Qytetet më të bukura në botë sipas një raporti britanik, nëntë nga Europa

Disa qytete shfaqen vazhdimisht në listat e më të bukurave, megjithëse ndjesia subjektive e turistëve shpesh është pak më ndryshe.

Por cilat qytete janë më të bukurat, nëse përdoret raporti i artë, një parim matematikor që përdoret në arkitekturë prej shekujsh për të arritur harmoninë dhe bukurinë?

Nëntë qytete evropiane ishin në listën e raportit të artë, e cila ka një listë të renditjes prej dhjetë pozicionesh.

Si pjesë e hulumtimit, u analizuan mbi 2.400 ndërtesa në mbarë botën.

Sipas rezultateve të faqes britanike Online Mortgage Advisor, shumë kryeqytete evropiane ishin ndër dhjetë qytetet më të bukura.

Cilat qytete janë më të bukurat në botë?

Venecia, një qytet në Itali, është i njohur për kanalet dredha-dredha dhe arkitekturën eklektike. Siç deklaruan studiuesit në studim, më shumë se 83 për qind e ndërtesave në Venecia korrespondojnë me termin “seksion i artë”. Ky fakt e bën atë një ndër qytetet më të bukura në botë.

Qyteti i dytë, gjithashtu në Itali, është Roma, që ka 82 për qind të ndërtesave sipas “seksionit të artë”. Konsiderohet si kryeqyteti më i bukur evropian.

Në vendin e tretë është Barcelona në Spanjë. Në të katërtin është Praga në Republikën Çeke, e cila është e famshme për Katedralen gotike të Shën Vitusit dhe ndërtesën moderne të Shtëpisë së Vallëzimit.

I vetmi qytet që nuk ndodhet në Evropë, dhe e gjeti veten në listën e “raportit të artë”, është Nju Jorku në SHBA.

Qyteti më i bukur në Francë është Bordeaux, i cili zuri vendin e nëntë sipas “raportit të artë” me 75.3 për qind. Qyteti është i famshëm për vreshtat e tij dhe arkitekturën mbresëlënëse si muzeu Cité du Vin dhe ndërtesa e teatrit klasik.

Parisi, pavarësisht nga monumentet e Kullës Eifel dhe Katedrales Notre Dame, ishte në vendin e dymbëdhjetë.

Asnjë qytet i vetëm britanik nuk u përfshi në listën e “raportit të artë”.

Lista e qyteteve më të bukura tregoi se Evropa dominon në bukurinë arkitekturore të estetikës, harmonisë dhe dizajnit urban.

Ndër njëzet qytetet e “raportit të artë” ishin Athina (Greqi), Budapesti (Hungari), Vjena (Austri), Milano (Itali), Firence (Itali), Kopenhagen (Danimarkë), Amsterdam (Holandë)…

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme…

Jorge Luis Borges

Sikur edhe njiherë të kisha mujt me jetue jeten teme,
unë do t’isha përpjekë që në jetën e re
me ba ma shumë gabime.
nuk kisha dashë me qenë aq i përsosun,
kisha dashë me qenë ma i qetë.

Kisha dashë me qenë edhe ma i çmendun se ç’isha,
shumë ma pak gjâna i kisha marrë kaq seriozisht.
Nuk do t’kisha rrnue kaq shnetshëm.

Do t’kisha rreziku ma shumë, do t’kisha udhëtu ma shumë,
ma shumë perëndime dielli kisha me vështrue,
ma shumë do t’isha ngjitur maleve, ma shumë do t’kisha notu lumenjve.

Kam qenë njâni prej atyne njerëzve t’mençun,
që çdo minutë të jetës e ka kalue frytshëm;
vërtet unë kam pasë edhe çaste të gëzimit,
por, sikur t’kisha mujt me u kthye prapa edhe njiherë,
do t’kisha ba përpjekje me shijue vetëm çaste t’mira.

Nëse ti ende nuk e din,
vetëm prej tyne përbahet jeta;
vetëm prej çasteve, mos e harro të tashmen!

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme,
prej fillimit të pranverës deri në fund të vjeshtës kisha me ec kambzbathun.
Po ashtu kisha me lozun ma shumë me fëmijë,
sikur jetën ta kisha para vetes.
Por, shikoni… i kam 85 vjet, jam plak dhe e di
se së shpejti kam me vdekë.

(Përktheu: Enver Robelli)

Paris 2024: Çfarë duhet të dini për Lojërat Paralimpike

Rreth 4000 sportistë po “luftojnë” për medaljet Paralimpike në Paris, duke dërguar edhe mesazhe me rëndësi në botë.

Rreth 4000 sportistë, gra dhe burra, po performojnë në Lojërat Paralimpike në 22 disiplina sportive. 98 pjesëmarrës nga Rusia dhe Bjellorusia kanë të drejtë të performojnë. Megjithatë, për shkak të sanksioneve, si pasojë e agresionit në Ukrainë, ata mund të performojnë vetëm si atletë neutralë, pra pa flamurin e vendit të tyre. Ata nuk do të marrin pjesë as në ceremoninë e hapjes së Lojërave dhe në rast fitoreje në disiplinat e tyre nuk do të ketë himne të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Tetë sportistë, meshkuj e femra, do të performojnë në Paris si pjesë e ekipit më të madh të refugjatëve deri më tani (Ekipi Paralimpik i Refugjatëve). Ata do të përfaqësojnë rreth 120 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën. Një ekip refugjatësh prej gjashtë anëtarësh performoi në Lojërat Paralimpike në Tokio 2021.

Sipas organizatorëve, në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Paralimpike, u shitën më shumë se gjysma e 3,4 milionë biletave për 164 gara në kuadër të Lojërave. Në shtatë vitet e fundit janë investuar rreth 125 milionë euro për ta bërë metropolin francez sa më të përshtatshëm.

76 vite histori

Në verën e vitit 1948, neurologu gjerman Ludwig Guttmann, i cili në vitin 1939 si hebre u arratis nga nazistët në Britaninë e Madhe, organizoi ofertën e parë për gara për njerëzit në karrige me rrota në Londër, të cilin e quajti “Lojërat e Stoke Mandeville”. Kështu lindi ideja e Lojërave Paralimpike, të cilat u mbajtën për herë të parë në Romë në vitin 1960. Në to morën pjesë 400 sportistë nga 23 vende. Që atëherë, Lojërat Paralimpike janë mbajtur çdo katër vjet.

Lojërat e para Paralimpike Dimërore u mbajtën në Suedi në vitin 1976. Edhe ato mbahen në një ritëm katërvjeçar. Bazuar në marrëveshjen e Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik (IPC) dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Lojërat Paralimpike janë mbajtur që nga viti 1988 në të njëjtin vend ku më parë janë mbajtur Lojërat Olimpike.

Modele për njerëzit e tjerë

Lojërat Paralimpike janë një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e para-sporteve. Numri i pjesëmarrësve rritet vazhdimisht, ashtu siç rritet edhe interesimi i mediave. Nuk ka të bëjë më kjo vetëm me aftësitë e kufizuara të njerëzve, por gjithnjë e më shumë me njerëzit, me personazhet, dhe ka për synim motivimin, tha për DW para-sprinteri gjerman Floors, fitues i medaljes së artë në Tokio 2021.

Për paranotarin dhe kampionen e botës Elena Semechin, Lojërat Paralimpike janë shumë më tepër se një garë sportive: “Unë e shoh si një lloj aktiviteti të një ambasadori, një model për njerëzit e tjerë. Dhe kjo është arsyeja pse është edhe më e rëndësishme për mua që të mund të përfaqësoj Gjermaninë në Lojërat në sportin tonë”, tha për DW fituesja e medaljes së artë në Tokio.

Lojërat Paralimpike Paris 2024 filluan më 28 gusht e do të zgjasin deri më 8 shtator. /atsh/ KultPlus.com

Festivali folklorik ndërkombëtar, Sako: Durrësi, qendër e aktiviteteve kulturore

Durrësi është kthyer tashmë në qendër të aktiviteteve kulturoro- artistike me organizimin e festivalit folklorik ndërkombëtar.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndau sot momente nga ky festival me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Polonia, Ukraina Maqedonia e Veriut, Estonia, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Republika Çeke, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Sllovakia, Franca etj.

Të gjitha grupet performojnë live dhe kanë në përbërje muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë duke bërë që çdo ansambël të ketë larmishmëri dhe një përfaqësim të plotë të vlerave dhe traditës së vendit përkatës.

Sako theksioi se të tilla evente kulturore dhe artistike janë ndjekur me interes të madh nga ana e artdashësve durrsakë por dhe turistëve të shumtë./atsh/ KultPlus.com

Grevist Bytyqi bëhet kosovari i parë që garon në Lojërat Paralimpike

Paraatleti Grevisti Bytyqi garoi në Lojërat Paralimpike, “Paris 2024”, duke shkruar kështu kapitullin e parë dhe më të rëndësishëm të historisë së Kosovës në Lojëra Paralimpike – paraqitja jonë e parë ndërkombëtare.

Vetëm 200 metra pas fillimit të vrapit 1500-metërsh, në sportin e atletikës, në të cilin garoi Bytyqi, ndodhi një incident që ndikoi që paraatleti ynë të humb ritmin e garës duke u goditë në këmbë nga një atlet tjetër. Si rrjedhojë e kësaj, atleti që shkaktoi incidentin u diskualifikua.

Por, përkundër kësaj, Grevisti realizoi një paraqitje dinjitoze, e cila ka arritur të na bëjë krenarë.

Emocionet ishin të jashtëzakonshme teksa Grevisti u bë kosovari i parë që shkel stadionin “Stade de France”, si një paraatlet, i barabartë me të tjerët nga e gjithë bota.

Realizimi i këtij rrugëtimi madhor për parasportin kosovar do ishte i pamundur pa lidershipin e presidentes së Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

“Grevisti tregoi maturi dhe profesionalizëm. Ky është vetëm fillimi për të dhe për shumë parasportistë të tjerë. Ne, si Komitet, jemi shumë krenarë për paraqitjen e Grevistit dhe të delegacionit tonë, si dhe kontributin e dhënë për parasportistët dhe shtetin tonë në Paris”, tha Emini nga Parisi.

Komiteti Paralimpik i Kosovës i është mirënjohës të gjithë atyre që i kontribuuan paraqitjes së parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, si dhe që mbështesin parasportin kosovar, në veçanti falënderon Zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, për pjesëmarrjen e saj dhe mbështetjen e dhënë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe sponsorin gjeneral TEB Bank./ KultPlus.com

Sonte nis Festivali i Teatrove, bashkon prodhimet teatrale shqiptare

Sonte do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili do të hapet në teatrin “Adriana” me shfaqjen “Mishi i Egër”.

“Festivali në Ferizaj jo vetëm nga vjetërsia e organizimi, por edhe nga aspekti i konkurrencës është festivali i vetëm mbarë shqiptar që për shumë vite e ruan konkurrencën brenda produkteve të mira teatrore. Është rasti i vetëm që qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm kanë mundësi të shohin prodhimet më të mira teatrore”, ka thënë Besim Ugzmajli, drejtori i Festivalit në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ugzmajli ka thënë se në planet e tyre është edhe prodhimi i shfaqjes që e ka ekskluzivitetin e premierës për festivalin. Ka njoftuar gjithashtu se Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatrot e qyteteve në Ferizaj, Prizren, Gjilan e Gostivar do të luajnë në skenën e teatrit “Adriana”. Pjesë e programit janë shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF do të përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Himni i Kosovës intonohet në palestrën ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore

Xhudistët kosovarë kanë fituar pesë medalje në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Sarajevë në fundjavë. Mirëpo, më shumë bujë se sa medaljet e fituara ka bërë intonimi i himnit të Kosovës në këtë aktivitet, pasi ai u mbajt në pjesën e Sarajevës lindore, që është nën autoritetin e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Në fakt, ky kampionati është zhvilluar në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore.

“Çka do të thonë për këtë Dodiku e Kosharaci: Himni i Kosovës intonohet në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore”, është titulli i artikullit në gazetën “Slobodna Bosna”.

Sipas këtij mediumi pjesë e Këshillit Organizativ të Kampionatit Ballkanik ishin edhe kryetari i komunës së Sarajevës Lindore, Lubisha Qosiq dhe Miroslav Vujiçiq, deputet serb në Bosnjë-Hercegovinë.

Në këtë kampionat kanë garuar rreth 150 xhudistë nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, Moldavia, Shqipëria e Kosova, derisa Serbia refuzoi pjesëmarrjen për shkak të Kosovës.

Në videon e publikuar shihet se edhe të pranishmit në palestër e kanë respektuar himnin e Kosovës duke u ngritur në këmbë.

“Është interesant se pas garimit të garuesve kosovarë në sallën ‘Serbia’, në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore, është intonuar himni i Kosovës. Pasi pushteti në Republika Srpska dhe në Sarajevën Lindore nuk e njohin Kosovën si shtet, fillimisht do të mund të mendohej se është ndonjë lëshim i organizatorit. Por kjo është pak e besueshme duke ditur se kush ishte në këshillin organizativ. Mbetet  të shihet nëse Qosiqi dhe Vujiçiqi do të kenë pasoja politike për shkak të intonimit të himnit të Kosovës në mes të Sarajevës Lindore”, thuhet tutje në artikullin e këtij mediumi.

Në këtë kampionat me medalje të arta u stolisën Flaka Loxha, në kategorinë 57 kg dhe Debora Gjakova, në kategorinë 63 kg, me medalje të argjendta u stolisën Erza Muminoviqi, në kategorinë 52 kg e Dardan Cena, në kategorinë 73 kg, derisa medaljen e bronztë e fitoi Muhamedin Veseli, në kategorinë 66 kg./rtk/ KultPlus.com

Vdes reperi 53-vjeçar, Fatman Scoop

Reperi amerikan, Fatman Scoop ka vdekur në moshën 53-vjeçare pasi u rrëzua në një koncert të premten në Connecticut, ka thënë përfaqësuesi i tij për BBC.

Ai ishte duke performuar në parkun qendror të qytetit në qytetin Hamden kur u rrëzua në skenë.

Kryebashkiakja Lauren Garrett tha në një postim në Facebook se reperi u dërgua në një spital lokal me ambulancë, transmeton Klankosova.tv.

Por agjencia e tij e rezervimeve, MN2S, konfirmoi vdekjen e tij në një deklaratë për BBC, duke thënë se “trashëgimia e vendasit të Nju Jorkut do të jetojë përmes muzikës së tij të përjetshme”.

Herakliti: Heshtja, shëron…

Rreth 2,300 vjet më parë, ai arriti të përceptonte atë që shkenca moderne pohoi në shekullin e fundit, që gjithçka në univers është me të vërtetë në lëvizje të vazhdueshme, e për rrjedhojë ligji i ndryshimit është një koncept i gjithsejtë që vlen si për planetet dhe galaktiktat po ashtu edhe për atomet e molekulat, trupin, mendjen, karakterin dhe sjelljen e njeriut.

Herakliti i Efesit lindi në një familje të pasur në Ioni, një qytet në brigjet greke, por që jetonte në pyll për të soditur universin.

Ne kemi bindjen se do t’i lexoni me kënaqësi këto brilantë filozofikë dhe do të na thoni cilën praktikoni apo vlerësoni më së shumti në jetën tuaj.

Njeriu bëhet më së shumti vetvetja kur arrin seriozitetin e një fëmije që është duke lozur.

Askush nuk mund ta kalojë të njëjtin lum dy herë, sepse ai rrjedh, dhe nuk është i njëjti lumë, dhe ai vetë ndryshon, nuk është më i njëjti njeri.

Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.

Koha është një lojë që fëmijët e luajnë bukur.

Bollëku i informacionit nuk garanton urtësinë te njeriu.

Karakteri yt o njeri, është fati yt!

Është nëpërmjet ndryshimit që ne gjejmë qëllimin.

Shpirti është pikturuar me ngjyrat e mendimeve të tij.

Heshtja, shëron.

Çfarë është ndarë do të bashkohet, dhe çfarë është bashkuar do të shpërthejë.

Të zgjuarit ndajnë të njëjtën botë, ndërsa të fjeturit janë secili në botën e vet.

Rruga për t’u ngjitur dhe rruga për të zbritur është një dhe e njëjta.

Të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë si konflikt midis dy të kundërtave.

Sytë dhe veshët janë dëshmitarë të këqinj për njeriun me shpirt barbar.

Historia është një fëmijë që bën kështjella prej rëre në breg të detit, ndërsa ai fëmija është gjithë madhështia e pushtetit të njeriut.

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të kërkuar një botë të re.

Zjarri jeton për shkak të vdekjes së Tokës, ajri jeton për shkak të vdekjes së zjarrit, uji jeton prej vdekjes së ajrit, dhe Toka jeton prej vdekjes së ujit.

Natyrës i pëlqen të fshihet.

Njerëzit duhet t’i mbrojnë ligjet ashtu siç mbrohen muret e qytetit./shkollaesuksesit/KultPlus.com

‘Fustanin që ta solla mbrëmë’ nën interpretimin e Parashqevi Simakut (VIDEO)

Parashqevi Simaku është këngëtare e muzikës shqipe. Ajo u lind në Kavajë  më 1 shtator 1966. Me këngën filloi qysh në moshën e hershme të saj, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

Përgjatë karrierës së saj muzikore mori pjesë në shumë koncerte dhe festivale muzikore, në të cilat edhe u shpërblye me çmimin e parë.

Sot në ditëlindjen e sajtë 58-të, KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën ‘Fustanin që ta solla mbrëmë’,të interpretuar nga Parashqevi Simaku:

Fustanin qe ta solla mbreme,
a s’e vesh moj per hatrin tim.
Fustanin qe ta solla mbreme,
a s’e vesh moj per hatrin tim

Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim,
Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim

Fustanin o me lule shume,
a s’e vesh moj per hatrin tim.
Fustanin o me lule shume,
a s’e vesh moj per hatrin tim.

Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim
Aman se jetim jam rriture,
me kulac moj te siture./KultPlus.com

Drejtoria e Arkivave prezanton projektin novator të Muzeut Arkivor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi para medieve projektin novator të Muzeut Arkivor, i cili do të hapë së afërmi dyert për publikun.

Lajmi u bë me dije nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, në një dalje përpara medieve në Sarandë, në përmbylljen e turit shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

“Ne jemi duke krijuar Muzeun Arkivor, që prezantohet brenda këtij viti, i cili është një muze atipik, sepse ne tentojmë që të pasqyrojmë të gjithë pasurinë tonë kombëtare në një hapësirë të vogël, por që jam i bindur që do të jetë një ndër muzetë më interesantë në Shqipëri. Do të prisni pak mua derisa ta prezantojmë.”

Në bashkëpunim me bashkinë e Sarandës, DPA-ja shfaqi pranë Muzeut të Traditës Sarandiote ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

I pranishëm në këtë aktivitet, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh në një dalje për mediet se përmes arkivave shëtitëse, synohet të përçohen vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tenton që të sjellë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, veçanërisht në bregdet gjatë verës, sepse shqiptarët aty janë. Pra, në gjithë pika turistike dhe ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, mbi veshjet popullore, të cilat shumë njerëz nuk i njihnin, në fakt ka qenë edhe në Durrës, edhe në Shëngjin, edhe në Krujë, që ka masivitet gjatë verës. Ka qenë edhe në Pogradec, në Himarë dhe është edhe në Sarandë. Kudo ku ka njerëz, të cilët mund të shohim trashëgiminë e vyer të kombit tonë, ne shkojmë aty. Nuk presim që ata të vijnë te ne për të parë elementet e veçanta të së kaluarës, të cilat janë një frymëzim në fund të ditës për të ardhmen”, tha Bido.

Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se ekspozita përfshin edhe kostumet popullore të komunitetit të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitasve të Greqisë, për të treguar larmishmërinë e traditës sonë.

“Ekspozita ka të bëjë me kostumet popullore të të gjitha trevave shqiptare, përfshi edhe arbëreshët e Italisë, apo arvanitasit në Greqi, përtej pra trungut kombëtar, për të treguar larmishmërinë e madhe që kemi në traditën tonë. Dhe besoj se është mjaft interesante, është pritur mjaft mirë në të gjitha qytetet, ku ka shkuar kjo ekspozitë sepse njerëzit kuptojnë sesi gjyshërit dhe gjyshet e tyre visheshin në përditshmërinë e tyre. Stërgjyshërit apo stërgjyshet e tyre për mosha më të vogla, të cilat le të themi nuk i kanë parë me sy këto, por që i kanë së paku në një traditë gojëdhënë. Kanë mundësinë që t’i shohin në treva të ndryshme nga ata janë, të shohin veshje karakteristike të shqiptarëve, të cilat janë mjaft të bukura, shumë të mirëpunuara, goxha të shtrenjta dhe mbi të gjitha e detaje, të cilat sot fatkeqësisht po humbet edhe tradita e të rikthyerit të këtyre detajeve në veshjet tona”, tha kreu i DPA-së.

Ekspozita “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” është shfaqur më herët në Gjirokastër, në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin dhe në Elbasan./atsh/ KultPlus.com

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku feston ditëlindjen e 58-të

Njëra ndër ikonat e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare feston sot ditëlindjen e 58-të. Më zërin e saj të mahnitshëm, Parashqevi Simaku fitoi shumë shpejt zemrat e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.

Ajo edhe sot mbahet në mend për gjithçka që dha në skenë para viteve të 90-ta.

Parashqevi Simaku u lind në Kavajë më 1 shtator 1966 dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës.

Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerr një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Disa nga këngët që Parashqevi Simaku këndoi përballë publikut shqiptar janë: Gëzimi i shtëpisë së re (1983), Në moshën e rinisë (1985), Një mëngjes (1986), Kur lulëzon bliri (1986), Me sytë e tu (1987), Çdo mëngjes, Çdo gjë bashkë ne e ndajmë, Buzë detit jemi rritur, Bashkëmoshatarët (1987), Koha nuk na pret (1987), E duam lumturinë (1988) e shumë të tjera./ KultPlus.com

Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, Rama: Mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës

Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit, është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën.

Vizitorët mund të shijojnë edhe pamjet spektakolare të perëndimit të diellit që në mbi 1000 metra lartësi ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezulluese të Tiranës.

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria!’

Nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

Letra

Poezi nga Miguel Hernandes

Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.

Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.

Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.

Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria

Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër./KultPlus.com

Nis sezoni i ri i teatrove në Shqipëri, TKOB nis me mbrëmje gala

Me ardhjen e Shtatorit, nis edhe sezoni i ri për teatrot në vend. Ndonëse duhet edhe pak që këto institucione të prezantojnë kalendarin e plotë për këtë sezon, sërish kanë bërë me dije se cilat do të jenë shfaqjet e para që do t’i rikthejnë tek publiku.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, bën me dije se më 14 Shtator do të nisë sezonin e ri artistik, me një mbrëmje gala, që do t’i hapi rrugën një sezoni të gjallë ku nuk do të mungojë shfaqjet operistike, baleti dhe shfaqjet nga Ansambli Popullor.

Ndërsa në skenën e Tetarit Kombëtar, në 15 Shtator do të luhet shfajqa “Karnavalet e Korçës”, një produksion i Andon Zako Çajupi, ndërsa vetë kasti i Teatrit Kombëtar ka nisur punën për premierën “Fausti”, një bashkëproduksion mes Teatrit Kombëtar dhe Sardega Tetaro, me regji të regjisorit dhe dramaturgut Italian Davide Iodice.

Teatri Kombëtar Eksperimental, në bashkëpunim me Teatrin Metropol, më 4 Shtator e nis me shfaqjen “Marmelladov” me regji të Xhino Musollari, pjesë e festivalit “Hapat” që i dedikohet regjisorëve dhe aktorëve të rinj.

Shtatori i rikthen trupat artistike në kryeqytet pas një turi shfaqjesh që patën në zonat me të frekuentuara turistike./tvklan/ KultPlus.com

Nga 2 shtatori nis Java Kulturore e Hungarisë në Shqipëri

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare rikthehet sërish me plot surpriza e argëtim. Njëjtë si me grupin e parë të shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të tretë të JKN, çdo javë do t’i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve të shumta që përcjellin më së miri pasurinë e tyre kulturore.

Gjithçka vijon nga 2 Shtatori me Hungarinë, që do të sjellë në vendin tonë deri më datë 6 Shtator, argëtim e emocione pa fund. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe ekspozitës mahnitëse me skulptura xhami të artistes Yvette Botz, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, kjo javë ka diçka për të gjithë.

Surprizë e kësaj jave pa dyshim që do të jetë grupi folk dance Szinvavölgyi Néptáncműhely, që do të sjell në kryeqytetin tonë një performancë që premton shumë. Me kostumet tradicionale hungareze, ky grup do të marshojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në datën 3 shtator, duke i dhuruar qytetit zhanerin e tyre që spikat për ndjenjën jashtëzakonisht të zhvilluar të ritmit, improvizimin dhe levizjet energjike.

E po ashtu, përgjatë ditëve të Javës Kulturore Hungareze, nuk do të mungojnë as workshop-et e veçanta me artistët apo ritmet e muzikës klasike.

Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë që në morinë e aktiviteteve të shijojë edhe koncertin e madh të grupit hungarez Bohemian Betyars. Folk, punk, shpejtësi, ritëm, nota ballkanike, rock psikodelik, nota vibruese dhe motive cigane që karakterizojnë stilin e grupit, do munden të përjetohen po më datë 3 Shtator, tek Sheshi Italia.

Menjëherë pas Hungarisë, do të nisë java Kulturore e Holandës (7-11 Shtator), për tu pasuar nga Turqia (12-15 Shtator), Mbretëria e Bashkuar (16-22 Shtator), Kina (23-29 Shtator), Gjermania(2-8 Tetor), Japonia (9-15 Tetor), SHBA-ja (19-23 Tetor), Kombet e Bashkuara (24 Tetor), Austria (26-31 Tetor), Spanja (1-6 Nëntor), Mali i Zi (7-11 Nëntor), Meksika (12-16 Nëntor) dhe Kosova(21-30 Nëntor), që edhe përmbyll këtë edicion të tretë.

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin dhe Brazilin, që e shndërruan vendin tonë nga veriu në jug, në një arenë ndërkombëtare shumë kulturore dhe shumë disiplinore. Fokus i veçantë në aktivitetet e shumta përveç argëtimit, ishte edhe dhënia e mesazheve për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ne anë të kësaj nisme, është për qëllim krijimi i urave lidhëse, nxitja e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon. Nëpërmjet këtij projekti vendet gjithashtu njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Përfundon ‘Skena Verore’ në Ulqin, përmbyllet nga Elina Duni

Edicioni i 39-të i Festivalit “Skena Verore” në Ulqin është përmbyllur me ekspozitën personale te piktores Luljeta Rama Muçaj.

Pas një muaji me aktivitete te shumta kulturore kjo ngjarje ka kulmuar me koncertin me tingujt e muzikës jazz te interpretuara nga Elina Duni dhe Rob Luft Band në kalanë e qytetit.

Çdo vit ky festival bashkon artdashës nga vende të ndryshme për ekspozita, koncerte, promovime librash e ngjarje tjera kulturore./ rtk/ KultPlus.com

Musk lirohet nga padia 258 miliardë dollarëshe për monedhën digjitale Dogecoin

Miliarderi Elon Musk dhe kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla janë liruar nga një padi kolektive e monedhës digjitale Dogecoin prej 258 miliardë dollarësh.

Padia, e ngritur në vitin 2022, pretendonte se komentet nga Musk në Twitter, tani e njohur si X dhe në pronësi të tij, manipuluan çmimin e Dogecoin dhe dëmtuan investitorët e kriptomonedhave.

Investitorët pretenduan se deklaratat e Musk-it, përfshirë se Dogecoin mund të jetë monedha e tij e preferuar, kriptomonedha e njerëzve dhe monedha e ardhshme e Tokës, ishin mashtruese.

Sipas dokumenteve të gjykatës, ata gjithashtu cituan pretendimet se Dogecoin mund të bëhet standardi për sistemin financiar global pasi Musk vendosi një Dogecoin në SpaceX dhe e fluturoi atë në Hënë duke thënë se Dogecoin do të paguante për misionin dhe atë se automjetet Testa mund të blihen me Dogecoin.

“Këto deklarata janë aspiruese dhe të fryra, jo faktike dhe të prirura për t’u falsifikuar”, shkroi në vendimin e tij gjyqtari amerikan i Qarkut Jugor të New York-ut, Alvin K. Hellerstein.

“Sa i përket skemës së supozuar ‘mbush dhe zbraz’ nga Musk dhe Tesla, nuk është e mundur të kuptohen pretendimet që përbëjnë bazën e përfundimit të paditësit për manipulimin e tregut”, shtoi ai.

Një numër i paditësve që iu bashkuan padisë në grup kërkuan 86 miliardë dollarë dëmshpërblim, përveç dëmeve të trefishta prej 172 miliardë dollarësh.

Dikur një kriptomonedhë e panjohur e krijuar si shaka, në fillim të vitit 2021 Dogecoin u rendit shpejt në top dhjetëshen e kriptomonedhave pasi Musk vazhdimisht postonte në Twitter në favor të saj.

Dje, Dogecoin u rendit e 8-ta në mesin e aseteve të kriptove me një kapital tregu prej 14.7 miliardë dollarësh.

Ndryshe nga kriptomendha më e madhe në botë Bitcoin, Dogecoin nuk ka ndonjë kufi në minimin e tij ose në sasinë që krijohet. /atsh/ KultPlus.com

Nesër nis edicioni i 54-t i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Nesër do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili ka jetëgjatësinë më të madhe nga ngjarjet e arteve skenike në Ballkanin Perëndimor.

Nesër do të jetë hapja zyrtare në Teatrin “Adriana” teksa shfaqja e parë që do të jepet është “Mishi i Egër”.

Pjesë e programit janë edhe shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

PRIFEST-i shpalos programin tradicional ‘Fokus’ me filma nga industria e Mbretërisë së Bashkuar

Në edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- PRIFEST, programi tradicional jo-garues “Fokus” do të prezantojë industrinë e filmit të Mbretërisë së Bashkuar.

Në një njoftim për media thuhet që kjo kategori e veçantë e festivalit ka për qëllim të prezantojë kinematografinë e një shteti, në këtë rast britanike, dhe të sjellë për publikun kosovarë një përzgjedhje unike të filmave bashkëkohor nga ky shtet. 

Ky program vjen me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

 LAST SWIM nga Sasha Nathwani, Mbretëria e Bashkuar/ Premierë regjionale (100min).

Është verë në Londër. Në ditën e saj të fundit të lirisë, Ziba, një adoleshente britaniko-iraniane, udhëheq miqtë e saj në një udhëtim plot me ngjarje, ndërsa fshehurazi përballet me një vendim që do t’i ndryshojë jetën.

NO WAY HOME nga Yousaf Ali Khan, Mbretëria e Bashkuar/ Projeksion special – fitues i PriGlobal 2024 (105min).

Ryan nuk e mban mend babanë e tij, por ende ëndërron se një ditë do të kthehet. Kështu që, kur zbulon një burrë të fshehur në shkretëtirën pranë shtëpisë së tij, për të është si një ëndërr e realizuar. Apo jo?

KING BABY nga Kit Redstone & Arran Shearing, Mbretëri e Bashkuar, Francë/ Premierë regjionale (89min).

Një përrallë moderne zhvillohet në një mbretëri të rrënuar ku jetojnë vetëm një Mbret dhe një Shërbëtor. Ardhja e një Mbretëreshe manekin trondit botën e tyre të ndërtuar me kujdes, duke i zhytur në izolim, çmenduri dhe mani vrasëse.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani sot ka takuar në Pragë të Çekisë Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, Alexander Kasanof.

Përmes një shkrimi në “Facebook” Presidentja Osmani tha se kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, e rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon.

“Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

YIHR u bënë thirrje institucioneve ta prioritizojnë prurjen e drejtësisë për të zhdukurit

“Dera e Pritjes” Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut e mblodhi në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme në Sheshin “Skënderbeu” për të ndjerë peshën e 1612 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Kjo ishte një ditë solidariteti me të gjithë familjarët, po aq sa ishte një ditë që kërkuam llogari dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet tona”, thuhet në kumtesën e YIHR-së.

Dera që vendosën në shesh simbolizoi agoninë dhe pikëllimin e pritjes së stërzgjatur për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, transmeton Klankosova.tv.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje institucioneve tona që të kenë prioritizojnë prurjen e drejtësisë për fatin e personave të zhdukur si një faktor kyç në ndërtimin e paqes dhe pajtimin”.

“Së bashku, solidarizohemi me të gjitha familjet e viktimave të zhdukjeve të dhunshme dhe dërgojmë mesazhin: nuk do të pushojmë deri në vendosjen e drejtësisë, derisa të zbardhet e vërteta dhe derisa të zbardhet fati i 1612 personave të zhdukur”.

Liza Laska, artistja që i dha jetë figurës së nënës labe në kinematografi

Më 31 gusht të vitit 2014, vdiq aktorja e mirënjohur shqiptare, Liza Laska.

Liza Laska lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë, Shqipëri, aktore shqiptare që mban titullin “Artiste e merituar”.

Kush nuk e mban mend rolin e plakës tek ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’, rol që e ngriti Liza Laskën në piedestalin e aktorëve më të çmuar shqiptarë.

Shkollimin e parë e mori në qytetin e lindjes. Ajo filloi jetën artistike si aktore e Teatrit të Vlorës dhe më pas luajti për herë të parë në filmin “Malet me blerim mbuluar” në 1971 dhe që hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

Filmat e luajtur prej saj janë të shumtë “Një ditë e mrekullueshme” (2002), “Vdekja e burrit”, (1991), “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, (1989), “Familja ime”, (1987) “Teta Kalina”, “Dhe vjen një ditë”, (1986) “Nena e Llano Bletes”, “Gurët e shtëpisë sime” (1985) etj..

Aktorja ndërroi jetë më 31 gusht 2014. Gjatë viteve të fundit “Artistja” e Merituar ka hedhur në letër kujtimet e saj, për t’i lënë pas për brezat që vijnë. Në një intervistë për median, aktorja është shprehur se ‘Kënaqësia më e madhe e aktorit është respekti dhe dashuria e publikut, ai nuk barazohet me asgjë. Kur eci rrugës, më thonë: O labja jonë, o nëna e Vlorës”./diapsorashqiptare/ KultPlus.com