Vepra “të thjeshta si lojë” që të bëjnë të besosh se makina e udhëtimit në kohë ekziston

Uranik Emini

Është krahasuar me piktorin Pablo Picasso, i cili konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të historisë, por kjo nuk e pengoi që shprehja më e perdorshme e artistit shqiptar, Nusret Salihamixhiq të jetë “kjo është e thjeshtë si një lojë” në çdo vepër që ai punonte, vepra që në radhë të parë përfshinin guximin në kohën kur po pikturonin dhe që përfshinin vlera shumëdimensionale, ngjyra voluminoze dhe piktura që lënë gjurmë në kohë që autori të mos harrohet kurrë, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita pikërisht me emrin “Loja” e artistit të shquar, Nusret Salihamixhiq, ku edhe në përpikmëri dhe vëndosshmëri u prezantuan veprat e autorit nëpër etapa të ndryshme të jetës, ekspozitë e cila është kuruar nga artisti tjetër i njohur, Jakup Ferri.

Planifikimi kërkon kohë dhe ekspozita të tilla nuk realizohen brenda muajve, gjithashtu kërkohet edhe punë e madhe, një punë që bëhet çdo ditë dhe gjithashtu gjatë gjithë këtij procesi ekziston frika se gjithë mundi dhe puna e bërë, madje edhe mund të dështojë. Por vendosmëria e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë proces, rezultoi suksesshëm dhe Galeria po mirëpriste njerëzit që po vinin në tufë për të parë e për të mësuar më shumë rreth veprave të artistit Salihamixhiqit.

Në një linjë me gëzimin, mungesa për të shfaqej natyrshëm

Gruaja e Nusret Salihamixhiqit, Mybera Ferizi, kujtimet për burrin e saj i mbanë në një vend të veçantë, derisa mungesa për të është e madhe.

“Unë të gjitha kujtimet me Nusretin i kam të mira. Gjithë kohën që kemi kaluar bashkë, ai ka qenë duke punuar natë e ditë. Ka punuar si profesor, është rikthyer në shtëpi dhe ka kërkuar që buka të jetë gati, mund të them që deri në shtratin e vdekjes e ka mbajtur brushën në dorë. Ka lënë piktura që nuk ka askush, mund të them që askush në botë nuk ka lënë piktura sa ka lënë Nusreti. Ai ka punuar sikurse me qenë fabrikë. Secila pikturë e tij është unikat në stilin e vet, nuk ka bërë asnjëherë një të njëjtë”, u shpreh ajo për KultPlus. 

E pyetur mbi hapjen e kësaj ekspozite, Mybera me emocione në fytyrë tha se ndjehet shumë e lumtur për këtë gjë. “Nuk e di se a mundet të bëhet më madhështore. Një gëzim tepër i madh, e gjëja e vetme që më mungon është ai, emocionet gjithmonë janë të pranishme”. 

(Mos)gatishmëria për ekspozitë dhe synimi për të rinjtë

Edhe djali i tij, Fatos Salihamixhiqi, rrëfen për KultPus se nuk ndjeheshin të gatshëm si familje për të hapur një ekspozitë të tillë, jo sepse mungojnë veprat, nuk ishin të përgatitur e në fund vedosën të sipërfaqin punën, guximin dhe pasionin e madh që ka pasur babai i tyre për artin.

“Kjo është hera e parë që veprat e tij po prezantohen në publik pas vdekjes së tij. Këto punime janë punime që janë punuar në faza të ndryshme, në etapa të ndryshme. Këtë seleksionim e ka bërë Jakup Ferri, në bazë të përzgjedhjes së tij e ka bërë për veprat që artisti ka realizuar në vitet 1960-70-80. Unë jam shumë falëndrues ndaj Dhuratës, e cila me një punë të palodhur ka bërë të pamundurën të mundurën. Unë nuk kam qenë i interesuar që në këtë kohë të hap këtë ekspozitë, nuk kam qenë unë i pëgatitur jo pse nuk kemi pasur vepra. Por e kam pasur të pamundur që t’i them jo Dhuratës dhe Jakupit”.

Sa i përket pjesës në qoftë se këto piktura janë në shitje apo jo, Fatosi thotë se për këtë gjë nuk është biseduar akoma asgjë, pasi qëllim kryesor dhe si mision kanë t’ia mundësojnë studentave, artistëve e njërëzve të ndryshëm t’i shohin ato dhe të mësojnë prej këtyre veprave.

“Këtu do të shihet guximi se si një artist si Nusreti në vitet 60-ta ka pas guximin që të bëjë vepra që vështirë është të bëhen në ditët e sotme. Për atë kohë ka qenë guxim, kështu që është shembull për gjeneratat e reja që të mos ketë paragjykime por të kenë lirinë e shprehjes në punën e tyre”.

Ideja, bashkëpunimi dhe realizimi

Drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, tregon se si erdhi nga ideja e deri te bashkëpunimi me familjarët për të risjellë veprat e Nusretit. 

“Ideja ka ardhur nga ne si udhëheqës të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Jakup Ferri ka qenë i ftuar. E kemi ftuar para dy viteve që të jetë pjesë e programit, pasi ekziston një procedurë e gjatë që shkon nga ftesa, pranimi e pastaj deri te ekspozita. Kemi pasur shumë kënaqësi që fillimsiht familja ka pranuar që të ekspozojë profesorin i cili nuk jeton më, e gjithashtu edhe Jakupin, i cili me qef e ka pranuar këtë obligim të ri si kurator. E deri sot i kemi vendour bashkarisht të gjitha se si do të vendosen pikturat, si do të prezantohet, si do të bëhet PR, të gjithë bashkë kemi ardhur te ideja finale”. 

Ramosaj gjithashtu njofton se data 5 maj është vendosur bashkarisht me familjen dhe gjithë të tjerët

“Data, ka qenë vjet e vendosur që të mbahet në maj. Ne kemi fatin që kjo ekspozitë të jetë e hapur edhe nga vizituesit e Manifestas, e ne jemi munduar që të jemi edhe pranë artistëve të rinj, studentëve por pse jo edhe turistat me pa një autor sikurse Nusreti. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 26 korrik të këtij viti.Sa i përket mënyrës së shitjes duhet të vendosë familja, ne e kemi hapur si promovim dhe familja duhet të vendosë për një gjë të tillë”.

Kujtime pozitive nga fëmijëria, të përhershme në sirtar

Për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, vizita në këtë ekspozitë e ka rikthyer në kohë, atëherë kur atelia e babait të tij vizitohej shpesh herë nga axha Nusret, siç e quan ai, e përveç bisedës, arti e pikturat shtoheshin takim pas takimi.

“Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme. Ne duhet t’i çmojmë vlerat e artistëve tanë, të cilat janë legjenda të kryeqytetit dhe jo vetëm. Nusret Salihamixhiqi është një piktor i veçantë me karakter botëror, e unë kam pasur fatin që ai dhe babai im të jenë miq të mirë. Unë jam rritur me pikturat e tij, ne e kemi thirrur atë axha Nusret e sot jam shumë i emocionuar sepse një numër të madh të pikturave që po i shoh unë janë të kohës kur unë nuk kam lindur dhe po e shoh atë ndërlidhshmërinë e fillesave të pikturimit të Nusretit, e deri te pikturat e tij të mëvonshme. Një kohë ai është thirrur edhe piktor më i madh se Pikaso, këto janë legjendat e kryeqytetit tonë, ky është Nusreti me të cilin duhet të mburremi ne të gjithë”, tha ai për KultPlus.

Kujtimet me artistin, Rama i ka në memorie si një gjë pozitive që do t’i mbajë me vete gjithmonë.

“Unë e mbaj mend shumë herë edhe në atelenë e babait kur vijke axha Nusret. Ai tërë kohën pinte cigare dhe mbante një brushë në dorë. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke punuar, duke bërë skica, duke bërë art e kritika konstruktive. Babai im, Kadrush Rama dhe Nusreti kanë pasur një miqësi të mirë. Era e ngjyrave të ndryshme, buzëqeshja e shakatë që kanë bërë me njëri tjetrin, i kam në memorie si një gjë pozitive që i mbaj në vete gjithmonë”.

 “Rikthimi” i Nusret Salihamixhiqit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau me lexuesit e KultPlus emocionet e veçanta për rikthimin e Salihamixhiqit në Galerinë e Ministrisë, pas afër 11 vitesh kur ai ishte në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare.

“Jam shumë i lumtur që Galeria e Ministrisë pas një kohe shumë të gjatë, e pas ekspozitës së fundit të Nusret Salihamixhiqit, pra, pas afër 11 vitesh e kemi edhe një herë në Galerinë e Ministrisë një nga emrat më të mëdhenj të artit bashkëkohor e pamor në vendin tonë. Ai është një figurë emblematike, të paktën për mua personalisht ndër më të mirët e vendit tonë dhe jo vetëm. Nusreti është një artist i botës shqiptare, por me përmasa ndërkombëtare, i vlerësuar edhe nga kritikët ndërkombëtarë”.

Vëllimin e madh të veprave të artistit e veçon edhe Çeku, që thotë se kjo e bën të dallueshëm nga të tjerët.

“Nusreti përpos që ka ekspozuar shumë, ka krijuar edhe shumë. Nuk dallohet vetëm për nga stili i tij shumë i veçantë, ka qenë shumë i guximshëm në kohën kur ka punuar, por dallohet edhe për nga vëllimi i krijmtarisë, ka lënë shumë vepra mbrapa”.

Blerja e veprave të artit nga artistët vendor

Çeku njofton se ka filluar cikli i parë i blerjes së veprave nga artistët vendor, derisa shumë shpejt do të aktivizohet edhe një formë tjetër e blerjes së këtyre veprave.

“Ne në Galerinë Kombëtare kemi një pjesë të vogël, por familja e cila vazhdon me shumë zell ta ruajë e t’i mirëmbajnë veprat e tij, po vazhdojnë të bëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne tashmë e kemi nisur ciklin tonë të parë të blerjes së veprave nga artistët tanë vendor, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 1 milionë euro për blerjen e veprave. Tashmë konkursi për blerje është i hapur dhe artistët mund të aplikojnë. Shumë shpejt do të aktivizohet edhe forma tjetër e blerjes së veprave që është përmes blerjes direkte dhe unë besoj që Salihamixhiqi dhe emra të tjerë duhet të jenë pjesë e koleksionit të shtetit me vepra të reja, sepsa disa i kemi në Galerinë tonë”.

Çeku lartësoi edhe një herë tjetër figurën madhështore të artistit, duke thënë se së shpejti do të botohet edhe një monografi me të gjitha veprat e Salihamixhiqit.

“Numri i madh i njerëzve të pranishëm këtu, anëtarë të familjes së tij, kritikët dhe fakti që ekspozita është kuruar nga artisti ynë Jakup Ferri e bën shumë madhështore këtë ngjarje. Prandaj unë besoj që kjo duhet të ketë vazhdimësinë e saj dhe një vazhdimësi që ne veçse e kemi nisur para ca kohësh me një vendim të Ministrisë, është botimi i monografisë së Nusret Salihamixhiqit, Galeria jonë e Ministrisë është duke punuar në këtë monografi me disa nga artistët, dizajnerët dhe fotografët më të mirë dhe shumë shpejti do ta kemi monografinë e të gjitha veprave të Salihamixhiqit të botuar”.

Muezu i Artit Bashkëkohor

Rama deklaroi se ekziston një bashkëpunim i mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e ata bashkë po punojnë edhe në Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.

Ndërkaq, i pari i Kulturës njoftoi për KultPlus se janë në fillet e para të konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.

“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky institucion i ri i artit pamor duhet të jetë hapësira e re e shtetit tonë për të sigurar edhe një vend për mirënjohjen që duhet t’ia bëjmë emrave sikurse Nusret Salihamixhiqi, por jo vetëm. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.

Pikturat e Nusretit të japin një ndjenjë se ju po kaloni në një botë paralele, apo edhe dimension tjetër. Përmes ngjyrave, skicave, vijave, ideve të menduara, domosdo të “detyrohet” të vish në përfundim se kjo vepër është diçka jashtë kornizës së mendjes, pra, vërtetohej se imagjinata e njeriut mund të kalojë çdo kufi njerëzor.

Momenti kulminant ishte atëherë kur me shkronja të vogla dhe stil të veçantë shiheshin edhe 4 numra që kishte shkruar Nusreti, e që ishin pikërisht vitet në të cilat kishte realizuar këto vepra (1953,1960, 1973 etj), atëherë gjithçka ndryshonte dhe udhëtimi i njerëzve nëpër kohë dukej gjithnjë më i besueshëm, vepra që sipërfaqnin diçka që i përket së ardhmes, prandaj gjithsesi arti është gënjeshtra që na mundëson të kuptojmë të vërtetën.

E njohur si kërcimtare dhe koreografe moderne amerikane, Martha Graham kishte thënë se asnjë artist nuk është përpara kohës së tij. Artisti është në kohën e tij, vetëm se të tjerët janë pas kohës, prandaj neve na duhen vite të arrijmë në kohën e Nusretit dhe ai do të na presë me brushë në dorë dhe vepra të reja.

Ekspozitën “Loja” mund ta vizitoni deri më 26 korrik 2022 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

‘Me gjithë zemër unë të desha, si njeri me mirësi, disa herë unë të buzëqesha me mallin e djalit t’ri’

Historia e muzikës së mirëfilltë shqipe, numëron shumë këngëtarë e këngëtare që me zërin e tyre të veçantë dhe me tekstet e tyre poaq të veçanta, i dhanë jetë e frymë tjetër muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Ndër këta artistë, është edhe Shpresa Berisha, këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore shqiptare, e cila gjatë karrierës së saj, vazhdimisht i këndoi dashurisë, mallit e vuajtjes, duke bërë kështu që të mbetet në kujtesën e artdashësve edhe sot e kësaj dite.

Pak e dijnë se përpos zërit të saj të veçantë, Shpresa Berisha, me prejardhje nga Suhareka, është femra e parë shqiptare që punoi si gjykatëse.

Këngët më të njohura të saj janë: “Për ty vuaj, për ty këndoj”, “Me lule t’beharit”, “Turtulleshë”, “Bukuroshja e lalës”, “M’ka marrë malli shpirt”, “Çohi djema shalone atin”, “Prizrenit”, “Po del hëna”, “Sy jeshile”, “Tjetërkund nuse” etj.

KultPlus ju sjell këngën e saj më të njohur, ”Të deshta me hakikat”, këngë kjo që vazhdon të dëgjohet akoma me ëndje nga adhuruesit e saj, e vazhdon të këndohet nga shumë artistë të tjerë.

Bashkangjitur gjeni tekstin e këngës.

Të desha me hakikat

Të çmova mikesh të shtrejtë.
Mir’po paskem qenë pa fat, e aman
Ma punove pa të drejtë.

Me gjithë zemër unë të desha
Si njeri me mirësi.
Disa herë unë të buz’qesha aman
Me mallin e djalit t’ri.

Një kujtim që m’a ke dhanë-e
Po e ru’j me dashuni.
Do t’a kujtosh fukaranë, e aman
Megjithë se m’ke marrë mëni.

Nuk e di se t’kam bezdisë
Unë të pata me kimet.
Qofsh e lumtun ti moj mike, aman
Për mu’ si të jetë kismet. / KultPlus.com

Publikohet orari i shfaqjeve për muajin maj në Teatrin Dodona

Teatrot vendorë kanë publikuar oraret e shfaqjeve për muajin maj.

Kështu, Teatri Dodona për këtë muaj është kujdesur që të sjellë shfaqje të ndryshme, të veçanta për publikun.

Në mesin e shfaqjeve që do të jepen për këtë muaj janë: “Lira dhe Titi”, “Top Girls”, “Gjyshi dhe rrepa”, “Eli” dhe “Kësulëkuqja”.

Edhe muajin që lamë pas, Teatri Dodona i ofroi shfaqje nga më të ndryshmet audiencës shqiptare. / KultPlus.com

Për nji dashni të refuzueme

Poezi nga Rozafa Shpuza

N’qytetin tem
mullagat lulojnë pa bujë
si mirazhe të bjerruna ndër djerrinat
që len peng historia e mbrame e dashnisë.
Ylberi i petaleve
i përgjet kopertës kafide t’palueme n’sepetin e pajës,
ku varet nji dry naziq
që kurrë s’u kyç…
N’qytetin tem
s’përban ma lajm pse shinat bien me rrëshekë
e qylymat shkunden me pirajkë,
as pse saksitë e mullagave
t’sajueme me kuti boje
lyhen me gëlqere e stivohen prajshëm bri pusit,
pasqyrës ku kqyren gjokset e zgaquna t’reve…
Çudi…
sado rrekem me hamendësue
s’di pse pos krejt luleve,
n’qytetin tem,
jaret s’ranë kurrë n’dashni me mullagat,
që s’prajnë tue shprishë dremitjen e oborreve,
ku teshat nderen me kapsa drunit
e avllitë naltohen
njaq sa kureshtja e kojshisë… / KultPlus.com

Torra Veneciane, vijon puna për restaurimin e simbolit të Durrësit

Në Torrën Veneciane, një nga simbolet e qytetit bregdetar të Durrësit vijon puna me ritme të larta për restaurimin e saj, përmes programit “EU4Culture”.

Në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve, specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një inspektim në Kullën Veneciane.

Projekti i restaurimit, i cili filloi në muajin shkurt, synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj., duke ofruar për vizitorët, një mënyrë të re të të njohurit të historisë unike të qytetit të Durrësit.

Torra Veneciane është pjesë e siteve të programit EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Torra Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit. Torra ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit. /KultPlus.com

Lea Ypi fiton çmimin ‘mbretëror’ për Letërsi, në Britani

Çmimi jepet për librat që ngjallin frymën e vendit shkon për veprën që kronizon ardhjen në moshë të autorit në Shqipëri gjatë rënies së komunizmit.

Kujtimet “me humor të hollë dhe thellësisht serioze” të akademikes, Lea Ypi, e cila në librin e saj shfaqet “aq goditëse për kohët që jetojmë”, ka fituar çmimin “Ondaatje” që akordohet nga Shoqata e Letërsisë Mbretërore.

Një çmim i tillë jepet zakonisht për libra që ngjallin frymëzimin e një vendi. Libri tregon vitet e para të fëmijërisë së Ypit në Shqipëri, në një kohë kur vendi i saj përjetonte një nga diktaturat e fundit staliniste të Evropës.

Në dhjetor 1990, statujat e Stalinit dhe Hoxhës u rrëzuan dhe jeta ndryshoi brenda natës për njerëzit, të cilët nga ai moment ishin në gjendje të votonin lirshëm, të vishnin atë që u pëlqente dhe të pëlqenin gjithçka që do të dëshironin.

Por ndryshimet politike gjithashtu u shoqëruan me problem ekonomike, humbje të vendeve të punës si dhe skemat piramidale që çuan derinë falimentimin e vendit si dhe u shoqëruan me trazira të dhunshme. Ndërsa zbulonte sekretet e familjes së saj, Ypi shpesh gjendej përballë dilemës se çfarë do të thoshte në të vërtetë liri.

Kryesuesi i jurisë që dha çmimin ishte poeti Sandeep Parmar, të cilit iu bashkua autori i “YA”, Patrice Laërence si dhe shkrimtari dhe avokati Philippe Sands.

Ata thanë për librin e Lea Ypit: “Duke lexuar dhe rilexuar ‘Lirinë’ e Lea Ypit, ne ndjemë fort se shqetësimet kryesore të librit – politika, historia personale, vetë kuptimi i lirisë – tregohen në një mënyrë kaq rezonuese për aktualitetin që jetojmë”.

Juria e përshkroi Ypin si “një mjeshtre” të ballafaqimit të rrëfimeve të mëdha dhe atyre personale. Ata vlerësuan gjithashtu edhe mënyrën se si “puna e saj me humor të hollë dhe thellësisht serioz”  i detyroi “të reflektojnë mbi nevojën për vërtetësi rreth historive që na tregohen dhe se si ne negociojmë rreth tyre për vetë jetën tonë”.

Ypi, e cila është shpërblyer për çmimin me 10,000 £, është profesore e teorisë politike në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër si dhe profesor e asociouar për filozofi në “Australian National University”. Ajo u shpall fituese nga presidenti emeritus i RSL, Colin Thubron, në emër të themeluesit dhe financuesit të çmimit, Sir Christopher Ondaatje, në një event që u zhvillua në Londër.

“Liria” u zgjodh si fitues nga një listë e shkurtër prej gjashtë librash. Çmimi u fitua në vitin 2021 nga Ruth Gilligan me thrillerin “The Butchers”. Fituesit e mëparshëm përfshijnë ish-deputetin Alan Johnson për kujtimet e tij “This Boy” apo edhe gazetarja e ‘Guardian’, Aida Edemariam, mbi rrëfimin e historisë së jetës së gjyshes së saj, “The Wife’s Tale”. /gazetamapo/ KultPlus.com

“Unë e di pse këndon zogu në kafaz”, një roman që kurrsesi nuk duhet lënë pa lexuar

“Të jesh me ngjyrë dhe femër ishte dyfish humbje në shoqërinë e dikurshme amerikane”. Ky ështëmesazhi më i fuqishëm që nxjerrim nga leximi i romanit “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” i Maya Angelou. Rrallë ndodh të më pëlqejnë romanet autobiografikë, pasi mendoj se kur shkruan për veten, është e pashmangshme nxjerrja e vetes si viktimë dhe të justifikuar ndaj çdo vështirësie të kaluar në jetë. Por ky roman është ndryshe. Ky roman flet për shoqërinë amerikane të viteve 1940-1950, ku mbizotëronte racizmi dhe dhuna ndaj personave me ngjyrë.

Mirëpo autorja, krahas gjithë vuajtjeve të kaluara (braktisjes nga familja, përdhunimit, diskriminimit nga shoqëria amerikane etj), sërish besonte se mund t’ia dilte mbanë. Ajo e donte veten pamasë, sillej mirë me të gjithë (edhe me ata që e kishin lënduar), dhe në kohën e lirë lexonte shumë tituj të autorëve të mëdhenj. Përmes këtyre veprimeve ajo synonte të rritej e lirë dhe “të bëhej femër fenomenale”. Maya Angelou ia doli. Ajo u bë shembulli i femrës që me qindra vuajtje mbi supe, mund t’ia dalë mbanë.

Ndërkohë doja të citoja dhe një paragraf tjetër nga romani, i cili përshkruan në pak rreshta kuptimin e gjithë romanit: “Fakti që gruaja zezake amerikane kalit një karakter të jashtëzakonshëm, shpeshherëshihet me habi, bezdi dhe madje, armiqësi. Rrallëherë pranohet kjo gjë si pasojë e pashmangshme e luftës së fituar nga të mbijetuarit, një fitore që meriton respekt, në mos brohoritje”.

Pra, ky është në thelb një roman mbi rilindjen pas vështirësive; është një roman ekstremisht motivues, pasi të bën t’i shohësh vështirësitë e ditëve të sotme si kotësira (të pakrahasueshme me ato të autores) dhe të nxit të mos ankohesh, por të vazhdosh përpara me më tepër besim tek vetja dhe me më tepër dinjitet. Doja të citoja nga romani një fjali mjaft motivuese: “Nga jeta do të marrësh atë që ke investuar. Bëje me gjithë zemër atë që bën, pastaj lutu dhe prit”. Ndaj, nëse ende nuk e keni lexuar këtë roman, por keni nevojë për motivim, bëni mirë ta lexoni. Lexohet shpejt dhe të mëson shumë për jetën./bota.al/ KultPlus.com

Presidentja Osmani përuroi shtatoren e Shën Terezës në Panama

Sot në Panama, Presidentja Osmani përuroi shtatoren e Shën Terezës, të punuar nga skulptori kosovar Bashkim Beqiri, në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa.

Presidentja Osmani theksoi se ndihet e lumtur që Panamaja po e monumentalizon kujtesën për Shën Terezën. Kjo është edhe një mirënjohje për punën e saj, për vlerat e saj e për madhështinë e personalitetit të saj.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani u shpreh se si bashkëkombës të saj jemi shumë krenarë me shëmbëlltyrën e Shën Terezës. Po kështu, shtoi ajo, i jemi mirënjohës popullit panamez për respektin e treguar me të gjitha nderet që mund t’i ofrohen një të shenjte. / KultPlus.com

OperaWire: Ermonela Jaho është ylli, zemra dhe shpirti i operas ‘Turandot’

David Salazar, kryeredaktori i ‘OperaWire’, i ka kushtuar një artikull shfaqjes së operas ‘Turandot’. Sipas tij, kjo shfaqje është e dyta në këtë seri të veprës së famshme të Puccinit dhe ikonës së Franco Zeffirelli-t. Ai thekson se artistja shqiptare, Ermonela Jaho ishte zemra dhe shpirti i kësaj shfaqje. 

Jaho është një nga yjet më bindëse të operës, e aftë për të zotëruar qendër të vëmendjes, pavarësisht nëse është në skenë, në kamera, ose të dyja; Marguerita e saj në “Faust” të Tobias Kratzer nga Opera e Parisit nuk është vetëm një shembull tekstual i një martese të bukur mes filmit dhe skenës , por, gjatë një sekuence të dukshme treni, ky prodhim shfaq gjithashtu zhytjen e pashembullt interpretuese të Jahos si për kamerën ashtu edhe për skenën. ne te njejten kohe. Pra, nuk është çudi që kur gjithçka u tha dhe u bë, ajo ishte drita e shkëlqyeshme e këtij produksioni të veçantë.‘- shkruan Salazar duke vijuar:

Liù-ja e Jaho-s, ndonëse një figurë e vogël mes rrëmujës, ishte megjithatë një figurë imponuese dhe ajo shfaqi një vetëbesim të qetë teksa tha: “Io so il suo nome, M’è suprema delizia tenerlo segreto e possederlo io sola!” “Tanto amore, segreto e inconfesso” që pasoi ishte zbuluese dhe theksoi vërtet madhështinë e Jahos, këndimin e saj të ëmbël dhe të pastër, por të prekshëm në mënyrën se si lidhej me ty.

‘Jaho arriti t’i jepte kësaj ndjenje pashmangshmërie, zëri i saj thuajse qante, timbri një fije e hollë tingulli; ndërsa ajo i drejtohet Turandotit në të dyja, Delikatesa e Jahos në këtë e bëri atë të ndihej më intime dhe introspektive. Ajo e tërhoqi dëgjuesin në mendimet e fundit të Liù-s, duke i dhënë kështu kreshendon përfundimtare fundit të arisë më shumë patos. Edhe kur ajo tërhoqi kamën dhe, me një lëvizje të madhe, goditi veten me thikë, ti besoje çdo moment.’

“Turandot” është një vepër korale bonafide, me ansamblin masiv vokal. Kori i Met Opera ishte në formë të mirë gjatë gjithë kohës, veçanërisht në kulmin e aktit të dytë dhe në momentet e mbylljes së operës.

Salazar e mbyll shkrimin e tij: Artistët në skenë ishin në formë të shkëlqyer dhe vetëm Ermonela Jaho garanton një udhëtim në Met për këtë ringjallje./dosja.al/ KultPlus.com

Poezia prekëse “Do të më mungosh” nga Lorena Gatta

“Do të më mungosh” nga autorja italiane Lorena Gatta, i kushtohet gjithë atyre që kanë humbur një person të dashur. Autorja e mendon, e kërkon dhe flet me atë që ka dashur, por që nuk është më pjesë e kësaj bote. Në fund, poezia mbyllet me fjalinë: “Dhe do të më mungosh”, që njëkohësisht është edhe titulli i poezisë. Duket sikur autorja, pavarësisht gjithë përpjekjeve dhe mundimeve, “e pranon” humbjen e personit që është larguar nga kjo botë, ndërsa pohon se do i mungojë. Koha dhe kërkesat pa një përgjigje, janë ato që të bindin për çfarë ka ndodhur. Me kohën fillon ta pranosh largimin nga jeta të një personi që ke dashur shumë, edhe pse ai të mungon përherë, në çdo moment që sheh diçka që lidhet me të…

“Do të më mungosh”

Unë do të mendoj
atëherë kur gjumi vështirë se do të vijë.
E kam fjalën për ato netët e gjata
që duken sikur
nuk duan të përfundojnë asnjëherë.
Ato netë plot me pyetje
të mbetura pa përgjigje.

Unë do të kërkoj
nëpër rrugica,
në sheshet e mbushura me njerëz,
përgjatë shëtitjeve të mia.
Do të jem e humbur në kujtime
duke kërkuar për një fytyrë të njohur
mes shumë të huajve.

Unë do të flas,
kur gjithçka të më duket
e papërballueshme dhe më e madhe se unë.
Dhe do të kujtoj përherë,
kur të kem nevojë për fjalë mbështetëse,
për një përqafim të fortë që të më lërë pa frymë,
sikur të donte të hynte brenda meje
sepse gjërat përballohen më mirë mes dy personave,
dhe do të më mungosh! /bota.al/ KultPlus.com

Ministri Mehaj pret në takim akademikun Rexhep Qosja, i ndan mirënjohje për kontributin në krijimtarinë letrare

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka pritur në takim akademikun e profesorin Rexhep Qosja.

Ministri Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook njoftoi se ka ndarë mirënjohje për akademikun Qosja, për kontributin e tij në krijimtarinë letrare dhe shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës.

“Në këtë takim, Ministri Mehaj ndau mirënjohje për Akademikun Rexhep Qosja, për kontributin e jashtëzakonshëm në krijimtarinë letrare dhe etno-kulturore, si dhe shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës.
Nga ana e tij, Akademiku Qosja e përgëzoi Ministrin Mehaj për punën e palodhshme në vazhdimin e forcimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që është një ndër shtyllat kryesore të shtetit tonë të ri”, thuhet në njoftimin e Mehajt. / KultPlus.com

Dirigjenti Kelmendi prezanton kompozimin ‘Me nji lule’: Jam shumë i lumtur që ia sollëm dy çmimet e para vendit tim, Kosovës

Kori Siparantum po merr pjesë në festivalin evropian, “European Music Festival for Young People” dhe së fundmi dirigjenti Memli Kelmendi ka ndarë disa momente fantastike nga ky rrugëtim, përjcell KultPlus.

“Gjatë qëndrimit tim në Neerpelt me ftesë të festivalit EMJ mbajta punëtorinë me temë “Muzika korale e Kosovës”, në fokus ishte prezantimi i kompozimit “Me nji lule” i cili u kompozua posaçërisht për festivalin EMJ në kuadër të projektit WeBeUni Ted”, ka shkruar Kelmendi në rrjetet sociale.

Në këtë punëtori morën pjesë mbi 170 anëtarë të korit; Stelute cors, Rumani; Siparantum Choir, Kosovë; Jeugdkoor Villanella, Belgjikë; Zërat Mashkullorë të Korit të Djemve Lucern, Zvicër dhe Jeugdkoor Waelrant, Belgjikë.

“U jam shumë mirënjohës dirigjentëve të këtyre koreve që punuan kompozimin tim “Me një lule” në gjuhën shqipe. Jam mahnitur nga puna, perkushtimi i koristereve dhe jam shume i lumtur qe kjo u realizua ne “Happening Concert”, moment dhe eksperience qe nuk do ta harroj kurre”, ka thënë ai.

Më poshtë ua sjellim postimin e tij të plotë:

Momente fantastike nga Festivali @TAG. Jam vërtet i lumtur dhe i befasuar me mikpritjen e festivalit që më është bërë mua dhe gjithë Korit Siparantum.
Gjatë qëndrimit tim në Neerpelt me ftesë të festivalit EMJ mbajta punëtorinë me temë “Muzika korale e Kosovës”, në fokus ishte prezantimi i kompozimit “Me nji lule” i cili u kompozua posaçërisht për festivalin EMJ në kuadër të projektit WeBeUni Ted.
Në këtë punëtori morën pjesë mbi 170 anëtarë të korit; Stelute cors, Rumani; Siparantum Choir, Kosovë; Jeugdkoor Villanella, Belgjikë; Zërat Mashkullorë të Korit të Djemve Lucern, Zvicër dhe Jeugdkoor Waelrant, Belgjikë. U jam shumë mirënjohës dirigjentëve të këtyre koreve që punuan kompozimin tim “Me një lule” në gjuhën shqipe. Jam mahnitur nga puna, perkushtimi i koristereve dhe jam shume i lumtur qe kjo u realizua ne “Happening Concert”, moment dhe eksperience qe nuk do ta harroj kurre.
Anetaret e Siparantum Choir ishin pjese e Workshop-it “singing backing vocals of popsongs”, realizuar nga @TAG, nje mundesi fantastike per koret tona per te punuar me nje njeri brilant si Jo. Gjithashtu, koret tona ishin pjese e seminarit te koleksionit tim ague @TAG.
600 vullnetarë! – Po 600! I magjepsur nga vullneti, përkushtimi i çdo personi që takova gjatë ditëve në festival. Një qytet i tërë i organizuar për këtë festival. Kjo tregon traditën 70 vjeçare të festivalit.
Jam shumë i lumtur që ia sollëm dy çmimet e para vendit tim Kosovës. Puna që po bëjmë si shoqëri po vlerësohet kudo. Kjo tregon se jemi të barabartë me shtetet tjera që kanë traditë shekullore të muzikës korale. Puna, përkushtimi dhe përkushtimi që i bëjmë vendit tonë sjellin rezultate të tilla. Kemi marrë çmimin e parë në kategorinë G dhe çmimin e parë në kategorinë F. Kategoria F (Kategoria Pennant), ishte kategoria më e vështirë sepse në këtë kategori ishte përbërja e detyruar “Laudes Paschales” e kompozitorit Kristian Van Ingelgem. Jemi vërtet të lumtur që patëm rastin të takojmë kompozitorin Kristian Van Ingelgem, Maarten Van Ingelgem dhe jemi shumë me fat që Siparantum Choir këndoi këtë Premierë Botërore, i cili vlerësoi lartë performancën e korit.
Shumë faleminderit presidentit të festivalit EMJ, Rutger Nuyts
Drejtori artistik Frans Ulens, @TAG, @TAG,Jan Coninx, @TAG, @TAG, @TAG, Naim; Kryetari i Bashkisë Peelt, Frank Smeets dhe i gjithë ekipi i festivalit fantastik. Ketu takova shume miq me te cilet jemi takuar edhe me pare ne shume festivale te ndryshme europiane, takova shume miq te rinj, dirigjente dhe shume kore qe moren pjese ne kete festival. Festivalet kryesore japin mundësi të tilla!
Këtu u ndjeva si në shtëpi. Në koncertin përmbyllës “Laureaten Concert” kori ynë u zgjodh nga Juria për të qenë pjesë e programit përmbyllës. Juria zgjodhi veprën “Pax” e cila mbetet një nga vlerësimet më të larta në festivalin, “Laudes Paschales” dhe “Nyon”. Sa do të doja të kishim një video nga performanca e fundit kur ftova për të realizuar pjesën e fundit anëtarin e jurisë, mikun tim, @TAG. Një surprizë e bukur që askush nuk e dinte. Ishte momenti me i bukur i festivalit :)))
Të gjithë jemi të impresionuar dhe mirënjohës.
Do të takohemi përsëri. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit nga presidenti i Panamasë, Laurentino Cortizo me nderime shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo, për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.

Në takim me Presidentin Cortizo, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.

Presidentja ka falënderuar Presidentin Cortizo për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror. “Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë” , theksoi Presidentja Osmani gjatë takimit.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Cortizo gjithashtu kanë diskutuar për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën e ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës edhe më tutje në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, Presidentja përmendi edhe potencialin për investime të huaja në Kosovë, si mundësi e mirë e shkëmbimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Gjatë vizitës zyrtare në Panama, Presidentja Osmani është duke realizuar takime me udhëheqës të lartë shtetëror, komunitetin e biznesit, ndërmarrës si dhe ka marrë pjesë në disa iniciativa të ndryshme kulturore. Presidentja Osmani gjithashtu do të përurojë shtatoren e Shën Terezës në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa. / KultPlus.com

“Më duaj më shumë kur më pak e meritoj, sepse pikërisht atëherë kam më shumë nevojë”

Thënie nga Gaius Valerius Catullus

“Më duaj më shumë kur më pak e meritoj, sepse pikërisht atëherë kam më shumë nevojë.”

“Le ta shijojmë jetën dashurore, e të mos ua vëmë veshin plakaruqeve që llomotisin gjithë ditën.”

“Mos lufto me dy armiq njëherësh.”

“Në dashuri ka gjëra që të detyrojnë të dashurosh më tepër, por të bëjnë të duash të mirën më pak.”

“Nuk mund të shërohesh për një çast nga një dashuri që zgjati një jetë.”

“Urrej e dashuroj. Ndoshta më pyet përse e bëj. Nuk e di, por e ndiej dhe nuk gjej paqe.”

“Duhet pranuar humbja kur është e qartë se ke humbur.”

“Nuk ka gjë më idiote se të qeshësh si idiot.”

“Premtimet e femrës duhen shkruar mbi ujin vërshues.” / KultPlus.com

Nis Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit në Tiranë

Në kuadër të Javës së Evropës, “VIZart Tirana International Watercolor Festival”, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar çeli dje edicionin e 4-t të festivalit bashkëkohor të artit pamor. Festivali këtë vit ka dy ekspozita, një në Muzeun Historik Kombëtar dhe një në Galerinë e Artit në Tiranë.

Në ceremoninë e këtij aktiviteti ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Erion Veliaj, piktorja Ormira Lulani, presidente e “VIZart Cultural Organization”, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, themeluesi dhe presidenti i IwS Globe Art NetWork, Atanur Dogan, të cilët përshëndetën aktivitetin duke theksuar vlerat dhe rëndësinë që mbart në bashkimin e kufijve, kulturave, moshave dhe gjinive.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se një qytet si Tirana duhet të mbështesë jo vetëm njerëzit në nevojë, por të ofrojë edhe art për qytetarët e saj.

“Ne kujdesemi edhe për shtresat në nevojë, edhe për banesat sociale, edhe për mensat, për ata që janë në situatë rruge, edhe për të gjithë nevojat e komunitetit, por pyetja është: njerëzit jetojnë vetëm me bukë? Apo jetojnë edhe me art, me kulturë, me pikturë, me libra, me opera, baleti dhe teatro? Kjo është arsyeja përse ne besojmë që një qytet i mirë, duhet t’i bëjë të dyja. Duhet të jetë një qytet që për ata që kanë nevojë ushqen stomakun, ama për të gjithë nevojtarët që kanë nevojë të ushqejnë shpirtin, ofron edhe atë lloj gjelle”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë u shpreh se “VIZart Tirana International Watercolor Festival” është një mundësi fantastike për kryeqytetin dhe për të rinjtë që do të kenë mundësi të shfaqin veprat e tyre, krahas piktorëve më me eksperiencë.

Veliaj theksoi se mbushja e Tiranës me kaq shumë aktivitete kulturore është dhe fytyra e Shqipërisë moderne.

“Unë besoj se ideja e kësaj bienaleje për të çiftuar ata që janë me më shumë përvojë nga e gjithë bota, me dikë që është i ri dhe sapo ia ka nisur kësaj karriere më këtë pasion, është fantastike. Besoj se i shkon Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Fakti që Tirana është mbushur me aktivitete, tregojmë një imazh tjetër të Shqipërisë sonë, të Tiranës sonë, që sigurisht do duhet të rikuperojë imazhin e ’97-’98, për të cilën asnjë prej të rinjve sot s’ka faj. Unë besoj se kjo është fytyra e Shqipërisë moderne, e Shqipërisë së re që ne na duhet të tregojmë”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë siguroi se Galeria e Artit në Tiranë do të jetë një derë e hapur për të mbështetur artistët e rinj për të shfaqur talentin e tyre.

“Nuk ka nevojë të kesh shumë buxhet, nuk ka nevojë të kesh shumë hapësira, Galeria e Artit të Tiranës i ka dhënë mundësi thuajse çdo 2 javë një artisti që të shprehet”, deklaroi Veliaj.

Çmimi “MASTER AWARD” iu dha mjeshtrit të akuarelit Stanislaw Zolaz nga Suedia dhe Silvia Monge nga Kosta Rika. Ndërsa Krasi Todorov nga Bullgaria u vlerësua me çmimin “Best Portret Artist”. Najsa Dishnica nga Italia u vlerësua me çmimin “BEST YOUNGE ARTIST”.

Fituesit e Çmimit Ndërkombëtar “Ismail Lulani” janë Zake Prelvukaj nga Kosova dhe Pjerin Kolnikaj e Mikel Temo nga Shqipëria. VIZartdhe IwS Albania vendosën t’i japin “ÇMIMIN E NDERIT” ekipit të artistëve ukrainas pjesëmarrës në event.

Gjatë ditëve në vijim do vazhdohet me demonstrimet e artistëve ndërkombëtare në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, ku artistë ndërkombëtare dhe studentë do pikturojnë së bashku. Ky festival arti do të vazhdojë për disa ditë radhazi për vizitorët vendas dhe të huaj, si një mundësi e jashtëzakonshme për t’u angazhuar me artin dhe kulturën dhe do të qëndrojë i hapur për t’u vizituar deri në datën 14 maj. /ATSH /KultPlus.com

Nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës Finlandeze trajnohen nga finlandezët rreth teknikave të ndërmjetësimit

Nxënësit dhe mësimdhënësit janë duke u trajnuar nga trajneret finlandeze nga programi VERSO në Finlandë i cili ofron trajnim në qasje restorative, praktika restorative dhe ndërmjetësuese ndaj fëmijëve dhe profesionistëve të cilët punojnë me fëmijët në edukimin në fëmijërinë e hershme, shkolla, dhe institucione të tjera arsimore.

Shkolla Finlandeze është duke sjellur për herë të parë në rajon programin e teknikave të ndërmjetësimit tek nxënësit e saj. Programi i ndërmjetësimit është një qasje e cila edukon nxënësit në zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve mes nxënësve në nivel të nxënësve duke fituar aftësi esenciale në kuptimin e të drejtave të secilit qytetar në çfarëdo moshe dhe vende. Synimi i programit është të edukohen fëmijët të kuptojnë të drejtat e tyre si dhe të fitojnë aftësi sociale përmes ndërmjetësimit dhe të aftësohen dhe të bëhen ndërmjetësues në zgjidhjen e qështjeve brenda komunitetit mes nxënësve.

Nxënësit dhe mësimdhënësit janë duke u trajnuar nga trajnere finlandeze në fitimin e aftësive në zgjidhjen e konflikteve duke aplikuar teknikat më modern në ndërmjetësim.

Çfarë është një ndërmjetësues?

Ndërmjetësuesi është një person i cili menaxhon të zgjidh një konflikt apo mosmarrëveshje mes dy personave apo grupeve duke komunikuar në menyre efikase mes palëve deri në gjetjen e një zgjidhje e cila është më e mira për të gjithë. Praktikat restorative dhe ndërmjetësimi përdoren si alternativë dhe procese të “drejtësisë” të cilat janë të përshtatshme për fëmijët në çfarëdo niveli të shoqërisë. Ndërmjetësimi në shkollë vlerësohet si eksperiencë e mësimnxënies ku fëmijvt mësojnë jo vetëm të menaxhojnë konfliktet por poashtu të përdorin të drejtën e tyre për të marrur pjese ku dhe kanë hapësirën të shprehin mendimet e tyre. Qëllimi kryesor i ndërmjetësimit është që palët e pvrfshira në konflikt apo mosmarrëveshje të takohen në ambient të sigurtë ku dëgjohen mendimet e tyre dhe ku mund të ndikojnë në procesin e ndërmjetësimit dhe të arrijnë një zgjidhje.

Nxënësit tanë aktualisht janë duke u trajnuar nga trajnere finlandeze për t’u bërë ndërmjetësues dhe në të njëjtën kohë të mësojnë rreth empatisë, aftësive të komunikimit, shoqërore, si dhe të bëhen qytetarë aktiv, si të sillen në relacion me të tjerët, dhe si të zgjidhin konfliktet, në këtë menyre t’i fuqizojmë ata të jenë individë të pavarur brenda dhe jashtë komunitetit të shkollës. Kjo iu meson nxënësve që të mos shohin konfliktet si dicka që duhet të eliminohen tërësisht. Në vend të kësaj, konfliktet duhet të shihen si një eksperiencë e vlefshme e mësimit ku fëmijëve iu jepet mundësia të marrin pjese në konflikte dhe të ofrojnë zgjidhje të ndryshme.

Në këtë mënyrë, nxënësit tanë kanë mundësinë të komunikojnë në mënyrë të lirë me nxënësit ndërmjetësues rreth konflikteve të tyre dhe arrijnë një marrëveshje dhe zgjidhje. Nxënësit ndërmjetësues tregojnë shembull tek nxënësit e tjerë duke treguar aftësi të paanshmërisë gjatë diskutimeve me palë, Nxënësit kanë besim tek ta sepse mbajnë konfidencialitetin e sigurtë mes tyre, dhe në të njëjtën kohe ndihen të vlerësuar për shkak se vlerësohen të besueshëm nga të rriturit në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve. /KultPlus.com

Në Stokholm jehon kënga shqipe

Nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, sot në Stokholm u mbajt koncerti me këngë popullore shqiptare të aranzhuara për zë dhe piano nga pianistja e parë shqiptare:

Lola Aleksi Gjoka (1910 – 1985)

Koncerti u mbajt në Kishën e Shën Klarës – Sankta Klara Kyrka ku në trupën artistike muzikore udhëhequr nga Maestro Zhani Ciko performuan:

Mariana Leka – Soprano 

Erinda Agolli – Soprano 

Gerald Murrja – Tenor

Antonio Zefi – Bariton 

Rudina Ciko – Pianiste

Ermira Lefort – Pianiste

Feride Gillesberg – Soprano

Programin e hapi Ambasadorja e Kosovës, Shkëndije Geci Sherifi e cila falënderoi pjesëmarrësit e shumtë nga kori diplomatik, organizatat ndërkombëtare, publikun seudez dhe bashkatdhetarët nga te gjitha trojet shqiptare. Ajo foli edhe për personalitetin e Lola Gjokës duke thënë se ky koncert sjellë për publikun në Stokholm, këngët e bukura shqipe që flasin për bukuritë e trojeve tona, për dashurinë dhe mbi të gjitha për gruan shqiptare që është simbol i virtytit, i sakrificës, besës dhe përkushtimit. E tillë ishte edhe Lola Gjoka, “Artiste e Popullit” shtoi ajo, që nuk i la të shkojnë në harresë thesaret e çmueshme shqipe por i aranzhoi dhe i transkriptoi 51 këngë popullore, të cilat sot kemi mundësi me mburrje t’i prezantojmë para publikut europian duke promovuar kështu vlerat tona si njëri ndër popujt më të vjetër  të këtij kontinenti. Koncerti u përmbyll me një fjalë përshëndetëse edhe nga zv. Ambasadori i Shqipërisë, z. Albert Jerasi.

Falënderim dhe mirënjohjë e veçantë iu dedikua bashkatdhetarit dhe afaristit të njohur nga Kosova, z. Labinot Demaliaj që jeton dhe vepron në Stokholm për përkrahje në realizimin e këtij aktiviteti kulturor.

Në koncert ishin të pranishme edhe e bija dhe mbesa e pianistes Lola Gjoka, znj. Juki Maria Rako dhe Ina Pashaji. /KultPlus.com

DokuFesti me arritje madhështore, bëhet festival nominues për EFA

Akademia Evropiane e Filmit ka përzgjedhur DokuFest-in si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian dhe atë në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe po ashtu filmit dokumentar.

Procedura e përzgjedhjes dhe nominimit të filmit të shkurtër organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit dhe Produksionit te Akademisë Evropiane të Filmit në bashkëpunim me një sërë festivalesh filmi nëpër të gjithë Evropën.

Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur prezanton një nga filmat e shkurtër Evropianë në konkurrencë me një kandidaturë në kategorinë e filmave të shkurtër të Çmimeve të Filmit Evropian. Pasi të plotësohet lista e kandidatëve në shtator 2022, festivalet pjesëmarrëse do të nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë.

DokuFest gjithashtu do të nominojë një dokumentar Evropian te një varg nominimesh, nga ku një komision i anëtarëve të Akademisë dhe ekspertëve të dokumentarit të përzgjedhur nga Bordi i Akademisë do të zgjedhë 12 filma dokumentarë për Çmimin e filmit dokumentar evropian. Në fund të këtij procesi, anëtarët e Akademisë do të votojnë për fituesin.

Drejtori Artistik i DokuFest dhe po ashtu anëtar i Akademisë, Veton Nurkollari, ka thënë për KultPlus se ndjehen shumë të lumtur për këtë arritje.

“Pra, DokuFest do të jëtë festival nominues në dy kategori dhe këtë vit juria e filmit të shkurtër do të përzgjedh filmin i cili do të jetë nominimi zyrtar i festivalit. Poashtu do të nominohet një film dokumentar i gjatë”, ka thënë ai mes tjerash.

Krijimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e një grupi më të mirë të kineastëve të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të Çmimit Evropian të Filmit që u mbajt në nëntor të vitit 1988.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineastë, me synim që të zhvillojnë interesat e industrisë Evropiane të filmit.

Synimet e akademisë janë ndarja e njohurisë dhe edukimi i audiencës të të gjitha moshave për kinemanë evropiane.

Çdo vit, aktivitetet e ndryshme të Akademisë Evropiane të Filmit kulmojnë me ceremoninë e Çmimeve të Filmit Evropian, të cilat prezantohen së bashku me Produksionit te Akademisë Evropiane të Filmi. Në gjithsej 26 kategori – mes tyre Regjisori, Aktorja dhe Aktori i Filmit Evropian – nderojnë çdo vit arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane.

Çmimet për edicionin e 35-të Evropian të Filmit të këtij viti do të mbahet në Reikjavik më 10 dhjetor. Dorëzimet do të hapen në pranverë 2022 ndërsa afati i përgjithshëm i dorëzimit është 31 maj 2022. /KultPlus.com

‘Dua që në këtë çast të jem me ty, ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh’

Fragment nga letërkëmbimi mes Sadije dhe Dritëro Agollit në vitet 1964-1965:

Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty, e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija. / KultPlus.com

Dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja nderohet me titullin “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoron me titullin “Nderi i Kombit” dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja, një nga artistët dhe personalitetet më të shquar jo vetëm të Teatrit të Operas dhe Baletit. Ky vlerësim erdhi edhe në kuadër të 65 vjetorit të krijimit të TKOB.

Presidenti i Republikës ndër të tjera u shpreh:

“Dirigjenti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Maestro Ermir Krantja është një nga ikonat më të veçanta të skenës dhe muzikës shqiptare, i cili nuk ka nevojë për shumë prezantim. Prej dekadash ai ka fituar duartrokitjet e ngrohta dhe zemrat e artdashësve duke dhënë një ndihmesë të vyer për pasurimin e trashëgimisë tonë artistike dhe treguar me pasion e punë të palodhur se muzika është jo vetëm një gjuhë universale e njerëzimit, por edhe një urë lidhëse që afron popujt.

Në vlerësim të kontributit të shquar për ngritjen lart të vlerave të mirëfillta të artit dhe kulturës shqiptare, për zhvillimin e institucioneve muzikore në vend, si dhe për rolin e rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e kompozitorëve shqiptarë në botë, kisha sot kënaqësinë ta çmoja Maestro Ermir Krantjan me një nga dekoratat më të larta të shtetit shqiptar.

Trashëgimia e punës së tij është një shembull frymëzimi, që jam i bindur do të nxisë edhe brezat e ardhshëm, drejt rrugës së bukur të artit dhe muzikës.

Shumë suksese dhe krijimtari të re Maestro Krantjas!” / KultPlus.com

Rama: Shqipëria, 1 milion euro për Ukrainën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria do të kontribuojë me 1 milion euro për Ukrainën.

Në fjalën e tij në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë, Poloni, Rama tha se “e di se kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit, por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe u jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë të saj”.

“Ne do të bëjmë më të mirën që mundemi për t’iu përmbajtur detyrimit që kemi ndaj miqve tanë ukrainas dhe popullit të Ukrainës. Ne synojmë atë që duan të gjithë këtu, fundin e kësaj lufte dhe paqe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria është vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje ne jemi bashkëpenëmbajtës me SHBA-në për Ukrainën. Dhe në koordinim edhe me vendet e tjera që mendojnë njësoj si ne, po japim kontributin tonë duke iniciuar mbledhje dhe hartuar dokumente lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë për Ukrainën”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, në planin bilateral, ne kemi qenë mes të parëve që kemi dhënë kontributin tonë me municione për ushtrinë ukrainase.

“Ndërkohë, ne kemi miratuar të gjithë kornizën ligjore që lejon çdo qytetar ukrainas të vijë në vendin tonë për një periudhë kohë aq sa është e nevojshme, apo dëshiron”, tha Kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, ku është pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkorganizuar nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, në partneritet me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta./ atsh / KultPlus.com

RrGK organizon ekspozitën “Dhuna nuk fshehet  mrena mureve” 

 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, më 06 maj nga ora 10:00-16:00 te Sahat Kulla në Malishevë do të organizojë hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.

Kjo ekspozitë, sipas RrGK-së, ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.”, u bë e ditur në komunikatën e RrGK-së.

Kjo ekspozitë do të përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women #EVAW dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA)./KultPlus.com

Fillon testi PISA, rezultatet në dhjetor 2023

Rreth 7 mijë nxënës, nga sot e deri më 20 maj, i nënshtrohen Testit Pisa. E rezultatet përfundimtare pritet të dalin në dhjetor të vitit 2023. Testi i sivjetmë ishte paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë.

Dy nxënëset e shkollës se mesme te mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, Adea Jashari e Emira Ejupi janë në mesin e shumë nxënësve të përzgjedhur për testin PISA. Ndonëse thonë se janë të përgatitura mjaft mirë, ato thanë se është sfidues një test i tillë, por që presin rezultate të mira.

“Normalisht është pak sfidues për çka ne si nxënës të Republikës së Kosovës presim që gjithmonë e më shumë ta ngrehim shtetin tonë në nivele sa më të larta dhe ndenje si përgjegjësi tonën që me ngrit shtetin tonë”, thotë Emira Ejupi, nxënëse në SHMM “Ali Sokoli”.

Edhe Adea Jashari, nxënëse në SHMM “Ali Sokoli”, thotë se janë të informuar për testin PISA.

“Na kanë njoftuar profesoresha e teknologjisë edhe na ka tregu paraprakisht edhe do testet potenciale, që na e kemi përgatitë dhe kemi ushtruar në shkollën tonë. Presim rezultate të mira”, thotë ajo për RTK-në.

Edhe koordinatorët e përcaktuar për mbarëvajtjen e Testit Pisa, theksojnë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për testimin e nesërm i cili do të jetë online.

“Për me pas një rezultat më të lartë, nxënësit janë informuar në mënyra të ndryshme nga ana ime, përmes platformës, kemi organizuar teste potenciale të cilët na i kanë dërguar koodinatorit, janë përgatit nxënësit se si do të jetë mënyra e testimit me qenë se testi do të jetë online dhe kanë me qenë para kompjuterit”, thotë Natyra Berisha, Koordinatore e Testit Pisa në SHMM “Ali Sokoli”.

Rreth shtatë mijë nxënës të moshës 15 vjeç do t’i nënshtrohen testit pisa. Ministria e Arsimit thotë se për këtë test, janë përzgjedhur 237 shkolla në nivel vendi.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit shprehin vështirësitë që mund të këtë ky vlerësim, marrë parasysh dy vitet e pandemisë .

“Dy vite të pandemisë ka pasur çrregullime të jashtëzakonshme në gjithë sistemin e arsimit. Mos pjesëmarrja fizike e nxënësve ka bërë të vetën po ashtu mësimi online deri diku nuk ka arritur të përmbush pritshmërit e gjithë mësimdhënësve, drejtorëve te shkollave po edhe vet ministrisë. Megjithatë, këtu testohen nxënës që kanë punuar për arritjet e tyre gjatë 9 viteve të shkollimit”, thotë Ilirana Pylla, Këshilltare për media në MASHT.

Nxënësit do të testohen në fushën e Leximit, matematikës dhe shkencave. Nxënësit në fillim do ta plotësojnë testin që është i ndarë në dy pjesë, dy herë nga 60 minuta dhe në fund një pyetësor që zgjat rreth 35 minuta. /RTKlive / KultPlus.com

Më 22 maj do të përurohet busti i Nënës Terezë në Itali

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të njohura shqiptare, veprat e së cilës lanë gjurmë të pashlyeshme për mbarë kombin duke e bërë atë të njohur në tërë botën.

Figurën e saj paqësore të padiskutueshme e tregojnë edhe bustet e saj të cilat tashmë janë ngritur në shumë vende të ndryshme të botës.

Si shenjë falënderimi për jetën dhe veprën e saj, kësaj here më 22 maj në orën 10:00, busti i saj do të përurohet në Itali. Këtë e ka bërë të ditur shoqata kulturore e komunitetit shqiptar ‘Aquila’ në Itali në bashkëpunim me komunën Dafro Boario Terme, e cila i fton të gjithë në përurimin e bustit.

Sherif Nuredini, presidenti i shoqatës, tregon gjithashtu se pas ceremonisë së përurimit, për të pranishmit do të shtrohet ushqim dhe se ata do të jenë të shoqëruar nën muzikën e Elhame Ahmetaj dhe grupit Sajmo. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com