Mbrëmë në ambientet e Kino Armatës është shfaqur filmi i suksesshëm nga Kosova “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, shkruan KultPlus.
Për ta parë nga afër këtë film ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ky i fundit reagoi në rrjete sociale, duke thënë se kinematografia e Kosovës po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
“Mbrëmë kisha kënaqësinë që së bashku me Kryeministrin z.Albin Kurti dhe Shefin e stafit z.Ilir Kërçeli të kaloj ca çaste të këndshme artistike me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.
Kinematografia jonë po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.
“Luaneshat e Kodrës” ishte filmi i parë kosovar i cili u shfaq në Festivalin e Kanës. Në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors.
Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme, e cila shpresoj që nuk do t’iu mungojë”, thuhet në postimin e Konjufcës. /KultPlus.com
Hoteleria ofron një mundësi të jashtëzakonshme për ulje të konsumit, nëse veprohet me hapa konkret dhe të vazhdueshëm drejt ruajtjes të energjisë.
Disa nga këta hapa janë: – Në përputhje me rrethanat, shmangni ndriçimin elektrik dhe përdorni atë natyral – Sipas mundësisë shmangni ndriçimin dekorativ dhe përdorni vetëm ndriçimin e nevojshëm për hapësirën tuaj – Përdorimi i gazit për gatim ulë dukshëm konsumin e energjisë elektrike. Nëse nuk përdorni gazin per gatim, atëherë mundohuni që furrën ta hapni sa më pak gjatë pjekjes – Ulni temperaturën e termostatit të bojlerit për disa gradë. Kjo do të zvogëlojë dukshëm konsumin dhe nuk do të vërehen ndryshime të mëdha gjatë përdorimit – Sipas mundësisë instaloni drita LED në të gjithë hotelin, sepse ato përdorin shumë më pak energji sesa llambat tradicionale inkandeshente dhe zgjasin më gjatë – Nëse keni mundësi instaloni sensor te lëvizjes për të ndezur dhe fikur dritat në hapësirat që nuk janë në përdorim të vazhdueshëm (p.sh korridore, tualete) – Fikni dritat ne salla të cilat nuk frekuentohen shumë nga njerëzit – Kondicioneri mund të harxhojë shumë energji në ditët kur temperatura është mesatare. Fikni atë, kur nuk është i nevojshëm – Si masë afatgjate mund të jetë: instalimi i sistemeve diellore për ngrohjen e ujit. /KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën një minutë heshtje për Mbretëreshën e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta e Dytë, e cila vdiq në moshën 96-vjeçare.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se “është e nevojshme” kjo, pasi tha se ajo ishte “mike e madhe dhe e fuqishme” e Kosovës dhe kombit shqiptar.
“Të nderuar deputetë, para se të kalojmë në pjesën tjetër, të gjithë u pikëlluam nga ndërrimi jetë i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Konsideroj se është e nevojshme që ta nderojmë këtë mike të madhe e të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar me një minutë heshtje”, tha Konjufca. / KultPlus.com
Sot, përkujtojmë 110-vjetorin e lindjes së Sabiha Kasimatit (1912-1951). Biologe, punonjëse shkencore. Lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova.
Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936). Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoratën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945).
Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë. Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi.
Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951. / KultPlus.com
Nga sot ka dalë në konsultim publik Projektligji për pagat për sektorin publik, ku të gjitha palët do të kenë mundësi të japin mendimet e tyre për 15 ditë pune, shkruan KultPlus.
Pas publikimit të plotë të dokumentit, Kryeministria ka nxjerrë edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punonjësit e shtetit, që sipas tyre propozohet të jetë paga.
Presidenti i vendit ka koeficientin më të lartë, pra 18, i ndjekur nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pas Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës me 17.
Kryetari i kryeqytetit propozohet të ketë koeficientin e pagës 15 dhe më poshtë kryetarët e bashkive të tjera.
Në gjyqësor kryeson kryetari i Gjykatës Supreme me koeficient 17. E njëjta gjë pritet të jetë edhe për kryeprokurorin e shtetit.
Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Në fund, mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Projektligji për Paga ai për Zyrtarët Publikë nga e enjtja do të jenë në konsultim publik, të hapur për 15 ditë. /KultPlus.com
SHBA-ja njoftoi dje se do të ofrojë 756 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare për popullin sirian.
“Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara njoftoi dje ndihmën amerikane gjatë një konference politiko-humanitare të Sirisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, sipas një deklarate të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ndihma prej 756 milionë dollarësh do të jetë përveç 808 milionë dollarëve të shpallur nga Thomas-Greenfield në fillim të vitit.
“Uashingtoni ka ofruar një ndihmë humanitare gati 15.7 miliardë dollarë që nga fillimi i konfliktit në Siri”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).
Luftë civile në Siri, ka më shumë se 11 vjet që është ndezur, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra banorëve. Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka rivendosur kontrollin mbi rreth tre të katërtat e vendit, megjithëse kushtet e jetesës për pjesën më të madhe të popullsisë vazhdojnë të jenë të vështira.
“Mbi 12 milionë sirianë janë zhvendosur që nga viti 2011, më shumë se 7 milionë prej tyre brenda Sirisë”, sipas OKB-së.
Siria prej muajsh po vuan nga një krizë e rëndë ekonomike, e cila ka çuar në rritje të çmimeve dhe pengesa në furnizimin me ushqime dhe benzinë./atsh/ KultPlus.com
WASHINGTON, DC – JUNE 08: U.S. Ambassador to the United Nations Linda Thomas-Greenfield testifies before the House Appropriations Subcommittee on State, Foreign Operations, and Related Programs in the Rayburn House Office Building on Capitol Hill on June 08, 2022 in Washington, DC. Ambassador Thomas-Greenfield testified about the State Department’s FY2023 budget request for operations at the United Nations. (Photo by Chip Somodevilla/Getty Images)
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është përfshirë në një aksident me makinë, përcjell KultPlus.
Një makinë pasagjerësh u përplas me automjetin presidencial dhe shoqërimin e tij në kryeqytetin Kiev, tha Sergii Nykyforov (zëdhënësi i Zelenskyt) në një deklaratë të shkurtër.
“Presidenti u ekzaminua nga një mjek, nuk u konstatuan lëndime serioze”, tha ai.
Drejtuesi i makinës që u përplas me autokolonë ka marrë mjekim në vendngjarje dhe është larguar me autoambulancë.
Nykyforov tha se të gjitha rrethanat e aksidentit të trafikut po hetoheshin nga oficerët e zbatimit të ligjit. Ai nuk dha detaje të tjera.
Kjo vjen pasi Presidenti Zelensky, 44 vjeç, vizitoi të mërkurën qytetin e rimarrë të Izyum, një qendër kryesore logjistike në Ukrainën verilindore.
Ai falënderoi trupat që morën pjesë në një kundërsulm të shpejtë kundër pushtuesve rusë dhe mbikëqyri një ceremoni të ngritjes së flamurit
Ditët e fundit, ushtria e Ukrainës ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen. /KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit paraqiti sot ekspozitën “Rrugëtimi i Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare në dokumentet e AQSH”.
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në Sallën e Konferencave të Bashkisë së Beratit, qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, kryebashkiaku Ervin Demo, përfaqësues të institucioneve bashkëpunuese, akademikë dhe qytetarë të interesuar mbi tematikën.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga Demo, i cili vlerësoi kontributin e DPA-së në përkujtimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme, që shënon një faqe të lavdishme për kombin shqiptar. Në fjalën e marrë, Bido prezantoi punimin studimor të titulluar “Kongresi i Beratit dhe shpallja e Autoqefalisë”, kryer prej tij dhe Msc. Myrteza Sharra, përgjegjës i Sektorit të Sallës së Studimit. “Kongresi i Beratit është moment kyç i historisë sonë bashkëkohore dhe datë e rëndësishme për komunitetin ortodoks dhe për mbarë kombin. Me shpalljen e Autoqefalisë, u kurorëzuan përpjekjet e komunitetit ortodoks dhe të drejtuesve politikë shqiptarë, të cilëve iu besua kjo betejë. U zgjodh që Kongresi të mbahej në Berat, ndonëse qendër e ortodoksisë ishte Korça. Berati u pa si një epiqendër përbashkuese e papërfshirë në betejën mes tri rrymave në radhët e ortodoksëve.”- shpjegoi Bido lidhur me studimin e botuar, që përmbledh të gjitha dokumentet që gjenden në DPA mbi shpalljen e Autoqefalisë.
Mandej, u prezantua ekspozita e përgatitur prej Dr. Denald Prifti, specialist pranë Sektorit të Komunikimit në DPA. Dokumente e ekspozuara dëshmojnë orvatjet e Kishës Ortodokse Shqiptare në rrugëtimin drejt mëvetësimit dhe kombëtarizimit. Narrativa e Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare bazuar në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), duke nisur nga periudha që i paraprin mbajtjes së Kongresit dhe deri në marrjen e pëlqimit nga Patriarkana. Mes dokumenteve të paraqitura për publikun bëjnë pjesë:
Informacioni nga Prefektura e Beratit drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për delegatët e ardhur dhe për zhvillimin e Kongresit; Telegrami nga Berati drejtuar Bashkisë së Shkodrës që informohet për hapjen e punimeve të Kongresit; Telegrami nga Berati drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për shpalljen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare; Njoftimi dërguar Kryeministrisë mbi zgjedhjen e kryetarit kanonik, Atë Josifin e Korçës; Qarkorja e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave dhe bashkive të vendit për shpalljen e autoqefalisë nga Kongresi i Ortodoksëve; Protokolli, mbarëvajtja dhe vendimet e Kongresit të Ortodoksëve; Fotoja e delegatëve të Kongresit; Qarkorja drejtuar prefekturave nga Ministria e Punëve të Brendshme mbi njohjen e vendimeve të Kongresit të ortodokseve në Berat prej Këshillit të Ministrave; Informacioni nga Zv. Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme përcjellë Këshillit të Ministrave, lidhur me hyrjen në negocim të Komisionit të Lartë Shtetëror me Patriarkanën dhe Tomi nga Patriarkana (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë zyrtarisht e njohur në v. 1936).
Ky aktivitet u mbajt me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. /KultPlus.com
Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.
Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).
Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.
Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.
Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.
Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com
Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një ceremonie do të bëjnë dorëzim/pranimin e Platformës Rinore të Kosovës.
Platforma “One-Stop-Shop” e quajtur “Rinia e Kosovës” është platformë miqësore për të rinjtë, e cila u mundëson të rinjve qasje në informacion rreth mundësive për arsimim, punësim apo angazhime të ngjashme qytetare. Platforma në fjalë, e cila është e para e këtij lloji në mbarë Kosovën, është rezultat i një bashkëpunimi pozitiv dhe të frytshëm ndërmjet Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe OJQ-së “LENS”.
Mjeti u vlerësua shumë nga përdoruesit dhe u përditësua rregullisht me një larmi të gjerë mundësish të lidhura me të rinjtë. Për të rritur më tej pronësinë e institucioneve publike mbi mjetet digjitale që avancojnë pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të publikut, duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ia dorëzon platformën MKRS-së.
Për të festuar mjetet digjitale si mundësuese të ndryshimeve pozitive sociale dhe avancimeve demokratike, duke ripërtërirë së bashku përkushtimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe MKRS-së për avancim kuptimplotë të vlerave demokratike, ngjarja organizohet simbolikisht në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ceremonia do të mbahet sot, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, me fillim në ora 10:30. / KultPlus.com
Me 15 shtator 2018, ditën e shtunën në mëngjes, ndërroi jetë në një spital të Nju Jork-ut, shkrimtari Makensen Bungo.
Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë (pas burgut).
U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për ‘krime kundër shtetit’ dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë.
Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1950.
Makensen Bungo provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekejn me sy në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj. Akuza e fabrikuar ishte ‘Agjitacion e propogandë’, e konsideruar si krim kundër shtetit! A e dini pse? …
Sepse kishte thënë në biseda se Kosova është e robëruar…
Gjatë kohës së diktaturës nuk u lejua që të botojë. Makenseni edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Makensen Bungo, pas rënies së komunizmit, është autor i disa librave. Përmendim:
1- Monografia për Abaz Kupin (2001)
2- Këneta e Vdekjes (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë- më 2009 u botua në gjuhën angleze)
3- Gruaja me të zeza-Vëllim me tregime (2008)
4- Rrugëtim me psherëtima-Roman (2009)
5- Nëna Kosovare-poemë (2003)
6- ‘Varret’ poemë…etj..
7- Musine Kokalari…
Ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, veçanërisht i gazetës ’Dielli’ në SHBA, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj./ KultPlus.com
Janë zbuluar detaje të reja rreth vdekjes së regjisorit legjendar, Jean-Luc Godard.
Sipas informacioneve të fundit, ai thuhet se vdiq nga vetëvrasja e asistuar në Zvicër.
Avokati i regjisorit legjendar franko-zviceran konfirmoi këtë mëngjes se Godard zgjodhi t’i jepte fund jetës së tij në moshën 91-vjeçare pas një beteje të gjatë me ‘sëmundjet e shumta shfuqizuese’.
Godard vdiq në shtëpinë e tij në qytetin zviceran Rolle, në liqenin e Gjenevës, sipas familjes së tij, duke shtuar se ai do të digjet dhe nuk do të ketë ceremoni zyrtare, shkruanDailyMail.
Ndërsa eutanazia në Zvicër është e paligjshme, mjekët mund të përshkruajnë një koktej droge, të cilat, nëse gëlltiten ose injektohen nëpërmjet një pike intravenoze, i lejojnë pacientit të marrë jetën e tij.
E përditshmja franceze Liberation citoi një person të afërt me familjen të thoshte se ‘ishte vendimi i Godard dhe ishte e rëndësishme për të që njerëzit të dinin për të’.
Godard ishte një nga regjisorët më të mirënjohur në botë, i njohur për filmat francezë të “Valës së Re”: “Breathless and Contempt”, që frymëzoi një brez regjisorësh duke përfshirë Quentin Tarantino dhe Martin Scorsese.
Stili i tij i drejtimit e prishi konvencionin dhe ndihmoi në fillimin e një mënyre të re të krijimit të filmit, me punën me kamerë të dorës, shkurtimet dhe dialogun ekzistencial.
Në festivalin e filmit në Kanë 2014, Godard i tha transmetuesit zviceran RTS se nuk mendonte se do të dëshironte të vazhdonte të jetonte me çdo kusht nëse do të ishte në gjendje të vështirë.
“Nëse jam shumë i sëmurë, nuk kam asnjë dëshirë të më hipin në një karrocë… aspak”, tha ai.
I pyetur nëse do të konsideronte vdekjen e asistuar në Zvicër, ai tha: ‘po… tani për tani’.
Gjatë një karriere të gjatë që filloi në vitet 1950 si kritik filmi, Godard ishte ndoshta regjisori që theu kufijtë në mesin e kineastëve të “Valës së Re” që rishkruan rregullat për kamerën, zërin dhe narrativën – duke u rebeluar kundër një tradite të mëparshme të tregimit më formulues.
Quentin Tarantino ishte një fans i madh Godardit, madje ai e quajti kompaninë e tij të prodhimit sipas një prej filmave të tij, “A Band Apart”./ KultPlus.com
“Huggy Wuggy”është ndër lodrat më të shitura në të gjithë botën për këtë vit. Por, shumica e prindërve duket se nuk e dinë domethënien që fshihet pas pamjes së kësaj lodre kukull. Një nënë nga Kosova, është shqetësuar kur ka lexuar më shumë rreth lodrës së shumëkërkuar.
Përmes një postimi në grupin “Shtatzënia dhe bebat”, Lira Krasniqi ka shprehur shqetësimin e saj rreth trendit të blerjes së “Huggy Wubby-t”.
Ajo shkroi se djali i saj e kishte kërkuar këtë lodër, dhe e njëjta ishte trembur pas shfletimit të artikujve për lodrën.
“Sa herë që djali im më kërkon diçka që nuk e di, unë e hulumtoj dhe nëse diçka nuk lejohet për moshën e tij dhe brenda asaj që ne besojmë se është e saktë, unë shpjegoj, ai kupton dhe ne e ndjekim. Kështu që e bëra, e hulumtova dhe më besoni se u TREMBA!!”, ka shkruar ajo.
Krasniqi shkroi se në thelb personazhi vjen nga një lojë “horrori”, nga ku arushi “Huggy Wuggy” përqafon lojtarët deri në vdekje.
Kjo lodër, këndon edhe këngën me fjalët ku përmenden kafshimet dhe gjaku, gjë që e ka shqetësuar atë.
“Në thelb është një personazh nga një lojë horrori ku gjithçka zhvillohet brenda një fabrike lodrash të braktisur dhe ky “pellushi” me emrin Huggy Wuggy e shtang lojtarin dhe përpiqet ta përqafojë deri në vdekje. Dhe në rrjedhën e kësaj loje kuptohet që kukullat vranë të gjithë punonjësit e fabrikës. Ai këndon një këngë në anglisht dhe ajo thotë gjëra të tilla si: “I kam dhëmbë të mprehtë që mundem të të kafshoj deri sa të del gjaku” “kurrë mos më quaj të shëmtuar, më mbaj këtu për të më parë kështu si dukem” “pa marrë parasysh se ku të shkosh unë do të të gjej” dhe ai i fton fëmijët”, thuhet në postimin e saj në facebook.
Ajo thotë gjithashtu se ka biseduar edhe me psikolog dhe psikiatër që kanë treguar për ndikimin negativ që kjo lodër sjell tek fëmijët.
Kjo pasi tanimë ka vizatime të shumta me imazhin që tremb fëmijët.
”Fatkeqësisht, tashmë ka vizatime me imazhin e tij që tremb fëmijët dhe normalizon dhunën. Për ata që nuk e dinin si unë, ja paralajmërimi dhe nëse doni të kërkoni më shumë rreth emrit, është aty: Huggy Wuggy”, ka përfunduar ajo. / KultPlus.com
Sot është mbajtur mbledhja e 96-të e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast janë miratuar 28 vendime, prej tyre janë 12 projektligje, përcjell KultPlus.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se mbledhja është hapur me aprovimin e projektligjit për Instituitin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Sipas tij, krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës, duhen adresuar.
Po ashtu, ai bëri të ditur se janë ndarë 2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Për drejtësi, zhvillim dhe siguri publike, në mbledhjen e 96-të miratuam 28 vendime, prej tyre 12 projektligje
Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën.
Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial.
I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike.
Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi.
Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro.
18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit.
2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.
Me miratimin e projektligjit për programin IPA 2021, dhe më pas të ratifikimit të tij në Kuvend, Kosova do të përfitojë 63.96 milionë euro.
I dërguam Kuvendit për ratifikim Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit – ITP Prizren. Kontributi financiar nga Qeveria jonë është 8 milion euro, ndërsa nga ajo gjermane 5 milion euro.
Themeluam Autoritetin Qeveritar për Migrim dhe Komisionin për Ankesa për të Huajt.
Me Projektligjin e miratuar për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve synohet sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe parandalimi i konkurrencës jo të drejtë.
Për të lehtësuar qarkullimin rrugor dhe procedurat për njohjen reciproke të patentë shoferëve, miratuam Nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Shfuqizuam vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në tregun e vendor.
Miratuam Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.
Me qëllim të pjesëmarrjes së Kosovës në programet Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit dhe atë te doganave miratuam dy projektligje.
Miratuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027”. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e vendit përmes granteve strategjike të BE-së. / KultPlus.com
Tirana International Film Festival (TIFF) do të nisë me “Ennio”, një film dokumentar i regjisorit Giuseppe Tornatore, kushtuar Ennio Morricones, kompozitorit legjendar të kinematografisë botërore.
“Ennio” është portreti i plotë i kompozitorit më të dashur e më prodhimtar, të shekullit të 20-të, i vlerësuar gjithashtu edhe nga kritika e fitues i dy çmimeve Oscar. Ennio Morricone vjen në 156 minuta, me kompleksitetin e tij, si autori i mbi 500 kolonave zanore, të paharrueshme. Dokumentari i prezantuar në 2021, vjen në TIFF si një premierë kombëtare dhe rrëfen përmes një interviste të gjatë të Tornatores me Maestron, dëshmitë e artistëve dhe regjisorëve, si Bertolucci, Montaldo, Bellocchio, Argento, Taviani, Verdone, Barry Levinson, Roland Joffè, Oliver Stone e Quentin Tarantino.
Tornatore ka sjellë skena fiction por edhe imazhe arkivore. Dokumentari “Ennio” është gjithashtu një hetim që synon të zbulojë atë që dihet pak për Morricone. Ashtu si pasioni i tij për shahun, i cili ndoshta ka lidhje misterioze me muzikën e tij. Por edhe origjina e vërtetë e disa prej intuitave të tij muzikore, siç ndodh për klithmën e kojotës, që sugjeron temën e “The good, the ugly, the bad” apo ajo e përplasjes ritmike të duarve në disa kanaçe nga protestues në rrugët e Romës, të cilën e shfrytëzoi për të sjellë temën e bukur të “Sosenga Pereira”. Një aftësi për shpikje që konfirmohet nga dëshira e vazhdueshme për eksperimentim./ KultPlus.com
‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023, përcjell KultPlus.
“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, ‘Në kërkim të Venerës’ përfaqëson autenticitetin por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë.” u shpreh komiteti selektues i Kosovës përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës.
Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.
“Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’, një jetë-botë e një adoleshente e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësoj Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë.” shtoi, Lum Çitaku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të komitetit selektues.
Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve e Oscars ishte e përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Uka, Valmira Hyseni, dhe Eniz Saraçi.
Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com
Takimet e ditës së sotme me kryetarë të komunave, ministri Hajrulla Çeku i vazhdoi në komunën e Vitisë ku u takua me kryetarin Sokol Haliti.
Në fjalën e njoftoi se qëllimi i këtyre vizitave është zgjidhja e shumë projekteve kapitale në të cilat punët kanë mbetur të papërfunduara si dhe investimet e reja kapitale.
Palestra e sportit në Viti dhe revitalizimi i stadiumit në Pozheran janë dy projekte të rëndësishme dhe të tejzgjatura për të cilat u diskutua. Komuna u zotuan t’i takojnë operatorët ekonomik e të zgjidhen problemet që kanë shkaktuar ngecje të punëve, e procedurat e duhura të vazhdojnë ashtu që të përfundojnë dhe funksionalizohen këto hapësira në shërbim të komunitetit sportiv dhe sportdashësve.
Kryetari Haliti propozoi edhe ndërtimin e një salle teatrale për të cilën është siguruar lokacioni, ndërsa ministri Çeku u zotua të punojë në këtë drejtim e të koordinohen në kohë të duhur me komunën për zhvillimet e mëtejme që të përmbushen nevojat e qytetarëve.
U fol gjithashtu për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore. Në shumë monumente të trashëgimisë po intervenohet me qëllim të shpëtimit të monumenteve nga rrënimi dhe në disa tjera po bëhet restaurimi dhe konservimi i tyre.
Ndërhyrjet në Xhaminë e Gërmovës, Mullirin e Ndue Sopit, Mulliri dhe Valavica e Visheve në Binçë kanë përfunduar, ndërsa do të vazhdohet me ndërhyrje në monumentet të tjera të cilat kanë nevojë për intervenim me qëllim të shpëtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore.
Për fund u disktua për programet shtetërore, art në shkolla dhe sport në shkolla që pritet të zhvillohen nga viti i ardhshëm në gjithë vendin, ndërsa morëm gadishmëri që të punohet në zbatim në Komunën e Vitisë./ KultPlus.com
Biblioteka Memoriale e Metropolitanit At Fan Noli nisi rrugëtimin e saj për në dekadën e gjashtë. Ideja e parë e Bibliotekës Noliane u krijua kur At Arthur Liolin u emërua Drejtor Ekzekutiv i Kishës së Shën Gjergjit në vitin 1969. U bë fakt në pranverë të vitit 1970 kur dolën botimet e para tek revista “Vreshta”.
At Arthur Liolin e krijoi Bibliotekën duke mbledhur të gjithë librat e lënë amanet nga At Noli me qëllim që t’ia dhuronin Bibliotekës Publike të Bostonit, Bibliotekës Universitare në Tiranë dhe Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Librat që u dërguan në Tiranë nga Meri Xhons sekretarja e At Fan Nolit u pranuan me nderim, ndërsa librat për në Bibliotekën Publike të Bostonit për arsye fondesh u mbajtën për një periudhë dhe u kthyen mbrapsht duke pranuar vetëm një pjesë të vogël të tyre në Bibliotekë.
Me këtë rast At Arthur Liolin, fondin e Bibliotekën së Nolit e mblodhi dhe krijoi Bibliotekën Zyrtare At Fan Noli duke pritur librat dhe kontributet e familjarëve të dhuruara nga ata ndër vite. Një zë i veçantë për pasurimin e Bibliotekës së At Nolit erdhi nga punimet e studentëve shqiptarë në USA nëpërmjet punimeve të tyre për çështjen shqiptare në fusha të ndryshme si Prof Nikola Pano, Stavro Skendi, Peter Prifti, Gregori Pano etj, si edhe të studiuesve të huaj që kishin mbrojtur teza universitare për çështjen shqiptare dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston në fushën e liturgjisë, religjionit, historisë së komunitetit të parë shqiptar në Amerikë dhe të Shën Gjergjit dhe fusha të tjera.
Figura e At Nolit ishte një nga temat kryesore të studimeve historike dhe më gjërë nga Studiues shqiptarë dhe të huaj pas vdekjes e deri në vitet 80-të. Kjo Bibliotekë është quajtur nga Specialistë të Harvardit si pasuria më origjinale albanologjike në hemisferën perëndimore të Amerikës dhe Europës. Kjo ka qenë një bibliotekë me zanafillë Kishën Noliane e Kryedioqezën Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por me kalimin e viteve u pasurua me zëra studiuesish universitarë dhe botërorë për gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën e saj. Biblioteka Noliane është në rritje çdo ditë, ajo ka më shumë se 50 mijë zëra.
Pjesa origjinale e librave antikë të Nolit që në vitet 1800 dhe librat universitarë, studiues origjinale janë të kataloguar jo vetëm në sistemin e vjetër manual por edhe digjital që është lidhur me websajtin e Bibliotekës Noliane. Dixhitalizimi i Bibliotekës filloi pas vitit 2010 me hapjen e dy faqeve në Facebook: Fan Noli Library Digital Archive dhe Miqtë e Bibliotekës Noliane të cilat u kordinuan me websajtin dhe sistemin online të Bibliotekës Onlinë të ngritur me rastin e 50 vjetorit të Bibliotekës Noliane. Kjo bibliotekë ka: Literaturë Ortodokse dhe Fetare Kristjane dhe e feve të tjera për shqiptarët në Amerikë dhe Diasporë e pasuruar vitet e fundit me punime studimore në fushën e religjionit në shqip, anglisht dhe gjuhë të tjera. Kjo Bibliotekë ka punime të historisë shqiptare, gjeopolitikës shqiptare në rajon dhe Europë dhe libra studimore për shqiptar në botë si vëllezërit Frashëri, Motrat Qiriazi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Faik Konica, Martin Camaj, Ernest Koluqi e studiues të tjerë europianë dhe sidomos anglez.
Dixhitalizimi i Bibliotekës Noliane ndryshoi praktikën e vjetër të të qenit të saj për punimet e brendshme dhe tani kjo Bibliotekë është institucion kulturor dhe studimor në të gjitha fushat dhe veprimtaritë si fetare dhe albanologjike e lidhur me disa biblioteka universitare si e Harvardit, Boston University, Shën Pali në Minesota, degën e Albanologjisë në Arizona etj. Zemra dhe identiteti i Bibliotekës Noliane janë veprat origjinale të At Fan Nolit si: Literaturë Themelore Kishtare, përkthimet origjinale të botuara në vitet e para në shqip, libra nga greqishtja e vjetër në shqip, shërbimet fetare në Shën Gjergj dhe të pasuruar me disiplinat e ortodoksisë jo vetëm si praktikë por edhe si studim i gjërë dhe i thelluar i ortodoksisë në lindje të Europës dhe Amerikës.
Në Bibliotekën e Nolit zënë një vend të veçantë përkthimet e klasikëve Shekspir, Servantes, Ibnes, Khajam, Edgar Po dhe Henry Longfellow poemën e Skënderbeut. Në arsenalin e punimeve të Nolit, një vend të veçantë zënë studimet e Nolit nga Universiteti i Harvardit, Bostonit dhe Konservatori i Muzikës si: Bethoven dhe Revolucioni Frëng, Teza në fushën e historisë për Skënderbeun më 1945 në Universitetin e Boston. Kjo vepër mbeti një nga referencat kryesore në fushën e historisë për Skënderbeun në botë pasi At Noli për të realizuar këtë kryevepër përdori referenca në 11 gjuhë të botës.
Në botimet e këtij karakteri Noli u bë qëndra e seminareve dhe edukimit liturgjike të priftërinjve shqiptarë dhe jo vetëm pasi punimet studimore të At Nolit ishin ndër disiplinore dhe në gjuhën angleze. Himnet muzikore të At Nolit zënë një vend të veçantë pasi i botoi në shqip si korale për kishën, më pas i përpunoi dhe i ktheu himne muzikore bizantine pas studimit të At Nolit në konservatorin e Muzikës në Anglinë e Re në Boston. Më 1937 Noli mbrojti diplomën me sonatën “Pranvera” për violinë dhe piano që ia kushtoi komunitetit dhe artistëve Shqiptaro- Amerikanë në Boston. Studiuesi amerikan Bernard Shaw e cilësoi veprën e At Nolit një ndër studimet më të arrira në historinë muzikologjike për Beethovenin. “Në këtë festim jubilar te disa përvjetorëve të artë në Shën Gjergj dhe Bibliotekën Noliane këtë shkrim do t’ja dedikoja me mirënjohje të thellë At Artur Liolinit si ideator, themelues, e drejtues i bibliotekës memoriale Fan S Noli si edhe studjues kërkues e përcjellës në vazhdim të veprës dhe trashëgimisë noliane kudo në botë – u shpreh për Diellin e Vatrës, Neka Doko, arkiviste dhe studjuese shkencore në Bibliotekën Memoriale Fan S. Noli Boston./Dielli/ KultPlus.com
Dante dënohet me mërgim nga Firence më 10 mars të vitit 1302: «Alighieri Dante dënohet për ryshfet, mashtrim, falsifikim, sjellje të qëllimshme, keqdashje, praktika të padrejtë zhvatjeje, të ardhura të paligjshme, pederasti, dhe dënohet me 5000 florinj gjobë, ndalim të përhershëm nga zyra publike, mërgim i përhershëm (në mungesë), dhe nëse kapet, mund të përballet me vdekje ». Kështu lexohet teksti i dënimit të dhënë nga gjykata e qytetit, vendim që shënoi përgjithmonë jetën e Poetit Suprem dhe njëkohësisht historinë e letërsisë italiane.
Kah fundi i shekullit të trembëdhjetë, pas një periudhe të shkurtër paqeje, Firence ishte zhytur përsëri në klimën e kundërshtimit të ashpër midis Guelfëve, të cilët mbështetin epërsinë e Papës, dhe Gibelinëve, ithtarët e përparësisë politike të perandorit. Ky skenar kishte favorizuar ngritjen e klasës tregtare në dëm të aristokracisë, përmes krijimit më 1282 të një këshilli të përfaqësuesve të Arteve (korporata që përfaqësonin interesat e një kategorie specifike profesionale) që mbështetnin Podestën në qeverinë e Bashkisë, në vend të Kapitenit të Popullit.
Kur guelfët u bindën dhe u regjistruan në Arte dei Medici e Speziali, Dante tashmë kishte disa zyra politike për kredinë e tij dhe ishte një nga protagonistët e skenës institucionale të qytetit të tij. Autonomia e tij ishte një vlerë e shenjtë për tu mbrojtur kundër çdo ndërhyrjeje, si nga sovranët e huaj ashtu edhe nga Papa. Për këto arsye ai pranoi si një zhvillim normal ngjitjen në “fronin e Pjetrit” më 1294 të Kardinal Benedetto Caetanit, i favorizuar nga dorëheqja e Papa Celestine V (më së i qartë referimi ndaj tij në vargun “ai që bëri refuzimin e madh frikacak” të kantos së tretë të Ferrit).
Papa i ri, i cili kishte marrë emrin e Boniface VIII, gjeti në letërsinë e Firences një kundërshtar krenar të politikës së tij ekspansioniste, çka në Firence përfundoi duke e ndarë partinë e Guelfëve në dy fraksione: të bardhët, të udhëhequr nga familja e Rrathëve dhe shprehësja e aristokracia më të hapur ndaj forcave popullore, ata ishin kundër çdo ndërhyrje nga Roma; Neri, të udhëhequr nga Donateschi dhe të përfaqësuar nga familjet më të pasura lokale, ishin për interesa ekonomike të lidhura ngushtë me Papën.
I shoqëruar me të bardhët, Dante e gjeti veten gjithnjë e më të izoluar nga të vetët, si dhe urrehej deri në vdekje nga kundërshtarët e tij, për shkak të pjesëmarrjes së tij në Këshillin e të Njëqindëve i cili kishte vendosur të ndalonte eksponentët më të dhunshëm të dy fraksioneve nga qyteti . Në këtë pikë, strategjia e Boniface VIII e tërhoqi atë në një kurth “vdekjeprurës”. Pasi e dërgoi Charles të Valois, vëllai i Filipit IV, mbreti i Francës, për të marrë nën kontroll Bashkinë, ai u sigurua që Poeti të dërgohej si një ambasador në Romë për të diskutuar për paqen dhe këtu u bë viktimë e mashtrimit të mirëfilltë.
Në ndërkohë, Carlo di Valois përfitoi nga trazirat e qytetit për të rrëzuar qeverinë “e bardhë” të Firences, duke caktuar udhëheqësin besnik Cante Gabrielli si Podestà. Podestà i ri, aleat me Neri, filloi një veprim përndjekës ndaj shkrimtarit, të cilit përveç që ia bastisën, përfundoi në bankën e të pandehurve me akuza shpifëse, përfshirë zhvajtje dhe ryshfet. Kjo vepër e fundit (e trajtuar në këngët XXI dhe XXII të Ferrit), e ngjashme me përvetësimin modern, shpesh u përdor si pretekst për të dëbuar kundërshtarët e dikujt.
U organizua një gjyq farsë, të cilin Dante preferoi ta shmangë, duke druajtur fatin me të cilin do të ndeshej. Kjo çoi në dënimin e 10 marsit 1302 i cili dënoi të akuzuarit në mungesë me dy vjet burgim, largim të përhershme nga zyrat publike, konfiskimin e pasurisë dhe pagimin e gjobës prej 5000 florins të vogla. Pas refuzimit të tij të përsëritur për t’u paraqitur para gjykatësit, dënimi, i shtrirë në 1315 për djemtë e tij Jacopo dhe Pietro, u zbrit në konfiskim të pasurisë dhe mërgim të përjetshëm, me alternativën e dënimit me vdekje nëse ai do të ishte kapur.
Për Danten kjo do të thoshte t’i jepte lamtumirën përgjithmonë tokës së tij të dashur dhe fillim i një faze të gjatë të vuajtjes së brendshme dhe rishikimit të poetikës së tij, e cila përbënte humorin ideologjik dhe stilistik të kryeveprës së tij të pavdekshme: Komedinë Hyjnore. Vendimi historik i dëbimit të tij, përmbledhur në Librin e Thonjve, aktualisht mbahet në Arkivin e Shtetit të Firencës./ KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar Mitrush Kuteli (1907-1967) është nderuar në 115 vjetorin e lindjes, ditën e djeshme në një aktivitet të organizuar nga Shoqata e Lidhjes Shqiptare të Rumanisë në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune në Bukuresht. Aktiviteti u përfshi edhe në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Bukuresht (edicioni i dymbëdhjetë).
I ftuar special në aktivitetin përkujtimor ishte shkrimtari dhe profesori universitar Eris Rusi, nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë (Shqipëri), i cili mbajti një kumtesë për rëndësinë e veprës së Kutelit në peizazhin e letërsisë shqipe. Ai u ndal te lidhjet historike rumuno-shqiptare dhe te komuniteti shqiptar në Rumani, anëtar i shquar i të cilit ishte edhe Mitrush Kuteli (me emrin e tij të vërtetë Dhimitër Pasko ose Dimitrie Pascu, në rumanisht).
Profesor Rusi vuri në dukje se aktiviteti i organizuar nga ALAR ka gjithashtu një ngarkesë të fortë emocionale dhe simbolike, jo vetëm për faktin se u zhvillua pikërisht në ditën e festimit të 115-vjetorit të Kutelit: “Fakti që emri i Mitrush Kutelit shqiptohet në mënyrë të përsëritur. Në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune është i nderuar për letërsinë shqipe dhe për komunitetin shqiptar në Rumani, muzeu është, par excellence, një vend që ruan vlerat në përjetësi”, tha Eris Rusi.
Luan Topciu, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare të ALAR, foli më shumë për vitet që kaloi Mitrush Kuteli në kryeqytetin rumun, i cili përveç prezantimit të veprimtarisë së Kutelit në Rumani, lexoi edhe disa fragmente të letrave të tij, ku shkrimtari përshkruante atmosferën e letërsisë së Bukureshtit ndërmjet luftërave.
Gjithashtu, Luan Topciu përshëndeti praninë në sallë të Dr. Corneliu Zeană, nipit të shkrimtarit dhe përkthyesit Ionel Zeană (1912-2007), mik i Mitrush Kutelit, me të cilin mbante një korrespondencë. Në fakt, letra e fundit e Kutelit i është dërguar pikërisht Ionel Zeanës, në rumanisht.
Me ftesë të ALAR, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe shkrimtari dhe kritiku letrar Marius Chelaru, zëvendëskryeredaktor i revistës “Convorbiri literare” nga Iasi. I preokupuar prej shumë vitesh me fushën e albanologjisë, Marius Chelaru po punon për një vëllim kushtuar Mitrush Kutelit dhe në fjalën e tij prezantoi disa nga pikat historike të kërkimit që ndërmori, lidhur me “periudhën rumune” të shkrimtarit. Marius Chelaru këmbënguli gjithashtu për një sërë kontributesh më pak të njohura të Kutelit, të cilat nuk kishin të bënin me fushën letrare, por me formimin dhe profesionin bazë të Dhimitër Paskos, atë të ekonomistit. Në këtë cilësi, ai punoi në Ministrinë Rumune të Ekonomisë dhe madje u shpërblye për punën e tij.
Në aktivitetin në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune morën pjesë edhe deputetja Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuese e pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Rumanisë, si dhe zyrtarë të tjerë dhe njerëz të kulturës, së bashku me një audiencë të madhe. Një ekip televiziv rumun ishte gjithashtu i pranishëm në aksion./ KultPlus.com
Arkëmorti me mbretëreshën e ndjerë Elizabetha II u largua për herë të fundit nga Pallati Buckingham.
Kortezhin, për në sallën Westminster, e udhëheq Mbreti Charles III, i shoqëruar nga fëmijët William dhe Herry, si dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore të Britanisë së Madhe.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e uniformës ushtarake te Harry dhe princi Andrew. Arkëmorti, i cili qëndroi një natë në rezidencën kryesore të Monarkisë në Londër, po transportohet nga një karrocë të tërhequr nga kuajt.
Gjatë parakalimit një turmë e mëdha disa kilometra e gjatë nderon në heshtje dhe lot sundimtaren më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar.
Arkivoli i Mbretëreshës Elizabetha II do të qëndrojë në Westminster deri të hënën, kur mbahet dhe ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit me një funeral shtetëror. / KultPlus.com
Ministri Çeku ka takuar kryetarin e Ferizajit, Agim Aliu në kuadër të vizitave në komuna të Kosovës për të diskutuar rreth projekteve kapitale në sport, kulturë, rini dhe trashëgimi kulturore, përcjell KultPlus.
Diskutimi filloi me infrastrukturën fizike në fushën e sportit, ku u fol për stadiumin e qytetit, shtëpinë e shahut, palestrën e xhudos dhe projekte të tjera. U dakorduan që të bëhet një studim i plotë i fizibilitetit në këtë komunë, përmes së cilit do të analizohet shtrirja hapësinore, kategoria e kapaciteti që nevojitet për komunën e Ferizajit në shumë aspekte.
Vazhduan tutje me sallën e sporteve në Gremë, ku operatori ekonomik do të vazhdojë punën dhe deri në fund të vitit pritet përfundimi i punëve. Qendra multifunksionale është një tjetër projekt i rëndësisë së lartë ku është marrë zotim që puna në terren të intensifikohet dhe dinamizohet.
Ministri Çeku i njoftoi edhe me punët që po bëhen në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese. Kisha katolike në Ferizaj është në proces të hartimit të projektit të restaurimit, ndërsa do të fillojnë restaurimi i ish-gjimnazit të vjetër Ismail Qemajli dhe restaurimi i “Xhamisë së Madhe”.
Po ashtu janë propozuar disa projekte potenciale si shtëpia e shahut, palestra e xhudos, e palestra e gjimnastikës. Komuna u zotua se e mbështesin investimin dhe janë të gatshëm ta sigurojnë lokacionin.
Në fund të takimit, të pranishmit u njoftuan për programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, arti në shkolla dhe sporti në shkolla. Komuna e mirëpriti këtë iniciativë dhe shprehi gatishmërinë të bashkëpunojnë në zbatim të tyre./ KultPlus.com