Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë
Romë, 28 nëntor.
Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.
Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.
Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.
Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.
Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.
Më 11 dhjetor 1947, në Bukuresht të Rumanisë ndërroi jetë Aleksandër Stavre Drenova, i njohur si Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë dhe autori i Himnit Kombëtar (Flamurit) Shqiptar.
KultPlus ju sjell poezinë “Himni i Flamurit”.
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar, Me një dëshirë me një qëllim, Të gjithë Atij duke u betuar, Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet, Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk frikohet, Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do ti mbajmë, Të mbrojmë Atdheun në çdo vend, Të drejtat tona ne s’i ndajmë, Këtu armiqtë s’kanë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë, Që kombe shuhen përmbi dhè, Po Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne./ KultPlus.com
Po ju paraqes origjinalin e një telegrami të shtypur në makinë shkrimi që mendoj se është dokumenti i pakontestueshëm se si u shpall pavarësia në Vlorë në orën 4 pasdite të datës 28 nëntor 1912. E kam nxjerrë nga arkivi i pasur i Vjenës, një thesar për historinë shqiptare.
Telegrami prej 7 faqesh është shkruar nga konsulli austriak në Vlorë, Wenzel Lejhanec, dhe i dërgohet ministrit të jashtëm austriak për t’i dhënë lajmin se Ismail Qemali e ka shpallur Shqipërinë të pavarur.
Është një dokument i njohur nga historianët dhe i përkthyer prej kohësh në shqip, por duke patur parasysh saktësinë me të cilën austriakët regjistronin dhe raportonin gjithçka ndodhte në Shqipëri, mendoj se ky telegram është nënvlerësuar për nga rëndësia. Aq sa vitet e fundit kanë qarkulluar legjenda sikur pavarësia ka qenë shpallur jo në Vlorë.
Në librin e tij me dokumente historike, Lef Nosi regjistron shpalljen e “pavarësive lokale”, duke filluar nga Tirana më 26 nëntor e në disa qytete të tjera, si Elbasani, Durrësi, Berati, Lushnja, Kavaja dhe Peqini, ngjarje që e elektrizuan atmosferën në favor të mëvetësisë.
Do të ishte naive që, nga telegramet në librin e Lef Nosit, të arrihej në përfundimin se pavarësia na qenka shpallur në Tiranë, Lushnje, Peqin, Durrës etj. Për ironi, vetë Lef Nosi, mbledhës i këtyre telegrameve, është njëri ndër ata që firmosën pavarësinë në Vlorë.
Duke lënë mënjanë shakatë, është vërtet për të ardhur keq që nuk kemi fotografi nga shpallja e pavarësisë në Vlorë. As edhe një. Prandaj telegrami që shihni këtu në formën e tij origjinale, na ndihmon të krijojmë një përfytyrim pak a shumë të saktë për këtë ngjarje, e cila padyshim meriton të quhet historike, shkruan Ballkan Web.
Ja disa pjesë nga telegrami:
“Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh në orën 2 pasdreke, në shtëpinë e ish-kryetarit të bashkisë, Xhemil bej Vlora. Pas shqyrtimit e pranimit të mandateve të delegatëve, Kuvendi dëgjoi Ismail Qemal beun, i cili duke përshkruar shkurt situatën, theksoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit.
Kuvendi vendosi njëzëri shpalljen e pavarësisë së të gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese.
Njëkohësisht, Ismail Qemal beu u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, përkatësisht të komitetit ekzekutiv.
Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, imzot Kaçorri, famullitar i Durrësi, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij.
Më pas, aty afër orës 4 pasdreke, tek dera e shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar, një shkabë dy krenare e zezë, në një fushë të kuqe. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë iu njoftua popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.
Pastaj një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Njerëzit qëndruan përpara konsullatës sonë dhe shpërthyen në brohoritje të stuhishme duke thirrur “Rroft Shqypënija” “Rroft Austrija”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje.
Unë falënderova kolonën nga dritarja, duke tundur kapelën dhe thirrur “Rroft Shqypënija”.
Pastaj kolona marshoi para konsullatës italiane, ku u bënë manifestime të ngjashme. Edhe konsulli De Facendis u shfaq në dritare dhe falënderoi duke thirrur tri herë “E viva l’Albania”.
Para nënkonsullatës ruse nuk u bë asnjë manifestim. Flitet se u dëgjuan vetëm disa thirrje aty-këtu: “Rroftë drejtësia”./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka uruar festën e 28 Nëntorit me një mënyrë të veçantë .
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama ka zgjedhur që urimin për ditën e Flamurit ta shoqërojë me disa foto të stemës së aeroportit të Vlorës.
“Mirëmëngjesi, gëzuar 28 Nëntorin”, shkruan ai.
Kujtojmë që sot ka nisur puna zyrtarisht për ndërtimin e aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Pritet që kryeministri të vizitojë aeroportin, për të parë nga afër dhe nisjen e punimeve. / KultPlus.com
Sot mbushen 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468.
Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropian nga perandoria osmane, nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.
Përveç trojeve shqiptare, Perandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet.
Në vitin 1684 u krijua një koalicion kundër osman me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.
Pas kësaj, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë.
Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve.
Përpjekje e madhe e popullit shqiptarë ishte edhe pas luftës së re Ruso-Turke (1877-1878). Rusia se bashku me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877, nënshkruan një marrëveshje e quajtur si Marrëveshja e Budapestit. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do t ë aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.
Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.
Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.
Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.
Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.
Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.
Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.
Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit ( Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufinjt e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës ( ky territor tani quhet Shqipëri). / KultPlus.com
Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u be shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të një Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
Nga Jusuf Buxhovi
Në Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:
“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.
Para pesëqind vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.
Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirët qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.
Edhe pse pas më shumë se një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.
Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje me Osmanët, në Shkup paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane, që nuk ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.
Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështir. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.
Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të saj. Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.
Kjo do të paraqesë sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.
Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.
Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.
Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.
Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.
Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do t’i garantohet mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, do t’i ndodhin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë do t’i ngushtohet hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij, që do të paraqesë edhe fundin e saj.
Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.
Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman. Kjo kishte të bënte me atë se një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane. Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.
Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, do t’u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unita-rizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.
Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh do të luajë fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.
Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.
Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.
Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.
Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.
Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.
Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.
Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.
Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej. Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.
Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.
Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.
Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.
Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit. Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.
Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.
Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.
Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.
Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.
Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.
Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.
Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.
Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.
Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.
Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.
Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.
Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.
Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.
Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.
Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.
Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?
Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.
Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.
Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.
Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.
Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.
Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.
Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:
“Lufta ballkanike u be shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të një Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, 109 vjetori i Pavarësisë.
Meta ka postuar një foto me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, teksa u uron shqiptarëve gëzuar festën.
“Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! ” shkruan Meta në postimin e tij. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu e ka uruar festën e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se kjo datë ka shumë peshë historike, pasi në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, UÇK-ja u paraqit për herë të parë publikisht.
Po ashtu, Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike.
Më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për Shqipërinë e pavarur. Ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica.
Kjo datë ka shumë peshë historike. Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë.
Në 109-vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat! Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike!
Gëzuar Dita e Flamurit, urime dita e Pavarësisë së Shqipërisë!
Zoti i bekoftë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës! / KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kanë nisur ditën me homazhe në Komplesin Memorial në Prekaz me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë.
Presidentja Osmani tha se janë në Prekaz për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë.
“Jemi këtu sot më 28 nëntor, për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë sakrifica të shqiptarëve për liri. Prandaj, sot e filluam ditën tek komandanti Adem Jashari dhe Familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 Nëntori, përveç simbolikës së shpalljes së pavarëisë së Shqipërisë, është edhe datë kur ka lindur komandanti Adem Jashari dhe kur për herë të parë ka dal publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Osmani.
Ndërsa, kryeministri Kurti tha se 28 Nëntori lidhet me ngjarjet e rëndësishme historike të vendin tonë. Ai u shpreh se kjo ditë na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi.
“Datë themelore e identitetit kombëtar-shqipëtar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat. Prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz dhe padyshim që kjo është një ditë e cila na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendim, për të shtuar demokracinë në vendin tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, tha Kurti.
“Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, u shpreh tutje kryeministri.
Të dy kanë uruar qytetarët për festat e nëntorit./ Express / KultPlus.com
Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.
Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.
Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.
KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:
1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.
1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.
1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com
Edhè hâna do t’ a dijë, Edhè dielli do t’ két pá, Se për qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká ! Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera, Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja, Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera, Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja. Nën nji qiellë përherë t’ kullueme, N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí, Bjeshkë e male të blerueme Si vigâj shtiellen n’ ajrí. Ke ato bjeshkë e ke ato male Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra, Tue rrëmbye npër mriza hale, Gurgullojn npër râjë e curra. Mbi ato male e bjeshkë kreshnike Léjn mande’ ata djelm si Zâna, Armët e t’ cillvet, përherë besnike, Janë përmendë ndër fise t’ tana. Atje léjn, po Toskë e Gegë, Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli: Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë, Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli. Oh! Po, e din i prûjtë anmiku, Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit, Rijtun gjakut kah çeliku N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit. Ato male të madhnueshme, Ato, po, kanë mûjtë me pá Se sa forca e pafrigueshme N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá. Dridhet toka e gjimon deti, Ndezen malet flakë e shkndija, Ka’ i frigueshëm, si tërmeti, Atje rrmben kû e thrret Lirija. Lume e shé para atij ngelin, I a lshojn udhën dete e male; Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin, Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë. Shkundu pluhnit, prá, Shqypní, Ngrehe ballin si mbretneshë, Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí, Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë. Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit, Qi zanát ka besë e fé, Për Lirí, për fron të Mbretit Me dhânë jetën ka bâ bé. Sy për sy, po, kqyr anmikun; Përse djemt, qi ti ke ushqyue, S’ i ka pá, jo, kush tue hikun: Friga e dekës kurr s’ i ka thye, Kaq të bukur, kaq të hieshme Perëndija t’ fali i Amshueshëm, Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme: N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm. Po, edhè hâna do t’ a dijë, Edhè dielli do t’ két pá, Se për qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká ! Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, E me dije e me Lirí Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera. /KultPlus.com
Medina Surdulli është lindur e rritur në Prishtinë dhe të gjithë shkollimin e ka përfunduar në Qendrën Burimore “Përparimi” në kryeqytet. Kromozomi i 47 e ka limituar Medinën në të bërit një jetë të pavarur dhe i është dashur të punojë shumë më shumë se çdokush tjetër që t’i arrijë qëllimet në jetë.
“Unë jam Medina Surdulli, jam 25 vjeçare, dhe jam notare e shkëlqyeshme”, thotë ajo duke e prezantuar veten me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.
Vajza me një kromozom më tepër, kishte mësuar të notojë kur ishte shumë e vogël. Gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar, prindërit e stërvitën të qajë përpara me ujin. Nisi nga hapa shumë të vegjël, duke notuar në distanca të vogla për ta testuar veten. Prapa i qëndronin nëna dhe babai që ia mësuan teknikat, por edhe i dhanë kurajën e nevojshme për të manovruar me ujin.
“Më pas edhe familja e pa që nuk ishte thjeshtë një pasion por ishte edhe një aftësi e imja”, thotë Medina për revistën ZA, duke rrëfyer se si nisi karriera e saj si sportiste.
Duke parë potencialin e saj, prindërit e Medinës punuan pareshtur që këtë aftësi të vajzës së tyre ta zhvillojnë duke angazhuar trajner për të punuar me të. Pushimet verore që e njohën me notin do ishin filli i një jete prej kampioneje.
Hera e parë që u prezantua me një pishinë trajnimi ishte kur prindërit e dërguan për stërvitje në klubin e notit Termopan. Aty nisi të ushtronte intenzivisht nga pesë herë në javë. Ajo i vinte caqe vetes në bashkëpunim me trajnerin që e stërviste. Çdo ditë që shkonte bëhej më e fuqishme dhe synimi ishin garat ndërkombëtare të notit.
Medina as që e ndjente se një kromozom më shumë në zinxhirin gjenetik të saj ishte pengesë. Limite më nuk kishte. Me kohë e kuptoi se duhej vetëm punë dhe rezultatet e shkëlqyera do ishin të prekshme.
Ajo ka fituar një mori medaljesh, të cilat qëndrojnë varur në murin e dhomës së saj dhe për të cilat ndjehet shumë krenare çdo ditë. Në vitin 2017 ishte dekoruar me medalje të argjendtë në kampionatin Europian të Notit për Personat me Sindromën Down, i cili u mbajt në Francë. Një medalje tjetër që qëndron në mur është ndarë nga Federata e Notit të Kosovës. Në vitin 2018 ajo ishte shpallë “Sportistja e vitit”.
Ndërsa vetëm një vit më pas, klubi i notit “Termopan”, në të cilin Medina edhe ushtronte asokohe, në bashkëpunim me Federatën e Notit dhe Down Syndrome Kosova kishin organizuar garat e notit për personat me Sindromën Down në Kosovë. Në mesin e shumë pjesëmarrësve, të vendeve si: Amerika, Suedia, Britania e Madhe dhe vende të tjera, triumfoi në dy stile të notit. Stilin krol në distancë prej 100m dhe atë delfin në distancë prej 50m, duke mposhtur pjesëmarrës të rreth 12 shteteve. Nga ajo garë Medina doli me dy medalje të arta.
Nga të gjitha medaljet që ka marrë, ajo që i ngjallë më së shumti krenari është medalja që e cilëson si dashurinë e parë, e që mbetet përgjithmonë kujtimi më i bukur në karrierën e saj si sportiste. Sa herë e shikon këtë medalje, në mend i vjen i ati.
“Ky moment më kujtohet gjithmonë dhe më frymëzon të vazhdoj tutje me notin. E babi më ka qëndruar prapa gjithmonë”, thotë ajo.
Mbështetja e pakursyer e dhënë gjatë gjithë formimit të saj si sportiste nga familja, dëshmon se sa e nevojshme është për personat me Sindrom Down zgjatja e dorës së ndihmës.
Përveç se notare e shkëlqyeshme, Medina gjithashtu është shumë e mirë edhe në skijim. Që është shumë e suksesshme edhe në këtë sport, Medina e dëshmon duke na treguar që ka fituar edhe disa medalje nga garat ndërkombëtare në të cilat kishte marrë pjesë.
Ajo për revistën ZA ndanë përvojën e saj si pjesëmarrëse në Lojërat Botërore Dimërore, të cilat zhvillohen në kuadër të Olimpiadës Speciale në Austri. Aty e fitoi vendin e dytë duke marrë me vete ndjenjën e triumfit dhe medaljen e argjendtë në Kosovë. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë edhe në garën “Ski Alpine”, e cila u mbajt në Korenë e Jugut, nga e cila mori mirënjohje si pjesëmarrëse nga Kosova.
Ndjenja që i jep triumfi pas çdo gare, për të është e pazëvendësueshme. Këtu e gjen edhe motivin. Nxitja më e madhe për sukses e gjen kur vështron medaljet e marra pothuajse në secilën garë. Në të njëjtën kohë, rrugëtimi i saj përplot sfida e suksese është inspirues për të tjerë persona me Sindromon Down.
Madje, figura e saj i ka ndihmuar edhe kauzës së përgjithshme të shoqatës Down Syndrome Kosova, e themeluar në mars të vitit 2007, nga prindërit e fëmijëve me 47 kromozome.
Medina asnjëherë nuk dështon së surprizuari rrethin e saj apo këdo që ajo takon. Vazhdimisht kërkon më shumë nga vetja, në mënyrë që ditët e saja të jenë plotë adrenalinë dhe gjallëri. Përveç notit dhe skijimit, është edhe një pianiste shumë e mirë. Ajo di t’i kompozojë bukur e këndshëm gjithsej 140 vepra në piano.
“Unë e adhuroj pianon”, shprehet ajo përplot entuziazëm për instrumentin të cilin e zotëron.
Ditët e Medinës e kanë një rutinë. Mëngjesin e nis me një filxhan kafeje të cilin e shijon më fort po qe se e ëma i bën shoqëri kurdo që mundet. Më pas e pret puna.
Që prej Marsit të këtij viti, ajo është duke e kryer një punë praktike, në pjesën e administratës të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës. Pjesën tjetër të ditës e kalon në ambientet e shoqatës Down Syndrome Kosova ku është e angazhuar si asistente administrative.
Hapësirat e shoqatës i japin ndjenjën e shtëpisë. Aty ndjehet plotësisht vetvetja. Punët e përditshme që kryejnë nuk i shkaktojnë lodhje asnjëherë. Përkundrazi, ato i japin vullnet që t’i drejtohet portës së shoqatës çdo ditë me shumë lumturi dhe pa një fije përtese.
“Shoqet më të mira i kam koleget. Sidomos drejtoreshën, – E kam afër zemrës tem”, shprehet ajo përplot dashuri për mikeshat e zyrës.
Pavarësisht jetës normale që Medina zhvillon, ajo shprehet se ende vëren shikimet paragjykuese rrugëve të qytetit. Kjo e pengon me raste. Ajo rrëfen se bezdiset shumë kur të tjerët e paragjykojnë ose e shikojnë ndryshe dhe për t’ua dëshmuar syve paragjykues se personat me Sindromën Down nuk janë të dobët ose të paaftë, ajo vazhdimisht endet e vetme për t’i kryer obligimet e saja ditore.
E ndodhur në mes një rrethi që e ka paragjykuar për atë që është, Medina është shndërruar edhe në një flamurtare të informimit për Sindromin Down. Kujdeset që t’iu tregojë pjesëtarëve të shoqërisë që nuk janë të informuar për këtë punë, se çfarë nënkupton saktësisht sindromi dhe arma e saj ndaj paragjykimeve është vetëm mirësjellja.
“Po më doket më ndryshe. Më shohin ndryshe. Më pengon. Unë jam me Down Syndrome, edhe di me jau shpjegu tjerve çka është”, shpjegon Medina.
Intervista e nisur herët në mëngjes duhej të përfundonte ndonëse Medina kishte shumë gjëra për të ndarë. Dita përpara do të ishte tejet e zënë me punë, siç edhe na e tregoi në agjendën e saj që e mbanë të shënuar në një fletore ku liston detyrat.
Vajza me një ekstra kromozom, është një ekstra dëshmi që një diagnozë gjenetike nuk e përcakton të ardhmen e askujt. Ekzistenca e saj heshtur i bën thirrje shoqërisë që t’i shohë këta persona dhe t’i trajtojë njëlloj me pjesën tjetër të shoqërisë, pavarësisht mënyrës se si është e ndërtuar gjenetika e tyre.
“Shihemi prapë”, na tha Medina, e sigurt që kjo s’do të ishte vizita e fundit në adresë të saj. /KultPlus.com
Këtë të shtunë është bërë e ditur se ka vdekur Zef Kaçinari historia e së cilit ishte kthyer në këngë në veprën “Kënga e Zagrebit”.
Ai në vitin 1965 kishte kryer një vrasje në Zagreb të Kroacisë, për çfarë edhe është bërë kënga për të, njofton Klankosova.tv.
Gazetari kosovar, Enver Robelli, i cili vite më parë ka bërë një profil për Zef Kaçinarin, e të cilin ai e ka kthyer për audiencën, pas publikimit të lajmit për vdekjen e tij.
“Nga Zagrebi bëhet e ditur se ka ndërruar jetë Zef Kaçinari. Po, Zefi i këngës së Zagrebit. Në vijim po e postoj një shkrim për krejt historinë e Zef Kaçinarit. Teksti është botuar para më shumë se një dekade te “Koha Ditore”. Ky shkrim synon të përshkruajë një tragjedi që ndodhi në Zagreb si dhe rrethanat që i paraprinë asaj, pastaj jetën në burg dhe pas burgut të Zef Kaçinarit. Historia e kësaj vrasjeje siç paraqitet në këngë është vetëm një episod i paplotë. Andaj një ditë në Zagreb e pata takuar Zef Kaçinarin, i cili nisi rrëfimin… dhe në një moment i rrodhën lotët… Zefi nuk ishte vrasës me paramendim, atë e bënë doras rrethanat e jetës së një mërgimtari shqiptar. Historia e tij fillon në një fshat të Prizrenit…”, ka shkruar Robelli në Facebook. /KultPlus.com
Aktori Florist Bajgora është duke marrë pjesë në filmin “My soul stays warm in December”, ku edhe është vlerësuar shumë për rolin e tij nga juria e festivalit “KinoFest Luenen”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bajgora është shprehur shumë i lumtur për vlerësimin e jurisë, derisa ka treguar se ka punuar më pak se dy muaj për t’u përgatitur për këtë film në gjuhën gjermane.
Ky është reagimi i jurisë:
“Në rolin e tij si Valmiri, Florist Bajgora jo vetëm që magjeps përkrah dy aktorëve me përvojë dhe të njohur, por loja e tij delikate dhe e hollësishme i jep personazhit të tij një kërcënim që në të njëjtën kohë lejon ndjeshmërinë për antagonistin. Kjo ndarje e ndjenjave e kombinuar me lojën e tij të ndikuar nga intensiteti dhe urgjenca e pasuron filmin me një dendësi që rezonon për një kohë të gjatë dhe tregon realitetin. Me këtë vlerësim të nderuar, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen për këtë arritje të veçantë aktoriale”, ishte vlerësimi i jurisë.
Florist Bajgora njihet për rolet e tij në filmiat Enemy of the House, The Land Within Me and Lost Exile (2016). /KultPlus.com
Romani “Të lirë” nga Lea Ypi është një ndër 20 librat më të mire të vitit 2021. Mediat shkruajnë se “Të lirë” është cilësuar si libri më i mirë i biografisë dhe kujtimeve.
Romani është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin ‘Baillie Gifford’ në letësri. Vepra autobiografike rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël 11-vjeçare të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti komunist, Shqipëria.
Lea në librin e saj është 11-vjeçarja për të cilën, socializmi shqiptar i stilit sovjetik mbante premtimin e një të ardhmeje të paracaktuar, një garanci sigurie mes shokëve entuziastë.
Në libër Ypi jep një pamje fëmijërore të regjimit komunist të shkatërruar të Shqipërisë. Imazhet që ngjall Ypi si kanaçet boshe të Coca-Cola të çmuara shumë, rradhët e bukës dhe një statujë bronzi e Stalinit, e prerë kokën nga protestuesit do të ngelet për shumë kohë si kujtimi i asaj periudhe në sytë e një fëmije.
Së fundmi romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi është botuar në gjuhën shqipe. /KultPlus.com
Mbajtja e një fjalëkalimi në mend vazhdon të mbetet një problem i madh për shumë njerëz, shkruan KultPlus.
Kompania NordPass, e cila merret me fjalëkalimet, ka bërë së fundmi një matje me top 10 fjalëkalimet më të përdorura në të gjithë botën në vitin 2021.
Në atë listë, përkundër faktit që 123456 është fjalëkalimi më i lehtë ndonjëherë, ai gjithashtu përdoret nga më shumë se 100 milionë njerëz.
80 për qind e kësaj liste nuk ka ndryshua për më shumë se 10 vite, prandaj kompanitë e ndryshme synojnë që të mos lejojnë përdorimin e fjalëkalimit “123456” pasi është shumë i lehtë për t’u gjetur. /KultPlus.com
Shfaqja e Teatrit Adriana “Gratë në Parlament” do të udhëtojë më 6 dhjetor në Tuniz të Afrikës për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Suksesi i jashtëzakonshëm i premierës së sivjtme, kjo shfaqje do të udhëtojë për një festival ndërkombëtar.
Ekipi i Teatrit Adriana udhëton më datë 6 dhjetor, derisa shfaqja në këtë festival do të bëhet më 9 dhjetor.
Shfaqja pasqyron abuzime me pushtetin. Për shkak të qeverisjes së keqe nga burrat, gratë rebelohen dhe marrin pushtetin në dorë e tyre.
Në shfaqje luajnë: Vjosa Abazi, Mevlan Saraçi, Valdrin Osmani, Blin Sylejmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dora Xhemajli. /KultPlus.com
Po të duash më lër pa bukë edhe pa ajër më lër, veç mos më lër pa buzagazin tënd. Mos më lër pa trëndafilin, pa shigjetën që aq ëmbël shpon, pa ujin që papritmas shpërthen te buzagazi yt, si dallgë e beftë bime që të gjallëron. I paepur luftoj dhe kthehem me sytë këputur së lodhuri sa herë që shikoj tokën që nuk ndryshon, por dije se buzagazi yt në qiell ngrihet e më kërkon e atëherë para meje hapen gjithë dyert e jetës. E dashur, në çastet më të errëta derdhet buzagazi yt, e nëse befas sheh se gjaku im lag gurët e rrugës, qesh, se gazi yt në duart e mia do të jetë si një shpatë e vërtetë. Buzë detit në vjeshtë, le të ngrihet gazi yt si një ujëvarë perçeshkumë, e dashur, buzagazin tënd e dua në pranverë si edhe lulen që mezi pres, lulen e kaltër, trëndafilin e atdheut tim gjëmimtar. Qeshu kur bie nata qeshu kur vjen dita, qeshu kur ka hënë, qeshu me rrugët e shtrembra të ishullit, qeshu me këtë djalë të hutuar që të dashuron, po sa herë që unë hap e mbyll sytë, sa herë që hapat e mia dëgjon, pa bukë më lër po deshe, pa ajër, pa dritë, pa pranverë, veç jo pa buzagazin tënd, sepse pa të nuk jetoj dot.
Festivali më i ri në Gjakovë, Artmania, është duke u shfaqur nga 25 nëntori në teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.
Njëri prej protagonistëve në këtë festival ishte edhe artisti Avni Shkodra, i cili hapi festivalin me një stand up comedy, pasi u dha shfaqja teatrore nga Korça “A flasim për burrat”.
Shkodra në një prononcim për KultPlus tregoi se një festival i tillë i ka munguar Gjakovës.
“Uroj dhe shpresoj që festivali ArtMani të vazhdoj edhe vitet e tjera, pasi Gjakovës i mungon dhe i nevojitet një festival i tillë, multidimensional artistik”, tha ai.
Tutje, Shkodra njoftoi se do të jetë në ArtMania edhe një herë tjetër, pikërisht në natën finale, kur edhe do të jepet shfaqja “Kosovo For Dummies” nga Teatri i Gjilanit.
Profesionistët dhe adhuruesit e artit janë mbledhur në një ombrellë për të garuar rreth disa çmimeve që kanë të bëjnë me shfaqjen më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë.
ArtMania përmes jurisë që përbëhet nga regjisori Fatos Berisha, regjisorja Myrvete Kurtishi aktore duajene nga Teatri i Gjakovës dhe Rovena Lule regjisore dhe profesoreshë në akademinë e arteve ne Tiranë do të bëjnë edhe ndarjen e çmimeve. /KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se javën e ardhshme pritet të shqyrtohen masat ndaj COVID-19, ku varësisht sipas nevojës dhe zhvillimeve, do të marrin vendime të reja, shkruan KultPlus.
Në njofitmin e MSH-së, thuhet se situata epidemiologjike me COVID-19, variantet në qarkullim dhe mbrojtja e shëndetit publik të popullatës janë shkas që do të bëhet rishqyrtim i masave.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, ka qenë udhëheqëse e kësaj mbledhje, derisa në mënyrë virtuale ishte i paraqitur edhe Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, MSH-ja ka bërë një thirrje për qytetarët e Kosovës.
Komiteti, në mënyrë specifike u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të vaksinohen pa humbur kohë kundër COVID-19
Kërkesa kryesore e MSH-së ishte që qytetarët e vendit t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale. /KultPlus.com
Ka vetëm një mënyrë për t’i parë këto vepra arti – duke u lidhur me internet. Është ekspozita “The Ethereal Ether”, e mbajtur nga muzeu shtetëror Rus “Hermitage”.
Ajo nuk mbahet brenda galerive të institucionit, por po mbahet ekskluzivisht në një hapësirë virtuale. Në ekspozitë shpalosen vepra të artit “ NFT” – një njësi unike digjitale që sulmoi botën e artit këtë vit. Kuratori Dimitri Ozerkov ka thënë se donte që ekspozita të tregonte historinë e kësaj manie të re.
“Ne u përpoqëm të zgjidhnim ato vepra që eksplorojnë natyrën e NFT-ve, natyrën e fenomenit të ri, natyrën e personit në këtë fenomen të ri, eksplorojnë veçoritë e ndërveprimeve midis realitetit dhe virtuales”, ka thënë ai.
“E gjithë kjo pra është tema e kësaj ekspozite. Tema e artit eterik që është e paprekshme, e paprekshme në kuptimin fizik”.
Ekspozita i lejon përdoruesit të krijojnë avatarë digjitalë dhe të eksplorojnë faqen virtuale duke përdorur kompjuterë, telefona inteligjentë, syze të realitetit virtual dhe pajisje të tjera digjitale. Ani pse hapësira është vetëm virtuale, ajo ka rrënjë në realitet. Programuesit rikrijuan brendësinë e monumentit lokal të Bursës së vjetër të Shën Petersburgut si një sfond për artin digjital.
Ozerkov mendon se ka një lidhje të fortë midis veprës dhe ndërtesës historike. “NFT ka të bëjë me kriptmonedhën. Kjo është një temë e re në tregti, kjo është një temë e re për këmbimore. Natyrisht, ne menduam se ndërtesa e Bursës do të ishte një referencë e mirë. Bursa është një vend për këmbim”, ka thënë ai.
Lista e plotë me 37 vepra arti është renditur në faqen zyrtare të ekspozitës. Ato përfshijnë “Macja e Schrödinger” nga “CryptoKitties”, një lojë e famshme blockchain e krijuar nga studioja kanadeze “Dapper Labs” në rrjetin Ethereum.
Ekspozita paraqet gjithashtu një artist të njohur të Shën Petersburgut, i njohur si Darkzuu. Vendasit besojnë se është koha e duhur për të zhvilluar një ngjarje virtuale si kjo.
“Muzetë nuk ka të bëjë më me gjërat që ruhen në kuti me pluhur. Kjo ka të bëjë me të avancuarit njëkohësisht me shoqërinë. Sigurisht, nëse ekziston, atëherë është mirë të organizohen ekspozita të tilla, sepse gjithçka ndryshon”, ka thënë Ivan Pospekhov, një qytetar i Shën Petersburgut. Të tjerë shpresojnë se kjo do të inkurajojë të rinjtë të interesohen për kulturën.
“Brezi ynë i ri, brezi i fëmijëve tanë u rrit me telefonat inteligjentë. Kjo është mënyra për t’i tërhequr ata në art”, ka thënë Julia Soboleva, gjithashtu një qytetare nga Shën Petersburgu.
Ekspozita do të jetë e qasshme online deri më 10 dhjetor. / KultPlus.com
Historiani Jusuf Buxhovi sot është kthyer në shkollën ku i ati i tij shpërndau gjitha abetaret që kishte për nxënësit, me c’rast ishin gjithsej dhjetë abetare të cilat mjaftuan për udhën e shkronjave në atë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kanë kaluar gjenerata e gjenerata drejtë dijës, përcjell KultPlus.
“NË JUNIK – NGA ABETARJA DERI TE LIBRI LETRAR…
Veprimtaria e vetaranit të arsimit, tim Atë, Aziz Buxhovi, normalist i Elbasanit, nga viti 1946 , pas Drenicës, në vitin 1949-1950, vazhdoi në Junik. Ishte ndër mësuesit e parë të shkollës së sapohapur fillore. Asokohe, me vete solli dhjetë abetare për tridhjetë nxënësit. Aq kishte. Po, edhe aqë mjaftuan për udhën e shkronjave në këtë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kaluan gjenerata e gjenerata drejtë dijës.
Shtatë dekada më vonë, aty ku im atë shpërndau abetarët e para, ktheva me dyqind libra, të shumtën vepra të mia letrare dhe historiografike, dhuratë nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle, po edhe lexuesve të bibliotekës “Din Mehmeti”.
Natyrisht, tradita vazhdon – nga abetarja te veprar letrare…“, shkruan Buxhvoi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Sot është e shtunë… Për mua dhe për ty Për të gjithë. Për të gjithë ata Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që janë mërzitur Për ata që nuk dinë të jetojnë. Është e shtunë edhe për ata Që nuk janë më.
Sot është e shtunë Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë Për lodrat që u luajtën Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë Që vuajnë e s’janë të lumtur. Vetëm sot është e shtunë, E dëgjova në rrugë Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë Edhe sikur askush të mos e kujtojë… Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur, Por për madhështinë e një dite Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër Si kjo e sotmja Dhe dikush mund të thotë Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë, Se asnjëherë, asnjë ditë Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh Jetën e madhe përpara një bluze Të thjeshtë dite Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot Që u përsërit aq shumë Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot Me lehtësinë e atyre që jetojnë Të mbështjellë nga e shtuna Që si letër karamelesh Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi Për t’ua bërë më njerëzore, Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës, Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune Ndaloi lozonjare dhe tha: Sot është e shtunë Kur filluam të kuptojmë Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë Për të larguar diku drejt pafundësisë Nyjen e vërtetë, Që lëkundet me përkëdheli Brenda thellë së shtunës Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim Për të bërë një hap Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com