Njëri ndër spektaklet më të famshme në Holandë “Wie is de Mol” kishin zgjedhur Shqipërinë si sheshxhirimi, dhe në episodat e para kanë arritur shifra rekord të audiencës, shkruan KultPlus.
Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka shkruar në llogarinë zyrtare se kjo padyshim që është një promovim perfekt për vendin e saj.
“Kur mësuam se producentët e spektaklit të famshëm “Wie is de Mol?” ne Hollandë kishin zgjedhur Shqipërinë si sheshxhirimi, padyshim menduam që ky ishte promovimi perfekt për vendin tonë, te një vend tjetër që me shumë gjasë dinte pak ose aspak për të”, thuhet në shkrimin e saj.
Në 4 episodet e parë është arritur një numër rekord i audiencës, derisa shihet se Shqipëria ka ngjallur një kuriozitet të jashtëzakonshmëm te publiku.
“Me siguri rezultatet do t’i shohim gjatë sezonit turistik”, shton në fund ministrja. /KultPlus.com
Kosova ka shënuar progresur duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit, shkruan KultPlus.
Rreth këtij vendimi ka reaguar edhe Ambasada e Francës, të cilën kanë theksuar se ky është një lajm i mirë.
“Lajm i mirë. Kosova shënon progres duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Duhet vazhduar këtë progres. Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, shkruhet në llogarinë zyrtare të Ambasadës së Francës në Kosovë.
Për këtë ka reaguar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rogde, i cili ka inkurajuar Kosovën që më në fund të fillojë të ecë përpara në luftën serioze të korrupsionit.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) është renditja globale e korrupsionit më e përdorur gjerësisht në botë, e së fundmi Kosova ka shënuar rritje në luftën ndaj korrupsionit. /KultPlus.com
Ambasadori gjerman, Jorn Rogde, ka shkruar së fundmi se është lajm i mirë që Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Rohde ka thënë se Gjermania do ta mbështes Kosovën në çdo aspekt.
“Vërtetë lajm i mirë. Kosova ka shënuar progres të dukshëm në luftimin e korrupsionit. Në indeksin e antikurropsionit Kosova ka përparuar 17 vendeve, dhe tani renditet në vendin e 87-të. Inkurajojmë Kosovën që më në fund të fillojë të ecë përpara në luftën serioze të korrupsionit. Vazhdo kështu. Kosova ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, ka shkruar ambasadori.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) është renditja globale e korrupsionit më e përdorur gjerësisht në botë. Ai mat se sa i korruptuar perceptohet të jetë sektori publik i çdo vendi, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. /KultPlus.com
Good news indeed! Kosovo makes visible progress in fighting corruption! In TI’s @anticorruption index 🇽🇰improved 17 places, now ranks at 87. Encouraging 🇽🇰finally starts ‚to walk the talk‘ in seriously fighting corruption. Keep it up! 🇽🇰has full 🇩🇪support https://t.co/5JJQQ2tC1h
Sot, e martë, 25 janar 2022, në orën 17:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.
Në këtë kuadër sonte shqyrtohet tema Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot. Për këtë temë referojnë Sali Bashota dhe Binak Kelmendi. Moderator i panelit është Ibrahim Berisha.
Ftoheni të merrin pjesë.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com
Më 25 janar 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, shkruan KultPlus.
Karriera e saj filloi në një moshë mjaft të re. Gjatë turit të saj të parë në Itali ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror.
Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Hollywood, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit.
Nuk kish si të ndodhte ndryshe, Elena Qirici bijë e dy bashkëshortëve artistë, domosdoshmërish do të ecte në rrugën e prindërve, aq më tepër që ende foshnje, ishte përkundur në gjumë, qe zgjuar mëngjeseve e lodruar gjatë ditës nën tingujt e kitarës e të këngëve, që aq mrekullisht i luanin dhe i këndonin enkas për të bijën, çifti Vasil e Rudi Qirici. Fill pas këtij suksesi, prindërit e saj menduan, që në këtë rast shkollimi për vajzën e tyre ishte më se i domosdoshëm. Dhe kështu një vit më pas më 1936, Elena nis studimet në Vjenë. / KultPlus.com
Charles Bukowski është një nga emrat më të njohur të letërsisë botërore, autor i dhjetra librave shumë të lexuar, shkruan KultPlus.
Ndër vite nga librat e tij më të njohur janë shkëputur disa thënie të cilat KultPlus i ka përzgjedhur për ju:
• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?
• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.
• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.
• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.
• Pa letërsi, jeta është një ferr
• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë
• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.
• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.
• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë
• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…
• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.
• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë
• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.
• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!
• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.
• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.
• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.
• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.
• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.
• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.
• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.
• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!
• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.
• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.
• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.
• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng. / KultPlus.com
Portraits Of Charles Bukowski (Photo by JARNOUX Patrick/Paris Match via Getty Images)
Vë kokën në gjoksin tënd E tani përplasem Te kokë e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës Tutje i shtyjnë kalimtarët, në ditë të rrëpirta tiranase. Shpirtra jo shpirtra që shkojnë… Bri meje dikush flet me vete. pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjirni të egër, mbërthen kryqe të reja. I hedh një gjysëm leku Dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre Më duhet një gjysëm ëndrre, E paëndërrta ime. / KultPlus.com
Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.
Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës.
Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.
Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.
Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.
Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.
Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.
Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“MBRETNIJA SHQIPTQRE
PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Arsimit
Tiranë
Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.
Shtojmë se me gjithëse Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare, por në Zyren e doganave në Vlonë.
Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.
Prefekti
Nepravishta”
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:
“Marrë në dorëim me 29-X-933”.
Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.
Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.
Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.
Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“ MINISTRI E ARSIMIT
Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.
Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë
Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.
Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.
Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)
Nisur me 6/XI/1933”
Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.
Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.
“M.A.
Nri 402/749
Flamuri i Vlorësë
Mënistërijës’ së Arësimitë
Q y t e t
Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:
Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.
Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )
Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa
e jonë Nri C. 208”
Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.
“Flamuri i Vlorës”
Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:
flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.
Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.
Tiranë, 10 shkurt 1936”
Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:
Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:
“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.
Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.
Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.
Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:
një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’ vënë duarëtë:
Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,
Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,
Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,
Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.
Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.
një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë të Vlorësë.
Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:
flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.
Tiranë, 10 Shkurt 1936”
Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.
Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.
Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.
Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!
Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.
Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com
Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.Në foto: Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.Në foto: Flamuri sot
Sot, pak orë para ngjarjes së promovimit në Harvard Faculty Club që filloi në orën 5:30, “Kosova” e Buxhovit iu dorëzua zyrtarisht Zv.Drejtoreshës së Bibliotekes së Universitetit të Harvardit, Elizabeth Kirk.
Në një diskutim të përemertë bashkë me autorin Buxhovi, botuesin Tafilaj nga Jalifat Publishing e bashkëbotuesin Abdullahu, Kirk shprehu falëmderimin më të sinqertë për pranimin e librave në fjalë.
Në vatrën më të famshme të diturisë e të kërkimeve akademike nga sot edhe historia e Kosovës në tri volumet e përkthyera e botuara në Anglisht (bashkë edhe me një kopje të librit “Maqedonia” në Anglishtë poashtu) do të jenë e çasshme për shkollarë e studentë, profesorë e hulumtues nga e gjithë bota që frekuentojnë Universitetin e Harvardit.
Imazhi i Republikës sonë të re ndërtohet më së miri përmes shkencës e fakteve, përmes përkushtimit e punës vetmohuese!
Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.
“Krenar që në universitetin tim nga ku kam magjistruar para fiks 15 viteve, kemi kaq shumë respekt e çasje!”, ka shkruar tutje Bislimi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve të kalldrëmta, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.
Mjeshtrit e kalldrëmeve vijojnë të skalitin në gur identitetin e Gjirokastrës.
Pas përfundimit me sukses të rehabilitimit të infrastrukturës dhe restaurimit të kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon me sagën e projekteve në këtë qytet që mbart vetëm vlera.
Janë drejt përfundimit punimet për ndërhyrjen “Restaurimi dhe Interpretimi i shtegut të Edward Lear dhe Udhëtarëve”. / KultPlus.com
Belgjika është një ndër vendet në botë që ka vendosur aplikimin e dozës së katër të vaksinës Anti-Covid.
Autoritetet shëndetësore belge kanë vendosur që doza e katër të aplikohet fillimisht tek personat me imunitet të dobët.
“Këshilli i Lartë i Shëndetësisë rekomandon forcimin e individëve me imunitet të dobët që janë shumë të cenueshëm dhe të rrezikuar nga koronavirusi. Ministrat e Shëndetësisë sapo kanë dhënë dritën jeshile, me një zbatim së shpejti”, ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë e Wallonisë, Christy Moreal.
Ndërkohë aktualisht në Belgjikë doza e tretë e vaksinës mund të merret nga të gjithë qytetarët që janë mbi 18 vjeç. /abcnews.al/ KultPlus.com
Një foto e rrallë e Ismail Qemalit e bërë më 1871 me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të kohës, diplomatë nga më të shquarit.
Ismail Qemali, më i riu midis tyre, në atë kohë vetëm 27-vjeçar, është President i Komisionit Evropian të Danubit, ndër më të rëndësishmit për kohën, Komision që akoma edhe sot është në funksion.
Fotoja është marrë nga libri “Anglo-Romanian relations after 1821”, botuar nga “Academia de Stiinte Sociale si Politice a Republichi Socialiste Romania”, 1983, f.98.
Fotografia është gjetur nga stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora./ KultPlus.com
Takimet mes kryetarëve të komunave dhe komunitetit artistik janë bërë diçka e zakonshme në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë në një takim organizatorin e festivalit Sunny Hill, Dukagjin Lipën.
Rama në këtë takim është shprehur se në programin e tij për Prishtinën, organizimet kulturore dhe festivalet luajnë rol tejet të rëndësishëm.
“Në programin tonë për Prishtinën e përjetimeve, organizimet kulturore dhe festivalet luajnë rol tejet të rëndësishëm. Sot u takuam me organizatorët e festivalit Sunny Hill, me të vetmin qëllim të përbashkët që Prishtinën ta kthejmë në qytet me karakter unik në botë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, së fundmi ka njoftur se koncertet e saj në Montreal dhe Toronto janë shtyrë për data të tjera, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Lipa ka njoftuar fansat e saj se dy koncertet e saj do të shtyhen për datat 25 dhe 27 korrik.
Ndërsa, biletat e blera tashmë do të vlejnë përsëri për datat e reja. E kjo shtyrje ka ardhur si pasojë e pandemisë dhe masave ndaj covid-19.
“Dashuritë e mia, më falni për çdo shqetësim, por shfaqjet e mia në Montreal dhe Toronto do të ricaktohen për në 25 dhe 27 korrik. Të gjitha biletat do të nderohen për datat e reja. Më vjen keq që duhet të presim edhe pak për të kënduar dhe kërcyer me njëri-tjetrin live, por mezi pres t’ju shoh të gjithëve!”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com
Më 24 janar të vitit 1889 lindi poeti dhe dramaturgu rumun me prejardhje nga Korça, Viktor Eftimiu, shkruan KultPlus.
Viktor Eftimiu lindi në Boboshticë dhe vdiq në Bukuresht më 27 nëntor të vitit 1972. Ai pati miqësi me shumë shqiptarë në Bukuresht, e në veçanti ishte mik i aktorit me prejardhje nga Kavaja, Aleksandër Moisiut.
Ai është konsideruar si një poet dhe dramaturg rumun me prejardhje shqiptare i përmasave të mëdha. Me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, ai ishte edhe eseist.
Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë.
Drama e tij “Njeriu që pa vdekjen me sy” është shfaqur disa herë ne teatrot shqiptare. / KultPlus.com
Pritja s’ka formë krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut. Pritja s’ka peshë njajtë me tymin e cingareve që pij papra’ n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze shkulme verdhacuke drite. Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun a ma t’trishtë n’botë. Pritja m’shfaqet e tjetërsueme kur e ndryj me drynjt e varun n’uren e dashnive t’pamujtuna. Pritja i pergjet tabares së nanës që e ruej n’raftin me dru arre, anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale. Pritja nuk ngutet prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim. Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu sa here e largoj prej vedit. Pritja asht tufa thinjave nder tamtha qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë. Pritja ka trajten e orës prej rane ku sekondi ka vleren e nji jete kesisoj e kam var n’qafë si medaljon me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com
“Radiocorriere” ka botuar, me 9 korrik 1960, në faqen n°9, një shkrim në lidhje me një dokumentar asokohe mbi arbëreshët, “shqiptarët e fundit të Skënderbeut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Një dokumentar radiofonik nga Mascilli dhe Talamo
Të fundit e Skënderbeut
Në Kalabri, pas disfatës së pësuar në luftën heroike kundër turqve, ende jetojnë me zakonet dhe traditat e tyre greko-shqiptare pasardhësit e kolonëve që erdhën në Jug duke ndjekur atdhetarin e madh.
Gjyshet e Santa Sofia d’Epiro, në atë të Cosenza-s, u tregojnë ende sot nipërve të tyre, si dhe përrallat e repertorit të zakonshëm, bëmat e mëdha të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti i njohur si Skënderbeu.Thonë se heroi, i lindur në Shqipëri në vitin 1404, e kaloi rininë mes turqve, peng dhe shërbëtor i Sulltan Muratit II. Duke u bërë mysliman, ai luftoi kundër të krishterëve të Serbisë, Venedikut dhe Hungarisë. Derisa ndërroi flamurin dhe besimin, gjatë betejës së madhe të Kunovicës në vitin 1443, dhe nuk u hakmor kundër turqve, me shpatën e tij të mprehtë dhe ato të luftëtarëve të tij.Që atëherë, turqit u përpoqën më kot të shtypnin ish-shërbëtorin e sulltanit, i cili u bë mbrojtësi legjendar i pavarësisë së Shqipërisë dhe, siç e quante papa, “athleta Cristi”.Njëqind e dyqind mijë myslimanë të armatosur (gjysëm milioni e një milion, sipas biografëve të tij më entuziastë dhe më të theksuar) nuk mjaftuan për të thyer heroin, i cili, përveç mbrojtjes së Shqipërisë, gjeti kohën dhe mundësitë për të ofruar shërbime ushtarake për Ferdinandin e Napolit duke luftuar kundër Giovanni d’Anglò dhe Antonio Orsino-s, princit të Tarantos.Kastrioti u dëmshpërblye nga Ferdinando Trani, Monte Gargano dhe S. Giovanni Rotondo. Në gadishullin italian, ai la kolonitë shqiptare dhe shkoi të vdiste në atdheun e tij, jo me shpatë apo heshtë siç do të kishte dashur si një luftëtar i madh, por nga ethet.
Burimi : Radiocorriere, 9 korrik 1960, f.9
Gjyshet e Santa Sofia d’Epiro shtojnë se me heroin mbërritën edhe shqiptarët e parë të vendit. Përkundrazi, këto erdhën disa vjet pas vdekjes së Skënderbeut, i thirrur nga peshkopi i Bisignano-s, i cili me ta mendoi të ripopullonte qytetin e shkatërruar nga murtaja.Natyrisht, pasardhësit e rinj të kolonistëve të lashtë shqiptarë nuk ëndërrojnë më të përsërisin bëmat e heroit të madh shqiptar dhe as të shfarosin turqit. Ata ëndërrojnë për motoçikleta dhe makina, qytetet në veri dhe veçanërisht Amerikën, ku kanë miq dhe të afërm që kanë emigruar në masë.Ata e ruajnë dhe flasin gjuhën shqipe në shtëpi, në kishë falen shqip, martohen sipas zakoneve shqiptare, por, kur merren me punë, flasin gjuhën kalabreze.Shpirti flet gjuhën e lashtë, ndërsa trupi flet të renë, thonë të vjetrit, të rinjtë buzëqeshin me këto aforizma.Sa për të kaluarën, ata e ndjejnë të gjallë vetëm faktin fetar, të cilin e ripërtërijnë në ritin katolik grek. Më këmbëngulës në zakonet dhe traditat shqiptare janë banorët e San Benedetto Ullano-s, gjithashtu në provincën e Cosenza-s, në të kaluarën një nga qendrat më të shquara intelektuale dhe kulturore të italo-shqiptarëve.
Burimi : Radiocorriere, 9 korrik 1960, f.9
Këtu këngët, ritet e dasmës dhe veshjet e grave ndryshojnë dukshëm nga ato të zakonshmet në vendin tonë, por jo më shumë se sa ndryshojnë përdorimet dhe zakonet e disa vendeve në Sardenjë. Sapo kalon nga San Benedetto Ullano në San Demetrio Corone dhe në qendra të tjera në Kalabri apo Siçili, pak a shumë të hapura për jetën e shumicës së italianëve, të krijohet përshtypja se gjuha shqipe në gojën e këtyre kalabrezëve apo siçilianëve janë një lloj dialekti, jo aq i lehtë për t’u kuptuar sa dialekti napolitan apo romanesk, por jo më i vështirë se ai i logudorishtes, kaljarit apo gjenovez.Sa i përket zakoneve dhe ceremonive të ndryshme, ato thjesht duhen konsideruar ndër gjërat më të gjalla dhe më të bukura që ruhen në arkën e madhe të Noe-s të traditave popullore. Ne nuk mendojmë se këta bashkatdhetarë që janë tanët me gjuhë dhe zakone të ndryshme mund të konsiderohen se i përkasin një vendi tjetër, ashtu si amerikanët nuk i konsiderojnë si të huaja ato popullsi që kanë origjinë, fe dhe raca të ndryshme, dhe kanë jetuar për një kohë të gjatë në frymën e territorit të tyre dhe të zhvillimit të tyre shpirtëror.
Aktori i njohur Johnny Depp së fundmi i është rikthyer aktrimit. Sipas mediave të huaja, aktori po përgatitet të luajë rolin e mbretit francez Louis XV.
Ky është filmi i parë që ai do të luajë që kur ai u akuzua për dhunë ndaj ish-bashkëshortes, Amber Heard. Johndo të fillojë xhirimet e filmit të ardhshëm, ende pa titull, në verë. Filmi, i drejtuar nga regjisori francez Maiwenn, do të xhirohet në Pallatin e Versajës, Paris. Xhirimet pritet të vazhdojnë për tre muaj në monumentet e Parisit. Kujtojmë që Depp u shfaq për herë të fundit në filmin e vitit 2020 “Minamata”./ KultPlus.com
Qarqe të ndryshme të vendit shfaqin sjellje ekstreme ndaj punës, pasi në disa prej tyre popullsia në moshë punë (+15 vjeç) shfaq një interes të lartë për të punuar ose është gjithmonë në kërkim të një pune, ndërsa në disa të tjera grupi i popullsisë në moshë pune nuk dëshiron të punojë, d.m.th. nuk është në kërkim të një pune edhe pse në treg ka nevojë për pune.
Për shembull qarqet e Gjirokastrës dhe Korçës kanë një interes më të lartë ndaj punës se qarqet e tjera. Siç raportoi INSTAT në qarkun e Gjirokastrës 74 % e popullsisë në moshë pune (+15 vjeç) punuan ose ishin në kërkim të një pune në tremujorin e tretë të vitit 2021. Gjithashtu korçaret paraqesin një interes më të lartë se qarqet e tjera për tregun e punës, pasi 68.7 për qind e tyre ishin në punë ose në kërkim të saj. Në të kundërt në qarkun e Lezhës interesi i popullsisë për punë është shumë i ulët, edhe pse bizneset në zonë shfaqin mungesa të theksuara për punonjës.
Sipas të dhënave të INSTAT vetëm 48.9 për qind e popullsisë në moshë pune në qarkun e Lezhës ishte në punë apo në kërkim të një punë në 3 mujorin e tretë, ndërsa pjesa tjetër më shumë se gjysma e popullsisë në moshë punë nuk janë as në punë dhe as duke kërkuar pune.
Nga ana tjetër bizneset në zonë po vuajnë mungesën e theksuar të punonjësve. Alban Zusi që ka disa fabrika në industrinë përpunuese në këtë qytete pohoi se, mungesa e punonjësve është shndërruar në shqetësimin kryesor vitet e fundit. Lezha është një nga qarqet vendit që ofron punësimin në shërbime për shkak të zhvillimit të shpejtë të turizmit. Gjithashtu qarku i Lezhës ka të zhvilluar bujqësinë argotizmin dhe industrinë përpunuese.
Pas Lezhës interes të ulët për tregun e punës shfaqin dibranët. Në këtë qark vetëm 54 për qind e popullsisë në moshë punë ishin duke punuar ose duke kërkuar punë. Dibra është një qark ku mbizotëron vetëpunësimi në bujqësi.
Popullsia e qarkut të Tiranës gjithashtu ka një pjesëmarrje të ulët në tregun e punë të popullsisë në moshë pune. Vetëm 55% e popullsisë mbi 15 vjeç ishin në punë ose në kërkim të punës, duke e renditur kryeqytetin me popullsinë me pasive në vend edhe pse ka ofertën më të lartë për punë në shkallë kombëtare si rrjedhojë e përqendrimit më të lartë të aktivitetit ekonomik.
Gjatë tremujorit të tretë 2021, në qarkun e Durrësit kishte një interes më të lartë për të marrë pjesë në tregun e punës në raport me dy vitet paraardhëse, si rrjedhojë e përfshirjes në procesin e rindërtimit.
Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha, edhe një herë tjetër ka treguar origjinën e saj, duke kërcyer me gjithë shoqërinë “Vallën e Rugovës”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, Rexha ka publikuar një video ku shihet duke kërkuar që të lëshohet këngë shqiptare: “Le të luajmë muzikë shqiptare, le t’i tregojmë botës muzikën shqiptare”, dëgjohet ajo.
Me disa postime të ndryshme, artistja me famë botërore shihet në “Vallën e Rugovës” me miqtë e saj.
Në vitin 2021, Bebe Rexha lansoi albumin e saj të dytë të titulluar “Better Mistakes”. /KultPlus.com