U krye nga nazistët gjermanë më 6 korrik 1943, në fshatin Borovë të Kolonjës, si kundërpërgjigje ndaj rezistencës që populli dhe forcat partizane i bënë një divizioni gjerman që hyri në tokën shqiptare nga Greqia. Është masakra e parë dhe më e madhe që nazistët gjermanë kryen ndaj popullsisë civile në Shqipëri në vitet e Luftës II Botërore.
Ata rrafshuan fshatin Borovë dhe vranë 107 veta, ndër të cilët gra, fëmijë deri 16 vjeç, pleq e plaka dhe njerëz të tjerë të pambrojtur.
Masakra e Borovës ngjalli një urrejtje dhe revoltë në mbarë popullin shqiptar. Borova u bë simbol i sakrificës së popullit shqiptar në Luftën II Botërore. / KultPlus.com
E fundit verë e fëminisë la mbi pluhnin e rrugicës nji botë vizatue shtrembët me shkop dhe nji pantofël hedhun kuturu mbi hatlla… Trumnajat shtegtare klithën marrisht mandej ndoqën symbyllun fatin si tana dashnitë e virgjëna që u paluen në sepetin e gjyshes diku nën degërminë e saj të bardhë. Atë verë iu rrëfeva ditarit. Kësisoj për djemtë me gjunjë të coptuem përdora iniciale që kujtesa mënon me m’i çkodue, kurse nën minder msheha kukllën e pecave, trill i fantazisë t’burgosun prej televizorit Iliria me nji antenë asimetrike mbi pullaz si shenja mbi vetullën e vëllait. Veç vathët me pe të kuq përshkue prej zjermit të nji gjylpane cigane m’i kthejnë jehona e asaj vere të largët…/ KultPlus.com
Sot, përkujtojmë vdekjen e Margarita Tutulanit (1924-1943), Heroinë e Popullit.
Veprimtare e lëvizjes komuniste, pjesëmarrëse e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Margarita Tutulani lindi në Berat.
Ishte nxënëse në Institutin Femnor të Tiranës, përqafoi idetë komuniste dhe u përfshi në lëvizjen kundër monarkisë (1938).
Mori pjesë në demonstratat antifashiste në Tiranë. Propagandiste e ideve komuniste e antifashiste në qytetin e Beratit. Anëtare e PKSH më 1942, anëtare e Komitetit Qarkor të PKSH për Beratin (1943), punoi për organizimin e grave dhe të rejave në luftë për çlirimin e vendit. U arrestua bashkë me të vëllain e Kristaq Tutulanin, anëtar i PKSH; u torturuan disa ditë në burgun e Beratit dhe u vranë barbarisht nga fashistët më 6 korrik 1943, në Gosë të Kavajës. / KultPlus.com
Sot, përkujtojmë vdekjen e Margarita Tutulanit (1924-1943), Heroinë e Popullit.
Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë. Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.
Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar, raporton Gazeta Express.
Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.
“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.
Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.
Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.
“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express. / KultPlus.com
Honored to welcome the delegation of @europanostra at Dečani #Monastery today. Protection of the shared #heritage in Europe is essenttial for the future of our continent. By visiting different sites of all traditions EN will emphasize the need of protection of heritage in #Kosovopic.twitter.com/eZRk5LT8wY
— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) July 5, 2022
Ka vdekur, në moshën 91-vjeçare, aktorja Mona Hammond, ish-ylli i “EastEnders”.
Hammond ishte më e njohur për rolin e saj në “Blossom Jackson” nga 1994 deri në 1997, duke ripërsëritur shkurtimisht rolin e saj në vitin 2010.
Një zëdhënëse e “EastEnders” tha se ata ishin “thellësisht të pikëlluar” për lajmin.
“Mona krijoi një gjyshe jo të pakuptimtë në Blossom Jackson, e cila u adhurua nga publiku dhe të gjithë ata që punuan me të”.
Hammond gjithashtu themeloi kompaninë novatore të Teatrit “Talawa” në Croydon në vitin 1986, për të ndihmuar në adresimin e “mungesës së mundësive krijuese për aktorët me ngjyrë dhe margjinalizimin e popujve me ngjyrë nga proceset kulturore”.
Bafta tha se ishin “të pikëlluar” për lajmin e vdekjes së “aktores së parë që luajti një sërë rolesh të paharrueshme në televizionin britanik”./KultPlus.com
World Kiss Day (Dita Botërore e Puthjes), festë e lindur në Britaninë e Madhe në vitin 1990 dhe e përhapur kudo në botë. Kjo ditë i kushtohet emocioneve dhe ndjenjave.
Jo vetëm puthje mes të dashurve, por edhe mes miqsh dhe të afërmish. Veçse duhet të jenë të vërtetë. Ekzistojnë mendime dhe teori të ndryshme rreth funksioneve të puthjes dhe lidhjes së saj me sferën motive dhe sociale të njeriut, por aktualisht ekspertët e filematologisë (shkencës që merret me studimin e puthjes), këmbëngulin se kjo lidhet me nevojën për të kërkuar partner me sistem imunitar të ndryshëm nga yni. E thënë me terma evolutiv, të favorizojmë rregullimin gjenetik dhe shtojmë probabilitetin e mbijetesës së pasardhësve.
Nëpërmjet puthjes një femër dhe një mashkull shkëmbejnë një sërë mikrobesh (rreth 300) dhe informacione të përputhshmërisë gjenetike. Puthja lejon të digjen 12 kalori, kështu që mund të përdoret dhe si mënyrë për tu dobësuar. Në të njëjtën kohë fal puthjes stimulohen shumë muskuj, duke u bërë një stërvitje e shëndetshme për organizmin. / KultPlus.com
Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse, ndërsa tash është koha e duhur për t’i bërë llogaritë.
Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.
“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.
Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.
Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.
Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.
Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe.
Ndërkohë, Shqipëria përfundoi e 18-ta në “Oran 2022” pasi i fitoi 4 medalje, prej tyre 2 të arit, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë. /Gazeta Express/KultPlus.com
Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.
Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.
U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.
Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.
Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.
Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.
Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.
Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. /konica/ KultPlus.com
Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.
Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:
“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.
Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.
Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.
Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”./KultPlus.com
Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu as me vëmendje por as me shpërqëndrim, gjurmë të lehta, rigim i hollë, ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha dita është akoma e gjallë nata ende s’ka lindur trajta të mjegulluara në kthesën pas qoshes trajtat e kohës në lakimin e heshtjes, dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë me të pesta shqisat zgjuar, po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh, ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë: që jemi dhe që janë, ditët dhe vitet, ky moment kohë e papeshë dhimbje që rëndon, më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu, asfalti i lagur shkëlqen, avulli ngrihet dhe ikën larg, nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë, ti je ti dhe trupi yt prej avulli, ti dhe fytyra jote e natës ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim, gjurmë uji përballë syve të mi, degjomë, siç dëgjohet shiu, asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën në mjegull, përhumbur në natën, në këtë natën që flen në shtratin tënd, është dallga që fryhet në frymën tënde gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin, gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh dëgjomë, siç dëgjohet shiu vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër? nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti dëgjoi gjurmët e kohës krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë nata ështe tani e errët natë varri, shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve, një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit hija jote mbulon këtë faqe libri.
Një seminar 3-ditor trajnimi është duke u organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me ndihmën e Fondacionit “Antonio Gramshi” (Fondazione Gramsci di Puglia), si pjesë e projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Puglias dhe Shqipërisë”.
Projekti është financuar nga Rajoni i Puljes, me qëllim forcimin e aftësive teknike në fushën e restaurimit, digjitalizimit, vlerësimit të trashëgimisë historike filmike, si dhe përfshirjen e publikut si pjesë aktive e saj.
Seminari me temë “Nga formati analog, te ai digjital – Kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur”, nisi sot dhe do të vazhdojë edhe në datat 6 e 7 korrik, në mjediset e AQSHF.
Fondacioni Gramsci di Puglia, rifilloi veprimtarinë e tij në Shqipëri, pas 3 vjet ndërprerjeje, për shak të pandemisë së COVID-19.
Punën e tij, fondacioni, do ta nisë me këtë seminar trajnimi në fushën e restaurimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kinematografike, për të vazhduar me tej me punë të tjera. Trajnuesi i këtij projekti të konsideruar si i pari i të tjerëve që do pasojnë, është Marco Lena, kërkues shkencor në Archives Audiovisuelle Senegal, ku ka ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë lokale. / KultPlus.com
Pamjet satelitore të bëra më 13 dhe 24 maj tregojnë se numri i pajisjeve ushtarake në repartin ushtarak është ulur ndjeshëm.
Ata regjistrojnë, në veçanti, heqjen e tankeve dhe traktorëve MT-LB – në total deri në njëqind njësi, si dhe, me sa duket, instalimet e artilerisë vetëlëvizëse “Gvozdyk”.
Sipas përllogaritjeve të ekspertit ushtarak Marko Eklund, nga reparti ushtarak në Alakurt së bashku me pajisjet mund të largoheshin deri në 800 ushtarakë.
Ai supozon se Rusia vendosi t’i transferojë ato në Ukrainë për të marrë pjesë në luftë.
Eklund e konsideron të pamundur versionin që ushtria u tërhoq nga Alakurtti për të kryer stërvitje, pasi ato fillojnë çdo gjashtë muaj dhe duhet të përfundojnë pikërisht në kohën e pranve rës.
Kujtojmë se Finlanda së bashku me Suedinë kanë dorëzuar kërkesën për anëtarësim në NATO në maj.
Më 5 korrik, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet për anëtarësimin e shteteve në Aleancë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pret që procesi i ratifikimit të zgjasë “me muaj”. / KultPlus.com
Balerini shqiptar me famë botërore, Eno Peçi do të jetë nesër në sheshin “Skënderbej”, për të sjellë valsin e famshëm vjenez, në kuadër të aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Aktiviteti “Vals me të rinjtë”, që do të zhvillohet në datën 6 korrik, organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Ambasadën e Austrisë në Tiranë.
“Valsi që kemi përgatitur me 5 balerinë të tjerë shqiptarë, nuk do jetë ai valsi profesional, por do jetë paksa më i thjeshtë, më i lëvizshëm, vals pak më i thyer, më i përditësuar. E rëndësishme është atmosfera dhe të bëhemi bashkë”, u shpreh balerini Eno Peçi.
Ndërkohë, drejtoresha e Rinisë, në bashkinë e Tiranës, Aspasjana Kongo theksoi se përzgjedhja e kësaj rryme ishte se valsi arrin të përçojë një mesazh shumë të mirë për të rinjtë.
“Mendoj se ka një lidhje mes të rinjve dhe balerinit. Kur ai ka qenë imazhi i Koncertit të Vjenës, shumë të rinj kanë folur për atë performancë. Kështu që ne menduam që ekziston një lidhje, por kjo erdhi në fakt edhe si propozim nga Ambasada austriake, kështu që thjesht u bënë dy gjëra bashkë”, tha zonja Kongo, duke ftuar të gjithë të rinjtë, për një leksion të hapur valsi, nesër, në orën 20:00./atsh/ KultPlus.com
Kulla e Sheremetit në qytetin e Pejës shpëton nga rrënimi dhe degradimi i tërësishëm.
Në këtë aset të trashëgimisë sonë kulturore që ngërthen në vete plot histori, po vazhdojnë ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, ndërsa punimet kanë kaluar në fazën e dytë.
Kompleksi si ndërtim i takon gjysmës së dytë të shek. XIX-të.
“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri Hajrulla Çeku në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Vijon të jetë e rënduar prej më shumë se 24 orësh situata e zjarreve në Athinë dhe rrethinat e saj.
Mësohet se flakët, të ndihmuara dhe nga era, janë përhapur me shpejtësi dhe kanë djegur një sipërfaqe të madhe me pyje e shkurre dhe madje dhe një shtëpi.
Më e rënduar situata raportohet të jetë në Mytikas, Porto Germenos dhe Alepohor, ku janë evakkuar qindra banorë, shkruan a2news.
Më shumë se 130 zjarrfikës po luftojnë me flakët, ndërkohë që për të ndihmuar në fikjen e tyre janë angazhuar dhe 7 helikopterë. / KultPlus.com
Kulla e famshme franceze Eiffel është e mbushur me ndryshk dhe ka nevojë për riparime të plota, por në vend të kësaj po i jepet një bojë kozmetike prej 60 milionë eurosh përpara Lojërave Olimpike 2024 në Paris, sipas raporteve konfidenciale të cituara nga revista franceze “Marianne”, njoftoi CNN.
Kulla prej hekuri, e lartë 324 metra, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në fund të shekullit XIX, është ndër vendet turistike më të vizituara në botë, duke mirëpritur rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit.
Megjithatë, raportet konfidenciale nga ekspertët e cituar nga “Marianne” sugjerojnë se monumenti është në një gjendje të keqe dhe i mbushur me ndryshk.
“Është e thjeshtë, nëse Gustave Eiffel do të vizitonte vendin, ai do të pësonte një atak në zemër”, i tha revistës “Marianne” një menaxher i paidentifikuar.
Kompania që mbikëqyr kullën, “Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk mund të kontaktohej menjëherë për komente.
Kulla aktualisht po i nënshtrohet një rilyerjeje që kushton 60 milionë euro në përgatitje të Olimpiadës 2024, hera e njëzetë që ajo rilyhet.
SETE heziton të mbyllë kullën për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave turistike që do të humbasin. / KultPlus.com
Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur dhe shtrati i djersitur ngjan me një re, me duart që të dridhen me sytë e një fëmije papritur më pyet, “a ka të tjerë si ne”?
Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet hëna plasaritet, nuk fryn më as erë me muskuj të tendosur në pritje të një britme sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!
Të dua, të dua, të dua – unë kaq di të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti.
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim ne botën nuk e njohim, parajsën e dimë akrepat po lëvizin, toka rrotullohet hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…
Të dua, të dua, të dua dhe ti e di sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.
Dhe ndiej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”
Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet hëna plasaritet, nuk fryn më as erë me muskuj të tendosur, në pritje të një britme sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”? / KultPlus.com
Ka plotë vite që nga krijimi dhe ende vazhdon të dëgjohet me shumë kënaqësi nga adhuruesit e saj dhe të këngëtarit që ka sjellë “Kuturu”, Aleksandër Gjoka.
“Kuturu” është kënga me të cilën Aleksandër Gjoka mori pjesë në ‘Kënga Magjike 2003’, në nëntor të atij viti.
Krijuesi i hitit “Kuturu”, vazhdon të sjellë emocion me këngët e tij të pavdekshme, ndërsa sot ne po e sjellim “Kuturu” bashkë me tekst për lexuesit e KultPlus.
KUTURU
Eci rrugëve kot, kuturù, dhe s’di ku shkoj… Xurxull jam prapë unë… se ajo, një bohem nuk e do. Sa të desha, shpirt, s’mund ta dish. Të vodhën ty pabesisht, me pije mbys dhimbjen pa fund. Sa e lumtur je, unë s’e di, me atë që jeton. Mund ta blejë ai për ty dhe botën, vetëm zemrën, jo! Mbeti shkretë tani streha jonë, në luks je ngrirë… në kyç, trishton, si në muze… si një Xhokondë. Ref. Unë në jetë i pasur s’jam vërtet, por në ëndërr e shoh veten mbret (!) Nëpër pub-e tok me miqtë harxhoj, unë Hënën si monedhë. Ti po fle tani, Xhokonda ime, shiu si det mbi mua zbrazet, as rrufetë s’më vrasin dot, se ka një Zot…! Eci rrugëve kot, mori fund, ky fati im – kuturù. Ty s’të kam tani dhe në shi, pija po më shkund. Se në dashuri, kur të dhemb, jo dehja s’del dhe aq lehtë. Të desha, Xhokondë, ty… një bohemë….! / KultPlus.com
Milan Kundera është një shkrimtar çek që shkoi në mërgim në Francë në 1975, duke u bërë një shtetas francez i natyralizuar në vitin 1981.
Kunderas iu hoq shtetësia çekosllovake në vitin 1979; ai mori nënshtetësinë çeke në vitin 2019. Ai “e sheh veten si një shkrimtar francez dhe këmbëngul se vepra e tij duhet të studiohet si letërsi franceze dhe të klasifikohet si e tillë në libraritë”.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura nga librat dhe punimet e shkrimtarit:
Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.
Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.
Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.
Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.
Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.
Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.
Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.
Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.
Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.
E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”
Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.
Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.
Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.
Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.
E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.
Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.
Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.
Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.
Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.
Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.
Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.
Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.
Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.
Të qeshësh është të jetosh thellë.
Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.
Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.
Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.
Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.
Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.
Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.
Lumturia është dëshira për përsëritje.
Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.
Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.
Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.
Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.
Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.
Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.
Nuk kam asnjë mision. Askush nuk ka. / KultPlus.com
Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.
Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.
Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.
KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit. Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.
Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani. /KultPlus.com
Nga më të lartat në Tokë, pemët e kuqe të Kalifornisë, deri tek pyjet më të mëdha tropikale të planetit në Amazonë, pyjet madhështore mund të duken sikur janë të përjetshme. Por ashtu si çdo specie apo ekosistem, edhe ato e kanë një datëlindje.
Në fakt, megjithëse bimët mbërritën për herë të parë në Tokë rreth 470 milion vjet më parë, pemët dhe pyjet nuk u shfaqën deri gati 390 milion vjet më parë. Gjatë këtij intervali, jeta e bimëve evoluoi ngadalë, nga pararendësit gjenetikë të nevojshëm për të prodhuar pemët, të cilat më pas ia kalonin bimëve të tjera, thotë Kris Berri, paleobotanist në Universitetin e Kardifit në Britaninë e Madhe.
Në vitin 2019, Berri dhe kolegët raportuan për pyllin më të vjetër të regjistruar në një studim të botuar në revistën “Current Biology’. Ky pyll, i zbuluar në Kajro, një zonë në rrethinat eNju Jorkut, zbuloi se tiparet karakteristike të pemëve dhe pyjeve – pra druri, rrënjët dhe gjethet mes një popullate prej dhjetëra bimësh – u shfaqën “shumë më herët se sa dyshohej më parë”:në periudhën e hershme Devoniane, 385 milionë vite më parë.
Kajro ruante sisteme rrënjësh të fosilizuara të pemëve të lashta, duke përcaktuar se ku do të ishin shfaqur në fillim ato. “Ne nuk shohim fosilet e pemëve, por kemi një hartë të saktë se ku qëndronin ato pemë. Pra ajo që mësojmë është ekologjia e pyllit”– thoi ai.
Sipas një raporti, ajo “hartë” përmban Arkeopteris, një bimë e lashtë që kishte “rrënjë të mëdha dhe degë me gjethe”, tamam si pemët e sotme. Më herët, gjetja më e hershme e njohur e Arkeopterëve, e kishte përcaktuar shfaqjen e pemëve 20 milionë vjet më vonë.
Zhvillimi i këtyre pyjeve të hershme, varej nga evolucioni i pararendësve për përcaktimin e tipareve të pemëve. “Unë mendoj se shkaktari është evolucionar, pra zhvillimi i anatomive që lejojnë degëzime më komplekse”- thotë Berri. Ndërtime të tilla anatomike, u shfaqën pasi bimët kishin evoluar në “paketën e mjeteve gjenetike për të qenë në gjendje të ndërtonin”struktura të ngjashme.
Për shembull sistemet e hershme të degëzimit, u zhvilluan pak para Devonianit, në periudhën Siluriane (443.8 milion–419.2 milion vjet më parë), ndërsa rrënjët e para mbërritën në Devonianin e hershëm. Më pas tiparet e pemës ofruan avantazhe të mëdha, sidomos aftësinë për t’u ngritur mbi konkurrentet dhe për të thithur rrezet e diellit.
Megjithatë, disa ndryshime mjedisore mund të kenë bërë të mundur të paktën një veçori të rëndësishme të pemës. Megafilat, gjethet që janë sot të zakonshme dhe që karakterizohen nga damarët e degëzuar, mund të rriten shumë më tepër se paraardhësit e tyre, duke thithur kështu më shumë rrezet e diellit.
Ato u shfaqën për herë të parë rreth 390 milion vjet më parë, por e nisën si bimë të vogla dhe u përhapën vetëm 30 milion vjet më vonë, në fund të epokës Devoniane, sipas një studimi të vitit 2001 të botuar në revistën “Nature”. Kjo vonesë ndodhi sepse nivelet e larta të dioksidittë karbonit (CO2) e bënë Tokën shumë të nxehtë për ekzistencën e gjetheve të mëdha megafile.
Ato do t’i thithin shumë rrezet e diellit dhe do të mbinxeheshin. Por rënia e niveleve të CO2 gjatë epokës Devoniane, solli një përfitim të dyfishtë për megafilat:Reduktimet e këtij gazi serrë ftohën e planetin, ndërsa megafilat e mëdha mund të futeshin në më shumë pore të quajtura stomata, për të marrë nivele më të larta të CO2. Gjethe të tilla, ndihmuan më pas nëçuarjen përpara të revolucionit të pyjeve./bota.al/ KultPlus.com
Një mbrëmje e veçantë, nën tingujt e muzikës folklorike të jugut, argëtoi publikun e mbledhur në sheshin e qytetit të Leskovikut. Eventi, me pjesëmarrjen e muzikologut e studiuesit amerikan Christopher King, ishte organizuar nga bashkia Kolonjë, me mbështetjen e nënprefektit të Kolonjës, Sergei Peshtani.
Mbrëmja gala, me temë “Vajtimet e Epirit”, i solli gjallëri qytetit dhe u mirëprit nga të pranishmit. Muzikologu amerikan King, një fitues i “Grammy Award”, prezantoi pjesë të repertorit të Sazeve të Leskovikut, të regjistruara në pllaka gramafoni, të cilat datojnë nga viti 1928 deri më 1964, pllaka të prodhuara nga studiot dhe shtëpitë diskografike të kohës në: New York, Athinë, Stamboll dhe Vjenë.
Sipas Christopher King ky repertor është një nga kryeveprat e muzikës folklorike botërore.
Në nder të muzikës popullore folklorike të jugut të Shqipërisë, në këtë mbrëmje luajtën muzikën e tyre grupi i Sazeve të Leskovikut me përfaqësuesit e saj të mirënjohur Hafize e Selim Leskoviku dhe Ajdin e Vangjel Leskoviku. Në event morën pjesë shumë studiues e muzikologë të huaj e vendas, përfaqësues të pushtetit qëndror e lokal, si dhe turistë të huaj. /atsh/ KultPlus.com
Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.
Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman, Kamal, Romeo Blanco, Ledri Vula, Emir Taha, Yll Limani, J Blavin dhe Dhurata Dora janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.
Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Lumi B dhe Labi Ramaj, janë artistët e radhës që do të jenë pjesë e këtij festivali./ KultPlus.com