Sonatat klasike nën interpretimin e Gabriele Carcanos përkëdhelen mbrëmë secilin të pranishëm në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Gabriele Carcano, pianisti italian mbrëmë në festivalin e Chopin Piano Fest, solli para publikut një interpretim pianistik me sonata klasike të cilat rrallë herë dëgjohen në kryeqytetin e Kosovës. Performimi gjallërues e llojllojshmëria e tingujve që dhuroheshin nga timbri shpirtëror i pianistit, shpalosi një thjeshtësi dinamike që zotëroi skenën, atmosferën dhe njëkohësisht joshi publikun me melodi të cilat përkëdhelnin vështrimin e tyre në çdo sekondë, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare tash e një muaj është shndërruar në shtëpinë e interpretimeve pianistike, të cilat vihen ende më shumë në pah me inkuadrimin e reflektorëve ngjyrë vjollcë, ata të ngrohtë të vendosur anash në sallë, por të cilët humbnin efektin e tyre kur drita natyrale e cila vinte nga dritarja rrethore në mesin e objektit, depërtonte në ambient. Kjo dritë natyrale sa vinte e zvogëlohej duke rritur kështu edhe entuziazmin e të pranishmëve në një nivel më të lartë e njëkohësisht dallohej ende më shumë edhe loja madhështore e gishtërinjve të pianistit, me ç’rast ai filloi interpretimin e sonatave klasike njëra pas tjetrës, duke goditur atmosferën menjëherë në sekondën e parë.

Tashmë, si çdo herë, hapjen e kësaj nate të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula, e cila është shprehur se po ndjehej mjaft e lumtur që po i afroheshin fundit të festivalit me një sukses tejet të madh. Ajo poashtu për publikun dhuroi disa informacione mbi pianistin që pas pak do të dilte në skenë e ta zotëronte atë plotësisht me thumbime të vazhdueshme performuese.

Me një shpejtësi, siguri në vetvete dhe një ndreqje të shpejtë të syzave të tij, para të pranishmëve doli pianisti Gabriele Carcano. Vepra e parë e titulluar ‘Sonata op.14 nr.1 E-dur’ nga L.V.Beethoven, e interpretuar nga pianisti, solli një frymë sa klasike po aq edhe të prekshme, ku meloditë e tingujt u zgjuan papritmas si një cicërimë e butë e zogjve, një tingëllimë e bukur magjepsëse. Lëvizjet precize të tij mbi çelësat e pianos binin me një butësi të jashtëzakonshme, një përkëdhelje që qetësisht kaplonte edhe qelizat e secilit njeri.

Sonatat klasike të Beethoven dhe alegrot e plota, u shpalosën para publikut me lëvizje të ngadalta, një lëvizje vallëzimi mes çelësave të instrumentit bardh e zi dhe gishtërinjve të pianistit. Performanca e tij, mbrëmë dhuroi një ringjallje të notave dhe tonit që në vete ngërthenin një bukuri të tillë që edhe mjalta e sheqerosur nuk do të mund të krahasohej me veçantinë e këtyre veprave që këndonin serenata për publikun dhe endeshin në atmosferë si një agim i hershëm që zinte vend në momentet më të rralla.

Notat qiellore që pasonin çdo moment, kishin një krenari aq të madhe e ngjasonin me një vetëtimë, melodia e së cilës pushtoi hapësirën papritmas në një cungim të vështrimit të publikut dhe në një përqafim të ngushtë të fijeve delikate shpirtërore. Luhatjet e kokës, shprehjet e fytyrës, kërcimet e lehta trupore dhe efikasiteti e serioziteti i teknikës së pianistit, dëshmoi se interpretimi pianistik, sado që gjallërohet nga skena bukur e krijuar, në fakt lulëzimi i vërtetë në llojllojshmërinë e ngjyrave melodike, vjen nga brendësia e trupit të pianistit, nga thellësia e kockave të tij që posedonte një talent unik, ekzistenca e së cilit ishte ulur shkëlqyeshëm në shtresën ajrore të sallës.

Gishtërinjtë e tij po fluturonin mbi çelësa si dallëndyshet që interpretojnë në livadhin e tyre, ndërsa duart e tij ndërronin kahje si një shushurimë e gjetheve të stinës së vjeshtës, të cilat kanë dy anë krejtësisht ndryshe por frymojnë si një eufori e tërbuar. Carcano përgjatë dy orë performimi të veprave të njohura nga kompozitorët botërorë si: L.v.Beethoven, Matteo Manzitti dhe Schumann, kapi dukshëm vëmendjen e çdokujt me një kujdes të pavetëdijshëm, për arsye se ai ishte futur në botën e tij melodike, aty ku qenia njerëzore futet në pasionin e vetmuar teksa shpirti ngritet e del jashtë si një narrator i mbrëmjes.

Heshtja afër fundit të çdo vepre, dëshironte vëmendjen fizike dhe emocionale të njeriut, për ti dhuruar atyre një dridhje intime që ecte ngadalë mbi lëkurë derisa futej përtej e arrinte destinacionin e saj. Andaj, edhe pianisti mbrëmë krijoi një urë të padukshme mes botës hyjnore të tingujve, aty ku shumica ishin futur dhe botës imagjinare, aty ku njeriu mbyll sytë e tij e vazhdon të rindjejë e ripërjetoj emocionet lehtësisht të dhuruara nga interpretimi pianistik.

Pas gjithë kësaj nate të paharrueshme, ishte radha që publiku të krijoj një performim gërshetues mes duartrokitjeve e brohoritjeve që nuk po ndaleshin dot, derisa edhe vetë pianisti me një buzëqeshje që zmadhohej çdo herë kur ai dilte nga prapaskena për të falënderuar publikun që e riktheu atë tri herë në skenë.

Pianisti italian Gabriele Carcano i cili për herë të parë performoi në Prishtinë, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme dhe emocioneve të tij pas interpretimit pianistik.

“Është gjithmonë një ndjenjë e çuditshme pas një koncerti, sepse kur je në skenë dhe luan e performon, nuk dëgjon asgjë që audienca është duke dëgjuar. Pra, është shumë e vështirë që të dish se si disa gjëra kanë ndodhur por me eksperiencë kam vërejtur që disa herë kam një përshtypje për atë se cfarë bëra e që është krejtësisht ndryshe nga ajo që ka dalur në skenë”, thotë Carcano.

Sipas tij, një artist që performon dhe del nga skena, ai ndjehet që ka dhuruar gjithçka por në fakt ai nuk e din se si ka shkuar në të vërtetë, prandaj nevojitet ekzistenca e publikut.

“Je aq shumë brenda performancës, saqë nuk dëgjon asgjë tjetër sepse je duke performuar nga brendësia jote dhe kjo është një ndjenjë e veçantë dhe prandaj e dua shumë. Interpretimi në Prishtinë shkoi shumë mirë dhe pashë shumë studentë të muzikës që ishin shumë të entuziazmuar dhe përkrahës. Andaj, kurioziteti i publikut është gjëja më e mirë që ndodh e sidomos kur ata vështrojnë dhe dëshirojnë të kuptojnë se çka po ndodh”, ka thënë Carcano për KultPlus.

Për Carcanon, skena dhe hapësira ishte tejet e mirë dhe akustika ishte e duhur. Ndërsa, secila pjesë e interpretuar ka ngritjet dhe uljet e tyre, por fundi i koncertit për të është gjithmonë momenti kur publiku inkuadrohet më shumë.

“Vëmendja e publikut, fytyrat e reja në publik dhe reagimet e tyre të menjëhershme ndaj muzikës, janë këto gjëra që do ti mbaj në mend kur mendoj për të ardhur e performuar në Prishtinë”, përfundon Carcano për KultPlus.

Chopin Piano Fest do të prezantojë koncertin e fundit për edicionin e 11-të të tij. Nata e fundit e këtij festivali, vjen nesër ku do të interpretojë pianistja amerikane Zoya Shuhatovich në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Ndërsa, në këtë natë do të shpallet edhe fituesja e Çmimit Special të Chopin Piano Fest. / KultPlus.com

Ford Escort në pronësi të Lady Dianës shitet në ankand

Një Ford Escort që dikur ishte në pronësi të Diana Spencer, Princeshës së Uellsit, iu shit në ankand një muzeu në Amerikën e Jugut për 52 640 stërlina (72 855 dollarë).

Makina ngjyrë argjendi 1.6L Ghia iu dhurua princeshës Diana nga Princi i Uellsit, Charles, si dhuratë fejesë në maj 1981, dy muaj para se të martoheshin në korrik 1981.

Princesha ndaloi së përdoruri automjetin shpejt pasi lindi Princin Ëilliam në 1982 dhe më vonë ajo u ble për 6 000 stërlina nga një tregtar antikuaresh.

Lewis Rabett, nga shtëpia e ankandit “Reeman Dansie” tha se oferta fituese erdhi nga një muze në Amerikën e Jugut dhe makina do të transportohet atje.

“Interesi ka qenë i konsiderueshëm para ankandit”, tha Rabett.

“Fakti që përfundoi në Amerikën e Jugut është dëshmi e nivelit të interesit global që ka pasur për këtë makinë”.

“Është gjithashtu një dëshmi e interesit për Dianën dhe trashëgiminë e saj të përjetshme”, shtoi ai.

Makina ende mban regjistrimin e saj origjinal, WEV 297W, ngjyrën dhe tapicerinë e saj origjinale dhe ka bërë 83 000 milje në orë./atsh/ KultPlus.com

Gjon Mili, në konferencën e Massachusetts Institute of Technology: Ja përse jeta ime ishte e mirë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Qershor 2021

“Wellesley News” ka botuar, me 18 prill 1975, në faqen n°5, një shkrim special në lidhje me konferencën e Gjon Milit në MIT (Massachusetts Institute of Technology).

Burimi : Wellesley News, 18 prill 1975, f.5

Gjon Mili, oratori i tretë në serinë “Fotografia në Shkencat Humane”, tha në prezantimin e tij se ai po përpiqej të argëtonte, jo të jepte mësim. Në fakt, prezantimi i Milit ishte edukativ dhe argëtues.

Mili, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Rumani, erdhi në USA në moshën 18 vjeçare. Ai u diplomua në M.I.T. në vitin 1927 me një B.S. në inxhinieri elektrike. Ai më pas shkoi për të punuar për Westinghouse në departamentin e llambave dhe ndriçimit, gjë që e vuri atë në kontakt me fotografët.

Mili filloi të fotografonte seriozisht në vitin 1931 duke përdorur dritën artificiale në formën e një blici elektrik. Mili ishte gjithashtu i pari që sinkronizoi fotoflashin me qepenin duke e mundësuar atë të fotografonte shprehje spontane. Në 1938, Mili filloi të shkruante histori për revistën Life tashmë e shuar, por ai kurrë nuk ishte në stafin e Life. Mili ka dhënë mësim në Yale dhe M.I.T… tani ai jep mësim në Hunter.

Mili tregoi afërsisht 100 diapozitivë të fotografive të tij dhe tre filma të shkurtër. Prezantimi i tij mund të ndahet në gjashtë pjesë. Së pari ai tregoi një numër fotografish të hershme, më pas fotografi baleti, pastaj fotografi të interpretuesve, shfaqjeve dhe regjisorëve, pasuar nga fotografi që kishin të bënin me muzikë, të cilat u pasuan nga fotografi që kishin të bënin me artin dhe në fund Mili tregoi tre filmat e tij të shkurtër. Çdo sekuencë e fotografive përfshinte fotografi të njerëzve të njohur në secilën fushë duke përfshirë: Sophia Loren, Arthur Rubenstein, Pablo Casals, Duke Ellington dhe Pablo Picasso-n.

Mbi profesionalizmin, Mili deklaroi : “Ishte një jetë e mirë nëse mendoj për njerëzit që kam takuar, ngjarjet që kam qenë dëshmitar, idetë që unë mbart akoma dhe më në fund imazhet që kanë fituar një realitet të qëndrueshëm.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/wellesley-news-1975-gjon-mili-ne-konferencen-e-massachusetts-institute-of-technology-ja-perse-jeta-ime-ishte-e-mire/. 

Sot mbahet ceremonia për konkursin ‘Letër Presidentes’, presidentja Osmani do të takohet me fëmijët

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast dhjetë fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do t’i lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet sot, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Historianët e Deçanit për betejën e Kosovës: Serbia po tenton ta falsifikojë historinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka akuzuar Serbinë se duke e prezantuar si fitore të saj betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, po tenton ta falsifikojë historinë duke u bazuar në mite dhe gënjeshtra.

Në reagimin e tyre, historianët e Deçanit kujtojnë opinionin se historia nuk mund të shtrembërohet mbi Betejën e Kosovës.

“Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389, ka qenë disfata me e madhe që e ka pësuar aleanca ballkanike antiosmane e përbërë nga princat ballkanas, si dhe ndër fitoret më të mëdha që ka shënuar Perandoria Osmane në shekullin XIV”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.

Për më tepër, historianët e Deçanit thonë se humbja e aleancës ballkanike karshi forcave osmane, e cila festohet si fitore nga serbët, të cilët kanë qenë pakicë ushtarake në këtë aleance, nuk është asgjë tjetër së vetëm një mit dhe tentim për të falsifikuar historinë.

“Manovrat e tyre për të shndërruar Kosovën si “toke të shenjtë serbë” nuk qëndron, ngase serbet zyrtarisht ortodoksinë e kanë pranuar nga shqiptarët, të cilët në masë të madhe ishin të përkatësisë fetare ortodokse, ngase pjesa me e madhe e tokave shqiptare pas vitit 1054, kur ndahet kisha në dy rite, në atë katolike – perëndimore dhe në atë ortodokse – lindor, i kanë takuar kishës lindor, ngase ishin në administrimin e Perandorisë Bizantine, perandori e cila si fe zyrtare e kishte ortodoksinë. Historia serbe është e ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Ata, si popull gjithnjë kanë qenë uzurpator dhe si të tillë sillen qysh nga shekulli VII, kur kanë ardhur në Ballkan si fise barbare”, përfundon reagimi. / Gazeta Express / KultPlus.com

“Nëse nuk mund të ushqesh 100 vetë, të paktën ushqe vetëm një”

Rrugëtimin si misionare, Nënë Tereza e ka nisur në kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë, ka udhëtuar drejt Indisë. Në vitin 1950, krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, që edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

“Njerëzit që nuk kanë asgjë, që nuk i do askush, që janë bërë barrë mbi shoqërinë, që kanë harruar çfarë është dashuria… për ne, ata janë njerëz të Zotit”, – ka thënë Nënë Tereza.

“Nëse nuk mund të ushqesh 100 vetë, të paktën ushqe vetëm një”, – është tjetër porosi e saj, për njerëzit.

Dhembshuria, sakrifica dhe përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë i kanë sjellë Nënë Terezës Nobelin për Paqe, në vitin 1979. Ajo, po ashtu është nderuar nga shumë udhëheqës të botës. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, i ka dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa Mbretëresha Elizabeth e Britanisë, Urdhrin e Meritës.

Humanistja e madhe me origjinë shqiptare, ka qenë armike e betuar e ndëshkimit kapital dhe kundërshtare e fuqishme e abortit, duke e cilësuar si “minuesin e paqes”.

Kur Nënë Tereza takuar kryeministren e Indisë, Indira Gandhi, për të kundërshtuar një program sterilizimi, që do të frenonte rritjen e popullsisë indiane, ajo është shprehur e mahnitur: Të takosh Nënë Terezën, do të thotë të ndihesh krejtësisht e përulur.

Figura e saj e pashembullt është motiv frymëzimi për njerëzit në mbarë botën, me episodet nga më të të ndryshmet. Po shkëpusim një fragment, nga libri me autor Leo Maasburg, “Nënë Tereza, histori magjepsëse”:

Historia e parë

Unë nuk do ta harroj kurrë, sesi dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Më thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duam ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Historia e dytë

Para se të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se do të shkoja atje. Kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël, erdhi tek unë dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjesht nuk kam asgjë. Por, kam këtë copë çokollatë. Ndaj, ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’

Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase, për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri, në Etiopinë e largët. Ky është gëzimi i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte ne, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar ne sesi duhet të duhemi. Kjo është rruga, sesi duhet të duami edhe ne: deri në dhembje./KultPlus.com

Aktorja franceze kryesuese e jurisë ‘Cameras d’or 2021’ në festivalin e Kanës

Aktorja franceze, Mélanie Thierry, do të kryesojë jurinë e ‘Cameras d’or 2021’ në festivalin e filmit në Kanë, shkruan KultPlus.

Kamera d’or, e krijuar në 1978, i jepet shfaqjes më të mirë të parë të paraqitur në Zgjedhjen Zyrtare. Me qëllim që të mbështesë krijuesit e rinj, ky çmim vepron si një nxitës i karrierës për kineastët, duke u dhënë atyre një vëmendje dhe një derë për një ekspozim ndërkombëtar.

Në të kaluarën, ky çmim iu dha Jim Jarmusch, Mira Nair, Jaco Van Dormael, Naomi Kawase, Bahman Ghobadi, Steve McQueen. Në 2016, Houda Benyamina fitoi atë për Divines, në 2017, Léonor Serraille për Jeune femme, në 2018 Lukas Dhont për Girl dhe në 2019, César Diaz për Nuestras Madres.

Camera d’or 2021 do të jepet nga Presidenti i Jurisë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Shtunën, 17 Korrik.

Lista e 31 filmave që garojnë për Camera d’or

C.B. Yi – Moneyboys

Gessica Généus – Freda

Valdimar Jóhannsson – Lamb

Yohan Manca – Mes frères et moi (La Traviata, my Brothers and I)

Teodora Ana Mihai – La Civil

Na Jiazuo – Gaey Wa’r (Streetwise)

Laura Wandel – Un monde (Playground)

Noémie Merlant – Mi iubita mon amour

Maxime Roy – Les Héroïques (The Heroics)

Wen Shipei – Are You Lonesome Tonight?

Khadar Ayderus Ahmed – The Gravedigger’s Wife

Omar El Zohairy – Feathers

Elie Grappe – Olga

Julie Lecoustre & Emmanuel Marre – Rien à foutre

Simón Mesa Soto – Amparo

Clara Roquet – Libertad

Laura Samani – Piccolo Corpo

Constance Meyer – Robuste

Charline Bourgeois-Tacquet – Les Amours d’Anaïs

Sandrine Kiberlain – Une jeune fille qui va bien

Vincent Le Port – Bruno Reidal

Antoneta Alamat Kusijanović – Murina

Nathalie Álvares Mesen – Clara Sola

Luàna Bajrami – Luaneshat e Kodrës (The Hill Where Lionesses Roar)

Vincent Cardona – Les Magnétiques (Magnetic Beats)

Ely Dagher – The Sea Ahead

Payal Kapadia – A Night of Knowing Nothing

Panah Panahi – Jadde Khaki (Hit the Road)

Yassine Qnia – De bas étage (A Brighter Tomorrow)

Alessio Rigo de Righi & Matteo Zoppis – Re Granchio (The Legend of King Crab)

Saul Williams & Anisia Uzeyman – Neptune Frost./ KultPlus.com

https://www.festival-cannes.com/en/infos-communiques/communique/articles/the-actress-melanie-thierry-president-of-the-camera-dor-jury?fbclid=IwAR2lWpC3OgkBINgZ2itDBqyQTE4niQgg0gXt_-b1s8DpHkIlNXa_QW84I0k

Dua Lipa rrëfen për Vanity Fair se si e ka përjetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, vazhdon të numëroj suksese të shumta si në botën muzikës, ashtu dhe përtej saj, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtij viti krahas projekteve të shumta muzikore që ka sjellë, ajo është bërë edhe figurë e shumë magazinave presitigjoze, ku ajo pozon atraktive si çdo herë.

Bëhet fjala për magazinën e famshme Vanity Fair, për të cilën këngëtarja ka dhënë një intervistë dhe ku shpalosen sukseset e saja në muzikë, që nga publikimi i këngës së parë e deri më sot.

Por, ky artikull nuk kufizohet vetëm me kaq, aty tregohet në detaje jeta e këngëtares që nga koha kur ajo jetonte në Prishtinë, migrimin e saj me prindërit në Londër, por dhe shumëçka tjetër.

Në këtë artikull tregohet edhe se si Dua ka përjetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mënyrën se si ajo e ka përjetuar atë moment.

“Më kujtohet kur pashë gëzimin e prindërve të mi dhe familjes time dhe të gjithëve, duke dëgjuar të gjithë qytetin që gjëmonte kur ndodhi Dita e Pavarësisë”, ka thënë ndër të tjera ajo për Vanity Fair.

Tutje në këtë intervistë ajo ka rrëfyer edhe për jetën gjatë kohës së pandemisë, lidhjes së saj me Anwar Hadid dhe triumfin e saj të padiskutueshëm në Oscars. Njëkohësisht këtu shpalosen edhe detaje për planet e saj në të ardhmen.

Sipas Vanity Fair, Dua po përgatitet për dy albume dhe turne të tjerë gjatë viteve të ardhshme.

“Unë dua të ngurtësohem si artiste në atë aspekt së pari, para çdo gjëje tjetër,” tha ajo.

“Tani për tani, thjesht dua të sigurohem që muzika është e mirë”, ka shtuar Lipa.

Këngëtarja në fotografitë që janë publikuar së bashku me intervistën vjen me një stil që së bashku me sharmin e saj të dërgon në modën e viteve të 80-ta./ KultPlus.com

Festivali “Këngët e Tokës” në Ksamil

Në Ksamil u zhvilluar edicioni i 20-të i festivalit “Këngët e Tokës”.

Në këtë festival konkurruan fëmijët në disiplina të ndryshme të artit si në poezi, këngë dhe interpretim në instrumente. Ky festival u zhvillua për tri netë rresht dhe pati shumë fëmijë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria.

Vetë kompozitori dhe organizatori i këtij festivali, artisti i njohur Limoz Dizdari është shprehur se, “është kënaqësi të shohësh këta fëmijë të talentuar nga e gjithë Shqipëria, sidomos pas asaj vështirësie që kaluam nga pandemia”.

Festivali “Këngët e Tokës” tashmë është kthyer në një identitet dhe traditë për Ksamilin që mirëpret artistët e vegjël dhe se ata që kanë qenë pjesëmarrës në edicionet e para, sot luajnë në skenat prestigjioze ndërkombëtare./asth/KultPlus.com

Gashi publikon këngën e re, videoklipi shoqërohet me valle shqiptare (VIDEO)

Reperi me famë ndërkombëtare, Gashi, ka publikuar këngën e tij më të re ‘Don’t Pass On Love’, shkruan KultPlus.

Gashi, pas lansimit të kësaj kënge e cila është shoqëruar edhe me videoklip, ka publikuar një video në Instagram duke shfaqur prapaskenat e këtij klipi.

Ai në përshkrimin e kësaj videoje ka shkruar se duhet  pasi që prindërit kërkojnë një vajzë shqiptare për nuse, duhet të ua mësosh vallëzimin shumë shpejt.

“Kur prindërit tuaj thonë që ajo duhet të jetë shqiptare, kështu që ju përpiqeni ta mësoni asaj 2 hapa shumë shpejt”, ka shkruar ai.

Ky vallëzim është edhe pjesë e videoklipit të tij të ri./ KultPlus.com

Dy shqiptarë luajnë në filmin për jetën e Zlatan Ibrahimovic

Dominic Andersson Bajraktari dhe Granit Rushiti janë shqiptarët që do të jenë pjesë e filmit që rrëfen jetën e futbollistit të njohur Zlatan Ibrahimovic, traileri i të cilit u publikuar mbrëmjen e së hënës.

Granit Rushiti, një sulmues suedez 20-vjeçar, me origjinë shqiptare, nga Kosova, do të jetë aktori që do të interpretojë Ibrahimovic në versionin e periudhës midis moshës 17 dhe 23 vjeç.

Nga mosha 11 deri 13 vjeç do ta interpretojë Dominic Bajraktari Andersson, edhe ky me rrënjë shqiptare.

Filmi “Unë jam Zlatan”, drejtuar nga Jens Sjogren, një regjisor suedez 44-vjeçar, dhe shkruar nga Jakob Beckman e David Lagercrantz, do të jetë i pari në jetën e Ibrahimoviç, pas dokumentarit të vitit 2015.

Filmi, i xhiruar midis Suedisë dhe Amsterdamit, do të dalë në kinema duke filluar nga 10 shtatori 2021./ KultPlus.com

La Scala “braktis” muret e saj për një seri koncertesh në qytet

Opera e famshme “La Scala” e Milanos ka vendosur të dalë jashtë mureve të saj fisnike për të ofruar një seri koncertesh falas në mjedis të hapur.

“Është një sinjal rimëkëmbjeje, ne do të takojmë publikun, sepse opera, muzika dhe baleti janë për të gjithë”, tha për shtypin Dominique Meyer, drejtori i “La Scala”-s.

Nga 11 deri më 13 korrik, orkestra, kori dhe baleti i teatrit prestigjioz do të interpretojnë në 14 koncerte me një repertor duke filluar nga jazz te Vivaldi dhe Donizetti, përfshirë Brahms, Bach dhe Rachmaninoff.

Kjo seri koncertesh do të përfundojë më 14 korrik, me një ditë kushtuar skenës legjendare italiane, me Verdi, Rossini dhe Puccini në program.

Pas gjashtë muaj heshtjeje për shkak të COVID-19, “La Scala” u ribashkua me publikun e saj më 10 maj./atsh/ KultPlus.com

TKK në 7 vjetorin e vdekjes kujton ish drejtorin Hazir Myftari: Vepra e tij është monumentale

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kujtuar sot në 7 vjetorin e vdekjes, ish drejtorin e këtij teatri dhe njëherësh aktorin e njohur, Hazir Myftari, shkruan KultPlus.

“Janë bërë 7 vite që kur ka ndërruar adresë – për të marrë adresën e përjetësisë, aktori i Teatrit Kombëtar, emër i përveçëm i skenës, i filmit artistik dhe i Kulturës Nacionale të Kosovës – Hazir Myftari”, shkruhet ndër të tjera në përkujtimin e TKK-së.

Ata tutje kanë shkruar se veprat e Myftarit janë monumentale, kurse rolet e tij, të interpretuara ndër vite dhe dekada, e bëjnë atë të veçuar, të nderuar dhe të respektuar në kronologjinë e fakteve historike dhe kulturore.

“Andaj, në shenjë të kontributit jetik, ne, si pasthirrmë e jehut të tyre, do ta kujtojmë Hazir Myftarin, për peshën e fjalës skenike dhe për këmbënguljen e Tij, që emri i Teatrit Kombëtar, sot e për mot, të marrë formë dhe përmbajtje kombëtare.”, shkruhet tutje.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë: 

Duke e kujtuar ish Drejtorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës – aktorin Hazir Myftari!

Janë bërë 7 vite që kur ka ndërruar adresë – për të marrë adresën e përjetësisë, aktori i Teatrit Kombëtar, emër i përveçëm i skenës, i filmit artistik dhe i Kulturës Nacionale të Kosovës – Hazir Myftari.

Vepra e tij në relacion me të bëmat e Tij, është monumentale, ndërsa rolet e Tij, të interpretuara ndër vite e dekada, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe përtej saj, atë, e bëjnë të veçuar, të nderuar dhe të respektuar në kronologjinë e fakteve historike – kulturore.

Teatri Kombëtar i Kosovës, sipas dëshmive dhe dëshmitarëve konkret, ka lulëzuar, është ngritur dhe fuqizuar në shkallë profesionalizimi, duke u bërë konkurent serioz me festivalet e njohura të kohës, brenda luksit të hapësirave gjeografike rajonale.

Andaj, në shenjë të kontributit jetik, ne, si pasthirrmë e jehut të tyre, do ta kujtojmë Hazir Myftarin, për peshën e fjalës skenike dhe për këmbënguljen e Tij, që emri i Teatrit Kombëtar, sot e për mot, të marrë formë dhe përmbajtje kombëtare.  

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës/ KultPlus.com

Vjosa Osmani takon Elvana Gjatën, bisedojnë për artin dhe muzikën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme është takuar me këngëtaren e njohur shqiptare, Elvana Gjata, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka falënderuar Osmanin për mikpritjen dhe bisedën që kanë bërë për artin dhe muzikën.

“Falemderit që më keni pritur Presidente Vjosa Osmani. E lumtur për pritjen dhe bisedën e ëmbël për muzikën e artin, të ardhmen dhe shpresën për ditë më të bukura për të gjithë shqiptarët. #womenempowerement #çelu”, ka shkruar ajo në Facebook.

Elvana Gjata i ka dhuruar Osmanit edhe albumin e saj të fundit ‘Çelu’./ KultPlus.com

‘Kur mësova ti fshij vetë lotët, gjeta një shpatull ku të qaja’

“Kur fitova mjaftueshëm besim, dritat e skenës u veniten, 
Kur isha e sigurt se do humbisja, fitova, 
Kur kisha më tepër nevojë për njerëz, më braktisën, 
Kur mësova ti fshij vetë lotët, gjeta një shpatull ku të qaja, 
Kur përsosa aftësinë e të urryerit, dikush filloi të më donte me gjithë zemër,
E ndërsa prisja me orë të tëra ditën të zbardhte, flija ndërsa dielli lindte…
Kjo është jeta! çfarëdo planesh që të bësh, asnjëherë nuk e di se ç’plane ka bërë ajo për ty! 
E di, suksesi të bën të njohur në gjithë botën 
por dështimet të bëjnë ty të njohësh botën.
Jini të lumtur… gjithmonë.
Shpesh ne e humbasim besimin dhe mendojmë se ky është fundi… Por Zoti, që sheh, buzëqesh dhe thotë “Qetësohu e dashur, ishte thjesht një kthesë… udhëtimi vazhdon …” – Sophia Loren.

Sophia Loren lindi më 20 shtator 1934 në Romë, Itali. Është një aktore e filmit dhe teatrit dhe fituese e çmimit Oskar.

Në 1962, ajo fitoi çmimin e Akademisë për aktoren më të mirë për rolin e saj në “Dy Gratë”, duke u bërë kështu aktorja e parë që fitoi një Çmimi Akademie për një performancë jo-anglisht-folëse. Loren ka fituar 50 çmime ndërkombëtare, duke përfshirë dy Oskar, pesë Golden Globe Awards, një Grammy Award dhe çmimin BAFTA. Filmat e saj të tjerë janë: Krenaria dhe Pasioni (1957), Lundër e banuar (1958), El DC (1961), Rënia e Perandorisë Romake (1964), Njeriu i La Mancha (1972), Cassandra (1976), interpretojnë -à-Porter (1994), Burrat Grumpier të Vjetër (1995), dhe “Nëntë” (2009).

Në 1999, Sophia Loren ishte listuar nga Instituti i Filmit Amerikan në Vite AFI’s 100. Nga 100 Yjet si një nga 25 ekranit amerikane femra legjendat e të gjitha kohërave. Në 2002, ajo u nderua nga Fondacioni italiane Kombëtar Amerikan (NIAF) në përvjetorin e saj vjetor Gala./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshje me GKK-në, pritet të ekspozohen veprat e Hotelit Grand dhe artisti Alban Muja

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Galerinë Kombëtare të Kosovës për bashkëpunim në realizimin e ekspozitave të ndryshme të cilat janë pjesë e programit kulturor të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori për kulturë në komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Berisha ka shkruar se pjesë e ekspozitave do të jetë edhe ajo me koleksionin e veprave të Hotelit Grand dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’i ekspozojë veprat e tij jetësore që i ka realizuar gjatë 15 viteve të fundit.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Sot kemi nenshkru marreveshje me Galerine Kombetare te Kosoves per bashkepunim ne realizimin e ekspozitave te ndryshme si pjese e programit kulturor te qytetit te Prishtines. 

Nder te tjera, vlen te permendet ekspozita me koleksionin e veprave te Hotel Grandit te trasheguara nga GKK dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’’i ekspozoje veprat e tij jetesore qe i ka realizuar gjate 15 viteve te fundit.

Marreveshjen e nenshkruam bashke me U.D i drejtorit i GKK-se, Naim Spahiun te cilin e falenderoj per pritjen dhe bashkepunimin e ndersjelle./ KultPlus.com

52-vjeçari lë jetën e zhurmshme të qytetit dhe bëhet CEO i ishullit në Britani

Craig Senior, nga Rotherham la jetën e zhurmshme të qytetit dhe nisi punën si CEO në ishullin Herm në vitin 2019. Ishulli gjendet në kanalin e La Manshit, në veriperëndim të Francës dhe në jug të Anglisë.

52-vjeçari u përzgjodh mes 280 kandidatëve, ndërsa puna e tij është të sigurohet që ishulli “të jetë komercialisht i qëndrueshëm, sidomos financiarisht”.

Të ardhurat kryesore për këtë ishull vijnë nga turizmi pasi pamjet janë vërtet përrallore.

I rrethuar nga dete magjepsëse, ishulli i Herm i ofron mundësi të pafundme turistëve për të kaluar një eksperiencë të paharrueshme.

Por fatkeqësisht ishulli prej kohësh nuk po sjell të ardhura të mjaftueshme, ndaj mbështetja shtesë nga John Singer dhe gruaja e tij Julia, të cilët morën me qira Herm 12 vjet më parë si pjesë e një marrëveshje 15 milionë dollarë me Shtetet e Guernsey, është shumë e nevojshme.

Por, Senior vazhdon t’i mbajë lart shpresat dhe shprehet se fëmijët e tij dhe gruaja janë shumë të lumtur. Madje kur e pyesin, Senior shprehet se zyra e tij ndodhet në “parajsë”./a2/KultPlus.com

Prestigjozja franceze ‘Le Figaro’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, perlën bregdetare

Gazeta prestigjoze franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë dhe atraksioneve turistike që Shqipëria ofron.

“Le te jemi te sinqerte. Çfarë dimë për Shqipërinë? Dimë pak për periudhën e e diktaturës komuniste, për mercedesin e vjetër, bunkerët e shumtë dhe ndoshta njohin shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare… Kaq dimë. Trashëgimia helene? Dihet shumë pak. E kaluara dhe pushtimi Osman? Shqipëria është shumë më tepër se kaq, është 2000 vjet histori, kultura, qytetet antike dhe peisazhet e larmishme.

Në veri janë malet dhe luginat e thella, në qendër qytetet e zhvilluara. Në perëndim kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdeti dhe plazhet e tij, pjesa më e frekuentuar nga turistët.

Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të mirë të Adriatikut. Pasi kaloni Vlorën mund të shijoni Detin Jon. Para syve tuaj, gjire të vegjël, ujëvara dhe fshatra në majë të kodrave. Jo, nuk është Greqia, por Riviera Shqiptare, 100 km vijë bregdetare, limane të fshehura dhe zona arkeologjike. Grekët, Romakët dhe Bizantinët ishin vendosur atje. Turistët tani vijnë të shijojnë plazhin.

Dhërmi, “Perla e bregdetit”. Kështu e quajmë ne. Me këtë kuptojmë: ujë të pastër, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë. Dhërmi është një nga vendpushimet më të njohura bregdetare. Ka infrastrukturë cilësore dhe një territor përrallor. Një avantazh tjetër: vija bregdetare është e gjatë. Rreth teje, mali, ai i vërtetë, kap majat mbi 2000 metra. Dhërmi është bregdet, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak. Aty do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, pemë fiku, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, duke përfshirë Manastirin e Panagia, të vendosur në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit të 16-të.

Plazhi i Gjipesë është një nga më të bukurit në Shqipëri. 400 metra guralecë, ujë të pastër dhe shkëmbinj përreth. Ideale për not, natyrë përreth dhe qetësi. Një kanion mbresëlënës. Ju mund ta eksploroni atë në këmbë në liri të plotë derisa të gjendeni të bllokuar nga shkëmbinjtë dhe bimësia.

Zyrtarisht, Porto Palermo meriton një vizitë më vete. Nga lart, duket si një ishull, i rrumbullakët dhe i mbështjellë me ujë të pastër. Nga poshtë, të fton për not dhe eksplorim. Është një gji i bukur dhe i paprekur. Porto Palermo citohet rregullisht ndër destinacionet më të bukura në Evropë./ KultPlus.com

‘Shingjergjat po sillen more djalë, vjeshtat po përcillen dylbero’ (VIDEO)

Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit, është një këngë që nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite, shkruan KultPlus.

Po e sjellim poshtë edhe tekstin e këngës bashkë me videon e zërit kaq të ëmbël të Platorit.

Shingjergjat po sillen


Shingjergjat po sillen, more djalë!           
Shingjergjat po sillen, more djalë!           
Vjeshtat po përcillen, dylber o           
Vjeshtat po përcillen, shiqer o.           

Qajo gujë e gatë, o more djalë           
Qajo gujë e gatë, o more djalë,           
T’i kputi dy krah’t o dylber o                
T’i kputi dy krah’t o shiqer o.           

Qajo gujë e shkurtë, o more djalë           
Qajo gujë e shkurtë, o more djalë,           
T’i mërdhini gujtë, o dylber o               
T’i mërdhini gujtë, o shiqer o.           

Sivjet kur t’vjen vjeshta, more djalë           
Sivjet kur t’vjen vjeshta, more djalë,           
Bashkë dalim tu vneshta, dylber o           
Bashkë dalim tu vneshta, shiqer o.       

Kur po çon me m’lypë, o more djalë           
Kur po çon me m’lypë, o more djalë,           
S’po m’len baba yt, o dylber o           
S’po m’len baba yt, o shiqer o.       

Ça ka baba jem, o more djalë               
Ça ka baba jem, o more djalë,           
Me jaranin tem, o dylber o               
Me jaranin tem, o shiqer o.               

Baba n’mos m’dhashtë, o more djalë           
Baba n’mos m’dhashtë, o more djalë,       
Merre qat’ udhë t’gatë, o dylber o           
Po,                           
Merrëm edhe mu, o shiqer o;       

Merre qat’ udhë t’gatë, o dylber o           
Po,                           
Merrëm edhe mu o shiqer o./ KultPlus.com

Sislej Xhafa prezantohet në Tiranë me instalacionin ‘bleta’

Këtë të enjte në Tiranë do të inaugurohet vepra publike ‘bleta’ nga artisti, Sislej Xhafa dhe kuruar nga Ajola Xoxa, shkruan KultPlus.

Inaugurimi do të zhvillohet me datën 1 korrik duke filluar nga ora 18:30 te ‘Landfilli i Tiranës’ në Tiranë.

‘bleta’ është vepra e katërt që instalohet në Tiranë në kuadër të projektit ‘Free Art’ të Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel, pas instalimit të veprave të Adrian Pacit, Alban Mujës dhe Sadik Spahisë.

Përmes këtij projekti Harabel synon afrimin e publikut me artin bashkëkohor, përmes instalimit të veprave të artit në hapësira publike, pa nevojën e hyrjes në galeri apo muze, si përforcim i qëndrimit të konsoliduar të Harabel se arti është një mjet edukues dhe formues i individit, rritës i mendimit intelektual, mendimit kritik dhe imagjinatës, e jo thjesht dekorues./ KultPlus.com

Mrekullia e bjeshkëve të Dukagjinit

Ndonëse për bukuritë natyrore dhe artefaktet në pjesën e Dukagjinit të cilat i krijojë natyra dhe dora e njeriut është shkruar shumë dhe ato mund t’i gjeni në vargje poetësh, në skenarë filmash dhe në rrëfime të çdokujt që ka vizituar këtë pjesë të bukur të Kosovës, për mikpritjen dukagjinase, për vizitën në Manastirin e Deçanit, në bjeshkët Nemuna, në bjeshkët e Prejlepit, në qytetin antik të Gjakovës, zor është të gjenden fjalë të spikatura për t’i përshkruar, meqenëse fjalët janë të pakta karshi historisë, bukurisë dhe mirëpritjes tradicionale që mund ta gjeni në këtë cep të bukur të Kosovës.

Drenoci, fshat historik

Para se të ngjiteni në bjeshkët e Prejlepit, është e pamundur të mos ndaloni në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit, fshat ky me vlera historike, kulturore dhe tradicionale. Ky fshat dita-ditës po bëhet tërheqës edhe për turistët e huaj nga rajoni, Evropa dhe bota e largët.

E veçanta e fshatit Drenoc janë kullat prej guri. Në të dyja anët e sokakut të këtij fshati janë të ndërtuara dhe restauruara kulla prej guri me shumë mjeshtri, art dhe traditë. Ndonëse lufta e shkatërroi çdo gjë, ky fshat u ringrit duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore.

Fëmijët që shihen duke shëtitur rrugëve të Drenocit i japin kuptim të ardhmes se jeta vazhdon.

Tradita në fshatin Drenoc nuk u shua. Turizmi çdo ditë e më shumë po zhvillohet duke ruajtur kulturën dhe zakonet shqiptare. “Këtu çdo vit kemi turistë të huaj të cilët vijnë dhe qëndrojnë me net të tëra në kullën tonë. Vijnë edhe shtetas amerikanë të cilët qëndrojnë nga dy javë. Turistët mund të bujnë këtu dhe të ushqehen me ushqime tradicionale”, tregon e zonja e kullës “Bujtina Mazrekaj”.

Artefaktet e nënave, gjysheve, baballarëve dhe gjësendet me të cilat kanë jetuar, qëndrojnë në ballë të çdo kullë në lagjen Mazrekaj. Veshja e katundit, enët antike prej druri, sofra e rrumbullakët dhe djepi ta kujtojnë kohën dhe jetesën e të parëve tanë. Pozita gjeografike, klima, malet, grykat, flora dhe fauna, trashëgimia natyrore dhe kulturore, janë elemente bazë që Deçanin e bëjnë destinacion turistik për turistët e vendit dhe të huajt.

Manastiri i Deçanit

Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XI. Është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s.

Manastiri i Deçanit është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të bjeshkëve të Nemuna, dhe është rindërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër ilire.

Ajri i pastër, cicërima zogjsh dhe një qetësi flladitëse që vjen nga Bjeshkët e Nemuna, të shoqërojnë derisa pret ta dorëzosh lejen identifikuese tek ushtarët e KFOR-it për ta vizituar këtë manastir.

Duke hyrë në oborrin e Manastirit të Deçanit takohesh me shumë vizitorë të huaj dhe dëgjon gjuhë të ndryshme të botës. Për Manastirin e Deçanit është thënë shumë dhe vazhdon të thuhet dhe shkruhet në mediat me nam botëror rreth historisë, tokës që rrethon, pozitës gjeografike dhe divirsitetit etik që është treguar prej shekujsh në këtë manastir, por edhe rreth etnicitetit të këtij manastiri.

Një pjesë e hapësirës te Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë çështje mospajtimesh në mes të përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë. Drejtuesit e Komunës së Deçanit thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka. Edhe tri vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në terren mundësitë për ta zbatuar këtë vendim shihen të pakta. Mospajtimet për këta 23 hektarë tokë vazhdojnë ende.

Afër Manastirit rrjedh edhe burimi i ujit të Gushavcit, i cili është mineral dhe edhe shërues i shumë sëmundjeve. Deçani, që njihet për bukuritë e bjeshkës, tashmë ka edhe këtë burim të ujit, ku çdo ditë e më shumë po rritet interesimi për qytetarët për ta përdorur këtë ujë.

Bjeshkët e Nemuna

Me të kaluar Manastirin e Deçanit, rruga të shpie te Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në juglindje të Malit të Zi.

Ndërkaq, ndërthurje me këto bjeshkë bëjnë dhe bjeshkët e Prejlepit të cilat kanë lartësi mbidetare 2 150.

Lartësia mbidetare (2656 metra) e Bjeshkëve të Nemuna ofron kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit sezonal dimëror dhe turizmit sezonal veror.

Turizmi dimëror zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit duke iu referuar terreneve shumë të përshtatshme natyrore, hapësinore e klimatike për zhvillim.

Këto bjeshkë karakterizohen me bukuri të shumta natyrore, të cilat, të ndërthurura me stanët e ndërtuar nga banorët e kësaj ane, ajrin e pastër, dhe bimët e shumta natyrore, përbëjnë pamje mahnitëse.

Peizazhi i tyre është në të katër anët, madje me t’u ngjitur deri në krye, mund t’i shihni pikat kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Për jetën turistike në bjeshkët e Prejlepit kanë folur dy vendësit e kësaj ane, Hatmone Lokaj dhe Besnik Hulaj. Besnik Hulaj nga fshati Prejlep, që është edhe pronar i bujtinës turistike “Guest House – Hulaj”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në verë dhe dimër ka vizitorë të shumtë.

Ai ka treguar se si filloi të rigjallërohej kjo bjeshkë menjëherë pas luftës, meqenëse në luftë forcat serbe i kishin djegur të gjitha stanet, por ato u rindërtuan sërish. “Diku në vitin 2001 familjarët e mi ishin ndër të parët që erdhën këtu dhe filluan ta ndërtojnë stanin të cilin e kishin djegur serbët. Në atë kohë kishte hezitime, meqenëse kishim drojën mos forcat serbe kanë lënë ndonjë minë dhe mund të eksplodojë. Mirëpo, gradualisht banorët e Deçanit filluan t’i rindërtojnë stanet dhe tani, siç e shihni, është një peizazh i mrekullueshëm që vizitohet nga shumë turistë vendorë dhe të huaj”, ka thënë Hulaj, duke shtuar se, pos ajrit, ujit dhe pamjeve magjepsese, në këtë vend turistët mund të ushqehen me ushqime tradicionale. “Vizitorët mund ta marrin me vete ushqimin, por ka dhe nga ata që duan ushqime tradicionale dhe këtu mund të porosisin çfarë të duan. Çmimet janë të arsyeshme”, ka treguar Hulaj.

Për ushqimet tradicionale ka folur edhe Hatmone Lokaj, e cila gatuan të gjitha llojet e ushqimeve tradicionale me porosi.

“Një vit pas luftës ne kemi dalë në bjeshkë. Unë gatuaj çfarëdo ushqimi tradicional me porosi për vizitorët që vijnë në këtë pjesë”.

Një herë në javë dërgoj ushqim tradicional edhe në Gjakovë. Zakonisht përgatiti nga tri-katër pitë brenda ditës. Gjithashtu, gjatë verës merrem edhe me mbjelljen e frutave, si mjedra dhe boronica”, ka thënë Hatmone Lokaj./epokaere/ KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim artistin Petrit Halilaj, sjell instalacionin e famshëm “Lule Mosmëharro”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim një nga artistët më të suksesshëm bashkëkohor shqiptar, Petrit Halilaj, shkruan KultPlus.

Halilaj ka ardhur në Kosovë sepse nesër  së bashku Alvaro Urbano  me do të bëhet prezantimi i instalacionit të famshëm ‘Lule Momëharro 2020-2020”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Austradës Bienale.

Ky instalacion do të jetë i hapur për publikun nga data 1 korrik deri më 11 shtator të këtij viti.

Petrit Halilaj është një prej artistëve që me punën e tij ka arritur suksese dhe është prezantuar në galeritë dhe vendet më të njohura të botës në fushën e artit. Ai punon mes Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë ndërsa puna e tij është e bazuar në dokumente, narativa dhe kujtime të lidhura me historinë e Kosovës.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu, Alvaro Urbano,Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza./ KultPlus.com

Dua Lipa dëshiron të bëhet yll i filmave

Këngëtarja e njohur botërore, Dua Lipa, do të dëshironte të bëhet aktore.

25-vjeçarja Lipa e cila me prejardhje është nga Kosova, është e intriguar dhe e emocionuar në lidhje me idenë e ndërtimit të një karriere në film, në bazë të përvojës që ajo e ka fituar nga aktrimi në videoklipet e saja muzikore, por nuk dëshiron që menjëherë të debutojë me një rol protagonist.

E pyetur rreth mundësisë për ta provuar veten në aktrim, Lipa tha: “Mendoj se do të më pëlqente kjo gjë. Aktrimi është definitivisht diçka që do të doja ta eksploroja dhe ta përjetoja, por fillimisht me ndonjë rol të vogël. Ndjej se tani kam vetëbesim më të lartë, ngaqë kam krijuar eksperienca të shumta dhe mendoj se anën kreative të aktrimit e kam zbuluar nga realizimi i videoklipeve muzikore. Prandaj ndihem e intriguar dhe mjaft e emocionuar rreth mundësisë që në një pikë të jetës ta provojë edhe këtë fushë të artit”.

Dua në veçanti e ka shijuar transformimin në videoklipin e saj të fundit, “Love Again”.

“Më ka pëlqyer shumë transformimi në këtë klip, dhe jam argëtuar shumë. Me këtë projekt doja të provoja gjëra të reja. Unë dhe stilisti im, Lorenzo, bashkëpunojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kur e krijuam këtë ide, ajo vazhdoi të zhvillohej tutje dhe u shndërrua në diçka që të dyve na pëlqente shumë. Jemi argëtuar shumë gjatë xhirimit të këtij klipi dhe e kam shijuar personazhin që e kam portretizuar”.

Edhe pse aktualisht, ajo po jeton në Los Angeles, Lipa e cila është në lidhje me modelin Anwar Hadid, thotë se nuk përmallohet për vendlindje deri në momentin që prishet moti.

“Është qesharake, sepse kur bie shi në L.A., atëherë unë kam mall për Londrën. Kështu që është në rregull tani, dielli po shkëlqen dhe gjithçka është mire”.

Dhe ylli i hitit “Levitating” gjithmonë mund ta bëjë veten të ndihet më mire, duke u kënaqur me ushqimet e saj të preferuara.

“Rehatinë e preferuar e gjej tek ushqimi. Thjeshtë më pëlqen ta ngushëllojë veten përmes ushqimit. Më pëlqen shumë peshku dhe patatet e skuqura, dhe më pëlqen të ha çipsa. Në fakt më shumë më pëlqejnë produktet e njelmëta. Por, në raste të caktuara kam dëshirë të ha petulla me xhem të mjedrës. Mirëpo varet nga disponimi dhe fakti se çfarë dite kam kaluar”.

Lipa gjithmonë është karakterizuar për zërin e saj unik dhe të shterur, por këngëtarja insiston se kjo nuk ka të bëjë asgjë me shprehitë e këqija.

“Unë gjithnjë e kam pasur një zë paksa të shterur, qysh në moshë të re. nuk vjen si rezultat i pirjes së duhanit. Po bëjë shaka, unë e kam lënë duhanin tash e sa kohë”.

Ylli i hitit “One Kiss” ka deklaruar që mezi prej të kthehet në rrugë me turne, tani që i është dashur t’i shtyjë sërish datat e koncerteve si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Vonesa një vjeçare e turneut e ka bërë atë edhe më emocionues për mua. Jam shumë e gatshme të kthehem në rrugë dhe mezi prej të performoj live para publikut”.

Para pak ditësh, bukuroshja me prejardhje kosovare i informoi fansat për shtyrjen e datave të koncerteve, dhe njëkohësisht u kërkoi atyre t’i ruajnë biletat e blera tashmë, si dhe u premtoi që do të mundohet t’i shtoj edhe disa koncerte në kuadër të turneut të ardhshëm. / Koha.net / KultPlus.com

Gazeta franceze për Pashko Vasën: Njeriu i duhur në vendin e duhur

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  11 Gusht 2017

Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.

Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.

Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :

Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :

« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.

Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.

Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.

Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator  i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. » / KultPus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1883-pashko-vasa-the-right-man-in-the-right-place/?fbclid=IwAR0cHjYWB1IwvFWGoBm7KOuGgUBSY1a2DPspEzqShShQjNrR2gG0BSaQA3TA