“Dy vite pas shpërthimit të pandemisë, Evropa mund të marrë frymë lirisht nga virusi për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, variantit Omicron që është më i lehtë dhe faktit që jemi në fund të dimrit”, tha OBSH në një deklaratë.
“Kjo periudhë duhet të shihet si një armëpushim që do të na sjellë paqe të qëndrueshme,” u tha gazetarëve drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Evropa është gjithashtu në një pozitë të mirë për të shmangur çdo ringjallje, madje edhe të një varianti më virulent se Omicron, shtoi ai.
“Unë besoj se do të mund të mbajnë në kontroll variantet e reja që mund të shfaqen vazhdimisht, pa vendosur masat që kemi marrë më përpara, tha Kluge.
Sidoqoftë, ai paralajmëroi se skenari optimist do të ishte i vërtetë vetëm nëse vendet do të rrisin fushatat e tyre të vaksinimit dhe do të intensifikonin mbikëqyrjen për të zbuluar variante të reja.
Kluge tha gjithashtu se javën e kaluar janë regjistruar 12 milionë raste të reja në Evropë, rritja më e madhe javore që nga fillimi i pandemisë.
Ai madje shtoi gjithashtu se kjo rritje vjen si pasojë e variantit “Omicron”./abcnews.al/ KultPlus.com
Së shpejti nikoqir i parë i Manifesta në Ballkanin Perëndimor, Prishtina po kalon një transformim emocionues, andaj edhe po kërkohet një filmbërës për të dokumentuar këtë vrull, ndërtimin deri në hapjen, vetë bienalen dhe ndikimin e saj në qytet, përcjell KultPlus.
“Ky është shansi juaj për t’i treguar botës skenën kulturore të lulëzuar në Kosovë”, ka shkruar Manifesta.
Manifesta 14 Prishtina po hap një thirrje për propozime për të prodhuar një dokumentar të shkurtër (deri në 30 minuta) duke ndjekur procesin dhe njerëzit që qëndrojnë pas Bienales Evropiane Nomadike dhe duke shfaqur programin e pasur dhe të larmishëm 100-ditor që do të zhvillohet në vitin 2022.
Ftohen kompanitë vendase të prodhimit, agjencitë e filmit ose krijuesit e filmave të aplikojnë dhe të tregojnë se si do t’i jepnin audiencës sonë një vështrim prapa skenave të edicionit të parë të Manifesta që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.
Ekipi i përzgjedhur do të ndjekë ekipin e Manifesta 14 Prishtina në procesin e tyre të punës në Prishtinë dhe përmes aktiviteteve të shumta që kulmojnë në edicionin do të mbahet nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.
Filmi dokumentar final do të ketë premierën në mbylljen e Manifesta 14 në Prishtinë si dhe turne potencialisht nëpër festivale. Manifesta synon gjithashtu të shfaqë filmin në mediat ndërkombëtare.
Ata janë në kërkim të një ekipi që dëshiron të tregojë historinë e Manifesta në Prishtinë, të nxjerrë në pah qasjen inovative dhe dalluese që merr bienalja dhe të zbulojë energjinë dinamike dhe të gjallë të qytetit të Prishtinës.
Për të aplikuar, dërgoni një CV dhe një letër motivuese, duke përfshirë qasjen që ju ose organizata juaj dëshironi të bëni. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në anglisht.
Aplikimet duhet të adresohen në [email protected] me temën “Manifesta 14 Prishtina Documentary” deri më 10 shkurt 2022.
Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 200 ku në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë, përcjell KultPlus.
“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani.
KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.
Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë.
25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës.
Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm! / KultPlus.com
Çdo vit, mbi 80 milion studentë në gjithë botën regjistrohen në universitet, mirëpo, rreth 30 milion prej tyre e braktisin universitetin dhe asnjëherë nuk i përfundojnë studimet. Kjo ndodhë për arsye se studentët nuk janë të mirë informuar për fakultetin që përzgjedhin, profesorët ligjërojnë me metoda të vjetra, ose vonë e kuptojnë që nuk kanë pasion për fushën e studimit të përzgjedhur.
Adriana Dërguti kishte filluar studimet në njërin nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, por tani ka vendosur që studimet të ja besoj Kolegjit Universum. Adriana transferoi studimet në programin Gjuhë Gjermane, dhe për arsyen e transferimit të saj në Universum ajo thotë “Vendosa ti transferoj studimet në Kolegjin Universum pasi ishte i vetmi institucion që më ofroi mundësinë të studioj pa shkëputje nga puna”.
A dëshironi edhe ju ti transferoni studimet në Kolegjin Universum, ti ndjekni studimet me orar fleksibil pa shkëputje nga puna dhe pastaj ti vazhdoni ato jashtë vendit me bursë të plotë, atëherë Kolegji Universum është vendi se ku ju duhet të drejtoheni. Regjistrohu këtu https://www.universum-ks.org/sq/apliko/
Transfero të gjitha provimet nga institucioni paraprak, përfito 30% zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë.
Për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Aktorja italiane Lorena Cesarini, ka folur kundër racizmit nga skena e Festivalit të Muzikës Sanremo të Italisë, festival në të cilin ajo është drejtuese, shkruan WantedinRome, përcjell KultPlus.
E lindur në Dakar nga një nënë senegaleze dhe një baba italian, Cesarini u rrit në Romë dhe thotë se është “shumë krenare” që është italiane.
Pas zgjedhjes së saj në këtë rol, ishte përballur me fyerje nga më të ndryshmet si “Ajo nuk e meriton, e kanë zgjedhur vetëm se është me ngjyrë”, “Ekstrakomunitaria (jo shtetase e BE-së) ka ardhur” si dhe “Duhet ta kenë thirrur të laj shkallët”.
“Në moshën 34 vjeçe zbulova se nuk është e vërtetë që jam një vajzë italiane si shumë të tjera, jam me ngjyrë, deri më sot askush në shkollë, në universitet, në punë, në tramvaj nuk e ka ndjerë nevojën të ma thotë, por tani me sa duket për disa njerëz ngjyra e lëkurës është një problem”, tha Cesarini.
Fillimisht ajo tha se “u ndje keq, pastaj u inatos”, por mbeti me një pyetje: “Pse? Pse ka nga ata që inatosen me praninë time në këtë skenë, pse ka njerëz që kanë probleme me ngjyrën e lëkurës sime”.
Cesarini, e cila njihet për rolin e saj si Isabel në serialin kriminal të Romës Suburra, tërhoqi duartrokitjet nga audienca e Sanremos dhe lavdërimet nga shumë komentues në mediat sociale. /KultPlus.com
Nuk e kujtoj moshën kur kam mundur të dalë nga shtëpia dhe të kem përfunduar duke luajtur më ujin e çezmës në anën tjetër të rrugës. Një gyp çeliku, në mes gurësh të mëdhenj ngjyrë argjendi që dikur nxirreshin, nga bedenat për të bërë dhe katet e para të shtëpisë, të radhitur me mjeshtri më vonë dhe ishin mbuluar çimento. Uji që kishte rrjedhur për vite duke i zbardhur pjesën e poshtme të gypit, e kishte gërryer ngadalë dhe në qetësi. Një gojë me dhëmbë të bardhë mbetej e buzëqeshur në rrezet e diellit, kur loja me ujë mbaronte dhe këmbët e qullura në pus të bënin me u largu me mornica në trup. Edhe sonte kur e dëgjoj zhurmën e rrjedhës nga ballkoni, më behet se çdo njeri ka në qiell një yll dhe një krua ku mund të fshehësh ëndrrat.
2.
Ditën që mësuesja, një grua me origjinë nga Ohri na dha për detyrë shtëpie të mësonim përmendsh poezinë e Lasgush Poradecit “Kroi i fshatit tonë”, në mbrëmje në ekranin bardhë e zi, B.P. një tenor dibran po performonte po ato vargje të kompozuara nga një muzikant kosovar në emisionin muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës. Nuk është se ndjehesha i afërt me atë lloj muzike lirike, që s’di pse atëherë e quanin “muzikë serioze”, por në shpërqendrim dhe mos durim për ta shikuar, ai tenori po këndonte pikërisht vargjet të cilat i kisha për detyrë ti mësoja përmendsh. Më shumë se vargjet dhe muzika e këngës, më pat bërë përshtypja e atij momenti një në miliardë që të këngëtari dhe poeti njësoheshin në një dimension të tretë, sa që prej atij momenti në imagjinatën time këngëtari dhe Lasgushi u bënë një simbiozë. Poezia futej në dimensione të tjera dhe bashkë me muzikën po bëhej magji. Magji kjo që do të zgjaste aq shumë, aq që sa herë të takoja më vonë diku Lasgushin, imazhet gjestet e duarve dhe frymëmarrjet e këngëtarit ishin aty. Imazhe që kurrë nuk i kisha humbur, televizioni bardhë e zi dhe liqeni tek dimëron me krahnezë pemësh e bardhësi e llahtarshme. Koha tjetër të mësimit të poezisë atë natë, natyrshëm ishin ecejake e përpjekjeje prej amatori të muzikës, që duke u munduar të imitojë këngëtarin, për tu bërë njësh me të, e që më së shumti kisha problem me gojën, nuk arrija të merrja qëndrimin e Ooo-së, deri vonë natën, sa që ndonjë herë merrja vërejtjen e Nanës “Mos bëjë potere!” Edhe të nesërmen. Rrugës për në shkollë loja më duar vazhdon, dhe kur lëshoja zërin “..ujë i kulluar”, përcillej në kor nga të qeshurat e shokëve! Në klasë të gjithë besoj të kenë pritur që unë t’i futesha recitimin të vjershës si një tenor, por këtë nuk e bëra. E thashë poezinë, shpesh herë duke u gjuajtur nga bankat me “ujë të kulluar” . Mësuesja, ajo që aq bukur na kishte përshkuar liqenin që kishte frymëzuar Lasgushin, u detyrua të ngritej në këmbë dhe të kërkonte qetësi!
3.
Në një festival të poezisë në Pogradec, miqtë që kisha njohur i kisha mërzitur duke ju kërkuar që të shkonim të vizitonim Kroin e Lasgushit. Liqeni me piklat e zogjve të bardhë që po lahej në dritë, korani dhe ngjalat, dollia për poezitë e lexuara, mbeteshin nën hijen e bronztë të Lasgushit me Cucin e vogël që po i bënte roje. Pleqtë me bastun pinin kafen e mëngjesit dhe nga një teke si e do zakoni, krejt afër është edhe një krua me ngjyr’ ergjënd i lyer, do të shkruante Lazër Sotir Gusho. Një trajtë e bukurisë ishte shndërruar në kult të imazheve. Ai dhe do ta quante bukuri e llahtarshme për atdheun, për njeriun, për dashurinë. Unë i dalë nga vetja në heshtje që prishej nga gurgullima po kërkoja Vdekjen e Nositit,Yllin e Dritës, ku muzat, Ora e Mirë, zanat apo engjëjt e kaltër, u japin poetëve ose u marrin fjalët për të përshkuar pankohësinë. Në ujin që po rridhte me laryshi po shihja Çenar Qeshmën time, një krua që kisha para shtëpisë! Duke qenë se kroi gjendet në udhëkryq rrugësh, shpesh herë dilemat gjate jetës sime këtu kanë marrë përgjigjen: Shko rrjedhës së ujit, me pas mirë e mbarë!
Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit, shkruan KultPlus.
Kajtazi u shpreh shumë e lumtur për këtë debutim, derisa njëri prej kritkëve nga Hamburgu, e ka vlerësuar paraqitjen e saj sikurse shumë të suksesshme.
Në mes tjerash, Birgit Kleinfeld, e cilësoi Kajtazin sikurse një diell, rreth të cilit sillen të gjithë.
“Si manon, Elbenita Kajtazi, është dielli, rreth të cilit sillen të gjithë, edhe kur ajo është e veshur thjesht me stil country dhe jo vetëm kur ka veshur gëzof dhe veshje të bukura. Vërtet, çfarë debutimi i suksesshëm! Në aktin e parë, me djallëzi naive, ajo hyn në skenë me një shportë mace dhe një çantë shpine, kurioze për botën dhe nuk heziton të provojë gjëra të ndaluara, si alkooli dhe cigaret. Që nga fillimi ajo të bënë për vete me zërin e saj të pastër kristal, tonet e larta të vendosura pa mundim, tranzicionet e pastra dhe lehtësinë me të cilën ajo kombinon lojën dhe këndimin në një njësi magjepsëse. Ajo bind si një dashnore e freskët e shkujdesur si dhe një ashnore që nuk i reziston dot tundimit të parave dhe famës. Me delikatesë dhe bukuri ajo intonon “Adieu, notre petite table”. Në aktin e dytë, Kajtazi gjithashtu frymon nga gëzimi i jetës duke përdorur, zërin dhe gjestet me mjeshtëri, për të nxjerrë nga konti Des Grieux vendndodhjen e djalit të tij. Në skenën e përmedur tashmë në manastir, Kajtazi në fakt arrin të shprehë dëshpërimin e Manon për të kërkuar kthimin e Des Grieux me lakmi. Së fundi, ajo është e mahnitur sepse gruaja që mund të shijojë vetëm ekstremet, si shumë alkool dhe rrezikun e ruletës ruse, bëhet ajo që e kupton se ajo ka mbaruar. Pranë vdekjes, ajo i njeh gabimet dhe dashurinë e saj. Përgjatë aktit të pestë, Kajtazi dhe Scala të rrënqethin sërish një moment pas tjetrit Nuk mund të thuhet ndryshe, këto dy role gjetën dy aktorë të përshtatshëm që u duartrokitën me meritë”.
Kjo ishte një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë. /KultPlus.com
Dje në sallën Jean Cocteau në Festivalin e Filmit të Shkurtë Clermont-Ferrand Short Filmfestival të Francës u shfaq filmi “Pa vend” ku prezent ishte edhe autori i filmit Samir Karahoda.
Kjo ishte shfaqja e 5-të gjatë të këtij festivali ndërsa edhe dy të tjera do të shfaqen deri më datën 5 kur edhe përfundon edicioni i 44’të i festivalit.
Festival du court métrage de Clermont-Ferrand është Festivali më i madh dhe më i rëndësishëm në botë për filmat e shkurtër dhe këtë vit nga 6200 aplikime 77 u zgjodhën pë pjesëmarrje ndërsa Pa vend garon në programin ndërkombëtar.
“Pa Vend” nga Samir Karahoda fitoi çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentarë në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance. /KultPlus.com
Epika fantastiko-shkencore “Dune”, një përshtatje madhështore e romanit të Frank Herbert-it të vitit 1965, kryesoi nominimet për Çmimet e Filmit të Akademisë Britanike të enjten, duke siguruar 11 nominime, krahasuar “The Power of the Dog” që pason me tetë, shkruan Reuters, përcjell KultPlus.
“Belfast”, drama komedi gjysmë-autobiografike e Kenneth Brannagh, e vendosur në fillimin e tre dekadave të konfliktit të Irlandës së Veriut, mori gjashtë nominime në çmimet kryesore të filmit britanik.
Filmi i James Bond “No Time to Die”, një xhirim i “West Side Story” dhe “Licorice Pizza” mori secili nga pesë nominime.
“Nominimet e këtij viti shfaqin një gamë të jashtëzakonshme të punës krijuese para dhe prapa kamerës,” tha në një deklaratë kryetari i BAFTA-s, Krishnendu Majumdar.
Në garë për aktoren kryesore janë Lady Gaga për dramën e modës “House of Gucci”, Alana Haim për “Licorice Pizza”, Emilia Jones për “CODA”, një histori e moshës madhore për të vetmin dëgjues të një familjeje të shurdhër dhe Renate Reinsve për dramën romantike “Personi më i keq në botë”.
Të nominuar janë edhe Joanna Scanlan për dramën “Pas dashurisë” dhe Tessa Thompson për “Passing”, një film për identitetin racor.
Të nominuarit për aktorët kryesorë përfshijnë Benedict Cumberbatch për portretizimin e tij të një fermeri të viteve 1920 në “The Power of the Dog”, Leonardo DiCaprio për “Don’t Look Up” dhe Will Smith për rolin e babait të motrave kampione të tenisit Venus dhe Serena Williams në “King”. Richard”. Aktori i “Ali & Ava” Adeel Akhtar, Mahershala Ali (“Swan Song”) dhe Stephen Graham (“Boiling Point”) kompletojnë listën.
Tre gra janë ndër pretendentet për regjisorin më të mirë: Audrey Diwan për “Happening”, Jane Campion për “The Power of the Dog” dhe Julia Ducournau për “Titane”. Aleem Khan (“Pas dashurisë”), Ryûsuke Hamaguchi (“Drive My Car”) dhe Paul Thomas Anderson (“Pica me jamball”) e plotësojnë listën. /KultPlus.com
Gruaja fle ne carcafin e bardhe e jastekun e bardhe E bukur si perendi e lashte e Greqise; Flene syte e saj qe me mahniten vite me rradhe, Flene buzet e saj si kokrra e prere ne mes e qershise; Flene qerpiket si halat naten ne grure, Flene mollezat e faqeve qe bejne gropeza kur qeshin, Fle balli i hijshem qe s’e desha te ngrysur kurre Dhe nen balle vetullat si krah dallendyshe heshtin. Ne cast me pushton nje ndjenje fajesie dhe malli, Para saj i vetem, para saj I pagjume, Dhe mbulohet me rrudha te dendura balli Dhe them me vete: grua e dashur te kam lodhur shume. Kam ikur shpesh ne rruge te gjata ne fusha e shpata, Te kam lene femije e shqetesime mbi shpine, Te kam lene pazarin, radhen e netet filikate, Te kam lene mbi shpatulla gjithe shtepine. Fli e vuajtura ime! /KultPlus.com
Oficerja nga Kosova, nëntogerja Arbenita Haxholli-Grezda, ka diplomuar dje në US Army Logistic Univerity në Fort Lee, Virginia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.
“Edhe një sukses i radhës së ushtarakeve tona.Oficerja jonë, Nëntogere Arbenita Haxholli-Grezda, ka diplomuar dje në US Army Logistic University në Fort Lee, Virginia, në SHBA, si studente e dalluar ndërkombëtare.Shumë urime Nëntogere Haxholli-Grezda dhe mirënjohje e lartë për krenarinë dhe nderimin e Kombit dhe Atdheut”, shkruan ai.
Haxholli kishte diplomuar si kadete e Ushtrisë së Kosovës në vitin 2020. /KultPlus.com
Skitarja nga Kosova, Kiana Kryeziu, është bërë vajza e parë që ka arritur të kualifikohet për Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat këtë vit do të mbahen në Pekin të Kinës, shkruan KultPlus.
Së bashku me skitarin, Albin Tahir, të dy do të përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra Olimpike.
Tahiri do të fillojë i pari më 6 shkurt, kur edhe do të marrë pjesë në disiplinën e lëshimit, derisa Kryeziu më 7 shkurt merr pjesë në sllallomin e madh.
Lojërat Olimpike do të zgjasin deri më 20 shkurt. /KultPlus.com
Çun Lajçi do të publikojë librin e tij të ri, me titull “Troshat”, i cili do të përmbajë tregime të ndryshme, shkruan KultPlus.
Ky do të jetë libri i tij i 13-të, që do të publikohet më 17 shkurt, derisa Lajçi në të kaluarën ka publikuar edhe romane, rrëfime e libra me poezi.
Ministria e Kulturës, i kishte dhënë çmimin vjetor për poezi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi, “Çakorr, ti vdekje e mirë”, botuar në vitin 2018.
Përpos shkrimit, poeti kohët e fundit është duke u marrë edhe me muzikë. /KultPlus.com
Gjigandi i mediave sociale, Facebook, për herë të parë në historinë 18 vjeçare ka shënuar një rënie të përdoruesve aktiv të përditshëm, shkruan BBC, përcjell KultPlus.
Meta Networks thotë se përdoruesit aktiv ranë në 1,929 miliardë në tre muajt deri në fund të dhjetorit, krahasuar me 1,930 miliardë në tremujorin e mëparshëm.
Firma paralajmëroi gjithashtu për ngadalësimin e rritjes së të ardhurave përballë konkurrencës nga rivalët si TikTok dhe YouTube, ndërsa reklamuesit gjithashtu po shkurtojnë shpenzimet.
Rënia e çmimit të aksionit të Metës fshiu rreth 200 miliardë dollarë (147.5 miliardë paund) nga vlera e tregut të aksioneve të kompanisë.
Aksionet në platformat e tjera të mediave sociale, duke përfshirë Twitter, Snap dhe Pinterest, gjithashtu ranë ndjeshëm.
Meta, e cila zotëron platformën e dytë më të madhe të reklamave dixhitale në botë pas Google, tha gjithashtu se ishte goditur nga ndryshimet e privatësisë në sistemin operativ të Apple.
Ndryshimet e kanë bërë më të vështirë për markat që të synojnë dhe matin reklamat e tyre në Facebook dhe Instagram dhe mund të kenë një ndikim “në rendin prej 10 miliardë dollarësh” për këtë vit, sipas shefit financiar të Metës, Dave Wehner.
Të ardhurat totale të Meta-s, pjesa më e madhe e të cilave vjen nga shitjet e reklamave, u rritën në 33.67 miliardë dollarë në periudhë, duke mposhtur thuajse parashikimet e tregut.
Ai gjithashtu parashikoi të ardhura nga 27 miliardë deri në 29 miliardë dollarë për tremujorin e ardhshëm, që është më e ulët se sa prisnin analistët.
Ndërsa kompania ka bërë investimet e veta në video për të konkurruar me TikTok, në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance – ajo fiton më pak para nga ato oferta sesa burimet e saj tradicionale në Facebook dhe Instagram. /KultPlus.com
Fragment nga letërkëmbimi mes Sadije dhe Dritëro Agollit në vitet 1964-1965:
Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty, e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija. / KultPlus.com
Sonte, e enjte, 3 shkurt 2022, në ambientet e KultPlusCaffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.
Temë shqyrtimi është komunikimi ndërkulturor, derisa për këtë temë do të flasin Ibrahim Berisha dhe Avni Spahiu.
Debatin do ta udhëheqë Artan Krasniqi.
Ftoheni të merrni pjesë.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com
Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.
Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.
Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.
Më poshtë gjeni letrën që ajo i shkroi gjyshes së saj më 10 shtator 1999, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.
10 SHTATOR 1999
E dashura gjyshe! Kanë kaluar shumë muaj që kur të kam parë dhe shumë gjëra kanë ndodhur qysh atëherë. Dua të tregoj se si përfundova këtu, e shtrirë në spitalin e Mançesterit, në Angli. Të katër kushërinjtë ishim të shtruar në spitalin e Prishtinës. Këtu na sollën disa ushtarë, pasi familja jonë u godit.
Jashtë ishte shumë errët – zi si korbi. Dritat në korridor ishin shumë të zbehta. Brenda ishte shumë qetë. Unë shihja infermieret që endeshin poshtë e lartë nëpër korridor, por nuk shihja asnjë ushtar. Zakonisht korridori ishte i mbushur me ushtarë të dehur e të plagosur. Ata bënin shumë zhurmë, bërtisnin, qeshnin, këndonin, bile ndonjëherë edhe shtinin me armë. Por këtë natë, asgjë e tillë nuk ndodhte.
Në mëngjes, kur erdhi koha që infermieret t’,më zgjonin nga gjumi, asgjë nuk ndodhi. Kështu që unë dhe vajza me të cilën ndaja dhomën e spitalit, u ngritëm të shkojmë në banjo. Ndërsa prisja atë, hodha shikimin nga dritarja dhe pashë shenjat e NATO-s nëpër tanke. Edhe pse isha e lodhur dhe e rraskapitur, vrapova nëpër korridor dhe i tregova kushërirës time, Jehonës. Më bëhej të bërtisja me aq zë sa kisha./ KultPlus.com
Më 3 shkurt të vitit 1889 në Uashington përfundoi instalimi i dritave në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, thuhet se presidenti i asaj kohe, Benjamin Harrison dhe familja e tij nuk i preknin me dorë çelësat për të ndezur dhe fikur dritat, nga frika e korrentit.
Në atë kohë energjia elektrike ishte diçka e re. Kështu, punonjësit e Shtëpisë së Bardhë, para se të shkonin në shtëpi, çdo mbrëmje i fiknin dritat dhe i ndiznin ato kur vinin për të punuar në mëngjes.
Gjatë natës, familja presidenciale e Shteteve të Bashkuara vazhdonte të përdorte qirinj, gaz natyror dhe fenerë, të cilat ishin përdorur para elektrifikimit të Shtëpisë së Bardhë./ KultPlus.com
Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ka vdekur më 3 shkurt të 2017, ai njihet si njëri prej shkrimtarëve më të mirë të kohës, shkruan KultPlus.
Nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga jeta e tij, e kjo ndikoi që ai të vuante për një kohë të gjatë nga një sëmundje në mushkëri.
Veprat e autorit të madh shqiptar, i cili u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.
I paharrueshëm është edhe romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit, u bë subjekt filmash dhe këngësh.
Vepra e fundit e tij është libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes.
Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politike, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste. /KultPlus.com
Më 7 prill të vitit 1990 në gazetën prestigjioze “New York Times” kishte zënë vend shkrimi i cili fliste për faljen e gjakut dhe punën që po bënte Anton Çetta.
Lajmi fillon më përshkrimin e familjes Dragacina dhe Betushi, ku dy anëtarët e familjes së tyre – Libibe Dragacina dhe Beslim Betushi i zgjatin dorën njëri tjetrit për t’ia falur gjakun e vrasjes.
Artikulli tregon se deri tani, që nga 1 shkurti janë pajtuar rreth 150 familje dhe se organizatorët janë të bindur se do të zgjidhen edhe 450 deri në 550 raste të mbetura, shkruan KultPlus.
“Në këtë situatë e cila ka qenë e vështirë për shqiptarët, ne dëshirojmë që të kemi të paktën një reduktim të kësaj të keqe”, është shprehur Anton Çetta, nismëtari i kësaj iniciative, për New York Times. /KultPlus.com