Emra të mëdhenj do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Tirana përballë një panorame të mrekullueshme te Liqeni Artificial i Tiranës, ku skena dhe çdo detaj tjetër tashmë është gati të mirëpresë edicionin e parë të këtij eventi muzikor në Shqipëri.
Po cilët janë artistët dhe kur do të ngjiten ata në festivalin e Dua Lipës, i cili do të zgjasë 3 mbrëmje radhazi?
Ekipi i Tirana Sunny Hill Festival ka publikuar programin ditor të festivalit që do të shtrihet përgjatë fundjavës, duke nisur nga e premtja e shtuna dhe për t’u përmbyllur të dielën.
Action Bronson, reperi i famshëm italin Fedez, Tananai por dhe artistë shqiptarë si Dren Abazi e Dafina Zeqiri do të jenë të parët që do të nisin festivalin. / KultPlus.com
Është ndarë nga jeta sot pasdite në Tiranë, shkrimtari Nasho Jorgaqi.
Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier. Ai ishte shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues shqiptar nga më të njohurit, doktor i shkencave, “Mjeshtër i Madh i Punës”.
La pas një sërë botimesh letrare, skenarësh filmash, përkthimesh dhe botimesh shkencore.
Nga krijimtaria e tij e gjerë përmendim veprat: Dashuria e Mimozës, Ëndrra dhe plagë, Tomka, Antologji e mendimit estetik shqiptar, Udhëtim me Fan Nolin, Larg dhe afër, Mërgata e qyqeve, Estetika e fjalës shqipe, Portrete dhe gjurmime.
Po ashtu mësohet se ditën e nesërme, në nder të Jorgaqit do të mbahen homazhe nga ora 12:00 deri në 14:00, në Akademinë e Shkencave. / KultPlus.com
Fotografi legjendar i Luftës së Vietnamit, shkrimtari dhe dokumentuesi, Tim Page, vdiq të mërkurën në moshën 78 vjeçare në shtëpinë e tij në Australi.
Fotografi autodidakt, i lindur në Britani, vdiq nga kanceri në mëlçi.
Tim Page u plagos katër herë si reporter lufte që mbulonte konfliktet në Vietnam, Laos dhe Kamboxhia gjatë viteve 1960 dhe 1970.
Ai shquhej për personalitetin e tij ekstravagant si dhe talentin dhe angazhimin e tij si fotograf. Ai frymëzoi fotoreporterin e varur nga droga të luajtur nga Dennis Hopper në filmin e vitit 1979 për Luftën e Vietnamit, të drejtuar nga Francis Coppola, fitues i Oscarit, “Apocalypse Now”.
Page dokumentoi kulturën e drogës që nga vitet 1960 në Indokinë dhe Shtetet e Bashkuara./ KultPlus.com
I njohim për talentin kinematografik, apo mjeshtërinë e penës, por shpesh pasioni për muzikën, madje edhe kompozimi mbeten të panjohur. Fridrih Niçe, Klint Istvud, Çarli Çaplin janë kompozitorët që fshihen pas emrave të mëdhenj të kulturës.
I përshëndetur gjithë jetën si mësues i famshëm kimie, Aleksandër Borodin ëndërronte veçse një gjë: të kompozojë. Madje, u kërkonte miqve të mos i thoshin më: “Uroj të jesh mirë”, por përkundrazi: “Uroj të jesh sëmurë”, që të qëndronte në shtëpi dhe të kompozonte muzikën që dëgjonte në kokë. Mirëpo, Borodini nuk është i vetmi që kompozoi në kohën e lirë. Aktorë, shkrimtarë, janë të shumë emrat e artistëve dhe intelektualëve që fshehin talentet muzikore.
Kështu kompozonte Niçe
Filozofi dhe filologu gjerman, Fridrih Niçe iu bashkua panteonit të intelektualëve për veprat, si “Perëndimi i idhujve”,“Shkenca e gëzuar” dhe “Kështu foli Zarathustra”, veçse shkrimtari i famshëm fsheh po ashtu talentin muzikor, që e ka ushtruar që në moshën 9-vjeçare. I dhënë pas pianos, ai kompozoi rregullisht pjesë të vogla, prej të cilave edhe fantazi dhe mazurka. Në vitin 1872 kompozoi “Manfred-Meditation” për piano me katër duar, të cilën ia dorëzoi dirigjentit Hans von Bulow. Ky i fundit i dha një opinion aspak lajkatar: “Meditimi juaj, nga pikëpamja muzikore, nuk ka tjetër vlerë, veç atij të një krimi në rendin moral”. Disi i dekurajuar, Niçe i ofroi shumë nga kompozimet e tij Cosimas dhe Riçard Vagnerit, gjithnjë admirues i madh i këtij të fundit. Pavarësisht nga vlerësimi dhe respekti midis Niçes dhe Vagnerit, thuhet se Riçardi nuk arriti t’i dëgjonte plotësisht pjesët, pasi e kapi gazi teksa filloi t’i dëgjojë. Pa u ndikuar nga opinionet e Bulow dhe Vagnerit, muzika e Niçes mund të dëgjohet nga gjithkush, për kënaqësinë e atyre që kërkojnë një surprizë të këndshme…
Çarli Çaplin, diktatori, kompozitori
Mustaqet dhe shkopi njihen menjëherë në mbarë botën, por kush do ta njihte Çarli Çaplinin nga muzika e tij? Megjithatë, prej vitit 1931, ai është përgjegjës për çdo kolonë zanore të filmave të tij, madje kompozoi edhe muzikën e filmave të vjetër pa zë. I kujdesshëm ndaj futjes së zërit në kinema, ai specifikon në autobiografi: “një nga avantazhet me ardhjen e tingullit ishte se unë mund ta kontrolloja muzikën, pra e kompozova vetë”. Muzikant autodidakt që adoleshent, mësoi violonçelin dhe violinën me dorën e majtë (instrument kyç në punën kinematografike të Çaplinit). I aftë të luante në instrument, por i paaftë të lexonte partitura, madje nuk shkruante dot qoftë edhe një kompozim. Si rrjedhojë, ishte aranzhuesi ai që diktonte me saktësi temat dhe tingujt e imagjinuar prej tij. Në të gjallë, Çaplini do takohej me shumë titanë të muzikës, si Debysi, Rahmaninof, Kazal, Karruzo, Stravinski dhe Shoenberg. Ky i fundit admironte humorin e Çaplinit, por shton se muzika ka cilësi shumë të dobët!
Antoni Burges, muzikë portokalli
Nga pena e Antoni Burges lindi një nga romanet më domethënës të shekullit të 20-të, “Portokalli mekanik”, historia e një krimineli të dhunshëm i pasionuar pas muzikës klasike, veçanërisht muzikës së Ludvig van Bethovenit. Mirëpo, nëse Antoni Burges nuk ndan cilësitë e dhunshme të personazhit të tij imagjinar, ai ndan katërcipërisht pasionin muzikor. Muzikant autodidakt, ai kompozoi pjesë të shumta klasike, përfshi simfoni, koncerte dhe kantata, por edhe muzikë dhome dhe pjesë solo. Kaq i apasionuar ishte pas muzikës, saqë në 1991 shkroi në “The Economist”:“Do të doja që njerëzit të më shihnin si një muzikant që shkruan libra, sesa një shkrimtar që shkruan muzikë në kohën e tij të lirë”. Mjerisht, suksesi i veprës letrare të Antoni Burges e tejkalon reputacionin e kompozimit, ndaj emri i tij lidhet me letërsinë, pavarësisht ëndrrës.
Klint Istvud, i miri, i egri dhe kompozitori
I njohim fare mirë kolonat zanore të Enio Morikones, që shoqëron “Njeriu pa emër” nga Klint Istvud. Por dimë fare pak për muzikën e kompozuar nga ky i fundit për filmat e tij, përfshi “Mystic River”, “Million Dollar Baby”, “Flags of Our Fathers”, “Grace Is Gone”, “Changeling”, “Hereafter”, “J. Edgar” dhe “In the Line of Fire”. Njëlloj si Çaplini, Istvudi kompozoi me ndihmën e një aranzhuesi për të hedhur në fletë secilën prej pjesëve origjinale të kompozuara për filmat e vet.
Antoni Hopkins, muzika e qengjave
Bëhet fjalë për një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. “Unë doja të bëhesha kompozitor, por u bëra aktor si parazgjedhje. Më ofruan një bursë për t’u regjistruar në një kolegj muzike dhe drame, me shpresën se do zgjidhja muzikën. Por, përfundimisht e gjeta veten student teatri, kësisoj e ndoqa këtë rrugë për 60 vjet”, – shprehet aktori.
Mirëpo, kjo nuk e pengoi legjendën e kinematografisë të përmbushte dëshirën për të kompozuar përgjatë rrugëtimit të karrierës së tij. Madje, ai shkroi kolonat zanore për projektet e tij kinematografike, përfshi filmat “August” (1996) dhe “Slipstream” (2007). Për këtë të fundit, Hopkins nuk do të jetë vetëm kompozitori i kolonës zanore, por edhe orkestruesi, madje edhe dirigjenti. Në vitin 2011, Hopkins synoi të luante për herë të parë valsin e tij: “And The Waltz Goes On”, i kompozuar në 1964, nga Andre Rieu dhe orkestra e tij. Një vit më vonë, botoi një përmbledhje të kompozimeve, titulluar “Kompozoj”. Pas gati 7 dekadash, i themi lamtumirë aktorit Antoni Hopkins dhe i urojmë mirëseardhjen kompozitorit eponim! /Konica.al / KultPlus.com
Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, i ka bërë thirrje Vladimir Putinit t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe ndikimit të saj të tmerrshëm tek civilët, shkruan The Guardian.
Bachelet foli për gjashtë muajt që kur lideri rus urdhëroi futjen e trupave të tij në Ukrainë gjatë një fjalimi që shënonte fundin e mandatit të saj si komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut.
“Gjashtë muajt e fundit kanë qenë “muaj të tmerrshëm për popullin e Ukrainës, 6.8 milionë prej të cilëve u është dashur të largohen nga vendi i tyre”, tha ajo. Miliona të tjerë ishin zhvendosur brenda vendit”, shtoi ajo./abcnews.al/ KultPlus.com
Dhjetë filma nga nëntë shtete të ndryshme nga mbarë globi, me një diversitet të mrekullueshëm në stil, do të garojnë këtë vit në PriFest. Disa nga këta filma kanë pasur shumë suksese në festivale të rëndësishme, disa nga ta nisin rrugëtimin e tyre në PriFest. Të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë, ndërsa dy janë premiera Evropiane dhe një Regjonale.
Lista e plotë garuese e programit të filmave të shkurtë:
1. TITAN nga Valery Carnoy, Francë/Belgjikë, 18 min
Premierë Kosovare;
2. NORTH POLE nga Marija Apcevska, Maqedoni e Veriut/Serbi, 15 min
Premierë Kosovare;
3. TO VANCOUVER nga Artemis Anastasiadou, Greqi, 24 min
Premierë Kosovare;
4. SAFE nga Ian Barling, USA, 16 min
Premierë Kosovare;
5. HAIR TIE, EGG, HOMEWORK BOOKS nga Runxiao Luo, Kinë, 15 min
Premierë Kosovare;
6. RED DAY/DITË E KUQE nga Besim Ugzmajli, Kosovë, 15 min
Premierë Kosovare;
7. MOTHER/NANË nga Val Jashari, Kosovë, 20 min
Premierë Europiane;
8. VUJA DE nga Viktor Ivanov, Francë, 7 min
Premierë Europiane;
9. CEMILE nga Belkıs Bayrak, Turqi, 11 min
Premierë Regjionale;
10. THE TABLE OF GRAVE/SOFRA E VARRIT nga Mirak Zymberaj, Kosovë, 15 min
Premierë Kosovare.
Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.
Në 25 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, Qeveria e Republikës së Kosovës organizon “Ditët e Nënë Terezës” me aktivitete të shumta kulturore dhe përkujtimore.
“Ditët e Nënë Terezës” fillojnë me datë 26 gusht me një akademi solemne të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, ndërsa mbarojnë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës me datën 5 shtator.
Shën Nënë Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, ndërsa me veprën e saj la gjurmë në gjithë botën. Ajo u nderua me çmimin Nobel për Paqe.
Mbrëmjen e 1 shtatorit, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, do të nisë sezonin e ri artistik. Drejtorja e institucionit artistik, Abigeila Voshtina, në një postim në rrjetet sociale ftoi artdashësit të bëhen pjesë e koncertit “Reinissance of a Barbarian of Artists”.
Salla e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor do të elektrizohet nga ndërthurja e simfonisë e cila korri sukses në Leningrad, atë të Schostakoviçit dhe koncertit të mirënjohur të Rachmaninoffit.
Dirigjent do të jetë i mirënjohuri Jacopo Sipari di Pescasseroli ndërsa protagonist është pianisti me famë ndërkombëtare, Giuseppe Albanese.
Në sezonin e ri artistik TKOBAP do të drejtohet nga Abigeila Voshtina e cila u emërua në postin e drejtores së Përgjithshme, në fillim të muajit korrik. Voshtina premton një sezon me kalendar artistik të ngjeshur, duke zhvilluar fushat artistike dhe krijuar më shumë politika novatore për artdashësit./ atsh/ KultPlus.com
Këto dhjetë rregulla, Friedrich Nietzschei parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:
1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;
2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;
3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;
4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;
5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;
6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;
7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;
8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;
9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;
10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore./KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme është njoftuar se Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka, ka thënë se me këtë vendim po avancohen të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate kulminante.
Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria Shqiptare duhet që patjetër të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trajnerët.
Postimi i plotë:
“Kampionet Olimpike do jenë me vendim të qeverisë Shqiptare bartëse të titullit të Nderit- Kolonel të Ushtrisë Shqiptare,të kuptohem Grada Nderi dhe poashtu do kenë paga Mujore! Kryeministri Shqiptar Edi Rama me këtë vendim po avancon të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate Kulminante! Luiza Gega dhe Briken Calja poashtu do mbajnë gradën e nderit Kolonel. Praktika e Shtetit Shqiptar është praktikë në pothuajse çdo shtet Evropian! Praktikë që jemi duke e diskutuar me Ministrin Çeku të filloj edhe në Kosovë.Patjetër që duhet kritere të veçanta e jo ndryshe! Por që është praktikë e mirë sdiskutohet aspak. Qeveria Shqiptare patjetër duhet të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trenerët! Prapë me kritere të veçanta.Spo flas për veten time aspak! Nga Shteti Shqiptar do doja vetëm Pasaportën Shqiptare sepse e kam për zemër!Krenar me Sportistët tanë Shqiptar kudo që janë Shqipëri e Kosovë …Pa komente politike ju lutem”, thuhet në postimin e Driton Kukës. /KultPlus.com
Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910, nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane l. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos”, që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi si infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.
Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).
Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.
Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe selakim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën. U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi jetë më 5 shtator 1997.
Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza bazore jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997). Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: feja, shpresa dhe dashuria.
FEJA – KËRKIM
Faza e pare 18 vjeçare karakterizohet me kërkime. Gonxhja së pari në gjirinë e saj familjar gjithnjë kërkonte prej prindërve babës Kolë dhe nënës Drane, kuptimin e jetës dhe domethënien e veprimit. Më vonë këtë kërkim e kishte vazhduar edhe në bashkësinë famullitare të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, së bashku me rininë katolike, por edhe me të gjithë të tjerët. Kërkonte në brendi dhe në thellësi pse-hin e shumëçkahit, nuk ndalej vetëm në vrojtime dhe konstatime, por gjithnjë hulumtonte, gjurmonte, analizonte…
Ja dëshmia e saj: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’u dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur… Në fillim nuk më pëlqente fare ky mendim,“tundim”. Disa herë kam menduar se isha liruar nga kjo dëshirë… Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ndihmoi shumë për ta arritur një vendim të tillë”.
Pas afro gjashtë viteve të “luftës” me Zotin, ajo kupton, pranon, përcaktohet për jetën rregulltare. Ajo thoshte: “Më 14 gusht të vitit 1928 u gjunjëzova para trupores së Zonjës së Letnicës me qiri në dorë dhe me zemër të dhezur duke u lutur kështu: Më munde o Zot, fitove o Zonjë! Unë kam vendosur që të bëhem motër misionare për t’iu kushtuar Zotit dhe të afërmit, sidomos të varfërve të botës”.
Dhe kjo fe, ky kërkim nuk u ndërpre më askurrë. Kërkonte vullnetin e Zotit, Zotin, nëpërmjet njeriut, dhe në njeriun vëlla – motër – Zotin, bile edhe në ata që s’kishin më as dukje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga varfëria, uria, sëmundja, dëbimi, gërbula… Gjithnjë kërkonte dhe gjithnjë gjente Zotin në çdo njeri, dhe mu për këtë ishte aq e lumtur, më e lumtura në botë “sepse 24 orë në ditë jetonte dhe vepronte me Zotin, për Zotin, me njeriun, për njeriun”.
Kërkimi i saj vazhdoi gjatë tërë jetës, në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrë dhe rrethanë jetësore, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu – njerëzimi mos të pësojë, por të jetojë, mos të urrejë, por të dashurojë, mos të vdesë, por të jetojë tani dhe në amshim. Syri, mendja dhe zemrae saj e madhe ishin gjithnjë në kërkim në nder dhe lavdi të Zotit, në të mire dhe në dobi të njeriut, të popullit.
Për Nënën Tereze të besosh domethënë të kërkosh.
SHPRESA – VEPRIM
Faza e dytë jetësore e Nënës Tereze karakterizohej me veprim sipas stilit dhe porosisë së Jezu Krishtit i cili thotë: S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shëbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës. Motra Tereze e Loretos shpresën e konkretizoi në veprim shërbimi. Së pari si infermiere, më vonë si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme të Motrave të Loretos në Kalkutë dhe në rrethinë, gjithnjë me shumë përkushti dhe me plot dashuri. Së shpejti bëhet Histori e kërkimit të pashoq dhe të veprimit shembullor në dobi të vëllaut njeri, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare, rasore, kastore… Për afro 20 vite e mësonte rininë e Kalkutës, i edukonte me fjalë, mësime, shembull, jetë gjithnjë e udhëhequr nga fuqia e fesë dhe nga frymëzimi i dashurisë. Mirëpo as kjo nuk e kënaqte. Të gjithë e donin dhe e nderonin, e admironin, mrekulloheshin me jetën dhe veprimtarinë e saj, ndërsa ajo gjithnjë kërkonte, vepronte dhe e pyste vetveten para Zotit dhe para ndërgjegjjes: Kush jam unë? Çka kërkon dhe prêt Zoti prej meje? Çka duhet të bëj unë këtu dhe tani për këta njerëz, për mbarë Kalkutën, Indinë, për mbarë njerëzimin?
Dhe ja prapë dëshmia e saj: “Si fluturon koha këtu. Kur ndalem dhe mendoj për thirrjen time misionare, mund të them vetëm një FALËNDERIM të madh e të përzemërt, Ty o Zot, që më ke dashur aq shumë dhe që më ke dhënë mundësinë e dashurisë së përkujdesjes ndaj të tjerëve” (Nga letra vëllaut Lazër në viti 1937).
DASHURIA – FLIJIM DHE DHURIM
Nga kjo fe – kërkim – shqetësim kreativ, nga ky veprim – shërbim që ishte shpresa e saj e madhe dhe e pathyeshme, lindi edhe faza e tretë: NËNA TERZE – MISIONARE E DASHURISË, dhurimi dhe flijimi si shprehje e vazhdueshme dhe e plotë e Dashurisë. Kërkimi (feja), veprimi (shpresa) dhe dhurimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprim – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.
“Vetëm duke dhënë njeriu merr;
Vetëm duke harruar vetveten, njeriu e gjen veten;
Vetëm duke falur njeriu është i falur;
Vetëm duke dashuruar njeriu gjen jetën dhe lumturinë”.
Dhe vazhdon:
“Më bëj të denjë, o Zoti im
t’u shërbej të gjithë të varfërve të mbarë botës
të cilët jetojnë dhe vdesin në uri dhe në varfëri.
Jepju atyre nëpër duart tona bukën e përditshme
nëpër dashurinë tonë paqen dhe gëzimin”.
Së bashku me Nënën tone Tereze edhe ne do të besojmë në Zotin dhe në Njeriun, do ta kërkojmë njeriun vëlla ose motër, për t’u takuar, afruar, vëllazëruar dhe bashkuar në shërbim të të Mirës, të të Drejtës, të Vërtetës, mbi të gjitha të Dashurisë. Nëna Tereze me ZOTIN – DASHURI dhe me VËLLAUN – NJERI bëri vërtet mrekullii si binom i pandashëm i jetës dhe veprimit të saj të madh në të gjitha meridianet e botës. Risia e vjetër dhe gjithnjë e re është feja, shpresa dhe dashuria, që për Nënën Tereze ishin kërkimi, veprimi dhe dhurimi, e vetmja mundësi dhe fuqi për ta ndërruar dhe përmirësuar së pari veten, pastaj edhe të tjerët. Plagët tona të vjetra apo të reja ende gjakojnë dhe si të tilla na kërcnojnë dhe rrezikojnë.
T’i çelim sytë për të parë më mire, më qartë, më thellë dhe më larg, ta angazhojmë mendjen për të kuptuar më mirë dhe më rrënjësisht vetveten dhe botën rreth nesh, ta zgjojmë dhe zgjerojmë ndërgjegjjen dhe zemrën për kërkim, veprim dhe dhurim, për bashkpunim dhe bashkëjetesë dhe vëllazëri me të gjithë. Nëse nuk i mundim ndarjet dhe përqarjet e çfarëdo lloji, atëherë ne ende nuk jemi të lirë, aq më pak të mirë, por të robëruar nga e keqja. Ta flakim urrejtjen dhe ta mësojmë dhe zbatojmë artin e jetës – dashurisë, sepse vetëm kështu ne do të jemi bijtë dhe bijat e denja të Nënës së Dashurisë, dhe ajo do të jetë dhe do të mbetet Nëna jonë Tereze, së shpejti Shën Terezja jonë. Kështu ajo na mëson dhe na frymëzon, këtë ajo na dhuron. Me të të gjithë t’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, dmth. së pari Zotit, pastaj njëri – tjetrit, sepse vetëm vëlazërisht dhe bashkarisht mund të jetojmë dhe përparojmë duke u mbështetur në të vërtetën dhe në dashurinë.
Këtë ia kemi borxh Nënës Tereze, vetvetes, të tashmes dhe ardhmërisë sonë./drita.info / KultPlus.com
Qeveria gjermane ka miratuar një sërë masash për kursimin e energjisë për dimër, të cilat do të kufizojnë përdorimin e ndriçimit dhe ngrohjes në ndërtesat publike, shkruan BBC.
Qeveria synon të ulë përdorimin e gazit me 2% nëpërmjet rregullave të reja, transmeton KultPlus
Ministri i Ekonomisë në Gjermani tha se nga rregullat e reja mund të kursejnë familjet private, kompanitë dhe sektorin publik rreth 10.8 miliardë euro gjatë dy viteve.
Është pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë e vendit nga gazi rus.
Para se Rusia të pushtonte Ukrainën, Gjermania merrte 55% të gazit të saj nga Rusia, por ajo e ka ulur këtë në 35% dhe është zotuar të përfundojë plotësisht importet.
Megjithatë, ai mbetet një treg i madh për Moskën dhe ka paguar pothuajse 9 miliardë euro (7,7 miliardë £; 9,6 miliardë dollarë) për naftën dhe gazin rus në dy muajt e parë të luftës.
Në fillim të këtij muaji, ministrja zvicerane e energjisë Simonetta Sommaruga tha se do të përpiqet të miratojë një plan për të refuzuar ngrohjen në ndërtesat publike. /KultPlus.com
“Hardh Fest 2022” fton të gjitha vajzat të interesuara nga komuna e Rahovecit dhe qytetet tjera të Kosovës për të aplikuar për “Mbretëreshën e Rrushit 2022”, shkruan KultPlus.
Ata kanë njoftuar për këtë në rrjete sociale, ku u tha se të interesuarat duhet të paraqiten tek Arbnora Sokoli.
“Nën përkujdesjen e profesoreshës Arbnora Sokoli, pjesëmarrëset në konkurs do të fillojnë pregatitjet koreografike dhe të defilimit”, shkruhet në postimin e tyre.
“Hardh Fest” do të mbahet në datat 2, 3 dhe 4 shtator, derisa është konfirmuar një numër i konsiderueshëm i performuesëve. /KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko (1958-2002) hapi sot një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.
Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e tij duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, për të vijuar më tej me veprat: “Fjala fishkëllen” (1987); romani “Loja” (1990); “Zemra nuk është këmishë” (1990); “Lajmëtarja e vdekjeve” (1991); “Pretenca” (1994); “Made in Albania” (1998); “Keko: poezi” (2005); përmbledhje me tregime “Amaneti: tregimet e fundit” (2008); “Curriculum vitae: tregime të zgjedhura” (2008); “Kryqëzim: poezi të zgjedhura” (2008); “Si breshka në shpinë mbaj një varr: tregime, poezi, roman, dramë, shënime, vëzhgime, opinione, intervista…” (2012); “Shënimet e një gruaje” (2014).
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. / KultPlus.com
“Mbretëresha” e Evropës, Luiza Gega, pas nderimeve dhe ceremonisë shtetërore që iu bë në kryeministri, ka marrë një tjetër vlerësim shumë të lartë. Qyteti i sajë i lindjes, Bulqiza, ka shpallur atleten “Qytetar Nderi”, një titull dhe një vlerësim shumë i lartë.
Me konsensus të plotë dhe me një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Bashkiak i Bulqizës i ka dhënë Luiza Gegës këtë titull. Ndërkohë ceremonia e dorëzimit do të bëhet ditën e hënë.
Luiza Gega u shpallet kampione Evropë në Mynih, në garën e 3000 mijë metrave me pengesa. Gega vendos rekord në këtë kampionat ndërsa i dhurojë Shqipërisë medaljen e parë në atletikë. / BalkanWeb / KultPlus.com
Regjisori Zgjim Terziqi njofton se ka fituar 2 çmime në Forumin MakeCoProDox për filmin e ardhshëm dokumentar “The 50th and a 1/2 State”, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, Terziqi shprehet shumë i lumtur për këtë arritje.
Postimi i plotë:
“Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se fituam 2 çmime në Forumin MakeCoProDox për filmin tonë të ardhshëm dokumentar “The 50th and a 1/2 State”, thuhet në postimin e tij.
Në regji të këtij filmi është edhe Valmira Hyseni. /KultPlus.com
Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha të mërkurën se Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të falë nga 10.000 dollarë hua për miliona ish-studentë universitarë, duke mbajtur një premtim që bëri në fushatën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
Gjithashtu presidenti i SHBA-së tha se huamarrësit me të ardhura të ulëta që shkuan në kolegj me grantet ‘Pell’ do të përfitojnë deri në 20.000 dollarë falje të kredisë studentore.
Ky lehtësim i borxhit do t’u japë dhjetëra miliona huamarrësve pak frymëmarrje në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara.
Kjo lëvizje mund të rrisë mbështetjen për demokratët e partisë së tij në zgjedhjet e Kongresit të nëntorit, por disa ekonomistë thonë se mund të nxisë inflacionin dhe disa republikanë në Kongres ngritën pikëpyetje nëse presidenti kishte autoritet ligjor për të anuluar borxhin.
Kjo masë është “për familjet që kanë më shumë nevojë për to – punëtorët dhe njerëzit e klasës së mesme që u goditën veçanërisht rëndë gjatë pandemisë”, tha Biden në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Ai u zotua se asnjë familje me të ardhura të larta nuk do të përfitonte, duke iu përgjigjur kështu njërës prej kritikave kryesore ndaj planit.
Shumë demokratë kishin kërkuar që zoti Biden të falte deri në 50.000 dollarë për çdo huamarrës. Republikanët e kundërshtuan faljen e kredive studentore, duke e quajtur atë të padrejtë sepse do të ndihmojë në mënyrë disproporcionale njerëzit që fitojnë të ardhura më të larta.
“Socializmi i huasë studentore të Presidentit Biden është një shuplakë për çdo familje që sakrifikoi duke kursyer për universitetin, çdo të diplomuar që pagoi borxhin e tij dhe çdo amerikan që zgjodhi një rrugë të caktuar karriere ose shërbeu në Forcat tona të Armatosura për të shmangur marrjen e borxhit,” tha të mërkurën udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.
Konsumatorët amerikanë kanë një borxh prej 1.75 trilion dollarësh në kredi studentore, rezultat i kostos së lartë të shkollimit universitar, shumë më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të pasura. Zoti Biden tha se vendet e tjera mund t’ia kalojnë Shteteve të Bashkuara ekonomikisht nëse studentëve nuk u ofrohet lehtësim ekonomik./REL/ KultPlus.com
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po zhvillon edicionin e 40-të.
Në punimet e këtij seminari data 25 gusht i kushtohet arbëreshëve me pjesëmarrjen e drejtores ekzekutive të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastratit dhe disa prej studiuesve të qendrës, të cilët do të paraqesin kumtesa dhe referime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe.
Edicioni i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare hapi punimet më 15 gusht dhe do të zhvillohet deri më datë 26. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (dikur Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.
Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Më 15 gusht u bë hapja e punimeve të seminarit ku ishin të pranishëm: Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë; Shkumbin Munishi, Drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, etj. Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe.
“Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen.
Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”, tha ajo. Ndërsa bashkëdrejtorja e seminarit Dhurata Shehri, ndër të tjera theksoi se këtë seminar e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve. /KultPlus.com
Kosova dhe Serbia nuk kanë alternativë tjetër veç arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, tha kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se “ka ardhur koha” për ta bërë këtë gjatë mandatit të tij në detyrë gjatë një interviste për median e huaj “Bloomberg”, përcjell KultPlus.
Mosmarrëveshja, e lindur nga lufta e viteve 1998-1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia pothuajse një dekadë më vonë – vazhdon të pengojë përpjekjet për integrimin e dy vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian, ndërsa nxit tensione që rrezikojnë të kthehen në një konflikt të ri.
Kurti, i cili fitoi gjysmën e të gjitha votave në zgjedhjet e Kosovës vitin e kaluar, tha se është gati për një marrëveshje për t’i afruar të dyja vendet më pranë ëndrrës së tyre të përbashkët për anëtarësim në BE, e cila këmbëngul se mund të ndodhë vetëm pasi të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.
“Ne duhet të kemi një marrëveshje — dhe është koha e duhur që ajo të ndodhë gjatë mandatit të qeverisë sonë,” tha ai në një intervistë të mërkurën në zyrën e tij në Prishtinë. “Unë shoh mundësinë. Këtë vjeshtë do të zbulojmë nëse do të shkojmë atje. Kjo vjeshtë është mjaft vendimtare për të parë nëse duhet të jemi optimistë”.
Komentet e Kurtit tregojnë potencialin për një moment të ri pas vitesh bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja, qënuk arritën të prodhonin një përparim në një nga enigmat më të vështira gjeopolitike të Evropës. Pikat kryesore të pengesave janë refuzimi i Serbisë për të njohur sovranitetin e fqinjit të saj dhe kërkesat e saj që Kosova t’i japë autonomi përafërsisht 100,000 serbëve etnikë që jetojnë atje.
Ndërsa Kurti nuk zbuloi detaje se çfarë mund të përfshijë një marrëveshje përfundimtare, të dyja palët duhet të përpunojnë gjithashtu çështje që variojnë nga marrëdhëniet dypalëshe, bazuar në trajtimin e ankesave të së kaluarës të lidhura me viktimat e luftës, personat e zhvendosur dhe pretendimet për dëmet e luftës.
Kurti tha se ai pa potencial për një marrëveshje nën administratën të udhëhequra nga presidenti amerikan Joe Biden, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Megjithatë, ai tha se shqetësimi i tij më i madh është se Vuçiç ende nuk e kishte distancuar veten sa duhet nga e kaluara e tij kur shërbeu si ministër i informacionit ndaj të fortit të ndjerë Slobodan Millosheviç në vitet 1990.
Vuçiq ka refuzuar gjithashtu ndërprerjen e lidhjeve të tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, një aleat në përpjekjet e Beogradit për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Pavarësisht presionit intensiv nga vendet perëndimore, administrata e Vuçiqit ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
“Kjo është vërtet shqetësuese”, tha Kurti.
Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën muajin e kaluar pasi Kurti nxiti një kërkesë që serbët që jetojnë në Kosovë të kenë dokumente të lëshuara nga Prishtina në vend të kartave të identitetit dhe targave të makinave të lëshuara nga Beogradi. Me serbët vendas që bllokuan rrugët në protesta dhe pas presionit nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, Prishtina e shtyu vendimin e saj me një muaj, pra, deri më 1 shtator.
Kurti tha se nuk do të shtyjë më, duke shtuar se pret që 1 shtatori “të jetë një ditë e qetë dhe e zakonshme”.
Nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it prej 3,800 trupash të NATO-s do t’i japin fund, tha ai.
Kosova gjithashtu është përballur me ndërprerjet e energjisë elektrike që nga mesi i gushtit. Ato pritet të përfundojnë javën e ardhshme, por mund të kthehen sapo të mbyllet dimri.
Vendi ndonjëherë është i varur nga energjia elektrike e importuar gjithnjë e më e shtrenjtë, duke paraqitur vështirësi për buxhetin dhe një nga popullsitë më të varfra të Evropës. Kjo mund të kërkojë ndihmë financiare nga BE dhe SHBA nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten, tha Kurti.
“Ne mund të përballemi me ndërprerje të energjisë,” tha ai. /KultPlus.com
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se në rast se do të ketë greva në sektorin publik, atëherë çdo grevisti do t’i ndalet paga çoftë edhe për një orë grevë.
Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, i cili tha se kjo po bëhet duke respektuar nenin 18, pikën 1.
“Kemi garantuar të drejtën e grevës por që kemi njoftuar që duhet zbatuar edhe dispozita ligjore që kërkon pezullimin e kontratës së punës. Neni 18, paragrafi 1 është i qartë. Neni 18, pika 1: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, thuhet në përgjigjen e Spahiut, njofton Klankosova.tv.
Në lidhje me këtë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se situata mund të përkeqësohet nëse veprohet në këtë mënyrë. / KultPlus.com
Pjetër Raboshta, fotografi shkodran numëron në fondin i tij të ruajtur në muze mbi 16.000 poza të shkrepura në film.
“Në vitin 1970, Pjetër Rraboshta i dhuroi shtetit arkivin e tij prej 16.196 imazhesh të realizuara në film”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përgjatë gjithë muajit gusht ka zgjedhur të postojë foto të mjeshtrave shqiptarë, në kuadër të “Muajit të Fotografisë”.
Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër, më 1917-ën. Mbasi kreu gjimnazin në Shkodër, shkoi si nxënës në studion e fotografit Kel Marubi. Rreth moshës 20 vjeç shkoi ushtar në Gjirokastër ku ushtroi profesionin e fotografit. Mbas mbarimit të shërbimit ushtarak rikthehet pranë Dritëshkrojës “Marubi” si nxënës bashkë me djalin e Kelit, Gegën.
Falë aftësive të tij, mjeshtri e aktivizon si ndihmës deri në vitet 1940. Rreth viteve 1942-1943 hap studion e tij “Foto Rraboshta” në rrugën kryesore të qytetit. Ishte një studio e plotë me mjedisin e fotografimit dhe laboratorin e larjes së filmave dhe të fotografive. Krahas punës në studio, fotografon edhe në lulishten e qytetit, ndjek aktivitetet fetare, tregtare, sportive, manifestimet politike e të tjera.
Mbas Çlirimit ka punuar shumë edhe si fotograf i dokumenteve të letërnjoftimeve. Njerëzit e quanin “Rraboshta i fëmijëve” pasi filloi të fotografonte kryesisht fëmijë. Në filmat e tij të ruajtur në arkivën Marubi gjenden shumë fotografi të fëmijëve në çaste të ndryshme si dhe në ditën e krezmimit. Ishte fotografi që solli një imazh ndryshe nga Marubët, më realist, e herë herë dramatik.
Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private hyri në repartin e fotografëve pranë Ndërmarrjes së Riparim-Shërbimeve. Në vitet `70 dorëzoi arkivin e vet fotografik (filma e foto të formateve të ndryshme). Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 16.000 poza të shkrepura në film. / atsh / KultPlus.com
Nga sot në kinematë të Cineplexx në Prishtinë dhe në Prizren do të fillojnë të shfaqen 4 premiera të ndryshme botërore.
Për të gjithë do të ketë zgjedhje të ndryshme prej të cilave mund t’i përzgjedhin sipas preferencave të zhanreve të filmave si romancë, aksion, horror dhe animacion për fëmijë.
Këta janë katër filmat që do të fillojnë të shfaqen nga sot:
Beast
Aksion/Triller
Filmi e gjen Dr. Nate Daniels (Idris Elba) në një udhëtim me dy vajzat e tij adoleshente në Afrikën e Jugut të menaxhuar nga një mik i vjetër i familjes dhe biolog i kafshëve të egra. Megjithatë, ajo që fillon si një udhëtim relaksues shpejt kthehet në një luftë të frikshme për mbijetesë kur një luan, një i mbijetuar i gjuetarëve të etur për gjak, fillon t’i ndjekë ata.
Bazuar në romanin e njohur, vjen pjesa e katërt e serisë së filmave After. Teksa shfaqet një e vërtetë tronditëse për familjet e çiftit, dy të dashuruarit zbulojnë se nuk janë aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Tessa nuk është më vajza e ëmbël, e thjeshtë dhe e mirë që ishte kur takoi Hardin-in – më shumë se ai që ishte djali mizor dhe me temperamente me të cilin ajo u dashurua.
Pas vdekjes së nënës së saj dhe pa pasur të afërm të tjerë të njohur, Evie bën një test të ADN-së dhe zbulon një kushërirë të humbur që kurrë nuk e dinte se e kishte. E ftuar nga kushëriri i saj i sapo gjetur në një dasmë luksoze në fshat, ajo joshet nga mikpritja e një aristokrati. Megjithatë, ajo shumë shpejt futet në një makth mbijetese në këtë dasmë.
Tad lëshon aksidentalisht një magji të lashtë që rrezikon jetën e miqve të tij: Mamit, Jeff dhe Belzoni. Me të gjithë kundër tij dhe i ndihmuar vetëm nga Sara, ai niset në një aventurë, për t’i dhënë fund mallkimit të mumjës.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com
Lagjja “Mangalem”, në qytetin e “një mbi një dritareve”, po i nënshtrohet një restaurimi të plotë për të tërhequr vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj në të gjitha stinët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të punimeve që po kryhen në këtë lagje.
“Duart e arta të ustallarëve po qëndisin Mangalemin e Beratit, ku kryetari i Bashkisë në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po sjellin ngado ndryshime të bukura”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.
Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë.
Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një dritareve”./ atsh / KultPlus.com