Pas rritjes së rasteve, Nagavci bën thirrje për respektim të masave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtje nga pandemia Covid-19 nga ana e të gjithë akterëve të përfshirë në institucionet edukativo-arsimore.

Ministrja ka theksuar se respektimi me përpikëri i masave të rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë, përveç që është është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetin publik, është edhe mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me prezencë fizike në shkollë.

Ndërsa, sot ministrja Nagavci ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemaili” në Prishtinë, pas shqetësimeve që janë pranuar dhe nga menaxhmenti është informuar për situatën pandemike në këtë institucion arsimor.

Me këtë rast, ajo ka theksuar faktin se mbeten në fuqi të gjithë skenarët e përcaktuar me Udhëzimin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja rikujtoi se është kompetencë e task forcave të shkollave dhe komunave që të vendosin për organizimin e mësimit sipas skenarëve të përcaktuar në Udhëzues, duke vlerësuar gjithmonë situatën pandemike në institucionin përkatës.

Në rast të kalimit të zhvillimit të procesit mësimor sipas skenarit C (mësim nga distanca), ministrja Nagavci tha se është e domosdoshme të bëhet orari dhe të sigurohemi se mësimi është duke u zhvilluar në ndonjërën nga platformat online.

Ministrja Nagavci tha se në rast nevoje, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e mësimit online, derisa mësimdhënësit janë të lirë të përdorin edhe platforma të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MASHTI-t. /KultPlus.com

Pas Kiana Kryeziut edhe Albin Tahiri zyrtarizon pjesëmarrjen e tij në Lojërat Olimpike në Pekin

Skitari nga Kosova, Albin Tahiri, do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Tahiri përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Është tanimë zyrtare, unë do të marrë pjesë në katër diciplina në Pekin”, shkroi Tahiri.

Tutje aj falënderoi Federatën e Skitare të Kosovës, që i dhanë mundësinë për të marrë pjesë për herë të dytë.

“Gjëja më e mirë është që në këto gara nuk do të jem vet, apo jo Kiana Kryeziu?”, pyeti ai duke bërë të ditur se do të garojnë bashkë.

Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, do të mbahen në Pekin të Kinës, prej 4 -20 shkurt. /KultPlus.com

BBC: Identifikohet i dyshuari për tradhtinë e Ana Frank pas 77 vitesh

Sipas një hetimi të ri, është  identifikuar pas 77 vitesh, i dyshuari që mund të ketë tradhtuar Anne Frank dhe familjen e saj te nazistët. Anna Frank vdiq në një kamp përqendrimi nazist në vitin 1945, në moshën 15-vjeçare, pas dy vitesh fshehje, shkruan BBC

Ditari, i botuar pas vdekjes së saj, është prova më e fuqishme e jetës së hebrenjëve  gjatë luftës. Një ekip që përfshin një ish-agjent të FBI-së tha se Arnold van den Bergh, një figurë hebreje në Amsterdam, “u dorëzua” për të shpëtuar familjen e tij.

Ekipi, i përbërë nga historianë dhe ekspertë të tjerë, iu deshën 6 vite duke përdorur teknika moderne hetimore për të  zgjidhur çeshtjen. Van den Bergh kishte qenë anëtar i Këshillit Hebre të Amsterdamit, një organ i detyruar të zbatonte politikën naziste në zonat hebraike. Organizata u shpërbë në vitin 1943 dhe anëtarët e saj u dërguan në kampet e përqendrimit, raporton abcnews.al

Por ekipi zbuloi se van den Bergh nuk u dërgua në një kamp dhe përkundrazi jetonte në Amsterdam.

“Kur van den Bergh nuk ishte më i mbrojtur, ai duhej të siguronte diçka të vlefshme për nazistët, në mënyrë që ai dhe familja e tij të ishin të sigurt, sipas një agjenti të ish FBI-së, Vince Pankoke.

Ekipi tha se një tjetër person hebre mund të ishte tradhtari. Por gjeti gjithashtu prova që sugjerojnë se Otto Frank, babai i Anës, mund ta ketë pasur dijeni për diçka të tillë dhe e ka mbajtur të fshehtë. Ata gjetën një kopje të një shënimi anonim dërguar Otto Frank që identifikonte Arnold van den Bergh si tradhtarin e saj, raporton abcnews.al

Pankoke tha se antisemitizmi mund të ketë qenë arsyeja që ai nuk u bë kurrë publik. Gazeta holandeze de Volkskrant raporton se van den Bergh vdiq në vitin 1950 . Në një deklaratë, muzeu i Shtëpisë së Anne Frank tha se ishte “i impresionuar” me gjetjet e ekipit hetimor.

Drejtori ekzekutiv i saj, Ronald Leopold, shtoi se kërkimi i ri kishte “gjeneruar informacione të reja të rëndësishme dhe një hipotezë magjepsëse që meriton kërkime të mëtejshme”. /abcnews.al /KultPlus.com

Vdes shkencëtari shqiptar Rifat Gjota

Ka vdekur shkencëtari dhe pedagogu i njohur shqiptar, Rifat Gjota.

Lajmin e kanë konfirmuar familjarët, të cilët thanë se Gjota vdiq pas një sulmi në tru.

Ata gjithashtu bënë të ditur se Rifat Gjota vdiq sot rreth orës 13:00 në Prishtinë.

Rifat Gjota është zbulues shqiptar, shkencëtar dhe pedagog, i lindur me 5 maj të vitit 1939 në Pejë, përcjell Klankosova.tv.

Mbi njëzet vjet punoi në zbulimin e elektromotorit me veti shumë më të përparuara se ai i gjertanishëm, i cili kursen energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme, sikurse edhe sasinë e bakrit të nevojshëm për ndërtimin e tij.

Zbulimet e veta i regjistroj në Amerikë me emrin “US Patent 4710661 – Winding arrangement of a stator and/or rotor of a three-phase generator or electromotor ëith improved performances”, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve quhet “rifatizim”, pra në bazë të emrit të tij./ KultPlus.com

Punoi pa pushim për ndryshim, dita e Martin Luther King Jr. shënohet sot në Amerikë

Dita e Martin Luther King, Jr. nderon aktivistin dhe ministrin e të drejtave civile që ndihmoi në sjelljen e ndryshimit dhe drejtësisë racore gjatë jetës së tij, transmeton KultPlus.

Rruga drejt krijimit të festës ishte po aq e mundimshme sa ajo e lëvizjes për të drejtat civile, u deshën 15 vjet për t’u realizuar, por ende puna mbetet.

Si një nga zërat dhe aktivistët kryesorë të lëvizjes për të drejtat civile në vitet 1950, Martin Luther King, Jr ndihmoi në krijimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 dhe Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965.

Jeta e tij u shkurtua kur ai ishte vrarë më 4 prill 1968 në Memphis, Tennessee ndërsa qëndronte në një ballkon jashtë dhomës së tij në Motelin Lorraine.

Në këtë ditë përkujtimi për heroin e të drejtave civile, amerikanëve u kërkohet të mos pushojnë, por të ndërmarrin veprime për të krijuar Komunitetin e Dashur.

“Çfarë po bëni për të tjerët sot?” është ajo që Martin Luther King Jr besonte se ishte pyetja më urgjente e jetës. /KultPlus.com

Martin Luther King Jr. Day Volunteer Opportunities in Philly

Presidentja Osmani: Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre

Në përvjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmai ka thënë se njerëzit si Jusufi, Bardhoshi e Kadriu njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.

Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre. Sot, nderuam kujtimin për heronjët tanë të përhershëm, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.

Dyzetë vjet më parë, aktiviteti patriotik i tyre u ndal dhunshëm në një atentat në Gjermani, ku të tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë.

Jemi krenar për këtë brez heronjsh dhe përulemi para veprës së tyre. Kauza e tyre vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall Republikë e pavarur e sovrane.

Sot teksa kujtojmë këta patriotë, kemi mundësinë të reflektojmë për rrugën e zorshme, të cilën e ka kaluar populli ynë deri në bërjen e shtetit. Kjo rrugë ishte e mundimshme, por edhe e lavdishme.

Njerëzit si Jusufi, Bardhoshi e Kadriu njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!/ KultPlus.com

Vazhdon drama për Djokovic, pa vaksinë nuk lejohet as në ‘French Open’

Novak Djokovic mund t’i ndalohet pjesëmarrja në truneun “Frrench Open”, pasi ligji i ri i Francës për vaksina, do t’u kërkojë të gjithë njerëzve të kenë një certifikatë vaksinimi për të hyrë në vende publike si restorante, kafene, kinema dhe trena në distanca të gjata, përcjell KultPlus.

Numri një i botës në tenis, Djokovic, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, u deportua nga Australia të dielën përpara turneut të parë Grand Slam të vitit, pasi humbi një çështje gjyqësore rreth qëndrimit atje.

Ministrja e Sportit, Roxana Maracineanu ka thënë që sapo ligji i ri të miratohet, të pavaksinuarit nuk do mund të marrin pjesë në “French Open”.

“Rregulli është i thjeshtë. Leja e vaksinës do të vendoset, sapo të shpallet ligji, në institucionet që tashmë i nënshtroheshin lejes shëndetësore,” tha ministria.

“Kjo do të vlejë për të gjithë ata që janë spektator apo sportist profesionist”, shtoi ajo.

Serbi Djokovic ka refuzuar të vaksinohet dhe është kritikuar për pjesëmarrjen në ngjarje publike muajin e kaluar pasi rezultoi pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com

Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla: Njeri ku je (VIDEO)

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982. Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

E di fort mirë, se nuk do t’shkruaj rima,
kjo penë që pahir m’ka mbetur n’dorë,
shërbëtorët e djallit s’mund t’i quaj dasmorë,
po t’njëjtë do t’mbesin, këto vargje do t’i marrë fryma.

Sa m’përket mua pra, le të rrënohet,
Piramida e Keopsit,
le t’i ndërrojnë vendet Parisi e Moska,
le të vjellë plot vrer me vrull Vezuvi.

Le t’u bjerë pluhuri ligjeve të Njutn-it,
Lizës s’DaVinçit le t’i zbresë çmimi,
Me simfoninë e nëntë të Bethoven-it,
le t’merren xhelatët në gijotina.

E në pallate e larta t’ kulturës,
le t’ bredhin qentë, mos e teprova,
n’ ekuator le t’ rrëshqasë Antarktiku,
brenda një nate le t’ bashkohet Berlini.

Sikur për s’ dyti të lindej Sokrati,
do t’ia besonim një kope derrash,
i zhgënjyer do të ngiste pas qejfesh e shqerrash,
e dimë sa fort i donte i ngrati.

Pas tij Diogjeni me fener në dorë,
do të shëtiste duke reviduar,
mos emisionet propagandistike,
të dobëta sallamat i kanë ekspozuar./KultPlus.com

“Zhurmë Ujërash” me regji të Kushtrim Mehmetit do të prezantohet me premierë në Teatrin e Pejës

Me tekst të  Marco Martinelli e regji të  Kushtrim Mehmetit, në Teatrin e Pejës do të prezantohet premiera e shfaqje “Zhurmë Ujërash”, shfaqje që do të prezantohet prej orës 19:00, më 24 janar, shkruan KultPlus.

Koncepti i shfaqjes nisë me nxitjen e publikut që të bëjnë kalimin ilegal të kufirit përmes oqeanit, të cilët hyjnë në anije, ku vendosen në ulëset e teatrit që janë ulëse të anijes. Përballë kanë aktoret të cilët vendosin të dalin jashtë vendit bashkërisht me publikun. Derisa largohen, tregojnë peripecitë e tyre, personazhet që ata i hasin rrugës, nga Jusufi (adoleshent i mbytur ne ujë derisa tenton ti dërgojë bashkëkombësit e tyre ne Evrope), te Jasemina që përfundon duke u prostituuar me 80 vjeçar, e tutje te Sakinah e përdhunuar, Bindja e ikur nga lufta, Jean Baptiste fëmijë i mbytur në ujin e oqeanit, Oqean ky që mban kufoma të panumërta. Krejt këto kufoma të shndërruara në numra, 2917, 6132, 1111, 7777, 1445, 1248, tutje 26, 44, 2987, 88, 89, 90, 91 e shumë të tjerë, piano e cila krijon monotoni, muzikantet që këndojnë “Lakrimosa”, tutje këngë arbëreshe dhe krijojnë efekte, zëra dhe atmosfere. Krejt ne fund bashkë me “numëratoret” mbytet dhe anija që mbanë me vete dhe publikun, ata tentojnë të shpëtojnë, dhe nuk e di në ja dalin.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre do të prezantohen: Aida Alidemi, Agon Bala e Fitore Broqi. Muzika e kësaj shfaqje është e Memli Kelmendit, kostumet nga Samka Ferri, skenografia nga Burim Gora,  solo këngëtarë Donika Rushiti e Shaban Behramaj, Elbasan Racaj ka realizuar përkthimin, dramatizimin  Florent Kurtalani kurse ndriçimin Skender Latifi./ KultPlus.com

Kurti për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Kujtimi për këta heronj është i pashlyeshëm

Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Tutje Kurti deklaroi se ata do të bashkëpunojnë edhe me shtetet e tjera, veçanarisht me Republikën Federale të Gjermanisë për të zbardhur të vërtetën.

“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, i pari i ekzekutivit, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë. /KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadaresë për Skënderbeun

Në kujtim të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, KultPlus iu sjellë një poezi të shkruar nga poeti Ismail Kadare.

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

Kënga ‘Oj Kosovë, oj nana jonë’ po jehonte në dasmën e Kadri Zekës, dy javë përpara vrasjes së tij (VIDEO)

Më 17 janar 1982 është pikërisht dita kur edhe u vranë mizorisht vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, shkruan KultPlus.

Kadri Zeka kishte festuar dasmën e tij pikërisht më 2 janar të atij viti, vetëm dy javë para se të vritej tinëzisht nga shërbimi sekret jugosllav.

Kënga “Oj Kosovë, oj nana jonë” po jehonte në dasmën e Zekës, videon të cilën mund ta shikoni më poshtë: /KultPlus.com

Jusuf Gërvalla i shkruante nënës: Të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.

“ Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Erdogani pritet me ceremoni zyrtare në Shqipëri

Së fundmi, Shqipëria është “pushtuar” me flamuj të Turqisë, në nderim të pritjes me ceremoni zyrtare të Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, shkruan KultPlus.

Ky i fundit veçse ka arritur në tokën arbërore, derisa pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillojë një sërë aktivitetesh.

I pari i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në aeroport arritjen e Erdoganit, për të vazhduar më pas ekspeditën e planifikuar.

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë aktivitetin e tyre, ndërsa një fjalë përshëndetëse do ta bëjë edhe presidenti i Turqisë.

Data e sotme, pra 17 janari, është pikërisht dita kur edhe ka vdekur heroi i kombit, Gjergj Kastrioti.

Osmanët filluan të pushtonin Shqipërinë jugore deri në vitin 1415 dhe themeluan një jurisdiksion zyrtar mbi shumicën e Shqipërisë deri në vitin 1431, derisa disa rajone shqiptare u pavarësuan mes viteve 1443 dhe 1479, si pasojë e kryengritjeve të drejtuara nga Skënderbeu.

Territori i sotëm i Republikës së Shqipërisë mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. /KultPlus.com

Thënie të të huajve për Skënderbeun, “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”

Vepra në ballinë: Agim Sulaj

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari mC i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu. Sot më 17 janar, në këtë ditë që mbushen 550 vjet nga vdekja e tij, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

  1. Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

  1. Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

  1. Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

  1. Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

  1. Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

  1. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

  1. Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

  1. Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

  1. Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

  1. Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.”

Pas 22 vjetësh, Kosova fillon menaxhimin e Brezovicës

Bëhet e ditur se më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpcë, në përbërje të gjashtë anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën administrim direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020.

Ndërkohë, më 14 janar 2022 menaxhmenti i AKP-së mbajti një mbledhje përmbajtjesore me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë.

Në këtë mbledhje është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës.

Po ashtu, në takim u pajtua që të fillohet sa më shpejt sezoni i skijimit, të mbahet bashkëpunimi i mirëfilltë dhe të vazhdohet me aktivitetet e ndërmarrjes, me ç‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës.

Të gjithë anëtarët e Bordit të Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës.

“Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdojë operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranon në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Osmani përkujton Skënderbeun: Krijoji lidhjen e përhershme mes shqiptarëve

Sot mbushen plot 554 vjet nga vdekja e figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në llogarinë zyrtare ka përkujtuar heroin kombëtar të Shqipërisë në përvjetorin e vdekjes.

“Sot kujtojmë kryestrategun dhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili me përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së atdheut, mbrojtjes së vlerave kulturore e etnike të popullit të tij, por edhe me aleancat e fuqishme me popujt evropianë, e krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve, por edhe me popujt e qytetërimit perëndimor. Të përkulemi, Skënderbe”, ka shkruar Osmani.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. /KultPlus.com

Featured Image

Hapet thirrja për aplikim në edicionin e tretë të ‘Art Without Limit International Film Festival’

Hapet thirrja për aplikim në “Art Without Limit International Film Festival” 2022, shkruan KultPlus.

Pas realizimit me shumë sukses të edicionit të dytë të “Art Without Limit International Film Festival” 2021, i cili u mbajt në Kino Armata në Prishtinë nga data 01 – 03, 2021, tani është hapur thirrja për aplikim për filmat e rinj kombëtar dhe ndërkombëtar për edicionin e tretë të festivali.

Festivali ka karakter dedikues, ku të gjithë filmat që aplikojnë për tu përzgjedhur në programin 2022, duhet të kenë storie rreth aftësisë së kufizuar!

Edicioni i tretë i këtij festivali do të mbahet nga data 01 – 03, 2022 në Prishtinë!

Për të aplikuar duhet të klikoni FilmFreeWay dhe në AWL Film Festival. /KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i këndonte nënës: Sa fort më mundon vetmia, o nanë

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

40 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.

Edhe pse kanë kaluar 39 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.

Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.

Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.

Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com

Haki Stërmilli, ylli që nuk humb shkëlqimin e vet

Sot bëhen 69 vjet nga vdekja e shktimtarit, patriotit dhe intelektualit, Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.

Është nga ato personalitete të rëndësishme të letrave shqipe dhe veprimtarisë patriotike dhe dijetuese. Shkrimtari, gazetari, dramaturgu, atdhetari, janë ato shtresime ku ai dha më të mirën e tij, atë të një ylli që me kalimin e viteve e shton shkëlqimin e vet

Sepse sa më shumë që rrëmon në jetën dhe veprimtarinë e tij të shpaloset një realitet befasues, një e shkuar që koha ka guxuar ta nënshtrojë me harresë dhe errësirë. Asnjëherë nuk jemi të vonuar për t’iu rikthyer ridimensionimit të kësaj figure, opusit të këtij vepruese dhe krijuesi, me të cilin nuk na lidh vetëm një roman, por jo më pak e vlerësuar dhe e çmuar është krejt kolana e tij letrare dhe bedenat e larta të atdhetarit dhe patriotit, politikanit dhe ideatorit revolucionar.

Nuk ka dyshim se Haki Stërmilli zë një vend të vlerësuar në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuara që ai ka dhënë në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare etj. Por ajo që ngre vlerën e personalitetit të tij dhe duket se qëllimisht është mënjanuar është dhe veprimtaria dhe kontributi në lëvizjet politike dhe revolucionare për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai është pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të historisë së re shqiptare dhe kjo gjen shprehje në gjithë atë çfarë përbën angazhimin e tij letrar dhe politik. Të paktë janë ato personalitete që kanë zënë vend në kujtesën e brezave, të cilët të kenë një jetë kaq të stuhishme sa Haki Stërmilli.

Jeta e Haki Stërmillit kalon nëpër disa etapa vendimtare të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes, shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, vitet 20 të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, mërgimi politik, koha e monarkisë, pjesëmarrja aktive në Luftën Nacionalçlirimtare e deri në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kontributi i tij në ngritjen e shtetit popullor dhe hapat e para të letërsisë së re.

Haki Stërmilli mbetet një figurë, personifikim i përsosur i patriotit dhe demokratit, e shkrimtarit dhe intelektualit popullor, i mbrojtësit të lirive dhe të drejtave të njeriut, grave në veçanti, ku romani “Sikur t’isha djalë” është një emblemë e kësaj aspiratë në traditën tonë letrare.

Haki Stërmilli u lind në Shehër të Dibrës më 17 maj 1895. Atje ai mori mësimet e para. Arsimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve e shtyu Haki Stërmillin për t’u vendos në Shqipëri ku edhe angazhohet për tu bërë pjesë e administratës shqiptare të asaj kohe. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit. Vlen për t’u shënuar dhe puna e tij si mësues personal i motrave Zogolli, të cilat ndikojnë te një lidhje dhe konsideratë e Ahmet Zogut, me të cilin e lidh edhe suksesi dhe divergjencat. Është kjo afri dhe kjo ndarje që në vetvete përbën një etapë shumë të larmishme të jetës dhe marrëdhënieve të tij si politikan dhe patriot.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Haki Stërmillit për Sekretar të Shifrës ekuivalenti i sotëm i një posti ky në ministrinë e Ekonomisë. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti, Ahmet Zogu, tani ministër, e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Haki Stërmilli merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Llazar Fundo kryetar.

Me rikthimin e Ahmet Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM. Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.

Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. /KultPlus.com

​554 vjet nga vdekja e Skënderbeut

Sot mbushen plot 554 vjet nga vdekja e figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë.

Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare.

Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.

Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane.Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë.

Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment. /KultPlus.com

Skenderbeu | Albanian culture, National heroes, Albanians

‘Shkuan kaq mote, degët s’u thanë, moj Arbëri’ (VIDEO)

Vaçe Zela, këngëtarja e njohur shqiptare e cila njihet për zërin e saj madhështor, me të cilin arriti të mahnitë publikun shqiptar edhe sot e kësaj dite, shkruan KultPlus.

Njëra ndër këngët më të njohura të saj, është kënga ”Moj e bukura Arbëri”. Këngë kjo që Vaçe Zela e interpreton me një lehtësi të këndshme.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri../ KultPlus.com

Netflix rrit çmimet e abonimit mujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada

Netflix ka rritur çmimin e abonimit mujor nga një dollarë në dy dollarë në muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha kompania të premten.

Plani standard, i cili lejon dy transmetime njëkohësisht, tani kushton 15,49 dollarë në muaj, nga 13,99 dollarë, në ShBA.

Çmimet u rritën gjithashtu në Kanada, ku plani standard u ngrit në 16,49 dollarë nga 14,99 dollarë.

Aksionet e Netflix fituan gati 3 për qind në 533,84 dollarë në Nasdaq pasi Reuters publikoi lajmin për rritjen e çmimit. Ato u mbyllën 1.3 për qind më lart në 525.69 dollarë.

Rritjet, të parat në këto tregje që nga tetori 2020, hynë në fuqi menjëherë për klientët e rinj. Anëtarët ekzistues do të shohin çmimet e reja në javët në vijim kur të marrin faturat e tyre mujore.

 “Ne e kuptojmë se njerëzit kanë më shumë zgjedhje argëtimi se kurrë dhe ne jemi të përkushtuar të ofrojmë një përvojë edhe më të mirë për anëtarët tanë”, tha një zëdhënës i Netflix.

“Ne po përditësojmë çmimet tona në mënyrë që të mund të vazhdojmë të ofrojmë një shumëllojshmëri të gjerë opsionesh cilësore. Si gjithmonë ofrojmë një sërë planesh në mënyrë që anëtarët të zgjedhin një çmim që funksionon për buxhetin e tyre”, shtoi zëdhënësi.

Shërbimi më i madh i transmetimit në botë po përballet me konkurrencën më të madhe ndonjëherë nga kompanitë që kërkojnë të tërheqin shikuesit me programet që ofrojnë në internet.

Walt Disney Co, WarnerMedia e AT&T Inc, Amazon.com Inc dhe Apple Inc janë ndër rivalët më të mëdhenj të kompanisë.

Netflix ka shtuar klientë pavarësisht rritjeve të mëparshme të çmimeve, gjë që tregon se anëtarët e saj kanë qenë të gatshëm të pranojnë kosto më të larta.

Çmimi amerikan i planit premium të Netflix, i cili mundëson katër transmetime në të njëjtën kohë dhe transmetim në ultra HD, u rrit me 2 dollarë në 19,99 dollarë në muaj. Për planin bazë të Netflix, me një transmetim, kostoja u rrit me 1 dollarë në 9,99 dollarë në muaj.

Në Kanada, plani premium u rrit me 2 dollarë në 20,99 dollarë dhe plani bazë mbeti i pandryshuar në 9,99 dollarë.

Me 15,49 dollarë në muaj, plani standard amerikan nga Netflix tani kushton më shumë se konkurrentët. HBO Max, në pronësi të AT&T Inc, aktualisht po ofron një promovim prej 11,99 dollarësh në muaj për 12 muaj.

Çmimi i Disney+ të Walt Disney Co është 7,99 dollarë në muaj ose 79,99 dollarë në vit.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë rajoni më i madh i Netflix me 74 milionë klientë të transmetimit që nga shtatori 2021. Rajoni përbënte gati 44 për qind të të ardhurave të kompanisë në tremujorin e tretë të 2021, ose rreth 3.3 miliardë dollarë./ KultPlus.com