dëshira e lutje nga më të ndryshmet, andaj moderatorja Vlora Merovci ftoi anëtarin e jurisë, shkrimtarin Ibrahim Kadriun për të arsyetuar përzgjedhjen e 10 letrave nga ana e jurisë.

“Në një manifestim të tillë nuk kam pasur rastin të jem pjesë asnjëherë. Në këto letra të fëmijëve është vërejtur vullneti i tyre, dhembshuria dhe dëshira që ata të marrin pjesë në ndërtimin e Kosovës, e që kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë Kadriu.

Pas fjalës së jurisë, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë performancën muzikore të këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila së bashku me këngëtarin Endrit Rexhepi, interpretuan këngën ‘Runnin’ nga Beyonce dhe njëkohësisht pushtuan atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e tyre të veçantë e tejet inspirues për çdo kë.

Më në fund, pritjes së fëmijëve po i vinte fundi. Pasi nisi edhe shpërndarja e mirënjohjeve për letrat e përzgjedhura nga juria.

Henza Mahmuti, Hira Prapashtica, David Gojani, Daorsa Ahmeti, Don Duli, Gresa Haxhijaha, Lira Safedini dhe fëmiëjt nga Qendra Ditore: Amarildo Zeneli, Bajremshah Hyseni, Hamide Demiri, Isuf Kusha dhe Raul Serjani ishin fëmijët ndaj të cilëve u ndanë mirënjohje për të vazhduar tutje me tri shpërblimet e para.

Tutje presidentja Osmani u ftua që të ndajë tre çmimet e para fituese, të cilat edhe u shpërblyen.

Çmimi i tretë shkoi për letrat nga Qendra Ditore

Çmimi i dytë shkoi për: Leart Kyreziun;

Çmimi i parë shkoi për: Anesa Sadikun.

Pas ceremonisë, nxënësit fitues të tre vendeve të para, patën rastin që të lexojnë letrat e tyre para presidentes e që me fjalët e tyre emocionuan të pranishmit e madje nuk munguan as lotët.

Pas këtyre emocioneve, për tu shpërqendruar pak, fëmijët u ftuan që të bëjnë një fotografi me presidenten dhe jurinë profesionale. Po ashtu, të pranishmit vazhduan të këndonin e vallëzonin nën zërin e këngëtarit Endrit Rexhepi i cili vazhdoi të performonte në kitarë e të këndonte me zërin e tij që buçonte deri në qiell.

Në fund është bërë e ditur që letrat e fëmijëve do të publikohen edhe në gazetën KultPlus. / KultPlus.com

Luaneshat e Kodrës në konkurencë për ‘Kamerën e Artë’ në festivalin e Kanës

Festivali i Kanës ka publikuar jurinë për çmimin “Camera d’or” me presidente aktoren franceze Mélanie Thierry.

“Camera d’or” është çmimi që jepet nga Festivali i Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit!

Rgjisorja Kosovare Luana Bajrami është një nga 31 pretendentet për këtë çmim.

Linku nga Festivali i Kanës: https://www.festival-cannes.com/en/infos-communiques/communique/articles/the-actress-melanie-thierry-president-of-the-camera-dor-jury?fbclid=IwAR213nyV6rdT7DoN3l2EQqHu9nO5WQOHBiFWDYmnuUA_CIgzuSLuBi2HOkU / KultPlus.com

U shitën si skllevër në 1990-n, nëna dhe djali bashkohen pas 31 vitesh

Një moment tejet emocionues ka qenë ai i bashkimit pas shumë vitesh të nënës me djalin në qytetin Bijie, në provincën kineze Guizhou.

Ata u përqafuan të përlotur pas 31 vitesh, pasi në 1990 u rrëmbyen dhe u shitën në skllavëri nga trafikantët e qenieve njerëzore.

Në vitin 1990, trevjeçari Tao dhe nëna e tij Zhou Jiaying u rrëmbyen dhe u shitën në një familje në provincën Shandong.

Disa muaj më vonë, nëna arriti të shpëtonte, por nuk mundi të merrte me vete djalin e saj të vogël.

Zhou u rikthye në shtëpinë ku e kishin mbajtur pas rrëmbimit, por ata ishin arratisur dhe ajo nuk e gjeti dot më vogëlushin e saj.

Vite pasi Tao arriti të shpëtonte nga familja rrëmbyese, ai bëri gjithçka që të gjente mamanë e tij dhe të bashkohej me të.

Zhou ka shpërthyer në lot, ndërsa momenti emocionues është shpërndarë me qindra herë në rrjet./KultPlus.com

Filmi “The Many Saints of Newark” e ekranizon rininë e Tony Sopranos

Është publikuar traileri zyrtarë i filmit “The Many Saints of Newark”, i cili kthehet prapa në historinë e filmave familjes Soprano.

Projekti i ri fokusohet në vitet formuese të bosit famëkeq të mafisë, Tony Soprano, i cili në serialit hit të kanalit “HBO” ishte personifikuar nga aktori James Gandolfini.

Djali i tij, Michael Gandolfini, tani e luan Tony Sopranon në moshë të re, në filmin e titulluar “The Many Saints of Newark”, i cili vjen me regji të Alan Taylorit.

Gandolfini në këtë projekt kinematografik shoqërohet edhe nga aktorët: Alessandro Nivola, Vera Farmiga, Leslie Odom Jr, Jon Bernthal, Corey Stoll, Billy Magnussen, John Magaro dhe të tjerë.

Anthony Soprano po rritet në një prej epokave më problematike në historinë e Newarkut, duke u s ndërruar nga një djalosh i ri në burrë të rritur, në kohën kur gangsterët rival fillojnë të ngritën në pozitë dhe ta sfidojnë dominimin e familjes së plotfuqishme të krimit, DiMeo, mbi qytetin gjithnjë e më të shkatërruar. I ngatërruar në këto kohëra ndryshuese është edhe xhaxhai të cilin Anthony e adhuron, Dickie Moltisanti, i cili ballafaqohet t’i menaxhojë përgjegjësitë e tij profesionale dhe personale dhe ndikimi i së cilit mbi nipin, ndihmon në shndërrimin e një tinejxheri mbresëlënës, në një prej shefave më të fuqishëm të mafisë të cilin bota e njeh sot, Tony Soprano.”

Filmi “The Many Saints of Newark” planifikohet të lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe nga 22 tetori. / KultPlus.com

Violinisti Tedi Papavrami sot në festivalin “Martha Argerich”

Violinisti i mirënjohur Tedi Papavrami, jeton prej disa vitesh në Gjenevë, Zvicër. Ai do të interpretojë sot më 30 qershor, në festivalin “Martha Argerich”.

Ky event do të mbahet në “Laeiszhalle grosser saal”, i cili nga viti 1908 është dhe një vend takimi për jetën muzikore të Hamburgut në Gjermani. Artisti shqiptar do të interpretojë pjesë nga kompozitorët e famshëm si Pjotër Çajkovski dhe Astor Piazolla.

“Njerëzit thjesht kanë nevojë për muzikë. Në muajt e fundit, gjithashtu, për shembull kam pasur mundësinë të luaj të mrekullueshmen Laeiszhalle me Hamburg Symphoniker, dhe e di se çfarë do të thotë. Tashmë shumë miq të mirë do të vijnë në festival dhe kjo është gjë e mirë”, është shprehur pianistja Marth Argerich.

Performuesit e këtij koncerti do të jenë krahas violinistit Paparavami, pianistët Martha Argerich, Alexander Gurnin./ KultPlus.com

“Darka mistike” e shekullit XVIII

Vepra që i atribuohet Eftimi dhe Terpo Zografit, titulluar “Darka mistike” ose “Darka e fundit”, daton në fundin e shekullit XVIII.

Ikona është marrë nga ikonostasi i kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit.

Në përshkrimin nga Qendra Muzeore Berat, thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane.

“Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt, të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë, Joani dhe Juda, pa aureolën e shenjtorëve, thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët, tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku, për shembull, ka pasur përdorim të gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur, me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht” – bëhet me dije në materialin detajues.

Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë, më 2001, si dhe në Ankona dhe Vicenza, Itali, më 2002. / Konica.al / KultPlus.com

“Sisterhood” i regjisores Dina Dumas në Karlovy Vary Film Festival

Projekti filmik ‘Sisterhood’ i regjisores Dina Duma, ku Kosova është në bashkëprodhim minor do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, Karlovy Vary Film Festival në konkurencën ‘East of the West’, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.

‘Sisterhood’ është bashkëprodhim në mes të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi me producentin Kosovar Liridon Cahani nga shtëpia filmike Added Value Films.

Në film miqësia e dy vajzave adoleshente kërcënohet në momentin kur ato duhet të përballen me pasojat e tmerrshme të sjelljes së tyre manipuluese. Filmi është vendosur në komunitetin e adoleshentëve, për të cilët grumbullimi i ndjekësve në mediat sociale është më i rëndësishëm sesa kultivimi i marrëdhënieve të mirëfillta. Në debutimin e saj delikat, regjisorja miraton një qasje autentike për të kapur momentet formuese të rinisë, të cilat na mësojnë të pranojmë përgjegjësinë për veprimet tona./

Në film luajnë: Antonia Belazelkoska, Mia Giraud, May-Linda Kosumoviq etj. / Koha.net / KultPlus.com

Fotografitë më të mira të Nënës Natyrë

Kush nuk fotografon një kafshë shtëpiake të lezetshme ndërsa është duke fjetur ose një flutur shumëngjyrësh kur është në park? Na pëlqen të kemi një kujtesë fizike të asaj që mendojmë se është e bukur apo interesante. Por, ka njerëz që bëjnë fotografi për një qëllim krejt tjetër.

Njerëzit që paraqesin punën e tyre në konkursin e fotografisë “BigPicture Natural World” shkojnë përtej dhe përtej për të kapur foton e duhur në kohën e duhur, transmeton rtv21.tv.

Megjithëse ka një çmim monetar për fituesin, konkursi shpreson që këto imazhe që marrin frymë nga e gjithë bota dhe do të frymëzojnë të tjerët për të mbrojtur dhe ruajtur planetin Tokë. /21Media / KultPlus.com

Marina Badianova, 58-vjeçarja nga Rusia, e cila e ka kthyer jetën e saj në një fantazi

Marina Badianova, një 58-vjeçare nga Shën Petërburgu, Rusi, e cila e ka kthyer jetën e saj në një fantazi në kuptimin e parë të fjalës. Ajo i jep jetë personazheve të ndryshëm të njohur ose të imagjinatës së saj nëpërmjet kostumeve që qep.

Gjithçka nisi në vitin 2012 kur Marina po ndihmonte vajzën e saj me  kostumet për një set fotografik dhe ajo e shijoi vërtet punën. Por, fotosesioni i saj i parë me kostumet ndodhi në vitin 2014 dhe fotografët u dashuruan me artin e saj. Që prej asaj dite, Marina ka qepur dhjetëra kostume. / Gazeta Express / KultPlus.com

The Weeknd së shpejti vjen si skenarist, aktor dhe producent i një seriali televiziv

Këngëtari i njohur kanadez, The Weeknd, do të luaj, do ta bashkëshkruaj dhe do të shërbejë si producent i një seriali të ri të kanalit “HBO”.

Ylli i hitit “Save Your Tears” do të bashkëpunojë me krijuesin e hitit televiziv “Euphoria”, Sam Levinson, në realizimin e serialit të ri me titull “The Idol”.

Revista “Variety” ka raportuar se ky projekt do të fokusohet në jetën e një pop ylli e cila e fillon një romancë me pronarin enigmatik të një klubi të natës në Los Angeles, që është udhëheqës i një kulti të fshehtë.

Këngëtari 31-vjeçar, vitin e kaluar ka shkruar dhe luajtur në komedinë e animuar, “American Dad”, si dhe njëkohësisht e ka pasur një rol të vogël ku e ka portretizuar vetveten, në filmin e yllit Adam Sandler, “Uncut Gems”.

Për promovimin e albumit të fundit “After Hours”, The Weeknd emri i vërtetë i së cilit është, Abel Tesfaye, e portretizoi një personazh specifik i cili shfaqej me fasha në fytyrë dhe vishej gjithmonë me një kostum të kuq. Çdo performancë e tij në skenë apo emisione televizive, kërkonte një lloj aktrimi nga këngëtari, dhe ai e bëri vërtetë një punë të mirë.

Sidoqoftë, muajin e kaluar The Weeknd i dha fund këtij personazhi duke deklaruar se po bëhet gati për një epokë të re në karrierën e tij. / Koha.net / KultPlus.com