OBSH: Është ende herët që ta trajtojmë COVID-19 si grip stinor

Varianti Omicron i koronavirusit pritet të infektojë mbi gjysmën e popullsisë në Evropë, por ende nuk mund të trajtohet si një sëmundje endemike e ngjashme me gripin stinor, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Evropa ka regjistruar mbi 7 milionë raste të reja me koronavirus vetëm në javën e parë të vitit 2022, shifër dyfish më e lartë krahasuar me një periudhë dyjavore, tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge gjatë një konference për media.

“Me këtë ritëm, Instituti për Metrika dhe Vlerësim të Shëndetit parashikon se më shumë se 50 për qind e popullsisë në rajon do të infektohet me Omicron gjatë 6-8 javët e ardhshëm”, tha Kluge, duke iu referuar një qendre hulumtuese në Universitetin e Uashingtonit.

Pesëdhjetë nga 53 shtetet në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë regjistruar raste me variantin e ri, tha Kluge.

Megjithatë, sipas studimeve të fundit, Omicroni më shumë po prek traktin e sipërm respirator sesa mushkëritë, duke shkaktuar simptoma më të lehta sesa variantet paraprake të sëmundjes COVID-19.

Por, OBSH-ja ka thënë se duhen më shumë studime që të vërtetohet një gjë e tillë.

Më 10 janar, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se ndoshta është koha që të ndryshohet mënyra sesi gjurmohet evoluimi i COVID-19 dhe ai sugjeroi që të përdoret një metodë e ngjashme që përdoret për gripin stinor, pasi sipas tij, vdekshmëria nga koronavirusi ka rënë.

Kjo do të nënkuptonte që virusi të trajtohej si sëmundje endemike, në vend se një pandemi dhe shtetet nuk do të regjistronin çdo rast e as nuk do të testonin të gjithë njerëzit që shfaqin simptoma.

Por, zyrtarja e lartë e OBSH-së për emergjenca në Evropë, Chatherine Smallwood, tha se kjo mund të jetë “një rrugëdalje”, duke shtuar se endemiteti kërkon që sëmundja të ketë një transmetim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.

“Ne ende kemi pasiguri të madhe dhe një virus që po evoluon mjaft shpejt, duke paraqitur sfida të reja. Sigurisht, ne ende nuk jemi në atë pikë që do të mund ta quanim epidemi”, tha Smallwood./REL/ KultPlus.com

Dua Lipa paralajmëron një film koncertal nga prapaskenat e turneut “Future Nostalgia”

Dua Lipa nuk do të jetë vetëm në prapaskenë kur të nisë turneun e saj ‘Future Nostalgia’ muajin e ardhshëm, transmeton KultPlus.

Sipas “The Sun”, ajo do të ndiqet nga kamera gjatë turneut me shërbimet e transmetimit që tashmë shpresojnë që pamjet të shndërrohen në një dokumentar pa ndalim.

Këngëtarja e ‘Don’t Start Now’ do të marrë rrugën për të kryer turneun e parë me buxhet të madh të karrierës së saj.

Ajo po i bën të gjitha ndalesat për turneun, i cili do të jetë i mbushur me koreografi dhe ndryshime të veshjeve. Dhe pamjet e xhiruara në prapaskenë mund të japin gjithashtu një vështrim në jetën e saj private.

Një person i brendshëm i muzikës tha: “Dua është një nga yjet më të kërkuara në botë për momentin. Të gjithë duan një pjesë të saj. Ekipi i saj është kontaktuar nga kompani të ndryshme të cilat me të vërtetë janë të etur për të marrë një film koncert apo dokumentar me këngëtaren. Dua është e veçantë për atë që bën dhe nuk do të pajtohet me asgjë me të cilën nuk është e kënaqur. Por ajo ka nënshkruar që të ketë një kameraman në rrugë me të për të kapur gjithçka që shkon poshtë. Ajo mendon se do të ishte mirë të bënte një dokumentar, por do të duhej të ishte për arsyet e duhura, kështu që ajo thjesht do të shohë se si do të shkojë. Ashtu si përgatitja për turneun, ajo ka punuar në albumin e saj të tretë, kështu që qielli është kufiri tani. Por nëse vendos ta kthejë pamjen në film, ajo mund të bëjë një pasuri sepse çdo shërbim transmetimi do të ishte i etur për ta pasur atë në bord.

Për turneun, Dua po punon me të njëjtin ekip që prodhoi koncertin e saj mbresëlënës të transmetimit të drejtpërdrejtë të ‘Studio 2054’ në nëntor 2020.

Ai u shikua nga rreth dy milionë njerëz dhe mori komente të mira, kështu që nuk kam dyshim se ky shfaqje e ardhshme do të jetë edhe më mbresëlënëse.

Turneu i saj ‘Future Nostalgia’ do të fillojë në Miami më 9 shkurt, pothuajse dy vjet më vonë se sa ishte planifikuar, për shkak të pandemisë.

Performancat e Duas në Brits dhe Grammy në vitet e fundit kanë dëshmuar se ajo është një nga artistet më mbresëlënëse në lojë. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar pa energji elektrike, dështon shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’

Shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ ishte parparë që të shfaqet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka pamundësuar mungesa e energjisë elektrike, e cila është paraqitur si problem në të gjithë botën.

Aktorja e kësaj shfaqjeje, Majlinda Kasumoviq njoftoi përmes një ‘InstaStory’ në llogarinë e saj në “Instagram” se është ndalur rryma dhe rrjedhimisht shfaqja ka dështuar.

Anulohet shfaqja për shkak të mungesës së energjisë elektrike“, ka shkruar ajo.

Kjo nuk është hera e parë që po dështojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Ndërkohë, Teatrit Kombëtar nuk i punon gjeneratori që 2-3 vjet, e si pasojë e reduktimeve. 

“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” është një “udhëtim teatror” nëpër dramaturgjinë e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu.

Motivet kryesore nga përmbledhja e tij me katër drama, tetralogjia “Shtrigani i Gjel-Hanit”, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë!

Defilojnë në shfaqjen tonë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurrë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionar, nëna të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë! Dhe të gjithë këta, para se për të shkuarën, flasin për të tashmen, për mizoritë tona, për dellin tonë, për ta shkatërruar veten, për të “shkatërruar” atdheun dhe të ardhmen në lindje…

Një shfaqje dhe një dramaturgji jo e zakonshme – që vazhdon t’i bëj ballë kohës. Dhe plot pikëpyetje: për viktimat tona e për atdheun e “poshtëruar” nga ne të gjallët. / KultPlus.com

Ndizet Flakadani i ‘Flakës së Janarit 2022’, aktivitetet tjera vazhdojnë në nderim të Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe përfaqësues të familjes Mala e Berisha kanë ndezur Flakadanin e “Flakës së Janarit 2022”, i cili do të shndrit deri në fund të manifestimit shumëkultruror “Flaka e Janarit”.

Një flakadan tjetër është ndezur edhe të busti i Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në qendër të qytetit.

Me këtë rast, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se ky manifestin mëton që të nderojë figurat e njohura shqiptare që në janarët e kuq të lirisë u sakrifikuan për këto ditë që ne sot i gëzojmë dhe për obligimet që ne i marrim në drejtimin e institucioneve.

Jemi dyzet vjet nga ndarja e Kadri Zekës e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, ndërkaq 38 vjet nga ndarja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe vitet shkojnë e në të njëjtën kohë kujtimet për veprën e këtyre figurave të njohura shqiptare mbetën në historinë tonë. E ne si qytet, në 31 vite të “Flakës së Janarit” mbajmë një manifestim mbarëkombëtar, që është përtej komunës, që përfaqëson vendin e kombin shqiptar dhe në të njëjtën kohë, për ne është nder dhe privilegj që të vazhdojmë me organizimin e një manifestimi të tillë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai ka shtuar se shkaku i procesit zgjedhor së fundi jemi në një kohë edhe jo shumë komode për organizimin e një manifestimi, mirëpo duke e ditur që ky manifestim gjithnjë ka bërë bashkë edhe subjektet politike, “Flaka e Janarit” edhe këtë vit është organizuar mirë.

Sot u ndez flakadani e nga data 17 vazhdojnë aktivitetet tjera dhe në të njëjtën kohë do të provohet që nëpërmjet organizimeve të tjera t’i jepet një ngjyrë edhe më e veçantë 40- vjetorit të rënies të Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla.

Ajo për çka unë jam zotuar bashkë me grupin organizativ është se pas përfundimit të “Flakës së Janarit” do të ketë një dëgjim publik e diskutime të hapura lidhur me format e organizimit”, ka thënë kryetari Hyseni.

Në emër të familjes Mala e Berisha, përfaqësues të këtyre familjeve kanë shprehur falënderime për organizimin e këtij manifestimi dhe për pjesëmarrje. / KultPlus.com

Rafet Rudi: Lorenc Antonin dhe Rexho Mulliqin i respektoj për rolin e madh që kishin dhënë muzikës sonë, në një kohë fatkeqe

Shkruan: Rafet Rudi

Si i njoha Lorencin dhe Rexhon

Jetuan dhe vepruan në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend si dhe për të njëjtin qëllim, sidoqoftë, është më se i sigurt, ata i takonin, thjeshtë, dy botërave të ndryshme. Dallonin shumë njëri nga tjetri. Që të dy i njoha nga afër në fazën e fundit të jetës së tyre. Ndonëse na ndante diferenca e moshës (tridhjetë vjet me Rexhon, dyzet vjet diferencë me Lorencin), komunikoja me të dytë, në forma dhe në raste të ndryshme – me njërin për 9 vite me radhë (Rexhon) deri në vitin 1982 dhe tjetrin (Lorencin) për 18 vite me radhë, deri në vitin 1991. I njoha atëherë kur, që të dy, kishin përfunduar ciklin e tyre më të rëndësishëm krijues, kur ata, tashmë, ishin të njohur dhe të lavdëruar në shoqëri.

Vitaliteti i Lorencos dhe noshalanca e Rexhos

Duke qenë se Lorenci (Antoni) dhe Rexhoja (Mulliqi), si kompozitorë i takojnë periudhës së njëjtë të historisë sonë të re muzikore dhe duke qenë se ne i konsiderojmë të vetmit përfaqësues të një periudhe nismëtare të krijimtarisë sonë në muzikë (e cila mund të quhet periudhë pararendëse e muzikës sonë profesionale), fitohet përshtypja që ata kanë punuar bashkë, që ata i kanë koordinuar bashkë të gjitha hapat në vendosjen e filleve të muzikës klasike tek ne.
Lorenci dhe Rexhoja ndryshonin shumë. Ata ndryshonin për nga karakteri i tyre, për nga pikëpamja e tyre ndaj jetës, dallonin për nga natyra e tyre, ndryshonin për nga temperamenti i tyre, ndryshonin për mënyrën e komunikimit… megjithatë, përkundër këtyre vetive të shumta dalluese ata kishin pika të përbashkëta: të dy linin përshtypjet ë një intelektuali të rafinuar (natyrisht, secili në mënyrën e vet). Derisa Lorenci më tepër kishte pamjen e një shkencëtari (ta zëmë të një fizicienti), Rexhoja ndërkaq, përngjante më tepër në një filozof apo në një shkrimtar (me ato syza të mëdha shumë karakteristike që mbante, mua më përngjante në Artur Milerin). Lorenci ishte katërmbëdhjetë vjet më i vjetër se Rexhoja, pra një diferencë jo aq e vogël. Përkundër kësaj, megjithatë, ata linin përshtypjen e të njëjtës moshë!
Nëse i ke takuar në qytet njërin apo tjetrin (natyrisht, asnjëherë bashkë!), secili ka pasur një pamje tjetër. Lorencin e ke parë në qytet i thelluar në vete, është dalluar me një ecje relativisht të vendosur dhe të shpejt për moshën e tij. Ndonëse, në dukje, ishte i heshtur, te ai vërehej gjithmonë një vitalitet i theksuar. Derisa Rexhon e përshkonte një pamje noshalante me lëvizje komode të një gjentëlmeni, Lorenci (që ishte me shtat pakëz më i ultë), ishte përherë në lëvizje, ishte dinamik, dhe gjithmonë linte përshtypje të njeriut të angazhuar.

Lorenci e fliste një gjuhë simpatike, me premisa të një shqipe lokale (ai kishte lindur në Shkup, kurse kishte jetuar në Prizren), kurse Rexhoja nuk fliste shqip. Më thonin se e di mire gjuhën shqipe, por nuk kam rastisur asnjëherë ta dëgjoj. Me të, edhe unë edhe të gjithë kolegët shqiptarë, komunikonim, natyrisht, në gjuhën serbo-kroate.

Lorenci ishte serioz, i vendosur dhe linte përshtypjen e një personi pakëz nevrik. Ai fliste qetë, asnjëherë jo me zë të lart, ishte fjalë pak, i drejtpërdrejt dhe i qartë në mendime, dhe nuk pretendonte të bënë biseda të rangut intelektual. Kur fliste, nuk dukej se kishte aq artikulim të qartë të fjalëve, ndoshta edhe për shkak të nivelit të ultë të zërit, por ai nuk preferonte biseda të zgjatura, nuk elaboronte tema që nuk i hynin drejtpërdrejt në punë. Në këtë drejtim dukej mjaft pragmatik- i thjeshtë në mendime, por i prerë dhe i ashpër. Lorenci më dukej gjithmonë si një person i vetmuar e introvert dhe me një fjalë – “njeri jo i shoqërueshëm”. Ndonëse, më thonin se ai me të afërmit e vet, në rreth të ngushtë shoqëror, kishte një natyrë tjetër. Madje më shpjegonin se në rreth të ngushtë të miqve të vet, ai ka ditur të bëj shaka! Pse jo, mund të besoj në këtë. Pikërisht për këtë, kam pasur përshtypje, gjithmonë, se ai ka qenë “njeri i familjes” – ekzemplar karakteristik, i njeriut me kulturë dhe traditë familjare.

Rexhoja ishte intelektual që njihte literaturën, teatrin, filmin, dhe preferonte biseda intelektuale, por njëkohësisht (për çudi), ai ishte i prirur edhe për biseda të thjeshta, për temat e përditshmërisë, për temat politike aktuale etj. Ai, pa asnjë hezitim i komentonte edhe gjërat e thjeshta dhe ishte në gjendje të bisedonte gjatë edhe me njerëz të thjeshtë, me një pastrues të rrugës për temat që mund ta mundonin atë. Në biseda, Rexhoja ishte aktiv dhe ishte më i prirur për biseda lidhur me tema të lira. Ishte interesant të dëgjoje observimet e tija. Ka pasur një kënd të veçantë dhe origjinal të vështrimit të gjërave. Me të filluar bisedën me të, ke mundur ta vëresh se ka një butësi dhe e një drejtpërdrejtshmëri. Papritmas, kur me vëmendje e dëgjonte bashkëbiseduesin, te ai shfaqej një buzëqeshje diskrete me një rrudhje anësore të buzës ), që kishte premisa të një ironie të lehtë, por jo dashakeqe. Ndoshta, kjo ka qenë karakteristika kryesore që ke mundur ta vëreje në fytyrën e tij.

(Kështu kemi menduar të gjithë kompozitorët që vështronim portretin e tij të shkrirë në bronz që qëndronte një kohë të gjatë në Shoqatën e Kompozitorëve. Ky element i fytyrës së tij është shquar në këtë portret. Ishte ky punim, ndër më të mirët të punuar nga skulptori Agim Çavdarbasha e që ka qenë deri në kohën e pasluftës në Shoqatën e Kompozitorëve dhe pastaj është humbur në mënyrë misterioze!)

Lorenci dhe Rexhoja në Radio…

Në vitet ’70-ta dhe në fillim të ’80-tave, unë i kam ndesh shpesh në Radio, meqë ishin të punësuar aty, që të dy. Pos kësaj, Lorencin e takoja edhe në aktivitetet e Shoqatës së Kompozitorëve. Rexhoja vinte në Radio, jo aq për të punuar se sa për të bërë ndonjë bisedë nga ato “temat e lira” të cilat i pëlqenin. Ai në vitet e fundit të jetës së tij, në Radio-Prishtinë ka gëzuar statusin e “kompozitorit profesional”, d.m.th., ka marr pagë mujore si kompozitor (!). Sigurisht, duhet të ketë qenë kompozitori i vetëm, në ish Jugosllavi, që ka gëzuar këtë status! Këtë privilegj ia kanë mundësuar politikanët e kohës, të cilët e çmonin shumë. Dhe për ironi, pikërisht në këtë kohë, kjo etapë e jetës së tij, ndoshta ka qenë periudha që, më së paku ka kompozuar, siç mund të vërehet nga biografia e tij, nga lista e veprave të tij. Vajza e tij Vesna, me të cilën unë shoqërohesha, më tregonte se ai me vite e është duke punuar baletin “Besa”, dhe nuk po avanconte kurrsesi. Prej këtij baleti (të pambaruar), kanë mbetur disa fragmente sporadike, të cilat ai i ka shfrytëzuar shfrytëzuar si kolona filmi. Vepra e tij e fundit e rëndësishme ka qenë Simfonia e quajtur “Simfonia kosovare” e kompozuar më 1972, d.m.th., dhjetë vjet para vdekjes së tij! Gjithashtu edhe Lorenci, në vitet e fundit të punës së tij në Radio, vinte pahetueshëm në zyrën e tij. Punonte dhe zhdukej heshtur nga andej. Angazhimin e tij të madh, në fushën e folklorit (për të cilin ne më tepër e njohim), ai e kishte bërë vite më parë. Gjithashtu, edhe veprat e tija korale, të cilat ishin, që të gjitha përpunime të shkëlqyera të këngëve tona popullore, ai i kishte bërë vite më parë dhe ato, tashmë kishin zënë vend në repertorin e koreve tona të kohës. Sa e dij unë, një kohë kanë punuar që të dy bashkë, në një zyre të vetme, dhe duhet të kenë pasur afërsi, së paku, profesionale, por asnjëherë në kohën e lirë, qoftë në Radio apo jashtë godinës, nuk ke mundur t’i shohësh të shoqërohen, të bisedojnë apo të shkëmbejnë mendime. Secili ka jetuar në botën e vet personale.

Rexhoja boem i qytetit

Për Rexhon, kafeneja ishte ambient i natyrshëm i tij, sidomos në pjesën e fundit të jetës së tij. Pikërisht aty ngazëllehej, aty vinte në shprehje temperamenti real i tij. Aty kishte qejf të diskutonte për artin, për muzikën; aty ishte i hapur me të gjithë. Në moment që ulej në kafene, pranë gotës, ai ishte “në element”. Pra, ishte kjo pamja e vërtet e Rexhos, ishte tamam “imazhi autentik” me të cilën e njohin prishtinasit (e asaj kohe). Pamëdyshje ai ishte një prej boemëve më emblematik të Prishtinës, një boem që i ka dhënë pamje qytetit të Prishtinës. Atij ka mundur, në këtë drejtim, t’i “bëj ballë” vetëm Muharem Qena apo Mirko Gashi! Ndërkaq, Lorenci në këtë plan, ka qenë antipodi i tij. Nuk dij se a ka komsumuar ndonjëherë alkohol, por do të isha çuditur nëse po. Në kafiterinë emblematike “Alo, alo” (dhe ndonjë tjetër në rrethin afër Radios), aty ku shpesh gjatë ditës uleshin muziktarët e Radios, ke mundur ta takosh edhe njeriun e fundit të Radios, por sigurisht asnjëherë jo Lorencin. As rastësisht.

{Prishtinasit e vjetër e kujtojnë faktin se ata që dëshironin ta vazhdonin bisedën pranë gotës pas mesnatës, nuk kishin mundësi tjetër pos që duhej të shkonin në kafetë e Stacionit të trenit në Prishtinë apo në Fushë Kosovë! Atje ishte vendi i vetëm ku gjeje kafiteri të hapura! Flitej se një natë, Rexhoja, kishte qenë tepër “fjalëshlirë”, kishte prekur disa tema “të nxehta” politike të ditës, madje në komentimet për disa personalitete politike kosovare kishte qenë i ashpër, kështu që atë, e ndalojnë në polici. Dhe, siç ishte zakon ia hjekin flokët (Rregullat e atëhershme ishin që, qysh në ditën e parë të ndalimit policor, nëse konsiderohet një rast më i rëndë politik, atëherë, e qethnin). Për fatkeqësinë e Rexhos, kjo ishte një humbje e madhe, meqë ai kishte shumë flokë të bukur. Madje, përpos syzave të tij, edhe flokët ishin karakteristikë e dallueshme e pamjes së jashtme të tij.

Rexhoja dhe Lorenci – jeta shoqërore, politika…

Lorenci participonte në jetën shoqërore. Ai, kishte qenë Drejtor shkolle. Një kohë ishte Kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, ishte gjithashtu, pjesëmarrës aktiv në çdo organizim shoqëror. Madje, faza më e famshme e jetës së Lorencit dhe njëkohësisht faza për të cilën thurën legjenda të shumta për të, është pikërisht koha kur ai ishte Drejtor i Shkollës së parë të Muzikës në Kosovë (nga viti 1948 e tutje). Ai kishte qenë, siç më thonë të gjithë kolegët e mij (ish nxënës të asaj shkolle), tepër i angazhuar rreth funksionimit së Shkollës dhe Internatit të Shkollës. Kishte qenë gjithmonë i saktë dhe pedant në punë, punonte me manire tradicionale të shkollës së vjetër qytetare dhe shembull i disiplinës ekzemplare. Të gjithë nxënësit i druheshin atij por, njëkohësisht, edhe e çmonin, pa diskutim. Ndërkaq Rexhoja, në këtë drejtim ka qenë antipod i tij. Ai nuk ka pasur asnjëherë ndonjë post shoqëror, nuk merrte përsipër asnjë obligim drejtues apo çfarëdo obligimi shoqëror. Nuk interesohej fare për Shoqatë të Kompozitorëve, madje, nuk besoj se ka hy ndonjëherë në ndërtesën e Shoqatës! Edhe ku vinte ndonjëherë në koncerte, ai dukej i koncentruar në atë që dëgjonte, gjithmonë i heshtur dhe qëndronte disi në prapavijë.

Rexhoja fliste për politikë. Madje fliste guximshëm dhe nuk qante shumë kokën për pasojat. Në fakt, nuk është se mbronte ndonjë kauzë (shqiptare). Në biografinë e tij lexojmë se, në rininë e vet, ka qenë i burgosur. Megjithatë, ajo burgosje lidhet me çështjen e Informbyrosë e jo me çështjen shqiptare. Ai për temat e mëdha kombëtare nuk është përcaktuar. Mendoj se muzika e tij ka qenë e përcaktuar, ai jo! Ai asnjëherë nuk reagonte nëse emrin e tij, në botime apo në programe koncertesh e gjente të shënuar njëherë si Muliç, ndonjëherë si Mulliqi, apo herën tjetër si Mullaj! Ndërkaq Lorenci, nuk komentonte problemet dhe temat politike, por çdo veprim i tij ka qenë në drejtim të mbrojtjes së kulturës kombëtare, në ato suaza (mjaftë të ngushta) që mundësonte ajo kohë, bënte atë veprim që bënin intelektualët e vyeshëm shqiptarë të gjeneratës së tij.

Rexhoja në vitet e fundit të jetës gjithmonë, nuk zgjidhte miq e bashkëbisedues për të qenë afër gotës… por tash të tjerët e zgjidhnin atë. Në këtë kohë, Rexhos, shëndeti fillon ngadalë t’i rënohet, dhe kujdesin për të e kishte marr plotësisht përsipër vajza e tij (me gruan e parë) – Vesna, që kishte filluar të shprehte pikëpamje mjaft konzervative ndaj problemeve nacionale që gjithnjë ishin në rritje. Në këtë kohë, Rexhon në kafé e shoqëronin më shpesh disa kolegë serb të orkestrës dhe një shtresë e intelektualëve të afërt me rrethin e gazetës konzervative ‘Jedinstvo’. Kjo nuk kishte ndonjë sinjifikim të veçantë për të. Ai ishte një kozmopolit që ndryshe i vështronte gjërat. Nuk kishte për të me rëndësi me kënd ulej – por, për të tjerët kjo kishte kishte rëndësi (sidomos në kohën e tronditjeve politike të asaj kohe), për shkak të reputacionit që ai kishte.

Lorenci, Rexhoja dhe kënga popullore

Të përbashkët kanë faktin se, që të dy, nuk kishin mbaruar shkollim të lartë universitar, edhe pse këtu kishte një dallim: Rexhoja kishte filluar studimet e Kompozimit dhe kishte treguar (dhe dëshmuar) një nivel të konsiderueshëm profesional, sidomos në muzikën simfonike, me të cilën Lorenci nuk merrej. Për dallim nga pionierët e muzikës shqiptare në Tiranë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Albert Paparisto e të tjerë, që kishin startuar në jetën muzikore pas mbarimit të universiteteve prestigjioze në Bashkimin Sovjetik, pionierët tanë të muzikës Lorenci dhe Rexhoja, ishin kompozitorë që mbështeteshin, para se gjithash, në talentin e tyre të sigurt.

Ajo që i bashkon Lorencin e Rexhon ishte fakti se që të dy ishin të lidhur ngushtë me këngën popullore shqipe, por që të dy, nuk shkëputen nga aspekti oriental i cili është futur në muzikën tonë. Nuk përpiqen të hulumtojnë shtresa të thella, arkaike të muzikës sonë popullore, të traditës sonë më të vjetër, e asaj që pa mëdyshje ka ekzistuar para shtrirjes së perandorisë osmane.

Përderisa për Rexhon, muzika popullore ishte pikënisja në procesin e krijimit, për Lorencin, ndërkaq, muzika popullore ishte cak. Të dy shfrytëzonin burimin e njëjtë frymëzues. Lorenci, muzikën popullore, jo vetëm që e përdorte (si kompozitor), por atë edhe e ruante atë nga humbja dhe harresa, si melograf ynë i parë. Rexhoja ndërkaq, folklorin e merrte si pretekst dhe si pikënisje.

Lorenci, muzikën popullore, jo vetëm që e përdorte (si kompozitor), por atë edhe e ruante atë nga humbja dhe harresa, si melograf ynë i parë. Rexhoja ndërkaq, folklorin e merrte si pretekst. Hapësira e aspiruar e botës muzikore të Rexhos ishte përtej këngës popullore. I frymëzuar fuqishëm nga kompozitorët e romantizmit nacional evropian i fundit të shekullit XIX, ai këngën popullore e vendoste në një kontekst të ri, në kontekst të muzikës profesionale, e cila në atë kohë nuk ekzistonte.

Lorenci dhe Rexhoja, që nga koha që i kam njohur, gjithmonë më dukeshin të rëndësishëm dhe fisnikë në punën që bënin. Edhe sot kam të njëjtin mendim. I respektoja, që të dy, për rolin e madh që kishin dhënë muzikës sonë, në një kohë fatkeqe, në një mjedis krejtësisht të pamundur për të vepruar si kompozitorë të muzikës!

Prishtinë, nëntor 2021 / KultPlus.com

Filmi “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit edhe në festivalin e filmit të Triestës në Itali

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron Detin” këtë herë do të shfaqet në edicionin e 33-të të Festivalit të Filmit në Trieste, përcjell KultPlus.

Kështu, shënohet një sukses i radhës i filmave vendor, premierat e të cilëve po jepen gjithandej në Festivale Ndërkombëtare.

Është vetëm janari dhe ne jemi kthyer në rrugë. Ndalesa jonë e parë e vitit 2022 është Italia, sharmi ynë me fat. Pas Venecias dhe Napolit, Vera këtë herë shfaqet në edicionin e 33-të të Festivalit të Filmit në Trieste“, thuhet në njoftim.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

Osmani: Enver Maloku ishte atdhetari e jokonformisti, të cilit i detyrohemi deri në zbardhjen e vrasjes së tij

Presidentja Vjosa Osmani sot ka përkujtuar gazetarin Enver Maloku i cili vdiq 23 vjet më parë, përcjell KultPlus.

“Ai ra për të vërtetën, ndërkaq ne na duhet e vërteta si një shpagim ndaj mundit të tij, kontributit dhe përkushtimit”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:

Fjala e lirë dhe e vërteta, gjithnjë ishin përkushtim i gazetarit e atdhetarit, Enver Maloku, i cili u shua 23-vjet më parë.

Më tepër se dy dekada më parë pushoi përgjithmonë fjala e lirë e njeriut të fjalës, i cili e drejtoi Qendrën për Informim të Kosovës.

Ai ra për të vërtetën, ndërkaq ne na duhet e vërteta si një shpagim ndaj mundit të tij, kontributit dhe përkushtimit.
Enver Maloku ishte zëri i të vërtetës, atdhetari e jokonformisti, të cilit i detyrohemi deri në zbardhjen e vrasjes së tij!

I përjetshëm mbetet kujtimi për të. / KultPlus.com

Lugina përrallore e fshehur në zemër të Evropës

Lugina Vipava, shumë pranë kryeqytetit slloven, Lubjanë, ende nuk është e njohur për turistët për bukuritë dhe veçantitë që e karakterizojnë.

Sipas CNN Travel, në këtë rajon jashtëzakonisht pjellor, kombinohen natyrshëm peizazhet karstike me kështjellat mesjetare, si dhe vera me ushqimin jashtëzakonisht të mirë.

Ky vend njihet për mikroklimën, të ngjashme më atë të Mesdheut, por dhe për erërat e forta që sjellin kushtet optimale të rritjes së rrushit për verëra të klasit të lartë në Slloveni.

Dhjetëra kantina, ndonëse prodhojnë një verë shumë cilësore, janë të nënvlerësuara – ndër to dhe kantina shumë të vjetra, si ajo “Vipave”. Që nga viti 1894, kjo kantinë bashkon verërat nga 350 prodhuesit më të mirë të verës në vend.

Fshatrat e këtij rajoni, janë dhe prodhuesit më të mëdhenj të pemishteve me kajsi, pjeshka dhe hurma, por njihen edhe për prodhimin e proshutave të thara, duke konkurruar denjësisht me fqinjët italianë. Ushqimin fantastik vendas, turistët kanë mundësi ta shijojnë në fermat dhe restorantet e agroturizmit, të vendosura në ndërtesat e vjetra të shekullit të 17-të.

Ndër të tjera, vende të shumta të Luginës kanë trashëguar edhe një histori gati 2000-vjeçare, e cila dëshmohet më së miri në mbetjet arkeologjike. Të tilla janë mbetjet e kalasë romake Castra, pranë lumit Hubelj, e ndërtuar rreth shekullit të 3-të, por edhe kishat e shumta baroke, apo Manastiri i famshëm Capuchin, në bibliotekën e të cilit ruhen dorëshkrimeve të rralla. /A2 / KultPlus.com

Cineplexx organizon eventin ‘Horror Night’ me premierën e super-horrorit Scream, i cili po cilësohet si filmi më i miri që nga origjinali

Njëri prej filmave të shumë pritur horror për këtë vit po arrin në Cineplexx! Me këtë rast kinemaja ka përgatitur një event special për premierën e këtij filmi, eventin Horror Night. Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 18:00. Për një eksperienc sa më reale dhe të argëtueshme për pubilkun, kinemaja do të këtë atmosferë horrori të inspiruar nga ky film. Gjithashtu nuk do të mungoj edhe vetë vrasësi, “Ghostface”.

Ngjarja e filmit vazhdon 25 vite pas një varg vrasjesh brutale të cilat tronditën qytetin e qetë të Woodsboro, California. Një vrasës i ri që mban maskën “Ghostface” fillon të synojë një grup adoleshentësh për të ringjallur sekretet nga e kaluara vdekjeprurëse e qytetit dhe Sidney Prescott duhet të kthehet për të zbuluar të vërtetën. Aktoret kryesor në këtë film janë Neve Campbell (Sidney Presccot), Courteney Cox dhe David Arquette, treshja e famshme e cila luan në filmat e Scream që nga viti 1996.

Cineplexx gjithashtu ka organizuar një lojë shpërblyese për t’i fituar dy bileta VIP në eventin Horror Night, ku mund të bëheni pjesë e lojës këtu:

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 14:30. /KultPlus.com

Azem Deliu në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë

Azem Deliu do të prezantohet në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë, ku në këtë panair do të jetë në mes të datave 16 e 19 mars, shkruan KultPlus.

Për këtë pjesëmarrje ka njoftuar Shtëpia Botuese “Onufri”, të cilin mund ta lexoni të plotë.

Një ditë pas ditëlindjes së 26 të shkrimtarit, ndajmë lajmin se Kosova në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig të Gjermanisë do të marrë pjesë me Azem Deliun.

Shkrimtari do të jetë në Leipzig nga 16 deri më 19 mars, i ftuar në njërin prej panaireve më të mëdha të librit.

Urime!/ KultPlus.com

OBSH paralajmëron: Omicron po përhapet në Ballkan

Më shumë se gjysma e popullsisë në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mund të infektohet nga Omicron brenda dy muajve të ardhshëm, paralajmëroi të martën agjencia e OKB-së, përcjell KultPlus.

Doktori belg, Hans Kluge, ka thënë se Omicron “përfaqëson një valë të re të baticës perëndimore në lindje” që përfshin 53 vendet që përbëjnë rajonin e Evropës të OBSH-së.

Më shumë se shtatë milionë infeksione u konfirmuan në të gjithë rajonin në javën e parë të 2022.

“Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se mbi një për qind e popullsisë së tyre po infektohet me COVID-19 çdo javë,” tha Dr Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën. Pesëdhjetë vende kanë raportuar tani raste të Omicron me variantin “duke u bërë shpejt virusi dominues në Evropën Perëndimore dhe tani po përhapet në Ballkan,” shtoi ai.

Provat kanë treguar se Omicron është shumë më i transmetueshëm se lloji origjinal i virusit ose varianti Delta, siç bën të ditur OBSH. /KultPlus.com

Kosova forcon bashkëpunimin me Amerikën, Merdiana Leci zyrtare ndërlidhëse në Washington

Me të marrë detyrën e re, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se Merdiana Leci do të jetë zyrtarja ndërlidhëse e Kosovës në Departamentin amerikan të shtetit, shkruan KultPlus.

Me një foto të publikuar në “Twitter”, Hovenier bën të ditur se programi i ri do të fuqizojë bashkëpunimin SHBA-Kosovë.

Diskutim produktiv me Ministrën e Punëve të Jashtme, Gërvalla dhe i inspiruar të takojë Merdiana Lecin, kosovarja e parë që do të shërbejë si zyrtare ndërlidhëse në departamentin amerikan të shtetit në Washington. Ky program do të fuqizojë edhe më shumë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes Kosovës dhe Amerikë për prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme”, shkruan ambasadori në “Twitter”.

Presidenti, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të Kosovës Hovenierin në korrik të vitit të kaluar. /KultPlus.com

Kurti viziton familjet e Malës dhe Berishës: Dy heronj të pavdekshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në 38 vjetorin e rënies së tyre, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti, ka njoftuar se ka vizituar familjes e Malës dhe Berishës, duke thënë se shtëpitë e tyre ishin vatra të rezistencës.

“Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, në jetën dhe me veprën e tyre. Ata frymëzuan secilin brez patriotësh shqiptarë. Lagja në Prishtinë ku luftuan nën shtetrrethim të hekurt mori emrin Kodra e Trimave. E sakrifica e tyre u bë Flakë e Janarit, që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, shkroi i pari i ekzekutivit.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi. /KultPlus.com

Komuna e Prishtinës merr vendim: Zgjatet orari i vaksinimit kundër COVID-19

Komuna e Prishtinës ka njoftuar gjithë qyetetarët për zgjatje të orarit të vaksnimit kundër COVID-19 gjatë ditëve të punës, shkruan KultPlus.

Nga njoftimi i Komunës bëhet e ditur se orari i ri do të jetë nga ora 07:00 deri në 19:00, ku edhe do të hyjë në fuqi nga nesër.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës, se për arsye të rritjes së kërkesës nga qytetarët e Komunës sonë për vaksinim në mbrojtje nga Covid-19, Drejtoria e Shëndetësisë në koordinim me komitetin për vaksinim dhe sekretarin permanent të Ministrisë së Shëndetësisë z. Bardiqi morën vendim që të zgjatet orari i punës në QMF 7 në Kalabri nga orari i rregullt prej 8 orësh (07:00-15:00) në orar te zgjatur prej 12 orësh (07:00-19:00) nga dita e Hënë deri të Premten, ndërsa në fundjavë (e Shtunë dhe e Diele) orari do të jetë prej orës 07:00 – 15:00. Vendimi hyn në fuqi ditën e mërkurë, me datë 12.01.2022”, thuhet në njoftim.

Më shumë se 790 mijë qyetetarë të Kosovës janë vaksinuar me dozën e dytë ndaj COVID-19. /KultPlus.com

‘Të gjallëve’

Poezi nga Bahri Fazliu

TË GJALLËVE

Nëse dëshironi të dini për jetën e dëshmorëve, mos kërkoni nëpër libra,
aty s’është jeta e tyre, është jehona e saj.

Nëse dëshironi të dini si jetuan dëshmorët, mos shkoni në shtëpitë e tyre,
shikoni robërinë tuaj.

Nëse dëshironi të dini me sa zjarr dashuruan dëshmorët, mos ndiqni gjurmët e dashurisë së tyre,
ato janë flutura që s’kapen dot.

Nëse dëshironi të dini këngën e dëshmorëve, mos thërrisni këngëtarin,
do të pendoheni nga tingujt e zbrazët.

Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit, secili prej nesh ka qenë prezent.

Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,
mos shkoni te varret e tyre për të vendosur Iule, lulet do t’u vyshken në dore.

Nëse…
Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët, ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre.  /KultPlus.com

Promovimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore rome përmes filmave dokumentar

Mungesa e informacionit është signifakt real mbi krijimin e paragjykimeve dhe sterotipeve mbi një shtresë të caktuar. Kultura, gjuha e tradita, përcaktojnë një komunitet, romët aq të pasur dhe të bukur e kanë kulturën, muzika e tyre vetëm e përthakon një trashëgimi të lashtë kulturore. Promovimi e dokumentimi i kësaj kulture, në mënyrë flagrane ka nevojë të promovohet më shumë sidomos tek pjestarët jo-rom.

Duke promovuar, ruajtur e dokumentuar kulturën, ky projekt do të përgjigjet në pjesën e përmismin të diapazanit kulturor tek një shtresë e komunitetit të caktuar me anë të filamve dokumentarë të pëpunuar nga regjisori autodidact i komunitetit rom Benjamin Menekshe. Filmat dokumentar janë nocion adekuat të cilët përfaqësojnë romët dhe kulturën e tyre.

Shfaqja e filmave do të pasohet me një panel të profesionistëve, përfaqësues të instucioneve dhe akterëve relevant dhe përfshirjen e publikut mbi diskutimin e publikut

Filmat dokumentar të larte cekur do të shfaqen me datën 15 janar (shtune)2022 duke filluar nga ora 19:00 në objektin e Doku Kino Prizen.

Ky projekt është project individual i regjisorit Benjamin Meneskhe, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit. /KultPlus.com

38 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Iniciativa e Rexhep Malës për të formuar një Komitet të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, u pëlqye nga bashkëveprimtarët e tjerë, dhe kësisoj ky komitet shërbeu edhe si Lëvizje Çlirimtare e Shqiptarëve për të çuar në protestat e njohura studentore të vitit 1981.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi.

Veprimtaria e tyre nderohet edhe në manifestimin “Flaka e Janarit”, e cila fillon nga 11 janari dhe zgjat deri më 31 janar me aktivitete të ndryshme. /KultPlus.com

Edicioni i dytë i Festivalit të Letërsisë ‘ZaNa’, hapet thirrja për poezi

Festivali i Letërsisë”ZaNa” ka hapur thirrjen për poete dhe poetë nga komunitete të ndryshme të Kosovës të aplikojnë me 3-5 poezi dedikuar gruas në rolin e saj të shumfishtë, shkruan KultPlus.

Keni shkruar ndonjëherë poezi për nënën tuaj, për motrën, shoqen, të dashurën, vajzën, gruan, për zanat tuaja? Doni t’i ndani me ne?

Në kuadër të Festivalit të Letërsisë ZaNa, ftohen poete dhe poetë nga komunitete të ndryshme të Kosovës (mosha 18-35 vjeç/e), të aplikojnë me  3-5 poezi dedikuar gruas në rolin e saj të shumëfishtë.

Aplikimi bëhet duke dërguar poezitë në formatin Word në adresën elektronike: [email protected], më së largu deri më 17.01.2022.

Të përzgjedhurat/it do të jenë pjesëmarrës gjatë netëve poetike që do organizohen në Mitrovicë, e njëherit poezitë e tyre do të botohen në librin ZaNa.

Poezitë do të përzgjidhen nga një komision vlerësues në përbërje prej tre antarëve nga fusha e letërsisë e dramaturgjisë.

Edicioni i 2’të i Festivalit të Letërsisë ZaNa është përkrahur nga UNMIK. /KultPlus.com

Sopranoja Kajtazi bën një hap të rëndësishëm në karrierën e saj

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi, ka njoftuar se do të debutojë në bulevadrin historik të Berlinit “Staatsoper Unter den Linden”.

Postimi i plotë:

“Rrugës për në Berlin për debutimin tim në Staatsoper Unter den Linden! Një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për karrieren time. Shfaqjet e Hänsel und Gretel ku unë do këndoj Gretel do të mbahën me 12, 13 dhe 14 Janar 2022! Faleminderit shumë për përkrahjen tuaj!”, shkroi ajo.

Së fundmi, ajo ka performuar në teatrin “Erfurt” të Gjermanisë. /KultPlus.com

Osmani për vdekjen e Sassolit: Një mik i vërtetë i kombit dhe popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Europian, Davide Sassoli, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani shprehet tejet e pikëlluar për vdekjen e Sassolit, duke shtuar se ai ishte mik i Kosovës.

“Shumë e pikëlluar të dëgjoj për vdekjen e Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli. Një person me vlera të mëdha, të cilin pata privilegjin ta takoj personalisht vetëm një vit më parë”, shkroi presidentja Osmani në Twitter.

“Një mik i vërtetë i kombit dhe popullit tonë. Kjo është një humbje shkatërruese për familjen e tij, por edhe për BE-në dhe botën”, shtoi ajo.

Sassoli ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i tij, përmes një postimi në Twitter, derisa sot është konfirmuar edhe vdekja e tij nga zëdhënësi i tij. /KultPlus.com

Për herë të parë në botë, një burrë amerikan transplanton zemrën nga një derr


Një burrë amerikan është bërë personi i parë në botë që ka transplantuar zemrën nga një derr i modifikuar gjenetikisht, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

David Bennett, 57 vjeç, është mirë tre ditë pas procedurës eksperimentale shtatë-orëshe në Baltimore, thonë mjekët.

Transplanti u konsiderua si shpresa e fundit për t’i shpëtuar jetën zotit Bennett, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë shanset e tij afatgjata për të mbijetuar.

“Ose vdisje ose bëje këtë transplant,” shpjegoi zoti Bennett një ditë para operacionit. “E di që është një goditje në errësirë, por është zgjedhja ime e fundit”, tha ai.

Mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it iu dha një leje e veçantë nga rregullatori mjekësor i SHBA-së për të kryer procedurën, me bazën se zoti Bennett përndryshe do të kishte vdekur. /KultPlus.com

Më 11 janar të vitit 1946, Enver Hoxha shpalli Shqipërinë Republikë

Më 11 janar të vitit 1946, Qeveria Komuniste e Kryeministrit, Enver Hoxha, shpalli Shqipërinë Republikë, përcjell KultPlus.

Enver Hoxha me anë të një “Asambleje Kushtetuese” të përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, shpalli Shqipërinë Republikë.

Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1945, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishin mbledhur asokohe Asamblea me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ishin dhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë.

Përpara kësaj lufte, Populli Shqiptar, për 15 vjet me rradhë lëngoi nën regjimin monarkist të Ahmet Zogut. /KultPlus.com

FOTOT E RRALLA/ 11 Janar 1946, kur Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë  Republikë dhe reagimi i Mbretit Zog nga Londra

Kurti reagon për vdekjes e Sassolit: Ishte një mik i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Europian, Davide Sassoli, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kurti ka shkruar se Sassoli ishte mik i Kosovës.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e David Sassoli-t, president i Parlamentit Evropian, mik i Kosovës dhe një burrë që vërtet solli vlera evropiane në institucionet e BE-së. Do të na mungojë tmerrësisht”, ka shkruar Kurti.

Sassoli ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i tij, përmes një postimi në Twitter, derisa sot është konfirmuar edhe vdekja e tij nga zëdhënësi i tij. /KultPlus.com

Ministria e Infrastrukturës apelon qyetarët të kenë kujdes: Ka vështirësi në komunikacion

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka njoftuar se pas reshjeve të borës ditën e djeshme, ka vështirësi në komunikacion, por rrugët janë të kalueshme, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Ministria e Infrastrukturës ka informuar se të gjithë operatorët ekonomik për mirëmbjatjen e rrugëve kanë qenë në aktivitet të plotë.

“Ju informojmë se Operatorët Ekonomik, për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në aktivitetin e tyre të plotë gjatë tërë natës së mbrëmshme dhe si rezultat i këtij aktiviteti sot të gjitha rrugët e Republikës së Kosovës të cilat menaxhohen nga MMPHI, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve”, shkruhet mes tjerash.

Ata kanë apelauar të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar. /KultPlus.com