Numri i personave të vdekur me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar numrin e ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shumë shtete në territorin e SHBA-së regjistrojnë rritje të infektimit.
Numri i viktimave, si pasojë e këtij virusi në SHBA, ka shkuar në mbi 116,900, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Kjo shifër është më e madhe sesa e amerikanëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, 116, 516 – më shumë se gjysma e tyre nga Gripi Spanjoll.
Megjithatë, shumë biznese në gjithë SHBA-në po vazhdojnë të rihapen, pavarësisht pse rreth 23,000 raste të reja të infektimit raportohen në baza ditore.
Rreth 20 shtete kanë raportuar rritje të numrit të të prekurve në dy javët e fundit, përfshirë, Floridan, Teksasin dhe Arizonan.
Shtimi i rasteve të reja, pjesërisht mund t’i kontribuohet rritjes së numrit të testimeve, por ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e shkallës së përhapjes së virusit ka të bëjë edhe me rihapje të ekonomisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të jetë i fokusuar në rihapje të ekonomisë dhe insiston se nuk do të ketë mbyllje, edhe pse numri i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka kaluar në mbi 2.1 milionë.
SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja janë pajtuar për mbajtje të kujfive të mbyllur deri më 21 korrik, duke vazhduar masat e kufizimit në udhëtim.
Për dallim nga këto vende, shumë shtete në Evropë kanë rihapur kufijtë për udhëtarët brenda vendeve të Bashkimit Evropian, pas tre muajve të masave kufizuese.
Evropa fillimisht ka qenë kontinenti i prekur më së keqi nga koronavirusi, mirëpo tani numri i rasteve të reja, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve ka rënë në mënyrë dramatike, ndonëse ekonomia është rihapur. / KultPlus.com
Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, pritet të mbahet fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.
Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.
Lidhur me këtë rast, qytetarët e Prizrenit po protestojnë para gjykatës së lartpërmendur, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit Tasiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ku janë bijtë tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”, janë vetëm disa nga fjalët e shkruara në pankartat që protestuesit po mbajnë në duar.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.
Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. / KultPlus.com
Vajza nuk është e huaj, as rob e as tepricë. Vajza është dhuratë e Zotit, është ilaç i shpirtit, e shtylla e shtëpisë. Vajza është sinonimi i dashurisë e i sakrificës. Askush si vajza nuk e din e nuk e njeh dhimbjen për familjen.
Edhe unë jam vajzë e kurrë nuk du me u ndje e huaj n ‘shtëpinë e babës e as nuk du me e dëgju dikënd t’u përmend diçka të tillë. Unë si vajzë e di qysh duhet me u sjell e çka i ka hije me bo një vajzës edhe pa qenë t’tjerët avokatët e mi. Unë si vajzë nuk ndryshoj asgjë prej vetes sa me iu hy n’zemër njerëzve. Unë si vajzë e di kur e kam “vaktin” për martesë e askush nuk ka t’drejtë me ndërhy n’jetën tem. Unë si vajzë kurrë nuk ka me marr vendime t’rëndësishme për veten shkel e shko për hatër t’kërkujt e sa me i ndal “fjalët e hallkut”. Unë si vajzë kurrë nuk du me e turpëru familjen, përkundrazi du me e bo shumë krenare. Por… Unë vajza e dikujt, njeri para së gjithash, nuk jam përfekte…! / KultPlus.com
Këtë fundjavë NASA ka paralajmëruar që të mbahen sytë drejt qiellit. Kjo pasi më 21 Qershor pritet që të ndodhë eklipsi diellor.
Agjencia hapësinore amerikane ka shpërndarë një video mahnitëse, duke treguar se si do të duket “unaza e zjarrit” që do të krijohet në fundjavë.
Eklipsi diellor ndodh kur hëna është shumë larg nga Toka dhe mbulon pothuajse plotësisht diellin, çka rezulton në një unazë zjarri që rrethon Hënën që në ato momente është plotësisht e errësuar.
Megjithatë, ky eklips nuk do të jetë i dukshëm për pjesën europiane. Ngjarja mund të shikohet nga Afrika Qendrore, Arabia Saudite, Kina jugore e deri tek Oqeani Paqësor.
Qytetarët në këto vende mund të shohin vetëm një pjesë të eklipsit. / KultPlus.com
Kyetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo priti sot në mjediset e bashkisë në një takim zyrtar ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë Peter Japejl.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Kreu i bashkisë Korçë Filo u shpreh se “shkëmbimi i eksperiencave në fushën e kulturës, edukimit dhe ekonomisë ishin në qendër të diskutimit me Ambasadorin e Sllovenisë Peter Japejl”.
I impresionuar nga disa prej muzeve dhe atraksioneve të qytetit të Korçës, të cilat i vizitoi më herët ambasadori vlerësoi Korçën dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunimin e mëtejshëm. Japejl shprehu konsideratë për Korçën duke e cilësuar si një qytet të bukur, me tradita të spikatura dhe mjaft mikpritës. /atsh / KultPlus.com
E fortë si guri! Sa të forta ishin tehet e fjalëve që të dhanë, t’përgjakën, ti i fshive lehtë se duart e tua janë të forta. Sa shumë dhembi kur të shkelën e sytë lartë nuk gjetën askënd për ndihmë, vet u ngrite, se këmbët e tua janë të forta. Kur të shajtën nderin, një buzëqeshje të ëmbël ktheve si këmbim, se morali yt është i fortë. Kur zemra jote qante askush s’ishte për të dëgjuar, sepse ti çdo ditë dhuroje buzëqeshje. Kur qaje, dënesje, bërtisje, ti prap nuk u ankove sepse je e fortë.
Kur të rrëzuan, të shanë, të shtynë, të përplasen derën fytyrës, në vend se të kërkoje llogari ti the më fal, se je e fortë. Kur dhurove dashuri, u shkëmbeve me urrejte, heshte se zemra jote është e fortë. Kur natën ankthi i ditëve të zgjonte, askush s’ishte me të qetësu, po ti nuk friksohesh se shpirti yt është i fortë! Ëndrrat, dëshirat, synimet e tua i arrite në heshtje, ani pse nuk ishte askush per të duartrokitur për ty, ti i ngrite duarte prapa krahëve të tu dhe i dhe vetës një duartrokitje të madhe, se ti je grua e fortë, se ti je shtylla e jetës! Jeta shumë herë është e vrazhdë, po je ti ajo që i kthen shkëlqimin. Ti je grua e fortë, bëhu gruaja e ëndrrave tua! / KultPlus.com
Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë dje në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë. Vdekja e tillë ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën e deshën artin e tij. Akademiku Rexhep Qosja ka ndarë sot dhimbjen e tij për humbjen e mikut me fjalë të ndjera e vlerësime të shumta për këtë figurë që sipas tij dallonte shumë nga të tjerët.
Postimi i plotë i Qosjës:
Moikom Moikom
Na le!
Na le papritmas!
Na le shpejt!
Nuk e prisnim shkuarjen tënde!
Më trondite me këtë shkuarje të papritur!
Shumica prej nesh, miqve tu, që ishim më të moshuar se ti, dhe jo vetëm pse ishim më të moshuar ishim kandidatë për t’u bërë para teje “deputetë” të atij parlamenti në të cilin e përfundojnë jetën të gjithë njerëzit, që kanë hyrë në këtë jetë.
Ti nuk kishe drojën prej atij parlamenti. Në kujtesën tënde madhështore kishte zënë vend të përhershëm edhe mendimi i filozofit Imanuel Kant: vdekjes më së shumti i frikësohen njerëzit e parëndësishëm.
I dashur Moikom, Ti nuk iu frikësove në asnjë çast vdekjes. Dhe për arsyen se nuk iu frikësove vdekjes punove deri në ditën e fundit, punove ditë e natë, pa u lodhur, pa menduar se njeriu mund të vdesë edhe prej punës së pandërprerë mendore, se: mund të vdesësh e mund të të vdesin!
Ti, Moikom i dashur, ishe i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, për shumë arsye. Ishe i rëndësishëm pse kishe dhunti të madhe krijuese. Dhuntinë tënde të madhe krijuese e shquanin dy prirje të jashtëzakonshme: prirja poetike e shprehur edhe në eseistiken tënde shumë të shquar cilësisht dhe shumë të madhe vëllimisht edhe në studimet tua shkencore e arkeologjike.
Ti Moikom miku im, ishe i rëndësishëm sepse kishe shumë dije. Më shumë se asnjë intelektual, më shumë se asnjë krijues tjetër, më shumë se asnjë shkrimtar e asnjë studiues tjetër shqiptar. Ti ishe jo një enciklopedi e gjallë si të quanin shumica e kolegëve, mes të cilëve ashtu të kam quajtur edhe unë, ti ishe më shumë se aq! Ti ishe bibliotekë e madhe kombëtare e botërore. Duke i lexuar shkrimet tua, duke i lexuar veprat tua, ne, shumica e lexuesve tu, kemi mësuar shumë prej teje dhe kemi mësuar shumë prej teje qoftë edhe pse dijet tua thuheshin në mënyra të reja që s’thuhen ashtu në shkrimet e në veprat e krijuesve të tjerë të kohës tënde.
Ti, Moikom, ishe i veçantë, shumë i rëndësishëm si i veçantë, sepse nuk ishe si ne të tjerët, sepse dalloje prej nesh, dalloje me dhuntinë, dalloje me mbamendjen e jashtëzakonshme, dalloje me shpirtësinë e gjithanshme, dalloje me thellësinë mendimore e kuptimore, dalloje me shprehjen, dhe dalloje me estetikën dhe me figurshmërinë e asaj shprehjeje.
Për arsye se ishe ndryshe prej të tjerëve, se dalloje prej të tjerëve, unë kisha kënaqësinë të të fusja në “Antologjinë e lirikës shqipe”, të ribotuar në vitin 1979, kur ti s’kishe më shumë se 30 vjet, e në të cilën ishin përfshirë gjithsej tridhjetë e një poetë lirikë shqiptarë. Çka do Moikom Zeqo aq i ri në antologjinë e lirikës shqipe më pyesnin kolegë, studiues të letërsisë dhe poetë të përfshirë në atë antologji. Moikom Zeqo ti ishe aty, në këtë antologji, sepse dalloje prej të gjithëve, e antologjitë duhet të jenë vepra jo të autorëve që me mendime e shprehje i shëmbëllejnë njëri tjetrit, por vepra në të cilat përfaqësohen autorë që me mendime e me shprehje dallojnë prej njëri tjetrit, përgjigjesha.
Megjithëse aq i rëndësishëm, megjithëse aq i veçantë, megjithëse aq shumë rrezatues me mbamendjen tënde, me mendimoren tënde, me veprën tënde në jetën kulturore shqiptare, megjithëse poet e studiues njëkohësisht, ti shkove përgjithmonë duke mos gëzuar njohjet që meritonin dhuntia dhe krijimtaria jote prej atyre institucioneve shtetërore dhe shkencore e artistike, që janë të shpallura të ligjshme për t’ua dhuruar atyre që i meritojnë këto njohje. Ti, Moikom ishe i rëndësishëm, ishe shumë i rëndësishëm, sepse rëndësia e dhuntisë sate, rëndësia e krijimtarisë sate nuk varej prej njohjeve zyrtare po prej teje, – prej asaj dhuntie dhe prej asaj krijimtarie.
Të kemi mbetur borxh edhe ne, kolegët e miqtë, por në Panteon nuk e çojnë krijuesin njohjet, në Panteon e çojnë krijuesin Dhuntia e tij, Vepra e tij, pasuria e Shpirtësisë së tij, rëndësia e përgjithshme e Mendimores së tij. E vepra jote do të nderonte çdo institucion të dijes e të artit.
E ti Moikom prej sot do të jesh i vendosur përgjithmonë në Panteonin e historisë së popullit shqiptar.
Lavdia jote historike, Moikom, le të jetë ngushëllim për bashkëshorten tënde, për fëmijët e tu, për kolegët tu të Akademisë Shqiptare të Arteve e të Shkencave anëtar i së cilës ishe, për të gjithë lexuesit tu të cilët aq shumë të deshën e të nderuan. / KultPlus.com
Festivali Folklorik i Gjirokastrës, sofra më e madhe e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, do të zhvillohet në pranverën e 2021.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në një video të publikuar shprehet se “ne nuk do ta humbasim traditën dhe festivalin do ja sjellim publikut me gjithë madhështinë e tij. Festivali Folklorik do të zhvillohet në pranverën e 2021”.
“Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një ngjarje e madhe dhe e shumëpritur. Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia Covid-19 ngriti pikëpyetje të mëdha mbi zhvillimin e këtij aktiviteti”, – tha Margariti.
Ministrja Margariti theksoi se “Gjirokastra nuk mund të kuptohet pa Kalanë, Qafën e Pazarit, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë muze. Por prej dekadash, nuk mund të kutpohet as pa Fesitvalin Folklorik. Kjo sofër bujare ka pritur dhe ka pëcjellë mijëra bartës të kulturës tonë popullore, të traditave më të mira, ato të trashëguara brez pas brezi nga të gjitha trevat shqiptare”.
“Me të drejtë ky festival është një ngjarje madhe, e shumëpritur, të cilën ne duhet ta sjellim përpara dhe so tia sjellim publikut me të gjithë madhështinë e tij”, – tha Margariti.
Edicioni i parë i këtij festivali është çelur në 11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Ai zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.
Ky festival ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe qarkun e Gjirokastrës.
FFK evidenton vlerat e qytetit të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, në kuadër të nxitjes së turizmit kulturor dhe synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti.
FFK i Gjirokastrës përcjell në publikun e gjerë kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare./ atsh/ KultPlus.com
Në Fletoren Zyrtare është botuar sot Akti Normativ i miratuar në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit pushimet e prenotuara përpara gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të përmbushen nga agjencitë apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “ky Akt Normativ shkon në interes të qytetarëve, në sinkron me vendimet e shtetet e Bashkimit Europian dhe çdo vendi të zhvilluar turistik. Ky vendim shkon drejtëpërdrejtë në të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin e prenotuar brenda vitit”.
Me propozimin e ministrit Klosi, ky Akt Normativ i miratuar nga qeveria ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren në sektorin e turizmit, për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre, në ofrimin e një shërbimi udhëtimi, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.
Ky akt normativ ka për qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar një balancim dhe siguri ekonomike në funksion të përmbushjes së kërkesave të klientëve, në një mjedis të sigurt, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.
“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdolloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ”, sqarohet në Aktin Normativ.
Ndërkohë që operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, që kanë lidhur kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit me klientin dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.
Klienti i një pakete udhëtimi apo dokumenti udhëtimi, nga/apo nëpërmjet agjencive të udhëtimit ose operatorit turistik, për shërbimet e udhëtimit të parapaguara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, përfiton rimbursimin e tyre brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.
“Në rast të pamundësisë së realizimit të kontratave të transportit të klientëve me mjetet e transportit ajror, si pasojë e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19, nga/dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, transportit detar nga të gjitha portet në vend ose ujërave të brendshme, subjektet e parashikuara në këtë Akti Normativ, detyrohen të njoftojnë, sipas rastit, respektivisht agjencinë/ transportuesin/akomoduesin ose organizatorin e paketave të udhëtimit/klientin për pamundësinë e zbatimit të kontratave të transportit, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton dokumentin e udhëtimit ose rezervimin e qëndrimit ose kontratat e paketave të udhëtimit”, nënvizohet në Aktin Normativ.
Në Aktin Normativ thuhet se “operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga komunikimi i përmendur në pikën 2, të nenit 6, të këtij akti normativ, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher), që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 (një) viti. Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar”.
Operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar./atsh/ KultPlus.com
Shembja e shtëpisë së familjes Kasëmllari në Qendrën Historike të Prizrenit me 29 maj 2020, me ç’rast janë lënduar dy anëtarë të kësaj familjeje është tregues se si lejimi i degradimit të vlerave të trashëgimisë kulturore po vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve. Për më shumë institucionet përgjegjëse si duket nuk kanë nxjerrë mësime të duhura nga ngjarja tragjike e katër viteve më parë, kur në atë kohë tre vjeçarja Xheneta Gashi, kishte humbur jetën nën rrënojat e një shtëpie të vjetër në Zonën Historike të qytetit.
Mungesa e mbrojtjes dhe menaxhimit efikas të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren prej kohësh i ka shndërruar ato në ndërtesa të rrezikshme për jetën e qytetarëve të rëndomtë, ani pse legjislacioni në fuqi mundëson veprime drejt mbrojtjes dhe menaxhimit më efikas të tyre.
Në bazë të shkresave që EC Ma Ndryshe i ka siguruar nga organet komunale të Prizrenit përmes qasjes në dokumente publike del se rreziku për banorët e shtëpisë së familjes Kasëmllari ishte konstatuar në maj të vitit 2018, në raportin e Inspektorëve të Preventivës të datës 23 maj 2018 (nr 49/2018). Drejtoria për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit në përgjigjen me shkrim ka theksuar se pas këtij raporti, DES “në mungesë të kodeve buxhetore për ndërhyrje në objektet ku paraqitet rreziku, kemi dërguar lëndën me Akt përcjellës më datë 07.06.2018 në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale pasi që në këtë drejtori ka qenë kodi për shtëpitë në raste emergjente dhe ne nevojë”. “Po nga kjo drejtori kemi pranuar përgjigjeje me datë 07.06.2018, ku ende nuk ishte realizuar procedura tenderuese me kompanitë për të realizuar projekte nga shtëpitë që paraqesin rrezik”, thuhet në përgjigjen e DES-it. Kjo drejtori ka theksuar se “për të marrë masat me kohë dhe për tu ruajtur struktura arkitektonike e këtyre objekteve që konsiderohen të mbrojtura, QRTK duhet që për çdo objekt neve si Komunë të na u prezantohen skica, apo projekte për ndërmarrjen e masave emergjente për eliminim të rrezikut, po ashtu institucioni i QRTK-së duhet të hartojë projekte për restaurim të këtyre objekteve të cilat i deponon Komunës së Prizrenit dhe palës”.
Ndërkaq QRTK në Prizren ka njoftuar se gjatë muajit shtator të vitit 2018 është pranuar kërkesa për ndërtimin e shtëpisë individuale në këtë ngastër kadastrale. Sipas QRTK-së lënda është trajtuar nga Komisioni i QRTK-së në Prizren dhe në tetor të vitit 2018 është refuzuar kërkesa për ndërtim të shtëpisë individuale, pasi që ndërtimi i objektit të ri nënkupton rrënimin e shtëpisë së vjetër tradicionale. Me këtë rast pala është njoftuar se ndërhyrjet e lejuara në këtë kategori objektesh janë aplikimet plotësuese sikurse restaurimi dhe renovimi.
“Me qëllim të mënjanimit të rrezikut dhe sigurimit të ndërtesës dhe banorëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr.04/L-066, neni 9 dhe 13, dhe në bazë të Ligjit Nr.02/L-088, neni 4.10 dhe 4.11, Komisioni i QRTK-Prizren ka kërkuar nga pala dhe nga DES e Komunës së Prizrenit që të merren masat mbrojtëse në mënyrë urgjente”, thuhet në përgjigjen me shkrim të QRTK-së. QRTK gjithashtu ka njoftuar se Shtëpia e familjes Kasëmllari gjendet brenda kufirit të Qendrës Historike të Prizrenit, ku supozohet se është ndërtuar gjatë shekullit XIX dhe se posedon vlera arkitektonike, origjinaliteti, tipologjike dhe ambientale.
EC Ma Ndryshe përsërit qëndrimin se siguria e qytetarëve është prioritet. Në këtë linjë thekson se institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që shtëpitë e vjetra tradicionale dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë e banorëve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Për këtë arsye, EC kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë veprime të duhura ligjore me kohë ashtu që ndërtesat e trashëgimisë kulturore mos të shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë aset i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe i zhvillimit të qytetit. / KultPlus.com
Figurat me të ndritshme të vendit, shpesh nuk marrin vlerësimin e duhur nga shteti. Për këtë fakt edhe reagimet e kritikat nuk mungojnë.
Regjisori Ben Apolloni ka bërë një reagim të tillë sot në rrjetin e tij social Facebook. Duke kujtuar disa emra të shquar të artit shqiptar, ai ka potencuar faktin se Kosova nuk ka nderuar artistët e vërtetë e kjo për faktin se është udhëhequr e vazhdon të udhëhiqet nga njerëz të padijshëm.
Reagimi i plotë i Apollonit:
Kosova, nuk e ka nderuar Bekim Fehmiun. Kosova, nuk e ka nderuar Besim Sahatçiun. Kosova, nuk e ka nderuar Faruk Begollin. Kosova, nuk e ka nderuar, Rexho Mulliqin. Kosova, nuk e ka nderuar asnje artist te vertete. Kosova, ne 20 vite liri, nuk ka ndertuar asnje teater. Kosova, nuk e ka nderuar e nuk nderon askend, sepse eshte udhehequr dhe po udhehiqet nga njerez te pandershem e te padijshem. / KultPlus.com
Familja Ora shpesh ndajnë me publikun kujtime nga e kaluara e sidomos me shumë nostalgji kujtojnë kohët e kaluara në Kosovë.
Vera Ora, nëna e këngëtares kësaj radhe ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një fotografi të shkrepur para shumë viteve në malet e Rugovës.
Përmes kësaj fotografia ajo përçon një mesazh, se pandemia nuk do ta ndryshojë pozitivitetin e tyre.
“Duke vazhduar në vitin 2020 me shpirt pozitiv. Ky vit nuk do të na ndërrojë fuqinë e jetës dhe pozitivitetin për njëri-tjetrin”.
Kujtojmë që Vera Ora është vlerësuar lartë nga mediat britanike për veprimin e saj për tu bashkuar në vijën e parë të frontit gjatë pandemisë. / KultPlus.com
Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe.
Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka.
Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…
Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjinesha të bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.
Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:
Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!
Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.
Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…
Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.
Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.
Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!… – 1898 / KultPlus.com
Rrjeti prestigjioz BBC ka listuar dhjetë filmat që thyen tabutë në kinematografi.
Një ndër ta është edhe filmi me personazhin e parë gei. Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi. Ndërsa skena e parë e seksit në një film i përket vitit të largët 1933. Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.
1. Fjala e parë fyese
Shumë vetë besojnë gabimisht se thënia e fundit e Rhett Butler në ‘Gone with the Wind’ – I dashur Frankly, mua nuk më plas fare – është fjala e parë fyese e përdorur në një film të Hollivudit. Por ajo nuk është hera e parë sepse 14 vjet përpara këtij filmi, në vitin 1925, Mbreti Vidor në filmin e tij me luftë “Parada e Madhe” shfryhet kundra armiqve duke thënë – Mallkuar qofshin shpirtrat e tyre.
2. Skena e parë e seksit
Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.
3. Personazhi i parë gej
Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi.
4. Puthja e parë ndër-rracore
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 ndalonte marrëdhëniet ndër-rracore. Por shumë filma filluan ta sfidonin Kodin gjatë viteve ‘50. Filmi “Killer’s Kiss” i Stanley Kubrick shfaqi puthjen e parë midis një femre të bardhë (Irene Kane) dhe mashkullit me ngjyrë (xhamajkanit Frank Silvera). Silvera kishte lëkurë të zbehtë, dhe nuk po luante rolin e një personazhi me ngjyrë në film, prandaj dyshohet nëse audienca ka qenë në dijeni të prejardhjes së tij afrikane. Më pas në 1957, erdhi filmi ‘Island in the sun’. Ai shfaqte romancën mes një vajze të Karaibeve (Dorothy Dandridge) dhe zyrtarit britanik (John Justin). Pas këtij vjen filmi “The Crimson Kimono” filmi i parë hollivudian që shfaq një puthje të vërtetë ndër-rracore.
5. Shpëlarja e parë e VC-së
Filmi ‘Psycho’ i Alfred Hitchcock nuk kishte asnjë shfaqje nudo gjatë skenës së dushit – por një tjetër dukuri në banjon e Motelit Bates tërhoqi vëmendje të madhe: zhurma e shpëlarjes së vc-së në një film Hollivudi. VC-ja është shfaqur edhe në filma të tjerë më parë, si në filmin e vitit 1928 ‘The Crowd’, por jo me zhurmën e shpëlarjes. Audiencës iu desh të priste 10 vjet pas filmit Psycho që ta shihte këtë skenë.
6. Femra e parë nudo
Filmi “Inspiration” (1915), rreth një artisti që kërkonte modelen perfekte që të ishte muza e tij, mund të ketë qenë shfaqja e pare e një femre nudo në ekran në një film jo-pornografik. Deri në vitet 30’ kjo gjë nuk lejohej, pasi censuroheshin. Filmi ‘Peeping Tom’ i Michael Powell e theu këtë tabu kur, personazhi i Pamela Green shkurtimisht ekspozoi gjoksin e saj. Karriera e Powell u mbyll pak kohë pas polemikave që u krijuan rreth filmit Peeping Tom. Pas ndryshimit të Kodit për moslejimin e personazheve topless, prodhimi i parë që u shfaq ishte “The Pawnbroker” i Sidney Lumet.
7. Vrasja e parë për vdekje
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 thoshte se një vdekje nga të shtënat duhet të filmohet në dy pjesë: e shtëna e qitësit, dhe më pas viktima që bie. Filmi i Sergio Leones “A fistful of dollars” theu këtë rregull në skenat e mëparshme. Kamera është e pozicionuar pas personazhit të Cleant Eastwood, kur ai i qëllon një grupi kundërshtarësh të cilët rrëzohen njëri pas tjetrit. Ky ishte efekti i qitësit, i cili rrit identifikimin e dhunës tek audienca.
8. Plaga e parë me gjak
Shumë pak vdekje të shkaktuara nga të shtënat shoqëroheshin me plagë tek viktima. Kjo skenë u realizua nga regjisorët në filmat bardh-e-zi, veçanërisht nga Alfred Hitchcock, në skenat e tmerrshme të vdekjes në filmin ‘Foreign Correspondent’ (1940). Këto skena ishin më të rralla në filmat me ngjyra. ‘Bonnie and Clyde’ (1967) ndryshoi gjithçka kur tregoi viktimën e qëlluar në fytyrë nga dyshja vrasëse. Filmi përfundon me Bonnie-n dhe Clyde-n të mbytur nga plumbat, dhe me rrobat e tyre plot gjak.
9. Mashkulli i parë nudo
Producentët e filmave kanë qenë ngurrues për shfaqjen e lakuriqësisë së meshkujve se sa të femrave. Biles edhe kur regjisorët përfshinë plane të meshkujve pa rroba në vitet 60’ – si në filmin ‘This Sporting Life’ të Lindsay Anderson dhe ‘Seconds’ të John Frankenheimer. Shumë prej këtyre filmave janë censuruar përpara lançimit të tyre. Filmi ‘Women in Love’ i Ken Russell mund të jetë filmi i parë që paraqiti meshkuj nudo, një ndeshje mundjeje ku Oliver Reed dhe Alan Bates ishin nudo.
10. Vdekja e parë reale
Imazhe të vdekjeve aktuale kanë qarkulluar nëpër kronikat e lajmeve përgjatë viteve por një nga dokumentarët kryesorë që tregoi një vrasje ishte dokumentari i vitit 1970 nga Gimme Shelter, një tregim i koncertit të Rolling Stones në Kaliforni. Kulmi i filmit ishte vdekja e Meredith Hunter, afrikano-amerikanit që u përpoq të sulmonte skenën me një pistoletë në dorë. Alan Passarom një anëtar i Hells Angels, me përgjegjësinë e sigurisë, e goditi disa herë me thikë Meredith Hunter në kurriz. Video u përdor në gjyq, dhe e liroi truprojën për shkak të vetë-mbrojtjes. ‘The passenger’ i Michelangelo Antoninit konsideroi si filmi i parë që shfaqi pamjet e një vdekjeje: një burrë i dënuar që ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit. / KultPlus.com
Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “BAFTA” të cilat i ndanë Akademia e Filmit në Britani të Madhe, është shtyrë për muajin prill të vitit 2021.
Kjo ngjarje e rëndësishme kinematografike ishte dashur të mbahej më 14 shkurt në Londër, por organizatorët janë detyruar ta shtyjnë atë për datën 11 prill 2021, transmeton Koha.
Në komunikatën për media të lëshuar për këtë rast thuhej: “Ky ndryshim i datës së paralajmëruar me herët e tregon ndikimin e pandemisë globale në industrinë e filmit, si dhe e vërteton faktin se të gjithë duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të përshtatemi me të. Detaje shtesë rreth ceremonisë do të bëhen të ditura kah fundi i këtij viti.”
Lajmi i ndryshimit të datës së mbajtjes së ceremoninë “BAFTA”, vjen një ditë pasi organizatorët e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kryesore në kinematografi, “Oscar”, e informuan publikun që edhe ata kanë vendosur ta ndryshojnë datën e mbajtjes së saj ngjarjeje, nga muaji shkurt në prill të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT”, edicioni XII, i cili ishte planifikuar nga 18 – 22 qershor në Pejë, për shkak të pandemisë ky edicion do të mbahet nga 13 deri me 18 tetor 2020, përcjellë KultPlus.
“MonoAKT” është ndër festivalet e veçanta dhe shumë të suksesshme ndërkombëtare e cila në përmbajtjen e vet ka tri Festivale: MonoAKT, MonoStripi dhe MonoAKT+.
Pos pjesëmarrjeve të artistëve të monodramës anë e kënd botës, në realizim e saj pos Shtëpisë Teatrore Filmike AKT, e cila është themeluese e Festivalit, Festivali MonoAKT është i anëtarësuar dhe në bashkrealizim të ITI-Qendra në Kosovë dhe është anëtare e IMF- Forumit Ndërkombëtar të Monodramës në Botë. / KultPlus.com
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të kërkuar mbështetje të sektorit jo-qeveritar për ofrim të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm.
KOMF ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.
Pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa shërbimet e nevojshme, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e neglizhuar etj. Në këtë fazë është e rëndësishme që të merren hapat e nevojshëm për zbutjen e pasojave tek fëmijët duke ofruar shërbime direkte cilësore, përmes financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për fëmijët e cenueshëm, rritjes të mbështetjes ndaj ofruesve të shërbimeve dhe kontraktimin e tyre në këtë periudhë të vështirë gjatë dhe pas pandemisë.
Organizatat Jo-Qeveritare ofruese të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm mbështeten financiarisht nga niveli qendror (MPMS dhe MSH), donatorë ndërkombëtar, komunat dhe sektori i bizneseve. MPMS dhe MSH përmes procesit të thirrjeve publike çdo vit kanë financuar organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm dhe qytetarët në nevojë për shërbime. Këtë vit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, nuk ka pasur thirrje për mbështetje financiare të organizatave të licencuara që ofrojnë shërbime direkte. Poashtu, mbështetja nga sektori i biznesit ka rënë dukshëm për shkak të situatës të krijuar nga pandemia.
Për arsyet e cekura më sipër, KOMF kërkon:
– Shpalljen urgjente të thirrjeve të rregullta vjetore për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare për ofrim të shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë.
– Rritjen e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte të ofruara nga sektori jo-qeveritar.
KOMF ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19 dhe mund të bëhen rishikime buxhetore. KOMF kërkon që në kuadër të rishikimeve buxhetore të bëhet rritja e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori jo-qeveritar. / KultPlus.com
Taulant Mehmeti, muzikanti i njohur tanimë i cili ka kohë që karrierën e tij e zhvillon jashtë Kosovës, e ka aranzhuar dhe sjell në versionin e tij këngën “Vendi Im” të këngëtarit Muharrem Qena, shkruan KultPlus.
Këtë këngë Mehmeti ka vendosur ta sjell në nderim të 90 vjetorit të lindjes së Muharrem Qenës.
Muharrem Qena, lindi në qershor të vitit 1930 në Mitrovicë dhe vdiq më 24 shtator të vitit 2006 në Prishtinë, ishte shkrimtar, këngëtar, aktor dhe regjisor shqiptar
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave e po vazhdojnë edhe sot. / KultPlus.com
Regjisori Zgjim Terziqi po vazhdon suksesshëm të rrugëtojë me filmat e tij nëpër botë. Pjesë e shumë festivaleve e çmimeve nëpër festivale të ndryshme, Terziqi kësaj radhe ka shënuar një tjetër sukses, shkruan KultPlus.
Dokumentari i tij ′′The 50 th and 1/2 State′′ është një nga 12 projektet ndërkombëtare të përzgjedhura për të marrë pjesë në shfaqjen e filmit amerikan.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e cila gjithashtu i ka uruar Terziqit edhe fitoren e çmimit Oscar në të ardhmen.
“Urime Zgjim Terziqi! Jemi të kënaqur të njoftojmë se ai me dokumentarin e tij ′′The 50 th and 1/2 State′′ është një nga 12 projektet ndërkombëtare të përzgjedhura për të marrë pjesë në shfaqjen e filmit amerikan. Suksese Zgjim në këtë udhëtim dhe shpresoj të të shoh duke mbajtur një Oscar në të ardhmen e afërt!” / KultPlus.com
Një fotograf me përvojë shumëvjecare me syrin fotografik vendosi që të merrej edhe me ngjyrosje të imazheve domethënëse që shkrepuara gjatë dekadave.
Tërë kjo nisi nga ideja e tij që udhëtimi me kohë do të ishte argëtues, por ndryshimi i rrjedhës së kohës është një dhimbje dhe thjesht nuk ia vlen.
Kur ngjyros, ai shprehet se ndihet një udhëtar duke parë detajet nga afër dhe duke mbushur me ngjyrë. Pjesët e përfunduara duken sikur ai me të vërtetë është kthyer në kohë dhe i ka bërë ato shkrepje me kamerën e tij. Shumë prej tyre kanë pamjen e një picture klasike.
Ky grup fotografish është vetëm New York. Disa nga këto ndërtesa janë zhdukur, ndonëse ende mund t’i gjeni disa prej tyre tani. / KultPlus.com
Duke ecur në mes të strukturave të betonit në pyllin e “La Huasteca”, ekziston ndjenja që kemi hyrë në një pikturë – një botë me objekte të mrekullueshme që largon mendjen nga problemet e përditshme.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, karakteristikat e këtyre ndërtimeve zbukurojnë xhunglën edhe më shumë.
E njohur edhe si Las Pozas, një lidhje e objekteve, skulpturave dhe shtigjeve të ndërthurura nga përrenj natyrorë dhe ujëvara – ajo shtrihet në më shumë se 20 hektarë xhungël tropikale.
Krijimi thuhet të jetë i Edward James, një poet dhe filantropist britanik – përfshirë dhe i Salvador Dali dhe Rene Magritte. / KultPlus.com
Ujëvara e Pocestit, një nga atraksionet e shumta natyrore të Dibrës që pritet të duket edhe nga rruga e re e Arbrit, tashmë nuk është e panjohur për dashamirët e natyrës dhe të ecjes në mal.
Bashkia e Dibrës, duke ofruar pamje të kësaj ujëvare, synon promovimin e sitit për tërheqjen akoma më shumë të vizitorëve.
Ujëvara e Pocestit, ndodhet në lartësinë 1500 m, në shpatin lindor të malit të Deshatit, në afërsi të fshatit Maqellarë. Kjo ujëvarë e bukur është me lartësi 13 m dhe formohet nga uji që del nga një e çarë e madhe në shkëmbin e thepisur gëlqeror, duke formuar një burim karakteristik, zhurma e të cilit dëgjohet në largësi.
Ujëvara e Pocestit është ndër më të vizitueshmet nga turistët vendas dhe të huaj, por me mbarimin e rrugës së Arbit, pritet rritje e interesit për ta vizituar nga afër. /atsh/ KultPlus.com
Akademia e Arteve dhe Shkencave njoftoi se do të shtyjë datën e “Academy Awards” nga 28 shkurti deri në 25 prill 2021.
Në një takim virtual në platformën “Zoom” të bordit të zyrtarëve të përbërë nga 54 anëtarë, ku bëjnë pjesë personazhe të njohur, si Steven Spielberg, Laura Dern dhe Whoopy Goldberg, drejtuesit e Akademisë vendosën se një valë e dytë e mundshme e COVID-19 në vjeshtë dhe dimër paraqet rrezik të madh për organizimin e një ngjarjeje të tillë në shkurt.
Gjithashtu, Akademia ka ndryshuar edhe rregulloren. Për t’u kualifikuar, një film artistik duhet ta ketë datën e lëshimit midis 1 janarit 2020 dhe 28 shkurtit 2021.
Në të njëjtën kohë, grupi njoftoi se do të shtyjë edhe hapjen e planifikuar të Muzeut të Akademisë. / DPA / KultPlus.com
“Kam qenë me prindërit, gjyshin dhe gjyshen në Ulqin, njeriu i fundit që e ka pa gjyshin gjallë jom unë. Gjithçka ka ndodhur në Plazhin e madh të Ulqinit, në vitin 2005. Gjyshi ka pasë shumë vullnet për jetë. Qat ditë që ka vdekë, edhe ditën paraprake, gjithmonë thoshte –‘kom me rrnu 90 vjet’. Ditëve të fundit thoshte ‘afër detit, afër mbretit’, sikur e ndjente vdekjen, nuk o kon besimtar i madh, por në Zot ka besu. Pati sulm në zemër dhe nuk ka pasë mundësi me shpëtu. Unë kam ecë pak para tij dhe kur u ktheva mrapa, e pashë tuj ra në shpinë, bash në pjesën ku e kanë rrokë edhe dallgët e detit”.
Gjyshi i detit, është gjyshi i këtij djali që fillon të na shpalosë rrëfimin. Ky është Bardh Kukaj.
Rifat Kukaj, një shkrimtar i njohur për fëmijë, kësisoj do ta kishte fundin e jetës, afër detit dhe Ulqinit, këtij vendi që aq shumë i kishte lënë përshtypje. Ulqini dhe Tërsteniku – vendlindja e tij, ishin dashuritë e mëdha të Rifat Kukajt. Bardh Kukaj, nipi i Rifat Kukajt, na bashkohet në këtë rrëfim bashkë me vëllaun e tij, Dren Kukajn, për të na rrëfyer më shumë për shkrimtarin e njohur, prozatorin, poetin, skenaristin, përkthyesin, gjyshin psikolog. Kujtimet do t’i ndajë me ne edhe Migjen Kukaj, një nga tre djemtë e Rifat Kukajt.
Plazha e Madhe, Ulqin. Rifat Kukaj me djemtë, Migjenin (majtas) dhe Shkelzenin (djathtas)
*
“Ulqinin, gjyshi e ka dashtë shumë. Ka bile edhe shkrime të ndryshme të cilat gjyshi ia ka kushtu Ulqinit. Gjyshi ka qenë mirë me shëndet, me përjashtim të vitit të fundit kur pati pak probleme me tension, por nuk i ka dashtë mjekët, ka qenë shpirt i lirë. Nuk i ka dashtë kufizimet. Për mu ka qenë ai autoriteti kur jam fshehë prej prindërve, e kam shku tek ai që me më mbrojtë. Shumë figurë e këndshme ka qenë. E ka pasë botën e tij, madje kur kemi qenë në shtëpi edhe nëse kanë ardhë mysafirët, ai ka shku në dhomën e tij dhe ka vazhdu me lexu, veprime këto që ndoshta dikush i ka përceptu si arrogante. Shkojsha në dhomë dhe e gjejsha duke lexu libra, ka lexu shumë” tregon Bardh Kukaj, nipi i shkrimtarit Rifat Kukaj.
Me Bardhin jemi ulur në një prej kafeneve të Prishtinës dhe kësisoj ai më tregon për shkrimtarin gojëëmbël e me një dorë magjike, me një mendje të ndritshme e shpesh fëmijërore.
Rifat Kukaj dhe Atdhe Gashi
“I kemi kalu plot vera bashkë në Tërstenik. Për mëngjes, zakonisht unë e vëllau pinim lëng shtogu, gjyshja me gjyshin kafe turke. Mramjeve, gjyshi e ka majt bashçen, shpesh edhe për drekë kemi pasë sallata prej bashçes. Më pas na recitojke poezi, ose na lexonte tregime të ndryshme prej jetës së tij” vazhdon Bardhi.
Bardhi sot është 29 vjeçar dhe ndoshta ndër gjeneratat e fundit që ka pasur fatin të rritej me plejadën e shkrimtarëve e poetëve për fëmijë, ku hyn patjetër me vulë të fortë edhe gjyshi i tij, Rifat Kukaj.
“Tek unë gjyshi ka pasur ndikim të madh. Prindërit e kanë pyt gjyshin, gjyshi u ka rekomandu që unë me u marrë me kitarë. Unë sot këndoj në shtëpi edhe i bij kitarës falë gjyshit, është një hobi që më ndihmon, kur kam kohë të lirë. Me u marrë me art më duket se ta zhvillon një pjesë tënden që ndryshe nuk zhvillohet. Këtu, gjyshi ka ndiku direkt” tregon Bardhi.
‘Kur nisën me i dëbu shqiptarët nga Kosova, gjyshi ka nejt në Prishtinë, ditët e para edhe pat pi shumë, plus villke, prej zemërimit se çka po ndodhë. E di një herë, në sallonin e banesës ku jetonim, gjyshi nisi me pi edhe më pas shkoi në banjo sepse i erdhi me vjellë, i vogël unë, kom qenë se nuk e dijsha çka po ndodhë. Ishin ditët e para të bombardimeve” vazhdon Bardhi.
Ka shumë momente, disa më simpatike se tjerat.
*
Rifat Kukaj, i lindur në Tërstenik, rritet pa baba, i cili vritet në kohën e rezistencë së udhëhequr nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica. Ky ishte Sheremeti, emrin e të cilit e ka marrë më pas djali i madh i Rifatit.
Dashuria më e madhe, shkrimtarit të “Lepuri me pesë këmbë” i vjen prej nënës, Halimes. Halimja thuhet të ketë qenë një grua e fortë e cila diti ta manovronte në duart e mendjen e saj patriarkalizmin e kohës. Në ato rrethan aspak të lehta, ajo do të triumfonte e nuk do ta linte Rifatin, djalin e saj të vetëm, të humbte në botë. Rifati u rrit pa motër, e pa vëlla, sado që dy vëllezër e tri motra të Rifatit nuk mbijetuan, disa vdiqën gjatë lindjes e disa në moshë shumë të vogël, nga varfëria e kohës.
“Ai nuk osht shprehë, por sigurisht që jeta pa vëlla e pa motër e ka mundu. Ai ka poezi ku përmend me mallëngjim dashurinë për familjarët, por kjo sigurisht ka qenë një brengë për të, i është dashtë me e ça jetën vet, nuk ka pasë përkrahje, më pas mungesa e babës. Babën e ka njoftë por ka qenë shtatë vjet kur osht vra baba i tij, e përmendte që po e mban në mend” tregon Migjen Kukaj, djali i mesëm i Rifat Kukajt.
Bardhi, nipi i Rifatit, djali i Sheremetit – më i madhi prej fëmijëve të Rifat Kukaj, tregon se një fotografi të babës së tij, shkrimtari Rifat Kukaj e humbi gjatë luftës në Kosovë.
“Shtëpinë në fshat e patën djegë gjatë luftës, dhe aty ka qenë edhe fotografia e babës së vet, e vetmja fotografi që ai e ka pasë prej babës e ku shihej qartë fytyra. Tjetër fotografi nuk ka pasë. E di që osht prekë shumë” tregon Bardhi.
Rifat Kukaj me Azem Shkrelin dhe shokë tjerë, rreth viteve 60-të.
*
Nëse nuk keni lexuar krijime të Rifat Kukajt, bëjeni tash. Rifat Kukaj është ndoshta një prej shkrimtarëve më të mirë për fëmijë. Siç tregojnë edhe familjarët, nuk ka çmim letrar në ish Jugosllavi të cilin nuk e ka fituar, Rifat Kukaj. Çmimet ‘Ismajl Qemajl Vlora’ në Vlorë, ‘Oton Zhupaniçiç’ në Ljublanë, ‘Ivan Goran Kovaçiq’ – ky në Zagreb, Çmimi ‘Neven’ në Beograd, Çmimi ‘Zmaj’ në Novi Sad, Shpërblimet e Dhjetorit e Nëntorit dhe ‘Ganimete Tërbeshi’ në Prishtinë, janë veç disa prej organizimeve letrare që e pranuan se si Rifat Kukaj, tjetër nuk ka.
Rifat Kukaj është shkrimtari ynë me numrin më të madh të romaneve për fëmijë, si “Bardhi e Mirushja”(1968), “Vjollca magjike” (1999), “Lepuri me pesë këmbë” (1971), “Rrasa e zogut” (1975), “Kokërrmeli e pilivesa” (1972), “Gogozheli i Gogozhinës”(1999), “Një verë pa bukureza” (2003), “Zogu i bardhë” (1989) dhe në tri vëllime (2009) etj. Po ashtu, Kukaj botoi numër të madh përmbledhjesh me tregime, si “Rrëfejza” (1965), “Harmonika e vogël” (1967), “Dylbia e kapedanit” (1973), “Ujku me kamerë” (1988), “Elefanti që fluturonte” (1997), “Gjiri i Delfinit” (2002) etj, dhe me poezi: “Gjerdani i blertë” (1965), “Vallja e kallinjve” (1967), “Trimnitë e karkalecit” (1967), “Princi i Krujës” (1969), “Fshati i Pishës” (1969), “Çka fshin dhelpra me bisht” (1976), “Deti u bëftë kos” (1980), “Një xinxare lozonjare” (1989), Pshurrani i gjyshit” (1990), “Ti një kokërr unë një kokërr” (2000), “Ëndrra të trembura” (2002), “Ma jep gishtin e vogël” (2005) etj. Me një fjalë, një burrë ujëvara letrare e të cilit nuk shterroi kurrë, deri në ditën e fundit.
NËNA
Ti ke pak zjarrmi Vogëlushe Leonorë, E nënës i digjet Zemra në kraharorë.
N’mëngjes, po e zëmë S’të hahet – nuk ha, Urinë e tërë botës Nëna at’ ditë e ka…
Oh, pa pandehur gishtin E gërvishte pak, E di ç’ndodh me nënën? Zemra i pikon gjak!
Mbi shtrojën më t’butë Ajo shpesh këlthet: -Kam dro’ ndonjë pupël Vashëzën mos ma vret.
Rifat Kukaj përktheu letërsi për fëmijë edhe nga autorët kroatë, sllovenë, serb e hungarezë, ndërsa rreth 30 radio-drama mbajnë emrin e tij. Sa për kuriozitet, ai gjithmonë nëpër orët letrare i ka recituar poezitë e tij, duke i ditur përmendësh e duke mos i lexuar fjalët nga ndonjë letër. Në dasma e ahengje, shpesh e ka marrë mikrofonin dhe ka treguar humor të mirë. Ah, po, ai e ka shkruar tekstin e këngës ‘Baresha’ nga Nexhmije Pagarusha.
Vitin e kaluar, në Drenas u nda edhe një çmim special për vepër jetësore në krijimtari letrare, që mban emrin e Rifat Kukajt.
Rifat Kukaj ka qenë pjesë e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili udhëtonte nëpër tërë Kosovën dhe viset tjera shqiptare jashtë Kosovës për të argëtuar e për të edukuar më të vegjlit, me poezi e me dashuri. Karvani ka nisur rrugëtimin që nga viti 2000, bashkë edhe me emrat tjerë jo më pak të rëndësishëm si Agim Deva, Arif Demolli, Xhevat Syla, Gani Xhafolli e plot poetë e shkrimtarë tjerë.
* Dren Kukaj, vëllau i Bardhit, e kujton kështu gjyshin e tij, Rifat Kukajn.
“Jom rritë si fëmijë me gjyshin, plot kujtime. Na babë i kena thonë, më merrke nëpër kafe, në ‘Dubrovnik’, nëpër kafenetë tjera në Dardani. Kam kujtime edhe prej banesës në lagjen Dardania, sidomos më kujtohet makina e shkrimit dhe zhurma e saj. Gjyshi, në mëngjes dhe gjatë ditës i krynte këto kafet letrare, më pas vijke në shpi para orës 3, në 3:30 në mesditë hajshim drekë, më pas flejke, dhe kur zgjohej ose lexonte ose shkruante deri në orën tetë në mbrëmje. E di që së pari shkruante nëpër fletore e më pas dorëshkrimet i bartte në makinën e shkrimit. Plot prej vjershave i shkruante në paqetat e cigareve, atëherë ishin ‘Drina’ pa filter, dhe na lexonte neve paraprakisht” tregon Dreni, i pari prej nipave të Rifat Kukajt dhe djali për të cilin shkrimtari e shkroi librin ‘Pshurrani i gjyshit’.
“Shpija në fshat, në katin e dytë, njëra dhomë ka pasë mijëra libra që gjyshi i ka mbledhë. Gjatë luftës u kall gjithçka. Kjo i ka dhimtë shumë, sepse ka pasë libra që ndoshta sot nuk mundesh me i gjetë, ka qenë jeta e tij brenda një dhome. Mu, gjyshi ma ka dhuru një fëmijëri të lumtur, jom rritë me përralla të cilat mi ka tregu gjyshi, kujtimet e mia janë plot imagjinatë” tregon tutje Dreni.
“Ai ka qenë gjithmonë i dashtun. Si fëmijë, në fshat dilshim bashkë në gjueti, gjyshi ka qenë gjuetar, dilshim edhe ditën me gjujt pllumba, ndërsa natën më shumë përcjellshim lepujt. Ka ndodhë natën, në mal, kemi mbetë afër ndonjë shkurreje dhe pritshim deri në dy orë për me gjujt lepuj, e gjatë kësaj kohe gjyshi më tregonte çfarëdo tregimi. Një herë, e niva pushkën natën dhe ai erdhi në shtëpi, tha – kom ardhë me një mysafir, erdhi me një lepur. Për herë të parë dhe të fundit në jetë, atëherë pata hangër mish lepuri” thotë Dreni.
*
Vazhdojmë me Migjen Kukajn, djalin e Rifatit.
“Baba e nana janë martu shumë të rinj, qysh në moshën 16 vjeçare. Ka pasë shumë përkushtim për familjen, ndërsa nuk ka dashtë me lavdëru shumë njerëz. Ka qenë edhe i ngarkuar, por ka pasur një jetë bashkëshortore shumë të mirë. Baba ka punu në Radio Prishtinë deri në vitin 1975 ndërsa më pas ka kalu në Rilindje. Sa ka qenë në Radio, shihet se ka pasë më shumë angazhime, ndërsa në Rilindje ka qenë më i qetë. Baba prej natyrës ka qenë optimist, ka pasë prirje për humor. Gjithmonë mirëkuptues, dhe i avancuar, liberal si prind, nuk ka tentu me i imponu mendimet e veta”.
Migjeni mi tregon këto detaje nga Tirana, dhe meqë jemi në kohë të pandemisë, jemi larg por me anë të rrjeteve sociale, me kryefjalën Rifat Kukaj, bashkohemi për pak minuta.
Rifat Kukaj dhe Mehmet Rukiqi, te stacioni i trenit në Baicë, viti 1959
“Ka pasë shoqni të gjanë, një rreth të madh të njerëzve. Më shumë ka pasë shoqni me Azem Shkrelin, e më vonë edhe me Mehmet Rukiqin – me të cilin kanë qenë bashkë në shkollim. Kohëve të fundit, ka pasur raporte shoqërore me Odhise Grillon, ky ka qenë mik i familjes” tregon Migjeni.
“Çkado që kemi gjetë prej dorëshkrimeve, i kemi botu. Puna e babës ka qenë si bleta, petale petale, ka shkru, ka botu, ka gjetë donatorët lehtë në vitet 90-të kur nuk ka pasë financime shtetërore, ka qenë shumë i përpiktë, si bleta, veq kur e ke pa produktin gati” tregon Migjeni
*
ZOGU I LASGUSHIT
Yll i ndritur në natë qershori Sikur ra prej gjithësisë, Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori Në degë t’qershisë.
U purtekëm unë e gjethet Qetë e lehtë me petalet, Qielli vetë nisi të prehet Edhe malet.
Kënga nga zogu i brishtë Lindi krejt ëndërrimtare, Dritë feksoi n’flatra e bisht Dhe n’për dritare.
Gëzim, shpresë, në gji më derdhe E hare të butë si pushi, Zog-magji ti mirë se erdhe Nga Lasgushi!
Ato porosi të larta Te dritarja e shtëpisë Po m’i thotë me vargje t’arta Kalorësi i bukurisë.
“Çështja e shkrimit, Zoti talentin ose ta jep ose nuk ta jep. Mjerisht ne nuk kemi afinitet, askush nga familja jonë, për letërsi. E kemi dëshirën, por jo afinitetin. Ndoshta ndonjë pasardhës” tregon si duke qeshur Migjeni, kur e pyes nëse dikush nga djemtë e Rifat Kukajt, nipat apo mbesat, sot kultivon poezi e letërsi autentike.
Me shkrimtarin për fëmijë Odhise Grillo, i cili ka lindur në Vuno të Himarës, Rifat Kukaj është njoftuar në nëntor të vitit 1973 kur një delegacion i shkrimtarëve nga Kosova shkon në Shqipëri. Mund ta paramendoni sa shkëndinja lindi kur dy shkrimtarë eminentë të poezisë për fëmijë u panë në sy. Shoqëria do të vazhdonte përjetësisht.
Me Odhise Grillon (në mes) dhe Hajro Ulqinakun (djathtas)
“Odhise Grillon e ka cilësuar si vëlla. Vitin e kaluar kur ndodhi tërmeti në Shqipëri, gruaja e Odhise Grillos, tezja Vanxhelo, erdhi në Prishtinë tek ne. Sot mbajmë kontakte edhe me fëmijët e Odhise Grillos. Me Ali Podrimën poashtu gjyshi ka nejt shumë. Gjyshi ka qenë njeri i dashtun, ka dashtë pa hile. Ka bashkëpunu edhe me Fatmir Lamën, me Mehmet Rukiqin kanë pasë qef me dalë në kafenetë e kohës si ‘Bagremi’ e ‘Koha’. Edhe me Ismail Ymerin, meqë bashkë e kanë kthyer ‘Lepurin me pesë këmbë’ në film” tregon Bardh Kukaj. Filmi ‘Lepuri me pesë këmbë’ u realizua nga Kosovafilmi në vitin 1982, me lojën e mrekullueshme të Abdurrahman Shalës, Istref Begollit, Muharrem Qenës, Xhevat Qorrajt, Melihate Ajetit, Beqir Gashit, mes të tjerëve.
Rifat Kukaj e ka pasur një koleksion të mahnitshëm të llullave, por edhe të sheshirave Republika. Një ‘Republikë’ të tillë sot e ka edhe Bardhi.
Rifat Kukaj dhe Agim Deva
“Ka qenë një psikolog i mirë për fëmijë. Si fëmijë, i kam pasë dy shqetësime të cilat ai i ka vërejtur, e prindërit jo. Tash para pak ditësh isha te gjyshja, e cila është e moshuar tanimë, dhe ajo më tregoi se pak pas lufte, gjyshi paska qenë në Krushë, meqë ai vend u dëmtua shumë e pat shumë të vrarë. Gjyshja tregon se si një fëmijë rreth 10-11 vjeçar kishte qenë në depresion, pasi ia kishin myt babën. Gjyshi e ka ndihmu me dalë prej gjendjes, ka folë me të, e ka këshillu. Djali tregojnë që më vonë ka nisë me u hapë, me u ndi ma mirë. Gjyshi im, Rifat Kukaj, ka pasur një sinergji të mirë me fëmijët. Për pak burrat e katundit kanë dashtë mos me e qu në shkollë, por ndryshe ka qenë fati i tij” vazhdon Bardhi, i cili në fakt ka trashëguar diçka prej rrezatimit të syve të shkrimtarit.
Për dallim prej djelmoshave të kohës, Rifat Kukaj nuk i kishte flokët e shkurtëra. Ai i ka rritur flokët, në kohën kur thuhej ‘nuk bon me e lon djalin në shehër, se po na bohet shka’*. Ka qenë më avangard, ndërsa axhallarët e tij duket se kanë pasur problem me këtë fakt: djali i Sheremetit, i vetmi, po na ik dorësh.
*
Vijmë në fund të rrëfimit. Bardhi e Dreni kujtojnë se kur gjyshi e merrte rrogën, gjithmonë shkonin së bashku ‘nër Kurriz’ në Prishtinë, për me ‘hangër një torte edhe limonadë’. Në Panair të Librit, gjyshi Rifat shpesh i ka marrë me vete dy nipat.
“Kur e dëgjoj kangën ‘Baresha’, e ndjej një pjesë të gjyshit. Mënyra se qysh ai e ka përfytury, e vëren prej vargjeve që është pikërisht ai, gjyshi. Më kanë tregu që në fillim kur ka dalë kanga ‘Baresha’ nuk e kanë dashtë shumë, ka qenë më avangarde për kohën, më përparimtare” tregon Bardhi.
“Më duket që gjyshi i ka shkru tekste edhe Adelina Ismailit, si fëmijë. Shumë tekste të këngëve e di që i ka shkru gjyshi. Gyshi ka shkrujtë vjersha, prozë, drama, radiodrama, e më duket që edhe Mixhës Ramë asokohe ia shkruante tekstet për “orën gazmore” që transmetohej në Radio Prishtinë” vazhdon Dreni.
E përfundojmë rrëfimin, me shumë tregime tjera që do të shkruhen në një kohë tjetër. Është krejt e natyrshme të sjellim diçka nga dora e Rifat Kukajt për ta përmbyllur këtë shpalosje emocionesh.
MË FAL TRËNDAFIL
Ç’po të buzqëshin petalet Trëndafil bukurosh, Si re të buta mbi male Petalet që më shohin prore Më ngjyrën rozë Si npër qepallat qumështore.
Më fal o mik për ngrysjen Time dhe drithërime… Unë do të t’shoh dhe verën tjetër Po kurrë me sytë e nënës sime.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)