Presidentja e Komisionit Evropian i përgjigjet letrës së vajzës shqiptare për rindërtimin e shkollave të shkatërruara nga tërmeti që goditi Shqipërinë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen ka ndarë në rrjetet e saj sociale letrën që i ka mbërritur së fundmi nga një vajzë shqiptare, e cila quhet Erjola, nga qyteti i Kurbinit.

Erjola falenderon institucionet europiane për dhënien e fondeve miliona euro për rindërtimin e shkollave dhe shtëpive të shkatërruara nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë në nëntor 2019.

Erjola i shkruan me krenari “Sot unë dhe miqtë e mi ndihemi vërtet europianë”. Duke iu përgjigjur vajzës, Von der Leyen shpreh shpresën dhe bindjen e saj se një ditë Shqipëria do të hyjë realisht në BE.

Postimi i plotë:

Erjola është një vajzë 15-vjeçare që jeton në Kurbin në veri të Shqipërisë, 35 kilometra nga kryeqyteti Tirana dhe pak kilometra nga deti Adriatik.

Ajo më dërgoi një letër të shkruar me dorë, ku shprehte gëzimin e sinqertë për shkollën e saj të sapondërtuar, me ndihmën e BE-së. Kjo letër më preku. Nuk është vetëm një rrëfim thellësisht personal i përvojës së tij. Është gjithashtu një kujtesë e fortë e të mirave që mund të arrijmë si evropianë kur punojmë së bashku. Në këtë rast BE-ja dhe Shqipëria.

Dy vjet më parë, një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter goditi Shqipërinë, duke vrarë dhjetëra njerëz. Ndër bashkitë më të prekura ishte Kurbini dhe ndër objektet e shkatërruara ishte shkolla e Erjolës. I gjithë Bashkimi Evropian është mobilizuar me shpejtësi për një vend që është në qendër të kontinentit tonë dhe që shpresoj dhe jam i bindur se një ditë do të jetë edhe ai pjesë e Bashkimit tonë.

Të njëjtën shpresë shpreh edhe Erjola në letrën e saj. “Sot miqtë e mi dhe unë ndihemi vërtet evropianë,” shkruan ai. Në shkurt 2020 në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, ftova, në prani të kryeministrit Edi Rama, partnerët tanë ndërkombëtarë të bashkohen në mbështetje të rimëkëmbjes. 100 milionë euro nga buxheti i BE-së i kam dhënë vetëm Komisionit Europian, përveç 15 milionë eurove që kishim dhënë tashmë.

Ndër të tjera, BE-ja që atëherë ka mbështetur procesin e rimëkëmbjes në rajon me një program të quajtur “EU4Schools”. E nisur në maj 2020, ofron fonde për 75 milionë euro. E zbatuar nga PNUD-i, është një platformë për të punuar drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, duke mbështetur qeverinë kombëtare dhe qeveritë vendore.

Një tjetër program i quajtur “EU4Culture” me një buxhet prej 40 milionë euro, i zbatuar nga UNOPS, synon rehabilitimin dhe rritjen e ndërtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti.

Në shtator, gjatë udhëtimit tim në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pata nderin të inauguroja shkollën Korb Muça dhe kopshtin Evropa, të cilat gjithashtu u rindërtuan me fondet e BE-së. Tani, letra e Erjolës është një tjetër kujtesë e veçantë e miqësisë së qëndrueshme mes BE-së dhe Shqipërisë dhe e së ardhmes sonë të përbashkët. / KultPlus.com

IKSHPK uron festën e 28 nëntorit: Puna vazhdon

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka uruar festën e 28 nëntorit.

Nga IKSHPK kanë publikuar disa foto të bëra nga stafi i këtij instituti, derisa kanë thënë se puna po vazhdon edhe sot.

“Puna vazhdon. Urime 28 Nëntori”, është shkruar nga IKSHPK.

Qytetarët edhe sot mund t’i drejtohen këtij instituti për t’u testuar ndaj COVID-19.

Kujtojmë që IKSHPK disa herë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen e të mbrohen nga COVID-19. / KultPlus.com

Djali i Adem Demaçit, Shqiptari: Ja si e mora këtë emër me simbolikë të veçantë

Nuk e kishte fatin të lindte si shumica e fëmijëve të tjerë. Kur u lind e ndjeu vetëm përqafimin e ngrohtë të nënës së tij, por jo edhe të babait. Ani pse e kishte gjallë, mungonte prezenca e tij. Kjo për shkak që ishte në burg dhe ishte burgosur nga serbët për vendosjen e 99 flamujve shqiptarë nëpër rrugët kryesore të qyteteve të Kosovës.

Ishte pikërisht viti 1965 kur Adem Demaçi u bë baba i një djali. Lajmin arriti ta marrë vetëm prapa grilave.

Por, pavarësisht kësaj ai edhe pse ishte në burg gruas së tij ia kishte lënë një porosi.

Kishte vendosur që emri i fëmijës së tij të jetë i veçantë nga të tjerët. Krejt kjo për t’u lidhur me barazinë kombëtare, pasi që një gjë e tillë në atë kohë mungonte.

Djalë apo vajzë, ai do të lindte me emrin Shqiptar ose Shqiptare. Dhe, këtë tashmë Adem Demaçi e kishte ngulitur në kokë.

Pikërisht sot për festën e shqiptarëve, Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit në një rrëfim të veçantë djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi tregon gjithë ngjarjen e emrit të tij.

Thotë se emri i tij është gjakim për barazi kombëtare.

“Babai, atë kohë(viti 1965)  në vuajtje të dënimit me burg politik, e ka porositur nënën që ‘nëse len djalë t’i lihet emri ‘Shqiptar’, e nëse len vajzë : emrin ‘Shqiptare’. Emri ishte synim, gjakim për barazi  kombëtare , që në atë kohë qe tejet e mangët, sepse qe kohë që shqiptarët e Kosovës shpërnguleshin me dhunë në Turqi dhe diskriminoheshin kombëtarisht”, është shprehur Demaçi për FrontOnline.

Demaçi tregon se cili ishte pseudonimi i tij dhe kush ishin personat që nuk e thërrisnin në emër

Ani pse e ka emrin Shqiptar, jo të gjithë e thërrisnin kështu.

Shqiptar Demaçi, kishte pseudonime të ndryshme.

Familjarët dhe disa të afërm e thërrisnin në emra të tjerë, e disa të afërm të tjerë edhe më ndryshe.

Kishte gjithsej pesë pseudonime.

Demaçi tregon edhe emrat e tij të tjerë me të cilët njihej.

“Si fëmijë familja e të afërmit me thirrnin shkurt ‘Shipi’ , më vonë ‘Shqipi’, dikush ‘Shqype’, ca të afërm ‘Type’ , ca shokë ‘Demaç’ etj”, shprehet ai, derisa thotë se me kalimin e kohës është mësuar me emrin e tij dhe se më nuk i ka ardhur çudi.

Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar që ta ndërrojë emrin, ani pse emri i tij kishte një simbolikë të veçantë.

Teksa e shpjegon domethënien e emrit të tij, Demaçi deklaron se emri është shenjë dhe nuk bën të ndërrohet.

“Natyrisht që jo. Është një fjalë latine: “Nomen est omen” (Emri yt është shenjë, fatum, se çdo të jeshë)”, ka thënë ai.

I, pyetur se me cilat vështirësi është përballur gjatë kohës së okupimit serb kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve dhe mohimin e të drejtave të tjera Demaçi, pa dashur të jep detaje thotë se ajo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët.

“Ajo kohë qe kohë e rëndë për popullatën në krejt ish Jugosllavinë e veçanërisht për boshnjakët e shqiptarët e Kosovës. Por, regjimi okupues serb nuk ka pas kohë me u marrë me detaje”, është shprehur Demaçi.

Por, tregon se çfarë kishte ndodhur kur nëna e tij kishte shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile.

“Natyrisht që e patën pyetur nënën se  ç’është ky emër kështu dhe emrin tim atëherë e patën regjistruar me germa cirilike( e kam certifikatën origjinale)”, ka thënë ai.

Shqiptar Demaçi, është djali i veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa me profesion është kirurg torakal.

Përndryshe, prindi i tij, Adem Demaçi, ka vdekur në vitin 2018 dhe është simbol i rezistencës kombëtare. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta. / KultPlus.com

Dy telegrame një nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi

Nga Gjon Keka

Me rastin e 28 nëntorit, këtu po i paraqes dy telegrame sipas shtypit austriak të kohës ,të dërguar njërin nga Ismail Qemali dhe tjetrin nga Sekretari Luigj Gurakuqi të cilët njoftuan shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Sikur që dihet Austria është vendi i parë që e njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe mbështeti forcimin e shtetit të ri në Europë,madje ishte Austro-Hungaria ajo që e mbrojti dhe e mbajti në këmbë shtetin e sapo lindur.

Kombi shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës Austro-Hungarisë për mbështetjen e pakursyer të saj në bërjen e shtetit të Shqipërisë.

Telegramet janë këto si vijon:

Ismail Qemal njofton kontin Berchtlod për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë

Presidenti i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali i dërgoi një depeshe Ministrit të Kontit të Jashtëm Berchtold, ku thuhej se Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, pa dallim feje, të mbledhur sot në Vlorë, shpalli pavarësinë e Shqipëria dhe formoi një qeverie të përkohshme.

Prandaj Ismail Qemali kërkon që Austro-Hungaria të njoh ndryshimin e jetës politike të kombit shqiptar. Shqiptarët janë të bindur se qeveria austriake, ashtu si e gjithë bota e qytetëruar, do t’u bëjë një mirëseardhje dashamirëse duke i mbrojtur nga çdo ndërhyrje në ekzistencën e tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre.

_________________________________

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

“Reichspost” ka marrë telegramin e mëposhtëm në frëngjisht nga Vlora:

Vlorë, 29 Nëntor

Asambleja  Kombëtar, e përbërë nga delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, pa dallim feje, u mblodh sot në Vlorë, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe formoi një qeveri provizore, president i së cilës është Ismail Qemal Beu.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit

Luigj Gurakuqi

____________________

‘Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë’, ekspozita e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Në këtë 109 vjetor të Pavarësisë, Ditës së Flamuri, Arkiva e Shtetit së bashku më Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës kanë hapur në Kalanë e Tiranës ekspozitën “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” duke kujtuar sakrificat që na sollën deri tek liria.

Në ceremoninë e hapjes mbajti fjalën Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi, drejtoresha e Evidencës Qendore dhe Komunikimit në DPA, Elsa Saka, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe administratotra e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani.

Mes materialeve të ekspozuara ka dokumente të fillesave të kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë, njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyeteve të Shqipërisë, një histori e shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin si dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.

Po ashtu janë paraqitur edhe disa fotografi të festimeve pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar pas vitit 1937 e më tej.

Pjesë e aktivitetin ishin dhe valltarët e ansamblit folklorik “Shqiponja” që i dhanë një atmosferë me ngjyra festës sonë kombëtare./KultPlus.com

Aty ku flet vetë historia

Mbi 400 mijë qytetarë gjatë vitit nderuan dëshmorët e familjes Jashari. Numër më i vogël i vizitorëve është parë këtë 28 nëntor në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe për këtë ciceroni Xhevat Imeri thotë se ka ndikuar edhe moti i ftohtë. Edhe këtë përvjetor, Kullat e Jasharëve mbesin në gjendje të rëndë. Qytetarët nga Kosova thonë se kjo është mjerim, ndërkohë u bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë shembjen e kullave.

Tash e 22 vjet, Xhevat Imeri është ciceron në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ai prezanton historinë e kësaj familje para vizitorëve të të gjithë botës.

“Rreth 14 milionë vizitorë e kanë vizituar, por ky Mund të jetë numër më i madh, sepse nuk e kemi një statistikë që tregon një realitet. Por, në bazë të supozimeve, mund të them që është numër më i madh se aq që mund të themi. Ndërsa, gjatë këtij viti i kemi 400 mijë vizitorë, jo vetëm shqiptarë por edhe nga arena ndërkombëtare për të ardhur të vizituar dhe respektuar këtë vend”, thotë Imeri.

Megjithatë, për këtë përvjetor të ditëlindjes së Adem Jasharit dhe pavarësisë së Shqipërisë, pati më pak vizitorë.

“Është koha e cila e bën të vetën. Unë kam pasur fatin të jem të dielën e kaluar, mund të them se diku mbi 24 mijë persona kanë qenë. Sepse koha po e bën të vetën, kur është kohë e mirë, njerëzit marrin fëmijët dhe të moshuarit e sot ndoshta i penalizon koha”, shton ai.

Për çdo 28 nëntor dhe festë tjetër, bashkë me familjarë veshin uniformën e ushtarëve të UÇK-së. Islam Krasniqi thotë se Prekazi është vend heroik dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës.

“Për neve është shumë domethënëse ky vend që të paktën të rinjtë tanë t’i motivojmë dhe të dimë se çka është vlera e ushtrisë, vlera e shtetit dhe të forcohemi bashkarisht”, shprehet ai.

Ai shprehet i zhgënjyer me gjendjen e kullave në Prekaz.

“Kur zbritem thash në fillim qenka dëmtuar shumë. Shpresojmë që do të ndërmarrin diçka qeveritarët dhe të vendosin diçka se kjo duhet të rregullohet mirë, sepse është vlerë e madhe”, shprehet tutje.

Ali Zija ka ardhur nga Tetova për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të familjes Jashari.

“Prej Tetovës të vizitojmë kullën e Adem Jasharit… më e madhe nuk ka ku të shkoj, vlera më e fortë”, thotë ai.

Edhe për Xhemil Huguliqin nga Kaçaniku, ky vend është i shenjtë. Në Prekazin heroik ai thekson se është mjerim gjendja e kullave.

“Këtu ja dimë vlerën kësaj lirie. Çdo shqiptar duhet të vizitojë së paku një herë në vit këtë vend. Marrë parasysh çfarë sakrifice ka bërë kjo familje e shenjtë… është në gjendje e mjerueshme, është mjerim me pa kështu”, thekson ai për KosovaPress.

Përmes një vendimi qeveritar, në vitin 2019 ishte planifikuar konservimi i Kullave të Jasharëve.

Sot shqiptarët festojnë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori shënon edhe 24 vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit. / KultPlus.com

Përurohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në Shtime

Për nder të festës së 28 nëntorit është bërë përurimi i i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në qendër të qytetit në Shtime. Kjo shtatorë u përjetësua në këtë komunë për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit.

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se po promovojnë shtatoren e komandantit Adem Jashari në këtë ditë e moment të veçantë.

“Me luftën e UÇK-së u kurorzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kur përurojmë shtatore si ky i komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të tij, pjesëtarëve të UÇK-së, sigurisht që na kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj. Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan, madje edhe me gjak. Prandaj të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe gjithsesi atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai, raporton kp.

Ai shtoi se komuna e Shtimes ka pasuar transformime të rëndësishme në ndërtim e zhvillim, në emancipim dhe integrim.

“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, ka thënë Ismajli.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu, përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të invalidëve të luftës dhe qytetarë të shumtë. / KultPlus.com

Biden uron Metën për Festën e Pavarësisë: Shqipëria një vend mik, luftoni korrupsionin

Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, presidenti Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në letër, Biden shkuan ndër të tjera se Shqipëria është një vend mik i ngushtë i SHBA-së, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapofutur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai thekson do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë, ndërsa thotë “luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje”.

Gjithashtu shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka përcjellë urimet të gjithë popullit shqiptar për këtë ditë, ndërsa thekson se SHBA është krenare që e quan Shqipërinë, vend mik dhe aleat.

Letra e plotë:

I dashur zotëri President,

Në Ditën tuaj të Pavarësisë, e uroj Shqipërinë në emër të popullit amerikan!

Këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku.

Ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse.

Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapofutur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj evropiane.

Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë.

Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat./KultPlus.com

Foto e rrallë: Prishtina më 28 nëntor 1999

Me rastin e 109-vjetorit të pararësisë së Shqipërisë, profesori norvegjez Kenneth Andresen, ka publikuar një fotografi të rrallë të Prishtinës me flamurin Kuq e Zi, më 28 nnëtor të vitit 1999.

Andresen gjatë vitit 1999 kishte pranuar thirrje nga ushtria e shtetit të tij për t’u bërë pjesë e një misioni ushtarak në Kosovë. Njihet që grumbulloi edhe kartolina nga Kosova që nga vitet e 70-ta.

Ndërsa sot ka uruar shqiptarët me një foto të rrallë, të publikuar në Twitter.

Sot 109 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me aktin s shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Në nderim të atyre që ishin e mbesin udhërrëfyesit tanë për liri

Presidentja, Vjosa Osmani së bashku me kryeministri Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tek kompleksi memorial në Prekaz, shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë dhe tek varri i Adem Demaçit, shkruan KultPlus.

Këto homazhe ata i bënë me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit.

“Sot, më 28 nëntor, në nderim të atyre që ishin e mbesin udhërrëfyesit tanë për liri.”- ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com

‘po valèvitè mbi toke t’Kastrjotit’

Poezi nga Gjergj Fishta

LAHUTA – Kanga e Tridhelle

po valèvitè mbi

toke t’

Kastrjotit,

si valèviti dikur motit:

e der’ m’ giellè ushton broh’ria

kah gèrthet fusha e malsia:

pèr jetè t’ jetes : rrnofte Shqipnia !

Edhe keshtu,

mbas sa mjerimit,

mbas sa giakut e shembtimit,

e p’r inatè t’ Shkjevet t’ Ballkanit

pèr gazep t’ atij Sulltanit:

si premtue kisht’ Perendia:

prap zojè m’ veti duel Shqipnia./KultPlus.com

Foto e rrallë kur malësorët shqiptarë u nisën për të mbrojtur ngritjen e flamurit (FOTO)

Flamuri kuq e zi, e veçmas simboli i tij kryesor – shqiponja -, këtyre ditëve po valëviten nëpër duart e shumë shqiptarëve dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Studiuesi shqiptar i cili jeton në Vjenë, Pjetër Logoreci, pati publikuar një fotografi të rrallë të vitit 1912 ku shihen shqiptarët në ngritjen e flamurit. Fotografia është marrë nga shtypi austriak.

“Në foto, malësor shqiptarë, nisur për të mbrojtë ngritjen e flamurit në 1912… …kjo foto nga shtypi austriak…qeveria e Vjenës punoi shumë për mëvehtësinë e shqiptarisë, ashtu sikurse sot, pamvarsisht politikanve të korruptuem e trafikantë shqiptarë, po ndërmjetëson me forcë futjen e shqiptarëve në familjen europiane…”, pati shkruar Logoreci në postimin e tij në Facebook./ KultPlus.com

Sali Berisha publikon një foto me Ibrahim Rugovën: Me presidentin e pavdekshëm

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha për 28 nëntor ka publikuar një foto me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kjo foto ishte realizuar në 80 vjetorin e pavarësisë në Vlorë.

Berisha me këtë rast e ka quajtur të pavdekshëm Rugovën.

“Me presidentin e pavdekshem Ibrahim Rugova, ne 80 vjetorin e Pavaresise, ne Vlore”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Nga sakrifica e familjes Jashari, mësojmë për lirinë tonë

Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Flamurit dhe në nderim dhe kujtim të figurës më emblematike të popullit shqiptar, Familjes Jashari, sot më 28 nëntor, në 109-vjetorin e Ditës së Flamurit, në 24-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë dhe në ditëlindjen e 66-të të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua “Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri”.

Libri i cili u promovua sot përfshin artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës (dhjetor 1991 – mars 1998), gazeta të cilat i posedon Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Libri është ndër botimet më të veçanta të BKK-së, si dhe është libër i një rëndësie tejet të madhe për popullin e Kosovës. Një libër kujtese dhe krenarie për ne, për të gjithë.

Në promovimin e librit morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Bekim Jashari nga familja Jashari, deputetja Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi, dhe shumë personalitete të tjera.

Ministri Çeku në fjalën e tij në promovimin e librit, foli për rëndësinë e 28 nëntorit si një ditë krenarie për shqiptarët, si një ditë e veçantë ku duhet të kujtohet trashëgimia jonë historike e kombëtare si dhe të kujtohen ata që me jetën dhe veprat e tyre pasuruan historinë e kombit shqiptar, të cilët me vuajtjet, sakrificat dhe jetën e tyre bënë të mundur këtë festim.

“Jam mëse i lumtur që sot, në Javën e Flamurit, jemi mbledhur këtu, për të promovuar një botim shumë të vlefshëm e të veçantë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, botim ky i dedikuar kujtimit të Familjes Jashari: Në dritën e betejës për liri”, tha ministri.

Ministri po ashtu foli edhe për Familjen Jashari e cila me kurajon dhe guximin e tyre të papërkulshëm, sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë.

“Ne jemi përherë krenarë dhe mirënjohës për sakrificën e Jasharajve. Mirënjohjen dhe kujtimin për veprën madhështore të tyre e përjetësojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, duke mësuar se çfarë i shtyri që të flijonin gjithçka nga vetja për lirinë tonë. Duke e njohur, dokumentuar, ruajtur e prezantuar historinë tonë, ne vëmë bazat e një shoqërie të vetëdijshme e të përgjegjshme”, shtoi tutje ministri Çeku.

Ministri për fund vuri në theks rolin e rëndësishëm të institucioneve të kulturës dhe arsimit në vetëdijesimin dhe përhapjen e burimeve të shkruara, dhe Biblioteka është pjesë e pandashme në këtë proces.

“Në kuadër të fuqizimit të rolit të Bibliotekës si institucion i rëndësishëm kulturor e arsimor, gjatë javës që lamë pas nënshkruam marreveshjen e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë sonë dhe asaj të Arsimit dhe ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal. Përmes kësaj marreveshjeje synojmë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave më të rëndësishme të vendit, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme”, tha ministri në fjalën e tij.

Ndërkaq, Bekim Jashari nga familja Jashari, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt, tha se në këtë ditë të shënuar historike po promovohet ky botim kaq i rëndësishëm që pasqyron dhe dëshmon luftën tonë të drejtë, pasqyron ngjarjet që nga sulmi i parë mbi Familjen Jashari e deri te rënia e tyre.

“Raportimi i gazetave, sidomos atyre shqiptare në ato rrethana lufte ishte shumë i vështirë, por gazetarët e reporterët tanë nuk u ndalën asnjëherë duke sjellë tek opinioni i gjerë publik atë që po ndodhte në vendin tonë dhe përmes raportimeve mbi luftën tonë heroike nxitën bashkësinë ndërkombëtare që përfundimisht të intervenojnë në Kosovë”, tha Bekim Jashari.

Për librin po ashtu folën edhe profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi dhe drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.

“Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI në dritën e betejës për liri” nuk është libër komercial. Ai do t’u ndahet të gjitha bibliotekave të vendit, njoftoi drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku. / KultPlus.com

Viti 1997, kur deputeti shqiptar shpalosi flamurin kombëtar në parlamentin e Maqedonisë

Në vitin 1997, për herë të parë, deputeti i atëhershëm Sali Ramadani, shpalosi flamurin kombëtar në parlamentin e Maqedonisë, duke potencuar se do të vijë dita që ky flamur do të jetë zyrtar dhe se pikërisht në atë parlament do të flitet shqip, shkruan KultPlus.

‘Mos u frikësoni, nuk kafshon ky! Do të vijë dita që ky flamur të jetë zyrtar, do të vijë dita që në këtë parlament do të flitet shqip.

Unë nuk kam frikë nga ju, nëse nuk e dini, unë jam nipi i Mefailëve të Zajazit.

Unë jam Sali Ramadani!’, kishte deklaruar deputeti shqiptar. / KultPlus.com

Sot ekipi i filmit “Zgjoi” shpalos suksesin e deritanishëm të filmit në KultPlus Caffe Gallery

Blerta Basholli, skenaristja dhe regjisorja e filmit të suksesshëm “Zgjoi” do të jetë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, e cila bashkë me producentët e filmit Yll Uka dhe Valon Bajgora do të flasin për suksesin e deritanishëm të filmit, propozimit të këtij filmi për Oscar, mundësitë rreth nominimit dhe pjesëmarrjes së filmit nëpër festivalet botërore, shkruan KultPlus.

Filmi “Zgjoi” është filmi më i suksesshëm i kinematografisë së Kosovës, film që numëron shumë çmime prestigjioze. Poashtu, filmi ka shënuar edhe rekord të shikueshmërisë në Kosovë, por në të njëjtën kohë po shfaqet edhe nëpër rrjet të kinemave nëpër Evropë dhe Botë.

Të pranishëm do të jenë edhe një pjesë e aktorëve që kanë marrë pjesë në këtë film, andaj, të gjithë ju që dëshironi ti dëgjoni për së afërmi këto rrëfime, ju ftojmë të jeni pjesë e kësaj mbrëmje që do të shënohet në kuadër të Festës së Flamurit.

Mbrëmja mbahet konform masave Covid 19. / KultPlus.com

“Ne ishim shqiptarë edhe atëherë kur plumbi të rrëmbente djalin e lumenjtë kullonin gjak”

Genc Prelvukaj është një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare.

Në këtë 28 Nëntor, jo të zakonshëm për shqiptarët ai ka krijuar disa vargje që emocionojnë dhe drithërojnë:

Ne ishim shqiptarë edhe atëherë

Kur të vetmin aleat kishim malet
Dhe këmisha na skuqej nga gjaku

Kur zia e bukës merrte jetë
E nga shtatë vëllëzër plakej një

Kur vdekja sillej përqark shtēpisë
Derisa shtëpitë griheshin nga zjarri

Kur foshnja rritej me vaj të nanës
E burrat lexonin mort në shpatull

Kur na helmonin krojet e kripën
Ditën që dasmorët vriteshin në pritë

Kur plumbi të rrëmbente djalin
E lumenjtë kullonin gjak
Kur shqiptar ishte vështirë të jesh. / KultPlus.com

Shqiptarja Aurora Pirraku Eriksson, kandidate në Parlamentin Suedez për zgjedhjet e vitit 2022

“Faleminderit për besimin!” – thotë shqiptarja Aurora Pirraku Eriksson në rrjetin social Facebook.

Sot rajoni i Västmanland ka vendosur që të jem kandidate në Parlament për zgjedhjet e vitit 2022.

Shumë faleminderit për besimin për të qenë një kandidate për Parlamentin Suedez dhe rajonin e Västmanlandit.

Suedia duhet të jetë një vend i sigurt. Të gjithë, pavarësisht prejardhjes, duhet të kenë mundësinë të punojnë dhe të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë.

Kjo e bën Suedinë të fortë. Të gjithë duhet të jenë të lirë të ruajnë kulturën dhe fenë e tyre, ose të rriten, por gjithmonë të ndjekin ligjin në Suedi. Të gjithë ne që jemi ose dëshirojmë të bëhemi qytetarë jemi të bashkuar nga një gjë: ligji.

Çështja, e cila eshte veçanërisht e rëndësishme për mua dhe është një prioritet jashtëzakonisht i rëndësishëm politik, është siguria në vend“, shtoi ajo. / KultPlus.com

Për herë të parë valvitet flamuri shqiptar në Vankuver

Kryesia e Shoqatës Shqiptare në British Columbia, Kanada “Eaglesland” ka njoftuar se për herë të parë flamuri kombëtar po valvivet në City Hall në Vankuver. Një lajm i mirë ky për të gjithë komunitetin mbarë shqiptar në BC.

“Flamuri ynë valvivet në parkun e vogël pranë Vancouver City Hall, corner of W12th and Cambie Street.

Aty janë 12 shtiza flamujsh dhe një shtizë me flamurin kanadez i cili është i ngritur në lartësi më të lartë se flamujt e tjerë. Flamuri ynë do të qëndrojë aty deri me datën 5 Dhjetor. Vancouver City Hall nuk lejon tubime në atë ambient, por me grupe të vogla familjare jeni të lire e të ftuar të shkoni e ta shikoni e mund të bëni edhe foto përkujtimore.

Bashkangjitur këtij posti me poshtë është një foto e Flamurit në Vankuver, foto e marrë nga Z. Edison Heba (sot në mëngjes), i cili ishte edhe promotori dhe realizuesi i kësaj ngjarjeje të shënuar për komunitetin tonë” shkruhet në njoftimin e shoqatës. / KultPlus.com

Sir Noel Malcolm, Lucia Nadin dhe David Hosaflook, albanologët më të mirë

Pas mbylljes së Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike në sallën “Aleks Buda” tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë u bë shpallja e fituesve të çmimit “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli” për albanologët e huaj.

Sir Noel Malcolm ka fituar çmimin e parë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Lucia Nadin ka fituar çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

David Hosaflook ka fituar çmimin e tretë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Ceremonia u mbajt me paraqitjen e të nominuarve:

  1. Noel Malcolm për veprën “Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits, and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World”
  2. Lucia Nadin për veprën “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”
  3. Roderick Bailey për veprën “Lufta e fshehtë në Shqipëri: Një histori e misioneve britanike 1940-1945”
  4. Jean-Paul Champseix për veprën “Ismail Kadare, une dissidence litéraire”
  5. Dhori Q. Qirjazi për veprën “Thimi Mitko, Fjalëtore Shqip-Gërqisht / Gërqisht-Shqip & ndihmesa të tjera leksikografike (Përgatitja e dorëshkrimeve për botim dhe studimi hyrës nga Dhori Q. Qirjazi).”
  6. David Hosaflook për veprën “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908”

Ceremonia u mbyll me një koncert instrumental nga formacioni Academia Albanica. / KultPlus.com

24 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Sot u bënë 24 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj. / KultPlus.com

Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar,  nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane,  që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar,  atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTQRE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Arsimit

Tiranë

Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.

Shtojmë se me gjithëse  Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare,  por në Zyren e doganave në Vlonë.

Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.

Prefekti

  1. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës  Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.

Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.

Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorës”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  • flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
  • Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
  • Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

  • Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

  • një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

  • një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

  • flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
  • qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
  • mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
  • ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
  • kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
  • gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
  • edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com

Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.

Në foto:Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.

Në foto: Flamuri sot


Dua Lipa uron 28 Nëntorin me fotografinë ku ajo bën shqiponjën dykrenare


Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa ka uruar festën e 28 Nëntorit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një InstaStory në Instagram, ajo ka publikuar një fotografi të sajën gjersa ajo shfaqet duke e bërë shqiponjën. Ndërsa, tek dy të tjerat shohim flamurin dhe një gotë e punuar me shqiponjë

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin dhe postimin e Lipës:

Urime 28 Nëntori! Urime ditën e Pavarësisë Shqipëri. / KultPlus.com

‘Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini, si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini’

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, i mirënjohur si ASDRENI, poeti shqiptar, rilindasi, përkthyesi, shkrimtari dhe autori i poezisë e cila më vonë u bë himni kombëtar i Shqipërisë.

Sot KultPlus ju sjell poezinë e Asdrenit për Kosovën.

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com