‘Vera Andrron Detin’ me premierë në ‘Ingmar Bergmab Competition’

Filmi kosovar ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Basha do të shfaqë premierën në Suedi, në ‘Ingmar Bergmab Competition’, transmeton KultPlus.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./KultPlus.com

Buxhovi: Me moslejimin e referendumit serb në Kosovë, Kosova mbron sovranitetin shtetëror

Shkruan Jusuf Buxhovi

Reagimi i  krerëve të insitutcioneve më të larata  të shtetit të Kosovës karshi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it” që kërkuan mbajtjen e referendumit serb në Kosovë që lidhet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, është i drejtë dhe në përputhje me sovranitetin shtetëror të Kosovës, shpesh herë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve nga politikanët e Kosovës,  në rapot me Serbinë.  Me këtë rast , arsyetimi i krerëve të Kosovës se “qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse”, është në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që praktikojnë në raste të tilla vendet europiane. Andaj, veprimi ndryshe, pra i hapjes së qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, siç u tha, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

 Qendrimi i prerë i krerëve të institucioneve më të larta të  Kosovës, që është kompatabil edhe me atë të opozitës, është hap i drejtë dhe më se i duhur që Kosova, më në fund,  përkundër dëmëve të pësuara nga politika e deritanishme, të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar kërkon “kompromise”, siç thuhet në kërkesën e vendeve të QUINT-it “për të çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, paçka se në një pasus vazhdohet praktika e zëvendësimit të predikatëve shtetërore me ato të toponomistikës (dialogu Beograd-Prishtinë në vend të Kosovë-Serbi)./ KultPlus.com

Krerët e shtetit – QUINT-it: Zbatoni standarde të njëjta me Kosovën si me shtetet e tjera

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian.

Aty thuhet se krerët, presidentja-kryeparlamentari-kryeministri, shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, thuhet më tej.

Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e Kosovës jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”.

Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. “Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën.

“Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.

Osmani, Konjufca e Kurti i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

“Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”.

Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës, sipas krerëve të shtetit, është hap i duhur në betejën e përbashkët kundër autokracive dhe avancim i praktikave demokratike, “përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./ KultPlus.com

Historike, Kiana Kryeziu bëhet skitarja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore

Skitarja Kiana Kryeziu do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në Pekin, shkruan KultPlus.

“Krenarë pa fund.

Skitarja Kiana Kryeziu bëhet femra e parë që do ta përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Ajo ka fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Beijing 2022.

Shumë urime Kianës dhe gjithë komunitetit të skitarisë.”- thuhet në njoftimin e MKRS-së./KultPlus.com

S’ke me dalë nga parajsa

Shkruan: Sali Bashota

S’KE ME DALË NGA PARAJSA

(Mikut e poetit Basri Çapriqi)

Nuk ke me ikë kurrë më nga pika e ujit
As kur çmenden valët e detit
Asnjë pulëbardhë nuk do ta bartë mbi shpinë
Ëndrrën trishtuese të natës
Matanë vetmisë e këndej pikëllimit

Nuk ke me ikë kurrë më nga gjuha e zjarrit
Asnjë bimë e egër 
Nuk do të thahet nga kripa e lotëve
Në asnjë stinë të vitit
As kur piqen e bien në tokë ullinjtë 
Në ullishtat e Krythës së Ulqinit
As kur shtegtarët presin me dritë ndezur
Buzë gjirit të qetësisë
Se vetëm gjumi ty të ka zënë

Duke prekur dhimbjen mbi barin e fjetur
Nuk ke me ikë kurrë më nga vetmia e stuhisë
Shpirti yt pushon i qetë në tokën e Prishtinës
Në krahun e djathtë të Ali Podrimjes 
Të dy u lexoni poezi të amshuarve
Poetët nuk vdesin më pate thënë
Kur u takuam për herë të parë
Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik
Atëbotë secila ëndërr e kishte ankthin e vet

Nuk ke me ikë kurrë më në fund të udhëtimit
Asnjë ditë nuk do t’i ngjajë durimit tënd
Në fillim të vjeshtës kur i shkundnim ullinjtë
Që na piknin çdo ditë mbi kokë 
Për Zotin me vete e merrnim çastin e parë të lumturisë
Këndej dashurisë e matanë qirinjve të fikur
Ti njëmend thoshe të qërohen trangujt
Se na plasi inati për lëvozhgën e fatit të tyre
Të mos na zihet fryma nga liria
As të dielen kur lëshove ofshamën tënde të fundit

Nuk ke me ikë kurrë më nga zemërimi i shiut
Teksa zbrazej nga dhoma frymë e thatë
Dhe të fluturonin të gjitha dallëndyshet
Si nëpër det si nëpër tokë si nëpër qiell
Ti po nisesh këmbë në mbrëmjen poetike
Në Kullën e Balshajve
Pa trembur asnjë zog të bardhë
Në jastëkun me pupla të zeza 
Pa trembur asnjë flutur në dhomë
Një ditë para ditëlindjes tënde
Prapë pëshpërite se poetët nuk vdesin 
Për herë të fundit në kafenenë Symphony
Sikur ta dinim se nuk ke me dalë nga parajsa

(14 janar 2018)

(Shënim: Poezia ribotohet me rastin e përkujtimit të Poetit, në katërvjetorin e ikjes në amshim).

Restauruesit në Berat nxjerrin në dritë ikonën ‘Joan Pagëzori’

Pas shumë muajsh pune e pasion specialistët e laboratorit të restaurimit të veprave të artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat përfunduan restaurimin e ikonës “Joan Pagëzori”.

E gjetur në kishën e Shën Kollit në fshatin Vanaj të Fierit me autor Kostandin Zografin ikona iu nënshtrua restaurimit në këto faza; konsolidimi i pikturës së ikonës, dezinfektim, pastrim, rivendosje vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës.

“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve të DRTK-Berat ka nxjerr në dritë një tjetër thesar nga laboratori i restaurimit të veprave të artit të DRTK-Berat”, thekson DRTK Berat e cila ka ndarë edhe fotografinë e ikonës para dhe pas restaurimit.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./atsh/ KultPlus.com

‘Baby Shark’ bën historinë, e para që arrin 10 miliardë shikime në YouTube

Kënga e dashur nga fëmijët, “Baby Shark” ka bërë historinë, duke arritur plot 10 miliardë shikime në YouTube.

Jo vetëm se është videoja më e shikuar, një rekord që e regjistroi në nëntor 2020, por tani është e vetmja video në YouTube që ka arritur 10 miliardë shikime, konfirmoi YouTube për CNN.

Kënga për fëmijë, e krijuar nga kompania e Koresë së Jugut, Pinkfong, dhe performuar nga këngëtari koreano-amerikan Hope Segoine, u publikua më 2016 dhe u bë virale në Azi dhe në Amerikë më 2019. Që nga atëherë, kënga është trasmetuar nëpër televizionet e mëdha botërore.

Për të festuar këtë arritje, kompania Pinkfong ka ftuar fëmijët në të gjithë botën që të shpërndajnë “momentet e tyre të vallëzimit Baby Shark”./abcnews/ KultPlus.com

Gjeçovi, etnolog dhe studiues i shquar i kulturës popullore

Shkruan Ma. Theodhora Lena

Përmbledhje

Ky punim synon t’i identifikojë disa prej çasteve më të rëndësishme të jetës së Shtjefën Gjeçovit bazuar në dorëshkrime të dokumenteve të botuara që ruhen në Fondin 58 të Arkivit Qendror Shtetëror. Shqyrtimi i sipërfaqshëm i dokumenteve të këtij fondi krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një personalitet që ka lënë gjurmë të thella dhe kontribut të vlefshëm në zhvillimet e kohës gjatë së cilës jetoi, në dekadën e fundit të shek. XIX dhe tri dekadat e para të shek. XX. Koha kur jetoi dhe veproi Gjeçovi ishte periudha më e rëndësishme për çlirimin kombëtar, periudhë kyçe për krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Shqipërisë së pavarur. Gjeçovi u bashkua dhe veproi në bashkëpunim me shumicën e personali­teteve të shquara të Rilindjes të cilët u përpoqën ta zgjonin bashkimin kombëtar të shqiptarëve përmes zhvillimit të arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe, duke theksuar traditat e njohura dhe prejardhjen e popullit shqiptar, si dhe përmes përpjekjes për liri dhe pavarësi. Veprimtaria e tij klerikale i jepte mundësinë ta njihte drejtpërdrejt jetën e popullsive të zonave ku punonte dhe jetonte. Në të njëjtën kohë ishte vëzhgues i vëmen­dshëm i gjithçkaje rreth tij. Gjeçovi shënonte në fletoret e tij gjendjen e vështirë në të cilën jetonin shqiptarët, doket e zakonet që rregullonin marrëdhëniet në mes të njerëzve, sjelljen përballë autoriteteve qeveritare, sjelljen ndaj pushtuesve etj. Të gjitha këto i përdori për studimet e tij me karakter letrar dhe fetar. Këto janë pjesërisht të botuara, dhe pjesa më e madhe e tyre ruhet në dorëshkrimet e tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Studimet dhe botimet e Gjeçovit mbulojnë shumë fusha, por në këtë punim tonin do të marrim parasysh ato me karakter etnologjik. Për të kryer këtë punim jam përpjekur t’i përzgjedh dokumentet që paraqesin në mënyrë sa më dinjitoze këtë personalitet të Lëvizjes Kombëtare Shqip­tare. Po ashtu, pavarësisht prej faktit se për Shtjefën Gjeçovin ka shumë botime që paraqesin aspekte të ndryshme të veprimtarisë së tij krijuese dhe patriotike, mbështetur në dokumentet e pasura që ruhen në fondin e tij, duhen kryer studime më të thella për të bërë të njohur kontributin e tij.

Fjalë kyçe: Shtjefën Gjeçovi, etnografi, folklor

Fondi i Shtjefën Gjeçovit përmban materiale të shumta arkivore, të cilat nga njëra anë e paraqesin atë si një studiues të shquar në shumë fusha të shkencës dhe nga ana tjetër e paraqesin si një arkivist të pasionuar, i cili, edhe pse u transferua gati 20 herë nga një krahinë në tjetrën, tregoi një kujdes të veçantë për të ruajtur të gjitha shënimet nga vëzhgimet që bënte, dorëshkrimet e krijimeve të veta, dokumente apo dhe kopje të dokumenteve të ndryshme etj. I ruante me fanatizëm në arkivin e tij të cilin e mbante gjithnjë me vete kudo ku shkonte. Ato përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm edhe sot e kësaj dite për studime në disa fusha të shkencës. Në radhë të parë, ato i kanë shërbyer vetë Gjeçovit për të kryer studime me vlerë, më së pari në fushën e etnologjisë, që e paraqesin atë si një etnolog të mirëfilltë. Të dhënat e shumta që përmban fondi i tij mbi trashëgiminë kulturore popullore ai i siguroi nga shërbimet si famullitar në vise të ndryshme të Shqipërisë Veriore ashtu edhe nëpërmjet ekspeditave të posaçme të ndërmarra prej tij për këtë qëllim. Shtjefën Gjeçovi shprehet me keqardhje se nuk mund të ndërmarrë studime të tilla në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Lidhur me këtë ai e priti me shumë dëshirë e kënaqësi të veçantë transferimin e tij në Vlorë sepse shpresonte se kështu do të kishte mundësi të vilte material me interes edhe në këto vise të jugut të Shqipërisë. Por situata në të cilën u ndodh atje gjatë qëndresës e luftës kundër pushtuesve italianë nuk ia mundësuan këtë gjë. Ndërsa në vitin 1924, në kohën e qeverisë së Nolit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme e autorizoi atë të ndër­merrte ekspedita për mbledhjen e të dhënave etnologjike në Shqipërinë e Jugut e të Mesme. Por kjo mundësi nuk u realizua pas ndryshimeve që ndodhën me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet.

Pasioni dhe vëmendja që ua kushtoi Gjeçovi studimeve në fushën e etnologjisë kishin synim të sillnin argumente të pakundërshtueshme shkencore mbi lashtësinë e kulturës shqiptare, të gjuhës e të traditave në përgjithësi. Ai e konsideronte mbledhjen dhe bërjen të njohur të visareve të kombit shqiptar si një detyrë në radhë të parë patriotike.

Në fondin e Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, ndodhen në dorëshkrim shumë vepra me karakter etnografik, ndër të cilat veçojmë: “Laç-Sebaste-Kurbin”, “Rrenesa e kombit shqiptarë në Malci” (1908), “Vajtorësja”, me vajtime të bëra në raste vdekjesh, grash, nusesh, djemsh, burrash, bajraktarësh etj. “Doke vdekjesh”[1] (1900-1907), “Symshitas” (Mësheftas) lojëra fëmijësh. Ndodhet edhe një studim “Mbi besimet e  ndryshme”[2], studimi tjetër “Doke dorzemsh në Kanun të Maleve”[3], “Gjama e Dukagjinit në rast vdekjesh”[4], pjesë nga shënimet e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”[5] etj.

Gjeçovi e filloi veprimtarinë e tij në këtë fushë si amator i thjeshtë, por me punën e tij të vazhdueshme arriti rezultate të shumta. Ai dallohet si profesionist i specializuar në degë të etnologjisë. Pati një përgatitje të plotë në këtë veprimtari. Njihte në gjerësi kulturën e lashtë të vendit tonë dhe kulturën popullore e fitoi që në bankat e shkollës, por e zgjeroi duke studiuar me kujdes gjithë autorët klasikë dhe duke lexuar çdo vepër që i kushtohej kulturës së lashtë, me anë të shërbimeve në treva të ndryshme të vendit dhe me anë të ekspeditave të veçanta për këtë qëllim.

Në Elbasan mblodhi fjalë të rralla dhe norma kanunore që nuk i kishte dëgjuar në krahina të tjera të cilat i hodhi në fletoren e vet që ndodhet në AQSh[6] ku, ndër të tjera, veçoi shprehjen me këto vargje: “Kur bie shiu në korrik, bahet misri me shinik; kur bie shiu në gusht, bëhet misri me grusht”.[7]

Në Zym filloi të hedhë në letër rezultatet e punës së tij në fushën e etnografisë, folklorit, historisë etj. Edhe në Kosovë mblodhi mjaft material etnografik.

Në dorëshkrimet e tij gjejmë mjaft shënime të shkruara në Gjakovë dhe në Zym. Po vëmendja e tij u përqendrua kryesisht tek e drejta zakonore shqiptare, e përmbledhur në atë që ai e quajti thjesht “Kanuni”.

Që në vitin 1911 Gjeçovi i hyri punës për përmbledhjen e të drejtës zakonore në një vepër të veçantë të titulluar “Kanuni i maleve”. Gjatë ditëve të qëndrimit në Zym nuk pushoi së mbledhuri edhe krijimtari nga letërsia gojore. Mblidhte këngë, anekdota, fjalë të urta, sidomos nga e drejta zakonore e popullit; i studionte ato deri natën vonë me vëmendje të madhe, madje shumicën e tyre i mësonte përmendsh. E shtriu veprim­tarinë e tij në çdo fushë të etnografisë dhe kudo dha kontributin e tij të vlefshëm, në mënyrë të veçantë u dallua në studimin e kulturës shoqërore të popullit. U mundua të krijonte një koleksion me objekte etnografike. Në fondin e objekteve të kulturës e materialeve të grumbulluara prej tij gjejmë shpata e kama, shishe e brisqe, lugë e pirunë, medaljone, rruaza e tespihe, bukë të gatuara me farë liri dhe pluhur sharre, me të cilën ushqehej populli i Shkodrës gjatë rrethimit në vitin 1913 etj. Në arkivin e tij ruajti fotografi të ndryshme që paraqesin veshje, banesa, armë etj. Në mënyrë të veçantë është interesuar edhe për veshjet popullore. Pikën kulmore e përbën përmbledhja që realizoi për të drejtën zakonore të njohur me titullin Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke i bërë një shërbim të pakrahasueshëm shkencës shqiptare. E drejta kanunore e popullit shqiptar në variantin e Dukagjinit, po të mos ishte mbledhur prej Gje­çovit, do të kishte pasur fatin siç ndodhi me shumë elementë të Kanunit të Skën­derbeut, të Labërisë etj.

Gjatë punës së tij dha për shtyp, herë pas herë, disa pjesë të zgjedhura nga kanuni i Lekës, po një përmbledhje të plotë dhe një botim në tërësi të veprës nuk arriti ta bënte, sepse e quante ende të papërfunduar. Vetëm pas vdekjes së tij janë bërë botime të Kanunit në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja. Vepra u botua si vëllim më vete në vitin 1933 dhe e bëri atë më të njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe në botë. Në këtë vit është botuar vetëm një pjesë e punës së Gjeçovit për të drejtën zakonore të popullit shqiptar. Në të nuk u përfshi gjithë materiali që kishte përgatitur autori për botim nga kjo e drejtë. Mblodhi një material shumë të gjerë etnokulturor që lidhej me këtë të drejtë, të cilën e shfrytëzoi gjatë kodifikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Vepra u konsiderua si e drejtë krejt interesante, ndoshta më të vjetrat ligje të Evropës, dhe theksohej se do të ishte një gjë e rëndësishme, që Evropa të njohë se çfarë ka ruajtur kombi i vogël shqiptar nga veprat e mëdha të kulturës.

Më 1941 kjo vepër u përkthye në italisht. Më vonë është përkthyer edhe në anglisht. Në vitin 1999, me rastin e botimit në këtë gjuhë, u organizua në Amerikë edhe një simpozium ndërkombëtar ku folën edhe disa studiues të huaj.

Mund të thuhet se ideja për ta mbledhur të drejtën zakonore Shtjefën Gjeçovit i kishte lindur ndoshta në vitin 1893, kur shkonte për t’i dëgjuar leksionet e albanologut Talosti. Në këto leksione Gjeçovit i bëri përshty­pje fakti se ilirët nuk kanë lënë gjë të shkruar, që të vërtetohet vazhdi­mësia iliro-shqiptare. Përfundimet që trumbetonte propaganda e huaj antishqiptare ishin të hidhura për Gjeçovin, se “populli shqiptar nuk është pasardhës i ilirëve, nuk është autokton në trojet e veta, nuk ka gjuhë të zhvilluar, nuk ka kulturë të vetën origjinale, madje nuk ka kulturë fare”.

Kuptohet qartë se që nga viti 1898 kishte vendosur t’i futej fushës së etnokulturës shqiptare. Mungesa e studimeve të plota etnokulturore i kishte dhënë dorë propagandës antishqiptare. Studimet e disa autorëve të huaj, të disa konsujve austro-hungarezë, nuk mund t’i bënin ballë kësaj propagande të fuqishme që sponsorizohej nga qarqe antishqiptare. Këtë duhet ta bënin vetë shqiptarët, dhe ky ishte një objektiv i lëvizjes sonë kombëtare, përfaqësuesit më me zë të së cilës u morën edhe me këtë çështje. Por deri në atë periudhë nuk ishte arritur ndonjë gjë në fushën e etnokulturës. Gjeçovi e kuptoi këtë që kur ishte student dhe vendosi t’i futej kësaj fushe. Tri vitet e fundit të shkollimit i shfrytëzoi për t’u përgatitur. Lexoi një literaturë të gjerë, mbajti shënime dhe kur u kthye në atdhe ishte gati për ta përballuar këtë punë voluminoze e të vështirë. Zgjodhi fushën e etnokulturës, veçanërisht të drejtën zakonore. Ndërsa zhguni i fratit françeskan, autoriteti që i jepte kisha, i krijoi mundësi atij të futej në çdo shtëpi dhe në çdo skutë të jetës së shqiptarit. I dha besimin e duhur që t’i hapte tërësisht të gjitha dyert e t’i falin visaret kombëtare.

Kisha si institucion nuk e pengoi për ta mbledhur këtë visar të çmuar. Për më tepër, pa dashur dhe duke e transferuar shumë herë në zona të izoluara, ata i krijuan mundësi për ta shtrirë mjaft zonën e kërkimeve të tij krahasuese e përgjithësuese. Natyrisht që kjo ishte vetëm një mundësi, që me talentin e tij dhe atdhedashurinë e vet e shfrytëzoi në maksimum. “Kanuni i Lek Dukagjinit është e drejta zakonore e popullit të një zone të zgjeruar të Malësisë së Veriut, kryesisht të krahinës etnografike të Dukagjinit”.

Duke folur për qëllimin pse e bëri këtë vepër, ai nënvizoi: “Kanuja asht ba për me shporr të keqen e rrezikun e jo me  fikë nierin”. Në një tjetër shkrim ku bëhet fjalë për dasmën ai veçon se: “Kaq e rrebët asht faqe kanus kjo ditë (dita e dasmës) qi, edhe me kenë tuj dekë, krushqit shkojnë për me e marrë nusen. Kjo ditë s’luhet, edhe me kense i des kush mu në at’ë ditë dhënrit në shpia edhe në shpi të nuses… Kanuni i krushqis është i rrebtë e s’ka gja qi  mund t’ia pres udhën”.[8]

Kanuni ishte i rreptë, se kishte si qëllim me e shporrë të keqen e rrezikun, e jo me e fikë nierin, thoshte Gjeçovi. Këtë rrezik e të keqe e shmangte pa organe të posaçme, siç janë sot, po vetëm me forcën e tij.

Mund të themi se vepra e Gjeçovit, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është një nga arritjet më të mëdha në etnografinë shqiptare. Vepra e tij është përpjekja më vigane që ua zbulon shqiptarëve botën e tyre, ndërgjegjen e tyre, të psikologjisë së thjeshtë. Gjeçovi diti ta vlerësojë personalitetin e malësorëve, pas atyre rrobave të grisura, brenda atyre gjokseve katrore e leshtake, zbuloi një personalitet për t’u admiruar, një fuqi krijuese e për më tepër, një vlerë të paçmuar (thoshte Fishta).

Nuk është i pari që u interesua për kanunin, por Gjeçovi ka meritën se bëri regjistrimin më të plotë të pasur të kësaj të drejte kanunore, duke ruajtur origjinalitetin e  rregullave të kanunit ashtu siç i gjeti në popull.

Vepra është shkruar në një gjuhë të pastër dhe stil të thjeshtë e konciz, mbi bazën e gjuhës së popullit. Shprehjet e malësorëve janë vënë ashtu siç janë thënë, pa zbukurime. Ato dallohen për mendimin e thellë filozofik, për elokuencën dhe ndërtimin e qartë.

Vepra deri më sot është konsideruar se ka të bëjë me letërsinë popullore dhe si material juridik në lëmin e së drejtës zakonore. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka vlera të mëdha historike e shoqërore. Ai përmban zakone, ligje e norma juridike që u përkasin etapave të ndryshme të zhvillimit historik të shoqërisë sonë. Shtjefën Gjeçovi i mblodhi dhe i kodifikoi ato jo për t’i ruajtur nga shkatërrimi, por për t’ia dhënë popullit e për t’i zbatuar në jetën e përditshme. Nga ana tjetër, prej kohësh kishte kuptuar se ç’dëm të madh i sillte popullit shqiptar zakoni i hakmarrjes, që e çonte në vëllavrasje dhe nuk e linte të bashkohej në luftë për liri e pavarësi. Ai e dënonte dhunën, hakmarrjen, vëllavrasjen, por kur është puna për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e atdheut, ai bëri thirrje për t’i rrokur armët, për t’u bashkuar, për t’i lënë mënjanë zënkat, gjaqet dhe hasmëritë. Vlerat e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit” janë, në radhë të parë, patriotike.[9] “Vuri kundër sistemit politik e juridik të pushtuesve të huaj, të drejtën zakonore shqiptare dhe u tregonte atyre se, së bashku me gjuhën e kulturën materiale, populli ynë ruante edhe të drejtën e tij zakonore. Si shprehëse të kulturës shoqërore, që nuk pranonte as ligjet e sheriatin dhe as xhibalin e pushtuesve të huaj, që i kishte përballuar presionit të asimilimit, prandaj kishte pasur qëndrueshmëri e vazhdue­shmëri”. Vepra është një burim i paçmuar për historinë e Shqipërisë. Vepra ka edhe vlera të tjera, sepse pasqyron me vërtetësi tiparet theme­lore të psikologjisë shoqërore të shqiptarit, virtytet e tij, nderin, besën, burrërinë, mikpritjen e jo vetëm si kategori morale, por edhe juridike. Duke ruajtur këto cilësi populli ynë mbrojti ekzistencën e vet nga rreziku i shkombëtarizimit. Qëndresa e armatosur, ruajtja e kulturës, e gjuhës, e zakoneve dhe e së drejtës zakonore u bënë barrikadë për pushtuesit e huaj.

Krahas punës me prioritet që bëri për përmbledhjen e të drejtës zakonore, Gjeçovi i kushtoi vëmendje të posaçme edhe mbledhjes së krijimtarisë popullore. Në fondin e tij gjenden disa fletore me shënime të mbajtura në krahina të ndryshme ku ka regjistruar shprehje popullore, fjalë të rralla, shprehje të bukura, gjëegjëza, gojëdhëna, fjalë të urta, përralla popullore etj.[10]

Më poshtë po renditim disa fragmente të shkëputura nga fletorja e tij e mbajtur në Laç-Sebaste (Kurbin).

Për muajt

 Kallnori – uj kam

frori – I lig (për gja) Bishtnori

marsi – rrjep

prill – prit e qit (shiu n’prill plot hir) Shekënjomi

maj – (magjia n’trate – shiu n’maj plot vaj)

qeshor – gjaja popël

korrik – (merr permenen e hik)

gushti – gun, kur t’piqet fiku i zi, vesh gunin e ri!

Për emra sysh

Sy laresk – sy katrasill – sy gjak

Sy lar – sy bardh – sy larosh

Sy xii – sy rrmang – sy mitskel

Sy krreç – sy pushk – sy filxhan

Për emra flokësh

Flok rud – palca graash n’ball

Flok fioll – flok kresht

Flok pupel – flok i thit

Flok gabzhet – flok i kuq

Flok fijeari – flok i zi

Flok krreç – flok katralesh

Në Rubik Gjeçovi vazhdoi studimin e kulturës materiale e shpirtërore, të cilën deshi ta krahasojë me atë të arbëreshëve të Italisë. Për këtë qëllim i shkroi Pal Skiroit dhe i lutej t’i dërgonte ndonjë libër “që të flasë për zakonet e traditat e kolonive”[11].

Në Theth u interesua për të mbledhur folklorin, këngë epike, këngë lirike, ninulla, proverba, fjalë të urta.

Të njëjtën veprimtari ka bërë gjatë qëndrimit në Mirditë, Dukagjin, Malësi e Madhe, Troshan, Fierzë etj. Ai grumbulloi aq shumë njohuri mbi traditat e popullit tonë sa u bë një arkiv i gjallë i folklorit,[12] siç e quanin me të drejtë.

Një pjesë të krijimtarisë ai e përmblodhi në vëllimin “Visari Komtar”, të botuar në vitin 1911, ku përfshin këngë trimërie, valle, vjersha e lojëra për fëmijë etj.[13]

Për të pasur sa më shumë të dhëna nga krahina të tjera që nuk i kishte shkelur, përpiqej të siguronte materiale edhe nëpërmjet korrespondencës me persona që tregoheshin të gatshëm të kontribuonin. E provon këtë me një letër të ardhur nga një grua me emrin Agina nga Elbasani e cila shkruan nëse ai i ka pëlqyer këngët e mbledhura prej saj.[14]

Studiuesit e kanë çmuar shumë kontributin e Gjeçovit si folklorist, duke e nxjerrë në pah punën e madhe që bëri për zbulimin e vlerave ideoestetike të folklorit tradicional. Nuk u kufizua vetëm tek epika legjendare, sipas parimit të tij, por mblodhi edhe epikën historike. Këngë popullore “Ali Borxh Alija”, marrë prej Shtjefën Gjeçovit nga dy rapsodi popullore me disa ndryshime.[15] Shënime fjalësh, shprehjesh popullore dhe krijim fjalësh me prapashtesa të tjera, autografe në pjesë blloku e fjalë të shkëputura, shkruar nga Sh. Gjeçovi.[16]

Burimet:

 Fondi i Shtjefën Gjeçovi

 Fondi i Shtjefën Gjeçovit mban nr. 58. Ka një pasuri me vlerë të madhe kombëtare në fusha të ndryshme, si studiues i shquar i kulturës popullore, përkthyes në fushën e arkeologjisë, historisë, krijimtarisë letrare dhe atë të etnografisë etj. Materialet e këtij fondi kanë këta kufij kohorë, vitet 1864-1942 dhe pa vit.

Sasia e njësive të ruajtjes është 123 dosje, ndërsa sasia e fletëve gjithsej 4 001.

Fondi ka këtë strukturë:

Materiale biografike dosjet 1 dhe 104

Veprimtaria zyrtare-shoqërore – ”  –      2 dhe 31

Veprimtari krijuese – ”   –     32-94/2, 105-107 dhe 115

Letërkëmbime – ”   –     95/1-98, 108, 109, 114,116 dhe 118

Të tjerët për krijuesin e fondit – ”   –    92-102, 110-113 dhe 117

Material ilustrativ – ”   –    103

Mjetet e informacionit për këtë fond janë: inventari, skedarët, udhërrëfyesi dhe katalo­gët tematikë dhe sistematikë.

  [1] AQSh, fondi 58, d. 36, fl. 127-128, v. 1917-1921

[2] Po aty, d. 60, fl. 4-5, v. 1900

[3] Po aty, d. 76, fl. 39, v. 1910

[4] Po aty, d. 74, fl. 4-5, v. 1924-1926

[5] Po aty, d. 62, fl. 49, v. 1907

[6] Po aty, d. 69, fl. 1-4, v. 1900-1924

[7] Po aty, d. 59, fl. 35, v. 1924

[8] AQSh, f. 58, d. 102, fl. 10-20

[9] AQSh, f. 58, v. 1907-1912, fl. 5-15

[10]AQSh, d. 69, fl. 1-20, v. 1900-1924

[11] AQSh, f. 58, d. 95/58, fl. 80, v. 1898

[12] Po aty, d. 58, fl. 50-55, v. 1906-1926

[13] Po aty, d. 66, fl. 37, v. 1926

[14] Po aty, d. 95/8, fl. 1-3, v. 1925

[15] AQSh, d. 68, fl. 14, v. 1924

[16] Po aty, d. 69, fl. 11-27, v. 1900-1924

(Marrë nga revista “Arkivat Shqiptare”)

Pianistja Ruth Slenczynska vjen album të ri në moshën 97-vjeçare

Pianistja amerikane Ruth Slenczynska do të publikojnë një album të ri në moshën 97-vjeçare, transmeton KultPlus.

Vajza e violinistit Joseph Slenczynski filloi studimet e saj për piano në Evropë kur ishte katër vjeç.

Ajo luajti performancën e saj të parë në Berlin në moshën gjashtë vjeçare dhe debutoi me një orkestër të plotë në Paris në moshën shtatë vjeçare.

Slenczynska tani ka ri-nënshkruar kontratën e saj me Decca-n më shumë se gjashtë dekada pas nënshkrimit fillimisht me label. Albumi i saj i ri do të festojë karrierën e saj të gjatë, e cila filloi në vitet 1920.

Duke folur për albumin e saj të ri ‘My Life In Music”, i cili do të dalë në mars të këtij viti, Slenczynska tha për BBC se projekti është “i pabesueshëm”./ KultPlus.com

Ema Andrea u drejtohet artistëve: Ju nuk preferoni të shkoni në evente që nuk i përkasin gjinisë suaj

Tani dy fjalë për te gjithë artistët, e te gjitha gjinive, te cilët ankohen se ky ‘vend nuk e do artin,’ se kane ‘studiuar e nuk i perfill njeri’ etj etj

E vertete mund te jete, po ja ta shohim pak nga ana tjeter kete dramë mbushur me ankime!

Ju nuk preferoni te shkoni ne evente qe nuk i perkasin gjinise suaj dhe nuk kam guxim te them aresyen ndaj po ju pyes- Perse?

Kam pare koncerte te mrekullueshme klasike me 20 spektatore ne salle.

Kam pare shfaqje Opera, Balet, apo Contemporary dance ne te cilat skam mundur te pershendes asnje koleg.

Ne ekspozita, pas dites se hapjes(kur une preferoj te shkoj) sallat jane bosh.

Kur mungojme ne nje event artistik,kemi humbur ne, me shume se artistet performues .

E mbi te gjitha, në se duam qe arti te konsiderohet, duhet te fillojme te mesojme te jemi vet spektatore, jo vetem per qokë kolegesh qe i perkasin zhanrit tone.

Konsiderimi i artit fillon nga ne!

Konsideroni Artin në se nuk doni te keni nje jetë medioker me diplome artisti!./KultPlus.com

‘Kompozitorin Rexho Mulliqi, për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosen, heshtën e anatemuan’

Shkruan: Ilaz Aliu

Edhe sikur Rexho Mulliqi, të ngritej nga varri, e të vetëdeklarohej i pakombësi, përsëri arti i tij, e bën atë shqiptar, dhe pjesë e fryt të kulturës tonë.

Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur se çfarë kombësie i takon, ai ishte përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”.

Kompozitorin Rexho Mulliqi, për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosen, heshtën e anatemuan. Pas vdekjes, kombe e institucione, u përpoqën ta “përvetësojnë” e bëjnë pjesë të kulturës së tyre.

Serbët thonë se ai ishte jugosllav-serb, ndaj është i tyre. Boshnjakë thonë ishte boshnjak me origjinë, ndaj është pjesë e këtij kombi. Malazezët mendojnë se u takon kulturës së tyre, pasi ka lindë në rrethin e Plavës, maqedonasit lavdërohen më faktin që talenti i tij u zbulua gjatë shkollimit në Shkup, kurse shqiptarët e dinë, e duan dhe e respektojnë si kompozitor shqiptar. Mbi këto polemika qëndron një fakt i fuqishëm: Çdo gjë që Rexho Mulliqi krijoi, ishte shqiptare.

E bija (me gruan e parë) tenton që të i’a ndërron babait identitetin.

E bija e Rexho Mulliqit, Vesna Mulliq, thotë se babai i saj nuk mund të quhet kompozitor shqiptar. Madje, kërkon t’i respektohet emri dhe të mos shkruhet Rexho Mulliqi, por Rexho Mulliq.

“Ai është Rexho Mulliq dhe nuk ka nevojë të shkruhet Rexho Mulliqi”, thotë vajza e vetme e kompozitorit me nam nga martesa e parë e tij. “Ai nuk është kompozitor shqiptar”, reagon Vesna Mulliq, në pyetjen se si duhet referuar njërit prej krijuesve më në zë të muzikës shqipe. “Kurrë nuk është deklaruar shqiptar e as që ka mundur të deklarohej ashtu”, shton ajo.

Vajza e tij Vesna me gruan e parë, mund të flas për vete se çfarë përkatësie kombëtare ka, por nuk mundet të thotë se çfarë ka pas dhe si asht ndje kompozitori shqiptar Rexho Milliqi, apo Rexhep Mullaj. Përkundër që ajo ka pas privilegje për shkak të babait të saj, dhe asht pranua të punoj në korin e RTP, dhe si gazetare ku ka shkruar për muzikën, ajo edhe sot refuzon ti jep partiturat e babait Filharmonisë së Kosovës.

Identiteti, origjina e Rexho Mulliqit:

Rexho Mulliqi u lind me 18 mars të vitit 1923 në Guci, Plavë, vdiq më 25 shkurt 1982 në Prishtinë, ishte një kompozitor shqiptar. Mbiemrin e mori nga fisi Mula, Mulaj, Mulaku, Muliqi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941, pastaj u vendos në Prishtinë. Për shkaqe politike, u përndoq dhe u burgos, duke vuajtur dënimin në Goli Otok. Rexhep Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në anën tjetër, Rexho Mulliqi bëri një muzikë që ishte dhe mbeti thellësisht shqiptare, në të gjithë përbërësit e saj.

Ai thoshte:” Muzika të cilën e krijoj, është rrëfimi im, por edhe i popullit tim, është apoteozë e nënqiellit të këtij vendi dhe e njerëzve të tij, këngë e maleve hijerëndë, e luginave të gjelbra, e lumenjve me zhurmë, rrëfim i legjendës së të kaluarës dhe këngë e agimit të diellit…”.

Në fillim e thërrisnin Rexhep Mullaj, Rexho Mulliq, Rexhep Mulliqi, kurse ai vetë, në të shumtën e rasteve, ka nënshkruar si Rexhep Mullaj. Megjithatë, ai mbeti i njohur te ne si Rexho Mulliqi.

Nexhmija Pagarusha nuk do të ishte ajo që u bë pa mbështetjen e jashtëzakonshme të bashkëshortit, Rexho Mulliqit që është një nga gjenitë e muzikës shqipe.

Gjeneratat e reja, e njohin më tepër si autor të këngës së popullarizuar “Baresha”. Mirëpo ai krijoi vepra shumë më të mëdha e më komplekse se “Baresha”.

Sot, mund të supozojmë se inspirimi krijues për “Bareshën” , mbështetej në dy burime: Zërin brilant të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjes së kompozitorit.

Pas vdekjes së Mulliqit, posaçërisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken dëshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë busti origjinal i kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cavëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve.

Dikush u përpoq të fshijë gjurmët krijuese të Mulliqit në Kosovë. Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë.

Ka artistë që për së gjalli gjithnjë u identifikuan si shqiptar, mirëpo ju mungoi krijimtaria. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi shumë kombin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip.

Nga fëmijëria barte një plagë të thellë. Ishte gati foshnje, kur në derë të shtëpisë së lindjes, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”, kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemër.

Mulliqi mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova, dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare. Me Çeskë Zadenë, i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare.

FOTO : Nexhmije Pagarusha, Rexho Mulliqi dhe biri i tyre Leonardi. Vitet 1970-ta./ KultPlus.com

200 vjet nga lindja e rilindasit Jani Vreto

Si sot 200 vjet më parë lindi Jani Vreto, shkrimtar, botues, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare.

I emërtuari prej Robert Elsie-t si “Gutenbergu i shqiptarëve”, Jani Vretoja lindi në fshatin Postenan të Kolonjës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga viti 1843 deri më 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur Zosimea në Janinë, ashtu si vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, Vretoja i ri ndërtoi adhurim të përjetshëm për kulturën helene.

Por ishte pikërisht ky çast që i zgjoi Vretos për herë të parë interesimin për gjuhën e vendit të vet dhe më 1847 hartoi një vjershë për Skënderbeun me alfabet grek. Më 1854 u shpërngul në Konstandinopojë, ku i ati merrej me tregti. U kthye në Korçë dhe vijoi tregtitë pranë vendlindjes, por një nga zjarret që shkrumboi gjithë Pazarin e Korçës e la të shkatërruar ekonomikisht, ndaj u kthye sërish në Stamboll.

Atje punoi si sekretar në një shoqëri duhanesh dhe me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Botimi i parë i Vretos ishte një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip “Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe” (1866). Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij.

Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën Neologos, që shpallnin pretendime për treva që banoheshin nga shqiptarë në Epir, Vretoja botoi në Stamboll më 1878 punimin në greqisht “Apologjia”, në të cilin shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 1879 komisioni botoi “Abetare e gjuhës shqip”, disa pjesë të së cilës u shkruan nga Vretoja, sidomos një shkrim me titullin “Udhë e të shkruarit të gjuhës shqipe”.

Vretoja ishte autor i Kanonizmës së shoqërisë. Në verë të vitit 1881, Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin ngulur me banim aty e nëpër Rumani dhe themeloi në Bukuresht një seksion të “Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip”. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj. Kjo shoqëri, e kryesuar nga Anastas Avramidi Lakçe, ngriti një shtypshkronjë shqiptare dhe më 1886 nisi misionin historik të botimit të librave në gjuhën shqipe. Vetëm në vitin e parë të punës dolën dhjetë libra të tillë, duke përfshirë dy libra të Vretos: “Mirëvetija” (Bukuresht 1886), dhe “Numeratoreja”, (Bukuresht 1886).

Praktikisht ishte Vretoja ai që bënte punët e shtypshkronjës: faqoste tekstet dhe pastaj interesohej për lidhjen e librave dhe për shpërndarjen e tyre. Ndër librat e botuar aty ishte një vepër e shkruar në fillim me alfabet arab, “Erveheja” e poetit mysliman Muhamet Kyçyku, i njohur edhe me emrin Muhamet Çami (1784-1844), të cilin Vretoja e transkriptoi në alfabetin e Stambollit e madje e pastroi nga orientalizmat. Një vit më pas ai botoi një vepër 158 faqesh me titull “Radhuashkronjë” (Llogaritje), për tregtarët dhe biznesmenët shqiptarë në Rumani. Siç ndodhte shpesh mes shqiptarëve të lëvizjes kombëtare, ndër udhëheqësit shqiptarë në Bukuresht shpërthyen debate.

Plaku Jani Vreto, në prag të varfërisë, ndjeu se i qe bërë padrejtësi kur publicisti Vissar Dodani zgjodhi një alfabet të ri të shqipes, të përshtatur nga rumanishtja, për botimin e gazetës së tij “Shqipëria”, 1897-1899, duke prishur kështu punën e një jete të tërë të Vretos për përhapjen e përdorimit nga të gjithë të një alfabeti të vetëm shqip. Në tetor 1899, Vretoja u largua dhe vajti në Athinë. Vdiq në kryeqytetin grek në fillim të korrikut (atribuohet data 9 korrik) 1900, me sa duket nga uria e pleqëria.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot transkriptimin e fjalimit të J. Vretos mbajtur në mbledhjen e Shoqërisë Dituria, 14 janar 1896; ballina e tekstit “Mirëvetija”, përshtatur në shqip nga J. Vretoja, Bukuresht, 1886; kartëpostale e J. Vretos shumëfishuar në Paris nga Nikolla Lako (pas vdekjes së Vretos)./atsh/ KultPlus.com

‘Sytë e urrejtjes’

Poezi nga Oktavio Paz

1.

Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht.

Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku.

Dhe kështu të gjitha ditët.

2.

Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë?

Thoshte:

“Ishalla vdeksh!”

Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy.

Gjithmonë me gjithë shpirt.

Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Askush nuk ia vinte veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër.

I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes.

3.

Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga prania e tij, papritur lëshoi këto fjalë:

“Tashmë e vrava.”

Cilin dhe si?

Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka.

Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar.

Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër.

Kurrë nuk u kthye më.

Vdiq?

Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër.

Unë rishikoj veprimet e mia.

Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros?/ KultPlus.com

Aktorja e filmit ‘Paraziti’ flet për betejën e saj kundër kancerit

Aktorja koreano-jugore, Park So-dam, e njohur për filmin “Paraziti”, ka folur për betejën e saj kundër kancerit të tiroideve.

Në dhjetor, agjencia e saj, Artist Company, zbuloi se Park ishte diagnostifikuar me kancerin e tiroideve papilare gjatë një kontrolle rutinore, dhe se tashmë ishte operuar.

“Kur mora vesh për gjendjen time shëndetësore, isha edhe e shokuar, edhe e frikësuar”, ka zbuluar ajo.

“Por më dha kohë që të shikoj prapa dhe të kujdesem për veten në mënyrë që të punoj më gjatë dhe të jem më e shëndetshme për të ardhmen”./ KultPlus.com

OBSH rekomandon ilaçe të reja për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar dy ilaçe të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19.

Ilaçi baricitinib (një lloj i ilaçit sikurse frenuesi Janus kinase [JAK] që përdoret për trajtimin e artritit reumatoid), sipas OBSH-së, rekomandohet të përdoret te pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë, në kombinim me kortikosteroidet, që janë ilaçe të fuqishme kundër inflamacioneve dhe forcojnë përgjigjen imunitare.

OBSH-ja tha se ky rekomandim bazohet në të dhënat që sugjerojnë se përmirëson shanset e mbijetesës dhe zvogëlon nevojën që pacientët të futen në ventilator dhe nuk është gjetur se shkakton efekte anësore.

Ekspertët e OBSH-së thanë se baricitinib ka efekte të ngjashme sikurse ilaçet e tjera për artritin, frenuesit e IL-6 (ilaçe anti-inflamatore), prandaj nëse këto dy ilaçe janë në dispozicion, kjo organizatë rekomandon që pacientët të zgjedhin njërën nga to “në bazë të kostos, disponueshmërisë dhe rekomandimit të mjekut”. Megjithatë, nuk rekomandohet që këto dy ilaçe të merren në të njëjtën kohë.

Rekomandimi i përdorimit të këtyre ilaçeve është bërë nga të dhënat e reja nga shtatë studime, ku janë përfshirë 4,000 pacientë me COVID-19 me infeksione të lehta, të rënda dhe kritike.

Në përditësimin e udhëzimeve për trajtimin e COVID-19, ekspertët e OBSH-së kanë rekomanduar kundër përdorimit të dy ilaçeve ruxolitinib dhe tofacitinib për pacientët me COVID-19 të sëmurë rëndë apo në gjendje kritike, pasi në studime nuk është gjetur se pacientët mund të kenë përfitime nga to dhe ka rrezik për efekte të rënda anësore.

Gjithashtu, në këtë udhëzues të ri, OBSH-ja ka bërë një rekomandim të kushtëzuar të përdorimit të antitrupit monoklonal sotrovimab në pacientët që nuk kanë zhvilluar sëmundje të rëndë nga koronavirusi dhe ky lloj trajtimi mund të përdoret vetëm te personat që kanë rrezik të lartë të hospitalizimit, pasi siç tha OBSH-ja, pacientët që nuk janë në gjendje të rëndë nuk kanë përfitime të mëdha nga ky trajtim.

Një rekomandim i ngjashëm është bërë edhe për ilaçin tjetër të antitrupave monoklonale (casirivimab-imdevimab), pasi ekspertët vlerësuan se nuk ka ende të dhëna për të rekomanduar këtë lloj trajtimi dhe “efektiviteti i tyre kundër varianteve të reja, siç është Omicron, është ende i paqartë”.

Ilaçet e rekomanduara sot i shtohen listës së trajtimit për COVID-19 ku përfshihet përdorimi i receptorëve bllokues dhe kortikosteroideve me veprim sistematik për pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë. Po ashtu, OBSH-ja më herët ka bërë rekomandim për përdorimin e kushtëzuar të trajtimit me antitrupa monoklonale casirivimab-imdevimab në pacientë të caktuar.

Që prej shpërthimit të pandemisë në fund të vitit 2019, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në mbarë botën janë regjistruar mbi 319 milionë raste dhe mbi 5.5 milionë të vdekur./ KultPlus.com

“Uji i turbullt pastrohet duke u lënë në qetësinë e tij”


Alan Watts është një nga filozofët e historisë moderne më me ndikim, i njohur më së shumti për përshtatjen e filozofisë lindore për një audiencë perëndimore. Ai foli shumë rreth Budizmit, ndërgjeshmërinë dhe për mënyrën e të jetuarit një jetë të përmbushur.

Këto citime të Alan Watts që vijojnë paraqesin disa nga filozofitë më të rëndësishme të jetës, dashurisë dhe lumturisë. Shijojini!

Përse vuan njeriu

“Njeriu vuan vetëm, sepse e merr seriozisht atë që Perëndia e krijoi për kënaqësi.”

Mbi të tashmen

“Ky është sekreti i vërtetë i jetës – t’i jepesh tërësisht asaj gjëje me të cilën po merresh këtu dhe tani. Dhe në vend që ta quani atë punë, kuptojeni që ajo është lojë.”

“Unë kam kuptuar se e shkuara dhe e ardhmja janë iluzione të vërteta, se ato ekzistojnë në të tashmen, e cila është ajo çfarë ndodhet aty dhe gjithçka ndodhet aty.”

“Arti i të jetuarit… nuk është as kalimi i pakujdesshëm nga njëra anë dhe as ngjitja e frikshme nga ana tjetër. Ai konsiston në të qenët i ndjeshëm ndaj çdo momenti, duke e konsideruar atë si krejtësisht të ri dhe antik gjithashtu, me një mendje të hapur tërësisht.“

“Ne po jetojmë në një kulturë tërësisht të hipnotizuar nga iluzioni i kohës, në të cilën i ashtuquajturi momenti i së tashmes nuk ndihet si asgjë tjetër përveçse si një fije pambarimisht e hollë ndërmjet të shkuarës së gjithëfuqishme dhe të ardhmes së rëndësishme. Ne nuk kemi të tashme. Vetëdija jonë është pothuajse tërësisht e zënë me kujtesë dhe pritshmëri.

Ne nuk e kuptojmë se kurrë nuk ka pasur, nuk ka dhe as do të ketë një tjetër eksperiencë përveç eksperiencës të së tashmes. Ne jemi gjithashtu jashtë lidhjes me realitetin. Ne e ngatërrojmë botën me atë që është e për të cilën është folur, përshkruar dhe krahasuar me botën që është aktualisht. Ne jemi të ngërthyer nga një magjepsje për mjetet e dobishme të emrave dhe numrava, të simboleve, shenjave, koncepteve dhe ideve.”

Kuptimi i jetës

“Kuptimi i jetës është thjesht të jesh gjallë. Është aq e qartë, aq e dukshme dhe aq e thjeshtë. Dhe prapë, të gjithë nxitojnë rreth saj me një panik të madh sikur ta kishin të domosdoshme që të arrijnë diçka përtej vetvetes.”

“Ti je një funksion i asaj çka i gjithë universi po bën në të njëjtën mënyrë sikur një valë është një funksion i asaj çka po bën i gjithë oqeani.”

“Nëse thua se gjëja më e rëndësishme është të marrësh para, do të kalosh jetën duke shpenzuar kohë. Do të besh gjëra që nuk të pëlqejnë me qëllim që të vazhdosh të jetosh, që është të vazhdosh të bësh gjëra që nuk të pëlqejnë, që është të mos jetosh!”

Mbi mendjen

“Uji i turbullt pastrohet më së miri duke u lënë në qetësinë e tij.”

Mbi besimin

“Të kesh besim është të kesh mirëbesim tek vetja në ujë. Kur noton, ti nuk mbahesh pas ujit, sepse, nëse e bën, do të zhytesh dhe do të mbytesh.”

“Nëse kapemi pas besimit në Zot, ne gjithashtu nuk mund të kemi mirëbesim, sepse mirëbesimi nuk është të kapesh pas, por është të lësh pas.

Këshilla potenciale mbi çdo krijimtari

“Këshillë? Nuk kam këshillë. Ndalo së dëshiruari dhe fillo të shkruash. Nëse po shkruan, je një shkrimtar. Shkruaj sikur të ishe i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Presidenti ka ikur dhe nuk ka shanse për falje.

Shkruaj sikur të ishe duke ngjitur majën e një shkëmbi, në frymën e fundit dhe ke vetëm një gjë të fundit për të thënë, sikur të ishe një zog që fluturon sipër nesh dhe mund të shohësh gjithçka, dhe të lutem, për hir të Zotit, na trego diçka që do të na shpëtojë nga vetja jonë.

Merr frymë thellë dhe na trego sekretin tënd më të madh dhe më të errët, kështu që të mund të fshijmë ballin dhe të dimë që nuk jemi vetëm. Shkruaj sikur të kishe një mesazh nga mbreti. Ose mos shkruaj. Kush e di, mbase je një nga ata me fat që nuk duhet ta bëjnë.”

Mbi ndryshimin

“E vetmja mënyrë për të nxjerrë kuptimin nga ndryshimi është të zhytesh në të, të lëvizësh me të dhe t’i bashkohesh kërcimit.”

“Sa më shumë që një gjë tenton të jetë e përhershme, aq më shumë priret të jetë e pajetë.”

Mbi universin

“Nëpërmjet syve tanë, universi po kupton veten. Nëpërmjet veshëve tanë, universi po dëgjon muzikën e tij. Ne jemi dëshmitarët nëpërmjet të cilëve universi vihet në dijeni për lavdinë e tij, për madhështinë e tij.”

“Gjërat janë ashtu siç janë. Duke parë universin natën, ne nuk bëjmë krahasimin ndërmjet yjeve të rregullt dhe të parregullt, as ndërmjet organizimit të duhur apo jo të yjësive.”

“Ne nuk “hyjmë” në këtë botë; ne vijmë prej saj, sikur gjethet nga pema. Sikurse oqeani krijon valët ashtu dhe universi njerëzit. Çdo individ është një shprehje e të gjithë sferës së natyrës, një veprim unik i gjithë universit.”

Mbi atë që jeni në të vërtetë

“Jezu Krishti e dinte se ishte Zot. Kështu që zgjohu dhe zbulo përfundimisht se kush je në të vërtetë. Sipas kulturës sonë, do të thonë se je i çmendur dhe blasfemues dhe më pas ose do ju fusin në burg ose në çmendinë (që është pak a shumë e njëjta gjë).

Megjithatë, ndryshe ndodh në kultura të tjera, nëse një ditë zgjohesh në Indi dhe i thua miqve dhe kushërinjve, ‘Oh Zot i madh, sapo zbulova që jam Perëndia,’ ata do të qeshin dhe do të thonë, ‘Oh, urime, të paktën e kuptove’.”

“Çdo individ inteligjent dëshiron të dijë se çfarë e bën atë njeri të duhur dhe prapë është njëherësh i magjepsur dhe i irrituar nga fakti se vetja është gjëja më e vështirë se çdo gjë tjetër për t’u njohur.”

“Dhe të gjithë njerëzit katranosen, sepse ata duan që bota të kishte kuptim sikur ajo të ishte fjalë… Sikur ti të kishe një kuptim, sikur ti të ishe një fjalë e thjeshtë, sikur ti të ishe një fjalë që mund të gjendet në fjalor. Ti je kuptim.”

“Si është e mundur që një qënie me thesare të tilla të ndjeshme si sytë, instrumente mbresëlënëse muzikore të tilla si veshët dhe me të tilla arabeske nervash të mahnitshme siç është truri, mund ta përjetojnë veten si asgjë më pak se një perëndi.”

“Ajo çfarë po them është se ti nuk ke nevojë të bësh asgjë, sepse nëse e sheh veten në mënyrën e duhur, je një fenomen po aq i jashtëzakonshëm i natyrës siç janë pemët, retë, nuancat në ujin e rrjedhshëm, flakërimi i zjarrit, rënditja e yjeve dhe forma e një galaksie. Ti je pikërisht ashtu dhe nuk ka asgjë që nuk shkon me ty.”

Mbi vdekjen

“Përpiqu të imagjinosh si do të ishte të biesh në gjumë dhe të mos zgjohesh më kurrë… tani përpiqu të imagjinosh se si është të zgjohesh kur nuk ke fjetur kurrë.”

Mbi dashurinë

“Kurrë mos pretendo për një dashuri të cilën nuk e ndien, sepse dashuria nuk është nën komandën tonë.”

Mbi muzikën

“Jeta është si muzika për hir të saj. Ne po jetojmë në një të tanishme të përjetshme dhe kur dëgjojmë muzikë ne nuk po dëgjojmë të shkuarën, ne nuk po dëgjojmë të ardhmen, ne po dëgjojmë një të tashme të zgjeruar.”

Mbi ankthin

“Një person është më pak i shqetësuar nëse ndihet tejet lirshëm për të qenë i shqetësuar dhe e njëjta mund të thuhet për fajin.”

“Për të qenë i qëndrueshëm është të frenohesh nga përpjekja për të ndarë veten nga një dhimbje, sepse e di se nuk mundesh. T’i ikësh frikës është frikë, të luftosh dhimbjen është dhimbje, të përpiqesh për të qenë trim është të jesh i frikësuar. Nëse mendja është në dhimbje, mendja është dhimbja. Menduesi nuk ka formë tjetër përveç mendimit të tij. Nuk ka shpëtim.” / KultPlus.com

‘Shpirti im nuk ndihet mirë, se e humbi atë’


Poezi nga Pablo Neruda

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta 

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Të shkruaj, për shembull: ”Nata është yjëzuar,
Dhe drithërues, të kaltër yjet atje lart”.

Era e natës sillet nëpër qiell dhe këndon.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.
E doja dhe nganjëherë edhe ajo më donte.

Në net si kjo e mbaja ndër krahë,
E puthja aq shumë nën qiellin e pafund.

Ajo më donte dhe ndonjëherë edhe unë e doja.
E si të mos i doje sytë e saj të mëdhenj!

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.

Të dëgjoj natën e pamat, më e pamat pa të.
Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.

Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante atë!
Nata është yjëzuar dhe ajo nuk është me mua.
Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg…
Shpirti im nuk ndihet mirë se e humbi atë.

Si të jenë duke kërkuar, sytë e mi vështrojnë për të,
Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë
Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.

Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja!
Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.

E tjetrit. Do jetë e tjetrit, si më parë e puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm, sytë e saj të mëdhenj…

Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua akoma.
Është kaq e shkurtër dashuria dhe kaq i madh harrimi!

Sepse në net si kjo e mbaja në krahë,
Shpirti im ndihet keq që e ka humbur.

Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi,
Dhe këto janë vargjet e fundit që unë i shkruaj. / KultPlus.com

​Nagavci kërkon nga drejtoritë e arsimit punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nisin procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë sonë.

“Në kuadër të kësaj, sot kam dërguar njoftim me shkrim në Drejtoritë Komunale të Arsimit për procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyre që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti. Në përmbushje të prioriteteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka shtuar tutje se, tani do të vazhdojnë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojnë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraparë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna.

“Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla. Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesim të përkushtuar që fëmijëve tanë t’ua lehtësojmë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor”, tha Nagavci. / KultPlus.com

Dua Lipa tregon se sa kushton një takim i shkurtër me të

Gazeta britanike “The Sun” ka publikuar një shkrim ku përmenden pagesat që kërkojnë disa prej të famshmëve, për një takim apo fotografi me ta, gjatë turneve të tyre.

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, renditet si e famshmja më e shtrenjtë në këtë aspekt, sipas “The Sun”.

Madje jo vetëm foto por nëse paguani ju mund të merrni një paketë të plotë dhuratash të personalizuara. Si p.sh. në rastin e këngëtares së njohur shqiptare Dua Lipa. Për ta takuar Dua Lipën në prapaskenë kushton as më pak e as më shumë se sa 1842 paund (2200 euro).

Fansat paguajnë për një biletë të cilësuar si “festë shtëpie” para shfaqjes së mbajtur në vendin e koncertit. Paketa përfshin një mësim kërcimi nga një koreograf profesionist, akses në një skuadër të grimit dhe një fotografi me vet yllin me prejardhje shqiptare.

Ndërkohë, bileta të tilla për të takuar të famshëm të tjerë nga afër kanë këto çmime:

Justin Bieber – 900 paund(1080 euro) Arnold Schëarzenegger – 745 paund (890 euro) Alicia Keys – 628 paund (750 euro) Steps – 375 paund (450 euro) Blu – 349 paund (420 euro) Ronan Keating – 240 paund (290 euro) Gary Neville – 150 paund (180 euro) Gemma Collins – 115 paund (140 euro) Paë Patrol – 68 paund (80 euro) Ricky Hatton – 60 paund (70 euro). / KultPlus.com

Vdekja e Gjergj Kastriotit ishte për arbërorët humbje e shpresës dhe mburojës së tyre

Nga Gjon Keka

Populli arbëror e përjetoi thellë vdekjen e mbretit Gjergj Kastriotit, si humbjen e një të shenjti, e një mburoje të tyre.

Atë ditë qielli i Arbërisë ishte i errët. Nuk kishte njeri që nuk vajtonte. Madje sipas legjendave edhe malet vajtonin.

Populli arbëror dhe fisnorët e vendit vajtonin duke derdhë lotët e dhimbjes së thellë të shpirtit, ku ata e shprehën me këto fjalë:

Skënderbe, Mbreti ynë i mirë, i shenjtë, shpresa jonë, ati ynë, vëllau ynë, mbrojtësi ynë, pse na ke lanë kështu të gjithëve, si bagëti pa bari? Si do të jemi na të aftë me shpëtue nga duart e armiqve turq, Mjerë popujt tanë! Mjerë të mëdhenjtë e të vegjlit! Mjerë Arbëria e gjithë krahinat, po ashtu princat dhe banorët e vendeve të tjera fqinje!” / KultPlus.com

Skiatorja Kiana Kryeziu është vetëm edhe një hap drejt Olimpiadës

Lajme fantasike kanë ardhur nga përfaqësuesja e Republikës së Kosovës e cila po merr pjesë në garat ndërkombëtare në Kronplatz të Italisë, përcjell KultPlus.

Kiana Kryeziu ka arritur rezultatin e katërt, rezultat i cili e dërgon para edhe një hap drejt Olimpiadës. Tani mjafton vetëm edhe një rezultat i tillë dhe Kosova do të ketë përfaqësuesen e saj të parë femër në Lojërat Olimpike Dimërore!

Rezultate shumë të mira në një konkurrencë të fortë, tregoi edhe Arba Pupovci me 241 pikë të FIS.

Federata Skitare e Kosovës i ka uruar suksese skiatores Kryeziu e cila me mjeshtri po vazhdon të udhëhiqet nga selektori, Agim Pupovci / KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit do të promovohet në Universitetin e Harvardit

Libri “Kosova” nga Jusuf Buxhovi do të promovohet në Universitetin e Harvardit, përcjell KultPlus.

Libri në fjalë konsiderohet se ka dridhur në themel propagandën shumëvjeçare sllave anti-shqiptare mbi prejardhjen dhe historinë tonë kombëtare dhe bazuar në fakte historike e referenca arkivore e akademike, libri paraqet versionin më të çiltër e të saktë të historisë së Kosovës.

Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

KultPlus ju sjell tutje njoftimin e Faton Bislimit:

Ndjehem krenar që si ish-student i Harvardit dhe si Përfaqësues për Kosovë i ‘Harvard Alumni Association’, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Harvard College, nën udhëheqjen e Gred Braho, e në bashkëpunim të ngushtë me botuesin e mikun tim të çmuar Ramiz Tafilaj (Jalifat Publishing, Houston) me mbështetjen e parezervë të z. Milaim Abdullahu (Santefarm, Prishtinë), do promovojmë librin e famshëm të historianit e publicistit të shquar të Kosovës, Jusuf Buxhovi, “Kosova” në tri vëllime, në Universitetin e Harvardit më 24 Janar 2022.

Një ngjarje e tillë në njërin nga top universitetet në Amerikë e botë është ogurbardhë për Kosovën dhe imazhin tonë si shtet e komb!

Një falëmnderim i veçantë për përkrahjen e kësaj ngjarje shkon edhe për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston dhe MASSBESA!

Ftoj të gjithë shqiptarët në rrethninën e Bostonit të na bashkangjiten me 24 Janar në këtë promovim! / KultPlus.com

“Nuk i dua retë”, një ndër këngët më të dashura nga ‘Seleksioni 039’ (VIDEO)

Sot lajmi për vdekjen e këngëtarit të njohur pejan, Eduard Meraku i njohur si “Edi King”, befasoi të gjithë artdashësit e zhanrit rok dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Edi King ishte dhe do të vazhdojë të mbetet pionier i rokut në Kosovë. Ai themeloi bendin ‘Seleksioni 039’, një nga bendet më të rëndësishme në trevat shqiptare.

Zëri i tij arriti të gjente hapësirën në secilin zhanër, kjo edhe e bëri atë një këngëtar unik i cili përherë do të kujtohet si një nga ikonat e muzikës rok.

Më poshtë KultPlus ju sjell njërën nga këngët më të dashura të këtij bendi, këngët e të cilit vazhdojnë të jehojnë ende edhe sot me veçantinë e tyre dhe tekstet autentike aq bukur të interpretuara. / KultPlus.com

Vdes themeluesi i “Seleksioni 039”, Edi King

Sot ka vdekur themeluesi i “Seleksioni 039”, Edi King, shkruan KultPlus.

Vdekjen e këngëtarit të njohur pejan, Eduard Meraku i njohur si “Edi King” e bëri të ditur antari i grupit përkatës “Seleksioni 039”, Gezim Hasku – Geza, pjesë e së cilës ishte edhe i ndjeri.

Ndarja nga jeta e vokalistit të grupit ‘Seleksioni 039’, raportohet të ketë ardhur pas një infarkti.

Në lidhje me vdekjen e tij edhe muzicienti Genc Salihu ka shprehur ngushëllimin e tij nëpërmejt një postimi në rrjetin social Facebook.

“Na la Edi King, pionier i rock’n’rollit KS, themelues i nji prej bendeve ma te randesishme tonat Selekcioni 039, nji njeri aq i ambel. Kemi mesu shume prej teje, King”, ka shkruar Salihu. / KultPlus.com